-Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 24 Tetor 2015/Presidentja e Republikës shprehet thellësisht e shqetësuar dhe e shpreh keqardhjen e thellë për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij.
“Skenat dhe veprimet e dhunshme në Kuvend janë të dënueshme dhe të papranueshme, mjetet e përdorura plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare”, thekon ajo sot në një deklaratë dërguar nga Presidenca kosovare.
Presidentja e Kosovës apelon te deputetët e opozitës të heqin dorë nga dhuna.
“Aspiratat e vendit tonë po rrezikohen thellësisht nga këto ngjarje dhe këto veprime po e dëmtojnë demokracinë që e kemi ndërtuar me mund. Apeloj te i tërë spektri politik që t’i kthehen normalitetit, që institucionet të vazhdojnë punën sepse kemi shumë sfida para vetes”, thekson ajo.
“Qytetarët që na kanë zgjedhur presin nga ne të jemi shembull i promovimit të sundimit të ligjit, respektim të procesit demokratik. Dialogu është gurthemel i demokracisë. Aty ku ka dialog, ka zgjidhje”, përfundon Jahjaga.
Presidentja e Republikës i ka ftuar “për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, ka takuar ndaras liderët e pozitës dhe opozitës, dhe kishte përpjekje që t’i takojë “përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët”, para seancës së djeshme të Kuvendit./b.j/