• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Udhëtim në kohë epokash

April 28, 2016 by dgreca

Shkruan: Hazir Mehmeti/Vjenë/(Shokut e kolegut Bedri Tahiri, në  gjashtëdhjetëvjetorin e  lindjes)

Një agimi nëntori shtatëdhjetë e nëntë, udhëtimit tonë i shtohet një mirëmëngjes në autobusin përplot nxënës, i cili ecte dredhas nga pesha njerëzore lakesave teposhtë Dushkajës drejt Vicianumit plak.

-Jam Bedri Tahiri, tha dhe rregulloi çantën e studentit që i rrinte varur anash.
– Po, ndërhyri  anasi ynë, Nasuf Ahmeti, ky është ai kandidati për të cilin kemi biseduar, tani i pranuar  profesor i  ri në gjimnazin tonë.
–  U gëzova pa masë pasi do ta kemi dhe një bashkudhëtar nga ana jonë, të paktën shoqëri udhëtaresh, mendova, natën e ditën, shpeshherë, në këmbë,  tri deri në katër orë.

Udhëtimin e dytë, e kaluam duke biseduar rreth jetës me ditar e asaj studentore, rreth problemeve në organizimin e mësimit, metodave, qëndrimit, shoqërisë, shqetësimeve të  punës sonë.
Gjatë Udhëtimin të tretë kuvenduam rreth programeve, ideve, çka i duhet nxënësit, çka duhet biseduar rreth vështirësive të jetës, padrejtësive sociale, çka nuk guxojmë ta themi hapur, me kënd të jemi të kujdesshëm, cilët janë veshmëdhenjtë e cilët gojëmblit e mundshëm.

Udhëtimin e tretë e patëm të vështirë nga dridhjet që vinin rrugës së groposur kohëve dhe, si për ironi, drejt kolonëve shkëlqente asfalti i ri, ngjitas me trenin, i cili ftonte udhëtarë me fishkëllimën e tij që kur. Këto dridhje shtuan urrejtjen tonë dhe ne, si për inat, e filluam bisedën heshtur, me sy, ofshamë e frymëmarrje  dhe thamë: deri kur kështu?  Miratuam shënimin e  gjashtë dhjetëvjetorit të shtetit shqiptar me Dy Vlora në djepin e shpresës. Pësst! Dëgjon Veshmadhi!

Udhëtimit të  radhës biseduam rreth porosive  trashëguar gjeneratave, rreth Naimit, Fishtës, Çajupit, Mjedës, Alfabetit, Manastirit, dhe për Shën Stefanin, E  Londrës, E Berlinit,  Lidhjen e Prizrenit, Konferencën e Bujanit, Mukjes, për Tivarin, Çamërinë. Po të mos ishte pikëcaku i përbashkët dhe të shpërthenin gomat e autobusit, sigurisht do ta harronim stacionin.

Udhëtimin e pestë  nuk folëm, çile guri gojën. Nga hartimi i nxënësve kuptuam se amaneti priste në portën e “Çukut që kërcet”.  Lexoi Bedriu, lexova unë, pa folur. Na mësoi flokëbardhi në Shtëpinë e Muzeut në kryeqytet: “Jeni të rinj, na duheni, tri palë mençuri tani kur nata ha njerëz, mbajeni mend!”

Bota u krijua për pesë ditë sipas librit, që e quajtën të shenjtë,  ne vazhduam udhëtimet më shumë, fundja tani formohet jeta jonë mbi këtë Dhe të bekuar shekujve nga stërgjyshërit tanë. Ne nuk lodhemi së ecuri, thamë.

Udhëtimi i gjashtë na përcolli me erë gazi lotsjellës, me qepë në xhepa, me hartime të përgjysmuara, vetëm për dy fjalë “Kosova Republikë”. Ndodhte vetëm për dy shkronja të vogla KR që nuk shiheshin më larg se një dm nga syri. Vigjilentët e kohës shihnin çdo gjë vetëm fundin e tyre jo. Ky udhëtim ishte i veçantë e i vështirë me plotë biseda informative, diferencime, përgjime, kërcënime deri në përjashtim nga puna.

Udhëtimin i radhës biseduam rreth luleve për kurora të freskëta, dëbimin nga shkolla, bankat e zbrazura e të shkretuara, për Këngën e Ndaluar dhe për Dashurinë e Pafat, për orarin e ruajtjes së mësimit e  shkollës shtëpi nga banditët shqipfolës, për gjakosjen e Nazit nga shqipbarbarët.  Folëm për pasojat e  helmimit të nxënësve, për bjeshkën, për Dragonjtë e Kuçedrën që nxirrte zjarre mbi tokën tonë, mbi nënshtrimin, nënçmimin, mbi politikën e durimit e verbësinë e mbjellë, folëm se ku ta fshehim kompletin e Kadarës. E, për çka nuk biseduam derisa u vu kufiri deri ku guxojmë të marrim frymë.

Koha kaloi, kaçuba ku lenim opinga, çizme e këpucë, me të cilat udhëtonim deri në stacionin e autobusit Buzëkala, u dogj bashkë me to, ne vendosem përsëri të ecnim. Secili sipas hapit të tij drejt cakut të ëndërruar. Sipër pllajës së rrëpirët, ku fillonin shtigje. u pa ariu që lëpihej me hundë të gjakosura. Kjo nuk është shenjë mirë, thanë besëtytët.

Në udhëtimin e tij njeriu takon njerëz e përjeton ngjarje që bëhen pjesë e rrugës së tij, pjesë e një kohe që ndonjëherë për nga dinamizmi dhe pragu kapërcyes, quhen epoka. Ne, si gjeneratë kërkuese drejt progresit të ri në rrugën e dijës e ndienim barrën që na detyronte historia në hapjen e shtigjeve të trasuar nga rilindësit drejt lirisë kombëtare. Ashtu kërkohej, ashtu duhej bërë se “Liria nuk ka çmim“,  ashtu si dikur krisma Galicase…

Bedri Tahiri ishte një fat më shumë për nxënësin, shoqërinë, shkollën, rrethin e vendin. Ambiciet e tij prej një hulumtuesi, shkrimtari, publicisti e atdhetari u jetësuan me fuqi vullkani përmes penës së tij, aq shumë e duhur dhe e pritur në kohë.  Derisa vendit nuk i mungonin trimat asnjëherë, mungonte pena, libri. Partiturës së  çiftelisë nga Dervish Goxhuli, “Lumja kulla kënd ka brenda”,  duhej shtuar notat e munguara të Orkestrimit në dhjetëra forma tingujsh, artesh e ngjyrash deri tek liria, deri tek parlamentet e auditorët botërore, ku ishte hedhur baltë e pluhur mbi historinë e kulturën shqiptare. Aty varrosej liria jonë, gjaku ynë. Por tani, pena e Bedri Tahirit e bashkuar mes penave liridashëse do i tregojnë botës të vërtetën e legjendave shqiptare, dje e sot. Të vërtetën e Ilirisë shekullore të shkruar mureve të Piramidave e Kështjellave të zaptuara nga ardhacakët e përtej Karpateve.

Dhe, nuk është e rastit që Bedri Tahiri të cilësohet si “djallë shpirti” nga pushtuesit shovinist e bashkëmbështetësit e tyre që flisnin shqip. Vepra e parë hulumtuese e tij “Azem Bejtë Galica” do merr dheun në kohën e duhur, ajo ishte porosi e trasim rruge nga Heroi Galicas. Tani nga Galica vinte Bubullimë Moti në vepra që do lexohen anë e kënd Globit. Zëri i saj arriti deri në Bibliotekat botërore, aty dhe Universitetin e Insbrukut. Popujt miq e presin ringjalljen tonë, shkrimin e së vërtetës mbi historinë tonë të gjymtuar nga robëria shekullore. Mes tyre Prof. Dr. Hermann Oblerg, i cili, admiruar nga faktet, i shkruan autorit letër shumë përmbajtjesore dhe miqësore.

Falë penës së artë të Bedriut heronjtë do jetojnë librave gjatë në kujtesën e themeltuar në shkrime e këngë si asnjëherë më parë. Kjo na duhej, shkolla, njeriu i shkolluar me shembullin e tij frymëzues. Liria mbëltohej gjithandej kopshteve të gjëra të trojeve shqiptare, me porosinë e Rilindësve të Mëdhenj: Amanet gjuha e kombi! Bedriu u bë kronisti i ditëve të vështira, kur ngulfatej çdo gjë shqiptare, veçan mësimi shqip. Gjimnazi ynë si “qendër irredentiste” duhej ndaluar me çdo kusht. Populli e pa, hapi portat dhe çdo shtëpi u bë shkollë e mundshme. Vandalët pushtues u çmenden, suleshin të armatosur me pancirë e automatikë brenda klasës, mbi nxënësin e mësimdhënësin, mbi nikoqirin. Këto i përjetuam dhe do shuheshin bashkë me trupat tona  në Dhe, po të mos ishte pena e mbrehtë e largpamëse e Bedri Tahirit, me fuqinë e së cilës tregimet do mbesin përmendore gjithandej në motet që vijnë.

Të udhëtosh me njeriun pesëmbëdhjetë vjet nga tri orë në ditë, do të thotë  afër dy vjet udhëtim i pandërprerë dhe kjo do mjaftonte për katër herë rrethim toke me rrotë gome. Me bashkudhëtarin me të cilin kuptohesh, rruga bëhet e lehtë. Tatëpjetat ishin sprovë e madhe e jona, gjithkund nxënësin e shihnim ardhmëri, atdhe, liri, shpresë. Ne nuk ndienim dhembje e frikë, çdo ndjesi shqisore ishte  kthyer në frymëmarrjen e nxënësit synonim i së nesërmes.

Dhe, nuk gabuam. Lufta me laps e protestë, u zgjerua në male. Kushtrimi për liri mblodhi Ushtarët e Lirisë, aty dhe nxënësi, aty dhe Bedri Tahiri, me pushkë e top. Dikur: “Ua morëm pushkët, ua lejuam shkollën”,- foli naivi. Jo, e keni gabim,  tha hija tjetër, “Ua morët pushkët, ua dhatë Topin”. Dhe vërtetë, Topi ka kohë që kishte buçitur auditorëve, tani buçiste maleve me zërin e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Një ditë shkrimtari, në takim me njërin nga komandantët e orëve të para, i thotë: “Dua dhe unë të dalë me pushkë në pritë, të renditem në istikam”. “Jo, ti nuk duhet ta lëshosh topin dhe vetëm vazhdo kështu”- ia ktheu ai  me seriozitet, tek e mbushte gulinovin…

Uragani nuk ndalet, koha rrjedhë, lulëkuqet e freskëta mbinin gjithkund vendit, kënga e rapsodit nuk pushonte. Aty dhe pena e shkrimtarit kujdestar në paharresë. “Adem Jashari-Legjendë e Legjendave” do merr dheun  në kuptimin e ri të epokës së re shqiptare. Aty dhe krenaria jonë e rilindur nga lëndimi i gjatë i zezonës. Kreshnikët nuk i kanë munguar atdheut, dëshmi Gurët në Morinë, e tani emrat një shpatkodre para tyre. Lahuta, çiftelia tani duan partiturë pjesore në orkestrën ndërkombëtare me notat e arta të kompozuesit, shkrimtarit.
Në këtë detyrim artistik e atdhetar do vijnë nga Bedri Tahiri  tridhjetë e shtatë vepra me dhjetëra promovime gjithandej hapësirave shqiptare dhe më gjerë. Bibliotekave, teatrove, orkestrave do u dhurohet brumi për gatim në Magjen e Re të atyre që do lindin në Liri që nga sot. “Flakadanët e Lirisë” do ndriçojnë moteve në  “Agu i Lirisë”, “Nga Shqipëria, në Shqipëri” për ndërtimin e “Përmendorja që mungon” me “Abdyl Krasniqi- Frymëzes brezash”, “Drenica- një shekull trimërie”, “Përtëritja”,“Hasan Prishtina”,“Diferencimi”,“Për Flamurin kuqezi”,“Nё Grykё tё Valbonёs”,“Toponimia e Galicës”…

          Vargu i veprave nuk ka të ndalur dhe tani, në pranverën e gjashtëdhjetë, shkëlqimi i tyre vjen e rritet bashkë me shpresën e shumë veprave tjera. Lirisht mund të themi, se  Bedri Tahiri është krenaria e kombit dhe ta njohësh e të punosh me të është kënaqësi për secilin. Unë pata fatin ta kem redaktor, lektor, mësues dhe frymëzues në shumë shkrime. Për çka i detyrohem thellësisht. Nga pushimi im prej mërgimtari në atdhe, krahas ajrit të freskët të Bjeshkës dhe aromës së Detit, Bedriu është forcë freskuese në punën time si mësues e krijues.

Urime gjashtëdhjetëvjetori, shëndet e lumturi!

Vjenë, mars 2016

 

 

 

 

 
.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bedri Tahiri, Hazir Mehmeti, Udhëtim në kohë epokash

Keti BALLHYSA: Nuk kam arsye të pendohem për asgjë

April 28, 2016 by dgreca

Flet violinëçelistja dhe moderatorja Keti Bashhysa: Penduesit janë të tjerët/

Albert Z. ZHOLI/

Keti është jo vetëm një ndër instrumentistet më të mira në violonçel, por ajo në fillimet e para të jetës artistike ishte një ndër moderatoret më të mira të TVSH. Këtë radhë ajo vjen në qytetin e saj të Durrësit me një recital krejt ndryshe, një recital specifik të titulluar “Mëkatarja”. Për titullin, i është referuar pjesës me një akt të Dino Buzzati Jago. Duke qenë se Jago është simboli i së keqes dhe e keqja hyn tek mëkatet, ajo zgjodhi “Mëkataren”. Në këtë recital Keti alternoi muzikën me teatrin, duke përcjellë me plot finesë një risi muziko-teatrale për spektatorin durrsak.

Një recital me një titull bombastik “Mëkatarja”. Përse ky titull?

 Për titullin, i jam referuar pjesës me një akt nga Dino Buzzati Jago. Duke qenë se Jago është simboli i së keqes dhe e keqja hyn tek mëkatet, unë zgjodha “Mëkatarja”.

Ju vetë keni bërë mëkate dhe donit të faleshin me anë të këtij recitali?

Të gjithë jemi mëkatarë. Unë bëj mëkate çdo ditë. Edhe të shkelësh një milingonë është mëkat. Problemi qëndron, sepse njerëzit joshen nga mëkati. Kurse mua më josh ai momenti kur i lutem Zotit të më falë për mëkatet e mia.

Koncert recital, por dhe një pjesë të Buzzatit me babanë tuaj, pra muzikë dhe teatër, e kujt ishte kjo ide?

Ideja që të alternoj muzikën me teatrin, ka qenë e imja që në krye të herës. Ndjeja se mund ta bëja mirë, duke qenë se më pëlqen aq shumë teatri, duke qenë se babin tim e kam ndjekur që fëmijë dhe teatri më magjepste, mendova ta provoj. Ja shpreha babit këtë dëshirë, u çudit pak, por më përkrahu, si gjithmonë…  i miri babi. Aktrimin në skenë, e nisa me një monolog nga Dario Fo, për të ardhur tek Jago i Buzzatit. Gjithmonë duke punuar shumë me profesionistë dhe duke patur ndihmën e madhe të babit tim.

Mendonit se mund të dështonit si aktore?

Unë kur kam dëshirë të bëj diçka, e mendoj gjatë dhe në gjërat që i dua shumë, nuk e mendoj kurrë dështimin. Ku ka dashuri dhe punë nuk ka dështim. Unë nuk di të dështoj në gjërat që bëj.

Kush ishte regjisori i koncertit recital?

Kam bashkëpunuar me regjisorë të ndryshëm. Dikush e ka bërë punën me dashuri dhe pa kushte, dikush tjetër është penduar gjatë rrugës dhe si pasojë e kësaj, punën regjisoriale e ka vazhduar im atë. Edhe në Mëkatarja, përveç si aktor, babi punoi dhe për regjinë. Dua të ndalem pak këtu… . . të jesh artist, së pari duhet të jesh njeri, jo gjallesë, NJERI. Unë çdo ditë e më shumë shoh shumë gjallesa dhe pak njerëz… . dhe kaq pak artistë.

Ku ishte pjesa më e vështirë e koncertit-teatër dhe si e kaluat?

Momenti më i vështirë ishte aktrimi me aktorin Cen Bashhysa tek Jago. Të aktrosh me një aktor si Ceni është përgjegjësi e madhe. Pastaj, të aktrosh me babin është kaq emocionuese… teksa ndjen në çdo moment që ai përjeton emocione të forta për mua. E shihja në sytë e tij, e ndjeja në frymëmarrjen e tij. E gjithë ekzistenca e tij më thoshte: Jepi, ti je më e mira.

 Në këngë u interpretuan nga repertori i Etta James dhe poezi nga Bodler. Si erdhi ky kombinim. Kush ishte frymëzues në këtë drejtim?

Kënga e Etta James dhe poezia “Thesari Im” nga Baudelaire ishte një kombinim fantastik. Repertori është gjithmonë zgjedhja ime. Edhe kënga edhe poezia janë mesazhe të forta dashurie. Mua më pëlqen shumë ky mesazh. Dashuria. Kjo ndjenjë më frymëzon.

 A është e vështirë të bashkëpunosh me babanë në art? 

Të bashkëpunosh me babanë në art është e vështirë, e bukur, e brishtë, privilegj. Është një duo aktor-baba, që mëson shumë dhe këto mësime të falen me profesionalizëm dhe dashuri.

A u realizua objektivi juaj me këtë koncert recital?

Në çdo performancë timen, objektivi është të përçoj emocion tek publiku. Është ai emocioni i bukur që po i mungon çdo ditë e më shumë njerëzve në këtë realitet që jetojnë. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi përçojmë emocion.

Si reagoi publiku dhe cila ishte pjesa ku ai duartrokiti më shumë?

Kësaj here, publiku më përloti. Duartrokitjet nuk ndaleshin dhe sytë e tyre plot admirim… . Të gjitha pjesët më janë duartrokitur. Loja në violonçel, kënga, poezia, aktrimi, të gjitha. Unë përjetova emocione të forta sepse unë dhashë emocione të forta.

Ku ishte e veçanta e këtij recitali, në dallim me recitalet e tjerë?

E veçanta e këtij eventi ishte aktrimi me babin në skenë. Unë po aktroja me një super aktor, i cili prej 45 vitesh ka dhënë shumë shpirt në atë skenë. Trio e fagotëve me solist të mirënjohurin Pirro Sota ishte një risi në eventet e mia. Kolazhi i luajtur me mjeshtëri prej tyre u pëlqye shumë. Veshjet e mia, stiluar dhe punuar nga kostumografja e talentuar Enkelejda Medolli, u pëlqyen shumë. Make up-i punuar me aq shumë dashuri nga qendra estetike Zoi, u pëlqye shumë. Shoqërimi në piano nga i talentuari Orges Mema ishte aq në sinkron me lojën time në cello. Pra, shfaqja u pëlqye në çdo moment. Kjo ndodh kur në bashkëpunim ka disiplinë dhe dashuri. I falënderoj.

Mendoni se një femër mund të arrijë në violonçel suksese, sa edhe një mashkull?

Qoftë mashkull apo femër në violonçel, nëse loja funksionon me ndjenjë, suksesi është i garantuar. Por më joshëse duket një femër në violonçel.

Cilat janë problemet e femrave sot?

Problemi i femrave sot mendoj se është sjellja e meshkujve. Duke qenë se meshkujt sa vjen dhe po bëhen aq të brishtë, ja kanë lënë burrninë femrave. Po has shpesh meshkuj-femra dhe femra- meshkuj. Keq…

Të jesh pedagoge sot, sa e vështirë është dhe pse?

T’i mësosh një instrument të vështirë si violonçeli, brezit të sotëm nuk është e lehtë. Cello do shumë punë, përpos dhuntive që duhet të kesh. Mirëpo këtë problemin e disiplinës në punë, duhet ta dinë mirë prindërit e fëmijëve, pastaj fëmijët.

 Jeni penduar që keni zgjedhur këtë profesion?

Unë nuk pendohem për asgjë që bëj. Edhe një mijë jetë të kisha, po artin do zgjidhja.

A i pret me dashamirësi publiku durrsak evente të tilla? 

Publiku Durrsak di të zgjedhë mes një koncerti profesional dhe atij mediokër. Unë jam e zgjedhura e publikut.

Cilin ose cilët falënderoni?

Përkrahësit e mi që unë i falënderoj pa fund, janë: Bashkim Hoxha, dramaturgu im i preferuar dhe drejtor i teatrit A. Moisiu dhe Hysen Bashhysa, aktori im më i dashur dhe babi im i mirë. Pa harruar publikun tim që më ndjek me shumë dashuri.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Keti Ballhysa, nuk pendohet, per asgje

Karateistët e Ulqinit shënojnë sukses në turneun ndërkombëtar në Nju Jork

April 28, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Klubi i Karatesë “Ulqini” u paraqit denjësisht dhe profesionalisht në turneun ndërkombëtar të 21-të.  Ata jo vetëm që kanë vite që sterviten në këtë sport kaq të dashur dhe të vështirë, por ndërkohë dhe trainimi në Amerikë këto ditë nga kampionët kombëtarë amerkanë Ariel David dhe legjenda amerikane Hanshi Bernard Scarda ishin frytdhënëse.

Klubi i famshëm i Karatesë “Ulqini” ka për kryetar z.Gjergj Daboviq, menaxher z.Skender Tahiri dhe kryetrainer Z.Ruzhdi Rama, të cilët erdhën në Amerikë nën kujdesin e trainerit të ekipit të karatesë në Staten Island nga z.Safet Tahiri.  Z.Tahiri me banim në Staten Island është mik i afërt me legjendën e Shatokan, z.Hanshi Bernard Scarda i cili ka praktikuar artet marciale mbi 50 vjet.

Të gjithë garuesit kur i takuam para kampionatit ishin shumë optimist për fitore dhe përfundimisht ia arritën qëllimit.  Përgatitja e tyre fizike detyrimisht i përgatit dhe shpirtërisht, ata luftojnë me mendje dhe me zemër, sepse nje pjesëmarrje e një garuesi në gara pa zemër do të ishte thjesht një kufomë.

Në datën 24 Prill Klubi I Karatesë “Ulqini” mori pjesë në turneun ndëkombëtar të 21-t.Hiraldo’s Kai Shobukan në Queens, New York.

Në këtë turne morën pjesë 14 shtete me rreth 500 garues.

Shtetet qe moren pjese ishin: Dominican Republic, Puerto Rico, Canada, Colombia, Texas,

Boston, Rhode Island, Pensylvania, New York, New Jersey, Venezuela, Panama, Haiti.

Klubi i karatesë “Ulqini” u paraqit me 9 garues në Kata dhe luftra individuale të cilët korën një sukses të jashtëzakonshëm. Ata morën gjithsej 13 medalje, prej të cilave 3 të arta, 2 të argjendta dhe 8 të bronxta.

Medaljet e arta i morën Marko Daboviq dhe Hantija Ibroci, në Luftra, ndërsa Seida Suma në Kata individuale.

Medalje të argjendtë fituan Antigona Ranoviq dhe Ronald Jacoviq në luftra individuale.

Medaljen e bronxtë e fituan këta garues:  Dardan Ceka 2 të bronxta, një në kata dhe një në luftra, Antigona Rama një të bronxtë në kata individuale, Adnan Kuqi një të bronxtë në luftra individuale, Diellëza Rama 2 të bronxta, një në kata dhe një në luftra.  Edin Kraja 1 të bronxtë në luftra individuale dhe Marko Daboviq një të bronxtë në kata Individuale.

Fitoren e tyre të merituar e përshëndetën mijëra shqiptarë anë e mbanë si dhe spektatorët shqiptarë dhe amerikanë që morën pjesë në këtë aktivitet ndërkombëtar.  Tek karateistët e Ulqinit, pashë trimërinë në sytë e tyre, guximin kur luajtën me kundërshtarin dhe thjeshtësinë kur morën 13 medalje të njëpasnjëshme, një sukses i madh për Kombin dhe për Klubin e Karatesë “Ulqini” në turneun ndërkombëtar.

27 prill, 2016

New York

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: KARATEISTET E ULQINIT, Keze Kozeta Zylo, nderkombetar, ne Nju Jork, në turneun, shënojnë sukses

KOHA QË S’ËSHTË

April 28, 2016 by dgreca

(Mbi iluzionet e hidhura)/

Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/

1.Përtacia është nëna e çdo psikologjie. Si? Psikologjia na qenka një…ves?Ah, sikur protagonisti i këtij shkrimi të kishte, si thotë Niçe, vetëm vesin e përtacisë. Por, jo! Ai del të jetë dhe karakterialisht i ulët e fundërrinor: mizor ndaj të vetëve e vernil ndaj eprorëve të tij, pastaj vjedhacak që mburret dhe, njëkohësisht, shpirt vorfnor që lehtësisht tregtohet.

2.
Grupime e oligarkë të politikës sllave të Shkupit përplasen keqas midis tyre. Dhe, si rrjedhojë, gjithandej vijnë ankesa, qortime e indiferencë simbolike. Nga Europa e lodhur me ballkanës, gjithësesi. Veçse një zë i rëndshëm, mbështjellë me delir madhështie, pretendon veçansinë. Është ky Ahmeti, Ali – që porositë partitë e hallakatura: pranoni kompromisin se, thotë ai i brëngosur, janë ditë vendimtare. E gërryen meraku, të shkretin, se mos i zhbëhet atdheu…Kjo s’është e para herë që ai jep provën e limitit tejpamës dhe errësinës etike: komik, soditës e anashkqyrës, teksa popullit të tij i prejnë kostumin e ngushtë të tjerët, ata që kanë rrëmbyer territor e histori të huaj. Po vërtetë, ç’është ky? Ajatollah, instancë shpirtërore, shtetar fqinjë, palë jashtësore a misionar i huaj  shërbimesh të mira që ndjek nga bregu i qetë zallahinë?..

Sa i mjerë e poaq i lig, ky robi yt, o Zot!

Ndërsa sllavët xyfen në log për krejt Maqedoninë, pra përfshirë hapsirën etnike shqiptare – këta, prijës e popull, heshtin. Shurdhohen. Bëjnë sehir e shohin qiellin, thuase q’andej do përmbushet një divnesë lumnore… Asnjë distancë, një lëvizje a një program alternativ nuk përfton në horizont. As dhe një ide, sado nismëtare, që s’do përligjte më koekzistencën e tillë dhuntare! Vijojnë të përkunden zellshëm në iluzionin komod sesi përballësit e tyre përlahen e shterrojnë energjitë. Ndërkaq, janë dy fakte që do të duhej të shkundnin pluhurin nga sytë e tyre: e para, sllavët nuk ndeshen politikisht vetëm për zonat që i banojnë, por dhe për ato të bukurat toka që shqiptarët i zotërojnë, kurse, e dyta, ata shtyhen e konfrontohen mes vete, por të gjithë bashkë, si qentë para ujkut, bashkohen si një grusht përçmues e mohues ndanë shqiptarëve!

3.
Në fillimvitet 90-të, kur flakët e luftës kapulluan Jugosllavinë, do të mblidhej me ngut Bundestagu i Gjermanisë së njësuar të Helmut Kohlit. Reflektimi historik i Berlinit të ri mbi gropën ku shkërmoqej krijesa burgëtare e “një prillit”, ishte madhor, natyral e realist: askush, theksohej në Rezolutën e miratuar, nuk mund të shtrëngojë popujt të jetojnë pavullnetshëm bashkë.

Ndaj dhe nuk pledoj kurrësesi që shqiptarët të bëhen pjesë e përdhéshme e planimetrive nguctare sllave. Përkundrazi: të kalkulojnë urtësisht, preras e me vështrim në larginë interesin e tyre kombëtar. E ky interes nuk mund të identifikohet detyrimisht, si zanafillshëm dikur, brenda kësaj sajese shtetërore të falsuar e unitare.

Së këndejmi, pra, pse të mos e shpallin me zë të lartë dhe të artikuluar: ju mund të grindeni deri në përgjakje, por për ne, fëmijët tanë e brezat pasrendës – vendosim vetë e kurrkush tjetër në emrin tonë e kundër nesh!

Me të lindur të aftësisë për të kuptuar, do të lindë dhe aftësia për të dëshiruar: urrejtja e dashuria, frika e shpresa…Këtë gjejmë tek penëholli Borhes dhe, në gjurmë të tij pyesim: a kanë shqiptarët kohë? Kohën e tyre që, thjeshtë, ecën, vonon, ndalet a shpejton me tabelën  kuptimit dhe dëshirave kolektive? Apo është vesi i dyfishtë, përtacor e poshtnor, i këtij Ahmetit (Ali), që përcakton qenien e saj..!?

Berlin, fundprill 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: KOHA QË S'ËSHTË, Rexhep Kasumaj

Bruksel-Përkrahje për Kosovën në proceset eurointegruese

April 28, 2016 by dgreca

–Kryeministri Mustafa u takua me presidentin e Komisionit Evropian, Juncker/Bruksel, 27 prill 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në Bruksel me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe komisionerja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë / zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, për procesin e liberalizimit të vizave dhe për zhvillimet tjera. Presidenti i KE-së, Juncker, ka përgëzuar për progresin e arritur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Presidenti Juncker, po ashtu, theksoi përkrahjen e KE-së për Kosovën në proceset e tjera eurointegruese

 Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, për hapat që po ndërmerren në zhvillimin ekonomik dhe reformat tjera për fuqizimin e gjithanshëm të shtetit.

 Kryeministri Mustafa veçoi rëndësinë që ka për Kosovën hyrja tashmë në fuqi e MSA-së, duke theksuar pritjet legjitime të qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave.

 “Qeveria e Kosovës ka punuar me përkushtim maksimal në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe rekomandimeve për këtë proces. Qytetarët e Kosovës e meritojnë që sa më parë t’iu mundësohet lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian, të drejtë që e gëzojnë të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të rajonit. Sa i përket liberalizmit të vizave tashmë presim vetëm vendimin e BE-së”, tha kryeministri Mustafa.

 Gjatë takimit, është biseduar edhe për vazhdimin e procesit së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Bruksel-Përkrahje, eurointegruese, për Kosovën në, proceset

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT