• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Këlliçi, kryetar i ri i FRPD

December 6, 2015 by dgreca

Forumi Rinor i Partisë Demokratike zgjodhi sonte kryetarin e ri z.Belind Këlliçi, pas konventës së fundit që u mbajt në Tiranë, me parimin një anëtar një votë.

Në këtë proces që mbahet për herë të parë në vendin tonë, o votua për drejtuesin e ri të Forumit në 20 konventa kombëtare në 20 qytete, ku të gjithë anëtarët e forumit patën mundësinë të ndjekin debatin mes kandidatëve dhe të vendosin me votën e tyre për kryetarin e FRPD.

10 mijë e 100 anëtarë të Forumit Rinor votuan në këto zgjedhje, që ishin një spektakël i demokracisë, i garës, i konkurencës së ideve dhe platformave.

Kryetari i ri i forumit z.Belind Kelliçi është 28 vjeç, ka mbaruar studimet për shkenca menaxhimi dhe ekonomi në Universitetin e Maryland, SHBA dhe ka spikatur prej vitesh me aktivizimin e tij në politikë, në Partinë Demokratike.

Belindi e ka nisur aktivizimin e tij politik në degën 10 në Tiranë.

Filed Under: Politike Tagged With: Belind Këlliçi, kryetari i FRPD

Presidenti: Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa Spaçi

December 6, 2015 by dgreca

* Presidenti Nishani në ish-burgun famëkeq të Spaçit: Të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për Drejtësi!/

*Kreu i Shtetit nderoime Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) ,Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”,si dhe Mersin Vlashit(pas vdekjes)/

Spaç, Mirditë- 6 dhjetor 2015/

Në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vizitoi sot ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Deda si dhe nga ish-të burgosur e të përndjekur të shumtë politikë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mes rrënojave të ish-burgut të Spaçit, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për qëndrimin heroik dhe të papërkulur kundër diktaturës komuniste, duke u flijuar, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë”; Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, dëshmor i qëndresës heroike kundër diktaturës ç’njerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.” si dhe Mersin Vlashit(pas vdekjes): “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, artist krijues i flamurit pa yllin komunist, që udhëhoqi kryengritjen heroike kundër diktaturës çnjerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.”

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit nuk i fshehu emocionet shumë të forta dhe trishtimin që vinte prej rrënojave dëshmitare të një historie të dhimbshme, duke e cilësuar këtë ceremoni si më e vështira në jetën tij, qoftë atë institucionale, qoftë edhe si qytetar i këtij vendi.

“Nuk jam këtu për të folur mbi historinë e këtij burgu famëkeq, as për të përshkruar kalvaret që shumë prej jush i kanë provuar mbi kurriz, i kanë përjetuar, dhe fatmirësisht, falë durimit, forcës dhe pamposhtmërisë suaj, shoqëruar nganjëherë edhe me vullnetin e mirë të Zotit, u keni mbijetuar. Nuk do të përmend as shifra dhe as statistika, sepse do të na nevojiteshin ditë, javë, muaj dhe ndoshta vite të rendisnim një nga një mizoritë e panumërta, tmerret dhe vuajtjet çnjerëzore të shkaktuara nga veglat shtazarake e të pashpirt të diktaturës komuniste. Ky burg-kamp sot është thjesht një vend ogurzi, një rrënojë që qëndron gati e hepuar mes malesh hijerëndë e kreshtathinjur, por që në ajrin dhe atmosferën tij sillen e përsillen histori të tmerrshme jetësh dhe fatesh njerëzore, madje edhe shpirtra të parehatuar, sepse varret e tyre ende nuk janë zbuluar.

Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa ky kamp / burg / ferr e skëterrë. Ndoshta kanë pasur shumë më pak, sepse të paktën në hyrje të kampit të Aushvicit lartësohej parulla paralajmëruese dhe cinike njëkohësisht: ‘Puna të bën të lirë kurse këtu jeta e privuar nga liria, puna e stërmundimshme në galeritë e thella të nëntokës dhe normat mbinjerëzore t’i rëndonin jo vetëm këmbët dhe krahët dhe shpirtin, por të fundosnin e madje të varrosnin nganjëherë edhe çdo lloj shprese e dëshire për të vazhduar të përpiqeshe të jetoje. Ata që kanë gërmuar nëpër galeritë e errëta, ata që kanë shtyrë me stërmundim vagonët e rëndë të mbushur me bakër, ata që janë lidhur me kavo çeliku në dimër pas shtyllave kur nuk plotësonin dot sasinë ditore gjithnjë e në rritje të mineralit, e dinë shumë mirë se po të mos bëje punën, po të mos kapje normën, po të të shpëtonte padashur qoftë edhe një psherëtimë e lehtë nga skutat e thella të shpirtit – ishe i mbaruar, ishe i kryqëzuar, ishe i harruar edhe nga vetë Zoti, ishe për një moment, dhe më pas nuk ishe më, madje as varri nuk të gjendej dot.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Më tej, Kreu i Shtetit e cilësoi burgun e Spaçit, si ferrin e vërtetë mbi tokë dhe Shqipërinë, një burg i errët, ku shumë rrallë depërtonin rreze drite e shprese: “Të burgosurit e Spaçit asnjëherë nuk ishin vetëm: jashtë kampit nëpër qytete, fshatra, majë malesh, në luginë e rrëzë kodrinave ishte një popull i tërë që vuante e përpëlitej fizikisht, shpirtërisht e mendërisht, njësoj si ata, por kurrsesi aq shumë, aq rëndë e aq dhimbshëm sa ata. Sa ju!”

“Të përndjekurit shqiptarë pësuan dënime dhe vuajtje të padrejta, por më e keqja është që edhe sot, në prag të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, atyre ende nuk u është kërkuar ndjesë, paçka se disa prej jush janë gati, të prirë dhe vullnetmirë për të falur. Vuajtjet tuaja për fat të keq u shkaktuan nga shqiptarë. Ndjesa ndaj jush pritet dhe duhet të vijë, po nga shqiptarë. Falja, pajtimi dhe bashkimi do jetë një vepër shpirtmadhe e shqiptarëve. Ndaj jush u kryen krime, dhe jo “gabime” siç është pretenduar dhe vazhdon ende të dëgjohet aty-këtu ndonjë lloj shfajësimi foshnjarak dhe mashtrues. Vendprehjet ende të pagjetura dhe shpirtrat akoma të paqetë të viktimave të pafajshme vazhdojnë të klithin duke u prishur gjumin e trazuar xhelatëve të diktaturës, disa prej të cilëve ende u kemi dhënë një mundësi dhe shans për të larë ndërgjegjen e tyre të zezë. Ne të gjithë sot nga ky vend, nga Spaçi dikur aq i mallkuar, duhet të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për: Drejtësi! Gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve! Hapjen e dosjeve! Pastrimin njëherë e përgjithmonë të shoqërisë dhe sidomos të politikës sonë, nga kriminelët e dikurshëm dhe veglat e tyre! Dënimin, ligjërisht dhe sidomos moralisht, të kriminelëve gjakatarë, shkaktarë të gjithë këtyre vuajtjeve të parrëfyeshme dhe jo rilindjen e ringjalljen e simboleve aq të urryera të diktatorit! Vënien në vend të dinjitetit tuaj të nëpërkëmbur! Respektimin dhe integrimin moral, shoqëror, kulturor dhe ekonomik të familjeve, bijve, nipave dhe mbesave të të përndjekurve padrejtësisht shqiptarë! Mbi të gjitha, ndjesën dhe përgjunjen e shkaktarëve të dhunës, shtypjes, torturës fizike dhe psikologjike, vrasjeve, burgosjeve, përdhunimeve. Asgjë nuk harrohet! Por ata që pendohen e që kërkojnë falje sinqerisht, edhe mund të përqafohen! Por siç është ajo shprehja jonë e urtë dhe e vjetër e popullit: ‘I ra gurit, u thye. I ra njeriut, e mbajti dhe e duroi’, edhe ata që patën fatin e zi sterrë të vuanin e ta përjetonin këtë ferr mbi tokë, nuk u dorëzuan. Shqiponjat nuk jetojnë dot në kafaz!’ – tha me tej Presidenti Nishani në fjalën e tij.

“Më 21 maj 1973 burrat trima dhe sypatrembur të Spaçit i treguan dhe i provuan diktaturës se ajo edhe mund t’u burgoste trupat, por jo shpirtin dhe mendjen! Ata ishin me dhjetëra heronj, të cilët me aktet e tyre të trimërisë dhe rezistencës, me vetëmohimin shembullor, kurajën e paepur dhe disidencës së patjetërsueshme, duke zënë vend përjetësisht në panteonin e kujtesës sonë historike kombëtare, u shndërruan në në simbole të përjetshme. Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar dhe për t’u përulur me respekt ndaj vuajtjeve, heroizmit dhe altruizmit të tyre që shpërthyen të parët prangat e mendjes duke tronditur themelet e të ashtuquajturit ‘pushtet popullor dhe diktaturë e proletariatit’, por që në fakt u përpoq të skllavëronte e të izolonte një popull të tërë. Me këtë rast, në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit, në cilësinë e Kreut të Shtetit shqiptarë dhe në emër të mbarë qytetarëve të këtij vendi kam nderin, privilegjin dhe detyrimin institucional të vlerësoj jetën dhe veprën e Pal Gjet Zefit, Dervish Bejkos, Skënder Dajës, Hajri Pashajt dhe Mersin Vlashit – krijuesit artist të flamurit të revoltës së Spaçit ku shqipja dykrenore fluturonte e lirë, pa zgjedhën e yllit të imponuar komunist mbi krye. Gjithashtu nderoj dhe përulem me respekt para jetës së shumëvuajtur dhe sakrificave të panumërta të Xhelal Koprencës. Këta heronj i përkasin atij grupi atdhetarësh të prangosur, që iu kundërvu diktaturës së egër komuniste me veprat, me jetën dhe sakrificat e tyre në kërkim të lirisë e demokracisë, duke mbetur të gjallë në kujtesën historike të Shqipërisë, për hir të së cilës ata u burgosën, luftuan, u përpoqën dhe u rebeluan në emër të idealeve më të shenjta të lirisë, përparimit dhe demokracisë dhe vlerave të saj. Ky vlerësim dhe nderim i lartë shtetëror, paçka se fatkeqësisht po u bëhet pas vdekjes, fatmirësisht është një tregues domethënës që vënia në vend e drejtësisë vërtet vonon, por kurrë nuk mënon.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Nishani u shpreh se: “Shqipëria e shekullit të njëzet e një ua ka borxh të paktën këtë lartësim këtyre antikomunistëve kryelartë, me shpirt liridashës e demokrat, të cilët për asnjë çast dhe në asnjë rrethanë nuk u gjunjëzuan dhe s’iu përulën as diktaturës dhe as veglave e shërbëtorëve të saj duke sakrifikuar edhe jetën për këtë lir dhe demokraci që jetojmë sot! Shqipëria e sotme është krejt ndryshe nga ç’ishte 25 vite më parë: një vend i lirë, edhe në saje të këtyre martirëve të demokracisë, anëtare e denjë me merita të plota e NATO-s dhe jo më e ish-Paktit të vdekur e të dalë boje të Varshavës, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian.

Po brezat e rinj duhet të mësojnë mirë historinë, të dëgjojnë përvojat e hidhura, të shohin e të përpiqen të përfytyrojnë ferrin e dikurshëm komunist, në mënyrë që e kaluara e hidhur të mos përsëritet më. Ne së bashku do të jemi përsëri këtu në majin e ardhshëm, në majin e revoltës së Spaçit për të kujtuar dhe mbajtur gjallë jo vetëm atë akt, por edhe dhunën e ushtruar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, e mbi të gjitha rezistencën e të gjithë atyre që u dergjën galerive dhe birucave të Spaçit. Ne së bashku do të vazhdojmë pa u lodhur deri në realizimin që së paku Spaçi të kthehet në një muze kombëtar të kujtesës. Ne të gjithë së bashku do të vazhdojmë rrugën deri në realizimin që Spaçi të bëhet një vend pelegrinazhi në kurrikulat shkollore të nxënësve tanë për ta vizituar në mënyrë të organizuar çdo vit. Që e keqja jo vetëm të mos harrohet, por të mos përsëritet më kurrë. Kurrë më, sepse siç e ka thënë edhe Bertold Brehti: ‘Mitra që e polli, ende nuk është shterpëzuar’. I përjetshëm qoftë kujtimi i këtyre martirëve shqiptarë dhe i gjithë atyre që vuajtën dhe u flijuan për një jetë në liri e me dinjitet për një Shqipëri të përparuar, për një komb krenar dhe me ballin lart! Nderim përjetë!”

Filed Under: Reportazh Tagged With: Aushvici, Mathauzeni, presidenti Nishani, Spaci

Gjuha dhe hapi ynë mbi realitetin !

December 6, 2015 by dgreca

Nga Kastriot BUSHI-Kaçanik/Jetësimi si praktikë e dëshmisë ,për ta paraqitur bindshëm veprimin politik ka mundësuar që çdo njëri të merret me të mirën e përgjithshme . Kjo ka të bëjë ekskluzivisht për personat që duke u keqinformuar dhe duke qenë aspak të edukuar politikisht, të marrin guximin pa vetëdije , dhe të futën në ujërat që vetëm koha mund t’i kalkulje saktësisht . Mendimi i pastër gati se asnjëherë nuk ka derivuar zgjedhje për disa probleme sepse ndoshta personi që ka marrë interpretimin ,kurrën e kurrës nuk është ndarë nga mentaliteti i robit apo edhe emocionet e ngjizura nga klani që e kanë rritur e bëjnë atë të vogël në llupën e kritikëve të cilët e kontestojnë çdo gjë të dyshimtë.

Ndryshimet politike në rajon , shikohen vetëm si “hapsirë”, për të qenë më të lirë në komentimet e tyre, sepse asnjë për të gjitha këto lidhje nuk besojnë se ka një “nerv”, i cili e bënë të dokumentueshëm çdo problem që edhe neve na prekë si shqiptarë . – E gjithë rruga e edukimit politik nuk e ka kaluar vetvetën asnjëherë nga asnjë parti politike ndër shqiptarë, ndoshta për arsyen e vetë historikut të” lindjes-gjenealogjisë” që kanë të gjitha, kush më shumë e dikush më pak! Në natyrshmërinë njerëzore nuk vetëm bilogjike parimet për të ndryshuar sa janë mekanike dhe të derivuara për të pasur mundësinë që çdo here të jenë në pikën e vëmendjes, kjo e bënë nganjëherë humbjen e misionit të kanë në botën e Demokracisë .Shqiptarët duhet të hulumtojnë zingjirin e hallkave ,të cilat në trajtimin e çështjes së pazgjidhur kombëtare brenda hapësirës kombëtare kanë gjetur rrugëzgjidhje dhe alternative veprimi të cilat në momente të theksuara e kanë nxjerrë gjendjen poltike shqiptare në nivel më të lartë, më ndryshe. Kjo është edhe e dokumentuar me një shembull,sa për të kujtuar natyrën e qasjes, kemi shembullin e Mit’hat Frashërit diplomatit dhe intelektualit atëdhetar i cili shkriu gjithçka për të ngjizur idenë e mishërimit të shqipërise etnike për shqiptarët kudo në botë . Ai kishte dërguar një letër më datën 14 nëntor 1896 , i kishte dërguar dr. Ibrahim Temos, Mit’hat Frashëri, ndër të tjera, shkruante :” Në këtë breg ku ndodhemi sot ,na është e prerë të dalim me pushkë në dorë, sot për sot. Por ,në vend të armës, të marrim pendën, e në vend të gjakut , të derdhim myreqepin”-ngjyrën .

Një trajtim i cili përshkruan gjendjen e atëhershme dhe mundësinë për të shikuar dritën e cila i kishte verbuar shumë shqiptarë atëkohë, por edhe sot, problemet më të mëdha janë në popull se sa në elitën e cila në vend se të zgjojë ndërgjegjien për veprime të cilat e tejkalojnë vetë gjendjen , e ngarkojnë më tej duke qenë të bindur se kjo duhet të ndryshon nga jashtë . Kur problemi është brenda, edhe zgjidhja duhet të gjindet brenda, pamvarësisht pozicioneve poltike që përfaqësojnë e nuk përfaqëson dikush ! Gjendja politike e shikuar si një “matematikë, e interpteuar që çdo çështje shikohet si politike atëherë edhe çdo politikë është bërë çështje .

I gjithë rrugëtimi në politikë ka kushtin e humbjes së besimit në popull, po e humbe këtë identitet atëherë çfarë dhe cilën rrugë do të ecësh . Do të jetë i vështirë kthimi në rrugën që jemi mësuar të ecim. Dhe nder më të vështirat mendojmë se është guximi për ta pranuar fajin, pika dhe gjuha që të mbanë në rrugë!

Kastriot Bushi – Kaçanik

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjuha dhe hapi ynë, Kastriot Bushiu, mbi realitetin

SHBA-SHQIPERI-25 vjet pas pluralizmit, arritje dhe zhgënjime

December 6, 2015 by dgreca

Intervistë e znj.Keida Kostreci me zotin Robert Hand/VOA- Në gusht 1990, disa muaj para se të vendosej pluralizmi në Shqipëri, një delegacion amerikan bëri vizitën e parë zyrtare në Shqipëri që nga viti 1946, drejtuar nga ish- Senatori demokrat Dennis DeConcini. Kjo vizitë ishte në kuadër të Komisionit të Helsinkit, ose të asaj që atëherë quhej KSBE, nga i cili regjimi komunist donte të merrte miratimin për t’u bërë pjesë e procesit të Helsinkit, duke shpresuar të menaxhonte ndryshimet dhe të mos humbte pushtetin. Përgjigjia ishte negative, pasi reformat ishin të pamjaftueshme, një mesazh i qartë, por vizita kishte një rëndësi të jashtëzakonshme sepse u pa si një rikthim i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Këshilltari politik i Komisionit të Helsinkit, Robert Hand ishte një nga organizatorët e vizitës. Ai shkoi në Shqipëri me delegacionin dhe u rikthye tetë herë të tjera në vend me delegacione Kongresi dhe për të vëzhguar zgjedhje në kuadër të OSBE-së. Gjatë 25 viteve, ai u njoh me protagonistët e politikës shqiptare, ndoqi zhvillimet në vend dhe u bë një nga njohësit dhe analistët më me peshë të zhvillimeve në vend. Në pjesën e dytë të një intervistë që zoti Hand i dha koleges Zërit të Amerikës me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së pluralizmit, ai flet për shpresat që kishin Shtetet e Bashkuara dhe në ç’masë u realizuan ato, sukseset dhe zhgënjimet dhe thotë se megjithë përparimin e shënuar, Shqipëria duhet të kishte ecur përpara me ritme më të shpejta.                                                                                                                                                              Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 25 vjet dhe tani kemi avantazhin e kohës. Me siguri, siç po e thoni edhe ju në këtë intervistë, kishte shpresa dhe pritshmëri në lidhje me atë që do të bënin njerëzit dhe drejtimin që do të merrte vendi. Sa i gjerë është hendeku mes asaj që shpresonin Shtetet e Bashkuara dhe situatës ku është Shqipëria sot, sipas këndvështrimit tuaj?                                                       Robert Hand: Është një pyetje shumë e vështirë. Mendoj se në atë kohë, meqë ne ishim të shqetësuar se si do të shkonte tranzicioni, i shihnim gjërat në këndvështrimin afatshkurtër, për ta futur Shqipërinë në rrugën e duhur. Dhe mendoj se përgjithësisht ne patëm sukses në atë përpjekje. Duke e parë më gjerë, nga mesi i viteve 1990 ne filluam të shihnnim se përpjekjet për reforma nuk do të ishin të lehta. Dhe pati një varg ngjarjesh, që nga referendumi për Kushtetutën, gjyqi për Omonian dhe të tjera veprime ku ne ndërhymë direkt dhe thamë “kjo nuk është pozitive, i bëjmë thirrje qeverisë që të bëjë këtë ose atë” që të përpiqeshim të bindim ata që ishin në pushtet në atë kohë, sot Partia Demokratike, që ta çonin vendin përpara në një drejtim pozitiv. Dhe ishte e vështirë do të thoja, ishte irrituese, sepse siç thashë më parë, kishte një mungesë të konceptuari se çfarë është në të vërtetë demokracia, por edhe duke pasur parasysh që nuk kishte kaluar shumë kohë nga një regjim komunist, ishte e dukshme se sa i polarizuar ishte bërë sistemi politik. Ne vazhduam të komunikonim. Por nga mesi i viteve 1990, na u krijua përshtypja se zëri unë nuk po dëgjohej aq sa më parë dhe kjo ishte disi zhgënjyese. Herë pas here ky lloj zhgënjimi vazhdon deri sot. Megjithatë në atë kohë, kishte një ndjesi se duke pasur parasysh se ku ishte Shqipëria, sa brutal kishte qenë regjimi komunist, duhet të ishim të duruar, nuk mund të prisnim që vendi të kishte një demokraci të qëndrueshme dhe të zhvilluar brenda natës. Do të thoja që gjatë dekadës së parë mund ta pranoja atë argument, por në dekadën e fundit ose edhe më gjatë se aq, nuk jam edhe aq i bindur dhe është më shumë çështja nëse ekziston vullneti për të ndërmarrë hapat e mëtejshme për të lëvizur drejt demokracisë. Nuk mundemi thjesht të kërkojmë falje për mungesën e demokracisë dhe t’ia vëmë fajin së kaluarës. Vjen një moment, gjërat duhet të ndryshojnë. Për të mirën e vendit, duhet ecur përpara dhe jo të vazhdojmë të justifikohemi. Ndoshta për këtë arsye kam filluar të shihem si kritik i gjendjes aktuale. Dhe besoj apo të paktën shpresoj që këto qëndrime i kam mbajtur pa pasur parasysh nëse ka qenë një qeveri socaliste apo demokratike në pushtet. Mendoj se Shqipëria duhet të ishte më përpara nga ç’është, 25 vjet pasi u hap vendi.                                                                                                                                                          Zëri i Amerikës: Do të doja të flisnim pak më konkretisht për përgjegjësitë e protagonistëve të politikës.  Sipas mendimit tuaj, çfarë i bën njerëzit që udhëheqin  një vend të veprojnë në një mënyrë të tillë që nuk e lejon vendin të ecë përpara me ritmin e duhur?                                                            Robert Hand:  Së pari, unë përmenda mungesën e të konceptuarit të demokracisë dhe ende druhem se kjo vazhdon të jetë e pranishme, në kuptimin që ekziston botëkuptimi që nëse ke shumicën e votave, mund të bësh ç’të duash dhe pala tjetër, duhet të mbyllë gojën. Demokracia nuk funksionon kështu. Duhet të përpiqesh të arrish konsensus me palën tjetër. Po ashtu duhet të flasësh më drejtpërdrejt me njerëzit dhe të kuptosh se cilat janë shqetësimet e tyre. Ata mund të kenë votuar për ty por ndoshta arsyeja është thjesht se kundërshtari yt është më i keq dhe jo sepse mbështesin atë që bën ti. Dhe kur je në pushtet ke përgjegjësinë t’u shërbesh këtyre njerëzve. Dhe nuk besoj se kjo është bërë mjaftueshëm në Shqipëri. Eksiston ideja që kush fiton, duhet të marrë të gjitha përfitimet dhe nuk mban edhe përgjegjësitë që vijnë me fitoren. Kjo është kombinuar mendoj me faktin që gjatë viteve, në Shqipëri – dhe e përforcuar në masë të konsiderueshme nga fakti që ishte pranë ish-Jugosllavisë, me shërbërjen dhe dhunën që ka ndodhur atje – krimi i organizuar, korrupsioni mes zyrtarëve ka qenë i pranishëm gjithnjë e më shumë, gjë që ndikon negativisht tek efektiviteti i qeverisë përsa i takon shërbimit ndaj njerëzve. Njerëzit janë mësuar që sapo merr një punë në qeveri, siguron gjithë ato përfitime e megjithatë nuk jam i sigurt që politikanët kanë arritur ta kuptojnë se cilat janë përgjegjësitë ndaj popullit si qeveritarë. Këtu e shoh problemin e vërtetë me Shqipërinë deri tani. Dhe e gjitha kjo është përforcuar edhe më shumë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, që do të thotë se nëse je në qeveri dhe je pjesë e atij sistemi, mund të përfitosh jashtë mase nga ky fakt. Dhe sigurisht kur populli voton që të mos jesh më në qeveri, kjo do të thotë që je i ekspozuar ndaj ndjekjes penale dhe kjo e bën më të vështirë kur mbahen zgjedhjet për këdo që është në pushtet që të ngrejë një sistem në lirë dhe të drejtë sepse si çështje praktike ata duan të qëndrojnë në pushtet për të mbrojtur veten. Dhe mendoj se kjo është intensifikuar me kalimin e viteve. Ajo që do të doja të shihja të ndodhte më shumë sot, është që nëse ka zyrtarë të përfshirë në praktika korruptive, praktika të paligjshme, nuk duhet të pritet derisa të ikin nga pushteti, që të lihet ana tjetër që të hakmerret ndaj tyre, duke i ndjekur penalisht etj. Duhet të ketë përgjegjësi nga udhëheqja që është në fuqi  që të marrë masa për të kontrolluar ata që janë në radhët e saj dhe ta bëjë të qartë se një lloj i tillë qeverisjeje nuk është mënyra e duhur se si duhet të qeveriset Shqipëria dhe sigurisht që do ta pengojë integrimin në Bashkimin Evropian, mes të tjerash.                                          Zëri i Amerikës: Duket se në këtë frymë kanë qenë edhe disa nga fjalimet apo komentet të Ambasadorit aktual amerikan në Shqipëri, Donald Lu dhe kanë qenë veçanërisht specifike për ministra të korruptuar dhe deputetë me të kaluar kriminale. Si do t’i vendosni komentet e tij në kontekstin e asaj që kishin shpresuar Shtetet e Bashkuara që do të arrihej në Shqipëri dhe 25 viteve të fundit?                                                                                                                                          Robert Hand: Nuk do doja të flisja në emër të ambasadorit dhe nuk mendoj se kam nevojë ta bëj këtë duke pasur parasysh disa nga gjërat që ai ka thënë. Por mendoj se ajo që po shpreh ai me komentet e veta, është një reflektim i zhgënjimit për të cilin fola më lart që vendi nuk ka përparuar sa duhet. Një gjë që do të thoja për politikën amerikane ndaj Shqipërisë, është se është e vërtetë që ndonjëherë për shkak të personalitetit ne mund të jemi më afër një personi ose një tjetri por të paktën nga pikëpamja e Komisionit të Helsinkit, ne mbëshesim vendin si një i tërë, dhe institucionet demokratike dhe ne përpiqemi të mbajmë përgjegjës në veçanti këto që qëllon të jetë në pushtet për momentin. Mendoj se në këtë frymë duhet të shihen edhe komentet e zotit Lu. Ai po thotë: “Mjaft më kështu. Ky është një vend i mrekullueshëm që duhet të ecë përpara dhe në fakt mund të ishte shumë më përpara po të mos ishte korrupsioni dhe mungesës së vullnetit për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët”.  Dhe përsa i takon korrupsionit ai është në gjendje të përmendë emra konkretë dhe duke iu kthyer argumentit se secila palë duhet të mbajë para përgjegjësisë njerëzit e vet për veprimet e veta, kjo është diçka për të cilën mendoj se ai po bën thirrje. Prandaj unë e mbështes me forcë ambasadorin dhe mesazhet e tij dhe shpresoj që kjo të përkthehet në një politikë amerikane që mbështet vendin si një e tërë dhe jo të jenë miq me njërën palë ose tjetrën. Nëse ai po kritikon qeverinë ose zyrtarët e qeverisë aktualisht, nuk do të thotë se po mbështet opozitën, do të thotë se po mbështet Shqipërinë dhe mendoj se ai me sinqeritet mendoj se ai nga kjo niset dhe shpresoj që kështu të interpretohet edhe në vetë Shqipërinë.                                                                                                                                                     Zëri i Amerikës: Meqenëse ka një farë pesimizmi lidhur me atë që mund të kishte arritur Shqipëria, desha ta vendos gjendjen në kontekstin e asaj që kanë kaluar vende të tjera me tranzicione të vështira. A kemi të drejtë të themi që meqenëse Shqipëria erdhi nga rrethana shumë më të vështira se vende të tjera, edhe tranzicioni është më i vështirë?                                                         Robert Hand: Mendoj se disa nga vendet përparuar vërtet me shumë shpejtësi, i konsoliduan demokracinë dhe institucionet dhe për to nuk ka kthim prapa. Ka të tjera ku kemi parë hapa prapa, të tjera që menduam se kishin ecur më përpara nga ç’kishin ecur në fakt. Dhe ne i kritikojmë ato që ecin në drejtimin e gabuar. Për mua të paktën, mënyra se si e shoh unë është se si është prirja. Nuk bëhet fjalë për gjendjen ku je për momentin, por për ku je drejtuar. Pakënaqësia që kam me Shqipërinë është jo se ku është tani sepse nëse e krahasoj me 1990-ën është një ndryshim i jashtëzakonshëm dhe nëse kam parasysh edhe disa nga ngjarjet e viteve të hershme – fundin e viteve 1990, 1997-a, kur gjërat u përmbysën, pati probleme – por vendi i kapërceu ato dhe pati edhe disa përparime të mëtejshme. Pra pakënaqësia ime nuk është edhe aq se ku ndodhet sot Shqipëria, sepse është një vend thellësisht i ndryshëm nga ai që pashë unë për herë të parë, por ka të bëjë më shumë me faktin që do të doja që prirja të ishte më qartë dhe më me shpejtësi në një drejtim pozitiv nga sa është tani. Por do të thoja, në një frymë pozitive falë ndryshimeve që janë realizuar dhe që vendi është anëtare e NATO-s dhe unë e mbështeta anëtarësimin, edhe me disa probleme dhe tensione politike vitet e fundit, analistët kanë thënë se nuk ka arsye për t’u penduar për anëtarësimin sepse ndihmoi për të kapërcyer më mirë disa nga krizat sesa mund t’i kishte kapërcyer ndryshe. Ne nuk mund ta dime se si do të kishte qenë në rrethana të ndryshme por unë do të thoja që Shqipëria nuk do të kthehet pas dhe shqetësimi im kryesor është se sa shpejt do të vazhdojë të ecë përpara.

Filed Under: Interviste Tagged With: 25 vjet pas pluralizmit, arritje dhe zhgënjime, Robert hand

META NE KOSOVE

December 6, 2015 by dgreca

-Presidentja Jahjaga dhe kryetari Meta diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe përpjekjet për të tejkaluar situatën e krijuar në vend/PRISHTINË, 6 Dhjetor 2015-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur sot në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,  Ilir Meta.Presidentja Jahjaga dhe kryetari Meta diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe përpjekjet për të tejkaluar situatën e krijuar në vend.

Presidentja Jahjaga e njoftoi kryetarin Meta për angazhimin e saj për të krijuar kushtet për dialog politik mes koalicionit qeverisës dhe subjekteve politike opozitare, bën të ditur njoftimi dërguar nga Presidenca kosovare.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, mbrëmjen e kaluar në Prishtinë, ka takuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

 Media në Prishtinë ka parë në orët e vona se, takimi është mbajtur në njërin prej restoranteve në periferi të kryeqytetit, ndërsa raporton se, sipas burimeve jozyrtare, kryeparlamentari shqiptar Meta ka ardhur në Kosovë për të ndërmjetësuar në mes të opozitës dhe koalicionit qeverisës për dalje nga kriza parlamentare kosovare. Ai sot ka takuar edhe liderët e partive opozitare, sipas njoftimeve, kryetarin e AAK, Ramush Haradinaj, e pastaj të VV, Visar Ymeri, si dhe kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. Nuk ka ende njoftime zyrtare nga këto takime.

Filed Under: Rajon Tagged With: Meta ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT