Archives for October 2015
Leter Editorit- AVOKATI YLBER DAUTI E BERI DJALIN TONE MULTIMULIONER
Vetëm pasi e larguam çështjen nga një zyrë avokatësh amerikanë dhe ia besuam avokatit shqiptar YLBER DAUTI, djali ynë arriti të sigurojë dëmshpërblimin prej disa milionë dollarësh. Faleminderit Avokat!/
Editorit të Gazetës”DIELLI”, New York/
I nderuar Editor;/
Dëshirojmë si familje të publikojmë në Gazetën më të vjetër të Shqiptarëve të Amerikës”DIELLI”, një falenderim publik për avokatin Shqiptaro-Amerikan YLBER DAUTI. Ju lutem publikoni nën përgjegjësinë tonë si më poshtë:
Dëshirojmë të falenderojmë përzemërsisht Avokatin Ylber DAUTI për punën e përkryer dhe rezultatin e shkëlqyer që ai arriti në çështjen gjyqsore të djalit tonë për gabimet mjeksore që i ishin shkaktuar atij nga personeli mjekësor, duke i rrezikuar shëndetin.
Pas dëmeve që i ishin shkatuar djalit tonë nga gabimet e mjekëve, ne morëm një avokat amerikan nga një firmë e madhe ligjore në Nju Jork. Të pakënaqur me ritmin dhe cilësinë e punës së avokatit amerikan, një njeriu ynë i afërt, na këshilloi të konsultoheshim me avokatin shqiptar, YLBER DAUTI. Kështu që pas disa vitesh pritje me avokatët amerikanë, ne vendosëm t’ia kalonim çështjen avokatit shqiptar, YLBER DAUTI. Ndjehemi me fat që na u rekomandua ky avokat i shkëlqyer. Sinqerisht, ne u mahnitëm, dhe krenohemi me aftësitë dhe përfaqësimin dinjitoz që avokat DAUTI bëri për djalin tonë gjatë takimeve dhe në seancat gjyqsore.
Avokati Dauti punoi jo vetëm me mendje por edhe më zemër për të mbrojtë djalin tonë në betejën e gjatë gjyqsore kundër disa mjekëve dhe spitaleve që nuk pranonin fajin për dëmin që i ishte shkatuar djalit tonë nga gabimet e tyre mjeksore.
Ne ishim me fat që u informuam në kohë për aftësitë e shkëlqyera të avokatit DAUTI dhe ndjehemi mirë që ia besuam atij çështjen, pasi ai arriti në kohë të korrigjojë gabimet e avokatëve amerikanë, sepse ata- nga padija apo pakujdesia- nuk kishin hapur padi kundër të gjitha palëve neglizhente.
Pas shumë përpjekjesh dhe pune të palodhshme, Avokati DAUTI, arriti të siguroi një shpërblim prej disa milionash dollarësh për djalin tonë-një nga shpërblimet më të larta në Nju Jork.
Si pasojë e punës dhe aftësive të shkëlqyera profesionale të Avokatit DAUTI- djali ynë është tashmë multi-milioner- dhe për këtë ne do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës avokatit shqiptar, Ylber DAUTI.
Ne jemi një familje e thjeshtë dhe sinqerisht nuk dëshironim të bënim asnjë publicitet në lidhje më çështjen gjyqësore të djalit tonë. Por shpresojmë, që duke ndarë eksperiencën tonë me komunitetin, do të arrijmë t’i ndihmojmë të tjerët, që në raste të ngjajshme, të dinë ku të trokasin, duke dëshiruar që të zgjedhin një avokat të aftë shqiptar siç është Avokat Ylber DAUTI, i cili punoi me mjeshëtri të lartë profesionale, me mendje dhe me zemër për çështjen e djalit tonë.
Ju lutem z. Editor, nëse keni ndonjë pyetje, mund të kontaktoni (Vijon numri i telefonit, qe ruhet ne letren origjinale drejtuar editorit)
Me respekt
- G(Firma)
- G(Firma)
Nis viti i ri akademik, përkujtohet protesta studentore 1997 në Kosovë
-Në 1 tetor para 18 viteve në Prishtinë: Në protestë 30,000 studentë shqiptarë, në rrugë mbi 100,000 qytetarë/
Nga Behlul JASHARI/Prishtinë, 1 Tetor 2015/ Në Kosovë ka nisur sot viti i ri akademik dhe me këtë rast ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, vizitoi Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Si tradicionalisht, viti i ri akademik nis edhe me vlerësimin e përkujtimin e protestës së fuqishme të studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të para 18 viteve, 1 tetorit 1997, në mbrojtje të arsimit shqip në Kosovë, për lirimin e Universitetit e shkollave të okupuara nga regjimi i dhunës serbe. Bashkë me studentët, në ballë të protestës, që nisi në Lagjen Velania të shtëpive të shqiptarëve të shndërruara në universitet, ishte edhe rektori historik, Ejup Statovci.
Pikërisht para 18 vitesh, drejtpërdrejtë nga protesta, kam raportuar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se, “në Prishtinë ka shumë studentë të plagosur pas ndërhyrjes së policisë serbe”, se “janë rrahur edhe shumë vajza – studente të Fakultetit të
Mjekësisë sepse donin të ndihmonin studentët e lënduar”, dhe theksoja përkrahjen e gjithë popullit për protestën. “Në tërë qytetin e Prishtinës, ku kane dalë mbi 100,000 qytetarë, përkundër shtetrrethimit policor, mbretëron një atmosferë tepër e rëndë dhe e jashtëzakonshme”, dëshmoja korrespondent i ATSH-së nga Prishtina (i atëhershëm dhe i tashëm), përmes telefoninit në 1 tetor 1997.
Raportimin e bëja edhe nga ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës në lagjen Velania, ku ishte vendosur në një shtëpi private pas dëbimit të dhunshëm e të përgjakshëm të shqiptarëve të Kosovës nga objektet shkollore e universitare.
“Forcat policore kanë bllokuar edhe ndërtesën e rektoratit. Në rektorat janë strehuar shumë studentë të lënduar, ndërsa brenda hyn edhe tymi i gazit lotsjellës”, raportoja nga vendngjarja ku isha me lidhjen e telefonike nga Prishtina me Tiranën. Raportoja edhe për ndërhyrjen e egër të forcave serbe kundër mëse 30,000 studentëve shqiptarë protestues, theksoja se “për në Velani janë drejtuar dhe tanket”.
“Më 1 tetor 1997 u mposht frika”, theksohet sot në një nga titujt në ballinat e shtypit në Kosovë.
Ish-drejtuesit e Lëvizjes Studentore të ’97-s, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi, 18 vjet pas këtyre protestave, i kujtojnë çastet e vështira të pikënisjes së kthesës së madhe historike që po vinte për Kosovën, kthesë e cila mori emrin dhe vulën e UÇK-së.
“Atë kohë kishim një ideal për një universitet në gjuhën shqipe dhe për lirinë e vendit. Protestat e ’97-s i patën ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë dhe kanë bërë jehonë të madhe ndërkombëtare. Prandaj, pa Lëvizjen Studentore dhe pa Universitetin e Prishtinës nuk do të mund të paramendohej lufta çlirimtare e cila rezultoi me lirinë e Kosovës”, është shprehur Dugolli për gazetën “Epoka e Re”.
“Në Kosovën e robëruar e të shtypur, terren ku realizohej padrejtësia më e madhe në Evropë, më 1 tetor 1997 njeriut të Kosovës iu rikthye dinjiteti. Më 1 tetor populli ndjehej krenar dhe nuk turpërohej, pasi kishte thyer një heshtje të gjatë e absurde. Padyshim, Lëvizja Studentore e atëhershme e ka shpejtuar procesin drejt lirisë, i cili edhe sot e kësaj dite ende nuk ka përfunduar”, është shprehur Kurti.
“Natyrisht, ta kthesh një faqe tjetër të historisë, ka qenë një veprimtari shumë e rrezikshme për të hapur dyer të tjera të mëdha. Dhe më pas liridashësit dhe UÇK-ja përfundimisht i bënë hapat e mëdhenj dhe të fundit drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Lajçi.
“Më 1 tetor është mposhtur frika e Kosovës, ka rënë miti i frikës dhe secili shqiptar është ndier mirë, më solidar me tjetrin, një vlerë tradicionale që u rikthye. Përvjetorët e 1 tetorit ushqejnë një impuls krenarie, natyrisht, por na bëjnë t’i kujtojmë shumë shokë tanët dëshmorë. Ata do të donin që ky vend të ishte edhe më mirë nga sa është, sidomos në veri”, ka thënë Mavraj.
Ramush Haradinaj: Mos e lejoni defunksionalizimin e shtetit të Kosovës
PRISHTINË, 1 Tetor 2015/ Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi pak më parë, pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit, se “opozita nuk ka asnjë rrugë përpos që ta pamundësojë futjen në zbatim të marrëveshjeve për Demarkacionin dhe Asociacionin”.
“Nëse këto marrëveshje hyjnë në zbatim tani, atëherë Kosova nuk më nuk do të ketë fuqi as t’i korrigjojë e as t’i shfuqizojë ato”, tha ai.
Ne, si opozitë, vijoi Haradinaj, “nuk do të mund të pajtohemi asnjëherë që kushdoqoftë ta godas kaq rëndë shtetin dhe territorin e Kosovës”.
“Isa Mustafa ka gabuar, prandaj ai duhet ta korrigjojë gabimin e tij, sepse kjo është në interes të shtetit ku ai është kryeministër. Prandaj ftoj atë dhe partnerët ndërkombëtarë që ta kuptojnë shqetësimin tonë dhe t’i rishikojnë këto marrëveshje”, theksoi Haradinaj.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është kundër që serbët, atje ku janë shumicë, ta kenë asociacionin e tyre, por ky asociacion duhet të jetë në përputhje me Planin Ahtisaari dhe me Kushtetutën e Kosovës. Cdo zgjidhje tjetër, është jo demokratike dhe e papranueshme”, shprehet lideri i partisë së dytë opozitare kosovare.
“Sa i përket demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, jemi përcaktuar që kufiri të jetë atje ku ka qenë gjithnjë. Nuk e duam tokën e askujt dhe nuk jemi të gatshëm ta falim tokën tonë. Vetëm një zgjidhje e tillë është garancë e një fqinjësie të mirë me Malin e Zi”, shton Haradinaj.
“Keto çështje janë jetike për Kosovën dhe unë i ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, në Kosovë dhe jasht saj, që të vihen në anën e së drejtës, e jo të mbështesin zgjidhje të improvizuara me pasoja të pariparueshme”, përfundon lideri i AAK-së./b.j/
AFORIZMAT,- VLERA QË PASQYROJNË SHPIRTIN E NJË KOMBI
NGA PËLLUMB GORICA/*
Çdokush që merr në duar një libër me vlerë, me të vërtetë ka marrë një thesar. Ndaj, gjithsecili prej nesh duhet të shprehet me fjalë shpirti për atë, ç’ka autorët u servirin lexuesve. Çdo lexues ka mënyrën e vet të të lexuarit dhe të zbërthimit të asaj çka lexon. Leximi i përciptë është i barabartë me asgjënë. Në rastin në fjalë përgjegjësia e leximit është shumë e madhe dhe mund të përkufizohet baraz me rikrijimin.
Jam i emocionuar teksa shfletoj “Aforizma nga autorë shqiptare” të Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj, të një botimi serioz dhe me vlera akademike. Sepse me këtë botim jemi përballë faktit, që evidentohet dhe mundohet të përçohet jo në rrugë mekanike, por nëpërmjet rileximit aktiv një botë e madhe shpirtërore dhe filozofike kryesisht nga autorë shqiptarë, mjeshtra të fjalës poetike dhe të prozës së gjatë, që i kanë dhënë letërsisë sonë dimesione interesante. Është një fushë e vështirë ku përmblidhen pikë-pikë sentenca dhe filozofi të caktuara, të shëndërruara në urtësi. Botime të tilla në këtë drejtim janë të pakta, përveç disa dhe kjo prej vullnetit dhe ambicjes së autorëve. Ajo që ia shton më tepër vlerat botimeve të tilla është se ato shprehin mendimin e latuar të gjithë sferave të jetës, të shqetësimit të përhershëm krijues, i cili rreh me pulsin e kohës. Me mundësinë e zgjedhjes dhe të seleksionimit më të mire e më të përshtatshëm të kësaj urtësie proverbiale, ato janë rreshtuar në 4 vëllimeve interesante, të cilat spikatin si vlera kombëtare dhe lartësojnë e i ngrejnë një kult mendimit krijues e filozofik të kombit tonë. Aforizmat janë mesazhe të cilat kanë dalë nga përballjet e herë pashershme të njeriut me jetën. Janë rrethanat shoqërore të cilat kanë prodhuar e vazhdojnë të prodhojnë përvoja. Pra, grumbullimi i tyre nga individë të veçantë aq sa është e lehtë në pamje të parë, ka vështirësitë e saja.
Mbledhësit e këtyre aforizmave në vetvete janë filozofë të vërtetë, njerëz të urtë, siç thotë populli ynë, njerëz me botë të pasur shpirtërore me principe dhe koncepte të gjëra. Ata, pasi kanë rënë në konkat me to, gjatë rrugës jetësore e kërkojnë urtësinë me këtë lloj komunikimi me bagazhin e pasur dhe këmbënguljen e bletave punëtore Thimi Mitkos dhe Fatos Mero Rapajt, janë munduar që këtë pasuri me vlera të ja shpërndjajnë të tjerëve.
Në parathënien botuese autorët shprehen: “Aforizma ka ngjashmëri me fjalën e urtë popullore, por kjo duhet të ketë vlerë më të qëndrueshme, më shkencore dhe më të kapshme, pra shkalla mençurore e saj është mjaft e lartë” dhe se ato “nuk durojnë shprehjet e mendimeve ekstreme…”. Këto aforizma janë interesante dhe në çdonjërën duhet të ndalesh gjatë e të kuptosh thelbin e tyre, duke zbuluar thesare vlerash, Aforizmat tregojnë një rregull të jetës, një normë jetike, një të vërtetë të pamohueshme “… Janë dëshmi e përjetimeve, dëshirave, urtësisë, janë shpirti i një kombi”. Të mbledhësh, botosh aforizma, thënie e mendësi krijuese të ekstrakteve filozofike, do të thotë vlerë dhe shenjë mençurie, pasi përdorimi i tyre përbën një mënyrë të veçantë komunikimi, duke i dhënë një aftësi më të madhe shprehje dhe kolorit gjuhësor. Si pasojë përkufizimi i tyre në grup është shumë i vështirë se çdo aforizëm është një zbërthim filozofik si dhe një vëzhgim i gjatë i atyre dukurive dhe ngjarjeve që ndodhin brenda botkuptimit tonë. Autorët, duke mundur t’i përshkallëzojnë ato kanë shpalosur edhe vlerat e autorëve, mendimin filozofik, të joshur nga kompleksiteti i notave shpirtërore.
Pikërisht këtu qëndron dhe merita e tyre, të cilët jo vetëm i kanë qëmtuar ato në vite, siç nxirren nga fundi i detit perlat, me anë të shfletimit, nga bisedat e përditshme me miq, të njohur e të panjohur, por edhe i kanë paraqitur në një nënrenditje logjike, që lenë gjurmë te lexuesi e të bëjnë të meditosh për esencën e thënë. Në fakt është një qëmtim i hollë i së bukurës, ndjesores, të veçantës, logjikes, se aforizmat janë si diamantet që shkëlqejnë. Këto nënrenditje, që përjetohen me notat e vetë brendisë lexuesin e njohin, dhe e bëjnë pjesë të mendimit goditës, të drejtë, të panshëm, depërtues të ndjenjës, duke e paisur atë me forcën e jashtëzakonshme, e për të zbuluar të bukurën atje ku është në të vërtetë. Gjithsesi secili veçon të bukurën nga e zakonshmja, të këndshmen nga e thjeshta.
Duke i shfletuar në detaje aforizmat e autorëve shqiptarë, arrijmë të takohemi në mënyrë artistike dhe të hyjmë në një lidhësi të mozaikut jetësor, ku perfetizohet mirkuptimi, bekohet humanizmi e natyrisht ngrihen në obelisk vlerat e krijimeve. Arti, kur zbret brenda gjëndjes shpirtërore të njeriut, le gjumë të pashlyeshme, por i shprehur në momente të caktuara lind vlera monumentale.
Të jesh poet, shkrimtar, historian, mendimtar duhet të jesh patjetër shpirt dhe frymë e shkronjave, Ai që të prek në shpirt me fjalën e tij të thellë, edhe lotin e kalon nga shpirti dhe e bën të flasë. Të krijuara në çaste frymëzimi a gjëndje pezmi nga realiteti i kohës, , kërkimtare drejt së mirës, realizativ të dëshirës dhe vizionare të së ardhsmes nga ana tjetër të bëjnë të reflektosh dhe të të mbesin në mëndje me shijen e mirë. Aforizmat janë të kapshme nga lexuesi dhe sintetizojnë në vetvete mesazhin ideo- tematik dhe ideo-estetik të qënit më shumë se aforizma, të mbledhura vetëm nga autorët shqiptarë, jo vetëm artistike, por edhe shkencore. Të pashembullta, origjinale e të patjetërsueshme në këndvështrimin moral janë këto aforizma edhe në këndvështrimin artistik.
Simbolika e tyre aludon dhe perfomon një tedencë vizionare në qënien e njeriut, të cilin e imponon koha, por kjo simbolikë rigjeneron botkuptimin dhe vullnetin e vetë qenies, duke e drejtuar atë në kërkim të mesazheve të mirësisë profetike. Jetojmë në një kohë mjegullore e të etur për mesazhe mirkuptimi dhe secili nga ne, herët apo vonë, ballafaqohet me forcën që kanë ato. Temat psikologjike, të cilat janë shumë të domosdoshme për lexuesin, ndihmojnë të merren vendime të drejta në jetë dhe me pak fjalë me shumë këndvështrime pozitive për njerëzit, të cilët janë ose kanë qënë apo do të jenë pjesë e sfidave gjatë jetës së tyre. Në brendi të tyre ideja shprehet qartë dhe kuptueshëm, duke prekur qëndrën e trurit.
Lexuesi do të ketë rastin që gjatë leximit të tyre, të njihet me aspektet e jetës së përditshme, të rrok e prek të gjithë cepat e shpirtit njerëzor ku si bërthamë kanë dashurinë e respektin e tij. Duke hyrë në anët më intime të jetës njerëzore ato shprehin një vizion të mendimit të lartë e konkret shoqëror. Lexon në brendësi të çdo aforizmi elegancë dhe ndjeshmëri të lartë, shpresa të pafundme me koficient nënshpirti të rrokullisura në logjikën e së përditshmes, por edhe mesazhe jetëdhënëse për të nesërmen, të shprehur në formë lakonike, duke shërbyer si dritare nga mund të thithet informacion dhe dije për gjithkund. Janë përvoja filozofike të një kombi me vlera përgjithësuese të cilat e kanë provuar veten etyre në rrjedhen e shekujve.
-Kush ndëgjon vetëm një këmbonë ndëgjon vetëm një zë. Frang Bardhi
-Rrezja që s’sheh veten, por të gjithë i hijeshon! Jeronim De Rada
-Ajy, që është burrë s’e vret atë që ka zënë, as të falurit kurrë, s’i merr as shpirtin as gjënë.
Naim Frashëri
-Kur njeriu e ka zemrën plot me dashuri, shpirti i ushqehet me shpresa.
Pashko Vasa
– Fol vetëm për ato gjëra që i njeh, për të tjerat hesht. Sami Frashëri
-Moti i ri mos të gjej vetëm një mot më plak, por edhe një mot më të mençur. Fan S. Noli
Nuk vlen jeta më për mua, kur të bëj atë që s’dua. Ali Asllani
-Se s’mëson vendi me nji mik, me sa rron sorra me’i fik. Gjergj Fishta
-Sa më tepër bylbyla cëcërisinin në terr të natës, aq më fort afrohet agimi i pritun.
Ernest Koliqi
-E djeshmja ka ikur. E nesërmja s’ka ardhur. Nënë Tereza
-Atje ku ka më shumë dashuri, atje edhe dhembja është më e madhe.
Rexhep Qosja
-Nuk flasin letrat as thashethemnajat, por vetëm punët. At Zef Pllumbi
-Gjithçka duket e bukur nga larg. Sa i afrohesh prishet. Ismail Kadare
-Arsyeja arsyeton, kurse vetëm zemra drejtpeshon. Adem Demçi
-Kushdo që te jesh, nuk mund të mjaftohesh me vetveten. Azem Shkreli
-Pushteti i fjalës është i veçantë, gatuan male dhe kakërdhi, me fjalën rrjedhin
përrenj me mjalt, pikojnë çezma me helm të zi. Dritëro Agolli
-Dikush hyn nga dera, dikush nga dritarja a deriçka, dashuria nga të tria.
Xhevahir Spahiu
-Pa nder nuk është ë bukura e bukur. Kasem Trebeshina
-Kurrë nuk është e gjatë rruga që të shpie drejt së vërtetës.Nasho Jorgaqi
– Paska thënë një i mbarë, rrena nuk do dëshmitar. Rifat Kukaj
-Të mos mund të jetosh, është më e lejueshme se të mos dish të jetosh.
Zija Çela
– Ai që nuk ka pru asgjë në zgjua, nuk ka të drejtë të provojë mjaltin. Isuf Luzaj
-Koha kalon dhe nuk fal askënd. Len detyrime, vjedh lumturi. Brunilda Zllami
-Vetmia më shumë se të vret të shëmton. Flutura Açka
-Lufta është mallkim për shumë njerëz, por është shpetim për disa të tjerë.
Ben Blushi
-Atij që mëndja i pjellë pa da /mendimi i dytë / të parin e ban me ra. Pashk Gjeçi
-Shumë njerëz as mbjellin, as korrin, por hambarin e kanë plot. Nonda Bulka
-Mbahu… në s’do të të mbajnë nëpër gojë. Jakov Xoxa
– Një vend pa moral e krenari i ngjan guackës boshe. Ali Podrimja
Mesazhi filozofik i autorëve, ndërkohë lartëson fokusimet e veprave cilësore me mbështjelljen shpirtërore, sepse përditë e më shumë sheh tituj librash të botuara vend e pa vend. Në lëmin artistik çdo krijim flet me ndjenjën e individit, ku jo në të gjitha rastet ai zotëron profesionalizëm dhe origjinalitet. Të botosh një libër në radhë të parë është përgjegjësi e madhe për autorin dhe pastaj për botuesin, i cili duhet të shoh përtej interesit cilësinë krijuese, vërtetësinë dhe vlerat e tyre, sidomos kur flitet për mendimet rreth artit universal shpirtëror. Sot në fakt botohen edhe vepra mediokre; romane, ku krijimi le shumë për të dëshiruar, apo vëllime poetike, që vetëm të tilla s’janë me vargëzime të copëzuara në rrokje fjalësh dhe pa frymë metaforike. Mendimet e shkruara dhe vargjet nga një autor bëhen pjesë e plagjiaturës së një autori tjetër. Kjo dukuri negative si në gjithë sferat e tjera edhe në fushën e krijimtarisë është e ndjeshme dhe një realitet shpirtëror i cli shitet e blihet, pasi sot për sot disa kanë mundësinë financiare, por s`kanë pasurinë shpirtërore. Paratë nuk kanë këmbë, por vrapojnë për të blerë gjithëçka dhe inkurajojnë antivlerat, mediokritetin.
Prodhohet kështu krijimtari nga të gjitha gjinitë me pompozitet fals. Ndaj është e rëndësishme për atë që shkruan të përfaqësohet denjësisht me vlerën origjinale të krijimit.
Botimet “Aforizma nga autorë shqiptare” i Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj, si një dëshmi e punës përkushtuese e me vlera të veçanta, duhet të lexohet nga ata të duhurit dhe të nxirret më e mira në art. Profesionaliteti dhe zotësia e autorëve në përzgjedhjen e vlerave, tregon bukurinë shpirtërore të tyre, njëkohësisht tregon prokupacionin, zgjuarsinë dhe dëshirën për t’i ardhur në ndihmë njerzimit, por edhe inkurajimin pa cmirë të shpirtit krijues nën dritën e këndvështrimit evidentues e të mirëfilltë të artit. Sepse çdo kush duhet të bëj diçka që gjërat e bukura të vlerësohen. Shoqëria jonë vazhdimisht ka nevojë dhe nuk ngopet me botime të ndritura arti.
Le t’i mbyllim këto shënime modeste, duke u lënë mundësinë të tjerëve nga këndvështrime të ndryshme, të gjykojë dhe reflektojë mbi vlerat e këtij botimi.
Urime autorëve për punën pasionante, çmuese, inkurajuese, që dëshmon për fisnikëri shpirtërore!
*Shënime rreth botimeve “Aforizma nga autorë shqiptare” të Ali R. Berisha dhe Luz Pernokaj/