• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

“FIQIRI“ I KATANDISUR NË “LESH E LI“

January 20, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Vështrimin e radhës do ta filloj me nocionin paragjykim për të cilin Fjalori i gjuhës së sotme shqipe jep këtë shpjegim: 1. Mendim i gabuar dhe i pambështetur, i ngulitur nga njohja jo e plotë e dukurive të botës dhe e shkaqeve të tyre, nga i cili niset dikush në gjykimet e në veprimet e tij në kundërshtim me dijen e arsyen; pikëpamje a qëndrim, që formohet si shprehi nën ndikimin e shoqërisë e të mjedisit dhe jo nga njohja e përvoja e jetës. Këtë e bëj me qëllim që as unë e as lexuesi im i nderuar të mos paragjykohemi.
Shumë autorë të huaj kanë shkruar për shqiptarët, duke krijuar kështu një portret të pazakontë sa i përket karakterit të shqiptarit të fillimviteve ‘900. Një ndër to ka qenë edhe albanologu dhe baroni hungarez Franc Nopça, i cili në shënimet tij vend e vend me a pa të “drejtë” na ka paragjykuar, ku, pos të tjerash, thotë: “Shqiptarët janë të lëkundur, të padisiplinuar, lakmitarë të parasë, të ndjeshëm, krenarë, inatçorë, por edhe trima, të vetëdijshëm, besnikë, mikpritës dhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme…,veprimet e tyre ndikohen vetëm nga instinkti; veprojnë shpejt dhe pa i peshuar konsekuencat; janë të mirë prej natyre dhe pranojnë dhurata pa u detyruar për mirënjohje, por gjithashtu janë dorëhapur dhe nuk pretendojnë mirënjohje. Urrejtja zë rrënjë të thella në shpirtin e tyre, por zhduket sapo kënaqet. Shqiptari aty qesh, aty gëzohet, aty zemërohet!”.
Edhe miqtë e mi, shpesh me a pa të “drejtë”, më paragjykojnë duke thënë se vështrimet që i shkarravis për ndonjë mesele a vaki, kinse i bëj me shumë vonesë, kinse i bëj ashtu bythëprapthi, kinse gjatë të shkruarit sillem me mospërfillje a pa respekt ndaj sintaksës dhe morfologjisë së gjuhës shqipe, kinse vështrimet e mia në vijimësi shkaktojnë ilaritet a të qeshura te lexuesit, gjoja bëj shaka pa kripë, shaka që padrejtësisht dëmtojnë të pafajshmin, kinse shtirem gjegjësisht mundohem të paraqes veten ndryshe nga ç’jam, kinse nuk dalloj të paqenësishmen nga e qenësishmja, kinse gjithë këtë e bëj vetëm e vetëm për të “mashtruar” të gjithë ata që më paragjykojnë për gjëra të paqena. Ca të tjerë, miq të mi, “që më mbajnë për inat”, lëre që asnjëherë nuk ma “dhanë” pafajësinë a padjallëzinë, por edhe mëtuan të ma “rrëmbejnë” mallëngjimin për NËNËN NAZË…, disa thonë se shkrimet gjoja i bëj me tarafe, po edhe i shkarravis ashtu pa rend alfabetik, kronologjik dhe pa “pehriz”; më “akuzojnë” se gjoja në shkrimet e mia të deritanishme asnjëherë nuk paskam shkruar për pronarin e “kumarhanes politike” të Shkupit, si dhe për rojtarin e “Kështjellës së Drakulës” atje përtej Vardarit, atje ku frymon shfrytëzuesi i egër, ai drakula që është i etur për gjak shqiptari, atje ku kleptomanët dhe piromanët, kërkesat e politikanëve shqiptarë për barazi politike, për barazi ekonomike, për marrëdhënie të barabarta me pronën shoqërore, për barazi kombëtare e tjerë barazi, lëre që i mohojnë, por edhe i marrin me tallje. Ata sot e gjithë ditën thonë se gjoja rendi a turrem më shumë pas sasisë, pas lekut, sesa pas cilësisë, gjoja në vështrimet e mia më ha meraku që për personazh kryesor të zgjedh njerëz të halucinuar, njerëz me prapanicë të dhjamosur, njerëz që vuajnë apo që janë të diagnostikuar nga sëmundja e tifos, njerëz të paranojave, njerëz që ia kanë kthyer shpinën shtëpisë së tyre, njerëz që kanë rënë në kllapi dhe që llafosin jerm! Së fundi, më pandehin për të “marrë a budalla”, kinse toptan shkrimet, lere që nuk i kam me tamam a në terezi, por edhe më krahasojnë me malësorët shqiptarë davaxhi, të cilëve kur u mungojnë arat në mal, bëjnë dava me çakejtë, më krahasojnë me optimistin, i cili, kur humb shpresat, mëton që ta shohë gotën gjysmë të mbushur dhe me atë pesimistin që atë e sheh si gjysmë të zbrazët, vazhdojnë të më krahasojnë me “dasmorët e Klinës, të cilëve u kishte ikur orkestra dy orë para ceremonisë së kënasë…, dhe me ata krushqit të cilët ishin detyruar t’u bien kusive, sahanëve e sinive që të vallëzonte nusja“. Mbase unë as që e kam ndërmend t’u bie kusive, sahanëve e as sinive, sepse po ta bëj këtë, atëherë mos vallë nuk do ta ngatërroj punën time me zanatin e daullexhiut…, me zanatin e kumarxhiut dhe, në instancë të fundit, edhe me zanatin e falltarit…, mbase nuk dua të ndërmendem dhe nuk do lejoj që gjithsecili të ma strukturojë mendimin ndryshe…, dhe, tekefundit, këtë nuk do ta bëj as për qejfin tim dhe as për hatërin e njerëzve të cilëve fiqiri u ka katandisur në lesh e li.
Në këtë shkrim nuk do lejoj të keqkuptohem, po as edhe të krahasohem me dy nënat e paragjykuara në vijim. Dikur moti, kur varfëria e skajshme shqiptarëve ua kishte vënë litarin në qafë, një nënë në moshë ishte takuar me një zonjë pasanike. Kjo e fundit kishte marrë udhë për ta vizituar të birin e saj në një kazermë të mbretërisë së Ahmet Zogollit. Nëna që jetonte në varfëri e në mjerim dhe që u ishte nënshtruar me forcë emocioneve torturuese të saj, i ishte drejtuar duke i thënë; “E nderuara zonjë e shtëpisë së madhe, kam një lutje dhe kërkesë për ju. Merre këtë mollë dhe, po ta takosh tim bir ushtarak, jepja dhe bëji të fala nga unë!”. Ajo e gjendur përpara kërkesës së saj të papritur, po edhe paksa të pakuptueshme, ia kishte kthyer: “Ti nuk ma the emrin e tij…, po më thuaj se si do ta njoh tët bir!?”. “Nuk të duhet emri…, shumë lehtë do ta identifikosh, ai që është më i bukuri në mesin e të tjerëve…, dije se është pjellë imja…, ai është një çunak i mirë, i ndershëm, i drejtë, i urtë, i dashur, i thjeshtë, i qeshur, i lumtur, me vullnet të mirë, i fjalës dhe i gojës…, ani se është i thatë dhe më ngjyrë!”. Fatkeqësisht, zonja e rëndë e beut, në vend që mollën t’ia dhuronte të birit të nënës nga Mirëdita, atë ia kishte dhuruar birit të saj, atij çunaku i cili në mëhallën e aristokratëve njihej si adoleshent i qejfit, i lekut si dhe me dëshirat dhe fantazitë e tij të azdisura.
Pavarësisht se kjo mesele është paksa e koklavitur, të krijon përshtypjen se është me moral të dyfishtë, andaj duam të besojmë se e gjithë kjo mesele tok me personazhet e saj, këmbë e krye është pjellë e paragjykimeve në fjalë.
Që e zgjodha këtë stil a mënyrë të shkruarit të këtij vështrimi, kam një shkas a një sebep. Dhe ky sebep është i lidhur ngushtë me një mik timin nga Kosova, të cilin ditë më parë kur e takova aty pranë kufirit administrativ shqiptar-shqiptar, më përshëndeti me “hundë e buzë!” Kur e pyeta se ç’janë këto “turinj”, ma ktheu ashtu me “inat”…, më ka zaptuar zhgënjimi i thellë nga rrethanat dhe ngjarjet politike në Prishtinë, ashtu me plot gojën, pos të tjerash, më tha: “Ju shqiptarët e Republikës së Maqedonisë nëse do të vazhdoni të paragjykoni dhe të paragjykoheni, përfundimisht atdhetarizmin tuaj do ta shndërroni në patriotizëm arkaik dhe në folk-patriotizëm të veshur me kostum të rremë legjendar a përrallor, andaj do të duhet të bëni shyqyr natë e ditë që jeni nën zgjedhën e kaurit se përndryshe…!?“. Nuk ia ktheva. Thjesht e “paragjy-kova” me atë meselenë e “manastirit pa hair“.

Filed Under: Opinion Tagged With: “FIQIRI“ I KATANDISUR, Fadil Lushi, NË “LESH E LI“

ERA TË REJA FRYJNË …

January 20, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA*/
Të shkruash për poetët është si t’i ngjitesh qiellit ngarkuar me një kal Pegasi. Kjo ndodh, sepse pena e tyre tret retë e mbarsura me rrebeshe e stuhi, shkrin dëborën që gufon përrenjtë e ndjenjave me fllad prilli, për të gjetur rrugën e bukur të krijimit shpirtëror.
“Era s’fryn si më parë”. Kështu e titullon vëllimin e tij poetik Qazim Muska. Fjala erë, nuk është thjeshtë një lëvizje ajri, por sintetizon në vetvete një simbolikë kuptimi epokal “para erës sonë”, pas “erës sonë “ e deri tek rrymat e reja ideologjike dhe filozofike, që lindin në një shoqëri të caktuar. Era s’fryn si më parë, do të thotë për poetin se po fryjnë erëra të reja; në shoqëri, në dashuri, në ekonomi, në filozofi e ideologji. Poeti sikur ka fuqinë dhe dëshirën e madhe që t’ua ndryshojë drejtimin erërave, të cilat fryjnë në një univers mendimesh dhe ndjesish. Kërkon të hap portat e një ere tjetër me vargjet e tij. Ndaj, ai është i shkrirë trup, mendje e ndjenjë me poezinë dhe në çdo kohë është një grimcë e pandalshme e saj, duke përcjellë shqetësimet dhe problematikat e saj. “Jam mali që barkun ma zbrazën me abort/ Jam deti që më prenë me gërshërë si letër/ jam pylli që më dogjën dhe ndezën cigar/ jam lumi që qaj për shtratin e vjetër”.
Në faqen 25 të vëllimit poetik“Era s’fryn si më parë”, të Qazim Muskës, ka një poezi të bukur ku qëmtimi i detajit të befason me simbolikën e përzgjedhur fëminore, që rrallë poet mund të ketë të tillë gjetje. Në funksion të përcjelljes së mesazhit artistik në këtë poezi, poeti përmend personazhe e autorë veprash shumë të dashur për fëmijë si Guliveri, Xhon Silveri, Tom Sojeri, Zhyl Verni, Anderseni dhe kur e lexon atë, pavarsisht nga mosha, gjithësecili bëhet për disa çaste fëmijë.
Poezitë e Qazim Muskës të ngjajnë si copra kronikash të shkëputura nga një jetë që gjallon paprerë, që mbartin edhe vuajtjet, kërkojnë dashurinë e sinqertë, dhe gjakosen për të drejtën, e cila nuk e shuan kurrë shpresën. Ndaj dehet nga një aromë luleje, kënaqet kur puth në gushë të dashurën, por jeton edhe me shqetësimin e madh të kohës. Më shkurt dhe më dhimbshëm nuk ka se si shkruhet më. Një përgjithësim i fuqishëm me një mesazh të qartë. Me këto vargje ky poet arrin të zjarrmojë çdo zemër rinore: “Kjo puthje nën gushë dogji dy buzë/ tek i fryu zjarrit të dashurisë shpuzë”. Ai rrok çdo grimcë të kësaj jete, me kafshët e njerëzit, me të mirët e të këqinjët, me sakatët e të verbërit, që të gjithë së bashku mbajnë në këmbë konturet e një poezia që rreket të ëndërrojë për një të ardhme më të mirë. Shumë prekëse në këtë drejtim është poezia për të verbërit.“Prej verbërisë suaj turpërohet drita/ Drita njerkë që s’iu ledhatoi kurrë”.
Durimi, shpresa, qetësia, admirimi, dashuria janë flladitje zemrash e mendjesh, që poeti i përdor për shtytjen e anijes drej lumturisë, ardhmërisë e ndjesisë njerëzore. Nga një ditë plot shqetësim e dashuri, nga imazhi i një vashe që puthet me të dashurin, tek Gërdeci shkatrrimtar, që mban fshehur dhimbjen, nga ushtari që rreshtin s’e mësoi dot, tek ikja e Eskilit dhe akrepat e orës, poeti sikur bën kapërcime të pakuptueshme, por në fakt është një kapërcim i këndshëm, se ai përdor natyrshëm si një urë ndërlidhjeje një ndjenjë të qelqtë, gjithmonë me një intimitet të brendshëm, duke e shkrirë atë bëhet një në madhështinë e të thjeshtës, e shprehur me plot ndjesi: “Ulem në prehërin e paqtë/Flutur mbi lule nektari/ Ti livadhi në pritje/ e unë blerimi në fije bari”. Shfleton faqet e lexon vargjet e këtij vëllimi dhe, për një çast, të duket vetja sikur je ulur në tavolinën plot, bashkë me tre shokët e tij, e pastaj ai ngrihet e vazhdon udhën, i përmallur nga dashuria për vashën që ka larg, dhe, duke qenë i shkrirë organikisht me ndjenjën e fuqishme të dashurisë, si themel dhe pregatitje të ripërtëritës së jetës, i kësaj jete sado të vështirë, shkruan: “Ndodh e ç’nuk ndodh me këtë jetë cinike/ aq sa më i tmerrshmi labirinth mund të mbesë/ E prap i dashuruar me këtë “armike/ Në dashuri si një dashnor dua të vdes”.
Poeti s’do t’i verë në peshore dashurinë me hipokrizinë, të mirën dhe të keqen, sepse është i vetëdijshëm për atë që ka zgjedhur dhe i përket e ardhmja, ndaj shkruan: “Se mësova dot sa peshonte dashuria/Hipokrizia sa peshonte se mësova kurrë/Ndaj mbeta udhëkryqit pa tabela/Barkë pa spirancë dhe flamurë”. Ai e ndjen veten njeri të palodhur të kohës, të zhvillimit, të progresit: “Aty jemi unë dhe ti/Një pikë një germë a një presje”. Poezia e Qazim Muskës është e ndjeshme, prekëse, frymëzuese, sepse materiali me të cilin është gatuar brumi i saj është mbledhur kudo, mes njerëzve të thjeshtë e zemrave plot dashuri, nën rrezet e argjendta të hënës dhe dallgëve përkëdhelëse të detit, në fijet e barit e zjarret prometeane, në ashpërsinë e meshkujve dhe delikatesën e vajzave e, kësisoj, ai nuk e shuan kurrë frymëzimin. Pra mielli me të cilin gatuhet ky brum është mali dhe fusha, gëzimi dhe trishtimi njerëzor, yjet dhe retë, shiu e rëra, gjethi e lulja, lisi e shkurrja, e shkuara dhe e ardhmja, dhe vetë poeti është një qelizë e tyre. Kryesorja për poetin është të ruhen themelet e pastra e të shëndosha, dhe të mbahet gjallë shpresa, se këto janë dy shtylla, që sjellin vetëm ripërtëritje, prill të përhershëm. Duke e quajtur prillin si simbol të shpërthimit të ndjenjave dhe ripërtëritjes, poeti shkruan aq bukur: “Prilli më dehu/por puthja jote ish gota e fundit/ që piva i etur/dhe dehur mbeta përherë”.
Qazim Muska dashuron, ëndërron, shpreson, dhe e sheh ngadhnjyes veten nëpërmjet ndeshjes së të kundërtave, duke i parë ato gjithmonë si burim zhvillimi. Duke parë se e kaluara është një histori plot trazira e marrëzira, zmadhime e dështime, poeti merakoset e kërkon që të mos trazohet ajo, dhe të mos merret me keqdashje asnjë me të. Aq më keq mos ngacmo dashurinë e kaluar, se ajo djeg përherë si prushi: “Të thashë mos i fryj zjarrit të fikur/ prushit të vjetër të ftohur disi/se ndodh të ketë mbetur ndonjë shkëndijë/ Mbuluar me hirin dhe pak marrëzi’’. Poeti ka një merak që e realizon ndjeshëm në poezinë e tij: Të jetë pjesëtar aktiv i kësaj kohe plot trazira. Ai me mish e shpirt kërkon të jetë pjesë e gëzimeve dhe dështimeve, i problemeve dhe fitoreve, i të rinjve dhe i pleqëve, i asaj kohe që iku dhe kësaj që jeton, ndaj kërkon të mbruhet me të gjitha dashuritë dhe urrejtjet dhe t’i shkarkojë ata për çdo njeri që i meriton. Ai kërkon që të mos e gjejë në gjumë asnjë e papritur, që të mos “ta vrasë koha ngadalë”. Ai asnjëherë nuk do të lodhet e përkulet, përveçse para mirësisë: “Prej dëlirësisë malin çoj në këmbë/dhe diellin lind nga dashuria/ në u përkulsha, në ndodhtë ndonjëherë/përkulem veç nga mirësia”.
Të tillë janë poetët, me mirësi, me ndjenjë, me natyrë, me dhimbje e me dashuri më shumë se të tjerët.
*Shenime per Vëllimin poetik “Era s’fryn si më parë” nga Qazim Muska

Filed Under: ESSE Tagged With: ERA TË REJA FRYJNË …, Pellumb Gorica

Ç`më tha Jusuf Buxhovi?

January 20, 2016 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Ne Foto: Jusuf Buxhovi duke pershendetur ne Nju Jork ne ceremonine festive organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA me rastin e pervjetorit te Pavaresise se Kosoves, Shkurt 2014./
Është kënaqësi kur e ke rastin të bisedosh me një figurë mendjendritur , larg pamës dhe kombëtarisht të orientuar. Sot , e ke pak si vështirë të gjesh të till; jo pse se komb nuk kemi ,por se janë strukur në sqetullat e heshtjes dhe të bëjnë të dyshosh në pikepamjet e tyre për të kaluarën , të tanishmen dhe t`ardhmen e kombit . Është shumë flagrante kur e lexon shtypin , shikon Tv-n apo lexon në rrjetet sociale se me sa admirim përcëllohet e kaluara duke dashur ta pjekin secili në mënyrën e vet , në këndvështrimin e imponuar dhe në thënën e pathënë kurrë vetëm sa të mbushet minuta , rreshti apo pakuptimsia të cilat më shumë ta humbin rrugën se sa të hapin shtigje të reja në jetën moderne e cila po na lë mbrapa përditë e më shumë.
“Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit. Kjo fitore e madhe historike, e cila thuajse përmbyll konceptin e Rilindjes Kombëtare për përkatësinë tonë perëndimore, nuk duhet lejuar të rrezikohet nga piromanët, anarkistët e të gjitha ngjyrave e as nga puçistët e shumtë, që sot, me detyra të shumta nga anë të ndryshme, po veprojnë bashkërisht. Kjo duhet të pengohet nga intelegjencia e Kosovës dhe patriotët e shumtë që nuk kursyen dije dhe gjak për të.. “ më tha Jusufi në pyetjen time plotë dyshim në mirëvajtje të së ardhmes sonë.
Pse e thuani këtë:” Turqia e sotme, pra kjo e Erdoganit, e cila prej kohësh, me perfiditet të madh po ia gërryen dheun kemalizmit, ekspansionizmin ekonomik ka filluar ta përcjellë me pretendimet kalifatiste si në raport me botën islame dhe neotomanizmin në hapësirën e Ballkanit, ku Perandoria Osmane për pesë shekuj ishte pushtuese “?
“Kjo më së miri u pa me rastin e ndërhyrjes së ministrit të jashtëm turk, Dautogllu, kur nga Shqipëria, Kosova, po edhe Bosnja dhe Hercegovina, kërkoi që “tekstet e historisë të lirohen nga urrejtja osmane”! Me këtë rast ai lansoi tezën se perandoria osmane nuk ishte pushtuese, por “administruese” e një perandorie që po e zëvendësonte Bizantin! Pra, diplomati turk kërkoi që faktet historike, siç ishte pushtimi osman, të zëvendësohen me realitetet historike të shpjeguara nga këndvështrimi otomanist, gjë që gjithë çështjen do ta përmbyste në një kah antihistorik.” – përgjegj ai .
Por ne ishim më këmbëngulës dhe , a arritëm te ballafaqohemi me këtë kërkesë ?
“- Për fat të keq, Tirana zyrtare, jo vetëm që nuk i dha përgjigje të duhur kësaj ndërhyrje, por pranoi që në tekste shkollore “në përputhje me klimën e mirëbesimit”, fjala “pushtim osman”, të zëvendësohet me “administrim osman”! Ngjashëm u kërkua edhe në Kosovë. Kjo nuk ndodhi, ngaqë u kundërshtua nga disa historianë të Kosovës, të cilët nuk pranuan kapitullimin e ministrit të atëhershëm Buja karshi Dautogllut, të cilit i kishte premtuar se do të veprohej njëjtë si në Tiranë. Por, edhe pse Dautogllu nuk ia doli që ta heq nga tekstet shkollore kualifikimin rreth perandorisë osmane si pushtuese, megjithatë, arriti që në kuadër të bashkëpunimi kulturor dhe arsimor Kosovë-Turqi, në disa projekte kulturore të financuar nga Turqia, “të përmirësojë” imazhin kulturor osmane në këto pjesë jashtë realiteteve historike, me ç’rast ata shfaqen më shumë “ndërtuese” se sa pushtues dhe rrënues të kulturës sonë antike!”
Mjerim i thash ,mjerim kombëtar që të nënshtrohemi dhe të pranojmë aspirimin turk në pëgatitjen turke të opinionit shqiptar për një kalifat islamik .
“Që të zëvendësohet koncepti i pushtimit osman me atë “të administrimit osman”, siç kërkoi Dautogllu, ishte e domosdoshme që të prekej Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, por jo vetëm i yni, meqë si tillë, para katër shekuj më parë u njoh dhe u kremtua nga Europa. Është me interes të thuhet me këtë rast se fushata për “rrënimin” e Skënderbeut u parapri nga qarqet sllaviste evropiane vjeneze, të cilat gjetën përkrahje edhe nga disa publicistë dhe mediokër në Shqipëri, gjë që gjithë çështjes i jep dimensionin e një komploti të organizuar mirë nga qendra e ekspansionizmit sllavo-ortodoks, siç ishte ajo që veproi në kryeqytetin e monarkisë danubiane nga mesi i shekullit XIX e këndej, kur një pjesë e politikës vjeneze ishte marrë vesh me Rusinë për dominim fifti-fifti në Ballkan.
Po të tjerët?
“-Në vazhdën e kësaj politike janë të njohura insinuatat e historianit-sllavist Oliver Jens Shmitt, i cili lansoi “tezën” se Skënderbeu çoi krye kundër sulltanit për shkaqe hakmarrjeje, pra pse të atit nuk iu premtua feudi i të etë në Krujë! Shmitti hapi edhe disa thashetheme siç ishin ato se heroi ynë ishte me prejardhje serbe e të tjera dhe insinuata të ngjashme, të cilat, me të drejtë u kundërshtuan nga historianët shqiptarë, në radhë të parë K. Frashëri. Ai shkroi një libër, kundër shpifjeve të Shmittit dhe bashkëmendimtarëve dhe të sejmenëve të tij në Tiranë dhe pjesërisht në Prishtinë, që si u mor vesh, ai i kishte pajisur me disa tituj në Vjenë dhe favore të tjera! “ .Të gjithë ishim dëshmitar të kësaj fushate- thash.
-Çka po ndodhë me te kaluarën tonë më të largët ?
“Rishfaqja e diskursit të mohimit të historisë sonë dhe lidhjes së saj me antikitetin (lashtësinë pellazge), ka të bëjë me konceptin hegjemonist serbomadh dhe grekomadh të fillimeve të shekullit XIX, me të cilin shqiptarët duhej të privoheshin nga shteti i tyre kombëtar dhe përkatësia perëndimore, gjë që kjo mund të arrihej më së miri po qe se ata do të paraqiteshin jashtë kësaj rrjedhe, me ç’rast do të pinin ujë të gjitha gënjeshtrat e akademikëve serbë dhe grekë se shqiptarët janë mbetje e mjegulluar osmane, mbrojtës fanatik të perandorisë osmane dhe, si të tillë, ata shfaqen të rrezikshëm për qytetërimin perëndimor! “
Jusufi ishte shumë i vendosur kur tha : “Reagimi i orkestruar i Beogradit (i Akademisë Serbe të Shkencave dhe i Institutit të Historisë) ishte i pritshëm, ngaqë ata nuk ishin ballafaquar me një të vërtetë nga ana e historiografisë shqiptare, me të cilën rrënohej miti i tyre i fabrikuar në shekullin XIX për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë si dhe gënjeshtrat tjera që historiografia e tyre kishte përhapur kundër Shqiptarëve dhe historisë së tyre, ku ata shfaqen pa histori (të mjegulluar në mesjetë), pa kulturë dhe veçmas pa traditë shtetndërtuese. “
Do me thënë që na jemi të orkestruar , dirigjuar dhe altoparlantë të Beogradit ?
– “Por, për fat të keq, fushatës së akademikëve serbë kundër “Kosovës” iu bashkuan disa historianë me mendësi ideologjike nga Kosova, të cilët nuk njohën tjetër pos versionin e shtrembëruar historisë së Beogradit me të cilët ata fituan edhe tituj akademikë dhe “shkencorë”, prej të cilëve zor që heqin dorë, meqë humbin privilegjet dhe titujt, e mbi të gjitha, edhe monopolin mbi tekstet shkollore, prej nga marrin honorare të majme, pale se me këto pikëpamje mbesin zëdhënës të fundit të historiografisë serbe! Të tillët, e dhe sot e gjithë ditën zhuganët dhe despotët sllavë i quajnë “mbretër” dhe “perandor” madje, siç ngjet me “Mbretin Millutin”, “Perandorin Dushan” e të tjerë, që si të tillë nuk i njeh kush pos Beogradit! Nuk është për t’u habitur pse disa nga këta “akademikë” dhe “historianë” morën pjesë edhe në hartimin e Pakos së Ahtisarit në Vjenë, ku Serbisë, duke iu dhuruar tapitë e krishterimit ortodoks në Kosovë, iu dha peshqesh edhe e drejta historike në Kosovë, prej nga rrjedhin të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohet sot skena politike e Kosovës (Asociacioni i Komunave serbe e të tjerat që po heshtën, por do të dalin gjithnjë e më shumë në pah).”
Të falemnderit Jusuf Buxhovi !
( Biseda me Jusuf Buxhovin është e imagjinuar ,por thënjet janë të Jusufit , te nxjerra nga intervistat e tij)
Fahri Xharra,19.01.16
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Ç`më tha, Fahri Xharra, Jusuf Buxhovi

Shoqatën Dibra dhe Dibrën do ta bejnë vetë dibranët!

January 20, 2016 by dgreca

*Çfarë po ndodh me Shoqatën Atdhetare Dibra në Nju Jork, një nga shoqatat më të vjetra dhe më të suksesshme, në komunitetin shqiptarë në SHBA./
* Shoqata Atdhetare Dibra u themelua në Maj të vitit 1996, nga një grup veperimtarësh, afaristë dhe biznesmenë, intelektualë dibranë, të njohur, një pjesë e tyre, dhe shumica kishin vite në emigrim në Europë dhe SHBA./
Nga Beqir SINA – Staten Island – New York/ SATEN ISLAND NYC : Në 20 vjetorin e saj – ishte para-parë, simbas statusit të shoqatës, meqenëse edhe kryetarit aktual i përfundon mandati – këtë fillim viti, të mbahej edhe Kuvendi i saj i radhës, i cili u “mbajtë” por, për shumë “arsye”, të cilat ngritën folësit, Kuvendi, u shty edhe për dy javë.Besojë se për çdo dibranë, këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe për ata nga vendorigjina është dashtë të sqarohet, dhe besojë se çdonjeri prej tyre është kurioz të dijë: Pse dështoi Kuvendi !? dhe përse u shty për në datën 31 Janar? Përse, ndërsa nuk kishte kourumin e nevojshëm u mblodhën edhe ata pak njerëz? . Përse, nuk u veprua simbas programit, që paraqiti kryetari në ikje? Përse, u ndyrshuan disa nene të statusit të shoqatës aty për aty?
Ky takim ose Kuvend i “thençin” nisi qysh në fillim – shumë gabim dhe si i thonë dibranët nga e “prapa”. Salla, nuk kishte as dekorin minimal për të treguar se mbahej Kuvendi – e humbi seriozitetin qysh se mbahej në një klub – dhe më shumë se gjysma e pjesmarrsve – nisën të hanë e pijnë.
Pas raportit të kryetarit zotit Musa Paçuku, dhe raportit financiar të Shoqatës Atdhetare Dibra, mbajtur nga Dini Radoveshi, mirë përgatitur nga të dy – ishte dashtë që kryetari të jepte “dorë-heqjen”, dhe t’i hapej rruga diskutimeve, ndërkohë, që ata kan ambicje për kryetar duhej të diskutonin “ si kandidat për kryetar” se çfarë do të bëhet me Shoqatën, për të ringritur atë aty ku duhet të jetë ajo me të vërtet.
Shoqata, dihet se në dekadën e fundit ka shënuar nga viti në vitë rënje në organizimin e saj – aqsa në tre kryetarët e fundit, me zotin Ibrahim Kolari, Ilir Rusi dhe Musa Paçuku, ajo është mbajtur “gjallë” vetëm nga puna e kryetarve, dhe disa vepritarëve dibranë, që janë dalluar për mbarvajtjen e shoqatës edhe me para, saqë u ka kushtuar “xhepit” të kryetarve dhe ndonjë dibrani – që nuk ka kursyer parat e kursyera për të sponsorizuar shoqatën.
Ashtu si e permendi në raport edhe kryetari Paçuku, sponsorizimin, e dy demostratave, promovimin e librit të Sinadinovskit, vendosjen e flamujve kuq e zi për her të parë në Brooklyn, e të tjera….
Pra, u dëshmua se vitet e fundit kryetarët e mbajtën shoqatën, sepse dibranët e “lanë” shoqatën dhe vetëm filluan të flasin lart e poshtë nëpër klube e kafene – pa kurfarrë kontributi në 10 vjet……!
Mirëpo, në pyetje tani është : a ka ardhur koha të ringrihet Shoqata Dibra – a do të dinë dibranët ta tregojnë se janë komunitet shembullor edhe në organizimin e tyre, a do të bashkohen dibranët nën ombrllën e Shoqatës Atdhetare Dibra, dhe do ti ndihmojnë Dibrës, qytetit të tyre të zemrës – me kontribute, ashtu siç e kan ndihmuar më parë – Apo edhe më 31 janar, do të “rrahin përsëri ujë në hava” dhe do të merren duke kritikuar njerin tjetrin me cimbime “alla dibrançe”, edhe kur nuk kan ardhur as edhe një herë në shoqat dhe nuk japin asnjë kontribut, kur edhe kan mundësi për të dhenë dhe për të bërë së bashku diçka të mirë.
Shoqatën Atdhetare Dibra dhe Dibrën e Madhe do t’a bejnë vetë dibranët !
Shoqata Atdhetare Dibra, u themelua në Maj të vitit 1996, nga një grup veperimtarësh, afaristë dhe biznesmenë, intelektualë dibranë, të njohur, një pjesë e tyre, dhe shumica kishin vite në emigrim në Europë dhe SHBA. Fillimisht, pjesa më e madhe e tyre, që u anatarësuan dhe themeluan Shoqatën Atdhetare Dibrane (SHAD), me status, program dhe logon që ka edhe sot, ishin nga ata dibran, që e lanë Dibrën dhe shkuan të studiojnë në Prishtinë, nga ku u frymëzuan më shumë ndjenja patriotike kombëtare.
Kjo shoqatë e nisi punën dhe veprimtarinë e saj me një “vrull” dhe dëshirë e vullnet të madh – çka kulmojë në vitet më të bukura të sja, periudha 1996 deri në 2006 , pra një dhjetëvjeçarë kur Shoqata Atdhetare Dibrane (SHAD) me, aktivitetin dhe veprimtarinë e saj jo vetëm në komunitetin dibran por edhe me kontributin, pjesëmarjen dhe ndihmesën e saj, kreu dhe realizojë një veprimtari dhe aktivitetet, të komunitetit Dibran, në SHBA dhe më gjerë e cila është historike, dhe e jashtëzakonëshme.

Bile, do të thoja për mendimintim se ajo ka qenë shëmbullore, dhe ka qenë pervilegj dhe nder për mua si gazetar ( dhe dibran) ta mbulojë aktivitetin dhe veprimtarinë e Shoqatës Atdhetare Dibrane (SHAD) . Por , fatkeqësisht, dhe me keqardhje dua të them se duke e parë gjendjen dhe funkcionimin e saj aktual, pra këto 5 vitet e fundit, dhe sidomos dy vitet e fundit, dhe e ndjerë nevojën e funksionimit të Shoqatës, është për ardhur keq se pothujase ajo është “inegzistente”. Dhe, është mbajtur nga kryetari me dy tre veta që nuk kan kursyer parat për shoqatën.

Megjithë, përpjekjet dhe punën që kan bër për ta ringritur atë, tre kryetarët e fundit(Kolari, Rusi, dhe Paçuku) kryetari në ikje, dhe kryesia e saj e “vogël”, ajo që ka mbetur , me vetmohim dhe një përkushtim bën çmos, pa aspak interes dhe shumë shumë larg atij qëllimi për të cilin u krijua dhe u “betua” se do t’i shërbente komunitetit dibran në Diber të Madhe dhe në Amerikë.

Gjejë rastin që ta ilustroja edhe me një fakt këtë përgjigje; megjithëse, anëtarësia vjetore e saj është në kuota minimale, pra 100 dollar amerikan në vitë( 9 dollar në muaj ) , do të shtojë Shoqata Atdhetare Dibrane (SHAD), thuhet se nuk ka buxhet, dhe nuk ka asnjë llojë financimi ose përfitimi ( nga darkat që organizphen) dhe nuk ka bërë vitet e fundit, asnjë edhe një llojë kontributi, të paktën në emër të shoqatës në qytetin e Dibrës, siç janë bërë më parë.

Prandaj ejani më 31 janar të dëshmohet serioziteti, dhe përkushtimi i dibranëve, lërni menjëanë emrat dhe mërit mes njëri tjetrit – kthehuni nga Shqoata si pikë bashkimi e të gjithë dibranëve….

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, cfare po ndodh, me Shoqaten Dibra

Shqiptari nga Dibra humb jetën si legjionar francez

January 19, 2016 by dgreca

Mediat franceze bëjnë të ditur se mes 5 ushtarëve që humbën jetën në Alpet Fanceze ditën e hënë, është dhe një shqiptar. Bëhet fjalë për një 22-vjeçar me origjinë nga qyteti i Dibrës i identifikuar si Denis Halili. Mësohet se Halili shërbente si legjionar në ushtrinë Franceze dhe se jetonte prej disa vitesh në Francë. Shqiptari bashkë me 4 kolegët e tij humbën jetën pasi u zunë nga një ortek në alpet franceze.

Filed Under: Kronike Tagged With: Denis Halili, humb jeten, legjionar francez

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT