• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

JETA, PABESI DHE MASHTRIM

April 17, 2016 by dgreca

Jeta e Uran Kostrecit  dhe thuajse e të gjithë shqiptarëve ishte mashtrim dhe pabesi/

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj*/

Falenderoj z. Uran Kostreci që zgjodhi Vlorën, menjëherë pas Tiranës, për të paraqitur librin e tij në prozë, novelën “Pabesia”.Para se të flas për librin dua të hap një parantezë, që mendoj se vlen për këtë auditor. Pas viteve 90 në vendin tonë ka vërshuar një krijimtari e bollshme, ku më e shumta janë poezi, kujtime, përkushtime të të afërmëve apo njerëzve që kanë dhënë ndonjë vlerë gjatë luftës çlirimtare apo gjatë diktaturës së egër komuniste gjysmë shekullore. Asnjëherë nuk duhet ndaluar iniciativa, madje do ta quaja më shumë se gabim, faj apo më keq akoma, krim, që t’i ndalosh kujtdo të drejtën dhe lirinë për të shprehur lirisht mendimet e tij, gjë që na u mohua për gjysmë shekulli.

   Por theksoj se, liria e mendimit dhe shprehjes nuk duhet shpërdoruar. Jo të gjitha botimet janë cilësore dhe përciellin atë mesazh për të cilin ka nevojë shoqëria shqiptare sot. Për këtë unë tërheq vëmendjen e çdo krijuesi, që vetshpallet, studiues apo historian, pa i njohur analet e historisë, pa u diplomuar në këtë fushë, pa u afirmuar si i tillë apo më keq akoma pa botuar një libër. Si mund të vetquhet profesor ai që nuk e ka një titull të tillë? Si mund të vetquhet poet një bejtexhi? Si mund të vetquhet romancier një që s’ka shkruar romane, por vetëm kujtime, apo kronike ngjarjesh, me një gjuhë dhe leksik shqip tejet të çalë?  Krijuesve të mirfilltë u vjen turp t’i kenë libra të tillë nëpër bibliotekat e tyre, sepse nuk fitojnë gjë. Flas për ata njerëz  që janë të shtresës së mohuar dhe shkruajnë. Të mos ia lejojnë vetes një gjë të tillë, sepse është paradoks, cinizëm, s’është aspak profesionale dhe aq më tepër letrare. Sepse autorë të tillë do të jenë ironia e vetvetes. Mbi të gjitha dëmtojnë letërsinë e cila ka nevojë për një seleksionim të këtyre prurjeve që i ngjasin xhunglës.

Më falni z. Kostreci që ndërhyra, por mendoj se është sugjerim i domosdoshëm, me njerëzit e duhur, në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Të riparojmë ndërgjegjen tonë ne si shtresë në kohë, sa nuk është vonë. Kujtoj se asnjëherë nuk është vonë për t’u riparuar si individ apo më gjerë si shoqëri dhe për të bërë gjënë e duhur.

  Dy fjalë për librin “Pabesia”:

Novela e z. Kostreci me titull “Pabesia”, si të parin botim në prozë, do t’i uroja sukesese autorit brilant të sonetit edhe në këtë gjini të vështirë, në prozë, e cila kërkon kohë dhe vullnet për t’u realizuar. Mund të them me plot gojën se Uran Kostreci ndoshta është i vetmi autor që lëvron sonetin 13 rroksh, tashmë i lënë në hije nga  krijuesit, ashtu siç janë lenë në harresë edhe disa gjini të tjera si skica letrare dhe letërsia për fëmijë. Pra janë tri gjini, plus romanin, se shkruhen pak romane të mirëfillta, për të cilat mendoj se letërsia shqiptare është në krizë. Novela, që nga titulli flet vet. Në pamje të parë duket si autobiografik, por jetët shqiptare janë aq të ngjashme sa , kur lexon diçka shprehesh me habi: “Kjo qenka jeta ime!”

Ngjarjet zhvillohen në dy etapa kohore: në luftë dhe në diktaturë. Etapa e luftës është në sfond si shkaktarja e gjithë të këqijave,vëllavrasjes, pabesisë ndaj vëllait të një gjaku si dhe kosovarit të cilin ia dorëzuan bishave serbe. Ishte komunizmi sllav-serbo-rus, ajo ideologji e mallkuar që solli përçarjen mes shqiptarëve duke i futur në një hasmëri shekullore. Janë pikërisht ato litarë dhe pabesia ndaj vëllait, mikut, të afërmit dhe shokut, që na i kanë lënë si trashëgimi edhe sot të pafetë.  Shumë bukur e paraqet autori mes antagonizmash, diverse mendimesh, me metafora të goditura qëndrimin e Radomit, personazhit kryesor dhe djalit të hallës, Agronit. Ky i fundit del në mal me dëshirën e atdhetarit, mori pjesë në luftë për çlirimin e vendit. Por shumë shpejt zhgënjehet krahas idealit që i injektuan dhe njohjes të së vërtetës së hidhur që përjetoi. Njohja e së vërtetës e çoi atë drejt vdekjes. Edhe pse në plan të dytë, Agroni me qëndrimet e tij si luftëtar lirie dhe si njohës i ideve komuniste, qëndron shumë lart.

Libri nis me një peizazh disa vite pas mbarimit të luftës. Agroni kthehet nga Ferri ku kaloi vitet e rinisë, me mendimin se gjithçka do të kishte ndryshuar, por përsëri pësoi zhgënjim. Radomi, zbret aty ku kaloi fëmijërinë, rininë, ku njohu vajzën e ëndrrave dhe ku u bë baba. U kthye me dëshirën,  me mallin për atë kohë të pakthyeshme, pasi gjithë kohën kishte jetuar me  ëndrrën se do t’i gjente të gjithë në shtëpinë e tij. Por për fat të keq ajo tashmë s’ekzistonte më. Buzë lumit vurin re se ende qëndronte  gorrica e përzhitur nga flakët e luftës, mure të rrëzuar si pa zot, varfëri e tejskajshme kishte mbuluar vendin si në kohë zije makabre. Me dyshimin në gjithçka të zymtë që i përfshiu syri, por edhe për kalimtarin kurioz gëlonte mendimi i trishtë, që e rrëqethi trup e shpirt “Mos vallë kjo ishte bota e re për të cilën luftuam?”! Hedh sytë nga vetja  dhe ligështohet ; ka ngelur një invalid me një sy e dhe me një dorë. Kjo tablo plotëson gjithë domethënien e novelës. Kujt i hyn në punë vallë një qorr-sakat? E megjithatë jeta qenka e dhembshur. Ai do që të jetojë ashtu, gjysmak për të birin, ndoshta për ta nisur jetën pikërisht  aty ku e kishte lënë.  Zotërinj a nuk është jeta jonë e gjymtuar? Kjo ishte teoria e idealit marksist apo socialisto-komunist për ta shkatërruar njeriun dhe fisnikërinë. Tek ky njeri i gjymtuar ,diku në shpirtin e tij të zbrazët, jetonte dashuria e tij e parë dhe mendimi i të qenit “baba”.

Ishin pikërisht këto dy ndjenja sublime, të pazëvendësueshme që e mbajtën Radomin gjallë për vite të tëra. Kjo novelë përciell tek lexuesi se tre breza vuajtën dhe ende vuajnë materialisht, shpirtërisht dhe mendërisht, madje edhe fëmijët e tyre kanë fatin e paraardhësve . Oh, ç’mëkat që na la trashëgim një sistem pa themele. Cilido në vend të tij do të mendonte : « Kur ke një shpirt të zbrazur, ke vdekur…Trupi pa shpirtin është inekezistent. » Dhe novela e lë lexuesin me një pikëpytje enigmatike . Në fund ti, unë e të gjithë pyesim: “Si u vajti filli vallëkëtyre njereëzve që shpresuan dhe jo vetëm nuk fituan, por pësuan zhgënjimin më të madh të jetës? »Novela është trajtuar bukur, rrjesdhshëm , me fjalor e frazologji të pasuraqë të bëjnë të mos e lëshosh nga dora deri në fjalën e fundit

Z.Uran ju uroj suksese, ashtu si në sonete, edhe në prozë, sepse e meritoni!

* Paraqitja e novelës “ Pabesia”- në Vlorë më  3-7-2010- Vilhelme Vrana

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: mashtrimi dhe pabesia, Novela Pabesia, Uran Kostreci, Vilhelme Vrana Haxhiraj

YLLI BAKA- “Kënga mjaltë i dashurisë”

April 17, 2016 by dgreca

Flet këngëtari i mirënjohur Ylli Baka: Albumi i fundit ka 9 këngë dhe titullohet “Kënga mjaltë i dashurisë”/

 –“Vullkani kuq e zi”, kënga që këndohet në kor kudo që shkoj/

-“Vullkani kuq e zi”, kënga që i kushtohet kombëtares sonë, një himn për futbollin shqiptar/

– Në Çikago ishim në një sallë me rreth 3 mijë vetë, ku kënga u kthye tre herë/

– Kënga si tekst ka 3 autorë, Ylli Baka, Arben Duka dhe Jorgo Papingji/

– Ishallah “pëlcet cunami” dhe kualifikohemi më lartë në Francë, se kënga ime për ta nuk do shteroj/

– Nuk e mendoj të merrem kurrë me politikë, unë i përkas vetëm muzikës shqiptare/

– Kryebashkiak i Tepelenës? Ka tërmet që e mposht Tërmet Peçin?/

-Cigarja dhe kënga janë shokët besnik, kur lodhem me njërën qetësohem me tjetrën, pa tepri/

– Unë këndoj 100 % muzikë shqiptare, nuk dua të kopjoj, më pëlqen muzika jonë/

 Nga Albert Z. ZHOLI/

 Bisedat me të janë gjithmonë të këndshme. I qeshur, i dashur shumë i lidhur me grupet muzikore, por dhe me të gjithë ata që e duan këngën. Nuk është vetëm lëvizja që e bën këngëtarin më të dashur dhe më të kërkuar, por është dhe puna e tij e vazhdueshme për këngë të reja, për gjetje të reja, për interpretime ndryshe. Dhe këtë mënyrë ndryshe të komunikimit me spektatorin ai e arriti si risi me këngën tashmë hit dhe më të dëgjuar “Vullkani kuq e zi”, që i kushtohet kombëtares sonë të futbollit që arriti rezultatin më të lartë të të gjithë kohërave, atë të kualifikimit Euro 2016. Një bashkëpunim i frytshëm me vagabondin dhe me DeVox bëri që të dalë një këngë që për ditë barazohet me himnin e kombëtares. Përveç këngës, ai ka dhe një shok tjetër të ngushtë cigaren. Jo se nuk e heq nga buzët, por në momente qetësia duket sikur i përcjell imazhe muzike për të nxitur një krijimtari të re. Dy djemtë binjakë studiojnë për piano dhe ai dëshiron që krahas instrumenteve të lidhen dhe me këngën. Ylli është ftuar në më shumë se 30 vende ku ka emigrantë shqiptarë, kështu ai është bërë një ambasador shëtitës i kulturës shqiptare, që bashkon, vëllazëron, ofron shqiptarët dhe u përcjell atyre mesazhin e dashurisë për atdheun. Këngët patriotike janë këngët më të kërkuara në emigracion dhe pikërisht janë ato këngë që atij i ndezin shpirtin e zemrës për të nxjerrë në pah gjithë aftësitë dhe mundësitë. Kur këndon, Ylli është tjetër njeri, është Ylli i muzikës shqiptare që ka kënduar dhe këndon vetëm melodi dhe muzikë të mirëfilltë shqiptare.

 Flitet shumë për këngën tuaj të fundit, të re, si u realizua ajo, kush ishte shtysa dhe me kë e realizove?

Kënga e re titullohet “Vullkani kuq e zi” për nder të kualifikimit në Euro 2016 në Francë. Kjo ishte një ide e një këngëtari Hip Hop, Vagabondi që u lidhëm me Gramoz Kozelin dhe DeVox. Kishim një ide për të vënë një bashkëpunim të tillë. Sa dëgjova muzikën e propozuar mendova që kjo këngë ti kushtohej kombëtares sonë. Kjo këngë mund ti përshtatej ritmit, entuziazmit të tifozerisë sonë për këtë arritje të madhe për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar.

Mos vallë t’u ngjiz ndonjë poezi, para se të shkoje te kënga?

Po. Gjithmonë ideoja që të bëja diçka për këtë fitore dhe herë pas here formoja vargje se si mund ti përshtatja në një këngë të tillë. Pra ideoja një refren të fuqishëm. Kështu lindi kënga ku fillova bashkëpunimin me poetin Arben Duka dhe Jorgo Papingji. Kënga na mori kohë një javë. Filluam bashkëpunimin për realizimin në studio me FolkPlus. Është një këngë bërë me shumë zemër.

Kur mbaroi kënga dhe u hodh në CD në treg?

Pas një muaji kur filluam realizimin. Punuam në grup poet, këngëtarë dhe kompozitor. Duhej që kjo këngë të ngjitej në nivelin e rëndësisë së fitores. Ishte një ngjarje që do e rriste rëndësinë edhe nëpërmjet këngës. Kishim shumë besim dhe ashtu doli. Sa doli në tregun mediatik këngë u përpi. Kërkesat ishin të shumta. Kudo që shkonim shikonim se e para ishte kjo këngë. Nuk u zhgënjyem. Ajo për 20 ditë u kthye në një këngë hit.

Kush është e veçanta e kësaj kënge hit?

E veçanta kryesore është se kjo këngë u pëlqye nga të gjitha grupmoshat dhe nga të gjitha trevat. Pra nuk u pëlqye vetëm nga rinia por edhe nga fëmijët dhe kam vënë re se këndohet nga të gjithë. Madje sa herë e këndojmë të gjithë çohen në këmbë dhe këndojnë me ne. E veçanta tjetër është se kjo këngë ka karakter të theksuar kombëtar, pra është një himn I dytë që ka tone të forta bashkimi, vëllazërimi në emrin e përbashkët shqiptar. Këtu edhe zëri më ka ndryshuar ka marrë një ngjyrim tjetër që plotësohet nga Vagabondi, që hyjnë në harmoni në muzikë, zë dhe tekst që e bëjnë këtë këngë shumë të pëlqyeshme. Pra ka ritëm, temp, harmoni, zë të fuqishëm dhe realizmi i klipit është bërë në Durrës me BBF televizion. Është një këngë jashtë natyrës së përditshmërisë dhe natyrës së këngëve të mia dola nga natyra, u bëra më i moderuar. Ishte një eksperiencë që doli me shumë sukses ku ende d he sot e kësaj dite rezultatet dalin në pah vazhdimisht.

Kur është kënduar kjo këngë jashtë kufijve tanë?

Është kënduar në vitin e ri 2016 është kënduar në New Xhersi, në Cikago, dhe në disa shtete të tjera. Në Çikago ishim në një sallë me rreth 3 mijë veta ku kënga u kthye tre herë. Jam befasuar. Këtë këngë e këndova dhe me këngëtarin dhe bateristin Ilir Suku, i cili ka një eksperiencë në këtë fushë. Ishte një natë e magjishme që nuk më shlyhet nga kujtesa. Kjo vjen pasi kohët e fundit është rritur ndjenja kombëtare.

Realizimi:Ylli Baka dhe Vagabondi. Muzika; Gramoz Kozelin dhe DeVox

Teksti Ylli Baka, Arben Duka dhe Jorgo Papingji

Le të flasim për albumin e fundit. Sa këngë ka ky album dhe përse e titullove në mënyrë poetike?

Albumi i fundit ka 9 këngë dhe titullohet “Kënga mjaltë i dashurisë”. I vendosa këtë emër sepse ishte dhe kërkesa e poetit Jorgo Papingji. Ai e studio këtë album dhe mendoi për këtë emër. Unë e përkraha.

Cilët janë bashkëpunëtorët në këtë album?

Poetë janë Jorgo Papingji, Arben Duka por edhe unë në disa këngë. Kompozitor. Klodian Qafoku, Genci Malaj, Alfred Tase, Kozeli, Ilir Suku etj…

A ka xhelozi mes këngëtarëve?

Nuk e di. Mund të them se mund ët ketë xhelozi profesionale xhelozi që të shtyn të ecësh para. Unë nuk shikoj ç’bëjnë të tjerët por ç’bëj unë. Dua të di ku jam dhe sit ë eci para. Por dua të them se janë future shumë në vallen e këngës. Por koha bën të vetën, ajo ecën dhe sjell seleksionimet. Koha të teston dhe të tregon sa vlen. Mua më pëlqen konkurrenca. Pa konkurrencë nuk ka zhvillim.

A ka ndikim tek muzika juaj muzika e huaj?

Unë këndoj 100 % muzikë shqiptare. Nuk dua të kopjoj. Më pëlqen muzika jonë, kemi muzikë të bukur origjinale, me traditë që vërtet pëlqehet kudo. Unë kam kënduar dhe do këndoj vetëm muzikë shqiptare të pastër. Kështu më pëlqejnë kudo, kështu më respektojnë kudo që ka shqiptarë. Edhe ën Kosovë Mal të Zi, Maqedoni dhe kudo ku ka mërgimtarë mua më pëlqejnë vetëm me këto këngë dhe kurë nuk ka marrë mundimin të këndoj këngë të huaja apo muzikë të huaj. Përderisa muzika jonë ka një melodi ndryshe dhe të pëlqyer përse të shkoj të kërkoj gjetiu?

 Cigarja, si duket nuk të ndahet?

Jemi shokë të ngushtë. Qajmë hallet e njeri-tjetrit. Sidomos me kafen e mëngjesit sa më shijon. Pastaj kur pijë dhe një gotë verë në drekë më shokët, oh sa mirë. Pastaj pas koncerteve dhe lodhjes me këngë dhe të rrethuar me njerëz që të respektojnë, obobo, dy herë sa mirë. Por nuk e teproj, brenda asaj që e shijoj. Pavarësisht se mungon kënga e duhanit por shkojmë mirë pa e tepruar me njeri tjetrin.

Ku e bazon suksesin?

Tek këmbëngulja, zëri, puna tek miqtë. Kam miq shumë, punoj shumë, por dhe respektoj shumë punën, vlerat. Nuk fyej dhe nuk shaj por gjithmonë respektoj atë çka përbën një gjë ndryshe dhe që është e pëlqyeshme. Për të gjitha këto që thashë kam bërë këngën “Jeni miqtë e mi të nderit ndaj ju them faleminderit”.

Ju keni tre fëmijë (një vajzë, dy djem) dy binjakët, a ju ngjajnë djemtë në fushën e muzikës?

Djemtë binjakë i kam futur në këtë fushë. Ata studiojnë për muzikë. Ata studiojnë për piano. Dua që të vazhdojnë rrugën time, pse jo të bëhen dhe ata këngëtarë, përveçse instrumentistë. Rruga e tyre është e hapur, pasi i kanë të gjitha mundësitë.

Keni objektiva të tjera së afërmi?

Objektiva kemi shumë, por mos të flasim para kohe, tashmë sapo nxora në treg klipin “kur kaloj nga Korça”

Pse kur kaloj nga Korça dhe jo na Tepelena, Gjirokastra, apo Vlora?

Po ja. Isha në Tepelenë, kalova në Mezhgoran, pastaj tek Ura e Dragotit, Leslkovik, Pogradec, Korçë, kthim në Elbasan dhe pastaj në Tiranë, ku kam vendqëndrimin e përhershëm tani. Ndaj që qyteti më i skajshëm i kësaj lëvizjeje me koncerte ishte Korça.

Harrove Tepelenën?

Jo. Tepelenën nuk e harroj dhe e kam gjithmonë me vete. Kudo që të shkoj, kudo që të këndoj, do këndoj edhe për Tepelenën, por në çdo lëvizje patjetër do të shkoj dhe në Tepelenë. Nuk jam egoist, por dua të them se Tepelenën, ku kam lindur dhe jam rritur e kam shumë për zemër. Këngën e parë timen e kam bërë për Tepelenën. Ndaj nuk dua të bëj këngë të dytë, por tashmë kam fillua këngë për shumë fshatar me emër të Tepelenës, si Bënça, Uji Ftohtë, Memaliaj, Arrëz, dhe do dal në Progonat. Ne jemi vend I vogël me bukuri të madhe. Ndaj në një këngë thotë “Lemë o zot të rroj, të rroj të shijoj bukuritë e vendit tim”. Kam shkuar që nga Australia deri në Amerikë por Tepelenën por edhe Shqipërinë e kam me vete. Ne kemi një klimë si verë në të katër stinët me lumenj, dete, liqene, male, fusha, kodra, vende përrallore. Dukemi shumë vend i vogël, por kur i shkel dukemi si kontinent

Keni menduar të merreni me politikë?

Me politikë? Jo, jo, as që mendohet. Më kanë thënë që të merrem, më kanë ftuar shumë parti politike, por unë i përkas partisë së këngës, partisë së atdheut tim. Unë kam fansa sa të majtë edhe të djathtë dhe nuk dua t’i ndaj. Politika s’është në natyrën time. Politika do tjetër prerje.

Kemi dëgjuar se do kandidosh për Kryetar Bashkie në Tepelenë?

Ahaaaaaaaaaaaaaaaaaaa (qesh) …edhe këtë nuk e kisha dëgjuar. Si duket duan që t’ia fus mikut tim Tërmet Peçit. Por tërmeti mbetet tërmet, të shkund nga rrënja…ahahaha. . E ç’më duhet mua Bashkia kur kam këngën, kur kam miqtë, kur kam zërin, kur kam investuar një jetë të gjithë. E ku jam unë për politikë. . . hahahaha. Unë bëj politikën e këngës, të atdheut, të dashurisë, të patriotizmit.

Mesazhi për fansat?

Unë jam një fans i madh i kombëtares. Edhe kur isha në Greqi gjëja e parë që bleva ishte sateliti për të parë ndeshjet e kombëtares. Ndaj ju them, se jam me ju kudo që jeni, në të katër anët e botës. Unë do i këndoj Shqipërisë, kombëtares së futbollit, do ju këndoj ju kudo që të jeni pa dallim, me thënien e famshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Inshallah pëlcet “cunami” dhe kualifikohemi më lart në Francë, se kënga ime për ta nuk do shteroj. Ku ka rrjedhur do pikojë dhe unë do jem pranë tyre kudo ata që duan dhe me këngët që ata më sugjerojnë. Ju dua të gjithëve, shëndet, lumturi, mbarësi dhe me sytë nga Franca 2016. Ju jeni frymëzimi im…

Sot shumë njerëz janë penduar për profesionet e zgjedhura, po Ylli hyn në këtë kategori?

Aspak! E them me bindje se më pëlqen profesioni im, në të cilin sot bëj pjesë. Madje e them me po kaq bindje, se jam i gatshëm që t’i shkoj deri në fund të kësaj rruge që kam nisur të bëj. Edhe nga ana ekonomike mund të them që unë si këngëtar jam shumë i kënaqur, pasi ana ekonomike është e lidhur ngushtës me suksesin. Jashtë ekonomisë mua më ka bërë të zgjedh këtë profesion pasioni dhe përkushtimi ndaj muzikës.

Çdo këngëtar ka momente të vështira. Cilat kanë qenë për ju këto?

Gjithmonë fillimet janë shumë të vështira. Dhe në ecje e sipër gjithmonë përballesh më barriera të shumta. Çdo material, çdo këngë, çdo sukses, ka vështirësitë e veta, por ajo superohet me punë dhe seriozitet maksimal. Në çdo profesion në çdo zanat ekziston fjala popullore: “Duhet 99% punë dhe 1% talent”.

Jeni vetë këngëtarë, por keni dhe preferencë. Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar?

Më pëlqen muzika popullore e mirëfilltë, si e shkuara edhe e tashmja. Plus kësaj pëlqej dhe muzikën e mirëfilltë të lehtë shqiptare dhe atë kosovare. Ndërsa për sa i përket emrave nuk përmend asnjë, sepse do ketë qejfmbetje ! Janë shumë këngëtarë të mirë.

Shumë këngëtarë kanë dhe profesion të dytë. Çfarë do të donte Ylli n. q. s s’do të bëhej këngëtar?

Mendoj se çdo njeri sot ka dy dhe më shumë profesione. Besoj se do bëhesha poet, sepse më vjen dorësh për poezi dhe madje gjysmat e teksteve i kam shkruar vetë.

Çfarë vlerësoni tek një njeri?

Brenda njeriut ka shumë gjëra. Personalisht vlerësoj sinqeritetin e tij. Miqësia dhe shoqëria kanë qenë dhe janë gjithmonë të pandashme në jetën time.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: mjaltë i dashurisë”, YLLI BAKA- “Kënga

REAGIM-DJEGIA E FLAMUJVE SHQIPTARE Në PODGORICE, AKT URREJTJE ETNIKE

April 17, 2016 by dgreca

Organizata “ Kosova për Sanxhakun” shpreh shqetësim të thellë dhe dënon ashpër, shfaqjen e akteve vandale, djegien e  flamujve kombëtare të Kosovës e të Shqipërisë në Podgoricë.

Organizata “ Kosova për Sanxhakun” shpreh shqetësim të thellë dhe dënon ashpër, shfaqjen e akteve vandale, djegien e  flamujve kombëtare të Kosovës e të Shqipërisë në Podgoricë.

Janë akte të shëmtuara dukuri të tilla  dhe nuk janë gjë tjetër përveç shfaqje të urrejtjes,   mos respektit dhe mos tolerancë ndaj shqiptarëve në tërësi, prandaj si shoqëri është e domosdoshme  të punohet shumë më shumë në integrimin dhe avancimin e vlerave demokratike, kulturore dhe ndëretnike, në këtë pjesë e Ballkanit e cila pretendon të jetë pjesë e  Evropës demokratike.

Aktet e tilla të urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe shteteve të tyre qesin në pah nivelin e lart të urrejtës që mbizotëron në mentalitetet e shoqërisë serbo-malaziase për çdo gjë që ka të bëj me qenien jo sllave si tërësi.

Jemi të  zhgënjyer thellësisht me mënyrën se si vallë për akte të kësaj natyre shteti  as këtë raste e lere më ato më të rënda, nga e kaluar jo e largët (siç është rasti i Husajve) nuk arrit të i qes para drejtësisë kryesit e këtyre sulmeve që në vazhdimësi po përsëriten duke acaruar deri në pikë të vlimit marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërshtetërore.

Incidentet e këtij karakteri, jo vetëm se nuk shkojnë në favor të marrëdhënieve të mira ndërnacionale në Mal të Zi, por  as nuk krijojnë ambient besimi brenda vet popujve që jetojnë në Mal të Zi por edhe në tët trevën e Sanxhakut, e më gjerë.

OJQ “ Kosova për Sanxhakun”

Kryetar: Ismet Azizi

Filed Under: Komente Tagged With: AKT URREJTJE ETNIKE, DJEGIA E FLAMUJVE SHQIPTARE Në PODGORICE

Shqiponjat e vogla, shtojzavallet e Kulturës shqiptare në Ontario, Kanada

April 17, 2016 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

Viti 2011, nuancat e formimit akademik të drejtuesit Ramazan Kellezi miqësitë mes fëmijëve të emigrantëve prej trevave të ndryshme, gjuha shqipe, ruajtja dhe përcimi i traditës…një tërësi faktesh që të cojnë tek ai grupim mjaft i njohur në Kanada por edhe më gjerë emërtuar si “Shqiponjat e Vogla” të Ontarios janë identiteti ynë etnografik-kulturor ku tingujt, ritmet dhe kostumet shkrihen natyrshëm duke i dhënë një përmasë patriotike të gjitha mjediseve kanadeze ku mblidhen shqiptarë. Ishin falenderimet e profesor Kristian Bukuroshit që më kthyen përsëri në ato evente ku mjafton prezenca e ”Shqiponjave te vogla” dhe festa ndizet natyrshëm sepse vitaliteti fëminor është nxitësi dhe frymëzuesi i cdo ndjesie të bukur.Janë veprimtaritë e shumta ku Shqiponjat e vogla performojnë, kronikat ekselente të Pasyrës shqiptare të Ilir Lenës, promocionet e pareshtura të hitit komunitar shqiptaro-kanadez Ruki Kondaj që ndofta bëjnë që fjala ime të duket e tepërt dhe dyshoj nëse mundet ta përcjellë si duhet atë realizëm pse jo, edhe magjik. Por unë nuk mund të jem indiferente ndaj efekteve që shkakton prezenca fizike e tyre në mjediset ku ato performojnë.Si unë edhe shumë të tjerë ku natyrisht të parët janë prindërit e këtyre artistëve që mjeshtri Këllezi nuk resht duke i falenderuar , janë pikërisht ata që me kohën e tyre dhe të fëmijëve të tyre i  investojnë kaq shumë  kulturës tonë .

Për ti përshkruar Shqiponjate vogla do duhen ngjyra kostumesh, thurje mjeshtërish artizanë, tinguj të lashtë vallesh e ritme koreografësh. Por unë do ti quaj thjesht shtojzavalle që duket sikur vijnë nga e shkuara jonë plot larmi e mister dhe sjellin aq shumë gëzim, kureshtje dhe elementet e festës që e ndryshon ritmikisht atmosferën dhe fton në kërcim gjithkënd bujarisht .Ato do të mbeten Shqiponjat e vogla edhe pse shumë prej tyre tashmë studjojnë e do të studjojnë kolegjeve me emër e nesër do të jenë profesionistë të fushave që ofron ky vend i madh, pa i harruar kurrë ritmet e valles dinamike shqiptare.Po vazhdoj ti konsideroj zana që me hapat e tyre plot ritëm mbrojnë atë histori që fliste edhe përmes valleve tona sa lirike aq edhe epike. Prezenca e Lili Cingut e bën edhe më historik vallëzimin e Shqiponjave të vogla që nuk u mungojnë festave ,ngjarjeve, duke u bërë kështu pjesë e një historiku që fillon në vitin 2011 kohë kur Koreografi Ramazan Këllezi mori përsipër krijimin e grupit, pregatitjen e tij dhe prezantimin e valles shqiptare në mjediset shqiptaro-kanadeze duke e cuar atë përtej kohës, gjeografisë, mu në gjirin e gëzimit dhe miqësisë.Vallja ky mit i lashtë sa vetë njerëzimi që transmeton emocionet më të bukura të tij simbol i festës dhe gëzimit familjar, bashkëudhëton pa u ndarë me të bukurën në cdo ngjyrë veshje, në cdo tingull muzike, në cdo ritëm hapash aq sa ndjehesh e përfshirë kur e ke pranë po aq emocion përjeton kur ia percepton madhështinë që as koha nuk e vjetërsoi kurrë, përkundrazi. Shqiponjat e vogla e mbajnë gjallë gëzimin, festën, vallen shqiptare dhe pasionin. Ato janë vlerë e produksioneve që lind pas punës dhe përkushtimit. Është një mënyrë argëtuese për tju mësuar fëmijëve që rriten larg Shqipërisë traditën tonë muzikore koreografike dhe etnografike ku jo pak vend zë gjeografia e kostumeve tona dhe historia. Është një tjetër produkt i atij mozaiku pafund me të cilin Bashkësia Shqiptaro Kanadeze identifikon vlera, akumulon vlera, ia ve në dispozicion mjediseve shqiptare dhe më gjërë duke i shumfishuar dhe trashëguar brezave që do pasojnë. Është shërbimi më i mirë që mund ti bëhet kombit, është investim kulturor që na bën të ndjehemi bashkë edhe pse distanca jo vetëm gjeografike na ndajnë. Shqiponjat e vogla, ju zana që me artin tuaj jocudibërës por real, gjallëroni e zbukuroni festat, e mbroni në mënyrën më paqësore, pa debate e kundërshti kulturën shqiptare kudo ku shkelin hapat tuaja të strukturuara mjeshtërisht nga njerëzit e pasionit që nuk njeh moshë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kanada, Marjana Bulku, në Ontario, Shqiponjat e vogla, shtojzavallet shqiptare të Kulturës shqiptare

Donald Trump në “Enkalvën Republikane”, Staten Island – New York

April 17, 2016 by dgreca

Nga Beqir SINA – Staten Island NY/

Edhe , Hillary Clinton, në Staten Island për fushatën elektorale, tubimi i saj  ka nise në Sallën e Madhe në Qendrën Kulturore në Kopshtin Botanik, nga ora 5 deri në orën 7 të darkës /

STATEN ISLAND, N.Y. – Kandidati Republikan për President, Donald Trump, zhvilloi sot të dielën në mëngjes – fushatën e tij, në ishullin  Staten Island – New York, vetëm dy ditë para votimeve në primare për New Yorkun, në një fushatë mjaftë të ashpër dhe ku “gjuha” e kandidatëve , nga dy partitë, i ka shtuar “dozat” e retorikave.

Republikanët, GOP, shkruan shtypi lokal, ftuan sot të dielën në ishullin e e quajtur ndryshe “enklava e republikanëve” në drekën vjetore Dita Partisë Republikane Linkoln në Hotelin “Inn Hilton – Bloomfield”, kandidatin republikan për President miliarderin Donald Trump.

Megjithëse, kremtimi i republikanëve, ishte parashikuar të fillojë rreth orës 11 paradite, shkruan shtypi lokal,  dyert e sallës, ku do të mbahej tubimi në hotel u happen qysh në orën 9 paradite, dhe salla ishte mbushur përplot me mbështetës të cilët gjatë gjithë kohës ishin shumë entusiast.

Asnjëhere, nuk ishin para kaq forca të shumta të Shërbimit Sekret, dhe oficerë të NYPD , që ishin të përfshirë në sigurinë, e këtij tubimi.

Aqsa, për rreth  zonës në Hotelin “Inn Hilton, Bloomfield”, katër dhe pesë blloqe për rreth, vendit  ku mbahej tubimi i republikanëve, kryqëzimet kontrolloheshin nga forcat e shumta të sigurisë NYPD, duke bërë çdo lloj kontrolli rutinë.

Në hyrje të gardhit rrehtues të hotelit, poliicia kishte vendosur barrikada dhe kishte vënë nën kontroll dy grupet e protestueseve, atë të  protestueseve anti Trump, dhe grupit tjetër kontraprotestuesit, që mbeshtesin Donald Trump, pra mitingashët dhe antimtingashët.

Gjithashtu, njoftohet se po sot, mbas kthimit nga Hollivudi – Kaliforni, ku Kandidatja demokrate Hillary Clinton, e preferuara e shqiptarëve të Amerikës, ishte nnë një fushtë  per rritjen e fondeve, do të jetë në ishullin Staten Island, për një fushatë në mbremje.

Ku gjatë ditës së sotme, Hillary, me këtë rast pritet të vizitojë edhe ishullin Staten Island, gjatë ditës.

Tubimi i Hillary Clinton në Staten Island për fushatën elektorale do të mbahet në Sallën e Madhe në Qendrën Kulturore në Kopshtin Botanik, nga ora 5 deri në orën 7 të darkës

Tubimi i Hillary Clinton në Staten Island sot njoftoi media, është e lirë dhe i hapur për publikun.

Votimet paraprake, për të dyja partitë  Partinë Republikane dhe Partinë Demokrate, mbahen ditën e martë në të gjithë shtetin e New Yorkut.

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, Donald Trump në "Enkalvën Republikane", Staten Island - New York

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT