Vendimi pas ndalimit mbrëmë të shefit të zyrës së Interpol Tiranës dhe një punonjëseje tjetër të cilët dyshohet se kanë mbajtur të fshehur një kërkesë arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet belge ndaj deputetit Mark Frroku.
Në Shqipëri, drejtori i Përgjithshm i policisë së Shtetit Artan Didi dha sot dorëheqjen pas ndalimit një natë më parë të shefit të zyrës së Interpol Tirana Artan Bajraktari dhe një tjetër punonjëse të këtij sektori Loreta Alla të cilët dyshohet se mbajtën të fshehur kërkesën për arrest ndërkombëtar ndaj deputetit Mark Frroku. Ky i fundit dyshohet për një “vrasje me paramendim”, të ndodhur në Belgjikë në vitin 1999, ndaj një shtetasi shqiptar. Sipas autoriteve belge vrasja ka ndodhur gjatë një përplasjeje të grupeve që kontrollonin rrjete të prostitucionit në Bruksel. Gjykata e shkallës së parë për krimet e rënda në Bruksel e ka dënuar me 10 vite burg zotin Frroku, dhe tre shqiptarë të tjerë, ndërsa procesi gjyqësor është tani në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit belg, pas ankesës së bërë nga të dënuarit. Kërkesa nga Belgjika ndaj Frrokut ka mbërritur në zyrat e Interpolit që në muajin janar, dhe zyrtarët e këtij sektori dyshohet se nuk kanë njoftuar autoritetet për këtë.
“Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cënoi në një farë mase imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin”, shkruan në deklaratën e dorëheqjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi duke shtuar se “për këtë arsye, duke vlerësuar si të papranueshëm për prestigjin e institucionit të Policisë së Shtetit, të cilin unë drejtoj, duke vlerësuar se nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”.
Partia demokratike reagoi sot duke u shprehur se kërkesa e autoriteteve belge ndaj deputetit Frroku është mbajtur qëllimisht e fshehur, për t’i bërë shantazh sipas tij, për cështen Doshi, deklaroi sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani. “E kanë mbajtur të kapur dëshmitarin kyç, Mar Frroku, i kanë dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës. Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës”, u shpreh zoti Ristani, duke vlerësuar se sipas tij zyrtarët e Interpol Tiranës janë vetëm viktima të një skeme për të cilën përgjegjës direkt, u shpreh ai, janë kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta
Ngjarja për të cilën akuzohet deputeti Frroku u përmend për herë të parë publikisht pas zgjedhjeve të qershorit të 2013, në një shkrim të një gazete belge. Në atë kohë zoti Frroku mohoi të ishte përfshirë në vrasje, sikundër bëri edhe tani, pasi prokuroria kërkoi në fundjavë, për herë të dytë, autorizimin e parlamentit për arrestimin e tij. Kërkesa pritet të shqyrtohet sot nga Këshilli i Rregullores dhe Mandateve i parlamentit.
Javën e shkuar zoti Frroku u ndalua pasi parlamenti miratoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij dhe të deputetit Tom Doshi, lidhur me hetimet ndaj deklarimeve të këtij të fundit për ekzistencën e një plani për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Plan, pas të cilit sipas zoti Doshi qëndronte kryetari i parlamentit Ilir Meta, por që sipas hetimeve, rezulton të ketë qenë i sajuar prej tij. Në fundjavë Gjykata e Lartë vendosi që deputetët Doshi e Frroku të lihen në arrest shtëpie.