• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Kosova shkon në OSCARS

January 14, 2016 by dgreca

-Hera e parë në histori që Kosova hyn në ‘Academy of Motion Pictures Arts and Science’ me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë/
– Kryeministri Mustafa: Nominimi i filmit “Shok” për Oscar, ngjarje historike për Kosovën/
Ministri Shala: Filmi “Shok”, lajm historik për kinematografinë e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Janar 2016/ Kosova sot feston nominimin e saj të parë në Akademinë OSCARS 2016, gjë që shënon suksesin më të madh të industrisë së filmit kosovar deri më tani.
Kjo është hera e parë në histori që Kosova hyn në ‘Academy of Motion Pictures Arts and Science’ me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë.
Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi ‘Shok’ sapo u nominua bashkë me 4 filma të tjerë për çmimin ‘Best Live Action Short Film’ në edicionin e 88-të të OSCARS, thekson Qendra Kinematografike e Kosovës në njoftimin e dërguar.
Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.
‘Shok’ është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me producent Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.
Kjo është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri më tani dhe ‘Shok’ tashmë ia ka hapur dyert filmave kosovarë që të jenë prezentë në ngjarjet më të mëdha të filmit.

Mustafa: Nominimi i filmit “Shok” për Oscar, ngjarje historike për Kosovën/

PRISHTINË, 14 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përshëndet nominimin për çmimin prestigjioz Oscar, të filmit “Shok”.
Kryeministri Mustafa, e konsideron si një lajm shumë të mirë për artin dhe kulturën në Kosovë, duke përgëzuar të gjithë profesionistët e filmit, që kanë kontribuar për realizimin me sukses të këtij filmi, tashmë historik për kinematografinë kosovare.
“Nominimi i filmit ‘Shok’ për Oscar është lajm shumë i rëndësishëm për kulturën tonë në përgjithësi. Republika e Kosovës, falë punës, kreativitetit dhe përkushtimit të njerëzve të saj, dhe në bashkëpunim me njerëzit e vendeve tjera mike, po ecën e sigurt drejt sukseseve kulmore në të gjitha fushat e jetës”, tha kryeministri Mustafa.
Në përfundim të deklaratës theksohet se, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mbështesë aktivitetet që lidhen me promovimin dhe përkrahjen e filmit “Shok”, i cili është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës./b.j/

Shala: Filmi “Shok”, lajm historik për kinematografinë e Kosovës

Prishtinë, 14 janar 2016/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala përgëzon aktorët, producentët dhe gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e filmit “Shok”.
Lajmi se filmi “Shok” është nominuar për çmimi më prestigjioz në fushën e kinematografisë Oscar, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kinematografinë dhe kulturën e Kosovës në përgjithësi, u shpreh ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me të kuptuar lajmin se filmi “Shok” është nominuar për këtë çmim të madh që i bën nder artit dhe kulturës së Kosovës.
Me këtë rast, ministri Shala përgëzoi gjithë ata që kanë ndihmuar për këtë arritje të rëndësishëm për filmin e Kosovës.
Po ashtu, ministri Shala përgëzoi të gjitha ata që kanë ndihmuar dhe kontribuar për të realizuar këtë film, i cili që tani ka shënuar një sukses historik.
Ministri Shala u shpreh se është optimist në suksesin e mëtejmë të këtij filmi dhe të kinematografisë së Kosovës.
Ai po ashtu u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të krijojë kushte më të volitshme për zhvillimin e artit kinematografik, duke krijuar lehtësira në planin e legjislaturës dhe të ndihmës financiare për zhvillimin e mëtejmë të kinematografisë së Kosovës.
Ky film është një bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë, me producent Eshref Durmishin e Harvey Ascott dhe është mbështetur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, kosova, shkon në OSCARS

Forcat speciale të SHBA zbarkojnë në Irak

January 14, 2016 by dgreca

Forcat speciale amerikane kanë zbarkuar në Irak për të kryer operacione kundër Shtetit Islamik, në kuadër të një përpjekjeje më të madhe për të goditur rrjetin terrorist. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, në një fjalim të mbajtur para rreth 200 ushtarëve në selinë e divizionit 101 të marinës. Trupat speciale do të angazhohen në kërkimin e liderëve dhe militantëve kryesorë të ISIS, përveçse në Irak edhe në Siri. “Do t’i vrasim ose do t’i kapim kudo që të ndodhen”, ka deklaruar Carter. Në fjalimin e tij të fundit në Kongresin amerikan, presidenti Barack Obama deklaroi se Shteti Islamik, por edhe Al Kaeda, përbëjnë një rrezik konkret për Shtetet e Bashkuara. “Së shpejti këta vrasës dhe fanatikë do të shkatërrohen”, tha Obama. Një ditë më parë, në një sulm ajror të kryer në Mosul, aviacioni amerikan nuk goditi grupe militantësh, por një ndërtesë e mbushur me para që përdorej si depozitë nga këta të fundit. Pesë ishin viktimat e bombardimeve, miliona kartëmonedhat e shkatërruara, thanë zyrtarë të mbrojtjes, që preferuan të ruanin anonimatin.

Filed Under: Rajon Tagged With: Forcat speciale të SHBA, zbarkojnë në Irak

Shënime për historinë e themelimit të Degës së Partisë Demokratike Shkodër

January 14, 2016 by dgreca

Shkruan:Dr. Eduard Grishaj/
I dekoruar me Medalje te Artë, Pishtar i Demokracisë/
Jehona e erës demokratike që fryu në vitin 1989 në Europën Lindore ishkomuniste, u ndie edhe në Shqipëri, dhe veçmas në Shkodër. Teksa rregjimet diktatoriale në vendet i ish traktatit të Varshavës, po shembeshin një e nga një, në Shkodër, një grusht burrash kishin marrë vendimin të organizonin një demostratë paqësore, me objektiv kryesor rrëzimin e bustit të dikatorit Stalin, që gjendej në mes të qytetit, si shenja më kuptimplotë e terrorit shtetëror komunist, i cili në Shkodër më shumë se kudo, për afro gjysëm shekulli, kishte vënë nën thundrën e përndjekjes një popull të tërë duke vrarë, burgosur e internuar, plaçkitur e sekuestruar, të gjithë elementin opozitar. Demostratës së 14 Janarit, Diktatura iu përgjigj me barbarinë e saj: mbi 160 qytetarë të arrestuar e torturuar, duke shkuar deri në dënime ekstreme me akuzën e veprimtarisë armiqësore kundër pushtetit popullor, ndërkohë që publikisht e kishte mohuar si fakt të ndodhur. Edhe pse nën terrorin e egër shtetëror i cili tashmë po mbante të angazhuar për patrullim e vigjilencë deri pensionistët veteranë, Shkodra vazhdoi të qendronte duke pritur rastin e rradhës për të demostruar edhe njëherë etjen e saj për liri dhe demokraci. Demostrata e 16 Qershorit, ishte një tjetër sinjal i qartë ndaj diktaturës, e cila, e mbetur pothuajse e vetme nuk kishte asnjë shans të mbijetonte përballë një ndryshimi rrënjësor të botës.
Diktatura nuk u ndal të reflektonte as para ngjarjeve të ndodhura në bllokun e ambasadave të huaja. Qytetarët që çanë hekurat e izolimit u quajtën jashtëqitje, ndërsa Shqipëria, as lindje as perëndim, duke dëshmuar se arroganca politike kishte mbërritur në fazën e fundit të degjenerimit, atë të shterpësisë.
Në të hyrë të dimrit, Shkodra i mbajti sytë e zemrat hapur ndaj ngjarjeve të pritshme studentore. Informacionet që vinin nga Tirana përcillnin shpresë se një lëvizje me përmasa mbarëshoqërore ishte në prag të shpërthimit. Dhe jo rastësisht, në krye të kësaj lëvizjeje, që në orët e para, do të shquheshin shumë studentë shkodranë: Tefalin Malshyti, Arben Broci, Shenasi Rama, Edmond Bushati, Adrian Paci, Alban Pici, Arben Lika, Arben Muça, Arben Okaj, Arben Ibro e dhjetra studentë të tjerë, jo më pak të rëndësishëm.
Shkodra, duke vlerësuar sinqeritetin e kësaj lëvizjeje, u gjend që në orët e para në mbështetje të saj. Që me shpalljen e themelimit të Partisë Demokratike me 12 Dhjetor, nga Shkodra merr pjesë në mitingun e organizuar në Qytetin Studenti Z. Pjetër Arbnori. Ai takon disa nga drejtuesit nismëtarë, duke parashtruar idetë e tij të mbështetura në kulturën dhe përvojën personale. Ditët në vijim marrin kontakt me drejtuesit e PD në Tiranë Zotërinjtë Xhemal Uruçi dhe Surri Dizdari, por i pari, ngarkohet nga Qendra si person kontakti.
Ndërsa në Shkodër, me 13 Dhjetor, zhvillohej demostrata antikomuniste që do të kulmonte me shembjen e bustit të diktatorit Hoxha, Z. Kolec Ndoja në emër të një grupi të rinjsh antikomunistë, merr kontakt me drejtuesit e PD në qendër. Krahas pajisjes me autorizim nga Azem Hajdari, ai ngarkohet të sjellë në Shkodër 50 kopje të Statutit dhe Programit minimal të PD, të cilat u shpërndanë nga Z. Eduard Grishaj në datat 14-15-16 ndër intelektualë me bindje antikomuniste në Shkodër. Po me 13 dhjetor, lexohet në mjediset e Shkollës Artistike Prenk Jakova një kopje e programit, sjellur në Shkodër nga studentët e Institutit të Lartë të Arteve Arben Muça, Adrian Paci, Vahid Çoku dhe Andi Hila. Të drejtuar nga Shenasi Rama, grupi i studentëve, nën terrorin e strukturave shtetërore zhvillojnë takime me studentë të Institutit Luigj Gurakuqi, me nxënës shkollash të mesme, me qytetarë dhe krerë të institucioneve fetare.
Diktatura edhe kësaj rradhe iu përgjigj egërsisht demostratës me arrestime pas mesit të natës të kryera nga forca të shumta policore të ardhura nga Kryeqyteti. Disa nga demostruesit, nisur nga përvoja e hidhur historike dhe agresiviteti me të cilën po kryhej operacioni policor, u fshehën; disa morën rrugën për t’u arratisur. Në tentativën për të kaluar kufirin me Jugosllavinë, vritet nga forcat e kufirit, Olsi Lorja, njëri nga demostruesit më aktivë. Gjykata, iu vu punës për të dhënë dënime të shpejta, me akuza nga më banalet.
Pikërisht në këtë klimë, me 14 dhjetor në kulmin e një terrori shtetëror, mblidhen për herë përpara Hotel-Turizmit nismëtarët Xhemal Uruçi, Kolec Ndoja, Fran Gjergji, Ilirian Idrizi, Eduard Grishaj, Surri Dizdari, Mark Mhilli. Zoti Alfons Grishaj, për shkak të ndjekjes nga organet e Degës së Mbrendshme, nuk mori pjesë në këtë takim. Megjithëse takimi u krye në qiell të hapur u morën disa vendime të pjekura:
1.Grupi nismëtar të mblidhej çdo pasdite.
2.Mbledhjet të zhvilloheshin në banesat private që ofronin kushtet e përshtatshme.
3.Meqënëse grupi ishte i pastrukturuar u kërkua që Komisioni Nismëtar i PD në qendër të autorizonte të deleguarit për të shoqëruar procesin strukturues në përputhje me statutin.
Mbledhjet u zhvilluan rregullisht në banesat e nismëtarëve Lilian Idrizi, Mark Mëhilli dhe Nikolin Thana, i cili iu bashkangjit grupit menjëherë. Në emër të parimeve demokratike, ishte i lirë të merrte pjesë çdo qytetar që shprehte vullnetin për të aderuar në Partinë Demokratike, edhe pse respektimi i kësaj norme shpesh shkaktonte probleme. Impulse akoma më të mëdha i dhanë veprimeve ardhja e studentëve nga Tirana Edmond Bushati, Arben Broci, ndërkohë që pranë grupit të nismëtarëve u atashuan si të deleguar Shenasi Rama dhe Tefalin Malshyti. Në vazhdim grupit i bashkohen Zhani Sekuj dhe Eduard Perjaku. Njëkohësisht dhe me shumë intensitet kanë bashkëpunuar Viktor Kasneci, Tefalin Malaj, Çesk Bici, Ibrahim Bilali, Paulin Ndoja etj.
Grupi nismëtar mori përsipër të zhvillonte me sukses mitingun ku do të shpallej themelimi i degës së PD Shkodër, në përputhje me axhendën e PD në qendër. Në funksion të këtij programi, me 28 Dhjetor, në shtëpinë e Lilian Idrizit, grupi vendosi të hartonte një dokument, i cili në përputhje me ligjin për partitë politike, bënte zyrtarisht të vlefshme kerkesën që i duhej drejtuar Degës së Punëve të Brendshme Shkodër për lejen e mitingut që u la të zhvillohej me 3 Janar 1991. Mbledhja përcaktoi edhe individët që do të përshëndesnin mitingun. Pjetër Arbnori u ngarkua të përshëndeste me një mesazh të veçantë, atë të pajtimit kombëtar. Dokumenti i datës 28, është tashmë i njohur publikisht.
Realizimi i mitingut përbënte një sipërmarrje të vështirë. Nga njëra anë, Sigurimi i Shtetit përhapte zëra se Mitingu do të përgjakej për shkak të një hasmërie; nga ana tjetër, zëra që vinin nga aktivistët e një subjekti politik që priste të legalizohej, e ashtuquajtura Partia Popullore e Bashkimit Fetar, po tentonin të përhapnin në popull, idenë se PD nuk ishte tjetër veçse një derivat i Partisë së Punës. Nismëtarëve të PD në Shkodër u vjen në ndihmë një kasetë me fjalimet e mbajtura nga liderët e rinj të PD në mitingun e zhvilluar në Elbasan, e cila u shumëfishua dhe fashiti çdo hije dyshimi.
Mitingu i 3 Janarit është një nga mitingjet më madhështore të realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Mbi 75 mijë pjesëmarrës nga qyteti dhe mbarë rrethi. Ky sukses, i dha grupit nismëtar një shtysë të fuqishme për të hyrë në rrugën e zgjedhjeve me pretendimin e padiskutueshëm të fitores. Grupi në bashkëpunim me Qendrën, vendosi konstituimin me datën 12 Janar 1991. Të deleguar nga Tirana ishin Azem Hajdari, Arben Imami, Preç Zogaj dhe Arben Demeti. Disa nga aktivistët e pranishëm, Eduard Grishaj, Mark Mëhilli, në shtëpinë e të cilit zhvillohej mbledhja, Tefalin Malaj etj. vendosën të rrinin në pozitat e aktivistëve të thjeshtë, për t’i lënë vend kooptimeve të mëvonshme. I pari, megjithë insistimin e nismëtarëve të tjerë paraqiti argumentin e prezencës së vëllait të tij Alfonsit si të mjaftueshme në këtë komision, duke synuar të shmangej edhe imazhi se PD po klanizohej ende pa u ngritur mirë. Në mbledhje u diskutua gjithashtu nëse zgjedhja e Z. Pjetër Arbnori si Kryetarit i Komisionit nismëtar, me cilësinë e ish të burgosurit politik, shënonte një kalim në ekstrem, diskutim që u zgjidh nga parimi i votës. Në vijim, po me votë u zgjodh sekretar, Z. Surri Dizdari. Komisioni nismëtar përbëhej kështu nga 12 antarë: Pjetër Arbnori, Surri Dizdari, Xhemal Uruçi, Alfons Grishaj, Edmond Bushati, Arben Broci, Zhani Sekuj, Kolec Ndoja, Lilian Idrizi, Eduard Perjaku, Fran Gjergji, Nikolin Thana. Në këtë, mbledhje, me kërkesën e Z. Arbnori u diskutua edhe çështja e largimit të Z. Shenasi Rama nga Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike në Tiranë.
Komisioni nismëtar, bashkë me kooptimet që vijuan, udhëhoqi me sukses të gjitha detyrat që i ngarkonte koha: Ngritjen e strukturave bazë, takimet për shpalosjen e programit, përzgjedhjen e kandidaturave për deputetë sipas parimit të hapjes, e mjaft të tjera, ndaj nuk ka qenë e rastit që PD e Shkodrës çoi në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën e vitit 1991, 16 deputetë nga 19 zonat që kishte rrethi.

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Eduard Grishaj, Historia e themelimit, shkoder, te deges se PD

AHMET KOLGJINI- NANE ZADRIMORE

January 13, 2016 by dgreca

Gazeta “Dielli” ju sjellë “Nanë Zadrimore”, pjesën e tretë dhe të fundit të ciklit poetik të Ahmet Kolgjinit (1939-1999), nxjerrë nga vellimi me “Poezi” botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”. Aktorët e krimeve te periudhes komuniste jo vetëmse nuk kanë dhanë përgjegjësi, por nji pjesë e tyne po marrin dekorata dhe po shpërblehen nga shteti shqiptar.
Mbi këte cikël poetik, autori, Ahmet Kolgjini, shkruen: “Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime. “I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.”

NANE ZADRIMORE
I
Plot dy javë te porta e hekurt priti
Nanë-zeza, e kërrusun, e bame lak
Shkallët, me mbesë përdore, ngjiti
Shoqnue prej nji zullapi torollak

Sheh kanibalin me fytyrë Jeziti
Që i vrau të shoqin më dyzet e pesë
Ndejti me nji djalë, mezi e rriti
Tek ai u mbështet, e kish të vetmen shpresë.

“-Djalin ta dënoi ligji, ka bërë faj
Po Partia tonë është zëmër-madhe
Djali t’i heqë lakrat, trutë t’i shpëlaj

Ashtu si të tjerët të futet në aradhe
Me mësimet e Partisë të eci paskëtaj!
Do ta studjojë Partia… Mirë bëre që ardhe…”

II
-Bir i nanës! Takova shokun Enver
Më tha të bash nji lutje. Unë jam nanë…
-Ate që kam timen, s’lutem me ma dhanë
Zoti ma dha jetën dhe Zoti ma merr.

“Andërronte tepër, u dënue me ligj.”
Me siguri kështu të kanë thanë
Ti a s’e kupton se lutja e përligj
Dhunën që ushtrojnë këta mjeranë?

Enveri me shokë janë nji skotë
Nji lukuni e pangishme kriminelash
Nji shuplakë e Zotit në këte botë.

Ma mirë pushkatue se rrethue telash
Prej këtyne mos prit farë uzdaje
Zoti të shpëtoftë prej kësaj murtaje!

III
Kalon nji muej. E kërkojnë në zyrë.
Nji strupull teshash merr për me i hapë
I qetë, ai që djalin ia ka kapë…
Ajo bahet dhé, limon bahet n’fytyrë

I dridhen buzët nanës zadrimore
Kur sheh bluzë e krahën, laps e bllok
Të mbështjella lesh e li me nji spathok
Nji kuti cigaresh e nji orë dore…

I merr e del, po s’di ku me u mbytë
Këqyr përqark, kurrkund nuk sheh njeri
Ecën kuturu, nuk sheh ma nga sytë

Kryq ban tri herë, me teshat mblidhet shuk
Prej ure me vërtik hidhet në Dri!
Në shkulmat zhduket… duket… deri sa u zhduk!…

Gusht 1984

Shenim i autorit:
“Nana Zadrimore” – e veja e nji oficeri të Ushtrisë Kombëtare, mbasi i vritet i shoqi prej komunistëve në vitin 1945, lidh shaminë e zezë dhe vendos me rritë të birin 7 vjeçar. I biri meqenëse iu ba e padurueshme lufta e klasave, lidhet me dy moshatarë të vet dhe vendosin me u arratisë, por kapen dhe ai si krytar i grupit dënohet për tradhti të lartë ndaj atdheut me vdekje.
Nanë-shkreta ban çmos për të shpëtue të birin. Nji ditë e thërrasin në zyrë për t’i dorëzue sendet personale të të birit. I biri ishte pushkatue. Nana s’e kontrollon ma veten dhe mbytet në Dri. Kështu u shue e u fik edhe nji familje.
Shqipnia vuen për nji Shekspir!
Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.

Filed Under: Featured Tagged With: Ahmet Kolgjini, NANE ZADRIMORE

RIKTHIMI I SHQIPËRISË NË VITIN E MBRAPSHTË 1913

January 13, 2016 by dgreca

Përse i duhet Ramës Komisioni Ndërkombëtar i Monitorimit?/
Opinion nga Dr. Islam LAUKA/
“Rilindja” e Edi Ramës po i rikthen Shqipërisë vitin e mbrapshtë 1913, kur, në emër të gjashtë Fuqive të Mëdha të kohës, për fatet e shqiptarëve vendoste Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Pas 104 vjetësh shtet i pavarur, në kuadrin e Reformës në Drejtësi, Shqipërisë i ofrohet një Komision Ndërkombëtar Monitorimi, i cili, sipas propozimit të Qeverisë, duhet të sanksionohet edhe në Kushtetutë. Që Reforma në Drejtësi është e domosdoshme, nuk ka asnjë dyshim. Që duhen goditur fort të korruptuarit në sistemin e drejtësisë, edhe për këtë janë të gjithë dakord. Por pyetja që shtrohet është kjo: a nuk qenkemi në gjendje ne shqiptarët ta bëjmë këtë reformë? Unë mendoj se po.
Po përse i duhet Ramës Komisioni Ndërkombëtar i Monitorimit?
Dy janë arsyet kryesore: Së pari, për opinion të brendshëm, për të “vërtetuar” se ai gëzon mbështjejen e partnerëve ndërkombëtarë. Së dyti, për të dëshmuar “luajalizmin”, në të vërtetë, servilizmin patologjik të tij ndaj ndërkombëtarëve, tipar ky, jo vetëm i kryeminstrit aktual, por i klasës sonë politike, në përgjithësi. Pa pikën e ndjenjës së përgjegjësisë ndaj qytetarëve, politikanët tanë mendojnë se shqiptarët nuk mund ta bëjnë vendin e tyre, prandaj ftojnë ekspertë, gjykatës, prokurorë, komisione, deri edhe ushtri ndërkombëtare për ta (zh)bërë Shqipërinë.
Atyre duhet t’u skuqet faqja, nëse e njohin sadopak turpin, kur të lexojnë qëndrimin e Komisionit të Venecias, të cilit i janë drejtuar për ndihmë, pikërisht, për Reformën në Drejtësi. Sipas këtij Komisioni, ngritja e organizmit të lartpërmendur (Komisionit Ndërkombëtar të Monitorimit) është shumë e pazakonshme. Dhe më tej, një Kushtetutë kombëtare nuk mund të përfshijë në sistemin e kontrollit dhe balancave një figurë apo organizëm që emërohet nga jashtë dhe që nuk jep llogari përpara organeve të zgjedhura në mënyrë demokratike, brenda vendit.
Pas Sovranitetit Shtetëror, pushtetarët tanë, duket se janë të gatshëm të shesin edhe dinjitetin e tyre. Nëse ende u ka mbetur gjë prej tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Islam Lauka, NË VITIN E MBRAPSHTË 1913, RIKTHIMI I SHQIPËRISË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT