• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

HAPNI DOSJET ! ASNJË LËSHIM! BASHKIMI EUROPJAN NUK ASHT ANDERR!

June 18, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

HAPNI  DOSJET !/

■Shtator 1990: “Ramiz Alia ishte në sesionin e OKB-së por takon ministrin e jashtëm të B. S., pasi më 30 korrik kishte firmosur një marrëveshje të normalizimit të marrëdhenieve, pasi kishte kundërshtuar marrëdheniet me SHBA. Antoni Athanas e priste ne Boston. Jashtë protestonin shqiptarët kundër diktatorit komunist. Alia përgjigjej:”Qentë le të lehin, karvani shkon përpara” (Marrë nga “R. Alia engjelli apo djalli i tranzicionit” R. Papa, Liria, tetor 1, 1990).

■“Dhjetor 1990: Ramiz Alia: “Ne kemi thënë që teza e jonë ka qenë, deri tani, në kongrese dhe nëpër mbledhje që ne pranojmë pluralizëm mendimi por nuk pranojmë pluralizëm partiak. Kupton, që edhe pranojmë vetëm këto lloje subjektesh politike qe kemi edhe sot…”

■”Dritëro Agolli dhe Gramoz Ruçi kanë mbrojtur idenë e mos lejimit të pluralizmit, fjalë për fjalë nuk mund ta riprodhoj por kjo ishte esenca. Ndërkohë me histeri ka rreshti i parë është çuar Rita Marko, i cili ishte kundër pluralizmit ashtu si edhe Nexhmije Hoxha.

■Nexhmije Hoxha: “Esenca e dekllaratës do ishte ajo që keni thënë juve dhe që i keni dekllaruar edhe Peres Dekuelarit, që Shqipëria duhet pranuar kështu siç është. Kjo duhet jetë esenca e dekllaratës, pastaj se çfare presionesh do na bëjnë, se ka presione te karakerit për të drejta humanitare, por ka edhe presione të karakterit politik që janë te mprehta, persa i përket çështjes delikate të pluralizmit, unë mendoj se ne duhet të mbetemi të patundur, sipas vendimeve të plenumit KQ dhe dekllaratave të prera të shokut Ramiz, se pranimi i partive të tjera do ishte përçarje e unitetit që eshtë problem jetik… Do thotë të dorëzoh çelsat e pushtetit popullor…”

■Duket qartë se Alia nuk donte të lëshonte. Pra, Uashingtoni, ushtronte presion, por Alia ishte i shtërnguar mes Nexhmijes dhe Uashingtonit. Pse thirrej Nexhmija në mbledhjet e Byrosë? Vallë, a drejtonte ajo, si mëkëmbësja e Hoxhës? A ishte Ramiz Alia manekini klloun i rradhës? Alia, duke afruar Xhelil Gjonin, jepte mesazhin, se dontë dorën e fortë, por ngaqë Gjoni ishte nga Dibra, ai kënaqte edhe Nexhmije Xhunglinin, por merrte me të mirë edhe klanin Kapo, sepse Gjoni ishte kunati i H. Kapos, mbase njeriut më të zi, pas Hoxhës te diktatura shqiptare.

■“Kemi shkuar për gjithë natën në Dajt. Nga shtëpia e Hoxhës kemi ngarkuar për gjithë natën, një makinë të madhe IFA, me dokumenta. Ishin shumë dhe na rrinin në kokë, madje, ajo, edhe na bërtiste. Ishte në panik. Të egër ishin edhe eprorët tanë. Kemi shkuar në Dajt, dhe me revolver të koka na kanë detyruar të digjnin çdo gjë.”

■R. Alia: “Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjisaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes… Ndaj, për të mbrojtur mbajtjen e pushtetit duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët; në rrugën paqësore dhe në atë të luftës së armatosur… Pasuria e tyre na përket neve,sepse ne e bëmë…”

■25 VJET: Kriminelët, tradhëtarët, vrasësit, torturuesit, mashtruesit, hajdutët, të korruptuemit, gënjeshtarët, dhunuesit, magallomanët, llomi i shoqnisë sonë, imoralët, karrieristët agjentë..rrugaçë e vagabonda, egoistët injorantë të etshëm per pushtet dhe kolltuk diktatorial… janë në drejtimin e Shtetit “Ringjallja komuniste” në Shqipni! 

■E paimagjinueshme! Europa flenë, Amerika rrenë, Ballkani zien mbrendë…

■Kush nuk siguron HAPJEN E DOSJEVE, pranon “Ringjalljen komuniste”!! 

■Kam nenvizue disa nga emnat naltë që besoj ju sjellin mjaft kujtime të idhta!

■Demokracia e vërtetë nuk mund të vendoset kurrë në Shqipni nga një elitë komuniste! 

■Elita e sotme drejtuese asht vazhdimsi e porosive të Nexhmije Hoxhës e Ramiz Alisë. 

Shteti i mbajtun me forcë nga elita e korruptueme e bijve të komunistëve kriminelë, ka shkatrrue pushtetin gjyqsor, legjislativin dhe ekzekutivin që nuk ishte kurrë pushtet. 

■Sistemi i qeverisjes së sotme nuk asht as demokraci, as tranzicion as post – komunist. 

Ai asht sistem puro komunist me një korrupsion gjigand, që mbahet me pabesi dhe krimin e organizuem nga sigurimi i shtetit, ashtusi në qeverisjen e Hoxhës e Alisë. 

■Në vitin 1990 kur në Shqipni plasën demostratat në Shkoder dhe Kavajë, kur nga Don Simon Jubani shtetit komunist ju imponue Liria e Fesë dhe pluralizmi politik, atëherë kur Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë, organizoi grevat dhe rrëzuemjen e monumentit diktatorit gjakatar Enver Hoxha, dhe menjëherë filloi fushata e zgjedhjeve per Kuvendin Popullor… Europa dhe Amerika nuk duhet të lejonin rrebelet e Vlonës me shkatrrue gjithshka në Shqipni që kishte fillue me hy në rrugen demokratike, po me realizue kerkesen thëmelore të Popullit Shqiptar: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!” 

■Atëherë kur të gjithë Shqiptarët pa dallim Feje dhe krahine, i sollën sytë nga Europa e Bashkueme dhe NATO, atëherë kur Presidentët Amerikanë Reagan e Xhorxh Bush, adhuroheshin nga Populli Shqiptar, tradhëtarët komunistë e inkuadrojnë Shqipninë me 2 Dhjetor 1992 në “Konferencen Islamike”… E megjithate, Vatikani vendosi mardhanje diplomatike me “Shqipërinë ateiste”…Edhe pse Kushtetuta vazhdonte ajo e vitit 1975. 

