• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Europa Plakë, Terrorizmi dhe NATO

April 12, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

 Disa vite më parë, specialistët e statitistikave lajmëronin për plakjen e popullsisë europiane, të cilët, nuk po shtoheshin në numër… Statistika të tjera tregonin se Europa  po pranonte në gjirin e saj emigrantë, pjesa dërmuese e të cilëve ishin me prejardhje arabe.

Qarkullonte një ide se, vendet e prapambetura do të fitonin edukimin dhe qytetërimin perëndimor.  Asimilimi do të rritej  ndjeshëm dhe psikologjia “infadel” që rrihte midis ballafaqimeve të qytetërimeve do zhdukej. Europianët lejuan hapjen e objekteve të kultit që besimi i tyre të ruhej dhe të zhvillohej sa më komod. Kjo reformë u mor për dobësi e aspak privilegj nga emigrantët  ekstremistë. Klemencën e perëndimit e quajtën si detyrim të vonuar. Aty nisi dhe rruga e implementimit të  mjetit për të justifikuar qëllimin e mëvonshëm. Popullsia punëtore dhe e ndershme muslimane respekoi ligjet dhe kulturën përendimore duke pranuar diferencimin e kualifikuar. Europianët e shikonin këtë ndryshim si shumëpozitiv, duke anashkaluar  rritjen e vogël të ekstremizmit oral të pakicës, që u bë më vonë demonstrim fizik.  Kështu ndodhi dhe në Amerikë …

Sheikët fanatikë dhe qeveritë nostalgjike islame e nuhatën këtë dobësi dhe filluan financimet e errëta që u paraprinë konflikteve në rritje. Burokracia e Europës  dhe ligjet e të drejtave të njeriut, “ardhacakët e rinj“ i përdoren me mjeshtëri dhe djallëzi. Në ndihmë u erdhën avokatët e pandërgjegjshëm (filtri i parë), që me një etje  të paskrupullt për t’u pasuruar e sollën Europën në  udhëkryqin e sotëm…

Në retrospektivë …

Pesëdhjetë vjetë  më parë, Belgjika nuk kishte polic me kobure, dhe kur i shihje i shihje  rrallë  me  rrobën  policore me shirita të zi , por të paarmatosur. Disa Marokenë që kishin kapërcyer  aty punonin  shumë  dhe  silleshin mirë. Shqiptarët politikë që emigruan për të shpëtuar nga rregjimi komunist gëzonin respekt në popullsinë belge, të cilët,  përfaqësoheshin nga flamandët dhe francezët. Flamandët ishin 2/1 në raport me francezët. Tani raporti midis këtyre dy popullsive është 60% Flamande (Hollandeze), dhe 40% Franceze. Popullsia e ardhur bënte pjesë midis këtyre dy popujve që fituan pavarësinë nga Hollanda në vitin 1830. Flamandët dhe francezët luftuan për të drejtat e tyra të barabarta dhe i fituan ato. Pra, vetë kryeqyteti i Europës ka pasur problemet e veta, por jo në formën  e degjenerimit nacionalist. Ekstremizmi nuk ka qenë pjesë e kulturës së tyre dhe nuk është njohur fare.

Shpërthimi i dhunës nga terroristët në qendra publike ka zgjuar vullkanin e fjetur   tek populli Francez dhe ai Belg, dhe në mbarë Europen: “Ne me bukë… Ata me bomba”!

Duke u referuar në histori vetëm në  një fakt, midis Habsburgëve dhe Otomanve (që sot kësaj ditë quhet “Beteja për Europën”), tregon se, fitorja qëndron në krahun e të drejtës  dhe pse kundërshtari mund të dërgojë një ushtri të madhe prej 160,000 mijë ushtarësh, ku të drejtët mbrohen me një ushtri të vogël në raport 1/7 … Këtë mund ta mësojë çdo njeri që studion historinë. Libri i Andrew Wheatcroft me titull: “Enemy at The Gate“ e tregon shkoqur këtë.

Sot, raportet kanë ndryshuar në mënyrë drastike si nga ana teknike e ushtarake ashtu dhe njerëzore. Prandaj dhuna e një pakice ekstremiste nuk mund të diktojë mënyrën e besimit dhe të jetuarit shumicës së qytetëruar tek tre qytetërimet që e kanë burimin nga një tradicion…

Kush ka dëshirë ta kthejë fenë Islame (Paqe) në një çështje konflikti të pafund dhe përse? Perëndimorët nuk janë të interesuar, se po të ishin të interesuar, nuk do ta mbushnin Europën dhe Amerikën me xhamia e shkolla në gjuhën arabe. Atëherë kush është i interesuar?! Zanafillën e këtij konflikti duhet ta kërkojmë tek ideologjia politike që ka lindur, përpunuar dhe mbështetur kryesisht në shtete si Irani dhe Arabia Saudite.   Pavarësisht se në këto shtete ka pasur herë-herë edhe qeveri të cilat e kanë shfaqur prirjen për marrëdhënie normale me pjesën tjetër të botës, me qendrimet dhe veprimet e tyre e kanë “sponsorizuar” përhapjen e Islamit radikal, kudo ku hapësirat janë dëshmuar lehtësisht të cënueshme, sikundër janë shtetet sociale të Europës (Belgjika, Hollanda e deri diku Franca, të cilat konsiderohen dhe shtetet më laike të kontinentit plak). Irani nuk e pranon ekzistencën e Izraelit si realitet shtetëror, ndërsa panarabizmi e shihte çështjen palestineze si një luftë që duhej mbështetur me angazhim të drejtpërdrejt, por që u detyrua të tërhiqej nga frontalizmi ushtarak (disa shtete arabe madje i nxorën jashtë militantët palestinezë, të cilët nisën të etiketoheshin si terroristë). Por linja terroriste e vërtetë mori peshë në vitin 1979, kur një grup militantësh islamikë, të armatosur pushtuan Xhaminë e Madhe në Mekë, në ditët e pelegrinazhit (haxhillëkut). Grupi shpalli lajmin se kish ardhur koha e Mediut që shënon sipas profecisë Islame, fundin e botës dhe fitoren përfundimtare të Islamit mbi të pafetë. Grupi i përkiste Islamit vahabist dhe në thelb kundërshtonte stilin e jetës dhe strukturën organizative të shoqërisë muslimane që tashmë i ngjasonte asaj çka zhvillohej në perëndim. Qeveria e Arabisë Saudite u gjend e papërgatitur për ta përballuar situatën. Ideologjikisht, nga teologët islamë nuk gjendej asgjë e gabuar, por shteti duhej të merrte situatën në dorë kundrejt një grupi prej njëmijë militantësh që rrezikonte fundosjen e Arabisë. Qeveria ndërhyri pas dy javësh duke vrarë njëmijë militantët ekstremistë bashkë me Mediun e vetshpallur. Ngjarjen e censuroi dhe e minimizoi sa ta konsideronte krejtësisht të papërfillshme, por nga ana tjetër zgjodhi rrugën e “sponzorimuit” të ideologjisë vahabiste nëpër botë, duke përbërë njërin nga paradokset më kundrathënëse në historinë e diplomacisë moderne si një vend aleat i SHBA. por që është “armike” me të në ideologji. Shumë studiues mendojnë se këtu qendron dhe zanafilla e asaj që njihet në terminologjinë e sotme si përoplasja e qyteterimeve.

Le të shohim në anglisht interpretimin e dy faqeve të Kuranit dhe një lexim sipas Lukës në “Testamentin e Ri”:

 

Quran (3:151 ) – “ Soon  shall We cast terror into  the hearts of  Unbelivers, for that they joined companions with Allah, for which He had sent no authority”.  This speaks directly of polytheists , yet it also includes Christians, since they believe in the Trinity(ie. What Muhammad incorrectly believed to be joining  companions to Allah ‘).

 Quran (4:74)-“Let those fight in the way of Allah who sell the life of this world  for the other. Whoso fighteth in the way of Allah , be he slain or be he victorious on him .We shall bestow a vast reward.” The martyrs of Islam  are unlike the early Christians, who were led meekly to the slaughter. These Muslims are killed in battle as they attempt to inflict death and destruction for the cause of Allah. This is the theological basis for today’s suicide bombers.

Luke (6:35)- “But love your enemies, do good to them, do good to them, and lend them without expecting to get anything back. Then your reward will be great, and you will be children of the Most High, because he is kind to the ungrateful and wicked.”

Interpretime dhe deformime të tilla në Kuran, nuk  janë fjalët e Zotit, kur  Kurani dëshmon se Muhamedi a. s. është i derguari i Zotit. Përditë, Myezini, solemnisht lajmëron pesë herë në ditë: “ Esh-hedu enne Muhamedin resulullah”… që do të thotë: “Dëshmoj se Muhamedi është  i dërguari Zotit”! A mos vallë po lind një sekt i ri që nuk ka të bëjë me islamin?

Në  Bibël nuk ka ndërhyrje të tilla, pikërisht se është fjala e Zotit! Po, atëherë përse duhet të hyhet në Kuran për interpretuar gabim fjalët e Muhamedit që e kanë burimin tek fjala e Zotit?!

Vëzhguesit teologjikë thonë se, problemi më i madh është midis interpretëve të  rrymave të fesë islame, të cilët nuk e kanë për asgjë ta shkelin dhe ta transformojnë  Kuranin e shenjtë në një shërbëtor të satanait.

Perëndimi nuk ka kohë për leksione teologjike dhe mëshirë, kur nuk flitet për mëshirë; kur nuk mendohet për paqe; kur satanai gjakos njerëzit e pafajshëm dhe prish paqen. Perëndimi ka bërë një luftë gjashtëqind vjeçare për të mbrojtur qytetërimin e vet… Historia është shkruar dhe kufinjtë nuk mund të lëvizin më me forcë e terror, me pabesi e thirrje histerike, e aq  më pak, me gjak! Sipas “Status of World Nuclear Forces”, Perëndimi ka një fuqi ushtarake dhe një arsenal armatimi, që mund të shkatërrojë botën dhjetë herë… Amerika dhe Rusia kanë në gjendje të gatshme mbushje bërthamore 4500-4700 me  fuqi  megatonike, që  janë një mijë herë më të fuqishme se bombat që u përdorën në Japoni, të cilat, ishin, njëra 15 kiloton dhe tjetra 22 kiloton. Mendohet se,  shtetet tjera kanë rreth 1100 mbushje, përfshi këtu dhe Izraelin me 80 mbushje , por  që  ka të gatshme  dhe 100 – 200 mbushje tjera përfshi këtu dhe bomben me hidrogjen me fuqi mega-shkatërruse.  Në interesin e kujt është dilema për të provokuar një fund të tillë? Botës Arabe i duhen 200 vite për të arritur 1/10 e këtij arsenali… E kuptoj se këto shifra janë shumë të frikshme dhe aspak premtuese… Të mendojmë vetëm për një moment, sikur në krye të një shteti perëndimor të vijë  një ekstremist  kristian “666” (siç është në krye të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi), me motivimin e “Templarit të fundit”, të kishte një pjesë të arsenalit të mësipërm, çfarë do të ndodhte në rastet e një terrori të tillë?!

Udhëheqës perëndimorë kanë deklaruar se janë në luftë!… Qytetarë, politikanë,  gazetarë perëndimorë kanë arritur një pikë kritike sa  bëjnë pyetje të rrezikshme, si për shëmbull: “A do të ndodhte kjo nëse Europa do të udhëhiqej nga lider si Hitler, apo Amerikanët të udhëhiqeshin nga “filozofia” e Trumanit, apo Rusët të udhëhiqeshin nga mendësia Staliniste”? Dikush tjetër thotë: “Carpet bombing”! Vazhdojnë: “Mure”!  “Mbyllje kufinjësh”! “Patrullim në lagjet muslimane”! Me një fjalë… copriofuoco moderne… Budallallëqe të tilla duhet të jenë larg psikologjisë perëndimore. Bota e qytetëruar nuk duhet të kthehet prapa në praktika të tilla polarizuese agresive dhe regresive.

Shkencërisht është vërtetuar se këto llojë praktikash kanë dështuar dhe kanë sjellur tek njerëzimi mjerim e tragjedi që u desh gjysëm shekulli për t’u riparuar.

Perëndimi ka nevojë për aleancë të sinqertë, siç është Turqia, Izraeli dhe Jordania.

Qytetërimi otoman (biri Osmanit), Turqia e Mustafa Kemalit, tashmë aleat i perëndimit (megjithse ka zëra per të thyer sekuralizmin), rend me vendosmëri drejt Europës e bashkuar, asaj nuk i përshtatet largimi nga Europa. Turqia  jo vetëm që ka minimizuar mundësinë e përhapjes së ekstremizmit, por po e paguan haraçin e kësaj lufte. Ushtria e saj është garanci e dyfishtë në dy fronte … Këtë specialistët e dinë mirë!…

Atëherë kush mbetet rreziku dhe financuesi i kësaj lufte të pa principtë? Përgjigjja është e thjeshtë: Vendet arabe! Inteligjenca e tyre gjatë këtyre viteve asnjëherë nuk kanë parë tek Turqia aleatin e tyre, përkundrazi evokohet pushtimi otoman… Ata ruajnë një lloj urrejtje që herë pas here e shfaqin. Tek perëndimi shohin “infadelin” dhe asnjëherë aleatin e tyre besnik. Hipokrizia e shteteve të kamura arabe është shumë e lexueshme  deri në atë masë sa strategjia e tyre duket si një shtampë e çeliktë që punon vetëm me masat e caktuara, duke mos njohur progresin dhe ndryshimin e masave të tjera sipas rregullit të lojës… Ata losin lojën e tavllës me“partnerët”, por dhe me njerëzit e vet, ose “tepricat e skorjet” e popullsisë delitante të dehur nga një propagandë e errët që pjell kamikazë dhe guerile… Dikush thotë se dhe komunistët përdornin të njëjtat praktika. Unë u them atyre se janë gabim. Nuk jam dakord se Islami ka nuanca komuniste. Këtë e thonë vetëm ca pseudo-gazetarë apo pseudo… që nuk e njohin komunizmin as në teori as në praktikë .

Amerika është sponsore e disa prej këtyre shteteve, ku shpenzon biliona dollarë për të fuqizuar dhe ruajtur raportet e aleancës arabe  kundër rritjes së rrezikut të terrorit. Pikërisht këtu nis gabimi i perëndimit. Sadiu i madh thoshte: “Këlyshit e ujkut dikush i ushqeu, dhe kur u rritën e hëngrën atë”! Me bilionat që shpenzon Amerika mund të rigjenerojë Europën dhe të transformojë NATO-n në një instrument modern për të ruajtur vlerat e qytetërimit  perëndimor dhe aleatët e saj, për të  bërë  një luftë globale efikase për të shkatërruar terrorizmin që në embrion … Nëse NATO tregon dhëmbët, siguroj se ISIS nuk do  të bëhet kurrë Kalifat,  por do të zhduket  nga faqja e dheut .

Pse vendet e NATO-s dhe Presidenti Obama, tregohen hipokritë për aleanca të reja inaktive për të  mposhtur të keqen , kur aleanca ekziston, dhe ajo është NATO.

Aleanca e Atlantikut  dha provën e fundit  brilante me Serbinë… Prova e dytë është mposhtja e terrorizmit dhe ndryshimi i rregullave të lojës me pseudo-partnerët arabë…

Skedimi i akteve të terrorit duhet të kufizohet në kohë dhe hapësirë, duke bërë  aksione në shkallë të gjerë në  zonat e nxehta, pa penalizuar popullsinë e fesë tjetër që e ka emrin Paqe (Islam), që mbase ka tre katër brezni europiane apo amerikane, qytetërimtë vjetër etnik islam, e tjerë … Inteligjenca duhet të jetë e aftë të seleksionojë paqen dhe terrorin, dhe po të jetë nevoja t’i kalojë kompetencat e hipokrizisë së të drejtave të njeriut, që janë të sanksionuara me ligj, që kurrë nuk e kanë  plotësuar kornizën dhe barometrin  e plotë human. Kjo, për hir të vërtetës !!!

Nëse nuk bëhet kështu, zona e guerrileve alla Ali Pyka, dhe frymëzimet kamikaze alla Japonezçe, do të sërviren si pjatë e parë në tavolinat e qytetarëve perëndimorë. Një ditë, kjo do të frymëzojë një përplasje të pashmangshme midis qytetërimeve.

 Pas kësaj, nuk do të ketë më rëndësi kush fiton, se fitorja do të jetë humbje!…

 

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, Europa Plakë, Terrorizmi dhe NATO

AJET RAINCA, USHTARAK I VËRTETË

April 12, 2016 by dgreca

Nga Qamil S.Llashtica/ Nënkryetar i  deges se Vatrës–Toronto/ Kanada/

Ngase kishte përvojë të madhe luftarake dhe ishte atdhetar i dëshmuem,  qeveria shqiptare  e emroi Ajet Raincën komandant dhe përgjegjës  për vijën e frontit Preshevë—Bujanovc , ai këtë sektor e mbrojti me trimat e tij deri në momentin e fundit, derisa ishte e mundshme me trimni, heroizëm dhe sakrifica të shumta. Komandant Rainca , përpos trimnisë dhe shkathtësve luftarake përdori edhe mençurinë për të  cilën do t’ia kishte lakmi çdo oficer me akademi ushtarake. Këtu ma poshtë po japim  nji rrëfim të cilin e kam ndëgjue sa e sa herë në odat e  burrave e i cili flet për nji fitore të shkëlqyeshme të  luftarëve shqiptarë nën komandën e Ajet Raincës.

Ishte vjeshta e vitit 1944, shqiptarët po i mbronin heroikisht kufijtë verilindor të  Shqipnisë  nga barbarët sllavë. Bigada e Ajet Raincës ishte vendosun në fushë përgjatë hekurudhës dhe luftarët thoshin asokohe se ,,nji shin asht yni, nji i tyne” Në anën tjetër të vijës së frontit ishin vendosun serbët dhe kishin kurdisun artilerinë e tyne. Gjatë gjithë ditës luftarët tanë po  ndërtonin istikame [llogore] dhe po i  përforconin pozicionet ndërsa komandanti mbikqyrte punën e tyne dhe jipte  vërejtje dhe udhëzime të  nevojshme . Para se të vinte mbramja çdo gja ishte gati dhe në rregull. Dita ishte e shkurtë dhe shumë shpejt ra muzgu . Kur u errësue mirë komandanti dha urdhën të  tërhiqeshin  100 e sa hapa mbrapa dhe të ndërtoheshin llogore të reja.  Kjo i hidhëroi bukur shumë luftarët;  disa banë mjaft zhurmë ndërsa disa të tjerë shfaqën pakënaqësi të hapur. Gjatë natës filloi ndërtimi i pozicioneve të reja. Ende pa u nda nata e dita e ende pa dhanë ferk mëngjesi –gjëmoi kobshëm artileria serbe, këtë po e priste komandanti Ajet Rainca. Ai e dinte shumë mirë se ata gjatë ditës i kishin piketue pozicionet  shqiptare. Uluronin topat—bombardim i tmerrshëm dhe i pamëshirshëm ndaj pozicioneve të braktisuna, luftarët tanë po qëndronin në pozicionet e reja të lumtun dhe shumë të gëzuem, ata vetëm tashti po e kuptonin qëllimin  dhe madhështinë e urdhnit të eprorit të tyne. Mbasi u zdrit mirë—pushoi artileria serbe, pritej sulmi i tyne dhe pikërisht këtë po e prisnin tashti luftarët tanë. Nuk vonoi shumë dhe sulmi filloi –barbarët vinin me zhurma e me sharje dhe fare të shkujdesun sepse ishin të bindun se aty nuk kishte mbetun kambë shqiptari, nuk e dinin ata se në anën tjetër ishte nji zog shqiptari që ,,e kishte mendjen femën” dhe se ai ,,ta lexonte letrën në xhep”. Të gjithë tashti e mbanin gishtin në kambëz, skondat ishin shumë të gjatë, tepër të gjatë por pa u ndëgjue krisma e komandantit askush nuk guxonte të shkrepte—ky ishte urdhën . Ato skonda që zgjatën me vjet—kaluen, kur barbarët   ishin afrue bukur mirë –atëherë jehoi thekshëm pushka e komandantit, si rêja   (rrufeja)  në të kthjelltë e në  pikë të ditës  e në midis të verës…dhe o Zot  …tmerr… asnji i gjallë nuk mbeti –e kërkuen për qielli dhe e gjetën për toke. Luftarët shkuen dhe ua  mblodhën armët se këto u duheshin shumë ndërsa punën tjetër ua lanë korbave, egërsinave dhe shpendëve të malit .

Filed Under: ESSE Tagged With: AJET RAINCA, Qamil S. Llashtica, USHTARAK I VËRTETË

Kosovë-BE, Komision Parlamentar për Stabilizim Asociim

April 12, 2016 by dgreca

-Federica Mogerini, përfaqësuese e lartë  e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, si dhe Johanes Han, anëtar i Komisionit Evropian, ftohen në takimin e parë të  Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim,  Kosovë – BE/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 12 Prill 2016/ Në mesin e muajit maj, në takimin e parë të  Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim,  Kosovë – BE, pritet të jetë edhe Federica Mogerini, përfaqësuese e lartë  e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, si dhe Johanes Han, anëtar i Komisionit Evropian, të cilëve komisioni vendosi t’iu dërgojë ftesë për të qenë pjesë e axhendës së këtij takimi.   

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim, i krijuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, mbajti sot mbledhjen e tij të parë – konstituive.  

Mbledhja u mbajt nën kryesimin e Xhavit Halitit, nënkryetar i Kuvendit, njëherësh edhe kryetar i këtij Komisioni, i cili në fillim të takimit vuri në pah rëndësinë e komisionit, ndërsa u shpreh i bindur se anëtarët e tij do të përmbushin detyrimet dhe axhendën e përcaktuar. 

Në këtë takim, në të cilin morën pjesë anëtarët e të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend, u nënvizua se për çështje me interes madhor duhet tejkaluar përkatësitë partiake, në mënyrë që të arrihen suksese më të mëdha në interes të vendit.  

Pas kësaj, komisioni miratoi Rregulloren e Punës, si dhe Draft Axhendën e takimit të parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë – BE, i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2016, në  Prishtinë.  

Komisioni po ashtu miratoi edhe Draft Programin për këtë takim, ndërsa vendosi që paraprakisht të bisedohet lidhur me çështjet që do të ngriten.  

Këtë vit, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është miratuar në 10 mars 2016  nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ky Program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e axhendës evropiane që mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit në BE: Përmbushjen e detyrimeve të MSA-së; Përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së; Zbatimin e legjislacionit të përafruar.

Programi mbulon të gjithë kapitujt e Acquis së BE-së. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tre blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike, dhe Standardet Evropiane.

Programi përcakton masat dhe prioritetet legjislative dhe zbatuese në dy faza: masat afatshkurtra (për vitin 2016) dhe prioritetet afatmesme (për vitet 2017-2020). Programi gjithashtu përcakton qartë përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij, si dhe afatet kohore të përmbushjes së këtyre veprimeve dhe burimet buxhetore.

Procesi për hartimin e Programit është koordinuar nga Ministria për Integrim Evropian,  me përfshirje të të gjitha institucioneve shtetërore dhe në një proces gjithëpërfshirës dhe konsultativ me shoqërinë civile dhe palët tjera të interesuara.

Zbatimi i Programit ka filluar menjëherë me hyrjen në fuçi të MSA-së, me fillimin e muajit prill 2016.

Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në ceremoninënë e zhvilluar, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur në 28 tetor të vitit 2013.

Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.

Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës ende nga pesë vende të BE-së.

Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.

Në 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.

Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik  ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.

Filed Under: Komente Tagged With: Komision parlamentar, Kosovë-BE, për Stabilizim Asociim

Shqipëria konsiderohet një qeveri tranzicioni ose regjim hybrid

April 12, 2016 by dgreca

*Kosova: Hendek mes politikave të qeverisë dhe asaj që do publiku/

*Raporti i Freedom House: Ballkani, Demokracia në rënie/

Raporti i Freedom House për Vendet në Tranzicion, arrin në përfundimin se Ballkani, që dikur ishte një rajon që ngjallte shumë shpresa për reforma në Evropë, ka rënë në nivelin e vitit 2004. Dilema për këtë rajon është sesi të nxiten reformat dhe njëkohësisht të mbahet gjallë shpresa për integrim në BE. Sipas raportit që merr në shqyrtim 29 vende të Ballkanit, Euroazisë dhe Azisë Qendrore, tema e përgjithshme është stanjacioni dhe kjo falë prirjeve autoritare të udhëheqësve, rivalitetit politik, korrupsionit dhe strukturave jo-funksionale institucionale.

Shqipëria, gjendje e pandryshuar nga një vit më parë

Në një sistem vlerësimi ku 1 eshte niveli më i lartë i demokracisë dhe 7 me i ulëti, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një qeveri tranzicioni ose regjim hybrid. Si vlerësim pikësh Shqipëria ka 4.14, njëlloj si vitin e kaluar. Kjo i atribuohet një përmirësimi në sistemin zgjedhor dhe një rënieje në kategorinë e medias të pavarur. Në Shqipëri sheh ato prirje që sheh në shumë vende të tjera, jo vetëm në Ballkan por në gjithë rajonin, thotë Drejtori i Projektit “Vendet në Tranzicion”, Nate Schenkkan. “Bëhet fjalë për një rivalitet politik shumë të ashpër dhe intensive mes palëve, që ndonjëherë i kapërcen kufijtë e një konkurrence normale, jashtë rregullave të konkurrencës në demokraci dhe kjo mund ta largojë vëmendjen nga reformat institucionale dhe nga përmirësimi i sistemit të drejtësisë, si të çrrënjosim korrupsionin, apo ekonominë informale”. Zoti Schenkkan thotë se lufta politike ka shkaktuar shpërqendrim dhe në shumë vende të rajonit kur arrihet në një pikë të skajshme konflikti, politika saboton shanset “për të çuar përpara reformat për të cilat ka nevojë gjithë shoqëria”. Stanjacioni në Shqipëri, thotë zoti Schenkkan, mund të jetë më shumë pasojë e korrupsionit që ka depërtuar thellë. “Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme. Kjo vlen për porthuajse të gjitha vendet e rajonit dhe është fakt që lufta më e vështirë për vendet e rajonit, është ajo kundër korrupsionit”. Megjithëse kapitulli i raportit për Shqipërinë, nuk është ende përfundimtar dhe për këtë arsye nuk është publikuar apo ndarë me median, zoti Schenkkan thotë se në 2015, pati miratim të një sërë reformash dhe ligjesh dhe angazhime për miratim reformash, si ajo për drejtësinë.  Po ai thotë se për vitin 2016, 2017 e më tej, pyetja është nëse këto reforma do të zbatohen. Ai sqaron se Freedom House është e kujdesshme kur bën vlerësimin e saj, qoftë negativ apo pozitiv, dhe nuk mbështetet thjesht tek miratimi i ligjeve. “Ne duam të shohim nëse ato do të zbatohen, çfarë ndodh në terren dhe mendoj se me Shqipërinë jemi në këtë pikë. Ka pasur shumë miratime, si decentralizimi, reforma territoriale, por tani duam të shohim nëse po zbatohen ose jo dhe nëse zbatohen, sa efektive do të jenë dhe kjo do ta përcaktojë nëse vlerësimi për Shqipërinë do të përmirësohet”. Por gjithsesi ashtu si edhe vende të tjera të Ballkanit, Shqipëria është në të njëjtin nivel ku ishte në vitin 2004.

Kosova: Hendek mes politikave të qeverisë dhe asaj që do publiku

Kosova ka shënuar një përparim të lehtë nga 5.14 në 5.07, falë përmirësimeve në median e pabarur dhe qeverisjen lokale. Megjithatë vendi vazhdon të jetë mes regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara. Në raport thuhet se ritmi i konsolidimit demokratik ishte i ngadaltë për vitin 2015. Drejtori i Projektit, Nate Schenkkan beson se ka një hendek mes asaj që do popullata ose që mendon se duhet të marrë përmes shtetformimit dhe marrëdhënies me Evropën dhe perëndimin dhe asaj që po merr në fakt. “Kjo qeveri ka një shumicë të gjerë në parlament e megjithatë politikat që po ndjek duket se nuk janë aspak popullore, jo vetëm me një opozitë mjaft radikale si Vetëvendosja por jo popullore në masë të gjerë me popullsinë dhe kjo është problematike në një demokraci, që një shumicë e gjerë parlamentare miraton ndryshime para se popullata të dojë që ato të bëhen”. Zoti Schenkkan thekson se kjo nuk do të thotë që ndryshimet janë të gabuara, apo që politikat janë të gabuara, por se mënyra se si i ka paraqitur qeveria nuk ka qenë efektive. Në raport përshkruhet një dinamikë ku shumica që u krijua pas zgjedhjeve kishte një përqindje mbështetjeje të ulët dhe ndoqi një program legjislativ të debatueshëm dhe opozita përdori mjete jashtë instrumentave politike deri në përdorimin e gazit lotsjellës në parlament. Pakënaqësia sipas zotit Schenkkan ka edhe arsye të tjera. “Këtë do ta lidhja edhe me padurimin që populli i Kosovës ndjen për integrimin në Bashkimin Evropian, pamundësinë për të patur liberalizimin e vizave dhe me ndjesinë se Serbia po përfiton më shumë nga dialogu sesa Kosova, përsa i takon objektivave kombëtare, prandaj është problem jo vetëm për Kosovën por edhe për komunitetin ndërkombëtar që e ka mbështetur Kosovën fuqishëm”. Ai thotë se është një problem i vërtetë që popullsia nuk mendon se po merr atë që meriton nga marrëveshja me Serbinë dhe qeveria duhet ta kishte sqaruar më mire situatën. Përsa i takon prirjeve të demokracisë në raport theksohet fakti i mbizotërimit të udhëheqësve të pasfiduar në grupime të ndryshme politike. Po ashtu korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur megjithë disa përmirësime të lehta në gjyqësor. Raporti nuk përfshin ngjarjet e vitit 2016 dhe rrjedhimisht vetëm parashikon që zoti Hashim Thaçi  do të zgjidhej në postin e presidentit siç edhe ndodhi, por thotë se opozita si edhe një pjesë e mire e elitës së shoqërisë, përfshirë median dhe shoqërinë civile ishin kundër zgjedhjes së tij, për shkak të korrupsionit në radhët e anëtarëve të partisë së tij. Po ashtu parashikohet që tensionet politike do të vazhdojnë t’i lënë të anashkaluara zhvillimet e tjera lidhur me politikat, dialogu me Serbinë mund të ngecet, ashtu si edhe ecuria e legjislacionit zgjedhor.

Maqedonia, vendi me rënien më të madhe

Maqedonia kishte rënien më të madhe mes 29 vendeve të analizuara nga Freedom House për raportin “Vendet në Tranzicion” për këtë vit, në një krizë politike që në raport thuhet se ishte më e rënda që nga viti 2001. Nga shtatë kategoritë që analizon Freedom House, Maqedonia pati përkeqësim në gjashtë prej tyre, me një vlerësim mesatar që nga 4.07 vitin e kaluar, ra në 4.29. Kjo ndodhi për shkak të përgjimeve që nxorri Bashkimi Social-Demokrat që nxirrnin në pah përfshirjen direkte të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe të partisë në pushtet në korrupsion dhe aktivitete kriminale, që zoti Schenkkan tha se prekte pothuajse të gjitha kategoritë. Kriza vazhdon edhe sot tha ai duke iu referuar deklarimeve të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen në qershor. “Nuk na takon ne të themi a është vendimi i duhur, por duket se do të zgjasë krizën politike dhe është e vështirë ta imagjinosh sesi mund të zgjidhet kjo krizë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu është e vështirë të imagjonohet se si mund të kthehet Maqedonia në një trajektore pozitive, përsa i takon demokratizimit pa reforma thelbësore që u parashikuan nga marrëveshja e verës së kaluar”. Të gjithë këta faktorë thuhet në raport, do të përcaktojnë rrugën që do të marri vendi përsa i takon qeverisjes demokratike në vazhdim të vitit 2016.

Prirjet e Ballkanit

Sipas Freedom House, gjendja në vendet individuale është pjesë e kontekstit më të gjerë të Ballkanit. Rajoni ka në një kthim në nivelin ku ishte në në vitin 2004. Drejtori i projektit Vendet në Tranzicion, Schenkkan thotë se ka dy dinamika që ndërthuren “Një lloj ngecjeje në përparimin politik, pavarësisht nga fakti se janë hapur proceset për anëtarësim në Bashkimin Evropian për një numër vendesh, dhe këto vende po diskutojnë kapituj të ndryshëm. Megjithatë ka një numërim në vend përsa i takon zhvillimin institucional dhe veçanërisht në luftën kundër korrupsionit”. Dhe nga ana tjetër, thotë ai, ka një lodhje në Bashkimin Evropian përsa i takon zgjerimit. “Si pjesa e fundit e kontinentit që nuk është integruar, Ballkani Perëndimor është veçanërisht i ekspozuar ndaj kësaj prirjeje. Pyetja se cilat janë ambicjet nga ana e Bashkimit Evropian dhe cili do të jetë niveli i mbështetjes për integrimin në Evropë, është një shqetësim real për vitet e ardhshme”. Ngecja në shkallë rajoni u atribuohet faktorëve të ndryshëm në vende të ndryshme. Përsa i takon Serbisë dhe Malit të Zi për shembull, si edhe Maqedonisë deri këtë vit, zoti Shankken thotë se udhëheqës autoritarë kanë marrë një kontroll pothuajse të pasfiduar të institucioneve shtetërore, gjë që është shumë pranë monopolizimit të shtetit. “Në Kosovë dhe Bosnje kemi ende në thelb struktura shtetërore jofunksionale që u ngritën pas luftës në ato vende dhe këto struktura nuk janë zgjidhur, struktura e dale nga Dejtoni në Bosnje dhe në Kosovë ka një hendek mes preferencave të publikut dhe asaj që qeveria do të bëjë me politikat e saj”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokracia në rënie, Raporti i Freedom House: Ballkani

Zbulohet sfera e mistershme në Bosnjë

April 12, 2016 by dgreca

Një sferë e mistershme, me një përmbajtje të lartë të hekurit, është zbuluar së fundmi në qytetin boshnjak të Zavidovicit. Arkeologu boshnjak, Semir Osmanagic, është shprehur se kjo mund të jetë sfera me përmbajtje të lartë hekuri më e vjetra e ndërtuar nga duart e njeriut. Arkeologu ka thënë se kjo sferë daton të jetë ndërtuar para 1500 vjetësh. Sfera me një diametër më shumë se 1.5 metra është zbuluar në një pyll. Arkeologu Semir Osmanagic beson se sfera dëshmon ekzistencën e një qytetërimi të zhdukur në këtë zonë. Ai thotë se ky qytetërim mund të ketë patur edhe sfera të tjera të ngjashme, por ato mund të jenë shkatërruar vite më parë.

Filed Under: Komente Tagged With: e mistershme në Bosnjë, Zbulohet sfera

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT