• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

NEKI LULAJ: TYM NE TEMPULL-Sofra e Diellit

October 28, 2015 by dgreca

Neki Lulaj/ Gjermani/
TYM NE TEMPULL/
Dyert e tempullit të drejtësisë dje i gjeta te mbyllura një për një/
Të shtrënguara ishin me zinxhirë e shufra gomash të vjetra/
Te përndjekur egërsisht nga sonambulet pikë e presje na u bë/
Plisin nga mendja nuk na u shkyen, por na mallkuan kodoshët e egër /

Në tempullin e Drejtësisë ku latohen ligjet të huajt na mallkuan/
Ne qyqarët skllevër, dje e sot në shtëpinë tone mbetëm këtu/
I burgosëm atdhetarët e kombit me turpësinë që nuk e merituan/
Denësin nga frymëmarrja atdhetarët pas plafit të zi në pëlhurë/

Si në ´zemrën e tempullit të nemur nga të mallkuarit e zinj/
Tymi djeg në bebëzat e jetës loti frymëmarrjen ngushton/
Në këtë zallamahi dukmi si tym pa gaca.pa ngrohësui/
Aty që tremijë vjet bashkë me nënë ngratën ëndërroj/
Ti ngohë blejt e shpirtit duart e mërdhira gjinjët/

E më thoni dhe ju po unë cili ja . e çka po dua…?
Nëkëtë kthjelltësi qielli loti tokën shpon si tërmeti
Po a mos jam një jetim i prinderve kopil tyë pakurorëziar
Harresa është vetëvrasja ndaj jam ngrefosur e po ja bëj varrin vetit

Eh, po të ishte ëndërr nuk do zgjohesha nga kjo ëndërr e keqe
Nuk do të kthehesha nga vdekja e le të më vinte ere dhe varri
Le të më verbohen sytë e shurdhohen veshët në jetë të jetëve
Vetëm të mos e shoh e të mos e degjoj këtë katrahurë zjarri

Mua le të më mallkojë vehtja që po e krimoj jetën të ardhmen
Që e kërkova dhe brodha pas saj qe tremijè vjet histori
Këmbëzbathur shpërngul duar prangosur trupin nga varre
Ku ta kërkoi fajin të ngratin jetim..kur vetë jam fajtor, o vëllai im.

DASHURIA
Dashuria ime zhuritet në largësi
Pa ty
Ja velëm njëri- tjetrit nektarin e zemrave në heshtëzim
Ti pa mua e unë pa ty, të dy.
Kjo pikë loti sot po më djeg me shumë si zhiva në plagë
Pa ty,
Tek pyll i vjetër dafinat nuk lëshojnë me aromë mbi hirin e rremë
Pa ty
Gjumin e ëmbël e drithëron zjarri bubulak
Pa ty
Bilbetin kukuvajkat si në shpellat misterioze
Pa ty
E atje larg tek ti lahet dielli në oqean
Pa mua
Zanat thurin mëndafshin në vek
Pa mua e pa ty
Pikat e verdha gavrojnë lulet në Kopështin e Evës
Pa ne
Pika e hirtë rrëzohet në shtegun e gardhit në lamën e vjetër
Pa mua e pa ty
Afshin e takimit të parë dhe gëzimit si ta kthej?
Bashkë e lamë ne të dy
As ti e as unë atje nuk e takuam shpirtin
me dashurinë e zjarrit të parë rinor.

Le të dergjen në harresë vitet e humbura në zgafellat e zemrës
Gjethet po e vyshkin buzëqeshjen
E myshku po e rrit shtatin në qetësi
Si të ishte në shtratin e ëndrrës

Pa mua e pa ty…

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: neki Lulaj, Tym ne Tempull

REFLEKTIM MBI VIZITËN E AMBASADORIT AMERIKAN

October 28, 2015 by dgreca

NË BURGUN E SPAÇIT/
Fjala është për një vizitë simbolike por tepër domethënse që ambasadori amerikan në Shqipëri, Z. Donald Lu bëri të martën në burgun famëkeq të Spaçit. Menjëherë sa e pashë në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, më bëri një përshtypje të jashtzakonshme dhe nuk mund u durova dhe e shpërndava menjëherë ndër kolegët, dashamirët dhe miqtë e mi. Ë bëra këtë sepse mu duk si një lajm i mirë, për një gjest human dhe fisnik të një diplomati amerikan, që meritonte të shpërndahej. Z. Lu që në vitin e parë të mandatit vendosi të vizitonte këtë javë, njërën prej gërmadhave më të këqia të komunizmit shqiptar dhe më gjërë për të cilën ai duhet të falenderohet.
Vizita e ambasadorit Lu në burgun e Spaçit, është me rëndësi simbolike, po se po, por edhe me rëndësi praktike, sepse për një ambasador të ri është me rëndësi që jo vetëm të kuptohet politika e sotëme tepër e ndërlikuar e Shqipërisë, por edhe e kaluara e saj e errët komuniste, jo aq e largët. Është me rëndësi që diplomatë të huaj të vizitojnë burgjet dhe qendra të tjera të përqëndrimit të regjimit enverist. Por është e doemosdoshme që edhe autoritetet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar të vizitojnë burgjet dhe kampet e regjimit komunist anë e mbanë Shqipërisë, siç është ai Spaçit, të cilin Ambasadorit Lu, e cilësoi si një “dëshmi e brutalitetit njerëzor”. Ndonëse faktet tregojnë ndryshe, gjatë këtyre 25 viteve të fundit, qeveri dhe udhëheqës politikë të gjitha ngjyrave kanë thënë dhe thonë se është bërë maksimumi për ish të përndjekurit politikë. Unë do të thosha se “të bërat” morale, të cilat kanë munguar gjatë një çerek shekulli të kaluar, janë më të rëndësishme se të “bërat” materiale. Besoj se vizita e autoriteteve shtetërore dhe qeveritare shqiptare në këto gërmadha të errëta të komunizmit do të ishte një hap i parë moral drejtë pranimit se ideologjia komuniste e ish-regjimit ishte drejtë për drejtë përgjegjëse për krime kundër njerëzimit. Një gjë e tillë është e doemosdoshme siç ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Europës, gjë që ndoshta do të kontribonte më në fund, drejtë një debati të ndershëm dhe të sinqert mbi trashëgiminë komuniste në trojet shqiptare. Një trashëgimi fizike dhe morale kjo, që do a s’do Tirana zyrtare, është dhe do të mbetet pjesë e historisë dhe këto burgje do të shërbejnë si një kujtesë e një plage të pashëruar, derisa të zhduken nga kujtesa dhe nga vitet që kalojnë.
Ambasadori Lu, si asnjë ambasador tjetër amerikan e kupton mirë historinë e këtyre burgjeve të tmerrit komunist, pasi siç rrëfehet edhe vet, ai ka një histori familjare për të treguar. Stërgjyshja e tij, tha ai në deklaratën pas vizitës në Spaç, ka vdekur në një burg komunist në Kinë. “Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë”, shkruan ambasadori Lu. “Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot”, shprehet përfaqsuesi amerikan në Tiranë, pas vizitës në burgun e Spaçit.
Vizita, që bëri të martën në burgun e Spaçit Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ishte pa dyshim plot simbolizëm dhe me rëndësi publike, dhe duket si një mesazh edhe ndaj autoriteteve shqiptare se ka ardhur koha të përballen me të kaluarën e historisë së tyre të gjysëm shekullit të kaluar. Në lidhje me këtë, e rëndësishëme ishte porosia e tij, “Për të mos e lënë në harresë tragjedinë e Spaçit”, duke nxitur, “Të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”. A mund të imagjinohet një deklaratë e tillë nga ndonjëri prej autoriteteve të sotëme shqiptare?
Fjalët e ambasadorit amerikan janë një porosi miqësore por edhe një sfidë për politikën, për edukatorët dhe për shkollat e vendit — nga përfaqsuesi i një vendi historikisht mik i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar. Përfaqsuesi amerikan tërhoqi vëmendjen dhe nënvijoi nevojën e përballimit me historinë dhe me të kaluarën komuniste në Shqipëri, duke cituar aktivisten e të drejtave civile, poeteshën dhe autoren Maya Angelou, fjalët e së cilës janë të gdhendura në një pllakatë në oborrin e ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Historia, pavarësisht dhimbjes së saj therëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajo, nuk ka pse të përjetohet sërish.”
Nëse historia përballohet me kurajo! Kjo është pyetja. Cili politikan, përfaqsues të pozitës dhe opozitës shqiptare gjatë 25 viteve të fundit në Shqipëri, ka treguar kurajo morale dhe politike për të vizituar deri më sot burgun e Spaçit, ndonjë burg tjetër ose kamp përqendrimi, si një përpjekje për tu njohur dhe për tu përballur me atë histori, për veten dhe të tjerët. Cila do të jetë shkolla e parë që do t’i përgjigjet sugjerimit të ambasadorit amerikan dhe të organizojë një vizitë të nxënsve të shkollave fillore në këto gërmadha të territ komunist, me qëllim siç tha ai, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.” Ambasadori amerikan me qëllim të mirë shtoi se “Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”, duke nënkuptuar se kjo histori është “treguar” tanimë. Fati i keq është se gjeneratës të cilës i referohet ambasadori, nuk i është treguar ende kjo histori ashtu siç duhet dhe në përmasat që duhet t’i mësohet. Por sado qëllim mirë është përfaqsuesi amerikan në porositë e tija, kjo është në radhë të parë detyrë dhe përgjegjësi e autoriteteve politike shqiptare dhe e sistemit arsimor të vendit. Fatkqesisht, duket se e kundërta po ndodhë, ndërkohë që vihen re tendenca dhe përpjekje – si në asnjë vend tjetër ish-komunist – për rihabilitimin e diktatorit të regjimit komunist madje edhe në raste festash kombëtare ku marrin pjesë edhe udhëheqsit më të lartë të vendit, pa kundërshtuar dukuri të tilla, duke i pranuar si të radhës.
Duket se politikanët shqiptarë e gjejnë më të arsyeshme dhe më pak të dëmshme për karierat e tyre politike, tolerancën ndaj diktatorit, se sa kujtimin e viktimave të tija, si ato të burgut të Spaçit! Është me rëndësi që ambasadori amerikan vizitoi burgun e Spaçit, por megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mund të pajisë autoritetet e shtetit dhe të qeverisë shqiptare me një ndërgjegje morale dhe pollitike që është e nevojshme për tu përballur me krimet e komunizmit në vendin e tyre.
Ka ardhur koha që udhëheqsit e sotëm politikë shqiptarë të pranojnë zyrtarisht këtë kapitull të zi të historisë moderne shqiptare gjatë së cilës u vranë dhe ku vdiqën të izoluar me mijëra bashkatdhetarë të tyre të pafajshëm, gjatë pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist. Kështu kanë bërë shumë shtete ish-komuniste, tani anëtare të Bashkimit Europian. Rruga e Shqipërisë drejtë Bashkimit Europian –nëqoftse me të vërtetë Tirana zyrtare është serioze për tu bërë pjesë e klubit të vendeve europiane me të cilat ndanë gjeografinë dhe kulturën – do të jetë e vështirë, nëqoftse krimet e komunizmit në Shqipëri nuk vlerësohen dhe gjykohen nga pikpamja ligjore, morale, politike dhe historike, ashtu siç kërkohet nga konventa dhe deklarata të ndryshme europiane.
Nëqoftse Spaçi nuk vizitohet me qëllim për të mos harruar kurrë atë histori, atëherë të pakën të vizitohen këto ish-kampe për kuriozitet, për t’u njohur me rrethanat e asaj përvoje tragjike të shumë bashkatdhetarve të vet, të cilët kanë patur fatin të dalin të gjallë së andejmi. Edhe këta janë shqiptarë dhe pjesë e të njëjtit komb! Mungesa e kujtimit të vrarëve dhe të gjallëve dhe e krimeve kundër tyre, siç ka thënë mbijetuesi i holokaustit, Elie Wisel, do të ishte baraz me persekutimin dhe vrasjen e tyre për së dyti. Të mbijetuarit e burgut të Spaçit dhe burgjeve të tjera, përfshirë ata të kampeve të përqëndrimit, kanë shumë për të thënë mbi përvojën e tyre të tmershme, nepërmjet testamenteve, kujtimeve dhe librave të ndryshëm që janë shkruar, por për arsye të moshës ata mbeten të pakët në numër dhe po zhduken dalngadalë. Dhe me zhdukjen e tyre, harrohet edhe historia, krimet e komunizmit, si dhe vrasjet dhe vuajtjet e viktimave të asaj tiranie, gjë që sipas nobelistit Elie Wiesel, do të ishte një vrasje e dytë e tyre.
Besoj se kjo ishte edhe arsyeja që ambasadori amerikan Donald Lu bëri thirrje shqiptarëve në përgjithësi dhe brezit të ri në veçanti, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, reflektim, vizita e Ambasadorit Amerikan

SHBA- Dr. Gentian Lluri, një studiues kardiolog nga Durrësi në Los Anxhelos

October 28, 2015 by dgreca

Nga Gëzim KABASHI/
“Mjekësia është shkencë dhe art”./
Kështu e nis komunikimin dr. Gentian Lluri, mjeku kardiolog shqiptar që punon në Los Anxhelos, në Universitetin e Kalifornisë. Pas një përvoje 15-vjeçare ai ka bindjen se për të fituar betejën me sëmundjen, një mjek i mirë, bashkë me shkencën duhet të shfrytëzojë edhe artin për të fituar besimin e pacientit.
40 vjeç, me gjysmën e jetës kaluar në auditoret e disa prej universiteteve dhe spitaleve më të njohura në SHBA, Gentiani nuk i ka ndërprerë asnjëherë studimet mjekësore, jo vetëm në fushën e kardiologjisë, por edhe në ato të kirurgjisë dhe neurologjisë.
Bashkë me doktoraturën në neurobiologji, që nga viti 2005 ai ka botuar një sërë artikujsh shkencorë në disa nga revistat e specializuara amerikane, duke u kthyer në një pikë referimi për të rinjtë që kanë zgjedhur profesionin fisnik të mjekut.
Një vit më parë kolegët e tij me prejardhje nga Shqipëria e zgjodhën në postin e presidentit të Shoqatës së Mjekëve shqiptarë në Amerikë. Një vlerësim i merituar për dr. Llurin ky i Shoqatës, ku bashkë me mjekë dhe studentë shqiptarë bën pjesë edhe Nobelisti Ferid Murat.
Po cilat janë stacionet e jetës së studiuesit kardiolog?

Shqipëri – Tunizi – SHBA/

Pasionin për shkencat ekzakte Genti, siç e thërrasin të afërmit, e fitoi nga babai i tij, Kujtimi, mësues fizike mjaft i njohur në qytetin e Durrësit, e po aq edhe nga e ëma, Jalldizi, inxhinjere ndërtimi.
Nxënës i shkëlqyer në të gjitha ciklet shkollore, ai nuk u mendua aspak, kur në vitin 1993 zgjodhi degën e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Mund të zgjidhte degën që dëshëronte, dhe megjithë prirjet e dukshme në elektronikë, Genti preferoi Mjeksinë, duke respektuar edhe dëshirën e hershme të gjyshes së tij, infermiere në spitalin e qytetit bregdetar.
Rezultatet e shkëlqyera të vitit të parë mundësuan vijimin e studimeve në të njejtën degë në një nga Universitetet e Tunizisë, ku qëndroi disa muaj. Por Genti tashmë e kishte kuptuar se formimi i tij qoftë në Evropë, apo edhe në Afrikën veriore do të ishte i mangët.
Ishte 20 vjeç, kur mbërriti në Amerikë për një qëndrim të përkohshëm.
Etjen profesionale e “shuan” në Universitetin e Ilinoisit, në profilin Paramjekësor. Janë shkolla mjaft të shtrenjta, por Genti nuk ndalet. Punon në restorante, në ndërtim, apo në një fabrikë montimi pajisjesh elektroshtëpiake. Familja, që ka mbërritur pak kohë më parë nga Durrësi në “kontinentin e ri” e mbështet me gjithçka mundet.
Djaloshi e quan vetën me fat, kur punësohet në laboratoret kompiuterikë të Universitetit. Aty mund të studiojë dhe të paguhet njëkohësisht. Diplomohet me medalje të artë dhe përfshihet në Librin e studentëve më të mirë.
Stacioni i radhës bëhet Universiteti i Vermontit, ku falë rezultateve të larta, Gentiani pranohet të ndjekë njëkohësisht studimet për dy grada shkencore: MD Doktor në Mjekësi dhe PhD, Doktor në Filozofi.
Shteti amerikan përmes Ambasadës së tij në Tiranë kujdeset që ti akordojë qëndrim të përhershëm në SHBA, tregues i rezultateve të larta të Gentian Llurit në shkollat më të mira perëndimore.

Studime e botime nga mjeku i ri shqiptar/

Djaloshi nga Durrësi mbron doktoraturën në neurobiologji. Gjatë kësaj kohe boton artikuj shkencorë si “Regulation of TIMP-2, MT1-MMP,and MMP-2 ,expression during C2C12 Differentiation” në revistën”Muscle @ Nerve”(tetor 2005); në revistën “Neuro biology”(tetor 2006) boton artikullin “Tissue inhibitor of metalloproteinase-2(TIMP-2) via a B1 Integrin – Mediated Mechanism”. Pas diplomimit si mjek(MD) dhe mbrojtjes së doktoraturës (PHD) ai fillon praktikën 3-vjeçare si mjek i përgjithshëm (Internal Medicine) ne UIC “University of Illinois at Chicago”.
Shpallet mjeku më i mirë rezident i vitit, duke fituar të drejtën të thellojë njohuritë e tij për kardiologjinë në “UCLA” (University of California at Los-Angeles).
Gjatë kësaj kohe boton “Left and Right Ventricular Diastolic Function in Adults with Surgically Repaired Tetralogy on Fallot. A multi- institutional study” në revistën “Canadian Journal of Cardiology” (qershor 2013 ). Studim tjetër nga fusha e shkencës së Kardiologjisë është “Coronary Arterial Development. A Review of Normal and Congenitally Anomalous Patterns” në revistën “Clinical Cardiology” (shkurt 2014).

Adrioni, lidhja e re me atdheun/

Gentian Lluri nuk i ka humbur asnjëherë lidhjet me atdheun. Ai vjen shpesh në Durrës me familjen e tij të vogël – tregon Vera, halla e tij. Takon shokë e miq, ndërsa një pjesë të mirë të qëndrimit në Shqipëri ia kushton bregdetit.
Me bashkëshorten mjeke patologe, Ria Vergara-Lluri, dhe djalin e vogël kanë filluar të eksplorojnë plazhet e Adriatikut dhe po programojnë edhe bregdetin e Jonit.
“Djali ynë quhet Adrion dhe ka nisur të mësojë shqipen-tregon Genti. Kështu do ti mësojë më mirë edhe brigjet nga e ka marrë emrin”.
Mjeku i suksesshëm shqiptar thotë se interneti i ka shkurtuar distancat dhe kontaktet me homologët në atdhe janë plotësisht të mundshme. “Në punën tonë shkencore ne bashkëpunojmë me universitete e spitale thuajse nga e gjithë bota, edhe në Australi e Japoni – sqaron Genti, duke theksuar se për lidhjet me Shqipërinë mund të ndihmojë edhe Shoqata e mjekëve shqiptarë në Amerikë.
“Kjo është një shoqatë vullnetare, që synon të bashkojë e të ndihmojë anëtarët e saj të fushës së mjekësisë. Ka shumë shqiptarë të talentuar në SHBA që kontribuojnë në fushën e mjekësisë-shprehet dr. Gentian Lluri, president i kësaj Shoqate.

****
Mjekësia, profesioni i sakrificave njerëzore/

-Intervista me dr. Gentian Llurin, president i Shoqatës së Mjekëve shqiptarë në SHBA-

-Cfarë i ka dhënë SHBA dhe cfarë i ka dhënë Shqipëria Gentit?
Së pari po e filloj me më të rëndësishmen. Cfarë më ka dhene Shqiperia? Më dha gjithçka që kisha nevojë për të çarë në Amerikë. Shkollimi që pata në Shqiperi ishte çelës i suksesit. Ishte edukimi, sidomos në shkollë të mesme, edhe mësuesit e “Gjergj Kastriotit”, së bashku me “Sallën 50” ku bënim provimet e tmerrshme, që na dha kurajon edhe bindjen se asgjë nuk është e pamundur. ShBA më dha mundësinë që jo vetëm të vazhdoj studimet në mjeksi, por në të njejtën kohë mundësinë për avancuar kërkimet shkencore në fushën e sëmundjeve të zemrës. Mundësi që jo shumë vende në botë ta japin. SHBA më dha mundësinë, thjesht në bazë të rezultateve akademike, që të arrij majat e mjeksisë, pa më pyetur se nga vija apo kush isha.

-Cili ka qenë qëllimi kryesor i Gentit kur mbërriti në SHBA?
Qellimi kryesor gjithmonë ka qenë i njejtë. Të bëhesha mjek. Madje të shkoj edhe më tej: jo vetëm të mësoj fushën e mjekësisë, por edhe ta avancoj atë.

-Cila është sakrifica njerëzore që bën një mjek?
Jo vetëm në Amerikë, por kudo në botë një mjek i mirë, sakrifikon shumë vite të gjata studimi dhe trajnimi. Orë të tëra ditë edhe natë në spital, me qellimin e vetëm që çdo pacient, sado i sëmurë pavarësisht moshës, etnisë, statusit financiar, apo çdo gjëje tjetër të ketë mundesinë për tu shëruar dhe të ribashkohet me familjen e tij. Janë momente të tilla kur bëhet fjala për jetë a vdekje, që jo vetëm sakrifica fizike nga ana e mjekut, por edhe sakrifica emocionale dhe mendore janë shumë të rëndësishme për të mbrojtur shenjtërine e jetës.

-A ka diçka përtej profesionalizmit të një mjeku, Zoti psh.?
Mendimi im personal është që janë shumë faktorë perveç profesionalizmit. Dashuria për jetën, modestia, kurajo për të kërkuar ndihmë nga kolegët, respekti për kolegët, edhe pacientët. Gjithashtu mendimi im personal është besimi në Zot, por ka mjekë shumë të mirë që nuk janë besimtarë. Besimi në zot është diçka personale, që nuk është faktor kritik në cilësinë e mjekut.

-Si funksionon shoqata e mjekëve shqiptarë?
Shoqata e Mjekëve shqiptarë në Amerikë (Albanian American Medical Society) është një shoqatë, që unë e kam për nder që jam anëtar prej shumë vitesh, edhe presidenti aktual. Shoqata ka për anëtarë individë në fushën e mjeksisë, të cilët janë krenarë për origjinën shqiptare, dhe synimi i shoqatës është që nga lidhja, ndihmesa, dhe bashkëpunimi mes antarëve të shoqatës. Shoqata është joqeveritare, jopolitike, jo për qëllime biznesi. Anëtarët janë në të gjithë Amerikën; shpesh bëhen takime lokale, dhe çdo dy vjet bëhet takimi/darka e madhe, ku të gjithë anetarët e shoqatës marrin pjesë. Anëtarët janë nga të gjitha fushat e mjekësisë. Kemi anëtarë fitues të çmimit Nobel, por kemi edhe studentë të mjekësisë. Jemi të gjithë krenarë për origjinën tonë.
-A keni një këshillë për studentët e mjeksisë dhe mjekët e rinj?
Hmmm… Mjekësia është shkencë dhe art. Shkencë për të luftuar sëmundjen, dhe art për të fituar besimin e pacientit.

Ne Foto 3 Me bashkëshorten Ria Vergara dhe djalin Adrionin

Filed Under: Interviste, Komunitet Tagged With: Dr. Gentian Lluri, kardiologu nga Durresi, ne Los Angelos

Ç’KËRKUAN PRONARËT NË TAKIMIN ME PRESIDENTIN NISHANI?

October 28, 2015 by dgreca

Nga Merko Bozhanaj/
Me datën 23 Tetor 2015 së bashku me Kryesine e Shoqates Krahina Jonë dhe përfaqësues të shoqatave të tjera të pronarëve, unë Merko Bozhanaj, morra pjesë në takimin që u organizuar nga Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani , për problemin e pazgjidhur të pronave tona të trashëguara. Presidenti shprehu preokupimin e tij të thellë për rëndësinë që ka zgjidhja e anarkisë së pronës duke u mbeshtetur në parimet dhe detyrimet kushtetuese si dhe në kërkesat e vendimit pilot të GJEDNJ. Zgjidhjen me përparësi të problematikës së këtij takimi vetë Presidenti e vlerësoi me rëndësi kombëtare. Eshtë fakt se vlerat morale të shoqërisë shqiptare në këto 25 vjet janë dëmtuar shumë dhe perspektiva e Shqipërisë në BE është e penguar pa u zgjidhur problemi i pronës private. Këtë e ndjejnë të gjitha familjet që vuajnë nga papërgjegjshmëria e Ramiz Alisë dhe e dy kryetarëve të PD dhe PS ne 1991 Sali Berisha dhe Fatos Nano, të zgjedhur prej tij, që imponuan vjedhjen me ligj të pronës së njeritjetrit dhe këtë platformë e servirën këtë si demokraci. Eshtë e pajustifikushme që kjo rrugë djallëzore vazhdon edhe sot. Të gjithë jemi koshientë se politikanët dhe partitë politike po tallen me pronarët, duke e nëpërkëmbur të drejtën e tyre. Mendova, që para Presidentit të Republikës, te shpreh mendimin e gjithë bashkëfshatarëve të mij që presin nga Shteti demokratik t’u kthejë fizikisht çdo trungu familjar pronat e tyre të trashëguara, një e drejtë, që Shteti po vazhdon të na i mohojë me demagogjinë e kompensimeve dhe me legalizimin e pushtimeve. Politikanët kujtohen për pronarët kur afrojnë fushata e zgjedhjeve parlamentare, prandaj ndër të tjera unë dhe pronarë të tjerë, që shteti pseudodemokratik na mohon pronën tonë, i parashtuam Presidentit të Republikës dhe njëkohësisht garant për zbatimin e Kushtetutës se:
Ne pronarët kemi një hall të përbashkët. Përpjekja e një grushti politikanësh që imponohen për të jetësuar ligjin 7501, një ligj ogurzi, vëllavrasës, antiligjor, antikanunor dhe mbi të gjitha antikushtetues me nenet 40, 41, 181 etj. Në asnjë vënd të botës demokratike nuk ka ndodhur që të merret me ligj prona pronarit të ligjshëm dhe ti jepet atij që nuk ka asnjë të drejtë trashëgimie për atë pronë. Kete model ligjor ka aplikuar Qeveria Serbe në vitet 1810, kohë në të cilën nxirte ligje me të cilat ju merrte tokat kosovareve dhe ua jepte kolonëve serbë. Në 1991pas rrëzimit të bustit, ne menduam se e rrëzuam sistemin e diktaturës komuniste, por diktarurën e zëvendësoi vjedhja, grabitja, tjetërsimi i pronës dhe për këtë çështje vazhdon gangsterizmi, prandaj demokracia është vetëm në letër. Shqiptarët janë trajtuar me standarde të dyfishta. Një pjesë e shqiptarëve janë bërë me dy prona, njëra në vëndbanimin e mëparshëm dhe tjetra në bregdet. Zullumet më të mëdha me pronat shihen aty ku janë pleksur interesat e pushtetarëve dhe këtë e gjen nga Kalaja e ujit të ftohtë në Vlorë dhe në jugë , duke përfshirë Dukatin, Himarën, Sarandën.
Koalicioni i majtë që qeveris vendin, premtoi zgjidhjen e problemit të pronës konform Kushtetutës por ky premtim nuk u mbajt. Projektligji që ka bërë Qeveria në 2015 është edhe më i zi se ligji 7501 që miratoi qeveria Berisha. Ligj i ri është pregatitur pa u konsultuar me grupet e interesit. Hartuesit e tij tallen me kushtetutën, me të drejtën tonë të pronësisë me vendimin unifikues të Kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë ne Mars 2002 dhe me vendimin pilot të GJEDNJ Manushaqe Puto etj. Madje një nen i draftit të Qeverisë, kërkon që pronarët mos të ankohen në Gjykatën e Strazburgut, mbasi kostot dhjetëra milionëshe për gjygjet e humbura nga ankimimet e pronarëve për pronën do të çojnë në falimentimin e shtetit. Ne e kemi votuar këtë shtet, dhe kërkojmë që ai të mos falimentojë sepse është shteti ynë. Por nëqoftëse shteti falimenton se politikanët duan të përvetësojnë pronat tona dhe nuk zbatojnë detyrimet që i ka ngarkuar Gjykata e Strazburgut dhe nuk kthen pronen tek pronari le të falimentojë menjëherë. Ne nuk e njohim dhe nuk do ta njohim këtë ligj. Kohët e fundit zoti Sali Berisha pranoi se ky ligj është bërë gabim. Por nëse vazhdon të shkelet Kushtetuta dhe sugjerimet e shoqates së pronarëve nuk merren në konsideratë, hipokrizia vazhdon.
Unë jam nga fshati Dukat i Vlorës dhe nga prindërit nuk kam prone në Karaburun, por jam i shqetësuar maksimalisht pasi nga të dhënat që kemi prona e Karaburunit, kërkohet të menaxhohet, të administrohet, të ndahet e të shfrytëzohet nga shteti sipas interesave të klaneve të pushtetarëve, e thënë shqip oligarkia politike kërkon të bëjë ligje për të vjedhur Karaburunin . Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë ! Karaburuni është i Dukatit , ka qenë dhe do të jetë i Dukatasve. Para disa vjetesh Policia e Shtetit u përplas dhe e provoi me Dukatasit për problemet e pronësisë. Dukati e vuri përpara dhe e ndoqi policinë me gurë.
Unë jam 16 breza autokton në Dukat dhe me djalin tim dhe djemtë e djalit tim bëhen 18 breza që historikisht familjes time nuk ja ka marrë njeri pronën. Nuk ua mori as osmanlliu, as dushmani, as gjermani, as italiani, as diktatura se edhe ajo la ligjet përkatëse që nuk u zbatuan për klauzolën ligjore nëse prishej kooperativa, siç ndodhi me ndërrimin e sistemit. Mua dhe vëllezërve të mij nuk na është dhënë prona jonë në Dukat. Kjo është gabimi fatal i shtetit demokratik sepse atdheu im dhe i kujtdo nga ne që na është grabitur prona e babës dhe që nuk e posedojmë më atë, është vënë në shërbim të pushtetarëve dhe të pëlitikanëve të pandershëm. Eshtë turp i Shtetit Shqiptar, që pas vitit 1991 ne nuk na është kthyer prona që na morri padrejtësisht diktatura. Askush në botë nuk e ka tagin ligjor, kushtetues, kanunor që të më heqë mua identitetin e fshatit tim!
Anarkia e pronës ka krijuar dhe probleme sociale. Ata që kanë marrë pronat tona me këtë ligj të zi, na përcmojnë. Disa puthadorë dhe lëpirës kanë shkruar dhe në shtyp se ne ‘’jemi përcarës të fshatit’’, të depersonalizuar moralisht, kërkojmë të marrim protagonizmin dhe se pronat që ata na kanë marë me ligjin 7501 t’i harrojmë etj etj. Siç duket qeveritë tona të majta dhe të djathta nuk janë ngopur me gjakun e mbi 8000 të vrarëve për pronën. Ne sot jemi muhaxhirë në fshatrat tona, ne jemi çamët e koheve moderne. Çamët i përzuri Zerva me hekur e me zjarr ndërsa ne na përzuri Sali Berisha me një ligj që propaganda e tij dhe media demagogjike e quajti ‘’demokratik’’. Kërkojmë të drejtën dhe e drejta nuk na jepet. Para pak kohësh në Vlorë, Kryeministri, mbasi konstatoi shumë shkelje të rënda të pronës, tha se do të marrim masa për të dënuar gjykatës, noterë etj që kanë abuzuar me të drejtën e pronës. Po qeveritarët kush do t’i gjykojë. Kuptohet që ata do ti gjykojë populli dhe historia.
Ne pronarët autoktonë, nuk kërkojmë mëshirë e as lëmoshë por kërkojmë pronën e prindërve tanë të trashëguar në breza. Ne kemi guximin të luftojmë, pasi është prona jonë. Një nga nipat e mi më thotë se o do na marrësh pronën e gjyshërve tanë ose ty nuk do të të tretë dheu. Në krajun tjetër politikanët që kanë bërë zullume e paraqisin problemin e pronës si shumë të vështirë dhe që nuk ka zgjidhje. Projektligji që na është paraqitur parashikon shlyerjen financiare të pronarëve per 10 vjet me këste por faturat shkojnë miliarda. Këto qindra miliona euro që do të shpenzojë qeveria për 10 vjetë le të perdoren për nevoja publike e mirqënien e popullit që është aq i varfër. Nëse do të ketë vullnet politik zgjidhja është e thjeshtë: secili në pronat e tij dhe kjo nuk ka kosto. Për këtë duhet vetem vullneti i Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të LSI z. Ilir Meta dhe i kryetarit të PD z. Lulzim Basha për të pranuar kthimin e pronës si detyrim të shtetit sipas dokumentave të shtetëzimit të kohës së Enverit dhekompensim të ketë vetëm për ponat e tjetërsuara për nevoja publike.
Shteti po qe se ka kaq para të madhe të kompesojë ata që kanë nevojë për pronë dhe jo mua dhe mbi 90% e shqiptarëve që jemi pronarë të atdheut tonë . Kjo është kërkesa e pronarëve që zgjidh përfundiisht problemin edhe qeveria do të shpëtojë nga një borxh i stërmadh publik që e paguan kot, vetëm për një kaprico ose pragmatizëm elektoral të Sali Berishës.

*Merko Bozhanaj
Anëtar i Kryesisë të Shoqatës
‘’Krahina Jonë’’ Dukat Tragjas Radhimë

Filed Under: Komente Tagged With: Merko Bozhanaj, Nishani, pronaret, takim me presidentin

Përkeqësohet klima e biznesit. BB: Shqipëria zbret 35 vende

October 28, 2015 by dgreca

Në vështrimin e Bankës Botërore klima e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2016 është përkeqësuar. Madje ky përkeqësim është i ndjeshëm pasi në krahasim më raportin e fundit Shqipëria ka zbritur 35 vende në renditjen përgjithshme mes 189 vendeve. Për klimën e të bërit biznes vitin e kaluar Shqipëria renditej në vendin e 62, por në renditjen e fundit tanimë vendi ynë renditet i 97-ti. Pothuajse të gjithë indekset e marra në konsideratë nga Banka Botërore janë me rënie, madje të madhe. Përkeqësimi më i madh i klimës së biznesit në Shqipëri ka ardhur për shkak të mungesës së lejeve të ndërtimit. Për pagesën e taksave renditja e Shqipërisë është përkeqësuar me 12 vende, për hapjen e një biznesit të ri ka zbritur me katër vende, ndërsa për mundësinë e marrjes së kredive Shqipëria është listuar 6 vende më poshtë krahasuar me një vit më parë. Në këtë raport të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria renditet e fundit në rajoni. Kryesimin e ka Maqedonia, e cila jo vetëm është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por kryeson në listën e përgjithshme duke zënë vendin e 12-të. Kosova është në një renditje më të mirë se Shqipëria, duke u listuar në vendin e 66, afërisht në të njëjtat pozita të Shqipërisë krahasuar me vitin e kaluar.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: biznesi, shqiperia, zbret 35 vende

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT