Shkruan:Engjëll Zerdelia/
Dy ngjarje me shumë rëndësi do të mbesin për kohë në Panteonin e kombit shqiptar; Kongresi Kombëtar dhe Kongresi Arsimor i Lushnjës. Kongresi Kombëtar i Lushnjës që zhvilloi punimet në 21-31 janar të vitit 1920, dhe nga ku doli qeveria kombëtare me kryeministër z.Sulejman Delvina, si ministër të arsimit caktoi z. Sotir Peci, diplomat, politikan, publicist, pedagog, tekstolog, i cili ishte diplomuar për matematikë dhe fizikë në Athinë. Emigroi në SHBA, më 1905 dhe qe një ndër figurat e shquara të emigracionit shqiptar. Më 1906 botoi të parën gazetë në gjuhën shqipe “Kombi” në Boston të SHBA. Formoi bashkë me shokë, por duke i udhëhequr ata, shoqëritë “Besa-Besë” dhe “Lidhja” po në Amerikë. Zotëria në fjalë mori pjesë në “Kongresin e Manastirit”, “Normalen e Elbasanit”, “Komisinë letrare të Shkodrës” dhe ka meritën e veçantë në hartimin e teksteve shkollore me kulturë të gjerë pedagogjike, didaktike e sidomos metodike me librat “Viti premtar i gramatikës” (Kl. III dhe IV fillore), “Shkencat natyrore”, programet e planet mësimore të shkollave shqipe të tjera. Sotir Peci, personalitet i gjithanshëm mënjanoi praktikën e huaj, të ngushtë të krahinave në arsim dhe në shkollë dhe zotëroi organizimin kombëtar dhe të njësuar(apo unifikuar) të arsimit si një nga problemet themelore të qeverisë së Lushnjës(janar 1920).
Çelja e Kongresit
Z.Sotir Peci, më 26 korrik 1920 i shkruante Këshillit të Ministrave: “Duke pasur nevojë që të njësojmë programet e metodën për të gjitha shkollat e Shqipërisë, të cilat kanë vepruar deri më sot të ndara(sipas ish-zonave të pushtimit), kemi menduar të formojnë një komision teknik, në të cilin do të marrin pjesë fuqitë më të mira arsimore prej të gjitha viseve. Ky komision të mblidhet në Lushnjë, si vend historik ”.
Qeveria dhe Ministria e Arsimit ngarkoi zotërinjtë: Hiqmet Delvina nënprefekt i vendit dhe Besim Nuri, kryetar i bashkisë së qytetit të Lushnjës që të organizonin mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit në bazë të përvojës së shtatë muajve më parë, për korrjen e suksesit tjetër historik. Komisioni i Kongresit mblodhi kryepleqtë e nënprefekturës, mesuesit e zgjedhur të saj, por më të lehtësuar se Kongresi politik, për vazhdimësinë e punës. Qyteti i Lushnjës gumëzhinte i tërë si një koshere bletësh. Kudo të shihte syri fytyra të qeshura, të lumtura, të ngazëllyera. Të gjithë të gëzuar këndonin, loznin e hidhnin valle, jo vetëm me kostume popullore lushnjare, por edhe kombëtare se e tillë ishte dhe përbërja e kongresistëve. Në Lushnjë po shkëlqente një dritë tjetër e re dhe po lindtte një tjetër diell. Shqiptarët do të lidhnin besën për arsimin, në të njëjtin flamur për të bërë detyrën e zhvillimit dhe përparimit kombëtar. Sepse nuk është rastësi, por mënçuri e hollë kombëtare e kultivuar me kujdes të madh brenda dhe jashtë Shqipërisë, se në Lushnjë u arrit bashkimi i forcave patriotike e politike për forcimin e shtetit shqiptar. Po këtu duhet të bashkoheshin profilet më të mira arsimore të vendit me të njëjtin flamur për krijimin e shkollës kombëtare të njësuar në mbarë vendin. Harta gjeografike e hapësirës së delegatëve shtrihet në origjinën e tyre dhe në vendet ku ata kanë punuar: Mitrovicë, Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkodër, Peshkopi, Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Himarë, Vlorë, Fier dhe Lushnjë etj… Përfaqësuesit u mirëpritën dhe u përshendetën nga populli lushnjar: civilë, ushtarakë dhe mësues sipas një tradite të vendosur në të dyja anët e nënprefekturës me ato pak vegla muzikore, me nxënësit e shkollës plotore e asaj femërore me buqeta lulesh, me flamuj letre ndër duar. Duhet sqaruar në mënyrë shkencore dhe t’i japim përgjigjen e saktë pyetjes, se cilët ishin mësuesit që punonin në Lushnje në atë kohë? Sipas fondit në AQSH, Inspektoria e Beratit, lexojmë se në vitet e para të shek.XX, Lushnja kishte në vitin 1920, 13 shkolla fillore dhe një plotore me 37 mësues. Në rrethin e Lushnjës mësuesit e periudhës 1910-1920, ishin: Jani Minga, Ikonom Dhima, Sokrat Koka, Anastas Ikonomi, Roza Kakarriqi, Murat Delvina, Zydi Vrioni, Qazim Përmeti, Spiro Saqellari, Llukë Karafili, Kostandin Ziu, Llazi Bozo, Irakli Pylli, Jorgaq e Marigo Semini, Mihal Bellkameni, Naun Prifti, Rrap Mërtiri, Thanas Ndoni, Esat Libohova, Jorgji Toli, Mehmet Konica, Abedin Nuredini, Beshir Islami, Abdyl Musai, Theodor e Aleko Rista, Ahmet Shehu, Murat Kadriu, Xhemal Bushi, Tod Kadillari, Niko Progri, Rexhep Peza, Llambër Deda, Lili Bandilli, Jovan Ndreka, Petro Muzaka, Mustafa Deda, Izet Libohova, Thimi Koçi, Sybi Hasani, Tefik Zoto, Emin Matraxhiu, pak kohe dhe Xhevat Korça , sepse ikën në Austri për studime…
Izet Libohova- drejtor, Murat Delvina, Roza Kakarriqi, Anastas Ikonomi, Jovan Ndreka, Llambër Deda, Lili Bandilli, Petro Muzaka, Met Shehu, Aleks Rista, Thanas Ndoni, Esat Libohova, Mustafa Deda, disa mësues lushnjarë të viteve 20-të, në Kongresin Arsimor të Lushnjës.
Zoti Hiqmet Delvina(nënprefekt) mori fjalën duke falenderuar Ministrinë e Arsimit për njoftimin e bukur që kishte pasur për të nderuar qytetin e Lushnjës duke mbajtur një kongres me kaq rëndësi në atë vend, e duke i uruar mbledhjes veprime të mbara e të mira, me shpresë se prej tij, kishin për të dalë fryte dhe dobi të mëdha për arsimimin dhe qytetërimin e popullit shqiptar, i cili deri më sot kishte mbetur tepër prapa për nga ana e kulturës dhe e përparimit. Zoti Besim Nuri, kryetari i bashkisë Lushnjë me fjalë pak, por të bukura, foli përmbi rëndësinë e këtij Kongresi, i cili me shpresë në perëndinë do të japi më të mirat fruta, për lulëzimin e kombit tonë. Minisrtia e Arsimit duke dashur që t’u jepte të gjitha shkollave të Shqipërisë një themel e organizëm të shëndoshë, vendosi të thërriste në Lushnjë një Kongres pedagogjik, të cilit i qe vënë për detyrë, për të zhvilluar e zbatuar këtë program që si më poshtë duhet ndjekur:
1.Hartimi i programit sintetik për shkollat fillore qytetase
2. Zhvillimi i programit analitik të ndarë javë për javë në shkollat fillore 4 e 5 klasëshe të qytetit e për shkollat fillore 3-klasëshe të katundit.
3. Vendimi mbi botimin e teksteve shkollore si: librave të këndimit, gramatikave e numratorëve etj .
4. Caktimi i një gjuhe të përbashkët, pas së cilës do të shkruheshin që tani, të gjithë librat shkollorë.
5. Bisedim dhe kuvendim për një të përkohshme pedagogjike.
6. Caktimi i regjistrave të përditshëm e të përjavshëm, i amzave, orareve, dëshmive shkollore dhe i të tjera librave zyrtarë, që do të mbajë drejtoria e secilës shkollë.
7. Dëshirë e pavarësisë dhe e Kongresit, çka i përket sidomos çështjes së përmirësimit të organizimit të shkollave.
8. Si gjuhe letrare pas se ciles do te shkruheshin librat shkollore, u morr per themel dialekti I Elbasanit me disa permiresime e duke ruajtur disa ndryshime tipike, qe u perkasin formave etimologjike te fjaleve te njohura me mire ne dialektin Tosk e disa ne dialektin Geg.
9. U vendos qe libri i pare I kendimit te jete i shkruar thjesht gegerisht ose thjesht toskerisht, libri I dyte te jete i perzjere me copa leximi me dialect gegerisht-toskerisht, librat e kendimit per klasat e tjera te hartoheshin vetem ne gjuhe letrare duke marre per themel dialektin e Elbasanit…
Pas përshendetjes së parisë së vendit, një grup nxënësish të shkollave të qytetit djem e vajza dhanë një koncert për t’u uruar delegatëve mirëseardhjen. U këndua dhe Hymni i Kongresit. Kongresi filloi punimet, më 15.08.1920, ora 900 . Të ftuar kishte edhe disa mësues lushnjarë, midis të cilëve: Ikonom Kozma Dhima, Elmaz Boçe, Anastas Laska, Naun Prifti(Doko), Theodhor dhe Aleks Rista, Roza Kakarriqi si dhe organizatorët JaniMinga dhe Tefik Zoto etj.
Kongresi shquhet nga përbërja e kongresistëve: tërësisht profesionistë, specialistë e pedagogë të mirëfillte, njohës të arsimit, autorë tekstesh të shkruara shqip dhe në gjuhë të huaja . Ata studiuan në shkollat e larta, institute apo fakultete në vendet më të perparuara të Evropës. Jozef Fekecs(Zef Fekeci), Zarë-Austri. Publicist, pedagog, tekstolog, gjuhëtar, bashkëpunëtor apo afrues me albanologët e shquar evropianë si: N.Jokli, M.Lombertz, R.Nachtigal, Mikloshik, Meyer etj. Përkthyes i gjuhëve gjermanike dhe ndihmës i përvojës së pasur evropiane. Inspektor i shkollave në Tiranë, mësues i latinishtes dhe italishtes. Njohës i mirë i gjuhës shqipe, coordinator me albanologët e Evropës, përkthyes i shkëlqyer. Kol Margjini, Prizren, babai vjen në Shkodër si qendër vilajeti. Profesor Kol Margjini, mësues i përkushtuar, drejtues e organizator i shquar i arsimit, përkthyes e studiues prodhimtar në fushën e pedagogjisë, autor tekstesh shkollore dhe didakt i njohur, udhëheqës politik për bashkimin kombëtar të kombit. Kryen Institutin e Gjuhëve Orientale(Katedra e gjuhës shqipe) në Vjenë të Austrisë. Tekste te botuara: Aritmetika për klasën e IV, për klasën V, Matematika për klasën e parë gjimnaz, fillime të para të gjeometrisë e të tjera. Aleko Kondili, Korçë, më i moshuari i Kongresit, urtësia dhe mençuria e tij. Të mesmen Zosimea, Janinë-Greqi, të lartën Grac të Austrisë. Profesori i Histori-Gjeografisë që ligjëronte si bilbil për Shqipërinë dhe botën, njohës i mirë i muzikës dhe serenatës korçare, hartues i programeve dhe planeve mësimore.
Ulur: I.D.Sheperi, Dh.Mborja, A.Xhuvani, A.Kondili, N.Paluca, G.Mikeli, Lart: Th.Papapano, M.Bellkameni, P.Pogoni, J.Fekeci, I.Anamali, K. Margjini, A.Gashi
Dhimitër Mboria, Korçë, profesor i gjuhës shqipe dhe latinishtes në Liceun e Korçës. Piktor i talentuar, studiues dhe përkthyes i pasionuar i frëngjishtes në gjuhën shqipe, metodist dhe hartues i planeve dhe programeve mësimore. Ndue Paluca, Shkodër, studioi në Vjenë të Austrisë për pedagogji dhe shkencat e natyrës. Atdhetar, pedagog, publicist, gjeograf, matematicien dhe tekstolog i zoti. Hartues i abetares në Shqipëri dhe Amerikë, shkrues i parathënies së fjalorit shqip-gjermanisht së bashku me prof.Karl Gurakuqin dhe përkthyes i shkëlqyer . Drejtori i shkollës Normale të Shkodrës. Autor dhe bashkautor tekstesh: “Abetar”, “Arithmetika për shkollat fillore”, “Shkollë dhe jetë”, “Antologjia për shkollat e mesme” … Gaspër Mikeli Shkodër, atdhetar, metodist, pedagog, tekstolog, publicist, përkthyes, autor dhe bashkautor i disa teksteve shkollore e historike, udhëheqës i revistës “Shkolla e Re” dhe gazetës “Mësuesi”, personalitet i kulturës shqiptare. Kreu Normalen e Klagenfurtit (Austri). Inspektor i arsimit Shkodër. Autor i teksteve “Gramatika e gjuhës shqipe”, “Njoftime historike mbi Shqypninë”, “Përmbledhje e jetës së Skënderbeut” e të tjera. Mihal Vangjel Bellkameni, Pogradec, student i liceut të Manastirit, një ndër atdhetarët e fundit të Rilindjes dhe fillimit të Pavarësisë. Falë trimërisë, karakterit të papërkulur dhe energjive intelektuale e fizike, dha një ndihmesë të dukshme me pushkë e me penë për çlirimin kombëtar, lulëzimin dhe përparimin e atdheut. Mësues, drejtor, inspektor shkolle e publiçist, autor librash dhe këngësh, marshesh, titullar institucionesh administrative, ai ka një jetë të lakmueshme prej intelektuali atdhetar, drejtor i shkollës së Ardenicës, Lushnjë. Emigroi në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali e të tjerë. Drejtor i parë shqiptar i Liceut të Korçës. Udhëheqës i talentuar i ekipit gjimnastikor në Pogradec dhe Korçë. Ismail Anamali, studioi në vendlindje, të lartën në Stamboll, shquhet si mësues gjeografie. Inspektor arsimi në Shkodër. Mësues, drejtues shkollash, inspektor arsimi, pjesëmarrës në veprimtaritë arsimore kombëtare, autor tekstesh shkollore, një ndër mendimtarët kryesore të tre kongreseve, brenda 5 vjetësh. Hartues i teksteve të gjeografisë, të historisë dhe sidomos të hartografisë.
Shkolla ku u mbajt Kongresi Arsimor i Lushnjes
Aleksandër Xhuvani Elbasan, personalitet i kulturës shqiptare, atdhetar i shquar, publiçist me emër, pedagog i vjetër, enciklopedi e vërtetë, përparimtar i periudhës së Pavarësisë, gjuhëtar i rrallë e i zellshëm, tekstolog i zoti. Studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë, universiteti i Athinës (1902-1906), drejtor i Normales se Elbasanit. Tekstet e botuara “Njohuritë e para të sintaksës shqipe” 1925. Për shkollat e mesme “Sintaksa shqip” 1936. “Fjalori i gjuhës shqipe” 1956. “Parashtesat”, “Prapashtesat”. Gjuhëtar, metodist i shquar i shkollës shqipe. Kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjes.
Ahmet Gashi u lind në Prishtinë. Personalitet i kulturës shqiptare e evropiane, veprimtar i lëvizjes kombëtare e i arsimit, tekstolog, gjeograf dhe historian i zoti, muzikant virtuoz, veteran i shahut shqiptar, pedagog dhe drejtues i shquar i shkollës shqiptare, ndër hartografët e parë, anëtar nderi i Shoqatës së Gjeografëve Amerikanë 1936, kryetar i bandës “Afërdita” të Elbasanit, Mësues i Popullit. Shkollimi në vendlindje, Shkup e Stamboll. Gjeograf i shquar, nëndrejtor dhe drejtor për shumë vite i Normales në Elbasan. Mori pjesë në tre kongreset arsimore. Tekstet mësimore “Gjeografia e përgjithshme” 1935, “Gjeografia e Europës”, “Harta e Shqipërisë”, “Azia, Amerika, Australia, Oqeania dhe vendet Polare” e të tjerë.
Ilia Dilo (Sheperi), Gjirokastër. Personalitet i spikatur i arsimit kombëtar; gjuhëtar, edukator, filiolog e gojëtar, autor tekstesh shkollore, pedagog, përkthyes, erudit, botues i librit “Gramatika dhe sintaksa e gjuhës shqipe”, në Vlorë 1927 që konsiderohet libri i shenjtë, i të gjitha kohërave, përshtatës i shkëlqyer i librave didaktikë të Rilindësve tanë, Mësues i Popullit, inspektor dhe drejtor i arsimit në Gjirokastër. Mësimet i filloi dhe mbaroi në Janinë me vlerësimin “Shkëlqyeshëm”. Mësues në Bënjë, ballkon i qytetit të Përmetit, bashkëpunoi me vëllezërit Frashëri, Çajupin, shkollën e mesme në Zosimea-Janinë. Thoma Papapano, figurë e shquar e arsimit kombëtar, Mësues i Popullit, autor i Abetares në gjuhën shqipe, përshtatës i shkëlqyer i librave didaktikë të Rilindësave tanë, mjeshtër i bukurshkrimit, drejtor dhe inspektor i arsimit në Gjirokastër, zëvëndës ministër i arsimit shqiptar, ambasador nëpër Evropë në mbrojtje të çështjes kombëtare, metodist dhe hartues i programeve dhe planeve mësimore. Pertef Pogoni, profesor i shkollës unike në Gjirokastër. Shkollën e lartë në Francë. Figurë e shquar e arsimit kombëtar, njohës i disa gjuhëve të huja e bënte përkthyes të talentuar, pedagog, drejtor, inspektor të shkollave dhe Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit. Prodhimtar i metodave dhe tekseve mësimore .
Kryetar i Kongresit në mbledhjen e parë të orës 9:00 paradite me shumicë votash u zgjodh Zef Fekeci. U lajmërua me telefon Këshilli i Lartë i Qeverisë dhe Ministria e Arsimit. Mbas dy ditësh e në vazhdim me mirëkuptim e dashamirësi admiruese kryetar u zgjodh z. Aleksandër Xhuvani me një përvoje pune mbi 10 vjet drejtor i Normales në Elbasan. Duhet nënvizuar se Kongresi i zhvilloi punimet në Lushnje 15-25 gusht 1920 dhe 25-29 gusht 1920 në Elbasan.
Në kongres përfshihen këto çështje: Mbarëvajtjen e arsimit, unifikimin e shkollës, u vendos sistemi i ri arsimor i barabartë për shkollat e Shqipërisë, qofshin shtetërore apo private. Përzgjedhja e përgatitur e kuadrit mësimor. Programet, planet e tekstet të ishin të njëjte, të përgatitur e hartuar nga Ministria e Arsimit Shqiptar. Çdo trajtim privat mbi këto probleme do të miratohej nga instancat kompetente të qeverisë. Kongresistët paraqitën projekt-modelet e para të programeve sintetike për shkollat, të programeve analitike të ndara në javë për mësimet e shkollës fillore katër-pesë klasëshe të qytetit e tre klasëshe të fshatit .
Kongresi shqyrton përgatitjen e librave shkollorë, klasifikimin e kualifikimin e arsimtarëve si rezultat i shkollave e niveleve të ndryshme, të kurseve të kryera. Zhdukjen e analfabetizmit gradualisht, u vendos për përdorimin edhe të mësuesve shtetitës( apo endës ) në fshatra të thella , ku mungonte shkolla. Kongresi u mor edhe me hapjen e internateve(konvikteve) vatra edukimi me frymën e përbashkët të vëllazërimit, kriter klasik edhe i shkollës evropiane, në Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat e të tjera .
U shkruan modelet e orareve, dëshmive shkollore, amzave, regjistrave të përditshëm e përjavshëm dhe përvitshëm. U vendos që prej klasës së III fillore e përpjetë të mësohej edhe një gjuhë e dytë që të caktohej nga MASH, e të tjera. Si të kremte fetare e kombëtare në marrëveshje me të parët e besimit u vendos të mbahej mbyllur shkolla, për katoliket: Dita e parë e vitit, 6 janari, Krishtlindjet 24-27 dhjetor e të tjera . Për myslimanet: Kurban Bajramin 5 ditë, Ramazan-Bajramin 3 ditë , Sulltan Nevruzi 1 dite e të tjera; për ortodoksit(sipas kalendarit julian ). Dita e parë e vitit, 6 janari, 6 maj i Shën Gjergjit , Krishtlindjet e të tjera. Si e kremte Kombëtare 28 Nëntori e 7 Marsi.
Gjithçka që u punua në Kongresin Arsimor të Lushnjes u përshëndet nga i gjithë populli shqiptar, përfshirë edhe diasporën këtë e vërteton shtypi i kohës. Parashqevi Qiriazi boton shqip, frëngjisht e anglisht revistën politike “Yll’i mëngjesit” që trajton probleme të arsimit kombëtar, në 1920 dolën organe që trajtojnë probleme pedagogjike si “Studenti” me qendër në Amerike , 1920 -1929 “Djalëria” studentet shqiptare në Vjenë në Tiranë “Zani i ri” 1921, “Shkolla e re” Shkodër me drejtor G. Mikelin, “Kumtari arsimuer”, “Përlindja Arsimtare”, “Afrimi”, “Revista Pedagogjike” më vonë “Mësuesi” duke mos përjashtuar edhe shtypin shqiptare të kohës . U botua rregullorja “Mbi detyrat dhe të drejtat e arsimtareve” Ligjet “Mbi organizimin qendror të Ministrisë së Arsimit”, “Mbi ndjekjen e detyrueshme të shkollës”, ” Mbi bursat” e të tjera . Kongresi i parë i arsimit të Lushnjes vazhdoi punën e vyer të mësuesve të shquar të Rilindjes, Pavarësisë dhe solli shërbime dhe dha udhëzime me vlerë të madhe në zhvillim e mendimit pedagogjik . E pra, ky Kongres zë një vend të rëndësishëm në historinë e lulëzimit, përparimit dhe zhvillimit të arsimit tonë, prandaj për shumë arsye është një përvjetor madhor e i plotë për vlerën dokumentare dhe sidomos pamjeve vizive dhe ndjeshmërie njerëzore për këta personalitete, duhet të ndihmojmë që të vendosen në piedestalin e merituar të kombit shqiptar.
Archives for August 2015
Kombi vezë e veza komb
SHKRUAN:KOLEC TRABOINI/
-Fejton-/
E pafrytshme do të qe çdo përpjekje për ti mbushur mendjen ndonjë artikullshkruesi se nuk ka kurrfarë zbulese në teorizimet e tyre se prej një kombi na u krijuakan edhe kombe të tjerë si në lojën e kungulleshës që “kam një komb dhe e ndaj në dy pjese, pse dy, po sa , tre” e kështu me radhë. Kjo për faktin se këtu kemi të bëjmë me njerëz që e kanë marrë seriozisht këtë punën e pjelljes së kombeve në laboratorin e tyre krijues. Po nuk janë dhe aq të vjetra këto histori me pështjellime kombesh, sepse edhe para një shekulli, kur kishin dy vjet pavarësi, u bë një komplot nga një agjent ushtarak i Stambollit me origjinë nga Grebeneja, për ta na bashkuar sërish me sulltanët, sepse mendja e tij e çartur na konsideronte një komb turk.
Mjerisht krijuesi i teorisë famëkeqe të kombit kosovar, Nexhmedin Spahiu, analist e mësimdhënës nga Mitrovica, këto kohë në rrjetat sociale po del nga loja si intelektual e zbret të flas si një i zakonshëm që grindet në një kafene rruge tek i drejtohet publicistit Fahri Xharra në Gjakovë:”…kujt i referohesh kur thua “Kombi i ardhmërisë, Kombi Kosovar? Përzierje me kënd?.” Për të qenë komb mjafton të kesh shtetin tënd, nuk është e thënë të përzihesh me askënd. Kombi kosovar është monoetnik, përbehet vetëm nga pjesëtaret e etnisë shqiptare, përfshi edhe idiotët dhe zagarët si ti.”.
Le te shohim cilët janë disa nga titujt e veprave të analistit Nexhmedin Spahiu para se të japim dy mendime mbi nulitetin historik të ideve të tij: “Drejt Kombit Kosovar”, Mitrovicë, 2004.,”Kombi në Inkubator”, Prishtine, 2010, “Foshnjëria e Kombit Kosovar”, Prishtinë, 2014. Për çdo shqiptar atdhetar këta tituj janë iritues, me ti shti dreqnit do të thoshnim, e nuk mund të mos shoqërohen nga një ironi si reflektim i absurditetit që përcjellin. Kësisoj pra, në këtë turr të pjellakombësve mund të vazhdohet të dalin edhe vepra të tjera si “Adoleshenca e Kombit Kosovar”, “Puberteti i Kombit Kosovar” “Martesa e Kombit Kosovar” “Andropauza e Kombit Kosovar” si dhe së fundmi “Pleqëria e bjerramendja e Kombit Kosovar”, sepse, meqë krahasimi është bërë me jetët njerëzore, kush plaket qe besa edhe rrjedh bukur mirë. Po jo ama të rrjedhë aq shumë e aq shpejt siç po terrahupet tërë kjo sajesë që na kujton një vezë të prishur, të cilën ngrohe sa të duash, kurrë prej saj nuk do të dalë ndonjë zog pule me emrin Komb Kosovar. Por problemi tashmë është jo efekti i këtyre teorive që po konsiderohen përralla me komb, por zbritja nga teoritë konfuze të librave të tillë në debate të një niveli të ultë në rrjetat sociale, çfarë tregon shumëçka nga qerthulli ku marrakoten teoricienët e krijimit të kombeve në inkubator. Me sa duket tashmë u janë shkarkuar bateritë e inkubatorit të sajesës komb e po merren me vulg-biseda që më shumë të qorrollepsin se sa të kthjellojnë. Kësaj i thonë as më pak e as më shumë, por kur pula nuk po na bën më vezë, të paktën të kënaqemi me glasat. Duke parë rrethanat e kësaj sajese komb kosovar, që kundërshtohet nga çdo mendje e kthjelltë shqiptare, ndoshta gjenden dhe arsye që autorët e kësaj sajese ka kenë humbur qetësinë e të shpërthejnë si nëpër zënka adoleshentësh gjaknxehtë. Se vërtetë ka qenë tepër e lodhshme mbi një dekade të rreket një profesor për të sajuar kombin kosovar. Kaq aventuror e kaq i pamend ky përkushtim sepse nuk ka e nuk ka për të pas kurrë komb kosovar. U duhet thënë hapur tashmë se po behën anakronikë: Lërini këto hamendësime se periudha historike e krijimit të kombeve është e kryer në këtë botë. Kombi nuk krijohet si robotët në laborator. Ah po, përpiqen të sajojnë një komb islamik të fandaksurit e Kalifatit në Irak e Siri. Po a ja vlen te imitohem këto injoranca të shoqërisë njerëzore që po përgjakin popujt me kokëprerje si në epokën më të errtë të mesjetës. Mos vallë ky është inspirimi edhe i pjellakombësve tanë nga Kosova?! Ta kthesh historinë së prapthi, të nisesh e të jetosh me mendje në kohën e krijimit të kombeve është si të marrësh Rosinantin e Cervantesit e ti biesh pash në pash Kosovës e Shqipërise duke kaluar edhe nëpër Iliriadë e Maqedoninë e Shkupit. Është mirë të lihen në një anë përpjekjet alogjike, naive e destruktive, qëllimkëqija, që në thelb janë antikombëtare e rrjedhimisht antishqiptare. Është një përçapje absurde që nuk i nderon, ju humbet edhe ato çfarë kanë fituar si autor shkrimesh. Kjo gjithsesi mund të shtojë një lloj vëmendje mediatike, por nuk është e mirë për ta si përçues teorish konfuze e pa taban. Pa ne si shqiptarë në një komb të përbashkët me shqiptarët e tjerë në gjithë Ballkanin nuk po kemi dert se po na dalin do guriçka në rrugë a shkopinj nën rrotë. Kësisoj teoricienësh plëngprishës ka pas gjithmonë, edhe tradhtar kemi pas gjithmonë, edhe njerëz që punojnë për shkatërrimin e kombit shqiptare copëzimin e tij kemi pasur e vazhdojnë të kemi, por kauza shqiptare ka ecur përpara. Mirë është tu thuhet që të mos i bashkohen mjerimit intelektual, shterpësisë, atyre që e shesin shpirtin për pak para tek qarqet antishqiptarë të fqinjëve e që përfaqësohet së pari nga Kapllan Resul (Buroviçi) e do të tjerë. Të vjen keq kur po tollovitet mjerueshëm edhe një intelektual e analist si Halil Matoshi, madje me fill të humbur edhe i nderuari Rexhep Qosja. Çfarë po ndodh me këto njerëz që me teoritë e tyre po sjellin aq moskuptime e marramendje në popull, që po kërkojnë të ndajnë trungun shqiptar, që po kërkojnë ta na tjetërsojnë e te na nxjerrin krejt ndryshe nga se jemi. A mund të thuhet se Gjermania na paska pas deri sa ra Muri i Berlinit, dy kombe. Apo Koreja e Vietnami për shkak të ndarjes shtetërore administrative na qenkan dy kombe. Është absurde të mendohet. Ashtu dhe Shqipëria e Kosova. Ndaj të mos shkojnë humbës këto analistë. Jemi një komb e nuk mund të na ndajë askush me kësisoj teorish artificiale e pa taban. Ja si e merr nën mbrojtje këtë teori analisti Halil Matoshi në debatin për çeshtjen e Kombit Kosovar:
“…Teorite e Nexhit u perkasin dijeve sociologjike dhe politike, pra për me i rrëzu ose forcu duhen argumente nga këto dije, mosni burra me albanocentrizëm të shekullit 19”. Pra sipas Halil Matoshit, të thuash se nuk mund të krijohen kombe të reja përderisa procesi i formimit i kombit shqiptar është kryer, do të thotë sipas tij që intelektualët kombëtar shqiptar notojnë në albanocentrizmin e shekullit të 19.” . Kjo në të vërtetë është një pasqyrë me reflektim të mjerueshëm në çfarë ujërash kanë rënë teoricienët e krijimit të kombit kosovar. Këshilla jonë për këta kombpjellsa, që sillen si beduinët në shkretinë duke kërkuar një identitet të ri, është se nuk duhet tu bashkohen “Muhaxhirëve” të satirizuar nga Konica, si njerëz me kujtesë historike të shuar sepse mund të shkojnë vërtetë vulëhumbur si një fare intelektuali i njohur në kohën e vet, por tepër konfuz e aventuror me emrin Beqir Grebeneja. Grebeneja udhëhoqi një përpjekje për marrjen e pushtetit për të kthyer sulltanët në trojet shqiptare në vitin 1914. Për këtë u kap bashkë me ushtarët komplotistë turq. E gjykuan dhe dënuan me vdekje, por Princ Vidi e fali. Po atë vit, shkoi e luftoi për Turqinë në frontin rus ku dhe gjeti vdekjen. Por më e rëndë se vdekja për Beqirin nga Grebeneja paska qenë harrimi nga populli i vet, megjithëse ka edhe zëra që lodhshëm përpiqen ta glorifikojnë këtë agjent anadollak. E natyrshëm kjo në kohën tonë kur nuk mbeti tradhtar kombëtar pa u shpallur hero. Dhe paradoksalisht kujtimin e halldupit Beqo e ruan Turqia. Prandaj kush është shqiptar, mirë është të mos i shkojë asaj udhe si Grebeneja, që në Shqipëri u shfaq si mercenar i huaj, e me ketë shkak për shqiptarët është i shkuar e i harruar. Nderi i çdo atdhetari është të punojë për kombin e vet, për bashkimin e përparimin e tij e jo të punojë për të tjerët, jo të përçojmë ide e mendime panikndjellëse e kryekreje të mos hallakatemi si mizat pa kokë.
12 gusht 2015
Një pjesë e murit të Berlinit do të vendoset në qëndrën e re të diplomacisë amerikane të DASH
Nga Frank SHKRELI/
Departmenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se me mbështetjen e Qëndrës Atlantic Council të Studimeve Ndërkombëtare dhe nepërmjet një marrveshjeje me firmën gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft, një pjesë e veçantë e Murit të Berlinit do të arrijë të ënjtën më 13 gusht, 2015 në Washington për t’u instaluar në Qëndrën e Diplomacisë së re të Shteteve të Bashkuara në Kryeqëndrën e Departmentint Amerikan të Shtetit (DASH). Në njoftimin e DASH për media, thuhet se vendosja e një pjese të veçantë të Murit të Berlinit në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane, do të bëhet me rastin e 54-vjetorit të mbylljes së kufirit midis Berlinit Lindor komunist dhe Berlinit Perëndimor, më 13 gusht, 1961.
Departmenti Amerikan i Shtetit njofton se segementi unik i këtij muri që do vendoset në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington, është nënshkruar me dorën e vet nga disa protagonistë që — secili në mënyrën e vet — luajtën rol në shëmbjen e Murit të Berlinit e të cilët janë ende gjallë, përfshirë ish-Presidentin amerikan, George H. W. Bush, ish-udhëheqsin e Bashkimit Sovjetik, Mikhail Borbachev, ish-Kancelarin gjerman Helmut Kohl, ish-Presidenti i Polonisë dhe ish-udhëheqsin e Sindikatës Solidarnoshq, Lech Walesa. Këtë pjesë të Murit të Berlinit që do vendoset në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington e kanë nënshkruar gjithashtu edhe Kancelarja e tanishme e Gjermanisë Angela Merkel dhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker.
Në njoftimin e bërë të mërkurën, DASH thotë se Muri i Berlinit shërben si një kujtesë e përhershme e historisë sonë të përbashkët si dhe e rolit të pazevendësueshëm në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve transatlantike, në të ardhmen. Instalimi i kësaj pjesë të Murit të Berlinit në Qëndrën Amerikane të Diplomacisë do të mbikqyret nga zyrtarë të lartë amerikanë dhe gjermanë.
Objektivi i Qëndrës së re të Diplomacisë Amerikane në ndërtim e sipër, sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry, është për të paraqitur mënyrat e ndryshme të zhvillimit të diplomacisë amerikane si dhe rëndësisë së saj gjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara. “Diplomacia dhe puna e diplomatëve tanë në mbi 250-ambasada, konsulata dhe misione të tjera diplomatike, është jetësore për fuqinë dhe imazhin e kombit tonë, dhe janë jetike për avancimin e interesave të tij anë e mbanë globit”, ka theksuar John Kerry. Në këtë Qëndër, ka thënë kryediplomati amerikan, vizitori do të zbulojë fakte mbi veprimtarinë dhe jetën e diplomatëve amerikanë dhe të familjeve të tyre në vende të ndryshme, të cilët me punën e tyre nderojnë dhe promovojnë vlerat dhe parimet e Amerikës anë e mbanë botës. Si shtetas amerikan, nga kjo Qëndër e Diplomacisë, shtoi ai, ju do të mësoni se si diplomacia afekton drejtë për drejtë, jo vetëm interesat dhe mirëqenjen e kombit tuaj, por njëkohësisht ndikon edhe në jetën tuaj personale. Vizitorët nga vende të huaja do të zbulojnë diçka të re mbi Shtetet e Bashkuara që nuk e kanë ditur deri më tani, ka thënë Kryediplomati amerikan Kerry.
Muri i Berlinit ose, siç e ka quajtur ish Kancelari gjerman Villy Brandt, “Muri i Turpit” u shëmbë në vitin 1989, por lufta për shëmbjen e tij kishte filluar shumë më heret. Ishte fjalimi ish-presidentit amerikan, John Kennedydhe deklarata e tij, “Ich Bin Ein Berliner”, (Edhe unë jam Berlinas) në vitin 1963 në Berlinin e ndarë, që i tërhoqi botës vëmendjen mbi fatin e keq të Berlinit dhe të Europës së ndarë nga komunizmi. Ish-presidenti amerikan Kennedy ka thënë me atë rast, se “Ka shumë njerëz anë e mbanë botës të cilët nuk e kuptojnë ose thonë se nuk e kuptojnë ndryshimin e madh që ekziston midis botës së lirë dhe botës komuniste.” Ai u bëri thirrje atyre që të shkonin në Berlin e të shikonin për veten e tyre, ndryshimin midis perëndimit demokratik dhe lindjes komuniste: Lass’ sie nach Berlin kommen!
Ndërsa, 24 vjetë pas fjalimit të ish-presidentit Kennedy në Berlin, një tjetër president amerikan, ish-Presidenti Ronald Reagan në të njëjtin vend, aty në vijën që ndante Berlinin perëndimor nga ai lindor, në fjalimin e tij historik, i bëri thirrje ish-udhëheqsit sovjetik: “Nëqoftse dëshiron paqën, nëqoftse dëshiron begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe për Europën Lindore dhe nëqoftse kërkon liberalizimin…Z. Borbachev, shëmbe këtë mur.”
Fjalimet e dy ish-presidentëve amerikanë në Berlinin e ndarë midis lindjes dhe perëndimit kanë hyrë në histori si ndër fjalimet më të shquara për kohën kur janë mbajtur, fjalime të cilat sipas shumë historianëve kanë influencuar marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në zhvillimet politike në kontinentin e vjetër gjatë periudhës së luftës së ftohtë. Si të tilla, fjalimet e dy ish-presidentëve amerikanë — Kennedy dhe Reagan — përcaktuan fatin eventual të Murit të Berlinit, duke mundësuar shëmbjen e tij në vitin 1989 – të atij “Muri të Turpit”, i cili për 28 vjetë qëndroi si simbol i shtypjes së komunizmit dhe i ndarjes së Europës dhe botës.
Sipas disa historianëve, fjalimi i ish-presidentit John F Kennedy në vitin 1963 në Berlin, bëri që bota ta shikonte Murin e Berlinit si simbol të shtypjeve politike të komunizmit, ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut, të popujve nën komunizëm. Ndërsa fjalimi i ish-presidentit Ronald Reagan më 1987, thonë ata, ndikoi drejtë për drejtë, në shëmbjen eventuale të murit. Nënshkrimi i ish-presidentëve amerikanë Kennedy dhe Reagan — në cilëndo pjesë të Murit të Berlinit dhe kudo që të vendosen ato, përfshirë edhe segmentin e veçantë që do të instalohet në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane në kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit në Washington — është i përjetësuar përgjithëmonë në analet e historisë së diplomacisë amerikane dhe të botës.
Agim Xh. Dëshnica nga Bostoni vjen ne Sofren e Diellit me” Mjegulla Tragjedish” dhe….
… VISARET E KOMBIT- martirëve të Kishës Katolike Shqiptare- TREGIM PER NENEN /
Nga Agim Xh. Dëshnica/
NE MJEGULLA TRAGJEDISH/
Shekspiri mendueshëm ecën në muzg,/
Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon./
Ngjitet e ngjitet nëpër shkallët e gurta./
Shfaqet lart nën hije resh të murme,/
në kulla, bedena këshjellash tragjike./
Në pallatet e ngrysur hyn,/
shkel në gjurmë,/
mbretërish e mbretëreshash,/
princash e princesash, /
kalorësish hijerëndë. /
Heton me radhë intrigantë,
hapa besnikësh e rojesh,
Qorton vetvrasës, fli mashtrimesh;
qan të dashuruarët e pafaj;
ndëshkon vrasës të pabesë.
Në kulla, bedena e shkallë të gurta,
veç terr, pluhur, frymë shkretëtire.
Ndër sallat mister, hijet sillen qark,
pashe një, pa fjalë, veç heshtja flet,
nga thellësi e mjegullt e kohrave.
Kupolat kumbojnë,
nga zëri titanik i perandorit:
Dhe ti o Brut, kamën vrastare ngre?!
Atëhere bjer o Qesar!
Në sallat e hollet e zymta,
ushton thirrja tragjike
e princit Hamlet:
Të rrosh a të mos rrosh,
kjo është çeshtja!
O prapësi o dreq,
që unë paskam lindur të të ndreq!
Dëgjohet britmë e mbretit Rikard,
në rendje me shpatë drejt fronit:
Një kalë, një kalë!
Jap mbretërinë për një kalë!
Makbeth! Makbeth!
Më kot! Më kot! lan duart e krimit;
Zonja Makbeth, Pylli i Brinjës lëvizi!
Bujar Makdafi,
vjen për ndëshkim!
Shekspiri kundron trishtueshëm,
sallat spërkatur me gjak hakmarrjesh.
U qetëson plagët trimave të drejtësisë,
përcjell me dhimbje të ndershmit e pafat;
gjurmë gjaku fshin në shtegun e jetës;
kumte të ndritur, lë për njerëzimin.
—————
2005
VISARET E KOMBIT
martirëve të Kishës Katolike Shqiptare
Një shkëmb,
një kishë, një kryq,
një portë me hark,
kube, altar i thjeshtë e shenjtëri!
Teposhtë, ai Fan i lashtë ndër valë,
prej Ilirie rrjedh, murmuron.
Ai lumë dëshmish me gjak e dhimbje!
Nga shkëmbi vjen kumbim kambane,
jehonnë brigje e kullavarg,
kjo thirrje bese e shpirtit tënd!
At Bernardin, At Bernardin,
ngroh në faltore besimtarë,
meshon përunjshëm
për t’lumin Zot e për Krishtlindje,
përshenjtëritë me ruzare,
për At me e besë!
Kungon me frymë lirie
ferishte, engjëj! *
Kurorëzon çifte,
e për të thinjur
një pleqëri të bardhëuron!
At Bernardin, At Bernardin
tok me At Donatin,
në qelë poetësh, dijetarësh,
ende gjallon ai kandil
dhe pena e artë,
në ato visare
na fton e shndrin!
Bernardin, Bernardin,
tok me Donatin!
Afër sharkisë e lahutarit,
pranë çiftelisë
e rreth valltarëve,
me shtojzovalle e me fatí.
Dëgjoni larg, sokola mali,
përsipër shkrepash,
ndër prozhme e kroje,
me hej e ho!
“Janë ra vashat me gjan’lumë,
kanë gjetë lumën tanë ngri n’akull!…
Nand’ varra Gjergji n’ shtat m’ika
shkapet bajlozin e sokëllin…”
At Bernadin e At Donat!
Ku, vallë, prehet kurmi juaj?
Vrastarët jua prishën shtatin,
shpirtin e bukur, jo kurrë, askund!
Kur djajtë digjen në skëterrë,
shpirti juaj lumnon nëpër Parriz!
—————–
TREGIM PER N E N E N !
Pret e heshtur ikjen e trishtuar
e zbardhur, e mpakur, e menduar.
Fytyra jote, kujdesjet e zjarrta,
meraku yt, rrëfimet e arta,
në duart e tua, çanta e vjetër,
dora e dridhur e përshëndetjes,
sytë ndër lot, ajo buzëqeshje,
na ndjekin udhës e buzë detesh.
* * *
Nga Dajti prilli, s’kthen si ngaherë,
gonxhet e lulet, me kryet prerë.
O nënë e shtrenjtë, bijë Libohove,
ato rrëfime, mos i mbarove?
O nënë fisnike, ku shkoi gëzimi,
buzëqeshja joe, fjala, bekimi?
Po shpirti i bardhë ku fluturoi,
te Zoti lart, të kuvendojë?
* * *
Kjo Libohovë me rrepe të lartë.
Trime, si burrat, vashat dhe gratë.
Te krojet ulem e etjen shuaj.
Shohin e pyesin, ç’është ky i huaj ?
Në ato burime, tek gurgullojnë,
me ujërat tok, lotët mërgojnë.
Adriatiku vjen e pushon në breg,
largon me valë trishtim e brengë.
Rrymë e bardhë shtillet, rreh erë e ftohtë,
Kujtimi i yt, zemrën më ngrohë.
Lutem në muzg, për shpirtin tënd,
thërras, mes zhurmash: O Nënë, o Nënë!
————–
Libohovë – Durrës 1983
15 Gusht 2015- NË FESTËN E ZOJËS SË HASIT EDHE DITA E MËRGIMTARËVE
Në Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit, më 15 gusht 2015, kremtohet Festa fetare – ZOJA E HASIT, përkatësisht për të 14-ën herë me radhë, mbahet manifestimi kulturor “DITËT E MËRGIMTARËVE”. Manifestimi që i kushtohet mërgimtarëve, përkatësisht diasporës, organizohet nga Shoqata e Shkrimtarëve “SHTJEFËN GJEÇOVI”, Ansambli etno-kulturor “KATARINA JOSIPI”, që të dyja në Zym, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës të Republikës së Kosovës.
Në fillim pjesëmarrësit e këtij manifestimi do të vendosin lule te lapidari “GURI I KURBETÇARIT” e pastaj do t’i vizitojnë monumentet kulturo-historike të Zymit, si dhe në fund mbahet një tubim kulturor ku pasi të përshëndeten pjesëmarrësit, do të mbahet një kumtesë që ka të bëjë me historikun e kurbetit te zymjanët, përkatësisht hasjanët, por edhe për kontributin që e kanë dhanë kurbetçarët e Zymit në zhvillimin e vendlindjes së tyre.
Njëherësh, në këtë eveniment kulturor do të promovohet edhe libri “Thesari kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi 4”, të cilën e ka botuar Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Papa Klimenti XI Albani” që vepron në Suedi.
Me atë rast do të hapet edhe ekspozita e librave të autorëve zymjanë (Imzot Ndre Bogdani, Imzot Pjetër Bogdani, Lukë Bogdani, Lazër Lumezi, Atë Ndue Bytyçi, Anton Pashku, Gjon Dulaj, Frrok Kristaj, Nikollë Kërhanaj, Atë Nue Kajtazi, Motra Ollga Dulaj, Hilë Gjevelekaj, Dr. Hashim Çollaku, Balë Kajzogaj, Hilë L. Sh. Prekpalaj, Lucije Marklushaj, Tunë Prekpalaj, Nol Kristaj, Gjon Gjevelekaj, Hajdar Mallaku, Gjon Kolëndrekaj, e kështu me radhë).
Njëherësh do të hapet ekspozita e Frrok Kristajt me fotografi të Imzot Pjetër Bogdanit, Atë Shtjefën Gjeçovit, Katarina Josipit e të Anton Pashkut.
Në fund, veprimtarët kurbetçarë, që i kanë kontribuar zhvillimit të vendlindjes – Zymit, do të laureohen me mirënjohje. (f.k.)
- « Previous Page
- 1
- …
- 49
- 50
- 51
- 52
- 53
- …
- 89
- Next Page »