• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

NJE EKIP NGA MINISTRIA E ARSIMIT NE NJU JORK

December 13, 2015 by dgreca

Zv/ministrja e Arsimit dhe e Sporteve të Republilkës së Shqipërisë znj.Nora Malaj midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e shkollës publike amerikane PS 9, Staten Island ku zhvillon mësimin shkolla shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të Nju Jorkut si në Staten Island, Brooklyn dhe Manhattan me ftesë të themeluesit dhe drejtorit të Shkollës Shqipe z.Qemal Zylo erdhi një ekip pune i kryesuar nga z/v ministrja e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë znj.Nora Malaj.  Ekipi ka në përbërje drejtoren e arsimit të Bashkisë së Kamëzës znj.Ermioni Cekani, drejtorin e gjimnazit të Kamëzës z.Sherif Koldashi, shkrimtarin dhe publicistin mësuesin z.Novruz Xh. Shehu, znj.Albana Muhametaj z/v drejtore e shkollës në Paskuqan si dhe vajzën simpatike, me e reja e ekipit Klestia Cekani.

Ardhja e tyre u sponsorizua nga z.Sami Muhametaj për të cilin shprehim mirënjohjen tonë.

Shkollën Shqipe “Alba Life” e kanë vizituar dashamirës, njerëz të thjeshtë, senatorë amerikanë si z.Martin Golden, kongresistë, Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut shqiptari i nderuar z.Mark Gjonaj, konsuj, ambasadorë të Kosovës në Washington si Vlora Çitaku dhe së fundi ekipi i punës nga Shqipëria e kryesuar nga z/v ministrja e Arsimit dhe sporteve të Shqipërisë znj.Nora Malaj, vizitë që merr një rëndësi të veçantë për sensibilizimin e mbarë Diasporës shqiptare dhe dy shteteve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë për Gjuhën Shqipe.  Më duhet të them se jo çdo politikan e ka në axhendë takimin me nxënës të shkollave shqipe kudo në Amerikë, ndonëse mund të ketë pasur prej tyre që kanë kaluar pranë shkollës sonë me “limuzinë” dhe s’kanë ndaluar qoftë dhe 5 minuta per t’i përshëndetur…

Prandaj këtë ekip pune që erdhi direkt nga Shqipëria e vlerësoj dhe e çmoj për respektin që treguan për punën e mësueseve, prindërve dhe nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life”,

në New York.

Ekipi i punës u mirëprit me tufa me lule ngrohtësisht nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit pranë kësaj shkolle.

Gjithmonë mirëpresim gjithëkënd që vjen pranë nxënësve, por ardhja e ketij ekipi direkt nga Shqipëria për t’u takuar dhe parë sy më sy me punën e mësuesëve dhe të nxënësve është emocionuese dhe e bukur.  Është e bukur dhe plot kuptim se si shqiptarë mbështesim njeri-tjetrin dhe është nje mision vetëm Shqip.

Fjalën e mirëseardhjes e ka mbajtur themeluesi dhe drejtori i shkollës Shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo i cili iu uroi mirëserdhjen gjithë ekipit të kryesuar nga z/vministrja e Republikës së Shqipërisë znj.Nora Malaj. Ai i falënderoi në emër të gjithë bordit dhe tha se ardhja e grupit të punës i shërben dhe më shumë urave të miqësise midis Shqipërise dhe Diasporës.

Në emër të shtetit shqiptar ka përshëndetur z/v ministrja e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë znj.Nora Malaj me një elekuencë në të folur midis të tjerash tha:

“Jam shumë e emocionuar dhe e gëzuar që të vi dhe t’ju përshëndes në emër të shtetit shqiptar dhe t’ju përgëzojë që po vini në shkollë shqipe për të mësuar gjuhën shqipe, traditat dhe kulturën shqiptare.  Kurrë mos e harrroni se nga vini, kurrë mos i harroni rrënjët e të parëve, pasi rrënjët tona janë nga më të vjetrat në botë dhe për këtë ne na bën të jemi shumë krenarë si shqiptarë.

Sa të bukur që jeni, sa dashuri marr nga sytë tuaj që shkëlqejnë sepse vini të mësoni shqip.  Falënderoj z.Qemal Zylo për ftesën, presidentin e TV “Alba Life” dhe themeluesin e shkollës shqipe Alba Life, ftesë që e mirëpritëm me kënaqësi më të madhe si ekip”.

Znj.Erimioni Cekani një mësuese me përvojë drejtore e arsimit të Kamëzës përshëndeti gjithë Bordin e shkollës Shqipe “Alba Life”, nxënësit, prindërit dhe mësuesit si dhe falënderoi përzemërsisht për pritjen e ngrohtë.  Ndihem krenare tha mids të tjerash znj.Cekani që ndodhem midis jush, sepse ju dhe pse të lindur dhe rritur jashtë Atdheut po e ruani si gjënë me të çmuar Gjuhën Shqipe.

Në këtë takim përshëndeti shkrimtari i mirënjohur z.Novruz Xh.Shehu i cili tha se këtu midis jush të dashur nxënës të mrekullueshëm të shkollës shqipe më duket vehtja sikur jam në një Shqipëri të vogël në Amerikë.  Unë për herë të parë prek nga afër tokën e premtuar, tokën e Lirisë që e shkelën të parët tanë dhe që iu bashkuan kauzës së Vatrës së Fan Nolit dhe Faik Konicës për çështjen kombëtare. Unë shoh nga afër dhe prek abetaren që ju mbani në duar dhe e mësoni atë që të mos harroni kurrë Gjuhën Shqipe, Gjuhën tonë hyjnore.  Jam shumë i emocionuar dhe ju falënderoj shumë që na bëni të ndihemi krenarë për ju nxënës që e bëni këtë shkollë amerikane të gumëzhij shqip të shtunave.  Ju lumtë!

Pas fjalëve të përzgjedhura dhe shkurt nga ekipi fjalën e kanë marrë mësueset Entela Muda dhe Dr.Valbona Zylo Watkins të cilat zhvilluan një orë mësimi të hapur shqip.  Nxënësit përgjigjeshin shqip dhe krijonin fjalë apo fjali të bukura me 36 shkronjat shqipe që kanë hedhur rrënjë në palcën e shpirtit të tyre. Tabela e Alfabetit e përgatitur mjeshtërisht nga mësuese Entela ku në krye të tabelës ndrinte Flamuri shqiptar kuq e zi i jepte dhe më ngjyra shqiptare mjedisit të klasës së shkollës publike amerikane. Shumë prej tyre recituan vjersha në shqip, ndërsa kori i shkollës shqipe për të përshëndetur pjesëmarrësit këndoi: “Ty Flamur të duam shumë” si dhe hymnin e shkollës shqipe “Gjuha jonë” të udhëhequr plot kulturë nga drejtuesja artistike e shkollës shiqpe, sopranoja shqiptare Dëshira Ahmeti Kërliu.

Në fund nxënësit u përqafuan me të gjithë pjesëmarrësit e ekipit dhe bënë një foto të përbashkët, para shkollës publike amerikane PS 9, shkollë që na ka pritur përzemërsisht për të zhvilluar mësimin SHQIP.

 

Në drekë pune pas mësimit shqip

 

Pas mësimit sipas traditës shqiptare u ulëm së bashku në një drekë pune në lokalin “Nino’s restaurant” në Staten Island të sponsorizuar nga pronari z.Agim Ceku të cilin e falënderojmë publikisht.

Në këtë drekë ishte i ftuar Bordi i shkollës shqipe si dhe aktivistë të saj si pianisti i shquar prof.Petrika Melo drejtues artistik, Lindita Mezini Lole soprano e famshme, mësuese Mimoza Salillari, sekretare e Bordit, Odise Salillari, Dr.Valbona Zylo Watkins z/v presidente e Bordit, mbështetës të shkollës shqipe Agim dhe Mine Pira, Përparim Likollari si dhe gjithë mësuesit e Shkollës Shqipe si: Afërdita Kacupaj, Liza Pllumbi, Entela Elezi, Entela Muda, Gladiola Bako, Anila Syku dhe Raimonda Hysolli që i janë bashkuar këtij programi serioz për mësimin e gjuhës shqipe.

Në këtë drekë z.Qemal Zylo pasi bëri një rezyme të punës së stafit drejtues foli për programet e mësimit që ndjekin shkollat shqipe, program të miratuar nga të dyja qeveritë shqiptare si e Kosovës dhe e Shqipërisë si dhe për librat shqip që janë në dispozicion të tyre, ndërsa në sfond shfaqeshin pamje nga puna e nxënësve dhe e mësueseve të shkolles shqipe gjate viteve të mësimit.

Z/v ministrja e arsimit dhe e sporteve të Shqipërisë znj.Nora Malaj që në fjalën e saj rrezatoi humanizëm sipas opinionit të shumë pjesëmarrësve në këtë takim foli për programin që ka hartuar qeveria shqiptare për shkollat shqipe në Diasporë dhe për drejtorinë e diasporës pranë kësaj ministrie.  Ajo vlerësoi sakrificat e shqiptarëve të Diasporës anë e mbanë në botë si dhe të mësuesëve të shkollës shqipe “Alba Life” që po punojnë me përkushtim për të mësuar gjuhën shqipe.  Këto takime më shumë se takime pune jane si ura lidhëse midis Shqipërisë dhe Diasporës dhe për këtë ju falënderoj dhe ju inkurajoj pamasë që të mos ndaleni kurrë vazhdoi znj.Malaj.

Me plot profesionalizëm dhe dashuri foli dhe prof.Petrika Melo i cili jo vetëm që vlerësoi punën e stafit të shkolles, por dhe solli kujtimet e tij si prind kur ishte takuar për herë të parë me Qemalin pranë shkollës shqipe.  Ai tha se ardhja e bijës sime Kristinës, (që mua si publiciste më duhet të shtojë se ajo eshte një artiste plot perspektivë për skenat amerikane) pranë shkollës shqipe bëri që ta mësonte gjuhën shqipe dhe për këtë ne e çmojmë pamasë punën e mësueseve dhe të Bordit drejtues.

Ndersa Dr.Zylo Watkins tha se une si bijë e dy prindërve që janë themelues të shkollave shqipe do të flas jo për prindërit e mi, por do të shpreh mirënjohjen time dhe mbeshtetjen time të pakufishme për të gjitha mësueset që punojnë ma aq pasion dhe dashuri për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën e bukur shqipe.  Ndonëse ndonjëherë si bijë e tyre përpiqem ta frenojë pozitivisht vecanërisht babain tim për arsye shëndetësore, përseri e kam te pamundur…  Prandaj puna që kryejnë mësueset tona brenda në shkollë ka dashurinë time jo vetëm si mësuese pranë kësaj shkolle, por në radhë të parë si prind që sjellë fëmijën në shkollë dhe shoh ndryshime herë pas here në të folurin e saj në shqip dhe kjo fal mësuesëve të shkollës.

Ishte një takim pune emocionues do të më thoshnin në biseda të lira zonjat fisnike Cekani, Koldashi dhe Muhametaj, ndërsa z.Koldashi drejtor i gjimnazit të Kamëzës më tha se u preka dhe lotova kur dëgjoja nxënësit në Amerikë që flisnin shqip.  Po aq e prekur dhe me lot në sy ishte zonja Muhametaj e cila tha se kur i dëgjoja nxënësit më preknin se mendoja djalin tim kur të bëhet prind i cili jeton në Amerikë.

Kjo ditë e bukur në një takim pune në drekë kaloi këndshëm, ku nuk munguan notat e humorit në diskutime si dhe të shoqëruara me këngë të gjuhës shqipe të interpretuara magjishëm nga sopranoja e shquar Lindita Mezini Lole, Dëshira Ahmeti Kërliu, si dhe këngë me ngjyra popullore nga Odise Salillari të shoqëruar si grup, po edhe nga vetë ekipi i ardhur enkas për shkollën shqipe “Alba Life”, si znj.Nora Malaj, Novruz Shehu etj…

Aktiviteti dhe ora e mësimit shqip u filmua nga bashkëpunëtori i TV Alba Life

z.Redi Hoxhallari.

Ishte një takim pune, mbresëlënës, plot dashamirësi, ishte nje takim pune që inkurajon dhe që lidh ura miqësie dhe bashkëpunimi për çëshjten më të rëndësishme të fëmijëve në Diasporë, mësimin e Gjuhës Shqipe.

 

12 dhjetor, 2015

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Nora Malaj, vizite ne NY, zv. mInistr e Arsimit

U shënua dyvjetori i themelimit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri

December 13, 2015 by dgreca

Hazir Mehmeti- Vjenë/

. Destani: “Secili prej nesh ta ketë si obligim në shtimin e investimeve në vendlindje”.
Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri, një shembull për të gjitha Rrjetet Shqiptare brenda Unionit Global.”  Soprano, Lorika Ismaili, dhe pianisti Menan Berveniku i dhanë shije festive dyvjetorit.
         Pallati Auersperg shekullor i Vjenës tanimë i njohur me historinë e tij rreth shqiptarëve, shënoj dhe një aktivitet shqiptarë në kronikën e jetës së tij katër shekullore. Ambienti i mrekullueshëm ishte rezervuar për shënimin e dyvjetorit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri. Morën pjesë mysafir nga disa vende, ndër të cilët edhe  Lazim Destani, kryetar nderi i Unionit Global të Bizneseve Shqiptare. Tubimin e hapi Arben Myftari, sekretar i Rrjetit për Austri, kurse në emër të nikoqirit përshëndeti Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit për Austri dhe nënkryetar i Unionit Global. “Para dy vjetësh e filluam një rrugëtim të  përbashkët mbi bazat e tri kritereve. Kriteri i parë është të punojmë bashkë, të rritet besueshmëria mes bizneseve shqiptare në diasporë, kriteri i dytë është investimet në vendet tona dhe i treti mbrojtja e investimeve tona. Ne veprojmë në vendet me ekonomi të zhvilluara ku respektohen ligjet investuese, kurse në vendin tonë kemi ekonomi në zhvillim ku ngecjet janë evidente. Ne mundohemi që përmes kontakteve me institucionet përkatëse të ndihmojmë në zgjedhjen e problemeve rreth investimeve” . Në fjalën përshëndetëse biznesmeni i njohur shqiptar Lazim Destani mes tjerash tha: “Ne punojmë në vendet me ekonomi të zhvilluara dhe kemi suksese, por më vjen keq për vendlindjen ku rinia edhe pse kryen shkolla mbesin pa u punësuar. Nisur nga kjo, do thosha, që secili prej nesh ta ketë si obligim në shtimin e investimeve dhe punësimin e sa më shumë njerëzve atje. Vështirësi ka gjithmonë, sfida ka gjithmonë, por asnjëherë mos u gjunjëzoni para tyre në punën tuaj. Duajeni  punën tuaj dhe kryeni me vullnet si çelës i suksesit në biznes”
Arben Myftari prezantoj aktivitetet kryesore të bizneseve gjatë këtyre dy vjetëve. Më konkretisht rreth realizimit me sukses të disa projekteve ndërtimore në bashkëpunim folën Argëtim Hani , projekti “Sigmundgasse” dhe Naim Rugova rreth projektit “Lorystrasse”. Nga aktiviteti i biznesmenëve dhe me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës u themelua revista “Porta” të cilën e prezantoj redaktorja Lindita Fetiu-Sina. “Revista Porta është një magazinë direkte dedikuar diasporës shqiptare, sukseseve të saj” –tha mes tjerash ajo.
Saranda Iseni, kryetare i Rrjetit në Suedi përshëndeti në emër të vendeve Skandinave. “Jemi ende në fazën fillestare të formimit, por shembullin e  Austrisë do përpiqemi ta ndjekim në formën e bashkëpunimit mes veti”.  Ishin prezent Omer Nura(Finlandë), Atan Labjani (Angli), kryetari i Shoqërisë Kulturore “Migjeni” nga Sllovenia, Tahir Maliqaj etj.
Në programin e ofruan nga organizatori ra në sy mungesa e fjalës së stafit diplomatik të vendeve tona. Të jetë koha e limituar e programit apo e diplomatëve  në raste të tilla vërehet mungesa e përfaqësimit të vendlindjes, pa të cilën s’ka shije të plotë, aq më shumë një përvjetor i nisur pikërisht nga hapësira e shtëpisë së përbashkët para dy vjetësh. Programi u shoqërua me koktej rasti.

Vjenë, 11 dhjetor 1015.

 

Filed Under: Mergata Tagged With: 2 vjetori, Austri, Hazir Mehmeti, rrjeti i bizneseve shqiptare

BUKURESHTI I ZEMRAVE TONA

December 13, 2015 by dgreca

Nga Neki Lulaj/

Pikërisht 4 dhjetor 2015. Nuk jam as qytetari i parë i  Republikës të Kosovës dhe as ai i fundit që aterizoi në aeroportin ndërkombëtar Otopeni.të Bukureshtiti.

Mikpritësi  im Ztr.Baki Ymeri,na priti me revistën ”Albanezul” si shenjë njohjeje, edhe pse me të njihemi kaherë. Gjatë rrugës për në qytet nga tregon aeroportin lokal dhe një arqitetktur ndertesash në Bukuresht.

Me vonë vjen lagjëja Baneasa. Mos vjen vallë nga shqipja ”banoj” apo ”banesë” kjo fjalë? Këtu në vitin 1938  dikurë ishte pylli ku dilnin në piknik boboshtarët dhe drenovarët me Asdrenin në mes.

Asdreni me drenovaret  në piknik ne pyellin Benesa te Bukureshtit  1938.

Burrat e kombit nuk i harron koha kurrë ndryshku i kohës, sepse ata punuan në kohëra të vështira për ditë me të mira, të cilat sot i gëzojmë ne. Lavdi karvanit të gjatë të atdhetarëve dhe patriotëve tanë që vepruan në Bukuresht, Sofje, Konstantinopojë, Egjypt ,Kozencë Boston e gjetiu. Njëri ndër ta është edhe Plaku i Vlorës, Ismail Qemali, bustin e të cilit në zemër të Bukureshtit para Hotel Continental qe  pata nderin ta shoh e përqafoj.

Në hyrjen kryesore te Hotel Continental Neki Lulaj pranë shtatores të Ismail Qemajlit në Bukuresht 5 Dhjetor 2015

Me iniciativën e ZtrBaki Ymerit në shoqatën e shkrimtarëve u mbajt një orë e madhe letrare. Në mesin e një numri të madh të pranishmëve, rumunë shqiptarë dhe arumunë, ishte edhe autori i këtij reportazhi, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë nga Gjermania. Ndoshta po e teproj nëse them se me paraqitjen time dinjitoze e përvetësova publikun duke zgjuar një admirim të veçantë ndaj  shtetit me te ri te botës Kosovës.

Me këtë rast, shoqata respektive dhe Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë më shpallën Anëtar Nderi, duke kërkuar të lidhën ura bashkëpunimi me LSHAKSH.ne Gjermani Me përkthimin e vargjeve të mia në gjuhën rumune, poeti dhe eseisti Lucian Gruia theksoi se djepi i kulturës nga rilindësit që përkundej dikurë në Bukuresht, tani ka zënë vend meritor edhe në pjesë të ndryshme të landeve të Gjermanisë.

Pas manifestimit dhe një darke solemne, vazhduam rrugëtimin që nga godina e ku ka funksionuar shtypshkronja e parë shqipe ku për herë të parë e kanë parë dritën e botimit veprat e Naimit dhe rilindësve tanë, e deri te busti i shkrimtarit të famshëm rumun me origjinë shqiptare Viktor Eftimiu.

E pamë me këtë rast edhe ish kishën shqiptare ku ne periudhen 1911-1914 janë  kryer  ritet fetare nga komuniteti Ortodoks shqiptar të Bukureshetit, ku ka meshuar në gjuhën amtare personaliteti i shquar i letrave dhe i kulturës shqiptare.Kryeministër i Shqipërisë ne periudhen Qershor _Dhjetor 1924 pra Noli ynë i pavdekshëm, dhevazhduam  deri te shtëpia Mihai Voda Nr 13 Bukuresht ku ka jetuar Asdreni.

Në ndërkohë, gjatë vizitës sime 5 ditore, patëm nderin ta njohim liderin historik të shqiptarëve të Rumanisë, Dr. Xhelku Maksutin, mikun e madh të Kosovës, zt. Tiberius Puiu, duke komunikuar edhe me Zonjën Adriana Tabaku, të stërmbesën e Dhimitër Emanoilit që pat vajtur me delegacionin e Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë.

Tejet interesante dhe mbresëlënëse ishin varrezat shqiptare të Bukureshtit, ku gjendej edhe varri i Asllan Rexhepit, bashkëluftëtar i Bajram Currit, lulishtja Çishmixhiu, shtëpia ku ka jetuar princesha rumune me origjinë shqiptare Dora d’Istria (Elena Gjika), spitali ku qe shtrirë kryeveterani i veteranërisë shqiptare Nikolla Naço, Pallati Mbretëror, Pallati i Parlamentit, Universiteti i Bukureshtit, Kisha Luterane ku gjendet varri i Princ Vidit, banesa e botuesit të revistës ”Shqiptari”, një arkiv i gjallë vlerash të vjetra shqiptare.

Pesë ditë ikën shumë shpejtë sikur mos te na ndihmonte  edhe nata do të ngelnin borgj  i pa shlyer kohës se qendrimit tim në Bukuresht  ngase kemi fjetur vetëm pesë orë duke u marr me shfletimin e dokumeteve  arhivore me një vlerë të pa çmuar kombëtareme .

Mëngjesi i hershem i këthim -udhëtimit na zuri të zgjuar ngas nuk fjetëm fare,por mjegulla që na përcolli që nga Bukurshti i madh e deri te aeroporti nderkombëtar Otopeni me një rigë te dendur shiu simbolizonte ndarjen e pa deshiruar nga miku i madh i kulturës dhe letrave shqipe Ztr. Baki Ymeri,te cilin e lash me sy  të  përlotur ne Bukuresht .

Bukuresht-Speyer 13 Dhjetor 2015

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bukureshti, neki Lulaj

Faleminderit zoti Kryeministër!

December 13, 2015 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Gjithkush në këtë vend e di se PS e para saj PPSH kanë patur dhe kanë një ndjesi dhe refleks antiverior. Ndre Legisi, një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste, e përmendi këtë fakt para disa muajsh, duke pohuar një të vërtetë të padiskutueshme. Jam përpjekur të shmangem në trajtimin e kësaj teme dhe madje nuk kam botuar shumë shkrime të këtij karakteri atëherë kur botoja revistën KOHA, në vitet 1998-2002. Ndonjë nga miqtë e mij kolegë më ka tërhequr vëmendjen për këtë, por jemi pajtuar në diskutime ose në heshtje se hapja e diskutimit për diskriminimin krahinor nuk i shërben pajtimit kombëtar dhe të ardhmes së vendit tonë. Vazhdoj të mbetem në këtë linjë mendimi, sepse më shumë se shtëpia ime e krahina ime më dhimbset Shqipëria, kombi e atdheu.
Megjithatë kryeministri Rama me deklaratën e tij në Sarandë atakon dhe fyen jo vetëm Berishën, por edhe ata që ai i quan “shpellarë”. Kur nuk ishte kryetar i PS-së dhe kryeministër pati artikuluar shumë herë fyerje të tilla. Si kryeministër deri më sot e ka shfaqur urrjetjen e tij krahinore duke u tallur me ata që ai quan votues të tij në Veri. Kush i ka ndjekur takimet e kreut të ekzekutivit në dy fushatat elektorale e sidomos këtë të fundit për zgjedhjet vendore, ka parë se si në batutat e tij zoti Rama ironizonte dhe fyente qytetarët e këtij vendi me prejardhje ose banorë të asaj që ai i quan Alpe. Këto qëndrime vijnë të freskëta në memorien tonë edhe në rastin e shpërndarjes së tapive elekorale të kryeministrit tonë.
Por në rastin e sotëm, me deklaratën e tij në Sarandë, i mbështetur plotësisht nga Koço Kokëdhima, Rama i shkoi deri në fund misionit të tij: Sipas tij pronat e pronarëve i kanë zaptuar njerëzit e ardhur nga Alpet (shpellat) që atë ditë që Saliu mori pushtetin. Alpet dhe Berisha jënë në të vërtetë një sinonim I njëri-tjetrit. Ndërsa socialistët si kurrë ndonjëherë ndokush, si kurrkund në ndonjë vend tjetër në botë, e shndërruan në kauzë lidhjen që i bënë, sipas tyre “shpellës-shpellarëve dhe Berishës”, të cilit preferojnë t’i thërrasin “Saliu”. Unë e kam ditur gjithmonë se Sali Berisha është sulmuar që ditën e parë, jo si opozitar, por si “malok”, nëse do të përdornim zhargonin që Edi Rama përdor jozyrtarisht. Eshtë në metodologjinë dhe doktrinën e socialistëve dhe ideologjisë socialiste që të luftojnë njeriun në qenien e tij biologjike. Lufta biologjike është karakteristikë e sojit të marksistëve që sot janë në pushtet. E tillë ishte lufta kundër Sali Berishës gjatë më shumë se 25 viteve dhe e tillë do të mbetet deri në fund. Të tillë luftë biologjike bëri psh Milosheviçi në Kosovë. Por ka edhe shembuj të tjerë, më i tmerrshmi prej të cilëve përmendet holokausti.
Kjo luftë biologjike është zhvilluar sistematikisht, çdo ditë, çdo orë, me një regji perfekte, me regjizor, skenaristë, aktorë, dhe figurantë të shumtë. Janë paguar miliona për suksesin e kësaj lufte. Me para nga aferat e korrupsionit, trafiqeve dhe spiunazhit. Qëllimi ka qenë i njëjtë: Rrëzimi i Berishës nga pushteti ose pamundësinë e marrjes së pushtetit prej tij. Megjithatë artikulohej me disa definicione relative si “primitivë”, “arkaikë” etj. Edi Rama dhe zevendësi i tij, Koço Kokëdhimë i dhanë fund sot narrativave të tilla. Ata dolën hapur, prandaj meritojnë falenderimet e mia të veçanta. Në fund të fundit u bënë me dije socialistëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste në Veri të vendit tonë se janë antiveriorë, se kanë sentiment urrejtjeje biologjike për Veriun e Shqipërisë, se nuk e durojnë veriorin në pushtet, madje as në administratën shtetërore, as në hierarkinë gjyqësore apo ushtarake. Pra, janë për një luftë me armë ideologjike biologjike. Nëse do të bënim një studim për përkatësinë krahinore të të larguarve nga administrate e shtetit pas vitit 2913, do të kishim një statistikë lemeritëse sa I përket diskriminimit të veriorëve. Megjithatë askush nuk është ankuar me këtë arësyetim. Nëse do të përdorja shembuj që njjoh vetëm unë, do të duhej një listë aq e gjatë sa nuk do të mund t’i nxinte asnjë gazetë. Megjithatë asnjëhërë, askush nga veriu, qoftë ky politikan a diçka tjetër me ndikim në opinionin publik, nuk e ka artikuluar këtë fakt. Megjithatë Edi Rama nuk ndalet. Ai fyen kolektivisht qytetarët e tij, zgjedhësit e tij, votuesit e tij, ata që u bashkuan para më shumë se dy vitesh në “shuplakën njëmilionëshe kundër Sali Berishës”. Tani që këta votues po i bëjnë thirrje Berishës të rikthehet, se Rama po ua nxin jetën, kryeministri ynë po përdor kartën e fundit që i ka mbetur, përçarjen krahinore. Nuk kishte bërë më shumë se kaq dikur në vitin 1914-1924 Esat Pashë Toptani. Të dy, Toptani dhe Rama, njësoj si diktatori Hoxha veprojnë me të njëjtin synim: Pushtetin – pa marrë parasysh faturën që do të mund ta paguajnë shqiptarët.
Kryeministri ynë i bën me dije edhe atyre pak naivëve në Kosovë, të cilët besojnë se Edi Rama është patriot, se fyhreri ynë, fatkeqësisht, ska kurrëfarë lidhje me patriotizmin, me flamurin, me kombin e atdheun. Një kryeministër që e ndan territorin e tij që administron në të mirë e të këqinj, që i etiketon njerëzit sipas përkatësisë krahinore, fetare a sociale, ai kryeministër është më e pakta një udhëheqës përçarës i familjes së vet kombëtare. Lufta biologjike kundër alpinëve (shpellarëve) është edhe luftë kundër Kosovës, sepse në thelbin e saj pushteti konceptohet si tapi e krahinave dhe krahinarizmave në Shqipërinë e Edi Ramës. Me Kosovën dhe Shqipërinë në një shtet të përbashkët peshorja e pushtetit do të anonte kundër Edi Ramës, por jo kundër patriotëve të mëdhenj të Jugut të Shqipërisë.
Përdorimi i kësaj teze antishqiptare është në fakt një përpjekje e fundit e kryeministrit shqiptar për të garantuar disa vota më shumë të atyre që besojnë se “malokët janë e keqja e Shqipërisë”. Ndoshta ka njerëz në këtë vend që mun edhe të besojnë se jo Rama, por Berisha është e keqja e Shqipërisë. Prandaj i gjendur përballë presionit të jashtëzakonshëm për largimin nga pushteti, Rama lëshoi sot “bombën atomike” të përçarjes kombëtare. Nesër ka rrezik që t’i drejtohet komuniteteve fetare, duke i shtyrë ato në një konflikt të pamerituar. Edhe për këtë kryeministri duhet falenderuar. Sepse pas kësaj dite të gjithë në Shqipëri duhet të jenë të kujdesshëm, jugorët, veriorët, muslimanët, katolikët dhe ortodoksët. Dhe jo vetëm të kujdeshshëm, por edhe të vendosur për t’i thënë ndal këtij turi armiqësor që ka marrë kryeministri shqiptar kundër shqiptarëve.
Zoti Rama mendon se ofendon dhe fyem vetëm malësorët me deklarimet dhe ndjesitë e veta antiveriore. Në të vërtetë ai përgatit një dramë për shqiptarët, atë dramë, të cilën ne nuk e lamë të na ndiqte në asnjë periudhë të zhvillimit dhe civilizimit tonë, as në antikitet, as në mesjetë, as nën Perandoorinë Osmane, as nën mbretërinë e Zogut, as në regjimin e diktaturës komuniste. Këto 25 vite që kaluan në demokraci politika nuk ka bërë shumë për këtë vend. Por së paku ka parandaluar një konflikt të hapur e të rrezikshëm mbi baza krahinore e fetare. Viti 1997 bën përjashtim, ai ishte viti i artë i lulëzimit të të gjitha paradokseve antiveriore. Por falë tolerancës së “malokëvë” përballë atyre që kërcënonin të marshonin drejt Tiranës nuk përfundoi në një luftë civile.
Edi Rama dhe Koço Kokëdhima, ndoshta duan të përgatisin një 1997-të të dytë. Kjo nuk do të ndodhë. Sepse “malokët” nuk kanë kurrëfarë fobie përballë askujt në këtë botë. Produkt i civilizimit (apo shpellarizmit, sipas Ramës) në Alpe dhe rreth tyre ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pjetër Bogdani, ai që ndërtoi shtetin e parë shqiptar, pra Ahmet Zogu, bamirësja më e madhe e të gjitha kohërave dhe në të gjithë botën, Nënë Tereza, pacifisti i rangut ndërkombëtar dhe njëkohësisht nacionalisti I thekur, Ibrahim Rugova, liberatori më i madh në historinë tonë moderne, Sali Berisha, heroi i demokracisë shqiptare, Azem Hajdari. Prandaj zoti Rama nuk e komplekson dot Veriun, nuk mund të injorojë produktin e Alpeve Shqiptare, nuk mund të sfidojë askënd me deklarata të tilla. Thjesht dëshmon atë çfarë ai është dhe çfarë në të vërtetë përfaqëson. Edhe ose thjesht për këtë meriton respekt. Thuhet se po nuk dëshmove vetë se kush je, askush nuk e merr vesh se çfarë përfaqëson. Zoti Rama e tha me gojën e tij se kush është dhe çfarë përfaqëson për këtë vend. Edhe kjo është një ndihmë e madhe për publikun shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, faleminderit, Kryeminister

ILIR DEMALIA: “GURI I FUNDIT I DOMINOS”

December 13, 2015 by dgreca

Në librin e tij,”Guri i Fundit i Dominosë”, duke folur për gjëndjen aktuale në Shqipëri, Demalia fajëson “intelektualët”dhe klasën politike, e cila ndonëse 25 vjetë më vonë, gjithnjë vazhdojnë të mjegullojnë ngjarjet e Korrikut të vitit 1990, për qëllime të veta politike të rastit./

Nga Frank Shkreli/

Gjatë ditëve të fundit në fillim të dhjetorit në Shqipëri u shënua 25 vjetori i lëvizjes që çoi në shëmbjen e regjimit të diktaturës komuniste shqiptare.  Ky përvjetor u kujtua, ndër të tjera, me simpoziume, artikuj, kumtesa, botime dhe intervista nga pjesëmarrsit e atyre ngjarjeve historike si dhe prej ekspertëve të ndryshëm nga mbrenda dhe jashtë Shqipërisë. Të gjithë ata, me analizat dhe kumtesat që paraqitën, dhanë  kontributin e vet për të shpjeguar  nga pikëpamja e tyre, lëvizjen studentore të 25 viteve më parë, si një ngjarje të rëndësishëme në historinë e kohëve të fundit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.   Njëri prej pjesëmarrësve kryesor në protestat studentore anti-regjimit komunist të Shqipërisë është Ilir Demalia, i cili një çerek shekulli më parë ishte njëri prej të strehuarve në ambasadën gjermane në Tiranë me më shumë se tremijë të tjerë të rinjë shqiptarë.  Ilir Demalia, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç duket nuk u ftua në asnjë prej organizimeve zyrtare  të Tiranës në përkujtim të  këtij përvjetori, por megjithkëtë ai prapseprap e gjeti mënyrën për të paraqitur ndodhitë, dëshmitë dhe refleksionet e tija si protagonist kryesor dhe si pjesëmarrës aktiv në ato ngjarje të 25 viteve më parë. Ai e dha kontributin tij çmueshëm duke kujtuar ngjarjet dhe lëvizjen studentore të gjysmës së pare të vitit 1990.  Për të shënuar këtë përvjetor, ai ka botuar librin me titull, “Guri i fundit i Dominosë” — Shqipëria si vendi i fundit komunist në Europë për të bërë ndryshime pas shembjes së Murit të Berlinit — është një përmbledhje dëshmishë historike nga pikëpamja e Ilir Demalisë, një protagonisti dhe pjesëmarrësi kryesor në të ashtuquajturin “episod i ambasadave”.

Fatkeqsisht, shumë prej protagonistëve të tjerë kryesorë të  atyre ngjarjeve të vitit 1990, si dhe mijëra të rinjë që trimërisht hynë në ambasadat e huaja në atë kohë nuk jetojnë më në Shqipëri, por ashtu si edhe autori i librit,”Guri i fundit i Dominosë”,  kanë marrë rrugën e gurbetit duke u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vendet e Bashkimit Europian.  Janë këta pjesëmarrës, këta “rebelë”, ata të cilët, “me aktin e tyre diskredituan dhe gjunjëzuan regjimin e fundit Stalinist në Europë”, shkruan autori.  Janë këta pjesëmarrës në ato ngjarje, thekson Demalia, ata të cilët me të drejtë do të mbeten në kujtesën historike në lidhje me ato ndodhi të 25 viteve më pare.  Janë pikërisht këta, së bashku me personelin diplmatik të ambasadës gjermane që bënë aq shumë për të përballuar një situatë tepër të rrezikshme, të cilëve autori ua kushton me mirënjohje këtë vepër.

Në kuadër të 25-vjetorit të lëvizjes demokratike e cila konsiderohet si lëvizja që kontriboi në rrëximin eventual të regjimit stalinisto-komunist të Shqipërisë — të shembjes së “Murit të Berlinit”,mu në mes të Tiranës, thotë autori. Një lëvizje kjo që mund të thuhet se çoi në një sistem pluralizmi me shumë parti politike, — por jo në një demokraci të mirfilltë, një system politik që në të vërtetë atëherë dhe sot, është dominuar dhe dominohet nga dy forcat kryesore politike, Partia Socialiste, pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Partia Demokratike.  Me këtë përmbledhje dëshmishë, Ilir Demalia jep kontributin e tij të çmueshëm për të zbardhur sadopak të vërtetën mbi ato ngjarje e lëvizje, në të cilat ai vet mori pjesë, ndërsa u dallua si pjesëmarrës guximtar, “një zë intelektual disi i vetmuar në mes atyre që i desha”, do të shprehej ish-ambasadori gjerman i asaj kohe në Tiranë, Werner Daum, për Demalinë.

Ilir Demalia ka përmbledhur kujtimet e tija të asaj periudhe në librin “Guri i fundit i Dominosë”,  sidomos kujtimet e tija mbi ato që tani kanë hyrë në histori si  “ngjarje të ambasadave”, kur mijëra shqiptarëve u kishte ikur frika dhe vendosën të hynin me forcë për të kërkuar strehim në ambasadat e asaj kohe në kryeqytetin shqiptar, sidomos në ambasadën e Gjermanisë.  Ai shkruan se u detyrua të botonte librin në lidhje me këtë lëvizje, sepse siç thekson ai, “Kjo ngjarje është trajtuar në mënyrë të njëanshme, si nga armata e njerëzve të regjimit që sot janë pjesë e të majtës qeverisëse”, por gjithashtu shton ai, edhe për arsye  të “neglizhencës të ashtuquajturave forca demokratike, gjë që u pa qartësisht në këtë 25-vjetor,” nenvijon autori.

Që në fillim, Demalia i premton lexuesit se në këtë liber ai do të gjejë një analizë të një dëshmie historike të ngjarjeve të 1990-së, “me ftohtësinë e distancës kohore.”  Në këtë libër kujtimor, autori e bën analizën dhe shënon kujtimet e tija  duke derdhë përvojën e vet dhe të shokëve tij gjatë asaj kohe në Tiranë dhe si protagonisti kryesor i atyre ngjarjeve, do të thosha Demalia e shfaqë këtë jo thejshtë me shënime, por edhe me qëllime morale depërtuese dhe qëndrime të theksuara politike.   Periudha për të cilën shkruan ai, ishte një periudhë e mjerueshme dhe plot turbullira për popullin shqiptar. Autori Demalia shkruan për një numër të larmishëm ngjarjesh duke pasqyruar në këtë vepër, pështjellimin e tyre plot turbullim e fatkeqsi, por edhe me shpresë për një jetë më të mirë, pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri.  Aty, ai shkruan për rreziqe e ndjekje, peripetira diplomatike, madje edhe spiunazhi, flitet për një rini të shëndosh dhe guximtare e cila pakënaqsitë e saj ndaj regjimit të kalbur dhe kriminel gjysëm shekullor komunist, kishte vendosur  t’i shprehte duke “votuar me këmbë”. Kishin vendosur që duke u future nepër ambasada të huaja, të largoheshin një sahat e më pare, nga një sistem në të cilin kishin lindur, ishin rritur e shkolluar madje edhe indoktrinuar. Kishin vendosur, që madje përball rreziqeve të mëdha edhe për jetën të arratiseshin nga një sistem i pa përspektivë dhe zhgënjyes.   Një sistem që jo vetëm mohonte liritë bazë të shtetasve të vet, por i cili nuk i ofronte shqiptarëve plotësimin as të nevojave bazë për një ekzistencë minimale dhe për një jetesë gjysëm normale.

Zoti Demalia me të drejtë shkruan se ngjarjet e dhjetorit sado mbresëlënse dhe serioze që ishin për nga vendosmëria e rinisë guximtare për tu shmangur një herë e mirë nga sistemi komunist që pothuaj kishte dhënë shpirt anë e mbanë Europës lindore — ato nuk mund të analizohen në një zbrazëti ose në një izolim nga ndryshimet që po ndodhnin anë e mbanë ish-botës komuniste. Ai thotë se ato duhen shikuar “në radhë të parë si një dështim i sistemit komunist”, në fushën ideologjike, por çka është më me rëndësi, edhe nga këndvështrimi i dështimit të atij sistemi në fushën politike dhe ekonomike.   “Ngjarjet e korrikut 1990”, pohon autori, “çuan në ndryshime që nxorën lakuriq regjimin komunist të Tiranës në arenën ndërkombëtare.”  Autori Demalia shkruan se përmbysja e regjimeve komuniste mbrenda një periudhe disa muajshe anë e mbanë Europës Lindore, “tregoi qartë kalbëzimin e sistemit komunist, si një sistem antinjerëzor dhe si rrënim ekonomik moral dhe politik”.  Megjithë egërsinë e regjimit komunist të Tiranës, as në Shqipëri nuk mund të ndodhte ndryshe, megjithë pretendimet e Ramiz Alisë së Shqipëria do i mbetej besnike rrugës komuniste të ndjekur deri atëherë, pasi kjo “ishte dëshira e popullit shqiptar”, sipas ish-udhëheqsit komunist dhe se e gjithë kjo përpjekje anti-regjim ishte pjesë e një komploti  ndërkombëtar kundër kështjellës së fundit staliniste në Europë.

Por pa marrë parasyshë se ç’thonte dhe çfarë ëndërronte Ramiz Alia mbi përkrahjen që gjoja gëzonte regjimi i tij komunist, treni i ndryshimeve në Shqipëri e kishte lënë stacionin.  Në lidhje me hyrjen masive të shqiptarëve në ambasadat a huaja 25 vjetë më parë — si masa fillestare e ndryshimeve — në librin e tij, autori citon analistin e njohur të çështjeve shqiptare Dr. Elez Biberaj, i cili ka shkruar se përveçse kjo ngjarje zgjoi interesimin e opinionit publik sidomos atij perëndimor mbi ato që po ndodhnin në Shqipëri, episodi i ambasadave, “dëshmonte një mosbesim të thellë ndaj qeverisë dhe ishte një shenjë dramatike e hendekut të thellë që ndante nomenklaturën komuniste nga masat. Ai ishte jo vetëm një goditje e rëndë për Partinë e Punës nga e cila ajo kurrë nuk e mori dot veten, por ishte gjithashtu edhe një dëshmi e qartë se regjimi, megjithë natyrën e tij thellësisht shtypëse, nuk ishte i pamposhtshëm”, është shprehur Dr. Elez Biberaj.

Titulli i librit “Guri i Fundit i Dominosë” nënkupton se Shqipëria ishte vendi i fundit komunist në Europë për të bërë ndryshimet që kishin përfshirë Europën lindore. Për këtë Demalia ngarkon me një barrë të rëndë përgjegjësie elitën inteletuale për mbështetjen që u dhanë udhëheqsve të atij regjimi. Autori  i fajëson dhe e dënon rëndë klasën e ashtuquajtur intelektuale duke i cilësuar ata si “intelektualë në shërbim të regjimit”, të cilët  me mbështetjen e tyre aktive ose të qetë, ia zgjatën frymëmarrjen regjimit të Ramiz Alisë.   Autori kritikon këtë klasë politike duke thënë se madje edhe sot pas 25 vjetësh, “E ardhmja shtetërore, politike, ekonomike, sociale dhe morale e vendit është e rrezikuar nga oligarkia e krimit që e ka sunduar politikën, median,  ekonominë, shoqërinë me intelektualët, në pjesën më të madhe në shërbim të këtyre oligarkëve — ashtu si dje me shërbimin ndaj oligarkisë komuniste, na tregon qartë”, shkruan Demalia se, “ende udhëhiqemi nga po ajo elitë dhe mendësi që i shërbeu regjimit komunist dhe demokratizimit ramizian në postkomunizmin demokratik.”

Në librin e tij,”Guri i Fundit i Dominosë”, duke folur për gjëndjen aktuale në Shqipëri, Demalia fajëson “intelektualët”dhe klasën politike, e cila ndonëse 25 vjetë më vonë, gjithnjë vazhdojnë të mjegullojnë ngjarjet e Korrikut të vitit 1990, për qëllime të veta politike të rastit. Ai shkruan se si përfundim i “Fshehjeve të së vërtetës nepërmjet makinerisë së falsifikimit të fshehjes së krimit”, komenton mëtej  Demalia, tani “kemi si vazhdimësi një tranzicion me një klasë politike jo vetëm që nuk ka mundur të ngrej një shtet funksional të së drejtës demokratike, por në të kundërt, sot zotërohemi nga një klasë politike injorante, kriminale, kundër interesave kombëtare dhe të qytetarëve të saj”. Si në dëshpërim përballë situatës së sotëme politike dhe ekonomike në vend — në 25 vjetorin e një lëvizjeje kur të rinjtë shqiptarë kërkuan lirinë në ambasadat e huaja në Tiranë — Ilir Demalia bën më në fund pyetjen me ironi dhe cinizëm, se ku po shkon sot Shqipëria!?  Është kjo një pyetje që po e bëjnë shumë veta në këtë përvjetor — shqiptarë dhe të huaj — të cilët 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit, dëshirojnë të shohin një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që duhej të zinte vendin që i takon në radhët e kombeve të zhvilluara europiane, me një demokraci dhe zhvillim ekonomik shoqëror të bazuar në vlerat e përbashkëta me vendet perëndimore.  Ku është elita intelektuale shqiptare sot, pyet autori, e cila ndonëse për fat të keq nuk luajti rolin që i takonte dhe që duhej të luante 25 vjetë më parë, të pakën thotë autori, intelektualët të luajnë tani rolin që u takon në shoqërinë shqiptare, për përmirësimin e përgjithëshëm të situatës në të gjitha nivelet politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të vendit, ashtuqë në këtë tranzicion post-komunist 25-vjeçar, Shqipëria të dalë njëherë e mirë nga ky qorrsokak ku e ka mbërthyer trashëgimia enveristo-komuniste. Ashtuqë, të realizohen më në fund edhe aspiratat e lëvizjes së ish-studentëve shqiptarë, përfshirë edhe autorin e librit “Guri i Fundit i Dominosë”, të cilët një çerek shekulli më parë, e donin Shqipërinë si gjithë

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT