• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Në Kosovë ka financim të radikalizmit që shpie në terrorizëm

April 29, 2016 by dgreca

“Është një numër shumë i vogël i rasteve që kanë të bëjnë direkt me financim të terrorizmit, por më shumë është i pranishëm financimi në radikalizëm që mund të shpie në terrorizëm. Financime të tilla vijnë si brenda territorit të Kosovës ashtu edhe jashtë saj”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dardan Nuhiu, drejtor i Njësisë për Inteligjencën Financiare në Kosovë./

Radio Evropa e Lirë: Zoti Nuhiu, së fundi, Qeveria miratoi Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Sa ju ndihmon ky ligj në përmbushjen e detyrës suaj?

Dardan Nuhiu: Më anë të këtij projektligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit është bërë sistematizimi i dispozitave ligjore në fuqi, harmonizimi i mëtejmë i legjislacionit me standarde ndërkombëtare dhe evitimi i pengesave në zbatimin e legjislacionit më qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe përmbushjes së detyrave në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizimit.

Në këtë projektligj, janë inkorporuar dhe sqaruar dispozitat ligjore lidhur me parandalimin dhe vlerësimin e rrezikut si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë sektorial. Janë sqaruar po ashtu kompetencat e Njësisë për Inteligjencën Financiare në Kosovë, është definuar funksionimi i pajtueshmërisë për parandalimin e pastrimit të parave në kuadër të subjekteve raportuese si dhe procedurat e ndëshkimit.

Projektligji është hartuar bazuar në standardet e Task Forcës për veprim financiar si dhe duke marrë parasysh dhe reflektuar edhe në direktivën e re të Bashkimit Evropian 2015/849 e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.

Ky projektligj do të shërbejë edhe për përmbushjen e objektivit të Qeverisë së Kosovës në procesin për integrime evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Luftimi i burimeve të financimit të terrorizimit, mendohet të jetë një nga çështjet thelbësore në rrafshin e sigurimit të paqes për një shoqëri demokratike. Sa është e pranishme kjo dukuri e financimit të grupeve të dyshuara për terrorizëm në Kosovë?

Dardan Nuhiu: Në Kosovë, dukuria e financimit të terrorizimit është më pak e pranishme, por kjo dukuri më shumë është e pranishme si financim i radikalizmit i cili më pas mund të shpie në terrorizëm. Njësia për Inteligjencën Financiare bashkëpunon me institucionet kompetente për zbatimin e ligjit në baza ditore në kuadër të kompetencave të tyre me qëllim të parandalimit dhe luftimit të financimit potencial të terrorzimit.

Në momentin e të cilave dyshohet për financim të terrorizimit apo fenomenet të lidhur më këtë dukuri përgatit raportet e inteligjencës të cilat më tutje i përcjellë tek organet kompetente për procedim të mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: Çka nënkupton për ju një financim i dyshimtë, që eventualisht mund të shpie deri te hetimet që i zhvilloni?

Dardan Nuhiu: Informacionet për financim të dyshimtë zakonisht vinë nga subjektet raportuese. Në raste të caktuara vijnë për organizata të ndryshme joqeveritare.

Hapat e mëtutjeshëm i ndërmarrim duke bërë inspektimin në ato OJQ dhe gjatë kontrollit dhe inspektimit shihen fonde që nuk e kanë prejardhjen ose ato OJQ nuk e caktojnë se ku do të shpenzohen paratë. Ajo shumë e cila nuk ka prejardhje apo nuk caktohet shpenzimi i tyre, për neve llogaritet si fonde të dyshimta dhe më pas i përcjellim në Policinë e Kosovës për hetime.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të të dhënave që disponon Njësia e Inteligjencës Financiare që ju drejtoni, sa ka indikacione të sakta se këtu në Kosovë ka financimin të terrorizimit apo aktiviteteve terroriste?

Dardan Nuhiu: Është një numër shumë i vogël i rasteve që kanë të bëjnë direkt me financim të terrorizmit, mirëpo më shumë është i pranishëm financimi në radikalizëm që mund të shpie në terrorizim.

Radio Evropa e Lirë: Keni zbuluar deri më tani aktivitete të tilla në Kosovë?

Dardan Nuhiu: Po kemi pasur raste të tilla. Të gjitha këto raste janë përcjellë në Policinë e Kosovës dhe në Drejtorinë kundër Terrorizimit.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur raste të shumta?

Dardan Nuhiu: Këtu rastet tona janë raporte informuese që e kanë dyshimin bazë. Raportet tona i përcjellim tek organet kompetente, ato pastaj hapin rast dhe zhvillojnë hetimet e mëtutjeshme.

Në bazë të raporteve kthyese që i kemi prej Policisë së Kosovës janë disa raste që janë ngritur kallëzim penal për individ apo subjekte të ndryshme, por nuk mund të them një numër total të këtyre rasteve.

Radio Evropa e Lirë: Nga cilat vende vijnë financime të tilla apo janë brenda territorit të Kosovës?

Dardan Nuhiu: Ka edhe brenda territorit të Kosovës, por ka edhe prej vendeve tjera.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë ato shtete?

Dardan Nuhiu: Nuk mund të ceken për arsye se një pjesë e këtyre rasteve janë nën hetim dhe për këtë arsye nuk mund të japim emrat e shteteve prej nga vijnë këto financa.(Luljeta Krasniqi-Veseli)

Filed Under: Interviste Tagged With: Në Kosovë ka financim të radikalizmit, në terrorizëm, që shpie

SHBA planifikon të rrisë shpenzimet e mbrojtjes për Evropën

April 29, 2016 by dgreca

Një komision i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka mbështetur rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve të mbrojtjes, për të siguruar aleatët evropianë, të cilët janë të shqetësuar me manovrat e ushtrisë ruse.

Ligjvënësit në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura po ashtu kanë votuar për ndarjen e 150 milionë dollarëve, për të ndihmuar në trajnimin dhe pajisjen e forcave të Qeverisë së Ukrainës në luftën e tyre kundër separatistëve pro-rusë në lindje të vendit.

Ligji, megjithatë, nuk i plotëson kërkesat e vazhdueshme të Kievit për armë të tjera pos atyre që i ka ofruar Uashingtoni deri më sot.

Në vlerë prej 610 miliardë dollarësh, legjislacioni është një nga buxhetet më të mëdha për mbulimin e politikave të mbrojtjes të SHBA-së.

Paketa autorizon më shumë para për avionë të avancuar luftarakë, për anije të reja detare, për betejën kundër sulmeve kibernetike, si dhe për gjëra më të zakonshme, si pagat e shërbyesve dhe shpenzimet e kujdesit shëndetësor për ta.

Ligji po ashtu reflekton prioritetet e politikës së jashtme amerikane dhe alarmin që shumë ligjvënës dhe zyrtarë kanë shprehur në lidhje me veprimet e përshkallëzuara ushtarake të Rusisë në Ukrainë, në Siri dhe gjetkë.

Ligjvënësit kanë mbështetur edhe një propozim të adiminstratës, të quajtur Iniciativa për Sigurimin e Evropës, e që kërkon 3.4 miliardë dollarë për të rritur praninë e ushtrisë amerikane në Evropën lindore. Pentagoni planifikon të rrisë numrin e brigadave luftarake në Evropë, ashtu si dhe armatimin e stacionuar atje.

Anëtarët e komisionit janë pajtuar edhe për një traktat, që autorizon vendet të kryejnë fluturime mbikëqyrëse mbi territorin e një vendi tjetër, për të monitoruar forcat ushtarake. Traktati për Qiej të Hapur është përdorur edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga Rusia për të mbledhur informacione.

Ligjvënësit e komisionit kanë debatuar edhe për kufizimin e përdorimit të motorëve rusë për lëshimin e satelitëve ushtarakë të SHBA-së. Prejse SHBA ka vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska në vitin 2014,zyrtarët amerikanë kanë propozuar kufizimin e përdorimit të motorëve RD-180, të cilët prodhohen nga një korporatë shtetërore ruse.

“Nuk ka arsye të mbushim xhepat e (presidentit rus) Putinit tani. Kini parasysh kur të votojmë me poo se jo. Nëse votojmë me po, ne i kontribuojmë drejtpërdrejt modernizimit të ushtrisë ruse”, ka thënë anëtari i komisionit, Duncan Hunter, republikan nga Kalofornia.

Por, zyrtarë të Forcës Ajrore të SHBA-së kanë thënë se nuk do të ketë alternativë të mirë amerikane për motorët rusë edhe për disa vite.

Një tjetër ndryshim thelbësor i politikës ka përfshirë kërkesën që gratë amerikane të rekrutohen me detyrim në ushtri. Sipas ligjit ekzistues në SHBA, të gjithë burrat midis 18 dhe 25 vjeç janë të detyruar me ligj të regjistrohen në qeverinë federale dhe potencialisht të rekrutohen në rast lufte.

Edhe pse mund të shërbejnë në të gjitha degët e forcave të armatosura të SHBA-së, gratë, për kohë të gjatë, janë ndaluar nga pozicionet luftarake.

Projektligji për mbrojtjen do të kalojë për miratim në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e ardhshëm.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Analiza Tagged With: e mbrojtjes për Evropën, SHBA planifikon, të rrisë shpenzimet

Kosova pret të vendoset dialogu politik me NATO-n

April 29, 2016 by dgreca

-Admirali i Flotës Ushtarake Detare të SHBA-së, Mark E. Ferguson III, tha se me përcaktimin për prioritetet institucionale, Kosova ka gjithnjë e më pak kërcënime për të cilat duhet të përgjigjet NATO. Pritje te Presidenti Thaçi/

 PRISHTINË-B.Jashari/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti  të enjten në takim admiralin e Flotës Ushtarake Detare të SHBA-së, Mark E. Ferguson III.Presidenti Thaçi u shpreh se Aleanca Veriatlantike mbetet çelës për stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, duke shtuar se KFOR-i është institucioni më i besueshëm nga popullsia në Kosovë.Ai tha se Kosova pret që të vendoset dialogu politik me NATO-n dhe të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me aleancën.

“Forca e Sigurisë së Kosovës ka kryer reformat e nevojshme dhe është e gatshme për t’u shndërruar në ushtri, në një forcë multietnike. Forcat e Armatosura do të jenë të gatshme për programin Partneriteti për Paqe të NATO-s”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi theksoi se nëntëdhjetë për qind e popullsisë së Kosovës është pro NATO-s dhe se duhet të shfrytëzohet ky momentum në mënyrë më proaktive, sepse secila vonesë në proceset e integrimeve i hap rrugë ideologjive ekstreme.

Ndërsa, Admirali i Flotës Ushtarake Detare të SHBA-së, Mark E. Ferguson III, tha se me përcaktimin për prioritetet institucionale, Kosova ka gjithnjë e më pak kërcënime për të cilat duhet të përgjigjet NATO.

Admirali Ferguson tha se janë me vend prioritetet që të forcohet sundimi i së drejtës, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar gjë që, sipas tij, nënkupton se ka gjithnjë e më pak kërcënime për të cilat duhet të përgjigjet NATO.

“Kjo është shenjë e mirë, e stabilizimit dhe normalizimit të Kosovës. Jemi të kënaqur me reformat e FSK-së”, tha admirali Ferguson.Presidenti Thaçi tha në fund se Kosova është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.“Kosova është shteti i vetëm në rajon që ka ndërmarrë hapa konkretë. E kemi miratuar legjislacionin që sanksionon pjesëmarrjen në konflikte të armatosura jashtë Kosovë. Kemi realizuar fushata të vetëdijesimit të opinionit publik që të mos mashtrohen nga organizata terroriste e kriminale të tilla si ISIS. Asnjë kosovar nuk i është bashkuar grupeve terroriste në gjashtë muajt e fundit”, tha presidenti Thaçi.

Filed Under: Kronike Tagged With: Admirali Mark E. Ferguson III, kosova, NATO, Thaci

Byroja politike e PD-ës

April 29, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

Një lajm erdhi nga Saranda…, demokratët përzënë Arben Imamim. Megjithatë shtypi i gjerë nuk e pohonte. Veçse lista e drejtuesve të fushatës së ardhshme doli. Dhe zëri nga Saranda nuk ishte pa gjë. Tek-tuk kanë nisur kritikat e para. Dhe nuk është e vështirë të kuptohet se PD-ja nuk luan rastësisht vetëm me një sulmues. Kjo një skemë e pragmatiste futbolli. Që shpesh teknikët e përdorin kur në krye kanë një sulmues race. Po…, duam apo nuk duam ne. Ose edhe me gjithë konsideratën, nostalgjinë, respektin …, çfarë tjetër të themi?! Berisha nuk është më një i tillë. Sado që trazon, sado që sjell konfuzion dhe u imponohet qeveritarëve. Për shkak të përvojës dhe njerëzve që në një farë mënyre hanë nga të dy krahët. Nuk na sjell në pushtet. E aq më tepër me lista të këtij soji që tashmë përvoja e brishtë politike shqiptare, i cilëson me indeksin e xhaketave të vjetra. Nëse Saranda vërtet e ka kthyer mbrapsht Arben Imamim, me preteksin e kryengritësit të shtetit në 1997. Atëhere është edhe kjo një nga dhjetra arsyet e firos prej 1 milion shuplakash që morëm në zgjedhjet e fundit.

Çfarë po ndodh në fakt me të djathtën shqiptare.

E gjitha filloi me një zgjedhje me kontestim në garën Basha-Olldashi. Sado performancë dhe sado arritje të kishte Basha. Olldashi ishte shpirti i saj. Ndofta një nga politikanët më me nerv natyral prej demokrati. Se sa prurja e KOP-it. (Një lloj MJAFT-I që sot po qeveris në emër jo të socialistëve, por pragmatizmit të shokëve, grupeve me petkun e intelktualit. Që bën pis fare pa gajle edhe një nga periudhat më të ndritshme në historinë kombëtarë. Atë të Rilindjes së madhe.

Eshtë fatkeqësi për një vend që protuestues dhe dhunues të shtetit, apo bojkotues, shkurt rrogtarë që nuk shkojnë në punë, sot janë shtetarë dhe flasin në emër të një populli. Kjo ndodh në Shqipëri.) Kësisoj edhe e djathta, sulmon sot me një sulmues oportunist. Dhe jo me shpirtin e saj.

Kjo sipas të gjitha gjasave të çon në një përfundim. Një marrëveshje të mundshme sojesh për një cikël qeverisje me sira. Dhe ky është turpi i heshtur i pranuar prej idealistëve të djathtë. Mëkati i një soji aspiruesish intelektual brenda partisë. Të cilët e konsiderojnë normale marrjen e një posti drejtues përmes formulës përkrahësit e këtij apo atij. Dhe jo të statutit të partisë në të cilën ata aderojnë me vullnet të lirë. Me idealin se duan të qeverisin vendin e tyre. Pa e kuptuar asnjëherë se fitoret dhe arritjet vijnë përmes sfidave të mëdha.

Edhe një herë…, duan apo nuk duan demokratët, epoka e Berishës mbaroi.

Ndofta si me asnjë tjetër politikan si ai, nuk ka patur dhe zor të ketë sukses individi. Ashtu sikur dhe rëniet në pikiatë, zor se do i ketë tjetër kush.

Nga marsi i 1992-it deri në qershorin e 20013-ës. Na bëri të ëndërrojmë, por edhe na la pa shtet. Na bëri krenar, por edhe na befasoi me faljet për zgjedhjet që bënte. Siç ishte reforma moderne, ajo agrare e 7005-ës. Mbi toka dhe objekte duke mos e vënë një shoqëri në një start të përbashkët.

Na shushati me alenancat politike, zgjatimet e koalicioneve jo të dobishme, por shushunja në buxhetin e një vendi të lodhur. Aq sa sipas një verifikimi më të fundit sot në Shqipëri operojnë 113 të tilla. (Fakt që e përsërisim dhe e përsërisim).

Por edhe alaencat individuale duke e kthyer Kuvendin e shqiptarëve në një treg të shitjeve të mandateve të popullit.

Në të njëjtën kohë shoguam botën me moshapjen e dosjeve. Dhe vendit nuk i afruam asnjë çast marrëveshjen e madhe. Atë që më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër, shqiptarët e kishin dhe e kanë më se të domosdoshme. Por ne fuqizuam dhe vazhdojmë të fuqizojmë paradoksin politik. Duke i mbajtur shqiptarët me heronjë dhe dëshmorë palësh. Dhe jo të vendit të tyre.

Nuk janë vetëm kaq!

Megjithatë siç e thashë na bëri të ringrihemi, u ringrit edhe vet. Na bëri t’i besojmë. Dhe i besuam. Duke u dhënë shqiptarëve lëvizjen e lirë në Europë. Një infrastukturë me premisa të Perëndimit edhe pse me kulturë otomane në kuptimin e investimit. Të raportit të individit me taksimet, mirëmbajtjet e verpave të mëdha.

Kontribuam në lirinë e Kosovës. Asaj pjesë të vrarë. Plagës së shqiptarizmës, pikërisht për shkak të dasimeve. Dhe luftës së ashpër politike qysh nga bërja e shtetit. Ndërkohë që flisnim për prosperitet dhe vëllazërim. Nuk e ndihmuam asnjëherë me sjelljen dhe gjuhën e ashpër. Mbetëm vetëm ideollog, ose llafollog. Por e bashkuam Kombin të paktën moralisht dhe përmes një rruge.

Ka dhe mund të ketë shumë të tjera…, por aq ishte.

Në orët e mbrëmjes disa zëra publik shprehin habi edhe me një fakt tjetër. Mungesën e predispozitës së individëve të përfshirë në listën në fjalë. Si nuk heqin dorë vetë.? Si nuk i hapin rrugën më të rinjëve?

Përse nuk heqin dorë? Sepse të heqësh dorë është zotësi. E mbi të gjitha fisnikëri. Por me sa duket fisnikëria na ka humbur. Dhe kjo humbje akoma më e madhe.

Disa të tjerë thonë se janë përkrahësit e Berishës etj.

Për së pari përkrahës të tij janë të gjithë ata që në këto njëzet e kusur vite besuan. Deri sa sot përkrahës të tij janë edhe Imami, Pollo, Ceka etj. Por në vend të shpirtit të garës. Ata i kanë marrë më të errëta anë Berishës. E kanë vrarë me kohë mendësinë bashkëkohore, edhe prej gjumit të të rinjëve brenda PD-ës. Kjo u duk që pas zgjedhjeve lokale…, kur emëruam të gjithë humbësit në poste drejtuese. Unë nuk kam asgjë me emra si Duma, Alibej e ndonjë tjetër. Por thjesht, humbën. As duhet të emëroheshin e as duhet të pranonin. Një stine re kërkon veshje të reja. Çel gjethin e ri. Frymon dhe ka memorien e saj si suport për ardhmen. Por e djathta është kthyer në një stanjacion emrash, duke na nxjerrur mallin e byrosë politike të diktaturës. Atë që menduam se e rrëzuam. Ku lal Hekri apo Tao-Tao, u rrinë simpatizantëve me grushtin tek tëmthi. Ndaj demokratët grinden e sillen akoma me inatin e humbjes. Merren me mamanë e Erionit. Me dështimin e Edit si piktor. Dhe kujdesin prej qelqi që të mos i shtojnë ndonjë gram Metës. Në të njëjtën kohë janë bërë përkrahës të këtij apo atij brenda PD-ës. Sillen plot mllef humbje zgjedhjesh. Edhe pse tri vitet shkuan si një gotë uji e hedhur pas.

Dhe e dini pse e gjitha kjo? Sepse PD-ës i ka ikur shpirti.

Filed Under: Opinion Tagged With: Byroja politike e PD-ës, Ilir Levonja

VINÇENC PRENNUSHI-POETI I PAHARRUAR ATDHETAR

April 29, 2016 by dgreca

JETA DHE VEPRA/

Me rastin e nëshkrimit nga Papa Françesku i dekretit me të cilin shpallen të Lum  Shërbëtori i Hyjit, Vinçenc Prennushi, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe 37 shokë martirë, të vrarë ndërmjet viteve 1945-1974, gjatë regjimit komunist./

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Në librin ”Historia e Letërsisë Shqiptare”-1983, poeti Vinçenc Prenushi, i cili mbylli sytë si shenjt në hetusinë komuniste, përmendet  kalimthi vetëm me dy rreshta cinike: “Ndër vjershëtorët klerikalë dhe publicistët më agresivë ishte edhe Vinçenc  Prenushi, poet i dobët sentimental e fetar.” Sigurisht nga kritikë të atillë që ngrinin në qiell vjershat për dikatorët gjakatar e për bomba e flamuj të kuq,  nuk mund të shpresohej për vlerësimin  shkencor të poezive  me zanafillë qysh nga Naimi e Fishta.

Po kush qe ky poet, ”agresiv e sentimental”? Ky poet i frymëzuar, që i këndonte vështrimit të dashur të nënës, lirisë njerëzore, atdheut, kënaqësisë e larmisë së luleve, hijeshisë së pyjeve  dhe vezullimit të yjeve? Veçse, pa dashka të ashquajturit kritikë letrarë duke e cilësuar sentimental, këtë predikues mbresëlënës të besimit ndaj Zotit, thanë një të vërtetë, se çfarë duhet të ketë një poet: shpirtin e ndjeshëm, që nuk pajtohet me asnjë sjellje agresive. Vinçenc Prennushi, ky shërbëtor i Hyjit, me shkrime e ligjërata  edukoi ndër vite disa breza besimtarësh.

Çfarë veprash na la ky poet e atdhetar martir?

Vinçenc Prennushi njihet tashmë për një varg aftësish, poet lirik, shkrimtar, dramaturg, përkthyes, folklorist, publicist, filozof teolog e peshkop françeskan. Prennushi. u lind më 4 shtator 1885 në Shkodër. Mësimet e para i mori në vendlindje në shkollën françeskane dhe i vazhdoi në seminarin e Troshanit.  Më 1908 kreu studimet për teologji e filozofi në Insbruk të Austrisë dhe u shugurua meshtar i Urdhërit Françeskan me emrin At Vinçenci. Qysh në ato kohë u njoh me disa gjuhë dhe me kulturën europiane. sidomos atë gjermane. Pas pëfundimit të studimeve kthehet në atdhe dhe emrohet drejtor i Kolegjit Françeskan në Shkodër. Aty bashkëpunon me shkrime në revistën “Hylli i Dritës” dhe merr pjesë në themelimin e Komsisë Letrare Shqipe. Më 1911, boton në Sarajevë vëllimin “Kangë popullore gegnishte” -Veri, Kosovë, Shqipni e Mesme-. Më 1918, botoi “Fjala e Zotit” dhe “Grueja shqyptare”.  Qysh në moshë të re u shqua me poezitë e përkryera  lirike në vëllimin “Gjethe e lule”, botuar në viti 1921. Gjithkush teksa lexon këto poezi të krijuara thuajse njëqind vjet më parë, dëgjon kumbimin e shqipes së pastër  e të bukur,  melodi, sa të ëmbël po aq ritmike, të përshkuar nga një tis i këndshëm melakonie djaloshare kohësh romantike. Nga pena e Prennushit kanë dalë edhe krijimet “E tradhtuemja”, “Guri i mshehtë e fort i çmueshëm”, drama, “Prej robnie në liri” etj. Më 1924, si një nga veprimtarët në shërbim të demokracisë botoi broshurën, “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”. Ndër përkthimet e Prennushit njihen romanet “Kuo Vadis” nga Henrik Sienkeviç, “Burgjet e mia” nga Silvio Peliko, “Fabiola” nga N. P. Uiseman. Gjithashtu ka përkthyer vepra nga Fridrik Vilhelm Veber, Fransua Rene Shatobrian, Aleksandër Manxoni, etj.  Në vitet 1921-1924, drejtoi revistën “Hylli i Dritës”,  gjithashtu të përkohëshmen “Zani i Shna Ndohut”.  Bashkëpunoi me gazetat “Posta e Shqipnisë” dhe “Ora e Maleve”. Me 26 libra teologjike për shërbesat fetare ai arriti të emërohej arkipeshkëv i Durrësi dhe i Tiranës.

Vinçenc Prennushi, është  nderuar  qysh në vitet e krjimtarisë nga poetë e shkrimtarë, si At Gjergj Fishta,  Ndre Mjeda, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Kristo Floqi, Marin Sirdani, Ernest Koliqi, Stefan Shundi; nga arbërshët Zef Skiroi e Gaetano Petrota; nga albanologët Maksimilian  Lambertz, Fulvio Kordigjano, etj. Sado në vitet e mohimit të vlerave kombëtare, u orvatën të zhvlerësonin veprën e tij, ai mbeti i paharruar. Pas shembjes së diktaturës komuniste, jeta  e vepra e tij  u njoh  më gjerë  e më thellë, nga shkrimet e një vargu të gjatë shkrimtarësh e dijetarës të kulturës, si Arshi Pipa, Pjetër Pepa, Aurel Plasari, Gjergj Zheji, Rudolf Marku.  Robert Elsie, etj.

Më 1941 Stefan Shundi shkruante : ”Prennushi njihet si kangatari i ambëlsisë dhe i melankolisë, e me të vërtetë ndër të gjitha poezitë e tija kumbuon nji jeh i kandshëm dhe nji ushtimë zynmnuese, në dashtë të këndojë atdhen e bukurit e tija, në dashtë të vargnojë mysteret e besimit…”

Arshi Pipa në kujtimet e veta na bën të ditur, se: “politika Imzotit nuk i pëlqente dhe ma shpesh kuvendojshim mbi gjana të tjera, mbi letërsi, mbi gjana të së kaluemes, mbi përvoja vetiake të ndryshme. Me të tjerët Imzoti ishte shumë i ndalun dhe çelte gojën për me dhanë ndonji këshillë, edhe atëherë kur ishte i pyetun, ose për me ngushëllue me fjalë të buta zemrat e vuejtuna të njerëzve. Fort rrallë tregonte ndonji ndodhi të jetës së vet, ndonji anekdotë ose nji fakt historik, dhe gadi gjithmonë me qëllim edukativ. Atëherë gjithë dhoma e vështronte në nji heshtje njimend fetare. Flitte thjeshtë, në mënyrë qi me e kuptue edhe fshatarët. Ndante me ma të vorfënt atë pak gjellë qi nji plakë e përshpirtshme i binte kur kishte. Rrinte, ndonjiherë me orë, në vendin e vet pa folë, me kqyrjen e tretun përtej dritares. Mbas gjasë atëherë lutej. Ishte i butë me shpirt të paqëm, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue, me nji urtësi te bindshme, dashunin e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë. Buzëqeshun në të folun, zemërgjanë ndër gjykime, i qetë e i sigurtë në besimin e vet të patrandshëm, por jo i mbyllun ndaj shekullit, madje fort i kuptueshëm për nevojat dhe të metat e njerëzve. Imzot Prennushi të bante shpejt për vete. Mbasi qemë afrue mjaft, un i lypa leje ta thirrsha Pater Vinçenc: titulli i françeskanit të dikurshëm më tingëllonte ma për zemër në ato kushte të trishtueshme, ku dallimet mes njerëzve nuk mund të ishin veçse të rendit moral. Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prennushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e atdhetarizmit shqiptar, i jep fytyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.”

Ndëshkimi mizor dhe rikthimi i shenjtë i poetit.

Më 1947, ky njeri i mirë e poet i paharruar dënohet me njëzet vjet burg, pa asnjë faj nga gjyqi komunist pa ligje, por pas torturash çnjerzore ndërroi jetë më 19 mars 1949. Veçse siç ndodh shpesh kohët ndryshuan dhe emri i tij u përmend përsëri  me zë më të lartë në tërë trojet shqiptare dhe jashtë tyre.  Më 8 maj të vitit 1993 u shpall “Martir i Demokracisë”. Lajmi ngazëllyes për firmosjen nga Papa Francesku i dekretit  me të cilin shpallen të Lum  Shërbëtori i Hyjit, Vinçenc Prennushi, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe 37 shokë martirë, të vrarë gjatë regjimit komunist eshtë një ngjarje e madhe historike, se veprat e tyre jetojnë  dhe i shërbejnë shoqërisë shqiptare dhe të vërtetës së munguar, duke hedhur poshtë tërë vendimet  e gjyqeve barbare dhe  qindra sajesa e kundërthënie të letërsisë  soc-realiste dhe historianëve me prirje të majta.

              Poezi e prozë  nga poeti  Vinçenc Prenushi.

Ndryshe nga çfarë shkruhet në librin “Historia e Letërsisë Shqiptar” 1983,  japim  nga ky poet lirik me kulturë të gjerë, vargje dhe prozë të një ndjesie e bukurie të rrallë në letërsinë shqiptarë. Ato zgjojnë ndjenjat e dlira njerëzore, krenarinë kombëtare, kujtimet për nënën,  ftojnë lexuesit në hijen e freskinë e pyllit, pranë lumit, të dëgjojnë zogjtë tek cicërojnë  dhe mbi Cukal  të sodisin yjet lart.

VINÇENC PRENNUSHI
NANA

M’i kande hyjt, qi ndrisin
Aq bukur atje n’qiell;
I due lulet e kandshme,
Kur njomshem çilin n’Priell.

Knaqem sa herë m’bjen zogun
Me e ndie pyllës tuj vallzue.
A i ve un veshin prronit,
Kah rrshet, tuj gurgullue.

Por lulet aq s’i due
S’i due aq hyjt vizluesa,
As m’knaqë blerimi i tokeve,
Me sa janë zogj kënduesa,

Sa m’knaqë perherë mue nana:
Virtytesh nji pasqyrë,
Nuk ka nevojë me m’folun,
Kam mjaft kur ajo më kqyrë.

 
KUQ E ZI  (28 nanduer)
Fishkllon veri, ushton duhija,
Bjeshkët për rreth mbushen me borë:
Por kjo stinë për ne â me orë,
Qysh se i lule me rrit desht:
Rriti lulen kuq e zi,
Qi â ma e bukra e ksajë Shqipni.

Ngjyra e sajë, njomsi prendvere,
Përtrin viset e Shqipnis;
Lule â kjo, lule lirike,
Qi ne nderën n’vend na e çon,
T’falem, lule kuq e zi,
Si ty s’rritë mâ kjo Shqipni.

Kuq si gjaku, si përhera
N’dej t’Shqiptarve idhtë pat vlue,
Zi si futa, qi pat mlue
Njat anmik qi me e njoft s’desht.
T’falem, lule kuq e zi,
S’t’ka kush, jo, posë ksajë Shqipni.

Ty t’bajnë burra nder lamije,
Vashvet parzmat jau stolise;
Je nderue nder kombe e fise,
Si dhanti e t’Naltit Zot.
Shejtë â lulja kuq e zi
E â ma e çmueshmja e ksajë Shqipni.

N’çdo kremtim, n’gzime kombtare
Mbledhë Shqiptari çetë mas çetë,
Gjallnim s’ka, nuk nep shej jete,
Kur ket lule ngjet s’e shef.
Rrnoftë, pra, lulja kuq e zi
Qi â ma e hiejshmja e ksajë Shqipni.

Rueje, pra, Shqipni fatlume,
Ket dhantin e t’Përgjithmonit,
Afer lterit, afer fronit,
Ndër dit‘ gzimit e n’mjerim,
Rueje lulen kuq e zi
Qi s’ka shoqen n’ket Shqipni.

 

 
USHTARI I VOGEL

Veshë e njeshë kshtu si ushtar,
Si ushtar e si Shqiptar,
Shpatë per bri e pushkë nder duer,
Me i rresht çmime në krahnuer,
M’ndieni, burra, n’po u tham:
Kqyrni se sa i bukur jam
A thue vjen per mue kurr ditë,
E kto armë, qi shof tuj ndritë.
Njekto armë, qi sot un bari,
T’i shti n’punë si i shtjen Shqiptari;
T’i shti n’punë per me qindrue
Per vend t’em, p’r Atdhe t’bekue?

T’ishem sot n’ushtri me tjerë,
Me korrë kishem nam e nderë;
Punë fort t’mdha kishem me krye,
Edhe anmiqt kishem me i thye:
Me qindresë e dalë-kadalë
General kishem me dalë.

General! s’a’ punë me luejtë:
Me ra n’luftë edhe me muejtë;
Me drejtue gjith at ushtri,
Veshë e njeshë per bukuri.
Por ç’dobi, se ndodha i vogel,
As s’di ç’ujë e ban ket gogel.

Njizet vjet kishem me dashtë,
E atëherë kend s’kishem me drashtë:
Me m’ndigiue kish’ gjith ushtrija;
Me m’permendë kish’ gjith Shqipnija;
N’luft un kish’ me ra si rrfe,
Gjall a dekë, veç per Atdhe.

Nji ditë baba bisedote
E ne djelmve kshtu na thote:
Për ke dekë bjen për atdhe,
Mos t’thonë diq, por t’thonë ka le.
Edhe unë pra, sado qi fmi,
Me dekë kishem per Shqipni.

Por ma parë un due me mujtë,
Due me i pa anmiqt të prujtë,
E: masi, me ndimë të Zotit,
T’siguroj tokët e Kastriotit,
Edhe anmiqt un do t’i fali,
Mjaft qi t’më thonë: Rrnoftë generali.

General! s’a’ punë me luejtë:
Me ra n’luftë edhe me muejtë,
Me drejtue gjith at ushtri;
Veshë e njeshë per bukuri.
Por ç’dobi se ndodha i vogel
e s’di ç’ujë e ban ket gogel.
 

 

PYLLI
Pylli asht si nji vegël muzikore e pamasë e gjethët e landët e tija, të mëdha e të vogla, me at rendimin e tyne të panjehun janë si fijet e njaj harpe, qi të prekuna porsa, losin menjiherë  e napin gjithfarë kumbimesh, prej ma të lehtave deri në ma të fuqishmet.

Kalon nji fllad e pylli fshan nepër gjethë qi dridhen. Ulen flatrat e erës e përkasin majet, përshkohen  nepër degë e të fshamet shëndrrohen në nji gjamë. Shton era, losin gjethët e lehtas edhe trupi i landëvet.  Pylli shungullon gjithkah e ndihet  nji zhurmë, si krizëm e largët e njaj lumi qi shkon qetsisht tue u dikue. Po era nuk ndalet e tue marrë  fuqi përherë ma të madhe, bashkohet me stuhi, e cila shpejt do të veten: nisë lufta e elementevet t’ajrit, men era, e nji trumbë e mnershme i mbulon landët deri në rrajë. Asht çasi ma i kobshëmi e pyllin e njofim n’atë kohë porsi nji përbindsh të vërtetë që na paraqet të tanë egërsimin e natyrës pse, si t’ishte në rrezik me u mekë prej nji pshtjellimi të jashtzakonshëm, trandet, përkulet fishkullon, vret me atë furi qi ka deti,  kur gjindet në tallaz.

Mnera qi të shtjen pylli kah vrret, furija me të cilën shpërvilet gjith ajo mblojë prej ere, ato degë qi hidhen e përdridhen, si krahët e njaj përbindshi qi asht kah mbaron, të lidhin, të pengojnë, të bajnë aq për vedi, sa mos me kenë njeriu  ma i zoti me mendue kurrgja tjetër. Natyrës për rreth i këputet zani e rrin tue u dridhë, gadi si të pritte me pa se si do të marrë fund ajo luftë elementesh. Kuj i shkon mendja n’ato çase te miqt e pyllit, te zogjt e malit?  Mshehë nën proje të ndonjij dege, ata struken, të tanë droje, as nuk u del ma kanga. Mbi ato maje n’atë kohë zotnon vetëm shtërgata, me ato gjamët e mnershme të vetat. Njaj qi përshkon me mend n’ato çase qetsin që pak parandej mbretnonte gjithkund nepër pyll, kur ushtojshin tjera zane, sa shndrimin kishte me vu re! Por, a nuk ndodhë të thesh krejt njashtu edhe për at pyll epshesh të mbrapshta, qi asht zemra e njeriut, kur ven para rryma e mnis, tue e ba me kalue prej dashtnije në smirë, prej qetsije në furi,  prej idylit në tragjedi?

Edhe ky pshtjellim pylli e ka bukurin e vet bukuri e vrashtë sa të thuesh, qi tue lanë njerin pezull në shpirt, në vend që me e qetsue e turbullon, e ban me dishrue që të mbarojë sa ma parë ajo poterë. E mbarimi vjen përnjimend e aq ma shpejt sa i ma i mnershëm të ket qenë pshtjellimi.

A nye i zymët resh shkon tue u shgatrrue, pran shiu, men era… Zogjt ndër degë, të siguruem, qesin prap kryet e nisin me vallzue. Mnija e furija mbaruen me njaq, e në pyll kthen edhe nji herë qetsija  e paqja.

 

* * *

E ç’farë paqe ndër dite të kthejllta!

Duhet me pa pyllin ndër orë të kullueta të mëngjesit, kur rrezet e para të diellit nisin me u përshkue nepër degë të shpeshta të landvet, njat herë kur pikat e vesës, shtri mbi gjethe vizlijnë si t’ishin gurë të çmueshëm;  e degë e trup e blerime të gjitha hapin gjithkah një erë balçmi, më nji që vala e kulluet e kronit  merr teposhtën tue gurgullue; gjithkund freski e hije të qeta, ku mjedrra  e erëkandshme, dredhëza e shijshme, përzi me lulet e shen Gjergjit e me sherbelë lidhin ma së miri me valle të gëzueshme të zogjve gjithfarësh.

Asht gjith nji symfoni, që t’i mbush ndiesit me nji gëzim të shëndoshët e të kulluet; që të balçmon shpirtin e të nep rasë me shijue njat poezi të hyjnueshme me të cilën natyra virgjin e pat gjithherë në zakon me u folë njerzvet. Symfoni jonesh të kandshme përnjiherë e të fuqishme, që marrin shkas nepër landë a por edhe fill prej landve të madhnueshme: ah, shpardhe, bung, hale, arrnë, tis, etj.

Këto janë ato landë që i bajnë hijet e Cukalit aq të pëlqyeshme e që kanë nji fuqi aq të bindueshme me ngreh zemrën e çdo shtegtari. Ai shtat i gjanë e i naltë, kapë e shtërngue për dhe a por për nji curr me rrajë të veta, kush e din se sa qinda vjetshe i ban me kenë ato landë kreshniket e pamujshme në luftim me erë. Njato landë, po thom, të cilat edhe mbasi t’i ket rrëxue spata, mund i shofim të nguluna në det mbi ndonji ani, ase kthye e ba rrema, kah i ndihmojnë voztarit me ça valët shkumbuese. Ato landë rreshtue aq shpesh mbi maje ase brijavet të malit, vendue në mes të grykavet t’ashpra, janë me trup të vetin mburojë e sigurtë për sa e sa krahina, tue ruejtë dhen, që mos të shkapërderdhet prej rrymës s’ujit, a por edhe tue kullue ajrin e tue i ba të shëndoshta viset të gjitha ku këto ngrehin shtatin e madhnueshëm të  vetin e hapen degësh.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Xh Deshnica, atdhetar, poeti i paharuar, Vincenc Prenushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT