-Kryetituj gazetash sot në Kosovë: “Politika zhyt vendin në krizë e kaos”, “Turp”, “Seanca mbahet në bufe, ‘Zajednica’ nuk kalon”, “Në kushte jonormale pozita mbajti seancën” “Lufta e opozitës me gaz lotsjellës dhe gurë, mbyllet me arrestime!”/
PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ “Politika zhyt vendin në krizë e kaos”, është kryetitull ne shtypin e sotëm në Prishtinë, pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës.
Përpjekja për të debllokuar Kuvendin e Kosovës, të premten pasdite, ka përshkallëzuar krizën mes koalicionit qeverisës dhe opozitës, duke e zhytur legjislativin e vendit në krizë dhe kaos edhe më të thellë. Nga ora mes së premtes e së shtunës, një momentum i ri politik është krijuar, shkruan sot Koha Ditore.
Me orë të tëra ka zgjatur loja me nerva.
Subjektet në pushtet përpiqeshin të gjenin rrugë për të mbajtur seancën e Kuvendit, ndërsa opozita bllokonte çdo mundësi. Dhe, kur Kryesia e Kuvendit, nën udhëheqjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli, vendosi që përmes sigurimit policor të rrethojë foltoren dhe pjesën ku qëndron kryeparlamentari e kabineti qeveritar, për ta pamundësuar kështu bllokimin nga koalicioni VV-AAK-Nisma, opozitarët sërish aktivizuan gaz lotsjellës brenda sallës.
Derisa rrëmuja e krijuar brenda Kuvendit u transformua në kaos të plotë, jashtë tij përkrahësit e opozitës u përplasën me njësitet e policisë, duke përshkallëzuar konfliktin edhe më shumë me hedhje gurësh e kokteje molotovi, për të krijuar një imazh të një krize shumë të rëndë për qytetarët e Kosovës.
Seanca e nisur pasditen e së premtes, më në fund është përmbyllur rreth orës 2 të së shtunës, por është mbajtur pa praninë e opozitës dhe pa u krijuar mundësinë gjithë medieve që ta përcjellin atë. Është organizuar në një bufe që ndodhet në katin më të lartë të godinës së Kuvendit.
Për rreth 14 orë, tempulli i demokracisë është kthyer në betejë muskujsh midis pushtetit e opozitës, shkruan gazeta.
Me titullin “Turp”, gazeta Zëri shkruan se, situata në Kuvendin e Kosovës ka dalë totalisht jashtë kontrollit, në seancën e së premtes. Deputetët e opozitës disa herë kanë gjuajtur gaz lotsjellës për ta parandaluar mbajtjen e seancës, përkundër vendimit të Kryesisë që brenda të futet edhe Policia. Seanca ka vazhduar deri rreth orës 02:00 të së shtunës në një sallë të improvizuar të Kuvendit dhe pa praninë e opozitës
Gaz lotsjellës, fyerje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës dhe masa shtesë sigurie. Kështu është karakterizuar seanca maratonike e së premtes e Kuvendit të Kosovës, e cila ka filluar në orën 16:00 dhe ka zgjatur deri rreth orës 02:00 të së shtunës.
Para se të niste seanca, përkatësisht rreth orës 15:00 të ditës së premte, shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka hedhur gazin lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës, afër zyrës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Të njëjtin veprim deputetët e opozitës e bënë një orë më pas, me rastin e fillimit të seancës, me ç’rast përsëri deputetja Kadaj-Bujupi dhe ish-kreu i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, njëkohësisht kanë gjuajtur gaz lotsjellës në seancë, ku kanë pamundësuar vazhdimin e seancës nga kryeparlamentari Veseli, i cili kërkoi një orë pauzë.
Mirëpo, seanca u ndërpre deri rreth orës 24:00, me ç’rast sërish opozitarët hodhën gazin lotsjellës, pavarësisht se aty ishin barrikaduar edhe forcat e sigurisë së Kuvendit…
“Seanca mbahet në bufe, ‘Zajednica’ nuk kalon”, është kryetitulli te gazeta Kosova Sot, “Në kushte jonormale pozita mbajti seancën” te Epoka e Re dhe “Lufta e opozitës me gaz lotsjellës dhe gurë, mbyllet me arrestime!” te Bota Sot./b.j/