Tregim nga FASLLI HALITI/
Plaka Fanie, nëna e dëshmorit të Brigadës së Parë Sulmuese, zbriti me kujdes shkallët e pallatit duke i numëruar ato një nga një. Ishte shumë plakë dhe kishte vite që s’i kishte zbritur shkallët e pallatit.
– Po kjo?
– Ç’e gjeti kështu?
– Do të ketë ndonjë hall e shkreta.
– Mos është zënë me nusen dhe shkon të jetojë tek e bija ?
– S’e besoj.
– Ajo shkon shumë mirë me nusen. S’ka si nusja ime…
– Që e ka nxjerrë nga shtëpia një hall, kjo duket.
– Duket sheshit – thoshin gratë e shkallës së pallatit.
– Ç’hall të ketë e shkreta?
– Një hall të madh do të ketë,– thanë ato dhe e përcollën me vështrime të gjitshme, përzier keqardhje dhe dhimbje.
***
Plaka Fanie ecte shtruar rrugëve të periferisë së qytetit. Rrugët e periferisë ishin gjithë pluhur, kallama fëshfëritës, ferra, kavakë, shelgje… Anash tyre kishte kumbulla, mana, dardha, qershi, ftonj …
Sapo kishte hyrë prilli…
Në bërryl të rrugës plaka pa një dardhë të lulëzuar. S’e kuptoi pse iu duk si një nuse me vello. U kënaq. U ndal ta shihte. E pa mirë e mirë dardhën me ato lulet e bardha. Sa bukur… Sa bukur kishin çelur. Degët ishin plot lule. Dukej sikur lulet peshonin dhe degët do të thyheshin. Po lulet s’kishin peshë, kishin vetëm bukuri,
një bukuri të bardhë, plot dritë.
-Mashalla – tha plaka, – sa lule paska çelur e uruara!
Pastaj psherëtiu:
-E shkreta Bukuri.Unë e shoh dardhën që ka çelur dhe më bëhet shpirti behar, po e shkreta Bukuri s’e sheh dot, i janë tharë këmbët qyqes.
Dhe vazhdoi:
-Ç‘i bënë ato të shkreta këmbë, ç’i bënë. E mbyllën fare. E ndanë nga njerëzit së gjalli… Mirë thonë. Vdekje të kishte, po pleqëri të mos kishte.
Pastaj erdhi në vete dhe tha:
-Po dhe unë plakë jam. Bile edhe më plakë se Bukuria. Megjithatë ja eci, dhe i shoh dardhat, qershitë si kanë çelur… Këmbët… Nuk i kam keq këmbët, jo….
Mërmëriti:
-Sëmundja është e keqe. Nuk durohet. Të kalb. E shkreta Bukuri… Mbeti uloke qyqja. Po kalbet vetëm, sepse çunin dhe nusen ia kanë caktuar me punë në fshat, ngaqë kanë një bizhdilëz në biografi …
Plaka e la prapa bërrylin e rrugës. Dardha me lulet e bardha mbeti pas saj. Iu duk sikur i mbeti prapa shoqja e saj uloke, Bukuria.
-Ej, Bukuri, Bukuri, – tha me vete, – si ishe dhe si u bëre. Ja si ajo dardha ishe, si ajo qershia atje te qoshja e rrugës.Të mbaj mend, kur erdhe nuse. Si ajo dardha ishe. Llërët i kishe gjithë shëndet të bardhë, ja si ato degët e dardhës me lule të bardha. Kurse tani…ë…hë…!
Plaka, doli në rrugën kryesore me asfalt. Rruga e qytetit iu duk e gjerë. I ngjante rrugës së Vidhishtës. Ajo ishte kaq e gjerë, por e mbuluar me bar të blertë, kurse rruga e qytetit me asfalt të zi. Eh, rruga e Vidhishtës, rruga e Vidhishtës…, – mërmëriti. Plaka kujtoi mbrëmjet, kur lopët ndaleshin e kullosnin pak në këtë rrugë, ku ndoshta dikur duhej të kishte pasur shumë vidha, prandaj dhe kishte atë emër. Ajo përfytyroi lopët duke kullotur : Baliskën, Shegën, Zekën, Murgjinën… Kujtoi mjeljen e tyre, kusitë me qumësht… Te këmbët e plakës kaloi një «Fiat» i kuq.Iu duk se kishte ngjyrën e pelës që kishte pas ajo dikur. Jo – tha me vete, – lëkura e pelës sime ishte ngjyrë xinxife.
Plaka, shoqja e Bukurisë që dergjej uloke pa njeri te koka, mori rrugën drejt Komitetit të Partisë.
***
Arriti te sheshi i qytetit. E habiti gjerësia e sheshit.Kështu ishte habitur dikur me Çairet e Zeza, në vajzëri. Ajo dhe shoqja e saj Bukuria kishin bërë kapule bari në ato çaire ku korrnin me kosë burrat e tyre.
Pyeti:
– Komitetin do, nëna…
– Cilin komitet?
– Komitetin e Partisë?
– E de, atë.
– E shikon atë ndërtesën e bukur?
– E shoh!
– Shkallët në të majtë janë të Komitetit Ekzekutiv. Ti ngjit shkallët në të djathtë. Ato të çojnë drejt e në Komitetin e Partisë.
– Gëzofsh të ritë – mor bir tha plaka dhe bëri drejt shkalleve të djathta.
***
Plaka nisi të ngjiste shkallët e jashtme. I ngjiste ngadalë. Ngjitej dhe ndalonte. Bënte sikur kërkonte dikë me sy. S’donte që të tjerët ta kuptonin se ajo lodhej, se po i ngjiste me zor ato shkallë. «Të paktën unë i ngjis. Me zor, me zor, por i ngjis, – tha ajo me vete,- kurse Bukuria e shkretë… Ajo ka mbetur trung. Këmbët qenkan gjë e madhe. S’ u bëka pa këmbë. Ndahesh nga bota me gjallje. Edhe syri gjë e keqe është… Edhe pa sy nuk bëhet… Po të paktën një gotë ujë e pi. Kurse Bukuria e shkretë… Po nuk i solli njeri një gotë ujë, thahet. Po s’e ngriti njeri nga vendi, kalbet…
– Për ku moj nënë? – e pyeti dezhurni.
– Te Sekretari, do vejë nëna.
– Te cili sekretar?
– Te i madhi !
– Për çfarë?
-Për hall.
– Për ç’hall?
– Për një hall të madh.
– Ma thuaj konkretisht hallin – tha dezhurni.
– Paske llafe ti, çun…
Dezhurni erdhi në vete dhe i foli plakës me zë të mëndafshtë:
– Po është rregull, moj, nënë. Duhet ta shkruajmë këtu në tefter.
– Qenkësh rregull… Di nëna nga rregullat… Durojnë gjunjët e nënës, s’e sheh si dridhen?… Ç’muhabet… Muhabet i bukur, besa, ky yti…
Dezhurni u çua nga karrigia. E kuptoi që s’bëri mirë. Ç‘ishin vërtetë ato pyetje ashtu? Goxha plakë… Tetëdhjetë a nëntëdhjetë e ca vjeçe. Kishte numëruar hapat për të ardhur gjer këtu… Kurse ai… Porosia e Partisë ishte që njerëzit të priteshin mirë, sikur dhe të deklasuar të ishin. Për një çast iu duk sikur e njohu atë plakë. Diku e kishte parë. Po ku? Ndoshta në… Iu kujtua. E kishte parë në tribunën e qytetit me rastin e festave të Nëntorit. Ishte nëna e dëshmorit të Brigadës së Parë Sulmuese… Ai pa rrudhat e imta të plakës që i ngjanin asaj rrjetës që lë sita kur e harrojnë mbi niseshte. Ishin ca rrudha të imta, të imta që i shkonin shumë pleqërisë së saj të thellë, lëkura e së cilës kishte vite që s’kishte parë diell.
Dezhurni u çua nga kolltuku dhe doli në korridor. E kapi plakën për krahu. Ngjiti me kujdes shkallët gjersa vajti para derës së Sekretarit… U ndal para saj së bashku me plakën.
-Një minutë – i tha plakës – mos u mërzit. – Erdha.
Dezhurni hyri në zyrën e pritjes së Sekretarit të Parë.
***
– Hyni, ju lutem, i tha plakës sekretari i Sekretarit të Parë. Sapo plaka hyri, Sekretari i Parë u çua në këmbë. La tavolinën, i doli përpara dhe e përqafoi.
-Gëzofsh të ritë – i tha ajo.
Sekretari e uli në një kolltuk të zyrës. U ul dhe vetë përballë saj. E pyeti për njerëzit e shtëpisë: për nipërit, mbesat, për djemtë dhe vajzat… Bëri me të, atë bisedën hyrëse që e lehtëson tjetrin të çlirohet nga emocionet e të shprehet lirshëm.
– Ç’të pruri gjer tek unë, – e pyeti Sekretari ?
– Halli, mor, bir…
– Hall shtëpie?
– Shtëpi kam nëna. Kam goxha konakë, sa të sillet edhe kali si në lëmë.
-Të rrish gëzuar! – i tha Sekretari i Parë.
Dhe e pyeti prapë:
– Ke ndonjë hall pune për nipin, mbesën…?
– Një hall më të madh kam, nëna.
– Hall burse?
– Jo, një hall më i madh, mor bir, e solli nënën tek ti…
Nëna e dëshmorit të Brigadës së Parë Sulmuese, nxori një copë letër nga gjiri dhe ia dha sekretarit. Ai e hapi dhe lexoi:
Shoqes Bukuri Shurdhani,
Kërkesën tuaj, për transferimin e nuses së djalit tuaj në qytet, nuk mund ta plotësojmë tani për tani, për mungesë vendi.
Përgjegjësi i Seksionit të Arsimit
(Dhimitër Gërmadha )
– E dëgjove, mor bir, si thotë? Nuk ka vende, tani për tani… Pse kur dashkësh t’ia sjellë nusen ulokes ky përgjigjsi, kur ajo të vdesë? Puna është t’ia sjelli nashtithi sa është gjallë. Kur të vdesë, le t’ia çojnë prapë në fshat, po të duan. Kaq nuk bëkësh dot ky përgjigjsi i arsimit? Për nusen e Bukurisë nuk paskësh vend në qytet? Po Bukuria ka pritur e ka përcjellur në shtëpinë e saj partizanët gjatë Luftës; i ka larë e shpëlarë, ka arnuar e ka tharë në diell rrobat e tyre me morra…
– Akoma me morrat kjo…, tha me vete Sekretari i Parë dhe i erdhi për të vjellë. Pastaj e pyeti, jo pa takt:
– Motra juaj është Bukuria?
– Jo, mor, bir, nuk është motra ime. Është shoqja ime. Jemi në një shkallë. Dyert i kemi përballë. E kam shoqe të vjetër. Është behar nga shpirti e behar nga goja. Shkonim e vinim te njëra – tjetra. Kafenë e pinim bashkë, herë veja unë tek ajo e herë vinte ajo tek unë. Bisedonim. Kënaqeshim. I shtonim ymrin njëra – tjetrës. Po ç‘e do. Nuk desh fati. Sikur na morën mësysh. Një ditë i ra pika dhe e la në vend. Mbeti uloke qyqja. Doktorët thanë se zor të ngrihet më. Që atë ditë u bëra helm.
Unë rri tek ajo me orë te dera. I bëj kafenë, i ve përpara bukën. Edhe një gotë ujë ia jap, me muhabet e gajret e mbaj, por nuk e ngre e nuk e ul dot… E shoh e më këput shpirtin, sidomos kur më thotë se atë ditë që do të ngrihet, do të vijë e ta pijë kafenë te unë dhe se atë ditë do të më bëjë një kafe për kokë të kafesë. Lëre, lëre, mos e pyet ç‘e ka gjet Bukurinë e shkretë. Çunin e ka agronom në koprativë, nusen, mësuese në fshat, nipi dhe mbesa janë të vegjël. Shkurt mor bir, nuk ka njeri që ta ngrejë e ta ulë gjatë ditës. Po nuk ia sollën nusen këtu afër, ajo do të kalbet. Po, po… Do të kalbet e nuk do ta ketë të gjatë.
-Ja, si thua ti mor, bir, është apo s’është hall, ky?
– Është hall, dhe hall shumë i madh dhe po të mos e zgjidhnim, do të ishte turp, ne…!
– Uratën, mor bir !
***
Sekretari i futi krahun nënës së dëshmorit trim të Brigadës së Parë Sulmuese, zbriti shkallët dhe e çoi te makina e tij që qëndronte para komitetit. Foli me shoferin. Hapi derën e «Fiatit» dhe e futi plakën brenda dhe u nda me të duke e përqafuar. Plaka e puthi në ballë.
Shoferi ia shkeli «Fiatit» në drejtim të shtëpisë së plakës në periferi.
-Mos u ngut, mor bir. Ec, ngadalë. E nget dot si qerre makinën? Si qerre e do nëna.
-E ngas si qerre, moj nënë, si s’e ngas…
-Gëzofsh të ritë.
-Të faleminderit – tha shoferi dhe e uli shpejtësinë.
-Dua të shoh qytetin – tha plaka, – më shëtit një herë rreth e rrotull. Ta shoh se s’i ndihet…
Shoferi e përshkoi qytetin me një shpejtësi të butë.
-Mashalla – tha plaka, – sa qenka hapur qyteti, por.., shiko djathtas, shiko majtas, ajo s’po i shihte as kishën e as xhaminë… Nuk i erdhi mirë, madje i erdhi keq me siguri, por nuk bëri zë, sepse ishte nënë dëshmori dhe…
***
Tani «Fiati» u fut në rrugën e periferisë që të çonte te shtëpia e plakës Fanie, nënës së dëshmorit të Brigadës së Parë Sulmuese, dëshmorit Loni Prifti.
Plaka pa përtej diçka të bardhë, gjithë dritë. Ishte qershia. Iu duk sikur i kishte dalë përpara shoqja e saj, Bukuria. Jo uloke, siç ishte tani, por ashtu siç kishte qenë atëherë kur erdhi nuse…Vetura arriti afër qershisë.
-Ndale makinën – tha plaka.
-Kam porosi nga Sekretari i Parë që të të çoj gjer te shkallët e shtëpisë – tha shoferi.
-Ndale këtu. Këtu do nëna.
-Nuk mundem, moj nënë. Sekretari i Parë, më porositi që të të çoj gjer te dera e shtëpisë.
-Bëj si të thotë nëna. Është më e madhe nëna…
Shoferi e ndali «Fiatin» te bërryli i rrugës, afër qershisë me lule e të bardha të përndritura nga dielli i prillit.
-Këputi nënës një degë. Atë degën atje që ka më shumë lule… E dua për Bukurinë, për shoqen time uloke.
Shoferi këputi degën që kishte më shumë lule dhe ia dha plakës. Ajo e pa degën e qershisë dhe tha me vete se shoqja e saj do të gëzohej shumë kur ta shihte, do ta merrte me siguri si ogur të mirë dhe do t’ i qeshte buza, më në fund që shoqja e saj po i sillte prillin në shtëpi…
***
Por pas një jave plaka Fanie, nëna e dëshmorit të Brigadës së Parë Sumuese , mori këtë përgjigje:
Shoqes Fanie Prifti,
me porosi të Sekretarit të Parë, shokut Rrapo Guri, bëmë të gjitha përpjekjet për transferimin e nuses së shoqes suaj Bukuri Shurdhanit, por tani për tani transferimi s’ mund të bëhet për mungesë vendi në qytet.
Ua ua ua!, ba-ka-bo-ni, uuu…uu… i paturpshmi – sik-ter-sek-re-tari…! Po ai më dha fjalën… E gëzova kot Bukurinë e shkretë. Kujtova se i solla prillin qyqes në shtëpi, por i paskësha sjell shënreun, mardhën e dimrit…
***
Plaka Fanie, nëna e dëshmorit të Brigadës së Parë Sulmuese, sapo pa degën e qershisë të cilën ajo ia kishte çuar shoqes para një jave, për t’u çmallur me pranverën, u drodh… Diçka e keqe e bëri të dridhej… Sapo shoqja e saj e sëmurë mësoi se Sekretari i Parë, nuk ia kishte zgjidhur hallin, iu duk sikur degëzës së qershisë iu fishkën lulet dhe vetë dega e futur në vazo edhe pse zhytur në ujë të kulluar, ajo u tha në çast si ato degët e selvisë së përrallës te porta e oborrit që me tharjen e tyre sillnin kob e zi në shtëpi…
Erërat e dhjetorit filluan të frynin tërbimshëm…Edhe këtë vit e paralizuara, do të kalonte në vetmi një dimër të mardhur deri sa një mesnatë a mëngjes, mbase… askush s’do t’i ndodhej pranë…!
1974
(Ne Foto:Nga Vincent Van Gogh)
Archives for July 2015
Lëri të shajnë Arben
Nga Ilir Levonja/
1)Lëri të shajnë Arben. Lëri të akuzojnë. Mos u mbro me deklarata heronjsh, të tilla si, ”shlyva dënimin për fajin e tjetrit”. Ne nuk kemi nevojë për heronj. Se po të kishim, nuk do ankoheshim akoma për mungesën e ujit. Pastaj ajo që është më e rendësishmja, është taktikë e gabuar për tu bërë sërish deputet.
2)Shtypi shqiptar e bëri punën e vet, dje! E përhapi me vrull një letër shpjeguese, apo ndjesuese të deputetit të Lezhës. Edhe pse ambasada e Amerikës nuk dha emër konkret. Por e përgjithësoi. Ashtu mjergull, tha që në parlamentin tuaj është një deputet me kësisoj problemesh. Trafik qëniesh njerëzore, etj. Mirëpo si gjithmonë tek ne, për së pari ndjehen viktima të akuzuarit. Qofshin këta edhe të supozuar. Hoven vet. Sikur edhe rastësore të kenë qënë vërtetë këto, çështje. Këta hoven.
3)Pak melankoli dhe letra jote do ishte më e bukur. Më e bukur artiskisht, jo s’e nuk funksionoi. Megjithatë kot shqetësohesh. Sinqerisht kot. Ti je prapë deputet i Lezhës. Ti je prapë deputet i saj i ardhshëm. Lëri të thonë çfarë të duan. Lëri të shfryhen. Të kënaqen. Mundësisht edhe më zi se kaq. Që ta kesh edhe më të çimentuar, më solide rrugën dhe deputetllëkun. Lëri dhe ata të LSI ta shesin sa më shumë vidon e koridorit të Kuvendit. Atë ku ty i futesh paq me grushta kokës, atij kaçurrelsit të Shijakut. Bën efekt të kundërt në Shqipëri. As mos u druaj për këtë. Ne Shqiptarët e kemi memorien manovër të çastit. Jo kohë të refleksionit. Me një fjalë, të qetësohemi e të gjykojmë se përse ndodhi kështu apo ashtu. Dhe ta bëjmë ndryshe. Nuk e them dot togun e fjalëve, ta bëjmë më mirë. Nuk është në oreksin tonë, kështu. Ndaj them lëri. Ose u thuaj të vazhdojnë të flasin edhe ca ditë. Biles edhe ambasadës së Amerikës. Lëri. Sa më shumë të të shajnë, sa më shumë të të thonë për ty, sa më shumë të çirremi, sa më shumë të të akuzojmë, sa më shumë të shqyhemi, je i fituar. Edhe ti, sa më shumë të demaskosh pijanecët, sa më shumë të krahasohesh me liderin e opozitës, sa më shumë të shfrysh për Shqupin, sa më shumë të flasësh për ata që ranë nga kali si Sali Berisha dhe familja e tij, sa më shumë të rrëfesh që të janë lutur nga PD, që të kanë mbrojtur dhe mbuluar akuzat që të bënin këta me të cilët ti sot je…, i bën ata të fituar në sojin e tyre. Tek ne kështu është shkruar.
4)Pak histori rrevoltash, letrash apo indinjatash të tilla ka në mëndjen tonë. Sa të duash. Dhe më mirë nga ne e kanë kuptuar liderët tanë. Që domethënë shaje tjetrin sa më shumë, demaskoje, sa më shumë, me televizorë, kamera të fshehta, ambasada…, për t’ia garantuar rrugën e lavdishme të deputetit. Tek programi për administrim është i zvetënuar në programin e sharjeve. Qëllimi është kush shanë, kush akuzon, kush mbretëron kësisoj.
Kjo është një temë magjike që mua më pëlqen ta çek hera-herës. Efektin e kundërt.
Ndaj paragrafin e mësipërm e bëra me frazë kilometrike, sa më shumë të të shajnë, sa më shumë zi, vrer, e çfarë të them unë. Të thonë kundër teje. Ke gjasa të bëhesh edhe lider. Kryeministër. Ky është një investim. Ke gjasa që nesër të gdhihesh numri dy i PS. Ashtu si Arbeni i PD. Ai që ti e quan pijanec. Se ç’është e vërteta. Vetëm në Shqipëri ndodh që një kryetar Komisioni Zgjedhor. I afruar nga shoqëria civile. Gdhihet nënkryetar i një force të madhe politike. Kështu, mos u habit që edhe kjo që është sot aty. Të gdhihet në zgjedhjet e ardhshme nënkryetare e dubluar e PS. Pra deri tani je në rregull. Dhe ne socialistët e mirë, edhe ti. Ne që çfarë nuk thamë për Lefterinë. Do ta mbrojmë deri në pikën e fundit të gjakut. Do zbulojmë vetëm aftësitë e magjishme të saja. Ashtu sikur e bëm edhe me ty. Sikur e bëri dhe PD-ja dje me ty. Kështu dhe nuk e luan topi. Ndaj lëri të thonë sa më shumë. Për ty, karrierën tënde. Për bizneset e të tjera. PD-ës nuk i duhet borxhi, kujtesa këshillë e FMN-ës në lidhje me ekonominë e bjerrur të vendit. I duhet ekzistenca jote me probleme me drejtësinë italiane. Fakti që sot këto dite të nxehta, diskutohet uji i pijshëm. Në një vend buzë ujit. Ta dish është investim për ty, jo për vëndin. Kështu që je në rregull.
5)Me që ra fjala tek bizneset e tua. Tek postet e nderuara që ke drejtuar në kohën e PD. Prapë për të mirën tënde është. Merr rastin e minsitrit aktual të shëndetësisë, zotit Beqja. Iu hoq mandati për konflikt interesi, që do të thotë shkelje e ligjit. Që do të thotë njësoj krim. Ndëshkim etj. Shikoje e ke ministër sot. Dhe një nga më babaxhanët. Të gjithë biznesmenët e ”suksesshëm” kanë poste drejtuese qeveritare. E gjitha është sakrificë. Ndaj edhe njerëzit ua dinë për nder. U japin votën. Pasi suksesi në biznes, mbajtja me bukë e disa familjeve, edhe pse pa asnjë të drejtë civile të punëtorit apo nënpunësit bashkëkohor, prapë konsiderohet nder i madh nga ana juaj. Ndaj ata u vlerësojnë, u japin votën. U jepni edhe ca lekë partive dhe normalisht, që partitë duhet t’ua shpërblejnë. Tenderin e radhës. Ka konflikt interesi? Këputi një të ndarë me gruan, kaloja të gjitha asaj. Biles është rast i mirë t’i japësh edhe pak post drejtues. Dhe gjithçka në rregull. Por nëse partia nuk të jep tendera, prapë punë e madhe. E ke të garantuar vendin tek partia tjetër. Lëri le ta bëjnë sa më të zezë, punën tënde. Ndaj sinqerisht po e përsëris, mos u justifiko me deklarata lakonike, që unë e ”shlyva” dënimin për fajin që ka bërë ai tjetri. Se dolëm jashtë modës. Nuk i duhen Shqipërisë heronjë të tillë.
Basha akuzon Qeverine tek austriakët: Keqqeverisja po sjell pasoja dramatike në ekonomi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me Drejtorin e Politik të Ministrisë së Jashtme Austriake, Jan Kickert dhe Drejtorin për Ballkanin Perendimor, Johannn Sattler, tha se vendi po bën kthim mbrapa dhe zhbërja e standardeve demokratike rrezikon seriozisht të ardhmen e Shqipërisë.
Sipas një njoftimi për shtyp, kryetari i PD-së i njohu diplomatët e lartë austriakë me shkeljen e rëndë të standardeve në zgjedhjet e fundit, me blerjen masive të votave, me përfshirjen e administratës në skemën e trysnisë ndaj votuesve, si dhe kandidimin e personave me të shkuar kriminale.
Inkriminimi i administratës dhe i politikës deri në nivelin e Parlamentit, janë shqetësim i madh për vendin, tha Basha, i cili theksoi se pa çuar deri në fund dekriminalizimin për të cilën Partia Demokratike është e vendosur, Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme europiane.
Basha gjithashtu i informoi zyrtarët e lartë të vendit mik se keqeverisja po sjell pasoja dramatike në ekonomi dhe po shkakton padrejtësi të vazhdueshme ç’ka po nxit dhe numrin e lartë të bashkëqytetarëve që ikin nga vendi dhe kërkojnë azil në Europë. Ky eksod në rritje i shqiptarëve, tha ai, po merr përmasa shqetësuese duke vënë në rrezik lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve në hapësirën Shengen, një e drejtë e fituar me shumë mund e përpjekje.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se krimi, korrupsioni dhe dhunimi i votës së lirë janë kthyer në pengesë dhe kërcënim të madh për zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj në rrugën e integrimit europian
Rama para Gazetareve: Në shtator operacion kundër informalitetit
TIRANË, 30 Korrik/Nga Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama bëri sot një paraqitje të situatës politike- ekonomike e sociale në vend gjatë një konference për shtyp në Sallën e Hartave në Kryeministri.
Rama tha se edhe në këtë vit është vijuar trendi pozitiv dhe zhvillimor që ka marrë situata ekonomike në vend.
Ekonomia ka ndjekur trendin pozitiv, duke qëndruar në harmoni me parashikimet e programit të hartuar me FMN dhe BB, tha kryeminstri Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “Shlyerja e borxheve ndaj kontraktorëve ka pasur impakt direkt në konsolidimin e trendit pozitiv”.
Rama: Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12%
“Që në 3 mujorin e parë të qeverisjes u thye trendi negativ dhe pas një sërë 3-mujorësh paraardhës në rënie filloi kthesa pozitive dhe faktikisht gjatë vitit 2014 që pasoi 3-mujorin e parë të qeverisjes, ekonomia vazhdoi në rrugën e qëndrueshme të kthesës, duke ruajtur trendin e qëndrueshëm pozitiv dhe duke qëndruar në harmoni me parashikimet qysh me nënshkrimin e programit me FMN. Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12%. Është inkurajuese që 3-mujori i parë i 2015 shënon vazhdimësinë e trendit të rritjes, dhe u mbyll me një shifër të kënaqshme. 2.82 % kundrejt 3 mujorit të parë të 2014-ës, është një shifër mjaft domethënëse”, deklaroi kryeministri Rama.
Rama: Shlyerja e borxheve ndaj sipërmarrjeve, ndikim në rritjen ekonomike
Kreu i qeverisë theksoi se, ndikim në këtë rritje pati shlyerja e borxheve ndaj sipërmarrjeve. Rama u shpreh se shlyerja e borxheve ishte një proces transparent dhe me zero ankesa për korrupsion. Kryeministri shtoi gjithashtu se larja e borxheve solli zinxhir edhe efekte të tjera pozitive, pasi sipërmarrjet shlyen detyrimet e prapambetura tatimore dhe kreditë.
“Shlyerja e 350 milionë dollarë detyrime të prapambetura dhe mbërritja sot në 641 mlionë dollarë kanë patur një impakt të drejtpërdrejt në konsolidimin e trendit të rritjes ekonomike. Kjo ishte një procedurë transparente dhe e drejtë. Ndërkohë shumë pretendime, të cilat mund të kenë qenë edhe të bazuara de fakto por jo de jure nuk janë marrë parasysh. Plus kësaj, ky ka qenë një proces me ankesa për korrupsion zero. Pasi metoda e përdorur duyke i shlyer të gjithë detyrimet mbi bazën e një radhe jo të përcaktuar nga qeveria, por të përcaktuar nga koha e borxheve, ka garantuar që procesi të jetë tërësisht i pakontestueshëm. Nga ana tjetër, një pjesë e fondeve të siguruara nga shlyerja e borxhit janë përdorur nga sipërmarrjet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura tatimore. Një pjesë e këtyre fondeve janë përdorur nga sipërmarrjet edhe për të shkyer kreditë. Në këtë kontekst, ky operacion ka pasur rolin e vetë në parandalimin e rritjes së kredive të këqija dhe në një masë të caktuar edhe në uljen e tyre. Kur erdhëm ne kreditë e këqija në shifra alarmante. Në dhjetor të 2014 u ulëm nën 23% dhe në maj të 2015-ës jemi nën 22%”, u shpreh Rama.
Rama: Borxhi është ruajtur në nivelin 69.9 %
Kryeministri Rama është ndalur edhe tek situata financiare në vend, duke u shprehur se borxhi është ruajtur në nivel të qëndrueshëm në 69.9 %. Ndërkaq, Rama tha se qeveria e tij ka njohur dhe shlyer borxhet ndaj kontraktorëve.
“Ka një rritje të konsiderueshme të depozitave në bankat tregtare. Tjetër hap i rëndësishëm në kapërcimin e një situate kaosi në llogaritë e shtetit është mbajtja e qëndrueshme e borxhit të jashtëm. Për 6-mujorin e parë të këtij vitit, treguesi i borxhit është 69.9 %. E them këtë për të gjithë ata që i bien zurnave të fryra kur flasin për borxhin. Mos harrojmë që janë shlyer shumë borxhe të prapambetura. Ne bëmë legalizimin e një borxhi që qeveria nuk mund të mos ua njihte apo shlyente të gjithë kontraktorëve për punët apo shërbimet e kryera. Falë strategjisë së menaxhimit të financave publike i hapët rrugë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së përdorimit të fondeve publike. Kjo strategji është vlerësuar maksimalisht nga partnerët. Jemi drejt përfundimit të analize të thelluar të të gjithë elementëve. Por e sigurtë është që jemi në kushtet e ndryshimit të modelit ekonomik”, tha Rama.
Punësimi, Rama: Në 2015 numri i të punësuarve 10% më i lartë se në 2014
Më tej kreu i qeverisë është ndalur edhe tek problemi i punësimit, duke u shprehur se masat e ndjekura deri më tani po fillojnë të japin rezultat.
“Referuar anketës së forcave të punës, krahasuar me tremujorin e parë të 2014 numri i të punësuarve në 2015 është 10 % më i lartë, dhe kemi një rritje me 103 mijë persona. Sigurisht kjo nuk do të thotë se është zgjidhur problemi i papunësisë në vend, por na flet për efikasitetin e politikave të qeverisë. 100 mln dollarë i janë shtuar arkës së shtetit si shumë në dispozicion të pensioneve, si rezultat i rritjes së numrit të personave të nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë dhe të formalizuar” vijoi kryeministri Rama.
Rama: Ka pasur rritje të konsumit dhe eksporteve
Kryeministri theksi se ka edhe rritje të konsumit. “Në vitin 2014 tregtia me pakicë shënoi një rritje që kapi 6.4 % në vlerë, ndërkohë që në tremujorin e parë të 2015 është rritur me 7% krahasuar me 2014. Kjo nuk është çështje opinioni, por çështje shifrash si e sipërmarjes së përfshirë edhe e konsumatorit”.
Duke folur për import-eksportet, Kryeminitri Rama tha se, “Në zërin e importeve kemi 1 miliardë dollarë më shumë makinerish dhe pajisesh. Kjo do të thtoë që kemi një kthesë në orientinim e sipërmarrjes dhe parasë në investimin drejtpërdrejt në teknologji. Gjë që prezumon rritje të linjave të përpunimit dhe prodhimit, gjë që prezumon rritje të punësimit real. Eksportet në total janë rritur me 9% në vlerë”.
Mbrojtja mjedisore, Rama: Po bëjmë kthesë historike
Duke folur për mbrojtjen mjedisore, Kryeministri Rama tha se edhe këtu po bëjmë një kthesë historike, ku të gjithë ata që kanë marrë leje minerare apo për hidrocentrale kanë detyrë t ëmbrojnë mjedisine zonës ku operojnë. Poasht moraoriumi naj gjueisëka ndihmur në rikthimin disa lloje shpendësh dh kafshë në disa zona të mbrojtura në vend.
Mbrojtja sociale, Rama: Rritje e fondit të pensioneve dhe shpërblime për ish- të përndjekurit
Reforma e pensioneve përbën një nga arsyet për të qenë krenarë për çfarë kemi bërë deri tani në krye të qeverisë, u shpreh Kryeministri Rama. “I dhamë fund tavanit të tmerrshëm që i mbantet gjithë pensionistët nën 240 mijë lekë dhe siguruam rritje reale për të gjitha fashat e shoqërisë”, tha Rama. Kryeministri gjihashtu përmendi edhe uljen e moshës së daljes në pension për minatorët.
Gjithashtu Kryeministri u shpreh se janë shpërblyer ish- të përndjekurit me 13 milionë dollarë vetëm në vitin 2015. Ndërsa shtoi Rama, “ka filluar shpërndarja e këstit të 5-të për ata që janë gjallë”.
Rama: Ligji i Arsimit të Lartë, transfomim rrënjësor në këtë sektor
Kryeministri Rama tha se Ligji i Arsimit të Lartë i miratuar së fundmi në Kuvend i hap rrugë një transfomimi rrënjësor në këtë sektor. Ai shtoi se agjenica e akreditimit do të vijojë punën në Universitetet e vendit duke nxjerrë rezultatet e sakta të rankimit të tyre.
Sporti, Rama: Kemi investuar 25 milionë euro
“Të gjithë kampionët e sportit kanë marrë paratë që i detyrohej qeveria, e cila iu thithte dikur vetëm djersën e fitores dhe më pas nuk e dinte ku ishin”, tha Rama. Kryeministri shtoi se, “janë 25 milionë euro të investuar në infrastrukturën e sportit, më shuëm se të gjitha qeveritë e marra sëbashku. Këtu përfshihen edhe dy stadiumet e reja të Elbasanit dhe Shkodrës, ku dhe vazhdon puna. Ka shumë për të bërë sidomos me sportin në shkoëll dhe për këtë do të bashkëpunojmë edhe me pushtetin vendor. Kjo ndihmon edhe në shëndetësi, ku një euro i invesuar në sport është 3 euro të kursyera në shëndetësi”.
Shëndetësia, Rama: Ka ende shumë për të bërë, pagesë shtesë për mjekët që shkojnë larg banimit
Kryeminstri Rama theksoi se ka ende shumë për të bërë në sektorin e shëndetësisë. “Do t’iu ftoja të monitoroni faktin që sot ka 22 qëndra shëndetësore që operojnë në 7 ditë të javës për sezonin turistik. Sot ka raste urgjente në Spitale rajonale që zgjidhen me konsulta nëpërmjet telemjekësisë”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se, do të ketë pagesë 100 mijë lekë shtesë për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonave të tyre të banimit. “Është me rëndësi reforma në sistemin e shëndetësisë. Synohet modernizimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Po krijojmë një portal unik për shërbimet. Do të stimulohen ata mjekë që duan ta ushtrojnë ashtu si duhet profesionin e tyre. Kështu do të ketë një pagesë shtesë për 100 mijë lekësh çdo muaj për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonën së tyre të banimit, pra në një zonë tjetër”, tha Rama.
Rendi, Rama: 50 % vrasje më pak në gjashtëmujorin e parë të 2015
Duke folur për situatëne rendit dhe sigurisë, Kryeministri Rama tha se treguesi më I qartë është se ka 50 % vrasje më pak në gjashtëmujorin e parë të 2015 më pak se çdo vit që nga 1992.
Gjithashtu Rama shtoi se, “ka 53% vjedhje me armë më pak, 60 % vjedhje me dhunë. 33% më pak shkatërrim prone me eksploziv dhe Shqipëria nuk shihet më si vend origjine për kultivimin e kanabisit, siç ishte edhe në listën e vendeve për trafikim”.
Rama: Nuk kemi plan për ndryshime në qeveri
Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka plane për nryshime në qeveri ënshtator pasi s’ka arsye për ta bëë këtë. “Rifreskimin qeveria do ta bëjë gjatë pushimeve të gushtit dhe nuk e kemi plan për të bërë ndryshime qeverie, pas nuk shohim asnj arsye për të bërë ndryshime”, tha Rama.
Rama: Në shtator operacion kundër informalitetit
“Në shtator do të fillojë një tjetër operacion i madh që për nga natyra dhe agresiviteti do të jetë si ai i energjisë, i territorit, i mbylljes së Universiteteve, do të jetë operacioni kundër informalitetit”, tha Kryeministri Rama, duke iu përgjgjur pyetjes mbi abuzimeve fiskale në jug të vendit gjatë sezonit turistik.
“Kuvendi do të miratojë paketën e masave rënduese penale kundër kontrabandës, punës në të zezë, evazionit fiskal dhe atyre shfaqjeve që kanë bërë që Shqipëria të jetë sot një vend ku disa sipërmarrës paguajën dhe një pjesë tjetër nuk duan t’ia dinë fare. Në operacion do të përfshihen, doganat, tatimet, Inspektoriati i punës dhe padyshim Policia e Shtetit. Operacioni nuk do të tolerojë askënd. Masat do të jenë shumë të rënda”, tha kreu i qeverisë.
Rama: Në parlament s’ka njerëz me probleme me ligjin
Duke folur për dekriminalizimin, Kryeministri Rama tha se, “në kushtet e sotme, në parlamentin e Shqipërisë, nuk ka njerëz të cilët kanë probleme me ligjin, por në kuptimin, s’ka që kanë rishtaz, s’janë futur në parlament njerëz që kanë pasur probleme të hapura me ligjin.
“Kam qenë i pari që kam kërkuar dëshmi penale. Gjykime të ndodhura shumë larg në të shkuarën apo edhe afër por përtej kufirit të dëshmisë penale, adresohen me ligj nëse duam ti adresojmë, dhe ne do i adresojmë me ligj. Kjo për mua është të përballesh me një fenomen që është i padëshirueshëm. Ndërsa këto luftërat që i ngjajnë formave inkuiziconale, dhe s’marrin parasysh kontekstin, janë të papranueshme…Këtu politika adreson fenomene, për këtë janë politikat. s’merr përsipër të përvëlojë njerëz”, tha Rama.
“Duke adresuar fenomenin ata që përfshihen në atë kuadër kanë kufizimin e tyre. Ata që janë dënuar edhe e kanë kryer dënimin në kushtet e Kushtetutës dhe ligjit ne Shqipëri dhe ne vendet e Evropës, janë persona të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Sikur PD të kishte pasur vizion, s’kanë ku ta gjejnë, dhe vullnet, ne do ta kishim bërë me kohë ligjin. Pritëm propozimet e tyre, na erdhën ca paçavure, …ne s’mundëm të shkonim pas atyre paçavureve, tani do shkojmë ne ta çojmë draftin dhe do ta miratojmë draftin me ose pa ata. Në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen do jetë i përballuar, do jetë i shtritë edhe në administrata. ne nuk kemi kandiduar asnjë njeri me rekorde kriminale, se për mua rekorde kriminale janë ato që janë të gjykuara, qoftë edhe në shkallën e parë, ndalime, hetime, përpunime, këto janë pjesë e proceseve që nuk kanë vlerë nga pikëpamja e gjykimit”, tha Rama.
Reagimet e Blushit, Rama: Sikur në PS të gjihë të mendonin njësoj, ajo do quhej PD
Duke iu përgjgjur pyetjeve mbi qëndrimet e deputetit socialist, Ben Blushi, Rama u shpreh se, sikur të kishte një Parti Socialiste ku të gjithë do të mendonin njësoj, ajo nuk do të quhej Partia Socialiste, ajo do të ishte Partia Demokratike e Shqipërisë.(ATSH)
Fundi i një “iriqi” deti në afërsi të Sazanit
Shkruan:Shefqet Kërcelli/
Hapësira ujore detare në vendin tonë historikisht ka qenë një teatër lufte midis fuqive të ndryshme. Rezultat i këtyre betejave, përplasjeve dhe lundrimeve të shumta janë dhe minat detare, silurat apo lloje të tjera të municioneve luftarake të gjetura ndër vite nga anije të Forcës Detare, të peshkimit dhe nonjë rast dhe tregëtare. Sidoqë janë bërë mjaft operacione për pastrimin e këtyre “iriqëve” të detit, është e pamundur që ti pastrosh atë përfundimisht. Rrymat e detit, relievi i thyer i fundit të tij, gjallesat dhe bimësia nënujore, krijojnë kushte për strehimin e tyre dhe vështirësi në zbulimin dhe asgjësimin e municioneve detare. Rasti më i fundit ishte zbulimi dhe asgjësimi i një koke silure disa metra larg bregut në perëndim të ishullit tonë historiko-ushtarak, që tashmë po e kthejmë dhe në turistik. Ishte një mbetje e Luftës së II-të Botërore. Në grykën e Otrantos dhe hapësirat përreth nëndetset kanë vepruar që në Luftën e I-rë Botërore. Zhytësit tanë të QZH, Pashaliman kryen disa zhytje për përcaktimin e saktë të vendndodhjes të këtij “iriqi” dhe mënyrën e asgjësimit të tij. Ishte një operacion me vlera të shumëanshme civilo-ushtarake që kërkontë ndërthurjen e disa masave por dhe pjesmarrjen e specialistëve nga disa reparte të FA. Mbi këtë bazë Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të FA nxori një urdhër të vecantë për asgjësimin e këtij “iriqi” të rrezikshëm, me rrezik potencial, që ishte ngurosur në thellësi të vogla afër bregut. Natyrisht këto lloj operacionesh kërkojnë njerëz të specializuar, mjete dhe masa të forta sigurie. Me një proces të përshpejtuar nën drejtimin e Zv/komandantit, Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj dhe stafit të Flotiljes u morën masat e nevojshme për crrënjosjen nga fundi i detit të këtij “iriqi”. Në një kohë rekord u lajmëruan të gjitha institucionet shtetërore dhe private të Vlorës për zhvillimin e këtij operacioni dhe ndërprerjen e lëvizjeve të mjeteve detare në këtë rajon, gjatë zhvillimit të operacionit. Një operacion në dukje i thjeshtë kërkoi bashkërendimin ndërinstitucional civil por dhe midis disa reparteve të FA, Forcës Detare, Policisë Ushtarake, KML dhe grupit mësimor të EOD në Qëndrën e parë Stërvitore të ngritur për këtë qëllim në rang FA me ndihmën e ODS.
“Butrinti” në krye të operacionit
Më ka qëlluar shpesh të jem pranë ekuipazhit të mrekullueshëm të anijes më të re të Forcës Detare, aq sa tashmë e ndjej veten si pjesëtar i saj. Madje dhe kushtet ku jetojnë këta detarë janë më komode se godinat e garnizonit. Ekuipazhi i anijes sapo përfundoi një stërvitje në det dhe shkoi të pushojë. Me shërbim atë natë ishte një nga detarët më të vjetër, Kapter Mehmet Xhelilaj. Mehmeti e ka në gjak disiplinën dhe profesionin e ushtarakut. Ai e ka filluar karrierën në ishullin e Sazanit, ku për disa vite ka jetuar dhe me familjen. Pamvarësisht vështirësive familjare dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj njerës vajzë me probleme shëndetsore, Mehmeti i ka qëndruar në kokë detyrës së kryemotoristit në anije, bashkë me kolegët e tij Artan Kojani, Lulëzim Delaj, Gëzim Abazaj, Eduard Cela, Aldion Asamataj, Preng Gjergji, Sokol Hametaj, Patriot Salihila, Artan Kojanaj, Shkëlqim Devollaj, etj. Anija ka ditë që lundron dhe kryen patrullime për të siguruar pushuesit e shumtë dhe anijet turistike, kryesisht në hapësirat joniane. Vetëm tre ditë kam qenë në shtëpi këtë muaj më thotë, Kapiteni i anijes, Kap.Lt. Ermal Hila. Sezoni veror na kërkon sa në Palermo, Sazan dhe Vlorë. Këtë detyrë “Butrinti” e realizon duke kombinuar grafikun e lundrimin me anijen “Oriku”. Ato ja dorëzojnë shërbimin njëra-tjetrës në ujërat e Jonit, herë në traversë të shpellës së Haxhi Aliut, Gjirit të Gramës, të Bristanit, të Dafinës apo në Mezokanal. Oficerët janë gjithnjë në zbatim të urdhërave të Komandant Ermalit dhe Ilirit, në krye të detyrës. Fillimisht efektivi pjesmarrës në operacion u rreshtua në molin ku ishte bregëzuar anija “Butrinti”. Këtu drejtuesit e operacionit, Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj, Major Shkëlqim Cela i EOD dhe Kapiten Krist Katundi i Policisë Ushtarake, dhanë udhëzimet të vecanta për masat e sigurisë në zbatimin e këtij operacioni specifik. Ndërsa Komandant Ermali i kërkoi zbatimin rigoroz të masave të sigurisë në anije, pasi dhe shumica e pjesmarrësve në operacion imbarkoheshin për herë të parë në bordin e saj. Plus kësaj në anije kishte materiale që do ta shkulnin nga rrënjët iriqin e detit. Mbasi u siguruan se gjithëshka ishte në rregull, komandant Ermali urdhëroi nisjen e anijes. Menjëherë ekuipazhi zbatoi detyrat funksionale dhe “Butrinti” u c’bregëzua qetësisht nga baza e Pashalimanit. Ishte një ditë e qetë dhe anija, mbasi la fenerin hyrës të bazës cau me shpejtësi drejt rajonit të caktuar. Ndërkohë miqtë e shumtë ushtarakë në anije sodisnin pamjen që të afronte në të majtë gadishulli i Karaburunit dhe bukuritë e gjirit të Raguzës, Shën Vasilit, Shënjanit dhe përballë ishulli ynë i Sazanit. N/oficerët e Policisë Ushtarake Arjan Allmuca dhe Primo Gjuraj, pjesë e operacionit, sodisnin me kërshëri këtë kombinim magjepës det-tokë të natyrës. Kemi kryer me qindra detyra në tokë, herë e parë që i bashkohemi një operacionin në det, ndaj e quajmë veten me fat që jemi këtu sot, thonë ata. Po ndërsa “Butrinti” po i afrohej ishullit, komandat dhe thirjet në Urën e Komandimit shtoheshin nga minuta në minutë. Meraku ishte i madh, sepse lajmërimi i subjekteve ishte bërë një ditë më parë, ndërsa në gjirin e Japrakut po lëvizte një skaf, me sa duket s’dintë gjë. Por në ndjekje të tij u vu skafi i “Butrintit”. Tashmë thuajse gjithë ekuipazhi i anijes di ta drejtojë këtë skaf, dhe me sa pashë këtë punë ata e bënin me qef. Kështu skafi i “Butrintit” dhe skafi i zhytësave tanë, mbasi bënë verifikimin, kontrollin dhe pastrimin e rajonit nga këto mjete filluan transportin e personave dhe materialeve në vendin ku “iriqi” i detit kishte bërë fole.
Nga praktika mësimore në operacion real
Kështu i qëlloi 16 djemve të kursit të I-rë për asgjësimin e municioneve me eksplozivë. Por ndërsa ata në tokë kishin bërë dhjetra shpërthime, këtu në det situata është më komplekse, me plot të papritura e vështirësi. Natyrisht për këtë ata u instruktuan nga specialisti ynë Kap.Lt.Lace Hila, por dhe grupi ynë i zhytësave pjesmarrës në kurs, Kapter H. Velaj, N/tetar L.Beqaraj, N/tetar F. Sina, L.Jaupi e A.Bani. Duhesh kombinuar aftësia e zhytjes me kujdesin e vendosjes së ekspolizëve. Të parët që shkuan në vendin e caktuar ishin N/kolonel Arif Curaj, major Shkëlqim Cela dhe instruktorët e kursit, kapiten Klodiani, Vladimiri, Artani dhe kapter Xhovalini. Ata ngritën një Vendkomandë provizore në breg për asgjesimin e “iriqit”, afër një kabël larg. Më pas veterani i zhytësave kapter Sazan Pashollari dhe lejtnant Geisi Ago me skafin e tij transportoi djemtë e tjerë që u zhytën në thellësi dhe me kujdes vendosën materialin shpërthyes. Të gjithë vepronin me kujdes e maturi duke zbatuar instruksionet përkatëse. Vërtet “iriqi” ishte në thellësi disa djujm, por vendosja e materialit shpërthyes, identifikimi i kokës së silurës në fundit e detit, i hëngri kohë mjeshtrave tanë. “Iriqi” kishte mbi 70 vjet atje dhe ishte bërë një trup me shkëmbinjtë, llumin dhe bimësinë nënujore. Meraku ishte i madh, të gjithë i kishim drejtuar sytë tek vendi i “iriqit”. Pultin e shpërthimit e mbante Komandanti i kursit EOD, major Shkëqim Cela. Vetëm mbasi u siguruan 100% se rajoni ishte i pastër, gjërat ishin në vendin e duhur, njerzit kishin zenë distancën e caktuar dhe skafi i “Butrintit” kishte siguruar rajonin nga Kepi i Jugut në Gjirin e Shënkollit, atëherë “Butrinti” me kujdes doli në vendin e drejtimit të operacionit. Sekondat në këto raste janë makth. Do shpërthejë?! do asgjesohet “iriqi”, apo jo?! Por, në sytë e major Shkëlqimit shihja siguri. E pashë që qetësisht shtypi pultin dhe afër një milje para nesh u dëgjua shpërthimi dhe më pas shtëllynga e tymit në formë kërpudhe që ju mbivendos shpatit të kepit të Kalamit. Një britmë gëzimi shoqëroi shpërthimin nga djemtë me uniforma të ndryshme që qarkonin kuvertën e anijes “Butrinti”. Ju bashkova dhe unë gëzimit të ligjshëm të këtyre djemve. Njëherësh u ndjeva krenar si ishushtarak. Kemi dhe djem që ja bëjnë bam?- thashë me vete. Krijova besim në vetvete për këta djem që i ndoqa hap pas hap në gjithë dinamikën e këtij operacioni të vështirë. Ndjeva keqardhje për zërat keqdashës e dyshues të disa njerzve për aftësitë e djemve tanë, por nga ana tjetër duhen parë mundësitë e trajtimit rigoroz të tyre. Ndërsa uniformat tre llojëshe po gëzonin përfundimin me sukses të operacionit, trageti “Europianseaways” na përshëndeti me sirenë nga Mezokanali, pak më tutje një velierë përshkoi qetësisht gjirin e Japrakut duke shprehur mirënjohje për këtë veprim tonin. Ajo e sigurt mori drejtimin për në portin e Vlorës. Mbas këtij operacioni të sukseshëm, ushtarakët pjesmarrës me shpejtësi mblodhën materialet dhe u bënë gati për t’u rikthyer në bazën e Pashalimanit. Tashmë në anije kishin lindur miqësi të reja, sepse në mëngjes ata nuk e njihnin njëri-tjetrin, por në kthim degjoje biseda me zë të lartë, foto të përbashkëta, urime, shkëmbim telefonash. Kishte shumë sinqeritet e thjeshtësi midis këtyre djemve. Nuk kishte kuptim tjetër, ishte një miqësi e pagëzuar në një operacion real, në një beteje të vërtetë me “iriqët” e detit. Kemi djem të përgatitur, mjaft kapitenë e togerë, thotë një nënoficer i vjetër i EOD. Epo duhen tu hapet rruga, ja pret tjetri. Koha iku shpejt gjatë kthimit dhe në cerekun e orës anija “Butrinti” u bregëzua qetësisht në molin e Pashalimanit. Ushtarakët u kujdesën që baza materiale përsëri të cohej me masa sigurie në vendin e caktuar. Ata u përshëndetën përzëmërsisht me njëri-tjetrin dhe morën drejtimin e vendndodhjes së tyre. Kishin shënuar një ditë të vecantë në kalendarin e tyre dhe dukeshin të freskët, pa asnjë shënjë lodhje. Por “Butrintin” e priste lundrimi i radhës. Ajo po atë ditë do zvëndësonte “Orikun” në kordinatat e caktuara për të siguruar pushuesit e këtij sezoni.
Shtatë ditë më pas…
Operacioni i zhvilluar nga uniformat tona trengjyrëshe i shërbeu direkt forcimit të sigurisë në ujërat tona territoriale. I shërbeu gjithashtu komunitetit dhe turizmit në rajonin Vlorë-Sazan. Tani mjetet turistike të cdo lloji s’do keni frikë nga këta “iriqë” të rrezikshëm, sepse atyre ja tregojnë vendin djemtë tanë me uniformë. Këto veprime janë në përputhje me detyrën e misionin që kanë Forcat tona të Armatosura, por njëherësh dhe në të njëjtën valë me vendimet e qeverisë për zhvillimin e turizmit në këtë rajon. Tashmë opinioni duhet të dijë se nuk ka më as luftë frontale, as luftë partizane në det, por ka operacione që i shërbejnë paqes e sigurisë së vendit dhe rajonit…Shtatë ditë më pas “Butrinti” coi në Sazan 119 turistë të huaj e shqiptarë, duke celur dhe sezonin turistik në këtë ishull. Lundrimi për në ishull mbas shkuljes së “iriqëve” ishte i sigurt dhe normal. Dhe këtë siguri për hapjen e siparit turistik dhe promovimin e turizmit në Sazan e krijuan këta djem që ditë e natë patrullojnë ujërat tona. Jo vetëm këtu por në cdo cep të bregdetit ata janë të pranishëm me moton, prezencë, gatishmëri dhe kontroll të hapësirës sonë detare. Detyra të tilla detarët tanë kryejnë vazhdimisht, ata dinë cfarë bëjnë, duke marrë në sy rrezikun. Ata janë prologu dhe epilogu i turizmit në vendin tonë. Dhe në Ligjin për “Rojen Bregdetare”, Neni 5, pika g, thuhet se Roja Bregdetare ushtron kontroll në zbatimin e legjislacionit për lundrimin turistik, ndërkohë që ka ndihmuar e shpëtuar dhjetra veliera e jahte turistike. Mjaft njerëz fshihen e lavdërohen nga puna e djemve tanë të Rojes Bregdetare. Nuk e di, a është shkruar nonjë rresht për rolin e Rojes Bregdetare në “Ligjin e ri të Turizmit”, të miratuar këto ditë nga Kuvendi Popullor. Gjithsesi nga ai pozicioni im në kuvertën e urës së Komandimit të anijes “Butrinti” i uroj djemve të detit fat e mbarësi në përmbushjen e misionit të tyre fisnik.
Sazan, korrik 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- …
- 100
- Next Page »