Tirane,8 korrik 2015-Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti në një takim Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.S.Znj. Angela Merkel, e cila ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare në kuadrin e një turi diplomatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe falënderimet në emër të qytetarëve shqiptarë për vëmendjen e mbështetjen që Kancelarja Merkel dhe Gjermania në tërësi po i japin vendit tonë si dhe për kontributin e madh ndër vite që institucionet dhe populli gjerman kanë dhënë për zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Duke theksuar se sot është një ditë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve, Kreu i Shtetit u shpreh se: “Kjo vizitë përbën një mesazh i rëndësishëm inkurajues për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët shohin tek Gjermania një vend simbol të punës, dinjitetit dhe prosperitetit”.
Nga ana e saj, Kancelarja gjermane u shpreh se: “Jam tejet e impresionuar nga përparimi i bërë nga Shqipëria pas viteve 1990-të, duke ditur dhe kuptuar vështirësitë historike nga jeni nisur dhe çka keni arritur deri më sot”.
Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria është e vendosur të vijojë me rrugën e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se: “Integrimi evropian mbetet alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët.”
Presidenti i Republikës theksoi se ndërtimi i institucioneve efikase dhe kultura demokratike janë dy sfidat madhore të vendit, dhe në këtë kontekst kërkoi vijimin e mbështetjes gjermane. Gjithashtu Presidenti siguroi se ndër 5 prioritetet e integrimit evropian, përparësi të veçantë merr reforma në drejtësi, duke e garantuar Kancelaren për angazhimin e tij maksimal në çuarjen e kësaj reforme përpara.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se përkundër pretendimeve për një lodhje evropiane ndaj zgjerimit, ajo çfarë e shpejton procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe vendeve të tjera janë reformat e thella e të suksesshme. Zonja Merkel veçoi reformën në drejtësi si çelësin e këtij suksesi, për të cilën Gjermania do të vazhdojë të japë ndihmën maksimale.
Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, dhe veçanërisht rritja e investimeve direkte gjermane, ishte një prej temave të tjera të diskutuara mes Presidentit Nishani dhe Kancelares Merkel. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se: “Investitorët gjermanë do të gjejnë tek Kryetari i Shtetit shqiptar një zë të fuqishëm dhe mbështetës”, duke shpresuar që kjo të ndodhë sa më parë.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se ka mundësi dhe shanse për bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, duke parë tek Shqipëria potencialin për një të ardhme të shkëlqyer përpara.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit rajonal, për të cilën Kancelarja Merkel përshëndeti zhvillimet pozitive dhe frymën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Duke shprehur vullnetin e Gjermanisë për ta ndihmuar rajonin në realizimin e projekteve rajonale zonja Merkel veçoi projektin e shkëmbimeve mes të rinjve, sipas modelit franko-gjerman. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria beson tek fqinjësia e mirë, paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit dhe se konsideron që vendet tona kanë një shans historik për të bashkëpunuar me vullnet të mirë.
Kreu i Shtetit u shpreh se procesi i nisur një vit më parë në Berlin, me nismën e Kancelares e që do të vijojë këtë vit në Austri, i ka dhënë një vizion dhe optimizëm të ri bashkëpunimit rajonal, duke prodhuar një komunikim, bashkërendim dhe koordinim më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një temë tjetër me interes ishte dhe çështja e azilkërkuesve, për të cilën Kancelarja gjermane theksoi se duhet të bëhet më shumë punë për përmirësimin e kushteve ekonomike të njerëzve në vendin e tyre, dhe se shqiptarët sot janë qytetarë të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe si të tillë kërkesat për azil përbëjnë një shqetësim.
Archives for July 2015
VEÇOJMË NGA VIZITA E KANCELARES MERKEL NË TIRANË
*Angela Merkel: Ju mbështesim në rrugën drejt BE-së/
*Kryeministri Rama: Europa ka nevoje per Ballkanin Perendimor/
Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me znj. Angela Merkel, tha se kancelarja gjermane e kupton vështirësinë dhe përpjekjen e Shqipërisë “në rrugën drejt një demokracie europiane”. Rama e falenderoi kancelaren Merkel në emër të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen ndaj vendit në aspiratën për integrim në BE./
Fillimisht në fjalën e tij, Rama i ka shprehur mirënjohjen e tij kancelares Merkel për “dorështrëngimin e Shqipërisë dhe Gjermanisë”, që nënkupton, sipas tij, vëmendjen e Berlinit ndaj rajonit për çështje shumë të gjera.
“Kjo vizitë është një fakt kuptimplotë i bashkëpunimit dhe vullnetit për të forcuar partneritetin mes nesh. Zonja kancelare, ju falenderoj për mbështetjen tuaj për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin e saj”, ka thënë Rama.
Ai ka vlerësuar se “konferenca e Berlinit përshpejtoi një proces bashkëpunimi në një rajon që ka qenë peng i së shkuarës” dhe një vit prej andej është arritur një progres i pamenduar më parë, që kulmoi me vizitat e kryeministrave në Beograd dhe Tiranë.
“Ne jemi të vendosur të ecim përpara me fqinjin tonë serb, duke përforcuar marrëdhëniet me të”, ka thënë Rama, i cili sa i takon integrimit të rajonit në BE ka thënë: “Ballkani ka nevojë për Europën po aq sa Europa ka nevojë për Ballkanin. Ne synojnë të gjithë aderimin në BE, por edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj, duke mos e trajtuar integrimin tonë si një biznes”.
“Ne nuk kërkojmë lehtësime apo shkurtime të kushteve nga Brukseli dhe ato që po bëjmë për integrimin po i bëjmë jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse i kërkon vetë shoqëria shqiptare”, ka përfunduar Rama.
Nga ana e saj, kancelarja Merkel ka shprehur “kënaqësinë e madhe” të saj që mbajti premtimin për të ardhur në Tiranë. Ajo ka theksuar se, kjo vizitë duhet të shërbejë si shtysë për të forcuar partneritetin ekonomik mes dy vendeve.
“Shqipëria ka bërë një progres mjaft të madh. Kemi mundesi më të mëdha për të arritur nivele të tjera në bashkëpunimin ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik është një aspekt që shënon një pikë të rëndësishme në rrugën tuaj drejt BE-së”, ka thënë Merkel.
Përmes bashkëpunimit, ka nënvizuar kancelarja, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat më të mira për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Një tjetër pikë ku është fokusuar ajo ka qenë edhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit, aspekt në të cilin, sipas saj, është bërë progres me vizitën e kryeministrit Vuçiç në Tiranë dhe atë të kryeministrit Rama në Beograd.
Më pas, përballë pyetjeve të mediave sa i takon procesit të integrimit dhe afateve të mundshme të tij, kancelarja dhe kryeministri shqiptar kanë dhënë këto përgjigje: “Nuk po përcaktojmë afate të qarta në procesin e integrimit, ajo ku jemi fokusuar është kryerja e reformave. Në reformën në drejtësi janë bërë progrese, por nuk është realizuar tërësisht. KE i kushton rëndësi të plotë kësaj. Ne e duam anëtarësimin e vendit tuaj, por është një proces që merr vlerësimet gradualisht”.
“Në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha kushtet, përfshirë paketën për reformën në drejtësi. Integrimi është një proces që në radhë të parë vlerën e ka këtu dhe për ne. Ato që bëjmë janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit. Kur të kemi plotësuar këto kushte, unë jam i bindur se kancelarja Merkel do të jetë e para që do të na mbështesë”, ka thënë Rama.
Merkel:JO AZIL NGA SHQIPERIA, Kërkojmë fuqi punëtore të kualifikuar
Në lidhje me çështjen e azilantëve, kryeministri Edi Rama nënvizoi edhe një herë tjetër se “shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE”, por nga ana tjetër tha se ky është një problem social që mund të lehtësohet me ndihmën e BE-së.
“Shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE, por kjo çështje duhet parë jo vetëm si çështje sigurie, por si një problem social që lehtësohet përmes mbështetjes ekonomike të BE-së ndaj vendit tonë”, tha Rama.
Ndërsa kancelarja Merkel tha se “Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të njihen si azilantë”. “Por bën pjesë tek ato vende që mund të ofrojnë fuqi punëtore të kualifikuar”, shtoi ajo.
Merkel dhe Rama fjalim nëforumin ekonomik Shqipëri- Gjermani
“Bashkëpunimi ekonomik, baza e partneritetit”/
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e përmbylli vizitën e saj në vendin tonë me pjesëmarrjen në forumin ekonomik Shqipëri- Gjermani, të organizuar në Vorë, pranë aeroportit të Rinasit.
Edhe këtu kancelarja gjermane i tregoi Shqipërisë, e cila tashmë e ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, që nuk ka pse të dërgojë emigrantë jashtë vendit, pasi Gjermania ka kërkesa për fuqi punëtore dhe Shqipëria i ka këto kapacitete të punonjësve të kualifikuar.
“Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe këtë e merr një vend që ka krijuar kushtet bazë për t’u anëtarësuar dhe Shqipëria nuk ka pse dërgon emigrante jashtë vendit. Gjermania ka kërkesa për fuqi punetore dhe Shqipëria i ka këto kapacitete të punonjësve të kualifikuar. Unë dëshiroj t’ju inkurajoj në formimin profesional, pasi do të krijonte mundësine që të rinjtë të jenë të suksesshëm në fusha të caktura. Ne në Gjermani mund të mbështesim kualifikimin profesional të punonjësëve, si infermiere apo ekuivalentimit të diplomave”-tha Merkel.
Në fjalën e mbajtur në “Tirana Business Park” , Merkel vlerësoi shumë të rëndësishme marredhëniet ekonomike mes Shqipërisë e Gjermanisë.
“Është kënaqësi që shoh në këtë takim personalitete të shquara të biznesit gjerman. Kemi folur se çfarë mund të bejë politika dhe sipërmarrësit për intensifikimin e marredhënieve mes dy vendeve dhe ekonomia gjermane është e gatshme të investojë në Shqipëri kur ka garanci ligjore. Hapësirat e bashkëpunimit janë të mëdha në energji dhe në shumë fusha dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”- u shpreh ajo.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama duke i konsideruar si mjaft të rëndësishme investimet gjermane në vendin tonë, i shprehu mirënjohjen familjes Linder, e cila ka investuar 1200 milionë euro në vendin tonë.
“Kjo është një ditë e shënuar për raportet me Gjermaninë. I jemi shumë mirënjohës familjes ‘Linder’, jo vetëm sepse ka vendosur të investojë 100 milionë euro në vendin tonë, por sepse përmes këtij investimi po sjell një copëz Gjermanie në zemër të Shqipërisë. Po sjell një sipërrje të lirë si kontirubut ekonomik, social, urban. Një urë veprimi ku nuk do të qarkullojnë vetëm para, por edhe ide dhe kulturë baskëpunimi”-tha Rama.
Duke iu referuar, ‘Tirana Busines Park’, Kryeministri Rama theksoi se, “këtu parashikohet të punësohen deri në përfundim të investimit rreth 10 mijë vetë.
Por e rëndësishme është edhe fakti se sipërmarrja gjermane promovon biznesin në marrëdhëniet me ligjin dhe shtetin. Vendi ynë ka nevojë për para dhe punësim real, ndaj dhe sipërmarrja gjermane do të promovojë një kulturë të re pune në vendin tone”, tha Rama, i cili shtoi se me Gjermaninë diferencohemi jo vetëm me të ardhurat për frymë por edhe në dije.
Gjithashtu kryeministri solli shembullin e burimeve ujore dhe shfrytëzimin e tyre, që pavarësisht parasë së donatorëve vendi ynë vuan furnizimin me ujë dhe energji , edhe pse është vendi dytë më i pasur në Europë pas Norvegjisë.
Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se donatrët kanë investuar edhe në rritjen e kapaciteteve.
“Donatori KFW nuk ka investuar vetëm në infrastukturë, por edhe në rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes përcjelljes së dijes tek shqiptarët mbi sistemin e dijes dhe administrimin e dijes. Pra është një ndihmë që krijon sistem dhe sjell një kulturë të re menaxhimi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, “Jemi në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar për vendin tonë ndër vite të tëra dhe me korrupsionin në drejtësi që është një kancer.
Presidentja Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme, Baroneshën Joyce Anelay
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme dhe përfaqësuesen speciale të Kryeministrit britanik për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baroneshën Joyce Anelay me të cilën diskutuan për iniciativat institucionale dhe shoqërore në Kosovë për t’i rehabilituar dhe reintegruar të mbijetuarit e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera në vend dhe rajon.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Baroneshën Anelay për angazhimet ndërinstitucionale për t’iu ofruar mbrojtje ligjore dhe për të forcuar statusin juridik në shoqëri të mbijetuarve të këtij krimi të luftës. Presidentja Jahjaga theksoi se kjo kategori në Kosovë tashmë ka statusin e viktimave civile të luftës dhe që me nxjerrjen e akteve nënligjore do të njihen dhe mbrohen si grup i margjinalizuar. Ajo foli edhe për nevojën që të mbijetuarit e dhunës seksuale të fuqizohen ekonomikisht për t’iu krijuar një të ardhme më të qëndrueshme, dhe për të mundësuar qasje të barabartë në drejtësi në përpjekje për t’i vënë para drejtësisë kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme. Presidentja i dhuroi një kollazh fotografish nga instalacioni artistik Mendoj për Ty që u është dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale, fushatë për të cilën kishte dhuruar fustanin e saj të veshur në një moment të veçantë të karrierës së saj.
Në takim ku morën pjesë Ambasadori i Republikës së Kosovës në Britani, zotëri Lirim Greiçevci dhe Ambasadori britanik në Kosovë, zotëri Ruairi O’Connell, Presidentja Jahjaga falënderoi Baroneshën Anelay për rolin e shtetit të saj dhe lidershipin që ka dëshmuar për senzibilizimin e botës dhe përpjekjet konkrete për t’i dhënë fund dhunës seksuale si mjet lufte. Ajo në veçanti falënderoi Baroneshën për përkrahjen e qeverisë britanike institucioneve të Kosovës në përballjen me këtë pasojë të luftës.
Në takim gjithashtu u diskutua për zhvillimet rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga shprehi zhgënjimin e saj me mosvotimin e amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale dhe theksoi se pret nga institucionet e vendit të gjejnë mënyrën dhe kurajon që të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar në përputhje me vendimin e Kuvendit dhe të marrëveshjes ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga e siguroi Ministren britanike se Kosova është shtet që beson në drejtësi dhe që do të veprojë mbi këtë parim.
Ministrja Anelay falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen viktimave të dhunës seksuale dhe për përkushtimin e saj ndaj drejtësisë.
DESHMI PER KUFINDARJEN E KOSOVES ME MALIN E ZI
Nga Rexhep DEDUSHAJ/
Koheve te fubdit ka ngjallur shume debate dhe mbetet aktual ratifikimi i kufirit ne mes te Kosoves dhe Malit te zi.
Per te siguruar me mire se kah shtrihet vija kufitare e vertete,biseduame me Avdi Brahim Nokshin, Gjyshi i tij,Zhuji kishte rene ne lufte me malazezet ne vitin 1913.Babai(Brahimi(i si shte rritur bonjak.Nga Nokshi kalojne ne Rugove ,e para 35 vitesh vendoset ne Zatra te Pejes,se bashku me 7 djemet e vet.Tre prej te cileve qe nga viti 1980 ndodhen ne Suedi.Investojne ne vendlindje duke e ngritur restorantin modern qe e pagezojne me emrin = KALAJA E NOKSHIQIT = si personifikim i Luftes te Nokshiqit.
Ne ate lufte nga kjo familje kishte mbetur Zhuj Sadiku dhe dy femra – njera ne lufte dhe tjetra ishte djegur ne kulle.
– Qe nga ajo lufte e me pas asnje meshkull ne Nokshiq ,nuk i ka ba 40 vjete,por te gjithe vriteshin ne perpjekje me shkijete – thot Avdiu,
I njejti,me revolte shton se pas vitit 1944,kemi perjetuar shum vuajtje si Nokshiqi ashtu edhe krejte krahina e Plave -Gucise.Ate vit te ndihmuar nga Ferrajt e Plaves ,Imer Maliqi -Bucaj dhe zavendesi i tij ( nenkapobanda (Bali Bajrami -Mekulaj, e mbronin kufirin shume te rrezikuar.
Atbote mbeti i vrare te ura e Murines Lan Selimi i Llukes.Imer Maliqi se leshonte frontin qe nga SJEKIRICA e ne Qafe te Prijedorit ,mbi shekullar.
Prej aty e deri ne Mokna e mbronte kufirin Xheme Bajraktari i Arzhanices .Kur u vra Imer Muca ne Prijedol dhe u varros me Lan Selimin te zhamia e Arzhanices…
Prej Moknave e deri ne Qafe te Cakorrit e mbajten rugovasit.Nderkohe u vra Zheme Bajraktari e Azem Mehmeti – te Arzhanices dhe Bali Bajrami i Nokshiqit qe mbeten ne Shekullar.
Ne Cakorr egzistojne varret e 4 Kukalajve te Drenocit te Decanit dhe ai i Sahit Mehmetit te Logjes.Aty jane edhe dy + kulla te mbretit + dhe varret e Jakup Bulles te Nokshiqit e nje tjeter qe nga viti 1913.
Ne qafe Vraqevw ekzistojne mbi 20 varre deshmoresh nga Rrafshi i Dukagjinit ne krye me Hajdar Jupen e Becit te Gjakoves .Aty ka edhe nokshiqas.
Ne Cakorr si shenje i kufirit eshte edhe kulla ne + Shejtan tepe+Ne Vaganice jane 12-13 varre nga ushtaret e Shaban Polluzhes qe kishte shkuar ne mbrojtje te Sanxhakut.
Te Kershi i Harushes gjendet + Kulla e mbretit + ne bjeshken e Arzhanices ne Mokna.Pastaj + Kulla e madhe = me 52 dhoma ( shtabi kryesor i ushtrise osmane e mbronte kufirin me Malin e Zi (e gjendet ne Pod te Moknave.
Si shenje kufiri eshte edhe guri ku u vra Sokol Cela i Cel Shabanit te fameshem ,i vrare me 1913.Aty afer jane edhe nja 60-70 gur varresh te batalionit te Prizrenit e rane ne lufte ne vitin 1919.
Te Bajram Kulla( ne Qafe te Javorkut (ra dhe u varros deshmori,Grosho Ibra me Ibish Sahitin -te Rugoves me nje tjeter nga Shqiperia londoneze dhe nje nga Kusuriqi i Kosoves ,Te gjithe te gjuajtur ne nje varreze te perbashket.
Nga Maja e prehte deri ne Qafe Bari ,kufirin e mbronte Zhuk Hazhia me vullnetaret e vet.
Prej Qaf Meterizit e deri ne Murgashe kufirin e mbronte Tahir Coli e Sali Rama.
Prej Murgashit e deri ne Smilevice kufirin e mbronte Rize Zymeri me Sak Fazline -bajraktarin ,qe u vra dhe u varros ne Smilevice,vet i treti.
Nga Qafa e Diellit kufiri del te Kershi i Ujkut dhe ne Qafe Vranice.
KY PRA,ESHTE KUFIRI I KOSOVES ME MALIN E ZI I MBROJTUR DHE I LARE ME GJAK,KU GJENDEN ME DHJETRA E DHJETRA VARRE TE DESHMOREVE TE CILET S-BENE TE MBETEN NEN MALIN E ZI ZGRESOT -tha malesori me zemrim…
Shitblerja e votës, varfëria dhe premtimet e pambajtura
Zgjedhjet lokale shqiptare të 21 Qershorit, fenomeni i shitblerjes,parada e premtimeve, fituesit dhe humbësit,shqiptarët dhe ndërkombëtarët, gjithcka në vështrimin e analistit Gavrosh LEVONJA/
Nga Gavrosh Levonja-New York/
“Këto zgjedhje ishin më të mira se zgjedhjet e kaluara…” ishte refreni i radhës i ndërkombëtarëve, të cilin shqiptarët e dëgjojnë prej rreth njëzet vitesh pas përfundimit të zgjedhjeve. Mjafton ky refren, shoqëruar dhe me një analizë të përciptë të zgjedhjeve të mëparshme, për të konkluduar se edhe zgjedhjet vendore të para pak kohëve nuk u kanë shpëtuar problemeve të zakonshme. Kësaj radhe, ndonëse elementët që kishin të bënin me cënimin e normalitetit të tyre si abuzimet nëpërmjet strukturave shtetërore, apo atyre zgjedhore, duke “futur duart” nëpër kuti apo manipuluar numërimin, ishin në një shkallë dukshëm më të ulët, rezultati u ndikua kryesisht nga “shitblerja” e votës dhe roli i “të fortëve” në aspektin ekonomik, numri i të cilëve sa vjen e shtohet nga një palë zgjedhje në ato pasardhëse. Janë pikërisht këta që kanë dhe mundësitë të blejnë votat, jo vetëm për të siguruar mandatet e tyre, por edhe duke “kontribuar” në përgjithësi për forcën politike që i kandidon. E keqja nuk qëndron tek biznesmenët e rregullt, aktiviteti i të cilëve është publik me asete tashmë të verifikuara, por tek ata mbi të cilët rëndojnë hije të forta dyshimesh lidhur me të kaluarën e tyre, mbi të gjitha, përsa i përket aktivitetit nëpërmjet të cilit kanë vënë pasurinë e tyre ose si kanë mundur të jenë aq “popullorë” në zonat e tyre sa të rezultojnë si faktor vendimtar për të ndikuar në prirjet e zgjedhësve për të votuar. Kandidatë të kësaj kategorie ishin dhe objekt i fushatës në kuadër të të ashtuquajturit “dekriminalizim” për të cilin po flitej gjithnjë e më dendur gjatë këtyre muajve të fundit. Duke u ndalur tek “dekriminalizimi” për herë të parë, në një fushatë elektoarle u pa dhe një angazhim direkt i përfaqsuesve diplomatikë të akredituar në Tiranë, ku natyrisht vlen të përmendet thirrja dramatike e ambasadorit amerikan i cili duke i u drejtuar elektoratit shqiptarqë të mos votonte të inkriminuarit, u shpreh hapur se “ata nuk do të merreshin më zgjidhjen e problemeve të popullit, por do ta shfrytëzonin pushtetin për “Benzat” e tyre”. Sipas një logjike fare të thjeshtë, shitblerja e votave është e lidhur ngushtë me elementë të ardhur nga “malavita” ose më e pakta nga individë që kanë arritur objektivat e tyre duke përdorur forma, mjete të pandershme e ilegale dhe marrjen e një mandati nga zgjedhësit e shikojnë si një koracë që do t’i mbronte nga cdo e papritur. Gjithashtu, nuk ka si të mos të lindë pyetja që pse duhet të hyjë në politikë dikush që nuk e ka haberin nga politika, dikush që nuk ka as më të voglin kontribut në këtë fushë, përjashto lidhjen nëpërmjet ndonjë afere korrupsioni, ai që nuk njihet për ndonjë aftësi në aspektin administrues etj. Përgjithsisht një person që duke mos pasur asnjë cilësi apo arsye bindëse me të cilën të justifikojë hyrjen e tij në parlament apo për të qenë në krye të ndonjë njësie vendore. Prandaj, një embargo ndaj individëve me të kaluar të dyshimtë duke u mbyllur me mjete ligjore dyert e garave elektorale do të minimizonte disi dhe shitblerjen e votave. Kjo, natyrisht nuk mund të realizohet me avazin e akuzave shpesh të pafaktuara të krahut politik kundërshtar, as nëpërmjet “zbulimeve” të mediave, por vetëm nëpërmjet institucioneve përkatëse që merren me kontrollin e pasurive si dhe prokuroria. Konkretisht, në zgjedhjet e fundit, pavarësisht nga kërkesat për t’i penalizuar, me përjashtim të një rasti, ku PD hoqi nga lista dikë, kandidatët e përfolur për të kaluarën e tyre të dyshimtë, jo vetëm nuk u hoqën nga listat, por disa prej tyre edhe u votuan nga elektorati. Tani, përsa i përket atyre kandidatëve dhe forcave politike, të cilat justifikojnë humbjen e tyre me “shitblerje vote” apo nëpërmjet angazhimit të “të fortëve” nga ana e forcave fituese, nuk kanë asnjë të drejtë të akuzojnë elektoratin pse shet votën. Pjesa dërmuese e votuesve shqiptarë duke qenë se jetojnë në një varfëri ekstreme, janë të gatshëm të pranojnë cdo lloj lëmoshe pavarësisht në c’mënyrë dhe nga cili u jepet duke mos pasur nge të mendojnë gjatë përpos faktit që me paratë e votës do të mbyllin një apo disa vrima të vogla të buxhetit familjar. Në kushtet e mësipërme, kushdo që të ishte, do të preferonte “një dorë para” një herë në dy vjet në shkëmbim të votës se sa një të ardhme të begatë, por tejet të dyshimtë përsa i përket shndërrimit në realitet. Në këtë aspekt, mund të thuhet se shitblerja e votës është në radhë të parë rrjedhojë e paaftësisë së politikës shqiptare për të bërë një shtet në shërbim të qytetarit, një shtet me ekonomi normale, ku të zbatohen rregullat e lojës dhe ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Kështu, një votues, i cili, për një kohë të gjatë ka problem mbijetesën, ku të drejtat e tij shkelen sa nga “të fortët” sa nga institucionet shtetërore tashmë “të kapura”, duke mos parë asnjë lloj ndryshimi pozitiv, nga alternimet në pushtet, ka plotësisht të drejtë të mendojë sipas parimit “më mirë një sorrë sot se një pulë mot”. Se është më mirë ta shesë votën se sa ta hedhë në ndonjë kuti votimi, në favor të ndonjë partie, përfaqësuesit e së cilës nuk do ta shohin më me sy deri në zgjedhjet e ardhshme. I stërmësuar me premtimet e pambajtura gjatë njëzet e pesë viteve duke mbetur vetë gjithmonë “trokë”, shtoji kësaj dhe dyshimet se me votën e tij mund të bëjnë c’të duan, duke filluar nga numërimi, llogaritja e saj në favor të kundërshtarit apo cilësimi si “e pavlefshme”, shqiptari i thjeshtë nuk sheh alternativë më të mirë se shitja e votës. Prandaj, partitë dhe përfaqësuesit e tyre, para se të ankohën duke akuzuar kundërshtarin për “blerje” të votave duhet të hedhin një herë shikimin prapa; sa kanë realizuar nga premtimet e tyre gjatë fushatave elektorale kur kanë qenë në pushtet. Në rast se bëjnë një gjë të tillë, ma do mendja se pakkush nga radhët e politikës shqiptare do të ketë “sy e faqe”, e të drejtë morale të shkojë t’u kërkojë vota në të ardhmen atyre të cilët i ka mashtruar duke shkelur kontratën e bërë nëpërmjet premtimeve elektorale.
- « Previous Page
- 1
- …
- 70
- 71
- 72
- 73
- 74
- …
- 100
- Next Page »