• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë

March 29, 2015 by dgreca

Kështu tha Ulmar Qvick, albanolog, shkrimtar, gazetar e mik i madh i shqiptarëve në festivalin e djeshëm të poezisë “ Sofra poetike” që u mbajt në Boros të Suedisë/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Qendra Kulturore Shqiptare “ Migjeni” në Boros të Suedisë, në kuadër të shumë aktiviteteve konkrete që po zhvillon një kohë të gjatë, së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi XI Albani” që vepron në këtë shtet skandinav, për herë të dytë organizuan manifestimin letrar i titulluar “ Sofra poetike në Boros”, i cili u mbajt dje e në të cilin morën pjesë krijues e dashamirë të fjalës së shkruar jo vetëm nga Suedia, por edhe nga Norvegjija, Gjermania, Zvicra e Greqia si dhe poet e miqë suedez. Sipas organizatorëve, Sokol Demakut, Bahtir Latifit dhe Hysen Ibrahimit, udhëheqës të këtyre asosacioneve ky manifestim që tashmë është bërë tradicional qëllim kryesor ka kultivimin dhe ruajtjen e poezisë shqipe në mërgatë. Thënë konkretisht, kjo veprimtari ka për qëllim që ta kultivoj e ruaj gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgim në këtë pjesë të Evropës. Njëkohësisht ky manifestim, kjo sofër, paraqet një shtytje e nxitje për të gjithë ata që janë të prirur të merren me shkrime që ta gjejnë vetën këtu, të veprojnë kështu në mënyrë të organizuar dhe nesër të krijojnë vepra më të mira letrare, artistike e kombëtare.
Në fillim të këtij evenimenti, Saranda Iseni, e cila ishte edhe moderatore, recitoj bukur vjershën e shkrimtarit suedez, Karl Nordstrym, “ Ata dhe Ne” kushtuar vuajtjes së madhe që shqiptarët patën gjatë luftës së fundit në Kosovë nga soldateska famkeqe serbe.. Me poezitë e tyre u paraqitën edhe Hysen Ibrahimi, Remzi Basha, Louesie Halvardson,, Henrik Mimerson, Shuquri Sejdijaj, Shaban Osmani, Nuha Zllufi, Myrvete Mehmeti. Ndërkaq, Juliana Janku që kishte ardhur nga Gjermania pos në shqip ajo lexoi krijimet e saja edhe në gjuhën anglishte me qëllim që edhe krijuesit dhe miqtë suedez të kuptojnë më afër përmbajtjen e tyre të mrekullueshme.
Dhimbja të bënë vjershëtar
Në këtë tubim të rëndësishëm poetik e morën fjalën edhe disa krijues, të cilët lartësuan poezin si një fuqi magjike që po arrin t’i tuboj krijues e dashamirë të fjalës së shkruar nga shumë vende të botës. Ullmar Qvick, albanolog, shkrimtar, gazetar e mik i madh i shqiptarëve, i dha një përgjigje karakterit dhe domethënies se poezisë , kësaj ëme të artit duke thënë: Para shumë vitesh lexova për një poet në kohën e Vikingëve, i cili shpjegoi pse ishte bërë poet. Ai e shprehu me gjuhën solemne të përdorur para në mijë vjetësh. “ E MORA DHURATËN E DHIMBJES, DHE PRA U BËRA VJERSHËTAR”. Ky poet i panjohur para njëmijë vjetësh na jep mesazhin se si vuajtja dhe dhimbja mund të shihen pozitivisht si dhuratë, duke qenë se ajo mund të shndërroj të keqen në diçka të mirë dhe të bukur, në poezi. Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë shumë mall për lirinë. Për këtë arsye besoj se ky poet nordik nga koha e larshtë ka një lloj ngjashmërie me poetët shqiptar deri në ditët tona. Dhimbja për fatin e atdheut, për krimet e armiqve mizor, për vdekjen që vjen pa pritur dhe pa mëshirë, të gjitha këto janë pjesë përbërëse në poezinë shqipe. Kuptohet se në këtë poezi jetojnë edhe lirika, lumturia e dashurisë dhe optimizmi, prapë jo aq shumë sa dhimbja dhe malli. Poezia ka veti dhe aftësi të mrekullueshme për të shprehur gëzime dhe hidhërime, vuajtje dhe fitore, shpeshherë në pak rreshta. Poezia kalon nëpër shekuj dhe përmban mesazhe të rëndësishme edhe për njerëzit e kohës sonë. Për këtë arsye mirëpres me gëzim të madh këtë iniciativë për të futur përsëri kulturën shqiptare dhe poezin në qendër të vëmendjes duke shpresuar që të kemi dobi dhe kënaqësi nga dita e Sofrës poetike”, tha ndër të tjera ai.Hamit Gërguri, autor i disa librave në gjuhën shqipe e suedeze, ndër të tjera theksoi se në shqiptarët erdhëm në këtë vend të largët e të ftohtë, por me zemër të ngrohtë. Gjetëm strehim, bukë e përkujdesje dhe buzëqeshjen e parë kur ikëm nga ato përndjekje barbare që na i bënte regjimi fashist serb. Ne, krijuesit dhe artistët shqiptar, me punën tonë po bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe pasurojmë degën në atë drurin e pasur kulturor të Suedisë. Bardha Mançe, redaktore e programit shqip në radio Athinë, foli fjalë miradije për punën e mrekullueshme që po bëjnë qendra kulturore “ Migjeni” dhe Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar këtu në Suedi, të cilat duhet të jenë një shembull i mirë edhe për të tjerët se si duhet të punohet në mërgim. Behide Hasanaj , foli kryesisht për punën e saj 35 vjeçare në fushën e humanizmit dhe të ndihmës së madhe që ajo së bashku me shoqatën i dhanë popullit në kohën kur kishte më së shumti nevojë. Shuquiri Sejdijaj, krijues dhe gazetar, tha se vërtetë tash po e kuptoj se sa e fuqishme, sa magjike qenka poezia me vetë faktin se sot në këtë eveniment kanë ardhur krijues e dashamirë nga shumë vende evropiane.
U ndanë tetë shpërblime për poezitë më të mira
Sofra poetike ka edhe karakter garues ndaj edhe u ndanë tetë shpërblime për krijimet më të mira poetike, dy nga ato iu ndanë dy krijuesve suedezë. Do theksuar se në garë morën pjesë me krijimet e tyre morën pjesë mbi 30 poet nga shumë vende evropiane, Kosova e Shqipëria. Të shpërblyerit janë: Lebibe Zogiani, Myrvet Elmazi, Bajram Muharremi, Louise Halvardsson, Vlhelme Vranari, Isa Ferizi, Vasa Papaj dhe Henrik Mimersson.
Në këtë tubim u promovuan edhe Libri i Lebibe Zogianit “ Më falë një jetë”, i Hysen Berishës “ Familja Teraba, i Nulla Zullufit” Larg Vendlindjes dhe i Shuquri Sejdijajt “ Veç një zemër”.
SHSHASH “Papa Klemnti XI” dhe QKSH “ Migjeni” që veprojnë në këtë shtet të largët meritojnë lëvdata për një punë të mrekullueshme që janë duke bërë këtu në mërgim me synimin e vetëm që në këtë mënyrë t’i shërbejnë rinisë sonë, popullit tonë dhe atdheut të cilin e duan aq shumë të gjithë këta krijues, shkrimtarë e veprimtarë. Po ashtu, qëllimi i këtij manifestimi është që t’i afroj njeri me tjetrin krijuesit shqiptar me krijuesit e vendit ku ata veprojnë e krijojnë, pra me poet suedezë dhe poet të komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë këtu.

Filed Under: ESSE Tagged With: për lirinë, Poezia shqipe ka shumë dhimbje dhe në të njëjtën kohë, shumë mall, Xhavit Citaku

RASTI DOSHI – KUPOLA SHTRËNGON RADHËT, POPULLI SHTRËNGON SHPIRTIN

March 29, 2015 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Pamë në Këshillin e Mandateve se si opozita bashkoi votën e saj me shumicën sunduese, ndonëse kjo e fundit nuk solli asgjë bindëse për të arsyetuar arrestimin e deputetit Tom Doshi.
Lepuri që opozitës Kupola ia ka vënë në bark dhe që kishte uluritur në sallën e Kuvendit e në sheshe, mbrëmë vetëm cijati.
Popullit para ekranit të vogël të ABC News iu kujtua koha kur Partia dilte me radhë më të shtrënguara pas çdo goditjeje që ajo iu jepte armiqve të saj të brendshëm. Iu kujtua kjo kohë edhe popullit që ka lindur para vitit 1990, edhe popullit që ka lindur pas vitit 1990.
Sa herë që Partia shtrëngonte radhët e saj, populli shtrëngonte shpirtin, mos me i dalë atje në mjerimin e tij që vetëm shtohej, në frikën dhe pasigurinë që vetëm shtoheshin. Sa më e rreptë bëhej lufta e klasave në radhet e partisë, aq më shumë populli trembej dhe druhej për të tashmen dhe të ardhmen e tij.
Sa herë që Mafia shtrëngon radhët e saj, populli shtrëngon përsëri shpirtin mos me i dalë atje në vendin ku më shumë se gjithçka mungon shpresa për të sotmen dhe për të ardhmen. Sa më egërsisht që Kupola i kërcëllon dhëmbët dhe vjell flakën, aq më shumë populli bëhet sus i mbështjellë në guaskën e tij të mbijetesës, e vetmja pasuri që trashëgoi nga diktatura.

Në një qëndrim të mëvonshëm, siç e pamë, opozita nuk do ta bashkonte votën e saj në Kuvend me shumicën, nuk do ta miratonte kërkesën e shumicës për arrestimin e dy deputetëve nga radhët e kësaj shumice. Opozita ka kërkuar gjithashtu publikimin e videopërgjimit, realizuar nga vetë prokuroria me vendim të gjykatës për krimet e rënda.

Meqë kërkesa për publikimin e videopërgjimit nuk iu pranua, atëherë iu krijua mundësia ta rezervonte qëndrimin e saj deri sa të realizohej kërkesa e saj. Ky qëndrim do të kishte një bazë të fuqishme parimore në favor të saj.

Me këtë veprim, ajo nuk u tregua e zgjuar as e vendosur. Kështu shumica do të jetë më e shfajësuar dhe më e rehatshme në sjelljet e saj të papërgjegjshme.

Lepuri që opozitës Kupola ia ka vënë në bark dhe që mbrëmë vetëm cijati a do të fillojë të ulërijë përsëri?

A do të jetë e zonja opozita ta braktisë Kupolën? A mund ta përballojë e vetmuar opozita kundërgoditjen e Kupolës? A mund t’i shikojë opozita interesat e saj të përfaqësuara jashtë Kupolës? Apo thjesht opozita do të japë ndihmesën e vet në shtrëngimin e radhëve të Kupolës dhe atje do ta presë duarkryq fatin e saj të përcaktuar nga Kupola?
Atë që bëri në Këshillin e Mandateve, opozita nuk mund ta zhbënte ne seancën plenare. Vetëm sa manifestoi në mënyrë konsekuente mungesën e koherencës në mes qëndrimeve dhe veprimeve, fjalëve dhe bëmave.
Mafia nuk lejon askënd të përpiqet për t’ia dobësuar radhët. Mafia duron vetëm forcimin e radhëve. Kush i bën dredha këtij ligji të Mafias, do të pësojë zvogëlimin e peshës dhe të rolit të vet brenda Kupolës. Do të përjetojë një nëpërkëmbje gjithnjë e më brutale.
Nëse opozita kërkon të ketë identitetin e saj, atëherë këtë mund ta bëjë vetëm duke i bashkuar interesat e saj me interesat e popullit. Nuk mund ta bëjë duke e quajtur veten opozitë dhe duke iu kundërvënë interesave të popullit, çka kulmoi gjatë tetë viteve të rikthimit në pushtet.
Muajt deri në 21 qershor, kur mbahen zgjedhjet lokale dhe kur testohet opozita e re, janë një kohë e shkurtër. Opozita e sotme do ta marrë mësimin e duhur përsëri e përsëri.
Kjo datë do të shënojë gjithashtu rënien përfundimtare të institucionit të zgjedhjeve në Shqipëri. Do të shënojë institucionalizimin përfundimtar të farsës në Shqipëri.
Edhe kur cijat, edhe kur ulërin, lepuri në barkun e kësaj opozite mbetet gjithnjë lepur, derisa Shqipëria të ketë një opozitë të vërtetë, një opozitë të re, që nuk e shpërfill popullin, nuk e keqpërdor popullin. Një opozitë e re do të jetë ajo që do t’ua rikthejë shqiptarëve institucionin e zgjedhjeve.
Sa ishte në pushtet opozita e sotme ka manifestuar vetëm cinizëm ndaj popullit që e ka votuar.
Tashi do të korrë frytet e këtij cinizmi. Kjo e mbyll pa shpresë rrethin e saj vicioz brenda Kupolës.

Filed Under: Analiza Tagged With: KUPOLA -, RASTI DOSHI-, Skender Bucpapaj

TOM DOSHI HERO APO VIKTIMË

March 29, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Disa muaj më parë tek RAI UNO Roberto Benigni analizoi «Dhjetë komandamentet», që njihen si Dekalogu (Dhjetë urdhëresat) ose dhjetë ligjet që i ka shkruar Zoti në qiell për të mbajtur ekuilibrin e Universit njerëzor. Kjo është Kushtetuta e Zotit, që çdo njeri duhet ta respektojë.
Në Urdhëresën e Nëntë, Zoti thotë: „Mos bëni dëshmi të rreme“ se drejtësia supreme ju ndëshkon.
Në diktaturën komuniste sa e sa njerëz janë rrasur në burg dhe janë pushkatuar në sajë të dëshmive të rreme. Edhe gjatë tranzicionit po ashtu. Në Ambasadat Perëndimore në Tiranë shqiptarët shajnë e shpifin për njëri-tjetrin.
Për këtë farë specie uroj që ndëshkimi i Zotit të mos ju ndahet kurrë.
Pra dëshmia e rreme në Shqipëri ka hyrë si sistem duke e ngrënë atë. Mjafton të shihni si shahen dhe pështyhen deputetët me njëri-tjetrin. Dhe po t’i ndëshkonte Prokurori i Përgjithshëm, si veproi me Tom Doshin, sipas gjasave asnjëri prej tyre nuk do të mund të vinte në Kuvend.
Sot Shqipëria është në degradën e saj. Për këtë degradim e ka fajin politika, që ka molepsur të gjitha shtyllat e sistemit.
Shqipërinë e sotme Roberto Benigni e krahason me Mesjetën e thellë.
Sot rinia shqiptare nuk ka asnjë pikë referimi. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë figurë nga klasa politike aktuale tek e cila populli të mbështetet e t’i japë besimin. Veç jehona solitare e ndonjë Zëri Revoltues të cilin politika përmes mekanizmave të veta e amortizon duke e izoluar.
Shqipëria duhet të shpëtohet o sot o kurrë. Duhet të shpëtohet sistemi nga rënia përfundimtare.
Rasti Doshi është shembulli më flagrant i komprometimit final të sistemit, sepse aty, sipas dëshmisë të Tom Doshit, të parrëzuar nga palët, kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryeprokurori janë në konflikt të hapur interesi, pasi shkelin pavarësinë e institucioneve që përfaqësojnë. Që do të thotë se janë shkelësa të ligjit.
Nëse bëjmë një digresion në kohë, populli shqiptar kujton vitin 2011 kur Edi Rama dilte në manifestime në krah të Tom Doshit për të larguar nga pushteti Ilir Metën pas videos së publikuar nga Dritan Prifti, ku Meta shfaqej në një pozitë shumë komprometuese që e detyroi të jepte dorëheqjen.
Populli ka parasysh mediat pranë Edi Ramës përpara 1 prillit 2013 kur Rama-Meta hynë në aleancën e djallit, që e karakterizonin familjen e Ilir Metës si më të korruptuarën, duke botuar foto ku fustanët dhe gjerdanët e zonjës Kryemadhi, thuhej se kushtonin me dhjetra mijra Euro. Pikërisht tani këto medie i dalin në krah Ilir Metës dhe gjoja pyesin me habi se a egziston një kauzë ku e ka mbështetur akuzën Tom Doshi, kur dihet se garanti dhe shkaktari i publikimit të videos së Priftit është pikërisht Tom Doshi.

Në retrospektivë ne na kujtohet kur Ilir Meta kryeministër arrestoi liderin e opozitës së atëhershme Sali Berishën. Apo koha kur Fatos Nano e denonconte Ilir Metën.
Ilir Metën e rifaktorizoi në politikë Sali Berisha.
Tani po Sali Berisha e ka kthyer nä kauzë largimin nga pushteti të Ilir Metës, si katharsis, si etje për pushtet apo vërtetë në vijim të dekriminalizimit të Kuvendit.
Por dekriminalizimi si dekomunistizimi duhet të shtrihen kudo, duhet të dekriminalizohet shteti, drejtësia dhe mediat.
Sot lufta partiake është refleks i kriminalizimit dhe do të mbesë kështu deri kur politika të vendosë që, përmes bijve më të mirë, pavarësisht orientimit politik, të shpëtojë vendin.
I.Çështja Tom Doshi
Me një hetim fair pretendimi i Tom Doshit mund të dilte i drejtë – mund të rrëzohej ose mund të zbulohej një palë e tretë që synon të bindë Tom Doshin se atë kërkon ta eleminojë Ilir Meta, për të hedhur tym, për të hequr vemendjen nga vrasësit e vërtetë.
Tom Doshi ka të drejtë të besojë se dikush nga politika kërkon ta eleminojë. Ai ka provuar në kurriz krimet e diktaturës pasi regjimi komunist i ka vrarë 5 njerëz të familjes. Tom Doshi i ka pare dhëmbët kriminale edhe kur në qershorin e 2014 në mes të Tiranës dhe pranë selisë të kryeministrisë u vra Artan Santo, vrasje që vazhdon të mbetet e pazbuluar. Dhe kupola e politikës shqiptare nuk i çan kryet për këto krime!

Në Shqipëri vepron një segment i nëndheshëm si shtet paralel për të krijuar alibi dhe për të bërë ligjin. Siç u krijua alibia edhe për vrasjen e Azem Hajdarit nga Fatos Nano.
Prandaj duhet drejtësia si pushtet sovran dhe i pavarur nga politika. Prandaj do të duhej një Kryeprokuror me integritet të pastër, i paanshëm, i pavarur, i pakomprometuar.
Gjatë muajit mars Tom Doshi ka ngritur disa pretendime:
1. Se Prokurori i Përgjithshëm është takuar me Ilir Metën në Gjirin e Lalzit, pasi Tom Doshi i ka treguar kryeshefit të akuzës se ka marrë kërcënime me jetë nga kryeparlamentari.
2. Se kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryeprokurori janë takuar bashkë, kur Ilir Meta ishte personi i akuzuar nga Tom Doshi.
3. Se Spartak Braho është takuar në Hanover të Gjermanisë më 6 mars me të vëllain e Fatjon Skënderit, që është një nga killerat e përfshirë për vrasjen e dy deputetëve gjithmonë sipas pretendimeve të Tom Doshit.
4. Në Këshillin e Mandateve Tom Doshi deklaroi se ekziston një video përgjimi ambiental gjatë takimit midis tij dhe Durim Bamit, realizuar me miratimin e prokurorisë dhe me vendim të gjykatës për krimet e rënda, ku Durim Bamin deklaron se ka ndryshuar qëndrimin e tij nën presionin e bërë nga politika, prej frikës, pasi jeta e fëmijëve të tij në Zvicër është e kërcënuar nëse ai hap gojën.

5. Po ashtu Tom Doshi ka deklaruar se Durim Bami fillimisht ka dhënë dy dëshmi ku pohon dëshminë, ku e ka mbështetur akuzën Tom Doshi. Tom Doshi po ashtu thotë se dëshmia e Durim Bamit konform pretendimeve të tij është marrë edhe me shkrim nga organet e policisë së shtetit.
Deri tani asnjë nga pretendimet e Tom Doshit nuk zbardhet!
II.Institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm
Tom Doshi ka tre dëshmi për Prokurorin e Përgjithshëm.
Së pari, se Tom Doshi i kallzoi Prokurorit të Përgjithshëm se është i rrezikuar me jetë nga njerëz të paguar nga Ilir Meta;
Së dyti, se pas kallzimit të tij tek Prokurori i Përgjithshëm, po sipas Tom Doshit, kryeshefi i akuzës, dmth Adriatik Llalla, i ka bërë një vizitë private dhe është takuar me Ilir Metën në vilën që ka kryeparlamentari në Gjirin e Lalzit;
Së treti, pas kallzimit që ka bërë Tom Doshi, kryeprokurori, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë bërë një takim kokë më kokë midis tyre në kryeministri.
Mjafton që të vërtetohen dy nga këto pretendime, që janë shumë lehtë për t’u vërtetuar, që e nxjerrin jashtë loje jo vetëm Prokurorin e Përgjithshëm, dhe e obligojnë atë që të jape dorëheqjen.
Ose përndryshe kryeshefi i akuzës duhet të vërtetojë se asnjë nga pretendimet e Tom Doshit nuk qëndron. Këtë gjë mund ta bëjë publikisht, ballë për ballë me Tom Doshin.
Ndërkohë përfshirja e Prokurorit të Përgjithshëm në urdhërarrestin e Tom Doshit, lë hije të keqe për kryeprokurorin. Sepse është i pari urdhërarresti nga Adriatik Llalla i lëshuar për një zyrtar të lartë, kur Shqipëria konsiderohet nga ndërkombëtarët një vend kuazi mafioz dhe akuza për të cilën e ka prangosur Tom Doshin – është dëshmia e rreme!
III.Spartak Braho
Deputeti i LSI-së Spartak Braho, krahu i djathtë i Ilir Metës dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë prej 2011 njihet si personi që shëtit me një çantë të zezë të mbushur me filmime komprometuese për eksponentët më të lartë të politikës.
Më kujtohet janari i vitit 2011. Ne ishim në Strasbourg për të mbuluar mbajtjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ku Diky Marty lexoi raportin e tij dhe pritej të vinte Berisha. Por ai mungoi dhe kjo mungesë prej “dashamirëve” të tij u komentua si “frikë” ndaj filmimeve të Brahos.
Edhe pozicioni i Spartak Brahos është i komprometuar.
1. Sepse sipas pohimeve të vetë Spartak Brahos, ky prej katër vitesh ka prova komprometuese kundër emrave më të fuqishëm të politikës shqiptare. Por deri sa nuk i çon këto prova tek Prokurori i Përgjithshëm apo nuk i nxjerr këto prova në publik, do të thotë se ai bën shantazh me to dhe për shantazhim zoti Braho penalizohet.

2. Nga ana tjetër, nëse Spartak Braho ka prova komprometuese për politikën dhe nuk i bën këto prova publike, përsëri ai penalizohet.
3. Spartak Braho duhet të qartësojë se ishte apo nuk ishte në Hanovër në takim me vëllain e Fatjon Skënderit. Për këtë të duhet të kërkohet që autoritetet e aeroportit gjerman të japin qëndrimin e tyre zyrtar.
4. Po ashtu “prova rrëqethëse” që paraqiti Spartak Braho në lidhje me raportin mjekësor të Tom Doshit në krahasim me akuzën që ka Tom Doshi ndaj Ilir Metës është qesharake, nisur edhe nga faktet e kronikave nga televizionet e Tiranës ku mësohet e vërtetohet se Tom Doshi merr medikamente për tension.
5. Spartak Braho duke u bërë avokati mbrojtës i Ilir Metës bie në konflikt interesi me pozitën e tij si shefi i grupit parlamentar të sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë. Ai duhet të heqë dorë ose nga pozicioni i avokatit ose nga pozicioni zyrtar që ka.
IV.Tom Doshi në raport me pretendimet e tij
Lind pyetja a qëndrojnë pretendimet e Tom Doshit.
Që kur Tom Doshi ka bërë denoncimin, në favor të tij janë shtuar përkrahësit. Mjafton të shihet kjo edhe në Facebook. Por le të bëjmë një analizë me këmbë në tokë. Tom Doshi ka arsye të besojë se jeta e tij është e rrezikuar të paktën për tre arsye:
Arsyeja e parë: nga eksperienca jetësore, Tom Doshi ka provuar vrasjet politike, pasi diktatura komuniste i ka pushkatuar 5 anëtarë të familjes.
Arsyeja e dytë: nga imoraliteti politik i lidërshipit të PS dhe LSI. Deri dje Rama dhe Meta e akuzonin njëri-tjetrin, ndërsa tani janë në një harmoni që justifikohet vetëm për interesa pushteti dhe assesi shteti.
Arsyeja e tretë: frika e Tom Doshit justifikohet edhe me krimet e pazbuluara siç është megarasti i Artan Santos etj.
V. KONKLUZIONI
Si konkluzion dua të them se këtë opinion e kam shkruar mbështetur në fakte që i ka të ditura i gjithë opinioni publik e që janë bërë të njohura përmes televizioneve të Shqipërisë.
Ky shkrim nuk ka si qëllim as të bëjë prokurorin dhe as gjykatësin, por t’i bëjë bashkë e t‘i evidentojë të gjitha faktet, ndaj të cilave palët apo aktorët e përfshirë janë të detyruar të zbardhin veten.
Por përdorja e të gjitha mjeteve për ta njollosur Tom Doshin, në vend të vullnetit të Ilir Metës për të treguar pafajësinë ndaj Tom Doshit, është komprometues për Ilir Metën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, HERO APO VIKTIMË, Tom Doshi

E VËRTETA E TË KËQIJËVE

March 28, 2015 by dgreca

(Një çiltëri e pamohueshme negative)/
Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
1.Një personazh i Sartërit (“Muri”), i thotë të birit se ai e ka për detyrim të jetë pasanik e ndërmarrës i madh. Gjithçka, ndaj, në ndjekje të kësaj teme, duket të fillojë nga një keqkuptim. Elitat politike të Prishtinës, a mbase shqiptare përgjithësisht, pretendojnë se janë cektinat e turmës që kanë keqkuptuar gjenin e tyre tejpamës, sepse, i tillë, ai bën të ndihen të detyruar për të qenë udhëheqës të Republikës. Mirëpo, nëse Kamy kishte të drejtë tek shkruante se kalimi nga fjala tek veprimi moral ka një përskajim – të bëhesh njerëzor, aherë, me gjasë, është e kundërta: janë ata që keqkuptojnë përherë e vrazhdësisht kohën, njerëzit dhe, madje, veten e tyre!
A është kishte fjalë e tyre prirjen të pësojë shndërresën sublime në veprim moral, për të jetuar, ashtu, procesin e epërm të të bërit njerëzor? Asnjëherë, sepse në ngjizje të tij, krimbëron prore hipokrizia e pështirosur.
2.“Pika zero” dhe mjegullnaja që mbështjell e terron hierarkinë vleftore, është, prandaj, formula fatkeqe e rrethecjes shqiptare. Motet para saj i vulosin të shenjuar akuze, dështakët e mashtruesit, dhuntarët e shpirtshiturit e ulur në ballë të parisë. E pasvajtësit e tyre, tashmë si një premtim fluturak i opozitarëve që duan fronësimin, brohorasin në kupë të qiellit me gërrithje e përgjakje, refrenin e lodhshëm që kishin deklamuar ethshëm pararendësit e rrëzuar: bërja përpara, harmonia sociale a përtrirja popullore.
Pastaj, marramendës e i paprerë, vijon shtegtimi në vetëngujimin e pambarim: akuzatorët pajisen mbifuqie politike, ndërkohë që, mujsharët e refuzuar në teatrin zgjedhor, zbresin poshtë duke gëzuar komoditetin, pasionin e stilin aty ku e kishin lënë, si një stafetë unike, të marrë në dorëzim nga kundërshtarët e lartëngjitur.
Dhe kështu, duke alternuar rolet njëjtësore, ata zhbëjnë vetë idenë e të Mirës dhe të Keqes. Atë që thotë njëra palë, me kumbonarët, militantët, medialistët, konvertitët, mutantët, parandyrësit, kartelistët e nëndheut, jermësit – mohon tjetra, me po atë vulg të çorientuar, injorant e të pabesë. E bardha, ose ajo që paraqitet e panjollë, është njëkohësisht e zezë, ose thuhet të jetë korb fare. Nuk ka një qendërmasë të vërtetë vlere se ç’është krimi e vrasja politike, korrupsioni e dorëvënja në votën a pronën publike, apo, tutje: ç’është interesi publik dhe kultura e legalitetit, qytetnia demokratike dhe patriotizmi kushtetues? Hajni i mitosjes a tatimor, tenderist a buxhetor, shenjëstrohet me emër e gjurmë, por po ky emër latohet përulshëm si flijimtar i zjarrtë për shtetin e së drejtës. E i vrari, ndërkaq, shpallet viktimë hajdutërie e, poaq, hero i mirësisë së përgjithshme, kurse dorasi i supozuar mbetet një fantazmë që, i yshtur nga loja e ekuilibrizmit politik, bredh ndër grupime e klane të mafiokracisë pa gjetur dot strehën dhe gurëvarrin e vet…
Por kur rastis të përafrohen për kohabitim politik, aherë s’është më zhurma, por heshtja që kurorëzon kalimin e humnerës dramatike. Veçse ajo, kësaj radhe, pushon të jetë e urtë dhe e artë. Duke qenë një tkurrje dinake nga parimet e shpallura, ajo sfidon pafytyrshëm inteligjencën e njeriut politik. Tabela e djeshme e qitjes, ku zbrazeshin breshëritë e denoncimeve, mohimeve e poshtërimeve, tani, papritmas, falë mosthënjes lukrative, shndërrohet në referencë të virtytshme. Hierarku folklorik, vjedhësi, i pamoralshmi ordiner, keqqeverisësi që dërgon të mjerët udhëve të botës, trafikanti i pasy, kooperativisti i mejhanes politike, serbofalësi, kolaboratori sllobodanjan, figuranti i djegur i së kaluarës, socialisti jugosllav, tagrambledhësi i pamëshirë e i fshehtë i diasporës, dialoguesi enigmatik brukselian, i pandehuri i gjyqeve speciale, despoti i paprekshëm i grupimit politik, neoliberalisti që shet pasurinë dhe, prandaj, grishësi i pushtuesve virtual të atdheut, – nuk janë më të tillë. Përkundrazi: rezulton të jenë hirësisht të denjë për aleancë kombëtare e koalicion sundimor!

3.
Ndaj, si për shumëçka tjetër, njohim sërish shfaqjen e veçanësisë shqiptare: të gjithë kanë të drejtë. Po si, kështu? Si ndodh që ti kenë të mirëqena fjalërëndat e grindjes dhe heshtjen e shurdhër të pajtimit? Ah, krejt thjeshtë: deduksioni elementar rrëfen se, ndërsa ankesat e hidhta për njëri-tjetrin janë të kthjellta si rrezja e diellit, ata do ti nyjëtojë e vërteta e çuditshme. Po cila e vërtetë, vallë? E vërteta tragjike e antikombtarizmës! E vërteta e të këqijëve!..Sepse kur godasin, natyrisht pa etiketë e me gjuhë primitive, thonë të njëmendtën për armikun e urryer të atdheut tjetër politik, i cili, nga ana e tij, shqipton po këtë njëmendësi tëpër të saktë për palën tjetër, andej barrikadës. Porse, nuk ngjajnë hiç më të fismë as kur, me kodin e species, s’bëzajnë e pajtohen në legjislaturën e përbashkuar. Antikombtarizma është prapë aty: po tani e nënshtruar rreth tymit të gënjeshtrës…
Vitet e ciklet e legjislaturave kuvendare ikin – por, si nga një hovzim i ri trishtues, përtëriten pamjet, vesi, kurthet, xyfjet dhe pandjeshmëria absolute për elektorët e harruar…Ndonjëherë përqaset bashkëformimi i guvernës që, poaq poshtërisht, shkrinë ngjyrat e rreme, duke mbuluar me hijen e gjatë të pushtetit të pabërat e tyre dhe pëshpërimat e tregtizës së shkretë provinciale!
Po a është dhe vetë koha me faj për këtë fatamorganë? Gjithësesi! Ajo jep, shpesh, fillesën e rrethanore për të shpërthyer karakteret e liga dhe për të këputur fijen e hollë frymëmarrëse. Por, më shumë ende, rëndon durimi lapidar i turmës së paçliruar nga mendësia e robit dhe, gjithaq klientelizmi i vokacionit akademik, bashkë me brezin e mediokërve që ata, si pohonte Niçe, i prodhojnë në serrat e nxehta për fishkjen e instinkteve të shpirtit!..

Filed Under: Analiza Tagged With: E verteta e te keqiave, Rexhep Kasumaj

Senati amerikan miraton ambasadorin e ri ne Kosove

March 28, 2015 by dgreca

Gregory T. Delawie i emruar nga Obama si ambasador në Kosovë, miratohet nga Senati Amerikan/
WASHINGTON D.C: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka propozuar Senatit amerikan për të emëruar Gregory T. Delawie si ambasador i SHBA-së në Kosovë, lajm ky i konfirmuar për miratimin e tij dhe që është në fletoren zyrtare të Shtëpisë Bardhë.
Zyrtarisht bëhet e ditur se emri Delawie ka arritur të marrë miratimin në Senatin amerikan së bashku me një numër të propozimeve të tjera, të bëra së fundi nga Presidenti Obama njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Me miratimin e kësaj kanidature, Delawie, do të jetë ai që do të zëvendësojë ambasadoren Tracey Ann Jacobson, cila arriti në Kosovë në 2012, dhe kështu përfundon mnadatin e plotë tre vjeçarë.
Aktualisht, zoti Delawie mbante postin e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Sigurinë Europiane, Teknologjisë dhe Zbatimin e Ligjit, një post që ai e ka mbajtur që nga viti 2012.
Më parë, Delawie ka punuar si zëvendës ambasador në ambasadën amerikane në Berlin nga viti 2009 deri më 2012, zëvendës ndihmës sekretar në Byronë për Çështje Politike dhe Ushtarake nga 2008 deri në 2009, dhe si kreu i zyrës për tregtinë dypalëshe në Byronë e Çështjeve Ekonomike dhe të Biznesit nga 2007 deri në vitin 2008.
Kurse nga viti 2004 deri më 2007, ai ishte zëvendës ambasador i SHBA në Zagreb.
Delawie u diplomua në ekonomi nga Universiteti i Harvardit. Zotëron mirë disa gjuhë të huaja të cilat janë: Gjermanisht, Italisht, Kroatisht, dhe Turqisht.
Ai është një anëtar karriere i korpusit diplomatik i Shërbimit të Lartë të Jashtëm, i diplomuar në Kolegjin e Harvardit me një diplomë në ekonomi.
Gregory T. Delawie është me origjinë nga San Diego, Kaliforni./Beqir SINA/

Filed Under: Featured Tagged With: Gregory T. Delawie i emruar, miratohet, nga Obama si ambasador në Kosovë, nga Senati Amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT