• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

LOJËRAT MINI PARAOLIMPIKE “KOSOVA 2016”

June 26, 2016 by dgreca

Olimpiadat e veçanta janë një shembull për të gjithë ne se si, pavarësisht nga përkatësia etnike apo dallimet kulturore, ka një plan dhe qëllim, një vlerë për secilën jetë pa marrë parasysh vendndodhjen, moshën, gjininë apo aftësinë e kufizuar.

 VUSHTRRI, KOSOVË/ Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë – KFOR, Zyra për Marrëdhënie me Publikun, në një njoftim të dërguar sot bën të ditur: Në një mot të mrekullueshëm dhe në atë që mund të përshkruhet si një nderim ndaj shpirtit të njerëzimit dhe përpjekjes në kuptimin më të sinqertë, edicioni i lojërave Mini Paraolimpike “Kosova 2016” u mbajt në Vushtrri në fundjavë të 25-26 qershorit.

 Gjithashtu, lojërat Speciale Olimpike në Kosovë jo vetëm që demonstrojnë aftësitë fantastike dhe përpjekjet e atletëve të rinj, por gjithashtu tregojnë se për këta atletë pavarësisht aftësive të tyre kufizuara, dallimet kulturore dhe etnike thjesht nuk janë të rëndësishme dhe si rrjedhojë këto lojëra të veçanta mund të bëhen nxitës kryesor në zbërthimin e çështjeve të mosbesimit dhe armiqësisë të cilat mund të ekzistojnë në të gjitha shtresat e shoqërisë në Kosovë. Në mënyrë të njejtë, ajo çfarë shoqëria në Kosovë mund të mësojë nga kjo ngjarje e veçantë është se këta atletë “të vegjël” nuk janë me aftësi të kufizuara, por ata kanë “super-aftësi”. Olimpiada është vendi ku bëhen heronjtë, Paraolimpiada është vendi ku vijnë heronjtë; për të cituar Scott Hamilton, “e vetmja aftësi e kufizuar në jetë është një qëndrim i keq”. 

Ky aktivitet u organizua jashtëzakonisht mirë me shumëllojshmëri të ngjarjeve dhe garave pothuajse të shumta për t’i përmendur, nga garat në hendboll, shah, vrapim dhe shenjëtari si vetëm disa prej tyre. Të gjitha aktivitetet sportive dhe pushimet e drekës janë mbështetur nga vullnetarët entuziast dhe në gatishmëri nga: KAPS, OSBE-ja, KFOR-i, OJQ OPFAKKOS. 

Për rreth 40 ushtarët e KFOR-it të përfshirë për të ndihmuar me disa aspekte të logjistikës dhe furnizimit me ushqim në mbështetje të kësaj ngjarjeje, kjo ishte një detyrë të cilën ata ishin shumë te kënaqur ta ndërmarrin. Pjesëmarrja në ngjarje të tilla na nxjerr nga mjedisi i rregullt ushtarak dhe nuk është vetëm një përforcues moral për vetë ushtarët, por edhe përforcon për ta rëndësinë e pranisë sonë këtu në Kosovë dhe tregon që në shumë mënyra të vogla individualisht dhe kolektivisht mund të bëjmë një ndryshim të vërtetë. Nëpërmjet ngritjes e fondeve në kuadër të KFOR-it gjithashtu është nënkuptuar se shpërblimet dhe medaljet e pranuara nga të gjithë pjesëmarrësit pavarësisht nëse ata qëndruan në podium olimpik apo jo, do të thotë se këta fëmijë frymëzues gjithmonë do të kenë një kujtim të ngjarjes për ta gëzuar gjatë jetës së tyre. 

Së fundi, këta fëmijë janë një mishërim i gjallë i një pikpamjeje të jetës që është e paanshme dhe jo-gjykuese, e cila në vetvete është filozofia themelore dhe motivi përcaktues i KFOR-it dhe misionit të tij ditor në Kosovë./b.j/

Filed Under: Sport Tagged With: “KOSOVA 2016”, LOJËRAT MINI PARAOLIMPIKE

Gazeta angleze “Express” për Shqipërinë: Vendi në varfëri, të gjithë duan të largohen

June 26, 2016 by dgreca

Gazeta prestigjioze angleze “Express” i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë duke e vënë theksin në faktin se vendi ndodhet në varfëri ekstreme dhe se pjesa më e madhe e popullsisë kërkojnë të largohen në drejtim të vendeve të BE-së për një të ardhme më të mirë. Gazetarët e “Express” kanë zbarkuar në Tiranë, ku kanë biseduar edhe me qytetarë të ndryshëm. Në shkrim theksohet gjithashtu se rreth 26 mijë shqiptarë ndodhen në Britaninë e Madhe. “Shqipëria pritet t’i bashkohet Bashkimit Evropian pas negociatave prej vitesh. Por mesa duket varfëria ka sunduar mbi komunitetet. Në zonën e lumit të Lanës, që përshkon kryeqytetin, jetojnë 300 familje të komunitetit rom nëpër kasolle. Disa familje të tjera paguhen minimalisht, shumë e cila mund të jetë më pak se 6 mijë lekë në muaj. Fëmijët e tyre janë të detyruar të lypin para në disa zona, ndërsa disa të tjerë janë të punësuar nëpër miniera”, thuhet në reportazhin e gazetës së njohur angleze. Më tej theksohet se ministrat e Bashkimit Evropian duket se do të lejojnë që Shqipëria t’i bashkohet Unionit. Shqipëria njihet si kandidate zyrtare e Bashkimit Evropian që në vitin 2014 dhe mund të bëhet pjesë e unionit në 2020. Ndërkohë, sekretarja e Parlamentit Anglez, Theresa May, ka paralajmëruar për mos-lënien e “Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të zi, Serbisë dhe Turqisë t’i bashkohen BE-së, dukë thënë se: “Ata janë vende me popullsi të varfër dhe probleme serioze, me krim të organizuar, korrupsion dhe ndonjëherë edhe terrorizëm”. Por, për shumë shqiptarë lufta më e madhe është mbijetesa. Ka pakënaqësi të madhe në mesin e njerëzve që besojnë se asgjë nuk është bërë për t’i ndihmuar. Kafenetë, ku pijet janë të lira mbushen me 20-30- vjeçarë, të cilët pjesën më të madhe të ditës e kalojnë në shtëpi, para se meshkujt kryesisht, të nisen për punë në Evropë. Që prej hapjes së vizave Shengen, qindra të rinj largohen për tre muaj nga vendi i tyre, duke punuar. Duke qenë pa vizë, ata punojnë në vende të rrezikshme, duke thënë se s’kanë mundësi tjetër”, thuhet në shkrim.(E dergoi per Diellin: Shefqet Kercelli)

Filed Under: Opinion Tagged With: Express, shqiptaret largohen

SHBA 20 vjet pranie në Kosovë, nga qershori 1996

June 26, 2016 by dgreca

-Para 21 viteve në 1995-tën, dy vizita në Uashington, takime me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Uoren Kristofer, të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, duke nisur në qershor…/

-Rugova për hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë: Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës/

“Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht”, theksonte Presidenti historik Rugova në intervistat që kam zhvilluar nëpër vite, duke folur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare/

Gazeta DIELLI, nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 26 Qershor 2016/ Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në qershorin e para 21 viteve ka zhvilluar takime të rëndësishme në Uashington, ndërsa një vit më pas po në qershor, bashkë me familjen, ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.

“Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht”, theksonte Presidenti historik Rugova në intervistat që kam zhvilluar nëpër vite, duke folur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare.

Në publikimin e Qendrës për Informim të Kosovës “Ibrahim Rugova: Jeta dhe veprimtaria letrare e politike”, shkruan se në vitin 1995, më 22 qershor, Presidenti Rugova takohet në Uashington me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Uoren Kristofer. Kristofer thotë se SHBA-të e njohin problemin e Kosovës dhe e siguron Presidentin Rugova se SHBA-të nuk do të qëndrojnë anash në rast të konfliktit në Kosovë. Ai thekson se pa zgjidhjen e pranueshme të çështjes së Kosovës nuk do të ketë heqje definitive të sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi.

Po ashtu, Presidenti Rugova takohet me liderin e shumicës në Senatin Amerikan, Robert Dol. Senatori Robert Dol tha se çështja e Kosovës është preokupim i vazhdueshëm i Senatit Amerikan dhe se SHBA-të përkrahin të drejtat legjitime të popullit shqiptar të Kosovës.

Po në vitin 1995, në 8 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova takohet në Uashington me Sekretarin Amerikan të Shtetit Uoren Kristofer, takim ky i dyti brenda gjashtë muajve. Rugova shfaq shpresën se SHBA-të, pas suksesit diplomatik në Bosnjë, do të angazhohen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës që është çështje kyçe në Ballkan. Uoren Kristofer thekson se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në pozicionin e njohur të artikuluar nga ish-Presidenti Bush dhe të ritheksuar nga administrata e Klintonit se nuk do të lejohet konflikti në Kosovë.

Në vitin 1996, më 12 janar Dr. Ibrahim Rugova përshëndet paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, thekson Rugova dhe shfaq shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapin zyra të tilla në Kosovë.

SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë në 6 qershor 1996, u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja para 20 viteve.

Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Zyra e SHBA-ve në Prishtinë u bë Ambasadë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. “Si rezultat i statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t’u hapur formalisht si ambasadë e Shteteve të Bash kuara”, ka thënë Kaidanow në ceremoninë solemne.

Ajo ka shtuar se, “derisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj”.

Diplomatja e SHBA-ve në Prishtinë, Kaidanow, siguroi për vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve në vitet në vijmim dhe se asistenca amerikane Kosovës do të ketë për qëllim sigurimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë.

“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale”, tha më tej Kaidanow.

“Është kanqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme, dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.

Duke e marrë fjalën në ceremoni atëherë Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu tha se “Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë”.

Më tej presidenti Sejdiu përkujtoi:

“Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ‘miqësi të përhershme’ në mes të dy vendeve tona”.
Më tej Sejdiu tha se Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ia kishte dërguar atij të nesërmen e shpalljes, përkujtonte “lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë”.

“Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ‘e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë’”, tha Sejdiu.
“Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënive të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Sejdiu, President në atë kohë.
“Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri”, ka thënë në ceremoni  atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i Kosovës.

Ai vlerësoi se “duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë”.

“Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë. Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

“Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta”, nënvizoi kryeministri në atë kohë.

“Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu”, përfundoi Thaçi duke uruar “në këtë rast madhështor”.
Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tash kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanoë, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.

Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.

Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe  të ambasadave në Kosovë.

“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, Ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila përfundonte misionin në Prishtinë.

Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” niste prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehej ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.

“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, theksonte ambasadori amerikan.

Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.

Në 21 gusht 2015, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.

Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

—–

Në foto: Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë (Nga albumi i Ilaz Bylykbashit)

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, nga qershori 1996, SHBA 20 vjet pranie në Kosovë

Vështrim pas- Në Uashington flamuri amerikan u ngrit për publicistin shqiptar Engjëll Musai

June 26, 2016 by dgreca

Nga Ermira Babamusta/
 Në ndërtesën e Kongresit Amerikan në Uashington DC u valëvit flamuri amerikan për nder të z. Engjëll Musai dhe kontributit të tij në lidhjet dypalëshe shqiptaro-amerikane. Ngritja e flamurit në ndërtesën e famshme të Kongresit amerikan i rezervohet banorëve të distriktit përfaqësues të kongresistit ose senatorit, dhe në raste të veçanta nderimi i një personaliteti të shquar i një vendi tjetër që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm ose për të kujtuar ngjarje historike. 
 Me kërkesë nga kongresisti amerikan Eliot Engel nga New Yorku në ndërtesën e Kapitol Hill me datën 7 mars 2016 u valëvit flamuri amerikan për nder të personalitetit të shquar të kombit shqiptar Engjëll Musai. Vlerësimi i kontributit të jashtëzakonshëm për z. Engjëll Musai nga Kongresi Amerikan tregon miqësinë e fortë tradicionale dhe historike që egziston midis Shqipërisë dhe Amerikës.
Flamuri u ngrit për nder të z. Engjëll Musai “për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve  shqiptaro-amerikane dhe zhvillimit demokratik të Shqipërisë. Nëpërmjet punës së gazetës Telegraf z. Musai shërben si zëri i arsyes dhe drejtësisë, në mbështetje të vlerave amerikane për demokraci, drejtësi, liri dhe barazi.”  
Publicisti i njohur z. Engjël Musai ia ka kushtuar jetën e tij me plot pasion dhe devotshmëri kauzës së shenjtë të miqësisë dhe bashkëpunimit Shqipëri-Sh.B.A. Si një mendimtar i natyrës prej diplomati me analizat e tij ai reflekton inteligjencë, mirëkuptim, dialog dhe tolerancë për shoqërinë shqiptare. Një zë tepër i fuqishëm që e vërteta të triumfojë. 
    Çdo ditë në editorialet e gazetës Telegraf publiku shqiptar njihet me politikën paqësore aktuale amerikane, me vlerat demokratike, me përkushtimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara te Amerikës për të përhapur vlerat demokratike kudo në botë dhe për një paqe të qëndrueshme. Vazhdimisht pasqyrohet interesi i Sh.B.A-së për zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës dhe për shqiptarët e Maqedonisë. Si dhe pasqyrohen vlerësimet dhe sygjerimet që japin udhëheqësit e politikës amerikane për Shqipërinë, dhe veçanërisht interesin e jashtëzakonshëm që tregon lidershipi amerikan si Presidenti Obama, Familja Klinton dhe Familja Bush. 
      Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërrmarë angazhime të veçanta në botë për ruajtjen e paqes, parimeve demokratike, drejtave njerëzore, vlerave të lirisë dhe drejtësisë. Lidershipi amerikan ka përkrahur shtetet aleate si Shqipëria dhe Kosova në proçeset demokratike të vendit dhe reformën në drejtësi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku dhe aleati më i madh i kombit shqiptar. 
   Kongresisti amerikan Eliot Engel nga New Yorku vlerëson kontributin e komunitetit shqiptar në Amerikë dhe është një nga figurat e shquara politike në shërbim të forcimit të lidhjeve shqiptaro-amerikane. Kongresisti Eliot Engel shërben në Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe është krytar i grupit drejtues për çështjet shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: engjell Musai, Flamuri amerikan, ne Uashington, u ngrit për publicistin shqiptar

Referendumi britanik dhe mëkatet e demokracisë

June 26, 2016 by dgreca

Nga Dr Gëzim Alpion/Universiteti i Birminghamit/

Referendumi i 23 qershorit nuk duhej të kishte ndodhur. Meqë ndodhi, ai duhej të ishte marrë më seriozisht si nga votuesit ashtu edhe nga politikanët. Dhe kjo për disa arsyje. Në Mbretërinë e Bashkuar, me një parlament që në historinë e tij një mijë vjeçare, parësore mbetet mbrojtja e interesave të kombit, një vendim kaq i rëndësishëm si qëndrimi në apo dalja nga Bashkimi Evropian nuk duhej të lihej në duart e demos-it. Ky nuk është përçmim i elektoratit por një konkluzion që mund të nxirret lehtë nga konstatime gjatë dhe pas referendumit.

Vota është njëkohësisht një e drejtë dhe përgjegjësi demokratike. Në këtë referendum një pjesë e mirë e elektoratit britanik u tregua i papërgjegjshëm. Dihet që një numër qytetarësh britanikë, veçanërisht në Angli, kanë iluzione se ky vend është akoma perandori. Nuk po ndalem këtu në aspekte të ndryshme të nacionalizmit britanik, veçanërisht atij anglez, pasi kjo është një çështje që e kam trajtuar në disa studime rreth ligjërimit populist të Enoch Powell, si dhe retorikën ‘neo-raciste’ që filloi në vitet 1980-të.

Për momentin, vlen të përmendim se ata që nuk shkëputen dot nga mendësia imperiale, nuk e kuptojnë që në një botë globale sovraniteti i plotë kombëtar është një ëndër utopike që rezulton në vetë-izolim. Kjo pjesë ‘nacionaliste’ e elektoratit u mashtrua nga politikanë të papërgjegjshëm si Michael Gove dhe Boris Johnson si dhe nga Nagel Farage, një sharlatan me mbiemër francez dhe bashkëshorte gjermane që nuk honeps dot të huajt.

Kjo nuk do të thotë se politikanët që lobuan për qëndrimin e Britanisë në BE u treguan më të përgjegjshëm. Aktualisht, figurat kryesore në politikën britanike, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, për fat të keq, janë personalitete pa karizëm dhe vizion.

Ndërsa kampi i Brexit-it qëllimisht keq-informoi publikun për ‘gjëmat’ që gjoja vijnë nga BE-ja, Kryeministri Konservator David Cameron dhe Kryetari Opozitës Laburiste Jeremy Corbyn nuk treguan kurrë bindshëm se përse t’i kthesh kurrizin një tregu gjysëm bilioni konsumatorësh në prag të shtëpisë, si BE-ja, përbën një travesti që bie ndesh me pragmatizmit karakteristik britanik. I vetmi rast që këta dy politikanë u ‘bashkuan’ gjatë fushatës se referendumit ishte kur bënë homazhe në vendin ku u vra parlamentarja Jo Cox, vdekja e së cilës përbën treguesin më shqetësues se çfarë shkoi tragjikisht keq këtë verë në politikën britanike.

Për mua referendumi i 23 qershorit është shqetësues edhe për sjelljen e klasës politike skoceze. Skocezët patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në lidhje me MB-në në referendumin e 2014-tës dhe ata zgjodhën të mos largohen. Të kërkosh një referendum të dytë tani është të sillesh si një fëmijë mistrec që pranon të marrësh pjesë në lojë me të vetmin kusht që të fitosh gjithmonë.

Skocezët dhanë një kontribut të madh në krijimin dhe konsolidimin e perandorisë britanike, veçanërisht përsa i përket sektorit bankar dhe arsimit. Po kaq e vërtetë është që në 300 vitet e fundit, si pjesë e Britanisë, Skocezët kanë përfituar nga unioni më shumë se populli i Ueillsit dhe irlandezët.

Unë do të dëshiroja që Skocia të vazhdojë të jetë pjesë e MB-së. Kjo nuk do të thotë që politikanët skocezë, që aktualisht votojnë si në Parlamentin Britanik në Londër ashtu edhe në Parlamentin e Skocisë në Edinburg, nuk duhen lejuar të vazhdojnë të mbajnë peng federatën britanike.

Po të perifrazojmë fjalët e Winston Churchill, demokracia nuk është gjithmonë forma më e efektshme e qeverisjes; ajo është më funksionalja. Referendumi i 23 qershorit tregoi se demokracia ka mekanizmat e saj jo perfekte dhe, në rastin konkret, me pasoja negative afatgjata.

Nga ky referendum më të humburit janë të rinjtë. Por kjo ka një anë pozitive; brezi i ri britanik tani ka mundësinë të bëhen qytetarë më të përgjegjshëm më shpejt.

Po kështu, jam i sigurtë se Britania, edhe pse aktualisht po përjeton një situatë jo të këndshme, do të dijë të afirmojë vitalitetin e saj. Megjithatë, gjërat do të përkeqësohen para se të fillojnë të përmirësohen.

Birmingham, 25  Qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. gezim Alpion, eferendumi britanik dhe, mëkatet e demokracisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT