• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

“Liridoniada”

February 6, 2016 by dgreca

NGA Ukshin MORINA*/
… 14 Shtator, 2010/
Udhën nga Prishtina deri në Gjakovë e bëri me autobuzin e linjës, ndërsa pjesën tjetër me një furgon, që e la disa kilometra larg vendlindjes. Ai vazhdonte i vetmuar rrugën po ashtu si dikur nën mbretërinë e heshtjes duke u ngjitur thikshëm grykave të malit, prej nga vinte jehona dhe uturima e erës, që frynte pa ndalim. Ishte pikërisht ai, Gjenerali. Po kthehej me një valixhe të vogël në dorë, brenda së cilës kishte kursimet e tij. Ishte pikërisht ai, po ajo siluetë.Fytyra dukej sikur i përshkohej nga një dhembje e kahershme.Mënyra se si ecte të bënte të mendoje për një shtegtar të humbur.Në shpirtin e tij përshkonte ndjenja dhe keqardhja e pamatë, që mund t’i sillnin situata të papritura.Buzëqeshi i pikëlluar duke shkundur pantallonat nga pluhuri i shtegut.
“A thua Besarta… Eh, budalla! Po sikur…? Nuk e di, ka kaluar shumë kohë, por gjithsesi ajo më do, – pohoi vetmevete duke ndaluar hapin, ndërsa kapërcente majën e një mali. “Ajo për mua ishte gjithçka, – vazhdoi ai i përhumbur si kurrë më parë. – Ajo për mua ishte gëzimi, ama nga ai më i papërmbajtshmi. Ishte gëzim për shpirtin tim, çlodhje për zemrën, ngaqë mendimi për të më mbush me mall dhe fle mbi trupin tim pa pushim. Të falenderoj, moj e shtrenjta ime, për gjithë dashurinë që më ke dhuruar.Ndihem i lumtur, kur përfytyroj gëzimin e saj pranë meje.Asgjë s’më ka shpëtuar, asgjë s’më ka humbur nga kujtesa, çdo gjë kujtoj, edhe pse të tjerët më lanë në harrim. Oh, moj Besarta, kërkoj ndjesë për gabimet dhe t’i puth sytë, që i lash të përlotur për kaq vite. Rrugët e mia në Gjermani ishin të mbushura me kujtimet e tua, që si lak në fyt më mbanin shtrënguar, të palëvizur.Atje prej së largu mbytesha nga dashuria e malli.Në zemrën time të dërrmuar flinte e vërteta.Sa herë që u shkoja rrotull ëndrrave të mia, shpirti më ndalonte pikërisht aty si unë mbi ty. Fuqishëm shkrehesha mbi to si shtegtari i lodhur në lëndinë, poshtë një rrapi ndanë udhës.Mendimi për ty mbetej i pavdekshëm, ndërsa veprimi më kishte paralizuar trupin në një mekanizëm të palëvizshëm.Gjithfarë mendimesh më vinin në mendje.Ato nuk rronin më shumë se një lule e çelur herët në mëngjes, që vyshkej me të rënë dielli.Sa herë që ndodhesha pranë pasqyrës, mallkoja fytyrën. Kjo shpërfillje nxirosëse ishte burimi i çdo shqetësimi, që më vinte prej saj. Tragjizmi që shfaqej aty, më mbyste dëshirën për të ëndërruar kthimin tim. Si ta them unë i mjeri, kisha humbur gjithçka në jetën time dhe mendimi se dikush me shpirt kishte mbetur pranë meje, më mbytej në çast. Për sa e njoha Gjermaninë, s’ndiej ndonjë dëshirë për të qëndruar atje, ndaj vendosa të kthehem në folezën time, edhe sikur shpirti të më dergjet aty. E tash kur jeta ime s’po njeh as fillim e as fund, me kujtohen ditët e tua më të lumtura.Mbrëmjet e tua të mbushura me përkujdesjen e fëmijëve, kur shtriheshe e brengosur dhe e lodhur nga meraku i tyre, ecejaket dhe fëshfërima e këmbëve në dysheme. Të gjitha këto ma ndezin shpirtin, sa diçka nis e vajton brenda meje. Zemra ime, e dashur, nuk është prej guri, ajo nuk do të harrojë se unazën e parë e kam prej teje. Nuk e di si do të jetë bota e saj tani.”
Kështu mendonte Gjenerali, teksa vazhdonte rrugën, e cila zgjatej përmes një pylli të dendur.Në dalje të rrugës, atje ku shtegu pritej në kryqëzim rrëzë kodrës, shquhej një grumbull dheu i kuq, në fundin e të cilit dukej qartë një gur i madh, në faqen e të cilit reflektonin rrezet e purpurta të diellit në prarim.Dikush kishte vdekur dhe ishte varrosur aty.“Kush mund të jetë vallë? Sa mirë të vdesësh në një vend të tillë, pa fjalime pompoze e pa përmendore, krejt paqësisht, veç një qivur të gurtë të ngulur mbi kokën e të vdekurit dhe ngushëllimet e një vetmitari të humbur.”
Përjetoi një topitje të thellë, rrjedha e së cilës sa mund e tërhiqte pas. Në mendje iu ngjallën kujtimet e së shkuarës, pikërisht atëhere kur s’ishte më në gjendje t’i frenonte gëzimet e dhembjet e tij. Kujtime të fshehta, të mbushura, që flisnin për një jetë të egër e të hidhur, për atë dhembje që e ndoqi në moshën më të mirë. Një pështjellim i pashpjegueshëm vegimesh dyzoheshin në mendjen e tij dhe mezi kuptoi se ishte pikërisht vetë që po hartonte një histori. Për disa minuta ndaloi aty duke menduar se fare lehtë edhe mund të ishte varri tij. Gjenerali vështroi i trembur hijen, e cila zgjatej më shumë se zakonisht në shteg.Zgjati kokën dhe pa rrugën që të çonte tutje horizontit, shumë larg prej aty ku ishte. I binte të ecte edhe dy orë në këmbë. Rruga mori tashmë ngjyrën e murrme, ndërsa shpatinat ende e ruanin hijen ngjyrë vjollcë. Majat e zhveshura, të mbushura me bar të ngjeshur, ndriçonin ende nga reflektimi i diellit.
Ndërsa vazhdonte të ndiqte rrugën, përpara iu shfaq një ngrehinë e çrregullt, e cila dukej krejt e rrënuar dhe e shkretë. Gjenerali provoi të rrahurat e forta në zemër, ngaqë ajo shkreti përfaqësonte fshatin e tij fisnik.U ndal dhe mori frymë thellë. Po digjej nga dëshira kur pa që ndodhej në fund të fshatit të tij. Ndjeu aromën e vendit të vet dhe sikur shpirti i tij u mbush me fatkeqësi. Dielli që digjte rrugët, ia kishte pjekur lëkurën; trishtimi i thellë që ishte pasqyruar në tipare, lëshonte hije në ballin e tij. Një pamje e tillë tregonte për aq vuajtje, sa, kur e shihje atë fytyrë, ku mjerimi dhe fatkeqësia kishte pllakosur gjurmët, të ngjallte një ndjenjë mëshire. Gjenerali ishte nga ata njerëz shpirtmëdhenj, të cilët mund ta mbanin të fshehur vuajtjen.U ndal dhe ndjeu t’i merrej fryma.
“Ndoshta Besarta s’jeton.Ndoshta fati e ka shpëtuar dhe mendon për një mijë mjerimet e jetës. Kush e di se çfarë fsheh enigma në shtejllën e kësaj nate të frikshme. Ndoshta perëndia ka mëshirë për njerëzit e thjeshtë dhe shpresa e tyre ndriçohet gjithnjë nga zemrat e fuqishme që mbahen në kulm të dëshpërimit.Sa qetësi! Sa kohë e bukur! As erë nuk fryn. Me sa duket, për shpirtin tim vetëm nata është mëshiruese. Si unë, ashtu dhe ajo pashitemi me t’u errur.Atentati kundër mendimit është një krim kundër shpirtit.Vdekja e Sokratit rëndon ende në ndërgjegjen e njerëzimit dhe mallkimi i çifutëve ndoshta s’ka tjetër domethënie. Ata kryqëzuan njeriun-fjalë, deshën të vrisnin zotin, – kujtoi Gjenerali një thënie të Gustave Flaubert-it duke u ngritur. – Nuk mund ta besoj se ti jeton, moj Besarta, por këto mendime nuk mund t’i çrrënjos nga korja e mendjes sime. Gjithmonë ky mendim ndjellakeq më mbante shtrënguar pas vetes e prej gjithë kësaj më buron vuajtja e dhembja, e cila sa mund ushqehen prej kujtimit.”
Pamja e atij vendi ia shpoi si me thikë zemrën. Gjenerali sosi aty nga ora një pas mesnate në fshatin e tij, veshur me një kostum të zi, zbardhur nga pluhuri. Këpucët e shtrembëruara tregonin qartë udhën e tij të lodhshme.E ndjeu trishtimin dhe vetminë e tij.Dhembjet ngritën kokë dhe u bënë më të fuqishme se ndonjëherë më parë.Shikoi rreth e rrotull.Vazhdoi të ecte dhe u fut në mes të fshatit.Zhurmat e hapave të tij përziheshin me lehjet e qenve pas avllive, që kërkonin t’i suleshin në zverk.Sa më shumë afrohej, aq më tepër ankthi vazhdonte ta gërryente. “O zot! Më duket sikur trupi im ka vdekur dhe shpirti më është kthyer në një zog pa streh.Kaq i pafuqishëm e i mjerë ndihet shpirti im. O zot! Kam mbetur krejt vetëm.”Ndaloi pranë dyerve të veta. Qëndroi për disa kohë duke vështruar lulet dhe sythat e panumërta midis qiellit dhe tokës. E mahnitshme kjo panoramë e heshtur nën dritën e magjishme të hënës.Ndaloi sërish për pak çaste prapa derës dhe u mundua të kapte ndonjë zhurmë në mesin e asaj qetësie natyre. Këmbët iu këputën dhe trupi iu derdh përdhe. U përpoq t’i thërriste dikujt, po kujt? “A s’më kanë vdekur të gjithë? Mos Besarta është … O zot!”
Si një shtegtar i rrahur nga lodhja, u përpoq të mblidhte fuqitë e veta, por sërish s’mundi të ngrihej dot.Qëndroi ashtu për disa minuta, derisa më në fund kuptoi se kjo ishte rruga, pas së cilës nuk duhej të shqitej.U ngrit duke u mbështetur mbi gjunjët që i dridheshin si puterka dhe vështroi përmallshëm me sytë e tij lotues vendin ku ishte ndarë për herë të fundit nga Besarta.
Ashtu me shpirt të vdekur shtyu derën e drunjtë dhe u fut në oborr.Muret e shtëpisë së djegur dukeshin ende të nxira. Ishte një shtëpi e vogël me mure shtufi, me strehëza, që zgjateshin duke i dhënë pamjen e një stani bjeshke. “Thua kanë kaluar vërtet gjithë ato vite apo e gjitha kjo është një iluzion i këtij çasti të trembur.”Gjenerali psherëtiu thellë dhe fërkoi kokën me duar duke kujtuar vitet e humbura.U afrua dhe u mbështet mbi trungun e manit të vjetër.Rrënjët e tij dukeshin më të dala dhe më të nxira nga myshku nën reflektimin e hënës. Gjithçka si më parë: përroi mërmërues, livadhi që shtrihej nën syprinën e hënës ku luante Liridoni, Bleta e Vesa, ishte si më parë. Mendoi për një çast t’i thërriste Liridonit, edhe pse ishte i sigurt që kishte vdekur, por ndaloi këputshëm i mbytur në lot.Gjithçka që shihte syri i tij, dukej e shkretë. Vazhdoi ecjen sa mund e lejonte nata, që kishte pushtuar vendin. Iu bë sikur koha u kthye pas. Hidhërimi dhe ndarja me familjen po ia merrnin shpirtin. Malli për shtëpinë e vendlindjen, ndrojtja se jeta mund t’i sillte çdo të papritur, mallëngjimi tek përshëndeste në natën me shi Besartën, ia mbushnin vërtet zbrazësirën plot me jetë, edhe pse mbi të gjitha këto flinte ndjesia e një shqetësimi ndjellakeq për diçka mizore. Por, ja që fatmirësisht s’ishte e thënë të ndodhte ashtu. Koha ecën, jeta po ashtu gëlon në udhën e gjatë, regëtima e saj përpëlitet dhe rreket përherë e më shpejt, saqë furinë e saj s’mund ta frenosh, qoftë edhe vetëm për një çast.Më kot mundohesh të hedhësh vështrimin pas. Çdo gjë lind, nis, vazhdon nën ndriçimin e diellit dhe perëndon në terrin e natës për të rilindur ndryshe nesër; gjithçka lëviz me ritmin e kohës, në ingranazhet e së cilës kronometrohet jeta e çdo njeriu në planet. Pa dashur, veten e shikon shumë shpejt të tërhequr pas kësaj makinerie të kurdisur, pa ditur që pak ditë më parë ke qënë dikush.
Fytyra e Gjeneralit ishte bërë dyll e verdhë, flokët të zbardhura, hapi i tij i plumbtë. Dukej sikur shtegu i tij kishte mbaruar e ishte këputur tani, edhe pse ende nuk kishte mbushur 55 vjeç. Ngriti kokën dhe pa Besartën me Liridonin që qanin mbi të.Kjo situatë e bëri Gjeneralin të qante me ngashërim si një fëmijë.Kur shpirti dhe trupi janë dërrmuar nga një luftë e gjatë dhe e përgjakshme, vjen vdekja ose sëmundja e pashërueshme, mirëpo fuqia e zemrës së madhe merr në çast forca të reja.
Besarta, kur mori vesh të keqen e madhe, që kishte ndodhur, u tret në fytyrë dhe briti:
– Oh, more Gjeneral! – dhe më pas u shemb aty krejt e vdekur. Fatkeqësia dhe morti që e përfshiu shpirtin e saj, e bëri më të kobshme dhe tepër fatkeqe.Rrokullisja e shpresave, që i kishte varur tek Gjenerali, ndryshuan kryekëput jetën e saj.Të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur këto dymbëdhjetë vjetët e fundit, e kishin dergjur e plakur aq shumë shpirtin e saj.Ajo ishte prej një dere fisnike dhe për rrjedhojë, edhe shpirtin e kishte të tillë.

* Pjesë nga romani “Liridoniada”- Kapitulli XIX

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Liridoniada”, Ukshin Morina

“ILAÇI I SHQIPËRISË”

February 6, 2016 by dgreca

Nga IDAJET JAHAJ/
-ESSE/
Sa herë i kemi dëgjuar vargjet për kapedanin e famshëm të Shqipërisë së Jugut – Zenel Gjoleka:/
Pse lufton, a dërzi,/
Sos për mua a për ti,/
Po për gjithë Shqipëri…/
Ato janë shkruar në ndërgjegjen tonë si një flamur i madh ideje, që në faqet e librave të shkollës fillore, kur njohëm historinë e popullit tonë. Dhe jemi krenarë për këtë përkushtim, për imazhin e gjithë vendit, në mendje e në zemër. Kësaj strofe të madhërishme populli e pason edhe me trivargëshin tjetër:
U trete, Gjolekë, u trete,
Po sos u përpoqe për vete,
Po për gjithë vilajete…
Zenel Gjoleka është një nga ata trima të epopeve shqiptare, që muza e popullit i ka kënduar si rrallëkujt. Figura e tij është ajo e një kapedani të shkëlqyer, madhor, dhe hijeshon në histori ashtu si një nga majat më të larta të relievit të saj.
Vargjet nënvizojnë çastin historik kur vetëdija e shqiptarëve tashmë vepronte kolektivisht dhe për interesin tërësor të gjithë vendit, kur ajsbergu historik shqiptar po dilte mbi ujë, kur ky titanik përleshej për jetë a vdekje me pushtuesin shekullor turk.
Pra, luftohej jo vetëm për një pjesë të atdheut, por për gjithësinë e tij. Kjo ishte nisma e rilindjes së kombit me armë. Këto luftra-llavë vullkani u bënë baza ku ngjyen penën për kushtrim Rilindasit më vonë.
Kjo ide e përgjithshme u pasua edhe më vonë, në gjeneratat e mëpastajme të luftërave. Ajo gjeti më shumë mishërim te prijësit e trimave që, me luftën dhe fjalën e tyre, jepnin të njëjtin mesazh që jepte kryetrimi Zenel Gjoleka.
Nëpër faqet e historisë së Vlorës ka shumë sentenca të tilla, të cilat, të shprehura në vargje, tek heronj të veçantë, japin tërësinë e unitetit të vetëdijës atdhetare të masave të popullit, të cilat ndërgjegjësoheshin gjithnjë e më shumë për idealin kombëtar.
Në mesin e shekullit të 19-të, në luftrat për mbrojtjen e kufijve jugorë nga shovinizmi i egër grek, shkëlqyen edhe shumë trima vlonjatë, si Mahmud Vlora, Shako Xhaka nga Tërbaçi, Selam Hasani i Velçës, Fejzo Xhafa Vlora, etj. Nën udhëheqjen e tyre luftëtarët shqiptarë u dhanë dërmën hordhive shovene. Ndër ta, Shako Xhaka Shkëlqeu në përpjekjet për unitetin e njësisë – komb:
O Shako Xhakë Tërbaçi,
I Shqipërisë ilaçi,
Ilaçi i Shqipërisë,
I vjen rreth e rreth kufisë…
Ç’vizion madhështor japin këto vargje! Si në përshkrimet folklorike: ashtu si në kopenë e kuajve, rreth së cilës, për ta mbrojtur nga bishat që i vijnë rreth, dalin disa prej më të fortëve, i vijnë rrotull tufës, qëllojnë me shqelme dhe shkrofëtijnë zjarr nga goja, … ashtu edhe trimi Shako Xhaka “i vjen rreth Shqipërisë” për të mbrojtur nga ujqërit shovenë…
Dhe, me shembullin e tij heroik, ndrit metaforën e rrallë: “ilaçi i Shqipërisë!”. Vargje dhe figura të tilla, të cilat bartin ide të mëdha brenda, prekin e frymëzojnë, kushtrojnë e krenojnë.
Por nuk janë vetëm këto dy sentenca të këtyre dy trimave.
Eposet e shumtë të saj janë të pasura me heroizma trimash të tjerë. Akti i heroit Kanan Maze, nga Shkoza e Vlorës, i afrohet shumë legjendës. Në fillim kënga jep imazhe të pabesueshme:
…Të xhumanë në saba,
Komita në Kotë ra;
Shkoza ç’u bë lakra,
Ç’u vra Kanan Mazeja![1]
Ç’e mori në nofulla,
Nofulla më dysh iu nda,
Ky bëri sikur s’e pa,
Briti: burra përmbi ta!
Sa dhe si mund të flasë, e aq më tepër të bëjë shaka, një njeri me nofullën që i është ndarë më dysh nga gjylja apo plumbi? Po muza e popullit bën mrekullia. Nuk është vetëm ky akt që Kanan Mazen e shndërroi në legjendë. Akti tjetër i tij i madh, ai i fjalëve lapidare. Kanani ishte njeri shumë i bukur. Cifla e bombës ia prishi këtë bukuri. E, kur shokët e pyetën për fatkeqësinë:
-Kanan, t’u prish bukuria!
Ai iu përgjigj atyre:
-Le të rrojë Shqipëria!
E sërish, e më me forcë, duke gjëmuar atë zërin buçimë, përmes nofullave të shqyera:
-Shqipëria le të rrojë,
Ç’ka se mbeta unë pa gojë!
Ky akt (i fjalës) u përndrit e u skalit në memorien e kujtesës kolektive të popullit. Nuk u harrua, sepse kishte “Shqipërinë” brenda.
“Trim i madh” thonë kur bëhet fjalë për hierarkinë e vlerave të luftëtarëve të lirisë. I tillë ishte edhe Zigur Lelua. Ja dy profeci heroike të tij, të vulosura edhe me gjakun e tij, në luftën e Vlorës më 1920: Kur në Smokthinë u vendos që burrat të shkonin në luftë, Ziguri shkoi në shtëpi e i thotë të shoqes, Hankos:
-Bëmë gati bukën dhe rrobat e reja, Hanko, se do iki.
-Po mirë, more burrë, – i thotë ajo, – pa mos u nxito njëherë, se ke luftuar edhe më parë.
-E kam vendosur, moj Hanko, nuk do rri në bisht të shokëve, por në ballë. Do vdes për Shqipërinë. Do bëhem kurban për Shqipërinë!
Ky trim, këtë aforizëm ua kish thënë disa herë shokëve, ua tha edhe në mbledhjen e rrapit të gurrave (Smokthinë), më 2 qershor 1920, kur pa shpatullën e berrit,[2] para komisionit të luftës; “Nesër, më të rarë të diellit, do të sulmojmë. Kota do të merret, unë do të vritem! Do bëhem kurban për Shqipërinë!”
Dhe vërtet luftëtarët sulmuan kur ra dielli, dhe vërtet Ziguri u hodh si luan mbi armiqtë, dhe vërtet ai ra në fushën e betejës. Profecia i doli. Ishte materia heroike e shpirtit të tij që ia diktonte parashikimin. Aktin e mori shekulli për t’ua përcjellë të tjerëve.
Kështu edhe Sali Vranishti. U hodh në sulm në Kaninë, vrau shumë armiq, por një predhë e goditi në bark. I nxori zorrët jashtë, por ai, me qetësinë e një dragoi, i mblodhi ato me dorë e i futi prapë brenda, dhe u tha shokëve ashtu qetë – qetë:
…Kapedan vetullazinë,
Me bombë në mes e godinë,
Tha: Në tel çorra kërcinë,
Të mos helmon shokërinë…!
Të tillë dehje, të tillë delir ta japin vetëm epopetë e mëdha. Ato epope që mbrujtën atdheun. Dhe i bëjnë ata – njerëz – jo të zakonshëm, që kanë tërë hartën e Shqipërisë brenda, idealin e madh të lirisë e pavarësisë në mendje e në zemër, në gjak.
Ata u bënë ILAÇI I SHQIPËRISË.
[1] Ai në të vërtetë u plagos
[2] dashit

Filed Under: ESSE Tagged With: “ILAÇI I SHQIPËRISË”, Idajet Jaho

Lisa Milicaj & Jacqueline Kapaj- Viera, DY NOMINIMET PER CMIMIN E VITIT

February 6, 2016 by dgreca

*Lisa Milicaj dhe Jacqueline Kapaj-Vieira, nominohen për çmimin e vitit nga Organizata e Grave Shqiptare ne Amerike – “Motrat Qiriazi “/
*”Women of the Year – Gruaja e Vitit “, ndanë edhe dy çmime tjera; “Mothers of the Year – Nëna e Vitit” dhe çmimin “Teacher of the Year – Mësuesia e Vitit”, ku për çdo vjet vlerson suksesin , kontributin e këtyre zonjave shqiptare në SHBA, sidomos ato në integrimin në shoqërinë Amerikane.
Nga Beqir Sina/
NEW YORK : Lisa Milicaj dhe Jacquiline Kapaj – Viera janë nominuar për çmimin e vitit “Women of the Year – Gruaja e Vitit – 2016”, dhe çmimin “Teacher of the Year – Mësuesia e Vitit”, nga Organizata e Gruas Shqiptare ne Amerike – “Motrat Qiriazi “.
Një çmim dinjitoz, ky që ju ndahet disa nga grave shqiptarë nga më të suksesshmet në komunitet.
Kjo organizatë me çmimin e vitit “Women of the Year – Gruaja e Vitit “, ndanë edhe dy çmime tjera; “Mothers of the Year – Nëna e Vitit” dhe çmimin “Teacher of the Year – Mësuesia e Vitit”, ku për çdo vjet vlerson suksesin , kontributin e këtyre zonjave shqiptare në SHBA, sidomos ato në integrimin në shoqërinë Amerikane.
Këtë çmim “Women of the Year – Gruaja e Vitit “, më parë e kanë marrë -VERA MJEKU – (2014)-MERI KIRKA (2013)-ANILA CONIKU (2012) – LIDIA UJKAJ (2011) – ANGJELINA NIKA (2010) – DONIKA BARDHA (2008) – ALBANA MELYSHI LIFSCHIN (2007) – JANE CHRISTOS (2006) – ALBANA ORGOCKA (2005) – NORA PRAPANIKU (2004) – RITA SALIHU (2003) – ROSE DOSTI (2002) – ROSE BLACK (2001)
Ndarja e çmimeve të vitit, bëhet më rastin e festës Dita e Nënës, dhe atë Dita e Mësuesit, në komunitetin shqiptarë 7 dhe 8 Marsin, në qytetin e Nju Jorkut.
Doktoresh Ana Kohen – e cila është edhe Presidente e Organizatës së Gruas Shqiptare në Amerike – “Motrat Qiriazi “, në mesazhin e saj – thotë “Ne shpresojmë që të jetë porta e hapur që do të hapë rrugën për suksesin tuaj. Së bashku jemi më të forta, më të frymëzuara, dhe më efektive. Ne shohim vetëm përpara për të punuar me ju.”
Shqiptaro-amerikanja Lisa Milicaj – fituesia e çmimit për vitin 2015, ish-këshilltarja bashkiake në kantonin Pleasant Valle – Plisënt Valley, të New York-ut, është një nga figurat femërore më të spikatura të diasporës në SHBA, këto vitet e fundit.
Ndërkohë, ajo është e kudogjendur në aktivitetet që zhvillon diaspora jonë në SHBA.
Ajo është edhe një prej fituesve të vlerësimit në projektin “Albanian American Success Story”, një libër prestigjoz ky që përfshiu 150 shqiptarët më të suksesshëm në SHBA, për vitin 2014.
Lisa, vitin e kaluar nga organizata Rrënjët Shqiptare, u shpall “Grand Marshall” i Paradës 2015 në New York.
Bukuri shqiptare e shkolluar dhe e kultivuar në vendin e lirisë, ajo është e suksesshme dhe natyrisht krenari për komunitetin shqiptarë, thekson shtypi shqiptarë.
Afaristja e suksesshme, dhe ish- Këshilltarja bashkiake është vajzë e dy emigrantëve nga Kosova dhe ka bërë histori duke qenë një nga gratë e rralla shqiptare të përfshira në politikën amerikane.
Ajo ka biznesin e saj të suksesshëm, një agjensi sigurimesh në pronat e patundshme, të cilën e drejton vetë prej disa viteve me shumë sukses në postin e Presidentes, e cila quhet “First Insurance Agency Inc”.
Prindërit e Lizës erdhën në SHBA rreth 45 vjet më parë, po ndonëse e lindur këtu, Lisa flet shqip dhe është aktiviste e njohur në komunitet.
Kurse, Jacqueline Kapaj-Vieira – është mësuese në New York.
Ajo së bashku me disa mësuese shqiptare në komunitet, ka themeluar edhe Shoqatën e Edukatorve-Mësueseve Shqiptare – Albanian American Educators Association – për të lehtësuar rrjetëzimin midis arsimtarëve, profesorëve, kunsolureve dhe udhëzesve me prejardhje shqiptare në fushën e arsimit.
Ajo ka thënë për shtypin lokal se “Mendova se do të ishte mirë që të përpiqemi për të formuar një komunitet, ku ne mund të vijmë së bashku, të gjitha mësimdhënset shqiptare në New York, që të ndajnë informacione, në rrjetin tonë dhe mbajmë gjallë trashëgiminë tonë, shqiptare”, thotë Kapaj-Vieira. Duke shtuar se :”Qëllimi, i kësaj organizate të mësuesve shqiptare në Nju Jork, është për të krijuar një rrjet profesional për edukatorët shqiptaro-amerikan dhe për të ndarë njohuritë arsimore, për të ndihmuar studentët dhe për të arritur sukses, të punojmë së bashku për të krijuar një mjedis për mbështetje profesionale dhe sociale”, shprehet Kapaj-Vieira.
Jacqueline Kapaj-Vieira, punon si një drejtore asistent në Akademinë e Lidershipit në Fordham për Biznes dhe Teknologji.
Ajo është veterane e arsimit në Nju Jork, mbasi ka mbi 25 vjet në mësimdhënie.

Filed Under: Komunitet Tagged With: DY NOMINIME, Jacqueline Kapaj- Viera, Lisa Milicaj, Motrat Qiriazi, PER CMIMIN E VITIT

12 Mars 1942 – Ngritja e Flamurit Kuq e Zi në Pargë – Çamëri

February 6, 2016 by dgreca

nga Kamber ÇANO/
Në fillim të vitit 1942 situata për krahinën e Çamërisë ishte me të vërtet dramatike. Kjo për arsyen se politika shoviniste greke vazhdonte të këmbëngulte fort sa çamët ishin shtetas turk ndaj duhet të shkonin në Turqi dhe të shkëmbeheshin me banorët me besim ortodoks nga Azia e Vogël. Nga ana tjetër pushtuesit fashist italianë kërkonin që banorët e Çamërisë të bashkëpunonin me ta për të luftuar kundra Greqisë, pra t’i përdorte si mish për top.
Ndaj shqiptarët e krahinës së Çamërisë vendosën t’i dalin zot vatanit të tyre dhe organizuan në qytetin e Pargës ngritjen e flamurit kuq e zi shqiptar. Në datën 12 Mars 1942 popullsia çame iu përgjigj thirrjes së organizatorëve, patriotëve çam dhe u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit rreth 1,000 vetë,si përfaqsues të viseve çame.
Tubimi filloi reth orës 9 – 9 e 30 minuta. Tubimin e hapi Haxhi Sejko nga Filati , i cili kish ardhur me 300 çamë të Filatit. Në fjalën e tij, pasi përmendi masakrat që kishin bërë shovinistët grek kundër popullsisë së pafajshme çame që nga viti 1913 e deri më vitin 1942, citoi fort rëndësinë e ngritjes së flamurit shqiptar si një domosdoshmëri për ti treguar grekëve, italianëve dhe gjithë fuqive të mëdha se Çamëria ishte Shqipëri.
Një ndodhi tepër domethënëse ishte ndërprerja e fjalës së z.Haxhi Sejko nga një çam i Arpicës, i quajtur Isa Idrizi cili mori në duar flamurin dhe i lotuar e puthi disa herë, duke thënë: “Rrofsh o flamur shqiptar edhe 1000 vjet mbas kiametit”
Ndërkohë, një avokat grek e pyet, pak me ironi: “Nuk bën ca shekuj më pak o barba Isaq?”
“Asnjë minutë më pak nuk bënë.”- iu përgjigj Isai.
Në këtë tubim ceremonial ishin pjesmarrës midis shumë përfaqsuesve të zonës së Çamërisë, edhe përfaqësuesit nga fshati im Arpica.
(Shënimi im:Unë kam dijeni nëpërmjet bisedave ,dekumentacionit dhe informacionit vetëm për një pjesë të pjesmarrësve, kryesisht ata të fshatit Arpicë – Arilë(Arpicë) dhe zonave përreth saj. Janë të lutur, kush ka informacione edhe për pjesmarës të tjetë ta pasuroj listën )
Mustafa Suloti…………Arpicë
Sadik Suloti…………….Arpicë
Ibrahim Muhameti…….Arpicë
Izder Muhameti………. Arpicë
Xhafer Muhameti………Arpicë
Jasin Muhameti………Arpicë
Hamit Muhameti……….Arpicë
Duro Balo………………..Arpicë
Sulejman Ahmeti………Arpicë
Muhamet Shabani……Arpicë
Ibrahim Nebiu………….Arpicë
Jakup Arifi……………..Arpicë
Meço Jaho……………..Arpicë
Izeir Zeqiri……………..Arpicë
Ismail Zeqiri……………Arpicë
Isa Idrizi………………..Arpicë
Behlul Idrizi……………Arpicë
Izeir Fetahu……………Arpicë
Nuredin Hyseni……….Arpicë
Galip Husi……………..Arpicë
Hamit Isai……………..Arpicë
Kujtim Isai……………..Arpicë
Brahim Bardhi…………Arpicë
Hysen Shurdhi………..Arpicë
Avdulla Sako………….Arpicë
Sulejman Avdiu……….Arpicë
Dahir Haxhiu…………..Arpicë
Halil Mersini……………Arpicë
Refat Omeri……………Arpicë
Haxhi Shuaipi(Cano)…….Arpicë
Mehmet Cano……………..Arpicë
Ferrik Cano………………..Arpicë
Riza Bido……………………Arpicë
Jaho Xhaferri……………..Arpicë
Bedri Fejzo………………..Arpicë
Sulo Hoxha……………….Arpicë
Kasim Tahiri………………Arpicë
Riza Gerra…………………Arpicë
Halim Gerra……………….Arpicë
Isa Gerra…………………..Arpicë
Muhamet Duli…………….Arpicë
Rakip Xhaferri……………Arpicë
Galip Muho………………Arpicë
Riza Muho……………….Arpicë
Brahim Alushi…………..Arpicë
Iliaz Aliu..…………….. Arilë (Arpicë)
Osman Hasani……….. Arilë (Arpicë)
Mamo Brahimi……….. Arilë (Arpicë)
Mejdi Beqo……………..Arpicë
Muhamet Isufi……….. Arilë (Arpicë)
Shuaip Kurti………….. Arilë (Arpicë)
Meçe Vehipi………… Arilë (Arpicë)
Ismail Fejzo…………… Arilë (Arpicë)
Sulejman Mane……….Arilë (Arpicë)
Lut Shuaipi……………….Arilë(Arpicë)
Fuat Meleqi………………Arilë(Arpicë)
Rexhep Aliu………………Arilë(Arpicë)
Damin Nuhu……………Vrohona
Avdulla Kasimi………….Margëlliç
Galip Myrto……………….Volë
Midis pjesmarrësve ishte edhe im atë Qamil Cano, nga Arpica. Thuajse të gjithë këta pjesmarrës të këtij akti atdhetar kanë banuar në Vlorë dhe mbi 80% të tyre i kam njohur personalisht. Nderim dhe respekt për këta çam patriotë.
Për këtë shkrim ,të dhënat janë marë nga dokumenta të publikuara nga Shoqata “Çamëria”, nga libri i z. Bujar Shurdhit “Komb Shqiptaria – Nga Kosova te Çamëria” dhe nga një bllok shënimesh të z. Xhevdet Malaj)

Filed Under: Histori Tagged With: 12 Mars 1942 – Ngritja e Flamurit, Kuq e Zi në, Pargë - Çamëri

POETI I KENGES SE PAKENDUAR

February 5, 2016 by dgreca

NE FOTO: NAMIK MEHQEMEJA/
Nga Agim Xh. Dëshnica-Boston, MA /
Pak fjalë për jetën e pafat e veprën e paharruar./
Jeta për habi herë pas here, merr rrjedhatë papritura e pamje të pabesueshme,ashtu siç ndodhi në motin e përgjakshëm1944, kurintelektuali e atdhetari demokrat,IzetMehqemeja,nga fisi iMehqemeve, i dëgjuar në historinë e Beratit,humbi jetën në njëkamp nazist, ndërsa më nëntë dhjetor 1945, diktatura komuniste shqiptare pushkatoi,të birin 22 vjeçar,Namik, luftëtarin e bashkimit kombëtar epoetin e lirisë, i njohur në shtypin e kohës me anonimin Nako.Nësepushtuesi i huaj vret, do të thotë se atdheu ka mbrojtësit e vet. Kur shqiptari vret shqiptarin kombi ka probleme me vetveten, ndaj dhimbja është më e mprehtëdhe e zgjatur nëkohë.
Namik Mehqemeja, u lind në Berat,ne vitin 1923,kur zhvillimi i vendit, tashmë i pavarur, po ecte vrullshëm drejt përparimit demokratik me kahje perëndimore në fushat e ndryshme të jetës politike, ekonomike e kulturore. Mësimet e para dhe Qytetësen i kreu në Berat, ndërsa të mesmen në Shkollën tregtare të Vlorës. Lufta dhe pushtimi Italian e bën te pamundur vazhdimin e studimeve të larta.Gjatë e pas mbarimit të mësimeve e studimeve jashtëshkollore, falëdhuntisë e shpirtitromantik rinor, krijoi e botoi poezi e prozë, në organet shtypit të kohës. Në shkrimete veta plot frymëzim, vihet re ndikimi i letërsisë së viteve 30-të, sidomos i Migjenit. Sipas atyre që e kanë njohur nga afër, ai qe një djalë i hijshëm, me ato sytë e kaltër e flokët e verdha që ia merrte era, ikursyer në fjalë, i thellë në mendime, shpesh ëndërronjës e fisnikme shpirt të ndjeshëm djaloshar. Nako qysh në hapat e para u shqua midis krijuesve të kohës. Poezitë e tij ishin fryt i një fantazie e gjuhe të pasur gjatë orëve të krijimit nën dritën e kandilit, apo soditjes së natyrës së bukur shqiptare, sidomos Beratit. Burime meditimi për të ishin njeriu i dashur, nëna, babai, motrat, shokët atdheu, qyteti, mali, dëbora, vjeshta, muzgu, mbrëmja pranverore,lumi, deti etj. Vlerat e veprës së tij dhe ngritjen në një nivel më lartë, në të ardhmen i pat vënë re prej kohësh dijetari e poeti Vexhi Buharaja,por fati i mbrapsht i rrëmbeu gjithçka, jetën, rininë, shkollën e lartë për në Vienë dhe krijimtarinë aq të bukur. Autorë më të pëlqyer për të ishin Sami e Naim Frashëri, Konica, Fishta, Noli, Migjeni, Tagora. Dostojevski, Petëfi,Niçe, Hegeli etj.
Në qytetin e Vlorë nisi jetën e luftëtarit të lirisë, i rreshtuar në çetat partizane. Në një përpjekje të armatosur me forcat ushtarake italiane u arrestua dhe pas burgut doli sërish në mal.
Viti 1945, i ngjashëm me një turfullimë tmerresh, do të mbahet mend për gjyqet e egra, ku humbën jetën, apo u burgosen pa faj atdhetarë të shumtë, për mendimet ndryshe. Shumë prej tyre vendosën të mos largoheshin, të bindur, se i kishin shërbyer atdheut në rrezik, një ndër ta, edhe Namik Mehqemeja, i cililuftoi kundër pushtuesve deri në fund. Mirëpo pas mosmarrëveshjeve e zhgënjimeve gjatë luftës, për çeshtje të rëndësishme kombëtare, pati një parandjenjë të keqe.Sipas këshillave të nënës, u vendos në fshatin Lapardha, në shtëpinë e një të afërmi. Atje, pas medyshjeve të lodhëshme, vendosi të merrte udhën e shpëtimit jashtë atdheut. Por, i kallxuar nga dikush, u kap nga forcat e ndjekjes në strehën, ku fshihej. Me akuza të sajuara, ai u dënua me vdekje nga gjykata ushtarake në Berat.Vendimi ndaj poetit të ri u prit me zemërim nga qytetarët. Ai dënim nuk qe vetëm krim, por, edhe një akt barbar i panjohur deri atëhere nga drejtësia shqiptare. E megjithatë e pushkatuan pa mëshirë së bashku me shokun e vet, Resul Tozhari, natën, diku në një ullishte pranë Uznovës.
Nga letrat e burgut veçojmë, kujtimin e fundit, shkruar pas një fotografie të burgut: “Nënës sime të dashur që i shkaktova kaq dhembje e dëshpërim.” dhe letrën:“Të dashura motra”: “E vetmja porosi që ju lë prej birucës është kjo: ruani vetëm nderin. Ruani nderin, në qoftë se doni të jini të denja për kujtimin e vëllait tuaj. Ruani nderin nëqoftëse nuk doni të lëndoni eshtrat e mia. Shoqëria që ju rrethon është e korruptuar. Prandaj ju them edhe njëherë: ruani nderin! Kjo është porosia ime e fundit. 15 nëntor 1945.“Në mbarim të fjalës së fundit në sallën e gjyqit pas vendimit, ai u shpreh: “Nuk kërkoj mëshirë, mëshira është arma e të dobëtit.”
Këto fatkeqësi njerëzore, nuk do të mbaronin me kaq, sepse në vijim do të vuanin në punë të rënda krahu, nëna dhe motrat, të cilat u larguan nga jeta para kohe, pa mundur të kuptonin, se përse i munduan aq padrejtësishtdhe pa ditur, se ku dergjeshin njerëzit e tyre të dashur.Edhe në ditët e sotmenë qytetin, ku u lind, pandeh sikur heshtja si hije përpiqet të mbulojë kujtimin e shenjtë të poetit liridashës.tokme atin e vet. Por në librin tronditës “Genocidi Gjysëmshekullor në Shqipëri”, botuar më 2010 nga Tomor Aliko, shihet ndermjet të tjerëve, edhe foto e Namikut, me shënimin përbri: “student,(A) “ -i vrarë.
Krijimet letrare të Nakos.
Shkrimet e botuara deri më 1944, të shpëtuara nga duart e shfarosëse në hetuesi, apo në biblioteka, tok me dorëshkrimet e fshehura e të pabotuara, panë dritën e botimit vetëm pas vitit 1990. Nga këto përmendim: në poezi: “Kënga e pakënduar”, “Kënga e re,” “Deti”, “Shpirti është lot”, “Muzg vjeshte” “Jeta”, “Mbrëmje pranverake” (në burg),”Ja. Nata bie”, “Kalorësi i Ri”, “Vallja e hijeve”, “Dëshirë”, “Do të vijë një ditë”, “Poetit”, etj. Në prozë: “Atit tim”, “Motrës sime”. “Kënga e detit”, “Dëbora”. “Loti im”,” Një vajze”,” “Ylli karvanit veton në të feksur”etj. Vijojnë disa pjesë dramash, përkthime, shkrime, fjalime të ndryshme dhe letra nga burgu. Kanë humbur ose janë zhdukur poezitë “Trimi”, “I kujtoj të gjitha”, “Shqiponjat fluturojnë lart”; novela “Mbas malit”; romanet “Çerdhja u prish”, “Hije e dritë”; “Ditari i burgut dhe esseja “Në vendin e zambakëve të bardhë”.Keto panë dritën e botimit vetëm në kohën e demokracisë, në gazeta të ndryshme dhe në vëllimin “Shpirti është lot” 1994. Së fundi, shkrimet e tjera u përfshin në vëllimin “Dy jetë, një poezi”-Berat 2003, e në librin “Poetë beratas në shekuj”-Berat-2011, përgatitur e botuar nga shkrimtari e publicisti i njohur Agim Mehqemeja.
Në mbyllje të këtij shkrimi të dhimbshëm dokumentar japim disa nga poezitë e tij e nje pjesë nga proza.

JA! NATA BIE

Ja! Nata bie mbi dhet,
po zbret ngadalë, rrëshket.
Ja! Nata bie mbi qytet
dhe hyn në dhomën time e qetë

Rreze hëne hyjnë prej dritaresh
zbehin dhomën time të shkretë
por në shpirtin tim mbuluar nga retë
nuk hyn asnjë rreze prej zjarresh…

SHPIRTI ESHTE LOT

Një lot i vetëm shpirti im,
një lot më tepër në vajtim
që avullohet si të tjerët
pa lënë më pas asnjë kujtim
në sytë e mi e në të tjerët.

KENGA E PAKENDUAR

Ndiej një këngë në zemrën time
kam një këngë të pakënduar ,
kam një këngë të harruar,
m’u në fund të zemrës sime.

Dhe kjo këngë e pakënduar
shpirtin tim ma thërmon,
zemrën thellë ma dërmon
dhe ma le të ngashëruar.

Deh! buçit. o kënga ime,
mos më mbaj si skllav të lidhur
mos venit shpirtin e hidhur
Deh! buçit në vargje rime.

VALLJA E HIJEVE

Në një natë të errët vjeshte
rrija në dhomën time.
Një kandil me pak ndriçime
ndrinte mbi fytyrën time

Rrija vetëm si i shkretë
befas një erë e lehtë
fryn kandilin e zbehtë.

Ja! kandili që po shuhet,
flakë e tij po venitet…
Ja! një hije tek po ngjitet
Ja! .një tjetër që po ngrihet
Ja! Ja! një nga një po dalin
hijet e dhomës sime.
Ja! një valle tek po marrin
rreth e qark tryezës sime

Ja! hijet po ikin një nga një.
Dhe kandili mbi tryezë
lëshon flakë e perhap rreze..

MBREMJE PRANVERORE
Ne burg.

Eshtë mbrëmje pranverake,
mbrëmje hijesh errësuar,
nëpër gjeth një afsh i përmallshëm
bie skena të kujtimit
dhe në shpirt një dhembje thellë
më pushton prej përmallimit…
Eshtë mbrëmje prandverake…
mbrëmje hijesh errësuar.

Rreze drite kuqërruara
bien përmbi maja malesh
e më duken si vigana
derdhin hije fshehtësie
dhe pastaj në botë të ëndrrës
zhyten thell’ prej lumturie
dhe harroj hekrat e burgut,
harrojbotën mbushur hallesh.

Dhe në mbrëmjen pranverake
dhëmbja ime thellë shtohet
edhe shtohet dalngadalë,
kur një yll ndizet në qiell.
edhe ndez një mall të thellë
përvëlon në shpirtin tim
…dhe më shkrin në hapësirën
që prej dritash po mbuloohet.
1942

Pjesë nga proza:

TABLO VJESHTE
Vjeshtë në natyrë
dhe vjeshtë në fytyrat tona
Migjeni
Natyra është e kthjelltë dhe e qetë. Eshtë natyrë vjeshte. E kthjelltë si lot i nxehtë i një të riu. E qetë si një shkretëtirë pa oas. Rrezet rrjedhin nga burimi i tyre, të qeshura si ujët, që gurgullon në gushën e një vashe. Një trëndafil i vonuar ka çelur në kopësht. Një trëndafil me ngjyra të kuqe si të gjakut. Por është trëndafil vjeshte. Edhe sytë e të riut ndriçojnë me një dritë të çuditshme. Edhe ato janë pasqyrë vjeshte.
Botuar në “Revistën Letrare”, 5 Tiranë. 15 prill 1944.
———————-
DIELLI PO GROPOSET
NGA PERENDIMI

Dielli po groposet nga perëndimi dhe hijet e mbrëmjes po zgjaten nga lindja.
. Ja! Hija e fundit ngjtet mbi majat si një alpin i lodhur.
Fryma e natës ledhaton gjethet e njoma të pemëve dhe muret e shtëpive dhe qielli mbyllët stoliset me temina të bardha.
Edhe harabeli përpoqi krahët për herë të fundit dhe pushoi mbi degët e mënit.
Po ti pse zbehe kur më sheh mua dhe pse përpjek portën?
Mos ke frikë nga dashuria, moj mikja ime?
…Ah, sikur të ruaja tek kryet, kur përgjume duke mbajtur në buzë gërshetin tend të bukur!
—————–

Poezi kushtuar poetit martir,

POETIT TE KENGES
SE PAKENDUAR
Nga Agim Xh. DëSHNICA
Me rrezet e fundme
njëvijë eshdritur-ar,
ra, u hap e u shtri,
në kreshtë mbiShpirag,
e befas u fik.

Afër lumit nën ulli
krisma, hije, dhimbje-gjak.
A fle lumi?
A ndien lumi, a sheh lumi?

Hesht mbi shkëmb qyteti i bardhë
pas dritaresh, rradhë mbi rradhë ,
me përralla e legjenda
brendaportave të rënda.

Afër lumit nën ulli, hijeve,
u shua poeti i bukurive,
në zemra ipaharruar.
U vra kënga e pakënduar
për fllad e det,
për lule e fletë,
vjeshtën e borën dimërore,
mbrëmjen pranverore,
në kohë zgjimi
e çast frymëzimi
nën flakën e kandilit
me trillet e bylbylit.

Hesht qyteti, prehet nën yje,
në orën e krimit nën hije.
Por ja! Jehona çan në suferimë.
Qajnë valët nën urë flijimesh,
qajnë poetin e dashurisë
poetin e hijshëm të lirisë.

Hëna ngriu mbi Kala,
feks dritare e baxha,
në gjumë trondit qytetin,
nën ulli e zgjoi poetin.

Nako, Nako. Emri i tij rinor
ikën tutje lumit në Tomor.
jeton me kumtin e besimit,
për ditën e ngadhnjimit.

E ndjek në çaste muzg vjeshte,
shpirtin lot, tek ngrihet lart në heshtje
e humbet tej malesh e pyjesh,
por befas shdrin si yll mes yjesh.
——–
Në fund, mund të thuhet, se ky shkrim, sado shkurt,me ngjarjet, faktet e vargjet, dëshmon për të vërtetën në kundërshtim me çdo esse-fantazi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Xh Deshnica, NDUAR, POETI I KENGES SE PAKENamik Meqemeja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT