PRISHTINË, 20 Korrik 2015/-Ministria për Integrim Evropian e qeverisë së Kosovës deklaroi sot se, së bashku me institucionet e tjera do të vazhdojë angazhimin për përmbylljen e dialogut për liberalizim të vizave brenda vitit 2015.
Përfaqësues të grupeve punuese teknike për procesin e liberalizimit të vizave nga të gjitha institucionet përkatëse, kanë diskutuar sot për punën e misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, ekspertët e të cilit qëndruan në Kosovë nga 13-17 korrik, duke konstatuar se organizimi i misioni ishte i suksesshëm.
Me gjithë përmbushjen e përgjithshme të kritereve, u konstatua që përkushtimi i institucioneve duhet të vazhdojë në nivelin e njëjtë. Përderisa një numër i vogël i kritereve kërkon ende punë për tu përmbyllur përfundimisht, një numër i tyre u tha se kërkon zbatim të vazhdueshëm.
Me këtë rast, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit institucionalë për kontributin e dhënë dhe i ka përgëzuar për bashkëpunimin që patën me ekspertët e misionit faktmbledhës. Ilazi ka përsëritur se rëndësia e këtij misionit vlerësues është qenësore sepse raporti që do të hartohet nga ekspertët do të hap rrugë për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
Ndërsa, Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit për Integrim Evropian dhe njëherësh koordinator teknik i procesit të liberalizimit , ka bërë të ditur se ekspertët kanë zhvilluar mbi 50 takime dhe vizita në terren me përfshirje të mbi 100 përfaqësuesve institucionalë, me ç’rast janë prezantuar të arriturat në adresimin e kritereve teknike të cilat janë vlerësuar nga ekspertët. /B.Jashari/
Archives for July 2015
Kosova, si qenka shqiptarizuar ajo?
Nga Fahri Xharra/
“Në bazë të një raporti të Kombeve të Bashkuara, sot Kosova renditet në vendin e katërt në botë për sa i përket luftëtarëve që janë rreshtuar me grupin ekstremist të quajtur IS apo “Shteti Islamik”, në raport me popullsinë, me rreth 232 luftëtarë. 20 familje kosovare me gra e fëmijë në ISIS , ne Siri dhe Irak.
Janë këto vetëm disa raste nga dhjetëra të tjera, që i janë bashkuar ISIS-it. Faji për këtë situatë në shumtën e rasteve i hidhet Qeverisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Qeverisë për mosmarrjen e masave, për rritjen e varfërisë, dhe BIK-ut që lejoi imamë të ndryshëm që të predikojnë gjuhë të urrejtjes dhe që bënë thirrje për t’iu bashkuar luftës në Siri, thënë ndryshe “xhihadit”./Zeri/ Lajme , lajme ,lajme troditëse për një popull të lashtë europian !
A mos po përsëriten vitet e Rankoviqit ndaj shqiptarëve? vitet e dëbimeve të mëdha por një mënyrë tjetër . më të butë por për çudi me përkarahjen gjithëpopullore (“ xhemati i 98 % -ishit të kobit ( kombit) islamik kosovar “ )
A ishte Hasan Kaleshi i përzgjedhuri i qeverisë Jugosllave të kohës ,që me autoritetin e tij prej “ historiani shkencor “ të mbushë mendjen e një populli të tërë që jemi turq ?
Po sot kush po përsëritë të njejtat fjalë të Hasan Kaleshit ?: “Në fjalimin e tij propagandistik Irfan Salihu bën këto deklarata skandaloze :
– Osmanët u kanë dhënë shqiptarëve me hektarë tokë dhe i kanë sjellë të jetojnë në Kosovë.
– Osmanët i bënë shqiptarët sundimtarë të Ballkanit.
– Gjatë kohës së Rankoviqit shqiptarët “vetë kanë shku” në Turqi.
– Statistikat e vitit 1455 tregojnë se këtu, në Kosovë, vetëm 1 për qind e banorëve kanë qenë shqiptarë
.( Përpara ardhjes së Turqisë Kosova ka patur rreth 4-5 % shqiptarë (Hasan Kaleshi )
– Më 1389, kur erdhi osmanliu, ai këtu luftoi kundër hungarezëve dhe Car Llazarit. Osmanliu ia mori serbit Kosovën dhe ua la në dorë shqiptarëve.
Hasan Kaleshi pohon se “nga gjysma e shek. II (p.e.r.s.) deri në ardhjen e turqve, tokat e banuara me shqiptarë qenë pushtuar nga romakët, bizantinët, venedikasit, bullgarët dhe serbët. Deri në vendosjen e serbëve këtu kah fundi i shek. VI, gjuhë zyrtare në një pjesë ishte gjuha latine, ndërsa në pjesën tjetër gjuha greke. Nga kjo periudhë nuk posedojmë asnjë dëshmi rreth shtetbërjes, kulturës, shkrimit, organizimit kishtar dhe krijimtarisë së shqiptarëve”. Në kuadër të këtyre argumenteve, Kaleshi thotë se edhe vet Skenderbeu i cili njihet si heroi kombëtar i shqiptarëve, nuk ka shkruar asnjë fjalë në gjuhën shqipe, por të gjitha shkresat e tij shkruheshin në gjuhët greke, latine dhe sllave.
(Më 1951 Hasan Kaleshi, diplomoi në Degën e Orientalistikës në Universitetin e Beogradit, kurse më 1960 përfundoi disertacionin e doktoraturës me titull “Najstariji vakufski dokumenti iz Makedonije na arapskom jeziku” (Dokumentet më të vjetra të vakëfeve të Maqedonisë në gjuhën arabe) në Fakultetin Filozofik në Beograd. )) Deri sa kaleshat përgaditeshin të thonë atë që deri atëherë e thoshin vet serbë në viset shqiptare zhvillohej një fortunë e madhe dëbimesh :” Sipas viteve, në Turqi nga terrori shtetëror serb shqiptarët janë shpërngulë: Më 1952 u shpërngulen 37000 shqiptarë; më 1953 , 19300 shqiptarë; më 1954 , 17500 shqiptarë; më 1955 , 51000 shqiptarë; më 1956 , 54000 shqiptarë; më 1957
, 57710 shqiptarë; më 1958 , 41800 shqiptarë; më 1959 , 32000 shqiptarë; më 1960 , 27980 shqiptarë; më 1961 ,31600 shqiptarë; më 1962 , 15910 shqiptarë; më 1963 ,25720 shqiptarë; më 1964 , 21530 shqiptarë; më 1965 , 19821 shqiptarë. (Shpërngulja e shqiptarëve në Anadoll 1951-1966, Prof. Dr. Hakif Bajrami )
Kurse Kaleshi e vazhdonte :në një vend tjetër të këtij punimi shkencor, pohon se sipas këtyre informacioneve që dihen shumë mirë, nga shek. I (p.e.s.) e deri në shek. e VIII, Shqipëria ka qenë nën sundimin e të huajve. Në këtë vend shohim përleshjen e gjuhëve dhe kulturave të grekëve, romakëve dhe sllavëve, si dhe gjatë kësaj periudhe nuk ekziston madje as një gjurmë që e karakterizon kulturën, gjuhën dhe traditën shqiptare.”
Kur sot në kohën e të mbërrimeve të mëdha elektronike ,kur çdo informatë na është në shuplakë të dorës , mashtrohemi aq leht sa që nuk njofim as diell e as hënë dhe bijmë në kurthën e disa të çpifurve hoxhallarë shqiptar ( special të përgatitur nga shërbimet ruso-turko-serbe ) , aspak nuk më duket e çuditshme koha e hasankaleshave kur ishim 98% analfabet :” Kaleshi në këtë punim në disa vende potencon faktin se deri në ardhjen e turqëve në Ballkan, shqiptarët nuk shquheshin si popull me ndonjë qytetrim apo kulturë origjinale shqiptare, ngase nga ilirët nuk kemi të trashëguar asnjë dorëshkrim a mbishkrim, poezi apo rrëfenj në gjuhën shqipe. Ai pohon se vetëm pas pushtimit turk, saktësisht “në shek. XVIII, qytetet bregdetare Ulqini, Shkodra, Vlora e Durrësi shndërrohen në qendra të kulturës orientale. Në këto vise lind një letërsi shqipe e shkruar me alfabet arab , gjithashtu në shumë raste shqiptarët veprat e tyre i shkruanin në gjuhët orientale”. Pra siç shihet, shqiptarët në kohën e P. Osmane fillojnë të krijojnë kulturë masive në gjuhën shqipe, ku vet Kaleshi në shkrime të ndryshme paska identifikuar rreth njëqind poet shqiptarë që kanë krijuar letërsi shqipe me alfabet arab dhe letërsi në gjuhët turke, arabe dhe perse. “ E shifni ? brengosëse për atë kohë.
(Sipas Seksionit të Pasaportave nga Jugosllavia për t’u shpërngulë në Anadoll nga viti 1951 e deri më 1966 janë shpërngulë 414500 shqiptarë, turq dhe boshnjakë. Sipas të njëjtit burim (MPJ, në Turqi deri më 1967 mbi një gjysmë milioni “jugosllavë” janë shpërngulë nga Jugosllavia. Lidhur me këtë duhet të shikohet gazeta “Nova Makedonia” 1950-1957, ku janë evidentuar të shpërngulurit që merrnin “shtetësinë maqedonasit” dhe detyroheshin nga Shtabi i Rankoviqit dhe K. Cervenkovskit të emigrojnë me detyrim. Lidhur me këtë, dokumentet vërtetojnë se në trojet e atyre që ishin shpërngulë, titistët i kolonizuan 65000 sllavë. Në bazë të statistikave që janë mbajtur saktësisht janë kolonizuar në pronat shqiptare si “zotërinj” të rinj 53220 kolonë sllave. (AJ. Fondi : KE 1954-1974). Prof. Dr. Hakif Bajrami )
“Në kohën që po finalizohej pushtimi turk i Ballkanit, populli shqiptar ndodhej para sprovës më të rëndë historike, pra rrezikonte të asimilohej i tëri.” shkruan Kaleshi. /Ora.mk”
(Se nuk është vetëm varfëria që po i nxit rininë të shkojnë në ISIS, e dëshmon edhe historia rrëqethëse e Faik Uksmajlit, nga fshati Neredime e Epërme (Ferizaj), dy djemtë e të cilit në vitin 2014 i janë bashkuar ISIS-it, njëri prej të cilëve ka marrë me vete edhe gruan me dy fëmijë, 1 dhe 3 vjeç.
Shteti që e injoroi skajshmërisht e nuk i ndihmoi edhe atëherë kur ai i paralajmëroi që djemtë e tij janë radikalizuar, Uksmajli shet pasurinë i bën rreth 20 mijë euro dhe niset vetë drejt Sirisë për t’i gjetur djemtë dhe për t’i kthyer në Kosovë. (Zëri.inf) )
“ Hasan Kaleshi :Shqiptarët do zhdukeshin po mos vinin osmanlijtë Në punimin e tij shkencor me temë “Ardhja e turqve në Ballkan dhe përhapja e Islamit, shkaqe themelore të vazhdimësisë etnike të shqiptarëve”, profesor Hasan Kaleshi ka thënë se pushtimi i Ballkanit nga osmanlijtë ka ndalur zgjerimin e popuvje sllav dhe atij grek. “ haj medet për ne dhe për shpetimtarët e kombit ! “Në anën tjetar osmallaku eka mbrojtur popullin shqiptar nga zhdukja dhe humbja e traditave të veta.”
Vërejtej publike : “Filozofia e historisë për t’u marrë me diplomaci në kohë paqe dhe lufte kërkon rreshtim rigoroz për të pas sukses ushtruesi i diplomacisë të punojë-nuhatë: çfarë është e nevojshme, çka është e domosdoshme dhe çka është e pashmangshme. Konceptet e dëmshme dhe e dobishme janë më tepër kategori ekonomike dhe shoqërore (sociale) që e ndihmojnë politikën dhe diplomacinë në kohë paqe dhe lufte. “Arsimimi, përvoja dhe forca janë kërkesa evolutive, që duhet të lidhen me konceptet e nevojshme e domosdoshme dhe e pashmangshme.(” Fenomeni i kthesave historike në Kosovën e robëruar 1945-1999” Hakif Bajrami ) E pashmangshme është vetëm lindja, jeta dhe vdekja. Prandaj, ngjarjet dhe datat historike, nga aspekti i filozofisë së historisë në shikim duken të pashmangshme dhe pa këtë jeta ka kuptim kur jetohet shkolla, përvoja dhe forca kur arrihet, në dobi të njeriut dhe për njeriun, për mirëqenien e tij jetësore.
Ne fund rastësi apo diçka tjetër çdo të thot kallesh (kalleş =colloq. treacherous, backstabbing. Tregon se do të thotë “tradhtar” dhe që “ta ngul thikën pas shpine”, pra “treacherous” dhe “backstabbing” Njeri i pabesë domethënë (http://www.turkishdictionary.net/?word=kalle%FE)
Korrik 2015,
Gjakovë
Baronesha Joyce Anelay viziton Kosovën
PRISHTINË, 20 Korrik 2015/-Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuesja Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baronesha Joyce Anelay viziton Kosovën prej 20 deri 22 korrik.
“Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, Baronesha do të takohet me zyrtarë të lartë qeveritarë duke përfshirë Presidenten Atifete Jahjaga, Kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar përpjekjet që po i bën Kosova në adresimin e çështjeve të dhunës seksuale në konflikt, marrëdhëniet bilaterale si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë”, ka bërë të ditur Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë në njoftimin e dërguar.
Në 8 korrik 2015 Presidenca kosovare njoftonte se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme dhe përfaqësuesen speciale të Kryeministrit britanik për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baroneshën Joyce Anelay me të cilën diskutuan për iniciativat institucionale dhe shoqërore në Kosovë për t’i rehabilituar dhe reintegruar të mbijetuarit e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera në vend dhe rajon.
Në takim gjithashtu u diskutua për zhvillimet rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga shprehi zhgënjimin e saj me mosvotimin e amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale dhe theksoi se pret nga institucionet e vendit të gjejnë mënyrën dhe kurajon që të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar në përputhje me vendimin e Kuvendit dhe të marrëveshjes ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga e siguroi Ministren britanike se Kosova është shtet që beson në drejtësi dhe që do të veprojë mbi këtë parim.
Ministrja Anelay falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen viktimave të dhunës seksuale dhe për përkushtimin e saj ndaj drejtësisë. /B.Jashari/
Diplomacia shqiptare, profesionalizëm apo diletantizëm ?
MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Paraprakisht është e rëndësishme të shprehim vlerësimin dhe respektin maksimal për diplomatët shqiptarë të vlerës dhe virtytit, që me anë të profesionalizmit diplomatik kanë realizuar me sukses përfaqësimin e shtetit dhe zbatimin e politikës së jashtme, duke e ngritur lartë emrin e Shqipërisë.
Diplomacia përbën “trurin” e shtetit dhe të kombit, sepse nga vetë përkufizimi i diplomacisë si arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, kuptohet qartë roli jetik i saj. Nëse e shohim më konkretisht, diplomacia është instrumenti themelor në zbatimin dhe përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme, kjo realizohet nga diplomati i cili përfaqëson shtetin dërgues dhe zbaton politikën e jashtme në shtetin e akredituar.
Në vitin 1866, studiuesi Charles de Mortens shprehet mbi përkufizimin e diplomacisë, duke thënë: “Diplomacia është shkenca ose arti i negocimit”. Kjo nënkupton qartë se diplomati lypset të ketë cilësi dhe tipare shumëdimensionale dhe pjekuri të thellë në negocim, trakate dhe marrëveshje ndërkombëtare.
Që nga fillimet e saj dhe deri në vitin 1944, saktësisht nga mbarimi i Luftës së II-të Botërore kriteret mbi karrierën diplomatike dhe përbërja në Shqipëri ishin diplomaci aristokratike dhe pasurie. Ndërsa përgjatë viteve 1944 – 1990, nën regjimin komunist shqiptarë diplomacia u ideologjizua krejtësisht. Vetëm ardhja e viteve 1990, solli ndryshime radikale për kriteret, përbërjen e shërbimit diplomatik dhe karrierën diplomatike duke e demokratizuar sistemin Shqiptarë tërësisht, ku vihej theksi tek një diplomaci demokratike në bazë të meritës, vlerës dhe konkurrencës së drejtë.
Por është fatëkeqësi që nga vitet 1990 deri në vitin 2015, në diplomacinë shqiptare ka mbizotëruar diplomacia “familjare” dhe diletantiste. Në diplomacinë shqiptare pavarësisht arritjeve dhe përparimeve të dukshme, duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare më të mira, kanë gjetur terren dukuritë negative, në rekrutimin e personelit diplomatik nga diplomati me gradën më të ulët deri tek grada më e lartë Ambasadori. Ardhja e demokracisë pas viteve 1990, duhet të kishte sjellë bashkë me lirinë dhe konceptin e profesionalizmit në ushtrimin e çdo detyre ose profesioni. Kjo do të kishte shmangur të gjitha dukuritë negative që vërejme sot në shërbimin diplomatik dhe konsullorë shqiptarë.
Bazuar mbi aftësitë që duhet të posedojë një diplomat i vërtetë, akademiku dhe diplomati francez Francis de Callieres në vitin 1716, saktëson se: “Një diplomat duhet të zotërojë aftësi shpejtësie, shkathtësie, dinakërie, njohurie të shumëanëshme dhe mbi të gjitha mprehtësie. Dhe nuk është çudi që personat që angazhohen në këto detyra për hir të titullit dhe pagesës e pa asnjë ide mbi detyrat që përfshihen, shërbejnë si stazhier duke dëmtuar shumë rëndë punët të cilat i janë besuar atyre”.
Për rreth 25 vite me rrallë diplomacia shqiptare është mbuluar nga nepotizmi, politizimi, korrupsioni, klientelizmi dhe diletantizmi diplomatik, madje i shfrenuar. Në mënyrë që të kemi diplomaci, politikë të jashtme të sukseshme dhe produktive në interes të shtetit dhe kombit, kërkohet që të mbahen larg diplomatët amatorë.
Shqipëria, Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme duhet ti kthejë sytë nga praktikat më të përparuara të diplomacisë ndërkombëtare, që në këtë mënyrë edhe reformat e reja të qeverisë ose ligji për Shërbimin e Jashtëm të jetë në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të demokratizohet sistemi diplomatik nga baza e priamidës deri në majë.
Sot në vitin 2015, me Shqipërinë një hap larg hapjes së negociatave për antarësimin në Bashkimin Europian dhe më tej antarësimin e plotë, ndjehen shumë pasojat e gabimeve të së shkuarës me diplomatët e karrierës. Që nga vitet 1990, janë kryer emërime politike, futje në sistemin e karrierës diplomatike të diplomatëve amatorë e diletantë, largimi nga puna i diplomatëve profesionist këto veprime kanë goditur bërthamën e diplomacisë shqiptare.
Vitet e fundit janë bërë shumë gabime ku me anë të çdo rotacioni politik, janë kryer edhe rotacione diplomatike. Njëherë e përgjithmonë duhet të marrë fund hyrja dhe dalja në diplomaci me emërime politike dhe nepotizëm që janë elementet bazë të diletantizmit diplomatik, momenteve në të cilat proçedurat, rregullat dhe ligjet diplomatike nuk respektohen duhet ti vijë fundi. Largimet nga puna, emërimet e nxituara politike, vakancat e titullarëve, tejkalimi i mandatit të diplomatit kanë rritur dhe do të vazhdojnë të rrisin imazhin negativë të shtetit shqiptarë në ralizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në proçesin e reformimit të diplomacisë shqiptare që ka filluar që nga viti 2014, shteti shqiptarë duhet të bazohet tek meritokracia, konkurrenca e drejtë dhe vlerat europiane. Sytë duhet të drejtohen edhe tek brezi i ri i profesionistëve të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, energjia, pasioni, forca, freskia, potenciali, vlerat, vizionet, arsimimi, kultura, dijet intelektuale dhe njerëzore që posedojnë janë të domosdoshme për suksesin e diplomacisë shqiptare.
Është e qartë se për 25 vite, Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë nuk është respektuar në nivelin e duhur. Për pasojë MPJ, diplomatët e çdo rangu, politika e jashtme e Shqipërisë, diplomacia shqiptare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit tonë, nuk kanë qënë në lartësinë e kërkuar, ka pasur mungesë të profesionistëve të diplomacisë, mungesë etike dhe protokolli dhe emerime pa plotësuar kriteret e shërbimit të jashtëm.
Si duhet vepruar për të pasur profesionalizëm diplomatik ? Si specialist dhe studiues i fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, zgjidhja është tek respektimi i elementëve të mëposhtëm:
1.) Pranimi i diplomatëve duhet të bëhet në respekt të plotë të “Ligjit për Shërbimin e Jashtëm”.
2.) Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Integrimit Europian, duhet të ngrihen struktura të reja, inovative me ekspertë dhe profesionistë të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilët prioritet kryesorë të kenë shpejtimin e proçesit të antarësimit në BE.
3.) Emërimet në diplomaci duhet të jenë në bazë të sistemit diplomatik të karrierës, përfshirë këtu edhe konkurset.
4.) Kërkohet një ndarje e qartë ndërmjet diplomatëve të karrierës dhe diplomatëve politikë.
5.) Duhet respektuar ligji i shërbimit diplomatik për promovimin e diplomatëve, respektimin gradave, hirarkisë dhe titujve diplomatikë.
6.) Ekspertët dhe profesionistët e diplomacisë duhet të rekrutohen sipas konkurrencës së lirë dhe të drejtë.
7.) Akademia Diplomatike Shqiptare, duhet të jetë më aktive në formimin dhe edukimin profesional të diplomatëve të rinj.
Shqipëria pavarësisht ulje-ngritjeve të së shkuarës dhe të së tashmes të ardhmen e diplomacisë profesioniste e ka shumë të sigurtë, por duhet të kuptojmë qartë që diplomat nuk mund të bëhet kushdo. Nëse çdo individi i jepet ajo që i takon e asgjë më tepër, ku mbizotëron drejtësia, ligji, rregulli, konkurrenca dhe gjthë ato parime dhe vlera universal që ruajnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare në epokën e globalizmit, profesionalizmi diplomatik do të jetë realitet i përditshëm. Si mbyllje simbolike më duhet të perifrazojë shtetarin dhe diplomatin japonez Komura Jutaro, i cili konstaton: “Diplomati duhet të përdorë veshët e tij, dhe jo gojën e tij”.
Prizreni edhe kryeqytet filmi: DokuFest nga 8 deri 16 gusht
-Festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër në qytetin e Prizrenit, DokuFest XIV shpall programin e plotë, do të prezantojë 228 filma nga 43 vende/
Nga Behlul Jashari/ PRIZREN, 20 Korrik 2015/.DokuFest, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër në qytetin e Prizrenit në Kosovë, ka shpallur sot programin e plotë të filmave që do të shfaqen në festivalin e vitit 2015, i cili do të mbahet nga 8 deri 16 gusht në Prizren, Kosovë. Të zgjedhur nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantojë 228 filma nga 43 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale.
Tema e festivalit këtë vit është migrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal si dhe pasojat, të cilat do të theksohen dhe hulumtohen në një numër të aktiviteteve, përfshirë panele dhe debate me filmëbërës dhe me ekspertë të ftuar ndërkombëtarë dhe vendorë.
“Një program i filmave, të cilët fokusohen në çështjen e migrimit është krijuar, ndërsa regjisori fitues i Bafta dhe i paimitueshmi Daniel Mulloy edhe këtë vit ka krijuar një kampanjë vizuale të mrekullueshme për temën e festivalit”, u bë e ditur në Prizren.
“Filmat nga programi garues janë në thelb të festivalit dhe përzgjedhja e këtij viti sjell disa nga titujt më të mirë të filmave dokumentarë si dhe atyre të shkurtër dhe eksperimental, në qytetin sharmant të Prizrenit dhe në kinematë e tij të hapura tanimë të njohura, me ç’rast me krenari e shpallim kinemanë e re këtë vit, the Dream Cinema (Kino Andrra)”, u shprehën sot organizatorët.
Ata theksojnë se, DokuFest gjithashtu është shumë krenar që të prezantojë një numër rekord të filmave shqip nga filmëbërës që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë.
“Dymbëdhjetë dokumentarë të shkurtër të prodhuar nga punëtoritë e DokuFest do të shfaqen në fesival poashtu. Por ajo që na bën krenarë nuk është edhe aq numri sa në të vërtetë është cilësia e tyre”, thonë organizatorët.
Festivali do t’i bëjë homazh njërit ndër filmëbërësve më të mëdhenjë botëror, Albert Maysles, me shfaqjen e gjashtë filmave të tij, përfshirë filmat legjendarë Gimme Shelter dhe Grey Gardens e poashtu edhe dy filmat e tij të fundit Iris dhe In Transit. Albert Maysles, i cili vdiq në fillim të këtij viti, në moshën 88 vjeçare, së bashku me vëllaun e tij David, ri-definuan filmëbërjen e dokumentarëve dhe ndikuan tek një brez i regjisorëve me aftësinë e tyre për të kapur realitetin ashtu siç ndodh.
View From The World, programi jo-garues i festivalit prap do të sjell disa nga filmat më të mirë të këtij viti, përfshirë Citizenfour, fitues i çmimit Oskar për filmin më të mirë dokumentar, The Wolfpack, senzacionin e Sundance dhe fituesin e çmimit të jurisë atje si dhe The Pearl Button, fitues i çmimit për skenarin më të mirë në këtë edicion të Berlinale.
Program i pasur i këtij viti poashtu përfshin programin e kuruar nga kritiku i filmit Neil Young e që është një studim i skenës së pavarur të filmit amerikan në programin e titulluar Uncharted States of America (Shtetet e Bashkuara të paeksploruara) dhe programin e Pamela Cohn që tanimë është një eksplorim i vazhdueshëm i muzikës në filmin dokumetar, në programin e titulluar Sound of my Soul (Tingujt e shpirtit tim).
“DokuFest po kthehet prap me një program eklektik të filmave që sigurtë do të mahnisin, emocionojnë, zgjojnë pyetje dhe befasojnë”, tha Veton Nurkollari, drejtori artistik i DokuFest. “Ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërës të ri dhe mjeshtërat e kinemasë, publikut tonë në rritje”, u shpreh ai.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 30
- 31
- 32
- 33
- 34
- …
- 100
- Next Page »