PRISHTINË, 6 Korrik 2015.-Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Itali.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të zhvillojë një takim pune me ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Paolo Gentiloni, me të cilin do të bisedojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon si dhe bashkëpunimin e Kosovës me Bashkimin Europian.
MPJ kosovare thekson se, nënshkrimi i MSA-së, bashkëpunimi rajonal me theks në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, lufta e përbashkët kundër radikalizmit dhe terrorizmit si dhe përmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga ana e Kosovës, janë temat që do të diskutohen në takim.
Italia është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovë, është mbështetëse e madhe e Kosovës dhe anëtare e “Quint”-it, grupit të pesë shteteve perëndimore që përkrahin Kosovën në procesin e integrimit euroatlantik./B.J/
Archives for July 2015
Fushë Krujë, Shtëpia që “mbjellë’ Paqe në Shqipëri
Nga Ahmet ZANI/
Konfliktet e lindura gjatë peridhës së gjatë të tranzicionit në Shqipëri, dhe fenomeni i gjakmarrjes, një traditë e cila nga mbetur në mjedisin shqiptar, kanë shkaktuar plagë të rënda në shoqërinë tonë. Ky fenomen është i përhapur konkretisht në zonat rurale dhe sidomos në pjesën veriore të vendit. Në vendin tonë dikur vepronte ligji i Kanunit, ka lënë gjurmë të thella. Ndoshta kjo vjen edhe nga fakti i mosveprimit efikas të shtetit. Kur nuk vepron Ligji, vepron Kanuni. Shteti dhe Ligji, ende nuk po veprojnë për të ndihmuar shtresa që vuajnë nga fenomeni i konflikteve apo më rëndë i gjakmarrjes.
Për t’u ardhur në ndihmë familjeve që vuajnë nga konfliktet e ndryshme në Shqipëri operojnë disa organizata, që kanë krijuar përvojë në zgjidhjen ligjore të këtyre çeshtjeve.Një ndër to është edhe Shtëpia e Paqes në Fushë Krujë.
Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar po operon prej nga viti 2009 me qendër në qytetin e Fushë Krujës me një shtrirje gati në tërë vendin. Roli i kësaj organizate ka dhënë frytet e saja duke shuar mjaft konflikte dhe çeshtje konfliktuale tepër problematike. Krijimi i kësaj organizate ka ardhur si kontribut nga disa njerëz që kërkojnë bashkpunim në arritjen e minimizimit të fenomeneve që rëndojnë shoqërinë. Janë persona që kanë kredibilitet në shoqëri, intelektualë dhe aktivistë të cilët ushtrojnë veprimtari aty ku plaga e rëndë e gakmarrjes ka rënduar një pjesë të shoqërisë shqiptare. Këta burra nuk reshtin të dhurojnë paqe të shuajnë konflikte të bëjnë pajtime duke ofruar gëzimin e munguar ku i dhembin atyre familjeve që përjetojnë ankth dhe nuk gëzojnë liri si tërë shoqëria.
Agim Loci drejtor Ekzekutiv i i SHDPK ( Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar), dallohet si një nga organizatorët dhe kontribuesit me peshë në këtë fushë, i ndihmuar nga mjaft iniciatorë të tjerë që në vijimësi operojnë aty ku ndihet kjo plagë e shoqërisë.
Z. Loci prej disa kohësh ndodhet në SHBA në disa aktivitete i cili ka treguar për angazhimin e tij dhe ndihmesën nga organizata të këtij vendi për t’i ardhur në ndihmë kësaj organizate në Shqipëri. Ai tha për gazetën se është në bashkëbisedime me partnerë nga Amerika, dhe se po bën përpjekje në përmirsimin e rolit të veprimtarisë së kësaj organizate në vendin tonë. Ai ka organizuar disa veprimtari në Nju Jork dhe ka marrë pjesë në veprimtari të komunitetit atje.Gjithësesi në Shqipëri organizata vazhdon normalisht veprimtarinë e saj.
Rezultatet e kësaj organizate duket sa kanë dhënë efektet pozitive. Misionaret e Paqes punojnë në terren dhe natyrshëm vështirësitë janë prezente, por këta kontribues nuk e kanë ndalur veprimtarinë e tyre duke arritur dhe rezultate konkrete. Sa dëshmon drejtori ekzekutiv Agim Loci mënyra e ndërmjetësimit për të arritur pajtmin është një proçes shumë i vështirë por jo i pamundur. Vështirësitë janë hasur sidomos tek nënat e viktimave duke sjellë në kujtesë dy raste në Kamzë. Më tej ai ka shtuar se shqiptarët po i thërrasin arsyes dhe logjikës duke shtrirë dorën e pajtimit. Po vijojmë me institucionet shtetërore dhe disa organizma bashkpunimin në minimizimin e këtij fenomeni. Në këtë vit priten që 11 familje të arrijnë të shtrijnë dorën e pajtimit, c’ka është sukses për tërë shoqërinë.
Shtrirja e kësaj organizate të misionit të Pajtimit është në Shkodër, ku bashkpunojnë Zef Dani, Simon Tarazaj, Fran Kelmendi, në Lezhë Xhek Bushi nga Kruja dhe Zef Nikolli gjithashtu në Krujë ,Haziz Aruçi, Artur Karaj , Xhavit Cangu, Kujtim Shima, ndërsa në Tiranë Riza Loci , Kujtim Kolaveri dhe grupe të tjera në disa rrethe të vendit. Të gjitha këto pajtime janë nën kujdesin dhe prioritetin e drejtori ekzekutiv Agim Loci i cili për ambjente dhe aktivitete që organizohen ka hapë dyert e shtëpisë së tij në Fushë Krujë.
Në këto prçese pajtimi një rol të veçantë po luajnë dhe punonjëset sociale dhe psikologe që punojnë në terren në bindjen e nënat dhe motrat e viktimave, siç janë Enkelejda Kotarja, Ueda Damjani etj., që duhen përgëzuar për ndihmesën e tyre.
Nga të dhënat rezultojnë se në tërë këta zona ku operon kjo organizatë janë rreth 300 familje të ngujuara që ndahen në tre kategori, nga këta 200 janë në ngujim të plotë, 70 të pjesshëm që dalin me frikën e gjakmarrjes dhe 30 të tjera ruhen plotësisht për t’ju ruajtur konflikteve. Sakaq për fëmijët e ngujuar janë organizuar shumë aktivitete mbreslënëse pranë shtëpisë së Paqes në Fushë Krujë për t’ë larguar sado pak nga vemendja e brezave të rinj frikën dhe dëshpërimin. Një organizatë e tillë është ngritur dhe në Amerikë, ka informuar Loci duke dhënë dhe asistencë dhe bashkpunim ndërinstitucional kundër gjakmarrjes në shërbim të punës në vendin tonë.
Për këtë organizatë kanë dhënë falenderime shumë institucione, individë por më së shumti mbetet institucioneve të mbështesin iniciativën e organizatës Shtëpi e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar në Fushë Krujës.
Disa gazetarë të huaj kanë inspektuar zona të vendit tonë aty ku janë famlije të ngujuara për të ndjekur fenomenin e ngujimit ndërsa kanë lënë mbreat e tyre nga misioni i kryer nga kjo organizatë.
Organizata, përmes drejtorit Ekzekutiv dhe akivisteve, ka marrë pjesë për të parën herë ne Paradën Ndërkombëtare të Emigrantëve, organizuar në Nju Jork me 20 Qershor 2015.
Gazetarja rumune: Pse vodhi Shqipëria zemrën time
Olivia-Petra Coman, një gazetare udhëtimesh rumune, përshkruan në blogun e saj mbresat e mrekullueshme nga udhëtimi më i fundit në Shqipëri.
Në blogun e saj, ku ka postuar dhe foto nga udhëtimi në vendin tonë, ajo shkruan se Shqipëria ka ujëra të kaltra, lumenj ftues dhe kanionët më të bukur që ajo ka parë ndonjëherë. Komentet e saj janë befasuese ndërsa shkruan se ndërsa vizitoni Shqipërinë do të ketë momente kur do t’ju duhet të pickoni veten dhe të pyesni – Jam ende në Europë? – e kjo do të jetë një veprim i vazhdueshëm.
Ndër pikat kryesore ajo veçon malet e larta ku ovacionet habitore (e thirrjet woow) do të jenë pjesë e çdo bisede, madje edhe në momentet kur shpirtin t’a kaplon trishtimi; pasi pas detit nuk ka më mirë se një udhëtim për t’u ngjitur sa më lart drejt maleve.
“Mund të flesh në det dhe të zgjohesh herët për të bërë një xhiro me kayak ose të bësh sërf në dallgët e detit, e më pas të shijosh një mëgjes të lehtë në bregdet. Do të pyesni sërisht: Vërtet isha në ato ujëra ngjyrë safiri? e do të ndiheni udhëtari më me fat kur do t’i shihni sërisht poshtë jush ndërsa qëndroni mbi shkëmbinjtë aty pranë”, shkruan Olivia-Petra Coman .
Sipas gazetarës që eksploron vende të ndryshme të rajonit, Shqipëria është toka e aventurës për të gjithë ata që dëshirojnë të provojnë rafting, të shëtisin me kayak, me canoe, të ngjiten në mal apo të udhëtojnë me makina.
Ndër rekomandimet e saj ajo përmend dhe Grupin e Albanian Rafting si më të mirët, ndërsa shton se argëtimi në vendin tonë bëhet në formën e vjetër origjinale e unike, me lojra e të qeshura deri në lot, me piknike e ndalesa spontane kudo ku dëshiron.
Butrinti, Kalaja e Beratit dhe ajo e Gjirokastrës janë ndër pikat e trashëgimisë kulturore që gazetarja Petra përshkruan në blogun e saj si elementë antikë që sipas saj është ende e çuditshme sesi qëndrojnë të fshehta nga turizmi masiv, e që për të përcjellin ndjenjën e të kaluarës dhe kohës që qëndron në vend.
“Specialitetet tradicionale ushqimore dhe ëmbëlsirat mbeten në mendje javë të tëra pasi i ke provuar. Njerëzit janë të jashttzakonshëm: të mirë, të ngrohtë, të respektueshëm, ndihmues dhe mbështetës! Shqipëria është padyshim një nga vendet më mikpritëse në Glob”, shkruan më tej turistja e impresionuar nga vendi ynë.
“Do të ndiheni të trishtuar dhe nostalgjikë kur t’ju duhet të largoheni dhe zgjidhja e vetme do të jetë planifikimi i rikthimit sa më parë!”
Ashtu si në të gjitha historitë e mëdha dhe të papritura të dashurisë, ka momente kur duhet të largohesh por bukuri si Shqipëria mbeten gjithnjë në mendje, përfundon gazetarja e udhëtimeve rumune përshkrimin e udhëtimit të saj në Shqipëri.
Blogu i gazetares Rumune të udhëtimeve:
http://mychessboardmygame.blogspot.ro/2015/07/why-did-albania-steal-my-heart-again.html?m=1 /s.b/ /a.g/
Merkel: Referendumi grek nuk lë hapësira për bisedime ndihme
BERLIN, 6 korrik /– Zëdhënësi i qeverisë gjermane deklaroi se kancelarja gjermane, Angela Merkel beson se nuk ka më hapësirë për negociata për një paketë të re shpëtimi pas refuzimit të Greqisë për reforma dhe shkurtime në buxhet nëpërmjet referendumit të së dielës.
”Referendumi nënkupton refuzimin e parimeve të ndihmës evropiane, e cila mbështetet në solidaritet dhe përpjekje individuale”, tha ai.
“Dera është e hapur për negociata”, tha Seibert, por ai hedh poshtë çdo marrëveshje të hershme me Greqinë duke theksuar procesin e gjatë për miratimin e një marrëveshjeje shpëtimi.
Steffen Seibert u shpreh se “nuk ka kushte për fillimin e negociatave të reja për program ndihme duke marrë parasysh zgjedhjen e djeshme të popullit grek,” dhe shtoi se Merkel e sheh votën si “sqarim” të qëndrimit të shtetit grek./
Lufta e popullit të Kosovës ka qenë për liri, Serbia nuk la shteg tjetër
– Mustafa: Kosova duhet dhe është e aftë të ndërtojë një shtet të së drejtës, ta vejë drejtësinë në vend/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Korrik 2015.-Lufta e popullit të Kosovës ka qenë për liri, Serbia nuk la shteg tjetër, tha theksoi kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
“Serbia e Millosheviçit kreu në mënyrë të organizuar dhe sistematike krime çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, të cilat u dënuan nga e gjithë bota demokratike. Përmasat e këtyre krimeve e shtynë bashkësinë ndërkombëtare të ndërhynte për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja dhe shpopullimi që i kanosej nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe”, tha kryeministri Mustafa.
Prandaj, vijoi ai, “asnjë lloj pretendimi për t’i vënë në peshojë ato ngjarje të tmerrshme me krimet individuale, që mund të ketë kryer ndonjë ish-pjesëtar i UÇK-së, nuk mund të ketë kurrfarë baze”.
“Mirëpo, ne, Republika e Kosovës, si shtet i ri, si shtet evropian i ligjit dhe i së drejtës, duhet të tregohemi të gatshëm për t’i përmbushur obligimet dhe zotimet tona përpara drejtësisë ndërkombëtare, të cilën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë, nuk duhet t’a paragjykojmë si të njëanshme dhe selektive”, u shpreh Mustafa.
Lufta e popullit të Kosovës, vijoi ai, ka qenë luftë për liri, ka qenë luftë për ekzistencën tonë në këto troje, sepse dhuna dhe terrori serb e kishte sjellë popullin e Kosovës në një situatë hamletiane – të jesh apo të mos jesh!
“Dhe, natyrisht, siç do të bënte secili popull tjetër liridashës, populli i Kosovës, pas përpjekjesh të gjata për zgjidhje paqësore, u detyrua t’i rrokte armët në dorë, sepse Serbia nuk la asnjë shteg tjetër”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai përkujtoi se, falë politikës vizionare të Presidentit Rugova, falë kauzës sonë të drejtë çlirimtare, bota e qytetëruar, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet e tjera të Aleancës Veriatlantike, ndërmori fushatën e madhe 78-ditëshe ajrore kundër forcave serbe duke e detyruar Serbinë e Millosheviçit të nënshkruante kapitullimin, të nënshkruante humbjen e luftës.
“Sot, po këta miq që na ndihmuan të arrinim lirinë e synuar shekuj me radhë, na inkurajojnë që të ballafaqohemi vetë me aktet e liga që mund të kenë kryer individët, që të dëshmojmë se jemi të denjë dhe të aftë për të vënë drejtësi, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme mund të jetë kjo për secilin prej nesh”, tha Mustafa.
Kosova, vijoi ai, duhet dhe është e aftë të ndërtojë një shtet të së drejtës, ta vejë drejtësinë në vend.
“Veç kërkesës për të zbardhur rastet për të cilat angazhohet drejtësia ndërkombëtare, ne e kemi për borxh të zbardhim të gjitha vrasjet politike të pasluftës. Këtë ua kemi borxh viktimave, ua kemi borxh familjarëve të tyre, ua kemi borxh bashkëluftëtarëve të tyre dhe ia kemi borxh shtetit të Kosovës. Institucionet tona duhet t’i lirojmë nga arenat ku njëra palë fajëson tjetrën për vrasje dhe krime. Këto çështje duhet t’i zgjidhin organet e drejtësisë”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është mbajtur sot në Prishtinë Akademi Përkujtimore kushtuar luftëtarëve të lirisë të rënë në betejën e lavdishme të Loxhës: Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj. Në këtë Akademi, me pietet të lartë është përkujtuar edhe Komandanti i Zonës së III-të të Dukagjinit dhe i Betejës së Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj.
“Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Loxhës, heronjtë dhe dëshmorët e të gjitha betejave të zhvilluara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhanë jetën e tyre për një Kosovë të lirë, për një Kosovë të vlerave të mirëfillta demokratike, në të cilën jeta e secilit qytetar, pa dallim kombi, besimi a race, është njëlloj e vlefshme, është njëlloj e pacenueshme. Këto edhe janë idealet tona, idealet dhe synimet e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat ne do t’i bëjmë realitet, pavarësisht se rruga që kemi para vetes nuk është aspak e lehtë dhe ende kërkon nga ne vendime të rënda, por të domosdoshme”, përfundoi në fjalën e tij kryeministri Mustafa.
- « Previous Page
- 1
- …
- 81
- 82
- 83
- 84
- 85
- …
- 100
- Next Page »