• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2015

Filloi Seminari i XI Mbarëkombetar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë

July 27, 2015 by dgreca

PEJE- 27 Korrik 2015- Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka hapur sot pasdite punimet e Seminarit të XI Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë, i cili këtë vit po të mbahet në Pejë dhe do të zgjatë deri më 30 korrik 2015.
Në ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit, ministri Bajrami, ka theksuar rëndësinë e organizmit të këtij seminari, sa i përket ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe edukimit të brezave në frymën kombëtare.
“Duhet të jemi krenarë për rolin e mësuesit në të kaluarën. Mësuesit tanë kanë mbajtur gjallë idenë e identitetit kombëtar, lirisë dhe bashkimit kombëtar. Mësuesit tanë janë njerëzit që edukojnë brezat e rinjë, edukojnë fëmijët tanë dhe krijojnë një pasqyrë të qartë për realitetin, në të cilin po kalon kombi shqiptar ”.
Ministri Bajrami foli edhe për unifikimin e planprogrameve dhe koordinimin e vazhdueshëm në mes të të dyja shteteve (Kosovës dhe Shqipërisë), për ofrimin e mësimit të integruar në diasporë.
Ndërsa, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Nora Malaj, ndër të tjera tha se ky Seminar është ndër ngjarjet më të rëndësisshme që ministritë e të dyja vendeve dhe mësimdhënësit bëjnë për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë.
Zv/ministrja Malaj tha se, të respektosh mësimdhënësit dhe të mësosh gjuhën shqipe në diasporë është jashtëzakonisht e rëndësishme, ndërsa theksoi se ky Seminar do të jetë një dëshmi për angazhimet tona.
Një fjalë rasti në këtë ceremoni e mbajti edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili tha se përpjekjet kësaj ministrie janë përmirësimi i kushteve për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Në këtë Seminar trajnues profesional, i cili këtë vit po mbahet në Pejë, po të marrin pjesë rreth 140 mësues shqiptarë që punojnë me fëmijët në diasporë.(B.Jashari)

Filed Under: Kronike, Kulture

THIRRJA NË FILOZOFINË E PRESIDENTIT RUGOVA ËSHTË ZËRI DHE VEPRIMI QË PËHERË DUHET TË MBES GJALLË

July 27, 2015 by dgreca

Intervistë me Anton Kolajn, veprimtar i çështjes kombëtare dhe ish- nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës/
Intervistoi per Gazeten “DIELLI”: Mikel GOJANI/
Biseda me z. Anton Kolaj, ka shumë motivacione. Profesor Anton Kolaj, është një emër i njohur i angazhimit dhe veprimit politik dhe kombëtar në Kosovë. Ishte njëri nga veprimtarët e hershëm të kauzës kombëtare. Për veprimtari politike dhe kombëtare më 1989 është arrestuar dhe burgosur, ku burgjet i ka vuajtur në Leskovc të Serbisë, Beograd dhe Pejë. Ishte themelues i Degës se LDK-s në Klinë dhe me vone, për shumë vite, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Njëri nga bashkëpunëtorët e dr. Ibrahim Rugovës, konceptit politik dhe filozofik të tij i mbetet akoma besnik. Me z. Kolaj, përmes kësaj interviste shpalosëm shumë gjera të rëndësishme dhe tematike.
“DIELLI”: Z. Kolaj, jeni një emër mjaft i njohur i jetës politike dhe kombëtare, për të qenë edhe më afër lexuesve konsiderojmë që është e dobishme të na prezantoni një biografi tuajën.
• Anton Kolaj: Jam i lindur më 3.10.1953, në fshatin Zllakuqan të Komunës së Klinës. Shkollimin fillor kam kryer në vendlindje, shkollën e mesme, gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë, ndërsa studimet kam përfunduar gjatë viteve 1973-1977 në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës, Dega Filozofi –Sociologji. Jam i martuar me Drita Palushajn nga Klina, baba i pesë fëmijëve: Albani, Artani, Blerta, Besa dhe Gjini. Prej muaj shtator 1977 deri më 1989 kam punuar mësimdhënës për lëndët filozofi, sociologji dhe psikologji, në Gjimnazin” Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe Kijevë (i larguar me dhunë nga regjmi serb nga procesi i punës për aktivitet dhe bindje politike në kauzën e mbrojtjes dhe të afirmimit të të drejtave kombëtare dhe njerëzore). Prej muajit mars deri muajin qershor të vitit 1989 isha i arrestuar në të ashtuquajturin proces të izolimit të rreth 250 intelektualëve shqiptarë të Kosovës. Prej muajit dhjetor 1989 deri në muajin maj 1990 kam punuar si sociolog i punës në NNIT“Mirusha“ në Klinë, mirëpo prapë i përjashtuar nga puna nga ana e regjimit serb, si i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për sistemin kushtetues serbo- jugosllav. Me aktivitet politik jam marrë qysh herët, si pjesëmarrës aktiv në demonstratat e viteve të 81-ta në Kosovë dhe zhvillimeve të mëvonshme lidhur me to; iniciator dhe bashkëthemelues i Degës se LDK-s ne Kline, kryetar i parë i Degës së LDK-së në Klinë, iniciator dhe bashkëthemelues i Këshillit për pajtimin e gjaqeve për Komunën e Klinës; anëtar i Kryesisë (korrik 1990) dhe më vone nënkryetar i LDK-së i zgjedhur në Kuvendin e parë zgjedhor të LDK-së (5 maj 1991); Co-Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës (1991-94); Deputet ne Parlamentin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 24 majit 1992; në Zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-s. (merr rreth 5000 vota, kandidati më i votuar në Klinë). Nga janari 1995, gjendem me familje ne Gjermani.
“DIELLI”: Në angazhimet politike dhe kombëtare jeni kyçur qysh herët. Çfarë keni mundësi të na flisni për këto angazhime tuaja shumë të hershme dhe me interes dimensional?
• Anton Kolaj: Pyetja është shumë sfiduese. Nuk me vjen lehtë të përgjigjem në këtë pyetje, sidomos kur njeriu duhet të flas për vetveten. Unë, si shumë bashkëkombës të mi, kemi pasur fatin që të jetojmë dhe veprojmë në kohë kthesash të mëdha historike. Vitet e shtatëdhjeta i kujtoj si vite të një fryme më të lirë, në rrafshin nacional. Pas shumë përpjekjeve dhe vuajtjeve, populli shqiptar fitoi disa liri të cilat u sanksionuan edhe në Kushtetutën e vitit 1974. Megjithatë, shqiptarët, edhe me këtë kushtetutë, nuk ishin te barabarte me të tjerat entitete në ish-Jugosllavi.
Klina, nga vij unë, në këto vite u bë me gjimnaz. Unë i takoja gjeneratës së parë të gjimnazit. Dashuria për shkollim u bë e madhe. Kjo, fale edhe angazhimit të mësimdhënësve, vullnetit të prindërve dhe të nxënësve. Por, në këtë rrafsh duhet veçuar një figurë tepër të rëndësishme, e cila dha një kontribut të madh në përhapjen e arsimit shqip. Ky ishte drejtori parë i gjimnazit “ Luigj Gurakuqi” në Klinë, i nderuari prof. Frrok Gojani.
Për opinionin e gjerë, duhet thënë se gjer në ato vite, në jetën politike, arsimore dhe kulturore në Klinë e dominonte elementi serb. Tani gradualisht ky dominim i padrejtë, po ndryshohej. Kthesat po bëheshin, por jo pa vështirësi. Në Kline gjimnazi u bë vatër e dijes dhe rezistencës, si shumë qendra tjera në Kosovë. Si rezultat i këtij hovi zhvillimor që po bënte Kosova, në njërën ane dhe pengesave e sanksioneve që i bënte pushteti i asaj kohe, plasën demonstratat e 1981-ës. Kjo ishte një periudhe me shume sfida dhe kthesa të shpejta.
Shovinizmi serb, dhe jo vetëm ai, bënte çmos për t’ua marrë shqiptarëve ato të drejta që u garantoheshin me Kushtetutën e vitit 1974. Këto dallgë lirie dhe të drejtash, fuqizoheshin çdo ditë, dhe shumë shpejt u pa se kornizat e Kushtetutës së 1974 –ës ishin të ngushta për shqiptarët. Në këto vite isha mësimdhënës në gjimnazin „Luigj Gurakuqi“ në Kijevë. Për shkak të qëndrimit dhe rezistencës që behej nga disa mësimdhënës dhe nxënës dhe synimit dhe sulmit që bënte politika e atëhershme zyrtare e Jugosllavisë kundër shkollave dhe institucioneve tjera në Kosovë, kjo shkollë, shihej si halë në sy, si për politikën komunale klinase, po ashtu edhe për atë krahinore dhe qendrore.
Personalisht, por edhe shume kolegë të mi të nderuar, që jepnin mësim aty, me paraqitjet tona dhe qëndrimet shumë të forta kombëtare dhe profesionale, kontribuuam, së bashku me nxënës dhe prindër, që ideja e Kosovës Republikë të mos trajtohet dhe pranohet si ide kontrarevolucionare! Përkundrazi, janë të njohura angazhimet tona teorike dhe praktike rreth afirmimit dhe avancimit të idesë për Republikën e Kosovës. Për punën time dhe të disa kolegëve të mi të respektuar të kësaj periode, duhet pyetur nxënësit tanë. Ata ishin rrugëtarët dhe implementuesit më të denje të angazhimeve tona.
Më vonë, nga Kijeva, diku në vitin 1983/84, kalova në gjimnazin „Luigj Gurakuqi“ në Klinë.
Klina ishte një mes shumë interesant për pushtetin jugosllav, e posaçërisht për nacionalistët serb, të cilët nuk ishin bukur pak në numër.
Kishte ide që në Klinë, duke pasur parasysh përbërjen konfesionale të popullsisë shqiptare, të eksperimentohet me konflikte mbi këtë bazë. Dhe gjimnazi shihej si institucion shumë i përshtatshëm për këto qëllime. Në disa klasë nxënësit uleshin të ndarë. Kjo më ra në sy posa erdha nga Kijeva në Klinë dhe në biseda, së pari, me disa kolegë me të cilët na lidhnin mendimet dhe pikëpamjet, biseduam dhe filluam një aktivitet sqarues. Personalisht, mendoja se ky veprim i nxënësve shqiptarë nuk vinte nga bindja fetare, por ishte më tepër karakter regjional, d.m.th. nxënësit uleshin spontanisht, varësisht se nga cilat shkolla vinin. Por, kishte përpjekje që kjo situatë të keqpërdorët. Arsimtarë serbë, shovinistë të përbetuar, përpiqeshin të keqpërdorin këtë situatë. Dorën në zemër, unë, por edhe disa kolegë të nderuar, ishim shumë të hapur në biseda me nxënësit në këtë drejtim. Gjimnazi i Klinës, përpos funksionit primar që kishte në ofrimin e arsimit dhe të dijes, u bë një vatër e rezistencës intelektuale dhe politike kundër shovinizmit serb.
Shovinistët serbë i tmerronte kjo qendër arsimore dhe fryma që zhvillohej në të. Ata sulmuan fillimisht emrin e gjimnazit, me pastaj sulmuan dhe burgosen nxënës dhe profesorë, por për asnjë çast nuk arritën synimin e tyre. Ky gjimnaz, si dhe te tjerët gjithandej Kosovës i dha shumë kuadro të fushave të ndryshme dha së fundmi edhe shumë luftëtarë të lirisë.
Le të më lejohet, për lexuesit më të rinj të sjell diç nga e fryma antishqiptare që dominonte në vitet ‘80-ta dhe të 90-ta të shekullit të kaluar. Në Fushë – Kosovë në fundvitet e tetëdhjeta dhe fillim të nëntëdhjetave, vepronte Shoqata famëkeqe antishqiptare „Bozhur“, që për platformë politike dhe strategjike kishte idetë shoviniste antishqiptare çubriloviqiane. Përpos tjerash në ato vite, ata lansuan propagandën se gjoja shqiptarët e besimit katolik, po kërkojnë ndihme tek serbët, se janë të terrorizuar nga shqiptarët e besimit mysliman! Unë, atëherë pata një shkrim që u botua në të përditshmen “Rilindja”, ku me argumente demantova këtë politikë antishqiptare. Shkrimin e përfundova me konstatimin se “ne , shqiptarët jemi vëllezër dhe se 99 fije na bashkojnë dhe vetëm një na veçon!” Ky shkrim u prit shumë mirë nga nxënësit e mi, nga qytetarët shqiptarë, jo vetëm të Klinës, por edhe anë e kënd Kosovës dhe më gjerë. Por ky shkrim mbeti i pafalshëm për regjimin serb, i cili, gjatë qëndrimit tim në burg, përpos „mëkateve” tjera ma numëruan edhe këtë “mëkat!”
Kur sot lexoj dhe shikoj disa paraqitje dhe veprime devijante në Kosovë, të cilat përpiqen të fusin ndarje dhe urrejtje ndërfetare ndër shqiptarë, nuk më mbetët tjetër gjë vetëm të klith gjer në kupë të qiellit dhe të them: “Këto ide nuk janë të panjohura për ne! Këto janë “Made in Serbia!” Shqiptarë ruhuni nga këto ide dhe këto veprime!
“DIELLI”: Në vitet e ’90-ta ishit nënkryetar i LDK-së. LDK-ja ishte forca e parë politike në Ballkan e cila sfidoi ideologjinë komuniste. Çfarë mund të shtoni për ato vite të themelimit, punës dhe angazhimit të LDK-së, në krye me strategun dhe vizionarin, dr. Ibrahim Rugova?
Anton Kolaj: Siç dihet LDK-ja u formua më 23 dhjetor 1989. Nëse i hedhim një sy ngjarjeve nëpër të cilat kalonin shqiptarët nën Jugosllavi, mund të konstatohet se ishin shterur të gjitha mundësitë, që në kuadër të sistemit ekzistues politik jugosllav, të avancohen dhe të mbrohen më tej të drejtat e shqiptarëve në Kosove dhe vise tjera shqiptare në Jugosllavi! Në anën tjetër, as aktivitetet e grupimeve ilegale shqiptare, qofshin brenda, qofshin jashtë, nuk mundnin, për arsye objektive dhe subjektive, të bënin diç më serioze në afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve!
Në Ballkan po frynte një erë e re, ajo e pluralizmit. Jugosllavia po vlonte nga brenda. Shumë Republika jugosllave nuk dëshironin më të jetojnë në një shtet të tillë, ku primatin e kishin serbët. Në planin ndërkombëtar, pas lodhjes dhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, pas rënies së Murit të Berlinit, e ndryshimeve tjera në rajon, u krijuan kushtet që edhe shqiptarët e Kosovës, me veprime tjera, të ndërmarrin hapa që ishin kompatibel me situatat e krijuara.
Formimi i LDK-s si një vullnet dhe synim i elitës intelektuale shqiptare të Kosovës, u bë shpejt ajo kthesa e madhe historike për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë. Ndikimi i LDK-së dhe i frymës kombëtare dhe politike që rrezaton ajo, ndikoi shumë tek shqiptarët, si në Maqedoni, Mal të Zi Kosove Lindore dhe Diasporë.
Fryma bashkëpunuese, komunikimi i urtë dhe tolerant e gjithëpërfshirës, ngadalë, por suksesshëm, po vendoste themelet e një organizimi të ri ndërshqiptar. Filluan te instalohen vlerat e një forme të re organizimi politik, dhe pa pasoja e turbulenca, pa vëllavrasje e konflikte, dita – ditës, po shkatërrohej sistemi politik i LKJ dhe po ngushtohej hapësira e ndikimit të tij në jetën e shqiptarëve.
Kështu e parë, LDK-ja përkrah synimit social-politik dhe kombëtar, shumë shpejt u shndërrua në një lëvizje gjithëkombëtare. Në ato vite, krijohej përshtypja, më të drejtë se Prishtina ishte bërë qendër e botës shqiptare!
Shtëpia e vogël e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku gjendej selia e LDK-se dhe ku punonte Presidenti Rugova me bashkëpunëtorët e tij, u bë një shtëpi – kala, që rrezatonte vizion, paqe, urtësi, demokraci, qëndresë dhe apel për liri!
LDK-ja në atë kohë ishte forca kohezive e të gjithë shqiptarëve dhe adresë e respektuar për ndërkombëtarët. Nga aty Presidenti Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, punuan, vepruan dhe menaxhuan tërë jetën politike, sociale, kulturore dhe shtetërore.
Për hir të së vërtetës historike duhet theksuar se të gjithë akterët e jetës politike në Kosovë, në ato vite, më pak përjashtime, tregonin një angazhim dhe sakrificë të jashtëzakonshme për kauzën kombëtare. Kjo mënyrë e punës u reflektua edhe në masat e gjera, gjithandej Kosovës. Tanimë dihet se në çdo lagje, fshat apo qytet, tregohej një vetëdisiplinë, vetëmohim, sakrificë dhe solidaritet për të qëndruar, për të punuar dhe për të realizuar synimet për liri kombëtare!
LDK-ja në këto vite, në bashkëpunim me të gjithë subjektet tjerë politikë e jo politik të shqiptareve, si partitë politike, sindikatat, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, bashkësitë fetare etj., koordinonin veprimet të cilat synonin formimin e shtetit të Kosovës dhe çlirimin e saj nga okupatori serb.
“DIELLI”: A kishte ne atë kohe vështirësi dhe mospajtime ndër shqiptarë
Anton Kolaj: Gjithsesi, nuk duhet kuptuar se në atë kohë ndër shqiptarët nuk kishte mospajtime. Po. Kishte mendime tjera, njerëz të pakënaqur, të tillë që nuk e kishin kuptuar ende demokracinë, që nuk e kuptonin drejt rendin e ri ndërkombëtare, nostalgjik të përkatësive dhe simpative të kaluara politike, qofshin ndaj sistemit politik të Enver Hoxhës, apo edhe të tillë që kishin një dhembshuri për të kaluarën e tyre komode në Jugosllavinë e Titos! Kishte edhe asi që politikisht i takonin organizimeve të vjetra djathtiste, si Balli Kombëtar etj.
Pra, siç shihej duhej punuar dhe vepruar me një kulturë të lartë të tolerancës dhe mirëkuptimit. Në këtë drejtim, kultura komunikuese e Presidentit Rugova (ai nuk fyente dhe nuk anatemonte askënd), u bë segment i rëndësishëm i LDK-së, madje shenjë që këtë subjekt e dallonte nga subjektet tjera në Kosovë.
Punohej me një përkushtim të lartë dhe ajo që quhet aktivizim i resurseve dhe potencialeve, ishte bërë preokupim i LDK-së. Kështu, ruhej një kohezion kombëtar dhe çdo ditë pushtoheshin hapësira të pa shfrytëzuara që dërgonin kah shtetndërtimi.
Ajo që latinët e vjetër thonin „ Ec ngadalë që të arrish më shpejt në cak“, u tregua, së pakut për ato vite gjer në prag të luftës, si e suksesshme!
“DIELLI:” Koncepti politik, filozofik dhe humanist i LDK-së në atë kohë ishte një koncept mbi platformën e së çiles dominonte opsioni paqësor. Me këtë politikë, tepër racionale për kohën, u ndërtuan dhe funksionuan shumë segmente të jetës, po ashtu njëherësh u vunë edhe themelet e shtetësisë së republikës së Kosovës. LDK-ja ishte bartëse e gjitha këtyre veprimtarive dhe këtyre organizimeve që jeta shqiptare në atë kohë nën okupimin serb i kërkonte këto organizime, çfarë mund t’u shtoni këtyre konstatimeve?
Anton Kolaj: Rreth kësaj pyetje, gjer më sot, ka pasur mendime të ndryshme. Disa, atë rrugë e glorifikojnë dhe përpiqen ta paraqesin si një “lutje kishtare!” Të tjerët duan ta shohin si një rrugë ose opsion të „qulltë“ që nuk dërgon askund!
Nëse „kandari“ më i mirë i matjes së diçkahit është praktika, atëherë me plot gojën mund të thuhet se filozofia politike e LDK-s, në ato vite ishte një filozofi politike, shumë aktive në rrugën e shtetndërtimit dhe lirisë kombëtare.
Nihilistet e kësaj rruge, apo të këtij opsioni, janë viktima të miopisë politiko- intelektuale dhe të përvojave historike, posaçërisht të atyre në Ballkan.
Si njëri prej bashkëpunëtorëve të Presidentit Rugova, në ato vite, mund të them se LDK-ja ishte një Lëvizje për çlirim dhe shtetformim. Në këtë aspekt, rezistenca, organizimi i segmenteve shtetërore, në tërësinë e tyre, ngritja permanente e vetëdijes kombëtare, forcimi i vetëbesimit të qytetarëve, orientimi properëndimor dhe bindja e miqve në sinqeritetin tonë karshi këtij orientimi, nuk ishin diç që mund të bëheshin brenda natës. Jo gjithmonë, vullneti dhe dëshira, janë të mjaftueshme. Por, këto janë, kuptohet, parakushte mbi të cilat fillon ndërtimi i diçkahit.
Nuk është e re nëse them se resurset dhe kapacitetet tona kombëtare, duke përfshirë edhe Shqipërinë në ato vite, nuk përputheshin me nevojat dhe synimet e LDK-së dhe subjekteve tjera shqiptare në Kosovë. Shqipëria në ato vite, kalonte nëpër disa faza tepër të rënda dhe me turbulenca të rrezikshme. Shkurt, shteti shqiptar në atë kohë, në aspektin e funksionalitetit, ishte jofunksional. Unë nuk them se në Shqipëri nuk mbështetej ideja e Kosovës për pavarësi, por ishte „takati“ tepër i vogël i shtetit, turbulencat transitore kah demokracia, nuk jepnin asnjë sinjal për ndonjë ndërmarrje serioze. Këtë e them edhe nga kontaktet e mia që në atë kohë, si ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, nga LDK-ja, kam pasur me funksionarë të lartë të shtetit të Shqipërisë.
Në anën tjetër, Republikat tjera të RSFJ-së, nuk e shihnin Kosovën si aleat, por si akter për të realizuar synimet e veta. Për lexuesin e ri le të përmendet këtu marrëveshja sekrete Tuxhman- Millosheviq. Edhe faktori ndërkombëtare, ende nuk shkonte kah një mbështetje, për të shpejtuar dinamiken e veprimeve tona. Te disa ende shiheshin gjurmët e propagandës serbo-jugosllave, dhe hetohej një skepticizëm e madhe karshi opsionit tonë!
Kur të merren parasysh të gjithë këta faktorë, tani pas një çerekshekulli, edhe me me zë mund të them se Lëvizja e Shqiptarëve e udhëhequr nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova, si dhe subjektet tjerë shqiptarë, ishte një lëvizje që suksesshëm vunë themelet e shtetësisë dhe të çlirimit të Kosovës.
Të përkujtojmë se në këto vite u organizuan dhe ndërmorën shumë veprime që vërtetojnë atë qe u tha më lartë. Me lejoni t’i përmendi disa nga këto:
Deklarata e Pavarësisë- 2 Korrik 1990; Kushtetuta e Kaçanikut shtator 1990; Referendumi gjithëpopullor për Pavarësinë e Kosovës ( fundi i shtatorit 1991); Formimi i Qeverise së Kosovës ( nga të gjithë subjektet politikë të Kosovës me ministri brenda dhe jashtë Kosovës); Zgjedhjet e para shumëpartiake dhe Presidenciale, të mbajtura më 24 maj 19902 etj. Shkurt, synimi nuk ishte paqja me çdo kusht, por liria dhe pavarësia e Kosovës.
“DIELLI:” Pas përfundimit të luftës, ne Kosove u krijua nje realitet i ri. LDK-ja, nën udhëheqjen e dr. Ibrahim Rugovës, edhe përkundër shumë sfidave dhe vështirësive që iu paraqitën, prapë ishte forca politike që kishte besimin më të madh tek masa e gjerë popullore. Thuhej që “forcat e luftës” çliruan vendin, mirëpo prapë se prapë LDK mbeti partia më e besueshme.
Anton Kolaj: Ka disa arsye pse ndodhi kjo: Së pari, sipas mendimit tim, figura politike dhe udhëheqëse e Ibrahim Rugovës nuk ishte zbehur dhe rrënuar. Populli e vlerësonte punën, përkushtimin dhe sakrificën e tij. Le të parafrazoj një diplomat të lartë amerikan, pas një vizite që menjëherë pas lufte e kishte bërë së bashku me Ibrahim Rugovën në Komunën e Malishevës:“ Populli e donte dhe përkulej para tij”!
Në anën tjetër LDK-ja ,sikur edhe subjektet tjerë shqiptarë, përkundër propagandës agresive mohuese që është zhvilluar në ato vite, ishte pjesë reale e luftës, qofshin këta individ në formacione të caktuara të UÇK-s ose komandantë e ushtarë në formacionet e FARK-ut. Së dyti, disa që veten e konsideronin“çlirimtarë“ pas luftës keqpërdorën idenë e luftës dhe të çlirimit. Ishte e neveritshme qe pas luftës të shiheshe gjithandej, grafitë të ndryshme nëpër mure shtëpish e pronash grafitet: “E nxënë UÇK!“ ose „e nxënë x y komandanti“ etj. Këto shëmti dhe keqpërdorime që iu atribuoheshin „çlirimtarëve“, u ndëshkuan në zgjedhjet e para të pas luftës. Udhëheqësve politikë të të ashtuquajturit “krah i luftës”, nuk ju shkoi përshtati t’i ndalojnë këto veprime. Së treti, u dëshmua se demokracia ka disa rregulla tjera të lojës. Por, a do të fitonte LDK-ja pa Ibrahim Rugovën, mendoj se jo. Populli ishte bindur se ai nuk e donte luftën, por u angazhua shumë për liri dhe pavarësi kombëtare!
“DIELLI:”LDK-ja e sotme, kuptohet se nga ndryshuar rrënjësisht nga ajo e kaluara dhe sot themeluesit dhe bartësit shumëvjeçarë të aktiviteteve dhe veprimtarive të kësaj partie pothuaj janë eliminuar, sa është e justifikueshme kjo politike?
Anton Kolaj: Së pari unë, ende nuk mendoj se ka një LDK të djeshme dhe një të sotme. E vërteta është se tani, pas lufte, dhe posaçërisht pas shpalljes se Pavarësisë së Kosovës, kemi tjera rrethana dhe një realitet krejt te ri.
LDK-së iu është dashur të ecë nga koncepti i partisë-lëvizje, kah koncepti i një partie politike modern , pra të bëjë ndryshime të rrënjësishme. Pastaj, pas vdekjes së Presidentit Rugova, LDK- nuk është më parti e liderit. Ajo, si çdo parti moderne, do i nënshtrohet rregullave të reja atë të lojës. Gara e brendshme i ka turbulencat e caktuara! Dikush kënaqet e dikush mbetet i pakënaqur. Disa edhe zhgënjehen ose tërhiqen, ose kërkojnë alternativë tjetër!
Njohësit e kësaj fushe dhe të këtyre praktikave, vërejnë se në këtë rrugë transformimi, ka vështirësi të caktuara. Nuk mjaftojnë vetëm ndryshimet statutare, kjo merr kohë gjersa njeriu të mësohet me një nevojë dhe realitet të ri!
Tani t`i kthehem pjesës se dytë të pyetjes: Demokracia ka disa rregulla interesante dhe shumë sfiduese të lojës. Meritokracia nuk është i vetmi kriter i mjaftueshëm për të mbetur në rendin e parë.
Le të më lejohet, për lexuesit e rëndomtë, të sjell një shembull nga fusha e sportit. Pavarësisht nga fama, p.sh., në boks, dikush të sfidon ose me nokaut, ose me poenë. Kjo nuk do të thotë se akëcili boksier i famshëm, me daljen nga ringu, i vdes fama! Me kalimin e kohës ai kujtohet për rezultatet e tija. Por nëse ai dëshiron për të luajtur prapë, duhet për t’u përgatitur për meçe tjera, për sfida tjera. Por, edhe në politikë, sikur edhe në sport, ka tejkalime, ka hile, kuptohet, nëse mungon referi!
Ata që duan të merren aktivisht në politikë, nuk duhet të vajtojnë, por të angazhohen, me ide e projekte dhe të mos kenë frikë për të dalë prapë në ring!
Unë nuk njoh shembuj në politikë, që dikush të thotë: “Eja në karrigen time, se ti je burrë ose grua e mirë!”
“DIELLI:” Edhe sot LDK-ja thirret në frymën e rugovizmit, këtë sintagmë mos e ka vetëm sa për t’u mbështetur në filozofinë e Dr. Rugovës, sepse pothuaj të gjithë e dimë që LDK e ka humbur identitetin që ka pasur. Sa pajtoheni me këto pikëpamje?
Anton Kolaj: Unë nuk mendoj se LDK e ka humbur identiteti e vet. Thirrja në filozofinë e Presidentit Rugova është zëri dhe veprimi që duhet të mbes gjallë dhe të begatohet me risitë tjera që sjell jeta. Përndryshe, nëse nuk ka risi, atëherë mund të shndërrohet në dogmë. Unë jam kundër dogmave.
Në anën tjetër, realiteti ynë në Kosovë është shumë sfidues. Ka varfëri, mungese të perspektivës ekonomike, dukuri devijante shoqërore, si korrupsion, reketim, nepotizëm, prostitucion, keqpërdorim funksionesh, depërtime të ideologjive të ndryshme antidemokratike e kombëtare. Këto janë bërë pengesë e madhe për të ecur vendi përpara.
Në anën tjetër, Serbia vazhdon të bëjë pengesa dhe shantazhe të shumta, si në planin e brendshëm, duke i manipuluar serbët vendorë (rasti i Veriut të Kosovës), po ashtu duke sabotuar përpjekjet tona dhe të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve përmes bisedimeve.
Nëse shtrohet pyetja, se a ka rrezik të devijohet nga shtyllat kryesore të rugovizmit, mund të them se po. Ky rrezik është permanent. Dhe, këtu mendoj se LDK-ja , dhe jo vetëm kjo, ndodhen të sfiduara dhe nganjëherë të shantazhuara. Jemi dëshmitarë se në Kosovë dhe hapësirat tjera shqiptare, po synohet të depërtojë islami politik. Kjo është sfidë për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe për shtetin e Kosovës në veçanti. Terreni socio- ekonomik dhe fetar, është shumë i volitshëm për këto depërtime. Zakonisht, në vende të varfra ekonomikisht dhe pa një tradite shtetërore, të rrethuar me shtete që nuk janë miqësore, ky virus gjen shumë shpejt mesin social për shumëzim. Dhe tani t’i kthehem të ashtuquajturës “lojë politike”: disa parti politike, këtu nuk përjashtohet as LDK-ja, për nevoja të votës ose edhe për mungese të identitetit politik, koketojnë me këtë frymë politike.
Në qoftë se prurjet e reja janë të pakontrolluara, ato herët ose vone, mund ta ndryshojnë identitetin e çdo subjekti!
LDK-ja dhe Dr. Rugova kanë qenë shumë herët objektivë sulmi nga grupimet antishqiptare. Kjo për faktin se RUGOVIZËM përpos tjerash domethënë përkushtim për familje të shëndoshë, shtet të fortë, ekonomi stabile të tregut, identitet dhe kulturë kombëtare, tolerancë ndaj përkatësive tjera nacionale e fetare, ndarje e fesë nga shteti, demokraci europiane dhe miqësi të përhershme me SHBA-të.
Pa dashur për ta zgjatur, mund të them se shumë nga këto segmente, sot në forma të hapura ose më të kamufluara, janë objekt i sulmeve ose i planeve për sulm! Pra, rreziku tjetër që i kanoset LDK-së është e thënë në mënyrë filozofike një lloj eklekticizmi, d.m.th. përpjekje për t’i lidhur gjerat që nuk mund të lidhen, në fillim, dhe më vonë për të ndryshuar tërë këtë begati historiko-kombëtare. Në disa komuna, ku shumicën e ka LDK-ja, hetohen këto praktika dualiste dhe eklekticiste!
Në një shoqëri ku festat fetare (krishtere apo islame) kalojnë kufijtë familjarë, ka tendencë që të shkohet kah një formë e një teokracie, së pari shpirtërore, e me pastaj kah ajo politiko- shtetërore!
Në ato shoqëri, ku zëri i minareve dhe kambanave, është më i lartë se zëri i universiteteve dhe dijes, nuk ka bereqet!
“DIELLI”: Jeni angazhuar ende ne LDK dhe si i shihni aktivitetin e LDK- në Gjermani?
Anton Kolaj: Po, unë mbes i angazhuar ne aktivitete intelektuale që organizon LDK-ja dhe klubet tjera shqiptare të rrethinë ku jetoj.
Pas zgjedhjeve të fundin të këtij viti të Nëndegës së LDK-së për NRW në Gjermani, për arsye kohe nuk kam ndonjë funksion në strukturën udhëheqëse. Domethënë jam, siç thuhet “anëtar i thjeshtë i LDK-së!”
Ka shumë anëtarë të devotshëm që organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore etj. Mendoj se çështja e degëve jashtë duhet të analizohet, diskutohet dhe konform rregullave ligjore të vendeve europiane ku jetojnë shqiptarët, të bëhen plotësim-ndryshime në Statutin e LDK-së, ose te nxjerrët ndonjë rregullore e veçantë. Kështu do hiqeshin keqkuptimet dhe do jepej një shtytës për një ecje të mëtejme.
“DIELLI:”Ju keni pasur shumë oferta nga subjekte të ndryshme politike në Kosovë, mirëpo i keni mbetur besnik konceptit politik të LDK-së.
Anton Kolaj: Po është e vërtetë kjo që thoni. Unë ju jam mirënjohës për respektin dhe ofertat. Ishin shumë serioze dhe atraktive. Kam shumë miq në disa nga partitë politike tjera. Por, ende vazhdoj të jem në LDK.
“DIELLI:”Cili është mesazhi juaj për lexuesit e “Rrezores?”
Anton Kolaj: Të gjithë lexuesve iu dëshiroj shëndet dhe suksese në të gjitha segmentet e jetës!
-Ju faleminderit!
-Qofshi me nder!

Filed Under: Interviste Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA, Interviste, Mikel Gojani, Prof. Anton Kola

Percjellje- Kapiten Perikli Xhixho…

July 27, 2015 by dgreca

Komandant i paharruar i Bazës Detare Sarandë, njeriu i detit dhe i Lunxherisë/
Nga Shefqet Kërcelli & Mufit Qorduka/
Para pak ditësh u nda nga jeta në moshën 77 vjecare, Kapiten i Rangut të II-të {R}, Perikli Foto Xhixho. Përcjellja e tij për në banesën e fundit u bë nga familjarë, miq, të afërm, ishkolegë dhe detarë të Forcës Detare. Kapiten Perikliu u lind më 26 korrik 1938 në Suhë të Gjirokastrës, në një familje me tradita patriotike dhe demokratike. Fshati Suhë ndodhet në skajin lindor të krahinës së Lunxherisë, në kryqëzimin e rrugëve të shumta që lidhin këtë zonë, një pozicion gjeografik që e ka bërë atë të rëndësishëm në zhvillimet historiko-politike të kësaj treve. Vërtet Suha është një fshat i vogël, por ka nxjerrë kapedanë e luftëtarë të shquar, burra të mencur e të zotë, njerëz këmbëngulës e kurajozë, me një botë të gjerë shpirtërore, me zakone e tradita të spikatura, Por mbi të gjitha Suhotët asnjeherë nuk i janë nënshtruar asnjë pushtuesi, përkundrazi j’a kanë treguar vendin cilido që ka tentuar të shkelë në ato anë. Kështu dhe fisi e familja e Perikliut historikisht janë dalluar për frymën e tyre atdhedashëse, guximin e trimërinë, bujarinë dhe pjesmarjen aktive në cdo ngjarje të rëndësishme të fshatit e krahinës. E shohim këtë që në shekullin XIX, kur gjyshi i Perikliut Foto Xhixho, {I vjetri, si pjesëtar i cetës së Bilbilenjve, luftoi kundër pushtimit osman, derisa për të mos rënë në dorë të pushtuesve u vetëflijuan duke kënduar së bashku…
Dale bej të ndez cigarë,
Se nuk jam canak me dhallë,
Por jam bilbili me pallë…
Ndërkohë dhe gjatë Luftës së II-Botërore, familja dhe fisi Xhixho dha kontribut të rëndësishëm në rreshtat partizane, ku ka pasur heronj dhe dëshmorë, si Pano Xhixho, ndërsa Thoma Xhixho, ish drejtues i formacioneve partizane, mbas clirimit arriti në gradën e Gjeneral Majorit. Ishte ky ambient sa patriotik e bujar, ku guximi dhe dëshira për liri, gërshetoheshin e trashëgoheshin brez pas brezi, të cilat ndikuan fuqishëm në formimin e Perikliut si ushtarak, detar dhe familjar i devotshëm. Perikliu shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën shtatëvjecare dhe atë të mesme e kreu në qytetet Korcë, Burrel e Tiranë, kuptohet për arësye të transferimeve të familjes. Nga viti 1958 deri në vitin 1961 Periliu ndoqi studimet e larta në Riga të Letonisë dhe në San Peterburg të Rusisë në specialitetin Lundrues nënujës, ku u shqua për aftësitë e tij në përvetsimin e programit të kësaj shkolle. Mbas prishjes së mardhënieve me ishBashkimin Sovjetik, vitin e fundit të diplomës e mbaroi në Shkollën e porsahapur të Marinës në Vlorë, brezi i I-rë, 1961-1962, ku më pas përfundoi dhe kualifikimin e lartë të Akademisë Detare. Karierën e tij si oficer detar e filloi si komandant Kateri Silurues në ishullin e Sazanit, në Brigadën e Mbrojtjes së Rajonit të Ujërave, {BrMRU}, më pas me krijimin e Flotiljes Detare të Durrësit, më 5 janar 1965, lundërtari i ri u bë pjesë e kësaj Flotilje bashkë me Katerin e tij të ardhur nga Sazani. Në vijim për aftësitë e tij profesionale Perikliu shërbeu për disa vite Shef Shtabi i Regjimentit të Katerave Silurues{RKS} në Kepin e Palit. Nga viti në vit, Perikliu shtonte aftësitë e tij teoriko-praktike që ndikonin drejpërdrejt në rezultatet e detyrave të ngarkuara. Një kuadër kërkues ndaj vehtes e ndaj vartësve, tepër korrekt në zbatimin e cdo detyre, specialist e kompetent në stërvitjet e kryera brenda ishBUD-it të Durrësit ose me bazat e tjera, kështu e kujtojnë kolegët e tij të shumtë detarë. Tepër i dashur e i sjellshëm me shokët, si koleg e vëlla ndante cdo gjë me ta në gëzime e raste të tjera. Një kuadër inteligjent dhe me kulturë të gjerë, pasi asnjëherë s’e ndërpreu leximin. Për këto aftësi organizuese e menaxhuese, Perikliun në vitin 1975 e emëruan Shef Stërvitje në ishBUD-in e Durrësit, detyrë të cilën ai e kreu me përgjegjsi dhe dinamizëm, pasi në atë kohë u zhvilluan disa stërvitje taktiko-komplekse, ku morrën pjesë dhe anije të Flotës Tregtare dhe të Peshkimit. Por kulmin e tij, përsa i përket karrierës ushtarake, Perikliu e arriti në vitin 1978, kur u caktua në detyrën e Komandantit të Bazës Detare Sarandë. Në shërbim të kësaj baze Perikliu vuri gjithë eksperiencën, formimin dhe kualifikimin e tij të krijuar në vite. Një kuadër novator, këmbëngulës, i paepur ndaj vështirësive, Perikliu e ngriti punën në këtë bazë, duke e transformuar atë rrënjësisht. Ai e gjeti bazën me cadra dhe infrastrukturë modeste, se baza ishte e re, por me punën e tij dhe efektivit që drejtonte, brenda pak vitesh krijoi kushte normale për jetesë e stërvitje. Në përballimin e këtyre detyrave të rëndësishme Komandant Perikliu gjeti mbështetje nga efektivi i bazës, por dhe nga qytetarët Sarandiotë, që dashuronin e respektonin uniformat e bardha, si dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal e ndërmarjet e ndryshme të qytetit bredgetar të Sarandës, që e ndihmuan me mjetet që kishin në dispozicion. Në sajë të kësaj pune vetmohuese, me orë të zgjatura, krahas realizimit të detyrës e misionit luftarak, Baza Detare e Sarandës për disa vite rreshte u bë Flamurtare e Flotës sonë Luftarake. Sigurisht që merita për këto rezultate të bazës i takon komandantit të saj të lavdishëm, Kapiten Perikliut, që udhëhiqte me shembull personal në cdo hap, larg cdo vesi, ishte i pari në cdo detyrë qoftë në det, qoftë në tokë; njeri kërkues, i rreptë ndaj hileqarëve, kërkues, antikomformist, i prerë dhe i drejtpërdrejtë në diskutime e vendimarje, i drejtë dhe i panshëm në gjykimin e vlerësimin e punës së kuadrove. Për këto aftësi e cilësi të spikatura, për rezultate sistematike në cdo detyrë të ngarkuar, Komandant Perikliu është vlerësuar nga eprorët dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor me medalje të ndryshme. Në vijim të karrierës, Detari i paepur Perikli Xhixho, nga viti 1989 deri në vitin 1992, kreu detyrën e Kapitenit të Kapitenerisë së Sarandës, ku me aftësitë e tij si ushtarak dhe njohuritë si lundërtar përmirësoi shërbimin në këtë institucion të rëndësishëm detar. Por dhe mbas daljes në pension Perikliu nuk ju nda detit, kolegëve dhe vendlindjes së tij. Ai ishte pjesë e cdo aktiviteti të Shoqatës së detarëve, bashkëpunëtor i gazetës “Bijtë e detit”, studjues skruploz i historisë së vendlindjes, madje për të, në sajë të një pune kërkimore disa vjecare ka dhuruar një libër me vlera historike-gjeografike me titull, “Suha, mes natyrës dhe historisë”. Ndërkohë vlerat e tij si lundrues dhe kuadër i kompletuar ushtarak janë evidentuar dhe në librin “Antologji e Detarisë Shqiptare”. Gjithashtu Kapiten Perikliu ishte dhe një familjar i rregullt dhe shembullor. Shtëpia e tij, ku jetonin dhe prindërit Xha Foto dhe nënë Katerina, bashkëshortja Vjollca, ishin një vatër mikpritëse për miqtë dhe kolegët e tij detarë, kudo që ka shërbyer Perikliu. Po ashtu dhe tre djemtë e Kapitenit, Doriani, Pano dhe Ervini, janë përfaqësues të denjë të kësaj familje, pasi po ecin në gjurmët e prindërve e gjyshërve të tyre, duke kontribuar në fusha të ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe në emigracion. Me këtë rast i shprehim ngushëllimet tona familjes Xhixho, e cila është krenare për prindërin e tyre, Kapitenin e paharruar Perikli Xhixho. Nderim dhe respekt për Kapiten Perikliun, këtë bir të detit dhe Lunxherisë!

Filed Under: ESSE

A ishte Enver Hoxha islamist i mshehur?

July 27, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharar/
Pas rënies së komunizmit, u krijua një vakuum shpirtëror në shtetet ish-komuniste e një ndër to edhe Shqipëria, të cilat reaguan menjëherë për të mbushur boshllëkun me të ashtuquajturën ëndrrën e mirëqenies perëndimore por dhe me ri-gjallërimin fetar, i cili i dha një impuls komuniteteve fetare deri atëherë “të fjetura” dhe të errësuara nga e ashtuquajtura “fe e rreme” e ardhur nga lindja-komunizmi, i cili kishte bllokuar dhe pothuajse ndaluar fetë tradicionale duke ua zënë vendin atyre, për gati më shumë se gjysmë shekulli. Por nga ky ”vlim” , kishte edhe parapërgatitje të mëherëshme të cilat në shikim të parë dukeshin “spontane” ( vetvetiu)
“Rinia e Durrësit kishte shkuar në Shënavlash dhe e kishte kapur prej mjekre dhe nxjerrë jashtë nga kisha priftin. I pati thënë se selinë e tij do ta bënin shtëpi rinie. Kjo u botua të nesërmen në gazetë. Pasi e kishte lexuar këtë shkrim Meron e kishte telefonuar Mehmet Shehu: “Mirë ka vepruar rinia e Durrësit! Po këtë xhaminë në qendër të Tiranës do ta lini këtu?” “Nuk e kemi menduar akoma, shoku kryeministër”. “Mendojeni, mendojeni, po ajo dhjetë vetë dhe nja dy kazma do”. “Do ta shikojmë, shoku Mehmet”. Pas kësaj Mero mori në telefon Ramiz Alinë dhe ky i tha shkurt: “Prit një herë ta bisedojmë me shokun Enver”. Shkoi tek Hoxha. Ky iu përgjigj prerë: “Në asnjë mënyrë!” Pastaj kish riporositur: Kujdes në Shkodër dhe në Dropull! (Ylli Polovina)….
Pas lufte Diktatura (e Proletariatit) ua zbehu feve ndikimin, atë për keq, por edhe atë për mirë. Duke qenë se kishte për doktrinë ateizmin, ajo e negativizoi gjithçka të saj, edhe frymën paqësore dhe bashkëjetuese. Deri sa më në fund, më 6 shkurt 1967 shpërtheu më të padëgjuarën ngjarje në të gjithë historinë e globit: mbylljen e kishave dhe të xhamive, si dhe shpalljen e Shqipërisë si vendi i parë kundërfetar.
Por ….. Kjo shpikje e Tiranës zyrtare që po i jepte “nam” botëror Enver Hoxhës, a ishte e marrë dhe njëkohësisht tepër e ndërlikuar apo vinta nga dikush . “Kjo që po bëhet në vendin tonë, nuk është bërë në botë. Ne mund të jemi, p.sh., një shekull para botës” do ta deklaronte në një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh edhe vetë Hoxha .Ku e kishte qëllimin Enver Hoxha ?
Pak histori.” Kultura perëndimore i referohet kryesisht civilizimit evropian, civilizim i cili lindi që 9000 vjet përpara duke pasur Paganizmin si fe shpirtërore si kultura iliro-pellazgo-greke, dhe paganizmin e Evropës Veriore (Celtic, Germanic, Romanic, Iberians, Slavic).Kultura perëndimore mori formë gradualisht pas vendosjes së fesë monoteiste kristiane që me perandorinë romake, u nda pastaj në atë të Lindjes e të Perëndimit.” ( P. Prifti)
Shoqëria perëndimore mori formë nëpërmjet standardeve të artit, muzikës, kulturës, botëkuptimit dhe traditave të lejuara dhe të pranuara nga morali kristian i cili dominonte e dominon edhe sot e kësaj dite.
Dihet që shqiptarët myslimanë kanë qenë dhe janë “shitës të besimit fetar” për interesa dhe për grada, por dhe kristianët, sidomos ata që i u bashkuan komunizmit, kanë qenë dhe janë të njëjtë si vëllezërit e tyre. Por tek Enveri a mëshihej smpatia e tij për islamizëm apo ia kishte diktuar dikush?
Përplasja e civilizimeve në Shqipëri në fakt ka veçorinë e përplasjes së mentaliteteve dhe traditave të ndikuara nga feja. Pse këto përplasje ?
“ Ndarja e Shqipërisë pas 1913-ës ishte një favor shumë i madh për Serbinë ,por edhe ajo ndarje dhe ai copëtim i tokave tona e donte një “marifet” të menaxhimit në mënyrë që me sukses të kryhej kolonizimi i atyre tokave dhe përfundimisht të zhdukej shqiptari nga faqja e dheut. “Rrezikun më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj. Ky do të jetë një demon i cili nuk do të na lë të qetë dhe i cili në vazhdimësi do të jetë barrë edhe për shtetin edhe për popullin. Katolicizmi në këto anë është zgjëruar dhe, ç‘është më e keqja, është përhapur dhe ka lëshuar rrënjë. Të rralla janë vendbanimet në krahinat e reja ku katolicizmi nuk e ka kapur ndonjë shpirt serb (!) dhe nuk ka fituar ithtarë. “Priftëria katolike shqiptare dhe besimtarët e tyre janë fajtorë, sipas popit Bojoviq, për të gjitha mossukseset serbe” (“Vesnik Srpske Crkve”).

Çka synonte dhe ende synon Serbia ?

– mbushjen e mendjes së besimtarëve sdhqiptar që janë ‘komb’ mysliman dhe jo etni përkatëse, me të gjitha pasojat regresive në shoqëri.
-marrjen e të rinjve nga tokat shqiptare duke Iarsimuar nga ana fetare, por dhe duke hedhur farën e urrejtjes së çdo gjëje perëndimore, me qëllim krijimin e luftëtarëve të ardhshëm.
-Futja në mendjen shqiptare justifikimin e çdo dhune me thëniet se ‘Zoti I fal ata që vrasin qafirët’ etj
-Krijimin e problemeve nga shqiptarët në vendet ku migrojnë , që në emër të lirive e të drejtave të njeriut të kundërshtojnë ligjet laike të shteteve përkatëse- dhe propagimin e islamit duke i harruar vlerat shqiptare
Shihemi herën tjetër me pjesën e dytë të këtij shkrimi .
*(Pjesa e parë)
Fahri Xharra, 26.07.15 Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: A ISHTE ENVER HOXHA, Fahri Xharra, islamist i mëshehur?

Kosovë –Gjykata Speciale, ende as riprocdedim nga qeveria e as në axhendën e Kuvendit

July 27, 2015 by dgreca

-Shtypi kosovar: Përpjekja 2 për Specialen këtë javë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Korrik 2015/-Nuk do të shkohet në pushim para riprocedimit të amendamentit kushtetues dhe vendimit për Gjykatën Speciale, është përkushtimi nga institucionet e Kosovës i ritheksuar edhe në fundjavën e kaluar, ndërsa ditën e parë të javës vijuese, sot, u mblodhën Kryesia e Kuvendit e kryetarët e grupeve parlamentare me axhendë përgatitjet për seancën plenare, e cila u vendos të mbahet të enjten e 30 korrikut.
“Kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë në pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale, përkatësisht para se ta riprocedojmë”, është shprehur kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, në konferencën për shtyp të premtën.
Qeveria e Kosovës pritet ta riprocedojë amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale, pasi të sigurohen të pakëtën 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre 10 serbë. Në seancën e Kuvendit në 26 qershor për miratim të amendamentit mungonin 5 vota, derisa 75 deputetë ishin pro, 7 kundër, 2 abstenuan e opozita nuk mori pjesë në votim.
Votat kundër dhe abstenim ishin nga deputetët e koalicionit qeverisës, PDK-së, që ishin në seancë, ndërsa 4 mungonin kur u votua. Por, në zhvillimet pasuese, sipas burimeve mediale të raportuara javën e kaluar, “vetëm katër nga 13 deputetët e PDK-së, që nuk i dhanë mbështetje amendamentit kushtetues që do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, nuk kanë ndryshuar qëndrim”, prandaj, “mbështetje Speciales pritet t’i japin 85 deputetë të koalicionit qeverisës”.
“Përpjekja 2 për Specialen këtë javë”, është një kryetitull në shtypin e sotëm kosovar, sipas të cilit “burimet kanë thënë se partitë e koalicionit janë ‘bindur’ se do t’i bëjnë 80 votat e nevojshme për ta kaluar Specialen”.
“Në qeveri nuk është në diskutim plotësimi apo ndryshimi i amendamentit ekzistues, të cilin Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar të jetë në përputhje me Kushtetutën”, thekoson shtypi.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë u paralajmërua riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën që nuk votoi në Kuvend ndryshimet kushtetuese, por në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare , me gjithësej 31 deputetë, në një deklaratë të përbashkët janë shprehur se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
“Opozita organizohet kundër Speciales”, shkruante dje shtypi në Prishtinë, sipas të cilit, “nëse kjo çështje procedohet sërish në Kuvend nga ana e qeverisë, opozita do ta kundërshtojë atë me metoda parlamentare e përtej parlamentare me qëllim që ta mbrojë demokracinë në vend”.
Se kur do jetë Gjykata Speciale në axhendën e seancës plenare, Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të vendosë në një mbledhje tjetër e jo sot, kur në rend dite ishin çështje të tjera.
Të enjten, në 30 korrik, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën e radhës.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit.
Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë kërkesën për interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.
Kryesuesi i mbledhjes, Haliti, citoi shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Fitim Krasniqi, sipas të cilës, duke parafrazuar përgjigjen e ministrit, vlerësohet se pikat e adresuara në kërkesën e parashtruar për Interpelancë, veçanërisht tek pjesa e rekomandimeve, nuk kanë të bëjnë me fushën e përgjegjësive të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sepse ato lidhen me fushat e përgjegjësive të institucioneve tjera.
Më pas, në seancë do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore dhe pritet të zgjedhen pesë anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, GJYKATA SPECIALE, Kosove, në axhendën e Kuvendit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 100
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT