• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Ambasadorin Delawie: Kriza është e sajuar, nuk bisedoj me partitë që nuk refuzojnë dhunën

February 21, 2016 by dgreca

VOA- Kosovë; Intervistë me ambasadorin Delawie/

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie i tha Zërit të Amerikës se ambasada amerikane nuk do të bisedojë me partitë politike që nuk refuzojnë dhunën. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, ai tha se zgjedhjet nuk duhet të jenë rezultat i dhunës por i kalendarit kushtetues. Ambasadori Delawie, duke folur edhe për korrupsionin tha se nuk do të takojë as zyrtarët që janë të akuzuar për shpërdorim detyre.

Zëri i Amerikës:  Zoti Ambasador, Kosova ka hyrë në muajin e gjashtë të një krize politike, më e rënda që nga shpallja e pavarësisë së saj. Cila është rrugëdalja nga kjo situatë sipas jush?

Greg Delawie: Më duhet të them se kjo është një krizë e sajuar. Nuk mendoj se është krizë e vërtetë. Problemi është se opozita që ka dështuar t’i përmbushë synimet e saj në kutitë e votimit para më pak se dy vitesh, po provon tani ta përdorë dhunën për t’i përmbushur qëllimet e saj. Rrugëdalja më e mirë nga kriza politike është që opozita ta lejojë parlamentin, deputetët e zgjedhur nga qytetarët e Kosovës ta bëjnë punën e tyre, të mblidhen në parlament dhe të përqendrohen në çështjet e rëndësishme me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se ju e mbështesni vetëm qeverinë?

Greg Delawie: Jo. Unë e mbështes demokracinë në Kosovë, i mbështes qytetarët e Kosovës, e mbështes parlamentin e Kosovës dhe të gjitha institucionet demokratike për të cilat kemi punuar shumë që t’i krijojmë për Kosovën gjatë 16-17 vjetëve të fundit. U kundërvihem atyre që provojnë ta shkatërrojnë demokracinë e Kosovës dhe ta shkatërrojnë rrugën e saj drejt institucioneve euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Kishit disa mesazhe për opozitën. Përse nuk takoheni me ta, të bisedoni me ta dhe t’ua shpjegoni atyre drejtpërdrejt ato mesazhe?

Greg Delawie: Pjesëtarët e ambasadës sime janë të gatshëm të takohen me të gjitha partitë politike që heqin dorë nga dhuna. Ne mbajmë kontakte me partitë politike që nuk përfshihen drejtpërdrejt në dhunë. Ne i mbështesim partitë politike demokratike. Nuk jemi të interesuar të bisedojmë me ata që ushtrojnë dhunë.

Zëri Amerikës: Por ata janë aty, janë pjesë e parlamentit, përbëjnë 27 për qind të deputetëve, nuk mund të injorohen?

Greg Delawie: Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të bisedojnë me të gjitha partitë politike që nuk ushtrojnë dhunë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, ju keni ndjekur nga afër takimin e organizuar nga presidentja Atifete Jahjaga. Gjykuar nga qëndrimet e shprehura në takim, sa janë mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje politike?

Greg Delawie: Mendoj se përfundimisht ka shpresë për zgjidhjen e krizës politike. Nuk mund të jesh diplomat nëse nuk ke vullnet të jesh optimist. Jam optimist. Mendoj se ka hapësirë për zgjidhje politike të këtyre problemeve. Sigurisht që iu bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të partive politike në Kosovë që të ulen së bashku dhe të gjejnë zgjidhje për këtë rrugë pa krye politike dhe të fillojnë t’u shërbejnë qytetarëve të Kosovës që i kanë zgjedhur.

Zëri i Amerikës: Ju keni deklaruar se Kosova ndodhet në zgrip. A ka vullnet për ta shmangur humnerën?

Greg Delawie: Më duhet të mendoj se afro tetë vjet pas pavarësisë së Kosovës, ata që luftuan dhe u përpoqën që të arrijnë Kosovën që e kemi sot, do të duhej të jenë të gatshëm t’i lënë anash interesat personale dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve që i kanë punësuar ata. Prandaj, besoj se ka shpresë. U bëjë thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë mënyrë për të ecur përpara.

Zëri i Amerikës: A jeni i gatshëm, le të themi, të ndërmjetësoni mes partive politike?

Greg Delawie: Kosova është vend sovran e demokratik. I ka mjetet, i ka njerëzit për t’i zgjidhur problemet politike me të cilat përballet. Nuk mendoj se është e domosdoshme për të huajt si unë, që të përpiqen t’i zgjidhin të gjitha problemet e Kosovës. Ne sigurisht jemi të gatshëm të ndihmojmë, t’i mbështesim partitë politike demokratike, sikundër e thashë. Por, Kosova është vend i pavarur, i ka institucionet që duhet të shfrytëzohen për t’i zgjidhur këto çështje politike.

Zëri i Amerikës: Opozita ka paralajmëruar protesta për javën e ardhshme. Si i komentoni ato?

Greg Delawie: Protestat paqësore janë e drejtë thelbësore në demokraci. Është me rëndësi të thuhet se shumë njerëz që protestojnë kanë shqetësime reale e të ligjshme për situatën aktuale dhe duan t’i shprehin ato shqetësime ne mënyrë paqësore. Por, unë tërheq vijën tek dhuna në protestë. Nuk duhet të ketë kokteje molotovi; nuk duhet të ketë shkatërrim të pronës. Për fat të keq partitë opozitare nuk kanë qenë të gatshme të heqin dorë nga dhuna, gjë që është e tmerrshme. Jam i shqetësuar se për shkak të dhunës ndonjë demonstrues, ndonjë polic mund të pësojë lëndime të rënda. Jam posaçërisht i shqetësuar se në ditën e pavarësisë së Kosovës, ata njerëz që po provojnë ta marrin peng ditën e pavarësisë, po ata po provojnë ta marrin peng edhe demokracinë e Kosovës dhe orientimet e saj euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Opozita ngulë këmbë për zgjedhje të parakohshme. Çfarë të keqe ka nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja?

Greg Delawie: Zgjedhjet që rrjedhin nga dhuna politike do të ishin humbje kohe shumë e shtrenjtë. Ato do ta pengonin parlamentin që të kryejë punët e rëndësishme në emër të qytetarëve të Kosovës. Por, më e rëndësishmja nga pikëpamja ime, është se zgjedhjet që rrjedhin nga dhuna na fusin në një lloj modeli: “Nëse nuk arrini atë që doni në kutitë e votimit, atëherë, le të ketë dhunë për të çuar në zgjedhje të reja”. Filloni ta zbatoni këtë precedent dhe nuk mund të keni gjë tjetër veçse dhunë e zgjedhje, dhunë e zgjedhje përjetësisht dhe Kosova nuk përparon fare.

Zëri i Amerikës: Ta vëmë në një perspektivë më të gjerë. I gjitha rajoni do të jetë në zgjedhje këtë vit. Pse jo edhe Kosova?

Greg Delawie: Nuk kam çfarë të shtoj. Këtu nuk kemi të bëjmë me atë a janë zgjedhjet të mira apo të këqija. Qartazi zgjedhjet janë element thelbësor i demokracisë, por këtu kemi të bëjmë me atë nëse zgjedhjet rrjedhin nga dhuna apo nga kalendari normal i tyre që është pjesë e kushtetutës së çdo vendi.

Zëri i Amerikës: Kriza pasoi marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është arritur në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kritiket druajnë se ky asociacion mund të çojë në federalizmin e Kosovës. Sa mund të dëmtojë Kosovën një mekanizëm i tillë?

Greg Delawie: Jemi të vetëdijshëm për situatën lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mund t’ju them, dhe e tha edhe sekretari Kerry kur ishte këtu në dhjetor, se Shtetet e Bashkuara nuk do ta mbështesin asnjë marrëveshje apo asgjë tjetër që do të vinte në pikëpyetje tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës. Ky asociacion nuk do ta bëjë asnjërën. Ne vazhdojmë ta mbështesim atë. Vazhdoj të besoj se është shumë me rëndësi për Kosovën që të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie me Serbinë në rrugën e saj drejt institucioneve evropiane.

Zëri i Amerikës: Por, kritikët thonë se Serbia ka përfituar nga bisedimet me Kosovën. Po Kosova çfarë ka përfituar?

Greg Delawie: Çështja e parë është, siç e thashë, marrëdhëniet më të mira me Serbinë janë element i rëndësishëm i rrugës së Kosovës drejt institucioneve euroatlantike. E dyta, ka pasur përfitime vërtetë konkrete që kanë ndihmuar të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe për ta forcuar sovranitetin e Kosovës. Po mendoj për gjërat si integrimi i policisë së Kosovës në veri. Pastaj, u mbajtën zgjedhje lokale, përfshirë edhe në veri në vitin 2013 dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 2014. Që kur marrëveshjet e arritura në bisedime u nënshkruan në vitin 2013, Kosova filloi t’i mbledhë doganat në kufijtë verior. Pra, këto janë përfitime të vërteta e konkrete që jo vetëm e bëjnë jetën e qytetarëve më të mirë, por e bëjnë Kosovën më sovrane.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, ndonëse me herët pyeta nëse jeni të gatshëm të ndërmjetësoni, nga ana tjetër ju dhe kolegët tuaj nga ambasadat e BE-së jeni kritikuar ndonjëherë edhe për siç është thënë, përfshirje më shumë se ç’duhet në politikën e Kosovës, madje edhe përtej mandatit tuaj. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Greg Delawie: Sigurisht ishte një kohë gjatë pavarësisë së mbikëqyrur deri më 2013, kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë të Kosovës, luanin një rol të rëndësishëm në këshillimin e qeverisë se si të funksionojë. Ajo periudhë ka përfunduar para disa viteve, sepse ne besuam dhe Kosova besoi se i ka mjetet, se i ka zhvilluar mundësitë dhe strukturat që t’i drejtojë punët e saj. E di se Shtetet e Bashkuara dhe jam i sigurt edhe bashkësia ndërkombëtare donin ta ndihmonin Kosovën sa më shumë që ishte e mundur në përparimin demokratik, por vendi tash është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe ata duhet të marrin vendimet për të ardhmen dhe zhvillimin demokratik dhe ne sigurisht e mbështesim këtë koncept.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, kur erdhët në Kosovë, në ditët tuaja të para, thatë se përparësi e punës suaj do të jetë lufta kundër korrupsionit. Kosova sërish është radhitur në mesin e vendeve me shkallë të lartë të lartë të korrupsionit. Sipas jush, ku ka ngecur lufta kundër kësaj dukurie?

Greg Delawie: Me të vërtetë më vjen mirë që ma shtruat këtë pyetje, sepse mendoj që korrupsioni është çështje kryesore në mendjen e shumicës së qytetarëve të Kosovës dhe më me dëshirë do ta shihja klasën politike dhe qytetarët e Kosovës duke folur për çështjet e rëndësishme si korrupsioni, sesa për kriza politike të sajuara që i përmenda më herët. Shikoni, korrupsioni është çështje e vështirë. Jemi duke punuar rreth kësaj çështjeje qe një kohë të gjatë, por kohëve të fundit e kemi intensifikuar punën edhe më shumë. Po të kisha një shkop magjik për ta zgjidhur çështjen e korrupsionit, më besoni që do ta përdorja dhe do t’ua jepja kolegëve të mi gjithandej botës sepse korrupsioni është problem botëror. Janë disa çështje. Duhet ta dënoni korrupsionin. Policia dhe prokuroria duhet të punojnë së bashku për t’i identifikuar zyrtarët e korruptuar, për t’i dënuar ata, për t’i burgosur dhe për t’i mbajtur në burg. Kjo është çështje po aq thelbësore lidhur me korrupsionin që e kemi parë anekënd botës. Sundimi i ligjit është mjet i rëndësishëm. Natyrisht jemi duke trajnuar policët, prokurorët, gjykatësit se si të përballen me këto çështje që janë të vështira për t’u përballur për të gjitha vendet. Ka korrupsion edhe në vendin tim.

Një rrugë tjetër është të vështirësohet mundësia e të qenit i korruptuar. Të bëhen gjërat më transparente si prokurimi publik. USAID-i po punon me komunat e Kosovës për ta zhvilluar atë që quhet prokurimi elektronik, gjë që e bënë të qartë që kur qyteti dëshiron të blej diçka, njerëzit duhet të konkurrojnë online, konkurrimi do të jetë transparent dhe të gjithë do ta dinë në fund se kush e ka fituar kontratën dhe çfarë çmimi duhet të paguajë. Kjo e bënë korrupsionin më të vështirë sepse “drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë”, siç ka thënë një nga ish presidentët e mi.

Çështja tjetër që dua ta vë në spikamë është se në ambasadën time kemi vendosur se nuk do t’i takojmë zyrtarët publik që akuzohen për shpërdorim të detyrës. Kjo sigurisht e bën jetën më të vështirë. Janë disa kryetarë komunash të Kosovë, të cilët nuk i kam takuar. Ne mendojmë se është shumë me rëndësi që të tërheqim vijën në rërë dhe iu kundërvihemi atyre që vjedhin nga taksapaguesit e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, një çështje që lidhet me zhvillimet politike është edhe funksionalizimi i Gjykatës së Posaçme për krime lufte. Sa mund ta dëmtojë kriza politike këtë proces?

Greg Delawie: Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mendojnë fuqishëm se Gjykata e Posaçme duhet të krijohet sa më parë që është e mundur. Sekretari Kerry kur ishte këtu në dhjetor e bëri të qartë se pret që Kosova t’i kryejë procedurat që të hyjë në fuqi dhe të ndihmojë zgjidhjen e çështjeve që ende mbesin pezull mbi krimet e luftës, me të cilat duhet të merret Gjykata e Posaçme. Mendoj se është përgjegjësi e Kosovës dhe qeverisë së saj që të përparojnë shpejt për të mundësuar këtë pavarësisht nga ajo që po ndodhë në situatën e brendshme politike.

Zëri i Amerikës: Shumë gjëra janë në rrezik për shkak të krizës politike, madje dhe çështja e zgjidhjes së presidentit të Kosovës. Çfarë prisni në këtë rrafsh?

Greg Delawie: Jam i vetëdijshëm për dosmdoshmërinë kushtetuese për ta zgjedhur presidentin në një të ardhme të afërt. Unë nuk marr qëndrim se kush duhet të jetë president, cila parti politike kë do të kandidojë. Kjo është në tërësi në duart e qytetarëve të Kosovës dhe parlamentit që ata e kanë zgjedhur për të marrë atë vendim.

Zëri i Amerikës: Kosova është përmendur si një nga vendet që përballet me lëvizjet radikale fetare. Si i vlerësoni masat e marra nga autoritetet e Kosovës për t’u përballur me këto shqetësime?

Greg Delawie: Problemi i ekstremizmit është jashtëzakonisht serioz. Është problem i Kosovës, është problem i Ballkanit, i Evropës dhe madje edhe problem i Shteteve të Bashkuara. Është diçka për të cilin duhet të punojmë të gjithë. Unë mirëpres hapat që Kosova ka ndërmarrë gjatë disa vjetëve të fundit. Parlamenti miratoi ligjin mbi luftëtarët e huaj para një viti. Qeveria e Kosovës morri pjesë në takimin botëror në Nju Jork, në takimin rajonal në Tiranë në mes të vitit të kaluar. Është çështje e vështirë dhe të gjithë duhet të përpiqemi t’i kuptojmë më mirë se cilat janë shkaqet e problemit të ekstremizmit të dhunshëm. Duhet të punojmë së bashku që të përpiqemi ta bëjmë më të vështirë lëvizjen e njerëzve për të ecur drejt Lindjes së Mesme për të luftuar në luftërat e dikujt tjetër. Sërish, nuk është një çështje e lehtë. Me siguri do të bëjmë gabime derisa punojmë në këtë çështje, por është thelbësore që të gjitha vendet të marrin pjesë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, për pak ditë Kosova shënon përvjetorin e tetë të pavarësisë së saj, shpallja e së cilës për shumëkënd ishte e paimagjinueshme pa rolin e Shteteve të Bashkuara. Tetë vjet më pas, si do t’i përshkruanit marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës?

Greg Delawie: Jam shumë i lumtur që do të jem këtu në tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës që është për pak ditë. Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës dhe për zhvillimin e demokracisë së saj në vitet pasuese. Jemi shumë krenarë për rolin që patëm mundësi të luajmë për të ndihmuar në vendosjen e demokracisë dhe për këtë jemi të përkushtuar që ta mbajmë atë demokraci. Ta përmbledhi: Më duhet të them se marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë po aq të mira sikundër edhe kanë qenë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Delawie, Interviste me ambasadorin, VOA

Peticioni ndaj ambasadorit Delawie, kundërshtohet nga shoqëria civile

February 21, 2016 by dgreca

Peticioni i iniciuar për largimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, po vazhdon të kundërshtohet edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Shoqëria civile në Kosovë kërkon nga organet e drejtësisë në vend që të nisin hetime ndaj atyre personave, të cilët kanë bërë këtë peticion.Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Kosova ka pasur çdo herë përkrahje të madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se një peticion i tillë nuk u bën mirë marrëdhënieve me Amerikën.“Ky peticion është i paligjshëm, për shkak se nuk është iniciuar nga njerëzit që janë nga Kosova dhe organet e drejtësisë, policia dhe gjykatat, duhet të fillojnë të iniciojnë hetime dhe të shikojnë se kush është personi që e ka iniciuar dhe të gjendet se kush qëndron prapa gjithë kësaj, si dhe të sqarohen të gjitha”, thekson Demhasaj.

Peticionin thuhet ta ketë iniciuar Roland Bartezko.

Sipas raportimeve të medieve vendore në Kosovë, thuhet se shoqëria civile ka nisur të nënshkruajë një peticion për largimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

Ndaj këtij peticioni ka pasur reagime të shumta nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Gjatë ditës së shtunë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë dhe dënon ashpër përpjekjet e ulëta për linçim publik, iniciativat denigruese me adresa të dyshimta dhe ofendimet ndaj personalitetit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut të popullit të Kosovës, Greg Delawie”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se një peticion i tillë është i pavlerë.

“Kur një ambasador është në një shtet dhe kur i tejkalon kompetencat e ambasadorit që i ka të garantuara me Konventë, atëherë shteti (pritës) kërkon sqarime nga shteti që e ka dërguar atë ambasador, por në rastin tonë pra në rastin e këtij peticioni, është bërë një bujë e madhe dhe e panevojshme”, vlerëson Shala.

Keqardhje për nisjen e një peticioni të tillë ka shprehur edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke i quajtur “pakicë margjinale”, personat që kishin nisur këtë peticion.

Për fyerjet ndaj ambasadorit amerikan, Greg Delawie, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në rrjetin social Facebook ka thënë se çdo fyerje ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, konsiderohet fyerje edhe ndaj popullit dhe Qeverisë së Kosovës.

Reagime ka pasur edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj. Peticionin për largimin e ambasadorit amerikan nga Kosova, Haradinaj e ka quajtur jokredibil dhe të pavlerë.

Ambasadorit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ditë më parë ishte shprehur i zhgënjyer me vendimin e partive politike në opozitë, për të hedhur sërish gaz lotsjellës në Kuvend.

“I ftoj të gjithë që të shmangin fjalorin nxitës, duke cilësuar njëri-tjetrin ‘tradhtar’ ose ‘qyqar’, gjë që e vështirëson mundësinë e dialogut dhe zhvillimin e Kosovës, ashtu siç kanë nevojë dhe duan qytetarët e Kosovës”, pati thënë ambasadori amerikan.

Ai u kishte bërë thirrje të gjitha palëve që të punojnë bashkërisht përmes dialogut, për t’i dhënë fund krizës politike.

Prishtina në Ditën e Falënderimeve e dekoruar me flamuj amerikan (Foto nga arkivi)

Filed Under: Komente Tagged With: Greg Delawie, kundershton, Petacioni kunder, shoqeria Civile

Kosovë: 20 milionë euro letra me vlerë për diasporën

February 21, 2016 by dgreca

Ministria e Financave e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të përfshijë në letrat me vlerë të qeverisë edhe diasporën.Ministri i Financave, Avdullah Hoti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se po finalizohet projektin e ri prej rreth 20 milionë eurosh, të letrave me vlerë për diasporë, që ka një potencial të madh financiar.

“Këto letra me vlerë, do të sigurojnë mjete për qëllime specifike, siç janë subvencionet për bujqësi dhe për ndërmarrje të vogla. Përmes kësaj forme, diaspora mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe, gjithashtu, përfiton një normë interesi, që është më e lartë krahasuar me normën e interesit nga depozitimi i mjeteve në bankat në vendet ku janë diaspora apo në bankat në Kosovë”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, sipas regjistrimit të deritashëm të diasporës, janë evidentuar rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës. Ky proces i regjistrimit të diasporës është duke vazhduar dhe pritet të përfundojë në vitin 2017.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë, që çdo vit hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare janë rreth 600 milionë euro.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kosovë: 20 milionë euro, letra me vlerë, per diasporen

Presidenti Nishani kërkon opinionin e Gjykatës Kushtetuese

February 21, 2016 by dgreca

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka kërkuar opinionin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me nominimin e minsitrave, lëvizje kjo që mund të shkaktoj krizë qeveritare.Javën e kaluar, kryeministri Edi Rama, e shkarkoi ministrin e financave, pastaj e nominoi ish-ministrin e ekonomisë, Arben Ahmetaj, në këtë post, ndërsa Milva Ekonomi, u nominua për postin e zotin Ahmetaj, raporton AP nga Tirana.

Çështja e konfirmimit të ministrave të rinjë është, në një masë, procedurale dhe nëse presidenti Nishani e kompleton këtë veprim deri ditën e martë. Por, Partia Socialiste në qeveri, ka dyshime se Nishani po e zvarritë çështjen dhe kjo po ndikon në nominimet e tjera.

Bujar Nishani ishte zgjedhur president i Shqipërisë në vitin 2012 në Kuvend, nga Partia Demokratike, që atëherë ishte në qeveri. Kjo parti tash është në opizitë.

Raportohet se ai ishte problem për koalicionin qeverisës të krahut të majtë të zotit Rama, për shkak të vonesës së nominimeve të gjeneralëve ushtarakë, diplomatëve dhe gjyqtarëve të lartë.

Ermonela Felaj, anëtare e qeverisë e ngarkuar me raportet me kuvendin, ka thënë se koalicioni qeveritar mund të kërkoj shkarkim të Nishanit, nëse ndryshimet në qeveri nuk konfirmohen deri të martën. Sipas saj, kjo parashihet edhe me Kushtetutën e Shqipërisë, raporton AP.

Filed Under: Komente Tagged With: Gjykata Kushtetuse, presidenti Nishani, Qeveria Rama

Gara presidenciale SHBA,Triumfojnë Clinton dhe Trump, largohet Jeb Bush

February 21, 2016 by dgreca

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, fitoi në garën partiake presidenciale të demokratëve në shtetin Nevada, ndërsa biznesmeni i pasur, Donald Trump, ngadhënjeu në votimet republikane në shtetin Karolina Jugore. Senatori demokrat, Bernie Sanders, pak kohë pasi kishin përfunduar votimet, e kishte thirrur zonjën Clinton duke ia uruar fitoren.

Pasi janë numëruar 93 për qind të fletëvotimeve, Clinton kishte 52.5 për qind, ndërsa Sanders 47.5 për qind.

“Disa mund të kenë dyshuar në neve, por ne kurrë nuk kemi pasur dyshim në njëri-tjetrin”, u tha Clinton mbështetësve të vet të hareshëm, gjatë një takimi në Las Vegas.

Në rrjetin Twitter ajo ka shkruar se “për secilin që doli në të gjitha pjesët e Nevadës me përkushtim dhe zemër: Kjo është fitore e juaj, ju falënderohem”.

Kjo është fitorja e dytë e zonjës Clinton. Ajo së pari ngadhënjeu në Ajova, ndërsa humbi në Nju Hempshër.

Në garën e republikanëve në Karolinën Jugore, Donald Trump fitoi me 32 për qind të votave. Ai në Ajova ka pësuar disfatë, por fitoi në Nju Hempshër.

“Nuk ka asgjë të lehtë në garën për president”, tha Trump në tubimin me mbështetës pas fitores, dhe shtoi se “është ashpër dhe pakëndshëm, do të thotë se është garë e egër… por, kur fiton, atëherë është e mrekullueshme”.

Senatori republikan nga Florida, Marco Rubio, u plasua në vendin e dytë, duke i tubuar afro 1 mijë vota më shumë se sa senatori, Ted Cruz, në vendin e tretë.

“Kjo është shndërruar në garë të tre personave”, tha Rubio, pasi duket se pozita e dytë në Karolinën Jugore, e forcon pikëpamjen ne tij se është kandidati më i moderuar republikan.

Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, ka shpallur tërheqjen nga gara republikane për president të Shteteve të Bashkuara, pasi në Karolinën Jugore doli i katërti.

Bush, babai dhe vëllai i të cilit ishin presidentë amerikanë, deklaratën për tërheqje e bëri pasi fitoi vetëm 7.8 për qind të votave, që ishte dëshpëruese për të.

Para votimeve në këtë shtet, atij në ndihmë gjatë fushatës i kishte ardhur edhe i vëllai, George Bush, ish-president amerikan, dhe nëna e tij.

Por, duke pasur parasysh plasmanin e dobët në votimet në Ajova dhe Nju Hempshër dhe tash në Karolinën Jugore, ai shpalli tërheqjen nga gara.

Kështu, tash në garën republikane mbeten gjithsej pesë kandidatë, përfshirë guvernatorin e Ohajos, John Kasich, dhe neurokirurgun Ben Carson.

Të dy partitë në Shtetet e Bashkuara, Partia Demokratike dhe ajo Republikane, në muajin korrik do t’i mbajnë konventat e tyre kombëtare, ku do të shpallet i nominuari partiak për të garuar për president, në zgjedhjet që mbahen më 8 nëntor të këtij viti.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Filed Under: Komente Tagged With: largohet Bush, Triumfojne Tramp e Klinton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT