Delegacioni nga Lugina e Preshevës i përbërë nga Kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa, Kryetari i Bujanocit Nagip Arifi si dhe Faton Bislimi nga Liga Qytetare Shqiptare Amerikane, Xhevat Latifi -gazetar dhe Sherif Sherifi-avokat, në vijim të vizitës së tyre në SHBA, të Shtunën me 10 Tetor 2015 realizuan një vizitë në Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Mysafirët u pritën nga Kryetari i vatrës dr. Gjon Bucaj, nënkryetari Asllan Bushati, anëtari i këshillit Zef Balaj, anëtari i këshillit të Urtëve(Advisory Board) Zef Përndocaj dhe Editori i Dielli Dalip Greca.
Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj u uroi mireseardhjen mysafirëve dhe i përgëzoi ata për qëndresën dhe luftën këmbëngulëse për të drejtat e mohuara të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Kryetari Bucaj i informoi miqtë se Vatra e vlerësoi pozitivisht Krijimin e Asociacionit të Komunave dhe doli publikisht me një deklaratë në media.
Në këtë deklaratë theksohej fakt se: Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” përshëndetë vendimin e këshilltarëvet shqiptarë të tri qyteteve të Luginës – Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët, me votë unanime miratuan Deklaratën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare në Serbi. Ky Asociacion,që krijuat si reciprocitet me Asociacionin (“Zajednica”) e komunavet me shumicë serbe në Kosovë, miratue nga qeveritë e Kosovës e të Serbisë muejin e kaluem, është ca i vonuar, por gjithësesi ka vlera pozitive, tha dr. Bucaj. më pas z. Bucaj parashtroi qëndrimet e Vatrës për Ceshtjen Kombetare dhe per obligimet qe kane dy shtetet tona ndaj shqiptareve qe jetojne jashte Shqiperise dhe Kosoves.
Edhe zv/kryetari i Vatrës Asllan Bushati, përshëndeti mysafirët dhe u uroi aty sukses në rrugën e qëndresës dhe luftës për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, të cilët, më së paku duhet të gëzojnë po ato të drejta që Beogradi kërkon për serbët e Kosovës. Ai i përgëzoi ata për të gjitha veprimet e dy dekadave të fundit, për rezistencë, dhe për qëndresë ndaj asimilimit. Pasi ju krijuat UCMPB, tha z. Bushati, diplomacia europiane lëvizi nag vendi dhe filloi t’ju shoh me një sy tjetër. Mos u tërhiqni! Edhe për të ardhmen ju do ta keni përkrahjen e Vatrës, tha z., Bushati.
Gjatë takimit Vatra premtoi angazhim të pandërprerë në përkrahje të zgjidhjes së drejtë të cështjes shqiptare në Luginë, ashtu sic bën edhe për cështjen came, për të drejtata e shqiptarëve në Mal të Zi apo në Maqedoni.
Z. Nagip Arifi informoi për situatën e rënduar të shqiptarëve në Bujanoc dhe përpjekjet që bën faktori shqiptar për të fituar të drejtat që nuk i gëzojnë si etinitë e tjera.
Nga ana e tij Kryetari i Preshevës z. Ragmi Mustafa solli një informacion të detajuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për rolin e Asociacionit të komunave shqiptare.
Mysafirët informuan për vizitën e sukseshme në Departamentin e Shtetit dhe në kongresin Amerikan. Në Departamentin e Shtetit ata u pritën nga Drejtori i Byrosë për Evropën Qendrore dhe lindore z. Tom Yazdgerdi me bashkëpunëtorët e vet.
Takimi në Departamentin e Shtetit shënon një pikë kthese historike për cështjen e Luginës së Preshevës sepse e vendos atë në agjendën e politikës së jashtme amerikane si një pikë me rëndësi të vecantë në Ballkan.
Po ashtu mysafirët informuan se delegacioni i Luginës së Preshevës pati një takim pune me Drejtorin e Komisionit “Tom Lantos” për të Drejtat e Njeriut të Kongresit Amerikan, z. Carson Middleton, me të cilin u diskutua çështja e pazgjidhur shqiptare në Luginë. Në ambientet e këtij Komisionit Kongresional në Capitol Hill, Kryetari Mustafa i Preshevës dhe Kryetari Arifi i Bujanocit prezantuan problemet më madhore me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ata e njoftuan drejtorin e këtij komisioni, që bashkeudhëhiqet nga Kongresisti Republikan Pitts dhe ai demokrat McGovern, me abuzimet drastike të të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare që Serbia ushtron ndaj shqiptarëve të Luginës. Kryetarët Mustafa dhe Arifi kanë vënë theks të veçantë mbi diskriminimin nacional që i bëhet shqiptarëve në Luginë përmes medotave moderne dhe perfide të represion serb kundrejt popullatës autoktone shqiptare në këtë rajon me qëllim të largimit të sa më shumë shqiptarëve nga Lugina.
Gjatë takimit në Vatër, z. Faton Bislimit, kërkoi që Vatra të bashkëpunojë me Fondacionin Arsimor Jopërfitues, që ai vetë drejton, për të sjellur në SHBA për studime një numër të caktuar të studentëve meritorë nga Lugina, duke iu siguruar atyre bursa akademike dhe akomodim.
Kryetari i Bujanocit, z. Arifi i dhuroi kryetarit të Vatrës një “Mirënjohje” nga komuna që ai drejton.
Në fund Editori i Diellit i njohu mysafirët me historinë 103 vjecare të Vatrës dhe 106 vitet e Gazetës Dielli përmes dokumenteve dhe fotografive.(Dielli)
Archives for October 2015
Kush ta bëjë demokratizimin e dytë?!
Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Lexova me mjaft interes analizën e publicistit të mirënjohur, zotërisë Ajet Nuro, me titull, “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”, të botuar në 10 tetor 2015 në faqen e internetit “Tribuna Shqiptare”.
Si njëri nga përfaqësuesit e mirënjohur të Diasporës Shqiptare, zotëria Ajet Nuro shpreh me shumë të drejtë shqetësimin e vet intelektual për gjendjen e demokracisë në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve. Është e vërtetë se në Shqipëri janë bërë shumë ndryshime, por megjithatë ne jemi ende larg standardeve demokratike në ndërtimin dhe në funksionimin e shtetit ligjor. Populli shqiptar, për fat të keq, ka përfunduar në“skllav” të partive politike, të cilat përpiqen me thonj e me dhëmbë për të kapur majat e pushtetit. Ky i shkretë pushtet në Shqipëri është shndërruar në një lopë mjelëse për politikanët shqiptarë, të cilët vijnë e bëhen milionerë si me forcën e magjisë.
Pjesën më të madhe të kohës gjatë shtatë vjetëve të fundit e kam kaluar te fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heraherës atje më ka qëlluar të bisedoj me qytetarë amerikanë për problemet e politikës dhe më ka bërë përshtypje njëfakt interesant: që t’i hysh politikës në Amerikë, duhet të harxhosh para, madje para të madhe, qoftë nga paratë e veta, qoftë nga mbështetja financiare e biznesit privat. Sepse shteti amerikan nuk shpenzon as edhe një dollar të vetëm për partitë politike. Pra, kapitalin atje nuk e vë dot, duke shfrytëzuar postin politik. Figura të tilla politike, si ish-kongresmeni Xhejms Trafikan dhe ish-guvernatori i Ilinoisit Rod Bllagojeviç, të cilët patën shfrytëzuar postin politik për përfitime financiare, patën përfunduar në burg për korrupsion. Ky i fundit, i dënuar në vitin 2011 nga drejtësia amerikane me 14 vjet heqje lirie, po dergjet në një koloni të Kolorados.
Në Shqipëri, përkundrazi, posti politik shfrytëzohet për të vënë miliona dhe askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. Të ashtuquajturit krah i majtë dhe krah i djathtë në politikën shqiptare, në të vërtetë, nuk përfaqësojnë as të majtën dhe as të djathtën, në kuptimin euroamerikan të kësaj fjale. Pra, në vendin tonë ekzistojnë dy klane të etura për pushtet që janë pasuruar në një mënyrë marramendëse dhe që, përmes tribunës së parlamentit, po luajnë një komedi të hollë në sytë e opinionit publik, me të vetmin qëllim që të krijojnë përshtypjen sikur janë kundërshtarë të rreptë me njëri-tjetrin.
Ky realitet tragjik ka bërë që populli të mbetet rob i partive, të cilat janë vetë zot e vetë shkop në zgjedhjen e deputetëve që gjoja e përfaqësojnë atë në parlament. Kësisoj të dyja klanet ia kanë mohuar popullit të drejtën për të votuar drejtpërsëdrejti për kandidatët që ai dëshiron, duke e detyruar të votojë vetëm për partitë. Dhe kryetari i partisë, duke qenë fuqiplotë në krye të saj, kandidatët për deputetë i përfshin në listë sipas dëshirës. Kjo mënyrë zgjedhjeje e deputetëve, nuk ka as ndryshimin më të vogël nga praktika e zgjedhjes së deputetëve në periudhën e diktaturës komuniste: listën e tyre e hartonte formalisht Kryesia e Frontit Demokratik të Shqipërisë, por faktikisht vendimin e merrte personalisht Enver Hoxha.
Me këto praktika, karakteristike për një sistem të dështuar politik, nuk mund të ndërtohet demokracia. Nuk mund t’u besohet ndërtimi i demokracisë kryetarëve të partive, të cilët, pavarësisht nga fitoret ose nga dështimet gjatë ndërrimit të pushteteve, nuk dëshirojnë kurrsesi të largohen nga kreu i tyre. Prandaj kryetarët e përjetshëm të partive politike janë një fatkeqësi e rëndë për fatet e demokracisë në Shqipëri. Një fakt i tillë dëshmon fare shkoqur se në vendin tonë nuk u bë përmbysja e sistemit komunist, si në vendet e tjera të Evropës Lindore, me përjashtim të Rusisë. Në vendin tonë u bë thjesht një ndërrim sistemi. Ishët e diktaturës komuniste dhe bijtë apo nipat e tyre, iu përshtatën situatës së re në kushtet e pluralizmit politik. Prandaj ata nuk mund t’i flakin dot nga vetja e tyre mendësitë komuniste. Kjo solli si pasojë që Shqipëria të vazhdojë ende të përjetojë një periudhë të stërgjatur tranzicioni që nuk i dihet fundi ende.
Në këto kushte, zotëria Ajet Nuro, me shumë të drejtë, hedh një ide interesante, sipas së cilës “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”.
Mirë do të ishte vërtet që të kishim një valë të dytë demokratizimi. Por problemi është se kush duhet ta ngrejë një valë të tillë. Normalisht, në rastet e nxjerrjes së çdo vendi nga amullia politike, rolin kryesor e merr dhe duhet ta marrë përsipër inteligjencia, sidomos inteligjencia dhe rinia universitare. Në vendin tonë inteligjencia vazhdon të bëjë një gjumë të rëndë letargjik, duke i lejuar klanet politike të tallen me fatet e popullit si t’ua dojë mideja. Dhe tallja e popullit prej klaneve në fjalë ka arritur në përmasa katastrofike, sidomos në proceset zgjedhore. Në këto fushata,klanet politike janë munduar me të gjitha mënyrat dhe ia kanë arritur qëllimit që një masë jo të paktëzgjedhësish t’i kthejnë në mercenarë të vet përmes shitblerjes së votës. Praktika e shitblerjes së votës në Shqipëri përbën një dukuri sa të turpshme, aq edhe skandaloze që vihet re gjatë fushatave zgjedhore.
Shumë e drejtë është ideja e zotërisë Ajet Nuro për rolin që duhet të marrë përsipër Diaspora Shqiptare për ngritjen e valës së dytë të demokratizimit. Jam plotësisht në një mendje me zotërinë Ajet Nuro se në radhët e Diasporës Shqiptare, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka figura të nderuara që kanë bërë emër me punën e ndershme, me djersën e derdhur për lartësimin e figurës së vet dhe që mund të japin kontributin e tyre të drejtpërdrejtë për ngritjen e një vale të dytë demokratizimi në atdheun amë. Por që të vihet në jetë kjo ide interesante, duhet që Diaspora Shqiptare, pikë së pari, të gëzojë të drejtën e votës dhe të drejtën për t’u zgjedhur në atdheun amë përmes votimit elektronik. Veçse për ta siguruar pjesëmarrjen e saj në votime, duhet që e drejta e votës së saj të sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ashtu siç e ka të sanksionuar shteti zviceran. Prandaj edhe 700 mijë zviceranë që jetojnë në diasporë, marrin pjesë rregullisht në zgjedhjet e vendit nëpërmjet votimit elektronik. Për vendin tonë përbën problem fakti që klanet politike nuk e dëshirojnë pjesëmarrjen në votime të Diasporës Shqiptare. Madje klani politik qëështë në pushtet jo vetëm që nuk e dëshiron një pjesëmarrje të tillë, por po krijon kushte të rënda ekonomike edhe për shtresën e varfër, shumë anëtarë të së cilës kanë marrë arratinë nëpër shtete të ndryshme të Evropës, në kërkim të azilit ekonomik.
Një tjetër arsye e vështirësisë së ngritjes së një vale të dytë demokratizimi, qëndron në faktin se klanet politike në vendin tonë, sapo ulen në karrigen e pushtetit, për shkak të frymës së mercenarizmit që i karakterizon në marrëdhëniet me të huajt, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit para tyre.
A nuk dëshmon për kompleksin e inferioritetit të klaneve politike shqiptare lejimi i Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse ish-Fanolianepër një periudhë më shumë se 23-vjeçare? A nuk dëshmojnë për një kompleks të tillë të gjitha dukuritë që u vunë re para dhe pas ndeshjes së futbollit me përfaqësuesen e Serbisë? Kompleksi i inferioritetit të palës shqiptare, të përfaqësuar nga Thaçi e Mustafa, është shfaqur pastër fare para Beogradit gjatë gjithë procesit të bisedimeve në Bruksel me krerët më të lartë të qeverisë serbe, tërësisht në dëm të interesave të Kosovës. Dhe inteligjencia kosovare vazhdon të heshtë.
Këto fakte dëshmojnë ditën për diell se klanet politike shqiptare janë të zhveshura krejtësisht nga dinjiteti kombëtar, se dinjitetin në fjalë kanë një çerek shekulli që ia kanë falur Athinës dhe Beogradit. Dhe Athina me Beogradin, në shkëmbim të dinjitetit kombëtar, klanet politike të Tiranës i kanë pajisur me “çertifikatën” e kompleksit të inferioritetit.
Pikërisht ky kompleks i mallkuar inferioriteti ka bërë që të huajt, dhe konkretisht Brukseli zyrtar, ta kenë shumë për zemër ndjenjën e inferioritetit të klaneve politike shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Sepse me këto klane politike në pushtet, pa vetëdije kombëtare, në të dyja shtetet shqiptare, ata mund të sillen siç u do qejfi, ashtu siç edhe janë sjellë konkretisht në Shqipëri për një çerek shekulli gjatë vëzhgimit të fushatave zgjedhore dhe siç po vazhdojnë të sillen edhe në Kosovë për më shumë se 16 vjet. Se nuk u bëhet shumë vonë për fatet e popullit shqiptar. Sepse kombin shqiptar, në mungesë të një klase politike me vetëdije të lartë kombëtare, në mungesë të një Kryeshtetari dinjitoz, ata e kanë trajtuar dhe vazhdojnë ta trajtojnë thjesht si një parcelë eksperimentale. Dhe inteligjencia shqiptare vazhdon të heshtë, si pa gjë të keqe.
Tiranë, 12 tetor 2015
A DUHET TE VUAJ NE BURG MORINA PER NJE AKT NACIONALIST?
Nga Gezim LLOJDIA/
Po për Ballist Morinën ,ç’thuhet ?
Tash që kombëtarja shkoi definitivisht në Francë 2016 nga ngazëllimi duket se harruam një pikë të vogël. Ku gjendet njeriu i dronit me shkakun e të cilit shqiptarët u bënë krenar. Pikërisht pas hekurave në Shqipëri,atje ku se priste dhe as që e mendonte një gjë të tillë.Për ballist Morinën duhet të ketë një ndërgjegjësim qytetar për të kërkuar shpejt lirinë e tij nga qelit e burgut të atdheut amë. Nuk është pretekst mbajtja e armëve sepse dihen dhe rrethanat, që njeriu fillimisht misterioz dhe më pas i identifikuar si Ismail Morina,shkurt: Ballist Morina ,ishte autori i dronit i asaj vepre në fushën e Serbisë, që i la pa mend dhe pa pikë serbët sikurse edhe jashtë evropianit. Pra Shqipëria ka 3 pikë që ja siguroi ballist Morina në Beograd .Jo vetëm këto por Ismail Morina u himnizua pikërisht për shkakun e paraqitjes të një simboli shqiptar tash të harruara e të nëpërkëmbur nga “kurva e vjetër Evropë”,nga zyrat e kancelarive të saj,ndërkohë që ne ishim qytetarët e parë të kësaj Evrope kristiane ,atëherë kur vet nocioni i saj nuk ekzistonte .Ne kemi dëshmi autoktone dhe simbole,kemi murre dhe dokument të hershme,monedha,gurë,atefakte dhe gjithçka që i duhet një periudhe të haruara për të treguar se në kemi qenë në qendër të kësaj Evrope kur atë e kishte marrë lumi osman rreth për 25 vjet në kohët e skenderbejane ,madje më hershëm ne kemi qenë me qytetërime të hershme kur serbët dhe të ardhurit e tjerë ndër trojet tona nuk diheshin nga ishin apo nga çfarë vendi vinin. Ismail Morina nuk tha ndonjë gënjeshtër të madhe siç po kërkojnë serbët apo të tjerë fqinjë që të kërkojnë të jenë autoktonë por që janë ta ardhur dhe të vonshëm në këtë dynja dhe ndër këto troje.
Ballist Morina nuk duhet të vuaj burg për një shfaqje nacionalizmi sepse kërkoi Shqipërinë etnike e cila ka ekzistuar në fakt aq sa edhe pushtuesit gjerman të luftës së dytë botërore e respektuan këtë gjë duke ndërtuar edhe administratën e saj sikurse kishte ekzistuar. Rasti i ballist Morinës të mos na kujtojë atë precedentin tashmë të haruar nga koha e komunizmit, kosovarët e ardhur në Shqipëri të ikur nga maskara serbe ju dorëzoheshin sërish serbëve ose burgoheshin në Shqipëri ose vriteshin. Petro Marko në librin e tij brilant autobiografik flet edhe Bedri Pejanin i cili bënë një promemorie për masakrat e serbëve kundër kosovarëve ,pa folur apo cituar rastet me dhjetëra e qindra deri në vitet’ 90 kur kosovarët vëllezërit tan, shkonin ndër burgje si agjentë serbë edhe pse ata kishin ikur për ti shpëtuar mizorive serbe. Ballist Morina është i kërkuar nga Serbia dhe burgosja në trokën amë është shembulli më i keq që nga kryer ndonjë herë pas viteve 90.
“PARATHËNIE” E KONFERENCËS SË JALTËS…
13 TETOR 1943ALEATËT BOMBARDOJNË TIRANËN/
■503 QYTETARË TË VRAMË… NË TIRANË!?/
■Lufta e Dytë Botnore hapi një kapitull të ri, aq sa dramatik edhe të turpshëm për të gjithë ata që me të gjitha mjetët e tyne po, edhe të tonat, kanë punue për shfarosje të Trojeve Shqiptare dhe shkombtarizimin e pandërpremë të Popullit dhe Shtetit Shqiptar Europjan.
■I vetmi shtet që nuk kishte pretendime të zhdukjes sonë nga harta e Evropës, ishte Gjermania. Edhe kur ajo ishte në falimentim të Luftës, autorizon Rregjencën Shqiptare nëpërmjet At Anton Harapit, me u lidhë me Aleatët, për me mujtë me shpëtue nga bolshevizmi stalinist dhe neoshovenizmi ruso – sllav i pashmangshëm që po pushtonte Ballkanin dhe Europen Lindore. (Dishmi gojore e Regjentit Cafo Beg Ulqini, 1968).
■NË SHTËPINË NR. 173, NË RRUGËN E KAVAJËS…ORA 13.13’
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…
Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare. Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrnim vesh asgja se shka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.
Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu…e nuk di gja ma gjatë….veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe, i shtrimë ndër pllaka të korridorit përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË, ÇOU !”…
***
■14 Tetor 1943, gazeta “Kombi” në Tiranë, fillon me botue listen e të vramëve nga bombardimi i bamë njëditë ma parë në Kryeqytetin e Shqipnisë…Numri i të vdekunve fillon nga shifrat 70… 85… dhe arrinë në 503 vetë. (Shifra asht dishmi i At Pjeter Mëshkallës, Klerik tek Kisha Katolike Tiranë, në Rrugen e Kavajës, që ka vojue Babën tim 30 minuta mbas vdekjes.)
■Bashkë me kufomat e viktimave varroset edhe kjo ngjarje e shemtueme që u ba mbi popullsinë e pafajshme të Tiranës. Populli Shqiptar asnjëherë nuk ka kenë agresor, as pushtues i një pëllambe tokë të shteteve fqinjë. Ai nuk asht angazhue në asnjë blok gjatë Luftës së Dytë Botnore, madje asht shteti i parë që u pushtue nga Italia fashiste më 7 prill 1939.
■Nuk duhet harrue se ngjarja e 13 Tetorit 1943, asht masakra ma e përgjakshme e bame mbi Popullin e pambrojtun Shqiptar gjatë gjithë Luftës së Dytë Botnore.
■Atëherë, pse na bombarduen, na gjakosën, na robnuen nga sllavët… dhe heshtën?
Gati para 20 vjetësh z. Rudina Xhunga asht përsoni i parë që ka shkrue për këte ngjarje pothuej të harrueme… dhe kam shkue për me e falnderue. E pyeta nëse ke mujtë me kuptue pse asht lanë në harresë gjithë këto vjetë një tragjedi kaq e madhe e Popullit Shqiptar, që pa kenë Aleat me pushtuesit, bombardohet një rrugë nga aeroporti e deri tek Kisha e Jezuitëve, kur njerëzit ishin tue ngranë drekë, vritet vetëm popullsi civile dhe asnjë ushtar nazist, dhe Shteti Shqiptar për 55 vjetë heshtë?…Edhe ajo e çuditun kishte pyet pak ditë përpara Nexhmije Hoxhën, e cila i asht përgjegjë: “Nuk kishim sesi përderisa né ishim të lidhun me Aleatët, ata e bënë!…”
■Koha vjen tue kjartësue synin dhe mendjen! Pra, Aleatët e lidhun me sllavokomunistët tanë vrasin vetëm me ushtrue terror mbi popullsinë e pafajshme, për me e nënshtrue e robnue ate!
■Vazhdojmë me dokumenta të botueme kohët e fundit:
Lexoni tek libri “I dashur Stalin…” Letërkëmbimi i plotë i Fraklin D. Ruzvelt dhe Josif V. Stalinit. Radaktuar dhe pajisur me shpjegime nga Susan Butler, Parathënia nga Arthur Schlesinger, Jr.
Përkthye nga Olgerta Visi, Shtypur nga “KRISTALINA-KH”, Tiranë 2006.
■“Ruzvelti – 134 – (Faqe 240)
12 Tetor 1943
Mesazh personal për mareshal Stalinin
Badolio do t’i shpallë luftë Gjermanisë me 13 tetor.
Bazuar në marrëveshjet e traktatit të mëparshëm, Aleatët do të sigurojnë ndihmë ajrore dhe detare në Azore. RUZVELT
■“Stalini – 135 –
14 tetor 1943
Stalini, drejtuar Ruzveltit
Mora mesazhin tuaj të datës 13 tetor. Ju falënderoj për informacionin e vënë nën dispozicionin tim. U uroj forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe suksese të mëtejshme.”(Theksimi im F.R.)
***
■Do t’ishte i tepërt komenti! Vazhdojmë me fakte tjera…
Faqe 360: Çërçill shkon në Moskë tek Stalini. Me të mërritur në Moskë në mbremje të po asaj dite (10 tetor 1944), i propozoi troç Stalinit të ndanin Ballkanin si më poshtë:
■“Lé të zgjidhim përfundimisht problemet tona në Ballkan. Armatat tuaja ndodhën në Bullgari… Lé të lidhim marrëveshje midis nesh – Britanisë dhe BS-së. Si do të gjykonit, do të ishit të kënaqur sikur të kishit nën kontroll 90 për qind të Rumanisë, ndërsa né 90 për qind të Greqisë dhe Jugosllavia të ndahej përgjysëm?”…
■Më pas sipas pohimeve të Çërçillit, “Stalini mori shkumsin me ngjyrë blu dhe bëri një shenjë V miratimi mbi planin e paraqitur. Gjithçka ishte zgjidhur sa hap e mbyll sytë, më shpejt se të ulesh e të ngrihësh.”
■Faqe 399: “ Jalta.
6 shkurt 1945.
I dashur mareshali Stalin,
…Jam i vendosur të ndërmarr çdo masë të mundshme që marrëdheniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik të mos cenohen aspak. Sigurisht që pikëpamje të ndryshme do të ketë, por do të gjejmë gjithmonë gjuhën e përbashkët dhe një mënyrë për të sheshuar mospajtimet…
Sinqerisht i juaji FRANKLIN D. RUZVELT”
■Marrëveshja në lidhje me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Japonisë:
“….Krerët e Tri Fuqive të Mëdha duhej të pajtoheshin njëzëri që, kërkesat në fjalë të Bashkimit Sovjetik, të plotësoheshin pa diskutim pas kapitullimit të Japonisë.” Faqe 449.
■Për mos me ndikue lexuesin e këtij materiali me mendimet e mija në lidhje me këto ngjarje tragjike të fatit të popujve të Botës, do të kaloj në disa dokumenta tjera shumë me rendësi, që i përkasin po kësaj periudhë historike të Luftës së Dytë Botnore.
■Henry Kissinger “Diplomacia”, Leximi, në kancelaritë e Perëndimit, duhet të fillojë detyrimisht nga ky libër”Alan Clark, The Times. Përkthye P.Pojani; Red. M. Raxhimi. Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1999. Shtypur në Shtypshkronjën LAERT.
■Henry A.Kissinger asht betue me 22 shtator 1973 si Sekretar i pesdhjet e gjashtë i Shtetit, detyrë që e mbajti deri me 20 janar 1977. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.
Falemnderës z. Kissinger per këte thesar historik që i keni dhurue Botës Perparimtare!
■“Fobia e Stalinit u shpreh gjerësisht në eleminimin prej tij të të gjithë kundërshtarëve poltik, të mundshëm të brendshëm dhe në vrasjen e internimin e miljona të tjerëve që e kundërshtonin atë, vetëm në fantazitë e tij.” Fq. 337.
“Rasti ishte Kongresi i XVIII i PK të BRSS, …mbledhja e parë mbas pesë vjetësh…nga 2000 delegatë, merrnin pjesë vetëm 35 nga ata të pesë viteve maparë; 1100 të tjerë ishin arrestuar për veprimtari kundërrevolucionare; ishin likujduar 98 nga 131 anëtar të K. Q., sikundër edhe tre nga pesë mareshalët Ushtrisë së Kuqe dhe 11 zëvendëskomisarët e mbrojtjes, të gjithë komandantët ushtarakë të rajoneve dhe 75 nga 80 anëtarët e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes.” fq.339.
■“Çdo ushtri “çlirimtare” sovjetike do të kthehej në një ushtri pushtuese.” fq.343
■“Çdo udhëheqës i madh ka rrugën e vet…Ruzvelti kishte krejt karakterin, energjinë e mjeshtrinë e diktatorëve dhe ishte në anën tonë.” Fq.370.
Faqe 371: “Deri në raportin para Kongresit mbi Jaltën me 1945, Ruzvelti qëndronte gjithmonë më këmbë sa herë që mbante ndonjë fjalim të rëndësishëm. Duke qenë se media i përshtatej përpjekes së Ruzveltit për të luajtur rolin e tij me dinjitet, shumica dërrmuese e amerikanëve, asnjëherë nuk e kuptuan sesa i gjymtuar ishte Ruzvelti ose perceptimet e tyre kishin ngjyra mëshire…. ishte një kombinim i papërcaktuar i manipuluesit dhe ëndërrimtarit politik. Ai drejtonte më tepër në bazë të instiktit, sesa analizës…Sikundër e përshkruante Isaiah Berlini: Ruzvelti kishte të meta serioze në karakter, midis të cilave paturpësinë, ashpërsinë, cinizmin…”
■Ruzvelti deklaroi: “Britania e Madhe duhet të mbronte Evropën, pa asnjë ndihmë nga Amerika… Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit….Në shkurt 1945, në konferencën e rëndësishme të fituesve në Jaltë, Ruzvelti qortoi Çerçillin në prezencë të Stalinit…ai vuri në lojë qellimin e tij…” Fq.396.
■“Ruzvelti mbështetej në marrëdhënjet me Stalinin në një mënyrë që Çërçilli kurrë nuk do ta bënte…në Teheran nga 28 nëntori deri 2 dhjetor 1943, në Jalta nga 4 deri 11 shkurt 1945.(fq. 410) Ruzvelti parapëlqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sësa një diktator totalitar.”
■“Jalta polli turpin për fizionominë e botës së pasluftës.”
***
■“Shpëtimtarët e njerzimit”…kalojnë miljona njerëz nën zgjedhën barbare komuniste për 50 vjet!
Lufta e Dytë Botnore përfundoi me mbi 50 miljon varreza…mbi të cilat, diktatorët ngritën monumentet e tyne rrethue me “lulet” e mbjelluna mbi mjerim të popujve.
U bombardue Moska, Leningradi, Varshava…
U bombardue Berlini, Roma e Tokio…U hodhën edhe bombet atomike në Japoni!
U bombardue edhe Tirana…
Të gjithë popujt filluen rindërtimin e vendit nga rrënimet e luftës…
As sot nuk dihet kush fitoi lirinë dhe të drejtat thëmelore të jetës së njeriut!
Shqipnia,… jo!
Tirana u bombardue me 13 tetor 1943 dhe u la varrezë e një Populli Martirë, që për 50 vjet të tjera vazhdoi me u rrënue, me u torturue, me u masakrue, me u shpartallue, me u burgosë, me u pushkatue, me u interrnue, me u vorfnue, me u dhunue, me u çkombtarizue…Ndersa, qendrimi i Aleatëve ndaj familjeve të viktimave të të vramëve nga bombardimet e komunizmi që na sollen ata, asht një kapitull në vete që duhet trajtue bashkë me kapitullin e diasporës prokomuniste!
Kur Shqipnia, vazhdon me u plaçkitë nga komunistët kapitalistë të Enverit e stërnipat e Stalinit!
Po, si dikur…Vazhdon me trokitë në dyert’ e Evropës, tue kerkue edhe “Rilindjen komuniste”!..
Melbourne, 12 Tetor 2015.
AAK kërkon lirimin e menjëhershëm të Albin Kurtit
Sipas Policise arsyet e arrestimit të Albin Kurtit janë për shkak të veprimeve të fundit të bëra nga ai/
Ndalimi dhe rrëmbimi, pothuajse si nëpër filma, i Albin Kurtit deputet dhe përfaqësues i Opozitës, është mesazh i tmerrshëm për demokracinë në vend.Situata, edhe ashtu e rëndë politike, nuk qetësohet duke paraburgosur përfaqësues politikë opozitarë dhe kjo ndodhë vetëm në sistemet totalitare, në çfarë po rrëshqet edhe qeveria e Isa Mustafës.AAK, kërkon lirimin e mënjëhershëm të Albin Kurtit dhe kërkon që të nxirren para drejtësisë urdhërdhënësit e këtij arrestimi spektakular.
Poashtu i bëjmë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Mustafa, që të heqë dorë nga përdorimi i policisë për agjenda ditore partiake, të reflektojë dhe të mos bëjë gabime që mund ta cojnë vendin në trazira të dhunshme.
Ai duhet të reflektojë dhe t’i korrigjojë gabimet e veta e jo të provojë spektakle të shtetit policor.Albin Kurti është deputet i zgjedhur dhe ai duhet ta zhvillojë i lirë aktivitetin e tij politik.
AAK
POLICIA: JA PSE U ARRESTUA ALBIN KURTI
Sipas zyrës për informim të Policisë së Kosovës, zëdhënësi Baki Kelani ka konfirmuar se në orët e mbrëmjes në hyrje të Prishtinës, njësitet kompetente kanë ndaluar Albin Kurtin dhe të njëjtin e kanë dërguar në stacionin policor për intervistim.
Kelani bëri të ditur se të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren me konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent.
Ndërsa arsyet e arrestimit të Kurtit, është njoftuar se janë për shkak të veprimeve të fundit të bëra nga personi në fjalë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 70
- 71
- 72
- 73
- 74
- …
- 104
- Next Page »