• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Kosovë-Misioni i OSBE-së, shkollë gazetarie në veri

May 9, 2016 by dgreca

 -Misioni i OSBE-së në Kosovë u ndihmon të rinjve të ndjekin karrierë në gazetari, të promovojnë lirinë e shprehjes/

 PRISHTINË, 9 Maj 2016-B.Jashari/ Misioni i OSBE-së në Kosovë u ndihmon të rinjve të ndjekin karrierë në gazetari, të promovojnë lirinë e shprehjes.Në Mitrovicë të veriut ka nisur sot shkolla dhjetë-ditore e gazetarisë e organizuar nga Misioni i OSBE-së për rreth 20 të rinj nga Kosova veriore. Gjatë programit në fjalë, të udhëhequr nga Davor Glavaš, gazetar i mirënjohur dhe ligjërues në Universitetin e Zagrebit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të fitojnë njohuri praktike mbi raportimin, aftësitë e shkrimit dhe përdorimit të mediave sociale e teknologjive të reja, si blogjet dhe portalet e internetit. Forcimi i këtyre aftësive do t’iu ndihmojë në karrierën e tyre dhe do t’i kontribuojë pluralizmit të mediave në Kosovë.

 “Për shoqëritë demokratike është jetike që të kenë gazetarë të arsimuar mirë që janë në gjendje të raportojnë në mënyrë objektive, faktike dhe të pavarur. Gjithashtu, është e rëndësishme që të rinjve me ambicie t’iu sigurohen mundësi arsimimi për të ndjekur karrierë në gazetari”, tha Christopher Tuetsch,Drejtor i Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së në Kosovë.

“Në kuadër të këtij aktiviteti, Misioni i OSBE-së synon t’iu ndihmojë mediave në Kosovën veriore t’i forcojnë kapacitetet e tyre njerëzore dhe të rrisin pluralizmin e informacionit që i ofrohet publikut” , bëri të ditur ai.

 Pas përfundimit të suksesshëm të programit, katër kandidatët më të mirë do të vazhdojnë  praktikën për gjashtë muaj, aktivitet ky që do të zbatohet bashkërisht me katër media në Kosovës veriore, gjegjësisht: TV Mir, Radio Kosovska Mitrovica, Radio Kontakt Plus dhe portalin KoSSev.

 Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Misioni i OSBE-së, shkollë gazetarie në veri

Shqiptarët, një komb me dy shtete

May 9, 2016 by dgreca

-Kemi krijuar një realitet të ri politik shtetëror dhe kombëtar, duke e zhvilluar dhe sforcuar bashkëpunimin tonë kombëtar, si një komb me dy shtete, duke vazhduar zhvillimin tonë, në rrugën e trasuar nga gjaku i heronjve të kombit, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i zi, diaspora e më gjerë”, tha në Tiranë ministri i FSK, Haki Demolli, duke shtuar se gjaku i heronjve është gjak i derdhur në themelet e lirisë, është gjak i sforcimit të bashkëpunimit kombëtar./

-Në Tiranë u mbajt akademi përkujtimore për dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Mala/

 Tiranë, 9 maj 2016/ Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, të hënën në Tiranë janë bërë homazhe dhe është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e tetëmbëdhjetë vjetorit të rënies së dëshmorëve të Kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

Të pranishëm në këto dy ngjarje ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, përfaqësues të Ushtrisë Shqiptare dhe të FSK-së, bashkëluftëtarë të dëshmorëve dhe qytetarë nga Kosova e Shqipëria. 

Në emër të Qeverisë së Kosovës të pranishmëve në akademi iu drejtua ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli. 

 Njoftimi dërguar nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare thekson se, ministri Demolli foli për jetën dhe veprën heroike të dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

Ministri tha se përmbushja e detyrave të luftës me përgjegjësinë më të lartë, puna e palodhshme, gatishmëria për sacrifice, si dhe rënia e hershme në kohën kur frontit të luftës i nevojitej më së shumti, Ilir Konushevcin e bënë që të radhitet përkrah bashkëluftëtarëve dhe heronjve të orëve të para të lirisë, siç janë Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian Krasniqi, Luan Haradinaj, Sali Çekaj, Hakif Zejnullahu, e shumë e shumë trima të tjerë të kombit.                      

Ministri tha po ashtu se atdhedashësi Hazir Malaj, jo vetëm që u shqua për aktivitetin e tij patriotic, por njëherësh ai u shndërrua në udhërrëfyes për shumë të rinj dhe trima, si të Malësisë së Gjakovës ashtu dhe nga e tërë Shqipëria, të cilët iu bashkëngjiten UÇK-së dhe luftuan trimërisht përkrah vëllezërve Kosovar.

“Lufta e filluar nga Iliri, doktor Haziri dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë nuk u ndal deri në fitoren përfundimtare, pra deri në çlirimin e plotë të Kosovës.

Gjaku i dëshmorëve të kombit dhe lufta e drejtë çlirimtare, pastaj vrasja, torturimi, masakrimi i popullatës civile nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, trokitën në ndërgjegjen e botës, dhe kështu u krijua fronti i përbashkët me aleancën më të madhe ushtarake në botë – NATO-n, i cili front përfundimisht solli lirinë e  Kosovës. Çlirimi i Kosovës e bëri realitet ëndrrën e të gjithë dëshmorëve tonë, e bëri realitet ëndrrën, mundin dhe gjakun e të gjithë heronjve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe martirëve të lirisë, i bëri realitet aspiratat dhe dëshirat e shumë brezave të popullit tonë, e bëri realitet projektin e arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentit tonë historik, Ibrahim Rugova.

Tashmë Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe Sovran, i cili dita ditës po e sforcon  subjektivitetin shtetëror, si në rrafshin nacional ashtu edhe në atë ndërkombëtar, fakt ky që u dëshmua edhe gjatë javës së kaluar, me rekomandimin për liberalizimin e vizave si dhe me anëtarësimin e FFK-së në UEFA.
Kështu, sot kemi krijuar një realitet të ri politik shtetëror dhe kombëtar, duke e zhvilluar dhe sforcuar bashkëpunimin tonë kombëtar, si një komb me dy shtete, duke vazhduar zhvillimin tonë, në rrugën e trasuar nga gjaku i heronjve të kombit, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i zi, diaspora e më gjerë”, tha ministri Demolli, duke shtuar se gjaku i heronjve është gjak i derdhur në themelet e lirisë, është gjak i sforcimit të bashkëpunimit kombëtar.

“Prandaj populli jonë dhe shtetet tona përjetësisht do t’iu jenë mirënjohës Ilirit, Hazirit dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë”, tha ministri Demolli.

 Zëvendësministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi, ka përkujtuar 9 Majin Ditën e Evropës, ditën e fitores mbi fashizmin dhe ditën e veçantë për dy dëshmorët, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala. 

“Nga ana tjetër më duhet të them që ne vërtetë kemi dy shtete, kemi dy qeveri, dy kryeministra, dy ministra të Mbrojtjes dhe FSK-së, por s’ka konventë ndërkombëtare që të ndaj më dysh dëshmorët, çdo dëshmor i Kosovës është edhe dëshmorë i Shqipërisë dhe çdo dëshmor i Shqipërisë është dëshmor i Kosovës.

Më lejoni që në këtë ditë të veçantë të rikujtoj edhe njëherë rolin e madh që ka luajtur Shqipëria në ato ditë të vështira. Pa diskutim që loja kryesore e Shqipërisë ka qenë në planin politik dhe diplomatic. Shqipëria fjalën e parë të diplomacisë në atë kohë e ka pasur Kosovën dhe vetëm Kosovën”, tha Koçi në fjalën e tij. 

 Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, tha se Ilir Konushevci e kishte lidhur jetën dhe rënien e tij heroike me një vepër të madhe, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe luftën për realizimin e saj. 

“Ai u bë një ndër themeluesit e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar me armë, luftëtar me mendje, luftëtar me zemër, luftëtar me gjithë familjen e tij. Ai u vra në një ditë maji të vitit të madh të luftës sonë për liri, bashkë me atdhetarin dhe veprimtarin, mikun e tij të mirë dhe të pandarë Dr. Hazir Malaj. Kosova dhe të gjithë ne do të kemi përgjithmonë obligim themelor nderimin e veprës së të rënëve. Do të përulemi përherë para emrit, veprës dhe jetës së heroit tonë Ilir Konushevci dhe mikut të urtë, Hazir Mala”, tha ambasadori Lladrovci.  Përfaqësuesi i Familjes së heroit Ilir Konushevci, Arton Konushevci ka kërkuar që institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë të bëjnë më shumë për familjet e dëshmorëve. 

“Ne kemi mbetur peng të kësaj vrasje, nuk dimë asgjë, siç thashë kanë kaluar 18 vjet. Shpresojmë që edhe bashkëluftëtarët e Ilirit që kanë qenë shumë të afërt me të, të nisin të bëjnë diçka për këtë vrasje. Kujtimi për dëshmorët qoftë i paharruar”, tha Konushevci.Të pranishmit në këtë akademi i ka përshëndetur edhe Gjeneral Brigade, Gëzim Hazrolli, zëvendëskomandant i FSK-së, si dhe publicisti Virgjil Kule./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: një komb me dy shtete, shqiptaret

NDJEHEMI TË KËRCËNUAR,SEPSE PO KËRCËNOHET VALBONA

May 9, 2016 by dgreca

Nga Dr. Islam LAUKA – diplomat, analist/*

Ne jemi sot këtu, sepse ndjehemi të kërcënuar. Ndjehemi të kërcënuar, sepse po kërcënohet Valbona, që është pjesë e pandarë e identitetit tonë. E dimë dhe e njohim autorin e kërcënimit. Sepse ai ka dalë hapur, pa maska, ditën për diell. Është shteti ynë, ai që e ka për detyrë ta mbrojë si Park Kombëtar, që vetë e ka shpallur, para 20 vjetësh.

Me vendimet e Qeverisë për ndërtimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke shkelur rëndë të drejten mjedisore, kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti ynë ështe futur në konflikt të dyfishtë – me natyrën dhe me njeriun.

Por ne, si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm, nuk do të lejojmë që të prangoset liria e Valbonës me zinxhirin e hidrocentraleve.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë shurdhin ndaj kësaj masakre mjedisore,  ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi t’i dëgjojmë thirrjet e natyrës dhe të njerëzve për ndihmë.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë qorrin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqermi të shohim sa më qartë krimin që po i kanoset Valbonës dhe njerëzve të saj.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të bëjë memecin, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi që thirrjeve për ndihmë të natyrës dhe të njerëzve t’u japim zë nga zëri ynë.

Në qoftë se shteti ynë ka vendosur të jetë i pandjeshëm dhe i pashpirtë ndaj këtyre thirrjeve, ne refuzojmë të sillemi si ai dhe përpiqemi të kuptojmë me mendje e të ndjejmë me zemër lutjet e natyrës dhe njerëzve për ndihmë.

“Ndihmë”, thërrasin bimët dhe kafshët endemike të Luginës së Valbonës. – “Ju lutemi, mos na pakësoni ujin dhe oksigjenin, sepse edhe kështu jemi në rrezik kritik për jetën.”

“Ndihmë”, thërret Gryka e Dragobisë. “Ju lutem, mos ma copëtoni shtatin e Valbonës, sepse ma hiqni freskinë e gjelbërimin dhe ma sillni shkretimin.”

“Ndihmë”, thërrasin njerëzit që e kanë lidhur jetën e dekën me Luginën e Valbonës.

“Ndihmë”, thërrasin zanat, heronjtë e Eposit të Kreshnikëve, mitet e legjendad. – “Ju lutemi, mos na e prekni vendlindjen tonë, sepse nuk kemi ku shkojmë.”

Ne jemi sot këtu, në përgjigje të këtyre thirrjeve, të gatshëm për të ndihmuar dhe për të sakrifikuar.

E dimë që e kemi shumë të vështire, sepse përballë kemi shtetin. Por frikë nuk kemi.

Nga kjo urë, ne i kërkojmë shtetit:

Së pari, transparencë të plotë për vendimet e Këshillit të Ministrave, sa hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen të Valbonë dhe sa leje mjedisore janë dhënë.

Së dyti, të pezullohet menjëherë realizimi i projektit për ndërtimin e hidrocentraleve.Së treti, të organizohet një referendum lokal në Tropojë, lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve dhe, në rast se populli me vullnetin e tij të lirë shprehet kundër ndërtimit të tyre, atëherë të shfuqizohen menjëherë vendimet e qeverisë për këtë projekt.

Nga lartësitë e kësaj ure, ne u bëjmë thirrje intelektualëve të mbarë trojeve shqiptare, grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe, sidomos, rinisë: bashkohuni me ne, në një bllok unik, në mbrojtje të margaritarit të kurorës së Bjeshkëve te Bekueme – Valbonës sonë të bukur dhe të lirë!

Valbonë, 8 maj 2016

*Fjala e mbajtur diten e dielë, më 8 maj 2016, (në “Uren e t’Shtrejtit”) në Tubimin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Valbonës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, NDJEHEMI TË KËRCËNUAR, SEPSE PO KËRCËNOHET VALBONA

Skulptori Llesh Biba, artisti që i jep frymë drurit dhe historisë

May 9, 2016 by dgreca

Nga Dukagjin HATA/

Kur ish Kryeministri Berisha ftoi sipërmarrjen izrealite për të kontribuar në Shqipëri, nismë që pati nxitje dhe bashkëpunime konkrete, skulptori i talentuar i punimeve në dru, Llesh Biba, i para(pas)priu me një punim mbresëlënës, yllin e vjetër të Davidit, simbolikën e lashtë të botës hebrenje, me të cilën ajo vazhdon të identifikohet tash pesë mijë vjet.

Me rastin e ardhjes së Papa Françeskos në Shqipëri, LLesh Biba projektoi dhe realizoi figurën e Jezu Krishtit, vendosur midis dy stemave, stemës së Arbërit dhe stemës së Vatikanit.

Pas jehonës së kësaj vizite historike, artisti nisi dhe përfundoi me një cilësi të admirueshme maketin në dru kushtuar dyzet martirëve të besimit katolikë, që Diktatura vrastare ua mori jetën në kulmin e veprimatrisë së tyre klerikale, si përçues të mesazhit hyjnor, në një vend të braktisur e të izoluar, siç ishte Shqipëria komunsite dhe ateiste.

Para pak kohësh, një sipërmarrës i kërkoi Lleshit realizmin e një skulpture gjigande në dru, me portretin e Nënë Terzës, si dhuratë për një nga personalitetet më të larta të shtetit shqiptar për Vatikanin, ditën e Shenjtërimit të Nënës së Madhe të Botës, në Romë. Skulptori derdhi në këtë punim gjithë talentin, fantazinë dhe mesazhet, që burojnë nga një figurë embelmatike si ajo e Nënë Terezës, me të cilën lidhet një nga kulmet e krenarisë, dinjitetit dhe përkatësisë evropiane të kombit tonë.

I veshur në një mënyrë të çuditshme, me një mjekër të gjatë, sikur vjen nga koha e eremitëve, Llesh Biba herë të ngjan me një asket shëtitës, herë me një pelegrin në kërkim të përvojave të reja jetësore; në fakt, ajo që është, me sa duket, zembreku i “orës së tij” ka të bëjë me filozofinë e nxitimit, pasi ai nuk ka kohë për të humbur dhe gjithmonë e pret një punë, një porosi, “një takim intim me drurin”, siç i pëlqen ta ngacmojë mikut të tij, Tonin Dedë Shalës së Kryeziut, vijuesit të vijës së gjakut të derës ikonë të At Shtjefën Gjeçovit. Tonini e ndjen me intuitën e një bartësi të “filozofsë së drurit” talentin unik të mikut të tij, ndaj bënë çfarë është e mundur që ta ndihmojë në rrugëtimin e tij më shumë se estetik.

Llesh Bib ka mbi tridhjetë vjet që jeton me magjinë e drurit, i jep drurit frymëmarrjen e tij dhe e bën të gjallë, e shndërron në simbolika brilante të botës shqiptare, në kumte të historisë dhe përditshmërisë.

Që kur lindi 60 vjet më parë, më 3 maj të vitit 1956, në Nën Shejt –Orosh- të Mirditës, Llesh Biba, rreth dy të tretat e jetës së deritanishme ia kushtuar artit, poezisë, interpretimit kinematografik, ku spikat në disa role dhe, kryesisht, gjatë këtyre tre dekadave të fundit, drurit, punimeve në dru, të cilat i kanë dhënë krahët e lirisë së krijimit dhe magjinë e përcjelles së mesazheve mbarëshqiptare në kohë.

Një jetë e çuditshme, mes botës së libarve dhe të drurit, me projekte dhe realizime, duke aplikuar një kod të veçantë mendimi dhe sjellje, si një “pasuord” me të cilën identifikohet krijimtaria dhe karakteri i “vështirë” i artistit.

“Leshi është model i gjallë i një talenti shpoërthyes, befasues dhe emancipunes, që të trondit me fuqinë e pasionit dhe fantazinë e tij, thotë Tonin Alia, një nga miqtë më të afërt të tij, ai që ka marrë përsipër t’i sigurojë falas lëndën e drurit sa të jetë gjallë, duke ia zgjeruar hapësirat e lirisë artistit virtuoz.

Takimi me skulptorin unik Llesh Biba është befasues në të gjitha drejtimet: në rrekjen për ta takuar, e cila duket gati e pamundur, në fjalët e tij të kodifikuara, nën tisin e të cilave fshihet një artist i vështirë dhe në atë humorin e tij të hollë e shpotitës, që nis me vetveten dhe përshkon gjithçka, njerëzit që e rrethojnë, mjedisin social, drejtësinë, mediat, politikën e të tjera.

T’i japë jetë drurit, ta bëjë atë të përçojë ndjeshmërinë e kohëve dhe të epokave, kjo për Llesh Bibën nuk është thjeshtë një profesion: mbi të gjitha është një mision, që i tejkalon caqet e një realizmi të zakonshëm dhe të një mbijestese të zakonshme.

Në shtëpinë e tij studio, çdo vizitor do të ndeshi një derë të madhe, një portë, ku spikat figura e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e cila zë pjesën kryesore. Anash saj, duken citate nga njerëz që bënë historinë shqiptare, gjurmë mendjesh të ndritura, të cilat ai i përcjell si një mozaik mbresëlënës, ku konturohet një prelud sa estetik, aq dhe gjeohistorik e gjeostrategjik.

Biba duket se ka si kryemotiv të ecjes së tij në rrugëtimin estetik shkrirjen në një të historisë me përditshmërinë, duke nxjerrë në pah mesazhet që vijnë nga lashtësiae bëhen ura komunikimi panshqiptar në kohën tonë.

Në të djathtë, ky punim gjigant për vendin në të cilin po merr jetë, ka një mesazh të cilin nuk mund ta lëmë jashtë profilit të këtij artisti. “Nuk është mëkat mosdituria e të parëve tanë, por mosdëshira për dituri dhe mbulimi i saj është kryemëkat që s’mund ta bëjë dheu i Arbrit” është edhe një prej mesazheve që mund të shkëpusim nga puna e Bibës. E gjitha në dru, një derë ishte e zbërthyer dhe pasurohet çdo ditë me “shenja” të reja, fryt i imagjinatës së shfrenuar të artistit.

“Unë, rrëfen Llesh Biba,  -kam edukatë pune nga babai im “për të respektuar çdo lloj pune që duhet bërë në kohë të ndryshme, respektoi punët e të tjerëve dhe kur ajo s`është me nivel”. Sepse unë kam e do të kem parim: Më mirë një punë e dobët sot, se 100 punë të mira në mendje për s’e di se kur. Më 1990 vërejta se si artistët e arteve figurative po hynin të notonin në artin modern, unë thashë me vete; po merrem me atë që askush s`po e do, dhe vendosa të prek temën e traditës në një formë tjetër, duke bërë përpjekje të lartësoj jo aq sa dua e sa di, por aq sa kam mundësi në një ambient të caktuar rrethanash”.

“Porta e shekullit” është një nga punimet më transhendente të Llesh Bibës, me një fuqi përfytyrimi dhe konçizitet estetiko-historik, që arrijnë në kufijtë e të pamundshmes. Është një shpërthim ndjesish, trajtash, konturesh, një përzierje e fuqisë kreative të artistit me konkretësinë e mjeshtrit.

Nuk mund të lëmë pa përmendur një nga punët e tij më të lakuara, një vepër drusore që përfshin nëntë instrumente muzikore, të gjithë të unifikuar me njëri-tjetrin. E promovuar në në Torino, në Itali, me rastin e 600-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit, kjo punë është vlerësuar në të gjitha ambientet shqiptare e jo shqiptare ku është ekspozuar e sidomos është pëlqyer shumë në ekspozitën e skulpturës në Zvicër.

Artisti i veçantë ka mbi 80 vepra të punuara mrekullisht në dru e me një gjuhë poetike magjike.

Të gjitha këto punë i ka hedhur në facebook, në internet, i ka bërë pjesë e një komunikimi publik me dashamirësit e artit të tij, me koleksionistët dhe sipërmarrësit e veprave të artit.  Më e populluara e këtyre punëve “Porta e shekujve” ka marrë mijëra e mijëra klikime dhe qindra komente, çfarë tregon interesin e madh që shkon deri tek befasimi dhe suprizimi…

Punimet e tij në varret e vjetra, kryesisht të atyre figurave e dyerve që kanë bërë histori, me një dekoracion mbresëlënës, kanë bërë që Lleshi të jetë mjaft i kërkuar, por siç thotë vetë, “unë bëj aq sa mundem, aq sa më lejon koha fizike dhe koha e shpirtit”.

Llesh Biba, që nga viti 1981 e deri më tani ka jetuar e jeton si artist i lirë, pa punuar asnjë orë në shtet e pa pasur asnjë ndihmë sado të vogël nga shteti. Edhe pse nuk i mungojnë blerësit, ai do të donte, si çdo artist elitar, dorën e shtetit, mbështetjen e shtetit të tij. Përkundër kësaj, institucionet ia kanë mbyllur derën, duke refuzuar projektet e tij, çfarë ka bërë që artisti të betohet për të mos trokitur më kurrë në zyrat e shefave të këtij shteti, që stimulon mediokritetin dhe anashkalon e refuzon artistët e vërtetë, artin elitar të tyre.

Lleshi është dhe një veprimtar human, që bën shumë për vendlindjen, për nënshejtasit, oroshasit, mirditorët e tij. I lidhur me botën e biznesit human në perëndim, me anë të së cilit ka arritur të çojë në spitalet e qarkut Lezhë Rrshen-Kurbin mbi një million euro pajisje për modrenizmin e shërbimeve spitalore, Llesh Biba nuk mërzitet që pushtetarët lokalë as e ftuan në drekën e inagurimit të këtyre pajisjeve, që do t’i jepnin një fytyrë të re shëndetësisë në këtë qark.

Lleshin e karakterizon një sens humori i hollë, sa duket sikur kufijtë midis seriozitet dhe ironisë, nën “të folmet me rrotulla” (me nënkuptime) shpaloset një botë magjike, të cilën ai e plazmon në idetë dhe fantazitë e tij të harlisura për punimet e reja në dru.

Herë të duket si kaubojs, nga ata të serialeve të vjetër të Hollivudit, herë si murg shëtitës, gjithmonë në nxitim, me pluhurin e tallashit të drurit që ai nuk ka dëshirë ta heqë nga rrobat, sikur kërkon të shenjtërojë magjinë e “lëndës së parë”.

Dhe seç ka një mani për kapelet, të cilat i ndërron “si mbreti gratë” dhe duket sikur është në garë me stilistët më të mirë të tyre, për të na dhënë trajta e forma nga më të larmishmet, të cilat i ekspozon në kokën e tij, ku flokët tashmë ia kanë lënë vendin një fushëtore fundvjeshte, ku bie bryma e një kohe të vështirë…

I diplomuar për dramaturgji, Lleshi ka punuar si regjisor, ka luajtur në disa filma artistikë, shkruan poezi dhe ese, kryesisht me motive të lashta të botës shqiptare, gjurmon kalket dhe glasat gjuhësore me rrënjë të vjetra iliraine, duke menduar, ashtu si disa nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar,se shqipja është e parë gjuhë e botës, etj., por emrin e ka fituar pas mesit të viteve ’80, atëherë edhe kur filloj të punonte me drurin, duke i dhënë forma të jashtëzakonshme artistike lëndës drusore që siguron, forma ku konfigurohen shija estetike, finesa e detajit të gdhendes, vlera historike dhe njerëzore.

Pas disa ditëve, me ftesë të mërgatës shqiptare në Itali, të gazetarit dhe të veprimtarit të mirënjohur Ndue Lazri, Lleshi do të udhëtojë për atje, për të qenë pjesë e një promovimi të madh, që kulturologët shqiptarë në tokën italiane, sipërmarrësit, njerëzit e artit dhe administratorët italianë do t’i bëjnë kulturës shqiptare të thellësive, traditës artistike, mendimit dhe shpirtit kolektiv krijues të popullit shqiptar.

Ngula këmbë që LLeshi të ma jepte poezinë e tij “Amaneti” dhe ai, me gjithë heziitimin, ma dha duke më sugjeruar të mos e botoja. Kjo poezi, e botuar në librin e tij me titull “Nën Shejt-Letërnjftim-Të jeshë NËNË“, midis të tjerave thotë:

“S’dua të varrosem

As në kishë as në xhami

Po do varrosem në lartësi

Ku ka vetëm liri

Vetëm shqipja mundet me më dhi…”

Dhe e mbyll poezinë me këto vargje:

“Një lugë kafe dhe, nga i imi katund

Peshon ma shumë

Se dheu i një shteti pa fund”…

Sot kur shtypi dhe mediat gëlojnë nga personazhet e botës së krimit, nga turlifarë aventurierësh, të cilët shpesh rrethohen me një aurolë mediatike të sforcuar, për shkak të komplekseve që kjo shoqëri ka ndaj zejes së keqbërjes, nxjerrja në pah e figurave si ajo e artistit Llesh Biba, të cilët, në mënyrë të heshtur e të pa bujë, bëjnë qa shumë për vendin e tyre, duhet të jetë një obligim dhe mision i gazetarëve dhe analistëve seriozë, të lirë e të pavarur.

* E dergoi per Diellin , autori

Filed Under: ESSE Tagged With: artisti që i jep frymë drurit, dhe historisë, Dukagjin Hata, Llesh Biba, skulptori

Flirt i Perëndishëm

May 9, 2016 by dgreca

Esse-analizë e detajuar rreth vëllimit poetik “Flirtoj me Universin”, të  poetes së Haiku-t shqiptar, Reshida Coba/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

Poeti dhe poezia i japin kuptim jetës, dashurisë, respektimit  të botës njerëzore dhe hyjnore , vlerave dhe atributeve qytetare, intelektuale e kombëtare, me integritetin krijues të tyre, që janë  vlera të  domosdoshme në vetvete dhe mbartin filozofinë për jetën dhe me jetën. Botimi  i një libri  me poezi është shpirti mitik i poetit/poetes, është  vigjilja mbresëlënësë me rrjedhën e vetëekzistencës dhe butësinë  e të bukurës, universales,  dhe po aq mbresëlënëse  dhe e vlerësueshme për forcën shpirtërore poetike të mendimeve dhe të ideve, që ndryshojnë botën, me mesazhin e patjetërsueshëm të dashurisë njerëzore.  Për sa kohë poeti/poetja  bën sakrifica dhe përpjekje të guximëshme në artin e të shkruarit poezi,  ai/ajo ndricojnë  botën  e brendëshme, ndjeshmërinë dhe bukurinë shpirtërore të marrëdhënieve të njeriut me imazhet tradicionale të natyrës, njerëzit dhe sendet që e rrethojnë,  me temperamentin e natyrës njerëzore, mes  botës natyrore dhe hyjnore, duke i parë ato si ndodhi fenomenale. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në cdo varg, poetja Reshida Coba, pa e ditur dhe njohur atë, zbuloi flirtin e perëndishëm në vargjet lirike të saj; se ishte e dashuruar me Haiku-n. Në një hark kohor të admirueshëm, ajo arriti të botojë dy vëllime me poezi në stilin e Haiku-t, atë të titulluar, “Unë Gruaja R”, dhe   “Flirtoj me Universin”, ky i fundit, i sapo dalë nga shtëpia botuese,- Botimet Nacional, 2016-ë, Tiranë.

Në një vështrim të përgjithshëm mendimet dhe idetë e  poetes  Coba mishërojnë një ndjeshmëri poetike të perëndishme, stil i guximshëm, ndjeshmëri romantike në fluturimin e saj imagjinativ femëror dhe  hyjnor,  madhështinë e natyrës, irracionales dhe magjikës, në kërkim të ndricimit nëpërmjet pasazheve të bukurisë shpirtërore e njerëzore dhe intensitetin simbolist që injekton individualitetin sensual, të sinqertë dhe intuitiv të poetes, duke e indentifikuar atë si poete progresive e bashkëkohore.  Reshida Coba është e lidhur fort me temat e  akretipeve, që përfshijnë rrjedhën e evolucionit, që   individë të ndryshëm e përjetojnë dhe e ndjejnë, e mendojnë dhe e respektojnë në modele të ngjashme me  enthusiazmin, forcën e harmonisë  dhe të dashurisë njerëzore, vargje lirike të  frymëzuara me gjithë kompleksitetin e ndjenjave njerëzore si pozitive e negative. Në nivelin metaforik kjo është  liria nga prangat e kuptimit dhe qëllimit të poetes, trillimit e origjinalitetit, se bota letraro-artistike është një metaforë e botës reale njerëzore dhe hyjnore, është flirt i perëndishëm dhe  tjerrja kuptimplotë me  aftësinë krijuese,  por e “pikturuar” me sinqeritet e vërtetësi, anë të qenësishme të jetës; mirëkuptimin,  sensualen e liriken,  me një feminilitet të këndshëm, jashtë kontrollit të kuptimeve dhe ideve të shumta dhe pakuptimësisë së pashmangëshme të tyre, të cilat e bëjnë poezinë lirikë të  Cobës, që të lexohet me ëndje dhe përfitim të madh njerëzor, femëror, bashkëkohor  dhe dinjitet. Coba është një mesazhiere e lirisë së shpirtit, ajo flirton perëndishëm me universin deri në shenjtëri, me të cilat shpirti i saj frymon nëpërmjet artit poetik, që gjen prehje në hapësirat virtuale të ndjenjave, miqësisë, simbolit, metaforës, kujtimit, romantizmit, nostalgjisë, mallit, ëndrrës dhe dashurisë duke i dhënë impuls jetësor dhe eternal, oazit të botës femërore. Shpesh, poetët, vëllimet e tyre me poezi,  zgjedhin të mos  i ndajnë në cikle apo kapituj, -por vëllimin e saj poetik, “Flirtoj me Universin”,  poetesha e haiku-t, Reshida Coba ka zgjedhur ta ndajë në cikle me tituj të larmishëm dhe krejt të vecantë, sikundër:  “Haiku me një varg”, “Haiku me dy vargje”, “Haiku me tre vargje”, “Perëndia jonë është e gjelbëra”, “Puthja e Lipsarit”, “Të  Haiku-t tim me një dhe dy vargje”, dhe poezitë e gjata “Nuk ka vetëm një dashuri”, “ Loja e Trupit” ,“Perëndia jonë është e gjelbëra”, “Uji bën dashuri”, “Puthja e Lipsarit”, ” Mos nga Korca …ishte Eva ? ”  etj.Vargjet lirike të Haiku-t të poetes Coba, kanë simbolikën e fortë, flirtin e perëndishëm, njerëzor e hyjnor, me lirinë e shpirtit, rebelizëm e mëncuri, etja për dashuri; “Zjarri jo më kot ndizet në mes gjithmonë”, “Dhe lulja në lulëzim, ngelet pafjalë, kur sheh dy njerëz që puthen”, “ I pari që kupton trupin tim të dashuruar është krevati”, “Llastimet e mjelmës më zgjojnë fillime dashurie”, “Kur pres të bëhet e plotë hëna, humb durimin.“Asnjë gardh nuk e ngatërron rrugën e vet”, “Kjo re e thinjur vetëm këshilla jep”,  (nga Cikli” Haiku me një varg”, f.9,10,11, 12, 13).

“Cfarë moshe ka ky grurë / Hedh sytë në gjinjtë e grave”, “Syri im i vogël / Si e nxe gjithë këtë oqean të madh ”, “Sa guxon kjo lule  / Kapërxeu dhe murin e komshiut “, ”Mbrëmjeve merakosem për dritën / Ku të ketë ikur e vetme”, “Bukur tundet bari /Nuk di të vrapojë”, “Bregu nuk ja u heq njëlloj dallgëve/Mbathjet tyl  të bardha”, “Shinat e vjetra akoma kujtojnë / Fërkimet me trenin”, “Më të turpshme se gjethen /Era nuk gjen dot të dashur”,  “C’është ky mall i fshehur zemre / Për fjalën zemër”. (“Haiku me dy vargje”, f.31)

Këto vargje me stilin e Haiku-t, janë harmonike me botëndijimin dhe botëperceptimin psiko-analitik dhe  metaforik, muzikalitet të ndjeshëm, plot sharm e krenari femërore në vargëzim, melankoli e brishtësi tekanjoze, ëmbëlsi, butësi dhe lirizëm i feminilitetit në kërkim të dhimbjeve të ëmbla dhe gabimeve të bukura njerëzore të  intimitet hyjnor dhe forcës tërheqëse të tyre për t’i ndjerë,  ku magma ndjesore e delikatesës femërore maturon mendimet dhe eksklamacionet poetike të ndjenjave  dhe dashurisë njerëzore. Në mënyrë të sintetizuar  Coba kap nocionet kryesore të Haiku-t me një varg, dy vargje dhe tre vargje, fraza post-strukturaliste në të cilën shqetësimi kryesor i poetes, që shkaktohet   nga dëshira e pluralitetit të mendimeve  dhe  marrëdhënia e gjerë dhe intensive, pakti i saj i shpirtit me intimen,  që poetja krijon mes tyre: “Cfarë moshe ka ky grurë?/Hedh sytë në gjinjtë e grave.”, “ Me një dimër flenë,/Tre stinët femra.”, “ Dhe gruaja provokuese,/Nuk tundet aq bukur sa bari.”, “Si nxë syri im kaq i vogël”,/Gjithë këtë oqean të madh.”, “E vetmja gjë që zbutet pleqërisë, /Zemra dhe lotët.”, ( “Haiku me dy vargje”, f.31), -dhe poetja i gëzohet  pranisë së reales, asaj të dukëshmes dhe emocionit të castit, jo vetëm nga motivi dhe intensiteti emocional, por edhe struktura harmonike brenda realitetit  lirik-baladik, të lidhura së bashku me pasionin dhe femilitetin në tërësinë e vargjev, merr hov fluturimi i flirtit të perëndishëm në  universin i poeteshës, Reshida Coba.

“Luginës së gjinjve,/Hutuar dallgë e bardhë,/Harroi bregun.”, “Varg i këputur,/Gjinjve shkërmoqen,/Perla të përlotura.”, “Perlë e vogël,/Sy i bardhë,/Për detin blu.”, “Me vërshëllimën e tij,/Veriu capkën,/Puth  gjinjtë kodrave.”, Unë në gjumë,/Gjinjtë bisedojnë,/me njëra tjetrën”, “ E cmendi gurin e nxehtë,/Ikë e hajde/Kjo dallgë e lagur.”, “Me erë i njeh krimbi / Gratë që veshin/ Mbathje mëndafshi”,  “Grindem me Korcën /Ku i ke kalimtarët  /T’i përqafoj ”, “C’thonë korbat e Van Gogut /Re të zëza në shtrat/ Penelave plot ngjyra”, “Gjithmonë në udhëtim / Pluhuri mbledh pluhur/Ushqen universin”, “Xixëllonja e unë / Netëve flirtojmë/ Ndiz e shuaj zjarre”,  “Unë në gjumë / Gjinjtë bisedojnë / Me njëra tjetrën”, “Merak më mbeti/ C ngjyrë kishte molla /Që cuditi Neëtonin / ”( “Haiku me tre vargje “)

Poetja Coba krijon harmoninë me qeniet e universit, ku forca e dashurisë, erotizmi dhe sensualiteti në poezitë e saj me tre vargje nuk simbolizojnë vetëm qeniet njerëzore, por edhe botën natyrore me elementët e saj: Lugina, dallga, gjinjtë, bregu, veriu, kodrat, guri i nxehtë, dallgë e bardhë, etj. Poetja përdor metaforat dhe i konsideron kontrastet  e dashurisë dhe lumturimit, ndjenja që veprojnë e riveprojnë, mbajnë të tendosur erotizmin e natyrës me flirtin shpirtëror dhe triumfin e dashurisë njerëzore; “ Dy perëndime/Dielli e dashuria ime/ U ndanë në horizont”/, “Dy breshka të gjelbëra/Ciftohen ëmbël/Herë në tokë e herë në ujë.” -vargëzon  Coba.

Poema “Nuk ka vetëm një dashuri”, është një nga poemat më të bukura të Cobës, një poemë evokative  dhe medituese me vargjet e saj lirike, poetja menaxhon ndjeshëm paralelizmin  figurativ: “Netëve tejnetëve …në pakohësi,/mendohem të përzë errësirën brenda vetes,/Për gjërat që nuk jam e gjërat që nuk di,/Guxoj të pyes në terrnajën e universit,/në udhët ku ende drita s’është nisur,”- pavarësisht vargut e aluzioneve; “errësira  dhe drita”, “terrnaja dhe tejnetët”,  të cilat kanë simbolikën e një prekëshmëri shumëkuptimore,  pa rënë në sentimentalizëm dhe fatalitet, duke kapur thelbin në imazhet me strukturë komplekse, emocionale dhe stil ekspresiv, atyre poetja edhe iu kundërvihet: “Pse mbeta gjithë jetën te habia e dyshimi,/Pse mbijnë njëlloj dashuritë e tradhëtitë,/Bota është MONO, por s’janë MONO,/Dashuritë!”,  – stil, i cili mbetet i  njëkohëshëm dhe i fuqishëm, mishërim i prehjes e paqes shpirërore se  “Bota është Mono, por jo dashuritë’,  –një lloj mospajtueshmërie romantike,  vizuale dhe e erotizuar me materjen lirike dhe konceptin filozofik e hyjneshës së dashurisë njerëzore.

“Ndaj e trishtuar i rrëfehem universit,/ E zgjedh momentin kur dua të sulmohem netëve/  Kur jam e tëra Eter /Kur bëhem e tëra një moment zog Palloi / Me cmendurinë e ngjyrave, hapjes së krahëve /Lojës me format / Atëhere flirtoj me universin / Flirtoj me yjet gjysëm të cmendur /Dhe iki mijra vite drite larg /Kulloj qumësht të bardhë  plot dije/ Trupi im një orizore e madhe / Shkund kokra orizi mbi  gjokse universesh / Ju shfaqem me të vërtetën time fisnike / Dhe pyes ,a  janë Mono…Dashuritë / Dy të vërteta gjithmonë luftojnë / Por vetëm njëra mbetet e vetme / Edhe Hëna dikur guxoi të hiqte dorë nga froni /Kur pa se flitej  për një diell plus ,minus një hënë ”.

Koncepti elegjik është një epitaf i paharrueshëm me intensitet të fortë emocional në këto vargje lirike, që në mënyrë të barazvlefshme Coba nënkupton veten e saj dhe marrëdhëniet e dashurisë njerëzore me ankthin e pritjes, ëndrrat dhe dëshirat, se si funksionon bota njerëzore në akord me natyrën dhe hyjnoren. Poetja është vazhdimisht në kërkim të një klimë artistike e filozofike, kontemporane, elegancë dhe elokuencë  në varësi të rrethanave natyrore, fizike e shpirtërore: “ Pse kaq e padukëshme lavdia e Dashurisë?/Pse kaq e lartësuar Lavdia e Zotit ndaj Monogamisë?/Unë do  pres edhe këtu ku jam dhe në botën tjetër,/Do përgjoj mbi fatin e njëshit të dashurisë,/Edhe pse e zënë do jem me punët e vdekjes sime.”

Poetja e do lexuesin e saj, e vlerëson dhe është e shqetësuar a do ta kuptojnë drejt,ndaj vazhdon me vargjet: “Nuk di c’do thoni ju, kur të më lexoni / Do dyshoni për mua / Mundet të më  sugjeroni se duhet të flas me një zot / Por unë nuk do ta bëj / Ju kam zgjedhur juve/ Me zotat bisedoj vetëm kur nuk kam njerëz më të mencur afër.”

Poetja Coba beson në të vërtetën e jetës e dashurisë, në vlerat njerëzore që ato mbartin, beson në tragjedinë njerëzore, jetën në botën e përtejshme, dhe e konsideron atë një botë në harmoni me natyrën edhe “pse e zënë do jem me punët e vdekjes sime”,- thotë poetja,-e cila guxon të drejtojë veten drej tejdukshmërisë lirike të intimes sensuale, brenda cdo individi e universit shpirtëror ku të gjithë dashurojnë, vuajnë, gëzojnë dhe “përgjojnë  fatin e njëshit të dashurisë”,  këtë ndjenjë universale e flirtit të  perëndishëm, nga ku lind jeta, dashuritë dhe dhimbjet e saj. Tashmë pa e fshehur shqetësimin e kohës, poetja kërkon zgjidhje, kërkon ndihmë nga mendjet njerëzore, poetët, duke iu drejtuar: “Ku janë pendesat/ Ku është poeti i Monogamise / As martesën e vet se mbrojti dot /Nga rreziku i dashurive të reja / Është koha të shkruhet e vërteta /Asnjë nuk është i mbrojtur, nga rreziku i rrënies në dashuri edhe në kohën e shenjtë të bashkëjetesës /Ndodh shpesh në shtratin bashkëshortor  zgjohen mëkatet / Mbushen  brinjët e shtratit me  dhimbje / Shtohen ritualet / Gruaja duke zgjatur flokët / Burri duke thërmuar heshtjen / Bashkëjetesa fytyrë e dubluar / Rrënkon në numurin njëjës”.

Duke njohur karakteristikat e botës poetike të Cobës, të poezia “Puthja e Lipsarit”, poetja injekton duke përfshirë kontradiktat e dykuptueshmërisë dhe rolin e dualitetit  të paqartë të poetit dhe vetë poezisë, për të  gërshetuar tema më të gjëra, duke grishur me  motive romantike,: “Puthmë, puthmë….lermë të të puth,/Nuk kam puthur kurrë një grua kaq të bukur!/O Zot…cfarë po ndodh, nuk paskam vdekur,/Pse ndjej se mund të puth një grua…vërtet?/Lermë të lutem…lermë të të puth,/I lumtur të bëhet një lipsar..” Në këtë  reflektim  këmbëngulës poetja shpreh dhimbjen me vargje lirike dhe meditime shumë më të thella në përvojën njerëzore dhe natyrore, dashuria është joshëse, e pashmangëshme dhe fatale.Poetes  i dhimbset “Lipsari”, të cilit nuk i plotëson dëshirën e tij,  nuk ia zbut dot dhimbjen për një puthje, dëshpërohet poetja dhe vrapon të hedhë dhimbjen në vargje;  “Ishte tronditur kujtesa ime,/Ndjeja se isha kthyer nga një funeral,/Ku nuk shkohej për të vdekurin, por për të lindurin nga vdekja, si detaj.” Dashuria për Cobën kurrë nuk është e drejtpërdrejtë, por e paraqitur gjithmonë me elementë komplikues e ngushëlluese: “Në dorë mbante një shishe uiski,/Që përkëdhelej andej këtej,/Fliste fjalë të bukura për gruan,/këndonte kërcente,/Recitonte vargje nga i dehuri Heminguej”/ “Dhe kthehej të humbiste në kërcimin e tij”,/Me përplasjet e dhimbëshme  të thembrës në tokë.”

“Ishte tronditur kujtesa ime,/Ndjeja se isha kthyer nga një funeral,/Ku nuk shkohej për të vdekurin, por për të lindurin si detaj.”-një shpërthim i jashtëzakonshëm i poetes, aktakuzë tronditëse shoqërore dhe morale e Cobës, që trajton varfërinë dhe dëshpërimin nëpërmjet kombinacionit poetik, tërë filozofi dhe mjeshtëri artistike, që sfidon didaktin dhe simplicitetin  e sferës amatore. Poetja dashuron jetën, vuajtjet e dhimbjet e të tjerëve, (lipsarit), i bën të vetat, dhe shpirti njerëzor i poetes gurgullon me vargje lirike e romantike, për të zbutur sadopak ato, streset, dhimbjet  dhe ndjeshmërinë e tyre nga problemet e mosmarrëveshjet e ditës në të përditshmen njerëzore: “Hapa derën /Hyra në shtëpi pa zhurmë /Kisha frikë mos trembja lutjet e tij /Kërcimin, zërin e tij të bukur  /Që mpakte cdo grua / Kam qarë dhe kam kërcyer në dyshemenë e dhomës/ Pa asnjë orendi /Jashtë e nxorra ajrin /Gjithë puthjet e mia / Jetën time /Kërceja, qaja, këndoja, recitoja vargjet e mia /E  dehur … ashtu si ai “Dashuria pavarësisht nënrrymave të heshtura në vargun e saj, për nga mënyra e artikulimit poetik, Coba intimiton muzikalitet dhe zotërim të konvencioneve lirike. Me anë të fabulës  në këtë poezi, Coba jep konceptet e ndërtuara nga shoqëria, që kanë  të bëjë me cështjet social ekonomike  dhe fatin e individit, cfarë ndodh në botën e brendëshme shpirtërore të saj dhe individëve, mentaliteteve të ndryshme të shoqërisë e përplasjeve të tyre në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës. E ndodhur mes dilemave dhe pyetje të shumta në  mendjen e saj, poetja Coba përpiqet të bëjë dallimin midis instikteve intelektuale të dashurisë e instikteve gjenetike të seksit  dhe ja vjen me një poezi shumë të komplikuar si subjekt ; “Loja e Trupit”, nëpërmjet vargjeve:  “Nga cili planet vjen ky mesazh qiellor / Dëshirë e fshehur eksitimi zbret nga diku /Ngjan me sekretin e Perëndive të panjohura / Me heshtjen gurkali…Dremitjen e minutave blu”.As me shpjegimet e saj filozofike, as me shpjegimet shkencore, poetja nuk ndjehet komode,e mundon limiti i mendjes njerëzore, që nuk depërton dot në këto mistere të trupit, kaq të pranishme, pjesë e kërkuar vazhdimisht nga trupi, ku njeriu nuk kundërshton ,por dhe nuk shpjegon dot atë cfarë  ndodh, ndaj Coba vazhdon; “Bie era trup …era qiell / Sëmundje e përsosmërisë në udhëtim /Për të mbritur në rrëmujën e rregullt të shpirtit  / Le të ndodhë përfytyrimi ! “ dhe më tutje: “Epsh i harlisur vjen / Nisur nga diku /Dikush e quan eksitim,ves/ Dikush e quan një fe vulgare / Dikush thjesht e quan seks”.Dyshimi dhe kërkimet e poetes nuk mbarojnë, ajo do të dijë të vërtetën që e mundon netëve dhe e le pa gjumë, ndaj shtron dilemat e saj; “Mos shpirti i thotë trupit nuk të kam harruar / Dhe ikën të mbetet shpirt i pashpjeguar / Mos zoti tallet me naivitetin e krijesës së tij / Dhe shfaqet me guximin e maskës së dritës e frymës /Ndërsa njeriu me guximin e rrënies në dashuri / Atëhere – Epshi është kafsha  ! Dashuria është njeriu  ( O Zot …mos qoftë kështu ! ) Të mendohem më shumë dua / Ta njoh universin absurd të trupit tim / Por nuk di si ! Ndaj shkruaj për lojën e trupit /Kufijtë midis dritës e ferrit/ Unë luaj me dy gjysmat që kurrë s,do ti kuptoj / Kur I përkasim gjysmës së parajsës / Kur i përkasim gjysmës së ferrit.”

E dashuruar me natyrën, me të gjelbrën, poetja Coba në këtë libër  emërton  dashurinë e saj   “E gjelbra”, ndaj dhe vesh fustanin Jeshil, i përkëdhelet  dashurisë së saj,dhe ngjyrës,Jeshile.

“Kam veshur fustanin jeshil për ty,/E mban mend ditën kur u ndamë….unë bëja sikur/shkundja dritën nga supet,/Dhe zëndrojtur fola:-Dukem bukur në jeshile?/Ti mbillje vështrimin në gjoksin tim të bardhë,/Me kujdesin sa më afër qendrës….sa më afër erës së/qumështit.” ( Perëndia jonë është ….e gjelbëra”,f.157).

E vecanta e këtyre vargjeve lirike është metamorfoza e kompleksitetit të emocioneve, e cila me delikatesën femërore elegante e nazike fillon të flirtojë me universin, ëndrrat, dëshirat dhe heroin lirik të saj,  që e mbajnë të lidhur përjetësisht poeten.  Nëpërmjet ngjyrës jeshile, poetja insiston në coroditjen e  turbullt të ndjenjës mashkullore; “ Nga drithërimat e prekjes, lind ylberi tokë-qiell pritur,/Në të kundërtën e shkëlqimit të diellit’, -simbole të  adhurimit këto, të prushta e drithëruese, një dritë e dëshirë jeshile, mes vedit dhe heroit lirik të saj;  “A nuk ndjehesh i zgjedhuri qiellor..Re-Shi-Diell?/Fol-Qiellori im…që ylberon mbi mua!” Në mënyrë të ngjashme poetja konfirmon romancën potenciale me forcën dhe energjinë shpirtërore, përpos bukurisë shpirtërore e fizike, dhimbjen e ëmbël të egos supernatyrale dhe ambicjes së  ndryshimit në botën e brendëshme shpirtërore rrethuar nga dashuria. Vëllimi poetik “Flirtoj me univertsin”, i poeteshës së Haiku-t shqiptar, Reshida COBA, është manifestimi i një shpirti të bukur, të ndjeshëm, sensual, lirik dhe romantik, hymn dashurie për botën njerëzore si dinjiteti, dashuria për jetën -dhe për atë më sublimen, Dashurinë Njerëzore.

 

Postscriptum

 Poeteshën Reshida Çoba, e kam mike të fëmijërisë, lindur e rritur në qytetin e bukur, që vetëm buzëqesh, Korca, në lagjen e aristokracisë myslimane, ku ngrihet madhërishëm për 6 shekuj e gjysëm,  Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit, themeluesit të Korcës moderne.  Arësimin e hershëm tetëvjeçar e kemi bërë në të njëjtën shkollë. Lagja jonë,  që nga brezat në vazhdim thirret “lagja e Radanecit”,  ishte dhe  vazhdon të jetë aq e veçantë, për vetë pozicionin e saj gjeografik, dhe perëndimin më të bukur të diellit. Çdo mbrëmje njerëzit, përfshirë edhe mua e Reshidën dilnim sofateve të shtëpive tona, jo vetëm bënim ndonjë punëdore me grep apo qëndisnim jastëkët, pajën vajzërore, por me kënaqësinë më të madhe ndjenim në atë përcjelljen e ngrohtë të diellit, sikur të ishte pjesëtar i familjes tonë dhe shijonim kabatë  me klarinetë të arixhinjve, e Lulushit të pavdekshëm dhe melodinë e fizarmonikës së Bani Kuqos, të cilët cakërqejf nga rakia e muzika, duke kënduar  këngët e vjetra të Qerime arixhofkës, na shkelnin syrin e ngacmonin ne qëndistareve bjondina. Të gjithë  ata dhe njerëzit që i rrethonin na dukeshin aq të bukur e të përzëmërt, me bekimin diellor, flirtin e perëndishëm dhe dashurinë për njëri tjetrin, dhe vërtet ishin të tillë! Përveç atyre qëndismave me yje, trëndafila dhe perëndimin e diellit, belbëzonim vargje poetike nën tinguj serenatash të Abaz Hajros. Reshida na jepte edhe një kënaqësi më shumë, si folëse në Radio Korça, ku recitonte vargjet e saj të shkruara nën përqafimin e perëndimit diellor, por lexonte edhe ato vargjet fillestare, tonat. Përveçse në këndin letrar të shkollës, poezitë e atëhershme të Reshidës u botuan edhe në revistën “Shqiptarja e Re” dhe “Drita”. Më pas ajo emigron në SHBA-ës, ku jeton, punon e krijon prej 20 vjetësh. Poetja korçare, tashmë shqiptaro-amerikane, i rishikon edhe njëherë poezitë e saj të para, por edhe duke krijuar të tjera dhe zbuloi  se ishte dashuruar me Haiku-n, pa e njohur atë, përmes ndjeshmërisë dhe bukurisë që përshkruante marrëdhënien e njeriut me natyrën dhe njerëzit që e rrethojnë, por edhe vetë temperamentin e natyrës njerëzore me botën natyrore. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në çdo varg të Haiku-t, ajo arriti të botojë fillimisht  librin e titulluar “Unë, Gruaja R”, dhe këtë vit, vëllimin e dytë poetik “Flirtoj me Universin”, me vargje prekëse, që të mbeten në mendje dhe që nuk mund t’i anashkalosh pa i lexuar disa herë.

Për stilin poetik të poetes Reshida Coba janë shprehur pena të njohura të letrave shqipe; që nga shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili mendon se: “Shprehja e saj poetike është e thjeshtë e komunikuese, larg retorikës spontane. Mendimet e autores mbartin filozofinë që më shumë ndjehet, sesa shprehet. Kjo e bën poezinë e saj lirike me një feminitet të këndshëm, me figura të përvijuara lehtazi, të dhëna me dashuri e dhimbje, që shpesh vjen larg. Ajo këndon lirisht, cdo gjë njerëzore, e hapur dhe e sinqertë deri në sensualitet. Është padyshim një zë i ri në poezinë femërore, që po e pasuron me vlerat e saj më të mira e bashkëkohore, këtë dekadë të fundit.” Ndërsa kritiku letra Fatbardh Rustemi, i cili është edhe njohës i mirë i penës poetike të Cobës shprehet se: “ Reshida Coba edhe kur guxon të vërë pikëpyetje mbi monogaminë, rrëzon tabunë duke shenjtëruar dashurinë, tek e cila mbahen të gjitha vlerat njerëzore,  te butësia femërore, te delikatesa, te shfaqja e një shpirti të dlirë, feminiliteti me ngasje të bukura qendron gjithë pushteti poetik lirik, romantik e sensual i poetes.”

Mjeshtri i Madh, poeti,Petrit Ruka shprehet se: “Vetëm sinqeritete të tilla kaq shkundulluese në vargjet e një gruaje, mund të të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike. Do mjaftonte vetëm poezia “Luksi me arrixhinj “, për t’u bindur se kjo është poezia e vërtetë, cdo poet do e kishte zili një poezi të tillë në librin e vet “, por jo cdo grua do kish guxim, ta quante “ një luks me arrixhinj ”

Më dt 6 Mars 2016, në ambientet e bibliotekës Tirana Times, Tiranë, -Shtëpia Botuese Nacional, nën moderimin e botuesit të saj, shkrimtarit dhe poetit Mujë Bucpapaj, promovoi vëllimin poetik “Flirtoj me Universin”, i poetes shqiptaro-amerikane Reshida Coba. Morën pjesë figura e personalitete të njohura të letrave shqipe, artit e kulturës shqiptare, mes tyre nuk mungoi edhe këngëtarja e shquar Aurela Gace, e cila me zërin e saj të magjishëm përshëndeti, duke kënduar hymnin apo flirtin e perëndishëm të  bukurisë femërore korcare, serenatën, “Perëndeshë e Bukurisë”.

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA

Mars 2016

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Flirt i Perëndishëm, Raimonda Moisiu, Reshida Coba

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT