• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

FAMILJA JASHARI: ÇELNI SYTË, BASHKOHUNI!

March 6, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Kosova dhe mbarë kombi kujtuan me manifestime 18-vjetorin e fillimit të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të sakrificave të mijëra dëshmorëve të kombit, luftë e cila me ndihmën dhe me ndërhyrjen ushtarake të aleancës së NATO-s dhe miqve perëndimorë të shqiptarëve, çoi në çlirimin e trojeve dardane, duke dëbuar nga Kosova  forcat terroriste të ushtrisë dhe policisë serbe. Ka shumë për tu festuar, pasi  për 8 vjetë tani Kosova gëzon pavarësinë dhe është njohur mbi 100 shtete anë e mbanë botës.  Sido që ta merresh, kjo është një arritje historike dhe një fitore e lavdishme për kombin shqiptar.  Kjo luftë u ndërmor në një kohë kur popullit shqiptar të Kosovës po i rrezikohej vetë ekzistenca e tij në trojet e veta shekullore.  Lufta dhe diplomacia e Kosovës gjatë 30-viteve të fundit, lehtë mund të krahasohet me arritjet historike të kombit shqiptar, siç është Kuvendi i krerëve të të gjitha krahinave shqiptare nën udhëheqjen e  Gjergj Kastriotit Skendërbe në Lezhë të vitit 1444 dhe me Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, me në krye Abdyl Frashërin, u mblodhën aty në Prizren, në një çast historik për të shpëtuar tërësinë e tokave shqiptare.  Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës është një periudhë që ashtu si edhe dy datat e mësipërme të luftërave historike, përgjithmonë do të pasurojë historinë e Shqiptarëve.

Për nga rëndësia historike, çlirimi i Kosovës nuk ishte aspak më pak i rëndësishëm se dy ngjarjet e lavdishme të lartë përmendura të historisë shqiptare, i rëndësishëm sepse, ndonëse pas luftërash të gjata shekullore për liri e pavarësi, lufta dhe çlirimi i Kosovës — 18-vjetori i së cilës po festohet këtë fund jave — më në fund çoi në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  I tregoi botës se shqiptarët vetëm donin të udhëhiqnin veten, në liri dhe të pavarur në trojet e veta stërgjyshore, me qëllim për të qenë të bashkuar në një shtet të tyre.  I treguan botës se trojet shqiptare nuk ishin pa zot. Ishte një luftë dhe një qëndresë shekullore kundër pushtuesve sllavë për lirinë, për përparimin dhe për bashkimin e kombit shqiptar.  

Por, fatkeqsisht këto 25 vitet e fundit kanë treguar se nuk ka përparim as bashkim pa bashkimin e kokave të politikanëve.  Si rrjedhim, fatkeqësisht, ky përvjetor i kësaj epopeje po shënohet as në përparim as në bashkim e duhur, por në një atmosferë tepër të acaruar politike midis pozitës dhe opozitës dhe jo vetëm në nivele politike – një situatë kjo që sipas vrejtësve politikë të mbrendshëm dhe miqëve të jashtëm, është më e vështira ç’prej çlirimit të vendit.  Një aktualitet politik ky – i cili me grindjet dhe dhunën politike që mbartë, madje edhe në nivelet më të larta të  shtetit siç është parlamenti – ka krijuar një atmosferë, e cila nëqoftse vazhdon kështu, po e çon Kosovën drejtë një humnere me pasoja të pa parashikueshme, për veten dhe për rajonin.  Atmosfera aktuale politike e krijuar në mbarë trojet shqiptare në fillim të shekullit 21, që duhej të ishte qindvjetori i ri i Shqiptarëve është  këthyer me të vërtetë në një tragjedi mbarë-kombëtare. Për këtë situatë, përgjegjësinë kryesore e kanë vet shqiptarët, e sidomos klasa politike dhe partitë që i udhëheqin ata në këtë moment.

I vetdijshëm për gjëndjen aktuale të grindjeve dhe mosmarrveshjeve politike në Kosovë, përfaqësuesi i Familjes Jashari,  Z. Rifat Jashari, familje e cila ka sakrifikuar më shumë se çdo kushtjetër për lirinë e Kosovës,  paralajmëroi në mesazhin e tij me këtë rast,  politikanët shqiptarë dhe partitë që ata përfaqësojnë, që për të mirë të Kosovës dhe për hir të lirisë dhe pavarësisë së vendit së vendit për të cilën u derdhë aq shumë gjak, të gjithë të bashkëpunojnë me njëri tjetrin për një të ardhme më të mirë për Kosovën.  Ai u kujtoi të pranishëmve se në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, ishin mbledhur jo vetëm për të “për t’i kujtuar ata që sakrifikuan për ne dhe gjeneratat e reja” që vinë më pas, por theksoi se në nderim të dëshmorëve të rënë, të gjithë duhet të jenë vigjilentë dhe të bashkuar për arritje të reja.  Për këtë, shtoi ai,  “Ne duhet të jemi sy çelë, të punojmë dhe të veprojmë, të ruajmë gjakun e bijve dhe bijave tona. Ta çojmë amanetin ku ata dëshiruan. Nëse punojmë së bashku, çdo gjë do ta kalojmë më lehtë.  Ushtarë të nderuar, mua po më kënaqet zemra, kur po u shoh juve këtu para nesh, se dikur në këtë vend këtu, është rreshtuar dhe ka komanduar ushtria serbo-sllave e Beogradit”, është shprehur Rifat Jashari.

 

Me këtë rast, temën e bashkimit ose të mungesës së unitetit të aktorëve kryesorë të politikës, e theksoi edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke thënë se kjo, “Është dita që simbolizon bashkimin e qytetarëve të Kosovës rreth një synimi të përbashkët për ndërtimin e një vendi të përparuar dhe demokratik”.  Është një ditë, theksoi ajo, në të cilën duhet të “Mendohet për të ardhmen e gjeneratave të reja duke lënë anash dallimet politike.” 

 

Foto nga VOA — Z. Rifat Jashari, përfaqësues i Familjes Jashari me udhëheqsit më të lartë të Kosovës gjatë manifestimit

 

Po, kush po mendon për të ardhmen e gjeneratave të reja, jo vetëm në këtë ditë në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Gjenerata e re po voton “me këmbë”, jo se po detyrohet të arratiset prej vendlindjes nga diktatura e një regjimi komunist ose nga politika terroriste shpërngulëse e diktatorit serb Millosheviç, por nga grindjet dhe shpesh nga dhuna politike që rezulton në mungesën e përspektivave për një jetë më të mirë, në liri dhe pavarsi për të gjithë.  Kjo gjëndje e tmershme e largimit të shqiptarëve nga trojet e veta është pasqyruar nga një raport i fundit i Eurostat-it ku Kosova dhe Shqipëria, radhiten në vendin e katërt dhe të pestë respektivisht, të vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian – pas vendeve që janë përshumë vite tani janë kaplluar nga një luftë shumë e egër, siç janë Siria, Afganistani dhe Iraku.   Në çfarë lufte gjënden sot Kosova dhe Shqipëria që po shkakton largimin e rreth 120-mijë shqiptarëve nga vendlindja, (nga Kosova 66,885 dhe nga Shqipëria 65,935 gjatë vitit 2015).  Këto shifra janë vetëm për ata shqiptarë që kërkojnë azil në Europë e jo për ata të shumtë që në mënyrë legale ose ilegale emigrojnë në Amerikë dhe në vende të tjera demokratike.  Janë grindjet politike dhe politika në vend numro e diskursit politik të pa kurrfarë përspektive dhe pa bashkim qëllimi ose mendimesh, arsyet që po shkaktojnë këtë largim në masë të shqiptarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria.  Në mos e vetmja arsye, atëherë është një nga arsyet kryesore të arratisjes nga vendi i tyre.

 

Me rastin e manifestimit për të kujtuar përvjetorin e luftës në Kosovë, temën e bashkimit, ose mungesës së tij, në radhët e aktorëve kryesorë të politikës e theksoi edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke thënë se “Sot është është dita që simbolizon bashkimin e qytetarëve të Kosovës rreth një synimi të përbashkët për ndërtimin e një vendi të përparuar dhe demokratik”.  Është një ditë, theksoi ajo, në të cilën duhet të “Mendohet për të ardhmen e gjeneratave të reja duke lënë anash dallimet politike.”  Kush po mendon për të ardhmen e gjeneratës së sotëme dhe të gjeneratave të ardhëshme të shqiptarëve për të ndërtuar një jetë më të mirë në trojet e veta?

 

Kjo është pyetja që klasa politike shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por edhe në trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, duhet t’ia bëjë vetes, dhe të gjejë përgjigjen e nevojshme, — sidomos në data historike, siç është kujtimi i përvjetorit të Epopesë të luftës në Kosovë dhe të kujtimit të flijimit të Familjes Jashari dhe të dëshmorëve të tjerë të vendit.  Në këtë periudhë historike, në fillim të shekullit 21, kombi shqiptar ka nevojë — jo për një revolucion, as për politikanë që janë më të interesuar të grumbullojnë pasuri për veten dhe të cilët mbrojnë interesat e veta politike e partiake mbi interesat e përbashkëta – por për një brez të ri politikanësh të cilët bashkpunojnë me njëri tjetrin, për të mirën e përbashkët. Ka nevojë urgjente për një brez të politikanësh që mbi të gjitha vlerësojnë dhe mbrojnë lirinë, dinjitetin, mirëqenjen dhe përkujdesjen materiale dhe pse jo edhe atë shpirtërore, të çdo shqiptari në trojet e veta.  Politikanët e mirëfilltë dhe patriotë, nderojnë dhe përkujtojnë dëshmorët, sidomos në përvjetorë të tillë, duke pasur parasyshë mirëqenjen e mbarë kombit dhe jo “sa për sy e faqe”.  Kombi shqiptar ka nevojë për një klasë politike, të vendosur dhe të bindur për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, sepse doni s’doni, fati i një shqiptari kudo në trojet e veta, është fati i të gjithë shqiptarëve në mbarë hapësirën shqiptare në Ballkan.  Politika shqiptare ka nevojë për një brez të ri politikanësh me një krenari të lartë kombëtare,  të paisur me nder, besë e burrëni, veti këto që e kanë dalluar kombin gjatë gjithë historisë. 

 

 Rifat Jashari, si përfaqsues i një familje të flijuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lëshoi kushtrimin e tij për bashkim ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe të Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit në Lezhë. Andaj, nëqofte kjo klasë politike me të vërtetë dëshiron të nderojë luftën çlirimtare dhe sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që kanë dhënë jetën për lirinë dhe për pavarsinë e Kosovës, lirinë që kjo klasë politike e gëzon sot, por nuk duket se e çmon.  Nder më të madh nuk do të kishte për kujtimin e dëshmorëve në këtë ditë dhe gjithmonë, se nëqoftse klasa e sotëme politike do të reflektonte seriozisht dhe t’i përgjigjej kushtrimit për bashkim të zëdhënësit të familjes Jashari,  Rifat Jasharit, i cili i paralajmëroi të gjithë se duhet  “Të jemi sy çel, ta ruajmë gjakun e bijve dhe bijave tona dhe ta çojmë deri në fund amanetin e të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi.  Nëse punojmë së bashku, çdo gjë do të kalojmë më lehtë”, ka thënë ai. 

 

Ishte kjo një thirrje me dhëmbje në zemër i zëdhënsit të Familjes Jashari për bashkpunim në radhët e politikës, në traditën më të mirë historike të burrave shqiptarë, kur kombi gjëndej përballë sfidave të mëdha – duke përcjelljur porositë e të gjithë dëshmorëve, ashtuqë amaneti i tyre të mos harrohet dhe që gjaku i tyre të mos tradhëtohet nga grindjet dhe mosmarrveshjet politike personale të këtij brezi politikanësh.

Filed Under: Analiza Tagged With: bashkohuni, FAMILJA JASHARI: ÇELNI SYTË, Frank shkreli

Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari

March 6, 2016 by dgreca

Prishtinë, 6 mars 2016/

Në kuadër të manifestimit për shënimin e 18 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem JASHARI, Familjes JASHARI dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për LIRI.Para të pranishmëve të shumtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i FSK-së Haki Demolli përkujtoi luftën dhe heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari.

Të pranishmit në këtë akademi në emër të familjes i përshëndeti djali i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Lulzim Jashari.

Fjala e ministrit të FSK-së, Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore.

E nderuara dhe shumë e respektuara Familja Jashari,

I nderuari Baci Rifat,

Të nderuar veteranë të UÇK-së dhe familje të dëshmorëve,

I nderuar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli,

I nderuari komandat i FSK-së, gjeneral Rama,

Të nderuar liderë partiak, ministra, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve shtetërore lokale dhe qendrore,

Të nderuar oficerë të FSK-së,

Të nderuar ambasadorë, përfaqësues diplomatik të vendeve mike të Kosovës,

Të nderuar qytetarë të Kosovës të pranishëm në këtë Akademi Përkujtimore.

Më lejoni që në fillim të kësaj fjale, të potencojë mendimin e një qytetari anonim, (citoj) “Në historinë e njerëzimit nuk ka individ, nuk ka person apo hero që ka sakrifikuar aq shumë për Atdhe” (përfundoj citati) i cili ishte publikuar para dy ditëve, si koment në një portal tonin, lidhur me artikullin me titull “Foto e rrallë e komandantit Adem Jashari”.

Ky ishte mendimi i një qytetari të Kosovës lidhur me gatishmërinë e Komandantit tonë legjendar për të bërë dhe sakrifikuar për Atdheun, me të cilin mendim jam i sigurt se pajtohet jo vetëm çdo bashkëkombës i yni, por edhe çdo njeri, hulumtues dhe studiues i historisë qoftë asaj nacionale apo ndërkombëtare.

Të nderuar të pranishëm,

E nderuara Familje Jashari,

Edhe gjatë marsit të këtij viti, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, në përkujtim të Epopesë së Lavdishme të UÇK-së po mbahen manifestime dhe aktivitete të ndryshme, ushtarake, sportive, kulturore, si dhe Akademi Përkujtimore, në të cilat bëhet trajtimi akademik, intelektuale dhe shkencor i vlerës dhe rëndësisë që ka Epopeja e lavdishme e marsit, në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Pavarur të Kosovës.

Fillimi i marsit të vitit 1998, njihet si njëra prej periudhave më të rënda për shqiptarët e Kosovës, sepse ishte periudhë e pushtimi të egër nga forcat ushtarako policore serbe, e cila falë heroizmit dhe sakrificës së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij, u shndërrua në periudhën më të lavdishme të historisë së popullit tonë.

E bëri këtë periudhë më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, andaj së bashku me bashkëveprimtarë kishte shpeshtuar aksionet luftarake kundër okupatorit si dhe kishin filluar të shfaqeshin publikisht si pjesëtarë të UÇK-së, duke iu bërë me dije popullit, se tani e tutje do të kishte ushtrinë e cila përfundimisht do ta çlironte nga okupimi shekullor.

Pikërisht rezistenca dhe rënia mitike e Familjes Jashari në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, e përhapi zjarrin e lirisë në tërë Kosovën, duke treguar se ky ishte fillimi i fundit të pushtetit serbo sllav në Kosovë.

Në marsin e vitit 1998, Prekazi legjendar përjetoi luftën, rezistencën dhe rënien heroike të Familjes Jashari. Prekazi përjetoi sakrificën dhe flijimin e pashembullt për lirinë e kombit dhe atdheut, çfarë historia jonë kombëtare por as ajo botërore as nuk e kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.

Epopeja e Marsit të vitit 1998, shërbeu si një katalizator për ushtrinë e Komandantit Legjendar, e cila me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u organizua në formacione ushtarake, duke çliruar dhe vënë nën kontroll zona të tëra, në gjithë vendin tonë.

Sukseset e shumta në fushëbeteja, të ushtrisë së Komandantit Legjendar dhe formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë, ndikuan në involvimin e diplomacisë ndërkombëtare, e cila në mënyrë të paanshme gjykonte krimin dhe gjenocidin e forcave ushtarako-policore serbe.

Si epilog diplomatik i sukseseve luftarake ishte Konferenca e Rambujesë, në të cilën u vendos, që të bombardohen caqet më vitale dhe strategjike të Serbisë nga ana e forcave aleate të NATO-s.

Lufta e përbashkët e forcave tona ushtarake dhe bombardimet ajrore të NATO-s, i dhanë grushtin e fundit okupatorit serb, duke i sjellë lirinë e shumëpritur popullit tonë.

Prandaj shteti dhe kombi përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.

Vërtet në shkurt të vitit 2008 Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur e sovran, i cili përveç njohjeve të shumta ndërkombëtare, u përkushtua edhe në themelimin e institucioneve të karakterit shtetformues.

Padyshim njëri ndër institucionet fundamentale të Republikës së Kosovës, të themeluar pas shpalljes së pavarësisë është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila jo vetëm që u krijua në vazhdën e frymëzimit patriotik, mbi historinë dhe sakrificën e lavdishme të popullit tonë, por si e tillë paraqet garancinë se në të ardhmen do të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës, me kapacitete të plota operacionale për plotësimin e misionit të saj kushtetues.

Përvjetori i 18-të i Epopesë së lavdishme të UÇK-së, e ka gjetur vendin tonë me mospajtime dhe kundërshtime të theksuara ndërmjet partive tona politike opozitare dhe qeveritare, andaj nga kjo foltore në këtë përvjetor të ngjarjes së shenjtë të popullit tonë, kërkojë nga të gjithë akterët politik, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar dhe bashkëveprimtarët e tij dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes respektivisht rrugëdaljes nga kjo situatë e rëndë politike, nëpër të cilën tanimë disa muaj po kalon vendi ynë. Sepse, zhvillimet dhe rrjedhat jonormale politike në Kosovë, me pamje të dhunshme dhe përdorim të mjeteve joracionale në Kuvendin tonë, drejtpërdrejtë kanë ndikuar në ngecjen e proceseve të rëndësishme për ndërtimin dhe konsolidimin e organeve shtetformuese, respektivisht organeve më vitale shtetërore.

Kur them këtë kam parasysh faktin, se ndonëse Qeveria Mustafa ndër prioritetet kryesore e ka transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës si dhe ka pasur përkrahjen e partnerit tonë kryesor strategjik pra të SHBA-ve, ajo nuk ka ndodhur gjatë vitit të kaluar, pikërisht për shkak të zhvillimeve jonormale politike në gjysmën e dytë të vitit 2015.

Andaj duhet shpresuar dhe dëshiruar që gjatë këtij viti, do të dominojë interesi i përgjithshëm për shtetin dhe interesat e popullit të Kosovës, do të arrihet deri te një zgjidhje e kësaj situate jo të kënaqshme politike, pas së cilës do të krijohen kushtet dhe rrethanat në të cilat Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK).

Epilog i këtij transformimi, do të jetë krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektiv tjetër madhor do të kenë edhe anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme të regjionit dhe botës.

Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura do të ngritë shkallën e sigurisë së vendit deri në atë nivel, saqë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të sigurt dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, ashtu siç i ka hije një shteti bashkëkohor demokratik.

Përmbushja dhe realizimi i këtyre objektivave të Forcave të Armatosura, paraqet plotësimin e një dëshire tjetër të popullit të Kosovës si dhe plotësimin e amanetit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të presidentit historik Ibrahim Rugova.

Qeveria e Kosovës do të punojë dhe angazhohet edhe në ndërtimin e shtetit ku do të sundon ligji, me prosperitet ekonomik, respektim të demokracisë, të drejtave, lirive të të gjithë qytetarëve të saj.

Pra, do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike të NATO-së dhe integrime të tjera euroatlantike, ku do të bashkëveprojë me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.

Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë, i pavarur  dhe demokratik, paraqet realizimin më të mirë të ëndrrës së Komandantit Legjendar, të të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.

Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Lavdi Familjes së madhe dhe të shenjtë Jashari.

Lavdi gjithë dëshmorëve dhe çlirimtarëve të kombit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Adem Jashari, Akademi Perkujtimore, komandanti legjendar

LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ

March 6, 2016 by dgreca

Nga Behlul JASHARI, reportazh i shkruar në mbrëmjen e 31 janarit 2010, i botuar atëherë, para 6 viteve, në 1 shkurt,  te Agjencia Telegrafike Shqiptare:/

 Dëbora, si një bardhësi paqeje, e ka mbuluar Prekazin, fshatin i cili 12 vjet më parë, më 5 mars 1998, u përball me egërsinë emakinerisë luftarake serbe kundër shqiptarëve, familjes së Jasharajve të fortifikuar në kulla për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe Kosovën.Mbi kullat legjendë valëviten dy flamuj kombëtar shqiptarë si në majën më të lartë të botës, të lavdisë, heroizmit, të sakrificësës e flijimit për liri. Flamuri kuqezi valon edhe lart në një kodrinë, ku prehen në amshim 60 heronj e dëshmorë të rënë në epopenë e Jasharëve, Prekazit, Drenicës, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Pranë varrezave memorial, ngritur me mermer të bardhë, qëndrojnë në nderim të përhershëm ushtarët e forcës kosovare.

Ky është imazhi i parë nga Prekazi në prag të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Historia tregon se Jasharajt e Prekazit janë sulmuar tre herë. Sulmi i parë ishte më 30 dhjetor 1991, ndërsa i dyti më 22 janar 1998. Të dy herët sulmuesit u thyen dhe zmbrapsën para qëndresës heroike.

Sulmi i tretë i forcave serbe ishte ushtarako-policor, luftë kundër një familje.

Gjatë rezistencës, më 5, 6 e 7 mars 1998, plot tri ditë e dy netë, ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, prej 22 që ishin në rrethimin e forcave serbe. Ndër të rënët ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Shpëtoi djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, dhe vajza e Hamzës, Besarta. Ndërsa në familjen e gjerë Jashari kanë rënë 56 dëshmorë. Mes tyre nëntë fëmijë dhe disa të moshuar deri 93-vjeç…

Kryefamiljari Rifat Jashari, në odën e tij kujton si i ka përjetuar ato ditë dramatike, i ndodhur atëherë jashtë vendit, në Gjermani, bashkë me të birin, Muratin dhe Lulëzimin e Bekimin, djemtë e Ademit dhe Hamzës.

“Do mbesim veç ne katër, pata thënë atëherë, atë ditë që ka krisë në Prekaz…”, thotë Rifati, i cili tregon se kishte bërë telefonata të shumta në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Skënderaj… dhe kishte marrë versione të ndryshme për luftën e familjes së tij në Prekaz.

“Të vertetën drejt ma tregoi vetëm Sabit Istogu, që ishte shok i Hamzës”, vazhdon Rifati rrëfimin . “Rash në lidhje me Sabitin…Edhe m’u drejtua: Bac, kullat po i bombardojnë. Jemi në rreth të hekurt, tank pas tanku”.

Baca Rifat e vazhdon rrëfimin, flet për përtëritjen e familjes dhe të jetës, për njëmbëdhjetë fëmijtë e lindur pas zjarrit të madh të luftës, të cilët mbajnë emrat e të rënëve.

“Shpëtuan dhjetë anëtarë të familjes. Prej dhjetëve numri shkoi në 25. Që dy orë isha duke luajtur me fëmijët nëpër oborr… E çka po do pasuri më të madhe. Unë për veti pasuri më të madhe nuk di. Njëmbëdhjetë fëmijë i ka falë zoti, cilin ta kqyrësh më i shëndoshë se shoqi”.

Njeriu i familjes që ka dhënë 56 heronj e dëshmorë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, thekson nderimin e madh e të gjithmonshëm të kombit.

“E falënderoj këtë popull, prej të gjitha viseve shqiptare, kudo që jetojnë, që kurrë nuk ka lënë vetëm…”, thotë Rifati.

Dhe, në veçanti, kryefamiljari i Jasharëve flet për Shqipërinë.

“Nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, e më duket edhe nga secili fshat i Shqipërisë, kanë ardhë në këtë odë për të na uruar kur Kosova shpalli pavarësinë. Kanë ardhur edhe shumë herë të tjera…”

Rifati i Jasharëve të Prekazit kujton me shumë mirënjohje ndihmën e gjithmonshme të Shqipërisë për Kosovën edhe në kohët më të vështira të luftës, kur strehoi shumicën e rreth një milion shqiptarëve të dëbuar. Nuk thotë kosovarëve, se “komb kosovar s’ka”.

“Po mos të mos ishte shteti amë nuk e di ku do ishim sot. E gjithë Shqipëria i priti vëllezërit e motrat nga Kosova”.

Ai vlerëson lart të gjitha angazhimet e shtetit shqiptar, edhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, edhe tani me mbështetjen e diplomacisë shqiptare drejt njohjeve të reja.

Nga oda e Jasharëve në Prekaz Baca Rifat jep mesazhin se Kosova, edhe udhëheqësit e saj, edhe të gjithë, duhet të punojnë edhe më shumë për Kosovën e kombin.

“I lumi është ai që punon për komb të vet, për vend të vet…”, thotë ai.

Ai jep edhe mesazhin për unitet të shqiptarëve kudo që janë për çështjet madhore, për bashkëpunim mes partive, pozitës dhe opozitës.

Kryefamiljari tregon se në Prekaz dhe në odën e Jasharajve vizitorët e shumtë janë nga gjithë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina ePreshevës, Mali i Zi e nga shumë anë të botës, mes tyre edhe personalitete të njohura. 

Ndërsa, ciceroni i Kompleksit Memoral në Prekaz, Xhevat Imeri, thotë se gjatë 11 vjetëve të pasluftës ka patur më shumë se tetë milionë e gjysmë vizitorë.

Ndër personalitetet më të larta që kanë vizituar Prekazin është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

“Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha në vizitën e parë më 16 qershor 2006.

“Vizita në Prekaz është vizita në tempullin e lirisë, flaka e të cilës këtu nuk u shua kurrë. Është vizita në vendin, në shtëpinë e tribunit të lirisë, komandantit legjendar të luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri, dinjitet njerëzor, nder, dinjitet kobëtar. Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës. Në veprën e Adem Jasharit e familjes së tij, familje që sakrifikoi sa asnjë tjetër në historinë e kombit, për lirinë e Kosovës, mbetet flaka, mbetet simboli i madh i shpresës, i besimit të shqiptarëve tek një e ardhme e shkëlqyer”, u shpreh atëhere Kryeministri Berisha, duke shprehur bindjen se kombi shqiptar në liri do të ndërtojë të ardhmen më të shkëlqyer, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Në Prekaz ishte edhe kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner.

“Dua ta them një të vërtetë të madhe, Prekazi lëvizi të gjithë mekanizmat botërorë që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur Çmim Nobel për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari”, ka theksuar Kushner, cituar në një nga librat në muzeun e kompleksit memorial.

Ndërsa, mijëra e mijëra vizitorë në Prekaz kanë shkruar e kanë firmosur në librin e përshtypjeve, që është një libër i madh, gjithmonë i hapur dhe i pafund.

Ndër të nënshkruarit në atë libër është edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

Dhe, këtë shkrim nga Prekazi, që mund të jetë edhe i pafund, po e mbyllim në mbrëmjen e fundjanarit me një theksim nga ajo që ka shkruar Kadare: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkrepëtimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë”…

Filed Under: Reportazh Tagged With: 31 Janar 2010, Behlul Jashari Reportazh, LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ

Presidentja Jahjaga vizitoi Kompleksin Memorial dhe familjen Jashari në Prekaz

March 6, 2016 by dgreca

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga qëndroi sot në Prekaz të Skenderajt, në kuadër aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së.Fillimisht ajo bëri homazhe në kompleksin Memorial ”Adem Jashari”, si dhe vizitoi një ekspozitë fotografish dhe muzeun që është i hapur në kuadër të kompleksit.Gjithashtu, Presidentja Jahjaga vizitoi familjen Jashari, ku u prit nga kryefamiljari Rifat Jashari.Në një deklaratë dhënë pas vizitës, Presidentja Jahjaga tha:

 Sot pata nderin që të vizitoj familjen Jashari, në këtë ditë plot dhimbje për ta por edhe për të gjithë Kosovën, në këtë 18-vjetor të rënies heroike të 53 pjesëtarëve të kësaj familjeje dhe të kësaj lagjeje.

 Pata nderin të takoj Rifat Jasharin dhe anëtarë të tjerë të kësaj familjeje, të bisedoj me bacën Rifat, të rikujtojmë sakrificën e madhe që ka bërë kjo familje, por edhe shumë familje të tjera anembanë Kosovës për ta jetësuar ëndërron tonë të përjetshme, ëndrrën tonë historike, për ta bërë Kosovën shtet të lirë, shtet të pavarur.Në këto varre këtu pranë janë moshatarët tanë, gjenerata të ndryshme të kësaj familjeje. Këtu është dhënë jeta për liri dhe këtë nuk duhet ta harrojmë. Kthimi im në Prekaz gjithmonë më emocionon, sepse ma rikujton çmimin e madh që kemi dhënë si popull dhe si shtet, si dhe borxhin që ua kemi gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë, për pavarësinë tonë, që ta ndërtojmë një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, një Kosovë me perspektivë të qartë euroatlantike.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: familjen Jashari, Jahjaga, vizitoi

Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit në Prekaz

March 6, 2016 by dgreca

-Presidenti historik  Ibrahim Rugova, në një konferencë shtypi, para 18 viteve, në 6 mars 1998: Këto sulme në regjionin e Drenicës janë pjesë e programeve për spastrimin etnik të Kosovës. Dënojmë ashpër atakun me pasoja të përgjakshme. Kërkojmë ndërprerjen urgjente të këtyre sulmeve të vdekjes/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Mars 2016/ Krerët e shtetit të Kosovës, preseidentja Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e kryeministri Isa Mustafa ishin sot në Prekaz, ku vazhdojnë homazhet në Kompleksin Përkujtimor dhe vizitat në familjen heroike Jashari, e cila para 18 viteve u sulmua për herë të tretë.

Sulmi i parë ishte më 30 dhjetor 1991, ndërsa i dyti më 22 janar 1998. Të dy herët sulmuesit u thyen dhe zmbrapsën para qëndresës heroike.

Sulmi i tretë i forcave serbe ishte ushtarako-policor, luftë kundër një familje.

Gjatë rezistencës, më 5, 6 e 7 mars 1998, plot tri ditë e dy netë, ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, prej 22 që ishin në rrethimin e forcave serbe. Ndër të rënët ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Shpëtoi djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, dhe vajza e Hamzës, Besarta. Ndërsa në familjen e gjerë Jashari kanë rënë 56 dëshmorë. Mes tyre nëntë fëmijë dhe disa të moshuar deri 93-vjeç…

Derisa raportoja për gjithë zhvillimet e para 18 viteve në Prekaz njoftoja edhe se lidhja me zonën e sulmuar, këtë ditë të tmerrshme të 5 marsit, ishte mbajtur përmes telefonit të familjes së Beqir Jasharit, që ku një bashkëpuntore informonte Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë. Lidhja u ndërpre pas njoftimit të fundit se forca të mëdha ushtarako-policore po hynin brenda në këtë shtëpi…

“Këto sulme në regjionin e Drenicës janë pjesë e programeve për spastrimin etnik të Kosovës”, shprehej Presidenti historik  Ibrahim Rugova, në një konferencë shtypi, prej ku raportoja, në 6 mars 1998. “Dënojmë ashpër atakun me pasoja të përgjakshme. Kërkojmë ndërprerjen urgjente të këtyre sulmeve të vdekjes”, theksonte Rugova derisa sulmi i forcave serbe në Prekaz vazhdonte në ditën e dytë.

 Presidenti Rugova kërkonte që çështja e Kosovës të shqyrtohej urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të merret urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake.

Rugova u dërgonte një apel Presidentit amerikan Klinton, Kryeministrit britanik Bler, Presidentit francez Shirak dhe Kancelarit gjerman Kol për të bërë presion mbi Beogradin që të ndërpresë sulmet e policisë dhe të ushtrisë serbe në Drenicë.

Manifestimet tradicionale në nderim të Epopesë së UÇK-së, të nisura dje në Kazermën e FSK-së Adem Jashari në kryeqytetin e Kosovës vazhdojnë sot edhe me një akademi përkujtimore në Prishtinë dhe përmbyllen nesër me ndezjen e flakadanëve në Kompleksin Përkujtimor në Prekaz e me Natën e Zjarreve, me program kulturor-artistik në Sheshin Adem Jashari në Skenderaj.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Epopeja e UÇK-së, krerët e shtetit, ne Prekaz

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT