Zv/ministrja e Arsimit dhe e Sporteve të Republilkës së Shqipërisë znj.Nora Malaj midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në mjediset e shkollës publike amerikane PS 9, Staten Island ku zhvillon mësimin shkolla shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të Nju Jorkut si në Staten Island, Brooklyn dhe Manhattan me ftesë të themeluesit dhe drejtorit të Shkollës Shqipe z.Qemal Zylo erdhi një ekip pune i kryesuar nga z/v ministrja e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë znj.Nora Malaj. Ekipi ka në përbërje drejtoren e arsimit të Bashkisë së Kamëzës znj.Ermioni Cekani, drejtorin e gjimnazit të Kamëzës z.Sherif Koldashi, shkrimtarin dhe publicistin mësuesin z.Novruz Xh. Shehu, znj.Albana Muhametaj z/v drejtore e shkollës në Paskuqan si dhe vajzën simpatike, me e reja e ekipit Klestia Cekani.
Ardhja e tyre u sponsorizua nga z.Sami Muhametaj për të cilin shprehim mirënjohjen tonë.
Shkollën Shqipe “Alba Life” e kanë vizituar dashamirës, njerëz të thjeshtë, senatorë amerikanë si z.Martin Golden, kongresistë, Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut shqiptari i nderuar z.Mark Gjonaj, konsuj, ambasadorë të Kosovës në Washington si Vlora Çitaku dhe së fundi ekipi i punës nga Shqipëria e kryesuar nga z/v ministrja e Arsimit dhe sporteve të Shqipërisë znj.Nora Malaj, vizitë që merr një rëndësi të veçantë për sensibilizimin e mbarë Diasporës shqiptare dhe dy shteteve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë për Gjuhën Shqipe. Më duhet të them se jo çdo politikan e ka në axhendë takimin me nxënës të shkollave shqipe kudo në Amerikë, ndonëse mund të ketë pasur prej tyre që kanë kaluar pranë shkollës sonë me “limuzinë” dhe s’kanë ndaluar qoftë dhe 5 minuta per t’i përshëndetur…
Prandaj këtë ekip pune që erdhi direkt nga Shqipëria e vlerësoj dhe e çmoj për respektin që treguan për punën e mësueseve, prindërve dhe nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life”,
në New York.
Ekipi i punës u mirëprit me tufa me lule ngrohtësisht nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit pranë kësaj shkolle.
Gjithmonë mirëpresim gjithëkënd që vjen pranë nxënësve, por ardhja e ketij ekipi direkt nga Shqipëria për t’u takuar dhe parë sy më sy me punën e mësuesëve dhe të nxënësve është emocionuese dhe e bukur. Është e bukur dhe plot kuptim se si shqiptarë mbështesim njeri-tjetrin dhe është nje mision vetëm Shqip.
Fjalën e mirëseardhjes e ka mbajtur themeluesi dhe drejtori i shkollës Shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo i cili iu uroi mirëserdhjen gjithë ekipit të kryesuar nga z/vministrja e Republikës së Shqipërisë znj.Nora Malaj. Ai i falënderoi në emër të gjithë bordit dhe tha se ardhja e grupit të punës i shërben dhe më shumë urave të miqësise midis Shqipërise dhe Diasporës.
Në emër të shtetit shqiptar ka përshëndetur z/v ministrja e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë znj.Nora Malaj me një elekuencë në të folur midis të tjerash tha:
“Jam shumë e emocionuar dhe e gëzuar që të vi dhe t’ju përshëndes në emër të shtetit shqiptar dhe t’ju përgëzojë që po vini në shkollë shqipe për të mësuar gjuhën shqipe, traditat dhe kulturën shqiptare. Kurrë mos e harrroni se nga vini, kurrë mos i harroni rrënjët e të parëve, pasi rrënjët tona janë nga më të vjetrat në botë dhe për këtë ne na bën të jemi shumë krenarë si shqiptarë.
Sa të bukur që jeni, sa dashuri marr nga sytë tuaj që shkëlqejnë sepse vini të mësoni shqip. Falënderoj z.Qemal Zylo për ftesën, presidentin e TV “Alba Life” dhe themeluesin e shkollës shqipe Alba Life, ftesë që e mirëpritëm me kënaqësi më të madhe si ekip”.
Znj.Erimioni Cekani një mësuese me përvojë drejtore e arsimit të Kamëzës përshëndeti gjithë Bordin e shkollës Shqipe “Alba Life”, nxënësit, prindërit dhe mësuesit si dhe falënderoi përzemërsisht për pritjen e ngrohtë. Ndihem krenare tha mids të tjerash znj.Cekani që ndodhem midis jush, sepse ju dhe pse të lindur dhe rritur jashtë Atdheut po e ruani si gjënë me të çmuar Gjuhën Shqipe.
Në këtë takim përshëndeti shkrimtari i mirënjohur z.Novruz Xh.Shehu i cili tha se këtu midis jush të dashur nxënës të mrekullueshëm të shkollës shqipe më duket vehtja sikur jam në një Shqipëri të vogël në Amerikë. Unë për herë të parë prek nga afër tokën e premtuar, tokën e Lirisë që e shkelën të parët tanë dhe që iu bashkuan kauzës së Vatrës së Fan Nolit dhe Faik Konicës për çështjen kombëtare. Unë shoh nga afër dhe prek abetaren që ju mbani në duar dhe e mësoni atë që të mos harroni kurrë Gjuhën Shqipe, Gjuhën tonë hyjnore. Jam shumë i emocionuar dhe ju falënderoj shumë që na bëni të ndihemi krenarë për ju nxënës që e bëni këtë shkollë amerikane të gumëzhij shqip të shtunave. Ju lumtë!
Pas fjalëve të përzgjedhura dhe shkurt nga ekipi fjalën e kanë marrë mësueset Entela Muda dhe Dr.Valbona Zylo Watkins të cilat zhvilluan një orë mësimi të hapur shqip. Nxënësit përgjigjeshin shqip dhe krijonin fjalë apo fjali të bukura me 36 shkronjat shqipe që kanë hedhur rrënjë në palcën e shpirtit të tyre. Tabela e Alfabetit e përgatitur mjeshtërisht nga mësuese Entela ku në krye të tabelës ndrinte Flamuri shqiptar kuq e zi i jepte dhe më ngjyra shqiptare mjedisit të klasës së shkollës publike amerikane. Shumë prej tyre recituan vjersha në shqip, ndërsa kori i shkollës shqipe për të përshëndetur pjesëmarrësit këndoi: “Ty Flamur të duam shumë” si dhe hymnin e shkollës shqipe “Gjuha jonë” të udhëhequr plot kulturë nga drejtuesja artistike e shkollës shiqpe, sopranoja shqiptare Dëshira Ahmeti Kërliu.
Në fund nxënësit u përqafuan me të gjithë pjesëmarrësit e ekipit dhe bënë një foto të përbashkët, para shkollës publike amerikane PS 9, shkollë që na ka pritur përzemërsisht për të zhvilluar mësimin SHQIP.
Në drekë pune pas mësimit shqip
Pas mësimit sipas traditës shqiptare u ulëm së bashku në një drekë pune në lokalin “Nino’s restaurant” në Staten Island të sponsorizuar nga pronari z.Agim Ceku të cilin e falënderojmë publikisht.
Në këtë drekë ishte i ftuar Bordi i shkollës shqipe si dhe aktivistë të saj si pianisti i shquar prof.Petrika Melo drejtues artistik, Lindita Mezini Lole soprano e famshme, mësuese Mimoza Salillari, sekretare e Bordit, Odise Salillari, Dr.Valbona Zylo Watkins z/v presidente e Bordit, mbështetës të shkollës shqipe Agim dhe Mine Pira, Përparim Likollari si dhe gjithë mësuesit e Shkollës Shqipe si: Afërdita Kacupaj, Liza Pllumbi, Entela Elezi, Entela Muda, Gladiola Bako, Anila Syku dhe Raimonda Hysolli që i janë bashkuar këtij programi serioz për mësimin e gjuhës shqipe.
Në këtë drekë z.Qemal Zylo pasi bëri një rezyme të punës së stafit drejtues foli për programet e mësimit që ndjekin shkollat shqipe, program të miratuar nga të dyja qeveritë shqiptare si e Kosovës dhe e Shqipërisë si dhe për librat shqip që janë në dispozicion të tyre, ndërsa në sfond shfaqeshin pamje nga puna e nxënësve dhe e mësueseve të shkolles shqipe gjate viteve të mësimit.
Z/v ministrja e arsimit dhe e sporteve të Shqipërisë znj.Nora Malaj që në fjalën e saj rrezatoi humanizëm sipas opinionit të shumë pjesëmarrësve në këtë takim foli për programin që ka hartuar qeveria shqiptare për shkollat shqipe në Diasporë dhe për drejtorinë e diasporës pranë kësaj ministrie. Ajo vlerësoi sakrificat e shqiptarëve të Diasporës anë e mbanë në botë si dhe të mësuesëve të shkollës shqipe “Alba Life” që po punojnë me përkushtim për të mësuar gjuhën shqipe. Këto takime më shumë se takime pune jane si ura lidhëse midis Shqipërisë dhe Diasporës dhe për këtë ju falënderoj dhe ju inkurajoj pamasë që të mos ndaleni kurrë vazhdoi znj.Malaj.
Me plot profesionalizëm dhe dashuri foli dhe prof.Petrika Melo i cili jo vetëm që vlerësoi punën e stafit të shkolles, por dhe solli kujtimet e tij si prind kur ishte takuar për herë të parë me Qemalin pranë shkollës shqipe. Ai tha se ardhja e bijës sime Kristinës, (që mua si publiciste më duhet të shtojë se ajo eshte një artiste plot perspektivë për skenat amerikane) pranë shkollës shqipe bëri që ta mësonte gjuhën shqipe dhe për këtë ne e çmojmë pamasë punën e mësueseve dhe të Bordit drejtues.
Ndersa Dr.Zylo Watkins tha se une si bijë e dy prindërve që janë themelues të shkollave shqipe do të flas jo për prindërit e mi, por do të shpreh mirënjohjen time dhe mbeshtetjen time të pakufishme për të gjitha mësueset që punojnë ma aq pasion dhe dashuri për t’ju mësuar fëmijëve gjuhën e bukur shqipe. Ndonëse ndonjëherë si bijë e tyre përpiqem ta frenojë pozitivisht vecanërisht babain tim për arsye shëndetësore, përseri e kam te pamundur… Prandaj puna që kryejnë mësueset tona brenda në shkollë ka dashurinë time jo vetëm si mësuese pranë kësaj shkolle, por në radhë të parë si prind që sjellë fëmijën në shkollë dhe shoh ndryshime herë pas here në të folurin e saj në shqip dhe kjo fal mësuesëve të shkollës.
Ishte një takim pune emocionues do të më thoshnin në biseda të lira zonjat fisnike Cekani, Koldashi dhe Muhametaj, ndërsa z.Koldashi drejtor i gjimnazit të Kamëzës më tha se u preka dhe lotova kur dëgjoja nxënësit në Amerikë që flisnin shqip. Po aq e prekur dhe me lot në sy ishte zonja Muhametaj e cila tha se kur i dëgjoja nxënësit më preknin se mendoja djalin tim kur të bëhet prind i cili jeton në Amerikë.
Kjo ditë e bukur në një takim pune në drekë kaloi këndshëm, ku nuk munguan notat e humorit në diskutime si dhe të shoqëruara me këngë të gjuhës shqipe të interpretuara magjishëm nga sopranoja e shquar Lindita Mezini Lole, Dëshira Ahmeti Kërliu, si dhe këngë me ngjyra popullore nga Odise Salillari të shoqëruar si grup, po edhe nga vetë ekipi i ardhur enkas për shkollën shqipe “Alba Life”, si znj.Nora Malaj, Novruz Shehu etj…
Aktiviteti dhe ora e mësimit shqip u filmua nga bashkëpunëtori i TV Alba Life
z.Redi Hoxhallari.
Ishte një takim pune, mbresëlënës, plot dashamirësi, ishte nje takim pune që inkurajon dhe që lidh ura miqësie dhe bashkëpunimi për çëshjten më të rëndësishme të fëmijëve në Diasporë, mësimin e Gjuhës Shqipe.
12 dhjetor, 2015
Staten Island, New York