Nga Alfons Grishaj/
Sundon dija mbi vetëdijen (Hygo),apo vetëdija mbi dijen? Është një pyetje në formën e një kurthi që dikton vlerën dhe mbivlerën e vetëdijes dhe dijes së programuar. Dikur, vetëdija prodhoi dijen, tani dija e programon atë, pra vetëdijen. Por shpesh herë vetëdijen e shohim mbi dijen? Ose vetë-edukimin mbi edukimin!
Vetëdija nuk ka lidhje me sharlatanizmin, por me superinteligjencën, e cila vjen nga misteri hyjnor. Dija zbatohet dhe rritet nga njeriu, i cili e mbron dhe e zhvillon atë, por dhe e shformon dhe e nëpërkëmb deri në atë masë sa krijon honin e pakapërcyeshëm, nganjëherë të pariparueshëm të shembullit të keq që pasohet …
Njohja ime me problemin e dijes në shoqërinë shqiptare, më ka shtyrë drejt një konkluzioni se ajo gjindet në nivel të ulët e për rrjedhojë në gjendje të rrezikojë vendin në rrugën drejt përparimit. Dijet e cunguara që dha e jep arsimi lindor, sidomos ai shqiptar, krijon një vakuum të atillë në ballafaqimin me dijet perëndimore që kapin me shpejtësi të marramendshme nivele të panjohura më parë, sa shpesh herë, politikanët, shkrimtarët, gazetarët, historianët, doktorët, shkencëtarët (që nuk di a mund t’i numërojmë me gishtat e dorës), akademikët, etj., ndihen ngusht, jo vetëm nga trashëgimia e munguar vlera e njohurive, por dhe nga kryeneçësia e tradicionit të ashpër shqiptar për të mbetur prapa.
Dija shëmtohet keqas: kur historiani bën vëllime për të na nxjerrë vëllezër me turqit duke “harruar”çfarë shkruan për ne, Tursun Beu; kur një “analist” shkruan për Donald Tramp “Një trap për President”; kur një tjetër publicist shkruan ese për “Trapin” duke bërë analogji kalamajsh dhe krijuar neologjizma vulgare; kur dikush tjetër jep çmime për “estetikën” e vrimës; kur “tjetërkush” akordon dekorata për kontribute në krim; kur heroi kombëtar propozohet të zëvendësohet nga renegati; kur një mësues nuk di t’i përgjigjet pyetjes së nxënësit; kur i diplomuari krenohet me diplomën pa e njohur përmbajtjen e saj; kur një druvar “inxhinjer pyjesh” konvertohet në “gazetar”; kur një kurtizane e sëmurë të predikon për nder; kur diplomati përgjigjet kuturu; kur financieri mpreh gishtin në vend të lapsit; kur humoristi bën rolin e xhandarit; kur agronomi mbjell ferra dhe pabesi në vend të perimeve e frutave; kur një gazetar shkruan pa ndërgjegje; kur politikanët nxjerrin ligje e vendime “për të shtuar” birat e rripit etj. Festë paradoksesh, molusqesh!
Më interesantja është se, njerëzit që kanë më tepër borxh çoroditjes së dijes dhe historisë shqiptare, bash ata krenohen me boshllëkun e tyre akademik dhe historik! Këtu kemi një inteligjencë tepër të varfër, ku dija nuk është e bazuar në vlerat e saj, por në infiltrimin e ideologjisë e si pasojë dija ushqehet tek kulti, kur dihet se kulti errëson dijen, duke shkatërruar vetëdijen. Pauperizmi i inteligjencës ndodh tek vetkënaqësia e palimitizuar e vetëbesimit, e cila krijon kurthin e paperceptuar të mosarsyes mbi arsyen!
Niveli i dijes tek ne është grotesk dhe po shkakton dëshpërim tek një pjesa dërrmuese e shoqërisë e cila e ndjen diferencën mes “zhvillimit shqiptar” dhe zhvillimit të pandalshëm perëndimor. Dija apo Vetëdija? Mjerë historia, publicistika dhe shkencat e tjera! Para syve të krijohet një tablo reale me personalitete të kohëve të ndryshme, të huaja dhe shqiptare. Penelatë kontraversale e kohës tek njerëzit tanë. Banaliteti dhe vulgariteti është njësia matëse e nivelit të njeriut tonë që shkon nga njëshi deri tek treshi. A ka të bëjë kjo me gjenetikën apo me nivelin e dijeve të cunguara, me kulturën lindore komuniste apo me vetëkënaqësinë?!
Sipas mendimit tim, ka njerëz që lindin dhe rriten në terrenin e injorancës, për çka dhe nuk mund të fajësohen, por ka dhe injorantë të shkolluar siç thotë Belinski, të cilët janë më të rrezikshëm se të lindurit dhe të rriturit injorantë. Përditë dija dhe vetëdija ndeshen me pesë kategori njerëzish:
1-Të parët, si pasojë e kushteve dhe rrethanave, por dhe e mundësisë janë njerëzit e lindur dhe rritur larg dritës së dijes. Por mes tyre sidomos ata që janë të hapur për ndryshim, kur u jepet mundësia të pranojnë dritën e dijes, kanë një përshtatje të natyrshme me të dhe jo rrallë herë të suksesshme.
2-Kategoria e dytë, përbëhet nga të shkolluarit e detyruar që porsa dalin nga bankat e shkollës nuk është keq t’i rikthesh për të filluar nga e para!
3-Të tretët, janë njerëzit që mbarojnë shkollat për forcë zakoni, për variacion apo dhe për luks. Dhe rezultati është i qartë: luksi konsiston në fallsitetin e një kartoni për kurikulum vitae, ndërsa tipologjia e variacionit prodhon “kuadro” që vishen shik e që u shërbejnë segmenteve të pushtetit për rutinën burokratike. Shkalla e tyre intelektuale nuk e kalon mesataren, biles nganjëherë janë aq të bezdishëm sa të krijojnë bindjen se ke përpara një sharrë elektrike dhe jo një qënie organike të pajisur me arsye. Në këtë kategori mbizotëron si tip, modeli i “Njeriut të Ri” i komunizmit, i cili me dijet e cungura nga shkolla dhe tekstet e limitizuara të diktaturës është dhe prodhuesi më i madh i pseudodijes, pikërisht prej pauperizmit të arsyes dhe doktrinës së dështuar.
4-Kategori e katërt, janë njerëzit e shkolluar që nuk e njohin vetëkënaqësinë, por njohin kënaqësinë e frutit të tyre duke bërë vepra dhe zbulime që ndihmuan nëmirëqënien dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, si Ajnshtajn, Pier dhe Maria Kyri, Nikolla Tesla, Robert Choch, Franklin Dilano Ruzvelt, Bill Gates etj… Albert Ajnshatajn , do te shkruante: “Edukimi nuk është me mësuar faktet , por me trajnuar mendjen për të menduar” . Kurse Lui Paster, thoshte: “ Pak shkencë të largon pak nga Zoti, por më tepër shkencë ju çon tek Ai”.
5-Kategori e pestë, janë njerëzit e vetëdijes , apo të vetë-edukuar, të etur për dije në infinit, të lirë, pa kufizimet “akademike”, pa komplekse indoktrinimi, dashnorë dhe prodhues të dijes dhe pragmatizmit, si për shembull: Leonardo da Vinci, Abraham Lincoln, Benjamin Franklin, Tomas Alva Edison, Ernest Heminguei, Maksim Gorki etj. Steve Jobs, pa mbaruar asnjë kolegj, bëri Apple inch një perandori! Isaac Asimov , autor i katerqind librave , shkrunate : “Unë besoj vendosmërisht se , vetedukimi është lloji i vetëm i arsimimit ” . Kurse Abrahim Likoln , shkruante: “ Gjithçka që kam mësuar , e kam mësuar prej librave ”.
Mjafton të lexosh emrat e të vetë-dukuarve dhe emrat e të edukuarve në universitete me famë botërore, mënjëherë të krijohet tablloja e nevojshme për pregaditjen e njerëzve tanë, për shkollat dhe textet tona të gjymtuara që pasqyrojnë dijet sipërfaqësore të edukimit, dhe pas kësaj, mendimet tona të varfra. Ne përtojmë të djersijmë mbi libra, megjithëse sot kemi një oqean tekstesh mësimore akademike e shkencore lehtësisht të aksesueshme.
Komunizmi ka qënë bartës me shumicë i tre kategorive më lart, ndërsa kategoria e katërt, i ka takuar inteligjencës së burgosur, atyre që braktisën atdheun për arsye persekutimi, dhe inteligjencës së një pakice intelektuale që nuk ishte e burgosur, por vepronte nën trysninë dhe tmerrin e të nesërmes të pasigurtë. Kjo kategori edhe sot është besnike e vlerave universale të dijes dhe zhvillimit.
Sot, po lind dhe rritet një inteligjencë e re virtuale me një botë tre dimencionale, ku pauperizmi i inteligjencës pothuajse nuk ekziston dhe infektimi i të kaluarës përplaset në muret e antitrupave të dijes perëndimore. Megjithatë, unë nuk do të merrem me inteligjencën e re, por do të jap mendimin tim të shkurtër rreth pauperizmit të arsyes të kohës së shkuar që sillet dhe sot si fantazëm.
Duke dalë nga katrahura e komunizmi 47 vjeçar, rregjimi totalitar prodhoi anti-vlera të tilla sa njerëzimit i duhet rreth 100 vjet për të zhdukur pasojat dramatike të “Njeriut të Ri” apo më mirë antinjeriut, i cili u shfaq dhe shfaqet shkatërrues dhe aspak ndërtues. Ne e shohim atë në sjellje, në dëshmi, në opinione, në karakter, në shpirtin e mosbesimit, në ecjejaket e përditshme të shtetit. Shkencat Humane të Sjelljes, do ta kishin të vështirë për të dhënë një pasqyrë të qartë, biles dhe pionieri i psikologjisë Hermann Ebbinghause do të ishte tepër konfuz në përcaktimin e “Njeriut të Ri” që po largohet për në humbëtirën që pat krijuar vetë. Pasojat i shohim përditë si në atdheun tonë, por dhe jashtë. Mediokri përkrah mediokritetin! Banditi, bantitizmin! Komunisti kauzën e humbur! Pseudo-politikani politikën e verbër! Oficeri i sigurimit praktikën nostalgjike! Shpifësi, shpifarakun! Spiuni, spiunllëkun! Publicisti, publicistikën demode! Pseudohistoriani, historinë e stisur. Shumë gjëra që na kanë lënë kaq prapa, duhet të korrigjohen ose të ripunohen nga fillimi!
Duke qenë i shoqëruar në vite nga koshienca, prikoshienca dhe subkoshienca, kam pasur dëshirë të jem larg nga “narkolepsia” që moleps disa njerëz, duke përfshirë dhe “vëzhguesit” e problemeve të mprehta shoqërore. Prandaj, kur ndeshem me kategorinë e “Njeriut të Ri”, nuk mund të rri pa ua thënë në sy, ose pa shkruar ato që mendoj, jo për supremaci, por për të treguar kohën e tyre të humbur që gjeneron varfëri intelektuale dhe shpirtërore. Ajo kohë ka vdekur!
Nuk ka rëndësi nëse dija sundon mbi vetëdijen, apo anasjelltas. Rëndësi ka djersa që derdh, vizioni që ke, kërkesa ndaj vehtes dhe kohës.
Tomas Edison thotë: “Gjenia është dy përqind frymëzim dhe nëntëdhjetë e tetë përqind djersë”.
Archives for January 2016
Shkumbin ku e gjete
Nga Ilir Levonja/
Eshte e trishtueshme të shohësh një burrë duke qarë. Madje kur mezi thotë që, po m’dha mire… Edhe po nuk m’dha prapë mirë. E ka fjalën për shtetin e tij. Ndërkohë e di që nuk merr asgjë. Por lodhja dhe fatkeqësia e kanë tronditur. Ka ndenjur gjithë natën, duke shikuar të përmbytej shtëpia e tij. Kursimet dhe puna e katër djemve në kurbet. Ndërkohë nuk është i sigurtë për asgjë. Ka ardhur nga zonat malore midis Myzeqesë dhe Elbasanit. Zuri një gropore afër lumit Shkumbin. Diku aty ku siç thonë myzeqarët që me gisht ta ngulësh fidanin, zë e rritet. Ose edhe macurrka e thatë mbinë psiprapë. Kaq bujare është ajo tokë e njelmët. Mirëpo ja që i teket edhe lumit e të bën hatanë. Çfarë të bëj njeriu i shkretë.
Greqia i falimentoi. Italia po përtyp veten. Gjermania ta bën në kokë. Më mire pranon sirianë se shqiptarë. Franca ka hallet e veta. Kurse Spanja kaq e kishte. Sidomos edhe me këtë punën e Katalonjës. Ku të mblidhet shtetari i shkretë.? Shteti i vet ka hallin e reformës në drejtësi. Përmbytja është bërë e modës. Madje edhe denoncimet, bëhen për grupet e interesit. Të atyre që lajnë hesapet e drogës dhe tenderimeve. Jo për bagëtitë që i mori Shkumbini. E ia bëri kurban detit në këtë fillim viti të hidhur.
Vitet e demokracisë, ishin një lëvizje e ndërsjellë. Në fund të fundit, pse të mos e provonin. Më mire pak pluhur e ujë në Myzeqe. Se sa të ngjitesh e të zbresësh monopateve të Shpatit apo Valshit në Elbasan. Kush ka shkuar atyre anëve, e ka të qartë dallimin. Por do apo nuk do njeriu. Sidomos udhëtari, pyet nën zë veten… Vërtetë jetohet këtej.? Brigjet edhe pse ngjajnë me Zvicrën, i ka zhveshur fraqi dhe errozioni. Shkozat skalafiten rrugëve ku vetëm kecat kalojnë. Se për rrugë normale, as që bëhet fjalë. Edhe pse atyre majave rron si një asterisk. Shenjë e kohës, një kishë që e zbukuroi Onufri. Por ne kemi këto prej xhami tani.
Sikur vetëm rrugë të kishin ato anë. Ta dini qielli i Zvicrës nuk do ishte kurrë më i bukur. Por kujt i ka rënë për pjesë.? Na ka rënë neve. Jo zvicerianëve. Neve që ndajmë tapi nga shtatë here në vit. Që i nëmim këta lëvizarakë. Këta shpatarakë.
Elbasan është emër i bukur. Megjithatë ngjitu katundeve të Shpatit. Ngjitu e të kuptosh se ekziston edhe një botë njerëzore që ne e kemi harruar. Ngjitu e pastaj gjyko se ka të drejtë apo jo ai bir nënë të zbresi në groporet e Myzeqesë.
Të paktën nga krahu kundruall, luginës së Drinit, edhe pse ngucas, ftohtit apo thepave ku rrinë varur akoma skelet e saurrelave çekë, lëviz jeta. Kurse në Shpatin e Elbasanit vegjeton vetveten. Kqyr botën poshtë në fushën ku los Shkumbini. Aq sa I lumturi njeri i bën amin korit të zogjve dhe erës së Krastës.
Kështu që Myzeqeja është parajsë.
Sot ky burrë, është në moshë. I vrarë dy here. Përqark i sillen katër djemtë. Ata që ai u përpoq të t’i mbajë nën një çati. Dhe ia arriti. Ia arriti duke dhënë këtej andej ndonjë vote, për hir të tokës. Për hir të ekzistencës. I lumtur që shtonte edhe ndonjë bagëti.
Mirëpo i pari i vendit del e thotë se po paguajmë gabimet e këtyre njëzet vjetëve. Këto lëvizjet e ikjet. Ardhjet apo nguljet.
Në fakt që e shikon si një gabim, si një plagë, si një marramendje demografike bën mire. Po pse pikërisht në kohë përmbytje.?
Nga ana tjetër, sillen shumë zëra që përflasin siguracionet apo më the e të thashë. Mbi shtëpinë, mbi pronën. Në fakt edhe kjo nuk është keq. Por në një vend ku vetëm të bërtasin dine. Ku mburren me një ekonomi të ”suksesshme” me rrogë vjetore prej 5% të popullsisë. Vetëm atyre që kanë privilegjin e administrates shtetërore. Të tjerët janë dhimbsurakë të një lëngate me emrin përkrahje sociale. Kurse ata tek privatet, po deshën aq apo kaq mire. Po nuk deshën, të pirdhen. Siguracionet janë edhe kulturë që vjen si rrjedhojë e një ekonomie reale. Jo e sojit shqiptar. Ku askush nuk e di se sa merr dhe sa paguan. Por të paktën di se sa ka. Dhe këto i mban poshtë jastëkut. Ose tonja të lidhura në xhep.
Kështu që, Të një ekonomie ku gjithkush deklaron jo aq sa ka, por sa i do qejfi të deklarojë. Nga ana tjetër, jemi vendi me çmimin më të lartë të shitjes së energjisë dhe karburanteve.
Gjithsesi, jemi tek ai elbasanasi nga malet. Ku në Çermë të Lushnjes. Lumi Shkumbin ia mori të gjitha. Vetëm për një natë, vetëm me një revansh. Tek ai burri që qan, i mallkuar nga fati.
Por duke qënë se nuk është i vetëm. Pasi gjithë Shqipëria është në ujë. Mjaftohet me mëshirën, po m’dha mirë. Po edhe po nuk m’dha…, prapë mire. Duke ua bërë edhe më të lehtë punën negociatorëve të reformës në drejtësi.
Kryeministri-Opozites: Protestoni të qetë dhe në mënyrë paqësore
-Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 69-të/
-Kryeministri Isa Mustafa u bëri thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë paqësore/
Prishtinë, 8 janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti pasdite mbledhjen e 69-të, të dytën brenda ditës së sotme.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa u bëri thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë paqësore. “Kjo para së gjithash, sepse Kosova ka përjetuar mjaft dhunë dhe askush nuk ka të drejtë të demonstrojë dhunë për motive politike dhe për ardhje në pushtet. Organet shtetërore do të përkujdesen me përgjegjësinë më të madhe për ta ruajtur rendin dhe qetësinë, për ta ruajtur jetën e qytetarëve, pronën publike dhe pronën private. Ato do të veprojnë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, që ashtu sikur janë sjell me integritet gjatë tërë kësaj kohe, të punojnë bashkërisht në proceset zhvillimore dhe në forcimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që zgjidhjet për të gjitha çështjet të bëhen brenda institucioneve legjitime dhe legale përfaqësuese dhe kushtetuese.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë pa asnjë luhatje në realizimin e synimeve zhvillimore, integruese dhe euroatlantike të vendit tonë dhe se këto synime janë në interes të çdo qytetari, janë në interes të Kosovës në tërësi, në interes të stabilitetit në rajon dhe në interes të tanishmes dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, duke u nisur edhe prej rrethanave të reja të krijuara, theksoi se përkundër hapave të mëdhenj që janë ndërmarrë, siç janë nënshkrimi i MSA-së, përmbushja e të gjitha kritereve për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritja në javët e ardhshme edhe i rekomandimit prej BE-së dhe fokusit maksimal për themelimin e shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës, institucionet e vendit, siç u shpreh Thaçi, për fat të keq po ballafaqohen me sfida të panevojshme, të papritura dhe fare të paarsyeshme, kërcënime për protesta të dhunshme, që do të cenonin procesin e liberalizimit të vizave, themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, do të lëndonin bashkëpunimin e shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Prandaj, është në interes të të gjithëve që të shikojmë drejt një perspektive të përbashkët të agjendës shtetërore dhe në asnjë rrethanë konfrontuese sepse tek e fundit kush e udhëheq vendin vendos, kështu vendosin qytetarët e vendit dhe jo disponimet e tre-katër individëve. Institucionet e vendit janë legjitime, të dala nga zgjedhjet fer, të lira, demokratike, transparente, të pranuara nga të gjithë spektri politik kosovar, edhe prej atyre tre-katër liderëve që po protestojnë, dhe në anën tjetër i kemi institucionet legale të vlerësuara lart edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj edhe siç e tha kryeministri Mustafa, vlerësoj se është në interes të të gjithëve që të kemi një reagim më të balancuar dhe më të arsyeshëm të opozitës. Megjithëse nuk ka arsye për të protestuar, por është si pretekst për marrjen e pushtetit me dhunë nga ana e tyre, që është pretendim për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Prandaj, vlerësoj se duke u nisur prej këtyre rrethanave, mendoj se do të ishte me rëndësi që ne të vazhdojmë me agjendën tonë, ndërkohë opozita e dhunshme, të themi shumë hapur, është duke i rrezikuar të gjitha të arriturat e Republikës së Kosovës. Por, sido që të jetë, ne kemi besim të plotë në qytetarët e Kosovës që, siç e tha edhe kryeministri, kanë dëshmuar gjithmonë pjekuri të lartë politike, dhe shtetërore dhe orientim perëndimor. Tek e fundit kjo që po ndodhë këto ditë, kemi të bëjmë me një ballafaqim të konceptit qeverisës të mirë pro-perëndimor dhe të atij anarkist, të mos durimit për t’i pritur zgjedhjet në kohë kushtetuese dhe ligjore. Sido që të jetë, të gjithë janë të vetëdijshëm se zgjedhjet do të mbahen në 2017 lokalet dhe në 2018 të përgjithshmet. Natyrisht se ata që i kanë shërbyer vendit gjithmonë edhe do të jenë të shpërblyer, ata që e kanë dëmtuar, rrënuar por edhe prishur imazhin e vendit tonë do të ndahen jo mirë, përsëri”, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria e Kosovës mori vendim për autorizimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për Pagesën e shpenzimeve administrative në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive (ICSID) në kontestin e ngritur nga kompania “ACP Axos”.
Po ashtu, Qeveria mori vendim për angazhimin e kompanisë ligjore “Patton Boggs” për ndërmarrjen e veprimeve procedurale – përgatitore me karakter urgjent pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive (ICSID) në çështjen e ngritur nga kompania “ACP Axos” lidhur me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës./b.j/
MIKUIM IM I PANDARE
ESSE NGA XHEVAHIR LLESHI/
Për herë të parë e pashë teksa punonte me një tufë letrash të hapura mbi tryezë, në turizmin e dikurshëm të Beratit. Mendova se kjo duhet të qe dëngël e madhe. Një qytet i vogël i shikonte në sy ardhësit dhe pastaj imitonte veprimet e tyre. Shiko, mendova, besoj shumë nga burrat e ditur të këtij qyteti do zbarkojnë në turizëm dhe ky do të jetë, me siguri, qyteti i vetëm në botë ku shkrimtarët, poetucët dhe dramaturgët do ta gjejnë yllin e tyre të talentit duke shkruar gjithë ditën. Po bëhesha merak se ku do t’i gjenin fjalët, por nuk mendova asnjëherë se pas ca ditësh edhe mua do të më emëronin me punë si skenarist në teatër, aty ku ky njeri shkruante drama a komedi në Turizëm…
Ishte Sheri Mita, regjisori i teatrit më të ri në Shqipëri, atij të Beratit. (Më i riu fare ishte ai i Peshkopisë!). Do të kishim një zyrë të dy, por ama që në ditën e parë e dija se ai dhe suita e aktorëve do të zbarkonin në Turizëm. Mësova nga aktorët më të vjetër se ishte nga Fterra e Sarandës, sup më sup me Kuçin e famshëm të Vlorës. Mësova gjithashtu se kishte mëmën vetëm në shtëpinë e vjetër, ngjitur me Mondialin e sotëm. Nuk harruan të më informonin se kishte edhe një vëlla më të madh, Dragush e quanin, si… ashtu…, që sot do ta thoshin plotgojën daun. Fatkeqësi familjare. Por fatkeqësia e vërtetë e madhe ishte ajo e të atit, i cili pas vitit të lindjes së mikut tim të ardhshëm, Sheri Mitës, paskej qenë arratisja në SHBA. Por, e thënë nën zë, kjo dukej si komike, por edhe si një kërcënim: «Kujdes me të!» Ishte i martuar dhe e shoqja punonte mësuese në shkollën «Kristo Isak». Mira, nuk përtonin të më thoshin ata që merrnin fjalët nëpër gojë, ishte zonjë grua, e mrekullueshme, ç’thua! Sigurisht e tillë ishte edhe kur e njoha vetë më vonë. Të paktën, mendova, edhe thashethemet nuk rrinë ndonjëherë pa thënë edhe të vërteta…
Ende pa u mbyllur dita e parë e punës si skenarist në teatër u njoha me të gjithë aktorët: Ceken, Pavlinën, Yllin, Tomin, njoha Yzedinin (Shelegu) piktorin ose skenografin, ashtu edhe Sokolin, Foton, Ardianin, Ilirin, Uljanën, si dhe këngëtare, instrumentistë. I fundit që njoha asaj dite ishte Mimi, Mim Kumati, ustai i prapavijës, që kryente edhe detyrën e sekretarit të partisë. Drejtor ishte një nga njerëzit më të gjatë të qytetit, Gafur Hoxha, miku im dhe i shumë të tjerëve, njeri i përkushtuar dhe vullnetshumë. Nuk përtohej për asgjë…
Të nesërmen Sheri më ftoi për kafe. Atje, tha, në Turizëm. Atje e kam folenë, si në shtëpi. Kështu u njoha me të, ndonëse informacioni i të tjerëve ishte dyndur keq tek unë. Sheri buzëqeshte. Do kalojmë mirë bashkë, mos ki merak. Atje në zyrë, besoj se je bollshëm, unë emrin kam aty, shumicën e kohës jam këtu dhe pasdite në skenë me aktorët. Punë, apo jo? Hm. A të ngopën ca me fjalë? Dhe qeshi ndritshëm. Edhe unë buzëqesha. I dhashë të kuptuar që më kishin fryrë mirë. Domethënë nuk qenkej nevoja t’i tregonte edhe ai. Mjafton me aq. Jeta, dihet madhështia e saj tërheq pas edhe vagonin e mallrave, vagonin e udhëtarëve dhe… atë të fjalëve… Secili do bëjë atë që mundet. Megjithatë sikur kishte dëshirë të fliste. E, pra, edhe unë jam i martuar, kam dy djem (qeshi kur nënvizova: një i vogël e tjetri i madh), gruaja punon këtu te «Shtëpia e Bardhë» (ai mbajti gojën me dorë: në Uashington? Mos! Na fute brenda, mos e thuaj më!). Alerti im besoj do të jetë një moshë me tët bir, si e quajnë? Arian. Bukur. Me «A» të dy. Kam luajtur në disa filma dhe ata më japin një kënaqësi të rrallë. Ma kanë lejuar të drejtën. Hm. E pe dramën «Dy krisma në Paris»? Bashkautor me Pëllumbin (Kullën). I thashë se më kishte pëlqyer. Edhe romanin e Skifter Këlliçit e kisha lexuar. Epikë, por me një frymë të çmuar lirizmi të ndritshëm. Sheri padyshim që punonte shumë, sidomos me detajin dhe atmosferën e shfaqjes, madje ishte nga ata që futi me tepri, po sidoqoftë tejet e pranueshme, gjë që binte shumë në sy edhe tek shfaqja që kisha parë. Nuk ndihej patetizëm tek ai, por ama nuk harronte frymën poetike. Përveç të tjerave, a mund të harrohet tek ai Këshilli i ndrikullave? Humor i shkëlqyer, tmerrësisht i bukur për t’u duruar, por edhe linja të buta si pasqyra e mëndafshtë ujit, një blu e smeraldët, e çuditshme, plot fshehtësi që të fërgëllonte… Do ta gjeja këtë në të gjitha krijimet e tij, në atë arsenalin e madh e tingëllues. Një mjedis me aq pak ndjesi komforti. Por fjalë tingëlluese që bënin përshtypje dhe krijonin atmosferë të mirë, pastaj goditnin në shenjë edhe kur në skenë ishte vetëm një djalë dhe një vajzë, hipur në lishars dhe vargëzonin me shpoti fjalë dashurie. Aty duhej punuar, aty duhej ngritur me madhështi ajo që duhej, ajo që kërkonte fjala e bukur dhe plot humor. Kampion i humorit. Leka Bungo në Lushnje, një tjetër gjigant dhe Pëllumb Kulla në Fier bashkë me atë që mbyllte trekëndëshin, Sheri Mita në Berat. Trekëndësh i bukur i Myzeqesë. Mund të duket si nostalgji klasike, por jo. E tillë do të mbetet edhe për teatrin dhe estradën në vitet tetëdhjetë.
Sheri Mita dhe Pëllumb Kulla ishin dyshe besnike, që ia mbanin fort anën njëri-tjetrit artistikisht dhe brenda një pasioni dhe energjie të pashtershme. Një nga ditënetët e shumta të shërbimeve, ishim të dy, unë dhe Sheri, në Fier. Pritëm të mbaronin provat e dramës që po punohej dhe u takuam tek turizmi i Fierit. Pëllumbi i gjatë dhe plot gaz, i shfrenuar në batuta plot kripë, tha se kjo do të ishte një darkë e madhe, se atyre u kishte ardhur një mik tjetër i madh, i ri dhe plot energji, apo jo Xhev? Takimi i parë është ngjarje. Dhe do ta gdhijmë! Ah që s’kemi një stenografe e të mos na humbnin fjalët që do llomotisim sonte. Se kryeveprat dalin nga llomotitjet, ta dini prej meje. I thërrasim kujtesës dhe nuk na vijnë mendimet që kemi broçkollitur gjatë festës… Do bëjmë si do bëjmë, por kam frikë, shtoi Sheri, se mos na i stenografon Xhevairi! Ku e dimë ne se ky nuk e njeh stenografinë? Ah, po kjo qenka gjë e madhe, se nga sytë-frëngji duhet të kesh ca frikë! Foli kështu Pëllumbi dhe përplasi fort gjuhën me qiellzën…
Jo, nuk iu nda asnjëherë punës, për çudi, në një kohë kur edhe ai si gjithë artistët, preferonte vetminë për të bërë art. Herë në Turizëm, herë edhe në Sallën e Provave, aty ku çdo aktor merrej me zërin, me pikat kulmore të fjalës, me tonet e interpretimit. Ndihej i plotësuar kur gjërat merrnin kthesat e duhura. Ose e sillte situatën pikërisht se ashtu duhej. E ne, të dy bashkë sikur ndiheshim më të fortë, po në të vërtetë kjo forcë krejt formale nuk duhej fare. Të dy e kishim suksesin të garantuar. Dhe kur ne flisnim me zë të ulët fuste kokën te dera Mim Kumati, sekretari i partisë, i cili bënte sikur po kërkonte diçka dhe dilte. «Sheri», i thashë, «që Mimi të mos fusë më kokën te dera, është më mirë të flasim gjithnjë me zë të lartë…» Qeshi pak. «Skuth…», tha.
Kur mori shtëpinë e re u bë me krahë. Ishte një apartament i bukur, një kat më lart se shtëpia e Shyqri Spahiut, disenjatorit të madh të Beratit, njëri prej miqve tanë më të mirë. U mor vetë edhe me detajet, ndonëse Mimi deshi ta ndihmonte, duke e shtrënguar fort sqeparin në dorë. Zot na ruaj, edhe ndihma e Mimit duhej! Megjithatë, të dy u ndanë duke qeshur. Në vizitën time bashkë me gruan, gjeta në shtëpi edhe të ëmën e tij aq të njohur, legjendare të thuash. E qeshur, por një e qeshur e përmbajtur, ndonëse dukej madhështore. Jam këtu, por mendjen e kam në Tiranë te Dragushi. Iu bëftë nëna! Oh, sa më dhemb ai djalë, more bir! Po edhe ti qenke i mirë. Pale, edhe nusen ma paske bukuroshe! Eh, Dragushi im! Ah, more djalë, të kesh birin në shtëpi, siç kam unë Dragushin, edhe vetë shtëpia nuk e di ku e ka kokën. Po shyqyr që e kam. Se ai që është i zoti e gjen rrugën e tij dhe nuk ka nevojë për krahë, kurse ai nuk bën kështu. Më prek shumë butësia e tij, madje edhe egërsia e tij. Edhe Sheri ma do shumë… E di, i thashë. Ma zë gjithnjë në gojë. Por… S’ka por, një si ai mbetet fëmijë dhe të jesh gjatë gjithë jetës një fëmijë, askush tjetër veç meje nuk e di sa e çmuar është…
Sheri Mita e nderonte mjaft të ëmën. Rast i rrallë? Jo. Kështu e kam njohur, të shprehej qartë dhe bukur, sidomos me të ëmën. Grua e rrallë, po edhe ky ishte një djalë i rrallë! Tejet punëtor, gjithmonë i shqetësuar, paksa i grindur (më tepër me veten), hera-herës si i mërzitur, me një dhembje të përhershme koke, sidomos prej një detaji. Nuk mungonin rastet kur dukej i hutuar e i tronditur fund e krye, edhe pse e spërkaste këtë me të qeshurën e tij të përhershme, ndonëse në dukje mjaft e kursyer. Në një nga këto raste më tha se do t’i duhej të largohej për një film «Yjet e netëve të gjata». Do të jem ngushtë me këmbën, se personazhi ka një detaj mjaft interesant: do t’më duhet ta mbaj këmbën të lidhur fort, të fashuar krejt, sepse do të jem me një këmbë, sakat. Mendo, ç’torturë, dhe kjo me siguri që ma freskon pastaj fjalën që do them, ku s’do mungojë edhe hidhërimi. Uf, ç’tmerr!… Po sikur të mos duan këta? Se edhe drejtori i mirë ka ikur, tani është drejtoreshë. Ç’thua? I zgjidh gjithnjë urdhri nga lart, nga ata për ndërhyrje në film, e di vetë ti. Pastaj mos harro, kjo vjen bashkë me një kritikë përvëluese më vonë. Por ndoshta më ndihmon Vangjush Popli këtë radhë. Do ta kem asistent regjisor për estradën. Avdyl Pilafi, sekretari, ma priti mirë. Thikë me dy presa, Sheri. E di, vëlla… Ja kështu, rridhnin ditët, puna, lodhja e madhe, e qeshura e tij bëhej edhe më e ndritshme…
Në ditët tona të shërbimit në Vlorë, kur na u desh të rrinim në hotelin e shtëpisë së oficerëve, erdhi befasisht. Do të krijonim libretin e ri të estradës dhe ta mendosh, në ditët e kampionatit botëror të futbollit, sepse s’mund të rrinim pa e ndjekur. Por ishte edhe koha kur u morëm me njëri-tjetrin. Unë i tregova, me besim të madh natyrisht, për një nga rastet e mia kur vendosa të arratisesha. Natë. Posta e kufirit në Rrajcë. Isha me shërbim nga Ministria e Punëve të Brendshme (Komiteti i Rinisë të asaj Ministrie, me Hasan Lekën). Bashkë me komandantin e postës inspektim në vijën kufitare, matanë klonit. O Zot. Një hap më ndante. Komandanti futet në lisnajër nevojat e tij. Se në vijën e kufirit të vijnë gjithnjë nevojat! Po para syve të mi doli Neka dhe im bir, Ariani. Brrrr. Tmerr. Ç’po bëja ashtu? Ku do përfundonin ata? Po prindërit? Vëllai, motrat… Një hap dhe më në fund u ktheva. Ujë në djersë… Sheri m’i kishte ngulur sytë gjithë tmerr. Jo, unë s’do ta bëja kurrë. Nëna ime do të vdiste. Mira do të pësonte një fat të frikshëm me të tre fëmijët! Ç’thua! Se ai që kam pasur në Amerikë, në vend që të mendonte për ne harroi, mendonte për vete. Na paskej harruar. S’e merr dot me mend ç’pasoja kemi vuajtur pa i pësuar, por njerëzit e nënës, djemtë e tezeve, na kanë dhënë krah… As që e merr dot me mend. Respekt i madh. Matot, përshembull. Ah, Xhevair, Xhevair! Po më ngulen thikat në zemër, më duket. Dhe tregoi gjatë vuajtjet e tij të mëdha, shpirtërore. Nuk do të doja ta dëgjoja, por u përpoqa ta kripja ca me humor. Me humorin e tij të madh. Mjaft. Ao… ushnja… Ah…
Ne do të ishim në Përmet, takimi kombëtar i estradave, në Gjirokastër, në Sarandë, në Peshkopi, në Bajram Curr, në Pukë, në Kukës, në Shkodër, Lezhë, Lushnje, Durrës, kudo. Në çdo skaj. Mëngjesi i tij do të ishte mjaft i përkushtuar, i qetë, meditativ, por ama me një kurim të jashtëzakonshëm të tavolinës, me një përkushtim plot sqimë të kafesë. Hidh e prit batuta. Dhe ai zëri i tij i plotë, i qartë, emocionues, i ngrohtë. Dhe sidomos tek filmi «Dora e ngrohtë» Kulmi në skenën kur jep këshillën, kur i mençuron edhe të tjerët, një frazë që i shkonte shumë dhe do të mbahej mend gjatë. Bishti i qenit… Aty do të mbahej mend gjatë Sheri Mita ynë, artisti që i dha aq shumë filmit, artit të skenës, estradës në veçanti, ankthit të bukur që të shkakton ky art, mësimet që të japin… Dhe ia doli kurdoherë. Kurrë nuk e dëgjova njëherë të tregohej mosbesues.
Dinte të ishte edhe tragjik. Kurrë nuk fluturonte ulët. Dinte t’i çmonte episodet e dhimbshme. Sidomos në kohën kur ishte pa shtëpi, gjer vonë. Por fjetjen në hotele të linte përshtypjen se e donte, pasi vëmendja befas zhvendosej tek ai. E donte këtë detaj. Zbriste nga shkallët, jo me ashensor. Aty mund të nxirrte një subjekt sikur ta kishte as në mëngë. Shkurt. Thjesht. Dhe kjo përmasë i jepte elegancë. Atje në Amerikë babai mund të jetë martuar. Jo mund, por ishte martuar, mund të kishte edhe ndonjë vëlla a motër. Kush e di. Gjë e vdekur, e huaj. Na mban përfund, por edhe më jep një tharm, more vesh? Më jep tjetër pamje. Se në këtë jetë mjafton jo si i sheh ti gjërat e njerëzit, por si të shohin ata ty. Ja, për shembull drita që më shohin mua është kjo, unë atyre u dukem i veçantë. Pastaj, mendo, kjo ka rëndësi sepse mua më jep ëndje dhe dritë. E çuditshme? Jo. Unë jam në filma. Pak e saktë. Si kripa. Aq sa duhet. Por pa mua nuk do të ishte aq e lehtë. Dhe kthehem sërish këtu, një shfaqje bombë. Pastaj Cekja është gjithnjë asi nën mëngën time. Nuk i jap aq shumë, por i jap gjithnjë atë që duhet. Dhe ai fiton dritën e veçantë. Me një fill të padukshëm e mbaj fort në skenë. Se Cekja është i papërmbajtshëm. Të ikën nga dora kur të duash…
Atje, në «Shtëpinë e Bardhë» në Mangalemin mahnitës, kur të mbërthen një rrëqethje e jashtëzakonshme emocionale, duke pirë një gotë raki a një gotë verë qëllonte që vinte Llazar Vera, një nga lëvruesit e dramës, i cili merrte kumte e lëvdata edhe nga Avdyl Pilafi, ai mund të shqiptonte një dëshirë të fshehtë, duke iu lutur Zotit t’i jepte një kënaqësi të përveçuar, domethënë t’i jepte më shumë forcë Alertit që të arsimohej si duhej dhe të bëhej i madh në fushën e tij, që vajza të arsimohej diku jashtë, që djali të merrte rrugën e duhur. (Diku jashtë? Si mund t’i shkonte në mendje?) Dhe Mira ç’heq me ta. Unë jam për asgjë. Jam kot në shtëpi. Unë edhe kur jam me një gjë larg skenës mendoj se si do ta përdorja atë skenë, si do tingëllonte. Pa dashje i thashë në telefon Bardhyl Xhamës «Ao, Bardhyl!» në vend që t’i thosha «Alo, Bardhyl!» Pa dale, po sikur të lozja pak. Ao, ushnja? Po, Cekja në telefon. Bukur. (Një fërkim duarsh.) Do të shijonte shumë në skenë! Lavdi Zotit! Je i madh! Kështu po, mund t’’iu hapej porta imazheve.
Pastaj vinte pagjumësia e gjatë. Ai ishte fëmijë i artit të madh. Dhe vinte enkas Kadri Roshi për të pirë një gotë te «Shtëpia e Bardhë». Me të ishte natë magjike. Pastaj i tekej Nand Radit. Edhe ai i thekur. Se Pëllumb Kulla dhe Leka Bungo ishin të shtëpisë. Nuk përtohej as Alfred Verria, as Xhixhi i estradës së Durrësit, i madhi Serafin Fanku, parodistët e Vlorës. Miqtë e tij ishin gjithë artistët e mëdhenj, befas u bënë miqtë tanë të përjetshëm. E, pas takimit me ta duhej përgatitur mizanskena e nesërme. Qoftë edhe një batutë. Larg qoftë vinte përsëri Kadriu, Nandi, Vladimir Prifti e shumë të tjerë. Një çast dhe tavolina zbukurohej me Ceken. Fillonte raundi i ri, ndeshje e re, klimë tjetër.
Kaluan vite. Sheri i fitoi të gjitha betejat dhe ja erdhi viti 1989, rrëzimi i Murit të Berlinit dhe shembja spektakulare e gjithë Lindjes. E more vesh? Të pata thënë. Po fryn Juga. Sonte do vete te Pëllumbi. Do iki vetëm. Ik. Unë për vete po merrem ca me televizorin. Jo ika, po fluturova. Nuk duroj dot. S’ka më ajër. Ja, edhe mbledhjet e partisë i bëjnë të hapura tani. I ka zënë data. Të mjerët. Dhe iku. Erdhi pas tri ditësh. Po ai. Ziente përbrenda por s’dukej. Përmbahej. Maska. O Zot. Shteti filloi të hidhte ca kocka te këmbët sikur të tjerët të qenë qen të uritur. Maskarenjtë. Mendonin se tani, më tepër se kurrë do të hanim njëri-tjetrin. Moskurrë. Jo, jo, jemi të aftë ta shqyejmë njëri-tjetrin…
Ç’halle kishte (edhe më tepër ka tani) një artist në Shqipëri?! Po një artist i madh? Miqtë tanë dendësoheshin. Sheri, i thashë, ndreqe filmotekën tënde, edhe dramat e vëna në skenë, edhe komeditë, skeçet, monologët, paroditë. Po fryn era të ikësh nga Berati. Tani s’do të ketë më kafaze, as pragje e mure. Po fryn era bukur mirë. Shpejt, shumë shpejt edhe ne. Rregulloje rrugën për t’u strehuar më në fund në shtëpinë tënde në Tiranë. Mirë? Dhe ai më shihte në sy. Hm. Mendohej. Mendohej dhe s’dinte ç’të bënte më parë. Dhe, shiko, hë për hë mos e shit shtëpinë këtu. Më vonë, do ketë çmime të tjera. Dridheshim nga emocioni, edhe ai, edhe unë.
Nuk dua t’i bie hakut. Por më bëri përshtypje. Ai iku menjëherë. Thjesht iku. Pa u takuar me asnjë. Duhej bërë gjithçka atje. Dhe rrodhi jeta edhe për të, edhe për mua. Si për mua edhe për të ikja e djemve jashtë. Emigracioni. Pastaj për mua tragjedia dhe nuk u pamë dot më. As për ditën e asaj tragjedie jo. Vonë po. U takuam. Kemi ndenjur, kemi treguar gjithçka nga thelbi i shpirtit. Vinte te zyra në Tiranë dhe uleshim për të pirë kafe. Ai qëllonte që rrinte me orë të tëra pa folur. Dhe nuk ma zuri në gojë Amerikën. Asgjë. Asnjëherë. Dukej tjetër njeri. Një prej atyre ditëve, duke pirë kafe te «Vila Palma» te «Blloku» në Tiranë (ai kur vinte, shpesh merrte në telefon), më tha se nuk e meritonte miqësinë me mua. Më ndje Zot, çfarë kam kështu. Më janë mbështjellë të gjitha fjalët në fyt. Nuk e marr vesh ç’po ndodh. Forca, djalosh, i thashë. Gjeje ku e ke fshehur tërë atë humor dhe energji. Eh! Ja tek plasi. Ai nuk ishte humor, vëlla, ai ishte hidhërimi im që tjetërsohej ashtu! Hidhërimi, helmi i jetës, i viteve. Ato ma thanë edhe gëzimin. Tëmthi im tani ishte në tru dhe nuk prodhon më helm, por sheqer. Kulmi. Ja, kjo është fatkeqësi! Se ai që ka qenë në burg atëherë mund ta transformojë tani hidhërimin në një lëng edhe më të hidhur. Pelin. Dhe pelini del pastaj si humor i kulluar rrugësh. I ke dëgjuar?…
Shkëputej rrallë për të ardhur tek unë. Isha gati t’i jepja gjithë botën time. Isha gati ta zgjoja nga dremitja e thellë. Por nuk arrita të bëja gjë. Sheri gjithnjë e më dendur më shihte në sy gjatë, pa folur. Dhe zija t’i flisja për dramën Shtëpia në bulevard të Fadil Paçramit, ai sërish rrinte ashtu. Pa gojë. Edhe kur doja të qeshja pak me rolin te Fytyra e dytë e Dritëro Agollit. Pastaj e ktheja pllakën, filmat me radhë. Mbase bën efekt, kush e di. Ngadhënjim mbi vdekjen, Yjet e netëve të gjata, Vitet e pritjes, Të mos heshtësh, Ballë përballë, Operacioni «Zjarri», Gjeneral Gramafoni, Skëterrë 1943, Vetmi, Përdhunuesit, Nata e parë e lirisë, Familja ime, Në fillim të verës… Jo, nuk isha në gjendje për t’ia kthyer atë, buzëqeshjen e tërë botës, s’po mundja. Ndërkohë erdhi një fans i tij. Ishte nga Shkodra. Krejt i lëpirë, me kostum të rrallë, të mbyste aroma e kë këndshme. E përqafoi fort Sherin. Edhe ky u përpoq disi, por nuk ia dha dot atë që kërkonte, shpirtin e bukur e të qeshur. Pastaj i tha se i duheshin 2000 lekë (të reja) (në fakt unë nxora një 200-she, por ai m’i nguli sytë fort!) për një sebep. Sebep i thënçin! Ia dhashë unë 2000 lekshin që të ikte. Dhe iku. Mirëpo, ja tani afër, para tri javësh ai u shfaq sërish te «Vila Palma» dhe unë e njoha Shkodranin. U afrua tërë madhështi dhe ai u bë gati të thoshte diçka. Belbëzoi vetëm «Jam ai…» dhe unë s’di se si ndërkaq fryu një erë e fortë që plasi xhamat dhe u bë rrëmujë. Dolëm jashtë me nxitim…
E prisja dhe e pres qoftë edhe këtë gjurmë prej atij njeriu. Mirëpo që të shkruaja (kam, nuk e di sa detaje për t’i thënë për mikun tim të madh Sheri Mita!) u bë shkak Sulejman Mato, poeti dhe shkrimtari që shpesh vjen dhe bisedojmë për ato që ai ka më tepër përzemër, letërsinë dhe botimet. Më ngacmoi dhe unë i thashë diçka që s’duhej thënë. Jo, jo, kurrsesi ndonjë shprehje kush e di çfarë, por që unë e konsideroj të rëndë. Sheri nuk jeton më. Dhe ndjesa për të tani është e kotë… Ç’farsë mund të ishte edhe ndjesa!…
I thashë vetes se ne të dy, (mund të jemi ngaherë të dy, ashtu duke biseduar për vitet që kemi kaluar bashkë!), ndoshta duke mbajtur përpara mbi tryezë një gotë verë të kuqe, por ama ditët e arta të humorit e të krijimtarisë sate atje, në Turizmin e dikurshëm të Beratit, jo, nuk vijnë më kurrë… Unë po përpiqem të jetoj me suksesin, kurse ti asnjëherë nuk e mendove, megjithëse e kishe të pranishëm çdo çast. Se arti e do sqimën dhe suksesin, por do edhe që të jesh patjetër i ri, do edhe entuziazmin, që ti dhe unë, i dashur Sheri, miku im i mirë, e kemi lënë me kohë pas…
02 janar 2016
ALBANOFOBI QË SHTIRET SI ALBANOLOG
Nga KOLEC TRABOINI/
Shumë shqiptarë të painformuar apo të keqpërdorur po na e shesin studiuesin grek Titos Johalas si një arvanitas të madh. Si një figurë e respektuar, kur ai nuk është i tillë, të paktën për ne shqiptarët jo. Mbase për grekët e Greqinë bëhet i tillë mjaftueshëm. Po vihet re se pas vrasjes së Aristidh Kolës dhe dëshirës së shfrenuar për të vënë në harrim veprën e tij, po dalin soj-soj figurinash që po na i shesin si studiues arvanitas apo ironikisht e mjerisht si “albanologë”. Është krejt e kuptueshme sepse tani mungon ai që kishte guximin tua thoshte të vërtetën në sy e përpara të cilit zgërlaqeshin. Kështu po del tani ky Titos Johalas që gëzon simpatinë e qeveritarëve të Athinës në mënyrë të përhershme, ndërkohë që për arvanitasit e mëdhenj heshtet. Akoma më tepër bëhet çfarë është e mundur të minimizohen historia e traditat e shqiptarëve të Greqisë, madje duke i konsideruar se nuk kanë asnjë lidhje me shqiptaret e Shqipërisë dhe të Kosovës. Janë një popullsi tjetër, thonë myteberrët e megaloidhesë, pra thjeshtë kanë mësuar të flasin shqip. Ky është argumenti i mediokritetit nacionalist grek. Cinizmi i tyre nuk ka fund e në këtë qëllim të shuarjes së çështjes së arvanitëve dhe mision mohues ndihmojnë sa të jetë e mundur studiues të tipit Titos Johalas që janë në të njëjtën hulli me politikën qeveritare madje të thuash saktë janë sejmenë të tyre.
Të bën përshtypje se edhe ish-kryeministri shqiptar(dhe jo grek) Aleksandër Meksi në një koment të tij na e quan këtë Johalasin si albanolog arvanitas. Mbase di më shumë ndaj dhe del e flet vërtetë dy fjalë por si të thuash i jep një nderim të madh “arvanitit” Titos Johalas-it. Por “taftotita” që jep Meksi nuk pi më ujë. Johalasin e kemi njohur herët që kur ishte në rrethin e miqve të ngushtë në oborrin e Dora Bakojanit dhe sillej zyrave të partisë së babait të saj kryeministër. Ky Tito Johalas mund të jetë çfarë të dojë por jo “albanolog arvanitas” siç e quan ish kryeministri Aleksandër Meksi. Shkrimtari minoritar Spiro Xhai edhe pse vetë ishte grek me origjinë, nuk e honepste këtë Tito Johalasin. Është oborrtar i politikës së Micotaqit, më thoshte në bisedat që bënim në Athinë. E pra Spiro Xhai që nuk jeton më, nuk i ndante shqiptarët nga vetja ani pse ishte grek. E këtë njeri dinjitoz aspak nuk e kujtojnë sepse e kanë mendjen tek Johalasi që tash së voni po kujtohet të shfaqet si mik i shqiptarëve sa dhe Akademia qorrfermane e Shkencave në Tiranë i përuroi edhe veprat në vitin 2012. Na ruaj zot nga kësisoj miqësh por edhe prej marrëzive tona na ruaj, se pleqtë e rrjedhur të Akademisë nuk e dinë çfarë bëjnë.
Tito Johalas me aq sa di unë që kam qenë emigrant në Greqi në vitet 1991-1995, ishte një regres i gjallë. Ai ndante me një fill të kuq arvanitasit e shqiptarët. E kam lexuar në reagimet e tij në shtypin grek. E kam dëgjuar në intervista në televizion. Mik i renegates plakë të rrjedhur Marie Dede e me kauzë të përbashkët që shqiptarët e arvanitët nuk kanë asnjë lidhje kulturore apo historike por as dhe prejardhje të përbashkët. Ky Tito Johalas ishte miku më i ngushtë i familjes së Konstandin Micotaqit, buallit të Kretës, i cili vërtetë gruan Marika e kishte arvanite, por i urrente shqiptarët deri në tërbim dhe krijoi operacionin famëkeq fshesa “Skupa ja tous alvanous”.
Me dhjetëra mijëra policë grekë u lëshuan si qen të tërbuar anë e mbanë Greqisë e ishujve, si nazistët në Gjermani mbi çifutët, për të kapur shqiptarët. I kam parë me sytë e mi në stacionin e autobusit të Athinës( Praktorio) dhjetëra shqiptarë të lidhur me zinxhirë si në mesjetë e jo pak por me grupe deri në 20-30 së bashku. Kam parë në Athinë mesjetën, atë që kisha parë nëpër filma në kohën e skllavërisë dhe mesjetës së hershme. Prandaj mos i merrni këto lloj antishqiptarësh në rrethin e miqve, të mos i bëjmë varrin vetvetes. Një të tillë e fton Akademia e Shkencave, i bën nderim të madh kjo Akademi mediokre pa palcë kombëtare dhe thene hapur e rrjedhur, që as nuk e kujton Aristidh Kolën, dhe as nuk i vete mendja që në vend të bustit të Sabri Godos të vejë atë të Aristidh Kolës. Se Akademia e Shkencave nuk është Akademi Politike. As Akademia e Sigurimit të Shteti komunist ku dikur ka qenë i inkuadruar Sabri Godo. As Akademia e puthadorëve të megaloidhesë së Athinës.
Ky Tito Johalas është një fytyrë antipatike që ka punuar e punon kundër shqiptarëve me teorinë e tij arvanitët popull tjetër nga shqiptarët, por natyrisht në një mënyrë të tillë që të duket sikur është një studiues i shquar e aq më tepër si një albanolog. Është mënyra më e mirë e hijeve të Akropolit për të lënë në harrim veprimtarët e studiuesit e mëdhenj arvanitas Anastas Kullurioti, Aristidh Kola, Vangjel Labi, Jorgo Maruga, Luka Çiçipi, Jorgo Miha, Jorgo Jeru. Dhe harrojnë se kemi një studiues të madh me përmasa evropiane nga Prevezë e Çamërisë si Niko Stillo, të cilit duhet më shumë ti kushtojmë vëmendje e më shumë ti hapim rrugën e mundësisht ta pranojmë si anëtar nderi të Akademisë së Shkencave sepse me veprën e tij nderon në tërësi kombin shqiptar.
Aristidh Kola ua dinte rrënjë e dhëmballë këtyre pseudomiqeve si Titos Johalas. Zoti Meksi nuk i di punët mirë sepse vinte në Greqi si kryeministër e kudo e shoqëronte një salltanet i madh që grekët e politikës dinë ta bëjnë, por duke të futur ujin nën rrogoz e pastaj të thuash “O Zot, e paskam bërë në brekë!”. Kësisoj i ndodhi ish kryeministrin Meksi në Athinë. Personalisht i thashë zotit Meksi në pritjen që u bë në ambasadën shqiptare në Athinë mbrëmjen e 17 majit 1993, bëj diçka për emigrantët e mbetur pa mbrojtje zoti kryeministër, e Meksi ma ktheu, se për ju po mundohemi. Në të vërtetë kish firmosur një marrëveshje për ekstradimet dhe disa probleme gjyqësore, por asgjë për emigracionin nuk ishte e saktë dhe jeta e afro një milion shqiptarëve ishte e pasigurt dhe e pambrojtur.
Mbas pak kohë të vizitës euforike të kryeministrit shqiptar, në Greqi filloi fushata e tërbuar e kryemikut të Tito Johalasit, maskarait dhe e fytyrës së urryer Konstandin Micotaqi, kryeministri i Greqisë. Mbi gjysmë milioni shqiptarë u riatdhesuan të rrahur e të keqtrajtuan, të lënë pa bukë pa ujë, por pati edhe shumë të vrarë. Nuk dihet shifra po janë me mijëra emigrantë shqiptarë të zhdukur në Greqi pa lënë gjurmë. Sa për kujtesë atë kohë botoja në Athinë gazetën e parë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia”, 1993-1995 dhe isha në korrent të gjithçkaje që trajtonte media greke në lidhje me emigrantët. As dhe një mbrojtje e vetme nga ana e qeverisë që drejtonte Aleksandër Meksi nuk u shfaq. Atë kohë për të tërhequr vëmendjen e politikës e të shtetit për fatin e emigrantëve shqiptarë në Greqi botova shkrimet “Emigracioni dhe Diplomacia” si dhe “Emigracioni dhe politika”. Por qeveria atë botë kishte probleme të tjera, që të shiste për një copë bukë çdo gjë që kishte mbetur si trashëgim nga ekonomia e përbashkët socialiste. Ndërkohë që shkatërronin prisnin çekun e bardhë që nuk erdhi kurrë. Gjasat janë që edhe atë kohë, me euforinë e asaj vizite të dështuar me ujë grek nën rrogoz, Aleksandër Meksi të këtë takuar edhe plot njerëz te kallëpit të Tito Johalas ndaj dhe ka aq nderim për të, duke e quajtur as më pak e as më shumë por “albanolog” në vend që ta quante albanofob.
8 janar 2016
- « Previous Page
- 1
- …
- 64
- 65
- 66
- 67
- 68
- …
- 87
- Next Page »