• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Ambasadori Delawie: Dhuna në Kuvend dëmtoi Kosovën ndërkombëtarisht

June 30, 2016 by dgreca

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se kundërthëniet e sajuara rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, po krijojnë jostabilitet politik, dhe shprehu zhgënjimin e tij me, siç tha, njerëzit që po e shfrytëzojnë këtë çështje për përfitime të brendshme politike. Ai tha se ideja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është se mund të ndihmojë në promovimin e eliminimit të strukturave paralele, për të mundësuar punën e përbashkët brenda strukturave kushtetuese të Kosovës. Ambasadori Delawie tha se shembujt e korrupsionit, në cilëndo fushë, e dëmtojnë popullatën dhe të ardhmen e Kosovës.

–Ambasador Delawie, kur keni ardhur këtu e keni gjetur Kosovën të turbullt dhe ende vazhdon të jetë e tillë, pothuajse një vit pas ardhjes suaj. A po bëhet më mirë?

T’i vëmë pak gjërat në peshore. Kemi disa gjëra shumë të mira pozitive që kanë ndodhur. Kosova është kualifikuar për programin e ndihmave të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit të qeverisë amerikane, e ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian dhe këto të dyja janë gjëra jashtëzakonisht pozitive. Edhe disa gjëra tjera pozitive: Kosova është pranuar në UEFA, si dhe në FIFA, sportistët kosovarë do të udhëtojnë në Rio pas nja një muaji apo dy për të garuar në Lojërat Olimpike për herë të parë nën flamurin e Kosovës. Pra, të gjitha këto janë ngjarje shumë të rëndësishme dhe nuk duhet të harrojmë se këtu ndodhin gjëra pozitive.

Në anën tjetër janë gjërat që të gjithë i dimë. Ka pasur dhunë politike gjatë vjeshtës dhe dimrit në Kuvend, që i ka kushtuar Kosovës ekonomikisht, si dhe pamundësoi pranimin e Kosovës në UNESCO dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në institucionet ndërkombëtare. Pastaj, janë edhe problemet e vazhdueshme të papunësisë, korrupsionit dhe gjërave të ngjashme. Pra, ka pasur të përpjeta e tatëpjeta, absolutisht, por mendoj se – unë jam këtu qe dhjetë muaj e ca, por i kam takuar kaq shumë kosovarë të rinj që janë të përkushtuar, të vendosur, që kanë ideale dhe jam i bindur se Kosova do të vazhdojë të ketë sukses dhe unë jam optimist dhe jam më se optimist për Kosovën.

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi e ka lëkundur skenën politike vitin e kaluar. A është shumë vështirë që të rivlerësohet kjo çështje për hir të stabilitetit politik?

Më duhet të them se mendoj që kjo është çështje e sajuar dhe që kundërthëniet e sajuara rreth saj po e krijojnë jostabilitetin politik. Dua të them, le t’i shohim faktet. Kufiri i shënuar nga komisioni qeveritar është identik me kufirin që ka ekzistuar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 1974. Është kufiri sipas të cilit Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008. Departamenti i Shtetit e shqyrtoi këtë çështje në dhjetor dhe doli në përfundim se kufiri është i njëjtë me atë të vitit 2008. Komisioni ndërkombëtar e vlerësoi këtë në shkurt dhe mars dhe atij iu kërkua të gjente se a ishte i njëjti kufi dhe vendimi i tij ishte se kufiri ishte i saktë. Dhe më duhet të them se kufiri që e shënoi komisioni është i njëjtë me kufirin që shihet në miliona flamuj të Kosovës nëpër tërë vendin dhe nëpër botë. Pra, jam i zhgënjyer që njerëzit po e shfrytëzojnë këtë çështje, po përpiqen të grinden me Malin e Zi, që është vend miqësor dhe përkrahës i Kosovës, për përfitime të brendshme politike. Kjo do të vazhdojë ta mbajë Kosovën prapa në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së negociuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit. Disa kanë pohuar se asociacioni çon drejt ndarjeve etnike dhe kërcënon tërësinë territoriale të Kosovës. A duhet që ky asociacion të krijohet edhe pse mund të krijojë ndasi në Kosovë?

Nuk pajtohem me këtë pikëpamje. Më duhet të them se kushdo që mendon se nuk ka tensione etnike në Kosovë po e gënjen veten. Qëllimi i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është që t’i japë një zë pak më të fuqishëm pakicës serbe për gjërat që janë më të rëndësishme për atë grup gjuhësor, si edukimi, kujdesi shëndetësor… gjërat e tilla, por sipas ligjeve të Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu, ideja më e gjerë prapa Asociacionit është se mund të ndihmojë në promovimin e eliminimit të strukturave paralele që ekzistojnë sot në shumicën e komunave ashtu që të gjithë, të gjitha komunitetet e Kosovës do të punojnë më mirë së bashku brenda strukturave kushtetuese të Kosovës, ashtu që të bëhet gjithnjë e më shumë një shtet i unifikuar.

Ambasador, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur më shumë se tri vjet më parë. Megjithatë, deri tash nuk është bërë shumë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. A ka kuptim që të vazhdohet ky dialog pa të paktën njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia?

Së pari, më duhet të mos pajtohem sepse mendoj se ka të arritura përmes dialogut. Këtu mendoj për gjërat si mbledhja e tarifës doganore përgjatë kufirit verior të Kosovës, integrimi i policisë, shpërbërja e njësiteve të Mbrojtjes Civile, zgjedhjet në tërë shtetin e Kosovës… Pra, të gjitha këto janë gjëra pozitive që kanë dalë nga dialogu i mbajtur gjatë disa viteve të fundit. Por, do të jem i pari që e pranoj se ka një lloj lodhje nga dialogu dhe që nuk kemi arritur ndonjë përparim të madh në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gushtin e shkuar. Por, që Kosova ta arrijë qëllimin e saj – qëllimin tim për të – e që është integrimi i plotë brenda institucioneve evropiane, atëherë marrëdhëniet më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë element thelbësor të tij. Pra, e kam ndërmend të vazhdoj të punoj në këto çështje dhe vetëm duhet të punojmë më shumë me Kosovën dhe Serbinë për t’i realizuar disa prej marrëveshjeve të arritura dhe për të parë se çka tjetër mund të bëjmë për të ndihmuar njëmend për përmirësimin e jetës së njerëzve në terren.

Meqenëse po flasim për integrimet evropiane, ditëve të fundit kemi parë zhvillime të reja brenda Bashkimit Evropian me Britaninë, Mbretërinë e Bashkuar që disi ka vendosur ta lë atë. Kosova dhe rajoni mezi s’presin që t’i bashkohen BE-së. A do ta ngadalësojë BREXIT-i procesin e integrimit të rajonit të Ballkanit dhe të Kosovës?

Mendoj se realisht askush nuk e di tash për tash çka do të sjellë BREXIT-i dhe çka do të ndodhë. Por, i kam disa komente përgjithësisht për këtë çështje.

Së pari, marrëdhënia dhe miqësia e thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë. Qëllimi ynë është të vazhdojmë të punojmë me tërë Evropën për shpërndarjen e paqes, begatisë dhe stabilitetit nëpër tërë Evropën dhe nëpër tërë botën dhe ne synojmë të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe jam i sigurt se edhe partnerët evropianë do ta bëjnë të njëjtën gjë. Disa prej komenteve që po i shoh në gazeta se jostabiliteti politik dhe ekonomik në Evropë është i mirë për Shtetet e Bashkuara janë thjesht qesharake. Njerëzit që e thonë këtë nuk e kuptojnë politikën tonë dhe thjesht nuk e kuptojnë si funksionon bota.

Por, pas gjithë kësaj, mendoj se Kosova duhet të nxjerrë një mësim nga e tërë kjo përvojë e BREXIT-it. Vetëm duke i lexuar gazetat, e kam të qartë se shumë njerëz kanë votuar për të dalë nga BE-ja sepse janë ndjerë të shkëputur nga zyrtarët në Bruksel që po i merrnin vendimet që kishin ndikim në jetën e tyre. Si zyrtarë të qeverisë, mendoj se kjo është diçka që duhet t’i kushtojmë vëmendje. Udhëheqësit kosovarë duhet po ashtu të sigurohen se po bëjnë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar se qytetarët e Kosovës, nëpër tërë vendin, që janë punëdhënësit e tyre, e ndjejnë që politikanët këtu në Prishtinë me të vërtetë po punojnë për ta. Mendoj se ky është mësimi relevant që Kosova duhet ta nxjerrë nga përvoja e BREXIT-it.

E nëse dalim te çështjet e brendshme në Kosovë, ka pasur zëra të ngritur rreth jostabilitetit brenda vendit, veçanërisht në periudhën që do të vijë. Gjykata e Specializuar për krime lufte, është njëra nga këto çështje që mund ta lëkundë stabilitetin në Kosovë. Gjykata do të merret me ish-anëtarët e UÇK-së dhe kështu ka gjasa që ta përkeqësojë situatën. A pajtoheni me këtë?

Të jem i sinqertë nuk e di se çka do të bëjë Gjykata Speciale dhe jam 99 për qind i sigurt se askush tjetër në Kosovë nuk e di. Por, e di këtë: e di se Shtetet e Bashkuara besojnë se të gjitha viktimat meritojnë drejtësi. Sekretari Kerry ka folur për Gjykatën e Specializuar kur ishte këtu në dhjetor dhe edhe ai e ka vënë në pah se është me rëndësi për Kosovën që t’i vejë prapa shpinës këto pretendime të ngecura nga periudha e luftës. Po ashtu, mendoj se kjo është çështje me rëndësi me të cilën Kosova duhet të përballet përderisa po punon drejt integrimeve evropiane.

Gjatë pothuajse një viti në Kosovë, disa herë e keni adresuar çështjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova sërish është ndër vendet më të korruptuara në botë. Ku po ngec lufta kundër këtyre fenomeneve?

Korrupsioni është çështje e vështirë për çdo vend të botës. Po ashtu, çështja më e rëndësishme me të cilën do të merrem gjatë mandatit tim si ambasador këtu në Kosovë është lufta kundër korrupsionit në Kosovë. Vetëm gjatë këtij viti do të shpenzojmë rreth 12 milionë dollarë në projektin e quajtur “Fuqizimi i sektorit të drejtësisë”, që është përpjekje për përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit në sektorin e gjyqësorit. Transparenca me siguri është njëri ndër elementet kyçe për luftimin e korrupsionit. Po ta kisha një shkop magjik për të punuar në këtë, më besoni se do ta përdorja për korrupsionin në Kosovë, i cili është problem që ka vazhduar për një kohë të gjatë. Por, ka disa fije të lajmeve të mira për këtë. Para një ose dy muajve, EULEX-i, duke punuar ngushtë me institucionet kosovare, i ka arrestuar rreth 50 veta të një grupi të supozuar kriminal me akuzën për vjedhje të pronës publike dhe shitje të saj të tjerëve. Mendoj se ky lloj i operacioneve të suksesshme është njëri ndër arsyet se pse kam folur kaq shpesh për rëndësinë që EULEX-i të qëndrojë këtu edhe për një periudhe kohore. Shembulli i dytë, institucionet vendore – policia dhe prokuroria në Kosovë kanë ngritur aktakuzë kundër dhjetëra njerëzve para disa javëve për një rast të supozuar të korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky duket të jetë një rast shumë i ndërlikuar dhe është tepër mirë që prokuroria dhe policia e Kosovës kanë qenë në gjendje që ta ndërtojnë këtë rast. Duhet të presim dhe të shohim se çka tregojnë dëshmitë dhe të shohim se çka bën sektori i drejtësisë me këto dy raste, por mendoj se është me rëndësi që të pranohet përparimi aty ku ka.

A ka lidhje ndërmjet politikës dhe krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë?

Llogaridhënia e zyrtarëve të zgjedhur është e rëndësisë jetike për mënyrën e sjelljes së qeverisë. Natyrisht, mendoj se qytetarët duhet të vlerësojnë vetë nëse politikanët për të cilët duan të votojnë po arrijnë përparim në luftën kundër korrupsionit apo a janë të përfshirë në korrupsion. Mendoj se çfarëdo zyrtari qeveritar, pa marrë parasysh a është politikan apo shërbyes civil, i cili është akuzuar për korrupsion, duhet që të paktën të pezullohet nga përgjegjësia publike e tij/saj deri kur rasti të zgjidhet përfundimisht. Po ashtu, mendoj se është me rëndësi të pranohet se korrupsioni nuk është çështje vetëm e zyrtarëve të lartë apo politikanëve. Është diçka me të cilën përballen shumë njerëz në jetën e tyre të përditshme, si p.sh. të paguash nën dorë për trajtim shëndetësor që do të duhej të jetë e përfshirë në sigurimin shëndetësor, apo të paguash për nota në shkollë apo të regjistrohesh për beneficione si veteran edhe pse nuk i ke fituar. Këta janë shembuj të korrupsionit që e dëmtojnë popullatën e Kosovës, që e dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.

Ambasador, ka pasur shqetësime të mëdha lidhur me lëvizjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Sa është Kosova e kërcënuar nga këto lëvizje?

Më duhet të them se të gjithë jemi të kërcënuar nga këto lëvizje. Ndjej dhembje për miqtë e mi në Turqi dhe për familjet e viktimave të sulmeve të tmerrshme në aeroportin e Stambollit. Kjo është diçka për të cilën të gjithë duhet të punojmë shumë. Kosova i ka ndërmarrë shumë hapa të duhur, veçanërisht në dy vitet e fundit. Ka ligjin që ndalon luftimin në konflikte të huaja; zyrtarët e lartë qeveritarë kanë marrë pjesë në samite në Shtetet e Bashkuara dhe në Tiranë për përballjen me ekstremizmin e dhunshëm. Këto janë hapa shumë të rëndësishëm. Duhet ta përmend edhe se para disa javëve shtatë persona janë dënuar me 40 e ca vjet burgim që kanë shkuar për të luftuar e vdekur në luftërat e të tjerëve apo për nxitje për ta bërë një gjë të tillë. Pra, këta janë hapa pozitivë. Kisha dashur të mund të them se e kemi zgjidhur problemin, por sinqerisht nuk mendoj se dikush e ka gjetur mënyrën se si të përballemi me këtë gjë. Të gjitha vendet tona janë në një lloj metode eksperimentuese: çka po funksionon, çka jo, çka mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Por, ne kemi partnerë të jashtëzakonshëm në Kosovë që po punojnë në këto çështje dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Dhe në fund, kjo intervistë po realizohet pak ditë para festimit të përvjetorit të 240-të të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së. Kosova është vendi më pro-amerikan në botë. Çka mendoni, çfarë kuptimi ka Dita e Pavarësisë së SHBA-së për Kosovën?

Mendoj se është me rëndësi që njerëzit në Kosovë ta kuptojnë se kur Shtetet e Bashkuara u pavarësuan ishin vend i vogël. Përballej me shumë sfida. Ishte vend shumetnik, shumëfetar, shumëgjuhësor kur të gjitha këto gjëra ishin të reja. Kishim sfida. Kishim mosmarrëveshje të vështira me ish-armiken tonë, kishim konteste për kufirin, si dhe kishim vetë qytetarët tanë që përpiqeshin ta gjenin se çfarë qeverie do të kishim. E provuam një gjë, nuk bëri punë, kështu që duhej të provonim diçka tjetër disa vite më vonë. Por, ia dolëm. Më shumë se 200 vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara sot janë demokraci e gjallërishme dhe e fuqishme dhe e përmbush vizionin e shumë njerëzve që i kanë pasur shpresat më të mëdha për vendin tonë. Këtë e shpresoj edhe për Kosovën: që pas dhjetëra e qindra viteve, Kosova ende të jetë demokraci e gjallërishme dhe e fuqishme, që do t’i ndihmojë qytetarët e saj për t’i përmbushur dëshirat e tyre. Kjo është aspirata ime për Kosovën dhe më duhet të them se jam më se i lumtur që do ta festoj Ditën tonë të Pavarësisë në një vend që – jashtë Shteteve të Bashkuara – është vendi më pro-amerikan në botë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ambasadori Delawie, Dhuna në Kuvend dëmtoi Kosovën, ndërkombëtarisht

KY ËSHTË FUNDI I EUROPËS SIC E NJOHIM NE

June 30, 2016 by dgreca

By Andy Kiersz/

Përktheu për Diellin: Gjon Kadeli/

Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian ka shpërbërë pesëqind vjetë përpjekje për paqë, në Kontinentin më të prekur nga lufta në botë. Europa ka qenë pothuejse gjithmonë në luftë me vetveten. Paqa e kohës Romake, nuk muejti asnjëherë me krijue paqë ndërmjet fiseve Gjermane. Gjatë mesjetës, luftat ishin të shpeshta. Beteja e Agjenkourtit e përforcoi anmiqësinë ndërmjet Anglisë e Francës. Kjo luftë që zgjati tridhjetë vjetë, ishte një nga ma të përgjakshmet në historinë e njerzimit. Luftat gjatë kohës së Napoleonit tronditën botën. Dhe Luftat botnore të qindvjetëshit të njëzetë, shkaktuen vrasjen e pothuejse gjysmës së popullsisë që kishte planeti ynë, kur Jul Cezari pushtoi Britaninë dy mijë vjetë ma parë për t”ia bashkangjitin Perandorisë Romake. Si rrjedhim i këtyne lutave, u banë përpjekje për të sigurue paqë ndërmjet këtyne kombeve Europiane. Paqa e Uestfalias, Kongresi i Vjenës, dhe Traktati i Versait. Të gjitha këto kishin për qëllim, për të krijue një sistem paqeje në Europë.

Të gjitha këto përpjekje dështuen.

Nga gërmadhat e shkrumueme të luftës ma të madhe botnore, dhe nën hijen e një lufte të mundëshme dhe ma shkatrruese, domethanë luftë bërthamore, ndërmjet fituesve gjatë kësaj lufte, doli në pah një,  pikpamje  {vizion] e re, se cka mund të bahet djepi i Qytetnimit Perëndimore.

Mbas një luftë botnore, gjatë të cilës u vranë ma shumë se pesdhjetë milionë njerëz, dhe la vendet që krijuen qytetnimin modern industrial në gërmadha,, palët fituese, të paktën ato të vendeve perëndimore, u përpoqen të krijoshin një botë të re,tuej krijue një sistem të përbashkët sigurimi, që do të kishte për bazë lidhjet ekonomike, kulturore dhe politike të pa cënuesahme. Por ky plan u damtue rand nga referednumi Britanik për t’u largue nga Bashkimi Eurpian.

Britania e Madhe, një vend me një histori të përmendun, ishte vendi ku u krijue një qeveri kushtetuese, një Perandori Botnore, dhe i cili bani një mbrojtje heroike kundër Fashizmit, asht tuëj hi në një rrugë, e cila nuk dihet se ku do t”cojë, me largimin e saj nga Bashkimi Europian.

Britania ka ekonominë e dytë ma të madhe në Europë si dhe fuqi më ma të madhe ushtarake.

Një zadhanës për të ashtquejtunin Shteti Islamik tha në një koment, se dalja e Britanisë Nga Tregu i Përbashket Europian përban fillimin e Shpërbamjes së vendeve të Kryqzatorëve.

Gjatë qindvjetshit njëzetë ngjanë vrasje në masë, si ato të Armenëve nga Otomanët, Ato të Holokoustit, dhe ato që u banë gjatë kohës së Stalinit. Të të gjitha këto njihen si cfarosje në masë.

Udhëheqsi Britanik Kameron , mund të njihet në histori, si njeriu që e humbi Europën, Skotlandën dhe Irlandën Veriore.

Nacionalistët në Europë u gëzuen që Britania u largue nga Bashkimi Europian.

Britania ka jetue në paqë, mbrenda permbrenda vetes, që nga vjeti 1707.

Britania, qindvjetëshe me radhë, ka luejtë një rol ma të madh në cështjet ndërkombëtare, se  sa kishte peshën e saj. Ajo krijoj një Perandori Botnore, mundi forcat Naziste, dhe qëndroi krah për krah me Shtetet e Bashkueme, gjatë rrezikut që paraqiste sistemi komunist Sovjetik.

Britania përkrah interesat dhe cmon vlerat Amerikane, gjana të cilat kanë krijue një urë kyce në Oqeanin Atlantik.

Shtetet e Bashkueme presin që Britania të ndikojë në marrjen e vendimeve nga Europa, dhe Europa pret që Britania të influencojë Amerikën lidhun me marredhanjet dypalëshe.

Britania e Madhe mund të gjindet përpara një problemi të vërtetë, tuej u trnsformue në një Agli të vogël.

Europa mori Cmimin Nobel më 2012, për kontributin që dha gjatë 60 vjetëve të fundit për paqë, rikshillim, demokraci dhe të drejtat e njeriut në Europë.

Bashkimi Europian asht një institucion me shumë të meta, dhe i organizuem në një mënyrë që përmban mbrenda tij shumë gjana, që janë në kundërshtim me njena tjetrën. Një gja e tillë asht gjithashtu e vertetë për 196 shtetet që njëhen nga Organizata e Kombeve të Bashkueme. Cdo qytetar i botës, ka të bajë me një qeveri që kërkon të përfaqsoj interesat e tij, por që dështon në këto përpjekje. Populli i Britanisë së Madhe gjithashtu gjindet përballë problemeve  jo ma të vogla me përfaqsuesit e saj ne Uestminster, sic kishin me ata të Brukselit deri sa u zhvillue referendumi per t’u largue nga Bashkimi Europian Por me gjithë të metat në fjalë, Bashkimi Europian, dhe organizatat e ndryshme të tij, sic asht NATOja, deri tash kanë ba një punë të madhe, që nuk asht ba gjatë një mijë  vjetëve të kalueme,  domethanë paqa në Europë.

Megjithë këtë, Bashkimi Europian nuk asht një entitet i përsosun. Shumë ma shumë mund të bahet për të sigurue që të krijohet një shtet i përgjithshëm kontinental. Sic e kemi pa me krizat e shumta në Greqi, asht e nevojshme të bahet balancim ma i mirë monetar, dhe një politike fiskale në gjithë Europën.

Cështja e rregullave dhe e emigracionit, të cilat ishin ndër ankesat kryesore të fushatës në Britaninë e Madhe për t’u largue nga  Bashkimi Europian, mund të zgjidhen në mënyrë ma të mirë. Por populli britanik ka hequn dorë nga cdo mënyrë, për t’i zgjidhë këto probleme dhe për të cue përpara qëllimin e përbashkët, për paqë e përparim, që Bashkimi Europian kishte prfemtue, por që nuk u mbërrijte, tuej marrë vendimin që të largoheshin nga shoket e tij Europian.

Gjatë ditëve mbas referendumit filluen të dalin në skenë shenja shqetësimesh të mëdha, të cilat do të shtohen gjatë muejve dhe vjetëve të ardhëshme; ndërkohë që ky proces i gjatë dhe i vështirë. gjatë të cilit do të zhvillohen bisedimet për largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian. Sterlinës  i ka ra shumë vlefta.Tregjet e aksioneve kanë pësue humbje, dhe Britania e Madhe dhe ndoshta edhe vendet e tjera do të preken, nga një ngadalsim i veprimeve ekonomike.

Me afat të gjatë, largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, përban n ji sfidë tejet të madhe, ndaj idealit të një Europe të Bashkueme dhe në paqe, dhe kjo gja mund të përfundojë në  një tragjedi botnore.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Andy Kiersz, Gjon kadeli, KY ËSHTË FUNDI I EUROPËS SIC E NJOHIM NE, perktheu

NGA SUEDIA NË TIRANË- NJË TAKIM MBRESËLENËS ME SHKRIMTARIN BESNIK MUSTAFAJ

June 30, 2016 by dgreca

Nga Sokol Demaku/

Vapë qershori, si çdo here në vendet ballkanike ku temperatura në këtë kohën arrin maksimumin e saj dhe ku dielli çdo gjë përcellon. Njeriu ndjen aromën e vapes, ndjen edhe ate që ne na mungon në veriun e largët ku trupi ynë ka nevojë për rrezet e diellit.Jemi në Tiranë së bashku me dy poete dhe shkrimtare të njohura në letërsinë suedeze, të cilatë kanë shprehurë dëshirën të janë se bashku më ne për një javë në disa qytete shqiptare për tu njohur me vendin tonë, potë, poete, si dhe me kulturën dhe traditën shqiptare.

Dita e pare e vizitës është plotë e ngarkuar me vizita, por kalohet dhe i bëhet ballë tempertaurës me mbi dyzet gradë. Miket suedeze na thonë se është kënaqësi të jesh me njerëz të tillë me kulturë dhe pasion për librin dhe letërsinë.

Ka ditë që me mikun tim nga Suedia Hamit Gurguri kishim caktua një takim me një poet, shkrimtar por edhe me profesion prej ish Diplomati të rryer shqiptar në kohët më të veshtira si ai vet thotë të diplomacisë shqiptare në shekullin e kaluar.

Është një e hënë pas dite, nga ora tetëmbdhjetë, por ende ndjehet vapa dhe zhega si thonë vendësit këtu edhe pse mbrëmje. Ne mësyjmë Hotel Tirana me mikun tim Hamit Gurgurin për të takua mikun tonë të përbashkët Besnik Mustafaj.

Marrim ashensorin dhe ngjitemi në katin e dytë në Terrasen e Hotel Tirana, shofim në një kend në një tavolin na pret me buzagaz miku ynë duke mbëshjtellë një cgare nga kutija e tij e duhanit. Na vëren dhe shofim se në fytyrën e tij njeriu shef një ndjenjë gëzimi, e kjo shprehet edhe tek ne sepse takojmë për të parën herë një shkrimtar, poet por ajo çka është më më vlerë një Diplomat prej diplomati të shtetit shqiptar të shekullit të kaluar kur nuk ishte lehtë të bëhej diplomaci në Europën e trazuar.

Mirë se erdhët në Tiranë! Është fjala e parë e mikut tonë.

Me falni po unë jetoj në periferi të Tiranës, atje buz Dajtit në Priskë dhe kështu që shumë pak jam në qytet. Më pëlqen fshati, natyra dhe njerëzit atje. Natyra është idilike, e pa prekurë, e pastër dhe të jep jetë. Kam një shtëpi atje, pakëz tokë ku merrem me pemët dhe perimet që kultivojë në truallin tim, ku kalojë kohën më shumë kënaqësi.

Atje ndjehem i qetë dhe më pelqen që të jem i shlodhur për punën time me shkrimet, sepse mbrëmjet janë shumë të rëndësishme për mua dhe janë shumë frytëdhense në punën time prej poeti e shkrimtari.

Pra kam zgjedhurë të jetoj këtu dhe kështu në mënyrë që ti përqendrohem më shumë shkrimit dhe punës së të shkruarit.

Pas këtij prezentimi të mikut tonë edhe ne të dy bem një prezentim se kush jemi, ku jetojmë dhe cfarë bëjmë. Kur përmendem se jetojmë dhe punojmë në Suedi, miku ynë u ndal dhe meditoj një cast!

Më vjen mirë që qenkeni në atë vend Nordik. Dua tua them edhe këtë se gjatë karrierës simë diplomatike pothuajse kam vizituar të gjitha vendet Europiane si dhe ato Nordike e baltike por i vetmi vend që nuk kam qenë asnjëherë është Suedia.

Kam degjua shumë për këtë vend, për mikëpritjen e atyre njerezve për të ardhurit e besoj se edhe ju ndani këtë mendim me mua dhe se jeni të mirëpritur atje. Me shkrime merrem që nga rina dhe ndjehem krenar me këtë. Politikën e bëra për ca vite dhe në fund vendosa te kthehem prap tek shkrimet sepse ia vlenë. Koha kur isha në diplomaci ishte kohë e turbullt, kohë që duhej mund e sakrificë keshtu që tani ndjehem me mirë me letrat e mia dhe shtëpinë time në periferi të Tiranës ku gjej vetën dhe ndjenjat e mia të cilat i vë në letër.

Biseduam edhe për librin, lexuesin por edhe bashkëpunimin e ndërsjllë mes poetëve nga dy vendet tona dhe besojmë se do ia arrim qëllimit edhe për te cilin në ishim me miqt tanë suedez në Shqipëri. Kembyem libra dhe me një kafe mbremje në hotel Tirana u ndam nga miku ynë Besnik Mustafaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: besnik Mustafaj, Nga Suedia ne Tirane, Sokol Demaku

Ja vendet më të kërcënuara nga sulmet terroriste

June 30, 2016 by dgreca

Në listën e 7 vendeve më të rrezikuara janë Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania, Franca, Spanja, Turqia dhe Rusia.Shqipëria renditet mes vendeve ku rreziku ekziston edhe pse është i fshehur./

Ekspertët kanë kërkuar një rivlerësim të sigurisë në aeroporte pas sulmeve kamikaze në aeroportin ndërkombëtar të “Ataturkut” në Stamboll. Kjo reflekton rritjen e mundësive për sulme terroriste rreth Europës, me 7 vende që përballen me një rrezik të lartë, sipas Zyrës së Jashtme britanike që ka publikuar një hartë me nivelet e ndryshme të rreziqeve. Në listën e 7 vendeve më të rrezikuara janë Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania, Franca, Spanja, Turqia dhe Rusia.

Shqipëria renditet mes vendeve ku rreziku ekziston edhe pse është i fshehur. Italia, Holanda, Greqia dhe Austria listohen mes vendeve me “rrezik të përgjithshëm”. “Ataturku” u rihap për fluturime disa orë pasi 3 atentatorë vetëvrasës shkaktuan dhjetëra viktima e të plagosur, por sulmi nxori në pah se si aeroportet ndërkombëtare tani konsiderohen si shënjestra të buta për ISIS-in.  Zyra e Jashtme britanike këshillon pushuesit të flasin me kompanitë ajrore për informacione të përditësuara para se të ndërmarrin ndonjë udhëtim. Ajo paralajmeron gjithashtu qytetarët të mos udhëtojnë brenda një rrezeje prej 10 km në kufirin sirian dhe qytetin turk të Dijarbakir.

Filed Under: Komente Tagged With: Ja vendet më të kërcënuara, nga sulmet terroriste

Kosova drejt BE-së, zhvillime pozitive

June 30, 2016 by dgreca

-Ministri i Financave Avdullah Hoti në Vjenë: Procesi i integrimit të Kosovës në BE ka  ndikuar në përmirësimin e politikëbërjes në fushën e ekonomisë. Procesi i Berlinit është padyshim një shtyllë shumë e vlefshme e kredibilitetit të perspektivës evropiane dhe një mekanizëm udhëzues për përpjekjet rajonale drejt tranzicionit të nevojshëm të para-anëtarësimit/

PRISHTINË, 30 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Procesi i integrimit të Kosovës në BE ka  ndikuar në përmirësimin e politikëbërjes në fushën e ekonomisë, tha ministri i Financave Avdullah Hoti në Konferencën e Bankës Botërore “Dialogu i politikës së Ballkanit Perëndimor mbi Investimet, Vendet e Punës dhe Integrimin”, që u mbajt në Vjenë, Austri, bën të ditur njoftimi i dërguar sot.

“Për ne si vendimmarrës, gjetja e politikave që stimulojnë produktivitetin në ekonomi dhe  rezultojnë me rritje të punësimit dhe mirëqenies së përgjithshme, mbetet sfida më e madhe. Duke pasur parasysh këtë sfidë, unë do përpiqem të shpjegoj se si procesi i integrimit në BE, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin rajonal, është duke kontribuar në përpjekjet e Kosovës për të formuluar politika që adresojnë kufizimet e rritjes ekonomike dhe pengojnë konvergjencën”, tha ministri kosovar Hoti.Ai theksoi gatishmërinë për të kontribuar edhe më tutje në atë që po bëhet një praktikë e mirë e komunikimit në mes të politikëbërësve, ekspertëve dhe partnerëve zhvillimorë të Ballkanit.

“Qëllimisht po e vendos bashkëpunimin rajonal nën ombrellën e procesit të integrimit evropian për të theksuar rëndësinë e perspektivës së integrimit në BE si shtytësin kryesor të përpjekjeve rajonale për arritjen e stabilitetit të nevojshëm për adresimin e vështirësive strukturore”, shtoi ministri Hoti.

Ai theksoi se, procesi i Berlinit është padyshim një shtyllë shumë e vlefshme e kredibilitetit të perspektivës evropiane dhe një mekanizëm udhëzues për përpjekjet rajonale drejt tranzicionit të nevojshëm të para-anëtarësimit.

“Si politikëbërës, ne e kuptojmë që ky tranzicion kërkon kohë dhe shumë punë, por duke pasur parasysh rrethanat e rajonit dhe duke pasur parasysh pasiguritë e fundit të zgjerimit, është me rëndësi të madhe që përkushtimi për zgjerim të sforcohet vazhdimisht dhe të komunikohet nga të gjitha palët”, u shpreh ministi i Financave i Kosovës.

Ndërsa, sa i përket përvojës së Kosovës me sfidat dhe përfitimet e procesit të Integrimit, gjatë prezantimit të tij ministri Hoti tha se, Kosova padyshim mbetet e mbingarkuar me probleme strukturore, por progresi në vitet e fundit ka qenë i konsiderueshëm.

“Në këtë drejtim, procesi i integrimit në BE ka qenë shumë i dobishëm në ndërtimin e një konsensusi kombëtar mbi qasjen strategjike për adresimin e nevojave të vendit – pavarësisht nga ciklet zgjedhore apo qasjet ideologjike ndaj zhvillimit. Në fakt, ky proces ka vendosur ekonominë në krye të diskutimeve për politikat e brendshme dhe i ka kontribuar në një kuptimi të gjerë se prosperiteti mund të rritet vetëm përmes rritjes së qëndrueshme ekonomike”, theksoi ministri kosovar.

Ministri Hoti bëri të ditur se ndikimi i procesit të integrimit në BE ka qenë veçanërisht i rëndësishëm në përmirësimin e politikëbërjes në fushën e ekonomisë, konkretisht në kapacitetet e qeverisë për planifikim strategjik më afatgjatë dhe për një qasje të strukturuar për adresimin e sfidave strukturore.

“Kosova ka përmirësuar së fundi sistemin e saj të integruar të planifikimit, me anë të të cilit politika jonë është funksionalizuar në një platformë me tre nivele: Së pari, ne kemi miratuar një Strategji të Zhvillimit afatgjatë që përcakton vizionin për zhvillim si dhe inkorporon synimin e konvergjencës përmes përmirësimeve të kapitalit njerëzor, mirëqeverisjes, aftësisë konkurruese dhe infrastrukturës. Në nivel më operacional, ne kemi harmonizuar këto objektiva me masat specifike të identifikuara në Programin e Reformave Ekonomike dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, si dhe njëherësh, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kemi ankoruar axhendën tonë të reformave në procesin e MSA-së me anë të një plani të zbatimit”, shtoi ministri Hoti.

Të nxitur nga procesi i integrimit në BE, vijoi ai, kemi ndërmarrë edhe një numër të konsiderueshëm të reformave për lehtësimin e tregtisë, ku  intensivisht jemi angazhuar në nismat dypalëshe dhe rajonale për të ulur koston e tregtisë përmes thjeshtëzimit të procedurave doganore.

“Në të njëjtën kohë, kemi pasur edhe një vit të bujshëm të bashkëpunimit me shumë partnerë rajonalë për shkëmbimin e përvojave lidhur me integrimin në BE. Si nënshkruesja e fundit e një MSA, kemi pasur privilegjin për t’u angazhuar në aktivitete të shumta për shkëmbimin e përvojave të qeverisjes me partnerët rajonalë që kanë kaluar nëpër këtë fazë të integrimit. Derisa fokusi kryesor i këtij angazhimi ka qenë në procesin e integrimit, ai ka pasur edhe efekte tjera pozitive në fusha të tjera të qeverisjes”, përfundoi ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Hoti.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kosova drejt BE-së, ministri Hoti, zhvillime pozitive

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT