• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Protesta-Kryetari Basha: Çohu rini, çohu Shqipëri!-Rama ik! Meta ik!

December 8, 2015 by dgreca

Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha/

Të  dashur qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, Motra dhe vëllezër, Zonja dhe zotërinj,

Sot, në ditën tonë më të bekuar, në ditën e Lirisë, jemi mbledhur në këtë marshim madhështor proteste, në këtë referendum të jashtëzakonshëm të qytetarëve të lirë, për të kërkuar njëzëri, si një trup i vetëm, për të diktuar me fuqinë e mendjeve dhe zemrave tona largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do të bëje gati zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rama ik! Meta ik!

Para nesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje.

Ose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të  pranojmë duke bërë sehir largimin e  popullit,  largimin tuaj nga Shqipëria.

Ose të rrëzojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë.

T’i nënshtrohemi tiranisë së vjedhjes, krimit dhe varfërisë ose te reagojmë sot, nesër do të jetë vonë.

Rrugë të mesme nuk ka.

Nuk ka më kohë e nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me dyzet hajdutë.

Nuk ka më pritje dhe nuk duhet të presë më askush, asnjë ditë.

Pritja e mbaroi kohën e saj.

Propaganda dhe mashtrimet e mbaruan kohën e tyre dhe tani ngjallin vetëm neveri, vetëm indinjatë.

Përballë  krizës që vetëm thellohet;

Përballë varfërisë që vetëm rritet;

Përballë korrupsionit dhe makutërisë marramendëse;

Përballë zgjedhjeve të marra peng me  dhunë dhe blerje votash;

Përballë rrugëve të mbyllura të fatit për çdo shqiptar, përfshirë edhe rrugët e eksodit  të  dhimbshëm;

Përballë 1001 të zezave që ju i dini fare mirë sepse i keni plagë në trup, në zemër dhe në shpirtin tuaj

Kjo është përgjigjja dhe nuk ka tjetër

Kjo është zgjidhja dhe nuk ka tjetër: Të largohen, të ikin, të shporren.

Kjo është zgjidhja që vjen nga vuajtja, dëshpërimi, nga zhgënjimijuaj.

Kjo është zgjidhja  që vjen vuajtja, nga poshtërimi që ju bën një kryeministër që si hakmarrje ndaj lirisë që shqiptarët e fituan 25 vite më parë, zgjohet dhe ngryset me fjalët burg, burg, burg, për njerëzit e thjeshtë.

Kjo është zgjidhja që vjen nga kundërshtimi, nga papajtueshmëria dhe revolta popullore kundër aferave të megakorrupsionit dhe vjedhjes masive të pasurisë publike nga e gjithë kupola qeveritare me në krye Edi Ramën.

Kjo është zgjidhja që vjen nga mbushja e kupës dhe vrasja e shpresës se me këtë qeveri s’mund të ketë as një ditë të mirë.

Është zgjidhja që vjen nga zgjimi i vrullshëm i një populli tërë:

Ç’janë këta që gënjejnë, gënjejnë, gënjejnë dhe as skuqen, as nxihen?

Ç’janë këta që vjedhin, vjedhin, vjedhin dhe as skuqen, as nxihen, por vetëm fryhen e kapardisen?

Ç’janë këta që janë lëshuar si hordhi me kërbaç në dorë kundër popullit të tyre duke u mburrur se po bëjnë shtet.

Po bëjnë shtetin e tyre, shtetin ku pushteti i tyre është i veshur me krim, e krimi me pushtet.

Shtet ku ligjin e bëjnë narkotrafikantët, tutorët me të cilët ndajnë  paratë.

Shtet ku i pamunduri kalbet në burg për një kupon dhe kryehajdutët sa më shumë vjedhin aq më shumë kapardisen.

A është ky shteti ynë? Ky është shteti i tyre, e nuk mund të jetë e nuk është kurrë shteti ynë.

Të ikin, të largohen, të shporren!

Kjo është e vetmja zgjidhje për ta. Qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës e dogji në dy vite mandatin e saj katërvjeçar. Ajo është barrë shtesë, kosto shtesë për çdo shqiptar.

Me skandalet e tyre të përditshme, me bllokimin që i kanë bërë hetimit  kombëtar e ndërkombëtar të mega-aferave të tyre  të  pista,  Rama-Meta  nuk kanë të drejtë morale dhe politike për të vazhduar më asnjë ditë në detyrat që mbajnë.

Ikni, largohuni, shporruni!

Sepse kjo qeveri nuk është më në gjendje të korrigjojë kursin e saj të katastrofës kombëtare. Nuk munden, jo vetëm sepse janë të paaftë, siç e treguan në këto 2 vite, por edhe sepse më e keqja dhe më  fatalja, janë ata vetë që kanë kurdisur mekanizmin oligarkik të korrupsionit që mund ta ndalojmë vetëm duke e shkatërruar nga themelet.

400 milionë dollarë mungojnë nga tatimet dhe doganat.

400 milionë dollarë  është  shifra e tmerrshme e dështimit, shifra e tmerrshme e grabitjes, e korrupsionit, kontrabandës dhe  evazionit për llogari të  xhepave të Edi Ramës dhe lubive të tij.

Po kush është Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, kush  është Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ku bëhet gjithë kjo batërdi? Kush është kryeoligarku? Asnjë iluzion. Ka qenë dhe është vetëm Edi Rama.

Atë e gënjen  mendja se  mund të vazhdojë  të vjedhë e t’i punojë doganat e tatimet si t’i kishte të vetat. E gënjen mendja se nuk ka kush ta shkarkojë.

Ka, ka  kush e shkarkon.

E shkarkojnë qytetarët, e shkarkoni ju.

Kaq do të mjaftonte për t’i dhënë duart, për ta flakur nga dritaret këtë bandë që pozon si qeveri.

Por nuk mbaron këtu.

Kanë zhdukur  tenderin, kanë zhdukur garën si asnjëherë më parë me qëllim që paratë publike që po i bëjnë rrush e kumbulla.

E ndajnë me njëri-tjetrin me mburrje, duke u treguar dhëmbët dhe madje edhe burgun atyre që i tregojnë me gisht si kusarë.

E keni dëgjuar, e keni ndjerë dhimbjen dhe jeni skandalizuar. Tenderi pa garë i “Jaguar” për Ramën dhe ministrat- se nuk ju rri rehat në  makinat  që kanë- i jepet  ndërtuesit të vilës së Ramës.

Tenderi tjetër 5 milion euro i jepet në tavolinë-ndërtuesit të sarajeve të Edi Ramës.

30 tendera për ortakun e Beqës së Shëndetësisë, tendera e koncesione pa garë, si pagesa të stërmajme nën dorë, për Vali Leskjan, për Kokëdhimën, për Ahmetjan, për Gjiknurtët, për deputetët, për oligarkët e rrethit të ngushtë Rama-Meta.

777  milionë euro para të djersës dhe gjakut tuaj që i ndajnë dhe i vjedhin në investime luksi dhe shërbime fiktive  që nuk i prek njeri, siç është i famshmi Check-up. Tenderi 100 milion dollarë që i është dhuruar oligarkes së oborrit.

Kjo del e tepron për ta flakur Edi Ramën dhe bandën e tij të 40 hajdutëve.

Por prapë nuk mbaron këtu.

5 net më parë bllokuan hetimin për CEZ-in. Hëngrën pa u skuqur dhe pa u nxirë fjalën e dhënë.  Treguan se janë përlyer deri në fyt. Pranuan se ata janë fajtorët, se ata janë hajdutët dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut të shpërdorimit dhe vjedhjes së parave dhe pasurive publike ne punishten e madhe të kusarisë që punon natë e ditë, 24 orë nonstop,  për të shtuar e shumëfishuar pasuritë 200 milionëshe të Edi Ramës dhe luksin me 40 hajdutë e tij.

Qershia e zezë mbi këtë tortë që qelbet erë është narko-taksia e Saimir Tahirit,për narkotrafikantët me patentë. Shqiptarë a ju ka zënë ndonjëherë veshi një maskaradë  të këtij niveli? A keni parë apo dëgjuar në Europë apo në botë një ministër të Brendshëm në shërbim të trafikantëve të drogës që kapardiset  me dorën e kryeministrit në sup,  në vend që të shporret nga sytë këmbët dhe të përballet më ligjin?

Nuk meritojnë të quhen qeveri. Nuk janë qeveri.

Janë një bandë.

Bandë që s’ka ndërmend të ndalet po nuk i ndalem ne e po nuk i ndalëm sot.

Motra dhe vellëzër,

Nuk mund të ndodhë, nuk duhet të ndodhë të ikë populli dhe të qëndrojë qeveria. E kundërta po, e kunderta është sot mision, detyrë për çdo shqiptar.

Të ikin, të largohen, të shporren.

Populli është fuqia supreme në demokraci.

Ata mendojnë se kjo është parullë.

Ne duhet t’ju tregojmë se ky është ligji i artë i demokracisë.

Ata thonë se shqiptarët nuk e kapërcejnë dot kufirin e këmbënguljes  dhe vendosmërisë civile që e detyron një qeveri të bjerë në rrugë demokratike paqësore, siç bëjnë popujt e qytetëruar në demokracitë perëndimore, siç bënë së fundmi edhe fqinjët tanë në Maqedoni dhe Rumani.

Por ne jemi gati, ne jemi të përgatitur ta bëjmë këtë kapërcim të madh.

Ne nuk do të lodhemi, nuk do të nënshtrohemi. Ky është fillimi i një stine  protestash që do të ndalet vetëm kur të arrijë objektivat e saj popullore.

Ka nisur mosbindja civile.

Në këmbë qytetarë e qytetare. Në këmbë shqiptarë e shqiptare.

Largimi i qeverisë Rama-Meta është zgjidhja.

Qeveria teknike  është zgjidhja.

Çlirimi i vendit nga duart e kusarëve është zgjidhja.

Zgjedhjet e reja me rregulla  demokratike të shkruara e të zbatuara, është zgjidhja.

Na ka thirrur në këtë mision të ri 8 dhjetori i  vitit 1990, dita kur  studentët e lavdishëm të Universitetit të Tiranës shpërthyen Lëvizjen studentore demokratike për Shqipërinë si gjithë Europa.

Liri nga Tirania komuniste, ishte thirrja e tyre.

Liri nga Tirania e krimit, e korrupsionit dhe e padrejtësisë është thirrja jonë.

Ikni, largohuni shporruni!

Vëllezër e motra,

Shqipëria është e madhe për ne të gjithë. Atë e kanë zvogëluar injorantët dhe kusarët  në timonin e qeverisjes.

Pasuritë e Shqipërisë dalin dhe teprojnë për gjithë shqiptarët. Ato i kanë bërë të mangëta dhe mallkim shpirtvegjëlit dhe të babëziturit në timonin e qeverisjes.

Shqipëria mban e mund të mbajë me punë, mirëqenie e dinjitet shumë me shumë se sa jemi.

Atë e kanë bërë njerkë dorëmbledhur për shumicën e shqiptarëve një grusht peshkaqenësh me Edi Ramën në krye, që janë më pak se 1 përqind e popullisisë, por që zotërojnë mbi 90 përqind të pasurive tona.

Në cilin vend të lirë të  botës  ka ekzistuar dhe ekziston ky hendek, ky kontrast kaq i madh? Askund. Ky nuk është pushtet demokratik. Kjo është është xhungla e kleptokracisë.

Prandaj është çuar rinia, prandaj është çuar është çuar Shqipëria!

Çohu rini, çohu Shqipëri!

Ka shpëtim, ka rrugëdalje, ka  një të ardhme.

Alternativa e shpëtimit janë liria dhe ligji, taksat e ulta dhe qeverisja e përgjegjshme, llogaridhënia dhe transparenca, demokracia pjesëmarrëse dhe zgjedhjet e lira.

Por e gjithë  kjo kërkon si parakusht largimin e bandës së xhunglës, krijimin e qeverisë  teknike, përgatitjen e zgjedhjeve të reja ku populli do të zgjedhë lirisht qeverinë që dëshiron.

Dhe nuk ka forcë, nuk ka forcë ta ndalojë sot shumicën e bashkuar të shqiptarëve që vendosin të luftojnë pa kompromis, sot, nesër dhe çdo ditë për këtë zgjidhje. Nuk ka qeveri ta ndalojë.

Ne i kemi dalë zot dhe ne do t’i prijmë këtij vendimi. Le të jetë 8 dhjetori 2015 dita që kujton dhe bën histori. Le të shkruajmë së bashku një faqe të re ne historinë e civilizimit tonë.

Faqja ku shkruhet se shqiptarët u ngritën, u bashkuan dhe përmbysën me forcën e  bashkimit një qeveri që kish dalë nga binarët, që  i  vidhte, po i rrënon, dhe po i dëbonte.

Faqen ku shkruhet se shqiptarët nuk pranuan kokulur tiraninë e re. Se shqiptarët nuk ranë në natën e gjatë të padrejtësisë, korrupsionit, krimit dhe varfërisë.

se shqiptarët u ngritën dhe morën në dorë fatet e tyre. Faqen ku shkruhet se Shqipëria ngrihet, se shqiptarët ngrihen! Ngrihen dhe ecin përpara. Ngrihen dhe ecin drejt dritës së Zotit! Rroftë Liria! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 8 Dhjetor, Fjalimi i Luzim Bashes, ne proteste

Ish Kryeministri Berisha: Nisi Revolucioni Demokratik

December 8, 2015 by dgreca

Ish-Kryeministri Sali Berisha i cili ishte i pranishëm sot gjatë gjithë protestës së PD, nuk ka folur para protestuesve por zgjodhi ta komentojë atë përmes rrjeteve sociale. Sakaq ai poston edhe disa foto për të treguar masivitetin e protestës.“Në 25 vjetorin e levizjes studentore, Tirana dhe Shqiperia ne Uraganin gjigand te Revolucionit Demokratik! sb.”,- shkruan Sali Berisha.

Filed Under: Opinion Tagged With: Berisha, nisi, revolucioni demokratik

Ambasada Amerikane në Tiranë kundër dhunës në Protestën e Opozitës

December 8, 2015 by dgreca

Dekalara e Ambasadës Amerikane në Tiranë/

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar pasditen e sotme ndaj protestës së opozitës shqiptare. Në tekstin e shpërndarë për opinionin publik dhe mediat, SHBA thotë se e dënon dhunën, ndërsa i bën thirrje Partisë Demokratike t’i hedhin poshtë këto akte dhe të sigurojnë protesta paqësore në të ardhmen.

Ja deklarata:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon dhunën e ndodhur gjatë protestës së sotme në Tiranë. E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar paqësisht është simboli i një shoqërie të lirë dhe të shëndetshme. Sidoqoftë, akte të tilla si hedhja e gurëve, vënia flakë strukturave dhe dëmtimi i pronës publike nuk përputhet me vlerat demokratike. I bëjmë thirrje Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të gjitha partive të tjera t’i hedhin poshtë këto akte dhe të marrin  të gjitha hapat e nevojshëm për t’u siguruar që në të ardhmen protestat të mbeten paqësore dhe konstruktive.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasada amerikane, kudner dhuens, Protesta, Tirane

Trump kërkon mbylljen e kufijve amerikanë për myslimanët

December 8, 2015 by dgreca

WASHINGTON, 8 dhjetor /– Kandidati në krye të garës së paraparakeve republikane për zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, Donald Trump kërkoi nëpërmjet një komunikate ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA.

“Donald Trump kërkoi ndalimin total dhe të plotë të hyrjes së myslimanëve në SHBA derisa të zgjedhurit e vendit tonë të kuptojnë se çfarë po ndodh”, shkruan ekipi i tij i fushatës në një komunikatë të titulluar “Komunikatë e Donald Trump për të penguar imigracionin mysliman”.

Deklarata nuk saktëson nëse myslimanët amerikanë janë gjithashtu të parashikuar.

Por, duke përmendur një sondazh të realizuar me myslimanët që jetojnë në SHBA, Donald Trump konfirmoi se shumë myslimanë kanë urrejtje për amerikanët.

“Nga ku vjen gjithë kjo urrejtje, ne duhet ta përcaktojmë. Derisa ne të jemi të aftë të përcaktojmë dhe kuptojmë këtë problem dhe kërcënimin që përbën, vendi ynë nuk mund të jetë viktimë e sulmeve të tmerrshmenga ana e njerëzve që besojnë vetëm në xhihad dhe nuk kanë asnjë respekt për jetën njerëzore”, deklaroi Donald Trump në këtë komunikatë.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Shtëpisë së Bardhë që i dënoi me forcë deklaratat e kandidatit republikan, Donald Trump duke i vlerësuar këto deklarata kundër vlerave të Kushtetutës amerikane.

“Deklaratat e Trump janë totalisht kundër vlerave tona si amerikanë”, deklaroi për CNN, Ben Rhodes, këshilltar i presidentit amerikan, Barack Obama.

“Respektimi i lirisë së besimit është shkruar në Deklaratën tonë të të Drejtave (Bill of Rights)”, nënvizoi ai.

Edhe Franca u shpreh e indinjuar nga deklarata për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në SHBA bërë nga miliarderi amerikan, Donald Trump, favorit në parapraket e republikanëve për Shtëpinë e Bardhë.

Edhe kryeministri britanik, David Cameron e gjykoi sot të gabuar dhe të një natyre për të nxitur përçarje deklaratën e Donald Trump për myslimanët.

Filed Under: Opinion Tagged With: kërkon mbylljen e kufijve amerikanë, për myslimanët, Trump

25 VJET TË SHQIPËRISË DEMOKRATIKE

December 8, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/

Një goditja e fortë çekani më 9 nëntor 1989 rrëzoi për dhe’ Murin e Berlinit, pas 28 vjetësh të ekzistimit të tij.Ky mur famëkeq kishte ndarë kryeqytetin gjerman në dysh, ashtu siç ishte e ndarë bota në atë demokratike dhe atë komuniste. Ky mur, si të themi, ishte edhe simbol i ndarjes së botës në dy blloqe, të quajtur ndryshe lufta e ftohtë.Kur ra ky mur i betonuar, ndërtuar në vitin 1961nga Gjermania Lindore, një muri tjetër në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, ende ishte në të njëjtin vend, i vendosur shumë para atij të Berlinit. Përderisa rrëzuarja e këtij muri në Evropën e qytetëruar po bënte jehonë të madhe, sodomos tek disa vende të sistemit komunist si në Poloni, Çekosllavaki e vende të tjera, regjimi diktatorial në Shqipëri, përkundër panikës që e kishte rrokur, s’po jipte shenja të dritës së gjelbërt. Kreu komunist i Shqipërisë dhe anëtarët e Byrosë Politike në këtë kohë, deklaronin se gjithçka mund të ndodhte, por jo edhe rënia e monizmit, ku ata kishin lumturinnë e jetës së tyre. Do të ishte naive që këta udhëheqës të mos e kuptonin valën që i kishte përfshirë vendet komuniste të Evropës Lindore dhe ato në Ballkan për ta përmbysur sistemin komunist që shihej i kalbur. Mirëpo, diktatura në Shqipëri, ende shpresonte në të vetmin mjet që i kishte mbetur në dorë të majtë-dhuna. Ajo çka kishte ngjarë me Çausheskin e Rumanisë, s’ do mend se ishte një parandjejnë i qartë edhe për Ramiz Alinë dhe bashkëpuntorët e tij komunistë. Siç do të shohim më vonë Ramiz Alia nën trysninë e Lëvizjes Studentore të 8 dhjetorit, në krye të se cilës u vendos demokrati dhe patrioti nga Tropoja Azem Hajdari, filloi ta shihte se koha e tij po përfundonte.

***

Një popull i ngujuar brenda mureve të hekurta kishte ardhur në një gjendje tepër  të rraskapitur që më s’ mund të priste dhe s’ kisht çka të humbte. Shikuar në këtë prizmë, vitet 90-ta të shekullit të kaluar për Shqipërinë ishin vitet më të rëndësishme në historinë e saj të re, pas pavarësisë më 28 nëntor 1912.Çdo kapërcim i madh historik ka kërkuar një udhëheqës që i ka prirë masës së dëshpëruerëve.Në këtë kohë nga Universiteti i Tiranës, doli studenti Azem Hajdari me një guxim të pashembulltë kundër diktaturës shumëvjeçare në Shqipëri.Ky kishte edhe përkrahjen e disa intelektualëve kyq nga Tirana, të Sali Berishës, Gramoz Pshkos dhe të disa intelektualëve të tjerëve që gjendja aktuale të përmbysej pa tronditje fatale, duke qenë në ruajtje dhe mbrojtje të popullit. Në këtë kontekst logjik Azem Hajdari formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë ultimatum Ramiz Alisë se alternativë tjetër, pos demokracisë, nuk kishte mbetur. Pushteti i Ramiz Alisë, duke u mbështetur në doktrinën komuniste apo më mirë të themi duke mos harruar ende ëndrrën e tij, nisi fushatën e persekutimit ndaj studentëve që kërkonin të drejtat e tyre demokratike, si popujt tjerë në Evropë. Kundër kësaj dhune dhe terrori që ushtronte kreu komunist i Shqipërisë, u ngritën fuqishëm studentët e Universitetit të Tiranës, nën udhëheqjen Azem Hajdarit. Në fillim studentët pakënaqësitë e tyre i shfaqën brenda sheshit të këtij institucioni të arsimit të lartë, e më pastaj edhe në sheshet tjera të Tiranës dhe në mbarë Shqipërinë. Azem Hajdari bëri thirrje në formë të prerë që të hapeshin portat e demokracisë edhe në këtë vend të katandisur nga dhuna. Ky student, tashmë konsiderohej i rrezikshëm për piramidën komuniste në Shqipëri. Dhe, për këtë arsye thirret në polici, por në asnjë mënyrë nuk pranoi t’ u bindej urdhërave të tyre.

Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, Azem Hajdari, i cili ndodhej në ballë të Lëvizjes, për herë të parë doli parulla “Liri, demokraci…”Një parullë e tillë nuk ishte parë për 50 vjet në hapsirën e Shqipërisë, çdo gjë dhe ide ishte ngulfatur. Në krah të kësaj Lëvizje masive ishte edhe Dr.Sali Berisha e intelektualë të tjerë të cilët vepruan deri në rrëzimin e sistemit komunist dhe bashkëvepruan në proceset tjera të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri.Në këtë demonstratë studentët u përballën me policinë dhe kjo ishte përballja e parë, gjithashtu për afro 50 vite. Sllogani i studentëve që valvonte shesheve të Tiranës: “Edhe ne si gjithë Evropa!, ishte më i fuqishëm se parrullat komuniste, tani të zhveshura dhe të mbetura leckë, pa vlerë.

Ramiz Alia, duke mos pasur rrugëdalje tjetër pranoi të ulej në një tryezë me Azem Hajdarin, Dr. Sali Berishën, Gramos Pashkon e demokratë të tjerë. Përfaqësuesit e kësaj Lëvizjeje historike gjatë bisedës ia bënë me dije se vetëm aplikimi i sistemit pluralist, Shqipërinë mund ta nxirrte nga një katastrofë totale. Në këtë kontekst i përkujtuan atij ngjarjet që kishin ndodhur në vendet komuniste në Evropë.Nga trysnia, pasardhësi i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia, më në fund, u pajtua që në Shqipëri të niste pluralizmi politik.

Pra, në këtë periudhë formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë.

Më 22 mars 1992, ditën e parë të pranverës, u organizuan zgjedhjet parlamentare dhe me këtë përmbyll kapitulli i tiranisë së errët në Shqipëri. Në mitingun e madh që organizoi Partia Demokratike në sheshin e Tiranës, foli lideri i saj Dr. Sali Berisha, i cili me tone entuziaste paraqiti projektin e një Shqipërie demokratike, ku të gjithë do të gëzonin të drajtat dhe liritë e tyre, në një Shqipëri evropiane.

Nga një dorë mizore më 14 shtator 1998 u vra simboli i Lëvizjes Studentore dhe i demokracisë, Azem Hajdari.Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie që ishte nisur drejtë Evropës dhe ndaj njeriut i cilii bëri shumë për demokracinë shqiptare.Vrasja e Azem Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit dhe idealistët e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtes së ekzistimit.

Shqipëria pas 25 vjetësh të tranzicionit?

Kanë kaluar 25 vjet të ranzicionit në Republikën e Shqipërisë dhe kjo periudhë mund të konsiderohet deri në njëfarë mase e mjaftueshme për një zhvillim të demokracisë dhe të konsolidimit të shtetit në aspektin ekonomik e politik.Në këtë drejtim ka shumë pikëpyetje dhe gjithashtu mendime që kërkojnë përgjigje?

Shqipëria para 25 vitesh ishte nisur nga zero-ja, nga një asgjë, dhe ngjarjet që pasuan ishin shpresëdhënse dhe me kalimin e viteve edhe zhgënjyese. Nuk ishte e lehtë  shkëputja nga e kaluar dhe aq më e vështirë ishte ngjitja, kuptimi dhe vullneti i zhvillimit të një demokracie të mirëfilltë. Shqipëria për këto 25 vjet kaloi nëpër një periudhë të komplikuar tranzicioni: përmjet fajdeve, korropcionit, krimit të organizuar, kundërthënieve të ashpra partiake për arritur në pushtet, me përvojën e pakët të zhvillimeve demokratike, me shumë probleme të pronësisë dhe me fenomenin e pangopëshmërisë të politikanëve për t’ u pasuruar, duke keqpërdorur pozitën dhe votën e dhënë nga populli. Ndër problemet tjera të mëdha  ka qenë ndërrimi i botëkuptimit për ta kuptuar shpirtin e demokracisë dhe, në këtë kontekst, edhe krijimin e vetëdijes për ndërtimin e shtetit, që është gjëja kryesore e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, tregut të lirë dhe të hapjes së vendeve të lira të punës. Në këtë periudhë Shqipëria u përballë edhe me ekzodin e shqiptarëve, duke kërkuar shpëtim në botën e jashtme për një vend pune.

Një shtet që s’ arrin të krijojë lumturi materale për qyetetarët e saj, nuk mund të ketë stabilitet politik e ekonomik dhe ardhshmëri të mirfilltë për qytetarët e saj.

Shqipëria e këtyre stërngarkesave për një çerek shekulli pati edhe sukseset e saj: gjatë kësaj periudhe Bashkësa Evropiane miratoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë, u nënshkrua marrëveshja kryesore për Stabilizim Asocimin dhe shumë marrëveshje të tjera integruese me Bashkësinë Evropiane dhe me vende të tjera të botës për bashkpunim ekonomik e tregtar.

Ndër arritjet më të madha konsiderohet hyrja e Shqipërisë në Aleancën Veri Atlantike-NATO.

Gjithashtu u ndërtuan shumë rrugë, ndër to edhe rruga e kombit që lidhë dy pjesët shqiptare, Shqipërinë me Kosovën, që për kohë të gjatë ishin të shkëputura me një kufi hekuri. Shqipëria është vend i mundësive të mëdha të zhvillimit ekonomik, sidomos të zhvillimit të turizmit bregdetar, ku politika është pengesa më e madhe e saj.

Shqiprinë në të ardhshmen e presin shumë punë të rëndësishme: zbatimi i ligjeve, një pavarësi më e theksuar e gjykatave, një luftë më e madhe e zhvillimit ekonomik, e demokracisë dhe integrimit evropian. Jemi dëshmitarë se bota sot po lëviz shumë shpejt, prandaj Shqipëria duhet të lëviz edhe më shpejt për  t’ iu afruar Bashkësisë Evropiane dhe rrjedhave botërore. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kohë të presin, ata duhet të zënë trendet e kohës.

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Yllyria në New York.

8 Dhjetor , 2015

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 vjet, harry bajraktari, TË SHQIPËRISË DEMOKRATIKE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT