• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Marrëveshje vetëm për asociacione reciproke

December 27, 2015 by dgreca

Nga Gani QARRI/
Derisa Serbia,vazhdon ta quaj Kosovën me termat më diskrimininues millosheviqian si “Kosovo i metohija” edhe sot, nesër me krijimin e “zajednicës” brenda vendit tonë, këtij termi denigrues, përfaqsuesit e saj mund tia shtojnë edhe ndonjë para apo prapashtesë tjetër serbe, si p.sh. “Srpska Zajednica Kosovo i Metohija” apo ndonjë variantë edhe më të çuditshëm, tërësisht të çoroditur e të padëgjuar asnjëherë në këto anë.
Megjithatë, politikanët e dështuar vendor, vazhdojnë të ngulin këmbë në mbrojtjen e marrëveshjeve jo ndërkombëtare as ndërshtetërore, por të paktën nga Serbia, nëse jo edhe nga vet BE-ja,të trajtuara si marrëveshje-thjeshtë- vetëm ndërmjet “Prishtinës e Beogradit”,të cilat së fundmi, edhe ashtu u dëshmuan të jenë anti-kushtetuese dhe të dëmshme për Kosovën.
Pra, siç është tanimë botërisht e njohur për shumicën e popullit tonë dhe gjithë ndërmjetësuesve evropian, asnjë nga marrveshjet e deritanishme të arritura në Bruksel, ndërmjet përfaqsuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nuk e kanë primatin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kjo edhe për faktin se vet Hashim Thaqi ,qysh me aprovimin e fusnotës, jo vetëm pranoi, por edhe nënshkroi degradimin e statusit shtetror të Kosovës nga Shtet i Pavarur, në vend me status të padefinuar.
Ai, Pavarësinë e lexuar në “fletë” të bardhë, vet e nxiu dhe bëri “katranë”me fusnotë* të zezë, duke denigruar kështu edhe mëvetësinë e atdheut, të arritur me shumë gjak e mund nga shumë gjenerata patriotësh shqiptarë.
Fusnota abrogon Pavarësinë dhe paraqet një vend me status të papërfunduar.
E për fat të keq, që nga nënshkrimi i tij, emërtimit edhe ashtu komik të vendit tonë; “Kosovo*” i shtohet edhe mallkimi i quajtur fusnotë “*”. Madje, ajo nuk është e obligueshme të praktikohet vetëm në takimet me Serbinë, por siç kishim rastin ta shihnim në takimin e djeshëm të Bekim Çollakut me përfaqsuesin evropian Johanes Hahn, Kosova fusnotën detyrohet ta përdor edhe në të gjitha takimet bilaterale me vendet tjera të Kontinentit e më gjerë.
Për aq më keq, edhe BE, megjithëse ndërmjetsuese dhe lehtësuese e procesit të bisedimeve dypalëshe, për shkak të mosnjohjes së vendit tonë nga pesë vendet anëtare të saj,as ajo vet, ende nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
Ndaj përfaqësitë diplomatike ,dhe të gjithë faktorët tjerë ndërkombëtar të cilët në emër të “Dialogut Teknik”e futën Kosovën me polotikanë të till alojal, në këtë rrugë të pakrye dhe lojë të pa qartë politike, tani e kanë për detyrë dhe obligim parësor, që të ndihmojnë vendin tonë dhe përfaqësuesit shqiptar,qoftë edhe Qeverinë aktuale të Kosovës, për të dalë nga situata e krijuar.
Në fakt, që me arritjen e marrveshjes për krijimin e “zajednicës”, më 25 gusht të vitit 2015, eksperti i njohur amerikan për rajonin, Daniel Serwer, shprehu brengosjen e tij, i cili me atë rast,pati deklaruar se ka arsye për të dyshuar nëse vërtetë ishte ide e mirë, Marrëveshja për krijimin e “Asociacionit të komunave serbe”, në Kosovë.
Brenga bëhej edhe më e madhe, nga shkaku se sipas z. Serwer, edhe vet krijimi i Asociacionit, nuk u definua politikisht as gjeografikisht, por eksplicit si Asociacion një-etnik serb, gjë që mund të bëhet shkas për distancim dhe qeverisje të ndarë serbe, nga strukturat shtetrore të Kosovës,në të gjitha haüpsirat ku sundon “zajednica”.
Madje,po ky analist i mirnjohur nuk harron të përmend faktin se pikërisht në këtë mënyrë pati filluar ekzaltimi i entitetit serb edhe në Bosnje e Herzegovinë,entitet i cili që nga zyrtarizimi e këtej, e bënë shtetin e BeH gjithnjë e më jofunksional.
E brengosur nga argumente si këto, edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian,z. Ulrike Lunacek, e cila duke parë joseriozitetin e politikanve vendor,që në fillim të 2014-s, pati deklaruar se mund të kalojnë dy-tre vite dhe të mos ketë liberalizim vizash për Kosovën, në vizitën që i bëri,muajin e kaluar vendit tonë, para gazetarëve në Prishtinë,deklaroi se; nëse Gjykata Kushtetuese vërteton që Marrëveshja për Asociacionin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, atëherë ajo marrëveshje duhet të rinegociohet dhe ndryshohet, gjë që deri më tani,nuk u mohua as refuzua nga personalitetet evropiane dhe ndërkombëtare.

Ndaj,pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vërtetoi se “zajednica” serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës,përfaqësuesit e BE-së dhe ata ndërkombëtar, duhet që në mes të dy vendeve tona ,përfundimisht të krijojnë mundësi reciprociteti dhe ta detyrojnë Serbinë që të pranojë, jo thjeshtë vetëm rinegocimin siç po trumpetohet kohët e fundit, por krijimin e një Asociacioni shqiptar të ngjashëm me “zajednicën” serbe, edhe për bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore.
Është koha e fundit, që edhe ata, të trajtohen si njerëz të barabartë.
Në fakt, një Asociacion i mundshëm Shqiptar, në Kosovën Lindore,jo vetëm se nuk do ti pengonte aspak dhe me asgjë serbët e Kosovës,por as nuk do të ndryshonte kualitetin e “zajednicës” së tyre nëKosovë.
Kurse për shqiptarët nën Serbi,do të thoshte shumë,sidoms në gjendjen nëpër të cilën ata,tash e sa vite po kalojnë, Asociacioni për ta, është baras me mbijetesën e tyre të mëtejme, në tokat e veta autoktone.
Vetëm, me ngritjen e statusit të shqiptarëve të lënë pas dore, në Kosovën Lindore,në shkallë analoge juridike me Asociacionin e serbëve në Kosovë, Serbia nuk do të guxonte, që edhe në të ardhmen, ti trajtonte,bashkëkombësit tanë atje, si njerëz të dorës së dytë, dhe detyronte ata në shpërngulje të heshtur,siç vepron tash e sa kohë,pa asnjë pengesë dhe në mënyrë të organizuar.
Një akt i tillë analog, do të siguronte zgjidhje të njëmendët të problemeve ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona, kurse garancinë e respektimit dhe barasvlershmërisë, për të dyja palët, mund ta siguronte BE-ja, e pse jo edhe OKB, përfaqësuesit e të cilave, përfundimin e bisedimeve,duhet ta kurorëzonin me njohjen reciproke ,ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura dhe sovrane.
Për të arritur deri këtu, duhet të shfrytëzohen edhe parimet e BE-së, të cilat janë të njëjta për të gjitha shtetet që pretendojnë inkuadrimin në këtë organizatë jetike. Vendet kandidate, që synojnë pranimin në BE, duhet të funksionojnë sipas standardeve demokratike,të respektojnë në plotëni barabarsinë e popujve dhe të drejtat njerëzore si dhe zgjidhin problemet e ndërsjella fqinjësore, sipas standardëve ndërkombëtare.
Me këtë rast as Serbia nuk duhet të bëjë përjashtim, sidomos kur kihet parasysh fakti se ajo edhe kështu, kudo që mundet e arrinë,pengon pareshtur integrimet e vendit tonë, dhe ende pa jetësuar asociacionin e saj famoz, na kërcënon hapur përfshi edhe vet të parin e kishës ortodokse serbe Irinejin, i cili nuk sillet si njeri i Zotit por si kryeushtarak i agresionit, duke mos hezituar të kërkoj hapur edhe përdorimin e dhunës për ripushtimin e Kosovës.
Ndaj, krejt ndryshe do ishte me krijimin e baraspeshës ndërmjet dy vendeve tona edhe sa i takon trajtimit të pakicave, me organizma analoge apo asociacione të barabarta dhe reciproke.
Madje asociacionet reciproke,do ta ruanin më së miri paqen në mes të dy shteteve, do ta mbronin vet ekzistencën dhe mbarëvajtjen e njëra tjetrës dhe nuk do të krijonin presedan as rrezikshmëri për asnjërën pal, siç mund të ndodhte në të kundërtën, me mbjelljen e Asociacionit vetëm njëetnik serb, në vendin tonë, derisa pothuajse aq sa ka serb në Kosovë, numër i përafërt banorësh shqiptar jetojnë edhe në Serbi.
Pra,është koha e fundit që në emër të së drejtës njerëzore, barazisë së popujve dhe reciprocitetit ndërshtetëror, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar,të përdoren metodat e duhura dhe krijohen kushtet e nevojshme, për themelimin e asociacioneve analoge, si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët nën Serbi,në mënyrë që Marrëveshja të bëhet e pranueshme për të dy palët dhe përshtatet juridikisht me ligjet dhe kushtetutat e të dy shtetve fqinje,për të jetuar të qetë e pa tensione, si vende ndërkufitare.
Në anën tjetër, as atdheut tonë të shumëvuajtur, nuk i duhen më politikan të dështuar. Mjaft ishte.
Çdo gjë ka kufi! Përfaqësuesit shtetror të cilët e sollën vendin në këtë gjendje të palakmueshme, patën guximin të rrezikojnë interesat e popullit që i takojnë, duke nënshkruar edhe marrëveshje në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës,është e domosdoshme që sa më parë të shkarkohen nga të gjitha funksionet, të akuzohen penalisht dhe qohen në mënyrë të përshpejtuar para drejtësisë. Njëkohësisht, nevojë imediate, mbetet krijimi urgjent, i një ekip adekuat shtetëror nga ekspertët profesionist, të cilët do të dinë dhe munden t`ua lehtësojnë jetën, përmirsojnë kushtet dhe garantojnë ardhmëri të sigurtë banorëve të vendit tonë,si dhe rregullojnë mirë e si duhet problemet e shumta të grumbulluara në Kosovë.

Filed Under: Analiza Tagged With: asociacione reciproke, Gani Qarri, Marrëveshje vetëm për

TE NDJEKESH ZEMREN….

December 27, 2015 by dgreca

Intervistë ekskluzive me balerinën dhe modelen shqiptare, Angelina Lalaj: Nuk ka asgjë të keqe të jesh seksi, për sa kohë nuk je vetëm aq/
-Me Hermesin jam e lumtur/
– Më pëlqejnë festat, pasi kanë gëzim, harmoni dhe largojnë stresin/
-Dashuria është ndjenja që të bën të mbyllësh sytë e veshët, të detyron të ndjekësh zemrën…/
Nga Albert Z. ZHOLI/

Një vajzë e bukur, korrekte dhe vizionare. Dhe pse është një modele e kërkuar, ajo të ardhmen e shikon tek arsimimi, shkolla, librat. Asnjëherë kohën e lirë nuk e kalon kot, por e gjen duke lexuar, duke kërkuar në të rejat e profesionit dhe të formimit intelektual. Mardhëniet me njerëzit i ndërton mbi baza respekti dhe vlerësimi. Inteligjente por dhe serioze në ndërmarrjet që kanë të bëjnë me profesionin dhe arsimimin. Nuk është hakmarrëse, por dhe lëndohet shpejt. Dëshiron që njerëzit të jenë më korrektë dhe ti lënë mënjanë xhelozitë e sëmura. Ja si shprehet ajo për “Telegraf”
-Ke realizuar një set fotografik me motivet e festave së bashku me të fejuarin tënd, Hermes. E kishe menduar më herët apo ishte një dëshirë e momentit?
Me rastin e festave të fundvitit, së bashku me të fejuarin time, Hermes realizuam një set të ri fotografik që mban vulën e fotografes Fjoralba Maliqi. Sigurisht, e kishim menduar më herët për të bërë këto foto, por pse jo edhe një dëshirë për të sjellë për publikun disa fotografi të reja. Duke qenë se është atmosferë festash, plot ngjyra, menduam që seti të përmbante motivet e kësaj periudhe në mënyrë që të realizohej diçka e këndshme dhe e veçantë.

-Nuk është hera e parë që realizon sete fotografike, por është hera e parë që realizove diçka festive. Si u ndjeve këtë herë?
Po, është seti i parë fotografik që unë realizoj me motivet e festave. Siç e shihni shfaqem me kapuç babagjyshi, janë disa dekore që identifikojnë atmosferën e festave, po ashtu edhe ngjyrat e veshjeve tona. U ndjemë shumë mirë, sepse të dy jemi mësuar tashmë me aparatin, duke qenë se fillimet tona kanë qenë në botën e modelingut.

-Si po shkon bashkëjetesa juaj?
Bashkëjetesa po shkon shumë mirë. Në fakt, kishim menduar që për Krishtlindjet të pinim edhe kafetë e para, në sensin që familjet tona të takoheshin me njëra-tjetrën, por për arsye babai i Hermesit pësoi një aksident, dhe realisht ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore, e kemi shtyrë për disa muaj më vonë. Bashkëjetesa po shkon relativisht mirë, jemi të lumtur në krahët e njëri-tjetrit.

-Pas fejesës vjen dhe martesa, e sheh Hermesin si bashkëshortin tënd të ardhshëm?
Është ende herët të flasim për këto gjëra, pasi të dy jemi vetëm 23 vjeç. Preferoj që gjithçka t’ia lemë kohës.

-Para pak kohësh ishe pjesëmarrëse në emisionin e mëngjesit ne TV ‘Klan’ së bashku me Hermes. Si u ndjetë?
Para disa ditësh, isha pjesëmarrëse në emisionin e mëngjesit ‘Aldo Morning’, ku folëm për bashkëjetesën, duke dhënë disa detaje dhe ku vërtetoi se ne jemi bashkë në çdo vend, në çdo event. Nuk ishte aspak e sikletshme dalja ime në ekran dhe u ndjeva komode gjate intervistës me Aldon.
-Cila është pika më e fortë e marrëdhënies tuaj?
Dashuria, kjo është pika më e fortë.
-Dashuria për ty çfarë është?
Dashuria është ajo që të le natën pa gjumë. Dashuria është ndjenja që të bën të mbyllësh sytë e veshët, të detyron të ndjekësh zemrën…
-Ty kush të ka thënë me plot gojën që je femër seksi?
Nuk ka asgjë të keqe të jesh seksi, për sa kohë nuk je vetëm aq.
-Të ndalemi pak te historia me Hermes, si nisi kjo histori, nga u njohët ?
Jemi njohur nga një mikja jonë e përbashkët. Ai më tërhoqi me thjeshtësinë e tij, më pas gjërat erdhën krejt natyrshëm.
-Çfarë të tërheq më tepër të Hermes?
Çiltërsia, është i thjeshtë, bujar e i sinqertë dhe i përkushtuar në gjithçka.
-Ku do t’i kalosh festat?
Festat mua më pëlqejnë shumë. Primare është familja, kështu që mund të them se deri në orën 00:00 do darkoj me familjen dhe Hermes e më pas me shoqërinë, kolegët e punës. Kam një agjendë mjaft të ngarkuar, por do mundohem të balancoj çdo gjë me kohën që kam në dispozicion.

Filed Under: Interviste Tagged With: Alber Z. Zholi/, Angjelina Lalaj, te ndjekesh zemren

KRISHTLINDJA E 1990…

December 27, 2015 by dgreca

Ne Foto: RRËMAJI, 25 Dhjetor 1990… (Foto A. Nenshati)/
25 VJET… /
25 Dhjetor 1990… Mesnatë…/
Nga Fritz RADOVANI/
Kishte fillue lufta kunder Fesë… dhe gati ishte krijue idea se “Shqiptarët janë të pafe”!
Atëherë, kur në kater anët Ramiz Alia vazhdonte me dhanë porosi sekrete që “shikoni, kujdes, hapni sytë se në Shkoder… kemi edhe agjentura të Vatikanit”!..
Ylli me bisht ishte mbi Rrëmaji… Shkodra festonte Krishlindjen nder Varreza…
Liria e Fesë sjellë me vete edhe të tjera “Liri”… Më thonte me një kambngulje të madhe një mik nga fundi i vitit 1989: “Erdha nga Tirana, asnjëherë nuk do të lejohet që me u rihapë Kishat, mbasi me të drejtë Ramiz Alia do të perdorin kunder Fesë edhe tanket, edhe shnajperë, mbasi Feja dhe kryesisht Feja Katolike, me një Papë si Gjon Pali II, do varrosin perfundimisht komunizmin… Feja nuk do të lejohet kurrëma në Shqipni!”
– I kundershtova, po fjala ime as nuk kishte vend ku me hy në rradaken e tij, plot me Veprat e Enverit! Po, a vetem ai kishte një mendim të tillë?! – Jo, ishin mbi 45 vjetë që po punohej me “kazem dhe pushkë” mbi ndergjegjen e Popullit Shqiptar, per me shkatrrue gjithshka shekullore që ishte ndertue mbi Gurt’ e Kështjellave të Gjergj Kastriotit…
Per shkatrrimin e Shqipnisë Europjane punoi sllavi rrethues i rivendosun nga Jalta në 1945 nder Trojet tona, punoi me perkushtim Tito, Stalini, Mao Ce Duni dhe anadollaku i tyne i dashtun Enver Hoxha… Punoi Nexhmija e Mehmeti, Haxhi Lleshi e Ramiz Alia…
E kush nuk derdhi djersë me na shkombtarizue?! Si thoni, ta lamë me kaq nder këto ditë Krishtlindje e Viti të Ri.., kur i madh e i vogel mendon per dhurata per fëmijët e vegjel…
Janë ba 25 vjetë që edhe “biruca e Don Simonit” në burgun e Burrelit asht plot baltë!
Jo, vllazen Shqiptarë! Hiqni dorë nga shpifjet e rrenat e agjentave të sigurimit shtetit!
Vllaznit Don Lazer e Don Simon Jubani, pastertinë e Shpirtit Tyne edhe sot e dishmojnë nga Mbretnia e Qiellit, ku prehen të qetë pranë Krijuesit, per të Cilin dhane jeten e vet!
***
Dosjet do të hapen! Po ua them me bindje: Do të hapen!
Me këta Krishtlindje Shqiptarët uroj të hyjnë në rrugen Paqes, mirkuptimit, drejtësisë e Vllaznimit të vertetë, per një Shqipni Europjane, Shqipninë e Gjergj Kastriotit!
Rrnofshin Shqiptarët e vertetë nder Trojet Shqiptare dhe në gjithë Boten!
Melbourne, Dhjetor 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, KRISHTLINDJA E 1990...

DJEPET E FALSIFIKUARA

December 27, 2015 by dgreca

 Nga Rasim Bebo/
            Fqinjët tanë, në Veri dhe në Jug, tregojnë se kanё oreks tё madh, kur i konsiderojnë trojet tona “Djepe” tё vendit tё tyre. Nё librin “Kosovo a short histori”, Noel Malkolm shkruan: “Nё libёr gjeni disa pika thelbёsore qё vёrtetojnё se pretendimet e sёrbёve nuk qёndrojnё.  Sё pari, ёshtё pretendimi qё Kosova ёshte  djepi i sёrbёve nё Ballkan dhe kjo dihet qё ёshte e pavёrtetё. Sёrbёt erdhёn nё Ballkan nё shek. e VII dhe nё kёtё territor u zёvёndёsuan nga sundimi ottoman nё shek. e XV. Kemi njё periudhё 800 vjeçare atje dhe sa nga kjo periudhё Kosova u sundua nga serbet? Vetёm nё 250 vjetёt efundit nga 800 vite. Po ku ishin sёrbet para kёsaj periudhe? Pёrgjigja ёshtё: jashtё Kosovёs”. (Forumi 23-10-2007). 
Po mbushin 200 vjet, qё historianёt grekë, mundohen pёr tё bindur lexuesin tanё: “… se nё Epir ka mbisunduar fenomeni i helenizimit, pra popullimi i trevёs me  banorё jo vetёm gerqishtfolёs, por edhe flamurtarё tё nacionalizmit helenik. Shkurt, Epiri ёshtё pagёzuar “djepi” i helenizmit modern.  Ёshtё njё tezё e bukur pёr tё qenё e vёrtetё, por pёr fat tё keq, ngjet me pёrpjekjet pёr tё ushqyer tё varfrit me lugё tё zbrazur. Mjafton tё kujtojmё faktin, se gjoja “djepin”e helenizmit modern, tё cilin Kongresi i Berlinit nё korrikun e vitit 1878 ia dhuroi Greqisё,…Athina me gjithё pёrkrahjen qё pati nga koncerti evropian, nuk qe nё gjёndje ta bashkonte me Greqinё e pavarur. Mjafton tё kujtojmё gjithashtu faktin, se Greqia “dashnorja” e Europёs Perёndimore, me vёshtirёsi tё madhe mezi siguroi, 100 vjet pas fitores sё pavarёsisё, asneksimin e pjesёs jugore tё Epirit. (K. Frashёri  “Historia e Çamёrisё”,  f. 153”).                                              
Pёr t’iu vёnё kundra “djepit helenik” nё Epir tё Çamёris, lexojmё masakrat mё çnjerёzore tё grekëve, tё pёrshkruara nga:  Historiani i Akademisë Mbretёrore Britanike Dr. Noel  Malkolm. Ai thekson se “fati i shqiptarёve çamё ёshtё njё nga sekretet mё tё errёta tё historisё bashkёkohore  evropiane … Rrёfimi i tragjedisё fillon me kalimin e Çamёrisё nё anёn greke tё kufirit, sipas vendimit tё Komisionit tё Kufijve dhe Protokollit tё Firences nё vitin 1913. Territori i Çamёrisё, me madhësi pёr afёrsisht i ngjashёm me territorin qё ka sot Kosova, u bё poligon i ushtrimit tё dhunës sё egёr greke kundёr shqiptarёve tё Çamërisё… Plani grek ishte, qё shqiptarёt ortodoksё tё asimiloheshin, ndёrsa ata myslimanё tё dёboheshin jashtё Greqisё, ose tё shfaroseshin me çfardo forme. Evropa pёr kёto ngjarje tragjike nuk tregoi ndonjё ndjeshmёri. Regjimi i Athines lejoi bandat e kriminelёve grekё tё vepronin sipas dёshirёs nё rajonet shqiptare tё pambrojtura, siç ishte ajo e Deli Janaqit, e cila plaçkiti, dhunoi dhe vrau njё numur tё madh tё banorёve mё shumё se 100 fshatarё shqiptarё. Ajo urdhёroi shpronёzimin e shqiptarёve çamё me pretekst reformёn agrare. 
Pas Luftёs greko-turke (1919-1922) pasoi marrёveshja pёr ndërrimin e popullatёs greke dhe turke, e cila u nёnshkrua nё Lozanё nё vitin 1923. Kjo marrëveshje, pёrjashtonte myslimanёt çamё, pasi kёta nuk ishin turq dhe si pasojё nuk mund tё shpёrnguleshin nё Turqi. Regjimi i Athinёs nuk e respektoi kёtё dallim qё impononte marrëveshja dhe duke pёrdorur dhunёn, filloi  t’i dëbonte çamёt nё drejtim tё Turqisё. Persekutimet ishin aq tё padurueshme, saqё njё numur i konsideruar i shqiptarёve çamё u vetëdeklaruan si turq, vetёm e vetёm pёr t’i shpёtuar vdekjes, maltrajtimeve, dhe poshtёrimeve, qё ushtronte Athina ndaj tyre.  Persekutimi vazhdoi dhe arriti kulmin nё mbarim tё Luftёs sё Dytё Botёrore. Regjimi grek (pёr tё ruajtur “Djepin “Helen në Epir tё Çamerisё shen. Im), filloi vrasjen masive tё shqiptarёve çamё dhe dёbimin e tyre, duke pёrdorur pretekst akuzёn e bashkёpunimit tё çamёve me Fuqitё e Boshtit.  Pas tёrheqjes sё forcave gjermane, nё vjeshtёn e vitit 1944, britanikët, duke dashur tё krijonin siguri pёr  rrugёt detare nё pjesёn e detit Jon, inkurajuan gjeneralin fashist grek Napolon Zervёn, qё tё okuponte rajonin nё fjalё… Forcat e tij vranё mbi 3000 çamё. Vetёm brёnda njё nate, 27 qershor 1944, vranё nё Paramithi 600 çamё tё pa armatosur, nё mesin e tё cilёve shumё fёmijё dhe gra. Tragjedia e rёndё e çamёve nuk pёrfundoi me vendosjen e tyre mbrёnda territorit shqiptar. Enver Hoxha nuk i shihte me sy tё mirё shqiptarёt e Çamёrisё, pasi i konsideronte si kolaboracionistё tё italianёve dhe gjermanёve. Meqёnёse kjo  popullsi konsiderohej si “refugjatё”, pёr tё u kujdes UNRRA, nga shtator 1946, deri në pranverёn e vitit 1947. Nё kampet e ngritura nё Delvinё, Durrës, Kavajё, Fier, Vlorё dhe Tiranё, ku u vendosёn me mijёra çamё, UNRRA shpёrndau ushqime, ilaçe, tenda dhe sende tё tjera tё nevojshme, pёr kёta njerёz tё pa fat, qё pёrjetuan tmerret mё tё mёdha qё mund tё miagjinohen.  Athina vazhdimisht e ka injoruar ekzistimin e problemit çam.            
            Greqia nuk do tё duhej ta injoronte kёtё tragjedi, qё e ka shkaktuar vetё dhe qё ёshtё dokumentuar me profesionalizёm nё kёtё libёr, “The cham Albanians of Greece”.  (në YLLYRIA nga Daut Dauti, “Noel Malkom: Çamёria sekreti mё i errёt nё histori”).                               
Prof. Dr. Mehdi Hyseni shkruan: “Realisht, Serbia dhe serbёt nuk kanё asnjё arsye valide, qё nё stilin e simbolizimit tё rremё mitologjik serbomadh (kinёse pёr hir tё “autorёsisё” sё tyre mbi vjetёrsinё e “DJEPIT” dhe tё “shpirtit” kishtar serb, Kosovёn, nё mёnyrё tё falsifikuar ende ta konsiderojnё si pjesё integrale tё territorit serb), Ta kundёrshtojnё pavarёsimin e Kosovёs, sepse kjo kurrё nuk kanё pasur vazhdimёsinё historike, as shtetёrore e as kishtare serbe, mbasi Kosova ishte dhe ёshtё pjesё integrale e Shqipёrisё Etnike. Ndёrkaq, kur ёshtё fjala pёr mbrojtjen e pambulesёs sё tezёs sёrbomadhe kishtare se shkrolat dhe manastiret (siç janё: Graçanica, Deçani, Gazimestani etj,) serbe “dokumentojnё prejardhjen e Kosovёs serbe”, ёshtё njё falsifikat original i propagandёs sё djajve tё zi tё Kishёs Ortodokse Serbe, tё pseudoshkencёs dhe tё politikёs serbomadhe, mbasi ato nuk figurojnё nё asnjë pёllёmbё tё territorit tё Kosovёs, pёrkatёsisht tё Shqiprёrisё Etnike, por janё themeluar nё zёmёr tё Shumadisё serbe  (Rashka, manastiret Sopoçani, Studenica etj.), domethёnё  jashtё kufijve historikё, tё territorial, gjeopolitikё dhe administrativё tё Shqipёrisё Etnike”. (Balli i Kombit “Barometri dipllomatik”).                                               
Por tani nё Kosovё, dy tradhёtarё nё krye tё vendit, po forcojnё dhe duan ta sigurojnë “Djepin” sllav nё Kosovë. Pёr kёtё problem sa i qelbur dhe helmues na e sqaron Profesor Doktor Eshref Ymeri, i cili shkruan:“…prej 25 gushtit, qёkur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanё nёnshkruar nё Bruksel me kryeministrin serb Vuçiç njё marrёveshje antikombëtare, qё ka pёr qёllim copёtimin e trojeve tё Kosovёs… kjo marrёveshje shёnon aktin mё tё lartё tё tradhёtisё kombёtare… kёta mercenarё tё shitur te Beogradi… janё munduar qё asaj t’i japin fuqi ligjore, pёrmes votimit nё parlament. Por deri tani nuk kanё mundur t’ia arrijne qёllimit, pёr shkak tё kundёrshtimit tё vendosur tё opozitёs… Sipas marrёveshjes, duhet tё krijohet shoqatat e komunave serbe (i ashtuquajtur asociacion), me atribute automomiste, me qёllim qё hartёs sё Kosovёs t’i japin pamjen e lёkurёs sё leopardit… Serbёt e Kosovёs do tё vetqeverisen dhe varёsinё do ta kenё drejtpёrsёdrejti nga Beogradi, nuk do tё njohin autoritetin e Prishtinёs. (Gazeta “DIELLI”  “Opozita Kosovare para provёs sё madhe”, 18 nёndor 2015, nga internet).                                                            
Prishtinё 22-XII-2015-B. Jashari/ Qeveria e Kosovёs sot, nuk ka ndёrmarrё asnjё  veprim nё lidhje me marrёveshjen pёr asociacionin e Komunave me shumicё serbe nё Kosovё qё nga 30 tetori 2015.  Kjo marrёveshje i ёshtё dorёzuar pёr shqyrtim Gjykatёs Kushtetuese nga ana e presidencёs sё Republikёs. (Gazeta “DIELLI”, 22-12-2015).                                                                                  
Prof. Dr. Flori Bruqi shkruan: “Pёrfaqёsuesi i Posaçëm i BE-sё  nё Kosovё, Samuel Zhbogar, ka marrё parasysh vendimin e Gjykatёs Kushtetuese qё ka tё bёjё me vlerёsimin e parimeve pёr themelimin e asociacionit tё komunave me shumicё serbe dhe pret qё tё gjitha palёt tё respektojnё kёtё vendim, ashtu qё akti ligjor i qeverisё sё Kosovёs, pёr zbatim tё kёsaj marrёveshje dhe Statuti pasues tё pregatiten sa mё shpejtё qё ёshtё e mundur.  Sipas njё komunikate tё zyrёs sё BE-sё nё Kosovё, Gjykata Kushtetuese ёshtё shprehur se Asociacioni/Bashkёsia e komunave me shumicё serbe do tё krijohet siç parashihej me Marrёveshjen e Parё, nё pёrputhjen me Kushtetutёn. (marrё nga internet 23 nёndor 2015).                                                                                       Presin vendimin e Gjykatёs Kushtetuese. Kёto dёshira tё “djepeve” tё serbogrekёve fillojnё, veniten dhe zhduken me dёshirat e tyre.
                        Rasim Bebo, Addison Çikago Il, USA. Dhjetor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DJEPET E FALSIFIKUARA, rasim bebo

Reagim i familjes Camaj ndaj shkrimit të Qazim Dodës

December 27, 2015 by dgreca

Nga Zef Marku Camaj/
Qazim Doda, në emër të familjes Pjetar Zekaj, pinjoll i të cilës ishte Zef Camaj, po te nisi ketë reagim lidhur me shkrimin tënd. Je i lutur që ta botosh si reagim,  pa e përpunuar, pranë tekstit tënd, përndryshe do ta botojmë në portale tjera.
Reagim në shkrimin denigrues të Qazim Dodës, me titull “Rrok Nikçi ishte kelmendasi që vlente më shumë se qeveritë e dy shteteve tona”, botuar në www.albanianamericanvision.com/archives/714 , ku pa bazë dhe pa kohë, autori fyen një person, familjar tonin, të ndierin Zef Camaj, të cilin, edhe ai vet, e mban për më të mençurin e diasporës, pas Konicës e Nolit.
Thonë se njeriu është i madh aq sa është, dhe çdo tentativë për ta rritur duke i përulur të tjerët, vetëm i ulë vlerën e madhështinë.  
Kështu edhe Rrok Nikçi, si i portretizuari i këtij shkrimi, padyshim se duhet të jetë njeri i vlerave. Ne nuk e njohim sa duhet, prandaj nuk marrim guxim të themi tjetër, por përfolja e Zef Camaj, sot, 14 vite pasi që ndërroi jetë,  në tekstin ku flitet për të, jo vetëm se është e pamoralshme, por i zben figurën edhe vet Rrokut. 
Ne po lëmë Rrokun e Zefin të prehen në paq, por s’po mundemi pa i bërë një selamautorit të tekstit, i cili pas shumë shpifjeve dhe fyerjeve të Zefit, kur ai nuk mund të përgjigjet, e quan atë Konicë e Nol. Themi se me të drejtë e quan kështu! Po aq me të drejtë për këtë, sa është i padrejtë për të tjerat.
Në Malësi nuk kanë thanë kot: s’ka rëndësi çka thotë dikush, por kush është ai dikush. E ai dikush, në këtë rast del se është një askush! Sepse vet autori ka problem me biografinë e vet, dhe mendon se duke i ndy të tjerët, do të shpëtojë veten. Por jo! Sepse ka sish që i njohin biografinë e tij. E nëse i kemi parasysh biografinë, ai më dëm bën kur të lavdëron, se sa kur të shan. Biografia e tij enigmatike, nga koha e luftës së Kosovës, për dikë nuk është fare enigmatik, sepse kanë mbetur dosjet në Tiranë e Beograd. 
Zef Camaj sipas autorit e kishte pas lëshuar rrugën e gabuar para vdekjes. Dashtë Zoti që edhe Qazimi ta ketë lënë, ndonëse me këto lloj shkrimesh duket se akoma jo. Ka mundësi që ajo sëmundja nga koha  e Luftës, akoma e mban. 
Dihet se gjithkush mbanë mëkatet e veta, në këtë jetë dhe në atë jetë, dhe vlerësoj se Qazimi ka trup tepër të vogël për t’i mbajtur të gjitha mëkatet e veta. Të fyej gratë malësore, nënat e motrat tona, se paskan lindur fëmijët e millanave, e vlerësojmë si kulmin e çmendurisë dhe panjerëzisë dhe prodhim të ndonjë pjelle të millanave. 
Për hir të opinionit dhe miqve të Zefit, ne familjarët e tij, jemi të detyruar të themi atë që e dinë të gjithë ata që deshën ta dinë të vërtetën, e nuk ranë në kurthet e shërbimeve sekrete, të infiltruara e të maskuara mirë, për fat të keq, edhe në disa qarqe që e mbanin veten për patriotike. Zefi, emigroi në vitin 1981, pasi që shërbimet sekrete sllave u kishin rënë në gjurma veprimeve të tija në mbështetje të aktiviteteve atdhetare shqiptare në ish-jugosllavi. Arratiset nga Dubrovniku ditën që e kishte lënë për t’u lajmëruar organeve hetimore të RTVMZ, ku Zefi punonte, e ku kishte lënë gjurmë me tekstet e veta, në mbrojtje të këshillit për arsim shqip. Kështu, derisa ata e pritnin, ai kaloi detin dhe arriti në Itali. Prej aty arrin në Francë, ku shërbimet i bien në gjurmë dhe i nisin disa malësorë që, në pabesi,  ta kapnin, por vigjilent siç ishte, e hetoi rrezikun dhe shtëpinë e nikoqirit e lëshoi  duke ikur nga dritarja, e duke i lënë këpucët peng, dhe kaloi në Belgjikë. Aty e priti, e strehoi, e mbrojti dhe e përcolli për në SHBA një i afërm i Rrok Nikçit, Prelë Kola, i cili në disa raste ka publikuar shkrime për këtë takim dhe për mbresat që i kishte lënë Zef Camaj. Ne si familjarë e falënderojmë thellësisht! 
Natyrisht edhe në Amerikë vazhdojnë kërcënime dhe shantazhet e UDB-së, shpesh duke e shfrytëzuar edhe naivitetin e ndonjë atdhetari, por gjithsesi duke i vënë në shërbim të gjitha forcat e  veta, të cilat siç shihet nuk pushojnë as sot.  Atje e patën halë në sy edhe enveristët, njëlloj si edhe titistët, sepse ai u angazhua me te gjitha forcat e veta për të rrëzuar komunizmin, sepse ai vet e kishte përjetuar dëmin që po i sillte popullit shqiptar. Megjithatë, në shënjestër të veprimtarisë së tij politike, e sidomos publicistike, mbeti lufta për shpartallimin e Jugosllavisë dhe pavarësimin e Kosovës. Kësaj Zefi i shërbeu deri në frymën e fundit.  
Të tjerat mbi Zefin, e edhe të qazimave ia lëmë kohës, por nuk mundëm pa reaguar në shpifjet e pafytyrësitë që kaplojnë një tekst me të cilin donte të rriste një person tjetër, me siguri të madh. Besojmë se nga shkrimi i këtillë edhe Ai i “rrituri” sillet mbrapsht në varr. 
Të vdesim duhet të gjithë, por qazimi me këtë postim ka vdekur për së gjalli. Pushoftë në paq! 
Familja e gjere e Zef Camaj
Meqenëse personi ne fjale nuk iu pergjegje kërkesës sonë per ta publikuar reagimin ne portalin e tij, aty ku publikoi tekstin e vet, ne u detyruam ta percjellim ne portale tjera./marrë nga www.malesia.com/

Filed Under: Opinion Tagged With: ndaj Qazim Dodes, reagim, Zef Marku Camaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT