• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

MUHAMET SHABANI, HISTORIANI I DIMENSIONEVE THELLUESE

July 25, 2016 by dgreca

Rreth librit “Politika ekspansioniste e shteteve ballkanike ndaj trojeve shqiptare”/

Nga Bajame Hoxha- Çeliku, Tiranë./

Kohët e fundit më ra në dorë rastësisht libri i Msc. Muhamet Shabanit mbi politikën gjenocidiale të fqinjëve tanë historik ndaj trojeve shqiptare,një libër i kompletuar dhe, deri diku shterues mbi këtë temë. Libri,një vështrim i thelluar monografik i çështjes, e tejshtrin vështrimin në shumë aspekte të historisë së Shqipërisë dhe të Ilirikumit dhe bën një panoramë të kësaj historie nga lashtësia gjer në ditët e sotme,duke trajtuar me shembuj, fakte, analiza dhe detaje, fatin historik të kombit shqiptar, përballë armiqve oreks-mëdhenj që gllabëruan tokat shqiptare dhe e vunë vendin tonë në morsën e shtrëngimeve  dramatike ,dhe, nga ana tjetër populli shqiptar në këtë vibrim të vazhdueshëm të historisë, diti të ngrejë antikorpet e veta ndaj virusit të shuarjes ose tjetërsimit dhe zhbërjes. Me të drejtë mund të themi,se sado që stuhitë kanë fryrë në anën e kundërt të anijes së shpresës ,është gjetur gjithmonë një kohë e qetë për të dalë në breg. I gjithë libri i Muhamet Shabanit trajton pikërisht këtë ide,dhe vetiu shndërrohet në një manifest të përurimit të një ndërgjegje sa të vjetër dhe të re kombëtare:të vetëdijes se një popull që shuan kujtesën dhe nuk  mbetet esëll, është i destinuar të zhduket. Këto mesazhe ky libër i përcjell më së miri dhe na i bën me dije ato përmes trajtesave me skrupulozitet shkencor.

Po kush është Muhamet Shabani?Ai ka lindur në fshatin Jezercë- Ferizaj më 1954. Ka kryer Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës për histori. Është një nga veprimtarët e e shquar të çështjes së Kosovës dhe arsimit shqip,dhe për shumë vite ka kontribuar si kryetar i  Lidhjes,ku më pas, ka emigruar dhe  është zgjedhur drejtor i shkollës shqipe në Bruksel ku ka ndihmuar vite me radhë fëmijët shqiptarë të mos asimilohen apo të harrojnë gjuhën e bukur shqipe dhe historinë e saj. Pra,një njeri i formuar në fushë të historisë dhe të hulumtimeve didaktike-shkencore, që sjellin natyrshëm të dhëna intertesante në dobi të çështjes së trajtuar. Muhamet Shabani në librin e tij  niset nga një burim i pasur arkivor dhe nga një literaturë  e pasur, e konsultuar me kujdes ,kështu, faktografia bëhet një tërësi piketash nga duhet të lëvizë mendimi drejt realizmit dhe objektivitetit, ashtu siç vërtetë e parasheh shkenca moderne historike, dhe siç duhet të ndodhë dhe të mirëkuptohet larg çdo skeme apo ideologjie të frustuar. Asnjë ideologji nuk mund ta udhëheqë historinë, përveç ideologjisë kombëtare,dhe kjo ,aspak nuk duhet të mitizohet,po të udhëhiqet nga kriteri i së vërtetës brenda arsyetimit rrethanor. Kështu duke vërejtur këto parime ,mund të themi se Muhamet Shabani ia ka arritur të bindë lexuesin, pavarësisht nga anësia, ta marrë atë me urtësi përdore dhe ta çojë tek burimi i së vërtetës për të freskuar kujtesën .Kjo, jo vetëm që është një arritje e tij,po edhe një mënyrë e bindshme e procedimit faktik duke dëshmuar edhe një herë se shumë historianë shqiptarë ,të zotë të mbrojnë të vërtetat e përgjakura të kombit të tyre, nuk kanë rënë kurrë në trajtesa të manipulimit të së vërtetës, as të urrejtjes etnike edhe pse nga kjo urrejtje, populli shqiptar shpesh e ka pësuar. Një nga këta historianë mbetet edhe Muhamet Shabani, i cili në librin e tij plotëson një kuadër të plotë të tablosë kombëtare  duke e shtrirë vështrimin e tij që nga mugëtira e historisë e deri në të sotmen.

Dhe çfarë mësojmë ne nga gjithë trajtimet e tij. Mësojmë se shumë toka shqiptare sot vetëm emrin kanë të tilla, se në to nuk ka më banorë shqiptarë aty,mësojmë mbi projektet shfarosëse të Çubrilloviçit dhe të Ivo Andriçit, diplomat dhe nobelist, po që në çdo takim projektonte dhe negocionte vetëm kundër shqiptarëve,mësojmë mbi shpërnguljet e mëdha nga Nishi dhe vise të tjera të Kosovës ,mbi negociatat dhe planet e kësaj shpërnguljeje nga jugosllavët me turqit,në mënyrë që popullsia shqiptare të shfarosej;mbi trysninë e ndërrimit të fesë dhe, përmes saj, të harresës etnike,mbi vrasjet ,masakrat dhe dëbimet e çfarëdolloj forme e metode ,mbi orekset e mëdha për zhdukjen edhe të Shqipërisë londineze etj, etj. Libri hapet me një përshkrim që u bën autori trojeve dardane,organizimit të asaj kohe,luftrave të pareshtura dhe emrave të mëdhenj që nxori kjo trevë,midis të cilëve spikat Konstadini i Madh. Dardania e shekujve 7-14 paraqitet në kohën e dyndjeve sllave. Duhet thënë se në këtë kapitull autori sjell një varg referencash  nga autorë të huaj,midis të cilëve edhe të historianëve serbë, maqedonas, ku hedh poshtë shkencërisht të ashtuquajturën tezë serbe mbi gjoja Kosovën si djep të Serbisë. Të gjitha dokumentet dhe të dhënat e ndryshme vërtetojnë autoktoninë shqiptare të popullsisë së Dardanisë,duke hedhur tej gjithë ato sajime dhe maipulime që synojnë të mjegullojnë historinë dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të kësaj treve. Gjithë historia e mëvonshme me ardhjen e sllavëve në Ballkan aty nga shek 7, ka qenë histori luftërash dhe pushtimesh, po njëherit edhe histori qëndrese dhe përpjekjesh të vazhdueshme për ruajtjen e identitetit qytetërues të një populli që përqafoi i pari krishterimin dhe vlerat perëndimore. Autori na flet me gjuhën e fakteve sesi pushtuesit u munduan dhe ia arritën që disa kisha t`i shndërronin nga kisha të besimit katolik në kisha serbe, siç bëhet fjalë për kishën e Pejës dhe manastirin e Deçanit.

Inkursioni historik i Muhamet Shabanit nuk ka të ndalur kur duhet të flasë me skrupulozitetin e shkencëtarit dhe flakën e pashuar atdhedashëse për t`u hedhur  në kohërat më të vonshme e për të sqaruar me një metodikë të përsosur të shtjellimit fakt- kundërfakt dhe ballafaqim të arsyetuar të tyre brenda kornizës së logjikës shkencore. Emrat e përdorur gjithnjë në dobi të tezave të tij vijnë në ndihmë natyrshëm dhe nuk janë të kërkuara,po ato sillen përmes karuselit të së vërtetës dhe fiksohen gjithnjë brenda një sistemimi logjik. Mirë e shpjegon dhe e selit ai Betejën e Kosovës(1389)ku mjaft autorë të huaj thonë se ajo u zhvillua në Albani,midis të cilëve Filip Mezieri që është bashkëkohës i kësaj ngjarje të madhe. Ai me të drejtë dhe arsyetueshëm hedh poshtë historiografinë serbe që mohon rolin e shqiptarëve në këtë betejë,duke pohuar se kjo betejë ishte një aleancë ballkanike kundër vërshimeve osmane dhe roli i shqiptarëve ishte përcaktues,ndonëse dihet fundi  i saj. Historiani Muhamet Shabani me vështrimet e tij analitike arrin të shkojë dhe të përqasë epokat e mëvonshme duke i bërë një prerje vertikale historisë shqiptare, gjithnjë mbajtur tek ideja se kjo histori është formuar në përpjekjet e  njëpasnjëshme të një kombi heroik në luftë të vazhdueshme për mbijetesë dhe në ruajtjen e vlerave të larta qytetëruese. Vitet e vështira të pavarësisë së Shqipërisë dhe të Luftërave ballkanike gjejnë një vend të konsiderureshëm në faqet e këtij libri dhe shtjellohen me gjithë peshën dhe dramacitetin e tyre që mbartin. Orekset shoviniste serbe ishin të mëdha,nuk mjaftonte vetëm Kosova, po këto orekse arrinin deri në Durrës ,me qëllim kolonializimin e pjesës veriore të Shqipërisë londineze. Po kështu edhe synimet greke,të cilat si tentakulat e një oktapodi të pështirë, synonin thithjen e gjithë Shqipërisë jugore .

Autori Shabani u bën një analizë të hollësishme ngjarjeve,momenteve historike, eventeve ndërkombëtare, duke i sjellë ato në thelbin e tyre dhe në aspektin e shfrytëzimit të rrethanave  kundërfatike. Ajo që bie në sy në librin e tij,mjaft të pasur me një faktologji kokëfortë dhe të padiskutueshme në aspektin e vërtetësisë ,është se autori niset gjithnjë në aspektin zbulues të këtyre fakteve, duke sjellë jo vetëm të dhëna nga ngjarje të caktuara, po edhe dëshmi e dokumente kohorë nga historianë dhe politikanë të kohës. Autori tregon se trojet shqiptare u bënë jo vetëm lojë për top nga rrethana të diktura ndërkombëtare, po ato shpesh mbetën si një resto për të kënaqur egoizmin e fuqive ndërlufturese dhe e palëve fituese ,të cilat për të vendosur raporte të brishta paqeje dhe ekuilibra të caktuara në interesa të fëlliqëta,iu desh që tokat shqiptare t`i këmbenin në këtë tregti të ndyrë politike.Autori  Shabani e njeh mirë situatën e atyre kohërave dhe gjithë lojën diplomatike që është bërë, lojë që ka rezultuar në mënyrë të tërthortë dhe herë herë të drejtpërdrejtë në dëm të interesatve të kombit shqiptar.Autorët e projekteve famëkeqe të shovinistëve grekë dhe serbë, dalin në pah dhe zbulohet gjithë ajo përpjekje e tyre për të bindur tryezat e diplomacive europiane dhe botërore se këto përpjekje ishin të drejta dhe, sipas tyre, kërkonin të vinin në vend drejtësinë e munguar. Politika e justifikimit të pushtimeve arrinte deri në sajime monstruoze dhe të dala boje ,të cilat merrnin në krah justifikimet fetare dhe justifikime të tjera  që nuk ia vlen të përmenden për irracionalitetin që mbartin.

  1. Shabani me një gjuhë të saktë dhe të shkruar pa peshën e emocionit të tepruar,çka vetiu e kërkon shkenca moderne ,arrin të paraqesë gjithë atë tablo të shtrirë dhe tronditëse të realiteteve shqiptare në trojet etnike duke i shikuar ato një dhe të pandara edhe pse Fuqitë e Mëdha i kishin copëtuar duke krijuar një shtet sa një e treta e tyre. Libri i tij,është një libër meritor, i cili historinë e Shqipërisë e sheh si histori e një populli të tërë ,aty ku ky popull banon edhe pse shumë pjesë të tij u ndodhën dhe ndodhen edhe sot në okupim. Me një largpamësi dhe në mënyrë shkencore shikon ai fatin e popullit të Çamërisë, të shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi. Po kështu, Kosovën martire autori e përshkruan në të gjitha pikat kyçe të ngjarjeve historike, me Luftën e Dytë Botërore dhe kohën e pasluftës. Është një ndjesimendim që të bën të besosh këtë autor ,se ai sjell gjithnjë referenca dhe fakte ose thënie nga autorët e huaj, të cilët dëshmojnë në emër të ndërgjegjes dhe realizmit të tyre këtë genocid të paparë. Autori nuk niset nga pozita të ngushta nacionaliste, as nga emocione të cilat e çojnë në deformimin e së vërtetës së paluajtshme. Përkundrazi, ai niset nga e vërteta duke dëshmuar gjithë atë dramë kombëtare të një populli të copëtuar padrejtësisht,po edhe pse u copëtua, shovinistët në pjesët aq sa morën nën administrim, kishin një qëllim dhe vetëm një:zhbërjen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të liruara. Po kjo nuk ngjau me Kosovën.

Kosova si Feniksi u ngrit nga hiri i këtyre luftërave të përgjakshme dhe arriti të ruajë vitalitetin dhe identitetin e saj edhe pse e pagoi shtrenjtë çmimin e lirisë. Autori që ka qenë një aktivist i shquar i arsimit kombëtar në Ferizaj,me moton :”mësim ,mësim dhe vetëm mësim”,e përshkruan këtë luftë të UÇk-së dhe të popullit me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë si në luftë heroike ,ashtu siç ajo ishte në të vërtetë.Në faqet e këtij kapitulli do ndeshim me emra veprimtarësh,heronjsh (Adem Jashari),njerëzish të thjeshtë, të cilët gjithnjë me thirrjen e brendshme për liri, arritën të shkruanin akte heroizmi dhe sakrificash të panumërta.Krijimi i shtetit të Kosovës është një akt,një kompesim historik për trojet e shumëvuajtura shqiptare,po ky kompesim ende nuk është bërë plotësisht.

Në një gjendje jo të mirë, në mungesë të lirive të tyre kombëtare dhe njerëzore ndodhen shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi,ende sot po u refuzohet çamëve të shkojnë dhe të marrin shtëpitë e tyre në Çamëri. Autori  arrin të shkruajë një libër të analizës së thellë dhe të plotësimeve tekstore që i shkojnë përshtat mbajtjes në këmbë të argumenteve të mirëpërcaktuara dhe që nuk mund të kontestohen. Ai arrin të na japë dimensionet e gjëra të një lufte të paprinciptë të ulkonjave shoviniste ndaj një populli që, historikisht, nuk u ka asnjë faj, të një populli që mbetet si një nga popujt e vjetër të Evropës dhe me një kulturë të lashtë. Natyrisht në vështrimet e tij gjithnjë ndeshim këtë ide,po nuk duhet të harrojmë se autori tërthorazi bën thirrje për syçeltësi dhe për forcim të elementit shqiptar,element që nuk mund të forcohet pa njohur historinë dhe pa u ndërgjegjësuar për faktin se tokat e Shqipërisë nuk i janë shkëputur hënës,siç thotë akademik Rexhep Qosja,po i janë shkëputur Shqipërisë. Është e drejta e saj t`i kërkojë ato,është e drejta e shqiptarëve që në kushte të reja demokratike të vendosin vetë. Autori bën një vështrim historik të thelluar dhe me peshë. Shquarsia e faktit dhe mbajtja e tij në rrënjë të së vërtetës, është tipar kryesor i aktit shkrimor të këtij historiani me peshë. Për historinë e Shqipërisë është shkruar shumë nga autorë shqiptarë dhe të huaj,mjaft gjëra janë të njohura dhe të ditura,po Muhamet Shabani e shtrin dimensionin e vështrimit të tij edhe mbi bazën e njohjeve të veta,mbi studimet dhe zbulimet e kryera, duke thelluar ato dhe duke krijuar një panoramë më të plotë.

Në librin e Shabanit njihemi me figura të mëdha të historisë sonë që nga Skënderbeu,Nënë Tereza,Hasan Prishtina,Hoxhë Kadriu, Ramiz Cërnica, Adem Jashari,Sanihe Aliu-Sherifi(organizatore dhe udhëheqëse e demonstratave të grave dhe vajzave të fshatit Balaj kundër suprimimit me dhunë të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989),e emra të nderuar e të dashur si gjenerali Clark,Havier Solana,Toni Bler,Bill Klinton(vëllai  amerikan)) e Madelen Ollbrajt,njihemi posaçërisht me atë hero kolektiv ,popullin e Kosovës,me ato ngjarje të tmerrshme të plojës së luftës ,çfarë flet për një qëndresë kombëtare,epopeja e së cilës në kohrat moderne u ngjet betejave skënderbejane dhe homerike. Duke i përshkruar këto beteja, Muhameti u bën vetiu një homazh këtyre njerëzve ,emri i të cilëve është shkruar në panteonin e kombit shqiptar.

Libri kurorëzohet me historinë e re të Kosovës,me shifrat tmerruese të therorive në emër të lirisë,djegiet(një foto e djegies së Çarshisë së Gjakovës i ngjet një pamjeje biblike),me eksodin kosovar dhe gjithë atë teatër të përgjakshëm luftimesh ku rinia e lavdishme kosovare arriti me heroizëm të pashoq të shkruajë historinë më të re të lirisë. Libri të befason me shifrat,faktet dhe kjo ia shton vlerën prozës shkencore të Muhamet Shabanit duke shkuar drejt thellimit të argumentit në shtrirje të dimensioneve kohore, drejt thellimit për të kapur thelbin etnik të një populli qëndrestar në shekuj ,siç ishte populli shqiptar…dhe siç vazhdon edhe sot me të drejtën e zotit të jetojë në trojet e veta.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Muhamet Shabani, Politika ekspasioniste e shteteve Ballkanike, trojet shqiptare

LUFTA NË LAJME: 24 korrik 1998: Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën..

July 24, 2016 by dgreca

Në foto: Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe korrespondenti tash i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, në kohën kur si kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja në 60 vjetorin e saj në prag të 12 shkurtit 2005 i dhuroi Pllakatin e Jubileut të Rilindjes, të punar edhe me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit ku në 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës historike – të parës së përditshme shqiptare në Kosovë./

KOSOVA-LUFTA NË LAJME: 24 korrik 1998: Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën.. /

-Dhe një shkrim i para 19 viteve- 24 korrikut 1997 me titull: NO MESSAGE FOR KOSOVA AND ALBANIANS BY NEWLY APPOINTED PRESIDENT OF RUMP YUGOSLAVIA/

PRISHTINË, 24 Korrik 2016-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/ Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, para 18 viteve, në 24 korrik 1998, kërkonte mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon. “Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë”, u shpreh Rugova, në pergjigje në konferncën për shtyp në kohë lufte, ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, i cili një ditë më parë kishte raportuar se shqiptarët e vrarë në Rahovec janë varrosur në dy varreza masive dhe se terrori i forcave serbe vazhdonte. Kisha raportuar edhe se, “shtypi i Kosoves dhe burime të tjera masakren e kryer nga

forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën” – masakrën në Srebrenicë – Bosnjë e Hërcegovinë…

Dhe një shkrim i para 19 viteve – 24 korrikut 1997 me titull: NO MESSAGE FOR KOSOVA AND ALBANIANS BY NEWLY APPOINTED PRESIDENT OF RUMP YUGOSLAVIA.

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-07-24.ata.html

[08] Rugova demands international protection for Kosova

PRISHTINE, July 24 /ATA correspondent Behlul Jashari reports:

“The situation in Kosova continues to be dangerous; Serbian police and army attacks are daily. A severe ethnic cleansing has started in Kosova, ” Kosova President Ibrahim Rugova told reporters on Friday.

We want “international protection for Kosova and its people and an end to be put to the conflict’s spread in the region,” said Rugova.

The Serb police are allowing neither the burial of the killed after the massacres in Rahovec nor the arrival of international and national organisation in Kosova.

Thousands of Albanians have left the Rahovec town and its suburbs, said Rugova adding that attacks have been carried out and people killed also in other regions of Kosova, while the Serb police repression continues.

The International community, the U.S. and the European Union are undertaking all diplomatic as well as military steps not to repeat Bosnia in Kosova, said Rugova, responding to a reporter’s question.

Rugova renewed the stand that “the best solution for Kosova is independent Kosova with all guarantees for the local Serbs and an international protectorate as a transitional phase.” /p.ta/eva/lm/

Albanian Telegraphic Agency

[04] Killed Albanians buried in two mass graves

PRISHTINE, July 23/ATA correspondent Behlul Jashari reports:

Five Albanians’ names (Bekim Bugari, Sadik Shala, Destan Sharki, Muharrem Kadri, Mehmet Kadri dhe Halit Hoxha) as well as numbers 1, 4 , 8 and 10, figures of unidentified Albanians, while the number of the buried Albanians is thought to be much larger, are written on the mass graves dug by the Serbian forces on Wednesday, according to sources from the Council for the Defence of Human Rights and Freedoms in Kosova (KMLDNJ).

According to the same sources the Serbian forces on Wednesday dug by excavators two mass graves and buried the corpses gathered along the Rahovec town roads, about one hour before the arrival in the town of foreign reporters and diplomats.

According to the KMLDNJ the Serb forces have killed over 50 Albanians while many killed and massacred, who have remained in streets, houses, basements and fields have not yet been identified.

LDK sources in Rahovec believe there are hundreds of killed, massacred, burnt and injured.

The Kosova press and other sources compare the massacre committed by the Serbian forces in Rahovec with Srebrenice. /p.ta/mima/lm/

Albanian Telegraphic Agency

https://groups.google.com/forum/#!msg/bit.listserv.albanian/iejU53985dY/YhnheFtjLeMJ

Rugova kerkon mbrojtje nderkombetare per Kosoven

PRISHTINE, 24 korrik – Korresp. i ATSH-se, Behlul Jashari,
njofton: “Ne Kosove gjendja vazhdon te jete e rrezikshme; zdo
dite ka sulme te policise dhe ushtrise serbe. Ky eshte nje
spastrim i eger etnik, qe ka filluar ne Kosove”, tha te premten
para gazetareve ne Prishtine Presidenti i Kosoves Ibrahim Rugova.
Kerkojme “mbrojtje nderkombetare per Kosoven dhe popullin e
saj dhe te ndalohet perhapja e konfliktit ne rajon “, theksoi
Rugova.
Policia serbe nuk po lejon varrosjen e te vrareve pas
masakrave ne Rahovec dhe as ardhjen e organizatave nderkombetare
dhe kombetare ne Kosoves. Me mijra shqiptare jane larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij, tha Rugova, duke shtuar
se edhe ne rajone te tjera te Kosoves ka patur bombardime dhe te
vrare, nderkohe qe vazhdon represioni i policise serbe.
Bashkesia nderkombetare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po
ndermarrin te gjitha hapat diplomatike, por edhe ato ushtarake,
qe te mos ndodhe Bosnja ne Kosove, u shpreh Rugova, ne pergjigje
te pyetjes se gazetareve.
Rugova perseriti qendrimin se “zgjidhja me e mire per
Kosoven eshte Kosova e pavarur me te gjitha garancite per serbet
lokale dhe nje protektorat nderkombetar si faze kalimatare”.
/P.Ta/eva/ –
Shqiptaret e vrare jane varrosur ne dy varreza masive

PRISHTINE, 23 korrik/-Korrespondenti i ATSH-se, Behlul
Jashari njofton: Mbi varrezat e perbashketa qe forcat serbe i
hapen te merkuren jane shkruar pese emra shqiptaresh (Bekim
Bugari, Sadik Shala, Destan Sharki, Muharrem Kadri, Mehmet Kadri
dhe Halit Hoxha) si dhe numrat  1, 4 , 8 e 10 qe jane shifra per
shqiptaret e paidentifikuar, nderkohe qe numri i shqiptareve te
varrosur mendohet te jete shume me i madh, bejne te ditur burime
te Keshillit per Mbrotjen e Lirive dhe te Drejtave te Njeriut ne
Kosove (KMLDNJ).
Sipas te njejtit burim forcat serbe kane hapur, te merkuren,
me eskavator dy varre te perbashketa dhe kane groposur kufomat e
mbledhura neper rruget e qytetit te Rahovecit, afro nje ore para
ardhjes ne qytet te gazetareve dhe diplomateve te huaj.
Sipas KMLDNJ forcat serbe kane vrare mbi 50 shqiptare,
nderkohe qe nuk jane identifikuar ende shume te vrare e te
masakruar, qe kane mbetur neper rruge, shtepi, bodrume dhe fusha.
Burime te LDK-se (Lidhjes Demokratike te Kosoves) ne Rahovec
besojne se jane qindra civile te vrare, te masakruar, te djegur
dhe te plagosur.
Shtypi i Kosoves dhe burime te tjera masakren e kryer nga
forcat serbe ne Rahoveci e krahasojne me Srebrenicen.
/P.Ta/mima/

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1997/97-07-24.ata.html

[03] NO MESSAGE FOR KOSOVA AND ALBANIANS BY NEWLY APPOINTED PRESIDENT OF RUMP YUGOSLAVIA

PRISHTINA, JULY 24 (ATA) – By B. Jashari: In a message to the “citizens of Yugoslavia” from the parliament of Serbia-Montenegro Federation which declared him president on Wednesday, Slobodan Milosevic did neither address to Kosova and Albanians nor mention them in his speech.

This is considered in Prishtina as a lack of readiness by the official Belgrade to face a solution to the Kosova issue, which tries to see as “in-existent” and “solved within Serbia”.

The Albanian opinion in Kosova was indifferent to the election of Milosevic in the post of the president of the rump Yugoslavia because it is a foreign event for Kosova and Albanians which have declared independence. The regime of Milosevic in Kosova is coloniser and occupier which is present here only through violence and terror. It is in Kosova where the newly-appointed president initiated his bloody career for power.

Milosevic inaugurated his candidature for president of the rump Yugoslavia in Kosova with an “armoured flight” on June 25 this year.

“We will not yield before any pressure to give an inch of Kosova,” said Milosevic in his old threatening message to the crowd.

On 1987, Serbian nationalist militants had created a “core” to prevent Kosova’s “Albanisation”. Since the Serbs arrival in Kosova at XIII century like occupier, they had never represented the majority in the province. This led to the lifting of Kosova’s autonomy by Belgrade. Two million Albanians in Kosova, over 90 percent of the population, have opposed Belgrade’s authority and have peacefully created a parallel government with the imposed Serbian administration.

Kosova, in the East of Albania, like Cameria in the South and Manastiri in Southeast, were separated by the Albanian territories on the decision of the Conference of Ambassadors in London on May 13, 1913. Even Tivar and Ulqin in the West, in the Adriatic coast, were also separated from Albanian territories to join Montenegro. pta/pas/k

 

Filed Under: Histori Tagged With: 24 korrik 1998: Rugova, Behlul Jashari, mbrojtje nderkombetare

Kosova sot në ditë zie, qirinj ne oren 8 e 30

July 24, 2016 by dgreca

-Përkujtim viktimave të sulmit në Munih, ndizen qirinjë sot në mbrëmje nga ora 20:30 në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë/

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Prishtina /

PRISHTINË, 24 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë sot është ditë zie e shpallur nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në nderim të viktimave të sulmit në Mynih-Gjermani, ku në mesin e viktimave janë edhe shtetasë kosovarë, dhe në solidarizim me popullin gjerman.

Flamujt ulen në gjysmë shtizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Ministria kosovare e Diasporës ka ftuar të gjithë bashkatdhetarët që janë në atdhe dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të përkujtojnë bashkatdhetarët tanë të rënë në sulmin e Mynihut, Sabina Sula, Dijamant Zabergja dhe Armela Segashi, por edhe të gjitha viktimat e sulmit kriminal në Mynih, përmes ndezjes së qirinjve, sot në mbrëmje nga ora 20:30 në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Ndezja e qirinjve i paraprin aktivitetit të paraparë për Ditët e Diasporës, Albanian Beauty, të mbështetur nga Ministria e Diasporës, me projeksione të filmave të filmbërësve nga diaspora, e që nesër do ti dedikohen Sabinës, Dijamantit e Armelës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shkuar në Mynih, ku në vendin e tragjedisë vendosi lule në nderim për të gjitha viktimat./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Kosova sot në ditë zie, ne oren 8 e 30, qirinj

SHPALLJA E 25 KORRIKUT SI FESTIM E PUSHIM ZYRTAR ËSHTË NJË TEPRI QEVERITARE E FYERJE KOMBËTARE

July 24, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
 1.Sivjet, 25 korriku do të jetë Ditë Pushimi, përndryshe: Festë Zyrtare,  njësoj si 25 Dhjetori i Krishtlindjeve,  pasi kryeministri ynë Edi Rama na e bani dhuratë kumtuese me ferman qeveritar të 22 korrikut, sepse u votua me 140 vota Reforma në Drejtësi, etj. A mund të jetë “Krishtlindje” Reforma në Drejtësi në Shqipëri për t’i dhanë kaq haptë, kaq lartësi, etj.?!
Kësisoj, më duket tepri ky pushim, kjo festë e 25 korrikut 2016. Përveçse si një tjetër akt servilizmi publik vendimor e politik ndaj Ndërkombëtarëve, e shoh dhe si një akt dite për kapital politik elektoral partiak, (ndër)kombëtar për vet kryeministrin aktual e partinë e tij – PS-në – të rilindur tash 25 vjet – nga Kongresi i PPSH i 12 qershorit 1991.
E thotë vet kryeministri ynë Edi Rama: “Së bashku kemi arritë të paarritshmen në 25 vjet”. Ky, ndoshta, është kuti i tij politik e elektoral.  Përndryshe: kjo thënie e tij është e mbetet “Hiç”, sepse asgjë nuk lindi nga “Hiçi”. Sistemi ynë i Drejtësisë ka 25 vite me gjithato ligje të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë. Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon shumë dispozita kushtetuese, nene të saj, për institucione e veprimtarinë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Kemi ligje të veçanta “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (2008), “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” (2000), “për organizimin e funksionimin e Prokurorisë në RSH” (2001), “Për organizimin dhe funksionimin e KLD” (2001), “Për Avokatinë në RSH” (1994), “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda” (2003), “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrveshjeve administrative” (2012), “Për Noterinë”, etj., të cilat janë produkt dhe i një konsensusi të gjërë politik parlamentar.
 E thotë vet Edi Rama, kryeministri ynë: “Vota e sotme do të çelë tiparin e një revolucioni të shumëpritur në drejtësi”. Çështja shtrohet dhe kësisoj: Ndryshimi i Sistemit të Drejtësisë nga Komunizmi në Demokraci ishte dhe është një Revolucion i vështirë, i gjatë, me suksese e me dobësi. Çdo ligj ishte evolucion, ishin hapa të këtij Revolucioni ende në proces, tue përfshi dhe Reformën në Drejtësi. Përndryshe: sa herë të vijnë liderë të rinj në shumicë pushtetore nuk mund të fillojmë një “Revolucion të Ri”.  Vetëm amerikanët kur i kryejnë revolucionet shkojnë në shtëpi, tek puna, tek kasha, tek shkolla, etj., ndërsa ne – europianët, sidomos ne – shqiptarët, edhe pasi kryejmë revolucione prapë mbetemi në rrugë, apo i lamë ato në mes të rrugës, etj. Shqipëria, mirë apo keq, kemi 104 vite shtet e gjithçka nuk fillon as me Ahmet Zogun, as me E.Hoxhën, as me Sali Berishën, as me Fatos Nanon apo Edi Ramën. Sigurisht, as Reforma në Drejtësi, sado piedestalore ta kemi në këtë vit e në të tjera vite në vazhdimësi plotësimi e përmbushjeje të saj me Ndryshime Kushtetuese e ligje të veçanta të njipasnjishme.
 E vlersoj/më jetësore, tokësore, deri dhe qiellore, Reformën në Drejtësi e kontributin e Ndërkombëtarëve, të ekpsertëve juridik shqiptarë e të huaj, të Kuvendit të Shqipërisë, të partive politike shqiptare parlamentare e liderëve të tyre Rama, Basha, Meta e të tjerët, sepse e çmoj ma të vështirë një Reformë në Drejtësi se sa Luftën e Dytë Botërore. Kjo për faktin se Lufta ka një afat kur niset e mbyllet (1939-1944), po Drejtësia e keqe e në duar të këqija të “vret” (viktimizon) për çdo ditë e këdo prej nesh, biem viktima të saj. Përndryshe:  nuk mund të themi se prej 21 apo 22 korrikut 2016 zbriti Zoti nga Qielli e dolën “Zeusët” apo “Kreshnikët” e Drejtësisë Shqiptare dhe prej kësaj dite/date kena 25 korrikun pushim e festim. Sigurisht: Nuk duhet të sillemi si “Çlirimtarë të Drejtësisë”. Nuk duhet të pjellim “Revolucionarë të Drejtësisë”. Nuk duhet të jemi “Inkuizicionistë të Sistemit të Drejtësisë, të gjyqtarëve e prokurëve të tij, etj., Nuk duhet të ndërmarrim “kryqëzata”masive të menjëhershme ndaj tyre. Jo vetëm se i kemi pak: mbi 400 gjyqtarë, mbi 400 prokurorë, mbi 320 noterë (120 vetëm Tirana), 140 përmbarues gjyqësor privat aktiv (85 vetëm Tirana), avokatët, etj. po këta kanë përvojen e viteve të punës së tyre, kanë përvojën e shekujve të drejtësisë shqiptare kanunore e shtetërore, etj. Sistemet politike në Shqipëri, politika e politikanët në Shqipëri e kanë “mbyt” deri në fyt Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Komunizmi me Reformën Agrare, me Shtetëzimet, me eleminimin e pronës private, etj. dhe Demokracia me Ligjin 7501 të ndarjes së tokës, privatizimet, etj. e kanë detyrue sistemin gjyqësor e prokurinë në të gjitha shkallët të bajnë mbi 1 milionë gjyqe për pronat (deri dhe në Strasburg). Mijëra gjyqe po bahen në Shqipëri për largimet nga puna në Gjykatat Administrative të dy shkallëve, aq sa kanë çështje që rrijnë mbi dy vite në pritje shqyrtimi vendimor final. Askush në Shqipëri nuk ka ngarkesë ditore e volumore sma të madhe e të vështirë se sa gjyqtarët  e prokurorët, të cilët kanë status të veçantë e peshë deri jetike në vendimmarrjet e tyre. Vërtet e kryesisht politika iu jep atyre pagat e “bukë” gjykimesh me gabime, të meta e fajet e tyre, po këto janë aq të shumta sa që shpesh herë nuk iu del koha e mjaftueshme me hangër vakt pas vakti bukën e tyre të përditshme, me ose pa lekët e tyre. Ndaj Politika Shqiptare është debitorja ma e madhe e Drejtësisë Shqiptare, e sistemit gjyqësor të saj në të gjitha shkallët, etj. Ndaj pa u ba marksistë, të punojmë sipas thanies së Marksit: brezat ecin mbi supet e njëri-tjetrit, që kur të vijnë të rinjtë edhe po s’ua morën shembullin të vjetërve, tua lanë përvojën e vyer e të gjatë të tyre.
 2. Tepri kjo ditë feste e pushimi zyrtar, politik, popullor, juridik…, pasi me 25 korrikun, plotnohen 15 ditë festa zyrtare. Një 15-ditësh pushim.  Shto dhe 103 të shtuna e të diela për vitin 2016 – i takon rreth 4 muaj pushime në vit për administratën e Shqipërisë Londineze(!).
Çdo president apo kryeministër i Shqipërisë, nga ata dhe me funksionin kryetar partie në pushtet, përveç festave të domosdoshme:  Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë (28 nëntor), Dita e Çlirimit (29 nëntor), Viti i Ri (dy ditë), Dita e Novruzit (22 mars), Dita e Pashkës Katolike dhe ajo e Pashkës Ortodokse, Dita Ndërkombëtare e Punonjësve (1 maji), Dita e Bajramit të Madh dhe ajo e Kurban Bajramit) dhe Krishtlindjeve, kanë caktue dhe festa të tjera zyrtare: Presidenti Sali Berisha 8 Dhjetorin – Dita e Rinisë. Kryeministri Fatos Nano 14 Marsin – Ditën e e Verës dhe 19 tetorin – Dita e Lumturimit të Nanë Terezës. Para dy ditësh, kryeministri aktual Edi Rama, e vendimoi 25 korrikun (me sa duket vetëm për këtë vit) si Ditë Pushimi e Feste prej/për Reformën në Drejtësi.
 E thotë analisti Blendi Fevziu tek nji koment i tij “Sa miliona euro na kushton Tuiteri i Ramës”, botue në “Koha Jonë”(23 korrik 2016), e përllogarit se Qeveria Rama duhet të paguajë nga paratë e taksa-paguesve shqiptar për adminstratën qëndrore dhe lokale plot 4 milionë euro vetëm paga për një punë të pakryer. Plotësisht e saktë. Krejtësisht e drejtë.
Veç duhet me dvet kush t’na ndijnë: A thue, shteti ynë, i mbetur në krizë ekonomike-financiare, që po thellutet në krizë politike institucionale, etj. e paska një luks kaq të madh për shpenzime kaq të larta, të panevojshme, edhe të denueshme?! A thue Qeverisë po i duket pak se me 21 e 22 korrik 2016 të Votimit të Reformës (po edhe me 18,19,20 korrik në pritje tensioni e presioni diplomatik e politik ndërkombëtar e kombëtar) i la shumicën e shqiptarëve pa punë, me sy e veshë tek fatet e Reformës e të Qeverisë?!
 3.Sigurisht, lania e miratimit të Reformës në Drejtësi më 21 korrik 2016 është e pa qëlluar në kohë, etj.
Jo për faktin politik se kjo ndodhi në ma pak se 300 ditë kalendarike para dekretimit Presidencial për Zgjedhjet Parlamentare të Qershorit 2017. Po ka dhe diçka tjetër: gjithësesi e randësishme dhe e patolerueshme.
Gjithandej e gjithkush po thuhet se Miratimi i Reformës në Drejtësi hapi një Epokë të re, etj., etj., veçse duhet me e ditë dhe këtë faktin tjetër: Prej Ditës së miratimit të kësaj Reforme të gjitha gjykatat e sistemit tonë gjyqësor, gjykatat e çdo shkalle e në çdo bashki të Shqipërisë, i mbyllin dyert e tyre për popullin e vet deri në shtator 2016, në ma shumë se një muaj kohë. Kjo, për faktin se hana e 25 korrikut është pushim e festë prej kryeministrit Edi Rama e Qeverisë së tij, ndërsa katër ditët e tjera të mbetura (26, 27, 28, 29) janë ditë me pak gjyqe,etj. Gushti është muaj tradicional për pushimet e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri.
Edhe ky fakt e nxjerr 25 korrikun 2016 nji ditë pushimi të panevojshme, nji festë të tepërt. Pak reale e shumë politike për nga dimensionet e saj,  nga pulset e kumtet e saj.
 4.Ashtu, jo kot, po due me thanë se 25 korriku 2016 vjen ndryshe për Parlamentin e Ilir Metës, vjen ndryshe për qeverinë e Edi Ramës.
Për Parlamentin është shpall ditë pune, pasi në websajtin e Parlamentit njoftohet thirrja e Seancës Plenare në ora 10.00 të paradites së 25 korrikut, ndërsa për Qeverinë, në websajtin e saj, njoftohet 25 korriku ditë pushimi për administratën qëndrore e lokale.
Në websajtin e Kryeministrisë 25 korriku 2016 shenjohet, sipas kalendarit gregorian, ditë e hane, ndersa në websajtin e Parlamentit shenjohet (ndoshta sipas “kalendarit politik”) si ditë e enjte dhe ky fakt publik të krijon idenë sikur ende vazhdon e enjtja e 21 korrikut 2016.
Edhe këto dy mos përkatësi apo dakortësi të krijojnë nji ide ma të plotë rreth teprisë kryeministrore për caktimin e 25 korrikut 2016 si Ditë Pushime e Feste (!)
 5.Mbi të gjitha e para të gjithave, 25 korriku 2016 si një Ditë Pushimi e Feste është një fyerje e madhe, e pa tolerueshme, e dënueshme për Traditën e Trashëgiminë Juridike Shqiptare, jo 25 vjet si e thotë kryeministri ynë Edi Rama për Reformën në Drejtësi, por mbi 2.500 vjet kohë e histori, prej nga kushtetutat ilire në mbretëritë ilire, në “qytet-shtetet” ilire, me Kodin e Lekës së Madh (i tokës e origjinës shqiptare, zanafilla e Kanunit të Lekë Dukagjinit), me Kodin e Justinianit të Madh (perandorit romak me origjinë ilire), në principatat shqiptare të Arbnisë e kohës së Skënderbeut, me Kushtetutën Shqiptare të vitit 1998, etj.
 Presidenti Meidani e shpalli me Dekret  të dielën e 22 nëntorit 1998 si ditën e miratimit përfundimtar me Referendum të Kushtetutës së Shqipërisë, po as ky si kreu i shtetit dhe as Majko si kryeministër i asaj kohe, nuk e shpallën të hanën pushim zyrtar, festim. As Kuvendi i Shqipërisë me kryetar Skënder Gjinushin, kur e mirtaoi në Kuvend Ligjin nr. 8417, në të mërkuren e 21 tetorit 1998, nuk e mori nismen ta shpalli të nesermen ditë pushimi zyrtar, si 25 korrikun e sivjetëm, 2016. Shembuj të tillë mund të sjellim plot për të dëshmue se astenjiherë në historinë e shtetit shqiptar, nga mbretëritë ilire, principatat shqiptare e dekteri në shek. XXI, në asnjë rast kur është miratue një reform, si kjo e tanishmja – Reforma në Drejtësi, nuk ka ndodh që të caktohet ndonjë nga ditët pasardhëse si ditë pushimi zyrtar. Gjithmonë populli ka ditë si të festojnë e pushojnë dhe administrate sit ë gëzojnë e të punojnë, pa pasë vendime qeverie si ky për 25 korrikun 2016 (!)
Në Kombin Shqiptar të Justinianit të Madh (482-565) që i la Perandorisë së Bizantit e Botës së përjetshme përmbledhjen justiniane të përbotshme “Codex repetitae praelectionis” në mbi 50 libra, i njoftun si “Kodi i Justininit të Madh” dhe që ende Europa Kontinentale e ka në themele juridike të saj,  dhe në atdheun e prijtarit e mendimtarit të madh Lekë Dukagjini që na la Kanunin e Lekë Dukagjinit me gjithato nene që ua kalojnë dhe atyre të Europës së sotme të Bashkuar (BE), në vendin e “Kanunit të Skënderbeut”, etj. të shpallësh 25 korrikun 2016 ditë festimi e pushimi për arritje të miratimit të nji Reforme në Drejtësi, është disi, jo pak, një fyerje kombëtare ndaj Justinanit të Madh, ndaj Skënderbeut e Lekë Dukagjinit, ndaj Kombit tand në zemër e themeli të Europës së Bashkuar, etj.
Tiranë, 24 korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: fyerje, pushimi i 25 Korrikut, Ramiz Lushaj, tepri qeveritare

Poeti Zogaj në Berat me librin “Ushtrimet e Melankolisë”

July 24, 2016 by dgreca

Per Diellin nga Berati Sulo Gozhina/

BERAT –  Një tjetër vëllim poetikë do ti shtohet këto ditë korriku librashtësve dhe biblotekës të qytetit antik të Beratit “Vehxhi Buharaja”, ndëkohë që lexuesit në pushimet e tyre verore dhe kryesisht lexuesit e poezisë do të kenë marë me vete “Ushtrimet e Melankolisë”, të poetit Preç Zogaj. Në ambientet Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, është zhvilluar në mesditën e djeshme takimi me njeriun e letrave  Zogaj. I njohur për publiçistikën e tij, pjesëmarrës dhe në jetën politike në vend me analiza dhe debate Zogaj ka qënë dje përball lexuesve të Beratit. Në prenzantimin e librit Drejtori i Bibliotekës së Beratit, Arben Jaupaj tha se gjatë ditëve të festivalit “Multikulturor”, do të prezantojnë një sërë librash, prezantim i cili nisi dje me autorin  Zogaj.
Një vijë melodike jo e njëtrajtshme, por me suspanca në poezite e ketij poeti, ka ndjeshmëri, fatalitet, ka premtim, ka lule të bukura, poetike, të gjitha këto poezi janë si një foto,  janë futur  në një kornizë të bukur, atë të Melankolisë. Do të citonte në fillim të receptimin e saj lexuesja Lumturi Ramaj Sholla për vëllimin poetikë“Ushtrimet e Melankolisë” të poetit Zogaj. Ndërsa vijonse foto e realitetit,e ndjeshmërisë së atij që ne i themi njeri, e njeriut që ka mall për vëndlindjen,kujtojmë këtu poezine: “Tiranë-Lezhe,zgjim përsëri’’ apo poezia “Në Shëngjin”, e njeriut që ndjen dashuri, poezia “Fytyra e dashurise’’; apo “Me një porosi të haruar” e njeriut që kërkon të korigjojë, poezia “Anonime” etj. Të gjitha këto  të bëjnë ta lexosh me kureshtje çdo poezi duke pritur me padurim stacionin tjetër ku ka qëndruar autori. Në poezinë e tij, autori është kërkues, është patriot, beson në zot,është njeri që di të vlerësoj vlerat,poetët. E pasqyruar shumë bukur kjo në poezitë  e tij, për Ndoc Gjetja njeri prej poetëvë të Lezhës, vdekjes se Teodor Kekos etj.. E vërteta e ketij vëllimi poetik është se  autori në asnjë moment nuk ngatëron poezinë me politikën. Poeti  është  i  interesuar për kohën,për nënën,për Lezhen.për Prishtinen…Ai kërkon që të bëjë shumë ndaj i friksohet kohës, sepse ajo është e pamëshirshme. Bukur shprehet autori te “Elegji e vazhdueshme” – Dita perëndon në grykë të njeriut / Kur kujtimet vdesin në hjekë të thellë / Malli dashuria,vuajtja pendesa / Nuk prekin asgjë,nuk shohin asgjë / T’merri zhduket tejpërtej ndjesive…Ndjenja e dashurisë për vendin e tij,e këtij vendi me histori të lashtë,por dhe prokupimi e shoqëron autorin në vargjet e tij kur ndër të tjera thotë: – Jam Shqiptar – Vështroj nga gjuha ime si nga një kala,kohën e botës që vërshon / Kam frikë për fëmijët e mi, kam frikë për fëmijët e fëmijve / Mos do ti lërë pas / Mos do ti hedhë / Rruzulli tokësor duke u rrotulluar….Ndjenja më e bukur ajo prindërore,sidomos dashuria për nënën, poezia “Tërheqjet e nënës sime”,por dhe trishtimi për vdekjen e saj,nuk mund të mos pasqyrohen me finesë dhe me figura lehtësuese në këtë vëllim: – Ngjarje të mëdha po ndodhin këtu / Nga ijet nga brinjët  e një gruaje / Dalin e treten papushim në dritë / Ditët e saj të ruajtura si monedha…Këto ka cituar në perceptimin e saj Sholla, ndërsa vijon se përveç shumë ndjesive që përmënda me lart, edhe në vëllimet e tjera të autorit poezia është pjesë e tij,është shpirti që qetësohet, ndjeshmëria e pasqyruar. Ky vëllim poetik të jep freskinë e spontanitetit e privilegjit që të jep koha e lirë, e krijimtarisë që nuk njeh përkthim, është frymëmarja e tij. Poezitë  e autorit dallohen për butësinë e figurave letrare të cilat zbusin dhe fjalën e rëndë vdekje. Autori nuk e pranon mbarimin e kohes,kjo e shprehur në poezine’’Jetë s’të them dot mirupafshim’’. Ky vëllim poetik  i Preç Zogaj sikurse dhe shumë botime të tjera të tij, na bëjnë të besojmë se jemi njerëz,dhe si të tillë ,duhet të mbartim me vehte mirësinë, njerëzoren në  plotë kuptimin e fjalës, të bukurën, dashurinë duke besuar tek të gjitha këto vlera që po vijnë duke u rralluar në shoqerinë e sotme Shqiptare, vlera të cilat duhet ti mbajmë të gjalla që ato të ekzistojnë.
Gjatë takimit grupi i vajzave të përzgjedhura mike të poezisë receptuan poezi nga vëllimi poetik  “Ushtrimet e Melankolisë” të poetit Zogaj. Në takim përshëndeti dhe receptoj Yzedin Hima, ndërsa vet poeti iu përgjegj pyetjeve të lexuesvemes të cilëve dhe Xhovan Kajana që citoj mes të tjerash se me poezinë është bashkuar nga viti 1956 viti ku dhe  ka marë çmimin e parë në poezi dhe që nga ajo kohë nuk i është ndarë më prej saj. Kajana vlersoj vëllimin poetikë duke bashkëbisetuar edhe për poetët e tjerë të njohur në fushën e poezisë.
Vetë autori Zogaj u shpreh në fjalën e tij se ndihej mjaft i vlerësuar për pritjen e bërë në këtë qytet magjikë që sa hërë të sodisësh po dhe aq shumë mbrekullohesh.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Prec Zogaj ne Berat, promovon, Sulo Gozhina, Ushtrimet e melankolise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT