• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

Thethi, “parajsa” natyrore që kërkon vemëndje

June 27, 2015 by dgreca

Nga Nikolla Lena/

“Dita e Bjeshkës” tashmë është futur në kalendarin e festimeve alpine dhe zhvillohet në krah të Bjeshkëve të “Namuna”, pikërisht në Luginën e Thethit.  Aty çdo vit më 25 qershor mblidhen burra e gra nga zonat e Shalës, Pultit, Shoshës, Bogës  dhe festojnë së bashku.Pata një ftesë nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura që të merrja pjesë në “Ditën e Bjeshkës”. Ata nën organizimin e ministrisë së Mjedisit si  dhe  disa shoqata të tjera që merren me mbrojtjen e mjedisit dhe të parqeve natyrore si, INCA, përfaqësues të GIZ-it, kishin menduar ta shfrytëzonin këtë ditë feste për prezantimin e një projekti  promovues  të  vlerave natyrore, klimaterike, turistike dhe kulturore të zonës. “Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) synon zgjerimin e kësaj zone, duke nisur nga Vermoshi deri në Valbonë, që do të quhet Parku Kombëtar i Alpeve, duke përfshirë ndër të tjera edhe dy parqet kombëtare ekzistuese, Parkun Kombëtar të Thethit dhe atë të Luginës së Valbonës. Kështu, Parku Kombëtar i Alpeve do të ketë një sipërfaqe prej 85 mijë ha dhe do të jetë më i madhi në vend”, më shpjegonte gjate udhëtimit për në Theth Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej.

Pasi lame Shkodrën dhe fshatrat fushore të saj, u futëm në luginën që të çon drejt Bogës. Nuk di si ka mbetur ky emër. Zoti në këtë luginë të bukur, nga sllavishtja do të thotë “Zot”. Mbase Zoti im ose vend i Zotave, ose nga latinishtja “Grykë e Bukur”…por vërtet është një vend tepër tërheqës dhe i bukur. Fshati ishte rregulluar në të dyja anët e luginës me shtëpi të reja e bujtina për vizitorët e huaj.Pasi lamë Bogën u drejtuam për lart, drejt Bjeshkëve. Qafë Sora (ose Sorra) bën ndarjen midis Bogës dhe Thethit. Pikërisht aty, në pikën më të largët i sheh të dyja Luginat, në lindje atë të Thethit dhe perëndim atë të Bogës. Aty ngrihej madhështor një kryq betoni, por aty ishte edhe e para bujtine buzrruge. Rruga ishte e gjatë dhe u ulëm ta pinim një kafe. Ishte një lokal alpin i ndërtuar me dru, me një shesh pushimi ku mund të kundroje dy botë, lindjen dhe perëndimin. Nuk ia mësova emrin e vërtete pronarit të lokalit se aty shërbenin ca “Culla” (djem) dhe ca gra, por i thoshin Lokali i Bajraktarit të Bogës….Rruga drejt Thethit ishte e vjetër dhe e vështirë. Ndeshëm disa turiste ceke dhe angleze, që me çantat e tyre mbi shpinë marshonin drejt Thethit. Ndeshem edhe karvane qe shtegetonin bagetite drejt alpeve…Festa ishte organizuar në sheshin e Kishës së fshatit. Një shesh i madh dhe i gjelbëruar. Gra e burra me veshje karakteristike të zonës e kishin mbushur atë.

Në ceremoni foli Zamir Dedej, që bëri një parashtrim për Zonat e Mbrojtura dhe rëndësinë që marrin ato për natyrën shqipëtare dhe atë turistike. Ai theksoi se këto parqe shtrihen tashmë në tri shtete, atë të Malit të Zi,Shqipërisë dhe Kosovës. Ruajtja dhe mirëmbajtja e tyre tashmë nuk është detyrë vetëm e ministrisë përkatëse, por edhe e vet komunitetit dhe e pushtetit lokal ku shtrihen. Foli gjithashtu edhe specialisti i vjetër të mjedisit, Nihat Dragoti, i cili theksoi se ky studim do të diskutohet me komunitetin e zonës dhe debati do të mbetet i hapur për t’u diskutuar dhe në nivele të tjera nga specialist të ndryshëm, nga grupet e interesit, si dhe do të vilet mendimi nga gjithë komunitetet e zonave, që përfshijnë Alpet.  Prezantimi i historikut të zonës u bë nga Prof. Luigj Shyti, prezantimi i vlerave kulturore dhe tradicionale nga Zef Bari, prezantim i procesit të zonimit të parkut të alpeve nga Nihat Dragoti, ekspert i INCA. Më pas pati diskutime nga pjesëmarrësit.

Përfaqësuesi i bujtinave të zonës promovoi vlerat dhe traditat e trevës. “Shtëpia asht e zotit dhe e mikut“, është shprehja tradicionale që përdorin banorët e bjeshkëve dhe dyert e kullave të tyre janë të hapura për miqtë, vizitorët, turistët vendas dhe të huaj. Banorët e kësaj zone kanë perfeksionuar shërbimet dhe kulinarinë etj. Këta malësorë janë jo vetëm mikpritës, por edhe shembull i bashkëjetesës së natyrës me njeriun, përfundoi ai. Ceremonia mbaroi mes stendave të shumta të varura rreth e qark, valleve tradicionale dhe këngëve me çifteli. Pati edhe një panair të vogël me produkte të zonës.

Fare prane kishës, rreth 100 m në perëndim të saj, ndodhet kulla e famshme e nguimit. Një kullë e gurtë që ka bjeshka5hyrë dhe ka mbetur në histori si një instrument i çuditshëm gjykimi dhe dënimi. Një kullë e gdhendur në gure katrore, me vrima të vogla që përfaqesonin dritare dhe themelet e veta i kishte të ngulura në shkëmb. Pronari i saj i saj, Sokol Koçeku, një mesoburre, na rrëfen historinë e kullës dhe bëmat e saj. Ngjarjet e para nga kjo kullë janë një roman më vete dhe duan shumë kohë t’i tregosh, por unë mësova se aty është ngujuar edhe njëri prej 7 shalianëve, Mark Sadiku, që lane nam në Shkodër me bëmën e tyre. E pyeta Sokolin edhe për mbiemrin e ndryshuar të disa Shalianëve si,  Mark,Fran, Marash…të kthyer në mbiemra myslimane si, Sadiku psh. Ai më shpjegoi se në kohën e “Turkies” nuk i lejonin katolikët apo të krishterët të bënin pazar në Shkodër dhe kështu detyroheshin të ndrronin mbiemrin, por të ruanin fenë. Kulla e ndërtuar në tri kate, kishte hapësira të kufizuara dhe frëngi fare të vogla. Orenditë ishin të pakta dhe ato më të nevojshmet si sofra, ena e ujit dhe disa shtroje prej lëkurë delje. Sigurisht dhe arma vrastare. Çdo kat përfaqësonte nivelin e krimit. Kur krimi gjykohej tepër i padrejtë, vrastari vendosej në katin e parë ku ishte një shkëmb i madh guri dhe pak orendi. Kur krimi gjykohej mesatarisht, vrasësi theeeeethiiiivendosej në katin e mesëm dhe më i drejti në katin e sipërm. Tamam si në Ferrin e Dantes, sipas gjykimit.  Vizitorë të shumtë hynin e dilnin nga kulla me përshtypje të çuditëshme në kokat e tyre. Shihje gjermane, zvicerane, angleze e ceke, të çuditur nga ato që kishin dëgjuar për këtë kullë. Ishte kohë dreke kur u  larguam prej saj dhe u drejtuam për nga kulla e Mollajve ose e Ujkajve, për te Fran Molla ose Ujka. Një kullë krej ndryshe, e re dhe me dritë. Me dritare të mëdha, me mure të rregullt e me plot hapësira. Brenda ishte e areduar në mënyrë moderne. I zoti i kullës priste miq dhe drekën e kishte shtruar në oborr të saj. Gratë dhe djemte e rinj shërbenin me mirësjellje. Zakoni e donte një berr në hell, verë e raki kumbulle. Gjelbërimi dhe ajri i pastër të shtonin oreksin. I zoti i shtëpisë kishte thirrur edhe dy rapsod prej Shale. Çiftelia shoqëronte këngët e traditës dhe ato të kohës së sotëme. Bjeshkët e Namuna ngriheshn thik mbi kokat tona. Tashmë ato nuk na dukeshin më të “namuna” por të bukura e të bekuara. Gjelbërim i pa anë,ajër i pastër,uji me shumicë dhe legjenda e histori të çuditëshme e mbresëlënëse.

Lugina e Thethit është vërtetë një parajsë tokësore që kërkon më shumë vëmëndje për resurset ekonomike që mbart,për historinë, për turizmin, për vizitorët e shumtë që ka dhe për vet banorët e kësaj zone që jetojnë gati në kufijt e legjendës.(Kortezi:ATSH)

Filed Under: Reportazh Tagged With: kerkon Vmendje, Nikolla Lena, parajsa, Thethi

Jozefina Topalli: Humbja nuk quhet fitore, Ka mbete vetem Shkodra

June 27, 2015 by dgreca

Për deputeten e PD Jozefina Topalli në zgjedhjet vendore PD ka humbur  në shumicën absolute të bashkive dhe kjo nuk mund të quhet fitore.“Mbrëmë pas mesnate shumë të rinj më uronin pas nxjerrjes se rezultatit përfundimtar për Shkodrën.Ato kishin qenë edhe komisionere dhe me të drejte ishin aq të lumtur që ia kishin dalë me një rezultat pozitiv për qytetin tone të dashur.E kuptoj se duke qenë me ditë të tëra të përfshirë në procesin e numërimit ndoshta nuk kanë ndjekur rezultatet në gjithë Shqipërinë, ndoshta  ndonjëri kishte lexuar me titra ose kishte dëgjuar se në shkallë Republike , PD kishte bërë hap para, apo se kjo ishte fitore.

Nje tjetër jo i ri më tha : a te kujtohet ’91? Edhe atëherë ishte pothuaj vetëm Shkodra…dhe ..shtoi …”por….në atë kohe ishte kohë idealesh , në atë kohë kishte shprese.. ne ate kohe .”….dhe nuk e zgjati se krahasimi e pa se nuk shkonte.

Une me shpirt i përgëzova të rinjtë dhe po ashtu falenderoj qytetarët e Shkodrës,  dhe i uroj suksese e punë te mbare Voltana Ademit.Por unë jam e trishtuar për rezultatin në shkallë Republike.Ne nuk kemi fituar , dhe as kemi bërë hap të madh përpara. Nëse diferenca është ulur tek kandidatet ajo ka ardhur se vertet kemi shtuar vota , por kryesisht se ASHE ka humbur me shumë se kemi shtuar ne.Por edhe tek vota e kandidateve ne jemi minus 11%, apo minus 199 mijë vota.

Ne kemi humbur në shumicën absolute të bashkive. Harta eshte pothuaj krejt mavi dhe si PD kemi 20%, ndërkohe si koalicion jemi me minus 343 mijë vota.

PD ka një betejë të vështirë përpara. Por PD duhet të shikojë më shumë nga vetja”, shkruan Topalli.

Filed Under: Interviste Tagged With: Jozefina Topalli, ka mbete, shkodra

Basha në PPE: Zgjedhjet e 21 qershorit u prishën nga mazhoranca

June 27, 2015 by dgreca

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi nga Brukseli ku po merr pjesë në samitin e PPE-ve se ndërkombëtarët janë të zhgënjyer se zgjedhjet e 21 qershorit u prishën nga mazhoranca qeverisëse.

Basha u shpreh se pas mbylljes së procesit të numërimit, PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

Lulzim Basha: “Nuk ka dyshim që instrumenti që shkatërroi dhe deformoi zgjedhjet e 21 qershorit përbën një kërcënim real për demokracinë shqiptare, për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë. Lufta për të çmontuar këtë instrument të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD dhe imi si kryetar i saj. Sot apo nesër besoj do të jetë dita e fundit e përmbylljes së procesit të numërimit, në të cilin pavarësisht gjithë këtyre parregullsive, ne morëm pjesë dhe u bëmë thirrje numëruesve tanë të ishin të kujdesshëm në zbatimin e ligjit. Me përfundimin e këtij procesi, PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit europian të vendit por as në përballimin e sfidave imediate dhe akute që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE, në Bruksel” 

Duke iu referuar letrës që kryeministri i Hungarisë Victor Orban i ka drejtuar presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe presidentit të Këshillit të Ministrave Donald Tusk, ku kërkon që të organizohet një samit në Budapest për emigracionin nga Ballkani Perëndimor, zoti Basha tha se liderët kryesorë të Europës janë jashtëzakonisht të shqetësuar për përmasat në rritje të emigracionit i cili vjen si rezultat i marrjes peng të demokracisë nga oligarkia, dëshpërimit dhe krizës ekonomike.

Lulzim Basha: “Janë jashtëzakonisht të shqetësuar dhe mund t’ju them se liderët kryesorë të Europës që janë të pranishëm në këtë samit u shprehën qartë se për Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit, ku oligarkia ka marrë peng demokracinë dhe ka bërë të mundur që një vend i cili para pak vitesh u bë anëtar i NATO, pak vite më vonë mori të drejtën që qytetarët të lëvizin pa viza e pak muaj më parë mori statusin e vendit kandidat, të ketë shkaktuar një dëshpërim kaq të madh mes qytetarëve të vet, jo vetëm për shkaqe ekonomike por edhe për shkaqe të zhbërjes së standardeve civile, qytetare, demokratike, saqë ata të dynden masivisht në portat e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE”

Filed Under: Featured Tagged With: Basha ne Bruksel, PPE, Zgjedhjet shqiptare

KOSOVA PA GJYKATEN SPECIALE

June 27, 2015 by dgreca

Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi Gjykatën Speciale/Nga: Behlul Jashari/

PRISHTINË, 26 Qershor.-Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës, krijimin e Gjykatës Speciale. Për miratim duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.Pasdite e sotme ka rinisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pati ballafaqime gjatë debatit pro e kundër propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës dhe Gjykatës Speciale, e ndërprerë pas mesdite për të riflluar në orën 15:00. Në deklarime, dy forcat më të mëdha politike të koalicionit qeverisës që kanë 68 deputetë u shprehën pro, e tre të opozitës me gjithësej 31 deputetë kundër, ndërsa grupet parlamentare të komuniteteve pakicë nuk u deklaruan. Pa grup parlamentar janë 5 deputetë, 4 shqiptarë e 1 serb.

Në debatin që po vazhdin pasdite në Kuvendin e Kosovës, deputetja e partisë më të madhe të koalicionit qeverisë, PDK, Ganimete Musliu u deklarua kundër Gjykatës Speciale. “Unë do t’i them jo kësaj gjykate sot”, tha ajo pasi përkujtoi masakrat e forcave serbe në Kosovë. Edhe deputeti tjetër i PDK, Nait Hasani duke përkujtuar mes tjarash masakrën e forcave serbe në burgun e Dubravës u shpreh kundër Speciales dhe propozoi që votimi të jetë i fshehtë.

Para saj, deputeti i VV-së, Ilir Deda duke u deklaruar kundër tha se “sot është ditë e rëndë për Kuvendin e Kosovën”, ndërsa theksoi alternativën që vetë Kosova të formojë në ved, e jo jashtë, Gjykatën Speciale për krime lufte.

Para deputetit të fundit në listën e gjatë të diskutuesëve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duke marrë pjesë në debatin pa kufizim në kohë tha se ai do të votojë pro sepse, “Gjykatën Speciale nuk mund ta ndalim me çfarëdo votimi sot”.

Albin Kurti i VV-së, ishte deputeti i fundit në debatin e sotëm në Kuvendin e Kosovës me ritheksim të qëndrimit kundër Speciales të grupit të tij parlamentar më të madh opozitar 16 anëtarësh. “Kush mendon për Kosovën nuk ia bën asaj Gjykatën”, u shpreh ai.

Në fund zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi foli si lider i partisë më të madhe, fituese e gjashtë palë zgjedhjeve në Kosovë, si e theksoi ai. “Çdo herë që kemi ndërmarrë veprime jo të lehta ka dalë një sukses më madhor për Kosovën”, theksoi Thaçi duke u shprehur pro votimit të propozim-amendamentit kushtetues. Ai theksoi suksesin e Kosovës me 111 njohje të pavarësisë nga shtetet anëtare të OKB-së. Ish-kryetari i VV-së, Kurti e deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha, polemizuan me Thaçin, ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi që mos të vazhdohet me diskutime dhe të kalohet në votim. “Mendoj që mosvotimi i Gjykatës Speciale sot, që besoj se është vullneti i deputetëve ashtu, është një vendim i këtij parlamenti, ne i marrim përgjegjësitë, jemi deputetë  dhe na presin detyra tjera që nga e nesërmja”, tha Haradinaj.

Në vazhdim u diskutua për menyrën e votimit, pas propozimit të deputetit të PDK-së Nait Hasani që votimi të jetë i fshehtë, gjatë të cilit kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se nuk do marrin fare pjesë në votim, meqë  spas tij do ishte shkelje e Kushtetutës pjesëmarrja në votim ndryshimin kushtetues për Specialen. Me shumicë votash u vendos që votimi të jetë i hapur.

Shqyrtimi i Propozim-Amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i propozuar nga qeveria, ishte sot pika e vetme e axhendës së seancës së nisur, me mbi gjysëm ore vonesë, të Kuvendit kosovar drejt krijimit të Gjykatës Speciale.

Fillimisht, në Kuvend foli kryeministri Isa Mustafa, i cili ftoi të gjithë deputetët për të votuar Propozim-Amendamentin. Seanca plenare e Kuvendit ishte parashikuar për në orën 10:00, e një orë më herët është mbledhur Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila pritej të rimblidhej gjatë ditës.

Ndërsa opozita po kërkonte largimin e forcave policore nga Kuvendi dhe pyeste “pse keni bërë këtë shtetrrethim të Parlamentit të Republikës së Kosovës”.

“Forca shtesë nuk ka në Kuvend”, tha kryeparlamentari Kadri Veseli, ata janë jashtë ndërtesës së Kuvendit dhe kjo është çështje e Ministrisë së Brendshme, tha Veseli.

“Unë kisha kërkuar publikisht që as në oborrin e Kuvendit të mos ketë forca shtesë policore”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në vijim folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Kryetarët e grupeve Parlamentare të partive të koalicionit qeverisës, Shaip Grabovci-PDK e Ismet Beqiri-LDK, u shprehën pro votimit të propozim-amendamentit, ndërsa opozita, duke nisur me kryetarin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, shprehen kundër. “Një gjykatë ku gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk do ta votoja edhe po ta dija që kjo do ta shkaktonte fundin e botës”, u shpreh ai.

Në emër të grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i kësaj partie, deputeti Ramush Haradinaj, ritheksoi qëndrimin kundër. Kjo gjykatë, sipas Haradinajt, nuk ka të bëjë me individë, por me tërë Kosovën

Po ashtu kundër u rishpreh Nisma për Kosovën – deputetja Valdete Bajrami.

Kështu të tre partitë opozitare unanimisht u shprehën kundër. Ndërsa, grupi parlamentar i Lista Srpska nuk u paraqit për diskutim dhe qëndrimin e saj. Po ashtu nuk u paraqit grupi parlamentar i komuniteteve tjera pakicë Gjashtë Plus.

Në vazhdim, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, ritheksoi qëndrimin pro duke theksuar se “ne duhet të mos e harrojmë të kaluarën dhe të mbrojmë të vërtetën”. Kuvendi vazhdoi seancën me diskutimet e deputeteve.

Kuvendit të Kosovës i është dërguar si informatë Projektligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligji për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, pas miratimit unanim të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë në mledhjen ne qeverisë së Kosovës në 19 qershor.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, theksoi se nuk bëhet fjalë për shqyrtim të miratimit të Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por është informim me përmbajtjen e tij për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai bëri të diur se projektligji “është hartuar krejtësisht nga BE-ja dhe ka filluar me themelimin e grupit teknik nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar që të shqyrtohet legjislacioni i pranuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

“Ky është draft që nuk ka më hapësirë për negocim nga ekipi i ekspertëve”, tha ministri Kuçi, duke theksuar se, “është menduar që me përmbajtjen të njoftohet qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe më pastaj me procedura të rregullta edhe kushtetuese, edhe me rregullore të Kuvendit por edhe atë të qeverisë, të merren vendimet e duhura”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se, “përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime”.

Ai ka vlerësuar se, një kontribut i madh i grupit kosovar të ekspertëve ka qenë heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajtur në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha.

“Ne kemi aprovuar në qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për këto ndryshime është dhënë mendim pozitiv edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ndryshimet kushtetuese dhe Ligji për Dhomat e Veçanta janë rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes së Republikës së Kosovës me Baroneshën Ashton, që është bërë vitin e kaluar, dhe e Ligjit mbi ratifikimin e këtij letërkëmbimi që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës me votat e mbi dy të tretat e deputetëve ”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Po ashtu ai ka bërë të ditur se nuk ka asgjë të re në përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe amendamenteve që nuk ka qenë pjesë e zotimit përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës se do të përmbushen detyrimet ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për vënien e drejtësisë së plotë, duke konsideruar se edhe ky do të jetë një kontribut i Kosovës në këtë aspekt.

“Ritheksoj se as ndryshimet kushtetuese dhe as ky ligj nuk ka të bëjë fare me kontestimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne do të mundohemi dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të afirmojmë dhe t’i ruajmë vlerat e UÇK-së. Por, çështja është që të zbardhet drejtësia për dyshimet ndaj individëve të caktuar, për të cilët askush nga ne nuk e di se kush janë dhe kush do të jenë, sepse janë çështje që drejtësia duhet t’i zbardhë në një proces të plotë të drejtësisë. Prndaj, unë propozoj që ne t’ia dërgojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë fazë si informim dhe në momentin kur bëhet aprovimi i ndryshimeve të Kushtetutës, me vendim të qeverisë, projektligjet marrin formën për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Edhe zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ka shprehur vlerësimin më të lartë për punën që ka bërë grupi punues, në krye me ministrin e Drejtësisë, Kuçi.
“Vlerësoj se, në veçanti pas tërheqjes së çështjes apo termit gjenocid që ka qenë e përfshirë në propozimet e para, ne, si qeveri e pranojmë këtë informatë për ta dërguar edhe si ekip qeveritar.  Është me interes që të pranojmë për t’ia dërguar si informatë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ka vijuar Thaçi, duke marrë parasysh edhe kultivimin e raporteve tona me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me këtë proces ne evitojmë edhe pretendimin e kundërshtarëve të pavarësisë që kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit.

“Prandaj, mendoj se tërheqja e termit gjenocid, domosdoshmëria e themelimit të kësaj gjykate, obligimet që dalin nga letërkëmbimi i Presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton, i vitit të kaluar, gjithashtu përgjegjësitë tona që kemi karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe obligimet ndërkombëtare dhe duke u nisur edhe prej vizionit për të ardhmen evropiane dhe perëndimore të Republikës së Kosovës, mendoj se tani ky Projektligj e lehtëson orientimin, përcaktimin dhe votimin edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për votim pro”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.

Po ashtu, ai shprehu besimin që edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik, në kuptimin e dërgimit të mesazhit të konsensusit qytetar, në të njëjtën kohë.

“Prandaj, vlerësoj se do të ishte mirë dhe me interes që gjithë kabineti qeveritar në mënyrë unike, t’i japë këtë mbështetje punës së grupit punues dhe natyrisht jo vetëm si partnerë të koalicionit, por shpresoj që në një bazë edhe më të gjerë politike do të kemi një mbështetje edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tërë ky proces ka kaluar nëpër një proces të një pune të përbashkët të të gjithëve, gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, të luftës së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe të ruajtjes dhe kultivimit të plotë të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian”, theksoi zëvendëskryeministri Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli,  ka deklaruar djee themelimin e Gjykatës Speciale e konsideron si një sfidë tjetër të vështirë, me të cilën është duke u përballur Kosova në javët dhe muajt e fundit, por që duhet të dalë e fituar.

Kreu i Kuvendit ka theksuar se, “Kosova duhet ta tejkalojë këtë sfidë me racionalitet dhe pjekuri politike e historike, dhe nuk bën assesi që të dalë e humbur nga kjo sfidë”.

“Kosova duhet të dalë e fituar dhe faqebardhë. Që kjo të ndodhë, ne duhet të ngrihemi mbi emocionet tona individuale dhe të veprojmë me arsyen shtetërore. Në të njëjtën kohë, na duhet të ruajmë të palënduar partneritetin me botën perëndimore, me të cilën i kemi arritur të gjitha sukseset historike të Kosovës, çlirimin, pavarësinë, konsolidimin e shtetit. Përveç këtij partneriteti, ne nuk kemi rrugë tjetër të ecjes përpara. Vizioni euroatlantik është zgjedhja jonë finale”, ka thënë kryetari i Kuvendit kosovar,  Veseli.

Ai ka folur kështu dje në Prishtinë në Konferencën e Tretë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës,  para seancës se sotme të Kuvendit kosovar.

Opozita kosovare dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së edhe me protesta, që janë paralajmëruar edhe për sot, janë shprehur kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Drejt projektligjit për Gjykatën Speciale, “shqyrtimi i propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga qeveria e Republikës së Kosovës”, ishte pika e vetme e rendit të ditës në seancën e 29 majit, por u shty (me 78 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime) me propozimin e koalicionit qeverisës. “Në mungesë të materialeve nuk ofrohet mundësia për deputetët për të parë se çfarë do të votojnë dhe meqë draftligji pritet të kthehet nga Brukseli, ne propozojmë që të shtyhet mbledhja, derisa të kemi materialet e nevojshme për analizim për këtë çështje”, u tha me atë rast  nga pozita.

Ndërsa, opozita tha se kishte “vetëm dy alternativa të mundshme: Gjykata Speciale ose nuk duhet të vijë fare në Kuvendin e Republikës së Kosovës ose do të duhej të shtyhej deri në pafundësi”.

Duke nisur nga ora kur ishte ftuar seanca plenare, e edhe në  17 qershor, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, me mbështetje edhe nga opozita, zhvilluan protesa kundër miratimit të Gjykatës Speciale, para ndërtesës së Kuvendit dhe të qeverisë së Kosovës, ndërsa paralajmëruan protesta të tjera.

Për miratimin e propozim-amendamentit duheshin dy të tretat e votave të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë ato të komuniteteve pakicë që përfaqësohen me 20 deputetë.

Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.

Një ditë para seancës së Kuvendit, dy parti opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën kanë bërë deklarata në mbështetje të protestës së thirrur nga veteranët e UÇK-së për sot nga ora 09:30 në Sheshin Skënderbeu, pranë qeverisë dhe Kuvendit, për të kundërshtuar votimin e Gjykatës Speciale.

“Sot, në Kuvendin e Kosovës do të synohet ndryshimi i Kushtetutës, në dëm të Republikës. Kosovës po i imponohet një sistem paralel i drejtësisë, një gjykatë diferencuese në baza etnike që synon ndryshimin e të vërtetës mbi luftën çlirimtare të popullit të Kosovës”, deklaron Vetëvendosje, sipas së cilës,  “Republika që nuk po mbrohet nga pushteti, duhet të mbrohet nga qytetarët”.

Nisma për Kosovën  ka deklaruar se, “konsideron se vet kërkesa për themelimin e Gjykatës Speciale e cila do t’i ndjek krimet e pretenduara mbi baza etnike e jo krimet e luftës të kryera në Kosovë është një pretendim i pa shembullt”. Po ashtu, “konsideron se ndryshimet kushtetuese që po i përgatiten Kosovës rrënojnë sovranitetin e vendit”.

Shqyrtimi i Propozim-Amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga qeveria, është sot pika e vetme e axhendës së Kuvendit kosovar drejt krijimit të Gjykatës Speciale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behelul Jashari, GJYKATA SPECIALE, kosova

Depresioni i arsimit kosovar, alternativa dhe ide

June 27, 2015 by dgreca

‘’Nxënësit janë edhe njerëz gjithashtu’’ pikë./

Shkruan:Gentian Jetishi /

Ajo çfarë është moderuar në legjislacionet dhe korrikulat’  arsimit të mesëm në Kosovë janë po thuajse vetëm terminologjitë, që nisin po këtu nga termi ‘korrikul’ në vend të ‘plan mësimor’ e përfundojnë me ndarjen në gjimnaze dhe shkolla profesionale e që esenca vazhdon të jetë e njëjta.

Legjislacionet edhe planet mësimore të MASHT  në planin teorik nuk qëndrojnë edhe keq. Të përgatitura nga grupe ekspertësh, njerëz të tjerë me përvojë nga kjo fushë ato s’janë krejt për tu kritikuar.

Por në planin praktik ato sikur flasin për ‘alien’ edhe jo njerëz. Madje trajtimi për ‘robot’ i nxënësve duke lënë anash tërësisht shtrirjet humane edhe shpirtërore, bie tërësisht në kundërshtim me rezultatet e shumë teorive moderne të edukimit edhe mësimdhënies që përqendrim të theksuar i vënë çështjes së ‘raporteve humane’ e cila është edhe lëndë e veçantë në gjitha universitetet ku mësohet për metodologji të mësimdhënies.

Gjykime mekanike si shembull :  një nxënës i dobët në esencë për me rezultate të mira në dëftesë (për çfarëdo motivesh) dhe pikë të larta nga testi i arritshmërisë (nga kopjimi apo tjetër) apo i maturës të përparoj kundrejt nxënësit të mirë në esencë madje edhe me nota të larta në dëftesë por për rezultate të ulëta në test , e që ky i fundit të mos arrij të pranohet në shkollën apo universitetin të preferuar të tij.

Matematikisht vlerësimi i ministrisë mund të arsyetohet. Logjikisht nuk mund të arsyetohet. Por pasojat e këtij gjykimi mekanik nuk janë afatgjata.

Çfarë duhet të ketë parasysh  MASHT ?  në këtë rast dhe pse nxënësit e shkëlqyer po dështojnë në test?

Mbase më mirë se në marrjen e masave ‘policore’ për të kontrolluar testin e maturës, MASHT duhet të hulumtojnë motivet se pse nxënësit e shkëlqyer dështojnë dhe pse ndihet nevojë kaq e madhe për të kopjuar?

Nga perspektiva ime si një ish nxënës që ka rastisur të jem gjenerata e parë që iu kemi nënshtruar këtyre ndryshimeve të procesit mësimor besoj se fakti pse shumë nxënës të shkëlqyer dështojnë është pse ata përballen me format të testit si ai i arritshmërisë dhe maturës për herë të parë po në test. Përgatitjet që i bëjnë disa profesor në prag të këtyre testeve nacionale nuk mendoj se janë alternativ. Alternativ është që të gjitha testet shkollore të jenë po të këtij formati, që nxënësit të stërviten dhe të mos befasohen me të pikërisht në ditën e testit.

Tjetër ashtu siç  është thënë dhe premtuar nga ministri, me urgjencë kuota e kalueshmërisë duhet të hiqet dhe pikët e testit të mos kenë ndikimin më të madh në regjistrimin në shkolla të mesme dhe universitet por më shumë të vlerësohet suksesi i nxënësve gjatë periudhës shkollore dhe suksesi në testin pranues me që tashmë gjitha fakultetet e mbajnë.

Ndryshme me sistemimin e tanishëm të vlerësimit, tek shumë nxënës të shkëlqyer ka prodhuar vetëm depresion qysh në moshën e njomë të tyre. Ata që vazhdimisht kanë mësuar dhe kanë treguar sukses e që s’kanë arritur pikë të larta po iu nënshtrohen presioneve të familjeve dhe shoqërisë për faktin që s’kanë arritur sukses.

MASHT duhet ti trajtoj nxënësit për njerëz. Madje është për çudi se si plot psikologjist e theksojnë nevojën e futjes së psikologut në shkollë por nuk e zënë në gojë depresionin dhe irritimin që ngjallë ky sistem i vlerësimit në arsimin tonë.

Në anën tjetër ashtu qysh kanë kërkuar edhe organizatat e shoqërisë civile MASHT duhet të sugjeroj që shkollat fillore (I-V) të aktivizoj lëndën e Etikës që ndikon në formimin e karakterit etik që e kursen shkollën tutje nga problemet, e pastaj edhe shoqërinë.
Pastaj shkollat të mesme të ulëta (VI-IX) të përfshijë lëndën Orientimi në karrierë që veç ka nisur të bëhet aktive në disa shkolla e cila tashmë është pjesë e planeve mësimore teorike të MASHT.

Dhe në shkollat e mesme të larta (X-XII) të përfshij lëndën Objektivi im në jetë që ka për synim rizgjimin e aftësive të fjetura tek nxënësit, provokimin e mendjes tyre për të qenë të suksesshëm dhe për ti bërë dobi shoqërisë, duke marrë parasysh shembujt e njerëzve të suksesshëm në botë.

Po me kaq urgjencë dhe me pak zhurmë duhet të përfshijë edhe lëndën Mësime për fetë kjo për tu dhënë kulturë të përgjithshme nxënësve,  për të kthjellur konceptet për fetë që të mos bien pre a asnjë ekstremi (për ata që duan të bëhen fetar të kenë koncept të qartë, për ata që duan të jenë jo fetar të mos kenë keqkuptime) .

MASHT edhe Qeveria e Kosovës duhet të ndjejnë urgjencën për të marrë në konsideratë aspektet njerëzore në shkolla. Zbrazëtia prej dekadash ka prodhuar këto gjenerata sa  të hutuara, sa  boshe dhe po aq pak ambicioze. Nëse ia duam të mirën popullit tonë gjithnjë.

Filed Under: Analiza Tagged With: depresioni i arsimit kosovar, Gentian Jetishi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT