• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

“BAJRAM CURR, O BAJRAM CURR, EMRI YT S’ HARROHET KURRË!…”

March 29, 2016 by dgreca

Nderim, në përvjetorin e vrasjes/

Nga: Prof. MURAT GECAJ/

1.Sado vite që të kalojnë, brez pas brezi, do të nderohet e kujtohet biri i paharruar i Kosovës dhe i mbarë Shqipërisë, “Heroi i Popullit” Bajram Curri. Sepse, ashtu si shumë atdhetarë e luftëtarë tjerë tanë trima, jetën e shkriu për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e mbarë trojeve tona amtare.

Lindi në një karrocë, në vitin 1862,  në fshatin Krushtë e Madhe të Kosovës, gjatë rrugës për në qytetin e Prizrenit. Pushtuesit osmanë po i internonin familjen, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), si hakmarrje ndaj qendresës antiosmane të babait të tij, Shaqir Currit. Erdhi në jetë “i burgosur”, por kurrë burgun nuk e pa me sy as e lidhi do kush ndonjëherë, veç nëna në djep edhe pse armiqtë tërë jetën e ndoqën kamba-këmbës. Se ishte trim e trimëri merrte përherë nga populli ynë, për të cilin nuk kurseu asgjë, as jetën e tij.

Rasti e ka sjellë që, gjatë jetës, jam njohur nga afër me bashkëshorten e tij, kreshniken Dervishe ose “Ajkunën”, siç e quante vetë Bajram Curri. Por kam njohur nga afër dhe bijat e tij, nënë Feriden, në Tiranë  e nënë Hajrinë dhe mbesat, Valdetin e Mimozën, në Shkodër. Kur shkoja për ndonjë arsye shërbimi në këtë qytet të lashtë, gjeja kohë e kthehesha në banesën e tyre mikpritëse. Deri para disa viteve, kur u nda nga kjo jetë, aty jetonte e moshuar dhe nënë Hajria. Sigurisht, temë e bisedave tona ishte dhe babai i saj, “Heroi i  Popullit” Bajram Curri.

Në vijim të këtyre lidhjeve, jemi takuar në Tiranë ose më ka marrë në telefon, nga Shkodra edhe mbesa e B.Currit, Mimoza Kraja. Ajo kishte një merak dhe amanet të nënë Hajrisë: “Mos e harroni asnjëherë gjyshin tuaj dhe kujtojeni me nderim çdo përvjetor të rënies së tij”.

Siç tregonin bashkëkohësit, që  në rininë e tij, Bajram Curri, i cili e kishte prejardhjen nga fshati Curraj i Epërm i Nikaj-Mërturit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), u dallua për zgjuarësi dhe gjallëri. Bashkëmoshatarët dhe ata, që e njohën nga afër, tregonin se qyshë 10-12 vjeç i pëlqente të stërvitej me kalë dhe të godiste shenjën me gurë e më vonë me armë. I edukuar me ndjenjat atdhetare në gjirin e familjes, urrejtja për pushtuesit dhe çdo lloj armiku, iu kthye në nevojë jetësore.

Megjithëse provoi disa fatkeqësi familjare, Bajrami nuk e dha veten. Përkundrazi, gjeti forca për të punuar e luftuar më shumë për Atdheun. Nënë Feride Bajram Curri më tregonte: “Babës i vdiqën dy vëllezër, djem e vajza, por nuk u ligështua. Përkundrazi, u jepte forcë e zemër njerëzve, kur kishin halle. Më shumë kujdesej për të tjerët, se sa për vete. Baba ka patur muhabet të mirë, të shtruar dhe kurrë nuk rrinte pa shokë e dashamirë. Asnjeherë nuk ishte me nerva të ngritura në jetën familjare e shoqërore dhe nuk dëshironte t’i dëgjonte të tjerët të bënin shamatë. Ishte shakaxhi dhe i pëlqenin kënga e muzika popullore. Zërin e kishte të bukur, melodioz; mendjen të hollë dhe ishte shumë zemërgjerë”.

Siç dihet, Bajram Curri nuk pati shkollë, por ishte mjaft i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Me kujdesin e tij, u çelën shkolla shqipe në: Gjakovë (më 1915), në Malësinë e Gjakovës dhe në Has e Lumë etj., në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Me dhjetëra djem kosovarë i dërgoi për të vazhduar mësimet në Shkup, Kolgecaj e Krumë, në Tiranë dhe Elbasan. Duke vlerësuar lart ndihmesën e tij në këtë fushë, në Kongresin e Arsimtarëve të Tiranës (më 1924), atë e zgjodhën kryetar nderi etj. Siç e fikësuan studentët shqiptarë në një fotografi, tashmë të njohur, Bacë Bajrami pati si moto të jetës së tij: “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

3.Qyshë në rini, Bajram Curri doli në ballë të qendresës popullore kundër pushtuesve otomanë. Në Malësinë e Gjakovës ai mblodhi rreth vetes një çetë me luftëtarë të vendosur dhe u ndesh me ushtrinë e Mustafa pashës, duke i penguar që ta nënshtronin atë krahinë liridashëse dhe të mblidhnin rekrutë e taksa të shumta. Kjo veprimtari i shqetësoi pushtuesit, prandaj u përpoqën që ta afronin atë me mënyra të ndryshme e duke i bërë lajka. Por atdhetari i madh nuk e ndërroi asnjeherë mendjen, pra qendroi i vendosur në luftën e tij të drejtë.

Kryengritjet e mëdha antisomane të viteve 1910-1912 ngritën peshë zemrat e qindra e mijëra luftëtarëve, në Kosovë e kudo në Shqipëri. Veçanërisht, është e njohur veprimtaria e Bajram Currit gjatë kësaj periudhe, në krye të forcave kryengritëse të krahinave veriore, si Gash, Krasniqe, Bytyç, Nikaj-Mërtur, Shalë etj. Një qendresë e pashoqe malësorët u bënë pushtuesve në Qafën e Morinës dhe në prita të tjera, kur sulmoi ushtria e gjaneralit gjakatar Durgut Pasha. Ndërsa në Qafën e Prushit (ku të parët tanë farkëtonin armët kundër pushtuesve,-siç pohonte Akademiku Eqrem Çabej) armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Bacë Bajrami i udhëhoqi me guxim luftimet për mbrojtjen e trojeve shqiptare edhe kundër pushtuesve serbo-malazezë. Veprimtaria e tij luftarake u bë e njohur kudo, ku flitej shqipja, por dhe ndërmjet armiqëve. Janë mjaft domethënesë fjalët e B. Currit, sipas bashkëluftëtarit të tij, atdhetarit Hasan Prishtina: “Asht nji detyrë e shenjtë për me luftue kundra çdo anmiku dhe mos me pasë aspak pushkë. Lufta na u ka ba detyrë. Pra, duhet t’u dalim zot të drejtave tona dhe të shpëtojmëë prej robnisë”. Synim të jetës së vet, B.Curri kishte dhe edukimin e brezit të ri me virtytet më të larta të shqiptarizmit. Kështu, bashkëkohësit tregojnë se u drejtohej kështu të rinjëve: “Merrni vesh, djemtë e mij: -Kur një djalë shqiptar nuk ka besë e nder, kur nuk e do vatanin e vet dhe nuk vdes për të, ai nuk është shqiptar, ai është më e fundit vrimë e kavallit (fyellit)”.

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Bajram Curri e priti me gëzim të madh. Por përsëri nuk e rreshti luftën  e tij të vendosur kundër armiqëve, ndaj synimeve të serbomëdhenjve dhe të shteteve të tjera shoviniste fqinje. Mbështeti fuqimisht qeverinë e Ismail Qemalit, në Vlorë dhe më pas atë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, e cila e emëroi Ministër Paportofol dhe komandant të Forcave Kombëtare. Duke e përshëndetur këtë gjë, përfaqësues të popullit i shkruanin ato ditë:” E gjendmja e një burri me shpirt të thjeshtë, kombëtar, na jep një shpresë të madhe për Shqipërinë”. Ndërsa në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri luajti rol vendimtar. Ai udhëhoqi afër 2.000 forca kryengritëse, të cilët hynë me fitore në Tiranë.

Por edhe pas dështimit të këtij Revolucioni, B.Curri e vazhdoi qendresën e vendosur në malet e Veriut të Shqipërisë, në mbrojtje të idealeve demokratike. Atje gjeti strehë të sigurtë dhe përkrahje të gjithanshme nga malësorët trima e liridashës. Kudo la mbresa të pashlyera dhe te secili gjeti besnikë për kokë. Prandaj nuk është e rastit që, sa e sa familje atdhetare e bujare  në Malësinë e Gjakovës, Dukagjin, Has, Lumë, Pukë, Dibër a gjetiu, e kujtojnë atë  edhe sot e kësaj dite si mik e bashkëluftëtar të paharruar të shtëpive të tyre. Janë të njohura familjet në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) e më gjerë, ku ai u strehua e gjeti mbështetje të fortë, si te Sali Mani i Bujanit, Shend Balia i Margegajve, Dulë Alia i Dragobisë, Gjonajt e Geghysenit, Qarrët e Hasit etj.

Në vitet ’60-të e ’70-të të shekullit të kaluar, babai im më tregonte për “kreshnikun Curr”: “Bajrami ishte burrë i pashëm, trupmadh, si lisi me rrema. Ta fitonte zemrën me thjeshtësi, urtësi e dashuri. Fliste me cilindo, bile edhe me fëmijët e gratë e moshuara. Ta dinte nderën e ishte mikpritës. Këtë gjë e kam provuar tek ai edhe vetë unë…”.

Armiqtë e gjurmonin ta kapnin të gjallë atë, por nuk ia arritën dot qëllimit. Mjaft shtëpi malësorësh u bastisën, në atë dimër të egër të fillim-vitit 1925. Por nuk treguan asgjë për vendndodhjen e tij. Sapo përmendim këto fjalë, menjëherë na bien ndërmend vargjet-lapidar të një elegjie të njohur: “Thon’ u shtri e thonë u vra,/ po ti s’ vdiqe, or Baba,/ as te Shkëmb’ i Dragobisë,/ as te zemër’ e djalërisë…”. I  shkroi me dhimbje e pasion Fan Noli, në përkujtim të “tribunit të vegjëlisë”, B.Curri.

Po si kishte ndodhur ajo epope legjendare? Siç thamë, armiqtë e ndiqnin Bajram Currin. Ai gjeti strehë në Alpet e Shqipërisë, bashkë me luftëtarët e vetë besnikë. Shpella e Dragobisë u bë istikam i sigurtë për të, deri sa e rrethuan nga të gjitha anët. Atëherë, ai gjeti një shteg kalimi e u nis drejt një vatre mikpritëse të atij fshati. Por, papritmas, u ndesh në forcat armike. Ata qëllonin, por nuk donin ta vrisnin. Se kryeministri serb Pashiq,”hajni”, në bashkëpunim me tradhtarët vendës, kishin venë shuma të mëdha, 10 mijë franga ari, si shpërblim për atë, që do ta kapte të gjallë Kryetrimin. Lufta u bë e ashpër ndërmjet Bajram Currit, me pak veta dhe kundërshtarëve, që shkonin në front luftimi.

Ishte 29 marsi i vitit 1925. Fillim pranëvere. Bjeshkët kreshnike gjëmuan nga armët e paulura të “Dragoit të Dragobisë”. Por zogjtë e malit përhapën lajmin tragjik, “ma të idhtë se zana”, se, më në fund, kishte rënë “lisi me rrema”. Ushtimën e tij e përhapën me dhimbje të pazakontë valët e Valbonës ujëkaltër dhe Alpet e mbuluara me borë të përhershme. Ndërsa rapsodi popullor e përjetësoi atë, me vargje të dhimbshme e kranare: “Bajram Curr, o Bajram Curr,/ emri yt s’ harrohet kurrë!/Të kujton gjithnjë Shqipëria,/ s’të harron përjetë Kosova…”. Shumë epitete e fjalë nderimi e vlerësimi i kanë bërë Bacë Bajramit, duke e quajtur: “Fatosi i lirisë së Shqipërisë”, “Dragoi i Dragobisë”, “Babai i vegjëlisë”, “Shqiponja e maleve shqiptare” etj. Emri i tij është përjetësuar në shumë shkolla e rrugë, në Shqipëri e në Kosovë dhe në qytetin alpin “Bajram Curri”.

Trupi vigan i Bajram Currit u mbulua me flamurin e lavdisë shqiptare; ai u kthye në simbol lirie e në Përmendore të bardhë, e cila përherë i fton brezat për atdhetarizëm, guxim e trimëri.

Tiranë, 29 mars 2016                      

Filed Under: ESSE Tagged With: “BAJRAM CURR, EMRI YT S’, HARROHET KURRË!...”, Murat Gecaj, O BAJRAM CURR

Shqipëri-Kosovë, treg të përbashkët të energjisë elektrike

March 29, 2016 by dgreca

-Ministrat Gjiknuri e Stavileci, nesër në Tiranë, nënshkruajnë Deklaratën e përbashkët/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Mars 2016/ Shqipëria dhe Kosova do nënshkruajnë nesër Deklaratën e përbashkët që rrjedh nga takimi i fundit i Komitetit Drejtues për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike.Deklaratën e nënshkruajnë, në ora 10:00, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë ministri shqiptar Damian Gjiknuri dhe ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili udhëton drejt Tiranës.“Deklarata e përbashkët është rezultat i punës së Komitetit Drejtues, ku diskutohen zhvillimet e fundit në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët të energjisë”, thekson Ministria kosovare.Në 18 mars 2016, qeveria kosovare ka miratuar vendimin për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës dhënien e autorizimit ministrit të Zhvillimit Ekonomik për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për shkëmbimin dhe\ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST Sh.A. dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut – KOSST Sh. A.

“Marrëveshja synon t’i kontribuojë stabilizimit rajonal të tregut të energjisë elektrike”, u theksua në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, e cila, më parë, në 2 mars, shqyrtoi dhe miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes. “Me Shqipërinë ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të shkëlqyer sa i përket edhe infrastrukturës së energjisë elektrike”, ka vlerësuar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në 1 mars në Forumin e Nivelit të Lartë me temë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe mbështetur nga USAID-i.

“Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë nga burime të ndryshme të energjisë, dhe konsiderojmë se ky do të ishte një rezultat edhe një punë shumë e efektshme për neve në të ardhshmen”, është shprehur Mustafa.Në forum morën pjesë përfaqësuesit institucionalë të Kosovës, Shqipërisë dhe të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të industrisë, organizatave joqeveritare, akademisë, biznesit dhe mediave.

Pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë. “Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundime të Forumit të Nivelit të Lartë.

Në dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autrstradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues. Në pjesën e Shqipërisë punimet përfundojnë këtë vit dhe bëhet inaugurimi i plotë.

Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Foto:  17 dhjetor 2015: Kosova inauguroi “autostradën” energjetike drejt Shqipërisë

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Shqiperi Kosove, të energjisë elektrike, treg të përbashkët

Çamët u dërguan në kampet e shfarosjes bashkë me hebrenjtë e Epirit

March 29, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Gjatë dërgimit nëpër kampet e shfarosjes të 1.725 hebrenjve të Epirit në mëngjesin 25 marsit 1944, kur trupat gjermane me ndihmën edhe të trupave të xhandarmërisë greke, batalioneve të Sigurimit grek të komanduar drejt e nga kryeministri kuisling, Joani Ralli u hipën me forcë nëpër kamionët e vdekjes dhe disa familje shqiptare nga Çamëria. Njëri nga këta ishte Nuri Zane nga Filati, i cili u dërgua bashkë me hebrenjtë e Janinës në fillim në kampin e Mat’hausen të Austrisë dhe më tej në Dakao të Gjermanisë.

Hyqmet Zane, djali i Nuriut thotë: “Babai im ishte njëri nga ata shumë çamë që u internuan në kampet e internimit si në Itali dhe në Gjermani. Por shumë çamë të tjerë u internuan ashtu si im atë si Hajri Fetahu, Osman Zenel Taka, Mezan Jonuzi, e plot të tjerë”.

Nuri Emin Zane pas lirimit nga kampet gjermane bashkë me çamë të tjerë u nisën për në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1945, por atje do i priste një tragjedi edhe më e madhe, masakrimi dhe përzënia e të afërmve nga shtëpitë e tyre, këtë herë jo nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre grekë, por nga ushtria greke EDES e komanduar nga Napoleon Zerva dhe Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos.

Pas zbritjes në Athinë nga Gjermani, Nuri Emin Zane u kërkoi ushtarakëve grekë që ta dërgonin në Filat, por një ushtarak i lartë i kishte thënë se do ia priste këmbët me shpatë nëse kërkote të shkonte në Çamëri. Kështu, Nuri Zane përfundoi jo në shtëpinë e tij në Filat, por në kampet e refugjatëve në Gjirokastër. Pas disa viteve Nuri Emin Zane më 1964 dënohet me 6 vjet burg fill pas ekzekutimit të grupit armiqësor të çamëve të Teme dhe Taho Sejko, Tahir e Shaban Demit,  më 1961.

Nuri Emin Zane nga Filati i Çamërisë gjatë jetës së tij njohu tre persekutime, atë të nazistëve gjermanë që e internuan nëpër kampet e shfarosjes si antifashist, genocidin grek me akuzën si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe burgosjen nga sistemi komunist i Shqipërisë si armik i shtetit.

Historia e Nuri Zanes është vetëm një copëz e historisë tragjike të shqiptarëve të Çamërisë, të cilët prej dhjetëra vitesh duruan mbi kurrizin e tyre vuajtjet, masakrimet, burgosjet si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri.

Historia tragjike e shqiptarëve të Çamërisë lidhet ngushtë me historinë tragjike të hebrenjve të Epirit, të cilët këto dy komunitete tashmë u janë sekuestruar nga shtetit grek pasuritë, nuk u njihet e drejta e rikthimit të shtetësisë së tyre greke. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Greqia doli e fituar, sepse bëri spastrimet etnike duke përzënë me dhunë minoritetet shqiptare, hebre, bullgare dhe sllave.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Camet, hebrenjtë e Epirit, kampet e shfarosjes

Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!

March 29, 2016 by dgreca

Refleksion/

Nga Reshat   Kripa/

Ulur këtu në qoshen time rri dhe meditoj. Meditoj për jetën time. Meditoj për të kaluarën dhe të ardhmen time dhe çuditërisht nuk, shoh ndonjë diferencë të madhe ndërmjet tyre. Para syve më del e kaluara ime që rrjedh nga një familje që gjatë luftës për liri më shumë ishte rreshtuar me atë që quhej Lëvizja Nacionalçlirimtare se sa çdo lëvizje tjetër e asaj kohe. Kështu dy motrat e mia Drita Kripa, që më vonë do të merrte mbiemrin Pelingu dhe Fatushe Kripa vepronin me njësitet guerile të Frontit Nacionalçlirimtar duke shpërndarë trakte kundër pushtuesve në kryeqytet. Dy djemtë e hallës, Bardhyl dhe Petrit Emiri ishin në rradhët e partizanëve. Po ashtu tezja ime Zyhra Radhima ishte themeluese e organizatës së gruas komuniste në Vlorë dhe dy kushurinjtë e nënës time ishin Shyqyri Alimerko, Hero i Popullit dhe Sinan Gjoni, themelues i Partisë Komuniste për Vlorën që në vitin 1946 u ekzekutua nga diktatori.

I vetmi ndryshim që mund ta quajmë të tillë, ishte se im atë ishte një tregëtar i ndershëm që me djersën e ballit kishte mundur të ndërtonte një fabrikë vaji me të cilën mbante familjen. Kështu që erdhi dita dhe të gjitha kontributet e dhëna në favor të  lëvizjes komuniste të fshiheshin me zero dhe familja e jonë të etiketohej me termin “borgjez” dhe në mënyrë ta pakuptueshme të dëbohej nga Tirana për “arsye politike” dhe të degdiseshim në qytetin tonë të lindjes, në Vlorë, ku filluan të na trajtonin si armiq. Përse erdhi kjo? Edhe sot e kësaj dite unë nuk di t’i jap përgjigje.

Një gjë e tillë bëri që im vëlla, Besnik Kripa në moshën 17 vjeçare, në vitin 1950, së bashku me dy shokë të tij, të ngrihesh kundër të ashtuquajturit pushtet popullor dhe të shpërndante trakte antikomuniste. Një vit më vonë edhe unë, së bashku me dy shokë të mi, të moshës 15 vjeçare, të zhvillonim të njejtin veprim. Pasojat ishin Besniku i dënuar me 15 vjet burg, ndërsa unë me 5 vjet. Qysh nga ai çast unë e kisha hedhur poshtë gjithçka kishin bërë pjestarët e familjes time në favor te regjimit, pasi e konsideroja si një veprim të pamatur dhe aspak të drejtë. Ndaj u shpalla kundër tij.

Atëherë, në këto kushte, ndodhi përmbysja e madhe. Gjatë periudhës së burgut mësova se historia nuk ishte ashtu siç ma kishin mësuar por krejt ndryshe. Mësova se kishte edhe një histori tjetër, të kundërt me të parën, që më intrigonte së tepërmi pasi, në këtë histori shikoja Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë e madhe ku përfshiheshin Kosova dhe Çamëria si dhe të gjitha viset ku flitej shqip dhe kjo ndjenjë kombëtare u ngulit në zemrën time për të mos u shkulur kurrë.

Vitet kaluan dhe, së fundi, kuçedra e kuqe që kishte zaptuar vendin, e theu qafën. Prisja që të zbatoheshin parimet që më kishin mësuar ata burra me të cilët kalova vitet e tmerrshme të sistemit totalitar.  Prisja që në skenën politike shqiptare të dilnin edhe ato figura të ndritura të historisë shqiptare që sistemi totalitar i kishte lënë qëllimisht në hije. Por vura re se kjo nuk ndodhi. Në tastjerën e politikës shqiptare filluan të lartësoheshin po ato figura që ishin nderuar dhe mbinderuar në të kaluarën.  Edhe kur bëhej fjalë për ndonjë figurë të re, që nuk ishte përmendur deri atëherë, flitej me zë të ultë që as nuk dëgjohej.

Një miku im, shkrimtar dhe poet që, si unë,  vetëm pas ndryshimeve demokratike ka filluar të shkruajë, ka botuar edhe disa shkrime kushtuar personave të ndaluar nga sistemi i kaluar duke i vlerësuar ata. Një ditë, duke biseduar me të, kur i thashë se përse nuk shkruan edhe për figurën e njerit nga liderët e nacionalizmit shqiptar, të madhit Mit-hat Frashëri, tha:

  • Unë mund të shkruaj për këdo por për Mit-hat Frashërin jo.

Mbeta   i   habitur.  Përse? Nuk  e  pyeta   më   gjatë.  Kjo  është  një  e  drejtë  e  tij.  Por  të  mos

shkruash për një personalitet që ka lënë gjurmë në historinë e këtyij kombi, si Kongresi i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, Konferenca e Paqes në Paris e të tjera dhe të përqëndrohesh në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ku figura e tij mbeti, si gjthmonë, e papërlyer por që u nxi nga propaganda komuniste, nuk më duket normale. Më gjeni një dokument ku përlyhet figura e tij dhe unë do t’ju jap të drejtë. Unë do t’ju thoja se, në rast se figura e tij paskësh qenë e përlyer me pushtuesit, atëherë si u pranua dhe u ulën me të në tavolinë komunistët në Konferencën e Mukjes?

Të nderuar qytetarë të Shqipërisë! Përpara se të shfaqni mendim për periudhën e Luftës  së  Dytë

Botërore, ktheheni veten në ato vite dhe gjykoni sikur të jeni ende në atë kohë. Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria ishte kthyer në kufijtë  e  saj  natyralë. Kush  e  ktheu  në  këto kufij? Nuk ka rëndësi. Mjafton që u kthye. Atëherë ata burra të rrallë a nuk do ta  quanin  këtë  vënien  në  vend  të  një

padrejtësie që komuniteti ndërkombëtar i kishte bërë Shqipërisë në Konferencën e Londrës? Por ishte tradhëtia e drejtuesve të lëvizjes komuniste që dërguan në Kosovë batalionet partizane për t’ia dorëzuar atë vullnetarisht autoriteteve serbe dhe nuk mjaftoi kjo, por duhej derdhur edhe gjaku i mbi 4000 kosovarëve dhe shqiptarëve në masakrën e Tivarit që të realizohej kjo dëshirë makabre a atyre që nuk kishin atdhe. Për fatin e keq të këtij kombi shkaktarët e vërtetë të këtij holokausti do të ishin një figurë e urryer e elitës komunsite, ish komisar i forcave partizane në Kosovë, që për ironi do të bëhej Presidetnt i Republikës pas përmbysjes dhe një atentatori të paskrupull të njësiteve guerrile në Vlorë, që ishte emëruar komandant i këtyre forcave në Kosovën martire.

Këto gjëra meditoja me veten time. Meditoja sepse kohët e fundit ka shpërthyer një fushatë e shfrenuar e atyre që kërkojnë të rehabilitojnë sistemin e përmbysur. Qarkullon fjala “Shokë” e harruar pas viteve 90-të. Qarkullon portreti i diktatorit nën hundën e qeveritarëve. Qarkullojnë filmat e realizmit socialist ku çdo partizan ishte një hero dhe çdo ballist, legalist apo përfaqësues feje ishte një tradhëtar.  Duan ta rehabilitojnë por jo që ta kthejnë atë. Ky mund t’ju duket si një paradoks. Keni të drejtë por ai është realiteti i sotëm. Për ata çakenj sistemi sotëm është burimi i mbipasurimit të tyre. Sot nuk ka më ideale, nuk ka parime. Sot ka vetëm anarshistë dhe karrieristë që përpiqen për realizimin e parimeve obskurantiste të tyre dhe për këtë janë gati të bëjnë pakt edhe me djallin.Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!, refleksione, reshat kripa

Alarm për sigurinë në Uashington

March 28, 2016 by dgreca

…Një person që ka hapur zjarr është arrestuar dhe një prej oficerëve të policisë së Kongresit është plagosur lehtë/

Washington, 28 Mars 2016/ Polica ka bllokuar hyrje daljet nga ndërtesa e Kongresit dhe Shtëpia e Bardhë në Uashington, pas njoftimit se në qendrën e vizitorëve në Kongres, aty ku mblidhen turistët për të vizituar Kapitolin, janë dëgjuar të shtëna.

Njerëzit brenda në ndërtesa janë urdhëruar të qëndrojnë aty. Policia e Kongresit thotë se bllokimi i ndërtesës është bërë për shkak të një “kërcënimi ndaj sigurisë”.

Njoftime të ndryshme venë në dukje se një person që ka hapur zjarr është arrestuar dhe se një prej oficerëve të policisë së Kongresit është plagosur lehtë. Por njoftimet nuk janë konfirmuar.

Kongresi është pushim këto ditë për shkak të festës së Pashkëve, por kjo është një javë e ngarkuar me turistë të shumtë. Shumë vijnë në Uashington për të parë festivalin e njohur çeljes së luleve të qershive, që tani janë në lulëzim të plotë.

Në Shtëpinë e Bardhë nuk ka patur njoftime për ndonjë incident.

Filed Under: Featured Tagged With: Alarm, ne Uashington, për sigurinë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT