• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

SHPIRTI HUMAN I NJË FRATI GJERMAN NË SHQIPËRI DHE DËSHTIMI I SHTETIT

October 5, 2015 by dgreca

   Nga Frank Shkreli/

Media të ndryshme vizive dhe e shkruara në Shqipëri raportuan gjatë fund javës që kaloi një lajm, që për nga natyra dhe besueshmëria, ishte vështirë për të mos thënë e pamundur që të mos tërhiqte vëmendjen e lexuesit.  Ishte një lajm disi i jashtzakonshëm, sepse njoftohej për një prift gjerman, në të vërtetë për një frat të urdhërit të Shën Françeskut, i cili i shërben grigjës së tij në rrethin e Pukës duke u kujdesur për nevojat  shpirtërore të popullësisë së atyre anëve të varfëra e të izoluara të veriut, një zone kjo e shtypur për pothuaj 50-vjetë nga regjimi komunist dhe një krahinë e lënë pas dore dhe e harruar nga qeveritë e njëpasnjëshme post komuniste të 25 viteve të kaluara.

Fjala është për Fratin gjerman Andreas Walterman i cili siç duket, për të qenë sa më afër popullit që i shërben, ka mësuar dhe e flet shqipen rrjedhëshëm. Nuk besoj se frati gjerman kur erdhi në Shqipëri të kishte pasur në plan ndërtim rrugësh dhe urash. Por i dëshpëruar nga varfëria e skajshme dhe nga mos kokëçarja e shtetit për nevojat bazë dhe për sigurinë e qytetarëve të vet, sipas lajmeve, At Andreas bëri atë që nuk e kishte bërë shteti: ndërton rrugën dhe ngre urën në fshtatin Kavlina të Bashkisë së Pukës.

Banorët e zonës shprehën zemërimin e tyre mbi gjëndjen e përgjithshme në të cilën gjënden duke u shprehur për News 24 dhe duke u ankuar se “jetojnë si në mesjetë”, të izoluar dhe të harruar.   Siç duket, ura e vjetër e fshatit mbi lumin Fan ishte aq e rrezikshme për fshatarët, sa që detyroi At Andrean të bënte diçka në lidhje me atë situatë.  At Andreas veproi, sipas News 24, pasi kërkesat dhe lutjet e vendasve ndaj organeve të shtetit shqiptar për ndërtimin e një ure të re kishin rënë vazhdimisht në veshë të shurdhët.  Megjithëse të mospërfillur dhe të zhgënjyer nga shteti, News 24 raportoi se — falë ndërhyrjes së at Andreas — ata tani kanë urën e re dhe nuk do të detyrohen më të kalojnë lumin mbi urën e vjetër në këmbë me të sëmurët apo të vdekurit mbi shpinë.  News 24 raporton se tashti banorët  e zones nuk do të detyrohen të rrezikojnë më jetën, pasi “falë kontributeve të At Andreas Walterman   fshati ka tashti rrugën automobilistike dhe urën e re.” Media shqiptare ka përmendur edhe në të kaluarën kontributet dhe ndihmat e këtij frati gjerman për zonat më të izoluara të Shqipërisë së veriut të cilat në atë anë, janë të njohura tanimë.  “Ura e Kavlinës është gati”, u shpreh shqip ditën e inaugurimit të saj, frati gjerman. “Gjithashtu rruga në fshat është e hapur.  Qoftë rruga, qoftë ura të jenë si një damar i jetës për ju dhe për zhvilimin e fshatit Kavlinës dhe për dobinë e të gjithëve”, u tha të pranishëmve të zones, At Andrea.  Fshatarët nuk mund të përmbanin kënaqësinë dhe entuziazmin e tyre duke falenderuar At Andrean për këtë vepër të madhe për ta, ndërsa u shprehën se “më në fund edhe për ne tashti po shëndritë dielli”.  Ky në të vërtetë ndërtimi i rrugës dhe i urës duhej të ishte një projekt i shtetit dhe jo i një frati nga Gjermania!

News 24 raportoi se falë përkujdesjes dhe kontributit të At Andreas, fshati Kavlinas nuk do të jetë më i braktisur siç ishte deri tashti, megjithë realitetin e hidhur historik të kësaj zone të shtypur dhe nepërkëmbur.  Banorët e këtij fshati nuk do tu u trembën më ujrave të rrëmbyeshëm të lumit Fan.  Kjo, jo, falë përkujdesjes dhe investimeve të shtetit, por siç raporton edhe  korrespondenti i News 24,  Armir Mehaj,  falë “kontributit dhe shpirtit human të atij (At Andreas) që të varfërit e këtyre anëve i do më shumë se ata për të cilët fatkeqët e Veriut votojnë prej 20 vitesh.”

Ata për të cilët “Fatkeqët e Veriut votojnë prej 20-vtesh, janë bërë pjesë e një politike që nuk shikon as nuk e intereson gjë tjetër veç karriga, mbajta e karrigës me çdo kusht.  Politika, si industri kryesore në vend, është në dorë të një grupi, që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, para nja dy viteve në Munich të Gjermanisë,  i ka cilësuar si oligarkë, interesat e të cilëve i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik dhe të cilët kanë helmuar dhe kanë korruptuar klasën politike dhe njëkohsisht edhe median për interes të tyre ekonomik dhe politik. Fatkeqsisht, siç ka thënë At Zef Pllumi, “Shqiptari ende se ka kuptue se politika ashtë shërbim dhe jo fitim”.

 Dishepujt e urdhërit të Shën Françeskut, ose siç u referohen në Malësi si “Fretnit e maleve tona” — shqiptarë dhe të huaj — ata kanë një histori të gjatë në ato anë, në të vërtetë prej shekujsh — përkujdesjeje shpirtërore, materiale dhe kulturore ndaj zonave të Malësisë së Veriut, të cilat janë më të varfërat në Shqipëri.  Akti human i fratit gjerman që flet shqip, është një pasqyrim i mirë i veprimtarisë  fetare dhe i traditës atdhetare i françeskanëve shqiptarë — por edhe të huaj siç është At Andreas — në ato vise të harruara.   Për të mira dhe për të këqia, françeskanët nuk u ndanë kurrë nga ai popull, madje as në periudhat më të vështira të historisë shqiptare. Ata vuajtën me ta, festuan me ta, vajtuan me ta, madje edhe luftuan krah për krah në mbrojtje të trojeve të veta me malësorët e varfër por krenarë — që duket se janë përgjithmonë të lënë pas dore, pa marrë parasyshë regjimet dhe autoritetet qëndrore dhe vendore, përfshirë edhe periudhën post komuniste të 25 viteve fundit.

 Ndërtimi i rrugës dhe i urës në Kavlinë të Pukës është me të vërtetë një akt human,për faktin se është realizuar me kontributin e një prifti gjerman të urdhërit françeskan, të cilin fati e ka sjellur në ato krahina të varfëra.    Por ama njëkohësisht, ndërtimi i urës në Kavlinë të Pukës me ndihmën e një frati gjerman, duhet të shikohet edhe si një dështim i shtetit, i autoriteteve politike të vendit, i përfaqsuesve të atyre krahinave — detyra parimore e të cilëve është kujdesi, siguria dhe mirëqenja e shtetasve që ata përfaqësojnë.  As mos të flasim për vlerat  bazë universale dhe të drejtat e njeriut për popullin e këtyre krahinave të harruara — për dinjitetin njerëzor, për lirinë dhe demokracinë — të cilat të pakën në sipërfaqe duhet të sjellin njëfarë barazie në  zbatimin e ligjit. Të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe të kenë të njëjtat të drejta para ligjit!  Por fhstarët e Kavlinës së Pukës,  janë të kënaqur me pak:  me një urë të re që as ëndërr nuk e kishin parë, siç u shpreh njëri prej tyre, pasi tashti nuk do të detyrohen të mbartin në shpinë të sëmurët dhe të vdekurit mbi urën e vjetër që rrezikonte jetën e tyre. Më në fund edhe për ta “po shëndrit dielli”, falë kontributit dhe punës së një dishepulli të Shën Françeskut!

Filed Under: Analiza Tagged With: deshtimi i shtetit shqiptar, Frank shkreli, Frati Gjerma

Ja fituesit e Nobelit në mjekësi

October 5, 2015 by dgreca

Komisioni i Cmimeve Nobel në Stokholm ka shpallur si fitues të Nobelit në Mjekësi shkencëtarë nga Irlanda, Japonia dhe Kina.

William Campbell nga Irlanda dhe Satoshi Omura nga Japonia ndajnë çmimin për zbulimin e “terapive novatore” kundër infeksioneve të shkaktuara nga parazitët.

Kinezja Tu Youyou ka zbuluar një ilaç që ul ndjeshëm ritmet e vdekshmërisë së pacientëve që vuajnë nga malaria.

Komisioni tha “Këto dy zbulime i kanë ofruar njerëzimit mjete të fuqishme për të luftuar sëmundje shktërrimtare që prekin miliona njerëz në vit. Përfitimet si në aspektin e shëndetit ashtu edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës janë të pallogaritshme”.

Irlandezi William Campbell aktualisht po merret me punë shkencore në Universitetin Drew në Madison të Nju Xhërsit këtu në Shtetet e Bashkuara.

Japonezi Satoshi Omura, i cili ka dy doktoratura, një në shkencat farmaceutike, një tjetër në kimi, është profesor në Universitetin Kitasato të Japonisë.

Shkencëtarja kineze Tu Youyou është profesore në Akademinë Kineze të Mjekësisë Tradicionale.

Filed Under: Kronike Tagged With: fituesit e Nobelit, në mjekësi

LINDITA KOMANI NË VATËR

October 5, 2015 by dgreca

SHKRIMTARJA LINDITA KOMANI, E FTUAR NË NEW YORK, NË VEPRIMTARITË E 150 VJETORIT TË “LIZA NË BOTËN E ÇUDIRAVE” , VIZITOI VATRËN/

Shkrimtarja Lindita Komani, që së bashku me Merita B McCormack, janë ftuar në veprimtaritë festive të 150 vjetorit të “Liza në Botën e Çudirave” të autorit Lewis Carroll, si dhe në darkën që organizohet në Carroll Club në New York,të mërkurën me 7 Tetor 2015 ( Veprimtaritë për përvjetorin e 150-të të Liza në Botën e Çudirave te autorit anglez Lewis Carroll, kanë nisë ne Nju Jork që nga 2 tetori dhe do të vazhdojnë deri më 11 Tetor 2015. Shoqëria Carroll Lewis i Amerikës së Veriut ka udhëhequr përpjekjet për të krijuar një festë të denjë të kësaj historie te çuditshme), të Dielën me 4 tetor, bëri një vizitë në Selinë e Federatës Panshhqiptare të Amerikës VATRA.

Shkrimtarja u prit nga kryetari i Vatrës, i shoqëruar nga zonja e tij, Nikoleta dhe Editori i Diellit Dalip Greca.

Kryetari i Vatrës e informoi mysafiren rreth zhvillimeve aktuale dhe historike të Vatrës, në 103 vitet e jetës së saj aktive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jo vetëm mbajti gjallë frymën e shqiptarizmës, gjuhën dhe traditat kombëtare, por në çaste kritike për Kombin, ajo luajti rolin e shtetit të vdekur shqiptar, organizoi shërbimin diplomatik në Europë dhe Amerikë, kreu rolin e avokates për çeshtjen shqiptare, bëri fushata për shtetin shqiptar etj. Natyrisht, tha dr. Buçaj, vatranët e sotëm nuk janë as Noli dhe as Konica, por ata janë atdhetarë të përkushtuar, që kryejnë vullnetarisht obligimin kombëtar të Vatrës në ditët e sotme dhe kanë mbajtë në aktivitet të përhershëm organizatën më të vjetër të Botës Shqiptare.

Kryetari Buçaj e njohur shkrimtaren me kontributet historike të Vatrës, drejtuesit e saj përgjatë 103 viteve, për fatin tragjik të një pjesë prej themeluesëve dhe drejtuesëve, që diktatura komuniste i pushkatoi, burgosi, internoi, edhe pse ta qenë shërbestarë të Kombit.

Editori i Diellit përmes fotografive dhe arkivit e njohur shkrimtaren Komani me fushatat e mëdha Kombëtare që organizoi Vatra për të shpëtuar shtetin shqiptar si dhe me historikun e gazetës 106 vjeçare të Gazetës “Dielli”.

Shkrimtarja dhuroi dy librat e sja për Bibliotekën e Vatrës, ndërkohë që asaj iu dhurua një kopje origjinale e konservuar e Rubairave Omer Khajamit, e shqipëruara nga Imzot Noli, dhe botuar 1927 në Bruksel.

Mysafirja tha se ndjehej e gëzuar që viztoi selinë e Vatrës dhe u njoh me historinë e saj. Ao shkroi në Librin e vizitorëve:” Sot ndihem e nderuar si rrallëherë në jetë. Në prani të kryetarit të Vatrës, Dr. Gjon Buçaj dhe editorit të Gazetës Dielli Dalip Greca, munda të vizitoj Muzeun Historik Kombëtar për shqiptarët….Frymëzim i vërtetë për shqiptarët, Vatra me themeluesit e saj e drejtuesit në vite, ka qenë dhe mbetet shembull i asaj që ne mund të jemi kur duam të jemi.-Të mrekullueshëm!

Jetë të gjatë Vatrës dhe vatranëve….!

Shkrimtarja dhuroi për Bibliotekën e Vatrës librat e saj: Postimpresion-Poezia Bashkohore Shqiptare dhe librin në prozë”Në gjuhën e zgjimit” me shënimin:”Vatrës, me nderime,respekt dhe mirënjohje për gjithçka keni bërë për Shqipërinë.”-Autorja.

***

Lindita Komani ka studiuar në Graz të Austrisë për biznes dhe financë dhe ka kryer studimet pasuniversitare në po këto fusha në Graz, sikurse dhe në të drejtë biznesi në Universitetin e Tiranës. Ajo është autore e librit me poezi”PostImpresion”(2012) si dhe librin në prozë”Në gjuhën e zgjimit”, botim 2015.

Krijimtaria e Lindita Komanit është shkruar në shqip dhe gjermanisht. Pjesë nga krijimtaria e saj janë përkthyer dhe botuar në anglisht dhe kroatisht, mes të cilave përmendet”Antologjia Revija malih knjiz’evnosti Albanija”-Zagreb 2014.

Dy vitet e fundit Lindita Komani ka botuar në periodikët letrarë “Poeteka”, “Milosao”, dhe më herët në “Mehr Licht”, “Fjala”,”Ars Poetica” etj.

(Fotografite i gjeni ne facebook)

 

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Gjon Bucaj, LINDITA KOMANI NË VATËR

Nishani vlerëson Nënkomisarin Simon Gjeta (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”

October 5, 2015 by dgreca

dekorimi-simon-gjetaTIRANË, 5 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Presidenti Bujar Nishani vlerësoi sot Nënkomisarin Simon Gjeta (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin e rrallë, devotshmërinë e pashembullt, heroizmin stoik të treguar në radhët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë deri në sakrificën sublime të dhënies së jetës gjatë luftës pakompromis kundër krimit dhe mbrojtjes së rendit dhe zbatimit të ligjit.”

Nënkomisarin Simon Gjeta, ra dëshmorë ditën e shtunë në mbrëmje, në përpjekje për të kapur një shtetas në kërkim. Autori i vrasjes së Simon Gjetës, komandantit të reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra gjatë mëngjesit të së dielës nga policia, e cila kishte rrethuar prej mesnatës banesën e tij. Ruzhdi Arishta, i cili qëlloi me 3 plumba oficerin e policisë nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ndërkohë që aksioni zgjati rreth 12 orë.

Trupi i pajetë i nënkomisarit Simon Gjeta mbërriti pranë familjes në Tiranë i shoqëruar nga policia. Ishte vetë kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako që i dorëzoi me përulje familjarëve të afërmin e tyre për t’i dhënë lamtumirën e fundit, edhe pse do të donin që Simoni të vinte gjallë nga triumfi i tij i radhës në detyrë. Kryepolici Çako udhëhoqi operacionin ku u vra dhe personi që i mori jetën efektivit Gjeta.

Filed Under: Kronike Tagged With: dekoron, pas vdekjes, presidenti Nishani, Simon Gjeta

Homazhe në nder të Dëshmorit të Atdheut, Simon Gjeta

October 5, 2015 by dgreca

Homazhe në nder të Dëshmorit të Atdheut, Simon Gjeta/

Homazhe per Simon Gjeken.TIRANË, 5 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Në Akademinë e Sigurisë, u zhvilluan sot homazhet në nder të Dëshmorit të Atdheut, Simon Gjeta, i cili ra në krye të detyrës gjatë një operacioni policor të zhvilluar mbrëmjen e të shtunës në Shkodër.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ambasadori amerikan në Tiranë,  Donald Lu, lideri i opozitës Lulzim Basha, kolege, miq e të afërm u përulen para veprës së tij.

Ndërsa Komisioni i Sigurisë e nisi mbledhjen me një minutë heshtje në nder të efektivit të rënë në krye të detyrës.

Kryeministri Rama: Simon Gjeta dha jetën e tij për të mbrojtur jetën e të tjerëveHomazhe per Simon Gjeka (4).

Simon Gjeta dha jetën e tij për të mbrojtur jetën e të tjerëve, u shpreh Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë homazheve për nënkomisarin Simon Gjeta.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e nënkomisarit Gjeta, që sipas tij, iu bashkua forcave të Policisë së Shtetit në vitin 1997, pikërisht atëherë kur jo pak shqiptarë, mbase gjithë shqiptarët e kishin humbur shpresën e besimin e shtetit dhe kur shumë ndër ta braktisën detyrën .

Ai, tha Rama, dëshmoi qysh në krye të herës se ishte i vendosur me mish dhe me shpirt në rrugën që ju ndërpre përgjithmonë të shtunën e kaluar.

Kryeministri Rama ne homazhe (3) Foto Agim Dobi.“Largimi nga jeta i Simonit është një humbje e madhe për familjen, për miqtë dhe të afërmit e tij, por pa dyshim edhe për Policinë e Shtetit shqiptar që ka kaq shumë nevojë për modelin e njeriut siç ishte Simon Gjeta. Pa asnjë dyshim, gjaku i tij nuk do të bëhet ujë por do të shërbejë për të plazmuar më tutje shpirtin, zemrën e mundin e një policie shteti të rilindur, e cila me mbështetjen e palëkundër të Policisë së Shtetit do ta thyejë plotësisht fuqinë që krimi akumuloi në dekadat e tranzicionit dhe që po e shohim të dobësohet dita-ditës”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ai shprehu bindjen se Policia e Shtetit po rritet përditë jo vetëm falë mbështetjes së vendosur që po merr, por edhe falë sakrificave si ajo e Simonit e Ibrahim Bashës.Kryeministri Rama ne homazhe (2) Foto Agim Dobi.

Rama tha se rivendosja përfundimtare e pozicioneve natyrale mes shtetit dhe krimit është sa e vështirë aq e sigurtë dhe sot ka edhe një arsye më shumë që është po aq e thjeshtë sa ç’ishte e thjeshtë jeta e Simon Gjetës, sepse Policia e Shtetit nuk është e tradhëtuar siç ishte deri dy vite më parë dhe në këtë luftë janë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, si Simoni e Ibrahimi e kolegët e tyre, të cilët aq sa janë të zakonshëm aq janë edhe të jashtëzakonshëm.

Për këtë tha kryeministri Rama, fitorja anon gjithnjë e më shumë nga Policia e Shtetit.

ceremnia simon gjeta (21)Meta: Reforma në drejtësi do bëhet dhe kriminelët do të shkojnë aty  ku  meritojnë

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në fjalën e tij, duke ngushëlluar të afërmit e miqtë e të ndjerit Gjeta, garantoi më shumë vëmendje ndaj rendit e sigurisë, teksa theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi.

“Jemi këtu për të përcjellur heroin më të ri në radhën e Dëshmorit të Atdheut, ku dora kriminale ja ndërpreu jetën në mes. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin njerëzor për familjarët e Simonit, por dhe kolegët, që sakrifikojnë çdo ditë, duke u përballur çdo ditë me të keqen, delikuentët dhe shkelësit e ligjit. Sot, nënvizoi Meta, duhet të jemi së bashku, dhe akoma më shumë duhet të shtrëngohim përreth njëri tjetrit në luftën ndaj së keqës. Asaj të keqe që kërcënon jetët tona dhe fëmijëve tanë”, vijoi Meta.

Kryetari i Kuvendit garantoi forcimin e rendit dhe sigurisë.

“Garantojmë se jeta e ndërprerë e Simonit është një këmbanë alarmi, që na thërret për të rritur vëmendjen ndaj rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, garantojmë që reforma në drejtësi do bëhet dhe kriminelët do të shkojnë aty  ku  meritojnë. Përulemi përpara veprës së nënkomisar Simon Gjetës, Dëshmor i Atdhetu, i përjetshëm qoftë kujtimi i tij” përfundoi Meta.Homazhe per Simon Gjeken. Foto Agim Dobi jpg (15)

Tahiri: Kriminelët marrin ndëshkim të dakordësuar nga gjykata

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri u shpreh se Simon Gjeta na la barrën e rëndë të përuljes dhe respektit, ndërsa shkroi vetë me punën e tij, fjalën e mirë që meriton ti thuret sot. Ministri Tahiri gjithashtu u shpreh se “një nga njollat e zeza të vendi tonë, më shumë se sa krimi rrugës është drejtësia dhe reforma e këtij sistemi do ti jap ndëshkimin e duhur, krimit të rrugës dhe gjykatësve, që me çekiçin e tyre motivojnë krimin e rrugës.

ceremnia simon gjeta (14).“Nëna e Simonit, vëllezërit motrat e të afërm, koleg të tij në policinë e Shtetit, nuk ka moment më të vështirë se sa ky, ku duhet të thuash disa fjalë për një punonjës policie që humb jetën në krye të detyrës. Punonjës Policie, që bëhen heronjë e dëshmor atëherë, kur nuk jetojnë më. Këta punonjës, që përzgjalli kalojnë shumë sakrifica, plot prej tyre të pamerituara në përballje me krimin, por dhe me gjuhën e urrejtjes, që fluturon në ajër më shumë se sa plumbat. Zakoni e do, që të jetë e lehtë të thuash fjalë të mira për një person që ikën nga kjo botë. Por, Simoni e na e lehtësoi këtë punë, pasi e kishte shkruar vetë me punën e tij fajëln e mirë që po i thuret sot. Ai shkruajti fatin e tij, ashtu siç edhe bëri dhe në ditëne  fundit të jetës së tij, duke rënë në krye të detyrës. Ne tashmë, vijoi Tahiri, na mbetet barra e rëndë e respektit dhe përuljes”, deklaroi Tahiri.

“Forcat e Repartit RENEA bënë drejtësi, duke i dhënë fatin e merituar atij që i mori jetën Simonit. Ndëshkimi i merituar, por çfarë ndëshkkimit të merituar merr krimi, kur punonjësit e policisë, gjejnë përballë e luftojnë në rrugë persona që edhe pse janë arrestuar disa herë, drejtësia ka mbyllur sytë e i ka lënë të lirë. E pra, drejtësia shqiptare që jep shumë rrallë ndëshkimin e merituar, por jep gjithnjë, apo gati gjithnjë atë të dakordësuar”, theksoi Tahiri

Lidhur me këtë, Ministri i Brendshëm, kujtoi dhe ngjarjen e ndodhur në Tiranë, ku personat përgjegjësi ishin arrestuar nga Policia, por më pas u lanë të lirë nga drejtësia.

“Homazhe per Simon Gjeken. Foto Agim Dobi jpg (17)Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në mes të Tiranës. Autorët e kësaj ngjarje ishin arrestuar nga policia, por ishin lënë të lirë nga çekiçi Drejtësisë pak muaj më parë dhe tashmë ata morën jetën e dy personave, plagosën një të tretë dhe vetëm fati shpëtoi një të katërt. Pra drejtësia e korruptuar është thelbi i mos ndëshkimit. Ata, gjyqtarët janë vrasësit e drejtësisë dhe përmes ekzekutimit të drejtësisë, ata motivojnë krimin, që gjenë gjuhën e përbashkët me çekiçin”, vijoi Tahiri.

Ai garantoi se, “kur të përfundoi reforma në drejtësi gjyqtarët kriminel, më shumë se ata të rrugës, do të marrin ndëshkimin e merituar. Prandaj dhe ftoi të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë e të denoncojnë të gjitha dyshimet e tyre”.

Homazhe per Simon Gjeta- Basha Foto Agim Dobi.

Basha: Siguroj punonjësit e Policisë së Shtetit se do të jemi gjithmonë krah tyre 

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, duke i shprehur ngushëllimet familjes Gjeta për humbjen e Simonit, kryefamiljarit, birit, tha se “tronditja e thellë që ndjejmë me humbjen e nënkomisar Simon Gjetës, rënia e tij në krye të detyrës na kujton edhe një herë për rrezikun e përditshëm dhe përorëshëm me të cilin përballen forcat e rendit, efektivët e Policisë së Shtetit për të siguruar rend, ligj dhe siguri për çdo qytetar”.

Ai shtoi se “sakrifica e tyre e cila jo rrallë herë i kërkon të përballen edhe me rrezikun për jetën siç ishte rasti i operacionit të fundit që mori jetën e nënkomisar Simon Gjetës, është një burim reflektimi dhe mbështetje të madhe qytetare dhe politike për punonjësit e policisë dhe në radhë të parë një kushtrim për pastërtinë totale të duarve dhe mendjeve politike që drejtojnë Policinë e Shtetit”.

“Unë dua ti siguroj punonjësit e Policisë së Shtetit që unë personalisht dhe Partia Demokarike, kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë krah tyre në përballjen dhëmb për dhëmb me krimin ordiner dhe me krimin e organizuar”, deklaroi Basha në një prononcim për mediat pas homazheve të zhvilluara në Akademinë e Sigurisë, në Sauk.Homazhe per Simon Gjeken. Foto Agim Dobi jpg (8)

Nënkomisari Simon Gjeta do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve, pranë varrit ku pushon, dëshmori tjetër, Ibrahim Basha.

Autori i vrasjes së Simon Gjetës, komandantit të reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra gjatë mëngjesit të së dielës nga policia, e cila kishte rrethuar prej mesnatës banesën e tij.

Ruzhdi Arishta, i cili qëlloi me 3 plumba oficerin e policisë nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ndërkohë që aksioni zgjati rreth 12 orë..

Filed Under: Reportazh Tagged With: homazhe, në nder, Simon Gjeta, të Dëshmorit të Atdheut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT