• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

ZEMRA, MAGNETOFON KUJTIMESH

October 23, 2015 by dgreca

Në vend të parathënies për librin me kujtime të muzikatit Ruzhdi Keraj/
Esse nga PROF. DR.KLARA KODRA/
& FASLLI HALITI-MJESHTËR I MADH/
Manjetofoni më i mirë për të regjistruar kujtimet është zemra./
Brezat e ndryshëm kanë secili kujtimet e tyre, problemet që kanë përjetuar, përvojat e tyre.
Përvoja të veçanta kanë brezat të cilave ua thau iluzionet diktatura pesëdhjetëvjeçare.
Megjithatë edhe këto breza kanë kujtimet dhe pasojat e tyre të bukura.
Nuk është e rastit se në letërsinë tonë të sotme janë përhapur shumë veprat jo –fiction, veprat e llojit memuaristik, autobiografitë.
Aty janë fiksuar përvojat e periudhave të ndryshme historike nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët.
Në këto vepra ndërthuret besnikëria ndaj realitetit si në shkrimet gazetareske apo veprat e llojit historik me përzgjedhjen e episodeve më kuptimplote dhe riprodhimin e tyre me ngjyra jete.
Këtyre llojeve letrare u përket edhe vepra e Ruzhdi Kerajt “Copëza e një ditari e një liceisti” (Autori rrëfimtar dhe protagonist i veprës ka qenë nxënës i liceut artistik).
Jo më kot autori e ka emërtuar veprën “Copëza”. Kjo vepër i ngjan një kaleidoskopi që përbëhet nga copëza me ngjyra të ndryshme.
Po ato copëza kanë midis tyre edhe unitet.
Filli i ndritshëm që i mban të lidhura këto copëza, këto fragmente të ruajtura në kujtesë për të ringjallur rininë, si rruazat e një gjerdani është humori.
A nuk na befason kjo? Sapo thamë që koha e jetuar nga brezi i Ruzhdi Kerajt ishte dramatike. A s’është e vërtetë? Po, është pa dyshim e vërtetë, po rinia ka në vetvete një energji të pashtershme optimiste dhe di të qeshë edhe në rrethana të vështira.
Autori ka futur në vëllim personazhe dhe situata komike. Ndër këto të fundit mund të përmendim varrimin e lepurit, të papriturën që përjeton kujdestarja e rreptë e konviktit, dalja pa leje e protagonistit që kapet në flagrancë nga drejtori i konviktit dhe “shpëtimi” i situatës nga vajza, Tufja që e paraqet veten si motrën e tij, “gara” e protagonistit me profesorin e matematikës për të siguruar notën.
Personazh komik mund të quhet nestori që “gjithë kohën vizatonte fshesën fije për fije” ndërsa personazhe si Roberti, Milika ose Tufja janë të rinj me ndjenjën e humorit që krijojnë vetë situata komike. Patosi komik ia lëshon vendin atij satirik në vizatimin e personazheve antipatikë si drejtori i konviktit Osmani, komunisti Agim (shoku A), kujdestarja e egër që u hiqte batanijet nxënësve në mëngjes, mësuesi sadist i matematikës që e ushtron autoritetin e vet duke munduar nxënësit.
Ironia e autorit ndihet edhe në portretizimin fizik të këtij të fundit (një burrë i dobët, idhnak me sy si të skiles) edhe në gjestin karakteristik të tij, çukitjen me gisht të nxënësve të papërgatitur me të cilët “kënaqet kur sheh si hidhen përpjetë dhe zverdhen në fytyrë”.
Një rol të veçantë luajnë edhe batutat komike. Nëpërmjet batutave të tilla vetëdemaskohet shoku A. kur pohon për mundësinë e anullimit të një eskursioni për shkak të shiut “Atë e di Partia” apo kur e zënë në flagrancë me kopje “A kopjojnë komunistët?”
Kurse batutat e Robertit pikojnë humor të këndshëm rinor.
Ka personazhe që vizatohen me dashuri dhe ngrohtësi si profesor Ramadani, mësuese Pandora, nëna e protagonistit etj.
Figura e mësuese Pandorës ndriçohet më qartë kur ajo i kundërvihet sekretares provokuese të rinisë dhe shokut A. për sa i përket vlerësimit të hartimit të protagonistit të cilin e tremb mundësia e një keqkuptimi ideologjik ashtu si kishte ndodhur në episodin tragjikomik, po që bëhet tragjik të nxënëses së mbilodhur nga pritja e gjatë me rastin e ardhjes së Hrushovit së cilës i shpëton një fjalë e pamatur (ajo thotë se kapelja e Hrushovit që e tundte duke përshëndetur iu duk si oturak) dhe përjashtohet nga shkolla. Këtu vihen përballë njeri tjetrit dy karaktere të kundërta: pedanti budalla dhe spiuni shoku A. dhe një grua e aftë dhe zemërgjerë që sheh te nxënësi i vet vetëm prirjen për letërsi dhe refuzon t’ia keqkuptojë një frazë të natyrshme si shprehja e dashurisë për nënën me të cilën, me të drejtë, sipas tij, fillon dashuria për atdheun, duke ia kundërvënë në mënyrë të djallëzuar si sekretarja e rinisë dashurisë për partinë.
Protagonisti edhe e autoportretizon veten si një të ri të zakonshëm që e do të bukurën në jetë, në shkencë e në art, po nuk i duron dot rregullat pedante dhe rreptësinë e padrejtë të disa mësuesve, plot humor dhe dashuri për gëzimet e jetës si edhe i gatshëm për ndjenja të pastra rinore.
Në vëllim ka një linjë të përshkuar nga lirizmi dhe komizmi që papritur shndërrohet në dramatizëm (dashuria me vajzën e mbiquajtur Tufe që e bën për vete protagonistin jo vetëm me pamjen e jashtme tërheqëse, po me zgjuarsinë dhe gjallërinë e saj, dashuri që ndërpritet brutalisht nga i ati i vajzës i cili u beson shpifjeve të drejtorit të konviktit për djalin që dashuron të bijën).
Djali ka krenarinë dhe sedrën e vet prandaj refuzon t’i lutet së dashurës që s’pati mjaft besim tek ai, ndonëse shoku i tij Tishi përpiqet ta shpëtojë atë ndjenjë të bukur duke ndërhyrë vetë. Djali vuan, po parapëlqen t’i vërë një gur zemrës. Kjo është një mikrolinjë që spikat në vepër.
Vajza që dashuron protagonisti, Tufja, është, në kundërshtim me personazhet e tjerë që skicohen në vepër, një personazh kompleks, ka ndjenjën e humorit, është e gjallë, e shkathët, plot dashuri për gëzimet e jetës, e aftë të preket nga një ndjenjë e pastër, po edhe e ndikueshme prej prindërve dhe e thyeshme.
Të tilla drama ishin të zakonshme në atmosferën patriarkale të mjedisit të ndërlikuar me puritanizmin hipokrit të diktaturës dhe konformizmin e përgjithshëm.
Stili i veprës është konçiz, dinamik, tepër i thjeshtë, me dialogje të natyrshme. Autori jep edhe detaje realiste nga kushtet e vështira në të cilat jetonin nxënësit të cilëve u mungonte ngrohja në konvikt e në shkollë dhe nuk ngopeshin në mënyrë të mjaftueshme.

***

Ruzhdi Keraj ka ditur të zgjedhë copëza realiteti nga kujtimet e veta, duke ringjallur rininë e dikurshme me vështirësi, po plot ëndrra dhe shpresa dhe duke sjellë personazhe realë nga bashkënxënësit dhe mësuesit të cilët skicohen si tipa letrarë. Megjithatë duke qenë bashkautor e parathënies së opuskulit me copëza nga ditari bashkëliceistit Ruzhdi Keraj, në morinë e kujtimeve gjithë elokuencë, melos muzikanti, kolor piktori, me butësinë harmonike të një kompozitori, të një poliedriku, meqë ra rasti, dua të kujtoj një event nga klasa e tretë “A” të cilën nuk e ka cek Keraj.

*** KLASA E TRETË

Klasa e tretë “A” kishte dy veçanti. E para se në klasën tonë kishim vetëm një vajzë thuthuqe, por e shkëlqyer në mësime dhe një komunist, gjithashtu i shkëlqyer në mësime, sidomos në histori dhe në njohuri fillestare të marksizmit.
Ç’na ndodhi në orën e psikologjisë me mësues Zenel H, ish mësues i Mehmet Shehut që për të forcuar autoritetin e tij para neve nxënësve, meqë e kishte kaluar moshën e pensionit; një e dy, me rast e pa rast, na thoshte se kishte qenë mësues i kryeministrit Mehmet Shehu të cilit i kishte shkulur disa herë veshin. Kjo nuk kalonte pa ndikim tek ne nxënësit. Në orën e tij rrinim sus. Por pyeste Fitimi, shoku ynë i talentuar si skulptor dhe karizmatik. Se ç’i hipi një trill një ditë. Më tha se po ta ngrinte profesori i psikologjisë në mësim, ai do t’i thoshte me gjakftohtësi olimpike se Fitim mungonte, se ishte dezhurn në mensë. Të them të drejtët s’ia vura veshin kësaj teke apo marrëzie. Duke e pabesueshme, madje fare e pabesueshme, sikur kjo ngjarje nuk ka ndodhur, por se po e trilloj unë vetë. Nuk dua të më besoni, por dua vetëm të më dëgjoni.
Sapo ra zilja për mësim, profesori i psikologjisë u fut në klasë. U ngritëm të gjithë në këmbë. Profesori u ul në katedër dhe hapi regjistrin. Skënder, kush mungon, pyeti ai, kujdestarin e klasës. Mungojnë dy nxënës, tha kujdestari që raportonte mungesat. Mirë, tha profesori. Të ngrihet në mësim Fitim M…, tha profesori. Fitimi u ngrit me gjakftohtësi të frikshme sa na tmerroj të gjithë ne nxënësve të klasës. Fitimi u çua në këmbë dhe tha i tha profesorit, pa ia bërë syri terr se, Fitm M., mungonte, se ishte dezhurn në mens. Me gjithë gjakftohtësinë e tij, Fitimi, prapë la një shenjë që e bëri profesorin e psikologjisë t’i lindte një fije yshimi qësa erdhi e po trashej. Jepte psikologjinë. Ishte te psikolog. Dyshimi e bëri që të verifikonte. Umëroi nxënësit prezent. Gjithsej ishin prezent pesëmbëdhjetë nxënës, plus dy nxënës dezhurn në mensë, kështu gjithsej bëheshin shtatëmbëdhjetë nxënës. I numëroi nxënësit për së dyti, së treti. Të tri herët i dilnin po shtatëmbëdhjetë nxënës. U bind se dyshimi i tij nuk ishte i kotë. Po ju shtatëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë nxënës jeni, pyeti klasën profesori me ironi e nervozizëm.
Gjashtëmbëdhjetë jemi, profesor. Po ju këtu në klasë dilni sejeni shtatëmbëdhjetë nxënës. Dy në mensë e pesëmbëdhjetë në klasë, sa bëjnë?, pyeti me ironi e jo pa inat. Shtatëmbëdhjetë, profesor… !
Ashtu ?
Pa më thuaj ti Vangjelica Vangjelica, është Fitimi në klasë?
Jo profethor!.
Mirë. Ulu!
Skënder, është Fitimi në klasë?
Jo profesor!
Mirë, e mora vesh, mund të ulesh.
Po të pyes ty idhtarit të drejtësisë dhe kritizerit të padrejtësisë, m’u drejtua mua profesoi me qesëndi, në nuhatje të përgjigjes sime. Është Fitim në klasë?
Jo, profesor, iu përgjigja unë duke ruajtur mrekullisht qetësinë.
Të kuptova, më tha profesori i ngrysur. Ulu!
Ty Ermir Dizdari, të besoj më tepër se kë do tjetër. Ti i sinqerti i klasës. Është Fitim Mati këtu me ju në klasë.
Jo, tha Ermiri dhe u ul, para se profesori t’i thoshte:mire, të kuptova dhe ty. Ulu.
Thanas, po të pyes ty në fund, si nxënës i klasë dhe si komunist.
Është Fitim Mati këtu?
Jo profesor, u përgjigj kumunisti Thanas Dede.
Klasa mori frymë e lehtësuar. E gjitë klasa mendonte se Thanasi si komunist do t’i thoshte profesorit: Po profesor, këtu është Fitimi, ja ku është në bankën e katër, rreshti i tretë.
Ra zilja për mbarimin e orës së mësimit.
Një nga nxënësit e klasës tjetër, hapi derën. Roland, është Fitim Mati, këtu në klasë?
Ne ia bëmjë jo me dorë Rolandit.!
Jo, tha Rolandi, flautisti më i talentuar i shkollës.
Të mora vesh dhe ty, tha profesori, disi i nxehur. Mbylle derën.
Hapet përsëri dera dhe në klasë futet profesori rusishtes.
Profesor Shundi, është Ftim Mati këtu?, pyeti profesori.
Ja ku e ke sa një derr…!, iu përgjigj profesori i rusishtes të cilin e kishim profesor kujdestar të klasës sonë.
Profesori i psikologjisë nuk kishte dyshuar kot. Kur zbuloi se Fitimi ishte në klasë, u qetësu, si mësues i psikologjisë, kishte pasur arsye të dyshonte. E kishte pikasur sinjalin e mashtrimit, të hiles. S’e kishte turpëruar intuita dhe profesionit si psikolog…
***
Të nesërmen, para gjithë shkollës u shpall vendimi i Këshillit pedagogjik për ngjarjen e shëmtuar në klasën e trtë në orën e mësimit të psikologjisë, ku ishte shfaqur sheshit ndikimi i huaj perëndimor i klasës e cila në vend të denoncimit të fajtorit, zgjodhi heshtjen mikroborgjeze. Për klasën tonë ishte marrë vendimi që të rregullonte lulishten e shkollës; Fitimi të përjashtohej pesëmbëdhjetë ditë nga shkolla, por jo nga konvikti, pasi ishte nga Peshkopia, shumë larg Tiranës. Kurse organizata bazë e partisë dhe byroja e shkollës kishin propozuar që komunisti i klasës sonë Thanas Dede, të përjashtohej nga Partia. Por u fol se profesori i psikologjisë Zeneli Hekali. e kishte kundërshtuar, nuk ishte dakord me propozimin e organizatës bazë të partisë. Dhe kur një komunist ortodoks tha se komunisti i klasës sonë Thanas D., duhej përjashtuar pa një, pa dy, sepse nuk ishte treguar i partishëm, profesori i psikologjisë që ishte komunist që në kohë të luftës, i ishte përgjigjur:
Po. Nuk u tregua i partishëm, por u tregua shok…
***
Në vitet që ishim bashkëliceistë, ka ndodhur dhe një ngjarje tjetër mes ngjarjeve të rëndomta.. Një nxënës rom që studionte për obojë, në inat e sipër qëlloi me grusht një shokun e tij muzikant që u mbyt në gjak. Bëri përshtypje të jashtëzakonshme në gjithë masën e nxënësve. Drejtoria e shkollës, të nesërmen në mëngjes, para se të fillonte mësimi, i theu notën në sjellje oboistit. Kaq. U futëm në mësim. Klasa e oboistit kishte hartim me temë të caktuar dhe me temë të lirë. Oboisti zgjodhi temën e lirë dhe shkroi për zënkën e tij, me një pendesë të thellë, të rëndë. Hartimi u gjykua si një pendesë të thellë, të sinqertë, me emocione tepër humane, vëllazërore. Në orën e korrigjimit të hartimit, profesoresha e letërsisë e lexoi para klasës, hartimin e oboistit, të vlerësuar me notë dhjetë. Të nesërme u mblodh këshilli pedagogjik për t’i rregulluar oboistit para kohe, notë e thyer në sjellje, me motivacionin se hartimi i ti ishte shembulli i një pendese të besueshme të thellë, të sinqertë të padyshimtë. Pa dyshim që autori i kujtimeve në rast ribotimi, do t’i përfshijë në minibiografinë e tij, këto dy raste që përmenda unë e të ndonjë kujtimi tjetër që i ka shpëtuar ose ia kishin sfumuara vitet.
***
“Copëza nga ditari i një liceisti” mund të përkufizohet si një autobiografi në miniaturë ose si një vepër – dokument, e këndshme dhe njerëzore.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Faslli Haliti, Klara Kodra, magnetofon kujtimesh, RUZHDI KERAJ, Zemra

Besiana Kadre: Kosova drejt votës finale për UNESCO

October 22, 2015 by dgreca

-Sa i përket Asamblesë së Përgjithshme që do të mblidhet në muajin nëntor, ku do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO Besiana Kadare u shpreh optimiste se tashmë 2/3-at e votave, të cilat kërkohen për të miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv, janë siguruar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ “Nuk do të lëmë gur pa rrotulluar duke kërkuar përkrahje për votën finale për Kosovën në UNESCO”, ka paralajmëruar zëvendëskryeministri i pare në qeverinë kosovare, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Paralajmërimin e ka bërë nga Parisi, pasi dje në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, Bordi Ekzekutiv i kësaj agjencie të specializuar të KB-së ka miratuar me 27 vota pro, 14 kundër dhe 14 abstenime, propozim-rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga gjithsej 58 shtete anëtare prej të cilave 32 tashmë e kanë njohur Kosovën.
Ndërsa, mbetet që Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, në nëntor, të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
“Fitohet beteja e parë drejt UNESCO-s”, “Kosova një hap larg anëtarësimit në UNESCO”, “Kosova, afër anëtarësimit në UNESCO”, janë titujt e ballinave të shtypit të sotëm në Prishtinë.
“Besiana Kadare anëtarësimin në UNESCO e quan fitore për Kosovën dhe Shqipërinë”, është një nga titujt e mëngjesit të sotëm në portalet kosovare, ku “Do të thosha që është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet europiane, anëtare të Këshillit Ekzekutiv me përjashtim të Spanjës, votuan ‘pro’ Kosovës” , citohet ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO.
“Sa i përket Këshillit të Përgjithshëm që do të mblidhet në muajin nëntor, ku do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, Kadare u shpreh optimiste se tashmë 2/3-at e votave, të cilat kërkohen për të miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv, janë siguruar”, citon media kosovare median shqiptare.
Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO, deklaronte në12 shtator Minsitria e Jashtme kosovare në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi vlerësonte se Shqipëria kishte një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara.
“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s”, theksonte ai.
Qeveria e Kosovës ka siguruar se, “nëpërmes anëtarësimit në UNESCO, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie ose religjioni dhe do të avancohet edhe më tutje bashkëjetesa, si një traditë qe e kemi ruajtur dhe kultivuar ndër shekuj”.
Po ashtu ka theksuar se, “me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova drejt, për UNESCO, votës finale

KOSOVA, SOT NE SYTE E MI

October 22, 2015 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/
Duke ndjekur këto javët e fundit ,mediat e poratalet on line për Kosovën,kam një përzierje mendimesh e ndjenjash deri ne kakofoni britjesh e thirrjes të brendëshme, që më trazojnë shpirtin e qetësin sa më bëjnë të thërras,të bërtas e të uluras deri në kup të qellit se cka po ndodh ,cpo bëhet dhe ku po shkojmë me avanturizmin dhe prakticizmin foshnjarak.Kjo më trysnon po ashtu të mendoj se investimi që kanë bërë disa brezni para nesh, që brezi yne dhe ndërkombëtarët kanë bërë për Kosovën, është apo nuk është produktiv dhe kombëtar? I kompleton aspiratat dhe ndiesitë e kombit apo i dyzon dhe i dyshon ato? Po shkojmë drejt demokracisë e shtetit ligjor në Kosovë, apo derejt një autokracije që mund ti veshë cdo emër, por që më i pranueshmi do të ishte autoritarizëm primitive i kohëve modern.
Duke patur para syshë faktin që pas zgjedhjeve te qershorit të 2014-tës pati pështjellim, pati një vakum pas zgjedhor qeverisjeje për gjashtë muaj dhe me shumë vështirësi u gjet nga ndërkombëtarët një formulë gjysëm e pranueshme ( qeverisja LDK dhe PDK), tregon se zgjidhja ndërkombëtare ka brenda qefmbetje opozitare dhe mllefi i sotëm politik është pjesë e kësaj zgjidhjeje pas zgjedhore. Por qefmbetja e opozitës ka dhe emra të vecantë si Mustafa e LDK të cilat i konsideron tradhëtare të kauzës opozitare, kurse Thacin e PDK-në tradhëtare të interesave të Kosovës. Madje ka disa që Zotin Mustafa pas 9 dhjetorit 2014 e quajnë “ ish Mustafa” sikur kemi të bëjmë me një dyftyrësi të pa imagjinueshme që e ndanë një datë e vetme sic është 9 dhjetori i 2014-ës.
Por le ti marrim gjerat me radhe dhe ti shohim nga këndshikimi i sejcilit aktor dhe nga interesi publik. Po e nisim me opozitën e cila ka zbritur në sheshbetejë me trysninë për tërheqjen e dokumentave të firmosura për të ashtuquajturat “zajednica” ose e thënë ndryshe “Bashkësia e komunave serbe në Kosovë”. Sipas saj ky document tradhëton interest kombëtare të Kosovës sepse krijon një shtet serb brenda shtetit të Kosovës, i cili me këtë marrveshje i merr Kosovës gati tridhjetë përqind të sipërfaqes së saj.N.q.se është tërësisht kështu, shqetësimi i opozitës është legjitim dhe mbron interesin publik. Problemi i dytë që opozita ngre është ai i “demarkacionit” (vija kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi). Sipas saj Kosova nga firmosja e kësaj marrveshje ka humbur nje sasi të konsiderueshme kilometrash katrore. Edhe nga kjo qasje në se është tërësisht keshtu, opozita ka të drejtë.
Por, ndërkombëtarët, qeveria dhe shumica parlamentare thonë se cdo marrveshje midis Kosovës dhe Serbisë është e paraparë nga përmbajtja e Kushtetutës së Kosovës.Po ashtu dihet se Kushtetuta e Kosovës, sipas projektit të Ahtisarit, ka cungimet e veta për arsyet që dihen e që nuk mund të ribëhen sot në një Kosovë të pa formësur mirë organizativisht e demokratikisht. Marrveshjet janë zgjidhje praktike ku asnjera palë (kosovare apo serbe) nuk ka përfitimet maksimale, por përfitimet janë optimale , që u lejon palëve të bëjnë pak lëshime, por të ndërtojnë urat e së ardhmes për në Eoropën e Bashkuar. Po ashtu ata thonë se tërheqja nga një marrveshje e nënshkruar është absurditet, sepse ajo është një fakt i kryer dhe i pa tjetërsueshëm. Por shtojnë se marrveshjet nuk mund të hyjnë në fuqi pa një vendim të Parlamentit të Kosovës dhe në këto kushte pozita thotë hajdeni ta diskutojmë në parlament. Edhe marrveshja për vijën kufitare me Malin e Zi është bërë sipas kushtetutës së 1974-ës të ish Jugosllavisë ,document sipas të cilit Kosovën e njeh dhe e administron Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Parë nga ky këndshikimi edhe pozita dhe ndërkombëtarët kanë një farë të drejte.
Të gjitha palët interin e përgjithëshëm,kërkojnë ta bëjë pronë të tyre. Ka përqasje që thonë shiheni përputhjen e plotë dhe identike të vijës e qëndrimeve tona politike me interesat kombëtare të Kosovës , duke aluduar se e palës tjetër është anti kombëtare.Por nga ana tjetër veprimtaria normale e parlamentit është e bllokuar, mungesa e respektit reciprok është në kulm, përdori i masmedias për etiketime perspnale është këthyer në modë të përditëshme, përdorimi i mjeteve zhurmuese vend e pa vend e deri tek përdorimi i gazit lotsjellës brenda sallës së parlamentit, nuk janë fenomene të castit e për dy problemet që pikësohen këto javët e fundit, por mendoj se janë grumbullime të mllefeve politike të së shkuarës jo të largët. Sepse edhe parlamenti si tempull i demokracisë jo rrallë ka dhunuar me maxhoritetin e kartonave duke mos i lënë hapsirën e nevojëshmë mendimit alternative e duke votuar ligje për të cilat ka patur kontestime që lidhen me interesat jetike të Kosovës. Po tu shtosh këtyre edhe korrupsionin masiv, papunësinë e madhe, mungesën e hapsirave perspektive për të ardhmen, dhe keq qeverisjen pothuaj në të gjitha nivelet e deri tek përdorimi jo rrallë i pushtetit si armë kundër kundërshtarëve , po e cojnë Kosovën në prag të një kolapsi , fundi i të cilit mund të jetë drithërues.
Nisur nga të gjitha këto, por edhe për shumë të tjera, ndjehem tërësisht i shqetësua,sepse shoh që klasa politike në Kosovë po humbet shumë kohë për ta bërë Kosovën shtet demokratik e veprues. Ajo me paaftësinë që tregon në drejtim, po e shtynë vetë me duart e saja kohën e integrimit në strukturat euro-atlantike. Në gjykimin tim kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë kështu,sepse kjo po e con Kosovën në destabilitet të pa shmangëshëm.Përgjegjësia mendoj se është e të gjithë aktorëve veprues pa përjashtim në pozitë e në opozitë,nga Presidentja, Qeveria, Parlamenti e deri tek të zgjedhurit vendor.
Personalisht mendoj se është koha për refleksion të menjëhershëm. E përkrah veprimin e Presidentes Jahjaga për bisedimet që bëri me krerët e partive politike dhe shpresoj e besoj të ketë patur sukses. Por hapi më i rëndësishëm është, normalizimi i veprimtarisë së parlamentit. Populli duhet të dëgjojë argumentat dhe kundër argumentat e të dyja palëve. Prej debatit duhet të dilet në disa përfundime të përbashkëta qe përbëjnë caqet e interesave kombëtare të periudhës afat mesme të Kosovës, caqe të cilat nuk mund ti shkeli askush dhe për asnjë lloji arsyeje. Po ashtu mendoj se ngërci politik mund të zgjidhet nëse lihet mënjanë mllefi politik i grumbulluar, i cili është gërryes i unitetit e paqëtimit të brendëshëm dhe bariera kryesore e ecjes përpara.
Për ata që bënë luftën në Kosovë, populli ju ka ngritur lapidare e ju a ka njohur të githa meritat deri në maksimalizim, por askush nuk duhet të abuzojë me to dhe askush prej tyre nuk është gjeni, i jashtëzakonshëm, gjithfuqiplotë e i pa zëvëndësueshëm dhe i destinuari i përjetëshëm për të qënë në krye të Kosovës. Sot është koha për të bërë paqen, demokracinë, ekonominë dhe lumturinë e njerëzve. Edhe opozita ka gjithë mundësitë për të vepruar në përputhe me Kushtetutën,ligjin dhe rregullat e miratuara dhe prej tyre të korrë sukseset që dëshiron. Jo të marrë vezët në dorë e të qellojë me to kush i del perpara në rrugë të madhe i shoqëruar me gra e femijë duke krijuar kështu përshtypjen e rrugacrisë. Si hap i pare ajo le të pranojë diskutimin në parlament. Në se humbet me forcën e kartonave le ta cojë ceshtjen në Gjykatën Kushtetuese. Në se nuk e fiton edhe atje të mbjedh firmat per referendum. Në referendum eshte vota e popullit dhe ajo do ti thotë gjithkujtë se me kë është e drejta.
Autori është zv/Kryetar i Vatrës

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, kosova, SOT NE SYTE E MI

KOSOVA, RREZIKU I IZOLIMIT

October 22, 2015 by dgreca

-Delawie- Veseli: Kosova rrezikon të izolohet nga komuniteti euro-atlantik/
-Ambasadori i SHBA: Për ata njerëz që sjellin armë në Kuvendin e Kosovës dhe i përdorin kundër kolegëve të tyre, unë kam një mesazh: Ju po e lëndoni ekonominë e Kosovës, ju po rrezikoni që Kosova të izolohet nga komuniteti euro-atlantik, ju po vëni në rrezik shanset e Kosovës për liberalizmin e vizave, ju po i vononi shanset e Kosovës për njohje të reja/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, prit sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.
Ambasadori amerikan konfirmoi përkrahjen e tij për kryetarin Veseli në vazhdimin e seancës së nesërme plenare, duke e konsideruar të rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të vazhdojë punën dhe të miratojë ligje që janë qenësore për Kosovën.
“Unë jam këtu për të shprehur përkrahjen time për Parlamentin e Kosovës. Ne kemi biseduar se sa e rëndësishme është për Kuvendin që të mbajë seancë nesër, në mënyrë që të miratohen ligje që janë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha ambasadori Delawie, në adresimin para gazetarëve.
Duke i konsideruar veprimet e partive opozitare si të dëmshme për vendin dhe demokracinë e Kosovës, Delawie kërkoi nga deputetët e tyre që të qëndrojnë në Kuvend dhe të mos përdorin dhunë. Ai tha se investitorët po i shohin imazhet e dhunës, dhe se kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën.
“Duhet të them se njerëz nga mbarë bota, janë duke parë në televizor imazhe të dhunës dhe kaosit në institucionet më të rëndësishme dhe demokratike të Kosovës. Kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën. Për ata njerëz që sjellin armë në Kuvendin e Kosovës dhe i përdorin kundër kolegëve të tyre, unë kam një mesazh: Ju po e lëndoni ekonominë e Kosovës, ju po rrezikoni që Kosova të izolohet nga komuniteti euro-atlantik, ju po vëni në rrezik shanset e Kosovës për liberalizmin e vizave, ju po i vononi shanset e Kosovës për njohje të reja”, theksoi ambasadori amerikan.
Ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për qëllim ta ndihmojnë Kosovën që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë dhe të trajtohen të barabartë para ligjit.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se është një shqetësim i të gjithë miqve që kanë ndihmuar në shtetndërtimin e Kosovës se me veprimet e fundit demokracia e saj po dëmtohet. Kryetari Veseli falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij për Kosovën dhe veçanërisht Kuvendin e saj, duke shtuar se Kosova do të jetë storie e suksesit, si një shtet ligjor dhe demokratik.
Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në Kuvend dhe që së bashku të punojnë për të mirën e vendit. Kryetari Veseli theksoi se Kuvendi nuk ka nënshkruar asgjë dhe nuk duhet të jetë pjesë e bllokimit, por vend i diskutimeve dhe debatit, nga i cili nuk do të prodhohen skenarë që destabilizojnë vendin.
Kryetari i Kuvendit i konsideroi të dobët dhe që nuk ia duan të mirën këtij vendi të gjithë ata të cilët krijojnë situata dobësie dhe konflikti në Kuvendin e Kosovës.
“Unë dëshiroj të sigurojë ambasadorin e SHBA-së se investimi i partnerëve tanë, veçanërisht i SHBA-së në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe demokracinë kosovare ka qenë i drejtë dhe Kosova do të jetë storie e suksesit, një shtet ligjor, stabil, demokratik dhe i zhvilluar ekonomikisht”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Mbledhja plenare e Kuvendit, e ndërprerë më 15 tetor, do të vazhdojë të premten, më 23 tetor, në orën 16:00, ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, kurse munguan ata të partive opozitare.
“Thirrja e seancës së Kuvendit të Kosovës është provokim dhe papërgjegjëshmëri politike”, ka deklaruar opozita kosovare.
Opozita paralajmëron se, “nuk do të ketë vazhdim të seancës për sa kohë që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet”.
“Protestën nuk do ta ndalim pavarësisht se në çfarë ore mbahet seanca dhe sa kërcënuese është policia e pushtetit. Qeveria e ka sjellur këtë situatë jashtëzakonshmërie në Kosovë. Ne si deputetë të Opozitës as nuk do të zbrapsemi e as nuk do të pushojmë deri sa të tërhiqen marrëveshjet që e cungojnë Republikën dhe territorin e saj”, thuhet në deklaratën e opozites.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor është i bllokuar nga opozita. “Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Delawie- Veseli: Kosova rrezikon, euro-atlantik, të izolohet nga komuniteti

KUJTIM TAFA NGA MALI I BARDHË, INVALIDI QË SFIDON KOHËN

October 22, 2015 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/
Përpos historisë së Kishës të fshatit Mali i Bardhë tashmë e njohur dhe jashtë kufinjëve, pasi myslimanët kanë kontribuar në ndërtimin e saj, një tjetër personazh ka habitur banorët. Kujtim Tafa është invalid që nga viti 1991 nga një aksident dhe kohët e fundit po sfidon krevatin prej 24 viteve. Kujtimin do ta shohësh duke ngarë mjetin e tij të modifikuar nga vetë ai. Me njërën dorë drejton mjetin e tij, ndërsa këmbët i ka të pamundura që t’i lëvizë, ndaj me njërën dorë kryen funksionet e mjetit që ai drejton.
Aksidenti i ka ndodhur në ish-kooperativë ku ai punonte, duke rënë nga një mjet i asokohe në rrugët e fshatit Mali i Bardhë. Ndonëse mjekët kanë bërë gjithçka për të sjellë në jetë djaloshin 25 vjeçarin malbardhas, me tërë mangësitë e shërbimeve spitalore në ato kohë të vështira, pas pak kohësh nga revolucioni mbi komunizmin, Kujtimi do të kalonte pjesën tjetër të jetës në paralizë të plotë. Madje siç tregon ai gjatë një mitingu në qytetin e Laçit është takuar dhe nga dr. Sali Berisha, i cili premtoj ndërhyerje kirurgjikale në klinikat e specializuara jashtë vendit, premtim që u sfumua dhe nuk arriti të provoi të tilla klinika siç dhe ëndërronte Kujtimi. Jam mirënjohës familjes, si gruas dhe të vetmes vajzë Lorela, shprehet ai. Vajza e Kujtimit që në moshën 13 vjeçare do t’i shërbente me mjetin babajit të saj duke e dërguar për vizita apo tek të afërmit. Ndërsa gruaja nga vetëm tre vite jetë bashkrotore me Kujtimin do t’i qëndronte pranë pas asaj që i ndodhi dhe tërë fshati shprehet me superlativa për këtë grua, me tipare fisnike. Lorala shtatë vite më parë do të ” braktiste” babanë dhe familjen e saj për t’u kurorëzuar me një djalë po nga fshati Mali i Bardhë, dhe sebep do të bëhej Kujtimi pasi Lorela kërkonte t’i qëndronte pranë babait të saj. Cdo ditë Lorela do të vizitojë prindërit, por ajo ndihet e kënaqur nga ajo çfarë i kanë parë sytë. Gëzimi i saj i pakufijshëm, kur pas shumë vitesh, pa babanë si drejtues të mjetit. Ishte iniciativa e tij për të modifikuar mjetin në atë model që Kujtimi ta ngiste me dorën e tij, ndonëse këmbët nuk kryejnë asnjë funksion me autoveturën.
Ai do të vizitojë Kishën në fshat dhe ndihet më së shumti i gëzuar dhe kur sheh se dhe Xhamia që i ka munguar fshatit është drejt përfundimit. Sigurisht që kontributi i Xhamisë është i përbashkët nga i tërë komuniteti.
Kujtim Tafa nga Mali i Bardhë është njeri i fortë, shumë miqësor i dashur me tërë fshati, por ndihet keq nga politikanët që po rëndojnë vendin.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Zani, INVALIDI, KUJTIM TAFA NGA MALI I BARDHË, QË SFIDON KOHËN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT