Nga Fahri XHARRA/
Sa më i fortë serbi, shqiptarët më të mashtuar !
Flitet se turku na mbrojti nga asimilimi, se na solli një fe tjetër të ndryshme nga sllavët dhe grekët. Tani del pyetja: pse nuk u asimiluan rumunët ne mes të sllavëve, pavarësisht se ishin ortodoksë si ata(!) Pse nuk u asimiluan hungarezët nga gjermaniket, megjithëse 400 vjet të pushtuar prej tyre dhe të të njejtës fe me ta! Pse nuk u asimiluan baskët, që nuk e patën asnjëherë një shtet te vetin dhe ishin katolikë si spanjollët. (Nikolle Loka )
Po a ka ndihmuar vertetë pushtimi turk për ta ruajtur etninë shqiptare(!) Dikur ishim shumë, ndersa nen pushtimin turk u pakësuam nga vrasjet, sëmundjet, largimet pa kthim, etj. Nga ana tjetër, a ti llogarisim shqiptarët qe na rrembeu Turqia që vetë turqit thonë se janë 7 milione. Po 7 milion jemi te gjithe ne shqiptaret ne trojet tona etnike. Ata shqiptarë janë në porcesin e asimilimit të plotë se nuk kanë asnjë të drejtë kombëtare si etni me vete. Pse u asimiluan shqiptarët ne boshnjakë në Sanxhak dhe Mal të Zi! Pse u asimiluan shqiptarët në turq në Prizren , jilan , Vushtrri dhe në pjesën shqiptare te Maqedonisë. A është njëlloj si asimilimi në serbë dhe asimilimi në turq dhe boshnjakë, apo jo(!!!)
Kur Serbia është e fortë ajo e ndërsen islamizmin ndër shqiptarë sepse kjo mënyrë i mbeti metoda më besnike për shkombëtarizimin tonë , Jemi dëshmitarë të së kaluarës; të gjitha gati i dime . Serbia e fortë del Garashanini me planin e tij për dëbimin tonë; Serbia e fortë na del Çubriloviqi me plin e tij famëkeq për asgjësimin tonë san ë elaboratin e tij ndër tjerash shkruan “ Të bëhen ligje që t’i ndalojnë shqiptarët t’i leshojnë qentë në oborrin e shtëpisë.” Dhe më tej këtë e dini : “Në fillim, Turqia pranon të marë 200.000 shqiptarë të shpërngulur. Pastaj, pasi kjo të dalë me sukses, ne i dërgojmë të tjerë. Për mënyrën e shpërnguljes, që të ketë shpërngulje në masë, si kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme: Në radhë të parë është e nevojshme që për shpërnguljen e shqiptarëve e të bejmë për vete klerin e tyre dhe njerezit me influencë, me para ose me detyrim. Që t’ua mbushim mëndjen shqiptarëve që të ikin, duhet që të bëjmë për vete klerin e tyre duke e paguar. Kështu ai do të udheheqë eksodin e tyre për në Turqi ( NgaÇubrilloviqi ) Pra ? jemi të vetdijshëm që po ndodhë e njejta me ne sot ?
Kur Serbia ishte e “dobët” (nga viti 1968 – 1990 ) edhe Shqipëria ishte “rehat” prej saj.,E doni një shembull ? shkollat ,Universiteti i Prishtinës , xhamijat të zbrazura. kishat po ashtu. Vetëm një të mire nga ai “ dobësim “ politik i serbëve,shqiptarët muslimanë e të krishterë kush e kush më shumë mundohej që emrat e pasalindurve: djalë apo vajzë të jenë sa më ilire dhe e sa më arbërore (!?!)
Por e “dobët apo e fortë” Serbisë i intereson që të ketë në duart e saja sa më “dëshmi” islamike për ne , në mënyrë që neve edhe botën ta bindin se ne jemi të ardhur rishtas këndekj pari .Lexojeni këtë copëz shkrimi në vazhdim : “Pak ditë pasi që ra tërmeti në Shkup, u nisa ta kërkoj pllakën e mbishkrimit të mihrabit të Urës së Gurit dhe atë kalasë së Shkupit. Një ekskavator i nxirrte rrënojat e mihrabit nga lumi, por pllaka nuk doli askund. Thanë se nuk është gjetur asnjëherë. Megjithëse unë jam e bindur se atë e kishte gjetur dikush dhe e kishte fshehur. Ajo është pllaka për të cilën unë kam shkruar në librin tim, ndërsa tash e dini se çfarë pllake kemi aty. Pastaj shkova në kalanë e Shkupit. Aty, për shkak të frikës nga përsëritja e tërmetit, kishin dalë t’i kalonin ditët shumë banorë të Shkupit. Pllaka me mbishkrimin osman nuk ishte në vendin e saj. Fillova nëpër njerëz t’i kërkoj pjesët e saj dhe ta rikonstruktoj pllakën. Derisa i kisha gjetur shumicën e pjesëve, një pjesë nuk po e gjeja assesi. Dikur e pashë se një grua, që kishte vënë të ziejë gjellë, e kishte vendosur tenxheren mbi zjarr pikërisht mbi atë copë pllake që po e kërkoja unë. Ia kërkova, por gruaja nuk ma jepte, sepse do t’i derdhej gjella. Në fund e gjeta një gur tjetër të rrafshët, ia ofrova, ndërsa ajo ma dha copën e pllakës. Kështu e plotësova mozaikun e pllakës, që edhe sot qëndron mbi portën e kalasë”.
Ky është një rrëfim që historiania e artit Lidija Kumbaraxhi Bogoeviq, autore e librit “Monumentet osmane në Shkup”, na e rrëfeu gjatë një takimi të rastit para disa viteve kur biseduam gjerë e gjatë për rëndësinë e trashëgiminë. ( Shkruan: Zeqirija Ibrahimi)
Pra Kalaja e Shkupit e filloi jetën e saj me turqit,?
Serbëve iu nevojiten “ fakte “që ato ti përdorin ur janë të ”fortë” ,po atëherë kur ne zbehemi nga nëdrgjegja dhe vetdija kombëtare.
Serbia e “fortë “ për ditë e më shumë është duke e zbehur të mbërrimen historike : Luftëtarët dhe Luftën e UÇK-ës, e gjithë kjo nëpërmjet një propagande të lansuar prej tyre nëpëmjet njerëzve tanë. Në vend që të mbjellim farën e vetmbrojtjes në tokat tona , në vend që të kemi ushtarë të denjë të kësaj lirijeje ne krijojmë : “Do te pengoj gjithmonë ne postimet tua e ne qoftese ke mendjen mem bo bllok do ti hap me emer Zotit disa facebook me emrin tim e ske mem mujt mem nal veq mem eleminu prej ksaj bote ti pak qe ja ke msy ksaj pune qe ma permene guximin se the jom i ri me pas guxim e me te pengu ne komentë une jo ty po rrafsh 2 milionë si ti nuk um ndalin me shpreh mendimin tim jo fahri xharra po 2 milionë fahri xharra nuk um bejn pershtypje te thash edhe ma heret ne rrugë te Allahut jom ne gjendje me vdek bash ne kete moment qe po te shenoj ty e une 19 i kam po si mi pas 1900 per qka do qoft e une nuk te sulmoj ty jo qe te kam frikë se kerkujt frikë ne rruzullin toksore qe eshte vetem Allahut i frikohem ;po te paska hup udha ne oborr e do Allahu 30 dite te Ramazanit qe i kom ninu InshALLAH Allahu ma ploteson nje prej deshirave met denu ty ne kete bote sepse ne tjetren e ke te sigurt InshALLAH Amin . TEKBIR , ALLAHU EKBER .”Ja kjo është përgatitja e gjeneratave të reja sepse Serbia është politikisht e fortë .
Po mirë ia vret kujt syrin kjo ?
Fahri Xharra,16.07.15 , Gjakovë
Archives for July 2015
DJEMTE E DETIT DHE TE TOKES
Djemtë e detit dhe të tokës, guxim, profesionalizëm dhe shkathtësi në ujërat e Pashalimanit/
Mbyllet me sukses stërvitja komplekse ujore “Pashalimani-2015”/
Nga Shefqet Kërcelli/
Për bazën e Pashalimanit ndër vite janë shkruar më qindra artikuj, reportazhe, tregime, poezi dhe drama, janë xhiruar plot filma dhe dokumentarë, të cilët kanë mbushur faqet e gazetave dhe ekranet e televizorëve tanë. Me gjithë këtë shumore veprash artistike, historike dhe ushtarake është njohur jo vetëm opinioni shqiptar brenda dhe jashtë vendit, por dhe opinioni i huaj dhe shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve tanë. Gjithkush sa herë shkruan për të, përpiqet të zbulojë dicka të re, ndërsa interesi dhe kërshëria e shqiptarëve, mjaft prej të cilëve kanë shërbyer në këtë bazë, me ose pa uniformë është e përhershme,-cfarë ndodh në bazën e Pashalimanit, sa anije kemi ne, cfarë bëjnë marinarët atje? Të paktën këto pyetje i bën cdo qytetar i thjeshtë cilido që e sheh me uniformë marinari. Mbi të gjitha është fakt që cdo familje shqiptari ka pasur një pjesëtar të familjes, fisit, mëhallës, fshatit, lagjes, qytetit që ka shërbyer në këtë bazë në detyra të ndryshme. Shqiptarët sa janë të ndjeshëm ndaj detit, aq janë të ndjeshëm ndaj uniformës së marinarit. Ndërsa ata më të diturit, gjithfarë analistësh, politologësh, historianësh, e shtrijnë diskursin e tyre më larg,- hedhin mendime dhe shtrojnë teza për rëndësinë gjeopolitike të kësaj baze në shekuj apo për të ardhmen e afërt ose të largët.
Baza gjallërohet sa herë ka miq dhe vizitorë
Këtë më tha nja nga shoferët e bazës, Ilir Nelaj, teksa bënim rrugën nga Orikumi në Pashaliman. Iliri është një qytetar i vjetër vlonjat dhe e ka lidhur jetën me këtë bazë. Ai me shpjegon lidhjen e tij të hershme me ushtrinë, ku si babai dhe miqtë e tij kanë punuar për shumë vite si shoferë në ushtrinë shqiptare, ndërsa Iliri është më me fat, se po i përfaqson ata duke ushtruar këtë zanat në një repart me emër sic është baza e Pashalimanit. Ndërkohë Iliri vec profesionit të shoferit stërvit një ekip mundje në qytetin e Vlorës, ku është dhe djali i tij i madh, të cilët do jenë kontigjent dhe për ushtrinë dhe marinën shqiptare. Ka disa vite që e kam lidhur jetën me këtë bazë, ashtu si qindra vlonjatë të tjerë, më thotë Iliri. Një njeri i thjeshtë, gojëëmbël, Iliri përcjell cdo ngjarje apo zhvillim të bazës, me ndjeshmërinë e një njeriu të thjeshtë, por që ka brumin, dhimshurinë dhe sinqeritetin brenda. Respektoj rrëfimin dhe opinionin e këtyre njerzve, që djersijnë shumë dhe flasin pak. Kështu mbas kontrollit rutinë në postbllok, duke përshkuar rrugën që të con në bazë, kaluam shpejt objektet arkeologjike të Orikumit. Disa metra më tutje, Iliri më tregoi disa cadra dhe dy godina në të majtë,- janë paqeruajtësit tanë më tha, po stërviten së bashku me detarët e bazës. Në më pak se gjysëm milje, na shfaqen godinat e kantierit, ku të gjitha shkallët, ambientet dhe molet ishin mbushur me anije ushtarake dhe civile, që riparonin difektet e ndryshme. Pamja të tregonte një gjallëri të pazakontë. Kanë ardhur dhe specialistë amerikanë këtu më shpjegon Iliri, janë duke riparuar anijet bashkë më mjeshtrat tanë të kantierit dhe ekuipazhet e anijeve. Kam disa dekada që ndjek aktivitetin e bazës më të madhe detare të vendit, të them të vërtetën më pëlqeu pamja që më afroi kjo ditë e nxehtë korriku bashkë me rrëfimin e thjeshtë të Ilirit, që vërtet e donte këtë bazë me gjithë qënien e vet. Në fakt sa herë shkoj në Pashaliman dua të shkruaj dicka të re për të, dhe në këtë rast më ndihmoi mencuria e qytetarit vlonjat, -sa herë ka miq gjallërohet baza, më thotë Iliri, pasi këtë muaj kemi paqeruajtësit tanë dhe inxhinjerët amerikanë të anijeve.
Baza e Pashalimanit në funksion të stërvitjes
Ndalesa jonë e radhës është sheshi kryesor para Komandës së Flotiles, ku marinarë dhe specialë ishin rreshtuar për të zhvilluar një stërvitje tepër specifike, luftën në det, bazuar në situate reale dhe koncepte bashkohore. Zv/Komandanti i Flotiljes, Kapiten i Rangut të II-të, Engjëll Sinanaj, është në krye të detyrës bashkë me efektivin. Kemi bërë gjithëshka për zhvillimin normal të kësaj stërvitje thotë Kapiteni. Në këtë mes kemi gërshetuar detyrën me mikpritjen. Kemi vendosur ambiente stërvitore, akomodim fjetje dhe ushqim, masa sigurie, mbeshtëtje shëndetsore, anije, grupin e bordingut dhe zhytësave, thuajse gjithë personeli i flotiljes është angazhuar për realizimin me sukses të kësaj stërvitje, shpjegon zoti Sinanaj. Më datën 14 korrik u zhvillua faza finale e stërvitjes nënujore. Djemtë e detit, tokës dhe ajrit, kishin 20 ditë që ushtronin veprime stërvitore në ujërat e Pashalimanit, veprime të ndryshme taktike, notime të gjata deri në 4 milje, zhytje në thellësitë e ujërave të këtij gjiri. Mbas angazhimeve të shumta në Irak dhe Afganistan, Forcat tona Speciale kishin disa vite që nuk kishin zhvilluar stërvitje në det. Ndërkohë që misioni dhe detyra e tyre përmbledh cdo lloj relievi, moti e natyre. Ndaj serioziteti, përkushtimi dhe mobilizimi ishte në nivelin maksimal. Një stërvitje e këtyre përmasave në këtë bazë të rëndësishme u ndoq direkt nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral-major Jeronim Bazo, me stafin e tij. Gjeneral Bazo u prit nga Zv/Komandanti i Bazës Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj, Komandanti i Batalionit të Forcave Speciale, N/kolonel Qazim Hoxha, Shefi i Degës operacionale të FD, Kapiten i Rangut të II-të Eduard Jeminaj dhe trupat pjesmarrëse. Ndërkohë që personeli dhe mjetet lundruese mdodheshin në rajonin e stërvitjes, Major Agron Kuta shpjegoi detajet dhe skenarët e kësaj stërvitje taktiko-komplekse ujore. Qëllimi i stërvitjes ishte ruajtja e kapacitetve operacionale, integrimin i këtyre kapaciteteve në tokë, det dhe ajër, për përmbushjen e misionit dhe detyrave të këtij reparti special, nënvizoi major Kuta. Ndaj në stërvitje morrën pjesë dhe efektivë nga tre forcat, tokësore, ajrore dhe detare. Para se të arrihej në fazën finale këto efektiva zhvillluan ushtrime të ndryshme në det, që nga zhytjet në thellësi, not në distance të mëdha, me pajime, ditën dhe natën, operacione speciale në anije, bordim dhe kontroll anijes, zbarkimi dhe imbarkim me mjete të thjeshta, operacione zbulimi, braktisja e mjetit në rast dekonspirimi të detyrës, maskimi në det, kapja dhe neutralizmi i objekteve dhe personave terroristë nga deti, shpëtimi i efektivit të marrë peng,, etj. Kjo stërvitje kishte objektiv kompaktësimin e batalionit në gjithë nivelet e tij,, etj. Ajo kishte objektiv kryesor kompaktësimin e batalionit në gjithë nivelet e tij, mundësi reale për aftësimin e drejtim-kontrollit, harmonizimi i elementëve operacionale dhe logjistikë, vënia në eficensë e teknikës dhe pajimeve në përdorim, bashkërendim i veprimeve midis tre forcave, ajore, detare dhe tokësore. Ndërkohë gjatë praktimit të këtyre elementëve u synua shfrytëzimi i kohës në interes të stërvitjes, ulja e kostos finaciare, mundësi të tjera të FA për realizmin e stërvitjeve të ndryshme, etj. Më parë djemtë tanë kishin bërë rikonicionin dhe kishin peshuar cdo milje, kabel, pash, pulqer e djujm të detit me not. Pra, stërvitja u zhvillua në kushte reale për cdo temë e element përbërës të saj. Pastaj këta djem vinin në këtë strëvitje nga shkretëtirat e Kandaharit dhe kishin disa vite që nuk kishin “shijuar” ujërat Joniano-Adriatikase. Sigurisht që këta djem të fortë, elitë e ushtrisë shqiptare ndër vite janë trajnuar vazhdimisht nga instruktorë amerikanë dhe aleatë të tjerë.
Një betejë detare kundër elementëve terroristë…
Stërvitja, kjo betejë e vogël detare, filloi me një demostrim të forcave speciale për kapjen dhe neutralizimin e një grupi terrorsit që kishte kapur një objekt të bazës detare. Në sajë të veprimeve të shpejta nga deti, djemtë tanë me shkathtësi, ekselencë e forcë arritën të hyjnë në objekt dhe të kapin terroristët. Si ishushtarak ndjej kënaqësi kur shoh stërvitje të tilla. Gjithëshka prefekte, reale, me sa duket këta djem, në këtë performancë të pazakontë i ka ndihmuar dhe përvoja në operacionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan. Por ndërkohë që këta luftëtarë po conin terroristët e lidhur, anija me të cilën ata zbarkuan ishte marrë peng nga një grup tjetër terrorist dhe po ushtronin dhunë mbi ekuipazhin e saj. Situata u bë më komplekse. Por në nje kohë rekord, zhytësat, grupi i përbashkët i bordingut, mbështetur nga një helikopter i Forcave Ajrore u futën në anije dhe bënë të mundur clirimin e ekuipazhit dhe lirimin e anijes. Pamvarësisht veprimeve të kundërshtarit për përmbysjen e mjeteve lundruese dhe mbytjen e forcave tona në det, specialët dhe marinarët tanë me veprimet e tyre të guximshme ju shmangën këtyre kurtheve. Për mëse një orë baseni i Pashalimanit u shndrrua në një ujëmbledhës beteje. Hapësira midis anijeve të bregëzuar në molet e bazës u kthye në një teatër lufte. Nëpërmjet demonstrimeve të varianteve taktikë dhe skenarëve të ndryshëm u konktretizuan elementë të luftës antiterror, clirimi i pengjeve në tokë dhe det, sigurimi i anijes, operacione SAR, një stërvitje me kushte dhe situate reale, pasi dhe moti qëlloi me det dhe erë. Një spektakël ku u gërshetua spektri i gjithë operacioneve në det, këtë na dhuruan djemtë tanë të Forcave Speciale dhe marinarët e Flotiljes, ditën e 14 korrikut. Ndërkohë dhe grupi i bordingut i Forcës Detare, me komandant KapitenLejtnant Spartak Shytin, për gjatë gjithë kohës ishte pjesë e stërvitjes me forcat speciale. Ai siguroi rajonin e stërvitjes, anijen “Butrinti” pjesmarrëse në këtë stërvitje dhe shkëmbeu përvojën me djemtë e tokës. Sigurisht stërvitje të tilla me një dinamikë reale të dhurojnë emocione të vecanta dhe meritojnë vlerësime pozitive. Këtë theksoi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Bazo, mbas përfundimit të stërvitjes. Gjenerali përgëzoi efektivat pjesmarrës për rezultatet e arritura në këtë stërvitje dhe theksoi përmirësimin e teknikave të saj në të ardhmen. Gjithashtu Gjenerali falenderoi efektivin e Flotiljes për masat e mara dhe kushtet e siguruara në mbarëvajtjen e kësaj stërvitje .Në vijim Gjeneral Bazo shprehu vlerësim dhe konsideratë të veçantë për punën dhe profesionalizmin e trupave të angazhuara në këtë stërvitje dyjavore. “Nuk është thjesht cështje noti…ju jeni asa në tokë, por jeni edhe në det shumë të mirë. Këtë e treguat në stërvitjen e sotme. Situata reale është e vështirë për këto detyra, askush nuk i kupton kushtet reale menjëherë dhe kjo ishte një stërvitje në kushte reale. Ju përgëzoj për këtë stërvitje në kushte të detit. Është një sakrificë e shtuar, një vlerë e shtuar për efektivat tanë…”, theksoi gjenerali. Sa veta e bënë katër milshin not?-pyeti gjenerali. Të gjithë u shprehën njëzëri specialët tanë. Gjenerali shprehu besim se elementët e kësaj stërvitje specifike do përmirësohen në të ardhmen. Gjatë vizitës në bazën e Pashalimanit, Shefi i Shtabit u ndal dhe tek kantieri detar, ku u njoh me punën konkrete që po bëjnë specialistët shqiptarë dhe amerikanë për riparimin e anijeve. Në fund të vizitës gjenerali vizitoi kampingun e Forcave speciale, ku u diskutua mundësia e ngritjes së një kampingu të përhershëm në këtë bazë,{ duke riparuar objektet ekzistuese}, i cili mundëson zhvillimin optimal të stërvitjes nënujore në vitet e ardhëshme. Kështu Baza e Pashalimanit ka mjaft kohë që po përjeton një dinamikë dhe gjallëri të pazakontë, ku kryesore janë operacionet në det. Më gjerësisht për këtë do njiheni me reportazhet e ardhëshme për këtë bazë.
Pashaliman, 14 korrik 2015
Nuçi Kotta, intelektual i dorës së parë
(Me rastin e 50vjetorit të vdekjes)/
NGA REMZI PERNASKA/
50 vjet më parë, më 20 korrik 1965 vdiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin e vogël bregdetar të Port Jefferson-it, Nuçi Kotta, njeri i ditur, jurist i së drejtës ndërkombëtare, politikan, sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i Komitetit Qendror të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit.
Nuçi Kota nuk njihet ndër ne sa dhe si e meriton. Edhe aq pak sa njihet, njihet më së forti si politikan, dhe thuajse aspak si njeri i ditur, studiues, pedagog, shkurt si intelektual. Kjo është arsyeja kryesore që në shkrimin e pranishëm i mëshohet më fort kësaj ane të dytë.
Lindi në Korçë më 21 dhjetor 1919 në një familje me tradita atdhetarie. I ati, Kostaqi (Koçoja).(1889-1949) i vuri djalit emrin e babait të vet Nuçi. Koçoja vetë, i diplomuar për shkenca politike në Athinë, ka qenë Kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në qeverinë e Ismail Qemalit, deputet i Korçës në Kongresin e Lushnjes ku u zgjodh sekretar i Kongresit, prefekt i Beratit (1921-1923), Ministër i Punëve Publike (1924), Ministër i Arsimit (1925), Kryetar i Parlamentit (1925-1928, 1930-1936), dy herë Kryeministër i Shqipërisë (1928-1930 , 1936-1939). Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, u dënua me burgim nga Gjyqi special në prill të vitit 1945 dhe u dërgua në Burgun e Burrelit, ku edhe vdiq nën torturë.
Marigo Poçi, tezja e Nuçit, qëndisi flamurin që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Nuçi u mëkua kësisoj me atdhetari dhe qytetari qysh fëmijë. Djalit që i lindi në vitin 1962 ia vuri emrin Gjergj në kujtim të Gjergj-Kastriotit Skënderbeut. Bashkëshortja, zonja Susan, dhe dy djemtë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, në Korçë, i vazhdoi në shkollat e mesme më në zë të Parisit, në Liceun Michelet (1933-1936), në të famshmin Lice Louis-le-Grand merr bakaloreatin e parë më 1938 dhe del i pari në frëngjisht, latinisht e gjermanisht; bakaloreatin e dytë më 1939. Studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin Drejtësisë të Universitetit të Parisit, fakultet ky i njohur si mjaft i vështirë për t’u ndjekur.
Më 1942 diplomohet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Sorbonës, ku edhe mbrojti një tezë në fushë të së drejtës ndërkombëtare me titull L’Albanie et la question des frontières albano-grecques «Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë», ku rrëzon rivendikimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut dhe ku del edhe fryma atdhetare që e udhëheq. Mbrojtja me sukses e kësaj teze i dha gradën Docteur ès lettres «Doktor letrash». Kjo doktoratë e hartuar në një frëngjishte të hajthme është përkthyer e botuar edhe në anglishte po aq të hajthme nga bashkëshortja e vet Susan Kotta. Megjithëse kjo doktoratë është botuar në frëngjisht dhe në anglisht, dhe megjithëse është me vlerë të veçantë për historinë e Shqipërisë, sidomos me shumë interes për historinë e marrëdhënieve me fqinjët tanë, veçanërisht për marrëdhëniet me Greqinë, me gjithë disa përçapje të mia për të nxitur përkthyes dhe botues, ajo ende nuk është përkthyer në shqip, ndaj edhe është e panjohur për lexuesit shqiptarë.
Mbrojtja me sukses e doktoratës për të drejtë ndërkombëtare «Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë», i dha mundësinë për të punuar në shkolla të mesme franceze dhe amerikane: si mësues i frëngjishtes dhe i historisë në shkollën private Ronsard-Montesquieu të Parisit (1945-1949), dhe në Hunter College të Nju-Jorkut (1960-1961), ashtu edhe në shkolla të larta: si i ngarkuar për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Shkollën Kombëtare të Gjuhëve të Gjalla Lindore (1947-1949) në Paris, si lektor i frëngjishtes (1961-1964) në Universitetin Kolumbia të Nju-Jorkut dhe si profesor i asociuar i frëngjishtes në Stony Brook University, Long Island të Njy-Jorkut (1964 e deri sa vdiq më 1965). Si mësimdhënës i talentuar dhe serioz, u shqua ndër kolegë si në Paris, ashtu edhe në Nju-Jork. Në një çertifikatë të lëshuar më 19 dhjetor 1958 nga administratori i Shkollës Kombëtare të Gjuhëve të Gjalla Lindore mund të lexohet : «Zotëri Kotta ka pas qenë ngarkuar gjatë viteve shkollore 1946-1948 dhe 1948-1949 me një kurs të lirë të gjuhës shqipe, të cilin e kreu me kompetencë të përsosur dhe ndërgjegje të denjë për të gjitha lavdërimet». Shqiptari që u mësonte frëngjishten francezëve dhe amerikanëve, e bënte edhe më mirë këtë për t’u mësuar francezëve dhe frankofonëve shqipen. Ai i donte ngjuhët, ndaj mësoi e fliste, veç shqipes, frëngjishten si francez i lindur, anglishten si gjuhë pune, latinishten, gjermanishten dhe italishten, si gjuhë kulture.
Intelektual i dorës së parë, Nuçi Kota ia doli me sukses të hartojë, më 1965, në Nju-Jork një doktoratë të dytë me titull L’homme aux quarante écus. A Study of Voltarian Themes (Njeriu me dyzet eku). Studim me temë volteriane, të cilën e botoi në Hagë më 1966. Volteri pat botuar në muajin shkurt të vitit 1768, novelën L’homme aux quarante écus, në një kohë kur kishte dalë libri i parë për ekonomi politike dhe kur ishin në modë trajtesat për financat dhe bujqësinë, sepse fiziokracia, teoria e parë e ekonomisë politike, shkollë e mendimit ekonomik e politik, sipas së cilës pasuritë e një vendi vijnë kryesisht nga bujqësia, ishte themeluar në Francë qysh më 1750. Dhe Volteri i merr në shenjë fiziokratët.
Në këtë libër, me parathënie nga George Havens-i, Nuçi heton çështjet që fshikullon Volteri në tregimin e vet filozofik e shoqëror, si korrupsioni dhe mosbarazia në pasuri dhe se njeriu mund të jetë I lumtur edhe me dyzet grosh pasuri. Cilësia e hetimit dhe qartësia e saktësia e parashtrimit e radhiti Nuçin me Volterologë të njohur. Cilësia e analizave të Nuçit është vënë në dukje nga shumë recensues të huaj, si, p.sh., recensioni i R. L. Frautschi-t botuar në The French Rewiew published by The American Association of Teachers of Fench, april, 1968, f. 738-739; i John Pappas-it botuar në Diderot Studies X, Genève, 1968, f. 328-335; i M. Fontius-it botuar në Deutsche Literarurzeitung, Academie verlag, Berlin, October, 1968, f. 888-890; i L. Thielemann, Comparative Literature, 1970, f. 362-364, si dhe recensione të tjera nëpër revista shkencore të specializuara.
Nuçi, njohës i veprës së Volterit, hartoi në anglisht një artikull tjetër për një shkrim politik të filozofit të madh francez me titull «Voltere’s Histoire du parlement de Paris», të cilin e botoi në revistën zëmadhe Studies on Voltaire and the eighteenth century, XLI, 1966, f. 219-230.
Ka qenë pjëmarrës aktiv në jetën e gjallë të shumë shoqatave dhe forumeve ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në Kongreset e Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve. Ka qenë gjithashtu anëtar i dy shoqatave të mëdha : International Bar Association, Patron, (1953-1965) dhe Modern Language Association, (1964-1965).
Dhe tani dy fjalë për karrierën e tij politike, për të cilën jepet informacion i gjerë në numrin e veçantë të gazetës Atdheu N° 5-6, tetor 1965, kushtuar vdekjes së themeluesit dhe botuesit të vet Nuçi Kottës. Ka qenë :
– Anëtar i Komitetit Kombëtar për Një Shqipëri të Lirë (National Committee for a free Albania. Executive Member), (1949-1954).
– Nënsekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve Europiane të Robëruara A.C.E.N. (Assembly of Captive European Nations, New-Jork, Deputy Secretary-general), (1955-1960).
– Sekretar i përgjithshëm dhe Kryetar i Komitetit Qendror i Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, (1962-1965).
Do të ishte me shumë interes që dikush nga diaspora shqiptare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të lidhej me Zonjën Susan Cort-Kotta, ose me njërin nga të bijtë, Gjergj (Georges) ose Thoma (Thomas) Kotta, për t’u marrë me dorëshkrimet që ka lënë Nuçi, sidomos me dorëshkrimet nga fusha e letërsisë se krahasuar, si ato për Anouilh-in, Michelet-in, Bodëlerin, Molierin dhe për disa filozofë, çka do të lejonte të portretizohej Nuçi edhe si kritik letrar dhe studiues i filozofisë, shkurt si intelektual i radhës së lartë, që i kalon caqet e Shqipërisë. Lidhja me zonjën Kotta do të lehtësonte invetarizimin e shkrimeve të tia të shumta të botuara, ndër të tjera, në organin A.C.E.N News të Asamblesë së Kombeve Europiane të Robëruara.
Dhe në mbyllje të këtij shkrimi, më 20 korrik 1965, në mëngjes, Nuçi pati një infarkt të rëndë në zemër dhe, megjithëse një ambulancë e shpuri urgjentisht në spital, Nuçi nuk u kthye më në shtëpi, duke lënë Gjergjin dy vjeç e gjysmë dhe gruan shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë. Dhe Nuçi prehet në varrezën familjare, në Long Island të Nju-Jorkut.
KRYEMINISTRI RAMA NE PRISHTINE
Kryeministri Rama në Prishtinë, shpreh përkrahjen e Shqipërisë për proceset në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/
PRISHTINË, 16 Korrik 2015/-Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama mbërriti sot për vizitë zyrtare në Kosovë, i pritur në kryeqytet, Prishtinë, para Kryeministrisë nga kryeministri kosovar Isa Mustafa e zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.
Gjatë takimit, ku ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, koordinimin e projekteve dhe bashkëpunimit të dy shteteve në prag të Samitit të Vjenës si dhe zhvillimet në rajon.
Kryeministri Isa Mustafa e informoi kryeministrin Edi Rama për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë për reformat dhe prioritetet e Qeverisë.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me Shqipërinë.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë.
Kryeministri Rama po ashtu shprehu përkrahjen e Republikës së Shqipërisë për proceset në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë shqiptare për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Kosovën.
Korrespondenti në Kosovë ishte në pritje dhe brenda takimit për një kohë, gjatë së cilës kryeministrit Rama iu shpreh e gjithë mikpritja e përzemërt dhe vëllazërore, ndërsa me kryeministrin kosovar Mustafa flisnin edhe për udhëtimin nga Tirana drejt Prishtinës, mes dy kryeqyteteve.
Takimi, pas të cilit sapo u dërgua komunikata për media e Kryeministrisë kosovare, u mbajt në ndërtesën kryesore të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, nga i cili mediat mundën të marrin vetëm pamje.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit , vlerë e shtuar e qytetit bregdetar
Nga Klajdi Musabelliu/ Muzeu Arkeologjik i Durrësit është rikthyer në një ndër destinacionet më të vizituara dhe frekuentuara së fundmi jo vetëm nga qytetarët durrsakë, por edhe nga turistë të shumtë nga vendi dhe jo vetëm, të cilët kanë filluar të shfaqin një interes në rritje për institucionet e trashëgimisë.
Muzeu i hapur që prej 13 marsit të vitit 1951, pasi është gjallëruar edhe më shumë nga zhvillimi i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”( 2 korrik deri 12 ), së fundmi është vizituar edhe nga vizitorë të veçantë.Vetë Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz, gjatë vizitës së tijë në vendin tonë, një pjesë të kohës së tij ai ja ka dedikuar edhe qytetit të Durrësit dhe veçanërisht Trashëgimisë së tij të pasur kulturore e cila pasyrohet edhe në Muzeun Arkeologjik të qytetit.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës ka publikuar së fundmi disa fotografi të vizitës së realizuar nga Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
Në shoqërinë e Ministres së Integrimit Klajda Gjosha, Martin Schulz është pritur në këtë vizitë nga Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, dhe Drejtori i DRKK Durrës, Ledion Lako.
DRKK Durrës bën me dije se zoti Schulz gjatë vizitës së tijë në muze, shfaqi një interes të veçantë për koleksionet e rralla të këtij muzeu dhe për vlerat historike të qytetit që dëshmohen në këtë Muze.Sakaq vizita e Schulz në qytet vazhdoi përgjatë shëtitores Taulantia dhe përfundoi tek Sfinksi, i cili në atë orë ishte i mbushur me qytetarë dhe vizitorë të shumtë.
Muzeu Arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. I ndërtuar mbi bazën e një projekti të hartuar që në vitin 1982, ai është dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh, që drejtoheshin me pasion dhe kompetencë nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi.
Ishte meritë e arkeologut të shquar Toçi, krijimi i këtij muzeu në vitin 1951, e më pas edhe zbulimi i monumenteve të njohura, si: amfiteatri antik (1966), termat romake (1963), mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (1959) dhe ai i hipokampit (1947), e plot monumente të tjera në qendër dhe në periferi të qytetit. Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër, në vilën pranë shëtitores “Taulantia”, u zhvendosën në vitin 2002 në muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njëjtën rrugë. Vetëm në katin e parë të godinës ndodhen rreth 2 100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4 të erës sonë.Një projekt që zgjati gati 20 vjet dhe që më në fund i dha qytetit antik atë që meritonte prej kohësh: një hapësirë muzeale për ekspozimin e qindra e mijëra objekteve, dëshmi e një trashëgimie të pasur kulturore, sociale dhe ekonomike të papndërprerë në shekuj. Sidoqoftë projektet për rivitalizimin e katit të dytë dhe të tretë, ku duhet të vendoseshëin të gjitha objektet e zbuluara dhe që datojnë në periudhën mesjetare vazhdojnë të mbesin në sirtarët e institucioneve të monumenteve e të arkeologjisë në Tiranë.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj.
Një vemendje më e madhe ndaj këtyre burimeve të rëndësishme për qytetin do t’i kishte dhënë muzeut dhe objekteve të tjera historike dhe arkeologjike në Durrës shifra të larta vizitorësh, njëlloj si Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, i cili çdo vit mikpret rreth 100 mijë vizitorë.Qytetarët do të presin përsëri përfundimin e odisesë dyvjeçare të ndërtimit, me shpresën që muzeu të bëhet funksional sa më parë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 42
- 43
- 44
- 45
- 46
- …
- 100
- Next Page »