• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2016

Një pyetje, ju lutem!

June 28, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Sikur ditën e mbërritjes së Kombëtares sonë në Tiranë, dikush të kishte qënë jo jashtë Shqipërisë por dhe jashtë planetit, për një kohë të gjatë, si fjala vjen astronaut në hapësirë; apo, Zoti mos e dhëntë, të kishte qënë në gjendje kome dhe të zgjohej i shëndetshëm atë ditë. Për rastësi, sa të hapte sytë, të përballej me ekranin e televizorit që po transmetonte kronikën e kthimit të Kombëtares; pritjen në aeroport nga vetë kryeministri; entusiazmin e sportdashësve gjatë rrugës për tek Bashkia; më pas tek minitria e Jashtëme, ku u pajisën me pasaporta diplomatike, në Kreyministri e të përfundonte tek darka madhështore që shtroi kryeministri me tërë ata të ftuar. (Më bëri përshtypje si nuk u ndalën dhe tek ministria e Brendëshme për t’iu dhënë Tahiri nga një pistoletë, se helbete, në këtë botë jallane, tërë krime nuk është keq ta kesh një të atillë). Të dëgjonte, më pas dhe fjalimin patetik të kryeqeveritarit…Shkurt, për të mos u zgjatur më tej, pa pikë dyshimi, ai do të pyeste: “Ç’ka ndodhur? Ç’trofe kemi fituar që po bëhet tërë ky manifestim i jashtzakonshëm, si asnjëherë tjetër?…Dhe, kur t’i thoshin se si qe e vërteta, që ne jo vetëm që s’fituam ndonjë kupë, por u eliminuam që në raundin e parë, ai do habitej e nuk do t’iu besonte dot syve e veshëve të vet: “More po ju pyes se ç’është tërë ai ekzaltim, se unë e kam mëndjen në rregull? Nuk ka mundësi që tërë kjo që po shoh të bëhet se kemi humbur…Sikur nuk kam dëgjuar ndonjëherë që njerëzit të gëzohen jashtë mase për një rezultat të tillë siç po më thoni ju…”.

Tani, le ta lëmë mënjanë fantazinë dhe të kthehemi tek realiteti. U fol e po flitet aq shumë për këtë veprimtari sa e ke vështirë në mos të pamundur, që të thuash diçka të re, siç po guxoj unë. Për më tepër që nuk njihem as si specialist sporti apo dhe as si ndonjë tifoz i madh. “Po atëhere, ç’dreqin ke që fut hundët këtu?!” – mund të shfrynte dikush, mbase dhe me të drejtë, paçka se sporti e sidomos futbolli nuk luhet vetëm për specialistët apo tifozët e apasionuar. Por, e mora këtë guxim për një arsye fare të vogël, për t’iu drejtuar lexuesve që mund të lexojnë këto radhë, me një pyetje fare të thjeshtë: duke parë tërë ato ceremonira, atë pompozitet e ekzaltim deri në histeri të gjithë piramidës sonë shtetërore, sinqerisht do të doja të dija se ç’do të ndodhte, ç’do të bënte kryeministri e turra që i shkon pas, sikur ne të kishim fituar, në mos kupën, të paktën të mos kishim dështuar që në raundin e parë?

Unë i ndoqa me interesim e emocion ndeshjet, qysh kur luftohej për klasifikim. Rastësisht u ndodha në një grumbull goxha të madh shqiptarësh, në Daun Taun, të Manhatenit, për të ndjekur ndeshjen me Sërbinë. Entusiazmi qe i jashtzakonshëm. Çdo sulm i yni përcillej me brohoritje që frenoheshin nga mos arritja e qëllimit. Jo vetëm kaq, por një djalosh i ri, jo vetëm që brohoriste me sa zë që kishte por ftonte turmën e mbledhur që ta shoqëronte në thirrjen e tij:”Shqipëri Etnike”. Se ç’hynte kjo parrullë atje edhe mund të mos e merrje vesh, por mbase me që kombëtarja jonë qe e përbërë nga tërë trojet shqiptare dhe jo vetëm nga Shqipëria shtetërore. Por tërë ai ekzaltim i jashtzakonshëm u shua si me magji pas dy golave që pësuam në fund të ndeshjes. Sinqerisht që m’u dhimbsën ata djem të rinj që ishin djersitur duke bërtitur gjatë ndeshjes dhe u zhgënjyen keqas nga fundi i pakëndshëm. Ne u larguam nga sheshi ku ndoqëm lojën të heshtur e kokëulur, si të na kishte ndodhur gjë. Nuk them që të mos e ndjekim ndeshjen me emocion apo dhe të mos shpërthejmë herë pas here me thirrje entusiaste. Por, kur mbaron loja, vendin e entusiazmit spontan duhet ta zërë logjika e ftohtë, aq më tepër kur je person publik e sidomos i veshur me pushtet, për më tepër kryministër i vendit.

Nga gjithë sa më sipër, absolutisht nuk mohoj lojën e bukur të futbollistëve tanë, shpirtin e tyre luftarak që meritonte vërtet vlerësimin maksimal, paçka se nuk na eci fati, gjë kjo më se normale në futboll, se jo më kot thonë se “topi është i rrumbullaktë”. Por mbas ndeshjeve, siç thashë dhe më lart, vendin e emocioneve duhet ta zinte analiza logjike, duke u përpjekur t’i përgjigjeshim pyetjeve se ku gabuam e ç’duhet të kishim bërë më tepër që të fitonim. Ndryshe, po vazhdove edhe më tej entusiazmin, është njëlloj si të gëzoheshin mjekët e sidomos të afërmit e ndonjë pacienti, nga që “operacioni doli me sukses, por… i sëmuri vdiq”. Pra, të ngopesh me lugë bosh.

Kjo më kujton një histori tjetër që tregohej në anët tona. Një i varfër, pa asnjë qindarkë në xhep, kishte ditë pa futur gjë në gojë. Tepër i uritur, trokiti në një derë e kërkoi diçka për të ngrënë. E zonja e shtëpisë, e keqardhur për të, i jep një lugë me gjalpë, duke i  kërkuar ndjesë se në atë moment nuk i ndodhej gjë tjetër. Ai e mori gjalpin, pasi e falenderoi atë që ia dha dhe vazhdoi rrugën. “E ç’do më bëjë ky çikë gjalpë mua, tha me vete, as që ma shuan dot urinë. Ndaj, me të, po lyej buzët poshtë e lart, që jo vetëm mos të dukem i uritur por edhe sikur jam shqepur në të ngrënë, që të mos iu bëhet qejfi por të pëlcasin ata që më kanë inat”.

Pyetja që shtrova më lart e kishte një mesazh por mos pandehni se unë, si dhe ju që mund të më lexoni, nuk e kuptojmë pse u bë gjithë ajo zhurmë e pse kryeministri ynë nuk kurseu jo vetëm fjalët e bukura por edhe milionin e eurove për kombëtaren tonë të pafat. Në stadiumin e ri, premtoi ai, do të vendoset një pllakë përkujtimore, me emrat e çunave…”.  A e shihni pra se ai flet komplet si ta kishte buxhetin e shtetit apo dhe tërë Shqipërinë, pronë të vetën dhe bën me të ç’të dojë e nuk pyet kërkënd. Mbret e shkuar mbretit..Ah, jo, më falni se mbretërit tani, përgjithësisht, nuk i pyet njeri, por diktator me plot kuptimin e fjalës. Motivi i tij qëndror, jo vetëm në këtë rast por, për të keqen e këtij populli, në gjithë veprimtarinë e tij të përditshmme, është që të jetë përherë në qëndër të vëmendjes si “pop-star”, edhe në sport, paçka se për detyrën që i është besuar po bën aq pak për të mos thënë se po prish punë. Madje, me të drejtë është thënë se me këto shfaqje pompoze ai përpiqet të largojë vemëndjen nga suksesi i munguar në qeverisje. Ai po bën ç’është e mundur që të zotërojë çdo gjë, po të kishte mundësi dhe jetën private të njerëzve e t’i përdorte ata si skllevër, se ashtu i ka quajtur, dele, dhe ai, për pasojë, mbetet të jetë bariu. A nuk e patë se ç’bëri ai me kombëtaren kur u kualifikua: që i mori siç qenë, direkt nga aeroporti, në kryeministri, duke lënë shqiptarët nga të gjitha trevat të prisnin në shesh, për t’iu treguar se ai është i pari dhe as që do t’ia dijë për të tjerët. Dhe e bën këtë me një kombëtare që në gjirin e saj nuk ka më shumë se 3 a 4 lojtarë nga Shqipëria.  Po edhe sikur të kishte më shumë, ç’e lidh atë me këtë kombëtare, kur nuk ka bërë asgjë për zhvillimin e sportit, në përgjithësi, e të futbollit, në veçanti?! Kurse tani që u kthyen doli e i priti në aeroport, hipi në autobuzin e tyre si të kishte frikë se mos i merrte ndonjë tjetër, paçka se në asnjë shtet të botës nuk njihet një protokoll i tillë. Dhe me një paturpësi të admirueshme, për t’i dalë çdo kundërvënieje përpara, ai shpërtheu tërë mllef: “Nuk dyshoj që cinikët e pandreqshëm, të cilët, i kemi jo aq të paktë mes nesh, sidomos kur ngjarjet nuk shkojnë siç dëshirojmë, do të hedhin helmin e tyre. S’do të mungojë as ajo shprehja “Shqipëria po përmbytet, Kryeministri e ka mendjen te futbolli!”. Se vërtet, kur po luante pjesën e parë të shou-t të tij, në nëntor 2015, shumë rajone të vendit po përballeshin me një përmbytje jo të zakonshme por ai as që donte t’ia dinte për hallexhinjtë që po gdhiheshin përjashta e po u shkonte malli dëm. E ku qëndron cinizmi i atyre që u ankuan për këtë, përveçse në mendjen e krisur të zotit kryeministër?! Po kësaj ligësie të tij, se cinizëm është pak ta quash, ç’emër t’i vëmë?

Jo vetëm në këtë rast por tërë veprimtaruia e tij politike është karakterizuar nga dëshira e paepur për pushtet, nga një egoizëm i pafre, nga një narcizizëm neveritës, duke thyer çdo rekord kur guxon e thotë se çdo gjë e mirë në këtë vend ka vetëm autorësine e tij dhe për këtë do të flasë historia. As më shumë e as më pak siç kanë vepruar e deklaruar tërë diktatorët që njeh histoiria, që nga Neroni e deri tek Enveri ynë. Ai e pat pohuar dhe vetë, që më 2003, tek e përditëshmja britanike “The Guardian”, që ai është një pop-star mes kryetarësh dhe kryetar mes pop-starësh. Le të shpresojmë se një ditë do të kthjellohet e do të shërohet nga deliret e madhështisë që po e çojnë në kufijtë e qesharakes e të vetëdijësohet se s’është për t’u pasur zili në asnjërën prej tyre. I dështuar në art, i dështuar edhe në politikë. Madje, sa më shumë përpiqet të shpërfaqë ngjyrat prej pop-stari, aq më shumë na humbet sysh bilanci i qeverisjes së tij, ku mungojnë thuajse krejtësisht arritjet në zhvillimin ekonomik të vendit, në përmirësimin e klimës së biznesit, në zbutjen e varfërisë, në modernizimin e infrastrukturës, në forcimin e institucioneve e sidomos të shtetit ligjor, në rritjen e konsumit, të mirëqenies e të cilësisë së jetës, në përgjithësi, për të cilat edhe është ulur në atë karrige. Pra, nëse dështimi në art përbën thjesht një fatkeqësi të tij, nga e dyta, si politikan, veçanërisht tani si kryeqeveritar, po vuan një popull i tërë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Andon Dede, Ju lutem, Një pyetje

Kosovë-Serbët festojnë Vidovdanin

June 28, 2016 by dgreca

-Në veri të Mitrovicës edhe me përmendoren e Knez Lazarit/
-Para 27 viteve, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan, u binte daulleve të luftës/
 -Po para 27 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova/
– POLICIA E KOSOVES-KOMUNIKATE RRETH FESTIMEVE/

 PRISHTINË,  28 Qershor 2016-B.Jashari/ Serbë kosovarë dhe të ardhur edhe nga Serbia po festojnë Vidovdanin,  të mbledhur sot në mesditë në Gazimestan, në një fushë rreth pesë kilometra në veri të Prishtinës, duke shënuar kështu 627 vjetorin e Betejës së Kosovës.

Në çdo 28 qershor serbët festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur në vitin  1389, e cila ishte humbur.Dita e Vidovdanit festohet sot nga serbët edhe me “zbulimin solemn” në qendër të Mitrovicës Veriore të përmendores së Knez Lazar të kohës së Betejës së Kosovës, e cila është vendosur natën në sheshin kryesor afër urës mbi lumin Ibër që ndanë qytetin.

“Përmendorja është e lartë 7,5 metra, e rëndë 7,5 tonë”, raporton media serbe, duke theksuar se “Knez Lazar është prezantuar me shpatën në njërën dorë, derisa me dorën tjetër tregon drejt Gazimestanit”.Vendimin për përmendoren e ka marrë Kuvendi i Komunës veriore  të qytetit të ndarë me votat e këshilltarëve serbë, por jo edhe të shqiptarëve e boshnjakëve që atje janë pakicë.

Para 27 viteve, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan, u binte daulleve të luftës, e cila pastaj u ndez e përfshiu hapësirat e ish-Jugosllavisë, edhe Kosovën, luftës për Serbinë e madhe, nga më të përgjakshmet në gjithë historinë e Ballkanit, dhe që në fund e humbi e pastaj vet përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

 “Ne ishim të guximshëm e dinjitozë. Tani, gjashtë shekuj më vonë, ne sërish jemi në betejë. Nuk janë këto beteja të armatosura, por ato nuk mund të përjashtohen”, thoshte Milosheviç në fushën e Kosovës në Gazimestan.

Po para 27 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Në ditën e Vidovdanit në Kosovë, në vazhdimësi, grupe ekstremiste të serbëve kanë manifestuar edhe provokacione, në forma të ndryshme.

Policia e Kosovës me kohë bën të gjitha përgatitjet e nevojshme policore për mbarëvajtjen e manifestimit tradicional religjioz të Vidovdanit. 

Komunikatë për media/

 Prishtinë, 28 qershor 2016/

 Policia e Kosovës lidhur me aktivitetet dhe manifestimet tradicionale religjioze ortodokse të festës së ‘Vidovdanit’ ka ndërmarr me kohë të gjitha veprimet paraprake dhe ka përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë.

 Plani operativ policor u realizua me qëllim që gjatë aktiviteteve të mbajtura të arrihen objektivat si në vijim:

 Mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit në vend,

  • Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimeve.
  • Garantimi i lirisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët.
  • Kontrollimi dhe rregullimi i nevojshëm i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale,
  • Përcjellja dhe sigurimi i eskortave, individëve dhe grupeve të veçanta,
  • Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

 Sipas vlerësimeve në teren në këto manifestime morën pjesë prej 1300-1500 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, për festimet e tyre.

 Rreth orës 09:00, manifestimi ka filluar në Graçanicë, ku kanë marrë pjesë rreth 900 pjesëmarrës, përderisa Policia është përkujdesur për mbarëvajtjen e tij pa incidente si dhe duke mundësuar qarkullimin e trafikut duke ri-drejtuar automjetet në rrugë alternative.

 Rreth orës 13:00, ka filluar edhe manifestimi tek monumenti i Gazimestanit, ku kanë marrë pjesë prej 1.300 – 1.500 pjesëmarrës, ku edhe në këtë lokacion njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit si dhe rregullimin-orientimin e komunikacionit rrugor.

 Gjatë zhvillimit të të gjitha aktiviteteve manifestuese sa i përket aspektit të rendit dhe sigurisë së përgjithshme në mbarëvajtjen e këtyre manifestimeve deri në përfundim të tyre, në këto dy lokacione çdo gjë ka shkuar sipas planit të paraparë operativ dhe nuk është shënuar asnjë incident, përderisa pas përfundimit, rreth orës 13:45 pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen ngadalë ashtu siç edhe kishin ardhur në mënyrë të qetë.

 Vlen të potencohet rreth orës 15:50, nga zyrtarët policor është raportuar se që gjatë kthimit të eskortës e cila ishte në përcjellje të Policisë, në fshatin Lisicë të Mitrovicës në jug është hedhur koktej molotovi, përderisa nuk është raportuar për ndonjë dëm material apo lëndime në njerëz. Njësitet relevante policore kanë dalë në lokacion dhe po hetojnë rastin.

 Një informacion tjetër, po ashtu është pranuar se ka pasur gjuajtje me gur në drejtim të një furgoni, i cili nuk ishte në përcjellje të Policisë, përderisa dy persona kanë kërkuar ndihmë në spitalin e Mitrovicës në veri. Policia e Kosovës edhe në këtë rast është duke ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore.

 Me respekt,

Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun,

DPP-Prishtinë.

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, festojnë Vidovdanin, Kosovë-Serbët

DIASPORA- Përfundon viti shkollor në Austri

June 28, 2016 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

Përfshirja e nxënësve shqiptarë në mësimin amtar nën çdo nivel krahasuar me mundësitë që ofron Austria. Fundqershori dhe fillimshtatori është koha e deklarimit të prindërve për formimin e grupeve mësimore. Një shembull i shkëlqyer në Bashkinë e 11-të ku me insistimin e prindërve hapet grupi i ri për vitin e ardhshëm shkollor me tri orë mësim (VS-Herderpaltz Simmering)

“Mësimi i gjuhës së parë e ndihmon mësimin në gjuhën e shkollës dhe në formimin e personalitetit të fëmijës”

Pak shtet në botë e kanë organizuar aq mirë brenda sistemit arsimor publik mësimin e gjuhëve amtare sikurse Austria, ku mësimi amtar e mbajnë 415 mësues në 25 gjuhë mesin e tyre edhe 25 mësues shqiptarë. Nga afër 13 mijë nxënës shqiptarë mësim në gjuhën amtare vijojnë vetëm 2500 në gjithë Austrinë. Shprehur në përqindje është vetëm 19 përqind. Krahasuar me grupet tjera etnike dhe me vijueshmërinë në disa shtete tjera është një numër tejet i vogël.

Në folklorizmin tonë bosh e të përditshëm, gati gjithmonë, përmendet mësimi i gjuhës shqipe në mërgatë, por asnjëherë pa u ndal në konkretizimin e aktiviteteve si t’i afrohemi prindit i cili është ai që vendos për fëmijën e vet. Edhe pse në faqet elektronike pranë Ministrisë së Mësimit të Austrisë, pranë drejtorive të shkollave, këshillit të mësuesve, prindërit e kanë mundësinë e sigurimit të formularit lajmërues. Derisa në Ciklin e Ulët ka një vijueshmëri të ulët, në Ciklin e Lartë është reduktuar fare. Kjo vërehet veçan në Vjenë dhe disa qytete të mëdha ku ka përqendrim më të madh të mërgimtarëve. Kjo dukuri nuk u analizua asnjëherë, përkundër shqetësimeve që mësuesit i shtruan disa herë. Derisa kombet tjera: polakët, rumunët, hungarezët etj, nga disa shkolla e formojnë grupin mësimor prej 12 nxënësish i kërkuar sipas ligjit, tek shqiptarë në shumë shkolla ka 15 deri në 35 nxënës dhe nuk formohet grupi mësimor ku do mësoheshin 2-4 orë mësimi amtar. Këtë disa herë e ka potencuar Inspektori i mësimit përgjegjës për gjuhët amtare para mësuesve shqiptarë kur ata kanë kërkuar sqarime.

Shumica e prindërve nuk pyesin rreth të drejtave të tyre e as nuk i kërkojnë ato pranë organeve të shkollës. Aq më keq disa nga prindërit e refuzojnë duke menduar se gjuha amtare e pengon fëmijën e në gjuhën e shkollës, derisa shkencat pedagogjike e psikologjike e thotë të kundërtën “Mësimi i gjuhës së parë e ndihmon mësimin në gjuhën e shkollës dhe në formimin e personalitetit të fëmijës” Për ta përcjellë këtë të vërtetë shumë me dobi tek prindërit shqiptarë duhet ndihma e secilit, në radhë të parë e shoqatave, përfaqësive konsullore e diplomatike, ministrive përkatëse dhe mjetet e informimit publik. Shoqatat Shumica e shoqatave në programet e tyre e kanë “ruajtjen e gjuhës e kulturës”, por në fakt shumë pak i kushtojnë rëndësi kësaj. Kjo vlen veçan për shoqatat kulturore, drejtuesit e tyre shumica e të cilëve as vet nuk i dërgojnë fëmijët për të mësuar gjuhen amtare. Arsyet për këtë ke “me thes”, dhe del se çdo gjë qenka më me vlerë se mësimi shqip, në vend që të jetë e kundërta. Media

Mediat shumë pak hapësirë i kushtojnë Shkollës Shqipe në Diasporë. radiotelevizioni publik, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni Shqiptar nuk kanë hapësirë të përhershme për Shkollën Shqipe në Diasporë, vetëm ndonjëherë aty këtu prezantim kulturor, dhe atë, nga filmime amatore pa ndonjë skenar që prek esencën dhe rëndësinë e problemit. Shtypi elektronik në diasporë nuk ka një adresë të caktuar ku do mund të informohej prindi e nxënësi rreth mundësive që ofrohen në rrethin e tij rreth mësimit shqip. Ato pranë ministrive nuk kanë informata të duhura për secilin shtetet, kjo ka mund të bëhet në bashkëpunim me mësuesit dhe shoqatat e tyre. Mediat nuk janë në detyrën e duhur në përkrahjen e ruajtjes dhe kultivimin e gjuhës shqipe në diasporë. Ky konstatim i mësuesve në vazhdimësi vite me radhë

në seminaret e tyre mbetet i pa ndryshuar. Ministritë Ministria e Diasporë, Ministritë e Arsimit të dy shteteve tona akoma nuk i kanë shumë gjëra të konkretizuara, se çka duhet bërë për të iu afruar mërgimtarit. U shkri energji e pare për institucionalizimin e shkollës shqipe, por u bë pak konkretisht edhe pse u fillua me shtrimin e problemit për diskutim konferencave e në media ku strategji e parë e programit u caktua Shkolla Shqipe në Diasporë. Kjo tani u harrua bashkë me themelimin e Qendrave Kulturore Shqiptare të cilat do ishin vend trajtimit, informimi, planifikimit e veprimi në zgjedhjen e shumë kërkesave të mërgimtarëve, veçan në përkrahjen e nxënësit jo vetëm në gjuhën amtare, por edhe në fushat tjera me rëndësi për integrim me identitet kombëtar.

Në Austri risi e këtij viti ishte Olimpiada e Nxënësve Shqiptarë nga disa vende, por sa e ndien prindërit mërgimtarë këtë, është për t’u dëshiruar. Shoqata e Mësuesve në Austri u mundua të realizon disa aktivitete mësimore e kulturore, si Gara e Diturisë, manifestimi shënues i festave kombëtare etj, krejt këto me vite në baza vullnetare të mësueseve/eve dhe shumë pak të përkrahur nga të tjerët. Shkolla është e të gjithëve, jo vetëm e mësuesve, siç kuptohet nga disa shkurtëpamës. Gjendja e vijueshmërisë së ulët alarmante e nxënësve shqiptarë në Austri duhet të analizohet thelbësisht dhe të veprohet për ndryshim. Ky është detyrim kombëtar i secilit.

Filed Under: Mergata Tagged With: diaspora, Hazir Mehmeti, Përfundon viti shkollor në Austri

Forca e Sigurisë në Kosovë, memorandum bashkëpunimi me Komandën Evropiane të SHBA

June 28, 2016 by dgreca

Ministria e Mbrojtjes e Forcës së Sigurisë në Kosovë, memorandum bashkëpunimi me Komandën Evropiane të SHBA/Në ambientet e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, {MFSK}, nën një ceremoni solemne, më datën 16 qershor 2016, u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë të FSK dhe Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me përdorimin e hapësirës të MFSK për Zyrën e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes të SHBA, {US-ODC}. Në emër të MFSK, memorandumin e nënshkroi Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, ndërsa në emër të Ambasadës së SHBA, e nënshkroi Shefi i Zyrës për bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes. Memorandumi i Bashkëpunimit është në përputhje të plotë me marrëveshjen midis SHBA dhe Republikës së Kosovës, lidhur me Statusin e Forcave të SHBA në Kosovë, {SOFA}, nënshkruar në Prishtinë, më 18 shkurt 2012. Qëllimi i këtij memorandumi është lejimi i shfrytëzimit të hapësirave të caktuara të MFSK, për nevoja të Zyrës për Siguri e Bashkëpunim të SHBA në Kosovë, {US-ODS}. Zyra për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes është përgjegjëse për bashkëpunimin biletaral në fushën e mbrojtjes midis MFSK dhe strukturave ushtarake të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, Komandës Evropiane të SHBA, të përfaqësuar nga Shefi i Zyrës për bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes në Kosovë, {US-ODC}. {Zyra e shtypit e MFSK}.

Filed Under: Rajon Tagged With: Evropiane të SHBA, Forcës së Sigurisë në Kosovë, memorandum bashkëpunimi me Komandën

Shqipëri-Kosovë, finalizohet ‘autostrada’ energjetike drejt tregut të përbashkët

June 28, 2016 by dgreca

-Në ceremoninë e inaugurimit që u zhvillua në kryeytetin shqiptar – në Nënstacionin Tirana 2 ishin Kryeministrat Edi Rama e Isa Mustafa, Ministrat Damian Gjiknuri e Blerand Stavileci, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, KfW-së dhe drejtues të operatorëve të sistemit të transmisionit të dyja vendeve/

 -Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë me kombinim të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet/

 TIRANË-PRISHTINË, 28 Qershor 2016/ Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Është finalizuar ‘autostrada’ energjetike, projekti më i rëndësishëm energjetik – Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, e cila ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës, duke i hapur kështu rrugë tregut të përbashkët të energjisë.

 Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit që u zhvillua në kryeytetin shqiptar – në Nënstacionin Tirana 2 ishin Kryeministrat Edi Rama e Isa Mustafa, Ministrat Damian Gjiknuri e Blerand Stavileci, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, KfW-së dhe drejtues të operatorëve të sistemit të transmisionit të dyja vendeve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se me projektin e interkoneksionit 400 kV mes dy vendeve po krijohen premisat themelore për një treg të përbashkët të energjisë, duke krahasuar atë me rrugën e kombit.
“Inaugurimi i kësaj linje është nisja e një kapitulli të ri për integrimin e të dy vendeve. Sot shohim me krenari sa shumë kemi bërë për t’u afruar dhe për t’i dhënë hapësirës tonë të përbashkët fuqi dhe portenciale zhvillimi, përmes një integrimi të gjithanshëm, duke filluar nga energjia e duke vazhduar në të gjithë sektorët”, tha Rama.

 Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha me këtë rast se përfundimi i punimeve në pjesën e Shqipërisë, shënon kompletimin e autostradës energjetike prej 400 kV ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Energjia është shtyllë e jona tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Kemi nevojë për energji stabile dhe të bollshme për biznese dhe ekonomi familjare, si parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe si parakusht i mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha Mustafa, duke shtuar se kjo vepër e madhe e një tregu të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës do të zgjerohet më tutje edhe në vende tjera në Evropën Juglindore, por edhe në Evropë në tërësi.
Ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri tha se inagurimi i kësaj vepre në prag edhe të Samitit të Parisit do të bindë shumë shtete të Bashkimit Evropian që investimet në rajonin tonë janë të domosdoshme dhe shtetet e kanë vullnetin për të bashkëpunuar dhe për t’i realizuar ato në kohë.Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se integrimin ekonomik të të dy vendeve tona që po bëhet gjithnjë e më real dhe më i prekshëm, e tregon edhe projekti i sotëm i autostradës energjetike,  e cila është në linjë me politikat e Bashkimit Evropian dhe në pajtueshmëri me iniciativën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 “Bashkimi i tregut të energjisë është një projekt që tashmë po merr formën finale, i cili i hap rrugë interesit strategjik të të dy vendeve tona drejt integrimit bilateral të tregut të energjisë dhe në fazën tjetër në integrimin rajonal”, tha Stavileci.

 Ministrat theksuan se përveç linjës së interkoneksionit, Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapa konkretë të transformimit të sektorit të energjisë, duke përmendur memorandumin për mundësinë e bashkëfinancimit të projekteve të përbashkëta gjeneruese, bashkëpunimin për krijimin e bursës së energjisë në Shqipëri dhe aplikimin e përbashkët për studimin e fizibilitetit për gazin.

Përfaqësuesi i Ambasadës Gjermane në Tiranë, vlerësoi se ky është një hap mjaft i suksesshëm për të rritur sigurimin e furnizimit me energji në Shqipëri, Kosovë dhe në tërë rajonin.
Projekti ka vlerën 75 milionë euro dhe u financua nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit. Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.

 Në 17 dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik  dhe të  mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të marsit 2016, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.

“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ‘autostrada’ energjetike, Behlul Jashari, finalizohet, Shqiperi Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 75
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT