• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

SEBASTIANO GRASSO vjen në Sofrën e Diellit përmes Përkthimit të Faslli Halitit

December 25, 2015 by dgreca

Biri natyral i gjeneralit- mjek Atonio (2903-1966) dhe i markezes Giusepina Camardi Polizzi (1916- 1966 ), Sebastiano Grasso ka lindur në Siqili më, 1947. Studime klasike në kolegjin San Michele të komunës Acireale. Lauruar për Letërsi modern, për dy vjet iu dedikua mësimdhënies në universitetin e Leteraturës italiane. Nga viti 1871 punon në «Corriere della Sera», ku aktualisht është kritik i artit dhe letërsisë. Nga viti2007 është president i Pen Club Italia dhe drejtor i trimujorja omonime.
Ka botuar 12 volume poetike, midis të cilave: «Orizzonti lontani »,1964; (Horizonte të largëta); «Poesie fuori stagione», 1970; (Poezi jashtë stine); «Il giuoco della memoria», 1073, (Loja e kujtesës); «La stagione del clown», 1978. (Sezoni i kllounit); «Il poeta e il fantasma»,1980, (Poeti dhe fantazma, etj.

1.MIDIS ËNDRRËS DHE DELIRIT

Nuk bëj më diferencë midis ëndrrës
Dhe delirit, midis botës së vjetër e të re.
Thonë se ka ndryshuar gjithçka
nëse më parë ishte përherë më mire. Edhe
tingujt janë të ndryshëm: tani s’ka më
klithma. Të puth me force dhe të shkoj
gishtat prapa qafës, ndërsa të harkohesh
duke ngritur gjurin. Duket fund ii botës,
por duket se më shtyp barkun.

2. BOTA NË SHTËPI

Përsëritjet rrezikojnë të bëhen
obsesion, edhe ato të vargjeve kineze
shkruar gjatë dinastisë Tang. Krijova
botën në shtëpi, bërë me rrokje
dhe ngjyra përherë më të forta; ajo jashtë
s’më intereson më: çdo ditë dal vetëm
për të shkuar në supërmerkato dhe gjatë natës
për të takuar ndonjë mike.
Pjesa tjetër e jetës ritmohet nga fletë të bardha
ku flitet për aventura si ato
të Salgarit, të lindura në Hindie, megjithatë
autori s’lëvizi kurrë nga Verona.

3. HËNA E FUNDIT E PLOTË

Kur ishte hëna e plotë e fundit?
Gjaku pulson me shpejtësi, ndërsa shkruan
vargje lamtumire dhe poezia bëhet një delir
tingujsh, netësh, përrallash, seksi,
pushtimi i një ëndrre. Dëgjomë,
e dashur: ka ende diçka sublime
e përditshmja jonë, si gjinjtë e tu
që në kuzhinë, nuhasnin erë rozmarinë
ose finokun e egër. Në Valtelina
zëra që ngjirren mërmërisin për gaforret
që kanë ripopulluar rrjedhat ujore
midis Sernios dheTiranos. Por pastaj vdekja
i grabit përherë diçka jetës.

4. PRAPA MALIT ORTLES

Çila është ora e keqardhjes?. Mbase
Kur dielli perëndon prapa malit Ortles?
Me grevën e postierëve është era
që më sjell cicërimat e pemëve të tua.
kështu që di diçka për ty më shpejt;do të vijë
do të vijë radha e karrove të zbulojnë mendimet e tua,
dhe- imagjinoj- ankimet tona të dashurisë,
të përforcuara nga jehona midis gjethes dhe gjethes.

5. MBARIMI I VITIT

Kthehesh ku harpa nuk frikëson
Macen që kërcen mbi divanin me lëkurë
gri, shënuar nga thonjtë
dhe, mbi tavolinë, një fletë me vargje
dhe fjalë të fshira në pritje për të ndryshuar.
Ti fle, tani, dhe poezitë- me datën
e fillimit- sigurisht do të mbeten
më shumë ditë para punës së lëmimit.
Ti fle, tani, dhe shtëpia mbushet
me figura që flasin nën zë
dhe përmbajnë zemrimin. Thoshe se
nuk kishte të ardhme dhe të gjithë
zërat duhej të heshtnin. Fundi
do të koincidonte me atë të vitit .
6. NË LIQENIN E LAMPEDUZËS

Nuk të përshtatet zija : e zeza
u mjellëzua nga një flamur drite
të një spiraleje, në këtë verë të nxehtë
Në det të hapur të Lampeduzës
anijet duken të palëvizshme:
ngadalë ndryshon vetëm sfondi.
Nëpër shtigje të rralla kafshë ngarkese
mbajnë thasë me bathe të thata
dhe mposhtin letargjinë verore.

7. TË IMAGJINOSH NJË FLAMUR

Mbi kodër imagjinoj një flamur:
pastaj pyes veten ç’do të bënte atje
midis hardhive, shegëve dhe fiereve
që mbijnë midis ferrave, me fruta
të zeza e të kuqe që të gërvishtnin duart.
Vera do të mbaronte me vjeljen
dhe fillimin e shkollave. Në vresht lëvizje
erashkën hequr nga korniza e shekullit XIX
të sallonit të gjelbër nën vështrimin
dhe zemrimin e heshtur të gjyshes që pastaj
një përkëdheli do ta zhdukte.

8. PRAPA KODRINAVE

Në cilin muaj këndonin bilbilat?
Kujtesa gënjen, edhe nëse kujtimet
materializohen dhe imazhet rrjedhin
me nxitim. Dhe ku ishe kur këndonin dje?
Peizazhet zhduken prapa kodrinave
me mana dhe në pasditën e vonë trari
mbushet me të afërt që vijnë të bëjnë vizita.

9. E ARDHMJA MË E MIRË

Prisnim vjeshtën si të ardhmen
më të mirë:kaloi dhe kjo e shpërtheu
dimri që na ngriu zemrën me lamtumira.
Duhet të vendosim një epigraf? Doja të datoja
Gjithçka, duke historizuar, pa dashur të kursej,
as të bëj ngatërresa mbi datat. Imagjinata
ishte një mani e deformuar që po dukej
të luftohej. Takimet kishin pasur
paraskenën e tyre dhe ne kishim luajtur
rolin tone prej provincialësh të ndritur
ose të heronjve. Lajme? Për fëmijtë, të dashurit e fëmijve,
kushurinjtë të largët e të afërt, pa vonesë,
si hartohet një raport në kuesturë.

10. LAJME TË MIRA

Ti sjell detin tend në guaska të vogla,
më ofron kumbimin, parfumin e mbyllur
në borsetë, dhe pa dridhje ose frikë.
Lajme të mira, ke shtuar; ndahem
Dhe vij tek ty. Me lumturinë çmendet
dëshira: të marr në këmbë, në kopësht,
ndërsa puhija pushton kofshët gjer
në gju, me rripin që e tund.

11. ERA E PORTOKALLEVE

Çoheshe mbi taka, ngrije kokën
dhe merrje frymë fort për të rrëmbyer
erën gjysmë të ëmbël të portokalleve.
Sigurisht Renuari do të të kishte portretizuar
Mbase me fund në vend të xhinseve.
Shfletoj librin e një poeti e gjej vargje të kushtuara
një profesorit tim të universltetit,
kërkova të dhëna se si jepte mësim
si dhe për karakterin e tij. Për ty miqtë janë
sigurisht njerëz të mirë. Mbi rrushin
e bardhë drita bëhet pikë pikuese, e kuqja
e buzëve hapet ndërsa unë të shtrëngoj.

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, perktheu, Sabastiano Grasso

Mark Gjonaj dhe familja kremtuan Krishtlindjet me komunitetin

December 24, 2015 by dgreca

Krishtlindjet “Gjonaj Family Christmas Parties – “, morën pjesë autoritetet lokale, personalitete të nderuara të qytetit të New Yorkut, lider të komunitetit, aktivistë, artistë, gazetarë, studentë, biznesmenë, udhehehqesit shqiptar të tre besimeve fetare/
Nga Beqir SINA – City Island NY/
CITY ISLAND NEW YORK: Në vigjilje të sezonit të festave, Assemblyman Gjonaj dhe Familja e tij, festoi mbrëmë me komunitetin e Qarkut 80-të, në City Island New York, mbrëmjen e Krishtlindjeve.
Mbrëmja Mark Gjonaj me Familje, është për të festuar një darkë tradicionale vjetore, kjo, në pritje të Krishtlindjeve, e cila u mbajt në restorantin Don Coqui në qytetin Island – Nju Jork.
Çdo vit, Mark Gjonaj dhe familja e tij janë pritëse në komunitet i mbrëmjes së Krishtlindjeve, por edhe të disa aktiviteteve të tjera në këtë zonë elekteroale ku ai është zgjedhur si përfaqësues i tyre në Asamblenë e Nju Jorkut .
Më shumë se 300 të ftuar morën pjesë mbrëmë për të festuar së bashku frymën e Krishtlindjeve, në qytetin City Island – New York.
Asambleisti Mark Gjonaj – tha se kjo është festa ime e preferuar e vitit, sepse unë mund të ndajë këtë bukuri dha dashuri me të gjithë ju, familjen time dhe miqtë e mi.
“Sonte, tha ai unë nuk jam për të dhënë udhëzime dhe bëjë premtime- të mbaj ndonjë fjalim të gjatë – dhe jo të kërkojë për donacione, por shfrytëzojë këtë festë të falënderoj të gjithë ju për të qenë këtu sonte, dhe t’ju faleminderojë për kontributin tuaj gjatë gjithë këtij viti.
Në emër të gjithë familjes Gjonaj, unë dhe Elizabeta – ne ju urojmë të gjithë ju Gëzuar Krishtlindjet dhe Gëzuar Vitin e Ri 2016, shëndetet, të begatë dhe të lumtur me gjithë familjet tuaja.
Asambleisti Mark Gjonaj është shqiptari i parë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetit të New Yorkut – i cili asnjëher nuk ndalet duke marrë pjesë në veprimtarit e komunitetit shqiptarë në Shtetet e Bashkuar.
Ai dhe familja e tij për çdo vit rreth kësaj kohe, kur e gjithë bota e të krishtere, është duke festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, zoti Gjonaj me familjen e tij, organizon një mbremje, e cila quhet “Christmas Parties”, duke mbledhur qindra bashkëatdhetarë në një feste, jashtë politikës dhe donacioneve – fjalimeve të gjata.
Mbrëmja vezulluese e Krishtlindjeve “Gjonaj Family Christmas Parties “, edhe këtë vit ishte mes hares dhe gëzimit, muzikës pijeve dhe ushqimit të bollshëm. Ajo ishte e mbushur plot me miq, shok dhe dashamirë, dhe kolegë të asambleistit Gjonaj.
Sipas traditës bujare shqiptare, gjithçka të bije në sy , vetëm për të treguar atë dashurinë e tij dhe familjes Gjonaj nga Reci Ulqinit, për Krishtlindjet dhe festën e Vitit te Ri, për një darkë – falë bujarise se tij.
“I dua Krishtlindjet! e dua Vitin e Ri! do të thoshte Mark Gjonaj, për gazetën tonë, por edhe dua që me këtë mbrëmje festive të ju bëj së bashku dhe ndajë me ju të dashur miq, shok dhe dashamirë këtë gëzim vjetor, pra t’ua uroje, të gjithëve sonte :”Për shumë mote Krishtlindjet, paqe dhe lumturi në jetën tuaj dhe familjet tuaja- Viti i Ri 2016 qoftë një vit i mbarë dhe i begatë për të gjithë shqiptarët”.
Ndër mysafiret e ftuar në mbrëmjen e Krishtlindjeve “Gjonaj Family Christmas Parties”, ishin dhe autoritetet lokale, personalitete të nderuara të qytetit te New Yorkut: Senatori i Shtetit Jeff Klein, asambleisti Mike Benedeto, asambleisti Jose Rivera, councilwomen Vanesa Gibson, District Attorney Dassei Clark, Thomas Messina – përfaqësues kongresmenit Joseph Crowley,Joe McManus, Kreu i Partise Demokratike Qarkut Bronx, dhe leader lokal , dhe veprimtar e aktivist.
Në mbrëmjen e Krishtlindjeve “Gjonaj Family Christmas Parties” morën pjesë edhe udhëheqësit fetar shqiptarë të të tre besimeve, në New York.Kjo mbremje mbahet në një kohë kur festa e Krishtelindjve e reflektimit dhe e dashurisë për njeri tjetrin, shihet në komunitet edhe si një mundësi e madhe për t’u takuar dhe biseduar e diskutuar me miqt amerikan, edhe për vendlindjen tonë, Shqiperinë, Kosovën e viset shqiptare.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Mark Gjonaj dhe familja kremtuan Krishtlindjet, me komunitetin

PRESIDENTI BUJAR NISHANI URON KRISHTLINDJET

December 24, 2015 by dgreca

Presidenti Nishani u uron Krishtlindjet besimtarëve të krishterë shqiptarë kudo ku ndodhen/
Me anë të një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani u uron Festën e Krishtlindjeve të gjithë besimtarëve shqiptarë kudo ku ndodhen:
“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ndodheni!
Në këtë prag Krishtlindjesh, besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe kudo në botë janë duke u përgatitur për të festuar mrekullinë e lindjes së Jezu Krishtit.
Me rastin e Ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’u shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Dita simbol e lindjes së Krishtit rizgjon në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, kur bashkojnë përpjekjet për të ngritur lart vlerat më sublime e më fisnike fetare dhe njerëzore.
Sonte urojmë familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit e krishterë ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.
Në këtë ditë të bekuar, mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore.
Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim!
Le të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin, duke qenë prindër, fëmijë, miq, fqinjë dhe qytetarë të mirë, duke mbështetur e zhvilluar komunitetin ku secili prej nesh jeton dhe punon.
Këtë vit nën shkëlqimin e dritave të Krishtlindjeve shohim me dhimbje errësirën e akteve terroriste që tronditën Evropën, luftërat që shkatërruan Sirinë e largët, klithmat e emigrantëve që humben jetën deteve dhe oqeaneve; dhe shpresojmë e lutemi që paqja dhe mirësia të mbizotërojë zemrat e njerëzve kudo që janë.
Uroj që gjithë bota mbarë të bashkojë forcat, mendjet, shpirtrat e të bëjë përpjekje maksimale për të shpëtuar njerëzimin nga e keqja!
E gabuara dhe e keqja le të dështojnë dhe e drejta të triumfojë!
Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjet dhe jua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!”

Filed Under: Opinion Tagged With: Krishtlindjet, Presidenti Bujar Nishani, uron

VATRA DHE DIELLI UROJNE BESIMTARËT E KRISHTERË: GËZUAR KRISHTLINDJET!

December 24, 2015 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” dhe Gazeta e saj “Dielli” urojnë të gjithë besimtarët e Krishterë, në Diasporë apo në vendlindje: GËZUAR KRISHTLINDJET!
Urimet më të mira për Kombin Shqiptar!

Filed Under: Vatra Tagged With: VATRA URON BESIMTARËT E KRISHTERË: GËZUAR KRISHTLINDJET!

Vox audita perit, littera scripta manet*

December 23, 2015 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/
Në këtë çerek shekulli, shqiptarët kanë bërë progres në shumë fusha, më kryesorja, janë të lirë si kurrë më parë… Gjëja që kanë mbetur në vendnumëro është psikologjia! Megjithëse kafazi i hekurt i komunizmit u shkri, gjykimi dhe veprimi duket i njëjtë. Duke lexuar gjithë këto ditë për 25 Vjetorin e rrëzimit të komunizmit të vjetër, konstatoj se, sinqeriteti dhe e vërteta na mungon, ose e fshehim për qëllime të vogla. Shumë nga të njohurit e mi erdhën në këtë 25 vjetor me kujtimet e veta, kujtime dhe pse disa i sjellin në formën e tyre, vlejnë si dëshmi të një këndvështrimi historik dhe si një përpjekje për të sjellur diçka ndryshe me ato që dimë dhe jemi mësuar…
Deri këtu ne shohim përpjekjet për të mos harruar. Por, kur ne shohim se si disa kanë dëshirë për t’u bërë faktor vetëm me një ditë demonstratë, apo me një aparencë ca ditore në një zyrë, me ndonjë shkrim të cunguar që nuk i shërben askuj, biles dhe atij që e shkruan… Këtu kemi problem… një problem të madh! Latinët shpreheshin: “Vox audita perit, littera scripta manent”, që do të thotë, “Fjalët e thëna vdesin, por fjalët e shkruara mbesin”.
Kohë më parë, kam qenë zyrtar në PD Shkodër. Pas ngjarjes së 2 Prillit, po mblidhja dokumentacionin e nevojshëm për ngjarjen (të cilat më pas Ali Spahia i paraqiste në parlament), më erdhi një person i quajtur F.GJ. Në dorë mbante një plumb pistolete Makarov (pistoletë që mbahej nga zyrtarët e lartë të PP-së, apo oficerët e lartë të sigurimit), dhe ai nis e tregon historinë plumbit: “Isha duke kaluar tek Komiteti Ekzekutiv, kur plumbi u përplas në qoshen e trotuarit, e mora për ta mbajtur si dëshmi për të treguar që kriminelët e PP-se, gjuanin në rrezen që përfshin dy godinat, midis KPP-së dhe KE”. E falenderova për kujdesin… Kaloi ca kohë kur e shoh përsëri personin në fjalë. Ai erdhi tek zyra me disa të tjerë dhe u drejtua nga shokët e tij, por me sy nga unë: “ Alfonsi, e din se me 2 Prill, sigurimi i shtetit ka qenë duke më ekzekutuar! Biles, plumbin që më ka shpuar pantallonat u përplas në qoshen e trotuarit dhe unë ia kam sjellur Alfonsit për dokument, apo jo Alfons?” E shikova me habi dhe nuk po u besoja veshëve. Ai kërkonte që sajesën e tij ta bëja të njohur në shtypin e kohës. E shikova personin e njëjtë, por me një dëshmi krejt të ndryshme nga version i parë, tek “shkumbëzonte” kundër komunizmit dhe vrasësve që përpak i “morën” jetën heroit të gjorë… U çova në këmbë, e mora më vete dhe i tregova se versionin e parë e kisha shkruar në ditar, kurse të dytin nuk do ta shkruaja për arsye se i binte ndesh të parit… Ai u skuq dhe u largua sëbashku me miqtë e tij për mos u takuar me të për një kohë të gjatë. Pas disa vitesh e takova, por biseda e plumbit “vrasës” nuk u zu më në gojë… Sikur ta shkruaja një gjë të tillë do më rëndonte në ndërgjegje terë jetën. Kësisoj gënjeshtrash dhe spekullime kanë ndodhur jo rrallë herë, jo vetëm me mua, por dhe me disa shokë të mi… Rasti në fjalë ndodhte shpesh me emigrantët që kërkonin për të fituar azil politik në perëndim. Unë nuk kam parë asgjë të keqe për t’i ndihmuar, po aty për aty krijohej një vetëgënjeshtër, duke krijuar heroin e pa qenë… Pikërisht këto “heronj”, prej lapsit të papërgjegjshëm krijuan armatën fallso të heronjve që rrëzuan komunizmin. Në hapjen e Kishës apo Xhamisë apo në demonstrata shoh emra që kërkojnë të bëhen lidera, pa i njohur askush. Biles ata, pa iu skuqur fytyra, na tregojnë ne dëshmitarëve të gjallë se kush ka qenë apo kush nuk ka qenë në këto lëvizje. Fatmirësisht dhe fatkeqësisht nuk kam munguar asnjë sekond në ngjarjet historike dhe dramatike që ka kaluar Shqipëria, që nga viti 1990 deri në vitin 2000, dhe i njoh ato ngjarje si drejtues dhe pjesëmarrës dhe jo nga zyrat apo telefon i prishur… E kam thënë dhe herë tjetër, nuk merrem me kalimtarët, por me përbërësit faktorë, të cilët në momente të caktuara kanë punuar për demokraci…
Në ato ditë të vështira jam takuar me Tefalin Malshytin, Mond Bushatin, Shenasi Ramën. Me Tefalin Malshytin jemi takuar para Kafes së Madhe dhe i kam sugjeruar se ato duheshin t’i ndërronin kërkesat nga ekonomike në politike, nëse dëshëronin përkrahjen e gjerë të njerëzve. Këtu kisha parasysh frymën dhe qëllimin e protestave të 14 Janarit dhe 16 Qershorit, në të cilat shkodranët demonstruan qartazi dhe në masë kundër komunizmit. I shqetësuar ia përmenda dhe Kolec Ndojës, që ishte mik i imi që përpara lëvizjes. Koleci, Mond Bushati dhe Tefalini ishin ndër studentët më aktivë në ngritjen e Degës së PD-së Shkodër. Shenasiun, Arben Likën, Arben Ibron, Arben Okajn dhe Arben Brocin, i takova gjatë atyre ditëve. Shenasiu dhe Tefalini vinin në cilësinë e të deleguarve nga Tirana, ndërsa një pjesë e të tjerëve, megjithëse vazhdonin intensivisht angazhimin e tyre në lëvizjen studentore në Tiranë, u bënë pjesë e qenësishme e strukturave të degës së Shkodrës. Siç kam thënë dhe më parë, Shenasiu gëzonte një nivel kulturor më të lartë se të tjerët dhe ideologjikisht ishte më i qarti ndër studentët që kam takuar. Tani, pas 25 vitesh, përvoja na ka pasuruar të gjithëve në fushën e koncepteve mbi demokracinë, ndaj dhe është e natyrshme që të ndjejmë keqardhje që idealet e ëndërruara dhe të shprehura me aq pasion në fillim të nëntëdhjetës janë ende larg finalizimit, dhe këtë besoj se e ndjejmë të gjithë, por ky fakt s’ka pse të na pengojë të shprehim respektin, mirënjohjen dhe vlerësimin ndaj gjithsecilit që ka kontribuar në lëvizjen demokratike, një lëvizje e ndryshimeve të mëdha historike. Lista është sigurisht shumë e gjatë. Megjithatë, siç u shpreha më lart, kryesorja u bë! Mendimet dhe këndvështrimet janë të ndryshme dhe duhen pranuar si të tilla, por jo gënjeshtrat dhe fyerjet.
Para pak ditësh, lexova intervistën e Izet Haxhisë, me të cilin kemi ndarë momente delikate në historinë e demokracisë… ndjeva një krisje të brendshme që më ndodh rrallë! Njeriu në çfarëdo situate që të jetë, duhet të gjejë më të mirën e mundshme, dhe jo më të mundshmen e keqe. Kemi qenë bashkë disa herë dhe e respektoj kontributin e tij, por nuk ndaj të njëjtën pikpamje për Azemin dhe Berishën… Kontributi i Azemit dhe i Berishës është kontribut që nuk mund ta zvogëlojë as Izeti, as Alfonsi apo Aleksandër Meksi. E pranoj se janë bërë gabime trashanike, por këto gabime nuk kanë ardhur si pasojë e atyre të këqijave të stisura që ne i veshim njëri-tjetrit, por kanë ardhur si pasojë e padijes dhe UNIT shqiptar, që askush dhe asnjë komb tjetër nuk e ka më të madh se ne! Në ato ditë të vështira mund të ishim vrarë të gjithë ne! Mundësia ishte që të ndodhte dhe tek ne si në Timisoara të Rumanisë… Sigurisht, atëherë shpirti ynë do të gjykonte prej së larti pa gabuar, kurse tani që jemi në tokë gabojmë gjithë ditën! “O Tempora! O Mores!”, do të thoshte Cicero.
Dikush shkruan kundër Shenasi Ramës, që për mua, është ndër ato heronj që meriton respekt. Unë e di historinë e tij më mirë se askush tjetër lidhur me akuzat që i bëhen… Ne kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe jemi kuptuar. Unë kam qenë mik i Lukë Velaj, por dhe miku i Shenasiut… E njoh historinë jo me të thënë, por me dokumente.
Po a mund të mbesë njeriu tërë jetën peng i një gabimi fëminor 17 vjeçar? Vetëm një shoqëri me kufizime intelektuale dhe shpirtërore mund të dënojë një fëmijë 17 vjeçar për tërë jetën… Ne e quajmë komunizmin Rus më të egrin në planet, por mendësia jonë ua kalon Rusëve. Aleksandër Matrasov, një jetim dhe pse më parë kish qenë në koloni u bë heroi i popujve të Bashkimit Sovjetik, pikërisht se i vuri gjoksin bunkerit gjerman për të shpëtuar shokët. Dhe Shenasiu me shokët e vet i vunë gjoksin bunkerit të rregjimit të komunizmit dhe pse nuk u vranë atëherë, ne kërkojmë t’i vrasim sot!
Balta kundër Jozefina Topallit, ka të njëjtën përmbajtje, por me një ndryshim, se nga ato që fliten nuk ka asgjë të vertëtë, por vetëm stisje, por ja që pseudo-media e hap lajmin gënjeshtër si gripi kinez… Fini, siç e quanim dikur vajzën model. Ajo vinte nga një familje e persekutuar, gjithnjë në ndihmë të demokracisë së brishtë, me një personalitet të pavarur që i thoshte mendimet e hapura dhe të pastra. Shpesh herë ajo kritikonte për gjërat që nuk i pëlqenin, biles kishte një “anti-pati” për Berishën. Por, kur unë e prezantova me Berishën tek Universiteti Luigj Gurakuqi, ajo jo vetëm që ndyshoi mendim, por kishte dëshirë që të takohej përsëri me të… Kemi biseduar për Jozefinën me dy miqtë e mi, Pjetër Arbnori dhe Ali Spahia, para se ajo të afrohej në drejtimin e PD-së. Jozefina, megjithëse nuk qe entuziaste në fillim të propozimit për deputete, e mori veten shpejt, falë dhe këshillave të Pjetër Arbnorit. Ajo u bë lidere duke pranuar dhe mungesat që sjell fillimi… Kur u votua për zv/Kryetare Parlamenti, ajo mori dhe votat e socialistëve, biles, ata shqetësoheshin kur nuk e shihnin në podium “Vajzën tënë”… Pas vitit 97, ajo së bashku me Azemin thyen “bllokadën” e rebelimit komunist në Jug, duke rifituar territorin e pushtuar nga dhuna e bandave… Dikush e quan “Zonja e Hekurt”… Ajo s’ka asgjë të hekurt se, nuk është një qënie mekanike që kur zë ndryshk duhet pastruar dhe grasatuar. Sigurisht, pas disa viteve zëri i saj u bë më i thekur, dhe kjo sillte edhe zili edhe çudi, se nuk përkonte, me bukurinë dhe feminitetin e saj. Por, a mundet të mbijetojë një kanarinë blu me korbat e parlamentit shqiptar, pa u bërë shqiponjë?! Kurrësesi! Çfarë ndodhi atëherë? Korbat u sulën që ta përçudnonin zonjën blu! E quajtën spiune… biles, ata kishin kohë që i kishin vënë pseudonimin “Dezinjatorja!” Thanë e ç’nuk thanë për zonjën e nderuar, sikur ata të mos kishin motra, nëna apo kushërira. Zonja blu, hapi krahët dhe thonjtë e u bë shqiponjë!
Vitet e lirisë sonë nuk u përdhosën nga Jozefinat dhe gratë e parlamentit nga të dy krahët, por nga kripto-komunistët që tashmë dëshërojnë të na kthejnë në të shkuarën, se tek e shkuara gjejnë frymëzimin e sotëm. Ata mendojnë se grate janë garniturë dhe jo faktor jetik … Vitet tona të lirisë, nuk i përdhosin nervat e momentit që shkarkohen si rrufe në shkretëtirë, por papërgjegjësia e etiketimeve të turpshme dhe inkoherenca që I gdhendi në shkronja! Palo-politikanët tanë nuk e kuptojnë që një ligj i keq që aprovohet dhe printohet dëmton të ardhmen. Kushtetuta Amerikane, u ndërtua në bazë të 28 Principeve të Lirisë, të cilat, burrat e mençëm i gdhendën në shkronja duke e përsosur ndër vite. Po principet tona ku janë?! Historiani, politikani, apo gazetari–gënjeshtar, kur stis keq një histori, një ligj, një lajm, dëmton të tashmen, por më tepër mund të vrasë qorrazi dhe të ardhmen!
Akt i turpshëm, loja e dekorimeve! Njësoj krimineli me viktimën?! Kjo tregon se sa të pasinqertë dhe sa të lexueshëm bëhen palo-politikanët shqiptarë…
Trashëgimtarët nisen nga tradicioni dhe jo nga arsyeja. Errësira e të shkuarës reflektohet në të tashmen dhe në të ardhmen e pasigurtë… Çërmimi i eshtrave të mikut tim, At Zef Pëllumbi, nuk është rastësi, por tregon ironinë therëse se demokracia nuk vjen prej tradicionit të keq, por prej qytetarisë brilante pa ngarkesat e së shkuarës… Të persekutuarit duhen gjithnjë të falin, kurse persekutorët gjithnjë të tallen! Unë mendoj se domatet dhe vezët janë shumë pak për njerëz të tillë të sakriligjeve!
Siç shihet, kërkohet që të gjithë heronjtë e demokracisë të degradohen në forma të ndryshme, të sajohet dhe të shkruhet për ta sa më zi. Të ngrihen kurthe të dyfishta, siç është puna e dekorimeve për të krijuar dualizëm… Kush është më i mirë, ky me shumë medalje e dekorata apo ky me veladon?! Vocrrakë të tillë të “qosheve të dikurshme” kacavirren pas letrave për të bërë plaçkë, për të mbijetuar, për të ngrënë bukë turpi duke krijuar histori të rremë dhe heronj të rremë, ashtu siç bëri dhe një mik i imi, shkrimtar nga Shkodra … Më keq akoma, kur “Fabulisti” komunist, me cingaren e përgjakur në veshin e viktimes, na tregon se cilët janë letrarët dhe shkrimtarët e “vërtetë”… dhe për çudi, “Shkrimtarët Njujorkez” brohorasin:“urraaa ”!!! Kaq idiotë ka kjo tokë, sa duhen dy botë për t’i mbuluar!
Kjo është vorbulla jonë, lufta e regresit, kundër progresit! Komunisti i thekur, kundër demokratit liberal! Paarsyeja, kundër arsyes! Pseudo-shkenca , kundër shkencës! Gënjeshtra, kundër faktit! Rasti i Sami Rrepishtit, është flagrant… Profesor Rrepishti, shkruan të drejtën dhe është shumë i saktë, por ja që del zografisësi i PP-së, e na tregon “faktet” e Debatikut, po a ka turp më të madh se ky? Rrenacakët kanë kaluar shkallën e parë të demagogjisë në unisfere. Ata mendojnë se duke mbajtur ngrohtë vemjet e së shkuarës, tregojnë “unitetin” që u duhet për të mundur kundërshtarin imagjinar!
Nëse komunizmi dhe mendësia e tillë të ndrydh dhe të zë frymën, demokracia ka oportunitetin e frymëmarrjes që nëpërmjet lirisë të bësh zgjedhjen tënde. Demokracia të jep mundësinë dhe për t’i korrigjuar gjërat… Por, siç shihet, së pari kemi nevojë të vetëkorrigjohemi, pastaj ta përdorim pendën… Tolstoy shkruan: “Everyone thinks of changing, but no one thinks of changing himself”. Pra, le të ndryshojmë. Ta përdorim pendën në ndihmë të së vërtetës pa rënduar viktimat dhe pa glorifikuar viktimbërësit. Ta përdorim për të bërë ligje që i qëndrojnë kohës dhe i shërbejnë popullit. Ta përdorim pendën për të gëzuar zemra dhe jo për të hidhëruar shpirtëra. Të ruajmë gjithçka të mirë që është arritur, paçka se e ka bërë ky apo ai, ky subjekt apo ai subjekt. Ilaritetin t’a lemë mënjanë! Është i vështirë ndryshimi por zgjidhje tjetër s’ka! Procesi i ndryshimit do t’i shërbejë paqes dhe zhvillimit të gjithanshëm të shoqërisë sonë. Madhështia e njeriut qendron jo në formën e tij të ngurtë prej shkëmbi, por në brumin e përdheshëm, ku jeton energjia suprime dhe shpirti i lirë që pret të çlirohet nga trupi i vdekshëm!

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, litterascripta manent!, Vox audita perit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT