• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Albanian Parade 2016 1st Parade meeting

April 29, 2016 by dgreca

NJOFTIM I ALBANIAN ROOTS-RRENJET SHQIPTARE/

Njoftohen të gjitha shoqatat dhe fondacionet shqiptare që duan të marrin pjesë në Paradën Shqiptare 2016 të Nju Jork-ut, të dërgojnë përfaqësues në takimin që Rrënjët Shqiptare organizojnë të Dielën me 1 Maj 2016, në orën 2 padite në Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, që ndodhet në adresën:

2437 Southern BLVD,

BRONX, NY 10458

Në këtë takim do të njoftohen pjesmarrësit rreth masave organizative rreth paradës, do të përcaktohen masat, porositë si dhe mënyra e vendosjes dhe e nisjes së Paradës. Ky eshte takimi i pare per organizimin e Parades 2016.

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Albanian Parade 2016 1st, Parade meeting

NË SHPAT, ME FTESË TË ‘‘ ONUFRIT ’’

April 29, 2016 by dgreca

 NGA PËLLUMB GORICA/

Me dëshirën e hershme, por disi të vonuar, një ditë udhëtuam për në Gjinar, të Shpatit, trevën më të njohur të Elbasanit, me miqtë e mi, të rinj e të vjetër në moshë. Mbresat e këtij udhëtimi spontan filluan të na pushtojnë në çdo kilometër që ne ngjiteshim drejt Gjinarit, pikësynimit tonë, të cilat shumoheshin në mënyrë progresive. Ato filluan të bëhen pjesë e qenies dhe shpirtit tonë. Janë të panumërta dhe njëra më befasuese se tjetra, por unë po përmend ato që mendoj se do të flenë gjatë në kujtesën tonë, për vite të tëra. Po ia le lexuesit të përjetojë më interesantet në këtë udhëpërshkrim. Por sado të shkruaj unë, që t’i shijosh dhe të lumturohesh nga këto mrekulli e natyrës, duhet të shkelësh edhe ti lexues në Shpat, midis kodrave, të mbushura me gjelbërim, të dëgjosh këngën e zogjve, që hidhen nga njëra pishë te tjetra, duke e mbushur peisazhin me zëra mahnitës. Këto ndjesi i përjeton ai që e shkel këtë rrugë çdo ditë, e ka thithur ajrin e pastër dhe aromën e pishave, por sidomos më shumë ai që vjen për herë të parë këtu. Flladi i freskët dhe dehës, t’i çlodh sytë nga gjelbërimi i dendur dhe zemra do të zgjerohet nga kënaqësia e peisazhit.

Për Shpatin është shkruar dhe folur shumë, por, kur gjendesh aty, kur e prek dhe e shijon me të gjitha shqisat, mëson shumë gjëra interesante. Si një eksplorues i peisazheve dhe historisë, gjatë udhëtimeve të mia hulumtoj për vendet të veçanta. Shpati, kjo perlë e veçantë në llojin e saj, është një trevë mjaft e pasur me burime natyrore, e cila ka kushte të rralla për zhvillimin e turizmit malor. Këtë përfitim ia mundëson brezi pyjor mjaft i pasur i pishave të larta e të dendura. Aroma e rrëshirës së tyre ndihet kilometra larg dhe me një efekt të fuqishëm kurimi. Nga largësia e viteve na vijnë histori të lashta që lidhen me Shpatin me karakteristika të spikatura historike dhe kulturore. Historia e Shpatit e vulosur nga dëshmitarët e kohërave, ndërtimet e lashtësisë, kala, kisha, rrugëkalime të vjetra, dokumentet arkivore, njihet edhe nga dimensioni i legjendave. Ngjarjet e shumta kanë shpërndarë mugëtirën e kohërave dhe e kanë bërë të njohur Shpatin për trimërinë, patriotizmin, traditat dhe dëshirën e madhe për dije e kulturë e një vitalitet të banorëve gjatë gjithë shekujve, duke i dhënë impulse gjithfarsoj mbijetesës së tyre. Ndaj nuk mund të vazhdoj të shkruaj më tej, pa i përmendur ato qoftë edhe përciptazi. Me emrin e Shpatit lidhen figura historike dhe të artit në kohëra si: Prijësi Gjorg Golemi, Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Konstandin Shpataraku, Petro Petroshi, Isuf Qosja, këngën e të cilit plaku takie-bardhë nga Sulova, Hamit Miraka, e këndonte gjithmonë në konakun e tij, e sidomos kur i vinin miq nga Shpati. Shpatarakët janë njerëz fisnik, të çiltër, të dashur, gazmorë dhe të mençur. Ata trashëgojnë cilësi tepër të rralla njerëzore si: mikpritja, bujaria, organizimi i mirë i ceremonive dasmore, apo rasteve të fatkeqësive familjare etj. Ndaj ndjen simpati për Shpatin e njerëzit bujar, punëtor, të këngës, të valles, të librit e të konakut…

Ne nuk i përfillëm vështirësitë e rrugës, e cila derdhonte shpateve të kodrave, duke u bërë bashkudhëtare me ne, sepse fantazia jonë na tërhiqte atje, në Gjinarin turistik. Një shoku ynë poet dikur, pasi arriti me stërmundim në Gjinar, fshihu djersët dhe me të qeshur na tha se, këtu në këtë parajsë erdha nëpërmjet ferrit, por tani po e shoh se ia paska vlejtur. Dhe s’kishte faj: Rruga e gjatë dhe tepër e lodhshme i stërmundonte udhëtarët. Por kohët ndryshuan dhe rruga e shtruar vitet e fundit e ka bërë më të lehtë ardhjen këtu. Kodrat e sistemuara me vreshta e ullinj të veshura me petkun e gjelbër, sigurisht, të lënë përshtypjen e përkujdesjes së banorëve ndaj tokës dhe pemëve frutore. Mushkëritë tona filluan të mbushen me ajër të pastër dhe sytë me gjelbërimin e pafund të kodrave në të dy anët e rrugës. Qielli i kthjellët, lartësitë malore dhe flladi i lehtë i mëngjesit e lehtësonte më shumë udhëtimin për të na mundësuar edhe shijimin e kënaqësisë së peisazheve interesante. Tingujt e këngëve elbasanase përhapeshin nga buzët e Albert Tafanit, i cili i valëviste ato, me një drithërimë të veçantë, teksa buronin nga kasetofoni i makinës së Bardhit. Si në ekran i kalojmë me radhë vendbanimet, duke kthyer kokën sa në një anë në tjetrën, për të mos na shpëtuar pa parë asnjë grimë të kësaj bukurie rurale. Çajmë përmes Hajdaranit, lëmë mënjanë Mlizën, që për nga pozicioni i relievit të le mbresa me ndërtimet e reja e të shumta, dy e trekatëshe. Askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie të tillë tunduese si kjo, e cila shtohej, kur nga lart vështronim qytetin e lashtë dhe modern të Elbasanit, lumin Shkumbin, malin e Krrabës, që janë sfondi i kësaj panorame. Pa kaluar shumë ja ku na shfaqet me gjithë pamjen e tij Shelcani, në shpatull të Shpatit historik, sikur të nanurisej i shtrirë në prehërin e kodrave dhe nën hijen e pemëve të gjelbërta. Por, ajo që përveç panoramës e bën atë më interesant dhe më të dëgjuar në Shqipëri, është Kisha qindravjeçare e Shën Nikollit, e veçantë në llojin e vet, e cila njihet me emrin, e Onufrit, ikonografit më të madh të shekullit XVI. Kjo kishë është befasuese për vizitorët, sepse në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi estetike dhe admirim të veçantë. Askush nga ata që kalojnë pragun e saj nuk mund të mos mbetet i shokuar dhe i mahnitur kur përballet me dorën mjeshtërore të piktorit, Onufrit të madh.
Vazhdojmë rrugën drejt lartësive të Shpatit. Tutje, në largësi, nën velin e shtëllungave të bardha të reve,vështrimi të përplaset mbi peizazhin e papërsëritshëm të malit Bukanik, një bukuri e gjelbër, që kërleshet çdo mëngjes, para se rrezet e diellit të përflakin majën e tij, me mjegullën e dendur. Në shpatet e thepisura veriore të tij ende ka pllaska të bardha bore, sikur shpina e një qeni laraman. Të duket se ky mal ka marrë bekimin nga Zoti për të qenë përjetësisht i gjelbër, i mbuluar me pisha, duke krijuar kurorën e mrekullueshme të kësaj krahine, e cilësuar edhe si mushkëria e qytetit të Elbasanit. Nga aty të ulet në pëllëmbën e dorës një pjesë të fshatrave të Shpatit: Lleshani,Valshi, Selta, Shelcani, Probati,  Derstila, Gjinari … Po nga aty, tek kjo pikë natyrore vrojtimi vështron deri tutje Tomorricën, Vërçën, Sulovën, Dumrenë, dhe malet: Tomorrin, Valamaren. Shpiragun … Pas dredhave të shumta të rrugës kalojmë Lleshanin e njohur me krenarinë e dikurshme e të fshehur në legjenda. Mes nesh endet fjala rreth një kalaje antike, por të rrënuar tërsisht. Arbeni, poeti vendas dhe njohës i historive të Shpatit, nis e tregon për kalanë e Lleshanit, të ndërtuar në një majë shkëmbore të thepisur, rreth 1200 metra të lartë. Vendi ku ndodhet kjo kala është një fakt që vërteton lashtësinë e këtyre territoreve. Disa metra larg rrugës, në krah të majtë ndodhet një pemë madhështor (dushk), monument natyror i mbrojtur nga shteti. Nuk mund të vazhdosh më tej pa e vështruar disa minuta kurorën e tij madhështore të mbushur me histori interesante. Dhe biseda jonë fokusohet në histori të thëna e stërthëna, por ne na vjen mirë të përsëritim atë që e tregon Arbeni, sigurisht të dëgjuar nga të moshuarit: “Thonë se Dushku i Lleshanit është mbi 700 vjeçar. Një fëmijë i vogël (djalë apo vajzë, legjenda nuk e përcakton), mbytet nga një lende dushku (frut). Ai  vdiq, dhe u varros këtu, ku pas disa muajsh mbin një bimë dushku , e cila nga viti në vit hodhi shtat dhe rreth tij u hapën varre të tjerë. Ndaj ka mbetur edhe si vend i shenjtë.” Si kujtim të ardhjes tonë, pranë këtij dushku madhështor, Verjoni propozoi të bëjmë fotografi. Dhe kështu bëjmë. Herë-herë gëlonin bisedat tona gazmore. Secili tregon prej tyre. Shumë të bukura. Qeshim dhe vetëm qeshim. Ndaj dhe këto çaste gëzimi lenë mbresa e frymëzimi ndër ne.
Pasi lëmë pas këtë monument natyror, duke dredhuar rrugën, para syve të shfaqet Gjinari i shtrirë nën këmbët e malit të Bukanikut. Ai është një vendbanim me histori në përpjekjet për liri e arsim. Peisazhi i tij me të vërtet i bukur. Ajri i pastër, gjelbërimi, e maja e malit, kanë krijuar këtu një peizazh magjepsës, por është akoma një perlë thuajse e harruar.  Dikur para 20 vitesh, jo vetëm në muajt e verës, por edhe vjeshtë e dimër, Gjinari mbushej aq shumë me të ardhur nga Elbasani, Tirana, Durrësi. Dhe ngjante me një qytezë të begatë, të mbushur me të gjitha të mirat. Ato pak gabina prej druri ofronin mundësi të shumta pushimi dhe gëlonin nga zërat gazmorë. Tranzicioni i stërzgjatur i shkatërroi, dhe sot tek – tuk dallohen skeletet e tyre të kalbëzuara si rrënoja lufte. Gjithandej turizmi po kthehet në biznesin fitimprurës, ndërsa këtu ai ndihet pak. Kjo është pasojë e mungesës së investimeve që janë fare të vogla. Këtu i kalojnë pushimet shumë pak familje, të strehuara në shtëpitë e banorëve, kryesisht nga Elbasani dhe Tirana. Ringjallja e turizmit, aty këtu me pak bar- kafe dhe restorante si një mundësi e madhe që u ka falur natyra, në Gjinar, duhet të shfrytëzohet akoma më shumë. Por kjo duhet bërë dhe mbështetur nga të gjithë. Ajo mund të kthehet në një vend ç’lodhës me pak punë. Nuk mjaftojnë kronikat e pakta të TV me reklama promovuese, shkrime gazete, e as fotot e peisazheve të Shpatit, që postohen në rrjetet sociale të komunikimit, por kërkohet një strategji për zhvillimin e turizmit, me krijim të kushteve më të përshtatshme për pushime ditore, por edhe të gjata, nga drejtuesit e pushtetit, që më së shumti janë të fjetur në ide konkrete. Kjo patjetër do të sjell më shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë. Ky udhëpërshkrim ndoshta do të tregojë një farë interesimi, që të pushojnë sa më shumë në këtë perlë të harruar. Duhet përgëzuar vlera artistike e Ardjan Bërdufit, fotografit të kësaj treve, si një promovues i turizmit në Shpat. Të bën përshtypje fjala e tij e thjeshtë.

– Ajo që bëj është një pasion për të treguar peisazhin dhe etnokulturën, që ka Shpati. Promovimi e zhvillimi i tij ndihmon banorët në rritjen e të ardhurave. Ndaj, duhen ftuar sa më shumë vizitorë, por që kërkohen investime, që të hapen sa më shumë vende pune. Asgjë nuk vjen nga qielli, por së bashku të ndërtojmë të ardhmen, dhe ka shumë faktorë që ndikojnë në ecjen përpara kundrejt llogjikës së interesave politike.

 -Ne kemi peisazhe të bukura dhe kur ato vizitohen ndihem mire” – të thotë ai.

 “Unë personalisht ftoj vizitorët, se do të ndihen të mrekulluar mes bukurisë malore dhe njerzore të Shpatit, në monumentet e natyrës së tij, siç janë Dushku i Lleshanit, Kanionet e Valshit, Pishat  e Bukanikut, kishat e Shelcanit dhe e Valshit, etj. Në Shpat kostumet popullore, apo punimet e dorës, që janë karakteristikë, po evidentohen jo vetëm në festat familjare, por edhe në manifestimet kulturore. Këtu në Gjinar çdo fillim qershori organizohet festa “Miqtë e malit”. Vizitorët në Shpat kanë mundësi të shijojnë shumëllojshmërinë e produkteve bujqësore – blektorale dhe cilësinë e tyre Bio. Mirsevini në Gjinar, Shpat, Elbasan, Albania!”
Qëndrimi ynë në Shpat është i shkurtër. Duke u larguar nga panorama pamore e tij, nën soditjen e perëndimit të diellit, në këto lartësi, përjetuam kënaqësi të veçantë. Dielli ndriçonte mbi çdo gjë, mbi ndërtesat, malin e mbuluar nga pishat ku flladi lozte ëmbëlsisht, duke bërë tejet të gëzueshme ardhjen tonë, dhe mundësinë për t’i soditur ato. Sa e bukur e qetësuese për shpirtin kjo pamje. E të gjitha këto s’janë gjë tjetër veçse pjesë e një peizazhi interesant, një perlë të harruar. Mrekullia e peizazhit të fton ta vizitosh përsëri.

Filed Under: ESSE Tagged With: ME FTESË, NË SHPAT, Pellumb Gorica, TË ‘‘ ONUFRIT ’’

Berisha Ramës: Hiq dorë nga Shullazët se 14 Shtatori ’98 do të duket lule

April 29, 2016 by dgreca

Ish-kryeministri Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën se nëse do të vazhdojë të mbajë afër bandat dhe Shullazët, “98-a do t’i duket lule”.

Ai i është referuar në këtë mënyrë revoltës së opozitës së atëhershme në 14 shtator 1998, kur u sulmua Kryeministria. Deklaratat e forta Berisha i bëri gjatë një interviste për Abc News. Disa herë ai u kujdes që këtë paralajmërim Edi Rama duhet ta marrë edhe si personal.

“Ndaj dhe i them Edi Ramës se armët nuk duhet t’i ketë kurrë frikë një qeveri e një vendi të lire, por ta ketë të qartë se do ti duket lule 98-ta ccfarë do mund ti ndodhë nëse ndërsen bandat a armatosura të tij. Pse e them këtë…Sulmet ndaj institucioneve janë gjithmonë të papranueshme. Prandaj po dal atyy. E them këtë se në 98-tën bëra gjithcka për ta kontrolluar, por nuk e kontrollova dot, por të jesh e sigurtë që nga 98-ta e mbrapa, kush më nuk mund t’i kontrollojë. Po them nëse përsëritet, nëse përdor bandat e veta kundër opozitës e kam fjalën. SE duhet ta ndajmë, qytetarët nuk i konsideroj opozitë, qytetarët kanë një interes, nuk kanë interesin e opozitës por kanë interesin e sigurisë së tyre ndërsa opozita ka interesat e veta”, tha Berisha.

Ndërkohë Berisha mbështeti idenë për armatosje të qytetarëve sipas modelit amerikan, duke thënë se kryeministri Rama s’ka përse të ketë frikë nga armët e popullit. I kundërshtuar nga gazetarja Mimoza Koçiu nëse kjo armatosje mund të sillte një 97 të dytë për vendin, Berisha pranoi se atëhere ishte vetë shteti që armatosi popullsinë, për t’u mbrojtur nga armët e bandave që erdhën nga jashtë për të krijuar destabilitet.

Më poshtë pjesë nga intervista.

Ju e lexoni si pozitiv faktin se thuhet që në Shqipëri bëhet thirrje që qytetarët të marrin armët?

Thirrje për qytetarët, sepse qeveria nuk po I mbron qytetarët…

Jemi vend I NATO-s z.Berisha…

Vend I NATO-s? vendi I sekretarit të përgjithshëm të NATO-s që ka qenë edhe kryeministër, ka përqindjen më të lartë të armëve në Europë pas Zvicrës, Norvegjia, vend themelues I NATO-s…

Por nuk kanë një histori të 97-ës sic e kemi ne…

Jo. 97-a nuk është një histori që, cfarëdo që t’I japësh, është një histori malavite dhe bandash…

Dakord por ajo tregon se cfarë ndodh kur qytetarët marrin armët…

Absolutisht jo!  Ka dy gjëra. Armët me të cilat u vranë shqiptarët u sollën nga deti. Shqiptarët nuk duhet të gabojnë. Armët të cilat mbrojtën shqiptarët ishin armë të depove. Armët e depove ishin armë që mbrojtën Shqiptarët në Shqipëri, mbrojtën Shqiptarët në Kosovë…

Por u desh një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse që të stabilizohej situata apo jo?

Ajo ishte qëllim tjetër. Ajo kishte qëllim tërësisht të politikës së jashtme, kërcënime të jashtme. Ishte një gjë tjetër, se duhet t’I analizojmë gjërat. Pra armë të cilat u morën nga depot. Depot u hapën. E kuptoni vetë dmth….

Gjithcka u fshi me marrëveshjen e 9 marsit, që bëtë ju si president…

U hapën jo pa qëllim depot. Shqiptarët nuk mund t’I merrnin bandat. Shteti kishte një alternativë: o t’u binte me armë këtyre dhe mund të krijonte një konflikt civil, ose të armatoste qytetarët dhe nuk kishte më konflikt civil dhe një pjesë e madhe e këtyre armëve do t’u shkonin shqiptarëve në Kosovë për t’u mbrojtur nga serbët.

Po thoni që shteti zgjodhi alternativën e dytë?

Absolutisht po! Pa asnjë diskutim, pa asnjë diskutim!

Kjo është deklaratë e fortë z.Berisha…

Jo, e kam thënë unë këtë. Kjo në mënyrë të padiskutueshme. Po qe se ti nuk siguron dot qytetarët, ti do t’u japësh mundësi atyre të sigurojnë veten e tyre, se përndryshe…Dhe kjo, kjo e qetësoi situatën. Kjo ndihmoi shumë shqiptarët si në Shqipëri edhe në Kosovë për t’u mbrojtur tek pragu I derës. Nuk luftuan shqiptarët kundër njëri-tjetrit. U mbrojtën tek pragu I derës./LAPSI.AL/

Filed Under: Interviste Tagged With: : Hiq dorë nga Shullazët, Berisha Ramës, do të duket lule, se 14 Shtatori '98

Detarët tanë realizojnë stërvitjen “Vlora-Sarex-2016”

April 29, 2016 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

Parditen e 27 prillit, në rajonin e gjirit të Vlorës u zhvillua stërvitja “Vlora-Sarex-2016” me pjesmarrjen e personelit dhe mjeteve detare të Flotiljes Detare Pashaliman{FDP} dhe institucioneve detare që veprojnë në qarkun e Vlorës. Stërvitja u zhvillua në zbatim të matricës kryesore të veprimtarive të Flotiljes Detare Pashaliman, si dhe planit vjetor të stërvitjeve në FDP.  Stërvitjen e ndoqën nga afër Zv/Ministri i Mbrojtjes z.Petro Koci, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Kryetari i Bashkisë Vlorë, z.Dritan Leli, Zv/Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë, Adnand Agastra, etj. Qëllimi i stërvitjes “VLORA SAREX 16” ishte rritja e mëtejshme e kapaciteteve Operacionale të shtabeve, reparteve e mjeteve detare gjatë procesit të planëzimit dhe realizimit të Operacioneve të Kërkim-Shpëtimit (SAR) në bashkëpunim me institucionet e tjera që kanë interesa në det. Për mëse një orë efektivat e Grupeve Patrulluese, konkretisht Anijet “ORIKU P-132” “BUTRINTI P-134”, bashkë me gomonet e tyre, një anije e klasit “Drini” dhe “Bora”{Tip ARCHAngel}, dy mjete detare të shpejta nga Njësia e Lëvizshme Territoriale e Kufirit dhe Migacionit (Forca Delta) dhe një mjet detar i Drejtorisë Rajonale të Kufirit & Migracionit (Policia Kufitare), demostruan veprime të shpejta e profesionale në kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe zbatimit të ligjshmërisë Detare. Në këtë mënyrë institucionet detare që veprojnë në qarkun e Vlorës hodhën një hap tjetër për tu aftësuar në përballjen e emergjencave detare në Detin JON. Në fund Shefi i Shtabit të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo, përgëzoi efektivat pjesmarrës të kësaj stërvitje për përmbushjen me sukses të objektivave e synimeve të caktuara.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Detarët tanë realizojnë stërvitjen “Vlora-Sarex-2016”, Shefqet Kercelli

MERGATA-Rruga e jetës është drejtësia,mos u ndaj nga rruga për të hyrë në rrugica

April 29, 2016 by dgreca

*Sokol Demaku, mësues në shkollën suedeze “Fjardingskolan”, Borås/

*Duke lexuar librin “Sa e këndshme është jeta” të Sokol Demakut/

Shkruan Viron Kona/

Njerëzit e duan vendin e tyre, e duan rruzullin tokësor si një shtëpi dhe familje të madhe, të bukur e të ngrohtë, harmonike, ku të mbizotërojnë marrëdhëniet miqësore, respekti i ndërsjellë i vlerave, duke kontribuuar gjithkush me modesti për pjesën që i takon. Prandaj dhe krahasimi i rruzullit tokësor me “Shtëpi të Njerëzimit” apo shprehja “Jeto dhe lërë të jetojnë”, tingëllojnë nga më të gjeturat, ato janë rrjedhojë e përvojave jetësore të trashëguara në breza.

Mesazhet  të tilla të vyera e, plot të tjera, përcjellë libri i Sokol Demakut “Sa  e këndshme është jeta”, një libër që nuk i kalon 100 faqet, por që kumton cilësisht ide dhe arsyetime logjike për jetën aktuale dhe të ardhmen, për natyrën dhe përpjekjet e shoqërisë për të kundërshtuar të keqen dhe për të përmirësuar dhe perfeksionuar më tej vetveten, për t`i dhënë njeriut lirinë  e merituar, të drejtën që i takon, vlerat dhe të vërtetat…

Për të çelur kapitujt e librit autori përdorë si çelësa  të artë shprehje të filozofisë popullore shqiptare, që e plotësojnë më mirë idenë dhe mesazhin, por që edhe konfigurojnë mendimin dhe portretizimin e tipave dhe karaktereve që ai merr përsipër të paraqes. Janë shprehje që përmenden në vendin dhe kohën e duhur, që njeriut i vlejnë në jetë, sot dhe gjithnjë, janë sentenca që vijnë nga përvojat e kohëve që kaluan dhe që vlejnë edhe për kohët që vijnë. Ato janë të shumta dhe tërheqëse në këtë libër, por unë mbajta shënim disa prej tyre: “Rruga e jetës është drejtësia, mos u ndaj nga rruga për të hyrë në rrugica”, “Plakem, e për nënën time gjithnjë jam i vogël”,  “Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten”, “Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri nga koka, jo nga këmbët”, “Ke provuar të mbushësh kokën me idetë e të tjerëve, por në fund bosh e ke përsëri”, “Unë nuk vuaj shumë nëse më jepet rasti të falë atë që është për t`u falë, nuk dua as të humbas atë që kam”, Çdo njeri duhet t`i përgjigjet vetes së tij dhe duhet të dijë se çfarë kërkon në jetën e tij”. “Dashuria duron varfërinë, nevojën, urinë, mundimin… Dashuria  ndryshon skëterrën në parajsë…”, “Dashuria për atdheun është mbi të gjitha dashuritë”.

           Mos përbuzë gjuhën e nënës sate, gjakun e vëllait…

Në vendin tënd mund të të ndodhë që ta shohësh disa herë dikë` dhe të mos arrish të komunikosh, sepse nuk ka ardhur rasti, sikurse, mund të ndodhë që edhe mund të kesh pasur një zënkë, grindje e konflikt me të dhe, kur i kalon pranë, as që i hedh sytë, i shmangesh, apo edhe e përfletë, e kërcënon. Por, nëse ndodhesh në dhe` të huaj dhe, e rastis bashkëkombësin, qoftë edhe atë me të cilin je grindur, menjëherë ndjen dëshirën t`i afrohesh dhe ta përshëndetësh.

Në vështirësitë dhe peshën e rëndë të emigracionit, në tehun e mprehtë të indiferentizmit e mospërfilljes dërmuese, emigranti përpiqet të gjej një mbështetje sado të vogël për t`u çliruar nga rëndesa e mjedisit të madh, të  rrëmujshëm e të panjohur, që, atij, herë-herë i ngjason deri edhe me një gjeratore të fuqishme e të pamëshirshme që e tërheq drejt qendrës së saj thithëse. E, atëherë ai kërkon me ngulm qoftë edhe një pikë të vogël mbështetëse, ashtu si udhëtari në shkretëtirë që, i etur për një pikë uji, kërkon doemos një burim, ashtu si shtegtari që ka humbur rrugën në një pyll të dendur, kërkon një shteg për të dalë…

Emigranti kërkon të kapet diku, të mbahet dhe të dalë nga gjendja e turbull dhe  e pa shpresë ku ndodhet. Në kësi rastesh, edhe sytë apo vështrimi i njeriut sado pak të njohur, i duken si një far, si një dritë, ku ai duhet të drejtohet, si një bankinë moli, ku ai të ankorojë anijen e tij të jetës. Bashkëkombësi bëhet kështu mbështetje për të qëndruar e orientuar, pastaj, për të ecur e për të vazhduar rrugën e jetës, ai është shpresa, besimi dhe shpëtimi. Kjo, ndodh, për arsyen e kuptueshme, sepse me bashkëkombësin të lidhin gjëra të mëdha, që bashkojnë dhe jo ndajnë, të lidhë origjina, gjaku, vendlindja, gjuha, kombësia, traditat…

Në të gjitha epokat, por edhe sot po ndodh dendur që njerëzit largohen nga vendlindja, në shumicën e rasteve për mbijetesë, apo dhe për shkak të luftërave dhe gjenocidit, sikurse edhe të prirë nga kurioziteti  dhe kureshtja. Por, mjafton një sinjal, një thirrje, një kambanë nga atdheu dhe ata vrapojnë e mblidhen në vendlindje, e cila ka forcën e një magneti tërheqës dhe të fuqishëm. Bashkëkombësit vijnë në atdheun e tyre dhe mblidhen si bijtë rreth prindit, me merakun t`i pyesin e t`i shohin se si janë, çfarë mund të bëjnë për t`i ndihmuar dhe mbështetur për jetën dhe vazhdimësinë…“Guri rëndë peshon në vend të vetë”, “Zemra e tyre është në vendlindje”.

Duke “bashkëbiseduar” me Astrid Lindgren

Me arsyetime të mençura dhe me një gjuhë të qartë e të kuptueshme, letrare dhe filozofike, Sokol Demaku, përcjellë  mesazhin që, ashtu si atdheun e vendlindjen, duhet të duash dhe  të respektosh njerëzit e kombit tënd, gjakun tënd, i cili është më i afërti, qenia njerëzore që qëndron më pranë teje në gëzime dhe vështirësi, në mbijetesë dhe luftë për të mbrojtur atdheun dhe jetën… Ai ndjenë dhe shprehë keqardhje për ata njerëz që grinden, që shahen e përçahen, që formojnë klane dhe i kundërvihen njëri – tjetrit, shpifin nisur nga interesa të vogla e meskine, paragjykime dhe vese të zilisë, egoizmit, pronësisë, përfitimit vetjak. Me fjalën e tij të qetë dhe të urtë, Demaku bën thirrje për bashkim e vëllazërim, për jetesë në harmoni dhe të mbushur me dashuri, për t`i qëndruar pranë vëllait, për t`iu gjendur atij në vështirësi, për t`ia lehtësuar hallet e mbijetesës në dhe` të huaj, për t`i ofruar po mundi një “dorë” ndihmë. Prandaj dhe përcjellë thirrjen: “Mos përbuzë gjuhën e nënës sate, gjakun e vëllait… “Duhet të dish se, i huaji asnjëherë në jetë nuk ka për të pyetur për rrënjët e tua, por gjithmonë ka për të folur për gjethet ato i interesojnë atij. E së shpejti, në vjeshtë, gjethet do të thahen, do të bien për tokë e do t`i bartë era..

                  Njerëzit duan më shumë  diellin që lind se sa atë që perëndon

Në tipin dhe karakterin, në punët dhe detyrat që kryen, Sokol Demaku shfaqet gjithë gjallëri dhe entuziazëm, miqësor dhe i ndjeshëm, ai nuk është asnjëherë indiferent dhe flegmatik, nuk mund të qëndroj i qetë kur punët nuk shkojnë siç duhet, përkundrazi, është aktiv, i zhdërvjelltë dhe i zjarrtë: edhe në krijimtari, edhe në veprimtaritë kulturore, arsimore, artistike e shoqërore. Tipi dhe karakteri i tij shfaqet në dëshirat dhe vullnetin për dije e kulturë,(duhet të dish vet, që t`u thuash diçka  të tjerëve), në pasionin dhe mirëkuptimin vëllazëror, në dashurinë për vendlindjen me tërë forcën e ndjenjave  të pastra e të sinqerta, në gatishmërinë për ta ndihmuar e mbështetur atë që është në nevojë, duke bërë gjithnjë më të mirën e  mundshme. Sokoli e ka si lajtmotiv maksimën: “Punët e mira janë si drita, jo si errësira”. Njerëzit duan dritën, jo errësirën, ai mbështetet në devizën se, njerëzit “Duan më shumë  diellin që lind se sa atë që perëndon”.

Në të djathtë: Sokol Demaku, Per Olof Höög (kryetar i komunës Brämhult-Borås-Suedi)  dhe Bahtir Latifi,(prill 2013) duke i dhuruar kryetarit të komunës një copë minerali nga nëntoka e Kosovës.

Karakterin dhe formimin e tij Demaku e shprehë në librat dhe mendimet që shfaq, qofshin ato filozofike e poetike, por mbi të gjitha e shprehë në qëndrimet realiste dhe njerëzore, në marrëdhëniet miqësore që krijon kudo ku ndodhet, në vendlindjen e tij – Kosovë, në Shqipëri me miq e shokë të shumtë, në Boras të Suedisë ku jeton e punon me bashkatdhetarët, me kolegët, nxënësit, komunitetin prindëror të shkollës suedeze “Fjardingskolan” ku është mësues prej shumë vitesh, me kolegët  gazetarë e shkrimtarë në Lidhjen e Shkrimtarëve Suedezë, në Shoqatën e  Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klelementi XI Albani”…Sikurse e shfaq nëpërmjet revistës tashmë mjaft të njohur “Dituria” të Borasit, Suedi, që ai drejton, të radios dhe televizionit  “Dituria”…

                         Kur nuk merret në mbrojtje i drejti, atëherë “djajtë” hedhin valle

Të mbetet në mendje skica“Një ndjenjë e humbur”, e cila, e shkruar  me gjuhë të zhdërvjelltë dhe  figuracion të gjallë artistik, shprehë ndjenja të thella dhimbjeje njerëzore për vogëlushët, që, të detyruar nga egërsira-gjenocidi-serb mbi Kosovën martire, braktisën ëndrrat, kukullat, lulet, zogjtë, oborrin e shtëpisë, lojërat, shoqet dhe shokët e vegjël, gjyshërit, gjithçka të dashur dhe të bukur të vendlindjes dhe, pas prindërve të tyre, “morën arratinë” në rrugët labirint të kurbetit… Një skicim demaskues i gjenocidit serb, i cili, veçanërisht në Kosovë, u shfaq i tëri sterrë i zi në ligësinë e tij, duke vrarë  e masakruar njerëzit e pafajshëm, duke shkatërruar gjithçka ata ndërtuan me mundim të madh dhe sakrifica, duke i zbuar nga vendlindja, duke i  terrorizuar vogëlushët, duke u marrë atyre jetën, duke u vrarë ëndrrat dhe fëmijërinë…

Libri vijon me ligjëratën “Ku është ëndrra, ku mbeti shpresa?!”, një pjesë prekëse, që vjen  nëpërmjet rrëfimit drithërues të një nëne kosovare, e, ku përpara lexuesit shfaqen si në një skenë filmike dallgë e stuhi dëshpërimi e vuajtjesh,  të cilat as që mund imagjinoheshin se mund të ndodhnin, tmerre dhe krime rrëqethëse, që dërmuan shpirtra dhe zemra, që e bëjnë njeriun e urtë dhe të mirë të vërë në dyshim karakterin e panjohur dhe të dyzuar njerëzor, se, deri ku mund të arrijë ligësia e qenies njerëzore serbomadhe me ato krime dhe ato tmerre që i bënë të zeza dhe i nxinë krejt faqet e globit, që i treguan botës pjesën e padukshme, anën e panjohur të atyre qenieve që, në egon, babëzinë dhe egërsinë sunduese e pushtuese, u shfaqën përbindësha anti jetë, anti njerëzorë. Atë ligësi, ata e kishin shfaqur edhe për shumë vite e dekada më parë mbi shqiptarët, por që Evropa as që kishte dashur t`i dëgjonte, t`i shikonte, të pranonte të vërtetat e tmerrshme që ndodhnin në mesin e saj… S`ka më keq se sa ai që nuk do as të shikojë dhe as të dëgjojë. Fjala e urtë thotë se, kur nuk merret në mbrojtje i drejti, atëherë “djajtë” hedhin valle! Dhe,   “djajtë” e hodhën vallen e zezë të krimit mbi Kosovë.

E dhimbshme, tronditëse kur nëpërmjet gojës së nënës, shpërthen psherëtima: “Eh, botë e madhe, botë vetjake që më gënjeve me dritat shumëngjyrëshe, me bukuri të rrejshme… Bota kurrë nuk ka dashur të di të vërtetën…”

Ishin ato krime, ai ferr, që krijoi gjenocidi serb mbi Kosovë, të cilat më në fund e shkundën dhe e tmerruan Evropën, e tronditën dhe  e bënë të ndjeshme, duke besuar tashmë se krimi i zi i Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore nuk kishte ndalur, por vijonte i veshur me koracën e hekurt të barbarisë mesjetare, duke shkaktuar drama dhe tragjedi të tmerrshme në popullsinë e lashtë shqiptare, që kërkonte veçse të drejtën dhe lirinë në tokën e trashëguar nga stërgjyshërit e lashtë dardanë…

E, me gjithë ç`ndodhi, populli i Kosovës as u mposht e as u gjunjëzua, ai u shndërrua në Feniks, në zogun e shenjtë dhe të pavdekshëm të  mitologjisë, që rilindi nga hiri i tij…Në faqet e librit fryjnë me tallaz ndjenja dhe përjetime të dhimbshme: “Na larguan nga fshatrat me tanke, na detyruam të ikim maleve. Atje në male ishte shpëtimi ynë, aty ishte streha jonë…Nga atje shihnim gjakpirësit me shami në kokë duke djegur shtëpitë tona, duke shkatërruar çdo gjë që kishim krijuar me vite…Vendosëm të ktheheshim, por jo ne gratë, vetëm disa nga burrat të shihnin nga afër se ç`kishte mbetur…Çdo gjë ishte bërë shkrumb e hi. Më i vjetri i fshatit tregoi kur u kthye se, në oborr, kishte gjetur një kartolinë të shkruar nga njeri prej gjakësorëve serb që ia adresonte familjes së tij e ku i tregonte për krimet që kishin bërë ndaj popullsisë shqiptare…Krenohej me krimet që kishte bërë…”

Në vazhdim, në librin e tij, Sokol Demaku, ndihet i shqetësuar për plagën e rëndë të kurbetit dhe pasojat e shkaktuara: “Kurbeti ta humb fjalën e parë shqipe që ke nisur të flasësh në vendlindjen tënde të dashur, ta humb shokun e jetës që të mirën dhe të keqen e ke ndarë së bashku me të, të ndanë nga zemra e nënës që të ka rritë, të ndanë nga baba që të ka mësuar se si duhet vendlindja ku ke le, të ndanë nga motra e cila sa herë ta përmend emrin shkrihet në lot, të largon nga vëllai, nga miqtë e shokët dhe gjithë rrethi shoqëror…Në kurbet kurrë nuk mund të dëgjosh fjalën e ëmbël të nënës sate që e ke lënë me duar në gji duke të pritur në çdo kohë, të mungon ledhatimi i babait tënd që të rriti me këshillat e tij të mira dhe të dashura…”

    Era e fuqishme nuk ia zhveshi dot pallton udhëtarit,kurse dielli me rrezet e ngrohta bëri që ai ta heq vetë…

Sokol Demaku punon e krijon vazhdimisht. Ai godet të  keqen dhe ligësinë, duke përdorur si “armë” krijimtarinë dhe bukurinë krijuese, shpirtin e pastër dhe të dëlirë, punën e pandalshme, veprën kulturore dhe atdhetare.

Demaku është nga ata njerëz që nuk i shkëputë fjalët nga veprat, ai e përdor dhe e vë të gjithë kohën e   mundshme dhe përkushtimin në shërbim të punëve të dobishme, nismave e veprimtarive të vyera kulturore, duke i shërbyer me devotshmëri jetës, arsimimit dhe kulturimit, edukimit të fëmijëve, harmonisë, miqësisë dhe mirëkuptimit shoqëror, e, në këto drejtime ai është kurdoherë unik.

Sokoli të gëzon dhe të entuziazmon me punët e kryera dhe gjithnjë vijon në mënyrë të pandalshme për punë të tjera, edhe më të bukura. Energjitë e këtij njeriu janë të mëdha sepse kanë burim shpirtin dhe zemrën e tij të bardhë, krijuese dhe atdhetare.

Njeriu nuk është se do t`i bëj të gjitha, por në pozicionin e tij bënë më të mirën e mundshme, e të gjithë bashkë kryejmë punë edhe më të mëdha e të dobishme në shërbim të jetës dhe përparimit.

 

Duke punuar, duke krijuar pareshtur, gjithnjë me qëndrim të mençur e të ekuilibruar për jetën dhe njerëzit, për ngjarjet dhe marrëdhëniet shoqërore, Sokol Demaku  na sjellë në mendje proverbin ku tregohet që, era, sado e fuqishme, nuk ia zhveshi dot pallton udhëtarit, përkundrazi ai e shtrëngonte atë më shumë pas vetes, kurse dielli, me rrezet e tij të ngrohta, pa bujë e zhurmë, ngadalë e pa u ndjerë, bëri që udhëtari ta heq vetë pallton nga trupi…

“Sa  e këndshme është jeta!”, është një përfaqësim i veprimtarisë së palodhur, i mendimeve  krijuese të autorit, ai ka në qendër popullin e  vuajtur dhe të martirizuar të Kosovës, që u përballë me dhunën dhe gjenocidin e egër serb, nuk u thye, nuk u përkulë, por vijoi rrugën e jetës, gjithnjë në gjurmët e të parëve të lashtë ilirë, kurdoherë i orientuar drejt paqes dhe mirësisë, duke i treguar Evropës dhe botës, mesazhe dhe shembuj të vyer e të ndritshëm të civilizimit dhe qytetërimit të vërtetë…

Filed Under: Mergata Tagged With: Boras, mësues në shkollën suedeze “Fjardingskolan”, Sokol Demaku, Viron Kona

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT