• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Pohimi i DINJITOZ i Gruas së Kryebashkiakut

May 17, 2016 by dgreca

Opinion nga Pirro Dollani/

“Shukriu është bërthama e familjes dhe rreth tij vërtitemi të gjithë. Ai është forca, kuraja dhe burimi i pashtershëm i funksionimit të familjes sonë. Morali dhe edukata vijnë nga familja. Do të jem në krah të Shukri Xhelilit derisa vdekja të na ndajë.” Intervista dhënë Gazetës Panorama/

E tha vërtet shoqja Tefta këtë apo shtypi opozitar do të tregojë se në ç’marrëdhënie të mjerueshme është familja socialiste? Natyrisht, do të jetë ndonjë SHPIFJE e këtij shtypi se një grua, qoftë edhe me kufizime të theksuara mendore, nuk mund të nxjerrë nga goja xhevahire të tilla. Aq më pak, s’mund të flasë kështu gruaja e një kryebashkiaku të suksesshëm të Partisë Socialiste. Po shoqja SHUKRIE e tha dhe i lumtë goja që e tha. Por lexuesi injorant, qës’është mësuar të lexojë ndërmjet rreshtave, kujton se SHUKRIJAe ka fjalën për familje e saj! Jo mor i dashur lexues,ajo me një gjuhë ezopike na thotë që fenomeni Shukriu “është bërthama jo vetëm e familjes së saj”, por bërthama e tërë shoqërisë shqiptare, bërthama e të gjitha partive politike, bërthama e parlamentarëve, pushtetarëve të rinj, të vjetër dhe atyreve që do të vijnë pas tyre, pavarësisht, përkatësive partiake që do të kenë!Madje, për ta bërë thënien e saj edhe më të kuptueshme për masat e gjëra të popullit injorant, ajo shton edhe këtëfrazë kyçe nëpohimine saj: “rreth kësaj bërthame vërtitemi të gjithë!” A më të lumtë goja, moj ti e SHUKRIUT, për guximin, trimërinë dhe për këtë përgjithësim filozofik që bën për tërë realitetin shqiptar, të sotëm e të nesërm! Mendjeshkurtërit dhe opozitarët pandehin se ti po flet për familjen tënde. Jo mor dritëshkurtër, jo, ajo bën një përgjithësim për tërë shoqërinë shqiptare! Dhe për këtë ajo duhet të përgëzohet e vlerësohet, pasi ka thënë një të vërtetë profetike që askush nga ne s’mund ta mohojë. Dhe sikur kjo thënie të mos mjaftonte, SHUKRIJA, e mbyll intervistën, me një betim solemn: DO TË JEM NË KRAH TË SHUKRI XHELILIT DERISA VDEKJA TË NA NDAJË!!!(Ë më të lumtë goja!) Një dashuri e tillë që e bën dashurinë e Romeos me Xhuljetën të duket si një lojë fëmijë çerdhesh,duhet të frymëzojë të gjithë “fansat” e Partive politike shqiptare, që kështu me stoicizëm të qëndrojnë e të mbështesin Partitë e tyre politike, deputetët, qeveritarët, të sotëm dhe të nesërm, pavarësisht që edhe kokën po ua zhysin në kanalet e ujërave të zeza. Dhe vetëm vdekja duhet t’i ndajë ata, pasi “partitë politike me liderit e tyre, parlamentarët dhe qeveritarët janë forca, kuraja dhe burimi i pashtershëm i këtij korrupsioni, burimi i kësaj hajduterie, anarkie, mafjozërie që po e atrofizon shoqërinë shqiptare në çdo qelizë të saj. Pikërisht, për këtë mësim qëShukria e kryebashkiakëveu jep tërë shqiptarëve dhe veçanërisht “fansave” të partive politike që ata skllavërisht t’u qëndrojnë besnik deri në vdekje partive të tyre, ajo duhet të çmohet e nderohetnga Presidenti i Republikës Rrumpallhane të Shqipërisë!U lartësoftë emri yt dhe të gjithë Shukrive të shoqërisë shqiptare!

Filed Under: Opinion Tagged With: Gruas së Kryebashkiakut, Pirro Dollani, Pohimi i DINJITOZ i

Sot nisin punimet për gazsjellësin TAP

May 17, 2016 by dgreca

Sot mbasdite, në Selanik zhvillohet ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve për gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), tubacionit që do të transportojë gaz natyror nga rajoni i Kaspikut në drejtim të Europës. Kalimi i tij nëpërmjet Greqisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke përshkuar më pas detin Adriatik, me destinacion përfundimtar lidhjen me rrjetin italian të gazit natyror, shndërron Shqipërinë dhe Greqinë në dy nyje të rëndësishme energjetike në rajon.
Në ceremoninë e përurimit që do të hapet nga vet kryeministri grek, Alexis Tsipras, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në nivel të lartë edhe Shqipëria, me zv.kryeministrin Niko Peleshi dhe ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri; Italia, si dhe shumë vende të korridorit të ri jugor, si Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia dhe Bullgaria. Gazsjellësi do të sjellë fillimisht hapjen e mbi 8.000 vendeve të punës në Greqi dhe mbi 2.000 në Shqipëri, ndërsa më pas, mijëra vende të tjera pune do të krijohen nga kontratat e reja me kompani vendase dhe të huaja, si dhe nga stimulimi i aktivitetit ekonomik. Gjithashtu përfitim do të kenë edhe qytetarët e të dy vendeve nga përdorimi i gazit natyror.
Vlen të përmendet se, 10 ditë më pas në Athinë mbërrin edhe Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, do të sjellë propozime të reja për transportin e gazit natyror të “Gazprom”-it në BE, nëpërmjet shfrytëzimit të tubacionit në fjalë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: për gazsjellësin TAP, Sot nisin punimet

‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT …

May 17, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/

Një ndenjë e bukur dhe e këndshme kënaqësie e shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes, mes një grupi miqsh të penës, me të cilët shpesh jemi të pandarë në takimet letrare. Mëngjesi gëzimdhënës, plot dritë, por edhe me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj. Udhëtojmë luginës piktoreske të Shkumbinit plak. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse, e diku të mbytur nga deti i gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Pa fjalë një natyrë e magjishme shqiptare!

Kalojmë Elbasanin, Librazhdin, Përrenjasin. Makina duket sikur fluturon në peizazhet interesante, që të emocionojnë për çdo metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet  e saj është një rrugë që ecet shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit Adriatik.

Në liqen mahnitja dashuruar

Kur kalon Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon si asosacion me malet e hirta në horizont, të mbuluara me qeleshen e bardhë dhe liqenin e Ohrit. Një peizazh magjeps si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri që natyra e krijoi, zemër e bukurive të Ballkanit. Re puplore era i lodron në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyeheshin në liqen, e reflekton mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Kur vjen këtu në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit, dhe natyrën rrethqark tij. Ndaj me syrin e aparatit fotografik e përjetojmë këtë peizazh të shushurimës së patrajtshëm të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos pasqyrën liqenore. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit, por edhe perlat turistikë: Shën Nauni, Lini, Driloni etj, me peizazhet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht në ditë të kthejllta qiellore. Natën, dritat e tyre vezullojnë si yje uji në liqen. Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme, të magjeps me pozicionin e tij tërheqës. I shoqëruar me peisazhin piktoresk buzë liqenit ai ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh. Ecim drejt Pogradecit, qytet i vendosur në skajin jugor të liqenit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke thithur ajrin e freskët të stinës. Aty këtu shfaqen shtëpi dhe lokale midis mozaikut të kulturave bujqësore, dhe pemëve frutore të gjelbëruara. Buzë liqenit bari mbulon tokën si qylym i blertë. Bregut në ca kallamishte nositët cicërijnë. Valët numërojnë njëra-tjetrën në breg me një shushurimë të lehtë. Tutje ca varka lëkunden në sipërfaqen e pastër të ujit. Peizazhi tërheqës e piktoresk i  qytetit të Pogradecit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kam pasur rastin të vizitoj qytetin e Pogradecit shumë herë në fillim të viteve ’90, ndaj dhe shumëllojshmëria e objekteve të memories me kujtimet e asaj kohe, kaq natyrshëm më rrjedhin si ujëvarë. Godina të pakta disa katëshe, rrugë të shkatërruara, parqe të rrënuara, dritat e venitura… Qyteti sot më shfaqet më i mrekullueshëm e impresionues si një kartolinë shumëngjyrëshe. Ndërtimet e vjetra ndërthuren me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parku, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë dekorativë.

Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat, flladin e liqenit. Koloriti i ngjyrave të stinës i jep një tjetër hijeshi Pogradecit.  Rugët e qytetit gumëzhijnë nga lëvizjet e vizitorëve. Pogradecarët, banorë të dashur e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, e me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike dhe fisnikëri vlerash, që meritojnë pa dyshim respekt. Ata krenohen me qytetin e tyre, dhe figurat e njohura të tij. Liqeni, jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, por, është një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve nacionaliste, atyre u pëlqen ta emërtojnë liqenin me emrin e qytetit të tyre. Monumenti i Lasgushit, i ngritur fare pranë liqenit me vështrimin nga ai, plot hir dhe pak metra më tutje i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet e Pogradecit. U ndala pak çaste, buzë liqenit, atje ku valët e tij e flladitin fytyrën time të emocionuar, por edhe Lasgush Paradecin me Cucin, qenin e tij.  Liqeni dhe Lasgush Poradeci identifikojnë njëri-tjetrin. Duke e kundëruar Pogradecin, malin e Thatë, liqenin, që llokoçit valët lehtë në breg, të kumbojnë vargjet e Lasgushit,  kur derdh dhëmbjen për plagët e nositit:

“Un’ ik liqerit zemërak 
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

Liqeni i shkretë e rrit tallazi porsi det

E shpirtin duke më përcjellë më thotë se

Ah! Shih sa është i thellë

Ky gjiri em që të patë pjellë”

Magjia ka zbritur në Drilon

Të shkosh në Pogradec e të mos vizitosh Drilonin është sikur të mos kesh ardhur fare aty. Kjo sepse Driloni është një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare. Ky vend, që dikur  quhej një “mollë e ndaluar”, sot është një mrekulli për t’u shijuar nga gjithkush. Ai ka një panoramë qetësuese të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë, dhe me shtrirje përgjatë ujrave të kristalta e të qeta. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja është ë vështirë, sepse imazhet të rrëmbejnë befasishëm. Kundërmimi i luleve, romantika mahnitëse sa reale, dhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit, shto këtu përjetimin e pllaquritjes së pulëbardhave, të peshqve të veçantë, që marrnin shikimin e vizitorëve të shumtë, dhe varkave të vogla, apo simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pemë, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia. Ajo të pushton aq shumë mes këtij pejzazhi tërheqës, duke të bërë gati të dalldisur me ngjyrat, aromat, freskinë… Nën rrezet shëndritëse të diellit ujrat e freskëta dhe hijeshia e natyrës të jep kënaqësi ripërtëritëse. Është peisazh i bukur, por, që e humbet atë kur dëmtohet. Përballë këtij peizazhi të bukur e të mirëmbajtur spikatin ndërtimet e vjetra, por e trishtuar është ajo që vështron buzë liqenit në Tushemisht. Një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim me ndërtime të reja, e betonizim pa kriter buzë liqenit, duke e ngushtuar hapësirën e plazhit. Edhe pse me nota jete në zhvillim, ndërtimet e zbukurojnë këndshëm këtë vend, por vlerat nuk mund të kthehen kurrë në antivlera duke i shkatërruar.

E padyshim krahas të tjerave këtu nuk mungojnë bar kafetë, restorantet dhe hotelet me shije të ndryshme, të cilat ofrojnë pushime, por dhe zbavitje të këndshme. Kryesisht aty gjen një shërbim të kulturuar, dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen e veçantë. Driloni është i preferuar edhe për gatimet tradicionale, sidomos të koranit, peshkut që gjendet vetëm në liqenin e  tij.

Në Drilon, në çdo stinë të vitit shijohet freskia e mëngjezeve, puhiza e mbrëmjeve,por mbi të gjitha mikpritja pogradecare.

– Driloni i mbushur me aromë natyre, të jep një ndjesi mjaft pozitive si një privilegj i së bukurës,- të thotë Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.

Driloni është një poezi që meriton të interpretohet. Këtu natyra të përkëdhel aq bukur, edhe kur qielli është gri, apo në ditët e dimrit me borë është më fantastik, aq sa të josh ta vizitosh atë përherë. Se ska si të ndodh ndryshe, në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare  gjithkush që e viziton e gjen parajsën e shpirtit të munguar.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: ‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT, Pellumb Gorica

NJE VJERSHE E NASE BENIT PER HIMAREN( 1914)

May 17, 2016 by dgreca

-nga IDAJET JAHAJ-/
 
Nase Beni ishte një patriot i zjarrtë, një luftëtar i shquar. Kishte mërguar në Amerikë para vitit 1912; erdhi në atdhe në pragun e ngritjes së Flamurit. Gëzoi për pavarësinë e Atdheut nga Turqia, por trishtoi për sulmet shoviniste të fqinjëve ndaj vendit tonë. Shkroi me gjak trishtimi:
 
… Pesëqind vjet ç’i përballe
Tramundanët e Turqisë,
Dhe nashti që t’erdh’ liria,
Ti veshe rrobat e zisë,
Se të pllakosi Greqia
Në bregdet të Shqipërisë!
 
Dhe shkruan (ndoshta në fletoren e tij që mbante në torbë maleve të Çikës) apo këndon, sipas rastit, me shokë apo në davete të ndryshme, ku e improvizonte këngën – të përsosur, aty për aty. Shkruante haptazi kundër oktapodit shoven të jugut. Qorton rëndë Himarën e tij të dashur, e cila ka vezulluar si dritë në histori, por tani … e prishi, ngaqë dëgjoi disa të shitur “priftërinj e dhaskalë”, që i shërbenin megali-idhesë greke. Në këtë frymë shkroi vjershërimin e zjarrtë “O Himarë e Toskërisë”, në vitin 1914, kur greku doli në Himarë e  gjakprishuri Spiro Milo përçau popullin duke predikuar kombësinë fallco greke në etninë e moçme himarjote shqiptare. Vjersha u shkrua në fillim të shekullit të XX, por, po me aq vezullim ajo ndriçon edhe sot, kur, me të njëjtën egërsi, megali-idheistët e Fanarit i janë vërsulur krahinës heroike, për ta deheroizuar atë, për ta çngjyrosur e bastarduar:
 
O Himarë e Toskërisë,
Si u qeshe këtë radhë,
Moj nëna e trimërisë
Në çdo punë del e parë.
 
Të gënjyen moraitë,[1]
Priftërinjtë me dhaskalë;
U qeshe si çilimitë,
Të prishën me propagandë!
 
Ç’t’u desh flamur’ i rruspisë,[2]
Kur e di që të bën varrë,
Mohon gjakn’ e kombësisë,
Dhe humb’ emrin shqiptar!
 
Qani nëna e qani motra,
Qaj, namuz’[3] i Shqipërisë,
Qani me ligje të forta,
Për atë ditën e lirisë.
 
Me penë doja t’i thoja
Gjithë mendimet e mia,
Dhe me zogj do t’i dërgoja,
T’i dëgjojë akëcia… 
 
Kush ishte akëcia? – Shqipëria, njerëzit, bota. Gjithsecili, kushdo. Ky patriot i vyer bërtet, kumbon, trishton, kushtron për gjëmën shpirtërore që zhvillojnë megali-idheistët në Himarë. Aktualitet  dritë-fortë pas një shekulli.
 
 Shqiptar i kulluar
Poeti popullor Nase Beni, nga Vunoi i Himarës, kushtron në vaj baladesk: “Qani nëna, qani motra”. Ai ishte një patriot i zjarrtë, një shqiptar i kulluar. Me frymë rilindëse në gjakun e tij. Donte të mbronte atdheun me çdo mjet. Por mjetin më efikas që përdori ishte vargu e kënga. Dhe përsërit: “Me penë doja t’i thoja”. Mjeti i penës përforcon mendimin se Nase Beni ishte i shkolluar, kishte mësuar shqip, por edhe gjuhë të huaja, se kishte qenë në Amerikë, në emigrim. Pra, jo vetëm një talent i lindur, por edhe i kultivuar. Me elementin baladesk të zogjve, ai donte të shpërndante nëpër qiellin shqiptar vargjet e tij të ndritshme. Ai ishte luftëtar me pushkë e me penë për mëmëdhenë. Pak është shkruar për këtë atdhetar. Ai ishte i zjarrit të betejave (si në Kallarat 1914, në Kaninë e Vlorë, 1920), po ashtu edhe i zjarrit të vargjeve. Kumbimit poetik të epikës, ai i jep ison e ëmbël lirike, karakteristike e poetëve të shquar të Bregut. Në vargje ai kumboi emrin shqiptar. Me ‘të skaliti epose të paharrueshëm.
Ai rrojti 33 vjeç (1888-1921), duke lënë pas vizionin e ndritur të patriotit, luftëtarit me armë në dorë dhe poetit popullor me këngën e tij të pavenitur.


[1] grekët
[2] kurvës
[3] Fama, name, nderi

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, NJE VJERSHE E NASE BENIT, PER HIMAREN( 1914)

Paradokse shqiptare te rilindjes!

May 17, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyci /

Paradoksi 1: Nuk lejohet qe te kete me pak se dy skandale ne dite. I dyti vjen gjithnje si terheqes vemendjeje per skandalin e pare. Fjala vjen pas Edeskobarit te paradites shpiken ne mbremje breket e cpuara te Xhelilit. Paradoksi 2: Nese nje gazete prestigjioze europiane shkruan se Shqiperia eshte Kolumbia e Europes, askush nuk merret me kete nivel imazhi te vendit tone. Shteti kujdeset qe mediet te merren me batutat e kryeministrit e imazhin e tij. Pa imazhi i Shqiperise pak rendesi ka. Paradoksi 3: Shqiperia eshte vendi i vetem ku qeveria mobilizon ushtrine per pastrimin e zonave turistike dhe nuk eshte e zonja te sistemoje kanalet e zeza ne plazhe. Paradoksi 4: Shqiperia eshte vetmi vend ku shteti mobilizon policine e forcat speciale per te zhduk fenomenin e hashashit ne nje fshat (Lazarat) dhe bejne kujdestarin e ministrit dhe kryeministrit per kuktivimin e kanabisit ne 1000 fshatra te tjere. Paradoksi 5: Vetem ne Shqiperi ndodh qe kur kalojne trafikantet, kriminelet e vrasesit ne kufi, bie sistemi times, nuk funksionojne kamerat dhe iken energjia elektrike. Dhe kete lloj alibie e besojne jo pak shqiptare. Paradoksi 6: Ne jemi te vetmit ne bote qe tolerojme nje minister kur shet makinen lukspze pa akt shitjeje, per t’i ik pageses se takses dhe denojme nje berber pse ai nuk ka leshuar nje kupon prej 300 lekesh. Nuk denojme nje minister qe fut nje aparature dy milion dollareshe jashte sistemit doganor dhe i marrim nje studiuesi taksen doganore e te skanimit per tri librat e tij te derguara nga shtepia botuese gjermane. Eshte vendi i vetem ku kryeministri shetit pikturat e tij zhgarravina neper bote pa dogane e me parate e shtetit, ndersa libri taksohet sa cka cmimin edhe per vete autoret. Paradoksi 7: Ne vendin tone, ne te vetmin vend ne bote ndodh qe shteti nuk eshte ligji, ligjin e ben kryeministri e ministrat e tij ne bashkepunim me bandat e Shullazeve, vrasesit e Frrokeve, boset e Balileve te droges dhe te fortet e preferuar te Naktmadhnise. Per ata qe nuk e kuptojne, parashtesa nakt nuk eshte e ngaterruar me parashtesen nalt, qe do te thote i zhveshur lakuriq. 8. Shqiperia eshte i vetmi vend ne bote ku denohet riparimi i nje catie e legalizohen pallatet e boseve te ndertimit, ku ndeshkohen drejtuesit e automjeteve te vjeteruara e nuk ndalohen makinat luksoze, ku denohet vjedhja e nje pule, por jo edhe vjedhja e bankave, ku denohesh pse shikon me inat policin, por i shpeton denimit per vrasjen e komisarit te policise. 9. Shqiperia eshte i vetmi vend ne bote, ku nje pjese e institucioneve eshte vene perballe institucioneve te tjera, ku shteti proteston e ben mitingje kunder gjykatave, ku presidenti trajtohet nga ekzekutivi si “loder”. Ku qeveria ka kryefjale fyerjen e opozites e me ne fund ku opinionberesit me origjine nga stani i sigurimit te shtetit kujdesen qe te fajesojne opoziten dhe jo qeverisjen per bemat e saj antishtet e antikomb. 10. Ne kemi nje kryeminister paradoksal, i cili ktitikon dhe ironizon nje kandidat amerikan per president, por nga ana tjeter i shkon per vizite diktatorit president te Kazakistanit dhe i shkon ne dasmen e vajzes sulltanit te Turqise. Paradokset shqiptare nuk kane fund…

Filed Under: Editorial Tagged With: Enver Bytyci, Paradokse shqiptare, te rilindjes!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT