• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

Për poezinë dhe poetin

October 24, 2015 by dgreca

Zëri unik i poetit Xhevdet Bajraj në vëllimin “Copa ime e qiellit”/
NGA VIOLETA ALLMUCA/
Shkrimtare/
Në çdo kohë poeti gjithnjë vështron diçka të padukshme brenda e jashtë qenies së tij. Pastaj ai e zbulon botën nëpërmjet fjalës, ëndrrës, kohës, endjes, dashurisë, vetmisë, kujtesës apo metaforës duke e bërë botën të dukshme. Në qiellin e madh poeti Xhevdet Bajraj kërkon hisen e tij. Në zgjim, vargjet pothuajse melankolike i lindin pa pikëpyetje, i rrjedhin si mollët e pjekura, i qasen si atdheu, e përgjumin mbi një cigare të fikur. Në tymin e saj është liria, helmi, rrezet e fshehura të diellit. Aty është edhe poeti, koha dhe hapësira e tij poetike. Më herët kam lexuar disa poezi të Xhevdet Bajrës dhe jam befasuar. Në thelbin e tyre kam zbuluar, se autori që kishte ardhur nga një qytezë e vogël e trojeve shqiptare shkruante më shumë për dimrin e vendlindjes se sa për verën djegëse të Meksikës. Pra Bajraj i ishte nënshtruar poezisë po aq sa i është nënshtruar paqes, vendlindjes, emocioneve, jetës e realitetit. Xhevdet Bajraj është një profet i artit të fjalës dhe na bën ne të flasim me poezinë, me botën, me kohën duke krijuar hapësirën e tij artistike. Teksa përdor figurat letrare për të ngjizur vargun, ai u jep atyre jetë dhe zë për të komunikuar me njeriun. Poeti kërkon vetëm një udhë, aty ku shkohet tek vargjet, ku gjen frymëzimin, dhimbjen, shpresën edhe kur ka pezm. Prandaj poezia e tij ka peshën e fjalës, si aleatin më të mirë të krijuesit. Çka është më e veçantë, Bajraj i bindet poezisë po ashtu siç edhe poezia i përulet poetit. Secili ka trashëgiminë e tij. Gjatë ditënatës ata kanë diellin dhe hijen e tyre. Mëngjeseve fjala kryqëzohet nëpër imazhet e fytyrës së njeriut, atij njeriu që nuk i mungon asgjë, përveç hapat në një tokë ku ka lënë peng shpirtin. Ai bën dialog me vargjet duke përdorur ndjenjën e brendshme për të kërkuar të vërtetën filozofike, kundër së keqes, ose monolog me veten kundër konfliktit njerëzor. Duke urryer luftën ky poet i lirë është i dashuruar me lirinë. Kurrë nuk kam pranuar që një shkrimtar ta krahasoj me një të ngjashëm si vetja e tij, pasi nga ngjashmëritë nuk duhet të përfitojë askush. Poetët nuk mund t’i zgjidhin problemet e globit por mund të shkojnë tek krijimi nëpërmjet lirisë së fjalës. Vetja e vërtetë e këtij poeti krijon një fluks paralel me botën e madhe përreth lirisë njerëzore. Ja çfarë shkruan ai tek poezia: “Në këngën time”: Nëse në këngën time hasni një njeri, në ditën me diell, tek pi ujë në lumë, me gjunjët mbi gurë, e lini të qetë, ai u lind i lirë. Të gjithë poetët i këndojnë lirisë, por me zërin tokësor poeti Bajraj shkruan për lirinë e munguar të atdheut të vërtetë. Secili i këndon lirisë sipas kultit të tij! Liria nuk ka hapësirë. Është e pafund. Pse Bajrës i rikujtohet atdheu? Sepse ai sigurisht i mungon. Pa atdhe sipas gjasave nuk mund të ndjehesh i lirë. Mund të zenë dhimbjet, të shfaqen sëmundjet, të shohësh ëndrra dimri. Kjo është pastaj një zhgjëndër e vërtetë. Le të shohim përsëri vargjet e tij. Në poezinë “Maja e vetmisë” poeti shkruan: Diku në dhe të huaj, në emër të lirisë, bredh nëpër botë, apo në poezinë: “Valle me Fyell” poeti thotë: Lumi i gjakut doli nga shtrati, Ç’ves, dikush jeton përditë, e unë përditë vdes! Në poezinë “Paqe” Xhevdet Bajraj revoltohet nga mëkatet kundër lirisë: Botën e përzë nga dhoma me të mbyllur dritaren, flamurin kuqezi e ruaj për varr. Një poet me kulturë universale me ide e një stil po aq universal në boshtin e origjinalitetit të tij poetik sjell atë, që në poezinë e sotme njihet si çlirim i shpirtërores. Çdo varg i këtij poeti ka një metaforë. Ky frymëzim magjik me ndjeshmëri të thellë, me fuqinë e fjalës, realisht i bën vargjet që t’i përshkojë një rrymë e brendi dashurie të cilat na bëjnë ta konsiderojmë këtë poet, një vlerë të madhe të poezisë shqiptare. Tek lexoj me emocione poezinë “Diku Përtej Oqeanit” më lind pyetja: pse shamija e dhimbjes ndjek diellin dhe pëllumbi ulet mbi një gur varri, si plis i gjallë, ku diku përtej oqeanit, një burrë qan shqip. Sa madhështi ka poeti në këtë poezi meditative veshur nga metaforat! Kush qan përveç një poeti kaq të talentuar? A nuk i ka poeti ëndrrat, pëllumbat, varret, simbole poetike dhe pse ëndërron vetëm shqip? Pse ëndrra kthehet në vargje për një copë Shqipërizë? A është Xhevdet Bajraj një poet që burim frymëzimi ka atdheun dhe që ende bën lutje shqiptare? A ka poezia e Bajrës reflekse surrealiste? E kam menduar edhe këtë! Ai shkruan për ëndrrat e njeriut shqiptar, ashtu siç shkruan edhe për botën, pasi trualli i tij poetik lutet për paqe! Krijuesi e ka fituar betejën me poezinë duke e mbushur atë me jetë. Tipizimi universal i spektrit krijues përshkohet nga mesazhe të thella ku emocioni dhe perceptimi i dedikohet një ëndërrimtari të përjetshëm të shpirtit njerëzor. Tek profili i tij krijues janë ngjizur bashkë nëpërmjet ideve filozofike, talenti artistik dhe identiteti poetik. Është mesazhi që vjen nga gjuha e shpirtit e cila është gjuha e të gjitha poezive që të magjepsin me shprehësinë dhe vizionin e lirisë universale e cila harmonizon energjinë e krijuesit me vargun e lirë, formën dhe figuracionin. Tematika poetike e ndjeshme për lexuesin e gjerë do ta bënte këtë poet të mrekullueshëm të udhëtonte me lexuesin në ballë të poezisë shqipe dhe më gjerë. Ai është padyshim sot njëri nga poetët më të mirë që ka krijuar përmasën e tij të veçantë artistike, një mjeshtër i vargut të zgjedhur me fuqinë e shprehjes letrare, me një ndjeshmëri të thellë dhe gjuhë të pastër shqipe e cila latohet e sjell tingullin poetik. Ai e shndërron ëndrrën në një himn poetik. Ja një poezi që më ka mbetur në mendje “Ëndërrime“: I strehuar në një shpellë të fildishtë, lëpij plagët në hijen e kujtimeve, O Zot, më fal që ëndërrova aq shumë, dashuria ishte tepër larg, e jeta ishte tepër e shkurtër. Ai e kthen në shpresë e dritë të pafundme ndjenjën e prekshme rrezatuese, të bukurën e dhembjen si një vlerë estetike me frymë. Ta bësh këtë nëpërmjet vargjeve është një akt përpos artistik edhe njerëzor. Është si ta pushtosh botën dhe njeriun pa luftë, por me dashuri. Këtë mund ta bëjë vetëm një poet unik që na ka pushtuar të gjithëve duke ëndërruar dhe kënduar shqip në universin e madh të poezisë.

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: “Copa ime e qiellit”, i poetit Xhevdet Bajraj, Violeta Allmuca, Zëri unik

VETEVENDOSJA: OPOZITA FITOI, DETYROI KOALICIONIN E “ZAJEDNICËS” TË FSHIHET SKUTAVE

October 24, 2015 by dgreca

VISAR YMERI:”Mbrëmë për nëntë orë rresht ka zgjatur protesta e opozitës së bashkuar, brenda sallës së Kuvendit dhe jashtë saj. Kjo protestë rezultoi me fitore të subjekteve opozitare për shkak se edhe mbrëmë, me gjithë tentativat e turpshme të pushtetit ata nuk arritën dot që ta normalizojnë “Zajednicën”, përmes tentim-normalizimit të seancave të Kuvendit. Shfrytëzoj rastin që t’i falenderojë të gjithë deputetët e opozitës, të gjithë aktivistët dhe qytetarët që protestuan mbrëmë dhe juve mediave për durueshmërinë dhe qëndrueshmërinë tuaj dje.
Për shkak të protestës së Opozitës së bashkuar deputetët e pozitës u detyruan të fshihen skutave për t’u shtirur kinse po marrin vendime. Takimi i mbajtur në restoran duke i përjashtuar një të tretën e deputetëve të Republikës, është shpërfaqje e inatit dhe dëshpërimit të këtij pushteti.
Një qeveri që e tëra vendoset në funksion të zbatimit të kërkesave dhe interesave të Serbisë brenda Republikës së Kosovës, nuk do të jetë njëkohësisht as transparente e as demokratike: ata janë zaptues që merren vesh skutave, rrënues të Republikës që veprojnë natën. Dhe kështu nuk mund ta kenë të gjatë.
Protesta jonë do të vazhdojë. Kuvendi i Republikës nuk do të bëhet mekanizëm për kontrabandim të ‘Zajednicës’, e as mekanizëm për shpërlarjen e të palarave të qeverisë.”
ALBIN KURTI:
“Duke qenë të bashkuar, të vendosur dhe aktiv nuk kemi lejuar normalizimin e “Zajednicës” në Kuvendin e Republikës. Në Kosovë nuk mund të ndërtohet edhe Republika edhe “Zajednica”. Prandaj “Zajednica” do të bjerë ose bashkë me të do të bije edhe qeveria. Nuk ka zgjidhje tjetër.
Ata kanë pritur që ne do të lodhemi, ata kanë pritur që ne do të mërzitemi, por asnjë nga këto nuk ka ndodhur. As në rrugët e Prishtinës dhe as në sallën e Kuvendit. Rezultat i qëndrueshmërisë sonë të pakompromis është edhe fitorja e mbërmshme.”

Filed Under: Politike Tagged With: Opozita fitoi, vetevendosja, Visar Ymeri

Kosova digjet, Beogradi dhe Tirana krihen!

October 24, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Ajo që po ndodh në Prishtinë këto kohë është i njëjti skenar dhe e njëjta filozofi e zhvillimeve të vitit 2010 – 2011 në Shqipëri. Albin Kurti ka deklaruar se kërkon një “Republikë të tretë” në Kosovë, duke rikujtuar Francën e revolucioneve të dhunshme, por me metodat bolshevike e staliniste të veprimit e aksionit politik të partisë së tij. Në vitin 2010-2011 kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, inicoi të njëjtën frymë e filozofi. Qëllimi final i Ramës ishte ta merrte pushtetin me dhunë, duke dhunuar institucionet, përkatësisht institucionin e kryeministrit. Qëllimi i Albin Kurtit është që Kosova dhe institucionet e Kosovës të paralizohen, që njerëzit të lodhen nga paraliza dhe nga lodhja e stërzgjatur t’i japun opozitës një shans me votë të imponuar për qeverisjen e Kosovës.
Prej këtij momenti Kurti do të flasë për “Republikën e Tretë” të Kosovës, sepse për këtë lloj politikanësh historia fillon, kur ata vijnë në pushtet. Nisja nga pika zero ishte dhe ende vazhdon të jetë filozofi e Edi Ramës, nisja nga pika zero është filozofia e Albin Kurtit. Si njëri dhe tjetri janë anarkistë, nihilistë, të pandreqshëm dhe destruktivë jo vetëm në opozitë, por edhe kur e marrin pushtetin. Të dy palët mashtrojnë, gënjejnë derisa marrin pushtetin dhe më pas bëjnë të kundërtën e premtimeve që kanë dhënë.
Nuk ka tjetër arsyetim pse Albin Kurti të vetmin aleat në Tiranë ka Edi Ramën dhe pse Edi Rama punon për delegjitimimin e institucioneve të Kosovës dhe mbështet aktet e Albin Kurtit. Nuk ka asnjë arësye tjetër pse qeveria shqiptare bën sehir ndaj asaj që ndodh në Prishtinë. Por interesant është fakti se edhe në Beograd shfaqet një lloj indiferentizmi ndaj ngjarjeve në Kosovë. Nuk flasin më politikanët e Beogradit për ekstremizëm të shqiptarëve dhe të vetëvendosjes, nuk shqetësohen nëse veprimet e Albin Kurtit trondisin interesat serbe në Kosovë, nuk kanë bërë asnjë protestë, si ato që u bënë më 17 mars 2004, për gjoja rrezikimin e jetës dhe të drejtave të serbëve në Kosovë, nuk kanë thënë asnjë fjalë sa i përket të ardhmes së asaj që Albini e quan Zajednicë. Heshtja e Beogradit dhe heshtja e Tiranës zyrtare nuk është e rastësishme, kur dihet tashmë se të dy kryeqytetet e vëllazërim-bashkimit demokratik kanë reaguar dhe reagojnë për çdo deklaratë të udhëheqësve të Kosovës, përjashtuar deklaratave dhe veprimeve destruktive të Albin Kurtit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij.
A është kjo një rastësi?! Në politikë nuk ka kurrë rastësi. Gjithçka që ndodh është pjesë e një skenari të parapërgatitur e të studiuar në detaje. Sjellja e Edi Ramës dhe e Aleksandër Vuçiç me zemërgjerësi ndaj veprimeve të Albin Kurtit është e akorduar, e mirëmenduar dhe e administruar nga një staf ekspertësh, të cilët kanë në dorë të dhënat për atë çfarë përfaqëson Albin Kurti dhe ata që i shkojnë pas dhe çfarë paraqet aksioni i tij i dhunshëm kundër institucioneve dhe policisë së Kosovës.
Ndërkohë, më duket se për këtë skenar ka dijeni edhe Isa Mustafa, sepse nuk ka si shpjegohet stoicizmi i tij përballë një skene, e cila do ta bënte edhe një të çmendur në krye të qeverisë të jepte dorëheqjen. Nëse përgjegjësia e Albin Kurtit për të ardhmen e Kosovës është zero, përgjegjësia e Isa Mustafa Mustafës ka rënë aktualisht në minus zero, sepse ai është
kryeministër dhe duhet të llogarisë më shumë se Albini interesat e shtetit. Nëse Isa mendon se është interes i Kosovës imazhi i krijuar këto javët e fundit nga gazi lotsjellës në parlament, atëherë ai gabohet rëndë. Edhe sikur kryeministri të mos kishte asnjë përgjegjësi, në kushtet e krijuara duhet të japë dorëheqjen. Kosova vlen më shumë sesa karrikja e kryeministrit Mustafa.
Nëse Isa Mustafa jep dorëheqjen, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Zgjedhjet do t’i japin zgjidhjen krizës. Rezultatin i zgjedhjeve do të përcaktojë të ardhmen e Kosovës. Nëse fitojnë partitë në pushtet, pra LDK dhe PDK, të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, atëherë ka fituar opcioni i qeverisë. Nëse nuk fiton ky kolaicion, do të thotë se qytetarët janë kundër marrëveshjes së ashtuaquajtur Zajednica. Dhe qeveria e re le të gjejë formulën për modifikimin e kësaj marrëveshje, e cila për mua do të duhej modifikuar që prej disa javësh dhe më pas të vinte në parlament, sepse marrëveshja në fjalë ka vend për spekullim. Së paku do të duhej shtuar një pikë, sipas së cilës të gjitha dokumentet e asosacionit të komunave serbe të miratoheshin me dy të tretat e votave në parlamentin e Kosovës, që ato të merrnin legjitimitetin kushtetues për veprim.
Por askush nuk e lodh trurin për zgjidhje. As Albin Kurti, as Isa Mustafa. Dueli është beteja e të dy palëve, duel në të cilin u tërhoq më në fund edhe kreu i parlamentit, Kadri Veseli. Me duel nuk fiton asnjëra palë. Por më së shumti e pësojnë shqiptarët në Kosovë, e pëson vetë Kosova dhe përgjegjësinë për këtë në historinë e saj do ta kenë të dy palët. Po të mos kishim një duel të pakuptimtë, palët së paku do të kishin inicuar një diskutim publik me ekspertë për përmbajtjen e marrëveshjes së nënshkruar me Serbinë. Nevoja për duel dhe luftës pa pakompromis midis palëve, dëshira për të treguar muskujt e forcës, i ka bërë palët që të mos i nënshtrohen një diskutimi publik konkret e real sa i përket vijës së demarkacionit me Malin e Zi, vijë e cila ka një hartë dhe që mund të ballafaqohet lehtësisht me vijën ekzistuese kufitare. Por qeveria e fsheh këtë hartë dhe opozita nuk që do ta publikojë. Mesa duket të dy palët e dinë se janë në batak dhe druhen të ballafaqohen me publikun në Kosovë.
Lufta bëhet për marrëveshjen dhe vijën e demarkacionit, të dy dokumentet mbahen në sirtarë dhe as pozita, as opozita nuk duan të dëgjojnë ekspertët se çfarë mendimi kanë për to. Kjo është më shumë se mungesë aftësie, përvoje dhe vullneti politik për transparencë dhe ballafaqim faktesh, idesh e vizionesh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Beogradi, dhe Tirana krihen!, Enver Bytyci, Kosova digjet

Ish presidenti rumun në gjykatë, i akuzuar për krime kundër njerëzimit

October 24, 2015 by dgreca

Ion Iliesku, po përballet me akuza të lidhura me vdekjen protestuesve në një demonstratë anti-qeveritar 1990 në Bukuresht të shtypur nga minatorët, komunistët dhe idhëtarët e Çausheskut/
Nga Beqir SINA – New York/
BUKURESHT RO: I futur në krye të vendit në mënyrën më prefide të asaj kohe ( gjashtë muaj pas përmbysjes dhe ekzekutimin e liderit komunist Nikolae Çaushesku) Ish presidenti rumun Ion Iliesku, pritet të dënohet penalisht për krime kundër njerëzimit. Për këtë shkruan shtypi botëror Ion Iliesku – po përballet me akuza të lidhura me vdekjen( vrasjen) e disa protestuesve në një demonstratë anti-qeveritare në vitin 1990.
Simbas, shtypit rumun sot, Ion Iliesku, ishte i programuar dhe i kalkuluar për kalim politik, simbas asaj që thirret “Marrveshje e Katovicës”, një marrveshje, kjo, e cila thuhet se ka qenë e kalkuluar dhe e programuar se si do të vinin në pushtet këto forca të “reja”, dhe si do të mbroheshin ato të kaluarat ( komunistët ), nga drejtësia e kontrolluar po prej njerëzve të tyre, në qeverinë pos komuniste.
Sidomos, kjo do të ndodhte mbas ekzekutimit të Nikolae Çausheskut dhe gruas së tij Elena, për ruajtur kastën tjetër, jo më për t’u “pushkatuar, por as edhe të dënoheshin edhe me burg” ashtu si faktisht ndodhi edhe në Shqipëri.
Ku sot udhëheqin bijët e Bllokut mbi 80% e ministratave dhe deputeteve te majtë janë bijtë e bijat e ish kontigjentit më famëkeq të regjimit komunist në Shqipëri në mbrojtje të ish komunistëve.
Vetëm mbas 25 vjetëve ish-Presidenti Ion Iliesku, u shfaq të mërkurën para gjykatës së lartë të Rumanisë, e cila shkruan shtypi i atij vendi, po e ndjek atë penalisht “për krime kundër njerëzimit”, veprim, që ky i akuzuar mendohet se e ka kryer gjatë një proteste të përgjakshme anti-qeveritare 25 vjet më parë në të cilin gjashtë njerëz në atë kohë kanë vdekur dhe qindra të tjerë u plagosën”, shkruan sot shtypi amerikan duke iu referuar shtypit rumun.
Ion Iliesku, 85 vjeç, shkoi në Gjykatën e Lartë të Kasacionit dhe Drejtësisë të mërkurën për të dëgjuar akuzat lidhur me shkeljen e ligjeve – shtypjes së dhunshme të protestës 25 vjet më parë.
Megjithëse, ai mohon akuzat, shkruan shtypi :“Ai nuk ka bërë asnjë deklaratë publike gjatë seancës se nuk ka dhënë ai urdhër ose ishte në dijeni për vrasjet dhe dhunën e perdorur”.
Gjykata e lart e cila merret me gjykimin dhe dënimin për krimet e komunizmit, tha se ai po ndiqet me akuzën se ka “dhenë urdhër dhe ka qenë në dijeni për vdekjen e katër personave, dhe nga të shtënat 3 janë lënduar dy vdiqen me vone” kurse, kan qenë të privuar me heqjen e lirisë së tyre, pra me burg 1,000 të tjerë.
Hetimet, simbas shtypit rumun kanë shpjeguar se pse ai është duke u akuzuar – mbasi ata thonë se ka fakte, që tregojnë simbas deshmitarve se Ion Iliesku, ka përdorur idhëtarët e komunizmit – të Nikolae Çausheskut, për t’i ndërsyer ata kundra protestuesve – Duke, përdorur kështu një strategji të veçantë kundra protestuesve dhe fshehur policinë sekrete “Security”, e cila ka qendruar pas minatrove në dhunën e përdorur me këtë rast.
Ish kreu i Shërbimit Informativ Rumun në atë kohë, Virgil Magureanu, një aleat i ngushtë i Iliesku, u shfaq edhe ai para gjykatës, dje në mbrojtje të ish presidentit. I pyetur nëse Iliesku ishte fajtor për krime kundër njerëzimit, ai tha: “Kjo është një pyetje budallaqe – ai ishte për demokraci dhe jo për rikthimin e Nikolae Çausheskut.”
Më vonë të enjten, si i dyshuar u paraqit dhe ministri i mbrojtjes në atë kohë, Viktor Stankulesku, i cili gjithashtu u shfaq para gjykatës. Ai u tha gazetarëve se prokurorët nuk e kan cituar atë si i dyshuar në këtë rast.
Në qershor të vitit 1990, minatorët e qymyrit dhe sindikalistët e minierave në Rumani, me ndihmën edhe të policië shkatërruan një demonstratë të fuqishme një javore – të bër gjatë protestave pro-demokracisë në Bukuresht, duke arrestuar dhe duke mposhtur mijëra njerëz me dhunë.
Komunistët, dhe idhëtarët e Nikolae Çausheskut, përfshirë minatorët dhe zonat rurale iu kundërvunë me zhvilluan atë kohë anti-protesta, të cilat ishin për rikthmin e regjimit të Nikolae Çausheskut. Ata dolën në atë kohë rrugë e sheshe me parrulla dhe portretet e Çausheskut – dhe i thurnin lavde partisë komuniste dhe Nikolae Çausheskut.
Më pas, mbasi protestat u shtypën me dhunë – ish presidenti Ion Iliesku – doli në televizor dhe falënderoi minatorët, duke tërhequr kritika ndaj atyre protestuesve të cilët i akuzojë si të manipuluar nga të huajt. Stacionet televizive rumune, që kontrolloheshin ende nga gazetarët komunistë, të cilët kishin sherbyer aty edhe në kohën e Çausheskut, nuk bën gjë tjetër veçse “replayed” i ridhanë disa her në ditë pamjet e fjalimit të tij të mërkurën ku presidenti ishte duke falenderuar minatorët.
Skena të tilla thotë një ish protestues sot 25 vjet mbas kësaj ngjarje na kujtuan edhe një here frikën, dhe na u duk se ishim kthyer sërish në kohën e televizionit të propogandës komuniste. Njerëzit e “Sicuritas” ishin në pushtet, tha ai duke shtuar se frika erdhi duke u rritur.
Shtypi rumun shkruan rreth gjykimit të këtyre ngjarjeve se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka urdhëruar Rumaninë, të paguajë kompensim për viktimat dhe të lënduarit edhe në se ka krime apo jo gjatë atyre protestave.
Mbasi sipas tyre dhe organizatave të tjera që merren me të drejtat e njeriut në Rumani dhe botë, rasti i ngjarjve të 1990 në Bukuresht, nuk është hetuar deri më tani siç duhet, kjo simbas tyre për shkak të pranisë së vazhdueshme të ish-komunistëve në qeveri – dhe sidomos në organet e drejtësisë. Duke u bërë një mbrojtje të fort jo vetëm presonave të këtij rasti por edhe shumë krimeve të kohes se komunizmit.
Por, megjithate thuhet se nga rritja e “trysnisë” ndërkombëtare për drejtësi edhe në Rumani në mars, ata njoftuan prokurorët e një Gjykate ushtarake, e cila do të merret me gjykimin e krimeve të komunizmit se do të rihapin edhe rastin e dhunës së përdorur nga minatorët për shtypjen e protestës pro-demokraci më 1990.
25 vjet më parë mijëra rumunë, nga frika emigruan në perendim pas trazirave me dyshime rreth angazhimit të Rumanisë ndaj demokracisë, gjashtë muaj pas përmbysjes dhe ekzekutimin e liderit komunist Nikolae Çaushesku – shkruan sot shtypi amerikan në SHBA, rreth kësaj ngjarje.
Iliesku u zgjodh president tri herë, duke shërbyer prej vitit 1990 deri 1996 dhe nga viti 2000 deri në vitin 2004.

Filed Under: Histori Tagged With: i akuzuar, Iliesku, Ish presidenti, krime kunder njerzimit

Crawford- Rames: Në SHBA nuk arrestohesh për kuponin

October 24, 2015 by dgreca

Kreu i Dhomës Amerikane i përgjigjet Edi Ramës pas deklaratave të një dite më parë të kryeministrit në Këshillin Ekonomik Kombëtar./
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford ka reaguar pas deklaratave të një dite më parë të kryeministrit Edi Rama në Këshillin Ekonomik Kombëtar. I kontaktuar nga Ora News me telefon, numri një i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Mark Crawford deklaron:“Ne nuk jemi kundër nismës anti informalitet. Nëse ka rezultat, aq më mirë për qeverinë. Nuk kemi qenë dje të ftuar në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, pasi është rotacion. Qëndrimin për nismën anti informalitet e kemi dhënë. Në Amerikë ka politika fiskale të ndryshme për çdo shtet. Nuk futet njeri në burg se nuk lëshon kuponin tatimor. Madje, nuk lëshohen fare kupona apo faturë, pasi çdo transaksion kryhet me bankë. Ne ditën e enjte kemi mbledhjen e Bordit të dhomës dhe mund të dalim me një deklaratë”.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka lëshuar kritika të forta për mënyrën sesi qeveria po zbaton nismën anti informalitet, pasi sipas saj, biznesi po përballet me masa represive që rrezikojnë ta falimentojnë.
Rama kritikoi qëndrimin e mbajtur publikisht nga Crawford për mënyrën sesi po zbatohet nisma anti informalitet dhe i kujtoi përfaqësuesit amerikan të Dhomës sesi trajtohet moslëshimi i kuponit tatimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
” Më vjen keq që nuk e shoh përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ti thosha se përpara se sa të bëjë deklarata pas deklaratash, duke iu kundërvënë këtij operacioni t’ju tregojë shqiptarëve se cfarë i ndodh në SHBA dikujt që kapet me evasion apo duke shitur pa lëshuar faturën tatimore. Pasi ta tregojë këtë le të na tregojë ne se çfarë të bëjmë më mire” deklaroi dje Rama.
****
JA CFARE THA KRYEMINISTRI NE KESHILLIN KOMBETAR
Në mbledhjen djeshme të Këshillit Ekonomik Kombëtar, teksa analizonte bilancin e aksionit kundër informalitetit, kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar rastin për të thumbuar Dhomën Amerikane të Tregtisë në Tiranë. Teksa një javë më parë, në një deklaratë për mediat, Dhoma Amerikane rendiste një sërë kritikash ndaj aksionit të qeverisë dhe ligjit të ri për gjobat ndaj evazonit fiskal. Dhe mesa duket, kritikat e ardhura nga biznesi amerikan që operon në Shqipëri nuk janë pritur mirë nga kryeministri Edi Rama. Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik, ai është marrë personalisht me drejtuesin e kësaj organizate ekonomike, presidentin Mark C. Crawford.
“Më vjen keq që nuk e shoh këtu përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, sepse do kisha parapëlqyer që ta shikoja në sy (nënkupto: Mark C. Crawford) dhe t’i thosha që përpara sesa të bëjë deklarata pas deklaratash duke iu kundërvenë këtij operacioni dhe duke folur për masat e rrepta të qeverisë si masa penguese, t’ju tregojë shqiptarëve se çfarë ndodh në Amerikë kur dikush kapet me evazion apo kapet pa lëshuar faturën tatimore. Mbasi t’ua tregojë shqiptarëve këtë, atëherë le të vazhdojë dhe të na tregojë neve se çfarë duhet të bëjmë më mirë”, – u shpreh kreu i qeverisë.

Realisht ligjet amerikane për biznesin janë të ashpra dhe nuk krijonë asnjë lloj tolerimi për evazionin fiskal. Por debati që realisht hapi Dhoma e Amerikane e Tregtisë nuk kishte të bënte me kuponat, por me gjobat dhe modelin ekonomik që po vendoset në aksionet tatimore në vend. Si një institucion me traditë në financat e vendit biznesi amerikan i kujtoi kryeministrit se reformat e ministrit Shkëlqim Cani mund të sjellin efekte negative. Rasti më konkret ishte ai sesi një biznesi me 5 milionë lekë të reja xhiro në vit mund t’i vendoset një gjobë 10 milionëshe. Praktikisht, një masë e tillë do të thoshte falimentim. Në fakt Mark C. Crawford, pavarësisht kritikave për reformat e qeverisë, në fjalën e mbajtur pak ditë më parë për 15-vjetorin e krijimit të këtij institucioni deklaroi se kishte marrë kupon edhe për printimin e fjalimit të mbajtur. Ironi e egër ishte ndaj Edi Ramës ! Nuk kishte me shumë se kaq të tregonte Mark C. Crawford inatin dhe mërinë ndaj kësaj mënyre pune të tatimeve, gjithnjë sipas tij.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë ka një forcë tjetër po të kemi parasysh se biznesi vendas ka një sjellje vasaliteti ndaj qeverisë. Këtu nuk flitet vetëm për qeverinë Rama, por për të gjitha qeveritë. Sa herë janë ndërmarrë reforma biznesi vendas është rreshtuar me qeverinë, jo se janë gjithmonë dakord me reformat, por se mbështetja e mazhorancës për biznesin përkthehet në përfitime të tjera që kanë të bëjnë me tenderat dhe me lehtësira ekonomike. Merrni shembullin e mbledhjeve në Këshillin Ekonomik, ku dhjetëra biznesmenë të fuqishëm në vend ulen dhe dëgjojnë njëlloj si të ishte mbledhja e qeverisë dhe nuk thonë atë që mendojnë. Të paktën publiku nuk dëgjoi gjë dje, live. Kjo është pa sens. Biznesi ka një mal me vërejtje ndaj qeverisë, por këto i thonë nën zë. Kur dalin në takime publike i miratojnë në heshtje reformat, duke i legjitimuar formalisht dhe duke pritur shpërblimin nga qeveria. Realisht, këta lloj biznesesh i dëmtojmë më shumë reformat sesa qëndrimet si ai i Dhomës Amerikane.
Basti i qeverisë në këtë aksion që dje mbushi 45 ditë nuk është vetëm marrja e kuponit, por se çfarë do të ndodhë kur aksioni të përfundojë. Biznesi nuk formalizohet me aksione, por me rregulla dhe ndëshkime të sipërmarrjeve të mëdha që deri më sot kanë abuzuar me miliarda lekë. Sfida e qeverisë është nëse do të arrijë të godasë edhe ato biznese që janë rreshtuar si fasadë në krah të saj, ndërkohë që deri dje kanë bërë evazion duke vjedhur jo vetëm qytetarët, por dhe arkën e shtetit. Sinjalet e fundit janë që gjërat po lëvizin në këtë drejtim. Ka njoftime se prokuroria po heton dhe pritet të bëjë arrestime të mëdha nga biznesi VIP. Por a do të cënohen e penalizohen VIP-at që rrijnë pas e para qeverisë? Të shikojmë!

Drejtoria e Tatimeve paralajmëroi arrestime në radhët e emrave të njohur të biznesit në vend. Arrestimet do të kryhen me akuzën e evazionit fiskal dhe emrat e përfolur janë në radhët e bizneseve që janë konstatuar me shkelje në fazën e parë të aksionit kundër informalitetit. Emrat e biznesmenëve që do t’u vihen prangat do të tregojnë edhe sesa seriozisht është gjithë aksioni i nisur prej 45 ditësh.
Dje kryeministri ia ktheu reston Mark C. Crawford për ironinë dhe reagimin e tij të para disa ditëve.
-Ku është ai ?- pyeti kryeministri- që ta shikoj përballë e në sy.
Në të vertetë debati dhe kundërshtimet nuk bëhen me deklarata shtypi, por direkt e në tavolinë aty ku ishte dje mbledhja në fjalë. Nëse Mark C. Crawford do të shkonte dje në takim dhe ti thoshte problemet e shqetsimet në sy ai do të fitonte pikë. Fakti që nuk shkoi tregon që ose kishte frikë ose indiferencë për ligjet shqiptare. Por ligjet janë mbi këdo, edhe mbi amerikanin Mark C. Crawford, edhe mbi çdo biznes tjetër të huaj që operon në Shqipëri.
Në të vertetë ka biznese të huaja ( nuk e dijmë për rastin në fjalë) që nuk paguajnë apo fshihen nën emrin të “huaj” dhe mbushin thasët me euro e ikin, duke mos paguar. E shikojnë Shqipërinë si një “Afrikë”, por Rama nëse arrin të jetë i drejtë dhe i barazlarguar nga të gjithë në zbatimin e ligjit ka bërë një akt të mirë për vendin.
Ndonëse taksat e tarifat kanë vend për diskutime. Dhe duhen riparë. Por kjo nuk do të thotë të mos zbatosh ligjin që është në fuqi. Një ligj sado i keq të jetë duhet zbatuar. Beteja mbetet që të marrësh vota e ta rrëzosh qeverinë ,nëse njërëzit janë të pakënaqur me politikën e taksave të qeverisë.
Rrugë tjetër nuk ka ! As në Amerikë.

Filed Under: Komente, Opinion Tagged With: edi Rames, i pergjigjet, Mark Crawford

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT