-Thaçi: Subjektet politike të bëjnë dallimin mes interesit shtetëror dhe partiak. Veseli: Hashim Thaçi do të jetë President i Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 23 Janar 2016-B.Jashari/ Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, theksoi se është e rëndësishme që të respektohet vullneti i lirë i qytetarëve, sepse udhëheqjen e shtetit e cakton kutia e votimit e jo gazi lotsjellës e molotivi, ndërsa bëri thirrje që partitë politike ta kenë prioritet interesin shtetëror.
“Alternativat gjithmonë janë të mirëseardhura, mirëpo subjektet politike duhet të dinë të bëjnë dallimin në mes të interesit shtetëror dhe partiak”, theksoi lideri i PDK.
Ai tha se pengimin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës janë duke e bërë personat, të cilët po hedhin molotov. “Parlamenti Evropian ka aprovuar MSA-në, mirëpo ne nuk po arrijmë të aprovojmë atë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shkak të gazit lotsjellës. Jemi të pavarur, mirëpo nuk duhet harruar se kurrë nuk është e tepërt të marrim këshilla nga miqtë tanë evropianë dhe amerikanë. Ata të cilët po hedhin molotov në drejtim të institucioneve kurrë nuk kanë marrë ndonjë vendim të mirë për ju qytetarë, mësues, invalidë të luftës, të burgosur politikë”, është shprehur Thaçi.
Më tej Thaçi tha se marrëveshja PDK-LDK do të respektohet dhe se zgjedhja e tij si President i Republikës së Kosovës do të forcojë shtetin e Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, e cila do të jetë edhe më e fuqishme, për çka beson fuqishëm në lidershipin dhe elektoratin e PDK-së.
Zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se, “kohëve të fundit kur përmendet prania e pushtetit serb në Kosovë, duhet theksuar se pushteti serb ka marrë fund, më 12 qershor 1999”, ndërsa beri thirrje për unitet dhe që opozita qe t’i therras zërit te arsyes. Veseli tha se Hashim Thaçi do të jetë President i Republikës së Kosovës.
Njoftimi i dërguar mbrëmë bën të ditur se, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar me bashkëpunëtorë, në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të themelimit të PDK-së në Shtime, në një organizim madhështor ka takuar strukturat partiake, simpatizantët dhe qytetarët e shumtë nga Shtimja.
Archives for January 2016
Iradeja
Tregim kushtuar Nikolla Naços/
nga Istref Haxhillari/
Deti i pamasë ngrohej në diellin e vakët të prillit. Bluja e syprinës së ujit, zgjaste duart të ledhatonte kaltrinë nazike të hapësirës. Loja e ngjyrave ngazëllente udhëtarët e ngeshëm në kuvertën e anijes luksoze “ Faraon ”, nisur para dy javësh nga Aleksandria. Vinin të vizitonin Stambollin. Ngjyra e qiellit zbriste përfund shpirtrave njerëzorë, ndizte fantazinë. Si çdo ditë, atij mëngjesi lyer me të bronztën e rrezeve të para të diellit, grupi i zotërinjve zhurmonte si zgjua blete. Po i afroheshin fundit të udhëtimit. Kur brigjet e mugëta u përvijuan në horizont, prenë bisedat, derdhën shikimin tutje.
Përtej vijës së ujit u shpalos pamja përrallore e qytetit të vjetër.
Stërmadh, pa fund e pa cak, i zhurmshëm e i pluhurt, Stambolli i ngjante një kafshe të shformuar parahistorike që merrte frymë me tërë qenien. Përmbi Bosfor, avujt e detit formonin shtëllunga të bardha, tymnajë që u merrte sytë, turbullonte shikimin. Në dy anët e detit hijeshonte Qoshk Jëlldëzi, përzierje pafund ngrehinash të shumëllojta prej druri përqark xhamive madhështore. Rrugët e spërdredhura në faqe kodrash të gjelbëruara, lagur nga ujnaja e pafundme, zvarrisnin vështrimin e udhëtarëve në Portën e Lartë, ku fillëronte stema kuranike e Kalifatit dhe manteli i Profetit. Zërat e fuqishëm të ulemave çanin qiellin e murrmë të qytetit tundues dhe depërtonin vagëlluar në veshët e udhëtarëve.
Përkundruall spikaste Gallata, lagjja e të krishterëve dhe selia e ambasadave të huaja, me ndërtesa të larta mermeri sipas arkitekturës së kohëve të reja. Në ngushticën e Harkut të Artë, përmes Urës së Gallatës takohej Lindja me Perëndimin, dy botë krejtësisht të ndryshme. Nga çdo cep i vaporit vështrimi i shikuesve ndehej përmbi Dardanele, bukuroshen e hijshme të Lindjes. Në pragun e saj të përbaltur, gurëzohej koha e thinjur.
Midis udhëtarëve binte në sy një burrë i gjatë e i pashëm që tërhiqte më së shumti vështrimet e kureshtarëve. Sy të kaftë zhbirues, mustaqe të shkurtra, kostum kamoshi vishnjë dhe papion ngjyrë alle, mysafiri i huaj ngjallte nderim përmbi të tjerët. Këmisha e bardhë borë dhe jeleku kadife bënin kontrast me qostekun e rëndë prej ari të kulluar. Dukej sheshit, ishte ben ollaxhëm, njeri me rëndësi.
Mbi supe i strukeshin gjashtëdhjetë vite.
Zbriti shkallët i ndjekur nga shoqëruesi me dy valixhe të rënda. Hamajtë e portit dhe lypsarët e ndoqën pas të huajin që shpërndante me bujari aspra argjendi. Turma rreth tij shtohej rrëmujshëm, pengonte lëvizjen e njerëzve dhe karrocave. Policia vendase zuri t’i shpërndante. Ofiqarët me uniformë përshëndetnin me përkulje pasanikun e largët, duke i kërkuar ndjesë për bezdinë.
Zotëria ngriti dorën, ndaloi një llandon me karroceri jeshile, ku qenë mbrehur dy kuaj të bardhë.
– Hotel “ Sheriat ”! – foli në turqishte të kulluar.
– Si urdhëron, efendi!
Si u përkul tri herë, sipas adetit vendas, karrocieri iu afrua shërbëtorit t’i merrte valixhet. Ai e kundërshtoi prerë.
Zotëria me papion buzëqeshi.
– Gjergji, jepja, – i tha me zë të ngrohtë shoqëruesit dhe shokut të udhës.
Djali muskulor, me duar të mëdha tërë kallo, shikoi i frikësuar turmën e njerëzve përqark, pastaj gjithë kujdes i besoi valixhet të huajit.
Koçia e stolisur filloi të çante me vështirësi grumbullin e dendur të njerëzve. Prilli rrëzëllente përmbi Stamboll, pamjet vallëzonin me shpejtësi marramendëse në çdo hap të kuajve. Gjergji përpinte shfaqjet mahnitëse të vendit. @@@@@@
Nëpër rrugën e zhveshur tërë pluhur barisnin lloj – lloj njerëz të gjithfarë race e ngjyre me të gjitha veshjet, ngjizur moteve të largët apo stisur kohës së vonë. Çuditë e qytetit të madh nuk kishin të shteruar, ndërroheshin njëra pas tjetrës si në një film me xhirim të ngadalshëm. Gjergji vërente i habitur këtë cep të pazakontë të dheut ku takohej mesjeta e vjetër me kohët moderne. Gjallonin kudo pranë vendosur kundërshti të skajshme, e vjetra me të renë dhe absurdi me të vërtetën.
Nga tirqet me xhufka dhe peshtemallët e mëdhenj dalë boje, te kostumet evropiane me papion, prej jelekëve të shkurtër dhe pëlhurave të trasha aziatike që i mbulonin femrat kokë e këmbë, në fustanet gjokse hapura të gufuara, nga këmbët e zbathura dhe opingat me lëkurë kau, te këpucët lustrafin ardhur nga Parisi dhe Vjena.
Pranë sarajeve shekullore buisnin shtëpi moderne me ndërtimet e përthyera sipas stilit barok të Rilindjes. Afër haneve të shëmtuar me dritare e dyer ngrënë nga koha, kishin mbirë hotelet e hijshme me ballkone të gjera e dritare zbukuruar nga perde damasku. Pranë e pranë udhëtonin qerret tërhequr nga buaj të zinj me brirët e mëdhenj të spërdredhur dhe llandonët e kohës, ku qenë mbrehur kuaj këmbëshpejtë stolisur me zbukurime shumëngjyrëshe.
Në hyrje të pazarit udhëtarëve kuriozë u zuri syri dyqane të vegjël çikërrimash, artizanë që shtynin me këmbë rrotat e poçerisë. Llandoni kaloi rrugës kryesore përpara trekëmbëshit, ku qëndronin varur kufomat e pesë të dënuarve mbuluar me këmisha të gjata prej pëlhure lini. Pamja e lemerishme u vrau sytë. Vdekja llërëpërveshur kishte zënë pritë për t’u treguar të gjallëve se ishte po aq e pranishme sa jeta. Gjergjit i kaluan mornica nëpër lëkurë, bëri kryqin i tronditur.
Kuajt e shkumëzuar ndaluan në hyrje të hotelit elegant.
Ndërtuar sipas stilit evropian në krah të godinës qeveritare bënte kontrast me godinat e vjetra përreth apo hanet ku rehatoheshin zakonisht të huajt. Burri sqimatar u habit nga pamja tjetër lloj e hotelit të para njëzet viteve.
Sapo u shfaq në hollin luksoz, një tog punonjësish erdhën t’i urojnë mirëseardhjen dhe t’i ofrojnë mysafirit të nderuar shërbimet e hotelit. E lutën të ulej në divanin me lëkurë krokodili, të mblidhte veten nga udha e gjatë nëpër detin e trazuar.
Pas pak u duk pronari, burrë i shkurtër, mustaqespicë, që shihte vëngër. Veshur me jelek dhe xhaketë të modës së fundit, Fatih beu mbante shallvare zbukuruar me xhufka të kuqe. Nuk merrej vesh në ishte i mençur shumë, apo trashëgimtar i zakontë pasurie të madhe me të cilën kishte ndërtuar atë hotel të bukur si dritë. Binte në sy klientela shumë e zgjedhur. Prej disa vitesh bujtnin mbretër, kryeministra dhe burra shteti, para ose pas takimeve me personalitetet më të larta vendase.
– Bujrum efendi, jemi të lumtur që zgjodhët hotelin “ Sheriat ”.
– Faleminderit! – u përgjigj ftohtë mysafiri. – Dua dy dhoma nga ana e detit.
– Po jap urdhër t’i bëjnë gati, – foli turku i shkathët. – Ju bëj rixha të pini çfarë të dëshironi.
– Birrë, – ia ktheu tjetri, me shprehje të papërcaktuar.
Fatih beu s’e kuptoi në i kishte pëlqyer hoteli këtij efendiu hijerëndë. Nuk i tha asnjë fjalë të mirë, si të tjerët që e kishin sajdisur.
Pastaj u afrua kryesekretari me defter në dorë.
– Efendi, një formalitet i vogël, emrin tuaj e të hyzmeqarit.
Zotëria nxori pasaportën. Tjetri e mori në duar dhe lexoi me zë.
– Nikolla Naço, kombësi shqiptare, shtetësi egjiptiane, banues në Bukuresht, Rumani.
Nëpunësi, i mësuar me gjithfarë vizitorë, nuk kuptoi asgjë. S’kishte parë ndonjëherë pasaportë të tillë, ndaj mbeti në mëdyshje.
– Më ndjeni efendi, si ta hedh në kartë adresën tuaj.
– Shkruaj se jam shqiptar, arnaut, – buzëqeshi me qesëndi Nikolla.
Sekretari u largua mbrapsht me përkulje i habitur prej këtij zotërie të pakuptuar.
Menjëherë në turmën e shërbyesve zunë fill hamendje në trajta të çuditshme, përthyer sipas mendësisë së gjithsecilit. Fantazitë përpiqeshin të zhbironin identitetin e vërtetë të ardhësit të mjegullt.
– Princ arnaut, mik i Vezirit me pasuri të madhe në Egjipt e Rumani.
– Porositi dhomën më të mirë përballë sarajeve qeveritare, – e mbështeti folësin një kamarier.
– Shumë i pasur duket, – u shpreh mendueshëm përgjegjësi i rojeve.
Thashethemet do të vazhdonin gjatë po të mos i ndërpriste pronari.
– Mjaft humbët kohë, shikoni punët tuaja. Zotëria kushdo qoftë është ben ollaxhëm.
Vetë Fatih beu e shoqëroi mysafirin e lartë te dhomat e hotelit, ndrequr e rregulluar posaçërisht.
Afër fundditës së gjatë e të lodhshme, Naçua zbriti ngadalë shkallët me parmakë të lartë, plasaritur nga kujtime të hershme. Si njëzet vjet më parë vegoi sërish Aleksia, rumunia e hijshme me kurmin e derdhur prej perëndeshe. Harresa ra në kurthin e dhimbjes, dallgët e mallit të pashuar e përmbytën. Duart e trëndafilta, vështrimi i ndezur i gruas së bukur e mbërthyen si atëherë. Lëngata rëndoi e plumbtë dhe hija e trishtimit u ndeh mbi ballin e plagosur. Në mesditën e shtyrë të jetës Aleksia i preu rrugën, ngjalli ëndrrën e venitur të martesës. Ishin gjashtë muaj të nxehtë që nuk i pati njohur kurrë më parë. Gratë patën hyrë shpesh në jetën e tij, por asnjëra nuk e robëroi si rumunia me shtatin e derdhur dhe përkëdhelitë e zjarrta.
Kur vendosi të martohej, gruaja e bukur u zhduk si hije fshehtarake, ashtu si pati ardhur. E kërkoi muaj të tërë. Nuk i hasi më sytë e shkruar, po vegimi i saj nuk u shkri kurrë. Brenga e mundoi gjatë dhe firoi ëndrrën e familjes. Fëmijët e munguar, pasardhësit u bënë vogëlushët e të njëjtit gjak në atdheun e tij. Si një baba i dhembshur iu përkushtua atyre me të gjitha energjitë dhe pasurinë e grumbulluar nëpër vite të gjata pune të vazhduar. I vetmi ngushëllim në fillesën e pleqërisë vetmitare…
Veshur me kostum mbrëmjeje ngjyrë bezhë, u drejtua nga restoranti. Porositi gjellët më të shtrenjta të listës që nxitoi t’i vinte përpara kryekamerieri. Klientët e rrallë vështruan plot kureshtje mysafirin e hijshëm.
Gjatë darkës përdori me elegancë takëmet e shumta, modë e vështirë për t’u ndjekur në Stamboll, ku vendasit hanin me dorë pilafin. Shumicën e pjatave vetëm sa i ngjëroi, ndërsa Gjergji përlante me oreks levrekët dhe havjarin e shijshëm. Nxori nga kutia e sermit një puro Havane, tymosi ngadalë me vështrim përhumbur hapësirës së hotelit. Mbajtësja e kushtueshme farfuriti në dritën e qirinjve.
Vezulloi sërish Aleksia, shkriu brymën e harresës me fije malli, zhytur kohës së largët. Lektisja ngjitej nëpër degët e kujtesës, godiste shpirtin e trazuar dhe çelte vetëm dhimbje. Tundi kokën ngadalë, mendueshëm, pastaj u kthye në dukjen e zakontë dhe misionin e udhëtimit.
Hodhi në tabaka një monedhë floriri me vlerë dy herë më shumë nga darka dhe u largua qetësisht. Kamerieri nxitoi të kthente kusurin, po ai bëri shenjë ta mbante. Me gojë hapur turku lëvizte buzët si peshku pa ujë. Bakshishi e kalonte pagën javore. Çudia e tij nuk kishte të sosur, ndaj mbeti i dyzuar me tabaka në dorë.
Me të njëjtën mënyrë shpërbleu punonjësit e tjerë. Shërbyesit të dhomës i fali dhjetë mexhite argjendi, kurse Fatih beut një napolon flori për nderet e veçanta që i rezervoi. Me të njëjtën sjellje fisniku të kamur plot sqimë e madhështi, të nesërmen dhe ditët e mëpastajme, zotëria i panjohur habiti nëpunësit e hotelit dhe klientët me emër në qytet. Shumë syresh u munduan të lidhnin miqësi. Ai qëndronte ftohtë, ndonëse i sajdiste me fjalë të zgjedhura.
Shumë shpejt arnauti hijerëndë u bë i njohur në rrethet më të larta të Stambollit. Nuk ishte parë ndonjëherë zotëri i kamur të shpërndante të holla pa kursim për cilindo që i shërbente.
Hamendjet nuk shternin dhe si qenie të gjalla depërtonin shtëpitë e para të qytetit nga klientët e sërës së lartë. Në trajtë hallkash zinxhiri stërgjatë mbërthyen një numër pafund njerëzish. Si gjithnjë në të tilla raste, çudia merrte pamje legjende, të dyshimtë e të pabesueshme, aq më tepër në një qytet si Stambolli që ishte vetë çudi e pa kuptuar.
Mehmeti, vizitor i rregullt i hotelit, që e mbante veten për shkencëtar, u kumtoi në fshehtësi miqve besnikë përfundimin e meditimeve disaditore.
– Ka nxjerrë me mjete të holla thesarin e madh të Bermudës, groposur për qindra vjet nga anijet që kanë rënë në grackën e trekëndëshit ujor të oqeanit më të madh të botës. Pasurinë e ka grumbulluar në një vend të fshehtë të Arnautistanit me roje besnike. Në Stamboll ka ardhur të prishë një pjesëz të vogël të pasurisë së pafundme.
Rivali i përhershëm i Mehmetit, Orhan efendiu, e kundërshtoi prerë, me inat dijetarësh dhe argumente shkencore të pakundërshtueshme.
– Nuk ka asnjë mundësi të dalë thesari i Bermudës për arsye të shtjellave ujore, që e shpërndajnë në brendësi të oqeanit, – foli me bindje. – Dëgjova se është alkimist. Ka arritur të kthejë metalet e rënda në ar dhe gurë të shtrenjtë. Ndërveprimin kimik e di vetëm ai, e mban të fshehtë. Ka lënë me shkrim të publikohet pas vdekjes.
Mehmeti e hodhi poshtë arsyetimin naiv të kolegut. Diskursi filozofik vazhdoi gjatë.
Vëmendja e njerëzve u mbërthye si me magji drejt këtij njeriu të veçantë që nuk ishte mbret, kryeministër apo princ trashëgimtar. Gazetat në fillim me kujdes e frikë shkruanin lajmin në kollonat e fundit, paragrafët e vegjël për bëmat e shumta të përditshme të Stambollit. Dalëngadalë filloi të zinte vende më të dukshme, derisa hyri në faqet e para fill pas lajmeve qeveritare. Shkrimet i bënin jehonë vizitorit enigmatik. Askush nuk besonte të ishte arnaut, siç u paraqit në hotel “ Sheriat ”. E quanin dredhi të mençur për të mos rënë në sy e bezdisje.
Vezirit ia dha lajmin ndihmësi për shërbimet e fshehta të shtetit, Damad beu. Rreth të pesëdhjetave, Damadi i rafinuar e dinak kishte zënë postin e lartë pas një lufte të gjatë bërrylash, falë aftësisë dhe dredhive thurur me kujdes. Në luftën për pushtet kishte vënë poshtë lakmitarë në zë, ca me të mirë, të tjerët përmes mënyrash të tërthorta. Të gjithë ia kishin frikën këtij nëpunësi të lartë autoritar, me sy të vegjël zhbirues. Fatihu, agjent i fshehtë rekrutuar herët, e vuri në dijeni të nesërmen e arritjes së mysafirit errëtiak.
– Dokumentet i ka të sakta, po s’më duket të jetë siç shtiret me tërë atë pasuri që e prish lehtësisht vend e pa vend, – i raportoi përgjegjësit të tij.
– Ndiq me kujdes çdo lëvizje, veri pas një hafije dhe më njofto dy herë në ditë, – urdhëroi Damad beu.
Ditën e tretë Nikolla u vu nën vëzhgim të rreptë në çdo hap, kudo shkonte. Një nëpunës i shërbimit të fshehtë, specialist i përndjekjeve të rëndomta, iu qep këmba – këmbës.
Me bisht të syrit dalloi lehtësisht spiunin. Sa herë binte rasti, nxirrte portofolin, i falte ndjekësit nga një monedhë për shërbime të parëndësishme, kur çelte derën ose i hapte udhë të kalonte përpara tij. Ishte fare i bindur se të gjitha këto do të vinin atje ku duhej. Misioni formësohej ngadalë i sigurt.
Atë mbrëmje Naçua fërgëlloi nga emocionet e fshehura gjatë. Po ngrysej një ditë e lagur me shi të imët. Retë gri vraponin qiellit për të shkarkuar barrën e ujshme. Nga dritarja e dhomës derdhi shikimin jashtë, nëpër qytetin e zhurmshëm. Mugëtira e zbërdhulur mbështillte Stambollin me një rrjetë të padukshme. Peizazh i njëllojtë si atëherë. I njëjti diell i kuq, stërmadh kishte cekur sipërfaqen e detit, sikur mendohej të zhytej apo jo. Pamje të tilla përrallore, goditëse marramendëse prodhonte vetëm ky qytet i mallkuar. Njëzet vjet pareshtur përfytyronte atë çast ogurzi. Asnjëherë nuk e sillte të plotë në kujtesë. Tani e përjetoi po aq të prushtë, të padurueshëm, të lemerishëm çmendurinë e atij pragu nate.
Aleksandra e braktisi në një muzg të tillë.
Kurrë nuk besoi se iku vetë, dikush e rrëmbeu në prerjen e ditënatës, e fshehu përgjithnjë. Kur u zgjua dhe gjeti dhomën bosh, nuk kuptoi saktësisht qe ditë apo natë. Çast i përçudnuar, diçka pezull midis të dyjave, përzierje levarashe e dritës me errësirën. Me kohë rrëmbyesi u bë një me muzgun e hirtë. Ai nuk e ndante dot, nëse ishte vërtet dikush apo vetë mugëtira e shpëlarë. Tani që u rikthyen të plota mbresat, përshtypja e formësuar ngadalë nëpër vite i dukej krejt e vërteta e hidhur. Tani ishte i bindur se njëzet vjet të shkuara ky muzg i rrëmbeu rumunen e bukur me sytë e qielltë, gremisi martesën, e la fillikat. Rivali i murrmë e fshehu Aleksian s’di se ku nëpër labirintet pafund, thau shpirtin e tij. Që nga ai çast i marrë, nuk pati kurrë pasardhës. Fëmijët e vendit të tij zaptuan imazhin e vijimësisë, i vetmi motiv i ekzistencës në dy dhjetëvjeçarë tejet të gjatë.
Dy pika lot trazuar me helm e shpresë morën udhë faqeve të burrit, drobitur nga kujtimet…
Raportet e Fatih beut vishnin vizitorin me vello misteri të pabesueshëm. Habitur prej informacionit të detajuar me hollësira tej reales, këshilltari deshi të njihej me këtë zotëri që nuk bënte asgjë të dyshimtë, përveç shpenzimit të parave. Rrahur me vaj e uthull në punë të tilla, vendosi të vinte në restorant ta shihte nga afër.
– Ku dihet se nuk është spiun? Përse ka zënë dhomën kundruall zyrës sime? – përpiqej të hynte në fshehtësirën që rrethonte bujtësin e çuditshëm të hotelit.
Damad beu nuk u vinte veshin gazetave. Pothuaj nuk i lexonte.
– Kalemxhinjtë atë punë kanë, – thoshte, – me këtë zanat nxjerrin bukën e gojës.
Pasi kaluan gjashtë ditë nga ardhja e Nikollës, në restorant u vu re lëvizje e pazakontë. Shërbyesit rregullonin tavolinat, drejtonin mbulesat e rrudhosura, qëndronin tërë merak nëpër vendet e punës, si rrallë herë ditët e qëndrimit të tij në “ Sheriat ”.
Së fundi hyri një burrë i shkurtër tullac, me krahë shumë të gjatë për trupin xhuxh, ndaj shpërpjestimi binte fort në sy. Prapa e ndiqnin një sërë burrash, mes të cilëve pronari i hotelit, i përngritur nga vizita e nëpunësit të lartë të shtetit. Autoritar e indiferent, nuk përfillte lajkatarët që përpiqeshin të tërhiqnin interesimin e tij. Shumica e klientëve u ngritën në këmbë, derisa këshilltari zuri vend në tavolinën e përgatitur enkas në krye të restorantit. Si u rehatua, Damad beu mjeshtër i zanatit, hodhi shikimin nëpër sallë. Pikasi menjëherë të panjohurin që e solli aty. Pamja krenare, shija në veshje e sjellje, qëndrimi hijerëndë i bënë përshtypje dhe përforcuan dyshimet.
Atmosfera u zymtua. Në thellësi të mbrëmjes mbiu trishtimi i hidhur ndehur nëpër hapësirën e gjerë të restorantit. Ku shkelte Damad beu, pasojat nuk mund të llogariteshin. Nëpër të çarat e mëngëve të kohës vrundulluan tallazitë e shkurtabiqit të fuqishëm. Të nesërmen e vizitës së fundit në “ Sheriat ”, para gjashtë muajve, Hysni pasha vetë i tretë përfunduan në litar për tradhti të lartë. Pashai ishte klient i rregullt, i respektuar dhe i frikshëm.
Naçua ndiqte ritin e vet të përnatshëm. Thithte qetësisht puron, nuk ktheu kokën të shihte si shumë të tjerë. Kredhur në qetësinë mikluese të mbrëmjes, nanurisej mes ëndrrash të mëdha. Nuk i dinte bëmat e Damad beut, po atmosfera cingëruese u përcoll përmes valëve të padukshme. Zemra i rrahu me forcë dhe djersë të lehta i bulëzuan nëpër trup. Cipa e qetësisë u turbullua, minutat e pritjes digjeshin ngadalë mes heshtjes së padurueshme. Akrepat e sahatit prej sermi në qostekun e artë dremisnin fushës ngjyrë kërmëzi. Era fshehtarake e heshtjes skërmite gjysmerrësirën.
Nuk i honepste gjysmakët. Gjendja e turbullt kur drita dhe errësira grinden për t’i zënë vendin njëra – tjetrës i cifloste nervat. Në këtë situatë të pafavorshme shihte tërthoras siluetën e beut tek luhatej në dritën e vakur të qirinjve.
Dy burrat e mençur e dinakë ndienin praninë e njëri – tjetrit ashtu si luani nuhat afrimin e kundërshtarit disa qindra metra larg sinorit të tij. Rrinin tërë sy e veshë në përgjim dhe pritje. Nikolla e dinte se burri i shkurtër e vëzhgonte me nge, përpiqej të kuptonte nga larg peshën, karakterin, çdo lëvizje që mund të tradhtonte qëndrimin e tij prej zotërie të pasur. Turku kishte përparësi, e shikonte drejtpërdrejt pa larguar vështrimin asnjë çast. Ai duhej ta ndiqte vetëm me sytë e mendjes, pa lëvizje të tepërta që mund të zhvlerësonin qëndrimin hijerëndë.
Zuri fill një luftë e ftohtë me armë fluide të padukshme për klientët. Mprehtësi, nerva, mençuri, arsyetime memece mbanin nën përngritje të skajshme ndërluftuesit. Secili epohej të lexonte mendimet e shfaqur tërthorazi të tjetrit, mbresat që kishte lënë, mundësinë e marrëveshjes. Ndonëse në rrethana dhe gjendje të pabarabartë, druheshin njëlloj mos gabonin në ndeshjen e afërme.
Damad beu s’e kishte vështirë ta thërriste ku të donte e si të donte. E kërkonte detyra dhe posti i lartë qeveritar, po i zgjuar me përvojë shikonte përtej këtij caku. Sikur të ishte agjent i huaj? Fërkimet e shtetit me fqinjët ishin mahisur dhe pritej luftë e përmasave të mëdha. Duhej ta zbërthente me mjeshtëri pa u nxituar, që do të thoshte ngritje tjetër në detyrë, ndoshta ministër i jashtëm. Në se qe hafie, prapë duhej ta peshonte mirë, të mos binte në grackë. Sidoq ë u përpoq, nuk mundi t’u jepte rrugë mendimeve të ngatërruara. Vendosi të sillej me kujdes derisa të nuhaste misionin e vërtetë të vizitorit sqimatar.
Nikolla qëmtonte se shkurtabiqi në krah, me pushtetin e madh, zgjuarsinë e dukshme, qëndrimin e kujdesshëm mund t’i shërbente më shumë se cilido misionit të tij në Stamboll. Sjellja kundrejt atij njeriu, përshtypja që do t’i linte, kishin rëndësi vendimtare. Tendosur, me nofulla shtrënguar e dukje të qetë, priti më shumë se një orë përballë kundërshtarit dredharak derisa e mundi dhe arriti fitoren e parë. Beu nuk duroi dot më gjatë, dërgoi Fatihun.
– Efendi, Damad beu dëshiron të piqet me ju, nëse nuk keni kundërshtim.
– I thuaj beut se jam i nderuar të takohem me një burrë të mençur si zotëria e tij, kurdo që ai të dëshirojë, – u përgjigj njerëzisht me indiferencë të shtirë.
Beu u nis të dilte. Në ikje përshëndeti me dorë në zemër. Nikolla u ngrit në këmbë dhe e ktheu përfilljen me lëvizje të lehtë të kokës.
Tërë atë natë nuk fjeti. U përpëlit në krevatin e rehatshëm gjer ndaj të gdhirë. Peshoi me imtësi bisedën e ardhme, çdo detaj të mundshëm përballë grackave të kundërshtarit. Fundi i takimit duhej të ishte marrëveshja me argumente e mençuri, po sidomos me para, shumë para. Të blinte turkun e pushtetshëm e të zgjuar, ta vinte në shërbim të tij. Suksesi apo dështimi tani qëndronin tek ky shkurtabiq, aftësitë e tij për ta bindur dhe joshur së toku. Gjumi u end rrethinave të syve gjer ndaj të gdhirë kur dita e vizitoi me rrezet e zbehta të mëngjesit. Nata brente mendimet e ngatërruara. Ëndrrat trazuan dremitjen e shkurtër gjersa në kapakët e syve trokiti zgjimi i beftë.
Shërbimit të tij po i buzëqeshte fati.
Damad beu i doli përpara ashtu si e kishte menduar gjatë, pa e ditur se cili funksionar do të interesohej. Nuk e njihte natyrën e beut, interesat dhe synimet e tij në dredhat e pushtetit. Biseda e pritshme do të zbulonte hollësi për të ndërtuar sjelljen e vështirë. E dinte se në postin e lartë të këshilltarit të shtetit për shërbimet sekrete nuk mund të qëndronte kushdo.
Me shumë kujdes, fshehur pas dukjes mospërfillëse prej ben ollaxhemi, mësoi nga kryesekretari se Damad beu qe dhelpër e vjetër. Kishte vënë përpara kandidatë të fuqishëm për të siguruar besimin e Vezirit. Kundërshtari dinak do të ngrinte kurth pas kurthi për të zhbiruar Naçon dhe misionin e tij të brishtë. Përpunoi në mendje disa variante për ndeshjen e pritshme. Do të nxirrte në tavolinën e lojës atë që i përshtatej më mirë natyrës së shkurtabiqit të fuqishëm.
Pas faljes së mëngjesit nga të gjithë punonjësit e kryeministrisë, sipas rregullit të pandryshuar në shekuj, te hyrja e pallatit qeveritar u shfaq zotëria misterioz. Fatih beu i pëshpëriti në vesh rojës; i priste Damad beu, dora vetë. Ai u priu me përkulje te oda e madhe e këshilltarit, pas një kontrolli të imtë nga të tjerë roje me feste të rënda.
Nikolla hoqi kapelën, u paraqit me fjalë të zgjedhura.
– Jam i lumtur zotëri të takohem me ju.
– Bujrum, mirëserdhe, – u përgjigj Damad beu, – urdhëro ulu.
Pas përshëndetjeve të para, shërbyesi solli kafe dhe ëmbëlsirë.
– Ma bëj hallall sëkëlldinë, efendi. Detyra ma kërkon të marr vesh kush je dhe për ç’punë ke ardhur në Stamboll, – e nisi fjalën nëpunësi i lartë i shtetit.
– Jam shqiptar, quhem Nikolla Naço. Vij për një punë me rëndësi, që dëshiroj t’jua them vetëm ju në audiencë private, nëse është e mundur.
– Ah, arnaut, – qeshi beu në mëdyshje trazuar me ironi, – mua më pëlqeni shumë se jeni trima dhe të besës.
– Dashamirësia juaj ma lehtëson së tepërmi shërbimin. Kemi dëgjuar për mençurinë dhe shpirtin tuaj të madh, po fjalët që më thatë e tejkalojnë së tepërmi nderimin tonë.
Beu dha urdhër të dilnin, ta linin vetëm me zotin Naço të këmbenin ca fjalë kokë më kokë.
Pas një çasti, në zyrën e madhe mbetën vetëm të dy.
Nikollës i rrihte zemra si e zogut rënë në kurth, po nuk lëvizi nga qëndrimi prej zotërie hijerëndë. Kërkonte të lidhte marrëveshje me interesa të ndërsjella, asgjë më tepër. Kishte ardhur më në fund shansi i madh. Do të ishte i zoti ta bënte për vete këtë burrë të djallëzuar që e shponte me sytë e shpëlarë dhe nuk kuptohej çfarë bluante në atë kokë pa asnjë fije floku?
Nxori nga çanta prej meshini të zi një statujë kalorësi mbi kalë prej floriri njëzetekatër karat. Damadi e shikoi i mahnitur atë bukuri me vlerë. E mori në duar, e vendosi në dollap poshtë tavolinës, pastaj iu drejtua Nikollës, me sy të zbutur po dukje njëlloj të rëndë.
– Urdhëro e fol, efendi.
Nikolla, me fjalë të zgjedhura, i shpjegoi se bashkëkombësit e tij kanë qenë e do të jenë besnikë të Padishahut. Vendi i tij nuk mund të qëndronte jashtë perandorisë se do ta copëtonin dhe gllabëronin fqinjët që prisnin rastin e volitshëm.
– Ne kërkojmë vetëm lejë të hapim shkollë në gjuhën tonë, – përfundoi Naçua ligjëratën me qëndrim të ftohtë, pa lënë asnjë shteg për prapamendim.
– Iradenë e lëshon Sulltani, – u përgjigj prerë këshilltari, – kjo punë nuk është në dorën time.
– Në dorën tuaj është Damad bej se keni dy armë të fuqishme, mençurinë tuaj dhe paratë tona. Ne paguajmë mirë, me gjithë zemër.
Beut i bëri përshtypje çiltërsia e arnautit dhe florinjtë që premtonte. Vështroi me kujdes për një kohë të gjatë burrin krenar dhe fodull. Nuk i lëvizte qerpiku i syrit, s’e tradhtonte asnjë lëvizje sado e vogël. Kishte menduar tërë ato ditë se fshehja pas arnautit, ishte maskë e grisur e të panjohurit përballë. Përshtypje e gabuar. Tani u bind dhe ndihej i plotë, pa frikën e ndonjë rreziku të mundshëm. Uli sytë, u mendua. Në ballin e rrudhur damarët blu regëtinin si piavica.
Dashkan shkollë në gjuhën e tyre. Kush e ha këtë? Kur të mësojnë e bëhen të ditur nuk do t’u vejë mendja për më shumë? Jo, mor efendi, nuk është kaq e thjeshtë kjo punë. Po të qe kështu, përse paguani?
Ama shihte një mundësi të leverdishme për t’u pasuruar. Ishte pesëdhjetë vjet, gjersa të hapnin shkollë këta e të mendonin për më tej duheshin edhe pesëdhjetë të tjera. Ku dihet ç’bën Allahu pas një kohe kaq të gjatë?
Pastaj foli me zë të ngadaltë e të ngjirur.
– Kërkesa juaj është me zarar. Kush na siguron se pas kësaj nuk do t’u vejë mendja për të tjera ndërmarrje të rrezikshme, siç kemi dëgjuar të përflitet?
– Zoti Damad, jemi vend i vogël, kemi treguar me vepra besnikërinë për një kohë të gjatë. E ardhmja jashtë shtetit tuaj është e errët. Nuk duhet t’u vini veshin thashethemeve të përhapura nga armiqtë tanë.
– Atëherë pse doni të paguani?
– Për të lehtësuar punë, të mos zgjaten pa fund procedurat. Ato para janë mbledhur nga një grup njerëzish të pasuruar falë hapësirave që kanë krijuar ligjet e Padishahut. Në se nuk i merrni ju sigurisht do t’i marrë një tjetër. Kjo punë do të mbyllet se nuk i sjell dëm askujt, aq më tepër shtetit tuaj që është edhe yni, – hodhi fishekun e fundit me ton të ftohtë, pa ndonjë ngutje të posaçme.
Mosbesues, i padepërtueshëm dhe kërcënues, beu e shikonte përmes qepallave të rralla ngjyrë kashte. Vetëm me një lëvizje të kokës nëpunësi i fuqishëm i shtetit mund të zhdukte pa nam e nishan Naçon dhe misionin e tij të thyeshëm. Dyluftimi hyri në vragë dhelparake të rrezikshme. Piavicat ngjyrëvjollcë përmbi ballin e madh të zbuluar u tendosën. Beut po i soste durimi.
Me tipare të zbutura njerëzore, Naçua theu heshtjen e rëndë të padurueshme.
– Zotëri, më lejoni t’ju bëj një pyetje intime?
Tjetri tundi i lodhur kokën në shenjë pëlqimi.
– Sa fëmijë keni?
– Gjashtë djem dhe dy vajza, – buzëqeshi lehtë Damad beu.
– Uroj të kenë jetë të gjatë dhe mendjen e të atit.
Pastaj me sy të mallëngjyer vazhdoi.
– Do t’ju rrëfej një sekret që më torturon prej njëzet vitesh, kur firoi përfundimisht ëndrra e martesës. S’kam fëmijë. Shpirti im është bosh si një rrënojë. Shterpësia është hiçi, shkretëtira dhe shurdhimi i jetës, fëmijët janë ardhmëria. Keni dëgjuar për murgjit e malit Athos në Greqi? Janë dënuar të mos martohen, të mos kenë trashëgimtarë. A mund të përfytyrohet gjëmë më e përbindshme?
Hyra në moshën e pleqërisë. Nuk dua të harrohet emri im si të mos kem qenë kurrë në këtë botë. Diçka e imja dëshiroj të gjallojë pas vdekjes. Kam vendosur të adoptoj të gjithë fëmijët e vendit tim, përndryshe nuk do të mund të vdes, as më tret dheu. Pa shkollë dhe pa dije është më ligsht se pa bukë. Ja pse kam marrë udhët deri këtu, të mos i le fëmijët e mi në errësirë. A nuk do të bënit edhe ju të njëjtën sakrificë për djemtë dhe vajzat tuaja? – përfundoi me vështrimin e ngulur dhunshëm në profilin e lodhur shëmtaraq të Damad beut
Fjalët e Naços lëkundën nga rrënjët shtetarin e rëndë, e plasaritën dhe zbuluan ciflat e atit të dhembshur me zemër të butë. I donte shumë fëmijët, sidomos djemtë. Djali i madh oficer drejtonte divizionin e kavalerisë së Stambollit, pjesë e gardës perandorake. Ishte i rrezikuar në çdo rast. Shpirti i babait dridhej sa herë përmendte të birin. Arnauti ka të drejtë. Vetëm një zemër e madhe përballet në këtë mënyrë me të pamundurën. Sigurisht ai e di se ky mision mund t’i kushtojë jetën.
Mandej pse t’i shpëtonte nga duart një pasuri e tërë për hiçmosgjë? Ç’do ta gjente shtetin për një shkollë idiote në atë cep të humbur? Veziri e dëgjonte fjalën e tij si askënd tjetër, i besonte logjikës së shëndoshë që e kishte nxjerrë shpesh herë faqebardhë nëpër dava të sëkëlldisura. Sulltani nuk ishte në ditët më të mira. Pushteti i tij kish marrë tatëpjetën. Klanet brenda Portës, grindjet, mosmarrëveshjet dhe era e luftës së afërt zinin kohën më të madhe. Nuk ishtë punë e vështirë të bindej për të firmosur fermanin pa ndonjë rëndësi në rrëmujën e çështjeve të mëdha.
Po, me përvojë të gjatë në vorbulllën e ngatërruar të goditjeve, përplasjeve dhe dështimeve në misione të tilla, Damadi u përkiste atyre që shohin qimen në kashtë. Ata që nuk e donin mund ta futnin përçapjen e tij në të tjera hulli të luftës së vazhduar për pushtet. Do ta këqyrnin në kënde të errëta, do ta zmadhonin rrezikun e kësaj ndërmarrjeje të dyshimtë. Në qarqet e larta të shtetit dhe ushtrisë kishte jo pak shqiptarë. Ata nuk patën kërkuar ndonjëherë mësimin e gjuhës amtare në trojet e tyre. Përse ngrihet një pasanik i panjohur, vjen në Stamboll për një punë të tillë? Çfarë marrëdhënie kishte ky zotëri me ofiqarët arnautë të perandorisë?
Nikolla përpiqej të nuhaste përsiatjet. E pamundur të lexonte shprehjen e pandryshuar të beut. Nuk ishte nga ata që shfaqen lehtë. Maska e fytyrës nuk lejonte askënd të hynte në të fshehtat e mendjes së tij. Me të njëjtën pamje të jashtme, pa u trandur asnjëherë të vetme, çonte në litar njerëz të pafajshëm, apo shtronte udhën për gradime. Jo, nuk qe e mundur ta kuptoje këtë njeri – maskë.
Mjeshtër i marrëveshjeve, Nikolla nuhati se duhej sulmuar me guxim, të mos e linte turkun të merrte frymë e të tirrte pa fund pengesa pas pengesash.
– Damad bej, e shoh se u zutë ngushtë. Bëni më të mirën. Në lojë janë njëzetepesë mijë napolona flori. Ju ose dikush tjetër do t’i marrë në çastin kur të dorëzohet iradeja që nuk i bën dëm kurrkujt. Fshehtësia është e siguruar se do të bëhet një shkëmbim i thjeshtë vetëm mes dy burrave. Dëshiroj të jemi unë dhe ti. Përfundimi i misionit më lehtëson shpirtin e zhuritur dhe rrit peshën në sytë e miqve të mi. Ndoshta këtë fat do ta ketë një tjetër.
Goditja e drejtpërdrejtë ngjante me kërcënim për tërheqje. Këshilltari u thye. Nikolla kurajoz i mençur, me damarin e sertë të vendit të tij, arriti fitoren e dytë.
– Do të shoh ç’mund të bëj, efendi. Tri ditë si sot do të marrësh xhevapin, po nëse del fjala nuk do të shohësh më as fëmijët, as ata miqtë e tu.
Nikolla qeshi me frikën e dukshme të beut, maskuar dobët.
– Unë jam tregtar zotëri dhe tregtia ka një rregull të fortë e të përjetshëm në gjithë botën.
“ Ai që bën kërkesën kurrë nuk tradhton, tjetri nuk dihet ”.
Qeshi edhe beu. Logjika e hekurt e arnautit e qetësoi përfundimisht, dërrmoi ngurrimin e gjatë. U ngrit, zgjati dorën, e përgëzoi si rrallë herë.
– Qenke i zgjuar, efendi. Mua më pëlqen të merrem vesh me burra të tillë.
Nikolla u ngrit, nderoi me përkulje të lehtë pa ndërruar shprehjen e papërcaktuar si përherë, pastaj i tha beut, gërmuqur në zyrën e tij të madhe, vetëm dy fjalë.
– Faleminderit zotëri.
Doli shoqëruar nga Gjergji dhe hyzmeqarët e zyrës së këshilltarit.
Mëngjesin e ditës së tretë Nikolla korri fitoren përfundimtare. Mori në dorë dekretin perandorak. Sulltani u jepte lejë të hapnin shkollë në gjuhën e tyre. Jashtë zakonit dhe natyrës së tij e puthi tri herë me gjithë zemër iradenë, lidhur me fjongo mëndafshi ngjyrë vjollcë, e vendosi në çantën e lëkurës dhe u nis.
Më në fund u groposën degët e kalbura të vetmisë.
Shirat qenë varur mbi det dhe mëngjesi hidhte supeve pelerinën e lagur. Qielli i grizhdë, i pamatë tretej tutje horizontit. Paradita me duart e ujshme përkëdhelte gëzimin e tij. Në trupin e Nikolla Naços nuk qarkullonte gjak, po llavë. Ngriti kokën, vështroi hapësirën e murrmë përmbi qytetin e madh.
– Shpirtrat janë si retë, – mendoi, – mbledhin e derdhin.
Stamboll, Qershor 2010
NEW YORK : Këshilltari bashkaik James Vacca njoftoi se është Gay
NEW YORK CITY : E shtunë, 23 janar 2016, ka qenë një anëtarë tjetër i Këshillit të Bashkisë së Qytetit – New York, demokrati nga Bronxi James Vacca i cili njoftoi në statusin e tij në rrjetin social Twitter, se ai është homoseksual me orientim gay .
James Vacca, i cili deri tani ishte i përfolur rreth orientimit seksual – gjithashtu, lëshoi vetë një deklaratë në lidhje me vendimin e tij për të dalë publikisht për të deklaruar se ai është gay, shkruan shtypi lokal.
Ai tha: “Çdo person ka orientimin e tij lidhur me marrdhëniet e tij seksuale , dhe unë jam me fat që të jemë në gjendje për të marrë vendimin për të dalë publikisht në kushtet e mia, për të treguar se cili jam. Orientimi im është një pjesë e natyrshme e jetes time, dhe treguar se kush jam – unë dua nga miqtë e mi, familjen, kolegët, dhe zgjedhësit për të ndarë në këtë pjesë të jetës sime atë që unë nuk dua ta bëj si një spektakël ose një scoop për media;.. në vend -por e vetmja gjë që kërkoj nga ju dëshirojë që ju vetëm të më respektoni kështu si jam – si një qenie njerëzore “
60-vjeçari James Vacca ka përfaqësuar një pjesë të qytetit të Bronxit në Këshillin e Bashkisë Nju Jork që nga viti 2006. Ai njihet edhe për lidhjet e mira me komunitetin shqiptarë dhe pjesmarrjen në shumë aktivitete të shqiptarëve.(Ne Foto:James Vacca ka nderuar shume prej veprimtareve te komunitetit shqiptar. Edhe Rruga Mother Teresa ne Lydig Ave ne bronx,mbane “firmen” e mikut te shqiptareve, James Vacca)
PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA
Në vendlindjen e Presidentit historik Rugova, para 10 vitesh/
– Nga Behlul Jashari/*
PRISHTINË, 22 Janar 2006/ Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur.
“Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
“I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër.
Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
Ne Foto: MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA(Ky shkrim u botua para 10 vjeteve nga ATSH)
TRADITË-VEÇORITË E VESHJEVE POPULLORE TË SULOVËS
NGA PËLLUMB GORICA/
Sulova e shtrirë gjeografikisht midis Elbasanit dhe Beratit, është një krahinë me veçori të shumta etnografike. Pjesë të kulturës së pasur materiale e shpirtërore të kësaj krahine janë edhe veshjet popullore. Veçori kryesore e tyre është se kanë qenë të thjeshta, të gërshetuara me ngjyra, forma dhe, në përshtatje me kushtet natyrore e klimën mesdhetare. Sulovarët e kanë dashur dhe e duan të bukurën, pastërtinë, kulturën, të cilën e kanë shprehur në veshjet e larmishme, të zbukuruara, e me shije artistike.
Studiusi Petrit Basha, autor i disa librave për traditat e Sulovës thekson se: “ Në veshjen e popullsisë së krahinës kanë ndikuar rritja e mirqënies dhe e nivelit kulturor të banorëve. Veshjet ata i kanë përpunuar në përshtatje me veçoritë e jetës e të historisë, që ka kaluar kjo krahinë. Këto veshje kanë variante të shumllojta, që ndryshojnë sipas moshës, seksit, kushteve të punës, zakoneve e festave”.
Deri vonë veshja popullore ishte shenjë dalluese, që tregonte krahinën etnografike. “Sulova bashkë me fushën e Elbasanit dhe Dumrenë për kostumet popullore bënë pjesë në një njësi etnografike”. (“Enciklopedia Elbasani”, faqe 306) .Tashmë ajo e ka humbur gati kudo këtë domethënie të dikurshme, dhe tek tuk e gjen të ruajtur në veshjet e grave. Veshjet popullore janë përdorur në përditshmëri deri në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, duke u zëvendësuar më pas me veshje të kohës. Rrallë janë mbajtur ndër të moshuar deri në fund të viteve ‘80.
Veshja popullore e krahinës së Sulovës ka qenë e zakonshme dhe endej e gjitha me dorë, e mbushur me zbukurime të shumta, që të befasojnë për bukurinë dhe teknikën e punimit. “Për t’i prerë, qepur e zbukuruar veshjet popullore prej shajaku, me katër dhe dy lisa në tezgja, ishin grate që dinin t’i bënin mire këto punë, nga disa të tilla në fshat, jo të gjitha.” (Petrit Basha “Tunja pranë kalasë”, faqe 128) Ka zotëruar veshja prej leshi e bërë me avlëmend, e prerë dhe e qepur nga gratë në shtëpi. Me lesh përgatiteshin më shumë veshjet e burrave, kryesisht ato që përdoreshin kryesisht në dimër. Më shumë qepeshin guna, tirqe, shallvare, xhedikë etj. Pas leshit vijnë veshjet prej liri, e cila ishte lëndë jo vetëm për pregatitjen e veshjeve të brendëshme, por edhe e shtrojeve të fjetjes. Nga të moshuarit ruhet në kujtesë përdorimi i lirit. Në krahinën e Sulovës dikur është kultivuar shumë bima e lirit për vet kushtet e mira klimaterike e toksore që ka ajo. Këtë e tregojnë edhe toponimet: “Linore”; “Lëmi i Lirit”; “Arat e Lirit”; “Bregu i Lirit” etj. Shumica e pjesëve të veshjes popullore, e veçanërisht veshja e grave punohej me pëlhura pambuku të endura nga vet ato. Me pëlhura pambuku qepnin linjat, përparëset, lëveret, mëngët etj.
Veshjet popullore të Sulovës kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të fushës së etnografisë, në mënyrë të veçantë veshja e grave. Sipas tyre, përparësja e nuseve sulovare (bokshja) është e veçantë,por, në përgjithësi, veshja e grave të Sulovës është identike me veshjen populloren gjithë trevat, e sidomos të Myzeqesë. Në veshjen e grave bie më tepër në sy linja e gjatë prej pëlhure, përparëset aq të bukura dhe lëveret e kokës punuar me mjeshtëri nga vet gratë. Si gratë dhe burrat mbanin brezin me motive të ndezura, më shumë kuq e zi që mbështillej rreth belit disa herë. Brezi i burrave ishte më i gjatë. “Pas Luftës së Parë Botërore veshja popullore e burrave të Sulovës pësoi ndryshime, duke u zëvendësuar me veshje të kohës, ndikim direkt i veshjeve qytetare” (Abas Dojaka “Të njohim veshjet tona popullore”, faqe 182.) Ndërsa tek grate veshja popullore u përdor deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Tregtia që bënin banorët, kryesisht në pazaret e njohura të Elbasanit, e sidomos të Beratit, prej ndarjes që krijonte lumi i Devollit me pazare të tjera, por edhe prej afërsisë gjeografike me këtë qytet të njohur tregëtar i kohës, i detyronte të blinin pëlhura, dhe pjesë veshjesh të përgatitura. Natyrish që lëvizjet e shumta demografike nga njëra krahinë në tjetrën, për shkak të kushteve ekonomike, por edhe prej faktorëve të tjerë si hasmëritë, fatkeqësitë, krizat e bukës, epidemitë dhe lidhjet e krushqive detyruan vendosjen në krahinën e Sulovës, të jo pak familjeve nga Shpati, Vërça, Nahija e Beratit, Tomorrica, të cilat ndikuan edhe në veshjet popullore me elementë të tjerë.
Veshja popullore e grave të Sulovës
Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, gratë e Sulovës preferonin veshje të gjata, të linjta, e me zbukurime të shumta. Ishin veshje të bukura, të punuara me aq mjeshtri nga vet ato. Më shumë të përhapura kanë qenë përparëset e endura me motive të veçanta, që në gjithë sipërfaqen shkëlqenin nga kombinacione ngjyrash, formash. Në përgjithësi janë dalluar dy variante kryesore: veshja me linjë e me jelekë dhe veshja me linjë e me gufe.
Veshja me linjë
Ajo që bënte përshtypje në veshjen e grave tëSulovës dhe pjesë kryesore e saj është fundi (linja) prej pëlhure pambuku dhe me kinda. Gjerësia e saj shkon deri në nyja e këmbës. Në krye të linjës qepej një copë e kthyer që futej ushkuri, me gjerësi 5 cm. Pjesë tjetër e veshjes ishin bluza (mëngët), prej pëlhure me vija ngjyrash të ndryshme të kuqe, bardha, verdha të zeza. Ajo paraqiste ca tipare të veçanta në prerje. Nën mëngë vishej këmisha prej pambuku, e bërë me pëlhurë vegle jo të bardhë, por me vija e motive të thjeshta e me krahë të gjerë, që vinte duke u ngushtuar në afërsi të duarve. E zbukuruar me qëndisma e penj, me ngjyra të ndryshme e me temina ato ijepnin një konfiguracion interesant. Jeleku prej stofi i zbukuruar me fije ari, vishej më tepër nga nuset dhe në të shumtën e rasteve qepej në qytet e Elbasanit e Beratit. Përparësja e pambuktë që mbahej në krahinën e Sulovës ishin ndër më të mëdhatë që janë mbajtur në territoret shqiptare, dhe më të bukurat e më të ngarkuarat për sa i përket kompozimit të ngjyrave. Ajo zbukurohej në gjithë sipërfaqen e saj, e ndërmjet të cilave endeshin motive rombike, ku mbizotëronte ngjyra e kuqe, e verdha, portokallia, kafe dhe të zeza. Mbulesa e kokës (lëverja) bëhej prej pëlhure pambuku, në formë katërkëmbëshi, kënd drejtë, mjaft e gjerë dhe e gjatë njëkohësisht. Hidhej mbi kokë dhe lëshohej lirshëm për t’u varur prapa shpatullave që shkonte deri tek thembrat e këmbëve. Përmasat e saj mbi 150 cm e sipas gjatësisë së gruas që e mbante në kokë . Mbulesa e kokës zbukurohej në të katër anët me vija e motive rombike, e të ngjyrave të ndryshme. Kjo vishej më shumë nga nuset dhe grate e moshës së mesme, ndërsa gratë e moshuara e mbanin lëveren më pak të zbukuruar, ku në të katër anët e mbushnin me ngjyrë blu e të zezë.
Veshja me gufe
E njohur në veshjen e grave të krahinës së Sulovës ka qenë edhe veshja e linjës me gufe (bluzë), që zakonisht nuk ndryshon nga veshja e treguar më lart, të cilën e vishte nusja e re pas disa ditë martese deri në moshën e mesme. Gufja ishte prej pambuku me ngjyra të ndryshme, mëngët e së cilës janë mjaftë të gjerë dhe të fryra në pjesën e parakrahut. Rrallë në stinën e ftohtë gratë vishnin një xhoke të shkurtër shajaku me prerje e thjesht në ngjyrë të bardhë. Në shtresën e pasur të kësaj krahine gratë përdornin përveç xhokës së bardhe prej leshi, e ngjashme me atë të Dumresë dhe Myzeqesë, edhe mëngoren e bardhë të zbukuruar anash me gajtanë. Por, xhokës së bardhë i shtohej edhe guna e ngjashme me atë të barinjve. Në veshjet e grave të Sulovës janë edhe elementë të tjerë, që plotësohen me veshjet e brendëshme: Të mbathura ishin të gjata deri te thembra e këmbës dhe prej pëlhure liri ose pambuku, ndërsa çorapet prej leshi e të zbukuruara me motive rombike, kurse opingat (qosolet) bëheshin prej lëkure lope. Stolitë në Sulovë kanë qenë të pakta, të cilat ishin: Unazë, vathë, varëse qafe me rruaza. Veshja popullore e Sulovës kishte edhe elementë të tjerë në periudhën e dimrit, që ishte brezi i leshtë, i cili ngjishej sipër linjës, i punuar me vegjë dhe me fije leshi të hollë e me ngjyrë të kuqe, por edhe me vija të holla kafe.
Veshja popullore e burrave të Sulovës
Në krahinën e Sulovës dikur janë mbajtur disa tipa veshjesh për burra: Veshje me fustanellë, me xhedikë dhe me shallvare. “Veshja me fustanellë është mbajtur deri në prag të Pavarësisë, e cila përdorej në një masë mbizotëruese në Sulovë si në shumicën e krahinave jugore në Shqipëri. Fustanella e bërë prej pëlhure pambuku, e punuar në shtëpi, me gjatësi deri në gju, dhe me 30- 100 pala”, shkruan Abaz Dojaka në librin “Të njohim veshjet tona popullore”, faqe 188. Ajo është mbajtur sipas gjendjes ekonomike dhe shtresës shoqërore. Dhe përbën një element të kostumit kombëtar shqiptar. Sa i përket veshjes me fustanellë mbështetur në dokumenta, por edhe histori gojore del se është përdorur në raste festash, gëzimesh, fejesa, dasma etj dhe nuk ishte veshje pune. Elementët që e plotësonin këtë veshje ishin: Jeleku dhe mëngoret prej shajaku të bardhë e të zbukuruar me gajtanë. Në krahinën e Sulovës janë mbajtur edhe jelekë e mëngore prej cope të qëndisur me gajtanë ari, të blerë në pazaret e Elbasanit, Beratit, Korçës, që më shumë këto i mbanin shtresat e pasura. Në kokë burrat sulovarë mbanin takie të bardhë e ngjashme me atë të Myzeqesë. Më vonë është përdorur qeleshe prej haseje. Kjo më shumë si depërtim i saj nga krahina e Shpatit. Këmisha pregatitej prej kambriku me mëngë të gjëra të gjata. Fanella thurej prej leshi. Në këmbë visheshin opinga me lëkurë kafshësh me majë të kthyer me një xhufkë leshi të kuqe ose të zi. Si mbathje në këmbë janë mbajtur çorape leshi. Mbi çorapet vishnin deri në gju tirqe të bardha prej shajaku, që ishin një tjetër pjesë e kostumit popullor. Kostumi gjithashtu kishte të veçantë një brez të leshtë, që ngjishej pas belit. Ai ishte i gjatë deri 2 m, dhe i gjerë 15 cm, i thurur me ngjyra të ndezur e të punuar nga vet gratë në shtëpi.
Veshja me xhedikë
Pas daljes nga përdorimi i fustanellës, edhe në Sulovë si krahinat rrotull saj filloi të përhapet kryesisht veshja me xhedikë. Xhedikët ishin një lloj pantallonash shajaku të bardhë, të cilat më vonë u bënë të zeza deri në nyje të këmbës. Kjo veshje plotësohej me këmishën, të mbathurat, jelekun, mëngoren, opingat, takien e bardhë. Kjo veshje e thjeshtë popullore është mbajtur me disa ndryshime në jetën e përditshme të banorëve që nga fëmijët deri tek të moshuarit.
Veshja me shallvare
Për veshjen me shallvare, specialistët e etnografisë kanë theksuar se shtë përdorur në Sulovë dhe në shumë krahina të tjera në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Ajo është mbajtur nga të gjitha moshat. Ajo pregatitej në tezgja prej leshit të deles dhe qepeshin në shtëpi nga gratë me një prerje të thjeshtë. Pjesë përbërëse të kësaj veshje ishte këmisha prej pëlhure të pambuktë, xhamadani, mëngorja prej shajaku të zbukuruar me gajtanë, të mbathurat prej liri, çorape të ngjashme me të Myzeqesë, opinga prej lëkure lope, dhe takie prej pëlhure. Veshja e mësipërme në dimër plotësohej me gunën prej lesh dhie.
Me zhvillimet social – ekonomike, që solli gjysma e dytë e shekullit të kaluar, veshjet popullore edhe në krahinën e Sulovës, dolën nga përdorimi gradualisht, duke mbetur kujtime të një kaluare të largët. Veçse, do të jenë festat popullore, fejesat, dasmat, festivalet folklorike, këto ngjarje të shënuara të shpirtit të popullit, që të nxirren nga arkëzat këto veshje popullore. Janë vlera, të cilat i flasin kohës, për të pasur çfarë t’u tregojmë brezave, si thesare të trashëgimisë kulturore.
- « Previous Page
- 1
- …
- 23
- 24
- 25
- 26
- 27
- …
- 87
- Next Page »