• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

Pse e gjithë kjo zhurmë kundër Kadaresë?

January 2, 2016 by dgreca

Ngs Fahri XHARRA/
Pa asnjë dyshim Kadare është shqiptar i madh Perandor i letrave shqipe, njeri i mendjes dhe i pendë dhe vetëm urimi nuk mjafton , por duhet çdo shtëpi shqiptari ta ketë ne bibliotekën e vete edhe kompletin e librave te Kadaresë . Ky çmim i bene nder te gjithë shqiptareve – shkruan miku .
Zhurma e madhe kundër Kadaresë nga ata që nuk e kanë lexuar asnjë shkronjë nga romanet e tij; zhurmë neveritëse nga një Shqipëri e vogël nga e cila në kohën e Kadaresë të gjithë ishin me libreza të Partisë; zhurmë e pa artikuluar po nga ata që e duan Dumbabën; zhurmë nga ata që edhe prindërit e tyre kanë marrë pjesë në rrënimin e kishave me urdhrin e partisë ; zhurmë nga ata që edhe sot së paku bijtë e tyre janë në poste publike në Shqipëri ; zhurmë nga ata që nuk dinë se çka duan ; zhurmë nga antikombëtarët të veshur në petkun e myslimanit të devotshëm, të katolikut të devotshëm të demokratit të devotshëm : dhe në thelb nuk dinë se çka duan .
Mbrojtja e identiteti europian nga Kadareja i pengon shqiptarët ( jo të gjithë,por zhurmuesit) mysliman dhe shqiptarët ortodoks se duan të jetojnë në frymën e Lindjes; sharja e” kohës që nuk fliste Kadareja në kohën e persekutimeve të krishterimit në Shqipëri “ ndodhë nga një shlyerje antishqiptare ( Lexoni At Zef Pllumbin ); sharje Kadaresë si “këlyshë i partisë” ndodhë nga vet çarqet ish partiake që duan mjegull dhe mëshehjen së “ klyshisë “ së tyre ndaj Partisë në kohën e tyre.
“ Ikja “ e Kadaresë në Perëndim shahet po mu nga ata që e deshën Kadarenë të vdekur .
Të përzier idealistët ( musliman, katolik , ortodoks , komunist ) nuk prajnë së njollosuri figurën më të lartë kombëtare shqiptare të kohëve të reja.
Mua nuk më çuditë kjo klithmë, kjo zhurmë shurdhuese kundër këtij vigani ; por më shumë më vjen turp nga bota e civilizuar që na rrethon.
Një popull që i ngritë përmendore Ivo Andriqit , Dumëbabës ; një popull që e mohon Skënderbeun , Nenën Terezë , Ismail Qemalin , Idriz Seferin ; nuk mund ti themi popull .
Një popull që shkon binarëve të sllavizmit , radikalizmit islamit. ekstremizmit katolik, ortotoksizmit grek , mundet të përfundon aty ku as vetë nuk e dimë – humnerën e pafund të vrimës së zezë .
Fahri Xharra,02.01. 16
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri, Kadare, zhurme

Kosovë-Viti 2016 për rritje ekonomike dhe stabilitet

January 2, 2016 by dgreca

-Buxheti i Shtetit të Kosovës plotësisht i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar/*
-Ministri i Financave, Avdullah Hoti: Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, që është një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014/
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 2 Janar 2016/ Buxheti i Shtetit për vitin 2016, i miratuar edhe në Kuvend brenda afatit ligjor, është në linjë të plotë me objektivat e qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike e stabilitet buxhetor dhe është plotësisht i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti.
“Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, që është një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014. Për vitin 2016, shpenzime bazë parashihet të jenë 1 miliard e 678 milionë euro”, bëri të ditur ai.
Në konferencën për shtyp të fundvitit dhe pritjen për gazetarë, ministri Hoti theksoi se, nga gjithsej 76 projektligje të miratuara nga qeveria, 17 prej tyre janë përgatitur nga Ministria e Financave, që është 22% e programit legjislativ të realizuar nga qeveria gjatë këtij viti. Për krahasim, në vitin 2014 Ministria e Financave kishte përgatitur 7 projektligje.
“Në 64 mbledhjet e rregullta të qeverisë në 2015-tën, janë trajtuar 569 pika të rendit të ditës, prej të cilave 99 pika – 17% kanë qenë të Ministrisë së Financave”, tha ministri, duke bërë të ditur edhe se kjo Ministri ka proceduar 27 çështje të ndryshme në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, ndërsa 54 në Komitetin për Partneritet Publiko-Privat.
“Krahasuar me vitin e kaluar, sivjet kemi të hyra 9% më shumë nga Dogana e Kosovës, e cila mbledh 946 milionë euro, dhe 12% – 36 milionë më shumë nga Administrata Tatimore. Në total, gjatë këtij viti mblidhen 113 milionë euro më shumë se vitin 2014”, thekohet në statistikat e raportit vjetor 2015 të Ministrisë së Finacave.
Ministri Hoti bëri të ditur se, në programin e qeverisë së Kosovës 2014-2018 është planifikuar që të bëhet unifikimi i Doganave dhe Administratës Tatimore në një Agjenci të përbashkët të të hyrave. “Qeveria, me propozim të Ministrisë së Financave, ka miratuar planin inicial për këtë reformë të madhe. Është themeluar Grupi Koordinues me përfaqësues të Doganës dhe Administratës Tatimore dhe ekspertë të jashtëm e vendorë. Planifikohet që procesi i bashkimit të Doganës dhe Administratës Tatimore të përfundojë në fund të vitit 2016 dhe Agjencia e të Hyrave të fillojë punën në 2017-ën”, tha ai.
Ministri Hoti më tej theksoi se, Buxheti i vitit 2015 ekzekutohet në nivel prej 95.5% që është shkallë mjaft e lartë e ekzekutimit dhe se, viti përmbyllet me deficit sipas rregullës fiskale dhe në përputhje me marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Ka filluar pagesa e përvojës së punës për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Si rezultat, janë rritur pagat mesatarisht nga 3% deri në 22%. Kjo rritje e pagës ka kushtuar rreth 30 milionë euro shtesë që nuk kanë qenë të planifikuara, por që kanë ardhur nga kursimet. Kursimet e bëra na kanë mundësuar që të rrisim nga muaji nëntor asistencën sociale me 25% për 27 mijë familje që janë në këtë skemë. Për herë të parë kemi filluar me pagesën e pensioneve për veteranën e luftës të UÇK-së në vlerë prej 170 euro në muaj”, tha ministri Hoti.

Ai vlerësoi se, një arritje e konsiderueshme ishte hyrja në program 22 mujor me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Programi parasheh shumë reforma fiskale, ekonomike e financiare, me objektivin kryesor ruajtjen dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritjen më të madhe të ekonomisë”, tha ministri i Financave të Kosovës.
Duke folur për reformat ekonomike dhe efektet e tyre, ministri Hoti tha se kjo është qeveria e parë që ka filluar punën me Program Qeverisës katërvjeçar të proceduar dhe të aprovuar në Kuvendin e Kosovës.
“Ky program përmban objektivat konkrete që ka ky koalicion qeverisës. Në fillim të këtij viti, për herë të parë kemi aprovuar ‘Programin për Reforma Ekonomike’ dhe e kemi dërguar në Komisionin Evropian. Ky është një dokument që elaboron reformat afatmesme ekonomike e fiskale që do të ndërmerrë qeveria”, u shpreh ministri i Financave.
Ndërsa, lidhur me mrrëveshjet ndërkombëtare për bashkëpunim financiar, teknik dhe ekonomik, Hoti tha se janë nënshkruar 10 marrëveshje për bashkëpunim financiar në vlerë totale prej 143 milionë euro, prej të cilave 107 milionë janë kredi dhe 36 milionë euro grante.
“Ministria e Financave ka bashkëpunuar me Ministrinë e Integrimeve Evropiane për të themeluar Këshillin Kombëtar të Investimeve (KKI), i cili është një nga kriteret e BE-së për bashkëfinancim me fondet IPA”, tha ministri Hoti.
Ai vijoi se, Ministria e Financave ka luajtur rol kyç në përgatitjen dhe konfirmimin e aplikacionit për grant nga BE lidhur me financimin deri në 51% të Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.
“Listat Prioritare të Projekteve janë përpiluar për herë të parë për sektorët e transportit, mjedisit dhe energjisë. Ministria e Financave, përmes Këshillit Kombëtar të Investimeve ka dërguar në Kornizën e Ballkanit Perëndimor (ËBIF) tri aplikacione për studim të fizibilitetit, të cilat janë aprovuar dhe janë ndarë 1.5 milionë euro për të bërë studimin e fizibilitetit për kanalin e Ibër-Lepencit përgjatë lumit Lepenc”, tha Hoti.
Ai bëri të ditur edhe se, Agjencia për Prokurime të Centralizuara, që funksionon brenda Ministrisë së Financave, për herë të parë pas shumë vitesh ka filluar me prokurime të centralizuara bazuar në Udhëzimin Administrativ të miratuar në qeveri në fillim të vitit 2015.
“Me këtë është plotësuar vërejtja e Komisionin Evropian e paraqitur vazhdimisht në Raportin e Progresit. Në vitin e ardhshëm, ne do të zgjerojmë numrin e organizatave buxhetore të përfshira në prokurime të centralizuara dhe listën e mallrave që do të prokurohen në mënyrë të centralizuar”, tha ministri Hoti.
Ministri i Financave bëri të ditur edhe se, Buxheti 2016 për shpenzime kapitale prej 463 milionë euro mundëson financimin në ndërtime në 39 shkolla në mbarë vendin, të objekteve për universitetet e reja në Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë dhe Pejë, të 25 objekteve sportive, 4 qendrave rinore, 24 objekteve të ndryshme në shëndetësinë primare, sekondare dhe terciare, 15 objekteve të kulturës dhe artit, mbi 116 rrugëve të ndryshme rajonale dhe lokale në tërë Kosovën, financimin e mëtejmë të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe të projekteve të tjera – mbi 30 në ujëra dhe mbrojtje të mjedisit.
Janë bërë rritje të financimit edhe për pajisje të nevojshme për Forcën e Sigurisë të Kosovës drejt transformimit në Forcë të Armatosur të Kosovës.
“Kemi rritur buxhetin për Forcat e Sigurisë së Kosovës me 9%, për modernizim dhe përmbushje të standardeve për transformimin e kësaj force në ushtri”, theksoi ministri Hoti.
*Foto Gazeta Dielli: Ministri i Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe korrespondenti në Prishtinë i Gazetës Dielli – Behlul Jashari, në pritjen pas konferencës për shtyp të fundvitit 2015

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, ministri Hoti, rritje ekonomike, Viti 2016

Një kartolinë speciale për Shqipërinë dhe shqiptarët

January 2, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Mediapart (France)/
Në qoftë se ekziston një festë që bashkon unanimisht shqiptarët, është pikërisht ajo e natës së ndërrimit të viteve. As festat fetare si Krishtlindjet, Bajrami apo Pashkët nuk arrijnë të kenë të njëjtin nivel festimi, atmosfere, dhe të të gëzuarit bashkë, ashtu siç ndodh me 31 dhjetor.
Si në qytetet e mëdha, të mesme apo të vogla, ashtu edhe në fshatrat më të izoluara të vendit, shqiptarët i përgjigjen solemnisht këtij takimi. Kur akrepat e orës shënojnë « 00:00 », qielli shqiptar shkëlqen nga dritat e fishekzjarreve. Zhurmat e gëzimit qarkullojnë në ajrin e freskët të natës. Disa gjuajnë fishekzjarrë dhe të tjerët (njerëz të të gjitha moshave) thjeshtë admirojnë spektaklin.
Ndoshta ky është momenti i vetëm i vitit ku njerëzit arrijnë të harrojnë për pak kohë hallet e tyre të cilat fatkeqësisht janë të numërta. Kështu, për Vitin e Ri 2016, duke shpresuar të privilegjojmë interesin publik para atij individual, uroj për popullin shqiptar:
• një qeveri më përgjegjëse, e cila të jetë në gjendje të matë impaktin e vendimeve që merr ;
• një opozitë më të bashkuar, më të pjekur dhe forcë propozuese ;
• një sistem drejtësie të drejtë ashtu siç edhe mban emrin ;
• një sistem policie i cili pëfaqëson denjësisht shërbimin e rendit publik ;
• tolerancë zero (të pamëshirë) kundër korrupsionit ;
• një sistem më të mirë shëndetësor apo thjeshtë një sistem shëndetësor ;
• një sistem më të mirë edukimi, si në nivelin profesional dhe në atë material ;
• një sistem më të mirë transporti publik urban dhe ndërlidhës me qytetet e tjera të vendit ;
• më shumë investime në ndërtimin dhe /ose rindërtimin e rrugëve ;
• zbritjen e papunësisë, sidomos te të rinjtë (32,3 % e të rinjëve të moshës 15 – 29 vjeç janë të papunë në Shqipëri) ;
• ardhjen e shumë turistëve të huaj falë peisazheve tona të bukura, klimës sonë mesdhetare dhe standartit jetësor jo të lartë për vizitorët ;
• një media të shkruar dhe/ose televizive më pak të politizuar, e bazuar sidomos në kritikën konstruktive dhe që eviton kopjimet (copy/paste) ;
• një diplomaci të huaj europiane dhe amerikane më të angazhuar, që nuk kënaqet vetëm me nxjerrjen e konluzioneve, por që anagazhohet të luajë një rol këshilltari – udhërrfyesi ; 
• një përparim më të shpejtë në dosjen për integrim në Bashkimin Europian ;
• që paqja dhe harmonia fetare (një vlerë e madhe e popullit tonë) të zgjasin përgjithmonë ;
Po u realizuan këto urime që vënë në pah interesin publik (lista mund të ishte akoma edhe më e gjatë) do të jetë më e lehtë për të realizuar në të ardhmen dëshirat (qëllimet) tona individuale.
Uroj që modestia dhe mendjemprehtësia të fitojnë ndaj egoizmit dhe egocentrizmit.
Qoftë një vit i mbarë dhe i suksesshëm, si nga ana personale dhe ajo profesionale, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen !

Filed Under: Komente Tagged With: Aurenc Bebja, dhe shqiptaret, Një kartolinë speciale, per Shqiperine

Çikago qyteti i ”Qiellgërvishtësitve – Skyscrapers”

January 2, 2016 by dgreca

Udhëtim nëpër Eldaradon:Çikago qyteti i ”Qiellgërvishtësitve – Skyscrapers”/
Nga Beqir SINA – Çikago Ilinois/
Arkitektuara deri në re dhe muzetë e klasit botëror të Qytetit të Erës mbizotërojnë Çikagon/
CHICAGO ILLINOI : El Dorado e cila shqiptohet nga spanjisht për ” një të artë ” është një mrekulli më vete, është term i përdorur nga evropianët për të përshkruar një kryetar fisnor të një populli. Më vonë , ai u bë emri i një qyteti legjendar në Amerikën e Jugut i cili ishte i pasur në arë dhe thirrej ” Qyteti i artë ” , i njohur edhe si Manoa , ishte i vendosur me sa duket në Liqenin Parime në malësitë e Guajana , Amerikën e Jugut.Imagjinuar si një vend , El Dorado shkoi nga një emër qyteti në një mbretëri dhe një perandorie të këtij mbreti legjendar të një vendi të artë.
Eldorado, është tani emri i vendeve të shumta , sidomos qytetet e minierave , në Amerikën e Jugut , Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera , si dhe emri i shumë filmave dhe shfaqjeve televizive , pjesë të muzikës , ekipeve sportive, dhe sende të tjera.
Në ndërsa nga popujt e ndryshëm të botës, të cilët kur vinë këtu realizojnë dhe gjejnë ëndrrën Amerikëne, tok me një duk emra të tjerë, ata e thërrasin ose e njohin si : “Toka e Premtuar” – “Vendi i Bekuar, që vetë Perendia e krijojë si një Mrekulli të Botës” – “Vendi Kampion” – “Superfuqia e vetme e Botës” e tjera e tjera.
Kurse, latinët Shtetet e Bashkuara të Amerikës i thërrasin me emrin e artë dhe të bukur Eldorado !
Amerika është vendi i bekuar që të mrekullon ngado që ta shohësh . Nga veriu në jug dhe nga lindja në perendim kudo që ta vizitosh këtë vend me bukuri të rralla natyrore, të ngallëzejnë ndërtimet simetrike dhe ndërtimet gjigande
Aqsa që njeriu mund të arrijë të ndërtojë edhe gjëra të mrekullueshme por të arrijë deri aty sa të ndërtojë atë që ngjan e pamundur është e papërshkrueshme, vetëm në Amerikë. Vendi që kur sheh ndërtimet që ka bërë dora njerëzore është e pamundur të mos ngelesh gojëhapur, sidomos kur arrijnë përmasa kaq të mëdha, siç është aktualisht ndërtesa më e lartë në Amerikë Willis Tower në Chicago (SHBA).
Momentalisht,Willis Tower në Chicago (SHBA), është ndërtesa më e lartë në Amerikë e cila ndodhet në qytetin e Çikagos, ose që quhet kryeqyteti i gradaçieleve. Kjo ndërtesë është momentalisht edhe një ndër 10 ndërtesat më të larta në botë, dhe të bie në sy se pothuajse nga të gjitha, ndërtimet në këtë qytet nga çdo largësi që e vëren këtë qytet . Çikago dhe Nju Jorku janë dy qytet amerikane që dallohen për numërin e madh të Gradaçeleve ose si i thërrasin amerikanët :”Qiell-gërvishtësit – Skyscrapers”
Fjala gradaçele vjen e ka nga një term nautik që i referohet një trekëndëshi lundrues të vendosur në anijen e lundrimit. Ky term për herë të parë u përdor për ndërtesat në fund të shekullit të 19 si rezultat i një surprize ekstreme publike tek ndërtesat e larta që po ndërtoheshin në Çikago dhe Nju Jork Siti. Definicioni tradicional i një gradaceli filloi me “Gradacelin” e pare të Çikagos i cili ishte 10 katesh, i ndërtuar me çelik.
Një gradacel, si një koncept është një produkt i Epokës së industrializuar i cili bëhet i mundur nga energji e lire dhe materiale. Sasia e çelikut, betonit dhe xhamat që nevojiten për ndërtimin e gradacelit është ekstremisht e madhe.

Ky zhvillim solli ne formën e ndërtimit të “skeletit të Çikagos”.

Arkitektuara deri në re dhe muzetë e klasit botëror të Qytetit të Erës mbizotërojnë qendrën e qytetit, por kënaqësia e vërtetë fillon pasi të keni vizituar kryeveprat e tij.

Ne fillim te viteve 1960 inxhinieri struktural Fazul Khan kuptoi qe skeleti i lëvizshëm i strukturës te çelikut i cili kishte dominuar ne dizenjimin e ndërtesave te larta dhe ndërtimin, nuk ishte i vetmi sistem qe iu përshtatej ndërtesave te larta, duke krijuar fillimin e një epoke te re te revolucionit ne shtimin e sistemit te strukturës. E reja e tij kryesore ne ndërtimin dhe dizenjimin e gradacelave ishte idea e një sistemi strukturor ne forme tubi qe përfshinte kornizën prej tubi dhe bashkimin e tyre me njëra-tjetrën. Keto sisteme lejonin efekt ekonomik me te vogël dhe gjithashtu lejonin gradacela te efektshme te merrnin forma te ndryshme jo me vetëm ne forme kutie. Gjate 15 viteve te ardhshme shume kulla u ndërtuan nga Khan dhe “shkolla e dyte e Çikagos”, duke përfshire masivin 442 m Willis Tower. Çikagoja po shkon drejt një bumi konstruksionesh qe do te shtohen ne vijën qiellore te qytetit. Qe ne vitin 2000, te paktën 40 ndërtesa me minimumin e 50 kateve te larte janë ndërtuar ose planifikuar. Chicago Spire, Trimp International Hotel and Tuwer, Waterview Tower, Mandarin Oriental Tower, Park Michingan dhe Aqua janë disa nga projektet me te dukshme qe po ndërtohen ne qytetin ku u shpik gradaceli.

Kulla Willis: Chicago, Illinois Kulla Sears -: 1.451 feet – 108 kate

Willis Tower e emërtuar më parë dhe ende zakonisht e referuara si Sears Tower, është një 108-katëshe(103 kate për vizitorët), 1451-këmbë (442 m) rrokaqiell tipik amerikan në Çikago, Illinois.Në kohën e përfundimit të saj në vitin 1973, ajo ishte ndërtesë e lartë në botë, duke tejkaluar Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dy Kullat Binajke, dhe ajo mbajti këtë vlersim për gati 25 vjet. Kulla Willis është e dyta-ndërtesë e lartë në Shtetet e Bashkuara dhe i teti-si strukturë më e lartë në në botë. Rrokaqielli është një nga destinacionet turistike më të njohura në Çikago, dhe mbi një milion njerëz vizitojnë katet të saj çdo vit.

Kulla Sears gjatë gjithë historisë së saj, vetëm në vitin 2009 kur u mor nga Grupi Willis iu dha e drejta që të ndërrojë emrin e ndërtesës, si pjesë e qirasë së tyre në një pjesë të zyrave të saj. Më 16 korrik 2009, ndërtesa u quajt zyrtarisht Kulla Willis. Më 13 gusht 2012, United Airlines njoftoi se do të vendoste selinë e saj të korporatës nga 77 Drive West Wacker në Kullën Willis.

Disa fakte për Willis Tower në Chicago

• Përfunduar ndërtimin në vitin 1973

• 108 kate
• Projektuar nga firma arkitektonike Skidmore , Owings & Merrill
• 1,450 metra të lartë ( 443 metra ) ; 1,730 metra të lartë ( 520 metra ) , duke përfshirë antenat binjak
• Ndërtimi i tetë – e lartë në botë , dhe ndërtesa më e lartë në hemisferën Perëndimore
• Ndërtesa më e lartë Botërore deri në vitin 1998
• 1.354 këmbë deri në Skydeck
• Nga maja e kësaj ndërtese ju mund të shihni katër shtete : Illinois , Indiana , Wisconsin dhe Miçigan
• 4,5 milionë metra bruto katrore ( 418.064 metra katror bruto ) e hapësirë ??në tokë , afërsisht sa 101 fusha futbolli prej 3.8 milionë metra katrore rentable
• Peshon 222.500 ton
• Ka 76.000 ton të çelikut – ose çelikut i përshtatur me metoda të ndërtimit bundled – tub
• Mesatarja gjashtë inç ( 152 milimetër ) ndikoj ndërtimi nga qendra e vërtetë , të dizajnuara për t’i bërë ballë deri një lëkundje deri në tre këmbët
• Kjo ndërtesë ka rreth 25.000 vizitorë ditorë ose mbi 1 milion në vitë
• ka të punësuar më shumë se 12.000 punonjës

• Mori më shumë se 2,000 punëtorë për tre vjet për të u ndërtuar
• Përafërsisht ka gjithësejet 16,100 dritare
• 25.000 milje të kabllove elektrike
• 43,000 milje të kabllo telefonike
• Kosto e e saj ka qenë më shumë se 175.000.000 dollar amerikan për të u ndërtuar
• Ka 104 ashensorë lëvizin 1.200 metra për minutë, dhe për 1 sekond kalon tre kate
• Më shumë se 16.000 metra katrore janë vetëm dhomat e konferencave
• Kati i 99- ka një hapësirë të madhe për ngjarje të veçanta
• Ka dy hyrjet
• Ka antenat e transmetimeve të stacioneve të radios dhe televizionit nga me të njohurat në SHBA
Çikago, Hong Kong dhe New York City ndryshe te quajtur si tre te mëdhenjtë, janë te njohur ne rrethe arkitekturale si ata qe kane prekur qiellin.
Sot, gradacelat janë ne rritje aty ku toka nuk është e lehte te gjendet dhe te zotërohet si psh. ne qendrat e qyteteve te mëdha, sepse ato sigurojnë një raport te larte te hapësirës qe mund te lëshohet me qera për çdo km katror te tokës. Por ata janë ndërtuar jo vetëm për ekonomi ne sipërfaqe. Ashtu si tempujt dhe pallatet ne te shkuarën gradacelat janë konsideruar si fuqitë ekonomike te një vendi. Ato jo vetëm qe prekin qiellin, ndihmojnë qe te përcaktohet identiteti i qytetit.Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pothuajse nuk ka qytet që nuk ka një gradaçiele

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, Cikago, qiell gervishtes, qyteti

PËRKUJTESË

January 2, 2016 by dgreca

Vërejtje të përgjithëshme/
Nga Mustafa KRUJA-Romë, 1918/*
Ngjarjet, qi po zhvillohen në Siujdhesën Ballkanike, na vërtetojnë e përforcojnë çdo ditë e mâ tepër bindjen tonë, se shpejt gjithë hapsina tokësore shqiptare do të kalojë nën pushtimin ushtarak t’Aleatvet. Rândësia politike e këtij fakti âsht e qartë dhe e dukëshme : Fuqia qi hahej, mâ shumë se çdo tjetër, me Italinë në fushën politike të Shqipnís po vjen tue u shmangë. Megjithatê nuk mund të mshifet fakti se suksesi nuk âsht ende i plotë : Qeveria italiane duhet të bâjë gjithshka të mundëshme qi të gjitha hapsinat qi i përkasin Shtetit shqiptar, të themeluem në Konferencën e Londrës të 1913, të pushtohen krejtësisht nga trupat italjane.
Mendimi i shqiptarvet për Korçën âsht i njohtun : ajo, si pjesë e padame e këtij Shteti, duhet të kalojë, qysh tash, nën të njâjtën Administratë të pjesve të tjera të Shqipnís. Por në rasën, kur kjo dëshirë e ligjëshme e gjithë popullsisë shqiptare nuk do t’ishte e mundun të sendërtohej, âsht së paku e nevojshme qi Grekët në mënyrë absolute të mbahen larg nga ajo krahinë, tue mos mujtë as tërthoraz me vazhdue dredhitë e intrigat e tyne kundra frymës kombtare të Korçarvet, siç kemi ndigjue vazhdimisht të ndodhë në muejt e fundit.
Nga ana tjetër Serbët, në vênd qi të kapërcejnë kufîjt lindorë politikë të Shqipnisë, do të kishte qenë mâ e leverdisëshme për tà e për çâshtjen e përbashkët të gjithë Aleatvet, po ashtu e nji rândsie themelore për t’ardhmen e Shqipnisë e për interesat jetike qi lidhin Italinë me tê, të vazhdojshin përparimin e tyne drejt veriut, për me çlirue vllaznit e tyne nga zgjedha e vjetër anmike. Nuk duhet me i lejue n’asnji mënyrë atyne të pushtojnë Matin. Vetëm nji krahinë gjindet në Shqipní, ku dredhía e tradhtarit Esad, për mâ tepër e përkrahun nga forca e mjete landore, mund të mbrrînte me hapë nji plagë të rrezikshme në trupin aq të dërmuem të Kombit tonë. Asht pikërisht ajo krahinë qi shtrihet nga Luma në Malsinë e Krujës e qi ka për qêndër Matin. Jo se kjo trevë e fundit âsht shumë përkrah Esadit, por do t’ishte shumë e lehtë, përsëris, me anë të nji fuqie të jashtme kërcnuese nga nji anë e korrupsionit nga tjetra, qi partizanët e tij të vjetër të fitojshin epërsí. Nëse intrigat e Esadit do të gjejshin nji fushë veprimi në Mat, pa dyshim do të gjejshin ndonji mbështetje edhe nga Luma në verí dhe nga Malsít e Dibrës, t’Elbasanit, të Tiranës e të Krujës, të gjitha të kufizueme me Matin nga lindja e nga jugu. Mirdita, në perëndim të Matit, âsht kundërshtare e thekun e Esadit po ashtu si pjesa mâ e madhe e Shqipnís Qêndrore, qêndrat e Elbasanit, Tiranës e Krujës, sikurse gjithë rrethet e Shijakut, Kavajës e Peqinit (tue përjashtue këtu Kadri Beun e pasuesit e tij). Janë kundërshtarë t’Esadit gjithashtu Shqipnija Jugore e ajo Veriore.
Shtoj ndërkaq se kudo qi do të mbrrîjë ushtrija italjane, me pranín e vet, do t’i vêjë nji pritë absolute sendërtimit të çfardo synimi tradhtar t’Esadit; sepse shpirti shqiptar âsht shumë i lodhun nga turbullinat e nga intrigat. Ai ka nevojë për qetësí e për lirí kombtare. Pra nji forcë qi i siguron të parën e premton t’i garantojë të dytën mund të jetë e sigurtë se e pushton plotësisht.
Të kalojmë tash ke nji tjetër argument i karakterit politik qi prek thellësisht shpirtin tonë kombtar, qi kullon gjak nga vendimi i Konferencës së Londrës. Krahina e pafat e Kosovës, mes luftës ballkanike e asaj botnore, vuejti shumë përndjekje e masakra prej Serbëve. Rikthimi i tyne atje mund të shkaktojë nji tjetër periudhë shtypjesh e plojësh edhe mâ t’egra. Duem të shpresojmë se Qeverija Italjane do të kujdeset, me çka âsht e mundun, të mos i lâjë aleatët e vet Serbë të vazhdojnë, mbi nji milion shqiptarë, veprën e tyne të fëlliqtë të kryeme gjatë dy vjetve të zotnimit.
Aleatja e madhe e Turqvet ka meritue mallkimin e përjetshëm të botës së qytetnueme për ndihmën e tyne të patundun e kriminale masakravet armene e greke, përndjekjevet të Izraelianëve e Sirianëve. Nuk ka dyshim se Italija, në çâshtjen e Kosovës, do të meritojë mirënjohjen e gjithë nji populli të pafajshëm e lavdrimin e gjithë atyne qi ndjejnë dhimbje nga vuejtjet e tij. Italija pra, deri në fund të luftës, do t’ketë gjithë Shqipnín në duert e veta: do të jetë ky nji rast i çmueshëm me i diftue popullit shqiptar, me vepra, se deklaratat solemne e të përsërituna të ministrit të saj t’urtë rreth pavarësís e bashkimit t’Atdheut të tij, nuk bâjnë pjesë në kategorín e premtimevet të zakonshme e rrenacake të diplomacís evropjane; në t’kundërt, janë vêndime të peshueme burrash të sinqertë e të bindun, të cilët, me rastin e parë, kërkojnë mënyrën mâ të mirë me përgatitë terrenin për me i kthye në vepra.
Cilat do t’ishin udhët mâ të përshtatëshme për këto përgatitje? Simbas nesh ato mund të përmblidhen në dy kategorí : të llojit thjesht politik e të karakterit administrativ. Për pjesën e parë, vrejtjeve të shkurtna të paraqituna deri tash duem t’i shtojmë bindjen se gjykimi i shëndoshë e urtía e drejtuesve italjanë na japin besimin se asgjâ nuk do të mungojë nga an’e tyne, në fushën diplomatike, për me sigurue pavarësín dhe bashkimin e Kombit tonë. Për pjesën e dytë e quejmë të përshtatëshme të shfaqim ma gjânë konceptet tona.

Xhandarmërija dhe milicija shqiptare

Asht e ditun se asnji Vênd në botë nuk mund të mbahet mirë pa nji forcë të disiplinueme xhandamërije; aq mâ shumë kur ai të ketë pësue nji keq qeverim për gjatë shekujsh të tânë, si i yni. Duhet shtue këtu se në Shqipní, në pak vjet kanë kalue shumë zotnime të ndryshme, prej të cilëve asnji nuk mendoi me ngritë institucjonet qytetare në dobí të zhvillimit të lirë kombëtar ; në t’kundërt të gjithë kanë përdorë çdo mjet të mundshëm për me shtypë e pështjellue Vêndin sa materjalisht aq dhe moralisht, tue lânë mikrobin e grindjes e të mosbesimit.
Po t’i hedhim nji shikim të shpejtë periudhës së pavarësisë sonë, bindemi pa tjetër se arsyeja kryesore e të gjitha fatkeqësive ka qênë pikërisht mungesa e nji xhandarmërije t’organizueme e të disiplinueme. Nëse nji ditë jo të largët Shqipnija e lirë dhe e mosvarme, ashtu si jemi të sigurtë se do të bâhet, simbas parimevet të shpalluna e të pohueme disa herë nga Aleatët e në mënyrë të veçantë prej Qeverís M. Italjane, do të gjindej pa atë forcë të domosdoshme, do t’ishte prap pré e vështirësive të mëdhà e e fatkeqësive.
I takon Qeverís italiane t’i parandalojë të tilla vështirësí të mundëshme Vêndit, për të cilin âsht zotue para gjithë botës t’i mbrojë qênien dhe interesat, qi janë edhe të vetat, tue organizue pa mëdyshje në gjithë Shqipnín nji forcë xhandarmërije, jo mâ pak se pesë mijë frymë, të disiplinueme nën komandë oficerash italianë, mundësisht nga karabinierët mbretnorë.
Do t’ishte shumë me vênd për t’ardhmen e Shqipnís, me krijue veç xhandarmërís dhe nji milicí shqiptare nëpërmjet nji thirrje nën armë të vullnetshme. Kjo milicí, qi do të kishte rreth dhjetë mijë frymë, do t’ishte e paracaktueme thjesht me mësue e m’u ushtrue për me krijue atë bërthamë themelore t’asaj fuqíe kombëtare, qi do t’kishte në t’ardhmen detyrën me ruejtë rêndin publik të Vêndit, si ndihmëse e xhandarmërisë, e me i bâ ballë sulmeve të mundëshme e të paprituna t’anmiqve të jashtëm.

Administrata civile

Kohët e fundit administrata civile e Shqipnís (Prefektura e Gjinokastrës), me urdhnesat e reja ka fitue nji karakter kombtar. Ky ndryshim, megjithëse i bazuem në qëllime të mira e shumë të sinqerta, për zbatimin e tij të shtrêmbët, nëse lajmet qi kemi deri tash nuk na mashtrojnë, âsht i prirun me sjellë pasoja qi nuk i përgjigjen qëllimit. Simbas nesh, dy janë kushtet thelbësore e të domosdoshme për nji administrim civil të mirë të Shqipnís:
Para së gjithash âsht absolutisht e nevojshme qi prefektët e nanprefektët të zgjidhen prej njerzish të cilëve nuk u mungojnë cilsít e nevojshme për me krye detyrën e tyne. Këto cilsí janë ndershmënia, atdhetarija, arsimi dhe përvoja. Mund të lêhet mangut, në raste skajore, ajo e fundit. Arsimimi âsht i domosdoshëm për prefektët dhe zavêndsit e tyne. Të parët duhet të kenë krye studimet e nalta e të dytët së paku ato të mesmet. Skaji mâ i ngushtë i atdhetarís, simbas nesh, âsht ai qi kurrë e n’asnji mënyrë mos të kenë veprue kundër Atdheut. Nuk mund të kihet besim në njerëz, deri dje vegla qorre ase vullnetarë të propagandës anmike, edhe se sot do të vijshin e t’na thojshin thjesht se janë pêndue. Duhet me i kthye në udhë të drejtë e me i bâ për vete ; por nuk i u duhet besue, për mos me i dhânë atyne mundësí me damtue Atdheun.
Nuk mund të thuhet se njerëz të ndershëm, atdhetarë, të mësuem e me përvojë na mungojnë, sidomos tash qi do të kemi në dorë gjithë Shqipnín, e pra të gjithë shqiptarët e mirë. Këtyne do t’u shtoheshin dhe atdhetarë të tjerë jashtë shtetit porsa t’u paraqiteshin kërkesat e Atdheut. Njerëz të korruptuem, të ngjajshëm me Esadin, nuk meritojnë trajtim të ndryshëm a mâ të mirë se ai i Pashës. Si ai edhe ata duhen mbajtë larg shërbimit t’Atdheut. Nuk mund të pritet tjetër veç tradhtisë nga njerëz pa karakter e ndërgjegje.
Së dyti, atdhetarët e mirë qi do të kenë në duert e tyne Administratën e Vêndit, për t’a krye detyrën, duhet të pajisen me autoritet e me mjetet qi bâjnë t’aftë me veprue. Përndryshe ata do t’u shëmbëllejnë makinave të mira qi nuk mund të punojnë për mungesë të forcës lëvizëse. Nëse Administrata civile, në fushën e saj, nuk do të kishte nji farë lirije veprimi të paracaktueme, nëse prefektët duhet të këshillohen me autoritetet ushtarake e qëndrore në çdo hap e për gjânë mâ të vogël, nuk mund të pritet prej tyne nji shërbim i përsosun. Sepse n’ato rasa ata nuk do t’ishin tjetër veçse makina elektrike, sustat e të cilave do t’ishin në dorë të tjetërkuj e veprimi i tyne do të përmblidhej thjesht në kallzime e këshilla. Pra nji administratori të mirë duhet me i dhânë autoritetin mâ të gjânë të mundshëm, të shoqnuem nga përgjegjësia mâ e qartë e mâ e përpiktë.
Nuk mjafton vetëm autoriteti: duhen edhe e, mbi të gjitha, mjetet e veprimit. Mjeti veprues i Administratës civile âsht xhandarmëria. Të vetmit përgjegjës të rêndit publik të Vêndit duhet të jenë prefektët e nanprefektët. Për pasojë xhandarmëria duhet të jetë krejtësisht e absolutisht në dorë të tyne. Në çdo rreth duhet të jetë nji repart xhandarmërie shqiptare, në sasinë e nevojshme simbas rândësisë së vêndit, me në krye nji oficer italian të ndihmuem nga ndonji oficer e nga nënoficera shqiptarë. Në prefekturat këto reparte duhet të jenë mâ të mëdha në përputhje me nevojën e ndihmës së rretheve. Përsërisim se oficerët e xhandarmërisë, vetëm përsa i përket disiplinës duhet të jenë të varun nga eprorët ushtarakë, ndërsa në funksjonin e tyne administrativ duhet me u vue nën urdhnat e drejtuesve t’administratës civile.

Shkolla

Duhet thânë haptas se në këtê fushë politika austrijake në Shqipní ka qenë shumë mâ e aftë se ajo italjane, jo vetëm gjatë pushtimit ushtarak, por qysh nga kohët e fundit të zotnimit turk. Ndërsa shkollat italiane, në pjesë të ndryshme të Vêndit tonë, mezi kishin futë ndonji orë mësimi të shqipes në programet e tyne, n’ato austriake gjuha kryesore ishte e jona. Mbretnija tinzare, në këtê mënyrë, i bânte me besue shumë atdhetarve shqiptarë se ajo ishte e vetmja Fuqí qi ishte e interesueme me ndihmue idealin e kombit tonë, nga çasti qi fëmijët tonë, në shkollat e saj, mund të arsimoheshin në gjuhën e tyne tmerrësisht të luftueme nga pushtuesi, e mund të mësojshin historín’e tyne, bâmat heroike të Skanderbeut. Ishin shumë të paktë ata qi mundeshin me zbulue në thellësín’e saj politikën dinake të Vjenës kundër aspiratave tona kombtare dhe synimet e saj pushtuese. Librat mâ të mirë të këndimit në gjuhën shqipe e të tjerë të aritmetikës e të besimit katolik shtypeshin atëherë në Vjenë. Nga ana tjetër, pushtimi i parë italian i Beratit na bâni me kuptue qartë se, nëse kishte një degë t’administratës me të vërtetë shqiptare nën austrijakët, ajo ishte Arsimi Publik : shkolla fillore në të gjitha katundet e dy shkolla normale safí shqiptare.
Dihet se çfarë ka ndodhë me shkollat tona në rrethet e Vlonës e të Gjirokastrës: e njâjta mënyrë e ndjekun në kohë të mâparshme ; shkolla italjane e jo shqiptare! Sigurisht nuk mund të mos kenë të drejtë ata qi kanë dashtë me dallue nji politikë koloniale në veprën e kryeme deri tash nga Italianët në Shqipní. Për të davaritë çdo dyshim të tillë e për me dhânë provën mâ siguruese të ndershmënisë në synimet e saj rreth t’ardhmes s’Atdheut tonë, Qeverija M. italjane duhej të vendoste nji Administratë shkollore thjesht kombtare.
N’anë tjetër, nji vepër e dobishme e Italís për Shqipnín, do të kishte qenë shtimi në përmasa të mjaftueshme i bursave shkollore për studentët shqiptarë, të paracaktueme kryesisht për shkollat normale.

Përfundim

Të gjitha përsijatjet e paraqituna deri këtu, janë për t’i kujtue Qeverís M. Italjane atë qi ndien zemra jonë për të mirën e Atdheut tonë, atê qi arsyeja na këshillon në interes të çâshtjes së përbashkët. Mâ parë se me mbyllë këtë përkujtesë modeste duem me vue në dukje se, tash qi e gjithë Shqipníja ose pjesa mâ e madhe e saj do të jetë në dorë t’Italís, mprojtëses së pavarësís sonë, a do t’ishte e përshtatshme krijimi i nji Qeveríje kombtare? Simbas mendimit tonë, kjo do t’ishte nji gjâ e aftë me shkaktue efektin mâ të madh, në dobí të çâshtjes së përbashkët, si në popullin shqiptar ashtu edhe Jashtë. Pjestarët e kësaj Qeveríje, sigurisht, nuk duhen emnue prej Qeverís italiane, mbasi atëherë do t’ishin vetëm funksjonarë të thjeshtë të nji force pushtuese e jo përfaqësues të nji kombi të shpallun i pavarun. Duhet të vazhdohet me votime popullore, në përputhje me kushtet shoqnore të Vêndit dhe rrethanat e çastit. Vetëm kështu edhe kombi shqiptar, në çastin e volitshëm, do të paraqitej para botës si nji njisí shtetnore e formueme në sajë të përkrahjes s’Italís çlirimtare. Në zgjedhjet e nalt përmênduna sigurisht do të merrshin pjesë, nëpërmjet delegatvet të tyne, edhe shoqnít shqiptare t’Amerikës, në mënyrë qi Qeverija e dalun mund të quhet përfaqësuesja e vërtetë e gjithë popullit të vet.
Romë, 19 Tetor 1918
M. A. Kruja
*Marre nga vellimi”Gjysme shekulli me pende ne dore”

Filed Under: Analiza Tagged With: Mustafa Kruja, Perkujtese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT