Archives for June 2016
Kryeministri Mustafa: Drejtësia në mënyrë të pavarur ta kryejë punën e vet
-Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 96-të, të 28-tën në vitin 2016/
-Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria miratoi në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian/
PRISHTINË, 22 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Duhet mundësuar që institucionet e drejtësisë në mënyrë të pavarur ta kryejnë punën e tyre, tha sot kryeministri Isa Mustafa duke folur për lirimin nga detyra të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, e cila miratoi një projektligj dhe dokumente tjera në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se z. Agani, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar të lirohet nga pozita e ministrit. Në harmoni me qëndrimet që ne i kemi pasur gjatë themelimit të koalicionit qeverisës dhe të përcaktimit tonë të zbatimit të ligjit, unë e vlerësoj gjestin e ministrit Agani dhe vlerësoj se ne duhet të zbatojmë të gjitha procedurat, të zbatojmë ligjin dhe të mundësojmë që në mënyrë të pavarur institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre”, u shpreh kryeministri Mustafa.Në fillimin e kësaj jave, kryeministri e ka liruar nga detyra ministrin Agani, me kërkesën e tij “deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë” pasi prokuroria ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 64 personave, ku përfshihet edhe ai.
Derisa në mbledhjen e qeverisë kosovare sot nuk pati ndonjë deklarim në pritje të emërimit të ministrit të ri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shtypi i sotëm kosovar paralajmëron se ai pritet të jetë Jeton Svirca, nënkryetar i Partisë së Drejtësisë, e cila drejtohet nga Agani dhe është pjesë e koalicionit qeverisës. Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria miratoi në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal është dokumenti i parë i aprovuar në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës. Ky projektligj ka për qëllim sigurimin e nivelit minimal të shërbimeve komunale në komunat e caktuara, që kanë popullsi më pak se 22 mijë banorë.
Është aprovuar Koncept dokumenti për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rrugët, i cili rekomandon hartimin e ligjit dhe akteve nënligjore në bazë të të cilave krijohet mundësia e adoptimit të legjislacionit evropian për rregullimin e kësaj fushe në Republikën e Kosovës. Edhe Koncept dokumenti për Rregullimin e Profesioneve të Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, është aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme.U mor vendim edhe për emërimin e Zyrtarit Përgjegjës për Programin Shtetëror të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe është themeluar Komiteti për Programin Shtetëror të Sigurisë së Aviacionit Civil në Republikën e Kosovës.Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Manifestimin e Ditës së Komunitetit Goran në Republikën e Kosovës.
Qeveria e Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e 96-të, të 28-tën në vitin 2016, pas tre takime të njëpasnjëshme javën e kaluar për dy ligje për vazhdimin edhe për dy vjet të mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, të cilat edhe u miratuan në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Reagime për dhunën ndaj fëmijëve
Në Tiranë opinioni publik u trondit nga një akt tjetër dhune ndaj fëmijëve brenda një kopshti të paliçensuar. Ministria e Arsimit dënoi ngjarjen dhe po i shton kontrollet. Veprimtarët e shoqërisë civile kërkojnë forcimin e masave parandaluese, duke kontrolluar ekipet e mësuesve në këto institucione. Dhunimi i një fëmije trevjecar në një kopsht privat nga administraorja e tij ka tronditur opinionin qytetare dhe mediat vendase, të cilat po kërkojnë më shumë masa mbrojtëse në institucionet parashkollore. Tv Klan dhe programi i tij Stop transmetuan pamjet e një kamere të fshehtë se si administratorja e kopshtit Anjeza Shahini dhunonte një fëmijë vetëm 3 vjeç në mes të grupit me fëmijë dhe mësuese të tjera. Veprimtarët e shoqërisë civile pohojnë se pamjet e transmetuara nga media janë të papranueshme dhe se duhen shtuar masat parandaluese. Skandali i dhunës ndaj këtij vogëlushi shtohet më tej edhe nga fakti që kopshti privat në Sauk, një fshat në periferi të Tiranës është i palicensuar për të ushtruar këtë veprimtari. Administratorja ushtroi dhunë ndaj fëmijës, duke shkaktuar pasoja të dëmshme fizike dhe psikologjike në shëndetin e fëmijëve. Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaroi se e dënonte ashpër dhunën e ushtruar ndaj një fëmije të pambrojtur. Ky rast i paprecedent dhe i urryer duhet të trajtohet me seriozitet maksmial nga të gjitha autoritetet shtetërore, nga shoqëria shqiptare, thuhet në deklaratë. Nga inspektimi rezultoi se “Kopshti Diren” nuk ishte licencuar nga MAS-i dhe vepron në kushtet e informalitetit dhe krimit ekonomik. Nga inspektimet e fundit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit janë gjobitur dhe mbyllur 20 kopshte private. Ministria e Arsimit dhe Sportit tha se do të rinisë një inspektim kombëtar të të gjitha kopshteve private. Altin Hazizaj drejton qendrën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Linjën Allo 116, ku mblidhen cdo ditë dhjetëra denoncime dhune nga vetë fëmijët. Ai është i shqetësuar se edhe pas denoncimeve të dhunës administrata shtetërore nuk ka institucione të mirëfillta për parandalimin e dhunës dhe eleminimin e pasojave të saj. Komiteti Shqiptar i Helsinki deklaroi po ashtu se kjo gjendje shqetësuese dhe e përsëritur nuk mund të tolerohet dhe se duhen zbatuar ligjet bashkëkohore në fuqi në fuqi. KSHH vlerëson se nuk është bërë sa duhet në drejtim të parandalimit të këtyre rasteve. MAS nga ana e saj kërkoi më shumë bashkëpunim mes qytetarëve, medias dhe institucioneve shtetërore në një aleancë për luftë pa kompromis ndaj informalitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve shqiptarë. Ajo ftoi qytetarët të verifikojnë statusin e kopshteve, ku çojnë fëmijët dhe të denoncojnë çdo rast dhune fizike apo verbale në institucione publike, private apo jashtë tyre.
IDEJA E VËSHTIRË E GURUS!
(Epope mbi martirët e rinj)/
Shkruan:REXHEP KASUMAJ, BERLIN/
1. “Pesë minuta pas shuarjes së jetës, trupi njerëzor nis shformimin. Njëherë së brendshmi e, mandej, përshfaqet prishja jashtësore. Dhe fundi i tij, nuk është veçse fillim i një gostie të madhe për organizma të tjerë të uritur”.
Pikërisht kësisoj fillon “Kimia e vdekjes”. Në dukje e trishtme, por, thelbësisht, këtu nuk ka asgjë pesimiste. Shpirtthyese. Përkundrazi. Përvoja e prekshme e përkohësisë së jetës që jepet në tabllonë e sipërme të thrilerit nga Simon Beckett dhe ideja e transcendencës do të duhej, si thonë dhe librat e shenjtë, të paqësonin njeriun. Ta bënin më të dashur e të dhëmbshur, më të prajshëm e modest. Me të gjithë. Por ai, me gjasë, është i pandreqshëm. Indusi i çuditshëm Prahlad Jani tash 70 vjet jeton pa ngrënë asgjë. Merr, thotë, energji kozmike nga meditacioni dhe hyjnitë që e kishin kontaktuar kur ishte vetëm 8 vjeç.
Mirëpo, shëmbuj të tillë ngjajnë dëshpërues jo pse ky njeri, duke qenë në kufi të t'mbinatyrshmes, është i paimitueshëm, por pse, meditacioni i tij çlirues si armë e mbijetesës, nuk i qaset shpirtërave te vobektë politikë. Që këtej dhe rrjeshtat mendimthellë të autorit të “Kimisë …”, të lartë si yjet, nuk kapen dot nga thundrat e deleve (si do të thoshte Niçe). Ndaj, mneri i asgjësë dhe frika e ndëshkimit qiellor sikur nuk mjaftojnë për ta disiplinuar njeriun. Aq më pak për ta fisnikëruar atë. Mbase, një tjetër drojë e ndëshkim, toksor tashmë, i shkon më shumë natyrës së tij.
2.
Ndoshta ky do të ketë qenë kryemotivi inspirativ që Ramikshan Alipur Radavi, i njohur si Guru dhe mjeshtër i Jogas, të vendoste të përfshihej në garën e mëhershme zgjedhore për legjislaturën e Kuvendit federal të Indisë. Në vendin e tij i kishte dalë nami si konservativ e nacionalist dhe kjo, në të parë, nuk është se bën një lajm të veçantë.
E ndryshmja e nominimit të tij është filozofia elektorale dhe një premtim i vështirë. Janë, ndërkaq, interesante dy mesazhe që i japin veprimsisë së tij politike njëlloj idealizmi mesianist: i pari i drejtohet ndjekësve të tij, kurse i dyti – gjithë botës. Vetëm kur të kemi spastruar shpirtërat tanë, pohon ai me bindje gati fanatike, do të spastrohet demokracia e Indisë dhe, pastaj, një Indi e shpëtuar do të shpëtojë rruzullimin. Mirëpo i vetëdijshëm për pamjaftësinë e Jogas, ligjërimit mistik dhe praktikave spiritiste, si për të përplotësuar këtë, ai, në rast fitoreje, premton një ligj-rrufe të padëgjuar: ligjin për dënim me vdekje të autorëve të veprës korruptive!
3.
Anipse i ashpër e drakonik, fillimisht do të mrekullohesha me idenë-ligj të Gurus. Por, duke persiatur mbi përmasat e tejshtrira të korrupsionit në Kosovë, do ta humbja entusiazmin shpejt më pas. Thashë: lehtë e ka ai të dënojë me vdekje krimin e korrupsionit. Të korruptuar ka më pak ndër bashkëvendës (relatorët e huaj u rezervojnë përherë shqiptarëve një ndër vendet e para të nderit në këtë zejë) dhe India e tij është aq e paanë. Ndërkohë që në Kosovë ka një shpërpjestim krejt të kundërt: të shumtë, si krimbat, janë korruptantët e palodhshëm dhe i ngushtë, tepër i ngushtë është landi verior i shqiptarëve. Për pasojë, do të shfaqej një problem madhor: ata do iknin – por duke lënë pas, në formë varresh, nishanet e tyre të pështirosura. Të dëndura, të kudoshfaqura dhe monumentale, ato, varret e heronjëve tanë të korrupsionit, do të shtriheshin vrânshëm gjithandej Kosovës së vogël. Varret e rëndomta civile, madje edhe ato të dëshmorëve të kombit, do të pakoheshin e përbuzeshin ndanë varrezave gjigante të martirëve që janë fikur për të mbajtur sa më lartë pishtarin e bëmës historike të hajnisë popullore. Dhe, tutje, ndërsa ato të vdektarëve të thjeshtë do të rrafshoheshin gati të paemër, të mbuluar me bar e harresë – ato të të dënuarve prej gjahtarësh të pashpirt të ligjruajtësve e drejtësiprerësve europianë me “procese të montuara politike”, do të ndrinin me kurora lulesh përherë të freskëta, vënë plot dhimbje e politesë nga mehybët, të mëshiruarit dhe përfituesit e skemës bashkëhajnore.
E pra, ku do të merrnin shqiptarët e gjorë, si indusët në subkontinentin e tyre të pamatë, gjithë atë tokë, atë rezervat shtetëror për varrezat e titajve të idealit të ri? Për të gjallë, ata ua vodhën elektorëve të tyre bukën e fëmijëve, kurse me vdekjen pompoze do ua rrëmbenin, ashtu, hapsirën jetësore e s’do tu mbetej veçse braktisja dhe mohimi i atdheut…
Ndërkaq, nismërisht, do të rrjedhonte natyrshëm hapja e një diskursi, të madh e të lodhshëm, kombëtar për mënyrat e ekzekutimit të të dënuarëve të panumërt e ballhapur! Propozimet e “institucioneve indipendente”, shoqatave të bamirsisë, veteranëve të torturës, personaliteteve emblematikë, të specialistëve të dhimbjes shpirtërore e të tjera, do të ishin të ndryshme, të egra ose më të mëshirshme, por gjithsesi të habitshme e marramendëse: që nga teknikat moderne e deri te ato mesjetare me elefantë të shkujdesur (që duhet importuar enkas, si kosto shtesë e buxhetit të konsoliduar) apo peshq të uritur!..I gjithë spektakli (u muar vesh, po u miratuan dënimet mesjetare) do të ishte madhështor, madje me një hir të rëndshëm perandorak, si kompensim i vonë për shkëlqimin e munguar, por poaq dhe i pakollajtë për menaxhim, ngaqë do të duhej të dëshmonte efiçencë të lartë për të kapur ashtu kurorën e lavdisë së “shtetit shkurtabiq” (për të shmangur hatërmbetjet saktësojmë se të tilla cilsohen, rëndom, krijesat shtetërore ose me banorësi të paktë, ose me territor voglan ose me sovranitet të cunguar!), këtij veterani robnie që i zbardhi vonë dita në fushën e mëllenjave! Kremosja, nga ana tjetër, nuk do të ishte zgjidhje më komode. Tagri i saj do të ishte njësoj i rëndë: vendstacionimi i qendrave të tyre, shpenzimet e ndërtimit, mirëmbajtja e kujdesshme profesionale, të gjitha bashkë bëjnë një rëndesë aspak të lehtë në kushtet e stanjacionit zhvillimor dhe kufizimeve energjetike!.. Mandej, po të mungonte dhe filtrimi i stërholluar, shtjella e pluhnajës së ngritur nga kallja e çdoditshme (se e gjatë do ishte radha e tyre) do të ndotte ambientin dhe skandalizonte natyralistët, ata që merren oficialisht e të tjerë që janë adhurues të flaktë të natyrës së pafajshme.
Mandej do të pllakoste, e padurueshme në sfondin e saj romantik, zallahia e gjyqeve të mëdhenj. Gjyqeve epokalë me fjalime solemne të të pandehurve që janë krenarë e s’kanë përse të pendohen dhe faqe gazetash të stërmbushura me kronika luftëtarësh të dalluar për shtimin e rendimentit të të lashtave korruptive, avoketër të ndërkryer pas fitimesh përmbytëse që u vijnë nga “fonde për mbrojtjen e vjedhjes atdhetare” dhe familjarë që betohen, heshturazi disa e zëshëm ca të tjerë (me grusht a me dy, tre e me shumë gishtrinjë të ngritur, s’ka rëndësi) për hakmarrje dinjitoze si e do besa e nderi i fisit…
Madje jo vetëm kaq. Si shpërblim mbarëpopullorë për trashëgiminë e tyre që s’i bindet as mortit, turma e lumnuar me prijës të tyre nga jeta profane civile, do të ndjenin detyrimin, tashmë në sferat e epërme të shpirtit e kulturës, edhe për përuljen, kujtimin e paharruar, përrallat me legjenda uliksësh për fëmijë para gjumit, kapituj të tërë lektyrash shkollore, festa, përvjetorë, betime të zjarrta, akademi solemne ku do të flisnin përlotur pleq të rrjedhur…Dhe do të përçudnohej ashtu e gjithë kulla vlerore: edhe tradicionale edhe kontemporane!
Përfundimisht, nga sa do të reflektoja (anipse kjo punë nuk është në dorën time) ideja e Ramikshan Alipurit të urtë, mu duk jo pak e zorshme dhe e huaj. E bukur, po njëkohësisht e largët, si India e tij magjishme. Ndërkaq e besoj, mjerisht, një epilog krejt më të lumtur. Ashtu si ndodhi ditë më parë në një konte amerikane (raportuar nga mediat gjermane), edhe ndër shqiptarë, e veçanërisht në Kosovë, kur ligjzbatuesit do të çojnë korruptantët e pranguar në vuajtje dënimi dhe pasi drejtoria e burgjeve tu thotë ankueshëm e shkurt: nuk ka vend, jemi plot, ata, më në fund, do të marrin urdhërin e shumëpritur e gazplotë nga autoriteti sipëran: lërini të lirë!
Kosovë-Urgjente, një etikë parlamentare
PRISHTINË, 22 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ “Parimet e etikës parlamentare dhe integriteti institucional”, është tryeza e zhvilluar sot në Prishtinë në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit të Kongresit të SHBA-ve për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP), me mbështetjen e USAID-it.Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ë fjalën e tij, theksoi se një institucion nuk e bëjnë demokratik vetëm kushtetuta dhe rregulloret administrative, por edhe standardet morale që afirmon dhe përvetëson ai institucion. Sfidat e Republikës së Kosovës, si një demokraci e re parlamentare, shtoi kryetari i Kuvendit, janë mbi të gjitha sfidat e fuqizimit të vlerave bazike demokratike, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit e llogaridhënia. Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues në Kosovë, tha në vazhdim Veseli, duhet të jetë shembulli udhëheqës në këtë fuqizim.“Sot po diskutojmë, së bashku, për etikën parlamentare, e cila në rrethanat aktuale, nuk është luks, por nevojë urgjente institucionale. E them nevojë urgjente, sepse të gjithë sot në Kosovë, jemi dëshmitarë për degradimin e imazhit të politikës dhe funksionit publik. Politika është bërë sinonim i fenomeneve negative në shoqëri, korrupsionit, abuzimit, interesave të ngushta meskine, shkeljes së ligjit dhe fjalës së dhënë, akuzave të pambështetura dhe motiveve të ulëta. Ka vetëm një rrugë për ta ndryshuar këtë perceptim negativ të publikut dhe për t‛ia kthyer dinjitetin politikës: rivendosja e lidhjes së domosdoshme në mes veprimit politik dhe parimeve e vlerave morale”, theksoi kryetari Veseli, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i pari në këtë proces.Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Veseli theksoi se bartësit e përgjegjësive publike duhet të jenë të gatshëm në çdo moment për të dhënë llogari mbi mënyrën se si janë duke ushtruar funksionin e besuar publik. Ai tha se të zgjedhurit duhet t’u japin zgjidhjeve brengave të qytetarëve dhe jo t‛i shtojnë ato.
“Ky Kuvend ka sjellë vendime historike për vendin, ka shpallur pavarësinë e Kosovës, ka miratuar ligje që garantojnë ecjen përpara të vendit tonë, por në shumë raste, jo më larg se para pak muajsh, ka lejuar që të shndërrohet në arenë përplasjesh, të cilat i kanë bërë qytetarët të ndihen të dëshpëruar me vendin e tyre dhe kanë vënë në dyshim kredibilitetin e vetë shtetit të Kosovës në sytë e partnerëve tanë”, theksoi Veseli, duke shtuar se në demokraci mosmarrëveshjet duhet të negociohen përmes dialogut, e jo imponimit me forcë.
“Prandaj është aq urgjente të kemi një etikë parlamentare. Jo vetëm si tekst i shkruar në një letër të zbukuruar, por mbi të gjitha, si bindje e brendshme në të cilën beson përnjëmend secili nga ne dhe në bazë të të cilës duhet të veprojmë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
- « Previous Page
- 1
- …
- 18
- 19
- 20
- 21
- 22
- …
- 75
- Next Page »