• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Kryetari Veseli promovon shtatoren e Komandant Bardhit në Kaçanik

May 14, 2016 by dgreca

Veseli: Nga sot, kujtimin për Komandant Bardhin do ta kemi të përjetësuar në shtatoren e vendosur në Kaçanikun e kujtesës sonë kombëtare/

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Kaçanik, mori pjesë në inaugurimin e shtatores së dëshmorit Qamil Ilazi – Komandant Bardhi, ndërsa bëri nderime dhe vendosi lule pranë shtatores së dëshmorit Agim Bajrami.

Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli tha se Kosova sot është krenare me luftën e shenjtë të Ushtrisë së saj Çlirimtare dhe me sakrificën e dëshmorëve, para të cilëve sot të gjithë përkulen me nderim.

Veseli tha se tani nevojitet angazhim i të gjithëve, për ta bërë Kosovën një vend më të mirë dhe më të begatë, duke e çuar kështu në vend amanetin e dëshmorëve.

Kreu i Kuvendit falenderoi të gjithë ata që kontribuuan në luftën e UÇK-së, në mënyrë të veçantë drejtuesit të shtetit shqiptar në vitet 1998-1999, të cilët, brenda rrethanave të kohës, bën të pamundshmen për t’i dalë në ndihmë popullit të Kosovës dhe luftës së tij të drejtë.

“Nga sot, kujtimin për Komandant Bardhin, do ta kemi të përjetësuar në shtatoren e vendosur në Kaçanikun e kujtesës sonë kombëtare. Nderim të përhershëm të gjithë atyre që me mundin dhe jetën e tyre ia sollën lirinë kësaj toke të bekuar”, theksoi kryetari Veseli.Pas ceremonisë, kryetari Veseli vendosi lule në Kompleksin memorial të dëshmorëve dhe martirëve në qytetin e Kaçanikut.

Filed Under: Kronike Tagged With: e Komandant Bardhit, Kryetari Veseli, në Kaçanik, promovon shtatoren

Rreziku që vjen nga “Boa”

May 14, 2016 by dgreca

Opinion nga Rasim Bebo/

Boa ka futur këmbët në gojë dhe avash-avash po fut gjithë trupin e liderëve dhe akademikëve që janë njësuar. Po ku është dhe ç’farë po bën figura kombëtare? Mund të jetë në gjumin litargjik, në qëllimin e njëmijë e një netëve, rrethuar me engjëj dhe zogj. Me cicërimat e zogjëve, me muzikën e tyre të këndshme dhe me fjalët e ëmbëla të engjëjve, ndien kenaqësi të madhe. Nuk mendon, nuk dëgjon dhe as nuk shikon se ç’farë ndodh poshtë mbi tokë. Pas disa krismave, drejtoi vëmendjen mbi tokë dha pa një katrahurë të madhe, ku njerëzit haheshin si qentë, duke u sharë me fjalë nga më të fundit, duke u përgjakur aq keq në fytyra dhe në duar, saqë akademiku i Kosovës thotë se janë më keq se qentë. – Një zallahi e madhe nga poshtë, – thërriti dikush me zërin e tij të fortë. – Ku dergjesh, moj figurë kombëtare, që radhitesh e fundi mes figurave më të mëdha kombëtare shqiptare.

Kështu zbrita poshte, duke kujtuar vargjet e poetit gjerman Hajne: “Den Himmel uberlassen wir / Den Engeln und den Spatzen” (Qiellin ua lëmë engjëjve dhe zogjve).

Figura e Kombit thotë:“Tani që në Shqipëri tirania nuk egziston më, me sa efektivitet po e shfrytëzojnë shqiptarët lirinë e fituar në aspektin e kulturës dhe të artit”. Dale, moj figurë e ndritur, se ku e çojnë Shqipërinë këta miqtë e tu! Shqipria është ndërmjet tiranisë dhe agonisë.

Figura u bashkua me drejtuesit e katrahurës dhe akademikët.  Boa për një çerek shekulli po vazhdon të thithë havash-havash kombin dhe po ua kthen fqinjëve Veriun dhe Jugun, sipas porosive të tyre. Këta fqinjë janë përpjekur për reduktim dhe asimilim, njëri ka 2700 vjet dhe tjetri 1300 vjet, duke u solidarizuar edhe me perandoritë që erdhën  njëra pas tjetrës përgjatë 2000-vjeçarëve dhe nuk kanë mundur, sepse ne kemi lindur bashkë me pushkën dhe shpatën, prandaj kurdoherë u ka ngecur sharra në goxhdë. Tani kanë filluar Lëvizjet Nacionale dhe njëri, nacionalist i përmendur (M. K.), na kujton që duhet të lidhemi me një të madh që interesat e tij të bashkohen me inteteresat tona të MEDHA për të bashkuar të katër vilajetet. Kështu vjen koha e dhënies llogari, për arsye se vendi ynë është një vend shumë i pasur  dhe me pozitë gjegrafike shumë të mirë që e kanë zili bota. Këta shpërgënj komunistë të pamëshirshëm, të sotmit, që drejtojnë vendin, duke u bërë njësh edhe me A. SH., janë kthyer në miliarderë dhe gjysma e popullit detyrohet të largohet nga atdheu për shkak të varfërisë së tejskajshme. Në çdo formacion historik, pas fitores, ata do të japin llogari për këto pasoja të dhëmbëshme që i shkaktuan kombit shqiptar.

Rasim Bebo

Addison Çikago IL. USA

13 Maj 2016

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: që vjen nga “Boa”, rasim bebo, rreziku

JANI DILO MISIONAR I KOMBIT SHQIPTAR

May 14, 2016 by dgreca

Nga PIRRO LOLI/

Jani Ilia Dilo është një personalitet tejet kompleks që ndriti në dy fushëbeteja të mëdha: në atë të luftës që zgjati 10 vjet (39-44 kundër fashizmit italian e gjerman dhe 44-49, kundër komunizmit )dhe në atë të dijes që zgjati terë jetën e tij. Në baltën 70 vjecare, hedhur mbi të ka mbirë bar i zi. Por balta dhe llumi nuk mundën ta tjetërsojnë thelbin e kwtij njeriu që unë po e them me bindje se ishte misionar i kombit shqiptar..

Më tepër se Dita dhe fama e dilenje, sot le të jetë kjo ditë që na ofron Shoqata kulturore “Çajupi” dita jonë, dita e fjalës së lirë, dita e një mirëkuptimi dhe pajtimi të gjerë shoqëror, a thirrje modeste për të zbuluar të vërtetën. Por e vërteta historike si thelb është e prirë të lërë copa nga vetvetja, edhe kur shkruhet nga fituesit dhe nga humbësit.

Dilenjtë jetuan me nder, ata i dhanë emër kohës së tyre, por lartësuan dhe majat e Dhëmbelit e të Cajupit dhe supet e kombit; ata ishin ushtarë shembëllorë me penë e më pushkë dhe sot nuk kërkojnë ndere e dekorata. Ne, më tepër se ata, kemi nevojë të ngrihen flamujt e së vërtetës në historinë e këtij vendi.

Ata që dënuan Aristidh Rrucin e Jani Dilon, që i mbuluan dilenjtë me heshtje, që u lëvizën dhe eshtrat, ata që i burgosën e i torturuan një jetë të tërë, gratë, djemtë dhe nipat, persekutorët, që nuk kanë munguar as në Zagorie, po harrohen, ndërsa Dilua e Rruci, Jani, dhe krejt familja e madhe e dilenje, të ringjallur tashmë deri në nivelin “Nderi i Kombit”, ashtu të freskët e të bukure fisnikë, po i afrohen atdheut me amanete të rënda. Zagoria e vogël që nuk kishte as njëmijë banore ka pasur një elitë të shquar intelektuale. Atë, fshatin e vogël “me kishë e me varre”, e bënë të madhe e të dëgjuar bijtë e saj më të mirë, njerëzit e mençur, të penës e të dyfekut. Zagoritët kanë qenë gjithmonë më këmbë për ardheun e ndizen si ajo eshka e thatë që e merr zjarrin me një fërkim.

Burra dhe djem të tillë, si A.Z Cajupi, Mihal Harito, Aristidh Rruci, Ilia Dilua, Petro Harito, Jorgji Çakua, Diogjen Haritua, Kostika, deputetët e saj në të gjitha regjimet , dhjetë dëshmorët e shenjtë me në krye heroin Themo Vasi, komandantin e shquar, Pano Xhamballo, misionari i spikatur Jani Dilo etj, mbi të gjitha kishin një vizion te qartë kombëtar.

Për zagoritin, cdo gjë që i ndodh atdheut i ka ndodhur dhe atij. Natyrisht e vërteta e një kombi, nuk është sumim i të vërtetave individuale. Njeriu nuk është identik me njerëzimin. Dhe krimbat e një peme nuk do të thotë se janë të të gjithë pyllit.

* * *

Jani Dilo lindi më 17 janar 1911. Krejt moshës së adoleshencës dhe rinisë ( në liceun e Gjirokastrës dhe të Korces)ka qenë nën mbikëqyrjen e të atit, mësuesit të madh Ilia Dilos. Është pak të themi se qe nxënës i shkëlqyer. Ka qenë shok shkolle me Enver Hoxhën në lice. Pas liceut të Korcës ndjek studimet e akademisë ushtarake në Romë dhe paralel me të vazhdon studimin për financa dhe shkencat politiko shoqërore sidomos ato juridike. Si oficer i ri shërben në Korcë, gradohet shpejt në pozitë dhe më 1933 (23 vjec) emërohet sekretar i përgjithshëm në shtatmadhërinë mbretërore.

Ditët e para të atij prilli të zi të 1939-s Jani Dilon e gjen në Korcë me preokupimin e një organizimi ushtarak kundër fashizmit. Më 5 prill në krye të ushtërisë niset për Këlcyrë, merr urdhër për t’u kthyer dhe më 7 e 8 prill gjendet në Larisa. Në kalimin e tij dezertues, Mbreti Zog zgjodhi oficerin e tij të njohur për ta shoqëruar, por Jani nuk ndoqi udhën e mbretit , as të lumturisë së tij, ai kthehet menjëherë në atdheun e pushtuar. Në Korcë takon një gjeneral italian, ish pedagogun e tij në Akademinë e Romës. Ai zgjatet ta përqafojë ish studentin e tij të shkëlqyer, por Jani Dilo , i vë dorën para dhe i thotë :Të desha e të respektova si profesor, por jo si gjeneral që ke ardhur të pushtosh vendin tim. Ai i propozon postin e ministrit të arsimit. Por, më kot. Ai tashmë do ta shikonte veten ushtar dhe oficer i atdheut me armë në dorë, krye të 2000 forcave gjithmonë të gatshëme, të organizuara në qarkun e Korcës. Ka aktivitetet të dendur ushtarak në Korcë, Leskovik, Kolonjë, Përmet, Skrpar, Malësinë e Veriut dhe në Kosovë sidomos në Prizren. Mithat Frashëri e kish emëruar Kmandant në atë qark e ai shquhej mbi të gjithë i pakursyer si ushtar me armë në dorë dhe si oficer madhor e organizator i talentuar. Italianët e kapin e internojnë në Itali e pas internimit përsëri Jani Dilo është në luftë. Mithat Frasheri e kish projektuar si Ministër kombëtar, por jemi akoma në luftë e Jani do ishte ushtar e komandant. Për tu përmendur : Në Leskovik autoriteti i tij shpëton 100 burra nga pushkatimi dhe Leskoviku nuk u dogj sic kish vendosur komanda italiane.

Në Kosovë një grup kosovarësh donin të hakmerreshin ndaj një grupi serbësh të kapur rob. Jani Dilo urdhëron prerë: “Në asnjë mënyrë. Ne duhet të fitojmë me vetveten. Në doni të vrisni, vritmëni mua.” Në shumë shkrime të tij ai proteston ashpër kumdër komunistëve sidomos ndaj Mehmet Shehut dhe agjentëve jugosllavëve të tipit Mugosha, që vrisnin njerëz të pafajshëm dhe pushkatonin edhe robërit. Nuk donte terror dhe vëllavrasje. I tha Mehmet Shehut ne Kuçovë : “Nuk mund t’i jap dorën , dorës sate që është lyer me gjak shqiptari”. Ato vende ku shkelte këmba e tij ishin ishuj lirie. Jani nuk humbi asnjë beteje, anipse PBK, për arsyet që dihen dhe nuk dihen akoma, humbi luftën. Nuk harrohen, Betejat në Barmash dhe Qafë Thanë ku komandoi edhe forcat partizane e ku mbetën dhjetra gjermanë të vrarë.

“Shkemb dyfeku” e quajti Jani Dilo-n Mit’hat Frasheri në mbledhjen e K. Q. Me te drejtë Bazi i Canes tha: luftë kundër gjermaneve di të bejë vetem Jani Dilo ,ballë pëer ballë me ta e jo, 3 dyfekë e pastaj mbathja nga sytë këmbët….Në Korcë, para Bashkisë dora e një atentatori u drodh përpara Jani Dilos, dhe plumbi kapi qytetarin H.F. Oficerët anglezë dhe ata amerikanë që ndihmonin forcat partizane në Shqipëri vetëm premtonin se do të këtheheshin… E, ajo ditë që nuk erdhi kurrë, lidhej me stinën kur të “fillonte me dalë gjethi i fikut…” ndërkohë, dimri bolshevik, po thante edhe barin e fushave…

Jani Dilo dhe BK punuan me mish e me shpirt për Marrveshje, Por, sic dihet marrveshja e Mukjes u tradhëtua djallëzisht , akt ky që i kushtoi Shqipërisë një dramë gjakatare me regjisor agjentëturën serbe. Akademiku Jani Dilo që luftoi kundër fashizmit italian e gjerman e humbi luftën dhe në fund të nëntorit, 44`, sw bashku me liderin e tij Mit`hat Frashërin arratiset me një barkë për Itali.

Theksoj se brenda mureve të burgut dhe në arrati jashtë atdheut, nacionalistët, nuk e bindën dot kohën e vet me drejtësinë e vet. Drama e tyre mori përmasat e një drame kombëtare ku ata,“reaksionarët”, intelektualët e vërtetë të dyerve të mëdha të Shqipërisë e të universiteteve evropiane, – nuk arritën të realizoheshin, sepse liria e tyre ishte liria e munguar e kombit shqiptar. Më 6 mars 1945 Jani Dilo dënohet nga gjyqet ushtarake si kriminel lufte e tradhëtar.

Para se të largohet për në USA, 1950, ai, ra viktimë e një loje aspak objektive dhe të ndershme antikomuniste e drejtuar me verbëri nga aleatët britanikë dhe amerikanë. Kjo ndërmarrje ngarkon me përgjegjësi sidomos pseudomiqtë e aleatët tanë britanikë që për mendimin tim, po luanin thjesht një aventurë provokuese duke sakrifikuar edhe më gjakun e viktimave të parealizuara, tashmë mundës. Jani Dilo, i pari nga oficerët shqiptarë që i tha lordit Barthel se po hiqte dorë nga ajo aventurë sepse kish nuhatur tradhëtinë. Pas këtij monenti ai strehohet në USA dhe në të gjitha shkrimet e tij publicistike në disa gjuhë do mbronte lejmotivin e tij, se vatani duhet të çlirohet nga të vetët…

Ai nuk qe një ushtarak i thjeshtë, qe një strateg e politikan . Duke folur në ansamblene e Shteteve te roberuara , J. Dilo që, jo më kot, ishte zgjedhur si kryetar i delegacionit te Bashkimit Ndërkombetar te fshataresisë deklaroi se një politikë çlirimi “ do te thotë praktikisht qe Bashkimi Sovjetik të detyrohet të tërhiqet në kufijtë e mëpareshem”.. ka ardhur koha për ndryshime” E. D.fq. 272-273) . Kjo deklaratë do të thoshte përmbysjen e Jaltës famëzezë që i dhuroi Stalinit gjysmën e Evropës. Tashmë jemi dëshmitarë si u shpërbë Evropa komuniste dhuratë për Stalinin. Shpërbërja erdhi nga vetë komunistët, ndërsa Ruzvelti dhe Curcilli tashme harruar, duhet të dridhen që i jepnin dhurata Stalinit popuj dhe shtete…midis tyre dhe Shqipërinë e vogël.

Jeta e Jani Dilos është jeta e një trimi, e një intelektuali të shquar enciklopedik, fisnik e njerëzor, me aktivitet të spikatur patriotik për liri e demokraci. Edhe në mërgimin e detyruar politik, nuk rreshti kurrë edhe kur propaganda bolshevike kulmonte gjithandet plot urrejtje, por koha dhe mendimet e tij treguan se gjinkalla nuk u bë kurrë bilbil ! Deviza e tij është libri që e barazonte me lirinë. Tërë jetën vazhdoi studime pas universitare , mori disertacione e doktorata, jo vetëm në artin ushtarak, por kryesisht në studimet mbi shtetin dhe Të drejtën ndërkombëtare. Shquhej për kulturë shumë të gjerë elitare në shumë fusha edhe jashtë profileve të tij universitare e akademike si në gjuhësi e kritikë letrare me shkrime për rilindasit, Fishtën e Migjenin. Jani Dilo në gjurmët e të atit të madh ishte poliglot i talentuar. Që në klasën e tretë filloi të mësoi italisht, në vazhdim frëngjisht. Në Lice mësoi greqishten e vjetër dhe latinisht. Më vonë, përvetësoi gjermanisht, anglisht e i pangopur për dije mësoi edhe spanjisht dhe rusisht.

Ai qe bilbil në fjalë e mjeshtër në shkrim. Falë gjuhëve të huaja fitoi vendin e analistit në “Zërin e Amerikës” dhe dërgonte artikuj në shumë gazeta e revista. Kish stilin e një shkrimtari dhe mendimin e thellë të filozofit. Në asnjë rast, pra kurrën e kurrës, nuk shihte ndonjë dallim midis dëshmorëve të atdheut. Gjakun e tyre të pastër e sheh në valëzat e flamurit kombëtar kuq e zi. Më 31 korrik 1944 ai shkruante në ditar: “T’i lutemi Zotit që dëshmorët t’i vendosim ndër shenjtorët e kombit”. Jani Dilo ka realizuar dhjetëra portrete në personaliteteve shqiptare. Nuk është e rastit që njihej me dy presidentë amerikanë, shkëmbente kartolina për Krishtlindje e Niksoni i paska thënë se “Po. Diçka do të bëjmë për Shqipërinë”. Njihej me Pikason piktorin e madh botëror që i paska falur dhe tre piktura, sot, me vlera kolosale. Kish korrespodencë edhe me Nolin, Për të kanë shkruar dhjetra gazeta, kanale Tv e qindra personalitete të luftës e të kulturës. Në pamundësi për t’i përmendur veçoj gjuhëtarët e mëdhenj, Cabein dhe Petro Zhejin, politikanët Enver Hoxha, Ahmet Zogu, Mit`hat Frashëri, Abas Ermenji, dhe anglezët Maklin e Barthel, personalitete të shume fushave, profesorë, doktorë, shkrimtarë, avokatë të dëgjuar, gazetarë…Jani Dilo ishte gazetë folëse nëpër botë, një kanal televiviv shqiptar. I kudondodhur, gjithmonë shkruante për Shqipërinë, Kosovën e robëruar, dhe kombin, në Romë e Nev York, në Londër e Paris, tek mbretëresha e Anglisë dhe mbreti i Spanjës, në Vashington, Turqi, Hindi, Greqi, Amerikën Latine…Kudo ishte zëri i fortë i një shqiptari misionari. Heshtje varri, mallkim dhe ndëshkim ishte vetëm në Zagorie. Ky shqiptar i madh misionar i Shqipërisë së re, mungonte vetëm në Shqipëri. Ramis Alia , akoma pa vdekur Enveri ka thënë: “Kemi një armik të rrezikshëm në Amerikë., Jani Dilon. Partia po mendon për të.”. Pas pak kohësh më 14 janar 1984 u gjet i vdekur në shtëpi në Nev Jork. Kështu u gjet edhe Mit`hat Frashëri, Bilal Xhaferri dhe të tjerë e , të tjerë, kosovarë e shqiptare, që propaganda komuniste i quante “mërgata e qyqeve”, duke shpallur edhe në art një urrejtje gjaku. Por më e rëndë se vdekja ishte llumi i zi mbi veprën dhe personalitetin e tyre.; Prandaj them : kultura shqiptare sot kërkon, prej të gjithëve, vdekjen e skllavit të dikurshëm brenda vetvetes, me qëllim që të qartësojë të vërtetën. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Komunizmi bolshevik i dha provat se si shkatërrohen gjërat e shenjta, kombi, feja, prona dhe vetë njeriu. Ashtu sic e parashikonin elitat tona nacionaliste, midis tyre dhe elitari zagorit, Jani Ilia Dilo.

Filed Under: Histori Tagged With: i Kombit shqiptar, JANI DILO MISIONAR, Pirro Loli

VLORE-NJË MANIFESTIM I JASHTËZAKONSHËM I FOLKUT EUROPIAN

May 14, 2016 by dgreca

VLORA NËN PUSHTETIN E “AULONA INTER FOLK FESTIVAL” /
 
Nga Gëzim Llojdia/
1.“Aulona Inter Folk Festival”  në edicionin e tetë, është njëri prej aktiviteteve  më të mëdha kulturore në jug të vendit  me pjesëmarrje nga shumë vende në fushën e trashëgimisë kulturore jo-materiale .Skena  e muzikës  popullore është një zhanër  i madh dhe i  gjallë i muzikës tradicionale dhe asaj popullore  në pothuajse  shumë qytete të rajonit mesdhetar, që ruajnë dhe kultivojnë traditat më të mira folklorike. Festivalet   muzikore popullore janë një pjesë e rëndësishme e traditës  dhe kryesisht skenës muzikore tradicionale. Ata shpalosin traditën kulturore të popujve të ndryshëm që ende ruhet dhe po trashëgohet   si dhe  u  japin qytetarëve traditën kulturore, artistëve  një shans për të shfaqur talentin e tyre në një audiencë shumë më të madhe .
“Çdo pranverë për  8 edicione, vitet e fundit, ky festival ka mbështetur, promovuar traditën kulturore shqiptare dhe të trevave shqipfolëse   si dhe atë të popujve të Ballkanit dhe më gjerë  të Mesdheut  ku shumë artistë popullore  kanë  treguar talentin e tyre të jashtëzakonshme.
2.
“Aulona Inter Folk Festival”  në edicionin e tetë u  zhvillua në tre ditë në qytetin jugor.
Në ditën e parë  12 / 05 / 2016  në  orën 19-oo  në  Sheshin “ Pavarësia”, Skelë dhanë shfaqet  e tyre, grupe muzikore
1.       Qendra Kulturore  Fëmijëve .
2.      Shqipëria,              Ansambli  “ Taip Madani”, Vlorë.
3.      Kosovë,             Trio Folklorike,    ( H. Gashi, F.Berisha, D. Gashi), Klinë.
4.      Bullgaria, Ansambli: “ ZAGORE “, Star-Zagore.
5.      Polonia,          Ansambli : “ MIETNIOËYACI “, Ëieliczka.
 
Në ditën e dytë  në dt  13 / 05 / 2016 në orën 19-oo  në  Sheshin “ Pavarësia”, Skelë perfomruan grupet muzikore.
 
1.       Grupi “Star Dance Folk .
2.      Shqipëria, Ansambli “ Syziu Folk Dance”, Lushnjë.
3.      Gupi Polifonik “ Buron kënga labe”, Athinë.
4.      Maqedonia, Ansambli : “ SHQIPONJAT”, Shkup.
5.      Kosova, Ansambli “ GURRA”, Gjilan.
6.      Italia,   Ansambli : “ Citta Di Castrovillari”, Castrovillar .
 
Në ditën e tretë dt 14 / 05 / 2016 në  .Ora 10-oo Defile e kostumeve, parakaluan në  bulevardin, “ Ismail Qemali”,    Vlorë – Skelë të gjitha grupet pjesmarrëse .Në Orën  11-oo Koncert i Festivalit në Ceremoninë e hapjes së Sezonit Turistik,  në Skelë. Koncert i madh me numra të zgjedhura nga grupet pjesëmarrëse përfshinte:
1.       Shqipëria.  Ansambli “ Çamëria”, Vlorë
2.      Maqedonia
3.      Shqipëria, Ansambli “Syziu Folk Dance”, Lushnjë
4.      Kosova
5.      Grupi Polifonik “ Buron kënga labe”, Athinë
6.      Italia
7.      Greqi
8.     Bullgaria
9.      Polonia
4.
Sejmen Gjokoli shprehet:Sot në qytetin bregdetar të Vlorës starton edicioni i 8-të i “Aulona Inter Folk Festival ,një nga festivalet më të bukur dhe interesant që zhvillohet n hapësirën mbarë shqiptare. Festivali hapet në datën 12 Maj,në skenën e sheshit“Pavarësia” në Skelë dhe mbyllet në 14 Maj, ditë kur në qytet do të kulmojnë veprimtaritë e Çeljes së Sezonit Turistik “ Vlora 2016”, organizuar nga Bashkia Vlorë.
Për  tri mbrëmje me radhë Vlora do të jetë nën mbretërinë e flokut ballkanik e europian, duke përcjellë këngët dhe vallet folklori ke që vijnë nga shtete të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës :si Polonia, Italia,Kosova, Maqedonia, Bullgaria,Shqipëria. Shqipëria do të përfaqësohet nga ansambli  “Syziu Danc Folk “ , Lushnjë si dhe nga ansamblet “ Çamëria”, “Krahu i shqiponjës “Taip Madani” e “ Star Dance Folk” të Vlorës. Këtë vit në Festival, për herë të parë do të ngjitet në skenë s përshëndetëse dhe një grup nga emigrantët tanë në Greqi, grupi polifonik“ Buron kënga labe”që vjen nga Athina.
Në këtë edicion Kosova përfaqësohet nga ansambli i këngëve dhe valleve“ Gurra”, Maqedonia me ansamblin “ Shqiponjat”, Italia me ansamblin “Citta Di Castrovillari” të qytetit Castrovillari, Bullgaria me ansamblin “ Zagora” të qytetit Stara-Zagora, Polonia me ansamblin“ Mietnioëyaci” nga rajoni i Krakovës.
Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “ Aulona” Vlorë. Për tetë vite me radhë ky manifestim i madh folku zhvillohet me mbështetjen kryesore të Bashkisë së qytetit duke qenë një nga aktivitetet kryesore të axhendës kulturore që pushteti vendor realizon në ditët e çeljes zyrtare të Sezonit Turistik. Festivali Aulona Folk mbetet një manifestim i jashtëzakonshëm i Folkut evropian dhe një promovim i veçantë  që qytetet bregdetare realizojnë në hapje të sezoneve turistike. Përmes këtij festivali, si askund tjetër, realizohet një gërshetim i bukur i turizmit kulturor me atë natyror; të  rërës, ujit të detit dhe freskisë së maleve për rreth. Edhe këtë vit organizatorët kanë programuar një axhendë të gërshetuar midis pjesës performuese e artistike në skenë, në rrugë, sheshe e mjedise të tjera në qytet por edhe vizita në objekte kulturore e historike si dhe në njohjen me rivierën dhe plazhet e Radhimës. Edicioni i Parë i këtij Festivali është mbajtur në vitin 2009 si një iniciativë private e shoqërisë civile për ti dhënë Vlorës një alternativë më shumë në zhvillimin e dimensionit kulturor të qytetit por edhe në shërbim të promovimit të resurseve të trashëgimisë kulturore e atyre natyrore. Si një nga vendet më të bukura e atraktive të brigjeve të Mesdheut. Referuar statistikave, përfshirë edhe edicionin e këtij viti, në Aulona Inter Folk Festival kanë marrë pjesë rreth 65 ansamble nga vende të ndryshme të Evropës  dhe vetëm si kontribut i këtij aktiviteti në Vlorë kanë patur rastin të vijnë mbi dymijë festivalistë që në fakt kanë qene edhe vizitorët e parë që i vijnë qytetit në pragun e hapjes së sezonit turistik.Festivali ndan si trofe  “Kupën e Festivalit” e cila deri tani ka shkuar në Sllovaki, Kroaci, Bullgari, Itali, Kosovë, Turqi dhe në Tiranë kur fitues u shpall Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, imazhin e të cilit mban edicioni i këtij viti.Aulona Inter Folk Festival, për shkak të standardeve që realizon, është i njohur dhe certifikuar nga CIOFF si dhe për çdo vit i shpallur në kalendarin botëror të Festivaleve Folklorike.

Filed Under: Kulture Tagged With: E “AULONA INTER FOLK FESTIVAL”, Gezim Llojdia, VLORA NËN PUSHTETIN

Kryeministri Mustafa: Protestat janë të ligjshme, por është koha për festë

May 14, 2016 by dgreca

Mustafa:Më së miri ka qenë që sot në Prishtinë të kremtohen fitoret shumë të mëdha që i ka arritur Kosova gjatë këtij muaji, duke përfshirë rekomandimin për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA dhe proceset tjera/

Istog, 14 maj 2016/ Protestat janë të ligjshme, por është koha për festë, u shpreh sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa. Gjatë vizitës në Istog, në prononcimet e dhëna për disa medie të pranishme ka shpalosur qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet në vend dhe protestën e opozitës në Prishtinë. Kryeministri Mustafa ka thënë se më së miri ka qenë që sot në Prishtinë të kremtohen fitoret shumë të mëdha që i ka arritur Kosova gjatë këtij muaji, duke përfshirë rekomandimin për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA dhe proceset tjera.

“Është hera e parë pas gjithë kësaj pritje që ne u barazuam me qytetarët e tjerë evropianë dhe duhet të përjetohet si sukses i të gjithëve, jo vetëm i pozitës por i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Po ashtu të kremtojnë edhe anëtarësimin tonë në UEFA dhe në FIFA sepse janë organizatat më të mëdha botërore përkatësisht evropiane të futbollit. Ne do të jemi qytetarë të barabartë dhe pjesëmarrës të barabartë me të gjithë. Po ashtu, kemi edhe projekte tjera botërore sidomos këtë të MCC-së që e kemi fituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është një prej projekteve që iu kanë dhënë pak vendeve por është në bazë të meritave që i ka Kosova, ashtu siç i kemi marrë të gjitha të tjerat me meritë”, tha kryeministri.

 Mirëpo, siç u shpreh kryeministri Mustafa, protesta është çështje legale, është e garantuar me Kushtetutë, është shprehje e mendimit të njerëzve, të qytetarëve dhe opozitës.

“Është mirë që kanë bashkëpunuar me organet e sigurisë, e kanë paraqitur protestën me kohë, që flet se i kanë respektuar të gjitha kushtet dhe ne do të dëgjojmë se çfarë thonë qytetarët. Ajo që është e mundshme të bëhet, natyrisht, gjithmonë do të jemi të vëmendshëm për kërkesat e qytetarëve, mirëpo janë disa gjëra të cilat unë mendoj se janë shumë të qarta edhe për këto dy parti politike edhe për qytetarët. Çështja e Asociacionit është rregulluar dhe përkufizuar shumë qartë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo do të bëhet ashtu si Gjykata Kushtetuese ka vendosur dhe çështja e Demarkacionit për të cilën edhe Komisioni ynë shtetërorë, edhe Komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë, edhe Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kanë vërtetuar se është aty ku ka qenë përpara vija administrative ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Tani ne s’po vëmë kufij të ri, vetëm po rishënohet kufiri i cili ka qenë. Në qoftë se, eventualisht herë do kurdo, vërehet se është bërë ndonjë gabim edhe pala malazeze por edhe marrëveshja e parasheh që gabimet të rregullohen me pajtimin e dy qeverive, kështu që s’do të ketë asnjë problem”, tha kryeministri.Sa i përket kërkesës për dorëheqje të Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa ka thënë Qeveria do ta çoj mandatin deri në qershor të vitit 2018, sepse është një Qeveri e cila po tregon suksese shumë të mëdha në proceset e integrimeve euroatlantike, të thellimit të miqësisë me ShBA-të, të reformave strukturore e ekonomike.

“Këto i kemi arritur në kushtet më të rënda që një Qeveri ka punuar pas luftës, sepse s’na u kanë dhënë as 100 orë normale që të punojmë e jo 100 ditë që të testojmë vetveten”, tha kryeministri.Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për bashkëpunim me opozitën që bashkërisht të zgjidhen preokupimet dhe nevojat e qytetarëve.

“Sepse vota nuk është vetëm e pozitës, është edhe e përfaqësuesve përkatësisht e deputetëve të opozitës, ata kanë të drejtë të bëjnë kërkesa, kanë të drejtë të korrigjojnë pozitën dhe për ata janë në Kuvend dhe unë i ftoj që ata të kthehen në Kuvend, që të bashkëpunojmë, që të japin vërejtjet aty, dhe ashtu siç veprojnë demokracitë tjera të veprojmë edhe ne, jo jashtë Kuvendit”, tha kryeministri.

 Lidhur me mbarëvajtjen e protestës, kryeministri Mustafa ka shprehur bindjen se ajo do të jetë e qetë, duke iu referuar zotimeve të AAK-së edhe të NISMA-s.

“Ata e kanë marrë për obligim që të kujdesen që dikush të mos hyjë t’ua prishë protestën dhe besoj se vetë fakti që ata nuk e kanë ndjekur rrugën e dhunës dhe s’kanë dashtë ta vazhdojnë atë rrugë garantojnë se do të jetë një protestë e qetë, në të cilën ne do të kemi kujdes për çdo kërkesë dhe për çdo çështje që shtrohet”, tha kryeministri Mustafa./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: janë të ligjshme, Kryeministri Mustafa, për festë, por është koha, protestat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT