Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu në Tryezën e Diskutimit “Reforma në Drejtësi dhe të Drejtat e Grave” (22 dhjetor, 2015)/
Të dobëtit dhe ata pa pushtet politik janë viktima të korrupsionit/
Zonja Bregu, Zonja Hysi, Zonja Doda, Profesore Anastasi, zonja dhe zotërinj,
Një nga arsyet pse më intereson kaq shumë reforma në drejtësi është historia e një nëne shqiptare që një gjyqtar e privoi nga fëmijët e saj. Ishte martuar me një burrë që e kishte rrahur për shumë vite. Ai ishte dënuar më parë për krime seksuale. Pas vitesh vuajtjeje, ajo më në fund gjeti guximin ta linte bashkëshortin në emër të sigurisë së fëmijëve të saj. Kur ajo shkoi në sistemin gjyqësor shqiptar për të kërkuar drejtësi, gjeti vetëm më shumë vuajtje. Gjyqtari i dha bashkëshortit të saj, një krimineli të dhunshëm seksual të dënuar më parë, të gjithë pasurinë dhe kujdestarinë për dy nga tre fëmijët e saj. Kjo i theu zemrën. E pse do të vendoste një gjyqtar në favor të një personi të tillë? Vetëm një arsye e thjeshtë — korrupsioni. Korrupsioni në drejtësi jo vetëm që i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista; ai po shkatërron jetët e njerëzve normalë të ndershëm. Dhe në një sistem të korruptuar, viktimat janë shpesh gratë. Të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa të varfërit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat. Sa nga ne kanë dëgjuar histori të tilla? Sa herë iu vidhen të drejtat grave të pafajshme në Shqipëri nga gjyqtarë të korruptuar e të paaftë? Sa kohë duhet të presim që të pasurit e të fuqishmit të thonë se nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi? Propozimi aktual për reformën në drejtësi po u jep njerëzve shpresën se ndryshimi po vjen. Ekspertët tanë, nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, u përfshinë aktivisht në hartimin e secilit prej 58 [pesëdhjetë e tetë] ndryshimeve kushtetuese. Ndryshe nga propozimet e mëparshme, ky propozim ofron një mekanizëm për të vlerësuar dhe larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë. Ai ngre një sistem më të mirë për të disiplinuar gjyqtarët dhe prokurorët në të ardhmen. Dhe ristrukturon funksionet e prokurorit të përgjithshëm për të nxitur më pak politizim. Ne bashkëndajmë pronësinë e këtij propozimi dhe e përkrahim atë fuqimisht. Por, puna e vështirë, nuk ka mbaruar. Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë dhe udhëheqësit e tyre të kenë mundësinë e diskutimit të kësaj reforme të rëndësishme. Dhe këtë javë kemi parë një vlerësim paraprak të propozimit nga Komisioni i Venecias. E dimë se propozimi i tanishëm i reformës duhet të përfshijë ndryshime të rëndësishme për të pasqyruar idetë më të mira nga Komisioni i Venecias, ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorët, juristët dhe publiku i përgjithshëm. Ky proces ka filluar tashmë. Së fundi, kjo reformë në drejtësi i jep Shqipërisë një mundësi — mundësinë për të pastruar sistemin e drejtësisë nga ky kancer i korrupsionit dhe për të rivendosur besimin e burrave dhe të grave të zakonshme – besimin se ata do të marrin drejtësi. Ndërsa shqiptarët shqyrtojnë nëse do ta mbështesin ose jo këtë reformë, u kërkoj atyre të konsiderojnë gruan e ndershme që humbi fëmijët e saj, shtëpinë e saj dhe jetën e saj sepse një gjyqtar i korruptuar vendosi se i duheshin më shumë para për të financuar stilin e tij luksoz të jetesës.
Archives for December 2015
Kosovë-Qeveria: Asnjë veprim për asociacionin
-Asnjë veprim në lidhje me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë që kur i është dorëzuar për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese/
PRISHTINË, 22 Dhjetor 2015-B. Jashari/ Qeveria e Kosovës deklaroi sot se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që nga 30 tetori 2015 kur kjo marrëveshje i është dorëzuar për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese nga ana e Presidentes së Republikës.
“Duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, qeveria ka pezulluar të gjitha veprimet në lidhje me këtë marrëveshje në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe veprimet e saja të mëtejme do të jenë në përputhje me këtë verdikt”, thekson deklarata.
Bëhet e ditur se, në periudhën prej 25 gusht 2015 kur ishte arritur kjo marrëveshje në Bruksel deri më 29 tetor 2015, qeveria ka qenë e angazhuar për përgatitjen e një dekreti për procedurat e krijimit të asociacionit për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese me qëllim që të kërkojë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj para se qeveria ta aprovoj një dokument të tillë, ashtu sikurse që kërkohej në pikën e dytë të Marrëveshjes për Asociacionin.
“Qeveria e Kosovës, me qëllim që të siguroj se kjo marrëveshje është në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, ka qenë këmbëngulëse dhe ka arritur që në Marrëveshjen për Asociacionin të përfshihet shqyrtimi i kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshje nga ana e Gjykatës Kushtetuese në të gjitha fazat e saj, që nga vet marrëveshja, dekreti, statuti dhe çfarëdo amendamentesh të reja që do të mund të propozoheshin”, thekson deklarata.
Qeveria e Kosovës, vijohet më tej, ka respektuar plotësisht ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës në arritjen e kësaj marrëveshjeje si dhe vijat e kuqe që asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës.
“Dhe përderisa qeveria po bëhej gati që dekretin në fjalë, i cili përmban tekstin integral të Marrëveshjes për Asociacionin, ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, në ndërkohë Presidentja e Kosovës me 30 tetor 2015 ndërmori veprimin duke e dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim kushtetues këtë marrëveshje, natyrisht me qëllime pozitive në shenjë të qetësimit të situatës pas reagimeve të opozitës”, vijon deklarata.
Prandaj, shtohet më tej, konfirmojmë se që nga data 30 tetor 2015, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, qeveria ka pezulluar çdo veprim në lidhje me këtë marrëveshje, deri në verdiktin final nga Gjykata Kushtetuese. Veprimet e mëtejme të Qeverisë do të jenë përputhje të plotë me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ky sqarim për opinionin jepet si demantim ndaj disa spekulimeve mediale se gjoja qeveria nuk e ka pezulluar veprimtarinë në lidhje me këtë Marrëveshje, të cilët thirren në Raportin vjetor të qeverisë mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të dorëzuar te BE me datën 25 nëntor 2015. Ky është një raport vjetor që përfshinë të gjitha zhvillimet në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, prandaj në pjesën ku raportohet për marrëveshjen për asociacionin është pasqyruar veprimtaria prej 25 gusht deri më 30 tetor 2015 gjatë së cilës është hartuar draft dekreti për procedurat e krijimit të Asociacionit”, thuhet në deklaratë.
Në ëprfundim, jepetteksti integral për këtë çështje në raport (faqe 6 dhe 7):
1. Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë
-Zbatimi nuk ka filluar ende – është duke u pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi kushtetutshmërinë e marrëveshjes së Brukselit në këtë çështje (e arritur më 25 gusht 2015).
-Kosova ka ndërmarrë masat fillestare për zbatim, duke hartuar një dekret sa i përket pikës 2 të marrëveshjes, e cila është subjekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
-Zbatimi do të ri-fillojë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
-Ekipi menaxhues po plotësohet me dy anëtarë të rinj që zëvendësojnë ata të cilët nuk mund të shërbejnë në këtë ekip për arsye objektive. Kosova ka kërkuar një karakter më përfaqësues të këtij ekipi, duke pasur parasysh se përbërja fillestare ka reflektuar vetëm katër komunat veriore.
FASLLI HALITI QË RRITI POETË DHE POEZINË LUSHNJARE
SHKRUAN: BAJAME HOXHA-ÇELIKU,Bruksel/
Me të drejtë do ta quaja të fortë në poezi, në jetë, dhe në shoqëri, poetin me zemër të madhe që u munduan ta dënojnë dy herë, në dy epokat Faslli Halitin. E pse?Dy herë për të njëjtin”Mëkat”apo për të njëjtin”Faj”e para:e dënuan në Diktaturë për poemën“Dielli dhe rrëkerat ”për të mos ngritur kokën,dhe herën e dytë në Demokraci, po për poemën “Dielli dhe rrëkerat” për t’ia ulur kokën që po ia ngrinte çdo ditë e më lart Demokracia,dhe pse ende e brishtë. Por, dua të theksoj se, pikërisht kjo poemë e ngriti në piedestal,e bëri të madh,të lavdishëm,e të pavdekshëm poetin sypatrembur të myzeqesë. Jo vetëm poema “dielli dhe rrëkerat” po edhe poezia“Njeriu me Kobure” ,”Djali i Sekretarit” dy poezi proverbiale që ngritën tallazet e detit Adriatik,të detit Jon,e më tutje akoma,dhe uji mbërriti mbi nivelin e parashikuar nga lart poshtë. Dhe ky tallaz edhe pse i vunë shumë prita,kaloi dete e oqeane. Qe vargu i tij eksploziv që vuri në lëvizje të gjithë shtypin e kohës,gazeta e revista,njerëz me influencë, si brenda vendit, dhe jashtë nëpër shtetet më të mëdha, me demokraci të madhe, atje ku do të urrente më shumë Sistemi, në Paris, Amerikë, Angli e gjetkë.
Le të kthehemi prapa atje ku është zanafilla e një portreti,e një piktori të ri myzeqar,e një artisti,e një poeti që rriti dhe kultivojë poezinë Lushnjare e më gjerë me poetë të të gjithë moshave. Ai shtriu krahët me trimëri, e përqafoi çdo talent të ri jo vetëm të qytetit, por dhe të fshatrave thellë, deri në kampet e përqendrimit, siç ishte, Savra dhe Pluku, të cilët përbënin rrezik të madh për të ardhmen e një poeti si ai. Faslli Haliti rriti në penë poetesha e poetë të talentuar që sot janë të njohur në saj të ndihmës dhe këmbënguljes së tij prej mësuesi,duke ua tharë në gjirin e tij, poezitë e lagura nga shiu,kur ata me fletore nëpër duar, vraponin drejt redaktorit artdashës,që me poezitë e tyre nën sqetull, ai do të vraponte për t’i bërë të njohur me anën e gazetave e revistave të kohës,kështu vite me radhë, deri atëherë, kur nga një xhelozi e çmendur, nga vetë patriotët lushnjarë më 1972, dënohet poezia e tij, por, bashkë me poezinë, dënuan poetin e një qyteti, vranë poezinë e tij, e vranë dhe poetin për dhjetë vjetër rresht, duke e larguar nga profesioni,nga nxënësit, nga poetët, që i kishte rritur vetë duke u kultivuar poezitë e tyre natë edhe ditë. Edhe qielli rrodhi në lot atë vit që u dënua poeti,yjet humbën shkëlqimin,rinia humbi shpresën. Dhe vitet ecnin,ecnin nën një tutelë,nën një diktaturë të hekurt që me siguri, asnjë nga poetët në zë nuk ishte më i qetë,ngado psherëtima,asnjë nuk lëvronte më poezinë e dashurisë ashtu siç i fliste zemra,nuk mund të shkruante dot asnjë satirë apo të bënte një kritikë sado të vogël nëpërmjet vargut,çdo gjë u zbeh,mori ngjyrën gri e ftohtë. Ndoshta poetëve qielli u dukej gjithnjë se rrinte i mbuluar nga re të zeza,ku u tkurrej pena, muza nuk fliste,frymëzimi ndoshta imponohej,buza e poetit ngrinte në mes të verës me penën e pushtuar nga një frikë fantazmagorike, që me siguri të zhdukte sa hap e mbyll sytë.
Çuditërisht,poetin tonë,edhe pas erës së ngrohtë të demokracisë,shumë “miq” të tij që ai u rriti poezinë, që i deshi me çiltërsi e me zemër të hapur,apo me zemër në dorë, që kishin diskutuar së bashku, në paqe, e në ditët kur ai mori Jehonë, u munduan t’i ngulnin përsëri thikën, pikërisht,në ditët e para të demokracisë. Poezisë së Artistit, të poetit të shquar, që nuk e përkulën dot ordhitë,dhe as vetë poetin nuk e kishin mposhtur e thyer dot, u orvatën që t’i ngulnin këtë herë tehun e shpatës thellë në zemër që ai të pushonte. Pra, poetin dhe përkthyesin Faslli Haliti,demokracia e gjeti me rivalë të shumtë në numër me ambicien për t’u bërë të mëdhenj, me dashamirë e dashakeq të artit e të kulturës,me simpatizantë të shumtë në të gjithë rruzullin,me vlera të pa tjetërsuara e gjeti demokracia poetin e madh lushnjar. Por, për ta vrarë këtë penë të artë njëherë e përgjithmonë, duhet të vritet më parë e gjithë poezia shqiptare,e cila i ka rrënjët në popull e që ka ekzistuar me shekuj nëpër këngët tona popullore .Një popull mund të harroj gjithçka por historinë e vetë, dhe poetët e vërtetë nuk i harron, e nuk i vret kurrë!
-Alo, alo, alo-nga të gjitha kontinentet dëgjohen sot zëra të ndryshëm femrash e meshkujsh,djem e vajza që e përshëndesin,e kërkojnë, e nderojnë,ngado, shqiptarë e të huaj,sepse pena e tij e artë ka cikur majat,për deri sa ka male ka edhe maja,por jo maja të zotave të lashtë,por maja poetësh të vargmalit të letërsisë shqipe. Me largimin e poetit kolos, them se poezia lushnjare pësoi krizë, pati humbje të mëdha cilësie,mungesë talentesh,ngriu vargu dhe nuk u rebelua më. Faslli Haliti mbetet gjiganti që rriti e që do të rrisë poezinë Lushnjare,dhe do të mbetet themeluesi i saj
POEZI
KUR PENËN TË VRANË/
poetit Faslli Halitit/
Kur penën të vranë në ato vite
Ti heshte prof,por kryet nuk e ule
Vargu yt mori flatra yjesh.
Ndër dete oqeane, oshtinë tallazet.
Gjiganti nuk heshti
Nuk u gjunjëzua,nuk u thye por,
Trokiti në çdo portë,
Në çdo zemër,
Ngado e kudo
Në çdo cep të kulturës,
Të një demokracie të madhe!
Eh, Rrëkerat u kthyen në amshim prof!
Pastaj, morën formën e trëndafilit
E një gonxheje
Që do të çelte më vonë
Në lulëzim të plotë.
Në çdo portë.
Së fundi do ta mbyllja:
Çdo krijues në Lushnjë
E çdo poet i ri
Do të ketë nëpër vargje
Do të ketë pak Faslli!
Me nderim të thellë,Bajame hoxha-Çeliku,Bruksel.
PORNOPOEZIA- si zabarosja e qenve të rrugës –
Nga Kolec TRABOINI/
Njerëzit që pretendojnë të merren me letërsi, por të paftë të trajtojnë probleme me të cilat përballohet individi në raport me natyrën dhe shtetin, me vetveten dhe mjedisin rreth tij, sepse ai është një qenie shoqërore, në përpjekje pra për të tërhequr vëmendje, i lëshohen vulgariteteve duke u përpjekur ti estetizojnë ato me pretendimet e artit. Nga këto vulgaritete të shituara në publik si sapunin për djathë, kryevendin e zëne ato seksuale. Këto vulgaroseksualët tanë shqiptarë bëjnë kinse nuk e dinë se bota eksperimentet poetike me vaginë- penis i ka tejkaluar prej kohësh, dekadash thuaj, sepse nuk kanë sjellë asnjë risi dhe janë braktisur anipse i praktikon ndonjë i fandaksur që i ka ngecur ora në kohë tjetër . Dihet që për të plotësuar epshet një kategori e njerëzve që parapëlqejnë përversitetet, kanë krijuar pornografinë, një lloj prostitucioni në shkrime e imazhe filmike, por që nuk kanë të bëjnë në asgjë me artin e vërtetë. Kuptohet që këtu luan rol edhe ana e tregtimit, sepse është një biznes me fitim të lartë e shpenzime të vogla. Mirëpo kur ky treg ngec, pra pëson inflacion, përpiqen deri në fund që ta bëjnë të pranueshme pornografinë duke përdorur mjetet të cilat i përdor arti nga ana teknike. Kështu siç është video pornografia ka lindur edhe letërsia pornografike po na shpifet edhe pornopoezia a thënë me saktë pornovargëzimi. Por koha e ka vërtetuar se çdo tentative për ta spekuluar artin për qëllime të kësaj natyre kanë dështuar. Askush ndër ata që dinë të shijojnë artin, kur shohin a lexojnë të tilla vepra pornografike të hapura apo të kamufluara qofshin, nuk i merr për art por për stisje të njerëzve të paaftë të bëjnë art të vërtetë që e i shërben shoqërisë. Veç ndonjë mendje e çartur ndoshta që me dëngla përpiqet gjoja të estetizojnë për artin e zgjedhur që u dashka ta kuptojnë vetëm ca mendje të holla që pornoletërsinë e konsideron art. Një masturbim publik ky i neveritshëm. Një spekulim fund e krye, sepse qëllimi i vërtetë është largimi i artistëve nga trajtimi i problematikave sociale, është një dinakëri e ultë për përdorimi i artit si një mënyrë për të dhënë përshtypjen brenda e jashtë Shqipërisë se ky popull e këta njerëz nuk kanë asnjë problem tjetër veç estetizimit të organit të vet seksual. E kështu krijues mendje ngushtë të etur për popullaritet mediatik, behën edhe vegla qorre të atyre që janë shkaktarët kryesorë për gjendjen reale të mjerueshme në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare e si të thuash i veshin rroba të reja mbretit tonë lakuriq, i cili në këtë rast është pushteti dhe politika e korruptuar deri në palce. Me gjithë jehonën e përcipte në kategori të ultë në pikëpamje kulturore, apo në ato ekstravagante që e vënë seksin e vet në lule të ballit, ato pornokrijime mbeten surogato pa asnjë vlerë. Kuptohet se këto llokoçitje seksuale kur i kthejnë në libra, do të kenë edhe përkrahje nga disa njerëz që duan përfitime ekonomike apo notojnë në të njëjtin pornopellg shoqëror. Mediokriteti përpiqet të mbijetojë duke thirrur në ndihmë përversitetin tek fjala apo imazhi. Kështu edhe autorë që e konsiderojnë veten poet sepse dinë teknikisht të thurin vargje, siç thuren triko e çorape leshi, këto i janë lëshuar trajtimeve seksuale kinse sjellim diçka të re. Në të vërtet gjendesh para vargjeve shterp sepse janë si ca femra që vërtetë e kanë vaginën (edhe lopët e dhite kanë vaginë), por problemet e pjellorisë së mirë i kanë në mitër e cila nuk ua ngroh vezët e kësisoj konsiderohen shterpa. Këta mjeranë vargjesh të thatë e steriotipe nuk bëjnë art por shou mediatik kinse çuditin botën me seksin e tyre të depiluar a jo (relative kjo), po gjithsesi të parfumuar të cilin e kanë për nën shalë. Vargjet e tyre me kujtojnë zabarosjet e qenve nëpër rrugët e Tiranës. Në konceptin gjuhësor kush bën art të vërtetë e quajnë artist, kush bën filma e quajnë kineast, kush pikturon në telajo e quajnë piktor, punon me dorë e quajnë punëtor, kush punon me penis e quajnë zhigolo dhe kush punon me vaginë e quajnë prostitutë. Ndaj them, ta konsiderosh art çdo vargëzim banal, ku shpreh marrëzia të tejskajshme saqë të kërkosh me vaginën tënde të besh seks me Zotin, nuk është asgjë tjetër veç marrëzi e shkallës sipërore, është prostituim me poezinë, gjithashtu të përdhosësh dhe besimin njerëzor. E kur kjo mizori shkon deri në atë shkallë sipërore, pakrahasimore, sa që të vlerësohet me çmime nga institucionet kulturore e artistike apo instancat e pushtetit atëherë me plot gojë mund të themi se poezia tashme në Tiranën e tallavave konsiderohet si kurvë, madje kurvë e përdhunuar ligsht dhe institucionalisht. Natyrisht kësisoj nuk mund të jetë poezia e vërtetë e cila ekziston në Shqipëri por nuk përkrahet. Sepse përkrahet e stimulohet nga myteberrët e kulturës, ajo që vetëquhen elitare, poezia e marrëzishme, e vaginave shterpë që nuk thonë kurrgjë tjetër veç bla-bla-bla…lesh me qime lesh pa qime. E këtyre, me këtë pornoletërsinë e zgjuar së voni në kohën e postmodernizmit letrar, do tu thosha me plot gojë veç një gjë: Ju pshurrsha artin!
Ja një Info që ta kontretizojmë problemin: Ministria e Kulturës i ka dhënë çmimin libri i vitit 2014 vëllimit poetik “Vrima” nga i cili nxjerrim këtë ekstrat. Të mos harrojmë se për të çuditur botën me vrimat tona, libri është përkthyer edhe frengjisht:
“Tani hiqi brekët, ule kokën dhe shih mes kofshëve…”
“E nëse nuk pranon shko në manastir e bëhu murgeshë.
Oh…oh Kam dhimbje. Dhimbja sjell lumturi.”
“Kush na e fali këtë kënaqësi nëse jo Zoti?
Ku e di ti ç’është kënaqësia që të fal Zoti?
A i je dhënë ndonjëherë atij?
Jo se ma kanë prerë kërthizën që më lidhte me të.”
Atyre që kanë dalë në mbrojtje të “Vrimës” dhe na konsiderojnë ne, që nuk kemi mendjen e tyre të ndritur, që na konsiderojnë pra të paaftë për të shijuar bukuritë e asaj poezia, krejt atyre desha t’ju them: ajo vrima për të cilën na përrallisni nuk është letërsi erotike, por në kufijtë e pornografisë, dhe si e tillë le të kultivohet nga kushdo që ka kohë për të humbur a për të fituar, apo që dëshiron të bëjë ushtrime seksuale. Nuk na intereson aspekti personal çfarë bën tjetri me vaginën apo penisin e vet, ku e çon e kujt ja jep. Por që ti jepet çmim libri më i mire artistik i vitit 2014 nga Mirela Kumbaro një vrime si ai libër, na vjen keq po këtu kemi mospajtime, këtu kemi kundërshti sepse shfaqet një përkrahje e hapur institucionale për letërsinë me tendenca përshkrimesh intime të marrëdhënieve seksuale. Pushteti nuk guxon të stimulojë pornografinë si art apo aty ku ka tendenca të tilla, përkundrazi të ketë program për edukimin e popullit. E dimë që në shkolla bëhen edukime seksuale për nxënësit dhe kjo është gjë e mirë, por letërsinë porno autorët le ta bëjnë privatisht pa pasur nevojë të stimulohet nga shteti. Nga ana tjetër shfrimet seksuale nuk janë letërsi erotike siç po keqinterpretohet me qëllim për ta anashkaluar problemin . Letërsinë erotike e shkruajnë lirisht pothuaj të gjithë poetët, ai është një lirizëm i thellë por i pa bastarduar, nuk mbështetet në organet që përdor njeriu për të kryer aktin seksual, por në ndjesitë shpirtërore që i ngjall prania e të dashurës apo të dashurit, qoftë edhe në momentet më intime. Vrimë kanë edhe lopët edhe dhitë, edhe macet edhe mijtë, por nuk besojmë se edhe ato ja ndjejnë nevojën letërsisë pornografike të çmimit 2014 kur bëjnë seks, siç ja ndjenë ta zëmë honxho-bonxhot e Ministrisë së Kulturës. Kur ta kesh mbushur kupën e marrëzive dikasteriale plot e përplot a nuk është ky rast i dobishëm për të lëshuar vendin e pamerituar të ministres së kulturës shqiptare?
22 dhjetor 2015
NDERROI JETE NE NEW YORK ENVER DAJÇI
Dje ka nderruar jetë në Nju Jork, Enver Dajçi, babai i zonjës Mimoza Dajçi, aktiviste e njohur e komunitetit shqiptar ne SHBA, presidente e Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace”. I ndjeri Dajçi vinte nga një derë e njohur atdhetare, ishte nip i Isa Boletinit. Ai u bë një figurë e njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por pas ardhjes së Enver Hoxhës dhe bandës së tij në pushtet, përfundoi në qelitë e errta të hetuesisë komunsite.Ai nuk mund të pajtohej me shitjen e Kosoëvs tek Jugosllavia, as me kthimin e Shqiperise ne nje shtet-burg, dhe shprehu pakënaqësitë hapur. Rreth tre vite i kaloi në tortura të skajshme në qelitë e ftohta të Hetusisë së Enver Hoxhës, që ia kalonte dhe atyre të Hitlerit. Pas gjyqit të inskenuar atë do ta dërgonin në Ballsh në kampin-burg, ku do të kryente dënimin pa bërë faje, madje edhe do ta ridënonin.Enver Dajçi jetonte pranë vajzës së tij Mimoza dhe mbesës Merlin në Bronx, NY. Mimoza, e goditur rende nga kjo vdekje(para kater muajesh ajo humbi edhe nenen), u shpreh për Gazetën DIELLI në një shënim të shkurtër, që ne ia kërkuam:
Nuk qenka e lehtë të thuash Lamtumirë!
Zakonisht kemi lexuar e shkruar për nënat, mëmat tona të dashura të mira, zë ëmblat, të fortat e trimëreshat, kur i është dashur të tregohen të tilla e zemërbuta kur u është dashur të na përkëdhelin e të na thonë fjalë zemre. Pra duke qenë se edhe babai është pjesë e familjes edhe dhimbja për atë qenka shumë e madhe. Jo pse unë sot humba babanë tim, sigurisht të moshuar, por edhe ndarja me prindin të rëndon shumë e nuk njihka moshë. – Mimoza Dajçi.
Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA dhe Redaksia e Gazetes DIELLI i shprehin ngushellimet me te thella Mimozes dhe te gjithe familjes.
MOZA KA MARRE NGUSHELLIME TE SHUMTA NGA TE CILAT KEMI PERZGJEDHUR DISA:
E nderuar dhe e respektuar Zonja Mimoza,
Bashkohem me të gjithë miqtë dhe dashamirësit tuaj, për t’ju shprehur ngushëllime e mia të thella pë vdekjen e babait tuaj të shtrenjtë. Babai Juaj ka meritën e padiskutueshme si një Shqiptar i Madh jo vetëm për mbrojtjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, por edhe për edukatën e shëndoshë që kultivoi në familjen e tij, duke ju pajisur me një formim të admirueshëm nacionalist.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.
Miqësisht,
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
21 dhjetor 2014
Mimoza e Merlin,
Ne kete moment sapo mesova lajmin e hidhur per Babain e Gjyshin tuaj. Ndihem shume i pikelluar, sepse Enver Dajçin e njoha para 25 vitesh, ne kohes e shembjes se komunizmit dhe qe nga ai moment kam patur per te nje respekt e dashuri te pakufishme. Kemi biseduar gjate per burgun dhe vuajtjet e tij ne kalvarin komunist, per punen dhe aktivitetin e tij ne sherbim te ceshtjes se atdheut, per problemet e kohes dhe per jeten tone ne emigracion. Ne cdo bisede kam pare tek ai, burrin e zgjuar e atdhetar, njeriun intelektual e te kulturuar, malesorin e matur e me shpirt te madh.
Ju siguroj se sot, jo vetem ju humbet njeriun me te dashur (Babain e Gjyshin), por dhe une e familja ime humbem nje njeri qe e donim shume, humbem nje nga dashamiret tane me te medhej ketu ne Amerike. I nderuar qofte kujtimi i Enver Dajcit ,shpirti i tij u prehte ne paqe e qetesi. Lamtumire miku im.
Me shume respekt Asllan Bushati me familje.
Fort e dashur Halla Moza, fort e dashur Merlin,
Sapo e lexova që axha Enver ndërroi jete. U hidhëruam shumë familjarisht. Po na vjen vërtet shumë keq. Ju pastë lënë uratën dhe bëhuni të forta. E di që e keni shumë të vështirë ta pranoni dhimbjen, por duhet të ndiheni krenare për babain e gjyshin tuaj dhe kurrë mos harroni që ai gjithmonë është pranë jush duke ju dhënë kurajo për çdo vepër të mirë që bëni në jetë. Ai ishte një hero i kombit tonë, trashëgimtar i denjë i Familjes së Boletinëve. Desh Zoti e pa Kosovën – vendlindjen e tij, të lirë e të pavarur. Dashamirës i çështjes kombëtare, patriot, vital e i papërkulur ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Përkrahës e mbështetës i orëve të para të lëvizjes demokratike në Shqipëri. Kultivoi tek ju vetëm ndjenjën e atdhedashurisë e patriotizmit. Fjalë pak, por intelektual i mirëfilltë, njohës i mëse shtatë gjuhëve të huaja. Poliglot e dijetar i shumë shkencave politike, historike e sociale. Enciklopedik në kuptimin e plotë të fjalës.
Ju përqafojmë fort me shumë dashuri e ju jemi pranë në këto momente të vështira.
Mbesa e Boletinëve Mitrovicë – Kosovë
Juriste Fatbardha Boletini dhe familja
Nga Astrit Tota
Te nderuara Zj. Mimoza Dajci dhe Vajza Merlini.
Sa po lexuam nga Ju Moza, per humbjen e pa pritur te jetes te Babait t’uaj te dashur! Dhimbje e madhe per Prindin t’uaj te shkelqyer Z. Enver Dajci, largim jete nga i njejti vit teper i dhimbshem per Ju, por edhe ne qe jetojme ne emigracion bashke me Ju, dhimbje e njejte si para disa muajve nga largimi jetes se Nenes t’uaj te dashur, te shtrenjte e te respektuar nga Ju, rrethi familja dhe nga te gjithe shqiptaret qe jetojne prane jush ne Bronx Nju Jork e perreth.! Ngushullime! Jemi prane jush, me te njejten dhimbje! SHPIRTI I TYRE PUSHOFTE NE PAQE LART NE YLLESI! Te rroni dhe ti kujtoni kurdohere prindet! Prinderit me jete te vuajtur por shembullore e te kudo gjendur, vecanerisht per Ju. Me respekt, Astrit Tota me Familje. Bronxville NY.
E dashura Mimoza,
Bëhu e fortë ashtu siç ishte i fort si Graniti , Z.Enver Dajçi. Nuk dua të të shof sytë e përlotur! Të jesh krenare ashtu siç ishte bacë Enveri në Luftë, Burg dhe Paqë!
Pranoni ngushēllimet tona familjare pēr vdekjen e njeriut që la gjurmë të pashlyeshme në afirmin e kombit tonë për liri, drejtësi dhe pavarësi!
Lehtë i qoftē dheu i Tokēs së Hyjit!
Sinqerisht,
Flori Bruqi me familje
Në Prishtinë, 21.12.2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 21
- 22
- 23
- 24
- 25
- …
- 94
- Next Page »