Meta në SHBA, do marë pjesë në Forumin e Inteligjencës dhe Sigurisë/
Kreu i Kuvendit Ilir Meta, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai do të marrë pjesë në Forumin Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë.
Ky forum zhvillohet në Kongresin Amerikan, me ftesë të kryetarit të TaskForcës së Kongresit për Terrorizmin dhe luftën jo-konvencionale. Gjatë kësaj vizite kreu i Kuvendit do të ketë dhe një sërë takimesh të tjera.
Archives for October 2015
Haradinaj: Në Kosovë është përmbysur jeta parlamentare e sistemi demokratik
-“Unë po të isha në vendin e kryeministrit Mustafa”, ka thënë Haradinaj, “sot do të kisha dhënë dorëheqje”. “Janë të pa akceptueshme situatat kur në Kuvendin e Republikës, më shumë ka policë se sa deputetë!”, përfundoi lideri i AAK në konferencën për shtyp./
PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot në një konferencë shtypi, tha se, “ngjarjet e djeshme ne Kuvend dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik”.
Ai ka thënë se, “ka një këmbëngulje të madhe që për t’iu ikur gabimeve të bëra të qeverisë, duke i sulmuar metodat e kundërshtimit të opozitës, madje në situata të caktuar edhe duke sajuar e shpifur kundër saj”.
Sipas Haradinajt, “marrëveshjet për Demarkacionin dhe Asociacionin, nuk mund të jenë çështje e dy njërëzve apo e do farë komisionesh me njerëz të korruptuar”.
“Këto tema janë më të mëdha sepse flitet për territorin e Shtetit, sepse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk është derivate e një marrëveshjeje, as e një Plani (siç ka qenë Plani Ahtisaari), por diçka krejtësisht e re, që është në kundërshtim me Kushtetutën”, u shpreh Haradinaj.
Prandaj, vijoi ai, “meqë nuk po shohim shenja të reflektimit as të përgjegjësisë politike, të dyshes Mustafa-Thaçi, meqë deri me sot janë penguar të gjitha nismat për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave, dhe meqë është provokuar kaq rëndë opozita edhe opinioni me ‘Maskaradën’ e djeshme në Kuvend, ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në tërheqje, ose dorëheqje të qeverisë”.
Lideri i partisë opozitare AAK tha se, “është për t’u habitur se si qeveria, në vend që të reflektojë dhe ta shohë opozitën si partner në këto tema, ka vendosur që ta luftojë atë, madje edhe me polici në Kuvend. Ajo ka vendosur të mos e dëgjojë as zërin e shoqërisë civile e të 200 mijë qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin”.
“Unë po të isha në vendin e kryeministrit Mustafa”, ka thënë Haradinaj, “sot do të kisha dhënë dorëheqje”. “Janë të pa akceptueshme situatat kur në kuvendin e Republikës, më shumë ka policë se sa deputetë!”, përfundoi lideri i AAK në konferencën për shtyp./b.j/
Presidentja Jahjaga: Dialogu, gurthemel i demokracisë
-Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 24 Tetor 2015/Presidentja e Republikës shprehet thellësisht e shqetësuar dhe e shpreh keqardhjen e thellë për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij.
“Skenat dhe veprimet e dhunshme në Kuvend janë të dënueshme dhe të papranueshme, mjetet e përdorura plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare”, thekon ajo sot në një deklaratë dërguar nga Presidenca kosovare.
Presidentja e Kosovës apelon te deputetët e opozitës të heqin dorë nga dhuna.
“Aspiratat e vendit tonë po rrezikohen thellësisht nga këto ngjarje dhe këto veprime po e dëmtojnë demokracinë që e kemi ndërtuar me mund. Apeloj te i tërë spektri politik që t’i kthehen normalitetit, që institucionet të vazhdojnë punën sepse kemi shumë sfida para vetes”, thekson ajo.
“Qytetarët që na kanë zgjedhur presin nga ne të jemi shembull i promovimit të sundimit të ligjit, respektim të procesit demokratik. Dialogu është gurthemel i demokracisë. Aty ku ka dialog, ka zgjidhje”, përfundon Jahjaga.
Presidentja e Republikës i ka ftuar “për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, ka takuar ndaras liderët e pozitës dhe opozitës, dhe kishte përpjekje që t’i takojë “përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët”, para seancës së djeshme të Kuvendit./b.j/
Shtypi: Politika zhyt vendin në krizë e kaos
-Kryetituj gazetash sot në Kosovë: “Politika zhyt vendin në krizë e kaos”, “Turp”, “Seanca mbahet në bufe, ‘Zajednica’ nuk kalon”, “Në kushte jonormale pozita mbajti seancën” “Lufta e opozitës me gaz lotsjellës dhe gurë, mbyllet me arrestime!”/
PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ “Politika zhyt vendin në krizë e kaos”, është kryetitull ne shtypin e sotëm në Prishtinë, pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës.
Përpjekja për të debllokuar Kuvendin e Kosovës, të premten pasdite, ka përshkallëzuar krizën mes koalicionit qeverisës dhe opozitës, duke e zhytur legjislativin e vendit në krizë dhe kaos edhe më të thellë. Nga ora mes së premtes e së shtunës, një momentum i ri politik është krijuar, shkruan sot Koha Ditore.
Me orë të tëra ka zgjatur loja me nerva.
Subjektet në pushtet përpiqeshin të gjenin rrugë për të mbajtur seancën e Kuvendit, ndërsa opozita bllokonte çdo mundësi. Dhe, kur Kryesia e Kuvendit, nën udhëheqjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli, vendosi që përmes sigurimit policor të rrethojë foltoren dhe pjesën ku qëndron kryeparlamentari e kabineti qeveritar, për ta pamundësuar kështu bllokimin nga koalicioni VV-AAK-Nisma, opozitarët sërish aktivizuan gaz lotsjellës brenda sallës.
Derisa rrëmuja e krijuar brenda Kuvendit u transformua në kaos të plotë, jashtë tij përkrahësit e opozitës u përplasën me njësitet e policisë, duke përshkallëzuar konfliktin edhe më shumë me hedhje gurësh e kokteje molotovi, për të krijuar një imazh të një krize shumë të rëndë për qytetarët e Kosovës.
Seanca e nisur pasditen e së premtes, më në fund është përmbyllur rreth orës 2 të së shtunës, por është mbajtur pa praninë e opozitës dhe pa u krijuar mundësinë gjithë medieve që ta përcjellin atë. Është organizuar në një bufe që ndodhet në katin më të lartë të godinës së Kuvendit.
Për rreth 14 orë, tempulli i demokracisë është kthyer në betejë muskujsh midis pushtetit e opozitës, shkruan gazeta.
Me titullin “Turp”, gazeta Zëri shkruan se, situata në Kuvendin e Kosovës ka dalë totalisht jashtë kontrollit, në seancën e së premtes. Deputetët e opozitës disa herë kanë gjuajtur gaz lotsjellës për ta parandaluar mbajtjen e seancës, përkundër vendimit të Kryesisë që brenda të futet edhe Policia. Seanca ka vazhduar deri rreth orës 02:00 të së shtunës në një sallë të improvizuar të Kuvendit dhe pa praninë e opozitës
Gaz lotsjellës, fyerje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës dhe masa shtesë sigurie. Kështu është karakterizuar seanca maratonike e së premtes e Kuvendit të Kosovës, e cila ka filluar në orën 16:00 dhe ka zgjatur deri rreth orës 02:00 të së shtunës.
Para se të niste seanca, përkatësisht rreth orës 15:00 të ditës së premte, shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka hedhur gazin lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës, afër zyrës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Të njëjtin veprim deputetët e opozitës e bënë një orë më pas, me rastin e fillimit të seancës, me ç’rast përsëri deputetja Kadaj-Bujupi dhe ish-kreu i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, njëkohësisht kanë gjuajtur gaz lotsjellës në seancë, ku kanë pamundësuar vazhdimin e seancës nga kryeparlamentari Veseli, i cili kërkoi një orë pauzë.
Mirëpo, seanca u ndërpre deri rreth orës 24:00, me ç’rast sërish opozitarët hodhën gazin lotsjellës, pavarësisht se aty ishin barrikaduar edhe forcat e sigurisë së Kuvendit…
“Seanca mbahet në bufe, ‘Zajednica’ nuk kalon”, është kryetitulli te gazeta Kosova Sot, “Në kushte jonormale pozita mbajti seancën” te Epoka e Re dhe “Lufta e opozitës me gaz lotsjellës dhe gurë, mbyllet me arrestime!” te Bota Sot./b.j/
Kosovë, dita e nata e Kuvendit
-Paradita me marsh paqësor, pasdite dhe deri në mesnatë përsëri gaz lotsjellës në Kuvend dhe përplasje jashtë tij në shesh, seancë pas mesnate jashtë sallës plenare/
-Kronikë përmbledhëse e ngjarjeve të një dite e nate të gjatë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ As në mesnatë nuk ka përfunduar dita e gjatë e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës e rreth tij, një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, pa opozitën, po edhe pa median, u mbajt në orët e para të pas mesnatës.
Gazi lotsjellës u hodh përsëri në mesnatë nga opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe e ndërpreu. “Pauzë të shkurtë”, dha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërsa u dëgjuan “replika” me fjalor të ashpër. Pati edhe një “shprehje në mënyrë joadekuate” të kryeparlamentarit, për të cilën kërkoi falje.
Gjatë ditës së djeshme pati marsh paqësor paradite në rrugët e Prishtinës, organizuar nga shoqëria civile, me mesazhe drejt Kuvendit, ku u pamundësua nga gazi lotsjellës i opozitës seanca e ftuar për pasdite dhe e ndërprerë dhe paralajmëruar për orë të mbrëmjes, ndërkohë që në sheshin pranë vazhdonte protesta e aktivistëve opozitarë e qyetatarëve të mbledhur, nga të cilët kishte edhe gjuajtje bomolash tymi me ngjyra drejt Policisë që kishte shtuar masat e sigurisë edhe me kordone. Jashtë Kuvendit në sheshin përballë kishte edhe përplasje mes protestuesëve dhe Policisë së Kosovës.
Kuevendi i Kosovës nuk u rimblodh në orën 20:00 e as në 22:00 e 23 si kishte paralajmërime pas pamundësimit me hedhje gazi lotsjellës e bllokim nga opozita të fillimit të seancës plenare që ishte ftuar nga Kryesia e shefat e grupeve parlamentare vetëm të pozitës, përfshirë minoritetet, për në orën 16:00. Ishte seanca e tretë e sesionit vjeshtor, fillimi i së cilës u pamundësua nga gazi lotësjesës që gjatë ditës së djeshme u hodh disa herë nga opozita, e për herë të parë edhe jashtë sallës plenare, pranë zyrës së kryeparlamentarit, rreth gjysëm ore para kohës kur pritej nisja e seancës.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk ka arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës e të vezëve, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë.
Kryetari i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj, në një deklaratë tha se para se të fillonte seanca i kishte kërkuar koalicionit qeverisës “të gjejnë një mënyrë për anulimin e marrëveshjeve” të 25 gushtit me Serbinë dhe të demarkacionit me Malin e Zi. “Pa anulim të marrëveshjeve, nuk ka kushte të mbahet seanca e Kuvendit”, u shpreh ai.
Pas hedhjes së parë të gazit lotsjellës të ditës së djeshme LVV deklaronte se, “protesta jonë brenda Kuvendit vazhdon, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi”.
Pas rindërprerjes së seancës me gaz lotsjellës në mesnatë, grupet parlamentare të partive të koalicionit qeverisës, përfshirë minoritetet, zhvilluan seancën në një sallë të improvizuar-byfe brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, derisa në sallën e seancave po qëndronin deputetë të opozitës. Seanca e Kuvendit u mbajt në katin e pestë të Kuvendit të Kosovës, ku Policia-sigurimi kishte pamundësuar shkuarjen e deputetëve opozitarë, po edhe mediave.
Më parë, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, po jo të opozitës, vendosi që seanca e ndërprerë e rindërprerë dje të vazhdonte në orët e natës.
Pas diskutimeve të nënkryetarëve dhe kryetarëve të grupeve parlamentare lidhur me gjendjen aktuale dhe nevojën e tejkalimit të kësaj situate, Kryesia, me katër vota pro dhe një kundër, vendosi që “në pamundësi të mbajtjes së seancave plenare më 17 shtator, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, të kërkohet veprim plotësues, duke përfshirë ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë, për sigurinë, shëndetin e deputetëve dhe mbarëvajtjen e punimeve të seancës plenare”.
Ky vendim u është dërguar për zbatim kryeministrit, ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në vazhdimin e seancës jashtë sallës plenare pa opozitën në orët ë para të ditës së sotme, Kuvendi miratoi Projektligjin për shëndetin mendor, si dhe Projektligjin për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri.
Në vazhdim Kuvendi votoi pro emërimit të Elbasan Dervishajt, për anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Ndërksa, emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas u shty për një seancë tjetër.
Kuvendi pastaj emëroi Abdullah Aliun,anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore, si dhe formoi Komisionin ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.
Në fund të seancës u përkrahën propozimimet e disa grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas menate shkrujti në “Facebook”: “Në Seancën plenare të mbajtur sonte, në një moment gjatë përpjekjeve për të qetësuar situatën e krijuar jam shprehur në mënyrë joadekuate, shprehje me të cilën mund të preken nënat dhe motrat tona.
Dëshiroj t’ju kërkoj falje atyre nga thellësia e zemrës, duke filluar nga nëna ime, bashkëshortja ime dhe të gjitha nënave dhe motrave të Kosovës sonë”.
Në sallën e Kuvendit të Kosovës në zhvillimet e mesnatës kishte edhe hedhje shishesh të ujit nga opozita në drejtim të kryeparlamentarit dhe kabinetit qeveritar, që u larguan.
Subjekti më i madh politik opozitar kosovar, LVV pas menate, derisa zhvllohej seanca e Kuvendit të Kosovës jashtë sallës plenare, shkruante në ‘Facebook’: “Aktualisht po mbahet një takim ilegal i strukturave partiake të LDK-PDK, të cilët e kanë uzurpuar një sallë të institucioneve publike për ta zhvilluar një takim ilegal të strukturave të tyre brenda Kuvendit. Kjo në asnjë mënyrë nuk është seancë, prej së cilës në mënyrë të papranueshme është përjashtuar opozita”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 24
- 25
- 26
- 27
- 28
- …
- 104
- Next Page »