■Pushtetarët tanë kishin primare regresin politik dhe jo ecjen perpara, rrugë e cila edhe sot vazhdohet në kundershtim me të gjitha perpjekjet e bame nga dy Figurat e Mëdha Botnore në favorin e Shtetit Shqiptar, nga Papa Gjon Pali II dhe Nana Tereze, të cilët, nuk kanë lanë asnjë Veper Atdhetare dhe Fetare në favorin e Shqipnisë Kastriotit, pa realizue me dëshiren ma të madhe Njerzore dhe Paqësore, edhe pse Shqipnia ynë, sot kishte një Popullsi Muslimane disa herë ma të madhe se Kristjane ase Katolike. 

■Kjo politikë e njohun nga Shqiptarët që në “Revolucionin Kulturor të 1967”, vazhdohet nga një elitë fanatikësh anadollakë që kryesohej nga Ramiz Alia e pasuesit e tij, që edhe pse kanë marrë tituj e grada shkencore, vazhdojnë porositë e tij per vorfnimin e Popullit dhe mbajtjen e pushtetit me mjetet ma të imponume të sigurimit të shtetit, i cili kudo dhe kurdo, vemendjen e ka tek bizneset dhe shperdorimet per pasunim personal. 

■Nga elita e vjeter dhe trashigimtarët e tyne, Shqiptarët vetem pengojnë vetveten me hapë Dyertë e Europës së Bashkueme, të garantueme me pikpamjet antidemokratike. 

■Rruga e vetme e mundshme per një dalje nga situata asht angazhimi i elementit të rij, i cili ka perfundue shkollat Perëndimore dhe mund ta bajnë të prekshem vizionin e Tyne të pikpamjeve Demokratike, në sherbim t’ Atdheut. Këtu, vendimtar, asht qendrimi i premë i Drejtësisë kunder korrupsionit dhe zhdukja nga fjalori i fjalës “tolerancë”, per të gjithë ata pushtetarë që shperdorojnë besimin e Popullit dhe voten e Tij. 

■Fillimi i kësaj rruge duhet të jenë zgjedhjet nder Bashkitë e Republikës Shqiptare!

■Elementi i Rij konsiderohet i aftë dhe i pranueshem nga vetë Populli Shqiptar, vetem atëherë, kur garantohet pastertia e figurës me HAPJEN E DOSJEVE !

*Ne vijim te ciklit:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Melbourne, Qershor 2015. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Hapni Dosjet, non stop

ENGEL DO TA VIZITOJE MAQEDONINE- Sela takoi kongresistin në Nju Jork

June 18, 2015 by dgreca

Engel : Mbas disa javëve do të jemë në Maqedoni – duke shpresuar se mund të takohem dhe të flasin për disa probleme, edhe me liderit e tjerë shqiptarë”/

Nga Beqir SINA – New York/

NEW YORK : Në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,Kryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSH, z.Ziadin Sela , ka takuar në zyrën e tij kongresistin Eliot Engel, duke realizuar kështu një takim të rëndësishëm me Anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, kongresist demokrat i qarkut të 16-të të New Yorkut. Sela në fillim të takimit me kongresistin Engel, ka shprehur një mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuar, kontributin e madh historik të SHBA, për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, duke filluar prej presidentit Uillson, Bush dhe Klinton, si dhe ka falenderuar me këtë rast kongresistin Engel – për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë ai dhe po i jep shqiptarëve, çështjes shqiptare kudo në Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare.

Në këtë kontekst zoti Sela, ka thënë se Engel, mbetet përherë mik i përhershëm dhe i dëshmuar i shqiptarëve. “Kongresisti Engel, njëherit është i njohur për opinionin edhe si zëri i fuqishëm i çështjes shqiptare në Capitol Hill të Washington D.C”, tha Sela.

Më pas kreu i lëvizjes për reforma në PDSH, zoti Sela, ka njoftuar kongresistin Engel me zhvillimet politike në Maqedoni, veçanërisht, ai foli gjatë për ngjarjet 9-10 majit në Kumanovë. Ai bëri gjithashtu edhe një prezantim të gjerë edhe Lëvizjes për Reforma në PDSH, për të cilën Sela, tha se është e vetmja që mundet t’a ndryshojë situatën politike në Maqedoni, simbas tij.

   Kryetari Sela, e njohu gjerësisht kongresistin Engel me qëndrimet e Lëvizjes për Reforma, rreth situatës politike në Maqedoni, për daljen nga kriza aktuale, si dhe tha se çfarë kontributi mund të jap lëvizja tij që të zgjidhen problemet dhe të përshpejtonin integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE.

Kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, e siguroi kongresitin Engel, se lëvizja e tij, edhe më tej do të jet e fokusuar për të bërë një politik konstruktive dhe të përgjegjshme, për të dhënë kontributin e saj maksimal në çdo proces politik në Maqedoni.

Nga ana e tij kongresisti amerikan Eliot Engel, mik i përhershëm dhe i dëshmuar i shqiptarëve, u shpreh i lumtur për t’u takuar me Selën, për të mësuar më shumë rreth situatës aktuale në Maqedoni, për të cilën premtojë se do t’a vizitojë së shpejti

   “Jam i lumtur gjithmonë, që po përpiqem për të ndihmuar, tha Engel, dhe i shqetësuar me atë se çfarë po ndodh me komunitetin shqiptar në Maqedoni. Unë dëshirojë t’ju sigurojë me këtë rast që shqiptarët në Maqedoni, duhet të trajtohen njësojë si të gjithë qytetarët, të jenë me të drejta të plota dhe të pa nëpërkëmbura”. 

    Më tej kongresisit demokrat i Nju Jorkut, Eliot Engel pohojë se ka qenë shumë i shqetësuar dhe nuk e ka kuptuar ende atë se çfarë ka ndodhur dhe pse ndodhi në Maqedoni.

    “Jam i pa kënaqur me mosrespektimin e Qeverisë së Maqedonisë së Marrëveshjes së Ohrit. Unë mendoj se ka shumë punë për të bërë, ngaqë mendoj se Maqedonia, është një vend i rëndësishëm, dhe aleat i Shteteve të Bashkuara, duke e mbështur Maqedoninë dhe shpresuar se Maqedonia do të bëhet pjesë e BE-së, por, shtoi ai dua që të gjithë qytetarët e Maqedonisë, duke përfshirë edhe shqiptarë, duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të jenë të barabartë.”

    Kongresisti amerikan Eliot Engel, për gazetën tonë u shpreh i kënaqur për të shkëmbyer mendime me Selën, për të dëgjuar se çfarë tha kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH , dhe deklarojë  se shpreson që mbas disa javëve të jetë në Maqedoni – duke shpresuar se ata mund të takohen dhe të flasin për disa probleme të tjera atje, edhe me liderit e tjerë shqiptarë.

Filed Under: Featured

PËR DINJITETIN KOMBËTAR

June 18, 2015 by dgreca

Nga Rasim BEBO/

 Të dy kryetarët e partive kryesore në Shqipëri, PS – PD, hapin fushatën elektorale me parullat:  “VOTONI ME DINJITET”  dhe “PUNONI ME DINJITET. Këta të dy zotërinj dhe grupi deputetëve që u shkojnë pas, janë brumi më i përfolur, që përplasen me revole dhe para, janë aktualisht deputetët më pa dinjitet. Dinjiteti njerëzor është forcë gravitacioni, që i jep kuptim jetës. Ndërsa Flori Bruqi nënvizon:  “Individ dinjitoz ështe ai, që ia del të jetë në paqe me veten dhe me të tjerët”.  Një shoqëri që nuk kujdeset për lartësimin e dinjitetit të qytetarëve të saj, lëngon nga primitivizmi.                                   
Komunizmi ka qenë armiku më i egër i dinjitetit njerëzor. Ai e kolektivizoi aq shumë personalitetin e çdo individi, sa jeta e secilit humbi veçantinë e saj. Komunizmi kënaqej me majmunërinë e turmave dhe i nxiste ato, të urrenin ata që ruanin me fanatizëm dinjitetin. Dinjiteti ishte një kërcënim i hapur për diktaturën. Burgjet dhe kampet e zeza të internimit ishin “mullinjtë”  ku tirania bluante krenarinë shqiptare. Dinjiteti i të martirizuarve, nuk pranonte mëshirën. Kurse solidariteti i tyre, ishte avokati më i fortë edhe i dinjitetit të tyre. (L.M.)              
Tendenca për të afirmuar dinjitetin njerëzor dhe qenien njerëzore si të padefinueshme, si të paçmuar, është një gjë e shenjtë edhe për vetë Zotin, pra, vlerë që nuk duhet diskutuar. Kjo dukuri i dha udhë njërës prej lëvizjeve më progresive që ka njohur historia njerëzore: Rilindjes evropiane.                                                                                             
Në pamje të parë, greva e urisë, mund të duket një akt i pastër dinjiteti. “Ju më hoqët nga puna, atëherë unë po ju tregoj se kam plotësisht të drejtë. Dhe për ta vërtetuar këtë, jam gati të shkoj deri në vetëflijim!”. Ky është pak a shumë sensi i çdo greve të urisë. (F.B.).                                                      
Rama dhe Thaçi  “shuplakë” familjes së ISA  BOLETINIT.  ( “TEMA”  11-6-2015).  A kanë këta zotërinj dinjitet me qëllim kombëtar?  JO. U bë shumë mirë që u varros në Boletin, në Mitrovicë, që të dihet se Mitrovica ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare. Vlorën nuk e rrezikon kush, por Mitrovica rrezikohet dhe varrosja e ISA  BOLETINIT në Mitrovicë është gur i rëndë vetëm atje.  Rama dhe Thaçi kishin biseduar më parë dhe si kryetarë të dy shteteve, vendosën që varrimi të behet në Vlorë… Kështu plotësohej dëshira e serbëve që nuk e duan në Mitrovicë varrin e tij të shenjtë. I nderuar Lexues : Peshoni  DINJITETIN KOMBËTAR  të këtyre kryetarëve të dy shteteve shqiptarë. Këshilli organizativ u bëri ftesa të gjithë organeve shtetërore, për të qenë të pranishëm në tubimin  e ceremonisë së varrimit të eshtrave të ISA  BOLETINIT. Asnjë nuk mori pjesë. Atëherë, ku është dinjiteti i kryeministrave të sotëm dhe i atyre që kanë qenë për gjatë dy dekadave e gjysmë, që nuk morën pjesë për të nderuar këtë figurë të madhe kombëtare dhe më keq akoma, mungoi edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.                                           
Që të jesh pro i negociatave me serbët, për mos varrosjen e ISA BOLETINIT në Boletin të Mitrovicës, tregon se këta zotërinj: “e kanë hequr nga vetja e tyre dinjitetin, sikur ai të ishte zorrë qorre, a diçka tjetër e panevojshme”. (F. B.)                                                           
T’ju vijë turp, që jeni kuadër pa DINJITET, që jeni bërë një me politikën sërbe dhe greke, të cilët vendeve tona ua kanë vënë syrin me kohë, i duan pa figura të “Rilindasve Kombëtarë”: Mitrovicën pa  ISA BOLLETININ, Përmetin pa NAIM FRASHËRIN, Korçën pa Themistokli Gërmenjin.  U drejtohem juve, presidentë, kryeministra dhe ministra të kësaj kohe, nga viti 1990 deri sot; që nuk morët pjesë asnjë nga ju, në ceremoninë e rivarosjes së eshtrave të ISA BOLETINIT,  kaq poshtë keni rënë nga DINJITETI  KOMBËTAR?…  Qofshi ju që jeni, se keni për t’u mbajtur mend në histori, si drejtuesit më negative të kombit Shqiptar…       
Rexhep Shahu shkruan: “T’u shoftë jeta qeveri”.  “A thua kanë ardhë në pushtet Rama e Meta me shpopullue Shqipërinë?… A mos i ka sjellë në pushtet ndonjë fuqi e huaj që i intereson të shprazet Shqipëria nga shqiptarët”. (Kur u mungon dinjiteti kombëtar, krahasoheni me Çubrilloviçin, që donte shpopullimin e Shqipërisë. (R. B.). 
“Teksa endem nëpër qytet, më bëhet se shoh vetë Vaso Çubrilloviqin në Kukës, duke u knaqë … Më bëhet se Vaso Çubrilloviq fërkon duart e niset drejt meje sfidues. Unë marr pozën e krenarit. Ai me gishtin e madh të dorës së djathtë më tregon Ramën e Metën, që sapo u larguan dhe qesh me mua. Më fton për kafe. Unë refuzoj. Jam profet, më thotë nga larg. Shporru mut, i thërras unë. Jam në ju, thellë në ju, në shpirtin e qeveritarëve tuaj jam, më thotë me një zë të ultë Vaso…  Kufoma ime endej nëpër Kukës. Dikur vonë foli : Rrofsh qeveri e mos të zantë sabahi” (Flori Bruqi, “Mbresa nga Kukësi 12-6-2015).
 Hipokrizia  e Janullatosit:  Për çfarë dinjiteti  flet ti Janullatos?  Kur kurorëzimin e ke të vjedhur, kur ke zënë vendin e murgut Kozma, për të vendosur helenizimi në truallin shqiptar, kur vjedh kufoma shqiptarësh për ushtarë grekë, kur ti ke krijuar shtetin grek brenda shtetit shqiptar. Kur punën tënde e lavdëron kryeministri juaj grek hapur, se në Shqipëri punoni me Dinjitet për Greqinë.            
Me këtë dinjitet të “Megali Idesë” kanë folur pararendësit e Janullatosit kundër Shqipërisë  dhe gjuhës shqipe. Murgu Kozma punoi me dinjitet të madh për helenizimin, për Greqinë, por këtu gaboi, se ishte në truallin shqiptar dhe kryetari atëhershëm i vendit i dha dënimin me vdekje. Pikërisht në këtë kishë ortodokse, ku ju flisni kaq bukur për dinjitetin njerëzor, që e keni kthyer nga kishë shqiptare në kishë greke, brenda në shtetin Shqiptar. Këtu është ndryshimi, se murgu  Kozma u vra, ndërsa ju, sigrek gëzoni  “Poliharenë” nga krerët shqiptarë, bile të puthin edhe dorën.Kur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” nuk keni asnjë portret  të priftërinjve dhe peshkopëve martirë që kanë gjetur vdekjen me masakra nga paraardhësit e tu. Ata kanë qenë me dinjitet të lartë, që u flijuan për gjuhën shqipe dhe Shqipërinë. Zëri, i Koto Hoxhit, Papa Kristo Negovanit, At Stath Melanit, Petro Ninit, Nolit, Xhuvanit, Kisit etj, na thërret orë e çast, për t’i kthyer dinjitetin e kishës shqiptare.                                                                                                                       
Janullatosi si pasrendës i peshkopëve grekë mbajti liturgjinë e shenjtëpër festën e pashkës: “Ftoi besimtarët  të përpiqen për dinjitetin e njeriut, për mirësi dhe paqe në botë”.  Prit Janullatos, ju flisni “për mirësi dhe paqe në botë”, dhe si peshkop grek që jeni, ju ruani ligjin e luftës për të mbuluar masakrën dhe genocidin e Çamërisë. A nuk është e padrejte dhe mëkat kjo që keni bërë? Dhe më tej, ju thoni: “Me ngjalljen e tij, Krishti lartëson dinjitetin e njeriut, të cilin e rrëzon padrejtësia, mekati dhe korrupsioni. Njeriu me dinjitet është i drejti, i vërteti”.  Ju vetë, Janullatos, keni shpalosur pllakatin e padrejtësisë, mëkatit dhe korrupsionit. Ju merreni me të gjitha poshtërsitë dhe prapaskenat kundër kombit shqiptat. Ju me dinjitetin e kishës greke uzurpuat kishën Noliale dhe jeni futurë në luftën për të zhdukur Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Por mëso se toka po të digjet nën këmbë!…                                               
 Ne shqiptarët, fesë katolike dhe drejtuesve të parë të saj, u jemi mirënjohës për dinjitetin që na e kanë ngritur lartë siç na takon.                             
PAPA  PALI  VI  U PRONONCUA:
“Shqiptarë, do të realizohet testamenti i Skënderbeut, sërish do të shkëlqejë me Lavdi Atdheu Juaj …” (PAPA PALI VI (1897-1978)
Lind pyetja: Dhe sa kohë do presin shqiptarët?!… Dhe sa kohë trevat shqiptare do mbeten të robëruara?!…Dhe sa kohë shqiptarët do jenë viktima e politikanëve vendas?!… Kjo pyetje mbetet pa përgjigje, sepse jemi akoma të skllavëruar nga politikanët tanë, si në Shqipëri, Çamëri, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi.
Asnjëri nga politikanët tanë nuk e ngriti zërin dhe nuk mori guximin të negociojë me Vatikanin, që ky Testament të bëhet publik nga Selia e Shenjtë.
                             
PAPA  FRANÇESKU, në Tiranë tha: “Shqiponjat fluturojnë lart, shumë lart dhe Ju jeni bijtë e Shqiponjave”. (Zëri për drejtësi, 25 maj 2014).                                         
Asnjë nuk mund të bëhet me kombësi tjetër, kur lë kombësinë tënde, mbetesh po tek e para. Janë dy shqiptarë që kanë braktisur Dinjitetin, njëri general dhe tjetri akademik. I pari don të bëhet grek dhe i dyti sllavo-serb. Në rrotullimin e të quajturës demokraci, nga viti 1990 Gjeneral Kiço Mustaqi braktisi dinitetin shqiptar, u arratis, shkoi në Greqi për t’u kthyer në grek dhe u kthye me forcat greke kundër atdheut të tij, Shqipërisë në vitin e katrahurës së 1997-ës .   “Albanologu” shqiptar Kapllan Resuli, ua ka kaluar edhe historianeve dhe intelektualëve serb, për sa i përket mohimit të historisë shqiptare, pasi ai së fundi vetën e tij nuk e konsideron më shqiptar, por serb. Ndërsa romani i tij “Tradhëtia” përdoret në librat shkollore të Shqipërisë. Kjo është fatkeqësi, që braktisën Dinjitetin  kombëtar Shqiptar. (“DITA “, 2 -6-2015).   
 Gjithë ato aspirata humane dhe hove shpirtërore do të shuheshin në plutonin e trekëndëshit, në burgun e kalasë se Gjirokastrës në mëngjesin e nëntorit të vitit 1937. Para se të shkonte me dinjitet të lartë drejt vdekjes, Ismet Toto, do të shkruante letrën e fundit,  “De Profundis”, ku në mes të tjerash, do të shënonte fjalët: “BOTA NUK ËSHTË E ATYRE QË NGROHEN. BOTA ËSHTË E ATYRE QË DIGJEN “ Ka 105 vjet qe s’e ka prekur koha. Ja, pak krijimtari nga Ismet Toto: Një  pyetje që më çjerr shpirtin: ku vemi kështu?
                                               
GËNJEJ?                                                                                                                    
Kur s’jam ai që dukem në të parë,                                                                        
Kur qesh me zor – se më vjen për të qarë,                                                
Kur flas pa dashur- se dua të mos flas,                                                            
kur ri i qetë dhe dua të bërtas,                                                                                  
Atëherë zëmra ime është gati të pëlcasë                                                            
Dhe shpirti më nxin, vuaj pa masë.                                                                              
Dhe loti që pikon nga syri  im,  
Më siguron se s’ka asnjë shkëlqim.                                                                         
Fati im, në këtë jetë pa mbarim.                                                                            
15 maj 1929. (nga prof. Nasho Jorgaqi).                                                             
Ka 20 vjet që çdo kryetar partie thotë: “Votoni me dinjitet”, dhe japin premtime të hapura apo të fshehta, për të garantuar një punë në shtet. Është përsëritur e njëjta histori. Pala fituese largon palën humbëse dhe vendos të vetët në poste zyrtare. Deputetë të inkriminuar, hajdute, gënjeshtarë, të pa arsimuar, interesaxhi, kriminelë, vrasës. Një ndër këta deputetë, është Shpëtim Idrizi, që tërhiqet prej kapistallit, herë nga PD, herë nga PS, me 5 deputetë të partisë çame, herë  bashkohen dhe herë ndahen. Dhe për votën e çamëve, Edi Rama heq Dulen dhe vendos Idrizin nënkryetar të parlamentit. Këtu nuk kemi të bëjmë me dinjitet,  kur “Rezoluta Çame” rri akoma në sirtarët e tradhtuar nga vetë drejtuesit çamë, që nuk e kërkojnë me dinjitet, për t’ia kundërvënë rezolutës greke, që ka shpallur se “Çamëria nuk ekziston”. Zotërinj, kurrë do të DINJITIZOHENI, ju?…
                        Rasim Bebo, Addison, Çikago, qershor 2015.

Filed Under: Opinion Tagged With: PËR DINJITETIN KOMBËTAR, rasim bebo

QELBESIRAT

June 17, 2015 by dgreca

Ngjarje e jetuar/

Nga Gëzim Zilja/

 Atë kohë isha deputet i Kuvendit Popullor dhe detyra më bënte të takoja mjaft njerëz, që më tregonin hallet e tyre dhe më bënin kërkesa nga më të thjeshtat deri te më të çuditshmet. Kërkesat ishin të njejtat: punësimi i gruas, djalit, nipit, padrejtësitë e gjykatave në dhënien e vendimeve, e rregjistrimit të pronave në hipotekë e gjithfarë padrejtësish të tjera të shoqërisë në atë tranzicion të pafundëm. Këto më shkaktonin një lodhje dhe trishtim të madh. Nuk kuptoj edhe sot nuk e kuptoj pse zyra e deputetit duhet të kthehej në një zyrë të mirfilltë pune dhe ankesash. Një ditë erdhi një miku im i vjetër i fëminisë, njeri i drejtë, i ndershëm dhe fare i pa ngatërruar në atë marramendje të shfrenuar, ku të gjithë rendnin, për mbijetesë, disa për favore e disa për para.

– Dalim jashtë-, më thotë. – Nuk mund ta bëj muhabetin në zyrë. Kam një hall të madh ku jam pleksur kot së koti.

Ngrita kokën dhe e pashë në fytyrë. Pashë dy sy të lodhur, ku trishtimi prej kohësh ishte ulur këmbëkryq.

– Dakord- iu përgjigja. – Hajde pas orës katër. Jam i mbytur në punë. Pimë një kafe dhe çmallemi se kemi kohë pa u parë.

Buzëqeshi hidhur dhe u largua duke më parë me sytë e ulur, që shprehnin haptazi mosbesim. Në orën katër e gjysëm kur po dilja nga godina e pashë poshtë shkallëve, duke pirë cigare. E thirra në emër dhe pas dhjetë minutash u gjendëm në një nga kafenetë pranë bregdetit.

Këmbyem disa fjalë ashtu kot më kot por duke kuptuar që e kishte të vështirë, hyra drejt në temë:

-Po hë-! i thashë duke qeshur më shumë për të shtensionuar situatën.

– Ma thuaj hallin që ke se ti nuk je nga ata që vjen kollaj për t’u ankuar nëpër zyra.

– Vallahi nuk di nga të filloj-, vazhdoi me sytë e ulur. Dukej qartë që halli ishte i madh.

-Filloje nga të duash. Të shikojmë se ç’mund të bëjmë me aq sa kemi në dorë.

– Mirë e ke ti po si t’ia filloj unë? Më ka pickuar gjarpri atje ku nuk thuhet. Më duket se në trup më qarkullon vetëm helm e jo gjak.

Prapë nuk i ngriti sytë dhe rrinte i menduar. Nuk i fola derisa ngriti kokën dhe mu drejtua:

– E mban mend nipin tim inxhinier, atë djalin e vëllait që më vdiq shpejt, e qysh fëmijë e mbaja pas vetes? Tani është bërë goxha burrë dhe ka ca kohë që është martuar. Nusen nuk e ka nga qyteti ynë. Ka mbaruar mesuesi dhe po përpiqeshim ta punësonim në ndonjë shkollë. Nuk të erdha se e di që është shumë e vështirë. Nuk doja të të të bija më qafë. Më thanë që drejtori është i ri por pa paguar diçka nën dorë nuk bëhet fjalë për punësim. Atëherë mora përsipër një rol që do e luaja për herë të parë në jetën time. Kisha ca para mënjanë të kursyera ashtu çika-çika ca nga rroga e ca nga ato që më dërgonin të afërmit në emigracion. Pa i thënë askujt, madje as gruas, duke dashur të ndihmojë nipin që ti e di, e kam pasur shumë për zemër, i shkova drejtorit të DAR-it në zyrë. Ishte një burrë rreth të dyzetave, i veshur bukur, në kostum e kollare, rruar parfumosur dhe energjik në dukje.

– Ju çfarë halli keni-? mu drejtua me një mirësjellje të shtirur.

Pasi iu prezantova hyra direkt në temë. I thashë:

– E di sesi janë këto punë dhe kam hequr mënjanë tre mijë euro, që nusja e nipit të punësohet në një nga shkollë, këtu në qytet. Por nëse duhen më shumë e bisedojmë sërish-, përfundova.

Mu duk se kisha hequr një mal nga kurrizi. Nuk e kuptova që më kishin mbuluar djersët. Kurrë në jetën time s’kisha dhënë e as kisha marrë ryshfet. Ata që më çuan atje ma kishin bërë të lehtë:

-Mjafton t’i tregosh paratë dhe halli yt merr fund. Mirpo pasi nxorra ato fjalë nuk isha më i sigurt dhe mendimet filluan të më ngatërroheshin.

Po të mos ishin të vërteta ato që thuheshin për të? Po sikur në një cast të më thoshte: Me kë flet ti kështu? Hajt qërohu i pa turp! Ose mund të më quante provokator, të thërriste policinë dhe të më denonconte. Po njeriu që kisha përballë nuk po ndihej fare. Në një çast shikimet tona u kryqëzuan. Sytë e akullt të atij njeriu po më vrojtonin gjithandej me një gjakftohtësi kriminale. Mu duk vetja si send që ai po e çmonte sesa vlente. Nuk më la të hapja gojën.

– Do ta rregullojmë xhaxha-, më tha. Mori disa të dhëna që i shkroi në bllokun e tij dhe mu drejtua sërish me ata sytë e thatë, pa kurrfarë lëngu: Brenda muajit do të të thërras vetë. Bisedojmë sërish-, e la muhabetin të hapur. Bëra sikur e harrova zarfin dhe u ngrita të ikja.

– Merri, ato merri-, më tha qetë-qetë. –Këtu do të jemi. Të mbarojmë punën njëherë.

Ato fjalë i kuptova që pagesën do ta bëja pasi të më më punësonte nusen e nipit.

– Jam në pritje-, i bëra me shenjë, duke i lënë të nënkuptonte që paratë mund t’i merte kur të donte.

U ndjeva i poshtëruar, i keqpërdorur por edhe i lehtësuar. Kisha bërë një pazar të pistë. Vërtetë do të paguaja por ama nusja e nipit do të punësohej për gjithë jetën. Nipit i thashë që brenda muajit nusja do të fillonte punë se po më ndihmonte një miku im deputet. Sigurisht nuk i tregova që punësimi kushtonte tremijë euro dhe ndoshta më shumë. Ti e njeh more mik, e mban mend nipin tim, sa i urtë dhe i drejt është. Vetëm më tha: Xhaxha nuk kam fjalë për të të falënderuar. Po bën më shumë sesa do të bënte im atë nëse do të ishte gjallë. Po edhe nusja po përgatitet për konkursin…

Vazhdova të ndiqja me vëmendje tregimin e tij që i dihej tashmë përfundimi: Kishte paguar paratë, ndoshta mund t’i kishte kërkuar edhe ndonjë mijëshe tjetër dhe nusja e nipit kishte filluar punë.

Nuk mu durua dhe i thashë:

– Po pse ke ardhur te mua or mik? Ti vetë i ke vajtur, vetë i ke dhënë paratë? Në këtë rast ligji u dënon të dyve pothuajse njëlloj.

Qemali qeshi hidhur, ma bëri me dorë që të kisha durim dhe vazhdoi.

– Kaloi një muaj e gjysëm dhe megjithëse i dhashë numrin e telefonit nuk më njoftoi për asgjë. Çdo ditë shikoja zarfin me eurot fringo të reja por telefoni nuk më ra. Një ditë si zakonisht në pritje të telefonatës së premtuar, duke pirë kafen e mëngjesit në klubin e lagjes dëgjoj pas krahëve të mi:

– I fortë paske qenë o Qemal, thëngjill i mbuluar. Po si ore e fute nusen e nipit në punë dhe ku, në mes të qyetit dhe nuk na the një fjalë. Tinëzar i madh paske qenë.

Nuk po kuptoja asgjë ç’po më thoshte, duke bërë të pakënaqurin.

-Çne-, i thashë. – Kam bër një bisedë me drejtorin e DAR-it por nuk kam marrë ende përgjigje .

-Ore leri ato se ata kanë qenë si shkollë edhe për eskursion andej nga bregdeti i Durrësit-, këmbëguli. U ndodha i papërgatitur nga fjalët që më ranë shumë rëndë.

-Ti këtë punë bën gjithmonë, llapaqen ke qenë gjithë jetën. Lere atë muhabet se pastaj zemërohem e nuk ndahemi mirë bashkë-. I fola më shumë për të dalë nga situata e sikletshme që më vunë fjalët e tij.

– Mirë ore mire, po pyet një herë se ti nuk e ditke fare që nusja e nipit ka filluar punë…

Fjalët e tij më kafshuan si ata qentë që nuk lehin fare, veç kur ndjen dhëmbët e futura në pulpën e këmbës dhe ulërin i tmerruar nga frika dhe dhimbja. Pastaj kërkon të shpëtosh dhe t’ía mbathësh sa më parë, duke u ulur instiktivisht për ta kapur një hu a një gur për ta trembur.

Nuk vajta në shtëpi derisa të mblidhja veten por si duket paskish qenë e vështirë. Dikur aty nga pasditja hyra në shtëpi. Gruaja me atë humorin e saj të veçantë, duke më parë të vrenjtur e të menduar, më thotë:

– E nga ka rënë shi që je bër qull se këtej nga ne diell ka bër gjithë kohën.

E pashë në sy por nuk mund t’i shmangesha.

–Ashtu më doli një punë por nuk ka lidhje me familjen tonë. Punë llafazanësh e pijanecësh,- u përpoqa ta kaloja gjendjen.

Ajo nuk foli më, e sigurt se si zakonisht do t’ia thosha nëse ishte një ndodhi që mund t’i interesonte. Tani pas një javë pa gjumë erdha te ti për të qarë hallin meqë merresh me politikë dhe të dëgjohet llafi.

– E ç’mund të bëj unë -? iu përgjegja krejt i papërgatitur.

– Nuk e di se ç’mund të bësh ti… Të kam shok dhe s’mund t’ia thosha njeriu tjetër prandaj mendova të ta tregoja ty. Tani më duket se kam hequr një të keqe të madhe nga shpirti. Sinqerisht ndjehem i lehtësuar.

– Po nipi di gjë-? më shpëtuan fjalët për të cilat u bëra pishman sa i nxorra nga goja.

– E ç’rëndësi ka? Pastaj ti e di që ai është njeri shumë i ndershëm, por i plogët. Ai mendon se e shoqja e meriton dhe ka fituar konkursin… Se… zhvillohen dhe konkurse e kupton ti? Unë e besoj atë që ka ngjarë. Logjika ime mund të gjejë shtigje sa të dojë për të shpëtuar nderin e nipit por instikti dhe vetëdija më bëjnë të jem fare i qartë. Ajo ka ndodhur. Në këmbim të një vendi pune, nusja e nipit ka ngritur këmbët përpjetë, me qejf apo e detyruar, këtë nuk e them dot. Pastaj llogje mund të bëjmë sa të duam. Prandaj nuk më telefonon ai bir kurve dhe nuk m’i kërkon paratë. Nuk di si janë takuar e si janë marrë vesh apo si e kanë bërë pazarin. Kisha dëgjuar plot nga këto histori me rryshfete e kurvërira, ca i kisha besuar e ca jo, por kur të ndodh te shtëpia tënde qënka e rëndë plumb. Të duket sikur bota fillon e rrotullohet krejt ndryshe e kurrë si më parë. Sytë iu rëmbushën nga lotët. Nga syri i djathtë i rrëshqiti si rruazë e tejdukshme një pikë loti që as u mundua ta fshijë.

-Mirë që po na marrin paratë por po na shkërdhejnë dhe nuset në këmbim të bukës së gojës!?

Nuk ishte rati i parë që dëgjoja palavira të tilla… Ndjeva një revoltë të brendshme dhe kuptova që në atë ngjarje isha i përfshirë, të paktën moralisht si përfaqësues i popullit. Pas dy dekadash në të ashtuquajturën demokraci, kjo farë e keqe ishte shtuar shumë. Metastazet e saj kanceroze po përhapeshin me shpejtësi në të gjitha strukturat drejtuese të shtetit.

Ashtu i inatosur dhe i revoltuar, mora në telefon sekretaren e kryeministrit.

– Jam Tanush T.-, thashë sekretares. Dua një takim urgjent me kryeministrin.

Pas pak nga ana tjetër më erdhi zëri miklues i sekretares së Kryeministrit, të cilën e njihja në rrethana pune.

  • Kryeminstri ju pret në zyrë kurdo që të vini sot ose nesër. Kryeministri më priti menjëherë dhe më ofroi kafe.- Një raki më mirë por nuk di sesi do të qetësohem.- Më lidh me ministrin e arsimit menjëherë,- urdhëroi sekretaren e vet. Pa dhënë asnjë sqarim artikuloi këto fjalë.Ashtu u bë. E hoqën nga puna si drejtor të DAR-it, brenda ditës dhe e çuan në një shkollë, si mësues të thjeshtë. Gjeta një lloj ngushëllimi por ama, ai nxitim i Kryeministrit nuk më la shije të mirë edhe pse atë qelbësirë e qëruan nga puna.
  • Gjashtë muaj më vonë u riemërua në po atë detyrë si drejtor i DAR-it të qytetit dhe vazhdoi të merrte rryshfete si më parë. Këtë herë shkova te ministri, i cili katër vjet kujdesej vetëm për tenderat, për festat dhe për prerje shiritash, kur inaugurohej apo meremetohej ndonjë shkollë e re.
  • – Zoti ministër, X-i, drejtori i DAR-it në qytetin Y, të pushohet menjëherë nga puna. Të qërohet!
  • I rashë fare shkurt. I fola qartë, shkoqur, ashpër. Më dëgjoi me vëmendje pa më ndërprerë, duke u nxirë në fytyrë, të paktën ashtu mu duk mua.
  • – Apo do një raki-, shtoi – se ti e heq nga pak.
  • – Nesër, nesër në mëngjes…
  • Më thanë që keni riemëruar sërish në detyrë X-in- i fola ashpër. As mori mundimin të më sajdiste duke më thënë të paktën të ulesha në karrige siç bëri kryeministri gjashtë muaj më parë. Më hodhi një vështrim hetues mbi syzet prej miopi me skelet floriri dhe mu përgjigj:
  • Po – , duke më parë tashmë në një mënyrë të tillë sikur të më thoshte: Kjo nuk është puna jote, ç’më çan kokën e më vjen në zyrë?
  • E mban mend që e ke pushuar nga puna me urdhër të kryeministrit?
  • Si nuk e mbaj?,- qeshi me ironi.
  • E atëherë?
  • E atëherë, e morëm sërish në punë se kishim nevojë për të.- E di kryeministri që ti e ke riemëruar në detyrë?- Jo nuk kam zoti ministër-, i thashë.
  • Mu duk vetja si ai pushi i plepit që mbush rrugët dhe hendeqet e qyteteve në fillim pranvere, që endet në mënyrë kaotike sipas korrenteve dhe drejtimit të erërave, duke bezdisur orë e çast kalimtarët. Po më rëndonte pa masë kartoni i deputetit, që e kisha me vete. Nuk po kuptoja përse më duhej dhe për çfarë mund të më hynte në punë në të ardhmen…
  • – Po ti si thua që unë emëroj titullarë pa dijeninë e tij? Gjë tjetër keni zoti deputet…? Kam një mal me punë…
  • Doja t’i thoshja nuk mund të gjenit dot një burrë tjetër, por nga goja më dolën fjalë të tjera.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Zilja, ngjarje e jetuar, Qelbesirat

PËRPARËSITË E POLITIKËS SË JASHTËME AMERIKANE NDAJ BALLKAN

June 17, 2015 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Administrata e Presidentit Obama i ka paraqitur Kongresit prioritetet dhe planet e politikës së jashtëme amerikane karshi Europës dhe Euroazisë, prëfshirë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, për vitin e ardhëshëm financiar. Kërkesa e Administratës së Presidentit Obama për buxhetin e vitit 2016 për këtë rajon është $953.3 millionë dollarë. Është ky një ritual që bëhet çdo vit, pasi Kongresi, sipas kushtetutës, duhet të miratojë buxhetin për financimin e shpenzimeve për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtëme amerikane për zona të ndryshme gjeografike të botës. Ndonëse ky është vetëm fillimi i procesit dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë si përfundim i ngjarjeve në rajon, dëshmia të martën e kësaj jave e Koordinatores së Departamentit të Shtetit për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski para Nën-Komisionit të Kongresit që merret me çështjet europiane dhe euro-aziatike –mund të shërbejë si një tregues i përparësive të politikës së jashtëme amerikane ndaj Europës dhe Euro-Azisë në përgjithësi dhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në veçanti, për vitin që vjen.

Përfaqsuesja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) fillimisht falenderoi anëtarët e nën-komisionit të Kongresit për Punët e Europës dhe të Euro-Azisë për mbështetjen që ligjvensit e të dy partive — republikanë dhe demokratë – që sipas saj i kanë dhënë përpjekjeve të administratës për të zgjëruar dhe për të forcuar, “Një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë”. Ajo u tha ligjvënsve se për arsye të agresionit të Rusisë në Ukrainë, ky vizion tani gjëndet përball një kërcënimi më të madh se çdo herë tjetër ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Ajo falënderoi gjithashtu kongresistët për interesimin dhe vizitat e tyre që bëjnë në Europë, përfshirë Ballkanin, gjë që tha ajo, “ka ndihmuar për të siguruar aleatët tanë atje për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit, demokracisë, paqës dhe begatisë, si gurthemeli i interesit dhe sigurimit tonë kombëtar.”

Ajo vlerësoi ndihmat e SHBA për Europën Lindore ç’prej shëmbjes së komunizmit (me një vlerë prej $27.5 miliardë dollarësh) gjatë 25 viteve të kaluara, duke thënë se ato kanë provuar fuqinë transformuese të SHBA-ave, në forcimin e lirisë, sigurisë dhe të begatisë anë e mbanë një rajoni që ishte mbërthyer nga totalitarizmi, armiqësitë ideologjike dhe nga shkatërrimi ekonomik. Ajo vuri në dukje se ç’prej

vitit 1990, 12 prej vendeve ish-komuniste që merrnin ndihma gjatë asaj periudhe, tani janë anëtare të NATO-s dhe 11 prej tyre bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Për më tepër, shtoi Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, 11 prej vendeve të Europës Qëndrore që dikurë merrnin ndihma amerikane, tashti ato japin ndihmë në mbështetje të demokracisë, të tregjeve të lira dhe të dinjitetit njerëzor, vendeve në nevojë nga Ukraina e deri në Afganistan.

Por megjithë sukseset e dukshme të çerek shekullit të kaluar në Europë, zyrtarja e lartë e DASH i tha Kongresit se, harta e një Europe “të lirë, demokratike dhe e bazuar në tregje të lira”, nuk është ende e plotë. “Korrupcioni, papunësia e lartë, zmbrapsjet në zhvillimet demokratike, shtypja e medias, tensionet etnike dhe konfliktet e tejzgjatura prekin gjithnjë shumë shtete të këtij rajoni.” Ajo posaçërisht theksoi influencën e rrezikshme të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një prej faktorëve që po pengon antarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian dhe në NATO, duke sjellur si shembull krizën e fundit politike në Maqedoni.

Alina Romanowski përqëndroi një pjesë të madhe të kumtesës së saj para Kongresit, duke folur për ndihmat dhe politikën e SHBA-ve ndaj Ukrainës, ndërsa theksoi përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të shkelur dhe zhdukur vlerat mbi të cilat janë bazuar marrëdhënjet ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë, por ajo nuk mungoi të fliste edhe për prioritet e politikës së jashtëme amerikane me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.Ajo i tha Kongresit se ndërsa SHBA janë në krye të përpjekjeve për integrimin e këtij rajoni në organizmat Euro-Atlantike, “Ne duhet të vazhdojmë tu ofrojmë të gjithë atyre që aspirojnë zbatimin e standardeve Euro-Atlantike, ndihmën politike, ekonomike dhe morale në përpjekjet e tyre për t’ju bashkuar këtyre organizmave.” Ajo u tha ligjvënsve amerikanë, të cilët eventualisht duhet të miratojnë fondet ndihmesë për vendet e Ballkanit Perëndimor se, “Ndihmat e SHBA-ave do të përqëndrohen në bërjen e reformave që janë të nevojshme për të përshpejtuar antarësimin e tyre në Bashkimin Europian, dhe në zbatimin e marrveshjeve për normalizimin e marrëdhënjeve midis Serbisë dhe Kosovës”, ndër të tjera. Ajo theksoi gjithashtu se, “Në Kosovë, ndihmat tona janë një investim i vazhdueshëm për zhvillimin e një demokracie me të vërtetë multi-etnike, ku të gjithë qytetarët e saj kanë besim në qeverinë e vet dhe ku siguria e pajisjes me energji është e garantuar.”

Në buxhetin për ndihmat e jashëtme që po i kërkohet Kongresit për miratim për vitin e ardhëshëm, përfshihen edhe projektet në sektorin e drejtësisë, si dhe ndihmat për organizatat e shoqërisë civile në mbarë rajonin, si një mjet për të luftuar korrupcionin. Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, përmendi Shqipërinë si shembëll, ku ne tha ajo, “Jemi duke mbështetur një projekt në sektorin e drejtësisë i cili ka për qëllim të shtojë transparencën dhe përgjegjësinë në këtë fushë, me instalimin e mjeteve për inçizimin e procedimeve gjyqësore në gjykatat krahinore dhe në ato të apelit anë e mbanë vendit”, theksoi ajo. Por, zyrtarja e lartë e DASH u shpreh se ndihma të tilla nuk mund të kenë sukses pa mbështetjen politike në radhët e qeverive, të shoqërive civile dhe të qytetarëve të këtyre vendeve. Ne, vazhdoi ajo, jemi duke u përpjekur të pengojmë prirjet në rritje e sipër në rajon që synojnë për t’i, “mbyllur hapësirën pluralizmit politik, debateve publike dhe kundërshtarëve politikë”. Në një numër gjithnjë e më të madh vendesh në Europë dhe Euroazi, theksoi Alina Romanowski, udhëheqës të ndryshëm politikë kanë kufizuar hapësirën e veprimtarisë së organizatave të shoqërisë civile dhe të medias së pavarur, me qëllim për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe në përpjekje për të këthyer mbështetjen publike në favor të tyre. Në përgjithësi, nënvijoi ajo, “Ndihmat tona kanë për qëllim të aftësojnë qytetarët që të angazhohen me qeveritë e tyre, qoftë nepërmjet organizatave të shoqërisë civile, qoftë nepërmjet medias së pavarur, sektorit të drejtësisë, ose nepërmjet aktiviteteve të partive politike demokratike”. Shtetet e Bashkuara, theksoi zyrtarja e DASH, mbështesin organizatat e shoqërisë civile dhe median e pavarur, ndërkohë që ato përpiqen të informojnë publikun dhe të hedhin pak dritë mbi sfidat me të cilat përballet demokracia dhe qeverisja e mirë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më në fund, ajo foli edhe për ndihmën ushtarake të SHBA-ave, “në fushën e sigurisë, të mbrojtjes, të modernizimit ushtarak, të doktrinës dhe taktikave ushtarake amerikane si edhe për bashkpunimin dhe bashkveprimin e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.” Është interesant fakti se duke folur për ndihmat dhe bashkpunimin në fushën e mbrojtjes, Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, përmendi Kosovën ndër vendet ku, tha ajo, ” Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë investime strategjike në fushën e mbrojtjes me Aleatët dhe me partnerët tanë, kryesisht me Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, me Kosovën dhe shtetet Baltike”.

Ajo theksoi edhe kontributin e Bashkimit Europian për ndihmat që i akordon vendeve të këtij rajoni duke thënë se ndihmat amerikane dhe europiane përputhen

me njëra tjetrën dhe se të dy palët janë duke bashkpunuar për të sjellur përvojën dhe praktikat më të mira ekonomike të vendeve ish komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në hapësirën e vendeve post-sovjetike.

Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski përfundoi dëshminë e saj para Nën-Komisionit të Kongresit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike, duke thënë se, “Ndihmat tona kanë përmirësuar jetën e miliona njerëzve dhe se buxheti i kërkuar për vitin që vjen për këtë rajon, është një vazhdim i këtij misioni” u angazhua ajo para Kongresit. “Ne”, përfundoi, zyrtarja e lartë e DASH, “megjithë kufizimet me të cilat përballet buxheti për ndihmat e jashtëme, zotohemi se do punojmë me zell, efektivisht dhe me imagjinatë, ashtuqë burimet financiare të dhëna nga populli amerikan, të përdoren në shërbim të forcimit të vlerave tona si dhe në mbështetje të interesit tonë kombëtar, për të forcuar demokracinë, stabilitetin dhe begatinë anë e mbanë rajonit”, të Europës dhe Euroazisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkan, Frank shkreli, Jashtme, Perparsite e Politikes, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT