• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

KOMBETARJA NDEROHET NE PRESIDENCE

October 12, 2015 by dgreca

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i dorëzoi sot gjatë një ceremonie të veçantë Ekipit Kombëtar Shqiptar të Futbollit Dekoratën “Nderi i Kombit” në vlerësim të arritjes historike të kualifikimit për në fazën finale të Kampionatit Europian “Francë 2016”, për rezultatet e shkëlqyera sportive që mundësuan këto fitore si dhe për lartësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë duke na bërë më krenarë e të bashkuar se kurrë.
Gjithashtu gjatë kësaj ceremonie Presidenti Nishani vlerësoi Federatën Shqiptare të Futbollit me Titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e rëndësishëm dhe vizionar në drejtim të futbollit shqiptar gjatë viteve duke punuar me përkushtim, seriozitet, ndërgjegje dhe aftësi të larta profesionale për përzgjedhjen dhe grumbullimin e talenteve më të spikatura kombëtare dhe rritjen cilësore të këtij sporti mbarëpopullor. Për meritat e pamohueshme në arritjen e rezultatit historik që mundësoi kualifikimin e Shqipërisë në fazën finale të Kampionatit Europian ‘Francë 2016’.
Me këtë rast Kreu i Shtetit iu drejtua të pranishmëve duke u shprehur:
“Të dashur lojtarë të Përfaqësueses Shqiptare, drejtues të nderuar të Federatës Shqiptare të Futbollit,
Të nderuara autoritete të shtetit shqiptar: Zoti Kryetar i Kuvendit, Zonja Ministre, Deputetë,
Profesor De Biazi,
Të nderuar gazetarë të shtypit sportiv e të medias,
Të dashur përfaqësues të Tifozëve Kuq e Zi,
Zonja dhe zotërinj!
Ndihem shumë i emocionuar dhe njëkohësisht tepër krenar, jo vetëm si sportdashës dhe shqiptar, por gjithashtu edhe si një qytetar i këtij vendi që shansi dhe rrethanat fatlume po më japin mundësinë sot, që në cilësinë e Kryetarit të Shtetit të organizoj këtë ceremoni modeste, por domethënëse për të shprehur mirënjohjen dhe nderimin tonë ndaj Kombëtares Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë atyre që bënë të mundur këtë kualifikim historik!
Emocionet në këto çaste janë tepër të forta, por që nga nata e mbrëmshme dhe e paharrueshme e Jerevanit ato do të vijnë gjithnjë e duke u rritur për të shpërthyer fuqishëm në mbështetjen pa kushte dhe pa kufij që çdo shqiptar do t’i bëjë Kombëtares sonë dhe drejtuesve të saj gjatë netëve të nxehta e plot pasion të verës së ardhshme në Francë.
Rrugëtimi i Kombëtares sonë ka qenë i gjatë, me etapa të larmishme, me ulje-ngritje shpirtërore të një kombi të tërë, me fitore të merituara e ngazëllyese, me barazime fatlume, me humbje zhgënjyese e të padrejta në minutat e fundit, me triumfe të papërsëritshme – që të gjitha të mbuluara nga entuziazmi i tifozëve kuq e zi që nuk reshtën kurrë së shpalosuri flamurin me shqipen dykrenare dhe simbolet tona kombëtare.
Sot ne ndihemi më shumë krenarë se kurrë dhe më të bashkuar se kurrë. Këtë nuk e them dhe nuk e konstatoj vetëm unë në cilësinë e Presidentit të Republikës, simbolit të unitetit kombëtar, por këtë e shpreh dhe e vërteton me emfazë mbarë kombi shqiptar duke demonstruar shfaqje dhe shembuj të papërsëritshëm atdhedashurie në çdo skaj të globit: që nga Tirana e Elbasani, që nga Prishtina e Mitrovica, që nga Sidneji në Australi e deri në Nju-Jork, që nga Stokholmi e deri në Londër, që nga Shkupi, Ulqini e deri në Paris, anembanë botës kudo ku jetojnë, studiojnë e punojnë bashkëkombasit tanë, kudo ku rreh qoftë edhe një zemër e vetme dhe e vërtetë shqiptari.
Federata Shqiptare e Futbollit dhe drejtuesit e saj kanë punuar me profesionalizëm për vite me radhë me shumë mund e këmbëngulje, pa hequr kurrë dorë për të zbuluar, bindur dhe grumbulluar talentet e panumërta shqiptare të futbollit, të cilët për shkak të rrethanave historike dhe ekonomike kanë mbirë dhe kanë lulëzuar në të katra anët e kontinentit tonë të vjetër.
Kombëtarja Shqiptare e Futbollit sot më shumë se kurrë përfaqëson karakterin dhe fytyrën e vërtetë të kombit shqiptar: atë evropian në gjen, që me merita të plota po shkon të na përfaqësojë për herë të parë e me dinjitet në një Kampionat Europian, një grup djemsh të rinj, plot entuziazëm e gjallëri, talent dhe shpirt të pamposhtur, atletë dhe kampionë të lindur, të cilët nuk dorëzohen kurrë para asnjë pengese qoftë sportive, qoftë dhune verbale apo fizike, as para ndonjë padrejtësie ksenofobe apo atavizmi politik të dalë mode me vakt e me kohë në Ballkan.
Madje kjo Kombëtare drejtohet nga një trajner i aftë dhe i paepur si Xhani De Biazi, i cili vërtet mund ta ketë në gjak ‘katenaçon’ e famshme italiane, por që kur është bërë shtetas shqiptar, ka ditur të guxojë më shumë, të ri-organizojë ndryshe ekipin, t’i hedhë djemtë në sulm apo edhe t’i këshillojë që të vetëpërmbahen atëherë kur edhe një barazim i stërmundimshëm përkthehej në një pikë të artë ngjitjeje në kualifikim.
Ekipi ka pasur edhe një kapiten të aftë e vizionar, emrin e të cilit e dimë që të gjithë, që kurrë nuk është dorëzuar as në fushë, dhe as jashtë saj, por ka ditur të grumbullojë rreth vetes, t’u japë zemër dhe kurajë shokëve të skuadrës, madje edhe në çastet më të vështira, kur jeta e tyre rrezikohej seriozisht.
Por mbi të gjitha, tipari më dallues i kësaj Kombëtareje është forca dhe shpirti i grupit, krenaria dhe përgjegjësia e madhe e mbajtjes veshur e me dinjitet i asaj fanelle kuq e zi, i atyre ngjyrave dhe simboleve kombëtare për lartësimin e të cilave dikur është derdhur edhe gjak.
Rrugëtimi deri në finalen e Parisit është ende larg dhe i gjatë, por ëndrra vazhdon për çdo shqiptar.
Sot jam më se i bindur se mbarë popullit tonë shpresa i është rikthyer, se krenaria i është ringjallur dhe se të qenit shqiptar për ta, për ne dhe për këdo tjetër në dejet e të cilëve rrjedh i njëjti gjak, ka më tepër kuptim se kurrë më parë.
Futbolli është thjesht një sport, por ai ka aftësinë e mahnitshme për t’i bashkuar njerëzit. Dikur në botë ndeshje futbolli kanë shkaktuar edhe luftëra mes shtetesh, kanë ngjallur edhe urrejtje pa kufij, kanë krijuar edhe mëri shumëvjeçare, por nga ana tjetër ka pasur raste që një ndeshje e vetme i ka bashkuar dhe njehsuar pjesëtarët e një kombi më tepër se politika, demagogjia, ideologjia, retorika apo propaganda boshe.
Të dashur miq!
Kombëtarja jonë ia doli mbanë, edhe në saje të mbështetjes së një kombi të tërë, i cili sot ndihet me të drejtë më kryelartë se kurrë më parë dhe prandaj kam gëzimin dhe privilegjin e veçantë ta shpall atë: “Nder i Kombit”!
Po kështu ruaj kënaqësinë t’u shpreh edhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit mirënjohjen personale dhe institucionale për kontributin e tyre të vyer duke i vlerësuar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!
Suksese të mëtejshme në rrugëtimin tuaj drejt triumfeve të tjera sportive!
Ju faleminderit!”

Filed Under: Sport Tagged With: Kombetarja nderohet, ne présidence

Histori Suksesi-TINKA KURTI, NDERI I KOMBIT, ARTISTE E POPULLIT, AMBASADORE E PAQES

October 12, 2015 by dgreca

Flet aktorja e madhe shqiptare zonja Tinka Kurti “Nderi i Kombit”/
Interviste nga Liliana Pere/
Tinka Kurti u lind më 17 Dhjetor 1932 në Sarajevë, Bosnjë Hercegovinë dhe jeton në Tiranë. “Zoja e randë” e teatrit dhe kinemasë shqiptare, një aktore e madhe që mbahet me nje vitalitet dhe energji te madhe. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Që nga viti 1949 e deri dhe per shume vite ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste tek “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë “Tana”, më 1958.
Të paharruar kanë mbetur Nene Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”.
Rolet e interpretuara i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, ne të cilat mori çmimet e karrierës në të dyja fushat. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Gjatë karrierës së saj ka marrë një seri çmimesh.
• Artiste e merituar me vone eshtë bërë Artiste e Popullit në një moshë fare të re.
• Ambasadore Paqes, Nder i Qytetit te Shkodres dhe e Peqinit.
• Cmimi Gruaja e vitit 96 ne Amerike ne nje Shoqate Gruaje.
• Ne vitin 2014 Tinka Kurti merr cmimin e karrieres ne New York.
• “Nderi i Kombit” në prag të 80-vjetorit të lindjes, akorduar nga ish Presidenti i Republikës Prof. Bamir Topi.
Ndiqni intervisten j’u lutem…
Une deshiroj ‘tu kthej disa vite prapa, qe ju do tu pelqeje, a mund te flisni per femijerine tuaj znj.Tinka?
Kam kujtime pafund, si çdo njeri që vjen në këtë moshe të jetës së tij. Rri e mendoj dhe kujtoj parkun, rrugicën me kalldrëm dhe ndjej në çdo çast shtrëngimin e dorës së nënës sime të shtrenjtë. Mbushem me emocione të mëdha, kur kujtoj çastet e dhimbshme, portën e shtëpisë, nga e cila dola kur isha vetëm 5 vjeç dhe u riktheva kur mbusha 65 vjeç. … Kam qenë fëmija i parë në familje dhe gjithnjë kam qenë në një pozicion që më bënte të ndihesha më e rritur nga ç’isha, gjithnjë e detyruar për të marrë më shumë përgjegjësi nga ç’mund të mbaja në shpinë…dhe më duhej ta bëja këtë sepse më dhimbsej nëna dhe më duhej t’i bëhesha krah asaj. Pra, unë nuk e mbaj mend veten fëmijë asnjëherë, sepse jeta më kërkoi të rritesha para kohe.
Znj.Tinka; Ju shpreheni me nostalgji për qytetin tuaj kur e përmend, sa vend ze Shkodra tek ju ne jeten tuaj ?
Shkodra është e bukura e dheut.. ngazellehet …dhe sa herë shkoj, e shkel me mall dhe kthehem me lot, Shkodra është qyteti im ku unë jam rritur, vendi ku ka qene familja ime dhe vertiten shume kujtime , ku më kanë dashur dhe i kam dashur dhe unë ndjehem krenare të jetoj atje.
– Ajo ka ne humor ne qenien e saj qe I jep shprehje se te folurit dhe bisedes nje ton te afert te qeshur e te kenshem. Ka vite që është larguar nga qyteti ku është rritur, mbetur kryefjala e botës së saj. E gjithëfigure e saj transmetohet në një mënyrë kaq të trasparente sa duket sikur ke të bësh me një njeri që e ka nën kontroll çdo ndjesi negative brenda saj. Jo, ajo të çudit me natyrën e saj prej gruaje të fortë …Koshienca dhe kujtesa fenomenale shprehin optimizem Forca dhe energjia e saj e kane kthyer gjithshka ne pozitivitet dhe passion, per artin dhe kinematografine. Tek Znj , Tinka pashe nje temperament tejet të fortë, me cilesi shume te vecanta,dhembshurie korrekte,humori, dhe mjaft fisnike, që duket i formuar ne femini nga prinder intelektuale, qysh në fëmijëri, ka arritur t’u bëjë gjithnjë ballë sfidave të jetës dhe të tregojë se është një grua e e madhe.
Znj.Tinka: Me rastin e ditelindjes per ju eshte bere dhurate nje film dokumentar, a ju ka gezuar ky vleresim –perjetesim ne skene? Si jeni ndjere?
Faleminderit publikut qe e kam dashur dhe me ka dashur si dhe kolegeve për cilësimin që më bejne.Teksa numëroj vitet, them shpesh që ndjehem e privilegjuar që për mua është bërë një dokumentar, i arrirë do të thosha nga regjisori Esat Teliti, që ma dhuroi me rastin e ditëlindjes. Jam prekur kur u shfaq në kinema “Milenium”, kur për 90 minuta kaloi jeta ime e bukur dhe e vështirë.E falenderoj shume .
Znj. Tinka, ju I perkisni plejades me te nderuar te artisteve te kinematografise, regjisorë dhe aktorë, që me filmat e tyre kanë zënë një vend shumë të vlerësuar dhe te dashur në kinemanë shqiptare. Pse filmat e Kinostudios qëndrojnë ende në publik, edhe pse kanë kaluar dekada?
Në keta filma ishte jeta , e gjithe secilit jeta e te gjithëve , me te mirat dhe dobesitë e asaj kohe , por kane vlera te mëdha , ato pasqyrojne jeten reale , emocionet e jetës, se punes,familjes, luftes, sakrificave dashurise , jepen dhe jane te ndertuar ne nje platformë reale te sukseshme me shumë sinqeritet e dashuri ne bashkëpunimet me te gjithe trupen e artisteve që mund të kemi pasur defekte në interpretim të rolit, në kamera, por megjithatë ajo ka qenë një krijimtari që meriton vlerësim. Unë shikoj të tjerët në filma dhe më pas kthehem tek unë. Jam kritizerja më e madhe e vetes sime, por mendoj që filmat tanë kanë vlera të mëdha për kinemanë shqiptare.
Ishte talenti, dhuntia e natyrshme , puna kembengulese, duke kaperxyer veshtiresite e kohes, që ju te bëheshit aktore . Hapi i parë u hodh me filmin “Tana” dhe pas kësaj, jeta juaj j’u kushtua skenës dhe filmit,dhe vuri vulen si aktore per znj. Tinka?
Mësimet i nisa në Politeknikumin e Tiranës, kam përfunduar rastësisht në Lice, por edhe ëndrra për aktore u ndërpre në mes, pasi vetëm pas tre muajsh do të më përjashtonin nga Liceu me pretendimin se tek une vërenin shfaqje liberale dhe kurrë nuk e mora diplomën e aktrimit .Ishte talenti, dhuntia që më jepte natyra, që unë të bëhesha aktore. Unë jam dhe mbeten aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe kujtimet e mia. Kujtoj me nostalgji rolin ne “Dasmën shkodrane”, kur isha vetëm 16 vjeçe. Pjesmarja ime ne grupe artistike ne korr , duke kenduar si soliste , spikati talentin e vene re nga regjisori I cili kuptoi se Tinka ishte një aktore dhe gjykimi I tij ishte I sakte.
Znj, Tinka, keni interpretuar gjatë gjithë jetës role qe kane qënë të shumta dhe te memorizuara ne kujtesen tone, sa role behen perafersisht?
Kam interpretuar rreth 330 role, Pjesa me e madhe e roleve eshte në dramë, por edhe në filma. Rolet mbajne vitet e mija te regjistruara 60 vite të jetës sime, që ia kam kushtuar skenës, me pune dashuri dhe perkushtim. Mendoj se kinematografia ka bere nje pune te madhe shume te lavderueshme.
Une I kam dashtun te gjitha,rolet kane qene te ndryshme, unë i kam të shtrenjta njësoj. Kujtoj rolet në dramën “Fejesa e Çehovit”, pasuar me rolin e Files në “Fisheku në pajë”, më pas të Lokes tek “Toka Jonë”. Pasioni dhe dashuria për skenën më detyronte që brenda vitit të mund të realizoja 4 role. Lëvizja nga Shkodra në Vig ku xhiroheshin “5 heronjtë”, nga skena në xhirim. Sfilitesha, por ndjehesha edhe e lumtur.
Ju keni patur fatin te luani role te medhenj , permendni disa te lutem,cilet do të konsideronit role më të spikatura? Sa mbresa kujtime keni ne punen tuaj te mrekullueshme ne gjithe keto vite pune te lodhshme te bukura, por dhe impresionuse mund te kujtoni disa?
Une I kam dashtun te gjitha rolet unë i kam të shtrenjta njësoj. Kujtoj rolet në dramën “Fejesa e Çehovit”, pasuar me rolin e Files në “Fisheku në pajë”, më pas të Lokes tek “Toka Jonë”. Pasioni dhe dashuria për skenën më detyronte që brenda vitit të mund të realizoja 4 role. Lëvizja nga Shkodra në Vig ku xhiroheshin “5 heronjtë”, nga skena në xhirim. Nje pune intensive por Unë kam pasur fatin të kem tërë kohën role parësorë në skenë dhe filma, veçoj rolin e Lokes tek “Toka Jonë”, nënë Pashakoja tek “Yjet e netëve të gjata”, rolin e nënës tek “Gjaku i Arbrit” dhe kështu do të përmendja një varg rolesh deri tek ky i fundit, tek “Streha e të Harruarve” shkruar nga Rruzhdi Pulaha, që u xhirua edhe film para pak muajsh.
Ju keni nje experience te gjate artistike, dhe shume cilesore, te pelqyer e te vleresuar nga publiku, Por përballë kësaj krijimtarie në karrierën tuaj kaq të vlerësuar në kinemanë shqiptare,cilin rol do te veçonit?
Rolet gjithmonë i kam vlerësuar, dhe ndër vite kam lozur karaktere dhe personazhe të ndryshme. Por mendoj se është Nënë Pashakoja në filmin “Yjet e netëve të gjata”. E them këtë sepse unë kam qenë një vajzë shkodrane, grua shkodrane, isha 38 vjeçe atë kohë dhe duhej të luaja një nënë të moshuar, me djem korçare që ishin vërtetë nga Korça, dhe atë kohë mu duk një guxim i madh i të ndjerit Viktor Gjika. Por i jam shumë mirënjohëse, faleminderit prej tij, sepse ai më ka ndihmuar shumë që unë ta përballoj atë rol. E them me shumë sinqeritet, unë si aktore sa herë e shikoj atë film them: “sa borxhlije i jam asaj nëne të vërtetë”.
Aktori nuk ka të drejtë të thotë, ku është ndjerë më mirë. Vetëm spektatori, publiku, është ai që di të gjykojë më mirë.
Znj.Tinka Kurti ju jeni artistja e parë që realizuat puthjen në film, madje në filmin e parë shqiptar. Si e keni përjetuar?
Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri.Kjo më bën krenare Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla, që tashmë janë të zakonshme. Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë, qe dola mbi paragjykimet e kohes
Cilat të rreshtonit disa prej tyre, si ngjarje të veçanta te mbushura me emocione në jetën tuajnga vleresime te ndryshme nga publiku?
E kam te veshtire te vcoj apo numero ngjarje te vecanta , po kujtoj dicka; venia e emrit tim në kinemanë verore në Plazhin e Durrësit. (Mbushi syte me lot ).. Tek ne keto ceremoni nuk behen kur je gjalle nuk është traditë në vendin tonë por jam ndjere e vlerësuar, emocionet janë të shumëfishta. Emrin tim e mban edhe shkolla e mesme e Lekbibajt, ku nuk mungoj të shkoj. Ndjehem krenare, jo vetëm se ndodhet në trevën ku unë jam rritur dhe jam artiste e asaj treve me kontributin tim, Ishte nje dite qe s’mund ta harroj kurre Ahengu i madh i bere me kete rast I rrenjosi thelle keto kujtime , kujtoj lahutistin qe kendonte me iinstrumentin e tij me sa kishte fuqi tingujte lahutës më kumbojnë në vesh edhe sot. Kenget e tyre te improvizuara me kushtoheshin mua shoqëruar Kujtoj vargjet….Tinka Kurti, nderi jonë, Tinka jonë sa malet të rrojë..Komuniteti I aktoreve e artisteve ka qene nje komunitet me shkueshmeri dhe harmoni qe e donim dhe e vleresonim njeri tjetrin. Kam fiksuar në foto çastin kur një shqiptar i ardhur nga Australia më vendosi një qylaf në kokë dhe më mbështolli me flamurin e Kombit. E kam të shtrenjtë atë foto.
Une nuk do te percaktoja dot asnjehere moshen tuaj te vertete , ju jeni nje grua plot energji, qe e tregoni ne ecje , ne te folurin e bukur melodioz, ne kujtesen dhe rradhitjen e njarjeve, ne fisnikerine dhe kulturen tuaj dhe do te thosha a do te kete ndryshim per Tinken ndonjehere ne keto cilesi?
Jo.Pergjigjet.Derisa pasioni im te jete Brenda meje I forte per aktrimin une nuk do ti humbas keto cilesi dhe do vazhdoj te luaj ne skene, madje kam disa projekte te reja Une krijoj poezi , nuk mund te them qe jam poete , por kam talent,Në këto vargje unë them: Të dua o profesion, sa dua djalin tim E ti nuk ke të drejtë që më qorton, se të dy janë gjaku dhe shpirti im Ngrihem në mëngjes dua djalin ta takoj, në mos tjetër me të në telefon të komunikoj Ti ku je se numrin më nuk ta di se ke ndërruar dhe shtëpi Se do të vija tek ti, se edhe ty të kam fëmi… Kështu i them unë profesionit tim, aktrimit. Kjo është ndoshta dashuria që më ka mbajt afër me këtë profesion,
Mesova nga ju qe djali jeton larg jush dhe ju e ndjeni mungesën e tij , por ne njëfare mënyre jam e sigurt qe nuk ka dite te gjendesh vetem, pa miq artiste e dashamires, telefoni besoj nuk ju le te flini gjate?
Qesh , po sigurisht , Djali im djali i vetëm që kam ka rreth 7-të vjet qe jeton ne Kanada, bashkë me familjen e tij.Burri ka 15 vjet që më ka vdekur, Për më tepër unë jam njohur me dashuri me burrin tim, dhe ai ka qenë një njeri shumë special por une nuk gjendem asnjehere vetem, shtepine time e kane mesuar gjithe artdashesit e mij dhe jetoj vetëm në telefonata të pafundme më urojnë dhe më pyesin për shëndetin-Kam më shumë se 20 vjet, qe jetoj ne kete lagje qysh kur unë vendosa ta lë qytetin tim, Shkodrën.Unë kam një shtëpi të thjeshtë, pa komoditetin e kohës, por zonja e saj është një artiste që ka sakrifikuar për të lënë si pasuri vite punë. 60 vjet në teatër dhe shume vjet 50 në kinematografi. Ndaj them që kjo shtëpizë e varfër, të mbetet një muze i pasur. Është, e vetmja pasuri që kam në këto 110 vite punë e sakrificë. Ia kam lënë amanet tim biri që kjo banesë të jetë derëçelur përjetësisht.
Përballë krijimtarisese se dendur te shume te pelqyer dhe te të vlerësuar në kinemanë shqiptare, erdhi dhe roli më i fundit në filmin “Bota” që është i 97 në karrierën tuaj, a ka qenë i bukur dhe i ndjeshem për ju si aktore?
Ne Festivalin e Karlovy Vary-t, në Çeki, nga regjisorja u pohua se filmi Bota eshte jo vetëm si premierë botërore, por dhe e quajti sfidë përballjen me publikun shqiptar U gëzova shumë që ky film do të jetë premierë botërore në një prej festivaleve më të njohur të filmit në botë, por dhe për mua është shumë e rëndësishme premiera e filmit në Shqipëri. Ky film, i cili sjell një histori dhe ngjarje që besoj tregojnë shumë. “Bota” është filmi im i parë artistik me metrazh të gjatë që mban emrin e një regjisoreje të re,Iris Elezi e cila mjaft e talentuar dhe punetore,e cila deri tani ka sjellë disa filma për publikun, kjo është hera e parë që prezantohem me një film artistik me metrazh të gjatë.
Znj, Ju vazhdoni te luani dhe keni projekte te reja mesova nga biseda e thjeshte , mund te na tregoni dicka te lutem rreth tyre?
Projektet mija te reja jane:
Nje film Zviceran me Titull: Ne anen tjeter te Botes, nje rol interesant me Spanjollet.Kam dhe nje rol te nënës qe me prêt.
Jane dy angazhime qe më obligojne dhe do t’I bëj megjithese jam e moshuar pasioni per aktrimin mbetet i ri ne moshë.
Falenderim: Tinka Kurti.
Faleminderit Liliana per biseden dhe castet e bukura qe kaluam bashke, Nana Ju uron pune te mbare Org tuaj.
Falenderim: Liliana Pere
Faleminderit Zonja e madhe e aktrimit dhe e skenes Tinka Kurti, figura juaj e nderuar ngelet pjesa me e bukur e jetes per gjithe shqiptaret, qe gjithe jeten performuat role shume te bukura jetesore te rrenjosura thelle ne kujtesen tone dhe ne emocionet tona. Deputimi juaj ne skene ka qene i nje niveli te larte, me natyrshmeri aktrimi, energji dhe passion, guxim,humor, talent dhe shume pune, elemente qe kane qene me ju ne c’do rol. Jeni e admiruar dhe e nderuar nga te gjitha brezat e sotem dhe te ardhshem qe do prezantohen me figuren tuaj te madhe si Nder i kombit Tinka Kurti
Liliana Pere
Ing Informatik
Presidente
Oranizimi Internacional.
”Gruaja Shqiptare Në Botë”
Advisor of Diplomatic Mission Peace and Prosperity.

Filed Under: Interviste Tagged With: flet Tinka Kurti, Histori Suksesi, Inteviste, Liliana Pere

Prishtina fton kombëtaren kuqezi të Euro 2016

October 12, 2015 by dgreca

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka ftuar kombëtaren shqiptare në kryeqytetin kosovar pas kualifikimit historik në Euro 2016.
Ai ka thënë se “të gjithë qytetarët e Kosovës që nuk patën mundësi të jenë në Tiranë duan ta falënderojnë kombëtaren nga sheshi ku i përcollën të gjitha ndeshjet”
“Po i dërgojmë edhe ftesë publike”, ka shkruar ai në ‘facebook’ duke shtuar që të shpërndahet gjithandej dëshira për ta pas kombëtaren në Prishtinë.
Kryetari, Shpend Ahmeti ka ndarë disa çaste feste me nxënësit e Prishtinës, të cilët po e festonin kualifikimin e kombëtares.
“Edhe pse normalisht do të duhej të ishin në shkollë, në rrethana të jashtëzakonshme edhe mungesat janë të jashtëzakonshme!”, është shkruar në ‘facebook’./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: kuqezi, Prishtina fton kombëtaren, të Euro 2016

Delegacioni i Lugines se Presheves ne New York

October 12, 2015 by dgreca

New York City, 11 Tetor 2015—Pas takimeve në Washington, DC, delegacioni nga Lugina e Presheves, gjate vikendit pati edhe një sër takimesh po aq të rëndësishme në New York City. Fillimisht, Kryetarët Mustafa dhe Arifi, së bashku me Faton Bislimin nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që njëherësh ka qenë edhe organizator I kësaj vizite, si dhe bashkëpunëtorët Xhevat Latifi, gazetar, dhe Sherif Sherifi, avokat, u pritën në një drekë të posacme pune nga ish-Kongresisti dhe Kryetari I Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, z. Joe DioGuardi, Këshilltarja për Cështje të Ballkanit, znj. Shirley Cloyes, dhe dy anëtarët e Bordit të Drejtorëve të LQSHA, z. Zef Balaj dhe z. Agim Alickaj.
Gjatë këtij takimi, Kryetarët Mustafa e Arifi I njoftuan përfaqësuesit e Ligës – lobit shqiptar në SHBA – me gjendjen në Luginën e Preshevës dhe me takimet që kanë patur ditëve të fundit në Washington, DC. “Për ne është mision I shenjtë që të cojmë përpara cështjen tonë kombëtare për të gjithë shqiptarët në Ballkan, e vecanërisht edhe për ata në Luginë të Preshevës,” ka thënë DioGuardi. “Ju jeni pjesë e pandashme e angazhimit tonë për kauzën kombëtare, dhe ne tani më shumë se kurrë do të fokusohemi që së bashku me miqët tanë këtu, e sidomos ata në Kongres, ta vëjmë cështjen e Luginës sa më lartë në agjendën e politikës së jashtme amerikane,” ka shtuar znj. Cloyes.
“Ne I besojmë shumë përkrahjes suaj dhe ju jemi përjetësisht mirënjohës për gjithë kontributin tuaj për kauzën kombëtare në përgjithësi dhe cështjen e Luginës në vecanti,” ka thënë Kryetari I Preshevës, z. Mustafa. “Gjendja në të cilën ne dhe bashkëqytetarët tanë jetojnë në Luginë I ngjanë një getoje në zemër të Evropës, dhe ne jemi të bindur se pa ndërhyrjen direkte të SHBA-ve, zgjidhja për ne do të jetë shumë e largët për të mos thënë e pamundur,” ka shtuar Kryetari I Bujanocit, z. Arifi, ndër të tjera.
Pastaj, delegacioni u pritë edhe në një takim miqësor nga drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Dr. Gjon Bucaj, Kryetar, si dhe Gjeneral Asllan Bushati, Nënkryetar, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre. Në shtëpinë e Vatrës, delegacioni diskutoi për temat kryesore që preokuptojnë shqiptarët e Luginës. Vatra premtoi angazhim të vazhdueshëm në përkrahje të zgjidhjes së drejtë të cështjes shqiptare në Luginë. Kurse, me propozimin e Faton Bislimit, përfaqësuesit e Vatrës u pajtuan që të bashkëpunojnë me Fondacionin Arsimor Joprofitabil të z. Bislimi për të sjellur në SHBA për studime një numër të caktuar të studentëve meritorë nga Lugina, duke iu siguruar atyre bursa akademike dhe akomodim.
Ndërsa, në një pritje të vecantë të organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Grand Hyatt në Manhattan, delegacioni I Luginës së Preshevës pati mundësinë që të diskutojë edhe me Kongresistin Dana Rohrabacher, Kryetar I Nënkomisionit për Evropë në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-ve. Pas prezantimit të gjendjes totalisht diskriminuese në të cilën jetojnë shqiptarët në Luginë nga delegacioni, Kongresisti Rohrabacher u shpreh më I vendosur se kurrë që të vazhdojë me ngulm përkrahjen e tij për shqiptarët në Luginë. Ai faëlmderoi z. DioGuardi dhe znj. Cloyes si dhe LQSHA për angazhimin e tyre historik dhe vetmohues për të drejtuar në kahun e duhur politikën e jashtme amerikane vizavi cështjes shqiptare. Ai tutje shtoi se beson fuqishëm që përmes miqëve tjerë të shqiptarëve dhe kolegëve të tij në Kongresin amerikan, do t’i bëhet presion I vazhdueshëm administratës amerikane që të merret seriozisht me problemin e shqiptarëve në Lugine. “Ju jeni popull autokton dhe juve nuk po ju don Serbia dhe nuk po ju jep as të drejtat më fundamentale njerëzore që duhet t’i gëzoni si cdo popull tjetër në Evrope. Unë do të angazhohem qysh javën që po vjen që t’ia nis një letër Kryeministrit Vucic për të shpreh shqetësime tona serioze për gjendjen tuaj atje dhe do t’i kërkoj atij që menjëherë të ndërmarrë masat e duhura për të lejuar hyrjen në Luginë të librave shkollorë të dhuruara nga Kosova. Përndryshe, besoj se është vecse fer që nëse këto tekste nuk lejohën të vijnë tek ju, atëherë edhe Kosova duhet të parandalojë hyrjen e teksteve serbe në Kosovë,” ka thënë Rohrabacher.
“Ju jeni me fat që keni një lobi kaq të suksesshëm nën udhëheqjen e njerëzve kompetente dhe që një jetë të tërë ia kanë dedikuar kauzës suaj kombëtare sic janë miqtë e mi DioGuardi dhe Cloyes,” ka shtuar Rohrabacher ndër të tjera.
Nën aranzhimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, delegacioni nga Lugina e Preshevës do të ketë mundësinë që nga seksioni VIP në Manhattan, nesër, të përcjelle Paradën e Ditës së Kolombus, ku do të parakalojnë edhe shqiptarët e New York-ut me simbolikën kombëtare – si kostumet kombëtare, flamujt, etj. Pas paradës, delegacioni së bashku me udhëheqësit e LQSHA do të kenë edhe një dreke punë ne Colombus Citizens Foundation, një nga organizatat më të vjetra qytetarë në New York, e themeluar nga imigrantët e hershëm italianë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Delegacioni i Lugines se, ne New York, Presheves

Komuniteti shqiptaro-amerikan i Illinoisit në festë

October 12, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Fitorja e djemve të kombëtares sonë ka entusiazmuar të gjithë shqiptarët anembanë globit. Sot shqiptarët ndjehen më krenarë, më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin. Kjo atmosferë mbizotëron dhe tek komuniteti shqiptaro-amerikan në Illinois, Champaign, Chikago e rrethina. Sic më informon zoti Bujar Bre, një aktivist i këtij komuniteti, festimet në këto shtete kanë filluar ka disa ditë. Qindra shqiptarë të grupmoshave të ndryshme, fëmijë e të rritur me kostume tradicionale të krahinave shqiptare dhe flamuj shqiptarë e amerikanë kanë mbushur lokalet me pronarë shqiptarë, qendra informacioni, servise, salla tubimi e ambiente sociale. Madje pjesë e këtyre festimeve janë bërë dhe rrugët e rrugicat e këtyre rajoneve, ku djem shqiptarë më motora Harley Devidson e flamuj shqiptarë e amerikanë po përshkojnë këto rrugë. Ka entusiazëm, brohoritje , emocione dhe gëzim brenda rregullave, pa krijuar asnjë incident, sqaron zoti Bre. Është një festë madhështore e paparë nonjëherë dhe e organizuar mirë nga komuniteti ynë, nën moton, me ty Shqipëri, se je më e mira! Shqipëri, gjithmonë me ty! më telefonoi sot zoti Bre.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Illinois ne feste, komuniteti shqiptaro-amerikan, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT